Top dhjetë albumet më të shitura të të gjitha kohërave

Business Insider është një ndër revistat më të fuqishme amerikane sa i përket lajmeve financiare.

E duke mos iu shmangur edhe shumë natyrës raportuese të lajmeve, ajo ka publikuar edhe një artikull për artistët muzikor.

Ajo së fundi ka publikuar një listë me albumet më të shituara të të gjitha kohërave, ku jashtë top-10 kanë mbetur edhe disa prej bendeve dhe yjeve legjendare, duke përfshirë The Beatles, Guns N’Roses, Whitney Houston e Shania Twain.

Në vendin e parë gjendet bendi Eagles me albumin “Their Greatest Hits (1971-1975)”, i cili është shitur 36 milionë kopje.

I dyti renditet këngëtari i ndjerë, Michael Jackson me “Thriller”, i cili u shti në 33 milionë kopje anembanë planetit tokë.

Në vendin e tretë sërish gjenden Eagles me 26 milionë kopje të shituara të albumit “Hotel California”.

Më poshtë gjeni renditjen e Top-10 albumeve më të shitura të të gjitha kohërave. /KultPlus.com

1. Eagles — “Their Greatest Hits (1971-1975)” – 36 milionë kopje

2. Michael Jackson — “Thriller”– 33 milionë kopje

3. Eagles — “Hotel California” – 26 milionë kopje

4. Billy Joel — “Greatest Hits Volume 1 & Volume 2” – 23 milionë kopje

5. Led Zeppelin — “Led Zeppelin IV”– 23 milionë kopje

6. Pink Floyd — “The Wall” – 23 milionë kopje

7. AC/DC — “Back In Black”– 22 milionë kopje

8. Garth Brooks — “Double Live”- 21 milionë kopje

9. Hootie & The Blowfish — “Cracked Rear View” – 21 milionë kopje

10. Fleetwood Mac — “Rumours” – 20 milionë kopje

Emocionet e Rita Orës para VMA 2018 (FOTO)

Rita Ora pritet të jetë njëra nga prezantues në eventin e madh që Video Music Aëards që do të mbahet sonte në New York, shkruan KultPlus.

Rita Ora e cila është e nominuar në dy kategori ndërsa pritet të jetë edhe njëra nga prezantueset e mbrëmjes. Ajo është e nominuar në kategorinë e kërcimit më të mirë me këngën e saj “Lonely Together”, ku është në konkurencë me këngëtaren tjetër shqiptare, Dua Lipën. Ora është nominuar edhe në kategorinë me efektet më të mira vizuale, përsëri me këngën “Lonely Together”, që e ka realizuar në bashkëpunim me Aviciin.

Ajo ka shpërndarë dy fotografi nga mbrëmja e kaluar ku ka kënduar në Kickoff Concert të VMA, me anë të se cilave ka shprehur emocionet para mbrëmjes së madhe.

Ceremonia e ndarjes se çmimeve do të fillojë në orën 21:00, me pjesëmarrjen e këngëtareve si Cardi B, Ariana Grande dhe Jennifer Lopez./ KultPlus.com

Mbyllet dita e parë e shkollës verore “Shkodra qyteti i biçikletave”

Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare të Shkodrës (DRKK) në bashkëpunim me bashkinë Shkodër dhe me OJF-në “The Door” mbyllën ditën e parë të shkollës verore “Shkodra qyteti i biçikletave”, e cila ka si qëllim realizimin e 10 boceteve të vegjël arti me simbol biçikletën.

Pjesëmarrësit ishin të grupmoshave dhe profesioneve të ndryshme si artistë, ekonomistë, arkitektë të cilët janë artdashës dhe artistë të talentuar.
Dita e parë u organizua pranë zyrës së “The Door” në ora 09:30, më pas puna u vazhdua në ambientet e stadiumit “Loro Boriçi”, nën drejtimin e specialistit të DRKK Shkodër, Petrit Bilali si dhe asistencën teknike të specialistes të DRKK Shkodër, urbanistes Sabrina Kuçi.

Shkolla do të zgjasë 5 ditë nga 3 orë në ditë.
Gjatë shkollës do të ndërtohen ide të ndryshme për ngritjen e monumentit të biçikletës.

Vepra do të realizohet teknikisht nga Alket Camaj, mjeshtri i hekurit, i cili do të angazhohet në realizimin teknikisht të njërit prej punimeve. /e.caushi/KultPlus.com

“Të bukurat e dheut”, zbresin në Berat

“Të bukurat e dheut” nga 36 vende të botës do të zbresin të martën në qytetin e Beratit në spektaklin “Miss Rainbow of the world”.

Në datat 21 dhe 22 gusht, me mbështetjen e bashkisë së Beratit, do të organizohet eventi ”Miss Rainbow of the World”, një konkurs ndërkombëtar bukurie, i cili vjen për herë të parë në Shqipëri, ku do të garojnë për “Kurorën Shumëngjyrëshe të Ylberit përfaqësueset e 36 shteteve. Aktivitetet që do të zhvillohen në Berat: Datë 21 gusht, ora 18:30, në stadiumin “Tomorri”, ndeshje miqësore futbolli nga konkurrentet. Hyrja është e lirë”, shprehet bashkia e Beratit.

Po ashtu zbardhet axhenda e aktivitetit ku thuhet se në “datë 22 gusht, ora 20:00, në sallën e koncerteve të Qendrës Kulturore, në natën finale të konkursit ‘Miss Rainbow of the World’, do të ndiqni spektaklin e miseve pjesëmarrëse, si dhe performancën e grupit të Qendrës Kulturore ‘Margarita Tutulani’, Berat. Hyrja është e lirë”, thuhet në njoftim./ ata

Tri yje shqiptare në konkurrim në MTV’s Video Music Awards

MTV’s Video Music Awards do të rikthehet sonte në Radio City Music Hall, në New York.

Në eventin më të madh muzikor, yjet e muzikës do të jenë në garë për rrëmbimin e çmimeve. Midis tyre, këtë vit do të jenë edhe tre këngëtare shqiptare: Rita Ora, Bebe Rexha dhe Dua Lipa.

Dua Lipa është nominuar në 3 kategori. Kënga e saj “New Rules” është nominuar për këngën e vitit, “IDGAF” për koreografinë më të mirë dhe “One Kiss” për kërcimin më të mirë.

Rita Ora është nominuar në 2 kategori. Ajo do të konkurrojë me Dua Lipën në kategorinë e kërcimit më të mirë me këngën e saj “Lonely Together”. Ora është nominuar edhe në kategorinë me efektet më të mira vizuale, përsëri me këngën “Lonely Together”, që e ka realizuar në bashkëpunim me Aviciin.

Ndërsa Bebe Rexha është nominuar vetëm në një kategori, atë të bashkëpunimit më të mirë me këngën “Meant to Be”, me Florida Georgia Line.

Ceremonia e ndarjes se çmimeve do të fillojë në orën 21:00, me pjesëmarrjen e këngëtareve si Cardi B, Ariana Grande dhe Jennifer Lopez./ dita

Papa, letër kundër abuzimit seksual të fëmijëve

Papa Françesku tha të hënën se duhet bërë çdo përpjekje që kultura e Kishës Katolike të pengojë abuzimin seksual të fëmijëve nga klerikët, dhe për të siguruar që nëse abuzime të tilla ndodhin, ato nuk do të mbulohen.

Komentet e Papës u bënë në një letër drejtuar më shumë se një miliard katolikëve të botës, në përgjigje të publikimeve të fundit lidhur me abuzimet nga ana e klerikëve.

Javën e kaluar, në një raport të jurisë së madhe në Shtetet e Bashkuara thuhej se më shumë se 300 priftërinj kishin abuzuar ndaj më se 1,000 fëmijëve në gjashtë dioqeza të Pensilvanisë gjatë një periudhe 70 vjeçare, raporton VoA.

Asnjëherë më parë Papa Françesku nuk u ka shkruar të gjithë katolikëve. Letra e tij u publikua në shtatë gjuhë.

“Megjithëse mund të thuhet se shumica e këtyre rasteve i përkasin të kaluarës, me kalimin e kohës, ne kemi arritur të njohim dhimbjen e shumë viktimave”, shkruante Papa.

Ai shkruante se me “turp dhe pendim” Kisha Katolike e pranon se nuk veproi në kohën e duhur dhe e kupton dëmin e madh që abuzuesit kanë bërë ndaj kaq shumë njerëzve.

Papa Françesku shkruante se “asnjë përpjekje për të kërkuar falje dhe për të ndrequr dëmin e bërë nuk do të jetë ndonjëherë e mjaftueshme”.

Letra nuk përmend ndonjë masë të re që mund të miratohej nga kisha./KultPlus.com

Madonna ndan sonte çmimin kryesor në ‘MTV VMA’

Pjesë e ‘MTV VMA’ është paraparë të jenë edhe tri këngëtaret shqiptare, Rita Ora, Bebe Rexha dhe Dua Lipa.

Kjo e fundit meqenëse aktualisht ndodhet në Spanjë duket se e ka anuluar pjesëmarrjen ani pse nuk ka deklaruar diçka të tillë me shkrim.

Të tri shqiptaret janë të nominuara në kategori të ndryshme ndërsa çmimin kryesor atë të videos më të mirë do ta ndajë këngëtarja Madonna.

Dua Lipa është nominuar në 3 kategori. “Neë Rules” është nominuar për këngën e vitit, “IDGAF” për koreografinë më të mirë dhe “One Kiss” për kërcimin më të mirë.

Rita Ora është nominuar me 2 kategori. “Lonely Together” është nominuar për kërcimin më të mirë. Në këtë kategori, Rita përballet me Duan.

Si edhe është nominuar në kategorinë efektet më të mira vizuale po përsëri me këngën “Lonely Together” në bashkëpunim me Avicii.

Ndërsa Bebe Rexha është nominuar vetëm në një kategori, atë të bashkëpunimit më të mirë me këngën “Meant to Be” me Florida Georgia Line.

Se kush do të marrë çmime e kush jo, mbetet të shihet sonte. /KultPlus.com

“Në kushte paqeje, njeriu i luftës vërsulet kundër vetvetes”

Friedrich Nietzsche ishte një nga filozofët më të shquar gjermanë të shekullit të 19-të. Ai ka qenë një kritik i ashpër i Krishtërimit (dhe i fesë në përgjithësi), i idealizmit gjerman, i Feminizmit dhe i modernizmit në përgjithësi.

Ai konsiderohet si një mjeshtër i vërtetë i aforizmave filozofike të krijuara në formë eksperimentale. Për këtë arsye, ai është urryer, adhuruar, keq-interpretuar dhe ndoshta mbetet edhe sot e kësaj dite filozofi më i vështirë për t’u kuptuar.

KultPlus ju sjellë sot një nga thënie të tij:

“Në kushte paqeje, njeriu i luftës vërsulet kundër vetvetes.”

“E duam jetën ndaj na lini të jetojmë” (VIDEO)

“Na lini të jetojmë” është kënga epike që vazhdimisht është kënduar nga zërat e njohur të zhanrit rock, por që më se miri mbahet mend me interpretimin e Elton Dedës, shkruan KultPlus.

“E duam jetën ndaj na lini të jetojmë”, është refreni që në koncertet e Elton Dedës ka zgjuar një jehonë të jashtëzakonshme si në ditët e para kur është kënduar. Me tekst kuptimplotë me një frymë protestuese, kjo këngë arrin t’i bëjë të gjithë të këndojnë njëzëri me këngëtarin e me duart e ngritura lart, duke e ndjerë çdo fjalë.

Kjo këngë është kënduar nga grupi Tingulli i Zjarrtë në Festivalin e Radiotelevizionit Shqiptar në vitin 1991.

KultPlus sot ju sjellë këtë këngë me tekst dhe video.

https://www.youtube.com/watch?v=z8wukekCcK8

Më kot unë pyes pse nuk erdhe përsëri
Kush ti ndali hapat, kush të tha “Mos ik!”
Një lajm i ditës si një krismë tremb çdo shpirt
Bëhet zog plagosur
Zemër e vrarë në pritë

Çdo dashuri që të jetojë do ngrohtësi
Dhe toka s’rron pa diellin lart, pa kaltërsinë
Kudo të jesh o moshatar i vendit tim
Kush vallë si ne do dashurinë

REF:
E duam jetën ndaj na lini të jetojmë
O mik, o vëlla pak qetësi për shpirtin tonë
E shtrenjta ime ti këtë mbrëmje mos mungo
I kam harruar përkëdheljet mos harro

Çdo dashuri që të jetojë do ngrohtësi
Dhe toka s’rron pa diellin lart, pa kaltërsinë
Kudo të jesh o moshatar i vendit tim
Kush vallë si ne do dashurinë

REF 2x:
E duam jetën ndaj na lini të jetojmë
O mik, o vëlla pak qetësi për shpirtin tonë
E shtrenjta ime ti këtë mbrëmje mos mungo
I kam harruar përkëdheljet mos harro

Historia prekëse e këngës “Për mu paska ken’ kismet” nga Palok Kurti

“Për mu paska ken’ kismet”, kjo këngë e vjetër shkodrane është shkruar në vitin 1880 nga i madhi Paloke Kurti, kompozitor, instrumentist i shumë veglave dhe drejtues i bandës së parë muzikore shqiptare.

Të gjithë e dinë këtë këngë, e të shumtë janë artistët të cilët e kanë kënduar ndër vite, por të paktë janë ata të cilët e dinë historinë prekëse të kësaj këngë.

Më poshtë po ju sjellim një shkrim i cili e tregon këtë histori interesante, e të cilën e kanë rrëfyer Vlashaj Band:

“Fillimi i 80- të shekullit të kaluar…. Palok Kurti , ndonëse mjaft i ri , ishte tashmë një nga muzikantët më të njohur të kohës . E merrnin edhe si mësues të pianos në shtëpi të ndryshme pasanikësh. Në një shtëpi të bukur dy kateshe , me mure të larta e me një lulishte të rrallë në të gjithë qytetin, jetonte një familje e pasur që kishte dhe një vajzë shumë të bukur. Paloka hynte e dilte në këtë shtëpi si mësues i pianos. Sa më shumë kalonin ditët dhe vajza përparonte në instrument , aq më i afërt bëhej ai për sytë dhe zemrën e saj. Edhe ajo për shpirtin e ndjeshëm të Palokës, me ndjenjën e padurimit për tu takuar prisnin me kënaqësi orët e mësimit. Diçka kishte lindur thellë në të gjithë qenien e tyre, sa e sa herë Paloka ishte bërë gadi t’ia shfaqte ndjenjat e veta. Por druhej , a do ta pranonte vallë familja e saj këtë mësues të thjeshtë. Megjithëse sytë e vajzës flisnin shumë dhe dukeshin mjaft të sinqertë në fisnikërinë e vështrimit të tyre, ai përsëri kishte frikë. Nuk donte ta prishte atë gjendje në dukje të qetë, por dëshironte t’i ruante ato ndjenja të pashprehura, nga frika se mos e humbiste vajzën e tij të dashur. Por kjo gjendje e turbullt dhe e papërcaktuar mbaroi një ditë.

Ndjenjat e pastra e të pashfaqura te të dy të rinjve nuk mbeten gjithnjë të fshehura. Nuk do të zhvilloni më mësim , i tha shërbyesja një ditë, kur ajo doli dhe hapi derën e madhe të shtëpisë, Paloka u shtang , nuk e priste kështu ndarjen me këtë shtëpi. Sa e sa herë kishte ëndërruar që kur të vinte ajo ditë dhe vajza t’i thoshte po e prindërit e saj të detyruar, do ta pranonin si dhëndër e atij t’i hapej dera me nderime e respekt. Por nuk qenka thënë kështu. Me çiltërsi dhe pa e kuptuar shkakun, ndërhyri vrullshëm: -Po përse ?? e pyeti duke e shpuar me një shikim të rreptë e zhbirues. Shërbyesja për një çast nguroi, por duke e parë se ai nuk po ia ndante atë vështrim të syve të ndezur flakë .. i tha: – Kështu ka urdhërua zotëria, dhe e pa me keqardhje djaloshin. Paloka u skuq edhe më , desh të belbëzonte diçka por nuk mundi. Uli sytë dhe heshti. Nuk e mori vesh se kur por porsa u kthye dera u mbyll lehtë… Ishte e pa mundur ta takonte vajzën ditët e mëvonshme. Muret shumë të larta të shtëpisë të mbuluar me sharmashek , e pengonin krejt çdo ditë që kalonte e bënte të pa mundur takimin. Edhe pse shpresat po i shuheshin , dëshira për ta takuar nuk i venitej, përkundrazi. Sa herë i ishte shfaqur ajo para syve, ashtu e bukur dhe e ëmbël . Edhe në ëndërr e kishte parë. Të paktën ti merrte vesh ndjenjat e tij e këtë mënyrë. E ndiente se ajo gjë i vlonte në shpirt, e kishte trazuar të terin dhe vetëm një çast pritej që të shpërthente. Por rruga drejt zemrave të tyre ishte ndërprerë. Shpresa, shpesh herë gënjeshtare e bënte gjithnjë e më të pa sigurt ardhjen e këtij çasti. Edhe të takimit me të. Edhe pse ky mendim e frikësonte, pikërisht kjo pasiguri e nxiste për më tej. I vendosur për ta ndjekur gjer në fund gjurmën e kësaj ndjenje të pastër, ai jetonte ditë të mbushura me pasionet e atij që dashuronte thellë dhe me vegimet e shpresave të pashuara. -Do të shkojmë në një dasmë, i tha një ditë Palokës një nga shokët e tij të ahengut .. Martohet një i njohuri im. Do te shikosh do jetë një dasmë e rrallë, a po nuk është nusja, yll i vërtetë… Nuk ia prishi shokut të vet… Vështrimi i të gjithëve drejtohet nga një derë e hapur andej nga duket nusja. Palokës i bëjnë sytë ag. Turbullohet nga kjo e papritur. Ahengxhinjtë tjerë fillojnë të këndojnë këngën që lavdëron bukurinë e nuses. Të gjithë këndojnë përveç Palokës, është tepër i tronditur, nuk e mendonte kurrë se do t’i ndodhte kështu. Kjo e papritur e dëshpëruar e dërrmon, atmosfera i bëhet e rëndë dhe mbytëse, ndërsa vështrimi nervoz dhe disi i egër. Buzët i mbyllen fort, sikur donin të mbanin të mbërthyer brenda dhëmbëve të fshehtën e frikshme.. Nuk e kishte menduar kurrë se mund të kalohej kështu kaq shpejt nga gëzimi në dhembje. Dëshiron të ngrihet të dalë jashtë e të thërrasë me fuqinë e zërit për padrejtësitë e kësaj jete, por e përmban veten, e tremb ndonjë ngjarje e pahijshme, për herë të parë fillon të urrej moshën e tij të re.

Në atë gjendje të vështirë, në atë kaplim ndjenjash e ashk të jashtëzakonshëm, vendos të veproj ndryshe e ndien më të fortë se asnjëherë yshtjen e natyrshme të aftësisë së tij krijuese, zjarrin që e përvëlon në shpirt dhe ngjyrimin tragjik të kësaj të papriture që i rrit deri në skaj ngarkesën emocionale dhe shpërthen: Për mue paska kenë kismet me ken ti e tjera kujt mbasi të due ban merhamet edhe mue me duej.
Zëri po i dilte me zor nga fyti. Shokët e vet të ahengut e ndjeknin me vëmendje , por nuk kuptojnë pse shoku i tyre këndon ashtu, edhe pse në strofën e dytë ai i shfaq haptas ndjenjat dhe mendimet e veta, ata përsëri nuk marrin vesh asgjë: Sa të vegova më ra të lig humba e s’qeshë insan se e pashë mirë që s’mund të dal açik ty moj zonjë e randë.

Të pranishmit mbeten të habitur, e kanë dëgjuar edhe herë të tjera të këndojë, por jo kështu me trishtim. Zëri tashti i del thellë nga shpirti, ndërsa në fjalët dhe melodinë e këngës ndihet një dhembje e thellë. Mbasi i hedh një vështrim kuptimplotë nuses, një vështrim depërtues, të rreptë por edhe të dhimbshëm sikur do ti futej thellë në shpirt, duke kujtuar edhe një herë lojën me zjarrin, me guxim i drejtohet asaj: “Kah të shof sytë s’po mund t’i ndaj e gojet kurrë nuk të lëshoj por po m’erren mbushun me vaj ah si s’baroj…”.

Në vargun e fundit trishtimi i tij arrin kulmin.

Si është e mundur të shpërthejë njeriu kështu, duke kënduar e të shpreh ndjenja kaq të fuqishme? ah si s’mbaroj…. më shumë se këngë, më shumë se melodi, i del vajtim.
Askush nuk e kupton këtë gjendje , askush nuk merr vesh shkakun e vërtetë të këtij mallkimi. Vetëm nusja, sytë e saj të bukur prej kohësh kishin marrë një ndriçim tjetër në fillim si mospërfillës, më vonë kur kënga filloi të depërtojë thellë në zemrën e saj, sytë filluan ti ndrisnin me një shkëlqim te ri. E magjepsur , por edhe e ngacmuar nga kjo e papritur, filloi të skuqej në fytyrë, duke u bërë edhe më e bukur. Fjalët e këngës dhe djaloshi i njohur që po e këndonte e ndezën flakë po i përsëriteshin ndjenjat e pavenitura. Vetëm ata të dy po merreshin vesh në lojën e maskuar për të shfaqur ndjenjat e fshehura thellë në shpirtrat e tyre, papritmas ajo filloi të ndiejë veten të ligështuar, po dridhej. Ndërsa kur këngëtari shqiptoi …. AH SI S’BAROJ… i gjithë gjaku i iku nga fytyra dhe i ra të fikët”. / KultPlus.com
https://www.youtube.com/watch?v=qvkqf0BaLnA

Naser Berisha do të sjellë një këngë që flet për një “sezonë” 20 vjeçare

Këngët e Naser Berishës ende kujtohen dhe përçojnë emocionet e njëjta si në kohën kur janë krijuar. Pas 15 vitesh, ai ka paralajmëruar se së shpejti do ta sjellë një këngë të tillë “të pavdekshme”, shkruan KultPlus.

Ai ka thënë se ka zgjedhur pikërisht këtë kohë që kënga e tij të ketë një distancë me këngët me klipe të manikeneve dhe me klipe me vetura të huazuar. Kënga e tij e titulluar “Paradox”, ka temë sociale dhe flet për realitetin e përditshëm.

Më poshtë ju sjellim postimin e plotë të Berishës.

Po vije një këngë paksa jashtë „sezonës“, por një këngë që flet për një „sezonë“ 20 vjeçare.
Jo rastësisht prita të kaloj koha e klipeve të manekeneve, prita të kaloj edhe koha e klipeve për reklamimin e veturave të huazuara.

Tani që shkuan edhe këngët orientale e rome me tekste shqip, pasi që shkuan këngët me surla e tarabukat, mendova që pas plot 15 viteve (nga kenga „Hajt shko“) të kthehemi në botën tonë reale, me një këngë me temë sociale, me një tekst të thellë dhe me një mesazh, sa artistik, aq edhe domethënës.
Mesazhi i këngës është realiteti që e përjetojmë çdo ditë, por nuk e ndjejmë dot, e edhe në rastet kur e ndjejmë, nuk e themi dot!
Në ditët në vijim kënga dhe klipi i ri nga unë „PARADOX“
Disa foto gjatë xhirimeve bashkë me disa artistë nga Gjilani dhe me regjisorinEkrem Sopin
Ne rolin e tij të parë ishte edhe Beni (djali im i vogël)

“Nuk i dua thinjat”, libri më i ri i shkrimtarit Mehmet Myftiu

Shkrimtari disident shqiptar Mehmet Myftiu këtë të premte promovon librin e ri, shkruan KultPlus.

Libri titullohet “Nuk i dua thinjat” dhe është një libër me poezi të cilat autori i ka shkruar në moshën e rinisë.

Mehmet Myftiu, njeherit është edhe gjyshi i artistes së njohur Elina Duni, e cila edhe ka njoftuar për promovimin e librit të gjyshit.

“Gjyshi im 88 vjeçar Mehmet Myftiu, promovon të premten 24 gusht në orën 19:00 te restoranti “à la Santé” në Tiranë, librin me poezi të shkruara në moshën e rinisë. Jeni të mirëpritur!”, ka shkruar Duni në Facebook. / KultPlus.com

Kur pikon vetmi nën strehë

Poezi e shkruar nga Ali Podrimja.

Ti s’di asgjë miku im
pse unë këndoj
kur ti ma shkel hijen
pse kurrë dorë nuk ngrita në ty
Kohët keq të mësuan
Kam parë njerëz duke blerë litar
Pas fishkëllimës së plumbit duke vrapuar planetit
dhe kam pyetur: për cilën kokë ai lak
për cilin gjak ai hak
Tinëz vetes tinëz dreqit dola në kunavikë
me gurin e shqetësuar në behe
hijena gjuajta mbi botë
në zjarr vura dorën për ty
Ti s’di asgjë miku im
pse pikon vetmi
nën strehë
pse sytë më zmadhohen
Kohët keq të mësuan
kur zotat i munda

Rikthehet makina legjendare e James Bond

Aston Martin planifikon të rivendosë prodhimin e modelit origjinal DB5 që u përvetësua në filma rreth agjentit sekret britanik 007 më shumë se gjysmë shekulli më parë.

Aston Martin DB5 debutoi në ekran në vitin 1964 në “Goldfinger” me Sean Conery, dhe ri-performoi rolin e makinës zyrtare James Bond një vit më vonë në film Thunderball.

Prodhimi i versionit të ardhshëm të DB5 do të jetë i kufizuar në vetëm 25 kopje dhe çmimi i kësaj makine në Britani do të jetë 2,75 milionë funta, duke përjashtuar taksat.

Dorëzimi i parë i automjeteve për blerësit dhe kolektorët e pasur është planifikuar për vitin 2020, por pronarët e ardhshëm të këtij Aston Martini nuk do të jenë në gjendje të vozitin atë në rrugët e qyteteve të tyre, pasi makina nuk do të regjistrohet për ngasje në rrugë publike./KultPlus.com

Arbëreshët ecin me veshje tradicionale në Itali duke kënduar “Nën një portokall”

Arbëreshet e Italisë janë shembulli më i mirë se si ruhet tradita qindra vjeçare shqiptare, shkruan KultPlus.


Edhe këtë vit rrugët e Lungros janë mbushur përplot me këngë e veshje arbëreshe ndërsa në këtë mënyrë ata të bashkuar kanë shënuar ‘Paradën historike të Skënderbeut”.

Derisa ecin rrugëve ata këndojnë këngën e njohur “Nën një portokall”, për të ndjerë emocionet e këtij interpretimi KultPlus ju përcjellë videon më poshtë.

Arbëreshët (albanesi d’Italia ose italo-albanesi në italisht), domëthënë shqiptarët e Italisë, të quajtur edhe italo-shqiptarë, janë pakica etno-gjuhësore shqiptare vendosur historikisht në jug të Italisë.

Ata jetojnë në Itali nga shekulli XV, ku ka qënë mërgata arbëreshe deri shekullit XVIII, në rajonet e Abrucos, Kampaniës, Apulias, veçanërisht në Bazilikat, Moliz, Kalabri dhe Sicili.

Janë emërtuar si arbëreshë, pasi në kohën kur u larguan nga Shqipëria, ajo quhej Arbëria. Arbëreshët u vendosën në Itali në shekujt e pesëmbëdhjetë dhe tetëmbëdhjetë, pas vdekjes së heroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe pushtimit gradual të Shqipërisë dhe të gjithë Perandorisë Bizantine nga turqit osmane./ KultPlus.com

Modelja amerikane, sozi e Dua Lipës (FOTO)

Përveç talentit muzikor, Dua është vlerësuar dhe për stilin e saj.

Por është dhe një tjetër vajzë e cila ka fatin të duket shumë e ngjashme me këngëtaren e famshme.

Bëhet fjalë për modelen amerikane Brittany Xavier e cila ngjason jashtëzakonisht shumë me Lipën.
https://www.instagram.com/p/BmrAYG0A3-i/?taken-by=brittanyxavier
Në fotografitë e postuara në instagramin e modeles mund të dallohet lehtësisht ngjashmëria midis tyre.

Madje në shumë prej fotove të Brittanyt, fansat kanë komentuar se shpesh e ngatërrojnë me Dua Lipën. Përpos look-ut të vajzave që është gati identik, duket se modelja frymëzohet nga Dua edhe për veshjet apo pozat e fotove.
https://www.instagram.com/p/BmkAebYAFQh/?taken-by=brittanyxavier
Më poshtë po ju sjellim disa fotografi ku mund të vëreni edhe vetë këtë ngjashmëri. /KultPlus.com

https://www.instagram.com/p/BmhZS_CgXp9/?taken-by=brittanyxavier
https://www.instagram.com/p/BmXNTN3gnI4/?taken-by=brittanyxavier
https://www.instagram.com/p/Bmbcc2igjnQ/?taken-by=brittanyxavier
https://www.instagram.com/p/BmPmSQJAtR3/?taken-by=brittanyxavier
https://www.instagram.com/p/BmV9GSeAE7D/?taken-by=brittanyxavier
https://www.instagram.com/p/BlinVLXgKMs/?taken-by=brittanyxavier
https://www.instagram.com/p/BlYwDKjAn_Z/?taken-by=brittanyxavier

Koha kur nxënësit shqiptarë defilonin me veshje kombëtare (FOTO)

Sipas ligjit të kohës së Nacionalistëve Shqiptarë të gjithë nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, para hyrjes në klasa duhej të këndonin himnin kombëtar ndërsa pas përfundimit të vitit shkollorë të gjitha klasat shkollore do të defilonin në qendrat e qyteteve, qoftë me uniformat shkollore qoftë me veshje kombëtare.

Publicisti Eugen Shehu ka publikuar një fotografi e cila është shkrepur në fund të qershorit të vitit 1941 ku defilojnë nxënësit e shkollës 4 vjeçare “Hasan Prishtina” në Tiranë. Shkolla fillore “Hasan Prishtina” ishte inauguruar më shtator të vitit 1940-të, përcjellë KultPlus.

“Qeveria komuniste projugosllave e Tiranës pas 1945 jo vetëm që i ndërroi emrin shkollës por edhe e fshiu emrin e Hasan Prishtinës me gjithë historinë e tij, deri në fundvitet e 60-ta.Patriotizmi dhe Atdhetarizmi nëpër shkolla ishte zëvendësuar me internacionalizmin proletar dhe lëndët marksizëm-leninizëm”, shkruhet në postimin e Shehut./ KultPlus.com

Xhamia e Gjin Aleksit, perla e arkitekturës e trashëgimisë

Po rikthehet në identitet një prej monumenteve më të rëndësishëm të kulturës islame në jug të Shqipërisë.

Vijon puna në Xhaminë e Gjin Aleksit, Delvinë për t’i rikthyer shkëlqimin që meriton e për ta shndërruar në destinacion turistik të denjë për turistët vendas dhe të huaj që së fundmi monumentet e trashëgimisë kulturore të vendit tonë i kanë kthyer në atraksione të preferuar gjatë këtij sezoni veror.

Xhamia e Gjin Aleksit është një perlë e arkitekturës por edhe e trashëgimisë sonë kulturore, për nga stili, shtresëzimet kulturore, pikturat murale dhe historia e saj – një dëshmi e vërtetë e bashkëjetesës kulturore dhe fetare të shqiptarëve.

Ajo ndodhet, në fshatin Rusan të Delvinës është ndërtuar rreth viteve 1600 mbi rrënojat e një manastiri me stil bizantin.

Objekti është monument kulture i kategorisë së parë.Është një nga objektet që përmban gërshetim kulturash nga ajo vendase, në atë postbizantine, e deri otomane.Kjo xhami ka qënë e famshme për akustikën e saj të veçantë./ KultPlus.com

Dua Lipa dhe Jaguar prezantojnë teknologjinë e re për muzikën

Këngëtarja me renome botërore nga Kosova, Dua Lipa, flet nëpërmjet muzikës dhe bota e adhuron për këtë.

Por përtej të kënduarit ajo ka prezantuar bashkëpunimin me prodhuesin e njohur britanik të veturave – Jaguarin.

Në bashkëpunim me këngëtaren me origjinë shqiptare, do të prezantohet ‘epoka e re’ në teknologjinë e veturave për prodhuesit e rëndësishëm.

Lipa ka ndarë me të gjithë të rejat me anë të postimin të një videoje në Instagram.

“Jam shumë e emocionuar për këtë projekt mbi teknologjinë e re në muzikë duke bashkëpunuar me Jaguarin. Jam e sigurt që do e dashuroni atë që ne kemi krijuar dhe mezi po pres që ta prezantoj më 3 shtator”, ka shkruar Lipa./ KultPlus.com

“Unë nuk i ndjek rregullat e sundimit… Unë drejtoj me zemër, jo me mendje”

“Princesha e Popullit” e përdori fuqinë dhe popullaritetin e saj për të ndihmuar të tjerët.

Përmes ndjeshmërisë, dhembshurisë dhe mirësisë Princeshë Diana fitoi zemrat e njerëzve në mbarë botën. Kjo është arsyeja pse princesha e Uellsit njihej shpesh si “Princesha e Popullit”.

BusinessMag ka përmbledhur 9 shprehje të Princeshës Diana që ju nxisin të bëheni një person më i mirë.

“Unë nuk i ndjek rregullat e sundimit… Unë drejtoj me zemër, jo me mendje”

“Të gjithë duhet të vlerësohet. Çdo njëri prej nesh ka potencialin që të japë diçka në shkëmbim”

“Bëni një akt mirësie, pa pritur për shpërblim, e sigurt që një ditë dikush mund të bëjë të njëjtën gjë për ju”

“Më pëlqen të jem një shpirt i lirë. Disave nuk u pëlqen kjo, por kjo është mënyra se si unë jam”

“Dy gjëra qëndrojnë si guri: Mirësia në vështirësitë e tjetrit, kurajoja në vështirësitë tuaja”

“Secili prej nesh duhet të tregojë sa na intereson njëri-tjetri dhe gjatë këtij procesi duhet të kujdesemi për veten tonë”

“Njerëzit mendojnë se në fund të ditës një njeri është përgjigjja e vetme. Në të vërtetë, një punë që të përmbush është më e mirë për mua”

“Bëni vetëm atë që ju thotë zemra juaj”

“Jeta është thjesht një udhëtim”. /KultPlus.com

Pjella mizore si ai

(Mbi rastin e Zejnepe Berishës) / Botuar edhe për ta kujtuar rastin e fundit me të miturën në Drenas!

Dëgjo,
E para, ti nuk ke faj për asgjë,

Nuk është fajësia jote ndjenja e nënës,
as ndjenja e një gruaje që bota iu përmbys,
as loti që sa e sa herë e ke derdhur e ne tjerët jemi cjerrë prej gëzimit të paditunisë,
as fati që të ra hise prej perëndisë.

Sa herë netëve je lutur të vdesësh,
ti, para se viktima ti shohësh përpëlitur fëmijët e tu,

Dëgjo mirë, Zejnepe,
Ti je grua, e grua është fatkeqësi në botën e burrave me mëngët lart.
Ti je nënë,
E nëna është mizori për burrat si ai, që mos e pafshin kurrë dritën e jetës, kanë zemër prej guri.
Ti je grua, e grua është e tmerrshme për burrat e ringut të boksit në familje.
Ti je nënë,
E nënat kurrë nuk kanë dashur ti rrisin këto pjella mizore si ai.

Ti je grua,
E për burrat si ai, që besa i kemi plot, një grua do të jetë fshisë elektronike përgjithmonë.
Dhe ishalla shiu i botës bie furishëm mbi ta,
mbi sytë e mbi fjalët e mbi kokat e tyre.
Ti Zejnepe, na shiko nga lartë e duartrokit me komedinë tonë.
Ti je ankthi që do t`i kthehet atij në ëndrra.
Ti je ëndrra që, nëse ka drejtësi pa gjyqtarë e çekanë, do të kthehet në ankthin e burrave si ai.

Dëgjo Zejnepe,
Je e padenjë në këtë kafene ku jetojnë burrat me mendime shpellare.
Njëjtë, si ai.
Nuk ke ti faj që 20 herë dashni tu kthyen shuplakë për 20 goditje thikë.

Unë, të kërkoj falje në emër të perëndisë,
nënës natyrë,
sepse kaq i padrejtë është rendi i burrave si ai.
Kjo botë u dha fuqi burrave, si ai, të mendojnë se preja e tyre është zemra e nënës së dikujt, vajzës së dikujt, si ti.
Lotët e nënës tënde u bëfshin bekimi yt,
e palumturia e tij.
Zejnepe, çfarë sy të përvuajtur këta tutë,

Të vësh dorë mbi ty është si të vësh dorë mbi të shenjtën,
mbi shpirtëroren,
mbi nënën e harruar, që qëndron si ushtar në këmbë sa herë sulltani futet në dhomë,
ai që ka guxuar të pështyjë mbi ty, e mbi të tjerat si ti
ka mallkuar veten, ka thirrë hyjnitë ta godasin me rrufe shpirtin e tij,

Të vësh dorë mbi ty,
është jo legjitime, nuk matet me letër e me laps,
as me ligje, as me fjalë, as me farë e me fis,
as me kokë fëmijësh, as me kanun e as me plis
as me shpirtngurtërsi, shpirtngushtësi,
as me dobësi nuk matet, as me fjalë burrnie që na shpifin erë stërvine.
Zejnepe, nuk ja pate borxh botës një burrë që ta copëtoi dritën e syve.

A.Selmani – prill 2017

Letra e Marilyn Monroe që u shit 50.000 dollarë

Edhe në ditët e sotme ajo konsiderohet si mit. Nga të gjithë është parë si përfaqësuese ideale e bukurisë dhe joshjes, njofton Klan Kosova.

Përveç buzëqeshjes ajo kishte edhe anën tjetër të saj. Vuante nga depresioni dhe kjo e shtyri t’i hynte edhe drogës. Gjatë qëndrimit të saj në spitalin psikiatrik ajo shkroi një letër që ishte shitur për 50.000 dollarë.

Letra ishte e gjatë 5 faqe. Ja një pjesë të letrës së publikuar:

“Nuk kanë empati në spitalin psikiatrik. Nuk kishte empati në spitalin Payne-Whitney, pati efekt shumë negativ. Më mbyllën në një “qeli”, dua të them në një bllok betoni. Kjo është dhoma ku mbyllin pacientët, të cilët janë shumë rëndë. Unë ndjehesha sikur më kishin burgosur, për një krim që nuk e kisha bërë. U ula mbi shtrat, duke menduar se çfarë mund të bëja në këtë situatë, nëse do të më kërkonin të aktorja papritur. Më thanë se, rrota e lyer me vaj është ajo që zbret më shpejtë, dhe më duhet ta pranojë që rashë shumë shpejtë. Gjithsesi ideja më erdhi nga filmi “Goja jote djeg”. Rrëmbeva një karrige dhe theva një xham. Mu desh që të gjuaja shumë herë për ta thyer, pas kësaj një copë e fsheha në dorën time dhe po prisja. Sigurisht që ata nuk prisnin që unë ta bëja diçka të tillë, dua të them nuk do ta demantoja kurrë veten me copën e xhamit. Jam aktore”./ KultPlus.com

Seminari i Albanologjisë, dritë e shqipes në botë

Sot ka nisur punimet Seminari i 37-të për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Universitetin e Prishtinës, ku të pranishëm ishin krerë shtetëror, përfaqësues universitarë, albanologë dhe studentë nga vende të ndryshme të botës, të cilët gjatë dy javëve do ta mësojnë gjuhën shqipe përmes kurseve intensive.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se Seminari i 37-të i Albanologjisë, shënon një moment të posaçëm për kombin shqiptar, pasi që në kohëra të errëta të kombit, ky seminar ka shpërndarë një dritë të shqipes në botë.

Kreu i ekzekutivit shprehi gatishmërinë e Qeverisë për të ndihmuar seminarin, me qëllim që sa më shumë studiues të njohin dhe studiojnë shqipen dhe shqiptarët.

Teksa shtoi se kombi shqiptar i është mirënjohës gjithë studiuesve të deritashëm, teksa ftoi që edhe studiues të tjerë të njohin shqipen dhe shqiptarët.

“Në kohëra të errëta të jetës tonë, në kohëra të rënda, një dritë është shkepur nga këtu, një dritë e shqipes në botë dhe atë jo nga vet ne, por nga ata që kanë ardhur të njohin prej më afër dhe të transmetojnë shqipen e shqiptarët tek popujt tjerë… Nuk është kohë e lëvdatave të mëdha, meqenëse shqipja dhe shqiptarët kanë vështirësitë e veta, qoftë si gjuhë, qoftë si komb, por një gjë nuk ka ndryshuar. Jemi vlerë universale, i takojmë këtij globi. Gjuha jonë është prej më të hershmeve në botë dhe si e tillë e meriton që sa më shumë të njihet në botë. Shqiptarët janë njerëz të mirë, janë popull që meritojnë të njihen”, u shpreh ai, transmeton KD.

Ministrja e Arsimit në Shqipëri, Lindita Nikolla, tha se albanologjia ka luajtur një rol të vyer në konsolidimin e kombit shqiptar.

“Gjuha shqipe fatmirësisht nuk hynë në gjuhët e rrezikuara të Evropës për të cilat BE ndanë fonde, por edhe pse kjo është e mirë, na takon qeverive të dy vendeve tona, Kosovës dhe Shqipërisë, që t’iu mbështesim juve, të jemi krahë jush, për të mësuar seminare të tilla të standardeve të larta… Unë jam shumë e lumtur që kësaj nisme të Fakultetit të Filologjisë i është bashkuar edhe Universiteti i Tiranës”, u shpreh ajo.

Ajo bëri të ditur se nga ky vit, edhe Universiteti i Bolonjës mundëson që gjuhën shqipe ta ketë pjesë të ofertës të saj akademike për shumë studentë dhe studiues, qoftë në nivelin bachelor, qoftë në nivelin master.

Dekania e Fakultetit të Filologjisë, Lindita Rugova, tha se ky seminar është forumi më gjithëpërfshirës shkencor i shqipes në botë.

Rugova theksoi se seminari si aktivitet shkencor dhe kulturor do përkrahje dhe investimi në këtë seminar është investim në të ardhmen.

“Kam kënaqësinë e papërshkrueshme që edhe pas 36 edicioneve të këtij seminari, prapë mbetemi forumi më gjithëpërfshirës i mësimit shkencor dhe studimit të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare në botë”, u shpreh ajo.

Drejtori i seminarit, Rrahman Paçarizi tha se ky seminar është ambasadori i parë dhe më i suksesshëm i Kosovës, pasi që nëpër të kanë kaluar të gjithë studiuesit e albanologjisë të cilët kanë hapur katedrat e shqipes në vende të shumta në botë.

“Si drejtor i seminarit kam qenë i shqetësuar që sivjet, studiuesit e seminarit kanë qenë demotivuar aq shumë sa të mos marrin pjesë fare në sesionet shkencore dhe aktivitetet e tjera. Fatmirësisht ka ndodhur e kundërta. Kemi pasur prurje shumë cilësore dhe të numërt që na ka detyruar të bëjmë përzgjedhje rigoroze të të paraqiturve”, theksoi ai.

Sipas tij, vështirësitë vetëm se kanë ndihmuar që të forcohet ky seminar. Ndërsa, duke qenë në fund të mandatit të tij si drejtor i këtij seminari, Paçarizi tha nuk ishte e lehtë të mbante mbi supe traditën 45 vjeçare të seminarit.

I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe dekani i Fakultetit Histori-Filologji, Sabri Laçi, i cili uroi studentët dhe studiuesit e shqipes.

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar në vitin 1974 pranë Fakultetit të Filologjisë (atëherë: Fakulteti Filozofik) të Universitetit të Prishtinës.

Ky seminar organizohet për studentë e studiues që merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, po edhe me albanologjinë përgjithësisht.

Seminari ka zhvilluar gjithsej tridhjetë e gjashtë sesione. Në vitin 1991 është ndërprerë veprimtaria e tij nga organet e dhunshme serbe. Ndërsa në vitet 1995 e 1996 sesionet e këtij Seminari u mbajtën në Tiranë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Nga viti 2000, seminari zhvillohet sërish në Prishtinë, përderisa sesionet 19 dhe 20 (2000-2001) janë organizuar në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë./ KultPlus.com