“URACult Literae” mblodhi rreth vetes shumë autorë shqiptarë

Me edicionin e dytë të mbrëmjes letrare “URACult Literae“, shoqata kulturore URACult nga Köln-i pasuroi edhe një herë kalendarin edhe ashtu të varfër të aktiviteteve kulturore shqiptare në Gjermani, përcjellë KultPlus.

Thirrjes për pjesëmarrje në këtë mbrëmje ju përgjigjen shumë autorë shqiptarë nga gjithë Gjermania. Me autoret Lindita Arapi dhe Anita Rafuna, URACult-i zgjodhi dy autore gjeneratash dhe zhanresh të ndryshme por edhe temash të ndryshme të veprave të tyre.

“Shkrimtarja e vitit 2011“ në Shqipëri Lindita Arapi, lexoi nga romani “Vajzat me çelës në qafë“. Në këtë roman autorja Arapi trajton një periudhë të errët të Shqipërisë, një periudhë për të cilën mungon ende gatishmëria për të hedhur dritë mbi të. Historia prekëse e protagonistes Lodja la një mbresë të thellë te dashamirët e fjalës së shkruar të mbledhur në këtë mbrëmje në Köln. Edhe historia personale për të cilën autorja foli në bisedën me moderatoren e mbrëmjes, ishte mbresëlënëse. Ishte një thirrje për të filluar përballjen me këtë fazë të errët e jo të pritet “një zgjidhje biologjike” (Lindita Arapi) e saj deri sa të vdesin të gjitha viktimat e diktaturës.

Emocional dhe rrëqethës ishte edhe paraqitja spontane e aktorit Kasem Hoxha. Ai recitoi poezinë “Vertikal” të Petrit Palushit për historinë e dhimbshme të poetit Havzi Nela. Edhe ky viktimë e diktaturës së tmerrshme komuniste.

Autorja e re Anita Rafuna kishte filluar qysh në moshën 16 vjeçare të shkruaj romanin e parë të saj. Leximi i saj nga vepra “Vrapuesja” e shkruar me shumë fantazi u prit shumë mirë nga publiku. Sidomos dy tekstet e saj në “poetry slam” me tema interesante u duartrokitën gjatë nga të pranishmit të cilët nuk kursyen me lëvdata dhe falënderime edhe për organizatorët të cilët edhe një herë ofruan një organizim kulturor të nivelit të lartë. / KultPlus.com

Ministri Gashi priti në takim Ansamblin ‘Shota’ pas suksesit të tyre në Festivalin Ndërkombëtar ‘Vitosha Folk Fest 2018’

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur sot në takim përfaqësues dhe valltarë të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”, pas pjesëmarrjes së tyre të suksesshme në Festivalin Ndërkombëtar “Vitosha Folk Fest 2018”, në të cilin u shpërblyen me tri çmimet kryesore të festivalit, përcjellë KultPlus.

Ministri Gashi uroi Ansamblin për çmimet e marra dhe i përgëzoi ata për punën që po bëjnë në promovim traditave muzikore shqipe. “Për mua është një kënaqësi e veçantë kur ka rezultate të mira. Na keni bërë të ndihemi mirë si Ministri si pjesë e juaja në kuptimin institucional. Unë ju përgëzoj për arritjet dhe për çmimet që keni marr”.

Ai po ashtu tha “rezultatet e arritura të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota” na bëjnë të ndihemi krenarë e sidomos rezultatet e arritura në gara të mëdha jashtë vendit”.

Ministri i falënderoi për kontributin e dhënë dhe po ashtu bëri me dije se Ministria do të vazhdojë të mbështes Ansamblin “Shota”: “ne do të vazhdojmë të ju mbështesim si Ministri dhe ju falënderoj për angazhimin dhe kontributin që jepni”.

Ushtruesi i detyrës së Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”, Nazmi Demaj, falënderoi ministrin për pritjen e tij. Ai tha se “Ansambli gjithmonë ka qenë dhe vazhdon të jetë në nivel. Ne çdo herë kemi sjellë nga jashtë çmime, në të gjitha garat në të cilat kemi marrë pjesë, jemi shpërblyer me çmime të para e të dyta”.

Ndërkaq profesori nga Shqipëria, koreografi Fehmi Shaqiri, u shpreh po ashtu i kënaqur me pritjen e ministrit Gashi. Duke folur për sukseset dhe të arritura e ansamblit “Shota”, Shaqiri theksoi “Ne si Ansambël kemi folklor shumë të madh dhe nuk ka ambasador më të madh dhe më të fuqishëm se sa ansambli “Shota”. / KultPlus.com

Vlora Çitaku, në bardhësinë e qiellit bën simbolin me shqiponjë

Simboli i shqiponjës dykrerëshe nuk është praktikuar asnjëherë më shumë se kohëve të fundit.

Ishin futbollistët Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri ata të cilët pas shënimit të golave kundër Serbisë festuan me simbolin e shqiponjës, e ku si pasojë u dënuan nga FIFA me nga 10 mijë euro. Ky vendim i cilësuar si i padrejtë nga të gjithë, ka nxitur lojtarë e tifozë, personalitete të shquara të artit e njerëz nga politika që ti kundërpërgjigjen FIFA-së duke bërë simbolin shqiptarë gjithandej.

Ndërsa sot, është Vlora Çitaku ajo e cila simbolin e shqiponjës ka vendosur ta bëj në një vend më të veçantë se gjithë të tjerët. Ajo ka zgjedhur bardhësinë e qiellit.

“Ai moment kur nuk ke frike, as dhimbje, as dëshirë, as ambicie, uri… vetëm paqe #fluturolartë, #shqiponjë. Qielli nuk është limiti, paqe”, ka shkruar Ambasadorja Vlora Çitaku poshtë fotografive. / KultPlus.com

Dashakeqësia ndaj shqiptarësisë së Shaqirit e Xhakës

Gani Mehmetaj

Pas Ibrahim Rugovës askush nuk arriti ta ndërkombëtarizojë e ta riaktualizoj çështjen shqiptare në Dardani e në Gadishullin Ilirik më shumë se sa Shaqiri, Xhaka, Behrami e Xhemajli. Mediet Perëndimore i ritheksuan edhe një herë krimet serbe në Dardani, shpjeguan se prindërit e këtyre futbollistëve ashtu si mijëra familje shqiptare ishin viktima të dhunës serbe.

Pjesa dërmuese e opinionit, medieve, deputetëve e politikanëve zviceranë e mbështetën Shaqirin e Xhakën, qëndruan prapa tyre pas figurës ‘nacionaliste” të shqiponjës dhe u tallën me histerinë serbe për disfatën dhe për zhurmën koti që e bënë kundër futbollistëve shqiptarë. Mediet zvicerane e perëndimore i tallën edhe zyrtarët e FIFA-s që reaguan serbisht.

Vetëm një deputet zviceran pati rezerva ndaj simbolikës së shqiponjës për arsyet e veta “atdhetare”. Por nuk e kuptova pse një surrogat gazetari i kooperativave të Skraparit (M. Nano) në një gazetë shqipfolëse i lëpinë serbët aty ku nuk duhet, duke u përpjekur t’u thotë se Shaqiri e Xhaka nuk janë ata.

Për shkak të servilit të pa dinjitetshëm e të padijshmit proverbial, Mustafa Nanos, duhet të sqarohet opinioni i huaj se duart e kryqëzuara me shqiponjën dykrenore nuk janë manifestim kundër serbëve e Serbisë, ashtu siç duan t’ia përkëdhelin sedrën vetës serbët e frustruar me ndenjen e vogëlsisë e të hiçit, por simboli i duarve me shqiponjë është shprehje e shqiptarësisë.

As tre gishtat e serbëve nuk kemi pse i përjetojmë manifestim kundër shqiptarëve, sikur policët e ushtarët serbë kur bënin krime në Dardani, para kufomave të mos fotografoheshin me tre gishta. Patrikana e Moskës dhe Kisha Serbe atëbotë ua bekonte armët dhe i shpallte heronj këta kriminelë me tre gishta.
Serbët mu si rusët, kur u shkërmoq diktatura sovjetike, e zëvendësuan përshëndetjen pesëdhjetëvjeçare të grushtit komunist me tre gishta, duke iu kundërvënë përshëndetjes së kombeve jo ruse me dy gishtat latin. Serbëve pro rusë u shkonte për shtati tre gishtëshi në luftën kundër kroatëve katolikë dhe shqiptarëve properëndimor që e bënë simbol përshëndetjen me dy gishta latin. Edhe në Kroaci serbët fotografoheshin para kufomave me tre gishta.

Sonte nuk vjen askush…

Poezi nga Majlinda Bashllari .

Sonte nuk vjen askush, tryeza rri shtruar,
një pirg me rroba të palara dergjet më tutje… ka ditë.
Rrëmuja ime, kontribut modest
në kaosin e përbotshëm…mendoj
dhe tinëzisht ia kthej shpinën.
Siddharthën* vështroj tani,
gozhduar në fletë standarde, brenda
një ndërtese standarde këtu në North America…
shkrep si e zeza mbi të bardhë,
pelin mbi plagët në kokën time…
flokë sensitivë, lëkurë nervoze,
ka muaj që ju pres të shëroheni,
gërricur, gjakosur, përtharë,
më ktheni në dashnore të vetvetes,
më mbani lidhur më të
si në zinxhir martesor,
falë saj, pak e kam vrarë mendjen
pse në mes të gjashtë miliardë të gjallëve,
Sizifi është çfarë dua,
Mos dil nga legjenda… i lutem
dhe shkëmbi i mbetet në shpinë,
se dashuria… jo se na mban në jetë,
por drejt vdekjes s’na hedh,
pikërisht nga ajo majë mali
ku ti arrin çdo mbrëmje, me shkëmbin, që pastaj
vetë e rrëzon drejt zemrës…

*Siddhartha- vepër e Herman Hesse

Dy këngë për ata që nuk e harrojnë Ritmin e Rrugës

Një gjeneratë në Kosovë është rritur me këngët e grupit ‘Ritmi i Rrugës’.

Dy djemtë e grupit sonte kanë karrierë në fusha të ndryshme por stilin e tyre të vjetër e kujtojmë në këngët e ndryshme të dyshes.

Memli Kelmendi dhe Arbër Reçi formuan grupin ‘Ritmi i Rrugës’ në vitin 1995 ndërsa që nga ajo kohë e deri në shuarjen e grupit, ky mbeti absolut një prej grupeve që dha mësim në repin shqiptar.

Në vitin 2000 grupi publikoi albumin ‘Bota është e jona’ njëjtë sikur titulli i këngës që është mjaft e njohur dhe e pëlqyer edhe sot.

Sot po i kujtojmë dy këngë nga ky grup. Të parën e kemi ‘Ushtari i Rrugës’, një këngë himn i viteve të para të pasluftës në Kosovë.

Dikujt mund të mos i besohet se kënga “Ushtari i Rrugës” është realizuar në vitin 2003.

Më vonë, këngë të tjera do të vinin nga dy djemtë e rinj që krijuan këngë të ndryshme dhe i dhanë tekste rebele melodive.

Melodia e dytë që po e sjellim sot është “Përjetësisht” edhe kjo një këngë me një videoklip të veçantë dhe një mesazh të qartë për fansat e grupit.

Grupi viteve të fundit është kërkuar nga fansat por duket sikur nuk do të ketë një ringjallje të melodive të këtij grupi, pjesë e nostalgjisë muzikore në Kosovë. / KultPlus.com

HAVEIT: ‘Ne jemi grup artistik që i takojmë rrugës’

Punët e tyre artistike kanë ditur gjithmonë të godasin në realitetin kosovar. Kosovarët lirshëm shpesh edhe i kanë kërcënuar, aq lirshëm sa çdo ditë kërcënohet në këtë shoqëri kosovare ku luhet me letra të hapura kur vjen puna te kërcënimet paskrupull, por katër vajzat e grupit HAVEIT nuk kanë ndaluar.

Puthja e tyre në Sheshin e qytetit në Prishtinë ende është momentum i kohës. Tregimi i vajzave gjithmonë është i begatshëm edhe vite e vite pas debutimit të tyre artistik.

Sot në Qendrën Kulturore dhe Informative të Bashkimit Evropian, Hana Qena dhe Alketa Sylaj nga HAVEIT ishin pjesë e një bisede artistike – small artistic talk – ku treguan më shumë për përvojën e tyre dhe për planet e tyre, shkruan KultPlus.

Vajzat që jo shumë kohë më parë arritën deri te vëmendja e The Guardian për shkak të billbordeve me emrat e viktimave familjare – mes tyre Diana Kastrati e Zejnepe Bytyqi, para audiencës në Prishtinë prezantuan të kaluarën e tyre dhe vizionin për një të ardhme ku katërshja e vajzave thumbojnë bash aty ku nuk pritet e përllogaritet.
“Është interesante sepse punët tona lindin shumë shpejtë, sepse nëse nuk i realizojmë ashtu atëherë edhe ne jemi vetëm disa të rinj që mbesin duke u ankuar. Ne kemi pasur fillimisht opinione të fuqishme që i kemi përkthyer në punë. Punët tona vijnë si nevojë prej problemeve me të cilat ballafaqohemi çdo ditë” tregoi mes tjerash Alketa Sylaj.

Grupi foli për fillimet në vitin 2011-të, për punët artistike që pasuan – “Jepi me gojë” apo “Tagër”, për performancat e tyre në hapësirë publike por edhe për faktin se me kalimin e kohës ato janë zhvilluar dhe sot vijnë si artiste në forma të ndryshme.

“Performancat tonë janë performanca përtoke, e kur kemi dalë në rrugë e kemi kuptuar si është të njoftohesh me të panjohurën. Në plot prej performancave tona më pas ne vetë si HAVEIT kemi hasur probleme, kemi hasur në pyetje prej familjarëve në lidhje me performancat, por kjo është vetëm pjesë e punës dhe angazhimit tonë” tregoi Hana Qena.

U debatua edhe për puthjen e famshme që katër vajzat e realizuan para disa vitesh përballë Teatrit Kombëtar të Kosovës, në ditën e Shën Valentinit, si revoltë ndaj shtypjes që kjo shoqëri i bën dashurisë mes personave të gjinisë së njëjtë.
“Është interesant fakti se kur shkuam në Polici, ata vetë na thanë që ta fshinim fotografinë që e kishim vendosë në rrjete sociale, ku po putheshim. Atyre u dukeshim një komunitet qesharak ndërsa kemi marrë atëherë plot mbështetje por edhe plot kërcënime. Megjithatë kjo ka qenë një kohë kur ka pasur debat rreth komunitetit LGBT” tregoi Hana Qena.

Pasi prezantuan një pjesë të punëve të tyre artistike ndër vite, HAVEIT treguan për planet.
Në korrik do të kenë një ekspozitë në Tiranë ndërsa më vonë do të jenë pjesë e një residence artistike jashtë vendit. Një pjesëmarrje në Shkodër poashtu do të jetë pjesë e planit artistik të Vesa Qenës, Lola Sylajt, Hana Qenës dhe Alketa Sylajt. / KultPlus.com

Katër shtete po realizojnë një film për ilirët

Edhe një film do të mund ta shohim gjatë vitit të ardhshëm në ekranet e mëdha të kinemave shqiptare.

Kështu së paku ka bërë të ditur Fatmir Spahiu, i njohur më mirë si “Oki” i serialit “Kafeneja Jonë”.

Ai përmes një mesazhi në llogarinë personale në Facebook ka treguar se produksioni “Buka” do të jetë pjesë e projektit filmik të titulluar “Illyricvm”.

Në një prononcim për Telegrafin, 37-vjeçari ka pohuar se “producentja e filmit është zonja Ankica Tilic, një emër i madh i kinematografisë evropiane kurse regjisor dhe skenarist është Simon Bogojevic Narath”.

Spahiu më tutje ka falënderuar Qendrën Kinematografike të Kosovës për votimin e projektit, i cili do të jetë koproduksion në mes të Kroacisë, Sllovenisë, Italisë dhe Kosovës.

Fatmiri gjithashtu ka shprehur dëshirën që këtij projekti t’i bashkëngjitet edhe shteti shqiptar pasi që bëhet fjalë për një film për paraardhësit tonë.

Ndryshe, kasta e aktorëve do të përzgjidhet shumë shpejt pasi që të definohen të gjitha detajet rreth filmit.

Bebe Rexha: Jam shqiptare, andaj përfshiva daullet në album

The Forbes ka publikuar një intervistë të realizuar me këngëtaren Bebe Rexha e cila ka diskutuar më shumë për albumin e saj “Expectations” dhe jetën e saj duke nxjerr në pah edhe detaje që kanë të bëjnë më prejardhjen e saj shqiptare, përcjellë KultPlus.

Më të filluar intervistën këngëtarja është shprehur e lumtur që ka arritur të publikojë albumin si dhe ka diskutuar për muzikën dhe për admirimin që ka ndaj këngëtares Pink dhe Beyonce, duke mos harruar edhe nënën e saj.

“Kur shikoni dikë si Pink apo Beyonce, ka diçka ndryshe në mënyrën sesi ato e vënë në pah muzikën dhe artin e tyre. Ka diçka më të thellë që e ndjen”, është shprehur ajo.

Tutje ajo ka treguar se radhitja e këngëve në album në një mënyrën është e sinkronizuar edhe më kohën kur ato këngë janë shkruar.

“Unë isha në këtë botën e muzikës pop/rock dhe pastaj fillova ta bëjë këngën “I’m A Mess” pastaj “2 Souls On Fire” dhe këngën “Shining Star” dhe mendova se sado që e dua muzikën pop/rock, unë mbetem një vajzë nga Neë York-u dhe më pëlqen muzika ritmike dhe kultura. Unë jam edhe shqiptare dhe ne kemi ato daullet dhe më është dashur të përfshijë edhe ato. Kjo ka ardhur natyrshëm mirëpo ishin definitivisht tri këngët e para që ndihmuan në ndërtimin e tingullit të këtij albumi”, ka treguar ajo.

Tutje këngëtarja ka biseduar për mbështetjen e saj të cilën po ua ofron, grave që janë në industrinë e muzikës dhe për lidhjen e saj më nënë, Bukurije Rexha. E pyetur se kush është personi që e mbanë ‘ me këmbë në tokë’ ajo është përgjigjur se ai person është nëna e saj. Ajo ka treguar sesi ajo shpesh herë kur e qorton i flet edhe në gjuhën shqipe.

“Isha nervoze kur dëshirova që ta nxjerrë këngën “I’m A Mess” sepse kur për herë të parë e shkrova atë këngë isha në një vend të errët dhe nëna ime e dëgjoi atë. I dhimbsem kur më sheh duke shkruar këngë të tilla. Ajo ka dëshirë që të më sheh të lumtur dhe urren të më shoh të shqetësuar dhe në atë gjendje. Kështu që isha shumë nervoze që ta publikoj këtë këngë”, u shpreh ajo.

Këngëtarja ka publikuar albumin “Expecations” dhe tashmë ka lajmëruar se do të realizojë videoklipin e këngës së saj “I’m A Mess”./KultPlus.com

Një listë me gjërat që shqiptarët kishin para pushtimit turk

– Kishim një Universitet në vitin 1380 në Durrës. Që të krijoni idenë: Gjermania e ka hapur universitetin e parë, 6 vjet pas Durrësit (Heidelberg University).

– Kishim 6 qytete plotësisht të zhvilluara po aq sa Firence, Venecia, Marseja apo Parisi, (Durrësi, Shkodra, Drishti, Lezha, Berati dhe Preveza).

– Kishim klasën tonë aristokratike me 8 familje bujarësh (Balshajt, Topiajt, Muzakajt, Kastriotët, Arianitët, Zebenishtët, Shpatajt dhe Dukagjinët) të lidhura në martesë deri edhe me Habsburg-ët dhe Bourbon-ët.

– Kishim filozofët tanë humanistë, që bënin “kërdinë” në Europë me idetë e tyre dhe ishin këshilltarë të familjeve perandorake në Hungari, Itali dhe Austri. (Gjon Gazhuli, Pal Engjëlli, Leonik Tomeo dhe Gjon Durrsaku)

– Qytetet tona kishin Statute dhe qeveriseshin me Demokraci ndërkohë që Amerika p. sh. qeverisej nga Indianët Cheroki apo fiset Azteke që pinin ende gjak njeriu dhe jetonin si kanibalë.

– Në Durrës, intelektualizmi ishte aq i lartë, sa kemi të dokumentuar në shekullin e XII për herë të parë notën e protestës së një Metropoliti Ortodoks, i cili i shkruan Kostandinopojës, kundra skllavërisë, 300 vjet përpara se në Europë të fillonte si debat.

– Në Durrës bëhej tregti deri edhe me Tunizinë, Ukrainën dhe me Francën, që në shek. V-VII. Ndërkohë që p. sh. vendet skandinave jetonin ende duke adhuruar pemën apo malin.

– Kisha e Shqipërisë kishte nxjerrë Kardinal (dhe kardinal nuk ishte gjë e vogël atëherë).

Çfarë ndodhi më pas? Asgjë! Thjesht erdhi turku, shkruan Një Komb./ KultPlus.com

91 vite nga vdekja e Shote Galicës

Sot është 91-vjetori i vdekjes së Qerime Galica (e njohur me emrin Shote, vitet 1895-1927). Luftëtare për çlirimin e Kosovës nga pushtuesit serbë, austro-hungarezë, bullgarë e jugosllavë dhe për bashkimin e saj me shtetin shqiptar, Heroine e Popullit.

Lindi në katundin Radishevë të Drenicës. Mori pjesë në Kryengritjet kundër osmanë në v. 1909-1912 dhe në qëndresën e armatosur kundër Serbëve në vitin 1912-1915. Në vjeshtën e vitit 1915, u rreshtua në çetën e kryengritësve të Drenicës përkrah bashkëshortit A. Galica. Gjate vitit 1916- 1918 mori pjesë në disa aksione kundër forcave pushtuese bullgare e austro-hungareze (në Obrije, mars 1917 dhe në Bajë, korrik 1917). Mori pjesë në luftimet e vjeshtës 1918 për çlirimin e Drenicës, Podgorit dhe Pejës.

Pas Luftës I Botërore e vazhdoi qëndresën kundër politikës serbomadhe të dhunës e shkombëtarizimit në Kosovë. Në prill-qershor 1919 mori pjesë, përkrah Azemit, në Kryengritjen e Rrafshit te Dukagjinit e te Drenicës. Në vitet 1921 – 1923 luftoi për mbrojtjen e Zonës Neutrale të Junikut dhe në vitin 1923-1924 të zonës së lirë të Drenicës, në Arbaninë e Vogël.

Pas vrasjes se A. Galicës mori drejtimin e çetës së bashku me M. Deline dhe F. Beranin. Në ballafaqimet politike në Shqipërinë e vitit 1921-1924, ishte përkrahëse e opozitës demokratike dhe mbështetje e qeverise se F. Nolit. Në dhjetor 1924 mori pjesë në radhët e luftëtarëve të B. Currit, që priten me arme në kufi forcat e Ceno bej Kryeziut dhe të intervencionistëve serbe e ruse (bjellogardiste të gjeneralit Vrangel).

U rikthye në Kosovë, ku mbajti gjallë në popull frymën e qëndresës antiserbe. Më 1926, pas 12 vjetësh luftë, pjesëmarrëse në mbi 40 aksione të rëndësishme, në të cilat humbi 22 anëtare të familjes, e plagosur dhe e sëmure, u kthye ne Shqipëri.

U vendos në Shullaz, pranë Milotit dhe me pas në Derven të Fushë-Krujës. Ndonëse në gjendje të vështire dhe pa burime ekonomike, u kujdes për tre fëmije jetimë të bashkëluftëtareve të vrarë. Vdiq në Fushë-Krujë më 3 korrik./KultPlus.com

“Bazeni me dymbëdhjetë kitrra” e rikthen artistin Sislej Xhafa në vendlindje

Prej datës 5 korrik deri 25 gusht 2018, Galeria Kombëtare e Kosovës organizon ekspozitën e artistit Sislej Xhafa me titullin ‘love you without knowing’ (të dua pa e ditur), kuruar nga Jérôme Sans, kurator, kritik arti dhe drejtor institucionesh të artit bashkëkohor nga Parisi, shkruan KultPlus.

‘Love you without knowing’ është prezantimi i parë i këtij artisti me famë botërore në Kosovë, pas shumë ekspozitash në muze e galeri prestigjioze të botës. Ekspozita në fjalë, vjen pas përfaqësimit tejet dinjitoz të shtetit të Kosovës nga Xhafa në Bienalen e 57të të Venedikut më 2017, me veprën lost and found.

Data e 5 korrikut, do të rikthej artistin Sislej Xhafa në vendlindje ku do të prezantohet me ekspozitën e titulluar “Bazeni me dymbëdhjetë kitrra”.

Ekspozita hapet në ora 11:00 tek Shtegu i Shëndetit (afër Bazenit) në rrethinë të Pejës.

Kjo ekspozitë u mundësua nga Ministria e Kulturës , Rinisë dhe Sportit, si dhe me përkrahjen e Ambasadës Amerikane në Prishtinë dhe Komunës së Prishtinës. Poashtu realizimin e ekspozitës e ndihmuan me pjesëmarrjen e tyre Kuvendi i Kosovës dhe Komuna e Pejës, Ansambli i Komunës së Gjakovës, si dhe kompania ndërtimore Bavaria. / KultPlus.com

Një Nobel alternativ për Letërsinë

Pasi Akademia suedeze i anuloi planet e dhënies së Nobelit të Letërsisë këtë vit, një grup figurash të njohura në vend janë mbledhur bashkë për të krijuar një version alternativ të ceremonisë së çmimeve prestigjioze, në shenjë proteste ndaj skandalit që ka paralizuar këtë institucion.

Njoftimi i pezullimit u dha në muajin maj dhe ishte pasojë e akuzave për ngacmim seksual ndaj Jean-Claude Arnault, bashkëshorti i njërës prej anëtareve të jurisë, Katarina Frostenson.

Ngjarja shkaktoi një tërmet të vërtetë, duke sjellë një valë dorëheqjesh dhe shtyrjen e ceremonisë së sivjetshme. Por tani, më shumë se 100 shkrimtarë, aktorë, gazetarë e figura të tjera nga fusha e kulturës kanë krijuar një akademi të re, e cila do ta dorëzojë çmimin e saj këtë vjeshtë, duke respektuar kështu afatin e përhershëm të Nobelit.

Në një deklaratë të përbashkët, ata thonë se vendosën ta hidhnin këtë hap me qëllimin që t’u rikujtojnë njerëzve se letërsia dhe kultura duhet të promovojnë demokracinë, transparencën, empatinë dhe respektin, pa asnjë privilegj, arrogancë apo gjurmë seksizmi, shkruan Koha.net.

“Në një kohë kur vlerat njerëzore po vihen çdo ditë e më shumë në dyshim, letërsia – theksohet aty, – bëhet një kundërforcë edhe më e rëndësishme në luftën kundër kulturës së heshtjes dhe nëpërkëmbjes”.

Akademia e re i ka ftuar të gjitha bibliotekat e Suedisë që të dërgojnë listat e tyre me autorët më të mirë, që duhet të kenë shkruar të paktën dy libra, një prej të cilëve të jetë botuar gjatë 10 viteve të fundit, shkruan Koha.net /KultPlus.com

Skender Boshnjaku befason me një ekspozitë të kolazheve autoriale

Shkëlzen Maliqi

Skender Boshnjaku, neuropsikiatër i njohur, profesor në UP, themelues i Klinikës së neuropsikiatrisë, gjithnjë ka qenë i apasionuar me artin dhe këtë nuk e ka fshehur, përkundrazi gjatë katër dekadave të kaluara ka botuar rregullisht kritika dhe vështrime mbi artin, ku një pjesë e madhe e tyre është përmbledhur në tre libra autorial. Po kështu, prej kohësh Boshnjaku është edhe koleksionues dhe interpretues i grafitëve muralë nga Kosova, përcjellë KultPlus.

Boshnjaku tani befason me një ekspozitë të kolazheve autoriale që pasionit të tij për artin ia shton edhe një dimension përforcues, duke dëshmuar se lidhjet me artin i ka më substanciale. Ekspozita në fjalë është një përzgjedhje e pjesës së vogël të një opusi me rreth tre mijë kolazhe që Boshnjaku i ka bërë nga vitet ’80 të shekullit të kaluar e deri më sot. Kolazhet janë kryesisht të formatit 40:60, kurse vëllimi i tyre, koha dhe puna që ua ka kushtuar të lë thjesht pa fjalë, sidomos kur të kihen parasysh angazhimet tjera të mëdha që ai i ka pasur në profesionin e tij primar të neuropsikiatrit.

Një gjë tjetër që zgjon kureshtjen është fakti se gjatë gjithë asaj kohe që është krijuar ky numër i madh i kolazheve, për ato nuk ka ditur askush. Autori i mbante në fshehtësi edhe pse kishte kontakte të vazhdueshme me qarqet artistike.

Po kështu, informatë e dorës së parë është se këto kolazhe janë krijuar me një procedim specifik të riciklimit. Boshnjaku i ka bërë ato nga pjesët e materialeve të hedhura, si ambalazhe mallrash: kuti të ndryshme duhani, mbështjellëse çokollatash dhe produktesh tjera për konsum të përditshëm… Ai zgjedhte pjesët e dizajnuara të këtyre paketimeve, ndonjë detal interesant, ornament, shenja karakteristike, ngjyra të veçanta etj., i printe ato dhe i vendoste në kompozicionet abstrakte gjeometrike duke shfrytëzuar, gjatë kombinimit të tyre, sa atraktivitetin e vetë motiveve grafike të gjetura si “lëndë e pare”, por edhe imagjinatën dhe shijen mjaftë të hollë të tij prej krijuesi. Duke i bërë fillimisht nga hedhurinat që i gjente në shtëpi, më vonë ai gati çdo ditë shkonte në “gjah” jashtë shtëpisë, te dyqanet që hudhin ambalazhe, rreth kazanëve me plehra etj. Kjo për faktin se për përfundimin e shumë kolazheve nuk siguronte lehtë “lëndën e parë”. Disa ambalazhe produktesh vendore i kishte me bollëk në tregun kosovar (kuti cigaresh, mbështjellëse llokumash etj.), por shpesh “vuante” për t’i gjetur në sasi të mjaftueshme të atyre mallrave që tregu kosovar i sillte në seri të vogla. Këto “mungesa” specifike kushtëzonin që një pjesë e kolazheve mbetej e papërfunduar deri sa nuk sigurohej motivi i munguar. Dhe Boshnjaku nuk dorëzohej, me ngulmë i kërkonte ato, gjë që e detyronte të luante rolin e tuafit. Njerëzit çuditeshin me kërkesat e tija ngase nuk e kuptonin fare se përse ai kërkon, p.sh. kuti hurmash ose të rrushit të thatë të importuara nga Irani apo Turqia!

Janë këto disa kuriozitete që kolazhet e Boshnjakut i bëjnë me histori nga më të ndryshmet. Por, në esencë, Boshnjakut asnjë here nuk i mungonin përkushtimi dhe përpikëria rigoroze për “pastërtinë” dhe cilësinë e imazheve abstrakte, zakonisht me elemente të gjeometrisë lineare dhe ornamentikë të ritmizuar, që i ngjason qëndisjeve dhe tapiserive folklorike, por nuk e kanë aq të theksuar si element kryesor konstruktiv përsëritjen, që e karakterizon folklorin, sa kërkimin e varieteteve të ndryshme inventive dhe origjinale të imazheve me rend, harmoni dhe hijeshi abstrakte.

Një interpretim i parë tentativë i “tuafërisë” së kësaj vepre të Boshnjakut prej të cilës, në të vërtetë, nuk kam parë shumë (vetëm rreth tridhjetë e ca që ekspozohen), është se bërja e këtyre kolazheve nuk ka qenë e motivuar me ambicien e autorit që të afirmohet si artist. Po të ishte kështu Boshnjaku do të sfidohej shumë më herët që kolazhet t’i prezantojë opinionit artdashës. Ai është marrë me kritikë artistike, dhe nuk ka mundur ta ketë problem bërjen publike të një ambicie dhe karriere të dytë, pos asaj të neuropsikiatrit. Përndryshe, nuk është fenomen i pazakontë që njerëzit të merren me veprimtari të ndryshme, që në shikim të parë
duken inkompatibile.

Mirëpo, nga ana tjetër, sidomos për faktin se krijimin e kolazheve e ka mbajtur në fshehtësi të plotë, kam bindjen se kjo është drejtpërsëdrejti e lidhur me profesionin e parë të Boshnjakut, neuropsikiatrinë.

Mendoj se krijimi i kolazheve ka qenë një mjet për autoterapi, qëllimi i së cilës ka qenë mbajtja e baraspeshës ekzistenciale personale në një kornizë të konsoliduar kundrejt ballafaqimit të pandërprerë profesionale me çrregullimet dhe sëmundjet psikike, ku psikiatri, që përpiqet ta mbaj distancën, nuk mund të mos preket emocionalisht. Duke mjekuar ditën sëmundjet e ndryshme psikike: depresionet, neurozat, komplekset, fobitë etj. deri te format e ndryshme të çmendisë dhe skizofrenisë, Boshnjaku është dashur që netëve të zhytej në krijimin e kolazheve me çka e mbante atë drejtpeshimin mental prej psikiatri, sepse nuk është fjalë gojë (para)gjykimi i përhapur, ndonëse shpesh keqpërdoret, se psikiatrit, duke punuar me të krisurit, edhe vetë mund ta humbin fiqirin, arsyen.

Kolazhet e Boshnjakut, mënyra se si i ka punuar, mendoj se është një metaforë komplekse e kërkimit të arsyes dhe racionalitetit, e jo më pak edhe të harmonisë dhe të të bukures në raportet ekzistuese sociale ku disa kategori të individëve më sensitive, ose atyre të pafat dhe të damkosur nga vrazhdësia e kushteve të jetës, ndihen të përjashtuar nga shoqëria ose edhe çmenden.

Të kërkosh harmoni, racionalitet, bukuri abstrakte e ritmike etj. në hedhurina, “plehra”, por edhe ndër shpirtra të humbur të njerëzve të pafat, për Boshnjakun nuk është punë e pashpresë.

Sa i përket vlerësimit estetik të kolazheve të Boshnjakut, ato gjithsesi janë edhe art dhe kanë vlera të padyshimta, por për këtë rezervohem që t’i analizoj një herë tjetër, pasi që ti shoh më shumë punë nga ky thesar i çmuar i sapo zbuluar.

Ekspozita hapet më datë 4 korrik, ora 19:00 në MIQT PUB. / KultPlus.com

Ajo lutej në melodinë e shiut…

Poezi nga Mevi Rafuna.

Ajo lutej në melodinë e shiut
dhe priste diçka
që nuk dinte si ta emëronte.
Ditë e netë të shumta
i kaloi në ankthin e pritjes
ndërsa mbathte qorapet e tejdukshme
për t’u nisur sokakut
një zë brenda në shpirt
ja ndaloi hapin.
Dritarja e hirtë me xhamin e thyer
sikur dëftonte fatin
e frikshëm,
dhe një moment buza i pikoi gjak.
S’ishte që qante
as nuk ishte që dehej
madje kishte harruar të dashuronte.
Ngadalë shiu lagte tokën, pranvera jepte shenjë që po vinte, me barin e njomë që merrte formë mbi baltën,
poshtë dritares veturat kalonin pa ndalë,
zhurmat përziheshin me zëra fëmijësh,
flokët i ranë mbi sy
dhe pamja mori ngjyrën e zezë,
një merimangë i ecte mbi qafë, sikur kjo të ishte preja e saj.
Lehtas u largua nga dritarja
mbathi këpucët
dhe u nis.
Askush nuk e pa
askush nuk e pashëndeti,
askujt nuk i tha lamtumirë./KultPlus.com

Mbi 70 filma në garën e Festivalit të Filmit Ballkanik

Festivali i Filmit Ballkanik dhe Kulinarisë hapi edicionin e tij të 8-të në qytetin e Pogradecit. Këtë vit do të shfaqen 70 filma nga vende të ndryshme të Ballkanit. Nuk mungojnë vështirësitë, por as prurjet e reja dhe pjesëmarrja nga i gjithë rajoni.

“Ne kemi këmbëngulur shumë te prodhimet e reja të vendit, të Shqipërisë e Kosovës, por sidomos edhe të Ballkanit. Pra, nga mbi 70 filma që janë në konkurrim, më shumë se gjysma janë prodhime të krijuesve të rinj”, tha Fatos Baxhaku për tch.

Amai Camila Saraceni është regjisore dhe koreografe italiane, e cila punon në Francë, ndërkohë që është pjesë e jurisë së festivalit. Ajo rikthehet në Shqipëri pas 48 vitesh.

“Erdha me mamanë time 48 vite më parë për të vizituar gjyshen time. Ajo ishte belge dhe e martuar me një grek, që jetonte këtu. Mamaja ime është larguar që 20 vjeç në Argjentinë, ku u linda unë. Më kujtohet kur kam ardhur këtu, e para e huaj që hynte me frigorifer dhe me shumë gjëra të tjera”, thotë Amai Camila Saraceni.

Pas 5 ditëve të festivalit do të ndahen çmime për filmat më të mirë./dita

“Hajde Zvicër”, gazeta zvicerane “flet shqip” para ndeshjes me Suedinë

Gazeta e mirënjohur Zvicerane, Tages Ainziger ka bëre një reportazh në Kosovë, vendi prej të cilit e kanë prejardhjen yjet më të mëdhenj të kombëtares zvicerane të futbollit, në prag të ndeshjes së një tetës së finale Zvicër-Suedi.

“Hajde Zvicër. Kështu thërrasin banorët e këtij fshati”, shkruan Ainziger në tekstin për fshatin Zhegër, fshat nga i cili e ka prejardhjen Xherdan Shaqiri, raporton Ina.

Në këtë reportazh gjerë e gjatë shkruhet për euforinë që mbretëron te shqiptarët para kësaj ndeshje, të cilët me zemër mbështesin kombëtaren zvicerane, sikurse të jetë kombëtarja e tyre.

Kjo përballje do t’i japë të drejtën njërën mes Suedisë dhe Zvicrës që të sfidojnë në çerekfinale, fituesen e çiftit Angli-Kolumbi.

Një kualifikim mes tetë më të mirave të botës, do ta ndihmonte Zvicrën të barazonte rezultatin më të mirë të arritur nga ata në një Kupë të Botës, të regjistruar në Botërorin e zhvilluar në shtëpi në 1954-ën.

Suedia, nga ana tjetër, mund të krenohet për një finale të luajtur në Kupën e Botës, në 1958-ën.

Ndërkohë, për sa i takon formacioneve të mundshme, nuk ka dyshim se sfida kryesore në distancë do të jetë ajo mes suedezit Emil Peter Forsberg, sulmuesi i talentuar i krahut, që luan me Leipzig (39 ndeshje dhe 6 gola me kombëtaren) dhe zviceranit (me origjinë shqiptare) Xherdan Shaqiri, ish-lojtari i Bayern Munich, Inter që tani luan me Stoke-n.

Para se të shënonte tre gola kundër Meksikës, Suedia nuk kishte arritur të realizonte dy ose më shumë gola në 11 ndeshjet e mëparshme. Në të gjitha ndeshjet e Zvicrës në këtë Botëror, janë shënuar gola nga të dy ekipet.

Kjo do të jetë ndeshja e 50-të e Suedisë në Kupën e Botës, kombëtarja e 11-të që e arrin këtë shifër.

Erion Veliaj konfirmon ardhjen e Eleni Foureira në Tiranë

Pas Rita Ora dhe Ermal Meta, Tiranën do ta poshtoj një tjetër shqiptare që po shkëlqen me muzikën e saj, shkruan KultPlus.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj sot ka konfirmuar ardhjen e saj më 25 korrik në Sheshin “Skënderbej”, në Tiranë.

“Pas @ritaora dhe @ermalmetamusic një tjetër shqiptare që po shkëlqen me muzikën e saj vjen në Tiranën tonë. Ajo është @foureira në datë 25 Korrik në Sheshi Skenderbej së bashku me shumë artistë të tjerë në një mbrëmje të paharrueshme në Coca-Cola Summer Fest”, ka shkruar Veliaj në profilin e tij në Instagram ku ka publikuar fotografitë e këngëtares së njohur.

Mustafa Nano: ‘Shqiponjat’ e Xhakës dhe Shaqirit ishin fyese

Prej kohësh, analisti Mustafa Nano publikon në gazetën Mapo një korrespondencë me homologun serb, Zoran Panoviç.

Letërkëmbimi mes tyre është mjaft interesant dhe synon të trajtojë ndryshe disa mite. Këtë herë, Mustafa Nano ka trajtuar edhe çështjen e festimeve me shqiponjë në ndeshjen mes Serbisë dhe Zvicrës.
Shkrimi është bërë viral në rrjet dhe disa media e cilësojnë si një provokim.

“Është e qartë se, edhe sikur të mos kujtohej Vuçiçi për ta politizuar atë ndeshje, do kujtohej dikush tjetër në Tiranë a në Prishtinë. Sepse edhe për ne ishte mjaft ideja që Zvicra e shqiptarëve do të luante me Serbinë për të na bërë që të ndiheshim si pjesë e festës së futbollit. Dhe atë ndeshje mezi e kemi pritur. Ti nuk mund ta përfytyrosh shpërthimin e entuziazmit pas golit të Granit Xhakës, dhe sidomos pas shfaqjes patriotike që ai dhuroi. Pastaj, erdhi hera e Xherdan Shaqirit, që golit të bukur që shënoi iu gëzua në të njëjtën mënyrë, duke bërë me duar shqiponjën dykrenore. Ky gjest, që është bërë një simbol kombëtar i yni tanimë, është krejt pa faj në këtë histori. Nuk ka në të asnjë ngarkesë shoviniste. Dhe është një gjest i ri (as pesëmbëdhjetë vjet nuk i ka mbushur), që ka ngjitur shumë mes shqiptarëve. Por në atë rrethanë, ishte një gjest i pavend, i tepërt. Për ta thënë me gjuhën e futbollit, ishte një gjest off-side.

Që të jem i sinqertë, unë pata disa ndjesira në këtë rrethanë. Shfaqja jo sportive e dhënë prej Xhakës e Shaqirit m’u duk fyese ndaj zviceranëve më shumë sesa ndaj serbëve,” shkruan Nano.

Baleti Kombëtar i Kosovës sonte ‘pushton’ Bullgarinë

Baleti Kombëtar i Kosovës, sonte do të prezantohet në Festivalin e Baletit Klasik në Sveti Vlas – Bullgari, shkruan KultPlus.

Trupa e Baletit të Kosovës, këtë vit ka realizuar disa udhëtime nëpër festivale të ndryshme evropiane, ndërsa kësaj radhe në Bullgari prezantohen me shfaqjen “Giselle”, me koreografi të Sylvia Tomova./ KultPlus.com

“Bilbili” sjellë në Kuvendin e Kosovës artistin me famë ndërkombëtare Sislej Xhafa

Prej 5 korrik deri më 25 gusht, Galeria Kombëtare e Kosovës organizon ekspozitën e artistit Sislej Xhafa me titullin “Love you without knowing” (Të dua pa e ditur), kuruar nga Jérôme Sans, shkruan KultPlus.

“Love you without knowing” është ekspozita e parë e Sislej Xhafës, artistit kosovar të njohur ndërkombëtarisht, në atdheun e tij. Njëkohësisht kjo do të jetë ekspozita ndër më të mëdhatë që është organizuar në vend, pasi që, do të hapet në 5 lokacione të ndryshme të Kosovës.

“Bilbili” është njëra ndër ngjarjet e të enjtes së 5 korrikut që do ta sjellë Sislej Xhafën në Kuvendin e Kosovës. Ngjarja nis me fillim nga ora 18:00 ndërsa do të jetë vetëm me ftesa e krejt kjo vjen në bashkëpunim me Ansamblin e Komunës së Gjakovës.

Rikujtojmë, se kjo është hera e parë që Sislej Xhafa vjen me ekspozitë në Kosovë, ndërsa vlen të theksohet se vitin e kaluar Sislej Xhafa erdhi në Kosovë në kuadër të eventit të organizuar nga KultPlus “Ta zbardhi ftyrën”- edicioni i parë i ciklit të rrëfimeve./ KultPlus.com

Portreti i fundit i Michael Jacksonit ekspozohet në Londër (FOTO)

Plot 9 vite kanë kaluar nga koha kur Michael Jackson u nda nga jeta, ndërsa në Londër, ylli i “Pop”-it është përkujtuar përmes një ekspozitë të veçantë.

Në të, Jackson përshkruhet si shpëtimtar, shenjt, sipërmarrës, ikonë, monark, i maskuar dhe misterioz.
Galeria Kombëtare e Arteve në Londër qëndron hapur prej 25 qershorit, duke pritur mijëra vizitorë për të parë në një këndvështrim më bashkëkohor jetën e “Mbretit të Popit”.

Pjesë e ekspozitës është edhe portreti i fundit i Michael Jackson, përpara se të ndërronte jetë.

Edhe pse ka kaluar gati një dekadë nga vdekja e tij, albumet e tij sërish sigurojnë fitime marramendëse. Në gusht, këngëtari do të mbushte 60 vjeç, ndaj dhe 48 artistë të njohur, me kombësi të ndryshme, u bënë bashkë për të varur në mur punimet e tyre më të mira nga jeta e legjendës së muzikës në këtë përvjetor.

“Mbi mur” titullohet ekspozita, që pas Londrës do të vijojë turin në Paris, Bon dhe Finlandë. Kuratori i ekspozitës thotë se ky nuk është një koleksion në kujtim të tij, apo biografi e Jacksonit, por një retrospektivë e karrierës së tij në muzikë, kërcim dhe stil./ata

“Na pret të dyve një gur mbi varr, pak dashuri, pak xhelozi” (VIDEO)

“Eja në prehër të të marr” është serenata korçare që është interpretuar nga artistët më të njohur shqiptar, shkruan KultPlus.

“Na pret të dyve një gur mbi varr, pak dashur, pak xhelozi”, është refreni që është dëgjuar aq shumë herë, duke na lidhur fort me njerëzit më të dashur. Kjo serenatë përmes vijës melodike e tekstit përçon mesazhin e dashurisë e pranimit pa kushte.

KultPlus ju sjellë sot tekstin e kësaj kënge dhe një interpretim të këngëtares së njohur, Miranda Hashani.

https://www.youtube.com/watch?v=Ai4kRibGVXg

Porsi qiri pom tretet jeta lotët e mija, s’kanë mbarim nektar kërkoj unë por si bleta pak dashuri ,pak xhelozi{x2}

eja ne prehër moj të të marr e të ta heq atë mërzi, të dy na pret një gur mbi varr pak dashuri, pak qetësi {x2}

më kot kërkova dashurinë, më kot kërkova pak gëzim, gëzime dashurinë m’u tretën në terrin pa mbarim

eja në prehër të të marr që të ta nxjerr atë mërzi na pret te gjithëve një gur mbi varr, pak dashuri, pak qetësi {x2}

“Kukulla” vjen me premierë në Teatrin e Qytetit “Bekim Fehmiu”

Me tekst të Miro Gavran e regji të Kaltrim Balajt, më 8 korrik në Teatrin e Qytetit të Prizrenit “Bekim Fehmiu”, jepet premiera e shfaqjes “Kukulla”, shkruan KultPlus.

Marko, 39 vjeçar ndahet nga e dashura e tij Maria, dhe në internet e sheh që është krijuar një Kukull e cila duket si njeri për nga lëkura e saj dhe ka inteligjence më të madhe se të njeriut. Ajo është krijuar që të përmbushë kërkesat dhe nevojat seksuale të mashkullit dhe është e programuar që të jetë një shtëpiake e mirë, kjo e bënë Markon që ta marrë këtë Kukull dhe të vazhdojë jetën e tij për gjashtë muaj me Kukullën.

Në kastën e aktorëve bëjnë pjesë: Alban Krasniqi dhe Hajat Toçilla ndërsa ass.regjie është Mahir Musliu, kostumet nga Samka Ferri, skenografia Petrit Bakalli e udhëheqës i projektit Fetah Paçarizi.

Shfaqja vjen më 8 korrik me fillim nga ora 20:00./ KultPlus.com