Fotografia e rrallë e aktorit shqiptar Aleksandër Moisiu, kartolinë në Gjermani (FOTO)

Një fotografi e rrallë e aktorit me origjinë shqiptare, Aleksandër Moisiu, është bërë kartolinë në Gjermani.

Në këtë fotografi Moisiu shfaqet me nënën e tij, Amalia Rada.

Ka qenë ministri i Diasporës, Pandeli Majko që ka publikuar sot kartolinën gjermane nga Verlag Hermann Leiser, Berlin-Wilm.

Aleksandër Moisiu lindi në qytetin e Durrësit në vitin 1879. Ai e nisi karrierën në Vjenë, Austri, ku edhe filloi të njihej në rang botëror dhe të konsiderohej si një aktor mjaft fisnik.

Aktori i madh shqiptar interpretoi në rolet më të spikatura të asaj kohe si “Hamlet” në Teatrin Popullor të Vjenës në vitin 1922, “Fedia” e Leo Tolstoit dhe “The alive Cadaver” në Berlin në 1922-in. Aleksandër Moisiu vazhdoi të aktrojë edhe në veprat më të spikatura duke arritur majat e teatrit botëror me përzgjedhjen e tij në rolin e Romeos në veprën e famshme Shekspirane “Romeo dhe Xhulieta” në 1907-ën duke lënë të gjithë të shtangur me aftësitë e tij interpretuese.

Action Bronson mezi pret të hajë fli në Kosovë (VIDEO)

Reperi i njohur dhe tejet i suksesshëm, Action Bronson, tashmë ka arritur në Prishtinë, ku do të performojë në kuadër të festivalit “Sunny Hill”.

Action Bronson, që është i famshëm edhe për emisionin e tij të gatimit, në një deklaratë për KTV-në në Aeroportin e Prishtinës, ka thënë se është shumë i lumtur që ka arritur në Kosovë dhe se mezi pret të hajë fli e qebapë.

“Ndihem mrekullueshëm sepse jam në shtëpi. Kam shumë energji. Do të shkojmë të hamë fli dhe qebapë. Menjëherë”, ka deklaruar ai./KultPlus.com

Mbase takimi i fundit me hënën

Visar Zhiti

Sonte ua hodha policëve,
Kur po më jepnin darkën, atë supën e ligë.
Sepse pashë hënën. Është e rrezikshme
që të bëhem edhe një herë
……………siç isha, lirik.
Një ngushëllim i verdhë, hënor, i ftohtë
mbushi dyshemenë te këmbët e mia
…………..dhe po e lëkund.
Unë s’jam i pari që dënohet në këtë botë,
por më vjen keq që s’jam i fundit unë.

Hëna – grua e bukur, mahnitëse
seç i bën ca makjazhe një çuni
………….pas kuintave të një skene.
Errësirë përralle dhe drita, drita magjike
si një kozmos i vogël,
…………fluturues,
…………prej shprese.

Unë isha ai aktori i vogël
…………që luante aq mirë
e megjithatë s’e lanë të bëhej aktor.
Që ahere e kuptova: jeta është tepër e vështirë
Dhe tepër e lehtë
…………një tallje, një lojë.
Ja, mua m’i hodhën prangat, moj Hënë.
S’e kupton? Është njëlloj sikur ty të të shkulin
…………nga prania e Diellit
dhe të të flakin nëpër gropat astronomike
Ma bënë këtë gjëmë
ngaqë shpirti im nëpër parajsa çmendurish
…………donte të ikte.
– Ej, t’u derdh supa! – më briti polici te koka
duke më kërcënuar me garuzhden avdalle.

Mua më erdhi mirë
Që supa s’më ish bërë më e shtrenjtë akoma
Se ëndërrimet me një hënë ankthesh.

Dukagjin Lipa: Vitin tjetër do ta ftojmë edhe Rita Orën e Bebe Rexhën në festival

Reperi i njohur shqiptaro-amerikan, Action Bronson, i cili do të performojë në natën e dytë të festivalit “Sunny Hill” më 11 gusht, ka mbërritur sot në Prishtinë dhe menjëherë ka mbajtur edhe konferencë për media, shkruan KultPlus.

Në këtë konferencë padyshim që ishte i pranishëm edhe organizatori i këtij festivali, Dukagjin Lipa, i cili mori fjalën menjëherë pas Action Bronson.

Ai fillimisht u shpreh që ky festival është më i miri në Evropën Juglindorë dhe se me realizimin e këtij festivali ëndrra e tij po bëhet realitet.

I pyetur nga gazetarët se pse nuk është ftuar edhe Rita Ora që të performojë në këtë festival, Dukagjin Lipa tha: “Shpresojmë që Sunny Hill Festival të ketë jetë të gjatë dhe se vitin tjetër me kënaqësinë më të madhe do të ftojmë edhe Rita Orën, Bebe Rexhën, e shumë artistë të tjerë shqiptarë që po na bëjnë krenarë, e gjithashtu edhe artistë të njohur botërorë”, tha Lipa.

Sunny Hill Festival do të mbahet përgjatë datave 10, 1 dhe 12 gushtë në parkun e Gërmisë në Prishtinë./ KultPlus.com

Action Bronson bën shqiponjën dhe zbulon detaje nga performanca në Prishtinë

Këngëtari Action Bronson, shqiptari Arian Asllani, ka mbajtur para pak minutash një konferencë për media në Prishtinë ku edhe ka dhënë më shumë detaje për performancën e tij.

Ai është një ndër të ftuarit e Sunny Hill Festival – festivalit që me 10,11 e 12 gusht sjellë emra të njohur nga bota e muzikës botërore në Prishtinë.

“Do të jetë një performancë fantastike, më e mira ndonjëherë. Më pëlqen një festival që po sjellë trashëgimi shqiptare, me emra shqiptarë” ka thënë mes tjerash Action Bronson.

Bronson do të performojë në Gërmi në njërën prej netëve të këtij festivali. / KultPlus.com

Action Bronson arrin në Kosovë (VIDEO)

Reperi i njohur shqiptar-amerikan, Action Bronson, ka mbërritur në Prishtinë për paraqitjen në festivalin “Sunny Hill” në fundjavë.

Bronson do të performojë në natën e dytë të festivalit, më 11 gusht.

Siç ka raportuar dje KTV, reperi ka ardhur më herët pasi dëshiron t’i shfrytëzojë disa ditë edhe për xhirimet e emisionit të tij të gatimit. Këtë do ta bëjë në qytetin e Prizrenit./KultPlus.com


https://video.gjirafa.com/koha?video=action

Dy të moshuar “arratisen” nga azili, shkojnë të ndjekin koncertin e muzikës heavy metal

Dashuria për muzikën dhe jetën energjike nuk njeh moshë. Ndonjëherë trupi është i pafuqishëm për të përballuar energjitë e dëshirave shpirtërore, por kur e do shumë diçka edhe mund t’ia dalësh.

Dy të moshuar e dëshmojnë më së miri këtë. Ata janë “arratisur” nga shtëpia e të moshuarve në Gjermani për të ndjekur “Wacken Open Air”, festivalin më të madh në botë për muzikën heavy metal.

Policia njoftoi se ata kishin udhëtuar rreth 25 milje për të ndjekur nga afër festivalin Wacken Open Air. Ata janë kapur nga policia rreth orës 3 pas mesnate në gjendje të çorientuar dhe të trullosur, pasi kishin konsumuar sasi të vogla alkooli./KultPlus.com

Shqiptarja Eleni Foureira performon në Paradën e Krenarisë në Amsterdam dhe Stokholm (VIDEO)

Këngëtarja me origjinë shqiptare, Eleni Foureira, po bën bujë me performancat e saj kudo në Evropë.

Paradat e ndryshme të komunitetit gej e lezbik nëpër Evropë e kanë pikësynim këngëtaren shqiptare.

Në Stokholm, në EuroPride, para pak ditësh Eleni Foureira e elektrizoi skenën kur këndoi këngën “Fuego” me të cilën u radhit në pozitën e dytë në Eurovizionin e këtij viti.

“Jam tepër e lumtur që jam këtu. Jeni vetja gjithmonë” ka thënë Eleni, duke asocuar në komunitetin LGBT dhe pranueshmërinë ndaj këtij komuniteti.

Paradën e komunitetit LGBT në Stokholm e kanë ndjekur rreth 500.000 njerëz derisa rreth 55 mijë kanë ecur brenda saj.

Pak ditë më pas, ajo ka marrë pjesë në Paradën në Amsterdam ku ka performuar duke dhuruar atmosferë për publikun atje.

https://www.youtube.com/watch?v=w1t-LXKvjz4

Eleni Foureira kësisoj po bëhet një emër i njohur për evropianët dhe për muzikën në Evropë, me suksesin e saj të fundit në Eurovizion dhe paraqitjet e shpeshta nëpër Evropë. / KultPlus.com

Dhjetë libra të famshëm që u shkruan nga autorë nën ndikimin e drogës

Të njohura janë rastet e të famshëve nga skena e muzikës apo filmit që kanë zakone të këqija në jetën e tyre e që përfolen për to.

Mirëpo kur bëhet fjalë për shkrimtarë për ndonjë arsye nuk pranohen lehtë që edhe ata të kenë të njëjtat zakone.

Bright Side vendosi të kërkonte shkrimtarët të cilët i shkruanin librat e tyre derisa ishin të varur nga droga.

Le të hedhim një vështrim të ndryshëm në disa klasike.

Stephen King as nuk përpiqet të fshehë faktin se shumë nga veprat e tij janë shkruar derisa ishte nën ndikimin e kokainës.

Stephen King dhe vitet e tij të 80-ta

Përveç kësaj, ai as nuk mban mend t’i shkruante. Në një intervistë për Rolling Stone, ai tha se ai kishte përdorur kokainë nga viti 1978 deri në vitin 1986 dhe shkroi rreth 10 novela. Disa prej tyre janë: It, The Dark Toëer, Pet Sematary, and The Stand.

Ken Kesey dhe klubi i tij LSD

Në vitin 1959, Kesey punoi si një asistent psikiatër në një spital (kujtimet e asaj eksperience u përdorën pjesërisht në One Fleë Over the Cuckoo’s Nest), ku ai mori pjesë në disa eksperimente.

Ata ishin pjesë e hulumtimit mbi ndikimin e LSD në trupin e njeriut. Në vitin 1964, ai krijoi një revolucion të vërtetë psikodelik në SHBA, kur krijoi komunitetin “Merry Pranksters”, i cili edhe popullarizoi LSD.

Ata krijuan ‘testet acidike’ që ishin më të mëdha se ato të projektit X.

Jean-Paul Sartre dhe dieta e tij

Sipas Annie Cohen-Solal, që shkruante biografinë e ekzistencialistit të madh (Jean-Paul Sartre), dieta e tij e përditshme ishte: 2 pako cigare, 1/4 shishe pije alkoolike, 200 miligramë amfetamine, 15 gram aspirina, një paketë barbiturate, dhe rreth 20 kordran (një përzierje e amfetaminë dhe aspirina).

Shkrimtari vdiq në moshën 74 vjeçare.

Shkrimtarët në vitet e NEP (Rend i Ri Ekonomik në Rusi)

Fakti interesant: Kur Rusia ishte në post revolucion, kokaina ishte më e lehtë për t’u gjetur se një shishe vodka.

Nuk kishte rregulla apo ligje që ndalonin atë. Ajo u shit në tregje dhe në dyqanet e cigareve. Kjo është ndoshta origjina e mitit që romani më i gjatë që Vladimir Mayakovsky ndonjëherë kishte ishte me kokainë.

Ky informacion nuk është konfirmuar nga të gjitha burimet.

Ne nuk besojmë me të vërtetë, por kush e di?

Charles Dickens dhe koha viktoriane

Dikensi jetoi në kohën viktoriane (1837-1901) kur përdorimi i drogës ishte I popullarizuar dhe nuk ndalohej nga mjekët.

Ndonjëherë drogat u përdorën si antidepresantë. Duke marrë për bazë kujtimet e njerëzve që e njihnin për vizionet që Dikens kishte dhe sjelljen e tij të çuditshme, novela ‘A Christmas Carol ‘ na jep të drithura.

Carol po ashtu jetoin në kohën e Viktorias (mbretëreshës së Mbretërisë së Bashkuar). Ai ëprdori laudanum (opium dhe alkool) si një formë trajtimi.

Shumë njerëz mendojnë seriozisht se vepra e tij ‘Alice in Ëonderland’ është gjeniale për shkak të laundanumit.

Ka teori që thonë se libri ishte menduar të jetë një përshkrim i udhëtimi të drogës.

Sigmund Freud dhe studimet e tij

Në 1884, Sigmund Freud ishte i interesuar për një analgjezik të ri: kokainën.

Gjatë 3 viteve të ardhshme, ai botoi disa vepra shkencore ku u habit nga ajo që mund të bënte kokaina.

Ai filloi ta përshkruante atë tek gruaja e tij dhe e rekomandoi atë tek miqtë e tij.

Por në fillim të vitit 1887, shkencëtarët kuptuan se kokaina nuk ishte aq e padëmshme sa ç’do mendonte më parë, dhe Frojdi u gjykua për propagandën e drogës. Ai pendohet për atë që bëri dhe u përpoq të heqë qafe varësinë nga droga deri në vitin 1900.

Nga 1844 deri në 1848, poeti mori pjesë në “The Club des Hashishins”. Sipas asaj që anëtarët e tjerë të klubit thanë, “Baudelaire u përpoq dyfish për një eksperiment”.

Kjo “lumturi” ishte e neveritshme për të. Baudelaire më vonë kishte një varësi të shkurtër të opiumit, por ai arriti ta kapërcejë shpejt dhe krijoi një përshkrim të madh për ndikimin e drogave në trupin e njeriut, i cili pati një emër simbolik: Artificial Paradises.

Shkrimtarët e BBC-së për fëmijë

Mis Graham, një ish-punonjëse e BBC-së për fëmijë, tha se pas episodit të parë të shfaqjes së saj, prodhuesi dhe organizatori i shfaqjes i ofruan asaj kokainë.

Siç doli më vonë, përdorimi i drogës në mesin e ekipit krijues të BBC-së për Fëmijët nuk u dënua, por, përkundrazi, u vlerësua. Drejtuesit menduan se kokaina i ndihmoi shkrimtarët të gjenin ide të reja dhe krijuese.

Sa mirë ju kujtohet Teletubbies?

Mikhail Bulgakov goditi mitin

Kur njerëzit flasin për sa ishin romanet e fuqishme të Bulgakov, ata shpesh kujtojnë morfinën që shkrimtari e përdori.

Në vitet 1916-1917, Bulgakov punoi si mjek i vendit dhe për herë të parë ai përdorte morfinë për të shuar dhimbjet e tmerrshme të shkaktuara nga difteria.

Kjo ia mori shkrimtarit 5 vjet për ta trajtuar veten nga varësia e drogës në fshehtësi dhe ai arriti në vitin 1921.

Të gjitha kujtimet për këtë periudhë përshkruhen në veprën e tij ‘Morphine’, e cila u shkrua më 1927.

Shkrimtari ishte i varur nga droga, por kurrë nuk shkroi romane nën ndikimin e drogës, transmeton Klan Kosova. /KultPlus.com

Martin Garrix shprehet i emocionuar për koncertin në Prishtinë (VIDEO)

DJ i mirënjohur holandez Martin Garrix shumë shpejt do të udhëtojë për në Kosovë, kjo pasi ai do të performojë në festivalin Sunny Hill në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Para ardhjes në Prishtinë, Garrix përmes një video shpreh emocionet e tij për performancën në Kosovë.

“Jam shumë i emocionuar që më në fund do ta vizitojë Prishtinën dhe mezi pres të ju shoh në Sunny Hill Festival”, shprehet Garrix në videon e postuar nga faqja zyrtare e Sunny Hill Festival.

Ylli i hitit “Animals” do të jetë njëri nga performuesit në festivalin e organizuar nga Dua Lipa “Sunny Hill Festival”, që do të mbahet më 10. 11 dhe 12 gusht.

Përveç Martin Garrixit në Prishtinë më 10, 11, dhe 12 gusht do të perfomojnë yjet e muzikës Action Bronson, Stanaj, Grace Carter, SG Lewis, Col3 Trane, Dafina Zeqiri e shumë artistë të tjerë vendorë. / KultPlus.com

Ndahen edhe 20 mijë euro për festivalin DokuFest

DokuFest i cili ka nisur edicionin e tij të shtatëmbëdhjetë më datë 3 gusht, po vazhdon me prurjet e tij magjike të cilat do të vazhdojnë deri më datë 11 gusht.

Por, përderisa festivali është duke shpalosur programin e tij, Qeveria e Kosovës sjellë një lajm të mirë për organizatorët.

Qeveria e Kosovës ka ndarë 20 mijë për festivalin ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër DokuFest, raporton Ekonomia Online.

Kryeministri Ramush Haradinaj tha se ndonëse ministria e Kulturës e ka përkrahur këtë festival është parë e nevojshme për fonde shtesë./KultPlus.com

Dua Lipa nesër vjen në Prishtinë

Ylli botëror, Dua Lipa po kthehet në vendlindje për t’i dhuruar publikut këtu një koncert të paharrueshëm në kuadër të Sunny Hill Festival që fillon këtë të premte, shkruan KultPlus.

Në një postim në Facebook derisa ka falënderuar të gjithë ata që po e ndjekin, ka paralajmëruar se nesër po vjen në Prishtinë, ndërsa ka thënë se është shumë e emocionuar.

Kjo është hera e dytë që Dua Lipa vjen me koncert në Prishtinë, veçmas pas suksesit që ka korrur me superhitin e saj “New Rules”./ KultPlus.com

Sonte në Prizren vijnë ‘Çikat me Defa’, Merita Rama zbulon detaje nga performanca (VIDEO)

Alberina Haxhijaj- Prizren

Sonte në Prizren në kuadër të DokuFesti, në Kalanë e Qytetit, mysafirët e festivalit do të reflektojnë hyjneshat brenda tyre përmes performancës së Këngëve të Çikave, shkruan KultPlus.

Grupi i cili përbëhet nga dhjetë çika do të interpretojë këngë popullore të çikave me Def, të cilat këndohen për të shënuar ceremoni të ndryshme shoqërore. Performanca do të përfshijë edhe këndimin e rrallë dhe karakteristik me gisht në fyt, specifikë për bareshat në Kosovë dhe që shërbente si një mënyrë për të komunikuar në distancë.

Performanca do të mbahet duke filluar nga ora 20:00 dhe tashmë nëpër rrugët e kalldrëmta të qyteti po flitet për ‘Këngët me Defa’ që do jehojnë në Kala. Prandaj, KultPlus ka biseduar me anëtaren e grupit Merita Rama për të mësuar më shumë për grupin i cili përbëhet edhe nga Vahide Jusufi, Minivere Borovci, Egzona Ramaj, Rozafë Neziri, Kosovare Qerkini, Shqiponjë Grajqevci, Mimoza Hamiti, Valentina Haziri si dhe Gentiana Krasniqi.

Merita Rama është rritur duke dëgjuar nënën dhe gratë e tjera në familjen e saj duke kënduar e rënë defit. Madje këtij instrumenti ajo filloi që t’i binte edhe vet kur ishte fare e vogël.
“Ngjitet kana me pika të kuqe/ sonte je o bajrak nër nuse/ sonte je o bajrak nër nuseee”, e ka kënduar edhe nëna ime tregon ajo gjersa kujton veten të vogël duke vrapuar në shtëpi në kërkim të defit, e pasi që e gjente, ulej pranë shoqeve të saj dhe përsëriste fjalët që i kishte mbajtur mend nga nëna e saj Hatixhja.

“Nëna Hatixhe i ka ra shumë mirë defit nëpër dasma dhe festa të tjera në familje, unë jam rritur tu e degju dhe jam munduar që ta imitoj atë. Kur merrja komente të tilla si ‘Po i bie bukur si nëna jote’ gëzohesha shumë dhe vazhdoja gjithë ditën duke bërë muzikë nëpër shtëpi”, tregon Merita.
Ajo shprehet se dashurinë për muzikën e ka trashëguar edhe nga babi i saj, i cili ishte i njohur në fshatin e tyre në Koliq në regjionin e Gollakut.

“Babi i ka rënë fyellit në atë kohë dhe së bashku me burrat e tjerë të katundit janë bërë së bashku nëpër oda e kanë kënduar. Si fëmijë i mbajë mend kur afrohesha afër dhe i dëgjoja duke kënduar”, kujton me mallëngjim ajo.

Kështu nga tetë fëmijë sa kishte familja Rama disa prej tyre u morën me muzikë duke përfshirë këtu Meritën por edhe vëllezërit e saj të njohur për publikun si “Vëllezërit Rama”.

Merita ka kohë që është pjesë e Ansamblit “Shota” por njëkohësisht është edhe pedagoge në A.K.V. “Dëshmorët e Kombit”. Mirëpo, ajo gjithmonë ka dashur që së bashku me mikeshat e saj të krijonte edhe një grup ku përmes këngëve do reflektonin për gratë duke sjellë kështu historitë e tyre.
“Vendosëm që të bëjmë diçka tonën pra kjo është private, jashtë aktiviteteve me të cilat merremi në përditshmëri. Ne e njohim njëra-tjetrën që shumë kohë kështu që vendosëm të bashkohemi dhe të këndojmë. Tani marrim pjesë nëpër dasma, kanagjegje, e të tilla. Këtë vit morëm ftesë edhe nga DokuFesti që të i’u bashkohemi dhe jemi shumë të lumtura”, shprehet ajo.

Grupi tani ka mbledhur disa këngë të njohura si këngën“Kaj Lulie, niju të ura” të cilën do e sjellin edhe sonte.
/Kaj lulije e niju te ura ijeooo/ kaj lulije e niju te ura/ oooo tkan mashtrue dimijat me lula/ ooo tkan mashtrue dimiat me lula oooo/

“Për shumë vite, këto këngë ishin një nga mënyrat e pakta për femrat kosovare që të shprehnin veten. Ato na tregojnë histori të sinqerta dhe zëra shumë shpesh të padëgjuar dhe për ne janë një festë e forcës dhe krijimtarisë së femrave të Kosovës”, thekson ajo për KujltPlus.
Kjo performancë është organizaur nga DokuFest së bashku me CHwB, me qëllim të përbashkët për të shënuar trashëgiminë shpirtërore të Kosovës.

Disa nga këngët të cilat do sjellin para publikut, sonte në Kalanë e Prizrenit duke filluar nga ora 20:00 janë : Kënga e Rugovës, Kaj oj nane bashkë me mue, Lëshoni udhë e lëshoni sokak, , Kqyrni shoqe, Luli Belholla, O’dola n’bahqe e të tjera./ KultPlus.com

Televizioni më i madh në Kinë, reportazh për Shqipërinë: Heqja e vizave, shumëfishoi numrin e turistëve

Rritja e numrit të turistëve kinezë në Shqipëri ka tërhequr edhe vëmendjen e televizionit më të madh në Kinë, CGTN, i cili përgatiti një reportazh për Shqipërinë.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi ka dhënë një intervistë për këtë televizion, nga ku ka theksuar se Shqipëria po punon për krijimin e një paketë të re me një ofertë të trashëgimisë kulturore dhe kulinarisë.

“Ne jemi duke punuar shumë fort që të krijojmë një paketë të re me një ofertë të trashëgimisë kulturore dhe kulinarisë dhe po promovojmë agroturizmin më shumë se çdo gjë tjetër në vendin tonë”- tha ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi në intervistën dhënë për televizionin CGTN.

Më tej, ai vuri në dukje se “Shqipëria po përpiqet të përfitojë nëpërmjet trashëgimisë së saj kulturore dhe kuzhinës për të tërhequr turistë. Nën rrugët e Tiranës, në qendër të qytetit është një labirint i bunkerëve nëntokësorë që tani është e hapur për turistët”- thekson televizioni kinez.

Televizioni kinez rendit gjithashtu atraksionet më të mëdha turistike në vendin tonë. Vendi i parë më i vizituar nga turistët kineze është Bunk’art, muzeu i komunizmit në Shqipëri kjo për shkak edhe të lidhjeve historike.

Qeveria shqiptare vendosi heqjen e vizave turistët nga Kina për periudhën 1 prill deri në 31 tetor 2018. Heqja e vizave me Kinën për 8 muaj në vit nga qeveria shqiptare ka dhënë rezultatet e para. Numri i turistëve nga Kina drejt Shqipërisë është shumëfishuar krahasuar me një vit më parë. Falë heqjes së vizave, Kina u rendit me shpejtësi në 5 vendet me më shumë vizitorë në Shqipëri./ata

Elina Duni vjen me “Këngë të dashurisë dhe mërgimit” në Anibar

Jazz kompozitorja shqiptaro-zvicerane, Elina Duni vjen me performancë në Anibar, shkruan KultPlus.

Me tingujt e saj unik të gërshëtimit te tradicionales dhe jazzit, këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, më 16 gusht do ngjallë pjesën dëfryese të festivalit Anibar.

Elina Duni që nga viti 2012 ka nënshkruar kontratë me ECM Records. Ajo pa dyshim është një prej artisteve të rralla krijuese dhe interpretuese.

Kombinimi i këngëve tradicionale folklorike shqiptare me jazzin ka zgjuar kurreshtje dhe duartrokitje, tek njohësit e muzikës. Për këtë projekt, Elina Dunit do t’i bashkangjitet gitaristi Rob Luft, i vlerësuar si një prej yjeve në ngritje të skenës bashkëkohore të Jazzit Londinez.

Performansa e Luft përmban oshëtime të Afrikes Perëndimore, folklorit anglez dhe rock indie, të cilat gjejnë një homologe ideale në vokalin e Elina Dunit.

Për të kompletuar formacionin, me këtë rast, duo fton bateristin italian Enzo Zirilli tingujt e të cilit i pasurojnë këngët e përjetshme popullore.

Kjo performancë e cila pritet të jetë e paharrueshme vjen më 16 gusht në parkun Karagaq në Pejë./ KultPlus.com

MKRS-ja premton rritje buxheti prej 100% për Qendrën Kinematografike të Kosovës

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka vizituar sot Qendrën Kinematografike të Kosovës. Gjatë kësaj vizite ministri Gashi ka takuar drejtorin e Qendrës Kinematografike të Kosovës Arben Zharkun, me të cilin ka diskutuar për avancimin e politikave të filmit në vendin tonë, dhe ka konfirmuar se MKRS ka vendosur që ta rrisë 100% buxhetin për qendrën e filmit, po ashtu ministri Gashi tha se do të ju ofroj përkrahje në forma tjera për institucionin kryesor të filmit në Republikën e Kosovës.

Ministri Gashi tha se “ Jemi këtu që të ju përgëzojmë për punën, angazhimin dhe sukseset të cilat i ka pasur kjo qendër. Në të njëjtën kohë ju konfirmoj mbështetjen tonë të madhe për punën dhe angazhimin tuaj. Siç dihet kjo qendër ka pasur buxhet 600 mijë euro për mbështetjen e filmave dhe ne kemi vendosë që këtë buxhet ta rrisim për 100% dhe QKK-ja do ta ketë buxhetin për filma 1 milion e 200 mijë kurse në total buxheti do të jete 1 milion e 400 mijë euro për shkak të punës së madhe që po ndodh në këtë qendër filmi, për shkak të angazhimit të madh dhe për shkak të çmimeve dhe rezultateve që kanë pasur filmat tanë, veçanërisht filmi “Shok” pastaj “Babai”, “Martesa” e shumë filma të tjerë dhe duke i pasur parasysh këto rezultate ne kemi vendosur që QKK-së t’ia rrisim buxhetin për 100% dhe ti inkurajojmë të gjithë film-bërsit shqiptarë që të vazhdojnë dhe angazhimin e tyre” ka thënë ministri Kujtim Gashi.

“Me këtë rritje do të përfitojnë shumë film-bërës shumë artist, dhe besojë që tani e tutje do të kemi një industri të filmit edhe me të zhvilluar, deri më tani janë mbështetur dikur rreth 18 filmi ndërsa me këtë rritje do të mbështeten 28 filma dhe ky është një moment i rëndësishëm për QKK-në për filmin dhe për Republikën e Kosovës tashmë filmat tonë janë duke bërë jehonë gjithandej festivaleve ndërkombëtare” ka thënë ministri Gashi.

Ndërsa drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës Arben Zharku tha se “Fillimisht dua të falënderoi Ministrin Gashi që po na sjellë lajme të mira për QKK-në, por më së shumti për industrinë e filmit që këto vite do të kemi një rritje të konsiderueshme buxhetore për të vazhduar trendin e projekteve filmike me buxhete më të mëdha , për të rritur numrin e projekteve filmike të konkursit të sivjetshëm ka thënë Zharku .

“Filmat e Kosovës kanë krijuar një emër të mirë në festivale ndërkombëtare deri te nominimi për Oskar dhe besoj që me këtë rritje të buxhetit do te vazhdojmë edhe me teje sukseset tona” shtoi Zharku./ KultPlus.com

Stilisti shqiptar që bashkëpunon me Katie Holmesin, Paris Hiltonin e Kylie Jennerin

Në një rrëfim ekskluziv, stilisti shqiptar i flokëve Faik Zekaj, tregon për karrierën e tij në një nga qytete kryesore të modës në botë, Milano.

Zekaj, i cili në Itali kishte emigruar gjatë periudhës së luftës në Kosovë, kujton fëmijërinë e tij dhe periudhën e shkollës kur edhe kishte vendosur që me profesion të bëhej pikërisht stilist i flokëve.

Ai prej vitesh bashkëpunon me emra të njohur të filmit dhe muzikës italiane, përfshirë aktorin Raoul Bova, këngëtaren e njohur Elisa, fituesen e festivalit të “Sanremo” Arisa, modelen e njohur Belen Rodriguez, futbollistin Christian Vieri etj.

Po ashtu edhe me show televiziv si “Amici” dhe “X Factor Italia”. Por, ai ka bashkëpunuar edhe me aktoren Katie Holmes, po ashtu me Paris Hiltonin, Kylie Jennerin, etj.

Këtë vit ai prapë do të jetë pjesë e Festivalit të Filmit në Venecie, ku edhe do të ketë baskëpunime me emra të njohur që do të marrin pjesë këtë festival.

Zekaj flet edhe për imazhin e shqiptarëve në Itali. Ai thekson marrëdhënien e tij me Ermal Metën, shqiptarin i cili fitoi këtë vitit vendin e parë në “Sanremo”.

Stilisti shqiptar fare në fund sjell edhe disa këshilla për trendet e reja për ngjyrat dhe format e flokëve./ KultPlus.com

Intervistën e plotë ndiqeni në videon më poshtë:

Para 28 viteve Serbia mbylli gazetën e vetme të përditshme shqipe në Kosovë ‘Rilindja’

Shkruan Behlul Jashari.

Gazeta tradicionale Rilinda, para 28 viteve, natën mes 7 e 8 Gushtit 1990 u ndalua me forcë në shtypshkronjë nga Serbia që e kishte okupuar Kosovën, derisa edhe gjatë ditës forcat policore serbe të armatosura i bënin shtetrrethim redaksisë së gazetës, që edhe në ato rrethana kërcënimi e represioni nuk ndaloi punën dhe refuzoi masat e dhunshme që Beogradi ia shpalli në ditën e 5 Korrikut 1990 të suprimimit të institucioneve të Kosovës. Rilindja kundërshtoi fuqishëm edhe me redaksionalin në faqen e parë me titull “Okupim klasik”.

Beogradi, edhe pse në ditën e masave të dhunshme kishte marrë vendimin, kurrë nuk arriti ta bëjë gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja “organ të Kuvendit të Serbisë”, asnjë punëtor nuk e pranoi këtë, të gjithë e kundërshtuan dhe e hodhën poshtë.

Masat e dhunshme pasonin 2 Korrikun 1990, kur Kosova me Deklaratën Kushtetuese për pavarësinë, në seancën e Kuvendit para dyerve të mbyllura e në shtetrrethim ballë tankeve e snajperëve serbë, ku Rilindja ishte me delegatët mbështetëse e fuqishme në ngjarjen historike për të cilën raportoi gjerësisht me ekip gazetarësh e fotoreporterësh dhe në ballinë kishte edhe redaksionalin tim me titull “Fillim i së nesërmes”.

Rilindja, në atë kohë e vetmja e përditshme shqipe në Kosovë, nuk u ndal edhe kur u ndalua, vijoi me shkrimet nëpër faqet e revistave, e pastaj duke dalë edhe me emrin “Bujku” nga 18 Janari 1991 gazetë e përditshme rezistencës, e lëvizjes për liri, pavarësi e demokraci, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha.

Në kohë lufte, kur edhe “Bujku” u mbyll dhunshëm nga forcat ushtarako-policore e paramilitare serbe në fundvitin 1998, gazeta Rilindja doli me emrin e saj të vërtetë, e shtypur në një shtypshkronjë private në Prishtinë, me punë nëpër shtëpitë e punonjësve të saj deri në dëbimin e tyre edhe nga Kosova, dhe u rikthye me kolonën e parë të forcave shpëtimitare të NATO-s që hynë në Kosovë në 12 Qershor 1999 – në Ditën e Lirisë, botim special për ngjarjen historike.

E rikthyer në Kosovë, gazeta Rilindja doli përditë deri në 21 Shkurt 2002, kur u mbyll kundërligjshëm e padrejtësisht nga UNMIK me dëbim dhunshëm nga Pallati me emrin e saj në Prishtinë.

Dhe Rilindja përsëri nuk u ndal, me punë nëpër shtëpia si në kohë lufte, për të ruajtur emrin e traditën e për të vijuar të jetë histori e Kosovës, doli në raste të veçanta me numra të jashtëzakonshëm e protestues, të kohëpaskohshëm, edhe kur kishte festa.

Në pritje të zgjidhjes së ligjshme, duke pasur modelin e gazetave që kishin status të njëjtë në rajon e në botë – në procesin e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore, në ballinë të numrit të fundit të 30 Dhjetorit 2008 është paralajmëruar: DUKE BESUAR NË SUNDIMIN E LIGJIT NË SHTETIN E KOSOVËS PRESIM QË NGA NUMRI I ARDHSHËM RILINDJA TË DALË PËRDITË.

Gazeta shqiptare Rilindja nisi të dalë në Prizren në 12 Shkurt 1945, me angazhimin e intelektualëve të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana, e vazhdoi në kryeqytetin Prishtinë.

Duke kaluar nëpër këto zhvillime, gazeta tradicionale Rilindja, që është edhe shenjë identiteti, arriti të jetë histori e Kosovës që nga koha e Konferencës së Bujanit të Rezolutës për të ardhme të vullnetit kombëtar e demokratik të popullit e deri në Pavarësinë e shpallur në 17 Shkurt 2008 e në njohjet ndërkombëtare.

Behlul Jashari
Kryeredaktor i gazetës Rilindja nga fillimi i vitit 2002 kur në 21 Shkurt UNMIK e mbylli me dëbim nga Pallati i Rilindjes dhe në vijim i botimeve të jashtëzakonshme-protestuese të kohapaskohëshme deri në numrin e fundit – 30 Dhjetor 2008. Në vitin 1990 redaktor.

Stanaj flet shqip, fton fansat në Sunny Hill Festival (VIDEO)

Këngëtari nga Shqipëria me famë ndërkombëtare Albert Stanaj, do të jetë pjesë e Sunny Hill Festival, i cili nisë më 10 gusht me këngëtaren kosovare me famë botërore Dua Lipa.

Tashmë secili artistë pjesëmarrës në këtë festival, kanë bërë nga një video ku ftojnë fansat e tyre që të shkojnë në festival për të ndjekur nga afër performancat e tyre, shkruan KultPlus.

Edhe Stanaj, sot i ka ftuar fansat e tij përmes një video të publikuar në Instagram.

“Kosovë, unë jam Stanaj dhe mezi pres të performoj në Sunny Hil Festival. Kjo do të jetë çmenduri. HAJDE”, ka thënë Stanaj./ KultPlus.com

“Tinguj kinemaje” shkoi në Berat nga Orkestra Simfonike e RTSH-ës

Erjola Azizolli

Qytetarët beratas kanë përjetuar mbrëmë emocione të veçanta nëpërmjet muzikës së filmave më të njohur shqiptar, por dhe të huaj.

Mbrëmja artistike është ngjizur bukur me freskinë dhe pamjen që ofroi nga Pedonalia e qytetit lagja muzeale “Mangalem”. Për më tepër se një orë qytetarët, por dhe vizitorë të shumtë kanë shijuar muzikën instrumentale.

“Tinguj kinemaje” koncerti i Orkestrës Simfonike të RTSH-së, me drejtor artistik Aristidh Prosi dhe dirigjent Gridi Kraja, solli për publikun, muzikën e filmave të njohur si “ Lulkuqet mbi murre”, “Rrugë të bardha”, “Mësonjtorja”…

Dirigjenti i kësaj orkestre Gridi Kraja, u shpreh se publiku ishte i mrekullueshëm në këtë qytet.

Ky koncert, u mbështetur nga Bashkia e Beratit në bashkëpunim me Qendrën Kulturore mbajti të mbërthyer artdashësit beratas fal interpretimit me nivel të lartë artistik të instrumentistëve të talentuar të kësaj orkestre. Muzika e filmave u shoqërua me shfaqjen e fragmente të tyre në video-projektor./ KultPlus.com

Teatrot e qyteteve të Kosovës do të bëhen me ligj të ri

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur sot në një takim pune, drejtorët e Teatrove të qyteteve kryesore të Kosovës dhe përfaqësuesit e Sindikatës së Teatrove të Kosovës.

Në këtë takim ministri diskutoi për situatën e tanishme të teatrove nëpër Kosovë dhe mundësinë e përmirësimit kushteve të tyre të punës dhe stabilitetit financiar të tyre. Ministri e përfaqësuesit biseduan edhe për hartimin e projektligjit për teatrot. Ministri Gashi i njoftoi ata se në këtë fazë MKRS-ja është duke e përgatitur koncept dokumentin i cili do të miratohet në Qeveri duke i hapur rrugën ligjit të ri, që sipas ministrit besohet se teatrot e qyteteve të Kosovës do të bëhen me ligj të ri në pjesën e parë të vitit 2019.

“Ndër të tjera, ligji do të parasheh rritjen e buxhetit dhe avantazhet tjera. Po ashtu, kjo politikë e re do të obligojë komunat dhe kryetarët e tyre që të ndajnë buxhet shtesë për teatrot dhe rritjen e numrit të stafit dhe futjen e tyre në lista të rregullta të pagave”, shpjegoi ministri, duke u zotuar se MKRS-ja do të punojë sa më shpejtë që është e mundur në hartimin e ligjit dhe duke përfshirë të gjitha palët e interesit. “Me miratimin e këtij ligji dhe zbatimin e tij, teatrot anekënd Kosovës do të stabilizohen dhe kjo drejtpërsëdrejti do të ndikojë në rritjen e aktiviteteve dhe vlerave artistike”, ka vlerësuar ministri Gashi.

Ndërkaq, përfaqësuesit e teatrove dhe sindikatës falënderuan ministrin për gatishmërinë e treguar dhe u shprehen se kjo nismë e MKRS-së është e mirëseardhur dhe konform kërkesave që ata kanë. Ata premtuan se do të angazhohen maksimalisht në bashkëpunim me MKRS-në që ligji në fjalë të jetësohet sa më shpejt. /KultPlus.com

Tre artistë shqiptarë në Festivalin Veror të Ohrit

Festivali Veror i Ohrit do të ketë përfaqësuesit e tij nga Shqipëria. Robert Bisha kompozitori i njohur shqiptar, multiinstrumentisti i talentuar i cili me interpretimet e tij ka mrekulluar gjithmonë publikun jo vetëm shqiptarë por edhe atë europian, kësaj radhe do të ketë ndalesë në Ohër.

Koncerti i Robert Bishës do të jetë në kuadër të ‘Ohrid Summer Festival’ dhe do të mbahet më datë 8 gusht. Robert Bisha do të interpretojë së bashku me Iso Polyphonic Choir – Kori Iso-Polifonik, të cilët së bashkë do të sjellin atmosferë magjike.

Në Festivalin Veror të Ohrit do të marrin pjesë gjithashtu dhe dy artistët e tjerë shqiptarë, pianisti Marin Gjollma dhe flautisti Elvis Rudi. Pianisti Gjollma dhe flautisti Elvis Rudi (Visi Rudi) do të interpretojnë me 15 gusht ora 21.00, në kishën e Shën Sofisë në Ohër tri ndër sonatat kryesore të repertorit botëror për flaut dhe piano nga Philippe Gaubert, Friedrich Kuhlau dhe Pierre Sancan.

Festivali Veror i Ohrit këtë vit shënon edicionin tij të 57-të, kjo gjë dëshmon se ekzistenca e tij është falë vlerave që ata prezantojnë dhe festivali mbështetet në diçka që me të vërtetë paraqet një traditë të madhe.

Ky festival ka pritur interpretues nga më shumë se 60 vende. Bukuri të veçantë këtij festival i jep mjedisi magjik i vendeve që zgjidhen si skenë e manifestimeve,oborri i katedrales “Shën Sofia”, Kalaja e Samuelit dhe teatri antik.

Nga viti 1994 Festivali Veror i Ohrit është pjesë e Shoqatës Europiane të Festivaleve. Ky festival paraqet krenari të madhe dhe përfitim të jashtëzakonshëm kulturor për Maqedoninë, dhe ngjarjet paraqesin pasuri kulturore për çdo vizitor./ KultPlus.com

Bebe Rexha: Të dua baba

Këngëtarja shqiptare Bebe Rexha, ka publikuar fotografi me babanë e saj, shkruan KultPlus.

Ajo shihet teksa e përqafon atë, ndërsa në mbishkrimin në rrjetin social Instagram, Bebe përveç që ka shprehur dashurinë ndaj të atit, po ashtu e ka falënderuar dhe ka thënë se do të mundohet t’ia ofroj një jetë sa më të mirë, siç gjithmonë ka dëshiruar.

Po ashtu, këngëtarja ka shprehur mirënjohje ndaj të atit, për mundin që e ka bërë për gjithë familjen./ KultPlus.com