Demi Lovato anulon të gjitha koncertet

Demi Lovato ka anuluar datat e mbetura nga turneu i saj “Tell Me You Love Me”, që do mbaheshin në gjashtë qytete në të gjithë Amerikën e Jugut.

“Për fat të keq, Demi Lovato ka anuluar datat e saj të ardhshme të “Tell Me You Love Me” në Amerikën e Jugut, pasi po përqëndrohet në rimëkëmbjen e saj,” – tha Live Nation në një deklaratë për ‘Variety’.

attends the 2017 American Music Awards at Microsoft Theater on November 19, 2017 in Los Angeles, California.

Ajo kaloi disa javë në spitalin e Cedars-Sinai në Los Anxhelos duke u rikuperuar, pasi u shtrua në spital në korrik për shkak të mbidozës, pas 6 vitesh rezistencë ndaj drogës.

Lovato ishte planifikuar të performonte në Kili, Argjentinë dhe Brazil duke filluar nga 14 nëntori, por fansat mund të kthejnë biletat pas anulimit të turneut./ ata

Ministri Gashi: BE padrejtësisht po i lenë të rinjtë tanë pa lëvizje të lirë

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi mori dhe pjesë në ceremoninë zyrtare të hapjes së aktiviteteve për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Rinisë. Aktivitetet me rastin e kësaj dite i ka hapur shoqata kulturore “Molla e Kuqe” dhe organizata joqeveritare “Access”, të cilat me mbështetje të MKRS-së kanë organizuar instalacionin dhe performancën artistike ku është kompletuar Flamuri i BE-së me mesazhin që Kosova është gati për liberalizimin e vizave.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka thënë se “Shteti i Kosovës, të rinjtë e Kosovës duhet t’i kenë dyert e hapura për në Bashkimin Evropian, dhe jam shumë i bindur që ky aktivitet sotëm koincidon edhe me kriteret dhe ato që shteti i Kosovës i ka plotësuar kushtet për t’i pasur dyert hapur në Bashkimin Evropian. Besoj që ky vit të jetë viti kur të rinjtë e Republikës së Kosovës që padrejtësisht kanë pas probleme me lëvizjen e lirë, të jenë të lirë, të barabartë me të gjithë të rinjtë e Evropës”.

Ndërsa Arianit Jashari nga organizata “Access”, tha “Organizata Access në bashkëpunim me Mollën e Kuqe kemi bërë instalacion në shesh që na simbolizojmë 6 yjet e Kosovës në njëfarë forme që Kosova është gati dhe BE të hapë dyert për liberalizim që të rinjtë të lëvizim lirshëm” ka thënë Jashari.

Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Rinisë, ministri Gashi mori pjesë në debat me shoqërinë civile për plotësim/ndryshimin e Ligjit për Fuqizimin dhe Pjesëmarrjen të Rinisë, përmes motos “Hapësira të Sigurta për Rini”. Kjo moto është rekomanduar për qeveritë në mbarë globin nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Ky koncept ka promovimin e hapësirave të sigurta për të rinjtë si dhe synim i Departamentit të Rinisë është të ofrojmë mundësi të shumta, kreative dhe të sigurta për të gjithë të rinjtë pa dallime racore, gjinore, fetare ose prejardhja kulturore për të kontribuar lirshëm në komunitet.

Ministri Gashi tha se “Asnjëherë nuk kam qenë i kënaqur që të shënohet vetëm një ditë e Rinisë, Ne do ti kemi shënojmë 365 ditë të rinisë sepse Rinia, është pjesa më vitale e shoqërisë tonë. Arsyja e plotësim/ndryshimit të Ligjit për rini është se tani kemi zhvillime të hovshme rinore jo vetëm në Kosovë por gjithandej bashkimit Evropian, tash jemi 10 vite pas implementimit të këtij ligjit prandaj tani kanë ka ndryshuar shumë gjera dhe ne kemi vendosur që të bëjmë një ndryshim në këtë ligji” ka thënë ministri Gashi.

“Të jeni të sigurt se gjendja e sektorit të rinisë do të ndryshojë për të mirë. Jemi duke realizuar disa projekte që janë në të mirë të të rinjve, por asnjëherë nuk jemi të kënaqur. Ligji po bëhet për të rinjtë, kemi pasë viteve të fundit largim të të rinjve dhe duhet të brengosemi si shtet. Por duhet të ofrojmë alternativa, sepse ka kapacitet”.” ka thënë ministri Gashi.

Ndër të tjerash ministri Gashi tha se “Do të kemi një periudhë deri në fund vite që të kemi mundësi të diskutojmë më organizata të ndryshme për ligjin jo vetëm në Prishtinë por në të gjitha qytete e Kosovës ti kemi parasysh kërkesat të cilat ata qendrat rinore organizatat rinore edhe të rinjtë të cilat janë kërkesat e tyre për plotësim ndryshimin e këtij ligji” tha ministri Gashi.

Martin Garrix vjen sonte në Sunny Hill Festival

Sonte do të mbyllet festivali ndërkombëtar Sunny Hill Festival, qe filloi këtë të premte në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Kjo mbrëmje do të mbyllet me muzikë elektronike e cila do të vijë nga disa prej emrave më të njohur të skenës vendore dhe ndërkombëtare.

Emri kyç është Martin Garrix, superylli i muzikës elektronike, ai që konsiderohet DJ më i mirë në botë. Me hite të shumta dhe me hitin që e ka me Dua Lipën, Martin Garris siguron se atmosfera do të jetë në nivel.

Performancat fillojnë qysh herët me yjet vendore të muzikës si Art Haliti, Oda Haliti, Rrrron, Secret 47, Gon & Sonik, Gamblemania etj. / KultPlus.com

Dasmat shndërrohen në makth nga të shtënat me armë zjarri (VIDEO)

Gjatë verës, me organizimin e më shumë dasmave dhe festave të ndryshme familjare, del në pah se qytetarët në Maqedoni e keqpërdorin lejen për armëmbajtje, duke shtënë në vende publike.

Madje, organizatat joqeveritare thonë se një pjesë e të shtënave në festat familjare bëhet me armët që i posedojnë qytetarët pa leje.

Nga dikasteri i Policisë së Maqedonisë për Radion Evropa e Lirë kanë bërë të ditur se “vetëm gjatë javës së fundit janë të regjistruar 11 raste të dëmtimeve nga të ashtuquajturit ‘plumba qorr’, me ç’rast një plumb i ka shkaktuar lëndime trupore një personi, ndërkohë në dhjetë raste të tjera, qytetarët ankohen se plumbat qorr kanë dëmtuar makinat e tyre”.

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë ka drejtuar dhe një apel deri te të gjithë qytetarët të përmbahen nga gjuajtja me armë nëpër dasma dhe ahengje tjera familjare. Me këtë rast kanë përkujtuar se në bazë të ligjit, gjuajtja me armë zjarri paraqet thyerje të rendit publik.

Për këtë vepër, në bazë të ligjeve ekzistuese parashihet gjobë prej 200 deri 500 euro. Madje ligjet parashohin dhe dënim me burg prej 6 muaj deri në 10 vjet, varësisht nga pasojat që mund të sjellin të shtënat që definohen si kërcënim për rrethin e përgjithshëm.

Nga ana tjetër, Qebir Avziu ligjërues në Fakultetin Juridik në Universitetin e Tetovës, i cli ka qenë zyrtar i lartë në dikasterin e Policisë, për Radion Evropa e Lirë thotë se kompetencat e Policisë janë të kufizuara sa i përket kontrollit të armëmbajtjeve pa leje. Kjo, shton ai, mund të bëhet vetëm me vendim gjyqësor, ndërkohë që të shtënat paraqesin rrezik për gjithë të pranishmit në festë familjare dhe jo vetëm për atë që është duke shtënë në ambiente festive.

“Sikur edhe të zgjeroheshin kompetencat e Policisë, sërish do të ishte e vështirë që Policia të realizojë kontrolle individuale. Përkatësisht, Policia e ka vështirë të ndalojë kolonën e dasmave dhe të kontrollojë qytetarët për posedim të armëve. Kështu që, ndaj mendimin që për parandalimin e dukurisë së festimit me të shtëna armësh në festat familjare, të organizohen më shumë fushata për ngritjen e vetëdijes së qytetarëve nga rreziku i shtënies me armë në festa familjare”, thotë Avziu.

Përderisa Xhabir Deralla nga organizata joqeveritare Civil, e cila ishte e përfshirë në monitorimin dhe organizimin e fushatave për grumbullimin e armëve pa leje, për Radion Evropa e Lirë konsideron se në duart e qytetarëve akoma ka shumë armë pa leje, duke theksuar se askush në Maqedoni nuk është në gjendje të thotë se cili mund të jetë numri real armëve që i posedojnë qytetarët pa leje.

Deralla thotë se qytetarët nuk janë të vetëdijshëm se sa rrezik paraqet gjuajta me armë në vende publike, veçanërisht në ambiente festive.

“Në shoqëri këtu te ne në Maqedoni, ajo që është më e rëndësishmja është se duhet të krijohet klimë e tillë e cila do ta refuzojë festimin e çfarëdo gëzimi përmes të shtënave. Sepse jo rrallë kemi rastin që në këto festa lëndohen nga plumbat qorr vetë familjarët. Pastaj duket qartë se organet kompetente, përkatësisht Prokuroria, nuk ngre lëndë ndaj reagimit të zhurmës së të shtënave në vendbanimet urbane. Njëherësh duhet parë se sa nga ata që posedojnë leje për armë e keqpërdorin këtë të drejtë. Thjesht gjithçka është e ndërlidhur”, thotë Xhabir Deralla nga organizata Civil, e cila është pjesë e rrjetit ndërkombëtarë kundër posedimit të armëve pa leje.

Ndryshe, është duke vazhduar fushata e Ministrisë së Punëve të Brendshme për dorëzimin vullnetar të armëve pa leje që qytetarët posedojnë. (REL)

“Në një moment të gjithë u bëmë autorë dhe krijues”

Shkruan: Nezir Kraki.

Në sallonet letrare të fejsbukut vlonin poezitë e shkrimet filozofike. Çdo fjalë, sado naive dhe e keqshkruar të ishte, shpallej fjalë e urtë dhe krenarisht n’publik dilte. Botoheshin edhe libra për t’u fotografuar me to dhe në to, jo për t’u lexuar. Shumë autorë të tillë, nga urgjenca e dukjes intelektuale, s’gjenin kohë as për t’i lexuar librat që mbanin emrin e tyre. Shpërndahej epiteti ‘shkrimtar’ siç shpëndahen bukët e nxehta në furrë.

Por…s’kaloi shumë kohë dhe një lodhje sikur i kapi të gjithë. U hetua që, në fakt, të gjitha krijimet po shkonin huq…sepse s’kishte më lexues. Tensioni u rrit kur u kuptua se madje edhe autorët e denjë për këtë emër kishin mbetë pa lexues. Edhe lexuesit e tyre, duke mos e dalluar lirinë e shprehjes nga liria e krijimit, shkruanin, ishin bërë autorë edhe ata.

Aty u kuptua se cikli ishte mbyllur.
Lufta lexues-autorë nxori fitues autorët.

Gjithë ato shkrime, libra, poezi e krijime mbeten pa u lexuar.

A të bëhëmi prapë lexues dhe t’i shpëtojmë krijimet e mirëfillta?

Jam i bindur se pas leximit edhe ne do shkruajmë më mirë, më thjesht, më shkurt dhe sidomos më sinqerisht.
***

P.s. Realisht, jam fort dakort me guximin e disave. Shume mire nese secili krijon diçka. Krijimi eshte pasoje e mendimit. Ky tekst eshte me shume thirrje per mendim me te gjate e me te thelle para krijimit. Se krijimi nuk do nguti. Keshtu kam lexu diku se as vet krijues nuk jam. Jam lexues.

Ju lutem prindër, kontrolloni fëmijët çfarë shohin dhe çfarë dëgjojnë

Shkruan: Sidrit Bejleri

Nuk është hera e parë që e them:

Ju lutem prindër, kontrolloni fëmijët çfarë shohin dhe çfarë dëgjojnë, sepse këtu zë fill brumosja e tyre dhe ajo çfarë do bëjnë në të ardhmen.

Po ju serviret “muzikë” që nuk është muzikë, nga njerëz që i thonë vetes “artistë”.

Tekste bastarde që i “shkruajnë” tipa që dyshoj në dinë të shkruajnë edhe emrin e tyre. Kuptojeni një herë e mirë që ata duan të shesin “muzikën” dhe “tekstet” e tyre, por po shkatërrojnë brezin e sotëm dhe jo vetëm. Fëmijë dhe adoleshentë që këndojnë me shpirt llumin që përçohet nga tregtarë të shpifur që në thelbin e ditës së tyre kanë vetëm paranë, duke harruar se kanë fëmijë vete ose do kenë një ditë.

Po na krijojnë modë dhunën, po na i thurin lavde drogës, prostitutave dhe lakuriqësisë. Po mundohen të na mbushin mendjen se e keqja është e mirë,

se alkoli dhe droga të burrërojnë, se imoraliteti duhet të jetë kult i ditëve tona duke harruar që familja është e shenjtë dhe një ditë nuk do donin as ata që t’u cënohej.

Sot gjykoj si prind, por edhe si një person që para pothuaj 20 vitesh isha në moshën e atij djali që mbrëmë ndërroi jetë nga një zënkë banale…

Nuk do i uroja askujt të ishte në vendin e familjes së viktimës ose të vrasësit!
Kontrollojini që në fëmijëri!

Muzika është profesioni im dhe ndikon shumë, më besoni. Mesazhi i saj kthehet në mënyrë të jetuari dersa njeriu fillon dhe kupton realisht, pra piqet!
Të gjithë duam më të mirën për fëmijët tanë.

Gjërat e mëdha bëhen duke filluar nga të voglat!
Drejtojini tek e Vërteta, larg gënjeshtrave të përditshme që gjenerojnë vetëm urrejtje dhe shkatërrim të vlerave!

Helmimit të trupit edhe mund t’ja gjejmë ilaçin, por helmimi i shpirtit vetëm në një vend e ka shërimin…

Me dashamirësi,

Sidrit Bejleri

Bashkia e Tiranës riparon Monumentin e Pavarësisë

Një ndër prioritetet e Bashkisë së Tiranës këto tre vite ka qenë dhe ruajtja dhe përkujdesja për monumentet e kulturës së qytetit si simbole të rëndësishme që tregojnë vlerat materiale, shpirtërore dhe zhvillimin në shekuj.

Specialistët e Bashkisë së Tiranës kanë bërë të mundur riparimin e Monumentit të Pavarësisë që ndodhet në Parkun Rinia përgjatë Bulevardit kryesor.

Krahas përforcimit të bazamentit, kjo vepër është pastruar nga mbishkrimet e qytetarëve si dhe janë bërë riparimet e dëmeve të shkaktuara nga qytetarë të papërgjegjshëm. Monumenti është 6.5 metra i lartë dhe 5.5 metra i gjerë dhe peshon 15 ton, dhe është simbol i rezistencës shqiptare në kohë dhe luftëra të vështira. Ka formën e një kulle të hapur dhe simbolizon hapjen e rrugës së Shqipërisë drejt Pavarësisë./tvklan.al

Dafina Zeqiri tregon pse nuk performoi në Sunny Hill Festival

Dafina Zeqiri ishte një prej emrave që u prit të performonte në Sunny Hill Festival.

Por, superylli i muzikës moderne shqiptare nuk performoi para afro 10 mijë të pranishmëve në Parkun e Gërmisë.

Vet këngëtarja në komente duke ju përgjigjur ardhuruesve të saj që shkuan për ta përcjellë performancën e saj, por nuk e përjetuan, pranoi se ishte një mosmarrëveshje.

“Mosmarrëveshje e datave, kam pasur që të performojë nesër (të dielën). Se për dje dhe sot kam qenë e rezervuar siç e kanë ditur edhe ata vet pa më njoftuar për ndryshimin që kanë bërë. Më vjen keq”, theksoi Dafina.

Ajo shtoi se u qëndron besnike marrëveshjeve që i realizon.

“Kur e bëj një marrëveshje e mbaj si për Sunny Hill si për datat tjera të cilat i kam pasur dhe i kam nëpër trevat shqiptare”, potencoi Duffye, shkruan telegrafi.

Rita mori gjithë vëmendjen, Nicole dhe Emily renditen pas saj për dukjen më të bukur në eventin e UNICEF-it

Yje të mëdha botërore janë paraqitur në evenimentin e njohur si “UNICEF Summer Gala” në Porto Cerva të Italisë që u zhvillua të premten mbrëma.

Spektaklin e vodhi Rita Ora, e cila kishte veshur një fustan shumëngjyrësh, që vinte në pah bukurinë e saj.

Kolegia e saj 40-vjeçare, Nicole Scherzinger, ishte ndër yjet tjera që janë vlerësuar për veshjen në këtë ndejë.

Sa u përket modeleve, ajo që shkëlqeu ishte Emily Ratajkowski, e cila kishte veshur një fustan të zi.

Më pas, Rita Ora kishte veshur një fustan të bardhë për të interpretuar në skenë, shkuran Telegrafi.

Gri

Poezi e shkruar nga Dritëro Agolli.

Shumë ujë gri, shumë qiej gri,
Gri në dritare, gri në vetmi.
Ikin lejlekët larg në arrati,
Shumë ujë gri, shumë qiej gri.

Pikojnë strehët melankoli,
Shumë strehë gri, shumë pika gri.
Postjer përtaci vjen në shtëpi
Me pallto gri, me letra gri.

Hesht pas dritares maçoku i zi,
Gazeta hapet me tituj gri.
Gri në dritare, gri në vetmi,
Ikin lejlekët larg në arrati…

Policia jep detaje rreth arrestimit të Action Bronson-it

Është liruar reperi i njohur Action Bronson. Policia e Kosovës njofton se mbrëmë në parkun e Gërmisë është ndaluar personi me inicialet A.B nën dyshimin se është hasur në posedim dhe duke konsumuar substancë të dyshuar narkotike.

Zëdhënësi i policisë së Kosovës, Baki Kelani për rtv21.tv ka bërë të ditur se A.B në shoqërimin e njësive policore është dërguar në stacion policor për intervistim dhe procedura të mëtutjeshme policore. “Pas intervistimit me urdhër të prokurorit kompetent i njëjti është liruar”, është shprehur Kelani për rtv21.tv

Action Bronson mbrëmë është arrestuar nga Policia e Kosovës, gjatë performancës së tij në festivalin “Sunny Hill” që është organizuar në Parkun e Gërmisë në Prishtinë. /21Media

Apollo: Pesë arsye përse duhet të vizitosh Shqipërinë

Kompania me e madhe skandinave e udhëtimeve turistike, “Apollo” rendit pesë arsye përse duhet të vizitohet Shqipëria.

Histori emocionuese dhe zhvillim interesant

Historia unike e Shqipërisë dhe fakti se vendi ka qenë i mbyllur për kaq shumë kohë e ka bërë atë një destinacion përtej të zakonshmes. Aty ka pafund thesare arkeologjike, kështjella, trashëgimi të UNESCOS-s dhe histori romake. Të udhëtosh këtu, tani, është një eksperiencë emocionuese, ndërkohë që zhvillimi është në aktivitet të plotë, por ende duhet shumë që të përfundojë. Pjesa më e madhe e asaj që është e vjetër është ruajtur, ndonëse shumë hotele janë krejtësisht të rinj.

Natyra përrallore dhe plazhet e bukura

A ka ndonjë gjë më të bukur se sa një destinacion me male të mrekullueshme dhe plazhe të bukur? Shqipëria i ka të dyja. Këtu pamja është gjithnjë e bukur, nuk ka rëndësi se ku je dhe nëse të pëlqejnë shëtitjet, ky është me të vërtetë një destinacion ëndërrash. Destinacionet turistike si Durrësi dhe Saranda kanë plazhe të gjatë dhe të pastër me yjëra të kristalta dhe të qarta.

Eksperienca gastronomike

Suedezët e kanë dashuruar prej një kohe të gjatë ushqimin italian dhe grek. Në Shqipëri do të gjeni një kombinim perfekt të këtyre aromave, të ndërthurur me specialitetet lokale. Ushqim deti i freskët dhe mish i shërbyer direkt nga zgara shoqërohen me perime të shijshme dhe fruta të ëmbla.

Miqësore me portofolin

Shqipëria është ende duke u zhvilluar dhe një destinacion turistik relativisht i ri, që do të thotë se çmimet janë disa prej më të ultave në Mesdhe!

Banorët

Shqiptarët janë njerëz të dashur, të ngrohtë dhe mikpritës. Gati çdo person me të cilin bisedon dëshiron që të flasë dhe të të tregojë për vendin e tij. Me sa duket shqiptarët janë të lumtur të presin turistë. Shumica e tyre flasin shumë mirë anglisht dhe si turist ndihmohesh me gjithçka që ekziston midis qiellit dhe tokës./ata

Reagimi i Rita Orës për performancën e Dua Lipës

Rita Ora dhe Dua Lipa, dy shqiptaret më famë botërore shpesh janë komentuar për një raport që lë për të dëshiruar.

Rita Ora dhe Dua Lipa, akoma nuk janë shfaqur së bashku ndërsa gjatë vizitave në Kosovë të dyja kanë permendur njëra -tjetrën. Dua përmendi Rita Orën duke thënë se do të donte të ishte pjesë e festivalit.

“Kemi pas qef me i pasë plot artista tjerë, bile edhe Rita Orën, Era Istrefin, Bebe Rexhën. Për mua sa më shumë femra është mirë të jenë pjesë e festivalit” ka treguar Dua Lipa në konferencë.

Por edhe Rita ka bërë një hap në këtë drejtim, për herë të parë këngëtarja ia bën like Dua Lipës postimin e fundit që ka falënderuar shqiptarët për pjesëmarrjen e tyre në mbrëmjen ku ajo performoi për një orë e gjysmë para publikut të Prishtinës. / KultPlus.com

Hapet panairi i librit në Durrës, Dako: Tashmë traditë

Është hapur në Durrës edicioni i tretë i panairit ndërkombëtar të librit shqip “Durrës Script”, një aktivitet që organizohet nga shoqata kulturore “Durana” dhe Bashkia e Durrësit, i cili do të zgjasë deri në 12 gusht, në shëtitoren Taulantia.

Kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako vizitoi tendat e këtij panairi.

“Ky aktivitet është tashmë një traditë e qytetit të Durrësit dhe ndër aktivitetet më të mira kulturore që zhvillohen. Interesi i shtëpive botuese është i madh, gjithashtu edhe i lexuesve durrsakë, por edhe atyre që vizitojnë Durrësin, duke arritur qëllimin që ka ky panair, për ta çuar librin sa më pranë lexuesit”, tha Dako./ ata

Atmosfera në natën e dytë të Festivalit Sunny Hill

Festivali Sunny Hill ka vazhduar me mbrëmjen e dytë të spektaklit, ku kanë interpretuar yjet e muzikës shqiptare.

Mijëra fansa e kanë vizituar parkun e Gërmisë për t’i ndjekur nga afërt këngëtarët e tyre të preferuar.

Ndërsa këngëtarët janë kujdesur që t’u ofrojnë një atmosferë argëtuese fansave të tyre.

Emra të njohur dhe shumë aktual të skenës vendore janë ngjitur në skenën e Festivalit Sunny Hill për krijuar atmosferë mbresëlënëse.

Një performanca të jashtëzakonshme ka dhuruar edhe reperi shqiptar me bazë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, G4shi dhe figura kyce e mbrëmjes, Action Bronson./ telegrafi

Dua Lipa me flamur kombëtar në “Sunny Hill”

Mbrëmë në Festivalin “Sunny Hill” performuan shumë të famshëm, ndër ta edhe Action Bronson.

Por as mbrëmë nuk mungoi e famshmja kosovare Dua Lipa, e cila natën e parë të festivalit bëri spektakël të paharruar. Mbrëmë Lipa ka qëndruar në një skenë ku është parë me flamurin kombëtar.

Ajo ka qëndruar në zonën VIP dhe ka përcjellë performancën e yjeve tjera shqiptare.

Festivali “Sunny Hill” vazhdon edhe sonte, ku ndër yjet e njohur që do të performoj është Martin Garrix.

Dua Lipa bën shqiponjën bashkë me policët e Kosovës

Festivali “Sunny Hill”, është mbajtur edhe më 11 gusht, ku kjo natë i është kushtuar muzikës hip-hop. Emra të njohur të estradës kanë perfomruar në skenën e festivalit, për sigurinë e këtij festivali përkujdesen edhe Policia e Kosovës.

Në krahë të tyre është parë duke pozuar, ylli me famë botërore, Dua Lipa duke bërë shqiponjën. Këtë moment e kanë bërë publike vetë faqja e festivalit ku edhe kanë lënë një shkrim mbi foto: Heronjët tanë.

Arrestohet Action Bronson në “Sunny Hill”, kjo është arsyeja

Reperi shqiptar, Action Bronson, është arrestuar mbrëmë nga Policia e Kosovës, gjatë performancës së tij në festivalin “Sunny Hill” që është organizuar në Parkun e Gërmisë në Prishtinë.

Bronson është arrestuar pasiqë ka ndezur një “joint” (marihuanë) në skenë dhe të njejtën substancë e ka hedhur në drejtim të publikut. Pas pak minutash ka reguar policia duke e arrestuar për ta dërguar në mbajtje.

Poradeci: Një pjesë e njerëzisë (që s’ka traditë) është masë, është turmë, është popullatë, po nuk është komb

Unë jam tradicionalist, duke qënë tradicioni fuqija e një nacioni, fuqija shpirtërore dhe spirituale dhe materiale e nacionit.
Kur ke tradicion, je nacion, je komb, jo popull, jo popullsi, jo popullatë. Një pjesë e njerëzisë (që s’ka traditë), një grup njerëzor (që s’ka traditë) është masë, është turmë, është popullatë, është popullsi – po nuk është komb, nuk është Nacion. Njerëzit, kur janë grup (pa traditë), s’janë Nacion (me traditë). Grupi s’ka fuqi shpirtërore dhe spirituale dhe materiale, është amorf. S’ka ekspresion special të grupit të vet. S’ka zhvillim, evoluim, evolution, përparim, perfekcionim gjatë jetës së tij. Ay nuk mbush dot, nuk përmbush dot, nuk realizon dot veten e tij, vetëveten, për të vajtur drejt perfekcionit, drejt perfekcionimit, drejt përsosjes. Domethënë ay nuk e jeton dot Destinin e tij, Misionin e tij për të cilin është lindur në këtë botë. Ay s’ka zhvillim, mbetet në vënd, në vënd nëmëro! Ay e fillon jetën gjithnjë Da kapo, gjithnjë nga fillimi, nuk shkon drejt perfekcionimit. Ay është Zululand, Hotentot, Kakarec. Zululand që s’ka traditë, Hotentot që s’ka traditë, Kakarec që s’ka traditë. Ay s’është Njeri. Ay s’është, s’është fare, nuk ekziston. Ç’domethënë zakon, traditë, tradicion? Zakon, traditë, tradicion domethënë Komb, domethënë Nacion, domethënë njeri i vetëdijshëm, njeri që e di veten e vet, që e njeh vetëveten…

Lasgush Poradeci

Fëmijët kanë pirë gji ku dhe si kanë dashur, në këtë vendin tonë “kaq të prapambetur”

Nga Mesila Doda
Kohët e fundit po dëgjoj shpesh një debat për ushqimin me gji të foshnjës në publik në vendet e zhvilluara. Duket se është bërë një ligj enkas për lejimin e ushqimit të foshnjës në ambiente publike.

Me sa duket shqiptarët kanë patur buon sens të zhvilluar përgjatë kohëve, sepse ky fakt në Shqipëri nuk është diskutuar kurrë e është marrë gjithmonë i mirqenë. Fëmijët kanë pirë gji ku dhe si kanë dashur, në këtë vendin tonë “kaq të prapambetur”.

Falenderim i veçantë për gjyshërit, nonat e brezat e kaluar që rritjen e fëmijës e konsideruan më të rëndësishëm se çdo normë morale e stisur… Bebat mund të pinë ku dhe kur të duan në këtë vend…

I diskriminojmë pastaj natyrshëm edhe i vrasim

ARIANIT KOCI Vrasjet e grave dhe vajzave tona po ndodhin nga sistemi që kemi krijuar si shtet. Fillimisht i kemi zhveshur nga të gjitha të drejtat e tyre, i kemi përbuzë dhe tash edhe po i vrasim. Gratë e vajzat diskriminohen, keqpërdoren, nënshtrohen pastaj radha vjen edhe te vrasja. Ndoshta, policia ka mundur të parandalojë vrasjen e dyfishtë në Gjakovë, por, problemi nuk do të zgjidhej. Problemi është në shtëpinë e secilit prej nesh. Aty, ku fillon vrasja afatgjate dhe e vërtetë e vajzave dhe grave kosovare.

1.

Të gjithë jemi tronditur, edhe disa kriminelë besoj, me krimin makabër në Gjakovë.

E shkreta Valbona, e shkreta vajza e saj dhe familja e tyre.

Katër fëmijët tjerë të asaj familjeje, tani kanë mbetur edhe pa nënë edhe pa baba.

2.

Shumica prej nesh, njëzëri e kundërshtojmë dhunën dhe krimet që janë bërë dhe po bëhen ndaj grave – këtu në Kosovë.

Duhet ta pranojmë: pozita e gruas nuk është e mirë në shoqërinë tonë primitive.

Barazia gjinore vetëm proklamohet. Me këtë kauzë kanë përfituar e pasuruar shumë matrapazë. Mjafton që ky fakt të ilustrohet me një rast: shikojeni qeverinë. Sa ministre i kemi?

Apo ta kujtojmë takimin e fundit në Bruksel: Në anën tonë ishin krejt meshkuj, e në anën tjetër, si për ironi – në anën e evropianëve, krejt gra e vajza.

Apo edhe rasti më brutal: shumica e politikanëve, në takime më të larta të protokollit shtetëror, shkojnë pa bashkëshorte, për dallim prej burrështetasve anekënd botës.

Shikojeni se kush menaxhon me paratë e Shtetit. Të gjitha janë burra. Kush janë në pozita tjera udhëheqëse si Komuna, Universitete, kompani private etj. Asnjë rektor i 1 milion universiteteve në Kosovë nuk është grua.

S’ka si të mos jetë ndrysho kur kjo situatë e mosrespektit, të themi më së buti, transponohet apo konvertohet pastaj në dhunë ndaj gruas.

Kur një bartës i funksioni të rëndësishëm politik apo shoqëror, nuk e respekton gruan, publikisht, çka presim prej një mendje primitive në një qosh të Kosovës?

Kur ne si shoqëri, në shekullin 21, ende e lartësojmë Odën, vendin ku gratë, nuk preferohet të hyjnë, çfarë rezultati presim në fund?

Pa asnjë dyshim, përmirësimi i pozitës së gruas është imperativ në shoqërinë tonë.

Por, unë personalisht mendoj që një lloj diskriminimi latent është edhe insistimi që barazia gjinore të realizohet nëpërmjet kuotave dhe statistikave.

Nuk bënë që një grua të vendoset në një pozitë, vetëm për shkak të gjinisë. Ky veprim është diskriminim. Ama, ne kemi gra të zonja shumë. Madje, janë treguar shumë më të zonjat se ne meshkujt.

3.

Krijimi i një fryme dhe psikoze që asgjë nuk funksionon në Kosovë, duke e përfshirë edhe policinë tonë, po krijon mentalitet dhe ambient defetist. Thjesht, po krijohet mendësia që nuk e kemi merituar shtetin dhe nuk po mundemi ta mbajmë. E këtë momentum, deri në maksimum po e përkrahin armiqtë e shtetësisë së Kosovës. Po krijohet një aurë që Kosova nuk e ka merituar pavarësinë. E ky defetizëm, kjo mendësi, kjo armiqësi ndaj çdo gjëje shqiptare dhe kosovare, është kultivu që njëqind vite: shqiptarët e Kosovës, janë njerëz të egër, dhe nuk e meritojnë shtetin.

Çka ka mundur të bëjë policia në rastin konkret?

Fakt është që aparati shtetëror duke e përfshirë policinë, mund të ketë performancë më të mirë. Shumë më të mirë.

Por, në rastin konkret dhe në rrethanat konkrete, ka qenë mjaft vështirë, që vrasja të parandalohet.

Krimineli i çmendur, shumë shpesh ia arrinë qëllimit. Kemi raste të shumta në botë. Madje edhe presidentët e shteteve vriten. Është vrarë edhe Presidenti amerikan Kenedy, me tërë atë aparat të mbrojtjes së afërt.

Çdo ditë në polici raportohen rastet e dhunës, duke e përfshirë edhe dhunën në familje.

Të rasti i Valbonës, siç u vërtetua gjendja faktike, situata paska qenë edhe më komplekse.

Sipas mbrojtësit të viktimave Agim Pula, e ndjera Valbona Ndrecaj, nuk e ka pranuar ndihmën e Zyrës për Mbrojtjen e Viktimave, duke thënë se për të do të përkujdeset vëllau i saj.

“Ne i kemi ofruar strehim viktimës, por ajo nuk ka pranuar duke u deklaruar se do të strehohet tek familjarët e saj… “ – ka thënë mbrojtësi i viktimave duke vazhduar “[…] sa i përket anës së mbrojtjes së viktimave, ne i kemi ofruar çka ajo ka kërkuar”.

Sidoqoftë, edhe urdhrin për mbrojte, nuk e nënkupton ruajtjen e viktimës, nga ana e policisë 24 orë në ditë. Natyrisht, policia duhet ta vlerësojë rrezikshmërinë, por me atë lloj urdhri, delikuenti, arrestohet menjëherë, posa e shkel atë urdhër. E urdhri kryesisht konsiston në ndalimin për t’iu afruar viktimës.

Në rastin konkret, krimineli i ka kryer vrasjet në mënyrë dinake.

E ka kërcënuar me mesazh gruan, është fshehur, dhe e ka pritur momentin që ta realizojë qëllimin kriminal.

Natyrisht, duhet të kërkojmë përgjegjësi nga ana e policisë dhe prokurorisë, për çdo lëshim eventual. Duhet të insistojmë që gruaja në Kosovë ta ndien vetën të sigurtë dhe të barabartë me burrat.

Por, në të njëjtën kohë, duhet të besojmë në organet tona shtetërore. Duhet të besojmë në policinë tonë, me të gjitha të metat që i ka. Vetëm duke besuar në organet tona shtetërore, dëshmojmë që e meritojmë shtetin. Dëshmojmë që e duan dhe do ta ndërtojmë shtetin.

Njëherësh, dëshmojmë se vërtetë duam përmirësimin e pozitës së gruas në shoqërinë tonë, që padyshim ka primesa të primitivizmit.

Raste të tilla kriminale, të natyrës më të rëndë, mund të na përsëritën, derisa secili prej nesh, nuk e lufton primitivizmin dhe diskriminimin, në rrethin me vet, dhe me raste e shembuj konkret.

Gruaja do të jetë e sigurt, kur në shoqërinë tonë ndrron mendësia primitive. Kur prej fëmijërisë na mësojnë që femra është e barbartë me mashkullin.

Sa raste që ju i njihni, vajzat e kanë trashëguar pasurinë e prindërve, madje edhe në familje intelektuale?

Mos ta gënjejmë vetën.

“Distant Constellation” merr çmimin kryesor në DokuFest 2018

Çmimi filmi më i mirë Ballkan Dox e fiton “Distant Constellation” me regji të Shevaun Mizrahi, shkruan KultPlus.

Sonte përfundoi edicioni i 17-të i Dokufest, i cili solli shumë filma të shkurtër, dokumentarë, panele, koncerte e konferenca përgjatë ditëve sa mbajt.

Në këtë edicion u shfaqën 260 filma në 10 kinematë e qytetit të Prizrenit, kurse çmimin “Best Balkan Wining Film” e mori “Distant Constellation” nga Shevaun Mizrahi.

Nita Deda, drejtoreshë e DokuFestit, shpalli filmin “Më të mirë për audienca të reja”, “Minding the Gap”. Po ashtu, Deda shpalli filmin “Momsy” si filmin më të mirë në kategorinë “Best Balkan Newcomer”.

Publiku këtë vit shpalli fitues filmin lokal “Triumf”, që flet për Kombëtaren Shqiptare të Futbollit dhe dronin e famshëm në Beograd.

Çmimi për filmin “Filmi më i mirë kombëtar” shkoi për “Në Pritje”.

Filmi “Rutinë” fitoi çmimin e “Distribuimit” si dhe çmimin special të jurisë.

Në kategorinë e “Filmave të Shkurtër Ndërkombëtarë”, mirënjohje speciale iu ndanë filmave “Third Kind” dhe “No Man is an Island”. Ndërsa, çmimin në këtë kategori e fitoi filmi “Gardhi” i Lëndita Zeqirajt.

Çmimi i “Dokumentarit më të mirë të gjelbër” shkoi për “Wild Relatives”.

Mirënjohje në kategorinë e të “Drejtave të Njeriut” mori filmi “On her shoulders”, ndërsa fitues i kësaj kategorie u shpall filmi “A Woman Captured”.

Çmimi Best International Dox shkoi për “Meteors” nga regjisori Gurcan Keltek kurse çmimi International Short Dox shkoi për filmin spanjoll “Aliens” nga Luis Lopez Carrasco.

Mirënjohje speciale në kategorinë e “Dokumentarit më të Mirë Ballkanik” mori filmi “Home of Resistence”./ KultPlus.com

“Routine” nga Bekim Guri fiton çmim special dhe atë të distribuimit në DokuFest

Çmimi special dhe ai i distribuimit në DokuFest, shkoi për filmin “Routine”, nga regjisori Bekim Guri, shkruan KultPlus.

Kjo histori ka bërë që regjisori Bekim Guri të kthehet çdo vit, prej 2009-2018, natën e viti të ri në Kosovë për të takuar Albanin dhe për të sjellë një pjesë nga realiteti i tij i dhimbshëm./ KultPlus.com

“Gardhi” i Lendita Zeqirajt filmi më i mirë i shkurtër në DokuFest

Filmi “Gardhi” me regji të Lendita Zeqiraj i cili ka triumfuar në Palm Springs si filmi më i mirë i shkurtër duke fituar kështu të drejtën e garimit për OSCAR, tashmë është fitues edhe i çmimit filmi më i mirë i shkurtër në DokuFest, shkruan KultPlus.

Në këtë film luajnë: Arti Lokaj, Ilire Vinca, Adriana Matoshi, Rozafa Celaj, Melihate Qena, Xhejlane Godanci, Kumrije Hoxha, Arta Selimi, Alketa Sylaj, Edita Dula, Timur Urqan, Norik Xhemajli dhe qenushja Nina. / KultPlus.com