Shteti i pafuqishëm, rreth 100 shkolla në Kosovë punojnë me plan-program të Serbisë

Ndonëse është në territorin e Republikës së Kosovës, shkollën “Jovan Cvijic” në Shtërpcë asgjë tjetër nuk e lidh me këtë shtet.

Plan programi arsimor në këtë objekt shkollor që mësojnë nxënës serbë të shkollës së mesme të mjekësisë, gjimnazi, ekonomiku dhe teknika, zhvillohet sipas atij të Serbisë, raporton KTV.

Drejtori i kësaj shkolle tregon se asgjë nuk kanë të bëjnë me institucionet e Kosovës.
Përveç kësaj edhe pagat i marrin nga Qeveria Serbe.

“T’ju tregoj se shkolla punon me sistemin e Republikës së Serbisë sipas plan programit të Ministrisë së Arsimit. Shkolla nuk e ka ndërprerë punën me Serbinë siç punohet në Serbi punohet edhe këtu me këtë program. Ne marrim pagën nga buxheti i Serbisë drejtpërdrejt. Ndërsa nga institucione e Kosovës nuk marrin kurrfarë lloj page”, ka thënë Novica Krstic, drejtor i kësaj shkolle.

Për njohësit e arsimit, sistemin paralel të arsimimit serb në territorin e Kosovës më shumë është politik.

Rinor Qehaja ka thënë se shqetësuese është fakti që përmbajtja e librave shkollor konteston shtetësinë e Kosovës.
Ndërsa përkundër që Ministria e Arsimit nuk ka ende diçka konkrete, thotë që është duke bërë një pilot projekt me të cilin do të fillojnë që këto shkolla ti integrojnë gradualisht në sistemin e arsimit të Kosovës.

Ndryshe më shumë se 100 shkolla fillore dhe të mesme funksionojnë sipas plan programit serb dhe kjo u garantohet me anë të Pakos së Ahtisarit./KultPlus.com

Baleti Kombëtar i Kosovës shpalosi historinë e të pagjeturve në Bullgari (VIDEO)

Baleti Kombëtar i Kosovës sonte është prezantuar në qytetin Ruse, Bullgari me shfaqjen “Xhuljeta pa Romeon” me koreografi nga Darrel Toulo, shkruan KultPlus.com

Me koreografi të Darrel Toulon, shfaqja “Xhuljeta pa Romeon” është një homazh metaforik për personat e pagjetur që nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë. Koreografi Toulon për koreografinë e kësaj shfaqje ishte inspiruar nga fotografitë e personave të pagjetur që ishin të varura në rrethojën e Kuvendit të Kosovës.

Kjo nuk është shfaqja e parë që koreografi nga Austria e punon me Trupën e Baletit të Kosovës. Në fakt, kjo shfaqje vjen si vazhdimësi e punës së tij, pas asaj “Your stories, my stories”, shfaqje të cilën e kishte përgatitur pasi kishte dëgjuar rrëfimet e balerinëve kosovarë për luftën e fundit në Kosovë.

“Zhulieta pa Romeon” është shfaqur edhe në festivalin “Internationale Bühneëerkstatt Tanztheaterfestival”, në Grac të Austrisë.

Shkuarja e Baletit Kombëtar të Kosovës në Bullgari ju kujtojmë se është bërë pa buxhet. Ahmet Brahimaj, drejtoi i BKK pati konfirmuar se institucioni që ai drejtor është nisur për në Bullgari pa mjete. Ai po ashtu pati potencuar se ka pritur që MKRS dhe thesari të alokonte të paktën mëditjet për stafin që u nevojiten gjatë qëndrimit në Bullgari, por një gjë e tillë nuk është bërë./ KultPlus.com

Adem Dërmaku me “Dy sofra të bardha” pjesë e MAD-ës në Paris

14, 15 dhe 16 shtatori në Paris ndryshe do njihen edhe si “Multiple Art Days”, pasi që gjatë kësaj ditë mbahet edhe panairi i madh i artit, shkruan KultPlus.

Në MAD, do të prezantohet edhe artisti shqiptar Adem Dërmaku. Ai do të prezantohet me dy punime në tekniken e grafikës, titulluar “Dy Sofra të Bardha”.

“Dy punimet simbolizojnë traditën dhe mikpritjen shqiptare”, ka theksuar artisti.

Në MAD do të prezantohen rreth 80 galeri si dhe do të ketë edhe performanca të ndryshme nga artistë të cilët vijnë nga vende të ndryshme të botës. Disa nga artistët pjesëmarrës do të jenë edhe Nic Hess, Dauglas Gordon, Cećil Wick, Vreni Spieser, Henrich Sach. Kurator i Ekspozitës për Pavionin e Zvicrës, Galeri wolfsberg Verlag është Thomi wolfensberger.

MAD, një panair i rëndësishëm vjetor për botën e artit, do të paraqesë, gjatë një periudhe 3-ditore, një spektër të gjerë stilesh bashkëkohore. MDA është bashkë-kuruar nga Sylvie Boulanger, dhe Michael Woolworth. Hapësira ekspozuese prej 900 metra katror gjatë tri ditëve do të mirëpres vizitorët të cilët do të zbulojnë njëqind botues të artit ndërkombëtar dhe mijëra vepra arti dhe botime e performanca të ndryshme./ KultPlus.com

Një nënë që është nënë e zonja në rolin e saj, nuk është asnjëherë e lirë

Honore de Balzac
“Askush nuk e dashuron një femër thjesht se është e bukur apo e shëmtuar, budallaqe apo inteligjente. Ne dashurojmë sepse thjesht dashurojmë”.

“Një ditë ke për të kuptuar se ka më shumë vlerë lumturia e dikujt tjetër, sesa lumturia jote”.

“Një bashkëshort i mirë nuk bie asnjëherë të flejë i pari në darkë dhe as zgjohet i fundit në mëngjes”.

“Sa më shumë dikush të gjykojë të tjerët, aq më pak dashuron ai person”.

“Është e thjeshtë të ulesh dhe të presësh lajme. Vështirësia qëndron tek fakti se duhet të çohësh dhe të realizosh veprime”.

“Një nënë që është nënë e zonja në rolin e saj, nuk është asnjëherë e lirë”.

“Dashuria është një lojë, ku gjithmonë do të jetë dikush që do të mashtrojë”.

“Vetmia është e këndshme, por secili ka nevojë për dikë që t’ia thotë këtë gjë”.

“Gjithë lumturia varet nga kurajoja dhe puna”.

“Është absurde të mendosh se si dikush nuk mund ta dojë një femër përgjatë gjithë jetës. Është njësoj si të mendosh se një artist i mirë ka nevojë për disa violina që të ekzekutojë një melodi”.

Shqipëria me shpenzimet më të ulëta në Evropë për kulturën

Sipas të dhënave të EUROSTAT-it, në vitin 2016 vendet e BE-së shpenzuan mesatarisht një për qind të PBB-së për argëtimin dhe kulturën, ndërsa sipas të dhënave kombëtare të INSTAT-it, Shqipëria shpenzoi vetëm 0.4 për qind të PBB-së për sektorin në fjalë.

Shpenzimet e qeverisë së përgjithshme për rekreacion, kulturë dhe religjion në Bashkimin Evropian (BE) në vitin 2016, ishin të pandryshuara nga viti 2015. Në eurozonë kjo shifër ishte pak më e lartë (1.1 për qind).

Sipas EUROSTAT-it shpenzimet totale për çështjet e argëtimit dhe kulturës në BE shkojnë për objektet kulturore dhe lehtësirat për shërbimet fetare dhe të tjera të komunitetit, si bibliotekat, muzetë, teatrot, shërbimet e transmetimit.

Në vitin 2016, shtetet anëtare me shpenzimet më të larta në të argëtimit dhe kulturës në raport me PBB-në ishin Hungaria (3.3 për qind), Estonia (2.1 për qind), Kroacia dhe Danimarka (1.8 për qind).

Në krahun tjetër Shqipëria me 0.4 për qind, Mbretëria e Bashkuar (0.6 për qind), pasuar nga Greqia, Italia dhe Portugalia (të gjitha 0.8 për qind), ishin vendet me shpenzimet më të ulëta në këtë aspekt.

Struktura e shpenzimeve të kulturës dhe argëtimit u dominua nga shpenzimet për shërbimet kulturore që ishin 0.3 për qind e PBB-së të ndjekura nga shërbimet e transmetimit dhe botimit me 0.2 për qind dhe ato për shërbimet fetare me 0.1 për qind të PBB-së. /Monitor/ KultPlus.com

Haradinaj ia merr këngës: “Shqipëri moj trime, të ka zili bota”

E ftuar pasditen e së premtes në “Ftesë për 5” në Top Channel ishte Anita, bashkëshortja e Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Teksa po fliste për bashkëshortin e saj, ajo u shpreh se Haradinaj e provon shpesh të këndojë. Më pas, u shfaq një video, ku Kryeministri i Kosovës ia merr këngës ekskluzivisht për “Ftesë për 5”.

“Shqipëri moj trime, të ka zili bota”, këndon Haradinaj, ndërsa shprehet se ka dëshirë të këndojë, por nuk shquhet se e bën mirë këtë gjë./ Top Channel/ KultPlus.com

Ka shijuar sukseset e Kanës e Toronto International Film Festival, Liridon Rashiti tash e dëshiron edhe një film me Kosovën

Gili Hoxhaj

Ani pse suksesi i tij në Kanada është i pakontekstueshëm, synimet e tij janë përtej kësaj. Prezantimi i suksesshëm në shumë projekte filmike, veçse ja ka shtruar rrugën për të kaluar kufijtë e Kanadasë. Ambiciet mund t’i mbështet tashmë në talentin e përvojën në dhjetëra projekte filimike dhe seriale telvizive atje, në disa prej tyre ku është prezantuar edhe me rol kryesor, ndërsa pas shumë vitesh në këtë fushë, ai është dëshmuar edhe në rolin e skenaristit dhe regjisorit.

I lindur në Gjilan në vitin 1991, luftën e përjetoi në moshën 7 vjeçare, ku familja e tij, si shumë të tjera në atë kohë, morën rrugën e largimit nga Kosova, për t’u zhvendosur në Montreal të Kanadasë. Në vitin 2009, ka shkruar dhe bashkëprodhuar një film “Refuge” që lidhet me historinë e Kosovës, ndërsa thotë se edhe më tutje planet e tij lidhen me mundësinë për ta prezantuar Kosovën sa më shumë me anë të projekteve të tij filmike. Liridon Rashiti, aktori i shumë roleve kryesore në Kanada dhe që ka luajtur përkrahë aktorëve më të njohur atje, thotë se me shumë kënaqësi do të luante edhe në ndonjë film shqiptarë.

Filmat ku ai ka luajtur kanë ecur në shumë festivale të ndryshme, ndërsa filmi “AvecJeff à moto” është përzgjedhur në 15 filmat më të mirë të kategorisë, në të cilën edhe është prezantuar në Kanë.
Kurse filmi “Nous avions”, ku Reshitaj ka pasur rol kryeosr, ka arritur në top dhjetëshen e TIFF (Toronto International Film Festival) ku është shperblyer me cmimin “Best canadian drama”
Pasionin e tij për aktrimin e kuptoi pak vite pas zhvendosjes në Kanada. Qysh në moshën dymbëdhjetëvjeçare kishte hetuar shkëndijat e para të këtij profesioni, që do ta përcillte gjatë viteve në vijim. Duke mos e njohur dikë që merret me këtë profesion, interneti ishte bërë shtylla ku kishte mbështetur fillimisht njohuritë për të depërtuar në skenën e aktrimit.

“I kam pasur shtatë vite kur jemi vendosur në Kanadë me familjen, pastaj jemi adaptuar atje dhe e kemi mësuar gjuhën frënge dhe atë angleze. Qysh në moshën 12 vjeçare, më është shfaqur interesimi për aktrim por s’kam ditur si t’ia filloj, ndërsa pas kthimit nga një vizitë e shkurtër në Kosovë, në moshën 15 vjeçare kam filluar të merrem më seriozisht dhe kam filluar kërkimet me anë të internetit. Në fillim kam bërë projekte falas, pasi që kam dashur të bëjë eksperiencë dhe pastaj e kam krijuar një demo të skenave ku kam luajtur dhe ua kam dërguar agjentëve për t’u prezantuar dhe pastaj më ka thirrur një agjent, dhe qysh atëherë kam filluar të shkojë në audicione në mënyrë profesionale, duke u përfshirë në role në seriale televizive, e pastaj dhe në filma”, ka thënë ai.

Sipas tij, të ushtruarit e profesionit të aktorit, ia mundëson atij që t’i ushtrojë shumë profesione. Ai tha se qëllimi i aktorit është që ta bëjë publikun të përjetojë një eksperiencë të mirë gjatë kohës sa e shikon një film.
“Gjithmonë kur më kanë pyetur se çfarë dëshiron të bëhesh, u kam thënë aktor, pasi që aty mund të bëhem qoftë doktor, avokat apo çfarëdo profesioni, mund të bëhem njeri i mirë apo njeri i keq. Qëllimi ynë është që spektatori të mësojë diçka përmes filmit apo të dalë më i qeshur prej tij, pra ta tejkalojë një moment jo shumë të mirë të jetës së tij”, tregoi Rashiti.

“Refuge” titullohet filmi i parë me skenar dhe bashkëprodhim të Rashitit, në të cilin edhe aktron. Në këtë film të realizuar në vitin 2009, ai ka dashur të fus edhe realitetin kosovarë.
“Filmi i parë që e kam bërë është “Refuge”, në këtë film kam dashur ta fus edhe historinë e Kosovës, pasi që njerëzit nga atje as që e dinë se çfarë ka ndodhur në Kosovë dhe ende e ndij nevojën për t’i treguar njerëzve se çfarë ka ndodhur në Kosovë dhe dua ta prek historinë time. Kosovën e kam në zemër dhe dua që njerëzit të dinë më shumë, pasi që njerëzit nuk e njohin shumë këtë vend”, tregon ai për KultPlus.

Ai së fundmi është i përfshirë edhe në serialin televiziv “Bluemoon”, i cili ka një shikueshmëri shumë të lartë në Kanada dhe tani do të fillojë sezonin e dytë. “Ky serial televiziv ka një shikueshmëri të lartë në Kanada pasi që janë të përfshirë shumë aktorë të njohur atje. I ka tre sezone dhe tani fillon sezoni i dytë, i cili i ka dhjetë episode dhe jam i përfshirë në të gjitha episodet të cilët zgjasin nga një orë”, tregon Rashiti.

Ai thotë që kinematografia në Kosovë po shkon duke u përmirësuar në krahasim me vitet e kaluara dhe për këtë thotë se mund të kenë ndikuar edhe bashkëpunimet me vendet e huaja. Rashiti thotë se me shumë kënaqësi do të luante në një film shqiptarë.

“Kam shumë dëshirë të punoja këtu në Kosovë, pasi që dua të punojë edhe në gjuhën shqipe. Nëse me ofrohet një rol, pavarësisht a është i vogël apo i madh do të punoja, pasi që dua të kem edhe një rol në gjuhën shqipe, pasi që është gjuha ime e parë”, tregon Rashiti.

Serialet telvizive ku ka luajtur aktori Liridon Rashiti janë “Bluemoon”, “L’honnerquitue”, “Destinees VI”, “LesBobos”, “Lessiou- bacon”, “Toute la verte II”, “Un teour si proche” dhe “Vrak la vie”. Projektet filmike ku është preznnatuar Reshitaj janë: “Nousavions”, “Diegostar”, “Lesmafiozoo”, “A moto avecJeff”, “Hate”, “Fatal bazooka”, “Refuge”, “Sëimminpoolcabaret”, “Cinq”, “La loi de ma rue” ./ KultPlus.com

Neki Emra publikon këngën “Papritmas”

Këngëtari Neki Emra ka publikuar këngën e tij më të re të titulluar “Papritma”. Në videoklipin e kësaj këngën mund të shihni edhe aktorë të njohur, shkruan KultPlus.

Aktorët: Ariola Demiri, Mevlyd Osmani dhe Suzana Ajeti, janë pjesë e videoklipit të këngës “Papritmas”.

Kompozimin por edhe tekstin e kësaj këngë e ka bërë vet Neki Emra orkestrim e ka bërë Florent Boshnjaku. Videoklipi është punuar nga kompania ASHA./ KultPlus.com

Eja ashtu si je

Poezi nga Rabindranath Tagore.

Eja ashtu si je, mos humb kohë me tualet,
Nëse gërsheti t’është prishur, apo flokun s’e ke drejt,
Nëse kordelin në bel s’e ke lidhur, nuk ka dert,
Eja ashtu si je, mos humb kohë me tualet.
Eja mbi bar me hapa të shpejtë,
Nëse këmbët t’i njomë vesa, nëse mbetesh pa sandale,
Nëse perlat të këputen nga xherdani, mos ki dert.
Eja mbi bar me hapa të shpejtë.

A po i sheh retë duke u mbledhur në qiell?
Varg lejlekët fluturojnë lart dhe era shpejton mbi shkurre.
Kafshët të trembura nisen vrap në stane.
A po i sheh retë duke u mbledhur në qiell?

Ti kot ndez llambën për t’u stolisur; ajo dridhet dhe e fikë era.
E kush mund ta vërejë se bloza qepallën s’ta ka prekur?
Se sytë i ke më të zi se retë e shiut?
Ti kot ndez llambën për t’u stolisur; ajo dridhet dhe e fikë era.

Eja ashtu si je, mos u vono me tualet
Nëse kurorën s’e ke thurur, s’ka dert?
Nëse zinxhirin e dorës s’e ke lidhur, ashtu lëre.
Është vonë; qielli u bë terr nga retë.
Eja ashtu si je, mos u vono me tualet./KultPlus.com

Përkthyer nga Ag Apolloni.

12 vjetori i Next Level në Zone Club vjen me Martin Buttrich dhe Behrouz

Pas hapjes së mrekullueshme të së shtunës me Cocoon Worldwide, Zone Electronic vazhdon me electronic series të dytë të shtatorit.

Më 15 shtator, Zone Electronic Series feston 12 vjetorin e Next Level promotions. Filloi në vitin 2006, dhe vazhdon të jetë e suksesshme edhe tash, promovimet Next Level kanë sjellë disa artistë dhe vepra të mrekullueshme.

Në bashkëpunim me Next Level, Zone Electronic Series ju prezanton këtë line-up: Behrouz (Do not sit on the furniture, Miami) Martin Buttrich (Rhythm Assault, Barcelona) Rinia Rinia (Zurich) Tipariteti i Martin Buttrich.

“Për ata që nuk e kanë pa live, kjo eksperiencë do të jetë dyfishi i përvojës, pasi ajo që keni me pa është një gjeni që bon magji me çfarëdo instrumenti që ky Gjerman ka me marrë me veti prej Los Anxhelosit. Nejat e All Day I Dream filluan në një rooftop në Brooklyn, e tash jonë bo senzacion ndërkombëtar, nga I madhi Lee Burridge me gjenialitetin e tij. Vetëm disa DJ të përzgjedhur kanë fatin dhe aftësinë për t’u bashkuar dhe të bëhen pjesë e All Day I Dream, dhe Behrouz është një prej tyre. I njohur për tingujt e tij shpirtëror, talenti i Deep Dish zgjedhur për 2015 po vjen të na lumturoj bashk me Martinin. Senzacioni Rinia Rinia i bashkangjitet line-up nga Cyrihu”, thuhet në komunikatë. /KultPlus.com

Në shenjë revolte, aktorja Irena Cahani nuk do të luajë në shfaqjen ‘Ana dhe Zefi’

Pas aktorit Astrit Kabashi, i cili sot tregoi se nuk do të luajë në shfaqjen “Bordel Ballkan” me datë 15 shtator për shkak të moskryerjes së obligimeve nga ana e Teatrit Kombëtar të Kosovës kundrejt tij, edhe aktorja Irena Cahani ka vendosur të mos luajë në njërën prej shfaqjeve ku ajo është angazhuar.

“Në muajin tetor kur të dalë orari i shfaqjes nuk do të jem pjesë e “Ana dhe Zefi”. Prej datës 26 qershor kur ka qenë premiera, ndaj meje nuk janë kryer obligimet nga ana e TKK-së, as ndaj meje e as ndaj asnjërit prej kolegëve me të cilët jam në shfaqje, e të cilët janë krejt aktorë jorezident të Teatrit” tregon Irena Cahani, rreth vendimit të saj në shenjë proteste e pakënaqësie.

Si pasojë e gjakmarrjes, krijohen shtigje enigmatike, të cilat nuk kanë zgjidhje për shkak të dokeve dhe zakoneve që ia marrin jetën njeriut. Ky është një ndër konstatimet e dramës tragjike “Ana dhe Zefi”, me regji të Erson Zymberit, e cila sjell një përshkrim të ndjeshëm të dy të rinjve që luajnë në të panjohurën me plot dashuri.

Cahani tregon se po e mbështetë aktorin Kabashi në këtë problematikë e cila po shkakton probleme në moralin e punës të shumë prej aktorëve në TKK, ndërsa shpreson që së shpejti të ketë një përfundim më të mire të kësaj çështjeje brenda institucionit më të madh teatror në vend.

“Nëse nuk kryhet pagesa deri në shfaqjen e ardhshme, unë nuk kam me lujtë në shfaqje” tregon Irena.

Në këtë shfaqje luajnë aktorët: Ernest Zymberi, Irena Cahani, Kushtrim Qerimi dhe Verona Koxha. / KultPlus.com

“Ura” e Valmira Hysenit me premierë botërore në Irlandë

Dokumentari i shkurtë “Ura”, me skenar dhe regji të Valmira Hysenit, do të ketë premierën botërore më edicionin e 19-të të Kerry Film Festival, shkruan KultPlus.

Festivali do të fillojë më 17 tetor dhe do të zgjasë deri më 21 tetor në Kerry të Irlandës. Producent I dokumentarit është Zgjim Terziqi dhe Valmira Hyseni. “Ura” është zgjedhur në mesin e më shumë se 2000 aplikacioneve si dhe do jetë garës për filmat e shkurtë të huaj.

Ura / The Bridge trailer 2018 on Vimeo.

Përleshjet paqësore apo të dhunshme, ndodhin gjithnjë në të dy anët e kësaj ure dhe ndonjëherë në vet urën. Një situatë krejtësisht absurde ku njerëz që jetojnë janë armiq, nuk mund të komunikojnë e as të shkelin në anën e kundërshtarit për të mirë apo për keq. Por të vdekurit janë të lirë. Askush nuk i ngacmon ata. Ata mund të lëvizin lirshëm në të dy anët e qytetit armiqësor dhe të ndarë./ KultPlus.com

Gjeneral Kudusi Lama befason me librin “Nëna ime Mihane Lama”

Gjenerali mirënjohur i luftës së Kosovës, Kudusi Lama, sapo e ka botuar një libër të veçantë në përvojën e tij profesionale: një monografi kushtuar nënës së tij, Mihane Lama, me titull “Nëna ime Mihane Lama”.

Ky libër i rrallë, i shkruar nga një ushtarak karriere e gjeneral lufte, habit lexuesin për ndjeshmërinë që bartë dhe sidomos për kulturën e shkrimit. Libri i Lamës rrëfen jetën e nënës së tij (Mihane Lama), e cila i kishte rritur me vuajtje dhe sakrifica shumë të mëdha dy fëmijët e saj të mbetur pa baba që në vegjëli të hershme (të cilët më vonë u bënë ushtarakë me nam).

Akademik Rexhep Qosja, që është recensues i këtij libri, e ka vlerësuar si të veçantë e me vlerë librin, jo vetëm për përmbajtjen dhe përshkrimin e protagonistes, por edhe për faktin se ai është shkruar me një mjeshtri të rrallë nga një gjeneral.

“Kjo vepër e Kudusi Lamës është me ndikim të veçantë pedagogjik dhe duhet të lexohet e rilexohet, sepse lexuesi shqiptar ka nevojë për libra të këtillë sot”, ka shkruar Rexhep Qosja në parathënien për këtë libër. Po ashtu edhe redaktori i botimit, Emil Lafe, ka shkruar se duke rrëfyer për nënën Mihane, Kudusi Lama e sjellë të gjallë jo vetëm figurën e nënës por edhe një botë dhe një epokë.

“Ky libër nuk është thjesht një shprehje dashurie e një peng nderimi për nënën, por edhe një histori njerëzore e shoqërore me përmasa të një romani shumëplanësh”, ka shkruar Emil Lafe.

Kudusi Lama është autor i disa librave nga fusha e studimeve ushtarake dhe të sigurisë por, ai ia gjithashtu ka botuar edhe disa libra publicistikë. Karrierën profesionale e ka ndërtuar si oficer në Ushtrinë e Shqipërisë deri në gradën e gjeneralit. Gjatë viteve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (1997-1999) ka qenë komandant i Divizionit të Kukësit në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë./KultPlus.com

Gazeta amerikane më 1904: Shqiptarët, një racë e rrallë, miq dhe armiq të turqve!”

Ky artikull i gazetës amerikane “The Seattle Star”, i datës 29 prill 1904, botuar nga gazeta DITA është përkthyer nga studiuesi Armand Plaka dhe ka titullin domethënës: “Shqiptarët, një racë e rrallë; miq dhe armiq të turqve!” ( origj: Albanians, strange race; friend and foe of the turks).

Artikulli flet me nota vërtetë pozitive e objektive për shqiptarët, duke i vlerësuar atyre më së shumti virtytet, për të cilat ata në fakt do të dëshironin gjithnjë t’u njiheshin dhe u kundërvihet artikulimeve se ata qenkëshin “të egër”.

Por sigurisht se artikulli në fjalë na rrëfen më shumë se kaq. Ai, me termat e sotëm, do të përbënte një reklamë të mirë për një komb që sapo kishte nisur luftën për të rigjetur vetveten, në një rrugë që do zgjaste shumë e që vazhdon të hasë në shumë pengesa e sakrifica – shkruan Plaka në DITA.
*****

Klerik mysliman në Shkodër në fillimvitet 1900

16 prill 1904, Manastir – Nga vendasit quhet Shqipëri ndërsa nga turqit njihet me emrin Arnautlluk. Për këta të fundit, shpesh ajo ka qenë një hallë në sy, ose një kërbaç në duart e tyre. Shqipëria shtrihet në pjesën jug-perëndimore të Turqisë europiane në koordinatat 39 dhe 43 gradë në veri dhe laget në perëndim nga detërat Adriatik dhe Jon.

Ka një gjatësi prej 290 miljesh dhe gjerësi që shkon nga 40-90 milje. Terreni është malor me 9 varg-male me shtrije veri-jug. Maja më e lartë kap nivelin 8000 këmbë. Një tipar interesant që vihet re në këtë vend janë lumenjtë nëntokësorë si dhe liqenjtë e mrekullueshëm. Eksportet konsistojnë në pambuk, kuaj, dru dhe misër. Shqiptarët janë pasardhës të ilirëve antikë dhe epirotasve. Gjuha e tyre përmban disa dialekte me diferenca të theksuara. Popullsia vlerësohet se kap shifrat e 1 milion e gjysëm.

Shqipëria që shtrihet në brigjet e Adriatikut është vendi më i ashpër dhe më i paeksploruar i Europës, ashtu siç është edhe Tibeti në Azi. Ajo çka pjesa e mbetur e kontinentit nuk di rreth këtij vendi, do të përbënte material për botimin e një libri të madh. Ajo çfarë di, zor se do të mbushte dot një fletushkë. “Fuqitë e Mëdha” në të shkuarën i kanë kërkuar sulltanit ta rregullojë problemin shqiptar. Sulltani duket se nuk e pëlqente këtë ide, e vetmja mënyrë që ai ta rregullonte këtë punë, ishte nëpërmjet religjionit ….

Është tmerrësisht joshëse për një europian të shkelë në këto vise. Është po ashtu po aq e rrezikshme për një shqiptar për ta lënë shtëpinë e tij, qoftë edhe për një distancë të vogël pa u shoqëruar nga një eskortë e madhe, pasi gjakmarrja korsikane s‘ka qenë kurrë më krenare sesa ajo e shqiptarëve. Dikush mund të mendojë se shqiptarët janë të egër, por në anën tjetër, ata janë kaukazianë të gjakut më të pastër dhe renditen si populli më fisnik brenda Perandorisë osmane.

Crispi, kryeministri i famshëm Italian, ishte një shqiptar dhe postet në ushtrinë turke dhe administratën civile që kërkojnë zotësi të madhe, kanë qenë vazhdimisht monopol i shqiptarëve. Një oficer ushtrie me origjinë shqiptare, mund të dallohet fare lehtë, pasi ai nuk e ka kokën e ulur dhe vështrimin tinëzar të një turku, por mbart një vështrim të hapur me sy të shndritshëm dhe qëndrimin e një atleti.

Karakteristika të rralla e shënjojnë këtë racë. Ata janë këmbëngulës në qëllime, por me të cilët, brenda rrethanave normale, mund të merresh vesh. Fillimisht ata ishin të gjithë kristiane, por kur u pushtuan nga turqit, u asimiluan në besimin e turqve, duke u bërë kështu i vetmi popull, i cili e ndryshoi besimin në masë.

Ndjenjat e shqiptarit për turkun janë të dyzuara. Ashtu sikurse të gjitha racat e zonave të Maqedonisë, ai (shqiptari) e dëshiron pavarësinë e vet dhe e do këtë para se të vdesë Abdyl Hamiti. Ai do të luftojë për sulltanin duke u vënë në krah të tij e penguar atë për t’i dhënë pavarësinë racave të tjera.

Duke trajtuar religjionin si një levë, zyrtarëve të sulltanit u duket më e lehtë të merren vesh me shqiptarët, sesa me bullgarët, ndërkohë që këta të parët mbrojnë fuqinë e “të sëmurit të Europës”, klerikët e tyre të lartë u thonë atyre se: rebelimi nuk është dëshira e Muhametit.

Shqiptarët kanë një gjuhë. Alfabeti i tyre konsiston në 30 germa, një miksturë e rrallë greko-latine. Pushteti turk, gjithsesi, ua ndalon atyre mësimdhënien në shkolla në gjuhën e vet. Italianët dhe francezët kanë kryer një propagandë kristiane në veri dhe në jug, por kanë arritur të konvertojnë vetëm nja dhjetë mijë vetë në të gjithë vendin.

Malësor shqiptarë në fillimvitet 1900

Vetë në Turqi, diçka e tillë do të thoshte vdekje me torturë, pra që një musliman te bëhej kristian, por shqiptarët kristanë dhe muhamedanë jetojnë sëbashku pranë njëri-tjetrit. Shqiptarët janë pra, miq dhe armiq të turkut. Ata kanë luftuar kundër tij si tigra dhe po në të njëjtën mënyrë, edhe përkrah tij. Në këtë moment, ata duken se duan ta bëjnë sërish këtë gjë. Ata janë ofruar për të luftuar kundër fuqive të mëdha për sulltanin dhe para pak kohësh, e mundën atë kur ai dërgoi një ushtri për t’i shtypur.

Ta konsiderosh turk një shqiptar, është një ofezë e madhe për të dhe nuk ka gjë që do ta bënte atë të luftonte më shumë sesa ta quaje atë turk.

Një gjë për të cilën shqiptari është krenar, është se fjala e tij është po aq e barasvlershme sa një marrëveshje e nënshkruar. Kjo gjë për turqit nuk merret në konsideratë.

Disa europianë dikur kaluan në Shqipëri nën mbrojtjen e një bajraktari, miqësinë e të cilit tashmë e gëzonin, dhe që u kishte dhënë fjalën e tij për qëndrim të sigurtë të tyre. Një fis që ishte në gjak me të, vrau një pjesëtar të grupit dhe qysh prej asaj kohe, këto dy fise janë në gjak me njëri-tjetrin.

Sulltani është i lodhur nga dëmshpërblimet dhe nuk do ta nxjerrë zbuluar ushtrinë e tij për momentin në vështirësi, në Shqipëri. Sulltani dhe nëpunësit e trupit diplomatik përdorin shqiptarët si truproja. Kur një shqiptari i besohet një detyrë e tillë, apo jep fjalën, ai e mbron me jetën e vet punëdhënësin e tij.

Mikpritja e shqiptarëve është një virtyt i paarritshëm i tyre. Nëse një vrasës që arratiset nga shokët e viktimës së tij, shkel pragun e një shtëpie, edhe nëse kjo shtëpi është e vëllait të viktimës së tij, ai mund të qëndrojë për tri ditë absolutisht i sigurtë, por pas mbarimit të afatit treditor, ai duhet të largohet. Ai ka në dispozicion 24 orë për t’u larguar dhe që nga ky moment, dyert e gjakmarrjes konsiderohen të hapura.

Shqiptarët i kushtojnë vëmendje veshjes. Kostumet e tyre ndryshojnë sipas zonave, por zakonisht konsistojnë në një këmishë të bardhë, të punuar me dorë, me material prej tekstili të lehtë, me xhaketë pa mëngë, e punuar bukur me shirita kuq e zi: një brez zakonisht i kuq i lidhur rreth e qark belit, me pjesën fundore që shtrihet plot elegancë poshtë.

Rreth brezit ngjeshën thika dhe pisqolla. Pantallonat janë të lehta të ngjitura pas këmbëve, duke mbuluar këmbët deri mbi këpucë, të punuara nga vithet deri tek gjunjët. Kjo veshje finalizohet me një qeleshe të këndshme dhe ju në fund keni rastin të shihni një krijesë të veçantë.
****
Nga gazeta amerikane “The Seattle Star”, datë 29 prill 1904, fq. 4. Botuar për herë të pare në shqip nga DITA. Foto kryesore: Taborr turk në fillimvitet 1900, në një ceremoni festive në qytetin e Lezhës./KultPlus.com

Thënie për punën: Kur fiton bukën me punë të ndershme, mos ki turp ta hash në mes të rrugës!

Më poshtë mund të gjeni disa thënie për punën. Në mesin e tyre janë edhe thënie nga shkrimtar, piktorë, muzikantë e personazhe të tjera të njohura në fusha të ndryshme.

1. Kush që dëshiron të hajë arrën, duhet të thyejë më parë lëvozhgën. – Plutarku

2. Ai që rron vetëm me shpresë, nga uria vdes. – Thënie Turke

3. Edhe toka më pjellore po të mos punohet, prodhon ferrat më të egra. – Anaxagoras

4. Zot është ai i cili përpiqet. – Maxim Gorky

5. Zanati nuk kërkon as të hajë, as të pijë, por të ushqen vetë. – Thënie Mongole

6. Dita pa punë të lodh më shumë se nata pa gjumë. – Thënie Arabe

7. Gabimeve që kryejmë, ne u vëmë emrin përvojë… – Oscar Wilde

8. Jeta pa punë është pleqëri e parakohshme. – Volfang Gëte

9. Kohën e çdo pune e ndaj, çdo punë ka kohën e saj. – Naim Frashëri

10. Mijëra fjalë lënë më pak gjurmë se një punë. – Henrik Ibsen

11. Më mirë ta kaloj kohën me sëmundje, se sa pa punë. – Lucius Annaeus Seneca

12. Lumturinë e gjen ai që punon. – Leonardo Da Vinci

13. Kush përpiqet pa reshtur, ai është i shpëtuar. – Volfang Gëte

14. Mos fol për një dru, pa parë pemët e tij. – Thënie Indiane

15. Mos kërko ndihmë nga asnjeri për një punë që mund ta kryesh vetë. – Thënie Spanjolle

16. Mos u lut, po puno! – Thënie Japoneze

17. Mund të lodhesh nga çdo gjë, me përjashtim të punës. – Thënie Franceze

18. Natyra i shet të mirat materiale vetëm me një çmim që e ka emrin punë. – Leonardo Da Vinci

19. Në botë mund ta ndjesh veten si në shtëpi vetëm duke punuar.
Ai që nuk punon, nuk ka atdhe. – Berthold Auerbach

20. Në qoftë se bukën e ke nxjerrë me punë të ndershme, mos u druaj ta hash edhe në mes të rrugës. – Thënie Taxhike

21. Në qoftë se pushon gjatë, do të ndryshkesh shpejt. – Thënie Ruse

22. Njeriun nuk e ndihmon duke i dhënë të hajë çdo ditë peshk, por duke e mësuar të zërë peshk. – Thënie Kineze

23. Një njeri i ditur i cili ka parë çdo gjë, nuk vlen sa njeriu që ka bërë gjithsej një send me duart e veta. – Thënie Kineze

24. Një orë punë të mëson më shumë se sa një orë shpjegim – Jean-Jacques Rousseau

25. Pa punë njeriu nuk mund ta ruajë dinjitetin njerëzor.
Prandaj njerëzit bosh kujdesen për madhështinë e jashtme. – Leo Tolstoy

26. Për dembelin çdo punë është e rëndë. – Gjerasim Qiriazi

27. Për njeriun me talent dhe me dashuri për punën nuk ekzistojnë pengesa. – Ludwig van Beethoven

28. Përvoja është një krehër që jeta ta jep pasi ke humbur flokët. – J. Strevc

29. Po të kesh duar të mira edhe guri jep pemë – Maxim Gorky

30. Puna këmbëngulëse mund çdo gjë. – Virgjili

31. Puna na largon tri të këqija të mëdha: mërzinë, vesin dhe nevojën. – Volteri

32. Punën e të tjerëve mund ta çmojmë sipas asaj se sa punojmë vetë. – Jean-Jacques Rousseau

33. Qeni që nuk bën gjë, është plot me pleshta. – Thënie Spanjolle

34. Qetësia mbyt. I gjallë është vetëm ai që punon. – Kornero

35. Rrojmë me punë dhe jo me vite. – Michelangelo

36. Sa më e lartë është kultura, aq më e ndershme është puna. – V. Rosher. /KultPlus.com

Voskopoja, mrekullitë e objekteve të kultit të gdhendura në dru

“Voskopoja – 4 mrekullitë e gdhendura në dru” me autore Fatbardha Shkupi është libri që i ofrohet lexuesve si një thesar i shtuar dhe informativ mbi objektet e trashëgimisë tonë kulturore dhe historikun e tyre.

Për Voskopojën është folur shumë por libri i sjellë nga studiuesja e njohur Fatbardha Shkupi, e cila njeh mirë terrenin si dhe objektin e analizuar, përbën një pasuri, që na shërben si një guidë për interpretimin e një teknike shumë të përhapur deri në shek. XIX, sic është gdhendja në dru.

Studiuesja, gjithashtu, përshkruan me hollësi historikun e ndërtimit të katër kishave me stilin dhe artin e të daltuarit, të disa mjeshtërve shqiptarë të ardhur nga Krimi i Kosturit, Mariani, Lavdari, Karbanjozi, Dushari e Misrasi, fshatra të Oparit, në rrethin e Korçës./KultPlus.com

“Kopshti i vishnjave” në TKK të hënën

Pas grevës nëntë ditore të Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe institucioneve të tjera vartëse të Ministrisë së Kulturës, TKK-ja ka treguar se po u rikthehet shfaqjeve me program të ri sa u përket datave, shkruan KultPlus.

TKK njofton se prej ditës së hënë fillon programi i muajit shtator me premierën e shfaqjes “Kopshti i Vishnjeve”, nga Anton Çehov me regji të Ilir Bokshit, pastaj reprizat do jenë më datë 18 dhe 19 shtator.

Repertori vazhdon me shfaqjen “Arturo Ui” në regji të Bekim Lumit, mandej “Kaligula” nga Albert Kamy, duke vazhduar me paraqitje edhe në Festivalin e Teatrove në Tiranë.

“Shfaqja “Bordel Ballkan” në regji të Andras Urban, pas ndryshimit të orarit nuk ka qenë e planifikuar të luhet në repertor të këtij muaji”,ka njoftuar TKK-ja./ KultPlus.com

“Kopshti i Vishnjeve” nga Ilir Bokshi, sjellë kapjen e pushtetit nga injorantët

Nesër mbahet Festivali ‘Ylberi i Prishtinës’

Nesër, e shtunë, 15 Shtator 2018 mbahet festivali i valleve për fëmijë “Ylberi i Prishtinës” 2018. Defileu i ansambleve fillon në ora 17:00 nga Sheshi “Adem Jashari” (platoja tek Komuna e vjetër) për të vazhduar përgjatë sheshit “Ibrahim Rugova”, ”Skënderbeu”, “Nëna Terezë” e deri tek Sheshi “Zahir Pajaziti”.

Ceremonia e hapjes së festivalit do të bëhet në ora 18:00 në Amfiteatrin e hapur në Sheshin “Zahir Pajaziti”.

Ansamblet pjesëmarrëse janë:

– QKF “Durrës” – Shqipëri

– AKV “Ibe Palikuqi”- Maqedoni

– AKV “Fluturat” – Mali i Zi

– BKUD “Podgorski Biseri” – Prizren

– KSSD “Gercek” – Prishtinë

– AKV “Minatori i Ri”-Kishnicë

– SHKA “Bajram Curri” – Prishtinë

– AKV “Dëshmorët e Kombit” – Obiliq

– AKV “Prishtina” – Prishtinë

– AKV “Hajvalia” – Hajvali

– Qendra Kulturore e Fëmijëve – Prishtinë

– Qendra Rinore – Pejë

Festivali tradicional i valleve për fëmijë “Ylberi i Prishtinës”2018, organizohet për të gjashtëmbëdhjetin vit me radhë, dhe është një ndër ngjarjet më të rëndësishme kulturore për fëmijë që zhvillohet në Prishtinë. Festivali organizohet nga Komuna e Prishtinës, Drejtoria për Kulturë, dhe realizohet nga Qendra Kulturore e Fëmijëve të Prishtinës. / KultPlus.com

Njihuni me autorët më të shquar të të gjitha kohërave

Në një studim të revistës “TIME” duke mbledhur mendimin e 125 shkrimtarëve dhe kritikëve të njohur të kohëve të sotme kanë vlerësuar autorët më të shquar të të gjitha kohërave. Pra, jo dhjetë shkrimtarët më të mirë, por më të famshmit. Shkrimtari rus Leon Tolstoi, i vlerësuar si shkrimtari më i famshëm botëror. Më pas vjen Uilliam Shekspir. Ndërkohë në një listë tjetër po të revistës TIME, Tolstoi zinte sërish vendin e parë. Këtë herë për librin më të mirë të historisë. “Ana Karenina” e Leo Tolstoit u shpall si libri më i mirë i të gjitha kohërave. Historia klasike e Leo Tolstoit mbi një dashuri fatkeqe, është një nga novelat më të admiruara në literaturën botërore. Gjenerata të tëra lexuesish janë magjepsur nga heroina e tij e mrekullueshme, me një martesë jo të lumtur të Ana Kareninës dhe marrëdhënies së saj tragjike me kontin e pashëm Vronski. Në botën e tyre, lidhjet e parëndësishme janë të zakonshme, por pasioni që lind mes Anës dhe Vronskit i kthen ata në objekt përçmimi dhe çon në izolimin e Anës. Mënyra se si marrëdhënia e tyre shkatërrohet është në kontrast të plotë me gëzimin që rrethon miqtë dhe familjen e saj, sidomos çiftin e ri Kiti dhe Levin, që përjetojnë një marrëdhënie prekëse. Ana Karenina është një kryevepër, jo vetëm për gruan e paharrueshme që përjeton dramë në fatin e saj, por gjithashtu sepse ajo eksploron dhe hedh dritë mbi pyetjen e madhe se si duhet jetuar plotësisht jeta! Në këtë listë në vend të dytë vinte kryevepra e Gustav Flobert “Madam Bovari”. Ndërkohë rusi Leo Tolstoi vinte sërish në këtë listë me vendin e tretë që e zë me veprën “Lufta dhe Paqja”. Leo Tolstoi ishte i vetmi autor që në këtë listë është më dy libra. Në atë listë nuk kishte si të mbetej jashtë “Aventurat e Hakëleberri Fin” të shkrimtarit të famshëm, Mark Tuein. Gjithashtu në listën e librave Uilliam Shekspir me kryeveprën e tij “Hamleti”.

1. Leon Tolstoi, i vlerësuar si shkrimtari më i madh botëror. Ndonëse në kohët e sotme është kaq shumë i çmuar, jeta e tij në periudhën kur jetoi, pati shumë dhembje dhe moskuptim. Ai ishte i pambështetur prej familjes dhe miqve prej pikëpamjeve të tij të ndryshme mbi jetën, fenë, dashurinë dhe mënyrën e ndërtimit të shoqërisë. Në vitin 1910, në moshën 81-vjeçare, si shenjë e revoltës së tij dhe për të mbrojtur më së miri ideologjinë që predikonte, Tolstoi u largua nga shtëpia dhe vdiq në ndërtesën e stacionit të trenit të Astapovos prej sëmundjes dhe pleqërisë.

2. Uilliam Shekspir, dramaturgu, poeti dhe shkrimtari më i njohur anglez, me shumë mister që e rrethon, është vlerësuar i dyti. Ai e bëri botën të qajë e të qesh me dramat dhe komeditë e tij të papërsëritshme. Është shkrimtari më i lexuar në botë, me 4 miliardë libra të shitur. Talenti i tij në depërtimin e botës së çdo personazhi dhe mjeshtëria e gjuhës, e bëjnë Shekspirin “Lordin e shkrimit anglez”. Shekspiri realizoi gjithsej 37 vepra: 13 tragjedi, 10 drama dhe 14 komedi. Tragjeditë e tij më të famshme janë “Hamleti”, “Henri IV”, “Makbeth” dhe “Romeo e Xhulieta”. Te komeditë përmendim “Shumë zhurmë për asgjë” dhe “Nata e dymbëdhjetë”.

3.Xhejms Xhojs, është i akuzuar prej shumë kritikëve si shkrimtari irlandez me stil të pakuptueshëm, të vështirë dhe monoton. Në listën e shkrimtarëve më të mirë botëror, renditet i treti. Xhejms Xhojs konsiderohet si një nga autorët më me ndikim të shekullit XX. Ai është i njohur për romanin e tij “Uliksi” (1922), me veprën e shumë të diskutuar “Zgjimi i Fineganëve” (1939), për përmbledhjen me tregime të shkurtra “Dublinasit” (1914), si dhe për romanin gjysmë autobiografik “Portreti i artistit djaloshar” (1916).

4.Vladimir Nabokov, shkrimtari rus i famshëm për romanin e tij tërësisht tronditës për shoqëritë e të gjitha kohërave, “Lolita”, është vlerësuar i katërti. Karriera e tij filloi pas përkthimit të veprave në anglisht, ku u bë shumë i njohur sidomos me romanin “Lolita”, i cili është realizuar shumë herë në filma, ku përmendet filmi i vitit 1997 aktruar nga i madhi Xheremi Ajrons dhe Melani Grifit.

5. Fjodor Dostojevski,shkrimtari, filozofi dhe eseisti rus, është i njohur për veprat e tij madhështore. Në këtë klasifikim është vlerësuar i pesti. Veprat e tij hulumtojnë thellë në psikologjinë njerëzore nga pikëpamjet politike, shoqërore dhe shpirtërore të Rusisë së kohës. Ai është themeluesi i ekzistencializmit të shekullit të 20 në Rusi. Për Dostojevskin thuhet se është ndër shkrimtarët më të mëdhenj dhe më me influencë të të gjitha kohërave.

6. Uilliam Folkner,shkrimtari i rëndësishëm që prej natyrës së tij të tërhequr ishte gati-gati i panjohur për lexuesit, derisa në vitin 1949 mori çmimin “Nobel” për letërsi. Ai është vlerësuar në këtë listë si shkrimtari i gjashtë më i shquar. Vepra e tij, që korri më shumë sukses dhe që i dha emër, është “Një trëndafil për Emilinë”. Në fjalën e tij, gjatë marrjes së çmimit “Nobel”, ai tha: “Është veç një fjalë goje të thuash se njeriu është i pavdekshëm, vetëm sepse ai do të mbijetojë, kur të ketë kumbuar tiktaku i mbramë i fundit të botës, pasi të jetë shuar me shkëmbimin e sprasëm e krejt të pavlerë të përshkënditjes së mbrëmjes së fundit, edhe atëherë do të ketë mbetur kumbi i një zëri: kumbi i mezindier, i pashtershëm i njeriut që ligjëron ende.”

7. Çarls Dikens,shkrimtari i madh anglez vjen në këtë listë i vlerësuar i shtati. Ai mendohet se është ndër të parët shkrimtarë anglezë, të cilët lëvruan romanin shoqëror. Si veçori e këtij autori është se veprat e tij përbëhen nga personazhe kryesisht fëmijërorë, nga ku vijnë dhe titujt e librave. Mendohet se shkak i kësaj është fëmijëria e tij e mjerueshme. I varfër dhe pa asnjë mjet jetese, ai i nënshtrohet punës në moshë shumë të re. Ndoshta ky është edhe çelësi i suksesit të tij, nëpërmjet personazheve që krijoi, ai pasqyroi dhe rishkroi fëmijërinë e tij për t’i dhënë një fund të lumtur. Veprat e tij më të njohura janë: “Oliver Tuist”, “David Koperfild”, “Dombi e Biri”, “Vogëlushja Dorrit”, “Vogëlushja Nell” dhe “Nikolla Nikëllbi”.

8. Anton Çehov,konsiderohet si novelisti më i madh dhe më i shquar jo vetëm rus, por mbarëbotëror. Ai vlerësohet i teti nga kritikët e sotëm. Çehov u diplomua në Mjekësi, por me shaka shprehej: “Mjekësia është gruaja ime, ndërsa letërsia dashnorja”. Përmbledhja e novelave të tij është një nga librat më të shitur dhe më të vlerësuar të të gjitha kohërave, thellësia që pasqyron Çehov në novelat e tij, të magjeps dhe njëkohësisht të fut në kolapsin e shoqërisë ruse të shekullit të 19.

9. Gustav Flober, është një nga novelistët më të njohur francezë të shekullit të 19, kohë kur po lulëzonte romantizmi i Hygoit dhe miqve të tij. Ndjenjat që ushqente ndaj zonjës Eliza Shlesinzher e orientuan drejt formës më origjinale dhe më të thellë të romantizmit europian. Disa nga veprat e tij më të njohura janë: “Zonja Bovari”, “Tundimet e Shën Andonit”, “Salambo” dhe “Një zemër e thjeshtë”.

10. Xhejn Ostinështë shkrimtarja e vetme që arrin të përfshihet në listën e shkrimtarëve më të mirë botërorë, pavarësisht se shumë femra të tjera kanë dhënë kontributin e tyre në letërsi. Që më 1787-n, Xhejn filloi të shkruante poema, histori dhe drama për zbavitjen e vetes dhe familjes së saj. Xhejn më vonë përpiloi kopje të 29 prej këtyre punimeve të hershme në tri blloqe, tashmë të quajtura “Juvenilia”, që përmbanin pjesë të shkruara mes 1787-s dhe 1793-shit. Veprat e saj të mëpasshme janë frymëzim i shumë filmave hollivudianë, tepër të ndjekur dhe të lexuar. Ajo është një autore që nuk do të harrohet për veprën e saj “Krenari dhe paragjykim”.

Sot në Ferizaj me lexime e diskutim kujtohet Shpresa Vinca Tuda

Alter Habitus organizon edicionin e parë të ‘Letërsia Lëvizëse’ – seri ngjarjesh letrare nëpër qytete në Kosovë. Ky edicion do të përkujtojë dhe festojë jetën dhe krijimtarinë e shkrimtarëve: Fehime Selimi, Shpresa Vinca Tuda dhe Mirko Gashi. Letërsia e tyre do të lexohet në oborret e shtëpive të tyre, sheshet e qyteteve apo lagjeve.

Sonte, në Ferizaj do të lexohet dhe flitet për letërsinë dhe punën profesionale të Shpresa Vinca Tudës, në sheshin “Ismail Kadare”. Shkrimtarët mysafirë të mbrëmjes janë: Agim Vinca, Qibrije Demiri Frangu, Kaltrina Lohaj dhe Mirlinda Koxha. Mbrëmja letrare realizohet në bashkëpunim me Komunën e Ferizajit dhe Klubin Letrar ‘De Rada’.

Ngjarja mbahet në ora 17:00 në Sheshin Ismail Kadare në Ferizaj.

Në Prishtinë, në anën tjetër, me datë 17 shtator, do të lexohet e flitet për letërsinë e Mirko Gashit, mbi Kurriz në Dardani. Shkrimtarët mysafirë: Ardiana Shala Prishtina, Aurela Kadriu, Arbër Selmani, Avni Zogiani dhe Donika Dabishevci. Mbrëmja letrare realizohet në bashkëpunim me zinën ‘Lirindja’. / KultPlus.com

Kurorëzim

Nga CLAUDE CHATRON-COLLIET

Mëse një ditë hapat e ëndrrave të tua rastësisht do të sjellin
poshtë shtëpisë sime e zemra jote aty do ndalet për një çast
atje,
mes erës së luleve në botën e zemres sime që troket butësisht
për të qenë
së bashku
qoftë edhe një çast,
për një psherëtim,
për nje rrahje zemre,
kokën mbeshtetur mbi timin gjoks,
buzët e mia mbi tëndin ballë,
mes perkëdheljesh ëmbëlsisht pa fund,
në bashkim shpirtrash gjer ne barrierën e kohrave,
s’do na mjaftonin as njëmijë vjet.
E une do flisja me gjuhën e syve të mi,
këtyre liqeneve të thellë që falin gjithmon,
do flisja me gjuhën e duarve te mia delikate rreth fytyrës tënde
çdo rrudhë dhimbjeje është mbushur me dashurinë time.
Me buzët e mia ne gojën tënde dashurinë do e shprehja bukurisht,
në lartësi ndjenjash qiellore që çdo krijesë njerëzore do të ketë njohur,
me të çmendurin pasion,
nga thellesitë e trupit drejt syve të ty,
nga duart e mia në të tuat duar,
nga buzët e tua në trupin tim,
nga sytë e tu ne zemrën time.
Dhe me ëmblat duar mbyllmë lehtë,
të rëndat qepalla nga hullitë e deteve,
që të lumtura për të vetmën herë në jetën time,
thithën nektarin hyjnor të jem e dashuruar,
kaq thellësisht me më të bukurën e të zjarrtën menyrë.

Sa herë qe do mbyll sytë e gjer në të fundmen frymë,
para meje do të shfaqen karvana beduinësh,
prej të cilëve zogj të praruar do të fluturojnë
drejt detit e erërave,
duke shkuar drejt brigjeve të reja,
zemër lehtë se kanë jetuar
qoftë dhe një çast të vetëm.

Nga 23-30 shtator vjen Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit në Tiranë

Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit është cilësuar si ngjarja më e rëndësishme teatrore e vitit nga Teatri Kombëtar në Tiranë. Ky festival organizohet me rastin e Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut.

Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit do të zhvillohet në datat 23-30 shtator dhe në të do të marrin pjesë 14 trupa nga të gjitha trevat shqiptare. Skena e re “arTurbina” do të hapë dyert për të mirëpritur artistët dhe publikun në këtë festë të përbashkët.

Festivali i teatrit rikthehet pas 6 vitesh mungesë. I fundit ka qenë ai i zhvilluar në vitin 2012 për dramën shqipe. Por tashmë këtë herë festivali do të ketë jo vetëm vepra shqiptare, por dhe të autorëve të huaj.

Sipas teatrit, Ministria e Kulturës si dhe Bashkia e Tiranës janë në ndihmë të këtij festivali, ku shfaqjet për publikun do të prezantohen në sallën e madhe të Akademisë së Arteve, si dhe te “arTurbina”. / KultPlus.com

Era Istrefi rrëfehet rreth shërimit dhe ditëve larg rrjeteve sociale

Në fund të muajit gusht, Era Istrefi iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjike për largimin e apendiksit (që njihet si zorra qorre).

Që atëherë, këngëtarja shqiptare ka qenë më e rezervuar me postimet në rrjetet sociale, ndërsa arsyeja ka qenë se e ka shfrytëzuar kohën për t’u shëruar dhe për gjërat që e kanë bërë të lumtur.

Ajo e ka bërë një publikim në rrjetet sociale, të shoqëruar me video për t’i njoftuar fansat e saj se Era tashmë është shëruar.

“Arsyeja pse nuk po postoj shumë kohëve të fundit, mund ta lidh tërësisht me këtë intervistë që e kam bërë para afro një viti”, ka shkruar Era në Instagram.

“Qëndrimi ç’kyçur është luksi i ri. E kam kaluar kohën duke u shëruar pas ndërhyrjes kirurgjike dhe jam përqendruar në atë që më bën vërtet të lumtur dhe që më bën të ndihem si qenie njerëzore”.

“Jam shumë e përgjegjshme për energjinë që jap, prandaj duhet të kujdesem që fillimisht gjithçka të jetë në rregull”.

“Ndihem e shëruar dhe pozitive, falënderuese dhe e bekuar. Mezi pres gjënë e radhës që ta ndaj me ju”, ka shkruar Era në Instagram. / KultPlus.com

“Nuk më duhet pendimi yt asgjë, nuk dua të t`shoh më” (VIDEO)

Shpesh duhet ta rikthejmë repertorin e këngëtares Eliza Hoxha, edhe për ta kthyer veten në një kohë tjetër kur albumet e saj ishin të fuqishme.

Nostalgjia e këngëve të Eliza Hoxhës e mishëron secilin.

Me disa albume dhe me këngë nga më të ndryshmet, shumë gjenerata janë rritur me këngët e Elizës. Rriten edhe sot.

Këngë më e veçantë është “Pendimi”. Një refren që këndohet edhe sot, kënga “Pendimi” e solli Elizën edhe me një videoklip në kohën kur u lansua.
Arkitekte dhe një udhërrëfyefe e kryeqytetit në një libër me përvoja personale, Eliza megjithatë qëndron më së miri në muzikë, aty ku ka shkëlqyer me shumë këngë e paraqitje.

Sot po e risjellim pikërisht këngën “Pendimi” të Elizës, pjesë e albumit “100 %” në vitin 2003. Në po këtë album kujtojmë edhe “Lart në Qiellin tim” apo “Bëhu më trim”, dhe këngë tjera të zërit të veçantë të Eliza Hoxhës. / KultPlus.com