Ndoshta ishte puthje

Poezi nga Adem Gashi.

Në buzë më rri një bulë
mbetur nga një puthje
përzierje qumështi e loti tepër e rrallë,
e kush më mirë se buzët ruan një perlë
të mos bëhet dhallë

Mbase e tërë shfaqja s’është tjetër
veçse kujtim i largët,
kujtim i ri në një peizazh me gjethe e shi

Në pyllin poetik me lajthi
lajthitur sherrnajës shtojzovalle
si vetëndëshkim po e ndez një cigare

Humbës i humbur
tymit të saj të platintë,
tymit të saj të zi

Ndoshta vërtet qe puthje
në pezulin e një ëndrre./ KultPlus.com

Turistët i japin Shqipërisë 15 % të GDP-së, lë pas Serbinë

Turizmi në Shqipëri është një nga sektorët, i cili gjeneron të ardhura të shumta për ekonominë dhe buxhetin e shtetit. Sipas përllogaritjeve të fundit, shuma e parave të shpenzuara nga turistët e huaj përbën 14.8 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

“Kjo është një shifra e konfirmuar kohët e fundit nga Organizata Botërore e Turizmit e OKB-së, sipas së cilës në Ballkan, Mali i Zi kryeson me 21.8% të PBB-së, e ndjekur më pas nga vendi ynë”, shkruan “IBANA”

Ndërkohë, në vende të tjera si Serbia dhe Maqedonia, kjo përqindje është shumë e ulët, sepse këto vende nuk kanë bregdet siç ka Shqipëria dhe vendi fqinj, Mali i Zi.
Shqipëria ka fatin e madh, pas territori i saj laget nga dy dete. Deti Jon dhe Adriatik, janë dy burime të pashterueshme, të cilët kontribuojnë vazhdimisht për ekonominë shqiptare dhe thithjen e turistëve./KultPlus.com

Dy artistë kurorëzojnë dashurinë e tyre në Galerinë Kombëtare të Kosovës

Galeria Kombëtare e Kosovës ka mirëpritur sot ekspozitën e artistëve Mina Krasniqi dhe Leonid Palushaj, shkruan KultPlus.

Por askush nuk e priste që jo vetëm ekspozitë, por sonte po i priste edhe një martesë, pikërisht martesa e këtyre dy artistëve.

Mina dhe Leonid e kurorëzuan dashurinë e tyre para fillimit të ekspozitës, pikërisht në hyrje të Galerisë.

Për më shumë KultPlus ju sjellë një video nga vendi i ngjarjes.

Ekspozita që artistët e sapomartuar kanë hapur sonte, titullohet “Kurrë s’kanë me u rritë” dhe vjen e kuruar nga Burim Berisha./KultPlus.com

Greg Rama vjen me një ekspozitë personale

Galeria Fab, sonte mirëpret ekspozitën “Fidem”, të artistit Greg Rama, duke filluar nga ora 19:00, shkruan KultPlus.

“Fidem”, quhet ekspozita e Greg Ramës, djalit të kryeministrit Edi Rama, e cila do të qëndrojë e hapur nga 13 deri më 30 shtator në Galerinë Fab, pranë Akademisë së Arteve. Ekspozita do të vijë nën kurimin e Vladimir Myrtezait.

Kjo është ekspozita e parë personale e Gregut. Ai ka filluar që në moshë të re të shfaq talentin e tij në fushën e arteve pamore, duke ecur rrugës së babit të tij.

Me këtë ekspozitë, Galeria Fab hap sezonin e ri të ekspozitave për këtë vit. Kryesisht në këtë galeri ekspozohen artistë të rinj dhe vepra të studentëve të Akademisë së Arteve./ KultPlus.com

Fotografitë që tregojnë pabarazinë shoqërore nëpër botë

Johnny Miller është fotograf dhe regjisor, i cili shumicën e kohës në veprat e tij është marrë më çështjet urbane, kulturore dhe sociale.

Në një projekt të tij të titulluar “skena të pabarabarta”, fotografi vizualizoi pabarazinë shoqërore dhe ekonomike nëpër botë dhe këtë e bëri nëpërmjet ajrit.

“Qëllimi i projektit është të portretizojë çështjet globale të pabarazisë sa më objektivisht të jetë e mundur dhe të tërheqë vëmendjen tek ajo përmes artit të fotografisë”, thotë autori, transmeton Klan Kosova.

Fotografitë janë realizuar në vendet si: Afrika Jugore, India, Meksika, Tanzani dhe Kenia.

“The Predator” premierë në Kino ABC

Premiera e filmit “The Predator” 3D, në Kino ABC shfaqet nga dita e enjte 13 shtator 2018, në dy termine, në ora 20:00 dhe 22:00, duke vazhduar çdo natë në të njëjtat termine, shkuan KultPlus.

Pas suksesit që pati aktori Arnold Schwarzenegger me filmin “P R E D A T O R” në vitin 1987, tani vjen një atraksion i vërtetë dhe në teknologjinë 3D , premiera e filmit me po të njëjtin emër “THE P R E D A T O R” – aksion/aventure/horror, me Boyd Holbrook, Trevante Rhodes, Jacob Tremblay dhe me regji të Shane Black.

TEMA: Një ekip komando, në një mision në një xhungël të Amerikës Qendrore, e gjen veten të gjuajtur nga një luftëtar jashtë-tokësor.
Nga hapësirat e jashtme në rrugët e qytetit të vogël të periferisë, gjuetari vjen në shtëpi. Tani, gjuetarët më vdekjeprurës të universit janë më të fuqishëm, më të mençur dhe më vdekjeprurës sesa kurrë më parë, duke u përmirësuar gjenetikisht me ADN-në nga speciet e tjera. Kur një djalë i ri e shkakton aksidentalisht kthimin e tyre në Tokë, vetëm një ekuipazh i zjarrtë i ish-ushtarëve dhe një mësues i pakënaqur shkencor mund të parandalojnë fundin e racës njerëzore.

Programi i shfaqjes se filmave në Kino ABC nga dita e enjte, 13 shtator 2018 është:


“Hotel Transylvania; Summer Vacation” 3D, në ora 16:00

I Animuar/Komedi/Familjar; 1 orë 37 min

TEMA: Në hotel “Transylvania 3: Pushimet verore” të Sony Pictures, bashkohuni me familjen tonë të preferuar të përbindëshave kur ata nisin një pushim në një anije luksoze të përbindëshave, kështu që Drak mund të marrë një pushim veror, para se tu japë pushimet edhe te tjerëve në hotel. Është lundrim i butë për Paketën e Drakut, pasi përbindëshat kënaqen në të gjitha kënaqësitë e anijes që lundrimi ka për të ofruar, nga volejbolli përbindësh në ekskursione ekzotike, dhe kapjen e tyre në hënë. Por pushimet e ëndrrave kthehen në një makth kur Mavis kupton se Drak ka rënë pre e kapitenit misterioz të anijes, Ericka, i cili fsheh një sekret të rrezikshëm që mund të shkatërrojë të gjitha llojet e përbindëshave.

Rolet: Adam Sandler, Selena Gomez, Andy Samberg, Kevin James, David Spade, Steve Buscemi, Molly Shannon, Mel Brooks, etj. Regjia: Genndy Tartakovsky


“The Darkest Minds”, në ora 18:00

Fantastiko-Shkencor/Triller; 1 orë 45 min

TEMA: Kur adoleshentët krijojnë aftësi të reja misterioze dhe të fuqishme, ata shpallen kërcënim nga qeveria dhe ndalohen. Ruby gjashtëmbëdhjetë vjeçar, një nga të rinjtë më të fuqishëm që ka hasur dikush, ikën nga kampi dhe i bashkohet një grupi adoleshentësh të arratisur që kërkojnë strehë të sigurt. Së shpejti kjo familje e re e kupton se, në një botë në të cilën të rriturit në pushtet i kanë tradhëtuar, ikja nuk është e mjaftueshme dhe ata duhet të bëjnë rezistencë duke përdorur fuqinë e tyre kolektive për të marrë kontrollin e së ardhmes së tyre.

Rolet: Bradley Whitford, Amandla Stenberg, Mandy Moore, Gwendoline Christie, etj. Regjia: Jennifer Yuh Nelson./ KultPlus.com

Anketa që të trishton: Mbi 60 për qind e qytetarëve duan të ikin nga vendi

​Pothuajse 60 për qind e të anketuarve raportuan se ka gjasa që të konsiderojnë largimin nga Kosova në tre vitet e ardhshme dhe gjithsej 48 për qind e të anketuarve mendojnë se Kosova nuk po ecën as në drejtimin e duhur e as në atë të gabuar.

Kështu thuhet në raportin “Analiza e Pulsit Publik – Sfidat dhe Këndvështrimet e Rinisë në Kosovë”, prezantuar nga UNDP dhe USAID në Kosovë. Në analizën e Pulsit Publik, thuhet se Kosova ka popullsinë më të re në Evropë, pasi 20 për qind e popullsisë vlerësohet të jetë mes 15 dhe 29 vjeç. Rezultatet tregojnë se një numër i madh i të anketuarve apo 48 për qind janë pesimistë për të ardhmen e Kosovës.

Të anketuarit nga grupmosha 25-35 vjeç e konsiderojnë situatën e përgjithshme politike si problemin kryesor në Kosovë.

Një total prej 52 për qind e të anketuarve janë të punësuar, 36 për qind e tyre janë me orar të plotë, 10.5 për qind me kohë të pjesshme dhe 6 për qind janë të vetëpunësuar.

Në total, 48 për qind e të anketuarve janë të papunë, 26 për qind nuk punojnë por kërkojnë punë, ndërsa 22 për qind as nuk punojnë dhe as nuk kërkojnë punë. Kështu thuhet në raportin “Analiza e Pulsit Publik – Sfidat dhe Këndvështrimet e Rinisë në Kosovë”, prezantuar nga UNDP dhe USAID në Kosovë.

Sipas raportit, vetëm 45 për qind e të anketuarve, grupmosha 18-24 vjeç në krahasim me 59 për qind të të anketuarve të grupmoshës 25-35 vjeç janë të punësuar dhe nuk ka dallime të konsiderueshme mes etnive.

“Analiza statistikore zbuloi dallime të rëndësishme gjinore në lidhje me punësimin. Ku 56 për qind e të anketuarave femra dhe 40 për qind e të anketuarve meshkuj nuk janë të punësuar.

Gjithashtu, 30 për qind e të anketuarave femra as nuk punojnë dhe as nuk janë në kërkim të një pune, në krahasim me vetëm 13.9 për qind të të anketuarve meshkuj që janë në të njëjtën situatë”, thuhet në raport.

Raporti tregon se arsyeja kryesore që të rinjtë e papunë nuk janë në kërkim të vendeve të punës është sepse ata shkojnë në shkollë ose së pari duan të mbarojnë shkollën me 48 për qind.

Përgjegjësitë familjare, siç është kujdesi për fëmijët, janë arsyeja e dytë më e shpeshtë me 25 për qind për moskërkimin e një pune, e ndjekur nga mungesa e kualifikimeve të duhura me 12 për qind.

“Pothuajse të gjithë të anketuarit deklaruan se prindërit ose anëtarët e familjes së tyre i mbështesin financiarisht. 55 për qind mbështeten nga prindërit e tyre, 46 për qind nga anëtarët e tjerë të familjes dhe 18.5 për qind nga të afërmit/miqtë që jetojnë jashtë vendit. Vetëm 1.5 për qind e të anketuarve pretendojnë se kanë mbështetje nga institucionet e Kosovës”, vijon raporti.

Në analizën e Pulsit Publik, thuhet se Kosova ka popullsinë më të re në Evropë, pasi 20 për qind e popullsisë vlerësohet të jetë mes 15 dhe 29 vjeç. Rezultatet tregojnë se një numër i madh i të anketuarve apo 48 për qind janë pesimistë për të ardhmen e Kosovës.

Të anketuarit nga grupmosha 25-35 vjeç e konsiderojnë situatën e përgjithshme politike si problemin kryesor në Kosovë.

Pothuajse 60 për qind e të anketuarve raportuan se ka gjasa që të konsiderojnë largimin nga Kosova në tre vitet e ardhshme.

Gjithsej, 48 për qind e të anketuarve mendojnë se Kosova nuk po ecën as drejtimin e duhur e as në atë të gabuar./KultPlus.com

Kolonia e piktorëve nga vendet e Ballkanit, nis sot në Ulqin

Veprimtaria e Kolonisë së Piktorëve Figurativë të organizuar nga Instituti i Librit dhe i Promocionit në qytetin piktoresk të Ulqinit, nis sot dhe vazhdon deri më 16 shtator.

Kjo Koloni realizohet për të tretin vit, që nga 2014-a, falë bashkëpunimit të frytshëm të Institutit të Librit dhe të Promocionit – Tiranë dhe Komunës së Ulqinit, përfaqësuar nga Organizata Turistike e Ulqinit.

Në këtë Koloni marrin pjesë rreth 40 piktorë nga rajoni i Ballkanit: Shqipëria, Mali i Zi, Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, Shkupi, Serbia, të cilët do të vizitojnë qytetin e Ulqinit dhe rrethinat, si një ndër vendet më të frekuentuara dhe ndër pikat më të rëndësishme turistike të rajonit, që zotëron një pasuri të madhe historike-kulturore me arkitekturë romake, gotike dhe orientale. Masivet malore dhe kodrinore, si dhe fusha pjellore, në juglindje dhe lindje të qytetit, do të mund të krijojnë një fushëpamje mbresëlënëse për piktorët figurativë, të cilët do të hedhin në telajo muzën e tyre të frymëzimit.

Kolonia do të finalizohet me hapjen e një ekspozite të punëve të realizuara gjatë kohëzgjatjes së saj, pasditen e të shtunës, më 15 shtator 2018.

Tashmë, Kolonia e Piktorëve është kthyer në një shkollë më vete, ku çdo artist jo vetëm shpreh talentin e tij, por rritet artistikisht e fiton eksperienca të reja.

E zhvilluar jashtë territorit të Shqipërisë, kjo Koloni, me veprimtarinë e vet intensive 4-ditore, rrit bashkëpunimin mes artistëve të rajonit tonë me qëllim promocionin e vlerave më të mira arkitekturore, të peizazhit të veçantë, por edhe të punës artistike të vetë artistëve pjesëmarrës./KultPlus.com

Kumbaro dhe studentët e Akademisë 100+Fshatrat vizituan Nepravishtën e Libohovën

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro së bashku me studentët e Akademisë 100+Fshatrat vizituan Nepravishtën e Libohovën, duke parë nga afër potencialet e zonës dhe duke diskutuar konkretisht për projektet që ata kanë hartuar.

Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit në kuadër të Programit “100 Fshatrat” krijoi Akademinë 100+ Fshatrat. Akademia mblodhi së bashku studentë te nivelit master të arkitekturës e planifikimit, projektimit të peizazhit e mjedisit, të sapo diplomuar të këtyre fushave, si edhe pedagogë të tyre, të cilët ndajnë vlerësime dhe pasione të ngjashme për fshatin dhe besojnë tek potenciali i tij për t’u zhvilluar si pikë graviteti e fuqishme.

Akademia 100+ Fshatrat po ndërtohet sipas shembullit të Akademisë Verore të Atelier Albania (AASA), por me një shtrirje shumë më të gjerë.

Akademia 100+ Fshatrat bazohet në 20 Atelier projektimi të veçanta, por të lidhura me njëra-tjetrën dhe nën udhëheqjen e AKPT-së.

Fokusimi në këto fshatra për të krijuar 100 zona zhvillimi ekonomik rural, të bazuar tek investimet në agroturizëm dhe ekoturizëm, duke shfrytëzuar trashëgiminë kulturore, mrekullitë natyrore, traditën në tërësi, kapacitetet lokale, por edhe investimet e sipërmarrjes. Programi i “100 Fshatrave” është një model për të dhënë shembuj dhe për ta kthyer në një laborator, prej ku të tjerët të mund të marrin nxitjet e duhura, që nga bashkitë deri tek individët.

Ditën e premte, 14 shtator 2018, do të prezantohen 20 lote nga grupet e punës./ KultPlus.com

“Kënga e turpshme” e Azem Shkrelit nën interpretimin brilant të Aurela Gaçes (VIDEO)

“Kënga e turpshme” e Azem Shkrelit është një nga poezitë e tij më të shkurtra por më kuptimplota, ku vargu të merr me dhimbjen e njeriut që bart në vete borxhin ndaj atdheut.

Kur këto vargje të një poeti të rrallë siç ishte Shkreli, bashkohen me zërin brilant të këngëtares Aurela Gaçes që dëgjohet çdo ditë e më shumë, bëjnë që vargjet të përjetohen në shumë dimensione artistike e të prekin shpirtin lehtë shpirtin e brendshëm. KultPlus sot ju përcjellë interpretimin e Aurela Gaçe.

Sonte
Qava sonte për ty
Arbëri
Nuk më vjen turp
Pse qava
Më vjen turp pse s’munda
Të bëj tjetër
Nga turpi qava.

Burim Myftiu do të shpalosë historinë e Kosovës dhe ekspozitën me fotografi në ShBA

Kultura në zhvillim e arteve si dhe prezenca amerikane dhe shumëkombëshe në Kosovë që nga përfundimi i luftës në vitin 1999, do të jenë fokus i një ekspozite fotografie dhe i një ligjërate këtë vjeshtë, shkruan KultPlus.

Ekspozita e artistit nga Kosova, Burim Myftiu, e titulluar “Trance”, do të shfaqet në galerinë e Dudley dhe Mary Marks Lea në Pavijonin e Arteve të Bukura “Virginia B. Gardner” nga data 24 shtator deri më 20 tetor. Një takim publik me artistin Myftiu është caktuar të mbahet më 3 tetor në pavijonin e arteve në Pfeiffer Lecture Hall, ku Myftiu do të shpalosë historinë e fotografive dhe çfarë përfaqësojnë ato.

Informacion shtesë mbi Kosovën do të ofrohet nga Myftiu dhe koloneli i ushtrisë amerikane Joel Hagy të martën, më 2 tetor në ora 19:00. në sallën e Lecture Malcolm të Frost Science Centre. Biseda e lirë dhe publike do të përfshijë këndveshtrimet e Hagy si ish-komandant i kampit Bondsteel, ndërsa kishte punësuar Myftiun si përkthyes të tij.

Sipas Myftiut, “Trance” ka të bëjë me ritualet sufiste, filozofinë e tyre dhe gjendjen shpirtërore. Sufi përfshin shkollat e mendimit unik të sufizmit, një degë mistike brenda Islamit. Është sugjeruar që mendimi sufist doli nga Lindja e Mesme në shekullin e 8-të. Filozofia e tyre, ashtu si në të gjitha traditat e tjera filozofike, ka disa nën-degë, duke përfshirë metafizikën dhe kozmologjinë.

Myftiu ka marrë çmime dhe njohje të shumta dhe puna e tij ekspozohet në institucionet ndërkombëtare. / KultPlus.com

Berati, 100 mijë turistë brenda vitit 2018

Rreth 100 mijë pritet të jetë numri i turistëve, që do të vizitojnë qytetin e Beratit.

Qyteti 2400 vjeçar i Beratit i njohur jo vetëm për bukurinë e tij të rrallë, por edhe për mikpritjen, ka zgjuar interesin e turistëve të shumtë që e kanë vizituar.

Një muze i gjallë në natyrë ku “ngjizen” natyrshëm historia , arti dhe arkitektura e monumenteve ka shënuar një rekord historik vizitorësh gjatë këtij viti. Në periudhën janar-gusht, Berati u vizitua nga 95 000 vizitorë, ndërsa vetëm gjatë muajit gusht u vizitua nga 23 000 vizitorë.

Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare, Eugen Kallfani, në një video të publikuar nga Banka Botërore, e cila po ndihmon zhvillimin e turizmit në Berat, thekson se “sot mund të flasim për një shifër prej 100 mijë vizitorë , që priten të vijnë këtë vit”.

“Në Berat numërohen rreth 486 monumente kulture në të gjithë qarkun e Beratit dhe kjo ka një impakt të jashtëzakonshëm, sidomos në rritjen e fluksit të turizmit kulturor sidomos këto 3 vitet e fundit”, nënvizoi Kallfani.

Në vitin 1961 Berati u shpall zyrtarisht qytet muze. Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë.

Midis këtyre vlerave, nga më të spikaturat janë: Kështjella ose kalaja, siç quhet nga beratasit është ndërtuar mbi kodrën shkëmbore në formë trekëndëshi, me perimetër të mureve 1440 m, me 24 kulla e me dy porta. /ata

“The Last Resort” e Anri Salës prezantohet në Moskë

Artisti kontemporan shqiptar, Anri Sala, do ta prezantojë një instalacion akustik e skulpturor “The Last Resort” në muzeun “The Garage Museum”, në Moskë. Ekspozita është pjesë e Komisionit të gjashtë të atriumit të Muzeut.

Me “The Last Resort”, artisti u përgjigjet arkitekturës dhe akustikës së një atriumi prej 9.5 metrash: në të zhvillohet një vepër që përmban tridhjetë daulle baterish të kthyera mbrapshtë. Ato mund të gjenerojnë tinguj si përgjigje ndaj vibracioneve që burojnë nga altoparlantët brenda secilit instrument.

Një interpretim i ri i veprës “Clarinet Concerto” të Mozartit në A-dur, një prej veprave të fundit të kompozitorit, është thelbi i veprës së Salës, shkruan portali blouinartinfo.com, transmeton sot “Koha Ditore”. Qysh prej vitit 1789, ajo qe bërë krijim i rëndësishëm muzikor për Iluminizmin, që ishte periudhë kur kombet e Evropës ishin duke rimenduar konstruktet e politikës dhe të shkencës.

“Duke eksploruar kompleksitetin kulturor të asaj periudhe, Sala zëvendëson tempin origjinal prej veprës së Mozartit me instruksione të reja të bazuara në kushtet atmosferike të përshkruara nga marinari James Bell, gjatë periudhës së udhëtimit të tij detar nga Anglia në Australi. Asokohe, erërat e fuqishme dhe retë afektonin udhëtimin dhe shpeshherë e përcaktonin suksesin apo dështimin e tij. Duke futur në partiturë ngjarjet e përditshme të transformimit të motit, e transformojnë ‘Concerton’ e Mozartit për të reflektuar momentet e lëkundjeve, shkreptimave, erërave të fuqishme dhe stuhive”, shkruhet në njoftimin e “Garage Museum”.

“Kam pasur dëshirë të imagjinoj se çfarë do të mundë të bëhej vepra ‘Clarinet Concerto’ e Mozartit nëse do të duhej të notonte e zhytej si mesazh në shishe, derisa të përfundonte në breg pas një udhëtimi të gjatë”, ka shpjeguar Anri Sala. Ai e përshkruan veprën e tij “The Last Resort” si “kontradiktë ndërmjet pikës së nisjes së disa prej principeve më të rëndësishme të Iluminizmit – siç janë toleranca dhe pranimi pa gjykime i tjetrit – dhe pasojat e tyre pas mbërritjes, si përkeqësimi i paragjykimeve, që në kthim ka shkaktuar shkatërrim e humbje të pathëna”, shkruan koha.net.

Anri Sala, i lindur më 1974 në Tiranë, është artist që jeton në Berlin. Ekspozitat e tij solo e kanë dërguar në vende, si: “Museo Tamayo” (Mexico City, 2017), “New Museum” (New York, 2016), “Benesse Art Site Naoshima” (Teshima Island, 2016), “The Helena Rubinstein Pavilion for Contemporary Art”, “Tel Aviv Museum of Art” (Tel-Aviv, 2014), and Haus der Kunst (Münich, 2014). Ekspozita e tij në Moskë do të jetë e hapur nga 29 shtatori deri më 27 janar të vitit 2019, në “Garage Museum of Contemporary Art”.

Me “The Last Resort”, Sala debutoi në Australi vitin e kaluar. Vepra e realizuar për “33rd Kaldor Public Art Project” qe prezantuar prej 13 tetorit deri më 5 nëntor “Observatory Hill”, pika më e lartë natyrore në Sydney.

Gashi në Obiliq: Shtëpia e Kulturës përfundon këtë vit

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka vizituar sot komunën e Obiliqit. Ministri fillimisht është pritur nga Kryetari i Komunës, Xhafer Gashi, i cili e ka shoqëruar për vizitë në Shtëpinë e Kulturës në Obiliq dhe në stadiumin “Agron Rama”.

Gjatë kësaj vizite, në prononcimin për media, ministri Gashi fillimisht shprehu kënaqësinë për takimin në Komunën e Obiliqit. Ai tha se ky është takimi i takim i katërt në muajt e fundit me qëllim të koordinimit të aktiviteteve sa i përket investimeve.

“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, është duke investuar në ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në Obiliq, një projekt rreth 750 mijë euro dhe besoj që jemi te faza e fundit e këtij projekti. Sot jam edhe për ta vizituar kryetarin por edhe për të parë nga afër punimet që po zhvillohen në atë objekt”, tha ministri Gashi.

Ministri Gashi po ashtu foli edhe rreth projektit të tri fushave ndihmëse, që është njëri prej projekteve kapitale që e financon UEFA.

“Është një projekt i përbashkët trepalësh mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komunës së Obiliqit dhe Federatës së Futbollit të Kosovës. Punimet do t’i menaxhojë Federata kurse financimin do ta bëjë UEFA. Ministria dhe kryetari kanë qenë jashtëzakonisht të përkushtuar që në afat rekord të sigurojmë edhe hapësirën edhe parcelën dhe në të njëjtën kohë të mundësojmë këtë investim që do të jetë njëri prej investimeve më të mëdha në Komunën e Obiliqit në infrastrukturën sportive dhe natyrisht ky projekt është në kuadër të ngritjes së cilësisë, avancimit të infrastrukturës sportive në Republikën e Kosovës”, theksoi ministri Gashi.

Ai po ashtu falënderoi dhe përgëzoi kryetarin Gashi për përkushtimin e tij për ndarjen e hapësirave të lokacionit për ndërtimin e tri fushave ndihmëse.

Ministri Gashi, duke i uruar qytetarët e komunës së Obiliqit për objektin e Shtëpisë së Kulturës por edhe për tri fushat ndihmëse, shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar edhe për projektet tjera duke theksuar se “Ministria e Kulturës do të jetë e interesuar por në të njëjtën kohë e gatshme për realizimin e të gjitha kërkesave të qytetarëve të komunës së Obiliqit, që kanë të bëjnë me kulturën, rininë dhe sportin”.

Ndërkaq, kryetari Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, falënderoi ministrin Gashi për vizitën e tij. Për projektin e objektit të Shtëpisë së Kulturës ai tha se “kemi filluar një projekt madhor dhe shumë të domosdoshme për qytetarët e Obiliqit”. Kryetari Gashi po ashtu foli edhe rreth stadiumit duke falënderuar ministrin për angazhimin e tij. Ai tha: “këto janë takime të rregullta ku ne konsultohemi bashkë për bashkëpunim”.

Gjatë vizitës në stadiumin “Agron Rama”, prezent ishte edhe kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi. Ai tha se “falënderimi i takon kryetarit të Komunës dhe asamblistëve të Obiliqit të cilët kanë vendos të japin këtë pronë në shërbim të kampit nacional të futbollit që do të bëhet në koordinim me UEFA-n dhe FIFA-n”. Kryetari Ademi po ashtu falënderoi edhe ministrin Gashi për angazhimin e tij në krijimin e kushteve për të investuar në infrastrukturën sportive në vend.

Delegacioni i shqiptarëve të Anamoravës që u prit nga mbreti serb në Beograd (FOTO)

Delegacioni në foto përmban figurat shqiptare që u takuan me mbretin serb Aleksandër Karagjorgjeviqi për të kërkuar që të mbrohen të drejtat e shqiptarëve të Anamoravës, shkruan KultPlus.

Këta të 25-delegatët që shihen në foto kishin qëllim përmasimin e gjendjes materiale, sociale e shoqërore të njerëzve që përfaqësonin, pra popullatën e kësaj treve të Anamoravës pas çlirimit nga okupatorët turq. Vizita është realizuar më 19 shkurt 1927.

Rreshti I në këmbë (nga e majta): Mehmet Devaja, Feriz Llashtica, Hajdar Demosha nga Begunca, Zeqir Sejdiu – Zeqë Vërbani, Rexhë Kurdia nga Komogllava, Musë Tomaku nga Pograxha;

rreshti II (në këmbë): Hamdi Kurteshi nga Pozherani, Rashit Llashtica, Adil Agë Dobërçani, Sinan Staneci, Kamber Dani nga Hogoshti, Jonuz Përlepnica, Shefki Zhegra, Veli Kopërnica;

rreshti III (ulur): Jakup Karaçeva, Tomë Popoviqi, Haxhi Jusuf Shkodriqi nga Desivojca, Sejdë Budrika, Islam Pira nga Pozherani;

rreshti IV (ulur këmbëkryq): Ramiz Kabashi, Osman Agë Muçivërca, Sali Fejza nga Hogoshti, Hafiz Osmani nga Dobërçani dhe Ramadan Shipashnica./ KultPlus.com

Llojet e unazave dhe historia pas unazës së martesës

Të gjithë jemi intriguar nga historia dhe simbolizmi pas bizhuterive. Unazat në veçanti ngarkohen me domethënie të posaçme.

Që nga unazat e Egjiptit të lashtë, ato janë njohur të jenë pjesët më intime që mbajmë. Gjatë gjithë historisë, unazat u përdorën si talismanë personalë, në transaksione biznesi, si simbole të statusit, dhe natyrisht për t’u zotuar për dashurinë ndaj një tjetri. Historia e unazës së martesës nuk ka një rrugë të qartë; ajo ndryshon me çdo fe dhe pikëpamjen që secili vend ka për martesën. Disa unaza shënonin në mënyrë strikte kontratën ligjore të martesës, ndërsa të tjera shkëmbeheshin në emër të dashurisë së vërtetë. Por ky ndryshim nuk është kronologjik si mund ta mendojmë, në vend të kësaj ai rrjedh e rrjedh, në kohë dhe vende të ndryshme.

EGJIPTI I LASHTE, GREQIA, ROMA

Pothuajse 5000 vjet më parë, Egjipti i lashtë ishte kultura e parë e njohur ku njerëzit shkëmbenin “unazat e dashurisë”, shpesh të bëra prej kallamësh të endura ose prej lëkure. Thuhet se egjiptianët e shihnin unazën, një rreth, si simbol të fuqishëm. Rrethi pa fund tregon jetën e përjetshme dhe dashurinë, dhe hapja e tij përfaqëson një portë drejt botës së panjohur. Unazat ishin shumë të rëndësishme në kulturën e tyre.

KOKAT E TE DASHURUARVE

Me kalimin e kohës, romakët filluan të personalizonin unazat e martesës, duke u zhvendosur nga besimi, në gdhendjet e vetë çifteve. Kjo u përcoll në Perandorinë Bizantine në mesjetë kur shumica e unazave u gdhendën me fytyrat ose figurën e plotë të çiftit të fejuar. Sapo Krishtërimi u bë feja zyrtare e Perandorisë, çifti shpesh përshkruhej me Jezusin ose një kryq në mes tyre, që bekonte martesën.

Unazat gjëzë

Unazat gjëzë ishin popullore në shekujt 15-17. Ndërkohë që ato me vargje u thjeshtuan me kalimin e kohës, unazat gjëzë u bënë më komplekse teksa teknikat e përpunuesve përparuan. Ato përbëhen nga 2-3 rrathë të ndërthurur, tejet simbolikë në kuptimin që secili rreth është i lirë e në të njëjtën kohë janë bashkë, për të simbolizuar bashkiin e dy njerëzve. Shumë prej këtyre unazave mbanin edhe gurë të çmuar shumë të bukur, si dhe ngjyra që i bënin ato të mrekullueshme. Disa prej simboleve më të zakonshëm në këto lloj unazash ishin duart e besimit, lulet mos-më-harro dhe zemrat e kuqe. Dizajnet e mëvonshëm patën edhe memento mori, ku spikaste një skelet dhe një bebe, që simbolizonte jetën dhe vdekjen, dhe dashurinë e përjetshme përtej kësaj jete.

GISHTI I UNAZES

Përgjatë gjithë historisë, ndërkohë që idetë e martesës ndryshuan bashkë me stilet e unazave, ndryshoi edhe gishti i unazës. Eshtë dokumentuar se unazat e martesës janë mbajtur në cilindo gisht, madje edhe të madhin. Sot mbahen më shpesh në gishtin e katërt të dorës së majtë, por disa vende dhe kultura e bëjnë ndryshe. Po si u bë i katërti, gishti i unazës? Kjo na shpie sërish tek egjiptianët. …

Thuhet se ata besonin që gishti i katërt kishte një venë apo nerv që lidhej direkt me zemrën. Dhe ndërkohë që nuk ka fare prova shkencore për ta mbështetur, ne u kthyem tek ajo traditë vetëm prej ndjenjës. Që mund të jetë pjesa e preferuar e historisë së unazës së martesës. / Përgatiti: Bota.al / KultPlus.com

“Jemi vendi ma i mbrapambetun i Europës e konkurojmë edhe për botën. Pse?…”

Përkujtojmë sot disa nga fjalët e intelektualit, fratit françeskan, teologut dhe shkrimtarit e filozofit At Zef Pllumi.

“Hapni sytë e shikoni realitetin me sy, shihni se jemi vendi ma i mbrapambetun i Europës e konkurojmë edhe për botën. Pse?… Mjerisht duket se tash shumë kohë ne nuk na punon logjika si tjerëve: i thurim lavde vedit për mbrapambetjen tonë, turpet i quejmë ‘virtyte të larta të kombit’.

Jemi verbue shpirtnisht pse na mungon mendja e kthjelltë e inteligjenca për me pa se ku jemi; na mungojnë vullneti e trimnia për me thanë të vërtetën…

Shka na mungon ne që mos të jemi si europjanët tjerë? Toka, jo; dielli e deti, jo. Na mungon mendja e mentaliteti e, mbi të gjitha dashunia.

Nuk na sjell lavdi lashtësia, në qoftë se nuk jemi të qytetnuem. Nuk na sjell lavdi origjina, në qoftë se jemi të përçamë dhe mendojmë si t’i bajmë vorrin vëllaut”./ KultPlus.com

Lutfi Haziri e quan nuse Vjosa Osmanin, reagon Rrjeti i Grave të Kosovës

Në një komunikim përmes një postimi në Facebook, dje me datë 11 shtator, anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe njëkohësisht Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ju kishte drejtuar deputetes Vjosa Osmani, duke e quajtur atë “nuse e Preshevës”, përcjellë KultPlus.

Lidhur me këtë ka reaguar Rrjeti i Grave të Kosovës, duke thënë se gjuha e tillë poshtëruese dhe seksiste është e dënueshme jo vetëm në Kosovës, por në të gjithë botën. Duke bërë një deklaratë të tillë, Haziri po nënvlerëson aftësitë e grave për të udhëhequr, duke krijuar një ambient të përshtatshëm për përhapjen e diskriminimit gjinor që nënvlerëson pozitën e grave si udhëheqëse politike.

“Për Rrjetin e Grave të Kosovës (RrGK), reduktimi i rolit të grave në atë të “nuseve” tregon edhe një herë për bindjet dhe qëndrimet që burrat kosovarë, e veçanërisht burrat në pozita vendimmarrëse kanë karshi kolegeve të tyre gra. Gjuha e tillë denigruese, poshtëruese dhe seksiste është e dënueshme jo vetëm në Kosovës, por në të gjithë botën”, thuhet në komunikatë.

RrGK me anë të komunikatës u bënë thirrje të gjithë burrave në politikë, që në diskursin publik të përdorin gjuhë të denjë dhe të debatojnë duke u bazuar në fakte dhe në argumente të denja politike, e jo të përdorin gjuhë seksiste, në rastet kur ata kanë mospajtime me koleget e tyre gra. Secili person i angazhuar në politikëbërje duhet të jenë shembull i respektimit dhe promovimit të barazisë gjinore, ndërsa gjuha seksiste nuk zë vend në debatet publike./ KultPlus.com

Grupi rok nga Suedia këndon ‘Xhamadani vija vija’ në Rahovec (VIDEO)

“Vi për herë të dytë në Kosovë dhe më pëlqen shumë. Kam një surprizë të vogël për ju, kënga që vijon është për ju”. Këto kanë qenë fjalët e vokalistit të grupit suedez “Madmans’s Choice”, para se të ndiznin skenën kosovare me një version të rrallë të këngës fort të dashur për shqiptarët, “Xhamadani vija vija”.

Grupi suedez i rrokut ka kënduar shqip në festivalin e vjelejes së rrushit në Rahovec. “Hardh Fest” është festivali i vjeljes së rrushit që zhvillohet në Rahovec dhe është mbatur për tre ditë rrjesht më 7,8 dhe 9 shtator.

Skënderbeu serb? Polemika e Mitkos me historianin grek Paparigopulos

Është rikthyer këtë të hënë, për të zhvilluar sesionin e dytë Konferenca Ndërkombëtare e Albanologjisë, kushtuar Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Ndërsa kjo konferencë do të vazhdojë deri më 26 Tetor, për t’i lënë më pas vendin sesionit të tretë dhe të fundit që do të mbahet në muajin nëntor, studiuesi i njohur Dhori Qiriazi ka folur për një pamflet të gjatë në mbrojtje të origjinës shqiptare të Skënderbeut, polemikë e Mitkos me historianin grek Paparigópoulos, tekstin e së cilës e ka gjetur në dorëshkrimet e atdhetarit korçar.

Sesioni parë i konferencës, që ka nisur në maj është kurorëzuar me sukses përmes 14 ligjëratave madhore, të cilat u zhvilluan deri në fund të qershorit. Faqe të panjohura të historisë janë shpalosur gjatë referencave dhe debateve të konferencës. Një event i jashtëzakonshëm në sesionin e parë kanë qenë edhe kumtesat që u mbajtën nga profesoresha italiane Lucia Nadin dhe studiuesi shqiptar Aurel Plsari, në lidhje me zbulimin e një dorëshkrimi të mëhershëm të Marin Barletit “Rrethimi i Shkodrës”, i cili u pasqyrua gjerësisht dhe në media. Ky dorëshkrim ka hedhur dritë mbi origjinalitetin e padikutueshëm të veprës së Barletit.

Konferenca gjatë këtij harku kohor ka rezultuar me prurje shkencore mjaft interesante, duke shpallur njohjen për arkivat dhe dokumentacione interesante në Bibliotekat Botërore që flasin jo vetëm për figurën e Skënderbeut, por edhe për përpjekjet e vadueshme të shqiptarëve kundër pushtimeve turke dhe si mbrojtës të qytetërimit europian.

Sesioni i dytë i Konferencës Ndërkombëtare të Albanologjisë, ka nisur punimet dje me fjalën e profesor Dhori Qiriazit, i cili ka ardhur nga Greqia posaçërisht për këtë konferencë. Profesor Qiriazi, në kuadër të Konferencës Mbarëkombëtare të Skënderbeut rrëfeu zbulimin e tij mbi një shkrim të bërë nga Thimi Mitko.

“Ligjërata ime merr shkas nga një dokument që kam zbuluar në arkivin Shtetëror Shqiptar, këtu në Tiranë, para disa vitesh të Thimi Mitkos. Një dorëshkrim prej 15 faqesh që flet për një polemikë të Mitkos me historianin grek Konstandinos Paparigopulos. Ky i fundit konstaton apo korrigjon, që sipas tij, Skënderbeu nuk është aspak shqiptar, por me origjinë sllave. Mitko sapo lexoi këtë shkrim të Paparigopulosit shkruajti një letër të gjatë e ku i kundërvihet me dokumente dhe në mënyrë emocionale dhe thekson se Skënderbeu nuk është vetëm gjak shqiptari, por është frymëzim për popullin shqiptar. Po ashtu ashtu si Rilindësit e tjerë, Mitko ka kuptuar se për t’u bërë Shqipëria, që sipas tij ishte një vreshtë e lënë djerrë duhen bërë njerëzit shqiptarë dhe kjo bëhet përmes Skënderbeut dhe ringritjes së figurës së tij, duke u kthyer në një maja të ngjizjes së popullit shqiptar. Është diçka shumë e rëndësishme, e realizuar mirë dhe e menduar mirë”, thotë Qiriazi.

Dhori Qiriazi tha ndër të tjera se: “Për mua, Skënderbeu është një burim frymëzimi, është një hero, një mbi hero. Populli shqiptar ka një mallkim, “varr mosgjendur”, por Skënderbeu është një varrbekuar, varr kudogjendur. Siç thoshte Kadareja, Skënderbeu e ka varrin në Gjakun e Arbrit, e të Shqiptarit dhe unë do shtoja që Skënderbeu e ka varrin në frymën e lirë në dëshirën për liri, dhe frymëzon liri për ato persona që luftojnë për liri, jo vetëm në Ballkan, por në të gjithë Europën”.

Ligjëratat e këtij sesioni do të përfundojnë në fund të muajit tetor, ku do të jenë sërish një cikël ligjëratash shkencore, ku do marrin pjesë rreth 14 personalitete të cilët janë përzgjedhur nga komiteti shkencor. Tomi Frashëri, Kryetari i Sekretariatit teknik të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut tha se “finalizimi i kësaj konference madhore do të përmbyllet me një sesion kumtesash nga data 1-3 nëntor, e cila do t’i japë mundësi studiuesve të tjerë po aq të mirënjohur, të ligjërojnë mbi studimet e tyre rreth Skënderbeut.

Konferenca Albanologjike mbyllet në muaj nëntor, i cili është muaj i madh i pavarësisë, por dhe muaji përmbyllës i Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut”. Sipas tij ky sesion do të ketë një numër të konsiderueshëm studiuesish që do parashtrojnë këndvështrimet e tyre për figurën e Heroit Tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut.

“Sot e kemi nisur me Profesor Dhori Qiriazin, që vjen nga Athina. Po ashtu gjatë këtij sesioni do të kemi dhe figura të njohura, këtu po përmend Profesor Aleksandër Meksin, apo Profesor Luan Malltezin. Parashikohet që ky sesion të zgjasë deri më 26 tetor. Ndërsa në datat 1-3 nëntor do të kemi seksion maratonë me ligjërata të shkurtra.”, tha Frashëri, duke shtuar më tej se do jenë rreth 40 studiues me këto kumtesa. “Kjo Konferencë po jep fryte të rëndësishme në jetën akademike dhe duket se do të jetë një rast shumë i mirë për tu mbledhur për trajtesa të reja dhe gjurmët që ka lënë në histori Heroi ynë Kombëtarë Skënderbeu”, shoti ai.

Sipas Frashërit ky aktivitet e vlerëson deh pasuron në optikën shkencore figurën e Skënderbeut e jo atë politike apo të një natyre tjetër. Frashëri u shpreh se qeveria i ak dhënë rëndësi kësaj Konference shkencore dhe kumtesave që referohen në të, dhe vitin e ardhshëm këto kumtesa do të mblidhen së bashku e do të botohen, duke bërë kështu një libër të ri historie për Skënderbeun”.

Viti mbarëkombëtar i Skënderbeut do të mbyllet me samitin e madh të diasporës, në muajin nëntor, kur do jetë dhe seksioni i tretë i Konferencës së Albanologjisë. Në këtë muaj (nëntor) do të ketë dhe një sërë veprimtarish të mëdha që lidhen me figurën e Heroit tonë Kombëtar, por edhe të Europës mbarë.

“Letërsia lëvizëse” filloi rrugëtimin në Istog

Alter Habitus, organizon edicionin e parë të ‘Letërsia Lëvizëse’ – seri ngjarjesh letrare nëpër qytete në Kosovë.

Ky edicion ka për qëllim të përkujtojë dhe festojë jetën dhe krijimtarinë e shkrimtarëve: Fehime Selimi, Shpresa Vinca Tuda dhe Mirko Gashi. Letërsia e tyre do të lexohet në oborret e shtëpive të tyre, sheshet e qyteteve apo lagjeve.

Edicioni i parë nisi dje në qytetin e Istogut ku autoret Naime Beqiraj, Shukrije Gashi e Ilire Zajmi ishin musafire në oborrin e Shtëpisë së Kulturës në Istog ku sollën krijimet e tyre poetike. Atje u shpalosë dhe u reflektua mbi letërsinë e shkrimtares Fehmie Selimi.

Ky aktivitet kulturor do të vazhdojë në Ferizaj këtë të premte ku do të lexohet e diskutohet për letërsinë dhe punën profesionale të Shpresa Vinca Tudës, në sheshin “Ismail Kadare”.

Shkrimtarët mysafirë të mbrëmjes janë: Agim Vinca, Qibrije Demiri Frangu, Kaltrina Lohaj dhe Mirlinda Koxha. Mbrëmja letrare realizohet në bashkëpunim me Komunën e Ferizajit dhe Klubin Letrar ‘De Rada’.

Ndërsa, në kryeqytet më 17 shtator flitet për krijimtarinë Mirko Gashit, mbi Kurriz në Dardani.

Shkrimtarët mysafirë: Ardiana Shala Prishtina, Aurela Kadriu, Arbër Selmani, Avni Zogiani dhe Donika Dabishevci. Mbrëmja letrare realizohet në bashkëpunim me zinën ‘Lirindja’. / KultPlus.com

Gruaja 68 vjeçare mahnitë jurinë me performancën e saj (VIDEO)

Jenny Darren është një grua 68 vjeçare e lindur në Birmingham ndërsa tani jeton në Cotswolds.

Muzika e ka shoqëruar pothuajse gjithë jetën e saj ndërsa pëlqen muzikën rock dhe blues, ajo ka qenë një fanse e madhe e grupit AC/DC, përcjellë KultPlus.

This image is strictly embargoed until 21.25 Saturday 21st April 2018
From Syco / Thames
Britain’s Got Talent: SR12: Ep2 on ITV
Pictured: Jenny Darren.
This photograph is (C) Syco / Thames and can only be reproduced for editorial purposes directly in connection with the programme or event mentioned above, or ITV plc. Once made available by ITV plc Picture Desk, this photograph can be reproduced once only up until the transmission [TX] date and no reproduction fee will be charged. Any subsequent usage may incur a fee. This photograph must not be manipulated [excluding basic cropping] in a manner which alters the visual appearance of the person photographed deemed detrimental or inappropriate by ITV plc Picture Desk. This photograph must not be syndicated to any other company, publication or website, or permanently archived, without the express written permission of ITV Plc Picture Desk. Full Terms and conditions are available on the website www.itvpictures.co.uk
For further information please contact:
[email protected] / 0207 157 3052

Ajo ka kënduar këngën “Highway to Hell” në Britain’s Got Talent, ndërsa të gjithë në sallë kanë kënduar e kanë tundur kokën bashkë me të.

KultPlus ju përcjellë këtë video që përmbledhë performancën e saj atje.

“Po shkruej për vedi e Shkodrën”, promovohet në Muzeun Historik Kombëtar

Libri “Po shkruej për vedi e Shkodrën” i autorit Simon Rrota është promovuar ditën e djeshme nga Muzeu Historik Kombëtar dhe botimet “Fishta”, ku kujtimet e piktorit Simon Rrota (1887-1961), të ruajtura me përkujdesje të adhurueshme prej familjarëve, janë kuruar në këtë libër nga Pjetër Logoreci.

Në këtë libër shënohen kujtime nga bashkëpunimi i piktorit dhe mjeshtrit Kolë Idromeno si dhe me poetin kombëtar At Gjergj Fishta për skenografinë e shfaqjeve teatrore që poeti përgatiste në teatrin e sapothemeluar prej tij në Kuvendin françeskan në Gjuhadol.

Në këtë libër përcillen edhe kujtime nga jeta e përditshme qytetare e Shkodrës të fillimit të gjysmës së parë të shekullit të XX.
Këtë aktivitet e përshëndeti edhe drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, i cili vlerësoi figurën dhe artin e Simon Rrotës në një kohë kur Shqipëria kishte më së shumti nevojë për art për të vazhduar më tej luftën për pavarësinë e vendit.
Folën rreth botimit të librit “Po shkruej për vedi e Shkodrën” të autorit Simon Rrota, edhe Pjetër Logoreci, kuratori i librit dhe botuesi Frano Kulli. /ata