Prezantohet traileri i filmit “Tegel” nga Leart Rama (VIDEO)

Filmi “Tegel” i cili vjen nën regjinë e Leart Rames, ka publikuar trailerin sot.

Për këtë gjë ka njoftuar vetë regjisori i filmit Leart Rama i cili është shprehur i lumtur dhe falënderues për të gjithë ata që ju bashkëngjiten në këtë rrugëtim.

Në role kryesore në këtë film luajnë: Irena Cahani, Edon Shileku, Redon Kika dhe Lejs Sokoli.

Po ju sjellim statusin e plotë të regjisorit:

“Jam shume i lumtun me ju prezantu trailerin e filmit tone te ri: TEGEL.
Perjetesisht falenderues per krejt ju qe keni pas besimin n’mu edhe durimin e gjate qe ky film me u realizu. JU DUA
production: Katharsis Films in collaboration ëith Dokufest and In My Country Post Productions
Ne role kryesore: Irena Cahani Edon Shileku Redon Kika dhe Lejs Sokoli.
Audio: Laured Isufaj
Kostumografia: Alma S. Krasniqi costumes assisting: Butrint Pasha dhe Erinda Morina
Make-up: Tesa Kabashi
Production assisting: Adis Cena
Script supervisor: Eljesa Beka
music: Vali Kuqi, Acronym
official soundtrack: Vali Kuqi – PINGUL”, ka shkruar regjisori rama në Facebook. / KultPlus.com

A Worthy Man from Kristian Håskjold on Vimeo.

Si lindi “Kaçurrelat”, kënga e një dashurie platonike (VIDEO)

Historia e këngës “Kaçurrelat”

Disa herë, burgosja fizike nuk është në dorën tonë, ama ajo e shpirtit është gjithnjë. Me një liri shpirtërore të pashoqe, kompozitori dhe muzikanti shkodran Gac Çuni kaloi vitet e burgimit të padrejtë nga një sistem i përbindshëm komunist.

Një natë, të gjithë të burgosurit u çuditën kur nga njëra prej qelive, një zë i ëmbël hyri si dritë mes errësirës së vuajtjes e terrorit. Ishte zëri i Gac Çunit i cili i këndoi dashurisë platonike një këngë të jashtëzakonshme. Kënga i kushtohej vajzës së ëndrrave, asaj ideales e cila nga burgu i afrohet gjithnjë e më shumë të përkryerës.

Këngë me natyrën e këngëve të dikurshme greke, pa muzikë të regjistruar e pa tekst të shkruar, por e transmetuar për vite me radhë ndër qelitë e vogla të burgjeve deri kur, pas ’90, bashkë me të burgosurit fitoi lirinë e saj duke dalë në botën e vërtetë në kërkim të atij frymëzimi platonik që e shtyu Gacin të bënte këtë perlë.

Më poshtë janë vargjet e kësaj kënge dhe disa nga versionet e kënduara nga artistë të ndryshëm.

Natyra t’fali, bardh – o si bora,
Unë permbas tejet, jeten e bora;
Oh! se dy sytë m’i kanë verbue,
M’i kanë verbue moj kaçurrelat
Kaçurrelat e tu.
Aman kaçurrelat, kaçurrelat e tu.

M’i ke faqet, t’kuq – o si gjaku,
Se me ty vashë m’ka xan maraku;
Oh! se marakun ma kanë shtue
Ma kanë shtue moj kaçurrelat,
Kaçurrelat e tu.
Aman kaçurrelat, kaçurrelat e tu.

Nga Andreas Dushi

Publikohet traileri i filmi të piktorit Van Gogh (VIDEO)

Është publikuar traileri i “At Eternity’s Gate”, filmi biografik për Vincent van Gogh, që interpretohet nga aktori Willem Dafoe.

Filmi me regji të Julian Schabel ndjek piktorin e famshëm në ditët e tij të fundit të jetës.

Pasi është shfaqur në Festivalin e Filmit të Venecias, ky film do të mund të shikohet nga audienca e gjerë duke nisur nga 16 nëntori.

Van Gogh ka qenë subjekt i disa filmave, ku spikasin “Lust for Life” (1956) me Kirk Douglas dhe “Van Gogh: Painted with Words” (2010), me Benedict Cumberbatch. /KultPlus.com

Koncerti i 30-të vjetorit të themelimit të grupit “Elita 5” (LIVE)

Grupi legjendar i rrokut “Elita” 5 është duke mbajtur koncert në skenën e Amfiteatrit të Liqenit, për të festuar 30-vjetorin e krijimit të grupit.

Një atmosferë e mrekullueshme po mbretëron atje ku grupi po këndojnë me disa prej këngëve të tyre më të mira./KultPlus.com

“Hashima”, jazz kuarteti nga Beogradi performojnë në Kino Armata

Jazz kuarteti nga Beogradi ‘Hashima’ të cilët kombinojnë përvoja të ndryshme muzikore drejt aventurave të reja, stili i të cilave është vështirë i definueshëm, do të zbarkojnë për të performuar në Kino Armata në Prishtinë më datë 8 shtator duke filluar nga ora 21:00, shkruan KultPlus.

Gravitas (lat. Graviteti), në kontekst shkencor, është fenomeni natyror ku të gjitha gjërat me masë ose energji i afrohen njëra tjetrës; në shoqëri, kjo fjalë përshkruan dikë ose diçka që ka peshë dhe rëndësi. Gjatë Gravitas, Armata shndërrohet në qendër të toneve dhe harmonive, zhurma unifikohet dhe bëhet dimenzionale, duke krijuar platformë me rëndësi për dialog kulturor.

Muzikantët dhe zhanret që i inspirojnë “Hashima” përfshijnë Wayne Shorter, Vasilije Mokranjac, Igor Stravinsky, improv, rok dhe folklor. Poetika e tyre anon kah arthouse filmat dhe letërsia evropiane, me gërshetim sublim të thelbit të muzikës origjinale të Hashima, duke i dhënë karakter programor. Temat e komponimeve të Igor Mišković përfshijnë motive muzikore plotësisht të zhvilluara përmes aranzhimeve dhe improvizimit të lirë, pa kufizime në zhurmë ose miniatura lirike. Katër instrumente të ndryshme dhe senzibilitetet bashkohen në formë, të zhveshur prej karakteristikave tradicionale stilistike, përmbajtja e të cilave është e inspiruar nga ishulli i largët dhe i braktisur i Japonisë – Hashima.

The Haywain, albumi i dytë i Hashima, ka dalur në tetor 2017 dhe është masterizuar në studion franceze La Buissone nga Nicolas Baillard (i cili i masterizoi dhe incizoi më shumë se 30 ECM albume).

Koncerti përkrahet nga Komuna e Prishtinës dhe Iniciativa Kosovare për Stabilitet (IKS)./KultPlus.com

Muzika austriake dhe shqiptare zbresin bashkë në 13 shtator në Tiranë

Grupet muzikore të mirënjohura austriake dhe shqiptare do perfomojnë bashkë në një koncert live në Tiranë.

Ambasada austriake në Tiranë shprehet se në kuadër të vitit kulturor Austri-Shqipëri 2018, në bashkëpunim me bashkinë e Tiranës, kanë kënaqësinë t’ju ftojnë në Music-Film Tirana-Festival në 13-20 shtator 2018, tek “Pazari i Ri” në Tiranë.

“Bazuar mbi modelin e Festivalit të Filmit të bashkisë së Vjenës, do të ofrohen koncerte live me grupe muzikore të mirënjohura austriake dhe shqiptare, filma muzikorë të zgjedhur austriakë dhe shqiptarë, si edhe specialitete kulinare, një kombinim i përsosur për mbrëmje të paharrueshme shtatori”, shprehet Ambasada austriake Tiranë. /r.e/KultPlus.com

U përurua Kompleksi Memorial Ibrahim Rugova në fshatin Malaj në Rugovë

Tashmë një memorial në Kosovë do ta mbajë emrin e Presidentit të ndjerë Dr.Ibrahim Rugova.

Sot në fshatin Malaj në Rugovë u përurua Kompleksi Memorial ”Ibrahim Rugova”, i cili u ndërtua me kontributin e shoqatës ”Sali Çekaj” e veprimtarë e qytetarë të tjerë.

Në këtë përurim ishin prezentë strukturat e Lidhjes Demokratike të Kosovës ku mbajtën fjalim për ish-liderin e ndjerë presidentin historik Ibrahim Rugova.

Afër kompleksit gjithashtu është edhe kulla dy katërshe brenda së cilës ka fotografi me histori rreth ish-presidentit Rugova.

Përurimi i kompleksit memorial “Dr. Ibrahim Rugova” u mbajt nën patronatin e Kryetarit të Komunës së Pejës Gazmend Muhaxheri. / KultPlus.com

Mina dhe Leonid, “Kurrë s’kanë me u rritë”

Galeria Kombëtare e Kosovës do të mirëpresë sot ekspozitën e artistëve Mina Krasniqi dhe Leonid Palushaj, shkruan KultPlus.

Ekspozita titullohet “Kurrë s’kanë me u rritë” dhe vjen e kuruar nga Burim Berisha.

Ceremonia e hapjes do të bëhet në Galerinë Kombëtare të Kosovës më12 shtator, në orën 19:00./KultPlus.com

Kënga e Gashit ndalohet për Kosovë, kjo si pasojë e klikimeve të blera nga artistët shqiptarë

Reperi shqiptar me famë botërore, Gashi ditën e djeshme lansoi videoklipin e këngës së tij më të re “Creep On Me”, shkruan kultPlus.

Kjo këngë e cila erdhi në bashkëpunim me French Montanan, dhe DJ Snake u mirëprit mirë nga publiku dhe deri më tani ka shënuar 157,956 klikime.

Por, kjo këngë është ndaluar nga YouTube për Kosovën, por si duket vetëm për versionin mobil.

Sipas Gashit kjo erdhi si pasojë e klikimeve të blera nga estrada shqiptare.

Andaj Gashi, përmes një postimi në Istastory ka njoftuar që kënga është ndaluar për popullin e Kosovës, dhe ka “falënderuar” estradën për këtë gjë. /KultPlus.com


Nënshkruhet memorandum bashkëpunimi në mes Teatrit të Qytetit të Gjilanit dhe Drejtorisë Komunale të Arsimit

Teatri i Qytetit të Gjilanit dhe Drejtoria Komunale e Arsimit, kanë nënshkruar sot memorandum bashkëpunimi përmes të cilit synohet të krijohen ura dhe lidhje të qëndrueshme të edukimit dhe zhvillimit të shëndoshë të nxënësve me Teatrin si medium dhe mekanizëm i cili ndikon në edukimin direkt të tyre.

Për këtë bashkëpunim ka njoftuar Drejtori i Përgjithshëm i Teatrit të Qytetit të Gjilanit, Erson Zymberi.

“Bashke me drejtorin e DKA-se, z. Nazim Gagicen, sapo nenshkruam Memorandumin e Bashkepunimit mes Teatrit te Qytetit te Gjilanit dhe Drejtorise Komunale te Arsimit permes te cilit synojme te krijojme ura dhe lidhje te qendrueshme te edukimit dhe zhvillimit te shendoshe te nxeneseve me Teatrin si medium dhe mekanizem i cili ndikon ne edukimin direkt te tyre. Gjithashtu, ky memorandum eshte jetik dhe shume i rendesishem per teatrin dhe menaxhimin tone kulturor ne kuptimin e gjenerimit te te hyrave permes vizites se nxeneseve dhe percjelljes se shfaqjeve teatrale nga ta”, ka shkruar Zymberi në Facebook. / KultPlus.com

Ujëvara e Mirushës kaplohet nga mbeturinat (FOTO)

Ujëvarat e Mirushës janë pjesë e një parku me rëndësi të veçantë natyrore, shkencore, kulturore dhe turistike. Sipas IUCN, zona i përket kategorisë ”Peizazh i mbrojtur”, kurse rrjedha e lumit Mirusha i përket kategorisë ”Monument natyror”.

Në këtë park, lumi Mirusha gjatë rrjedhës së tij kalon nëpër një grykë e cila njihet si Kanjoni i lumit Mirusha dhe këtu krijon 12 ujëvara dhe 16 liqene që paraqesin një fenomen të rrallë morfo‐hidrologjik.

Kjo bukuri e rrallë natyrore që gjendet në vendin tonë, është kapluar nga mbeturinat.
Ndonëse i përket kategorisë “Peizazh i mbrojtur”, ajo sot gjendet e kapluar nga mbeturinat.

Disa fotografi të shpërndara nga Sali Shoshi, e tregon më mirë pamjen në të cilën gjendet vendi.

Ujëvarat e Mirushës janë shpallur Park Regjional i Natyrës në vitin 1982/83 nga Komuna e Malishevës, me sipërfaqe prej 555.80.70 ha. Ndërsa Qeveria e Republikë së Kosovës në vitin 2012 nxjerr vendim për shpalljen e Ujëvarave të Mirushës Monument i Natyrës me Rëndësi të Veçantë me sipërfaqe te përgjithshme prej 598.4 ha.

Kanioni i Mirushës është një ndër zonat më interesante të natyrës së Kosovës. Lumi Mirusha në pjesën e poshtme të rrjedhës së tij kalon nëpër një grykë e cila njihet si Kanioni i lumit Mirushë. Në këtë pjesë të kanionit janë 16 ujëvara me liqene që e përbëjnë pjesën më atraktive të kanionit.

Në Monumentin e natyrës me rëndësi të veçantë “Ujëvarat e Mirushës” në distancë rreth 300 m, nga Liqenet e Kanionit Mirusha është ndërtuar një objekt hotelier me material të fortë i cili bie në kundërshtim me parimet e mbrojtjes së natyrës. Investitori nuk posedon mendim profesional dhe leje ndërtimi nga organet përgjegjëse të MMPH-s.

Në vitin 2010 është hapur rruga nga Kuvendi Komunal i Malishevës, pa respektimin e procedurave ligjore dhe profesionale, e cila ka ndikuar në rrëshqitjen e materialit shkëmbore dhe degradimin e peizazhit natyror rreth kanionit. Hapja e rrugës deri në afërsi të liqeneve, ka mundësuar fillimin e ndërtimeve ilegale, fluksin e madh të makinave si dhe ndotjen ujit në lumin Mirusha. Numri i madh i makinave paraqet shqetësim serioz në degradimin dhe ndotjen e vlerave natyrore të zonës. Veprimet e tilla ndikojnë drejtpërsëdrejti në humbjen e vlerave të rralla të gjeodiversitetit, biodiversitetit si dhe ndikojnë në ndotjen e lumit Mirusha. Problem mbetet mosthemelimi i organit menaxhues për Monumentin e Natyrës me Rëndësi të Veçantë “Ujëvarat e Mirushës”, siç parashihet me Ligjin për Mbrojtjen e Natyrës (neni 77).

Ujëvara e Mirushës, ndodhet ne fshatin Llapçevë të Komunës se Klinës. /KultPlus.com


Bebe Rexha e mrekullueshme me performancën e saj në Late Night (VIDEO)

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha ka performuar këngën e saj të njohur “I’m a Mess” në emisionin Late Night me Seth Meyers, shkruan kultPlus.

Gjatë kësaj performance Bebe duket mjaft energjike, me një vallëzim të bukur dhe një vokal të padiskutuar. /KultPlus.com
https://www.youtube.com/watch?v=SmpXqAX5s-I&feature=share

Kryebashkiaku i Tiranës i jep “çelësin e qytetit” grupit “Elita 5”

Grupi legjendar i rrokut “Elita” 5 do të ndezë mbrëmjen e sotme skenën e Amfiteatrit të Liqenit, për të festuar 30-vjetorin e krijimit të grupit, me disa prej këngëve të tyre më të mira.

Para koncertit, anëtarët e grupit u pritën në një takim të veçantë nga kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili i falënderoi për frymëzimin e shumë të rinjve shqiptarë dhe për spektaklin që do t’u ofrojnë sot qytetarëve të Tiranës.

Në shenjë mirënjohje, Veliaj i dorëzoi vokalistit Arif Ziberi “Çelësin e Qytetit”, si një shenjë se për miqtë dyert e qytetit janë gjithmonë të hapura.

Kryebashkiaku tha se “Elita 5” kanë luajtur një rol të rëndësishëm në shoqërinë shqiptare sepse kanë hapur një dritare të re, në një kohë kur Shqipëria ende nuk e dinte se përtej kufijve të saj ekziston edhe një botë tjetër.

“Jo se kohët janë më të vështira se ç’kanë qenë, por për të treguar edhe pak bujari, Çelësin e Qytetit mund ta rezervojmë vetëm për miq të veçantë, që vijnë pa trokitur, që vijnë në çdo orë të ditës dhe të natës, që janë si në shtëpinë e tyre. “Elita 5” na ka ndryshuar jo vetëm pikëpamjen për botën, por na ka hapur një dritare në botë, në një moment kur Shqipëria ende nuk e kishte njohur që përtej Adriatikut kishte një botë tjetër”, theksoi ai.

Kreu i Bashkisë u shpreh se përmes muzikës së tyre në këto 3 dekada, grupi legjendar i rokut na ka kujtuar se ka më shumë gjëra që na bashkojnë, se sa ato që na ndajnë.
Në emër të grupit “Elita 5”, vokalisti Arif Zyberi falënderoi kryebashkiakun Veliaj për mbështetjen e organizimit të këtij koncerti në këtë vit jubilar për ta. Ai tha se marrja e “Çelësit të Qytetit’ është çmimi më i lartë që grupi “Elita 5” ka marrë deri më sot, që i bën të ndjehen qytetarë të Tiranës.

“Ju jam shumë mirënjohës, në emër të të gjithë grupit, dhe mezi pres për një koncert fantastik. Shumë faleminderit kryetar dhe stafit tuaj për gjithë këto punë që keni bërë për grupin “Elita 5”. Ky është një çmim shumë i madh, me të vërtetë çmimi më i lartë që grupi “Elita 5”, ka marrë deri më sot dhe prej sot do të ndihemi si qytetarë të Tiranës, pasi kemi çelësin. Shumë faleminderit që na keni kujtuar, që na keni përkrahur dhe që na prisni çdo herë me pozitivitet e optimizëm kur vijmë në Tiranë”, tha vokalisti i grupit, Arif Zyberi./m.m/KultPlus.com

Projekt për restaurimin e banesës së Oso Kukës në Shkodër

Drejtoria Rajonale Kulturore Shkodër zhvilloi një takim pune me bashkinë Shkodër si dhe me përfaqësues të Muzeut Historik për hartimin e një projekti për restaurimin e banesës së Oso Kukës, sot Muzeu Historik i qytetit.

Banesa e patriotit të famshëm shqiptar, Oso Kuka qëndron si Muze Historik që prej vitit 1947. Në hyrje të portës së madhe, nis udhëtimi nëpër histori, që praj neolitit, antikitetit, Luftës së Parë e të Dytë Botërore, deri në periudhën e komunizmit në Shqipëri.

Shtëpia përmban një kompleks muzeor që rrallëherë e gjen në ndonjë qytet tjetër, me objekte dhe ambiente të cilat tregojnë mënyrën e jetesës në veri të Shqipërisë./KultPlus.com

Doli nga shtypi fjalori enciklopedik i Kosovës

Ky fjalor enciklopedik është projekti më i madh dhe më i rëndësishëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, vepra e parë enciklopedike e botuar në Kosovë.

Në dy vëllime me 1,818 faqe, janë përfshirë tekstet e rreth 6,000 zërave, të hartuar nga 506 autorë, një vepër kolektive e hartuar nga profesorë universiteti, shkrimtarë, publicistë, artistë dhe ekspertë të fushave të ndryshme të shkencës dhe të dijes: gjeografi, histori, ekonomi, shkenca politike dhe juridike, albanologji, arkeologji, shkenca sociale, mjekësi, shkenca të natyrës dhe shkenca teknike, letërsi, informim, muzikë, arte figurative dhe arte skenike, sport dhe trashëgimi kulturore.

Botimi do të shpërndahet në të gjitha institucionet qendrore të Republikës së Kosovës, në biblioteka dhe redaksitë e mjeteve të informimit, në mënyrë që informacioni dhe të dhënat në përdorim për Kosovën dhe botën shqiptare të dalin më të plota dhe më të sakta./ KultPlus.com

Aurita Agushi nominohet si aktorja më e mirë në Manhattan Short Festival

Aktorja Aurita Agushi, është nominuar si aktorja më e mirë në festivalin “Manhattan Short Festival”, shkruan KultPlus.

Aktorja Aurita Agushi në këtë garë është nominuar për rolin e saj në filmin e shkurtër “Ajo”, të regjisores More Raça. Pikërisht ky film ka fituar të drejtën për aplikim në OSCAR, pasi që është zgjedhur në mesin e nëntë filmave finalist të këtij festivali.
Filmat finalist të cilët zgjedhën nga ky festival shfaqen për një javë në kinema në Los Angeles dhe fitojnë të drejtën e konkurrimit në Oscar.

Filmi “Ajo” me skenar dhe regji nga More Raça dhe producent Sunaj Raça flet për dhunën në familje, guximin e një vajze të vogël për të shpëtuar vetën dhe nënën e saj.

Në film luajnë: Aurita Agushi, Sunaj Raça, Diella Valla, Florist Bajgora, etj.Filmi është prodhim i shtëpisë filmike Arena i subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës. Manhattan Short Film Festival do të mbahet nga 27 Shtator deri më 7 tetor 2018. Filmat do të shfaqen në 350 qytete të botës, në gjashtë kontinente./ KultPlus.com

AJO – trailer from More Raça on Vimeo.

Haradinaj: Tradita qindravjeçare e hardhisë është ruajtur shumë mirë në Rahovec

“Vërtetë po ua kemi lakmi jo vetëm ne Kosova dhe shqiptarët kudo që janë, por jam thellë i bindur se edhe vendet tjera të botës e kanë lakmi një traditë të tillë të hardhisë që e ka Rahoveci”.

Kështu tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në hapjen zyrtare të festës së rrushit “HardhFest 2018”. Ai tha se tradita e “Hardh Festit”, kishte filluar më herët, e nisur si simbolikë nga presidenti Rugova, por tradita e hardhisë te shqiptarët është qindravjeçare dhe e ruajtur shumë mirë në Rahovec.

Më tej, kryeministri Haradinaj theksoi se festivali i hardhisë po kthehet në traditë dhe është një mundësi të reflektoj në obligimet që i kemi në përgjithësi ndaj prodhuesve tanë se rrushi dhe vera janë prodhim.

“Qeveria është e vetëdijshme se vreshtarët janë dëmtuar shumë nga breshëri. Kemi marr një pjesë të përgjegjësisë, dhe lajmi i mirë është se nuk do të ndalemi dhe do të punojmë bashkë me ju që hardhia, rrushi, vera, produktet e vendit tonë të mund të gjejnë jo vetëm konsumatorin vendor në Kosovë, që është me rëndësi të gjejnë konsumator edhe jashtë Kosovës, sepse jam i bindur se produkte më të mira, më natyrale, e më të vërteta se sa rrushin dhe verërat e Rahovecit, nuk besoj se dikush tjetër në botë mund të jap”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, tha se sapo të përmendet emri Rahovec, menjëherë i kujtohet rrushi, e verërat cilësore, prodhimet e shumta bujqësore dhe urtësia e bujaria e rahovecianëve, duke thekuar se janë pikërisht këto vlera që e bëjnë Rahovecin të veçantë në shkallë Republike.

Kryeministrit Haradinaj në shenjë falënderimi për kontributin e tij, iu nda mirënjohje me simbolin e hardhisë së rrushit.

Më pas kryeministri Haradinaj vizitoi stendat ku ishin të ekspozuara verërat dhe gjitha prodhimet tjera nga rrushi të përgatitura nga vreshtarët rahovecian, si dhe bodrumin e “Stone Castle”, vend ku bëhet grumbullimi, përpunimi dhe prodhimi i verës, ku u prit nga pronari Rrustem Gecaj me bashkëpunëtorë, shkruan Koha.net

Festivali “Hardh Fest 2018” u organizua nën patronatin e kryetarit të Komunës së Rahovecit, në bashkëpunim me “Stone Castle” dhe shoqatat e vreshtarëve dhe vertarëve./ KultPlus.com

Këshilli Drejtues i TKK-së del me një rekomandim në lidhje me grevën

Këshilli Drejtues i Teatri Kombëtar të Kosovës ju ka rekomanduar daljen nga greva punonjësve të teatrit, shkruan KultPlus.

Performuesit e Institucioneve vartëse të Ministrisë së Kulturës si: Teatri Kombëtar i Kosovës, Filharmonia e Kosovës dhe Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota”, ditë më parë kanë anuluar çdo aktivitet të tyre deri në ngritjen e pagës komfor rregullores.

Mirëpo Këshilli Drejtues i Teatri Kombëtar të Kosovës edhe pse e konsideron grevën demokratike, ka rekomanduar daljen nga greva duke u arsyetuar se qytetarët nuk duhet të zhgënjehen në mungesë të aktiviteteve dhe shfaqjeve të Teatrit.

Sipas tyre punonjësit e Teatrit duhet që të kenë besim në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe në Këshillin Drejtues se do të angazhohen për t’i realizuar premtimet e dhëna.

Më poshtë mund të lexoni vendimin e plotë:

Këshilli drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës ëhstë duke i parë më shqetësim gjitha kërkesat e punonjësve të teatrit. Kërkesat e aktorëve i kemi parë si të arsyeshme dhe si të tilla janë analizuar dhe shqyrtuar nga ne.

Ministri i Kulturës, z. Gashi në takimin tonë që e kishim, më 28.08.2018 është zotuar se do t’i bëjë të gjitha përpjekjet që Rregullorja për Pagat dhe Gradat e Krijuesve, Performuesëve dhe Punonjësve Profesional të Trashëgimisë Kulturore, të kalojë në Qeverinë e Kosovës dhe të realizojë premtimin e dhënë. Këshilli drejtues i TKK-së beson fuqishëm në premtimet e dhënë nga z. Gashi.

Greva është demokratike, por në këtë rast KD-ja e TKK-së rekomandon dalje nga greva dhe normalizim të punëve. Qytetarët nuk duhet të zhgënjehen në mungesë të aktiviteteve dhe shfaqjeve të Teatrit.

Në ju bëjmë thirrje për të dalë nga greva për t’i filluar punët, por edhe njëherazi të kemi besim në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, gjithashtu të kemi besim edhe në angazhimin tonë si Këshill drejtues , se do të angazhohemi për t’i realizuar premtimet e dhëna, të cilat janë meritore për ju./ KutlPlus.com

Baleti i Kosovës letër të hapur, kryeparlamentarit, kryeministrit dhe ministrit të kulturës

Trupa e baletit të Kosovës i është drejtuar me një letër të hapur, kreparlamentarit të Kosovës, Kadri Veselit, kryeministrit Ramush Haradinaj dhe ministrit të kulturës, Kujtim Gashi, shkruan KultPlus.

Performuesit e Institucioneve vartëse të Ministrisë së Kulturës si, Teatri Kombëtar i Kosovës, Filharmonia e Kosovës dhe Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” kanë anuluar çdo aktivitet të tyre deri në ngritjen e pagës komfor rregullores.

Mirëpo Trupa e Baletit të Kosovës edhe pse i është bashkangjitur grevë janë duke vazhduar punën e tyre kjo pasi që nuk mund të jenë neglizhent ndaj aktiviteteve të shumta që kane planifikuar në agjendën e tyre. Në këtë letër Trupa e Baletit shfaqë problemet financiare që janë duke e hasur e që po ndikojnë në realizimin e shfaqjeve në Kosovë por edhe në prezantimin e tyre në vendet e tjera jashtë Kosovës.

Sipas tyre të shtyrë nga kjo situatë e rëndë e krijuar, ata janë të detyruar që të shqyrtojnë vazhdimin e aktivitetit të tyre si balerinë. Më poshtë mund të lexoni reagimin e tyre.

Njoftim

Kryetarit të Parlamentit të Republikës së Kosovës, z.Kadri Veseli

Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z.Ramush Haradinaj

Ministrit të Kulturës Rinisë dhe Sportit, z.Kujtim Gashi

I nderuari Kryeministër z.Haradinaj dhe Ministër z.Gashi,

Baleti Kombëtar i Kosovës ju drejtohet përmes këtij njoftimi, në lidhje me situatën shqetësuese e cila po mbretëron në tre muajt e fundit në Institucionet e Kulturës, e cila ka përfshirë edhe Baletin Kombëtar të Kosovës.

Baletit Kombëtar të Kosovës, ka tre muaj që i është ndërprerë financimi dhe ka zhytur totalisht në kolaps Institucionin tonë, duke rrezikuar seriozisht realizimin e agjendës sonë si Institucion.

Marrëveshjet me artistë dhe Festivale jashtë vendit dhe turne nëpër Evropë të cilat BKK i ka planifikuar dhe futur në agjendë për vitin 2018, janë të rrezikuara si pasojë e bllokimit të buxhetit, dhe kjo situatë e krijuar ka vënë në pikëpyetje funksionimin dhe kredibilitetin e Baletit Kombëtar të Kosovës.

Ju rikujtojmë që BKK ka reputacion të konfirmuar si brenda ashtu edhe jashtë vendit si Institucion serioz, i cili vetëm brenda këtij viti, është prezantuar me shfaqje në qendra të ndryshme të Evropës si në; Berlin, Hamburg, Paris, Graz, Sveti Vlas (Bullgari) etj, dhe mosrealizimi i marrëveshjeve paraprake me partnerë kombëtar e ndërkombëtar, do të jetë fatal për rrugëtimin edhe ashtu me shumë probleme të Baletit Kombëtar të Kosovës.

Koreografi z.Israel Rodriguez, ka udhëtuar nga SHBA për në Prishtinë me dt. 25 Gusht 2018, për të realizuar premierën e radhës së BKK, e cila do të jetë me dt. 4 Tetor dhe më duhet të ju bëj me dije që Institucioni jonë, për shkak të bllokimit të buxhetit, nuk ka mundësi të kryej obligimet ndaj të ftuarit.

BKK me datë 13 Shtator do të udhëtoj për në qytetin Ruse të Bullgarisë, si të ftuar për të shfaqur baletin “Xhulieta pa Romeon”, dhe për momentin nuk kemi mjete për të realizuar këtë udhëtim.

Në muajin Tetor, BKK do të udhëtoj për herë të parë drejt Finlandës, ku do të ketë turne në katër qytete finlandeze me shfaqjen “Një legjendë për dashurinë”, turne i cili është planifikuar para më shumë së një viti, dhe situata e krijuar kohëve të fundit, rrezikon seriozisht realizimin e këtij turneu me vlerë, jo vetëm për ne si Institucion, por edhe për kulturën e vendit tonë.

Të nderuar, ju rikujtojmë që Baleti Kombëtar i Kosovës, që nga mbas lufta, aktivitetin e vet e ka zhvilluar në kushte të rënda, dhe falë vullnetit dhe dëshirës për të ruajtur këtë Institucion me vlerë për vendin tonë, kemi bërë të pamundurën, duke punuar përtej kushteve që na janë ofruar, duke shpresuar që vështirësitë do të shkojnë duke u zvogëluar.

Për fat të keq, ditëve të fundit ka ndodhur e kundërta. Gjendja në të cilën jemi për momentin është tejet dëshpëruese për ne, sepse pamundëson dhe paralizon komplet aktivitetin dhe realizimin e projekteve tona, duke vënë në dyshim mundin dhe sakrificën që e kemi bërë për vite të tëra, që Baleti Kombëtar i Kosovës të gëzoj respektin që ka sot.

Kolegët tanë nga institucione të tjera janë në grevë për mosrealizimin e kërkesave të tyre, të cilat si të tilla ne si Institucion i mbështesim, por pa ndërprerë punën, sepse arti të cilin ne e zhvillojmë, është art fizik dhe çdo ditë e humbur është tejet e dëmshme për realizimin e shfaqjeve.

Rregullorja e cila është në procedim e sipër, për rritjen e pagave të performuesve, ne mendojmë që është diskriminuese për disa nga Institucionet e Kulturës, dhe si e tillë nuk mendojmë se do të zgjidh problemin e pagave për performuesit.

I nderuari Kryeministër dhe Ministër, ne si artistë jemi të obliguar dhe të zotuar që të ruajmë vlerat e Institucioneve që iu takojmë, sepse kemi derdhur djersë në kushte të rënda, për të krijuar respekt dhe vlera, por kjo situatë nuk mund të vazhdoj pafundësisht, sepse ne nuk mund të dalim prej vetes dhe të bëjmë mrekulli dhe me shqetësim të thellë ju njoftojmë që ne si trupë, të shtyrë nga kjo situatë e rëndë e krijuar, jemi të detyruar të shqyrtojmë vazhdimin e aktivitetit tonë si balerinë.

Shpresojmë shumë që kjo situatë të zgjidhet sa më shpejt, për të mirën tonë të përbashkët!

Me respekt,

Baleti Kombëtar i Kosovës./ KultPlus.com

Ministri Gashi inspektoi punimet në kullën e Fazli Boqollit në Raushiq

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi ka vizituar kullën e familjes së Fazli Boqollit në Raushiq. Gjatë kësaj vizite, ministri Gashi ka parë nga afër punimet që po bëhen në këtë kullë, investim i MKRS-së, shkruan KultPlus.

Ministri Gashi u shpreh i kënaqur me punimet që janë duke u realizuar në këtë kullë dhe tha se si ministri, kanë ndarë mjetet e mjaftueshme sipas kërkesës së Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Pejë, me qëllim që këtë kullë, por edhe kullat e tjera në rrafshin e Dukagjinit t’i restaurojmë. Sipas tij këto kulla kanë domethënie jashtëzakonisht të madhe dhe historike të periudhave të ndryshme.

“Ne jemi të përkushtuar që t’i ruajmë dhe t’i rikthejmë këto kulla në funksion, varësisht prej rolit që kanë pasur në të kaluarën dhe tani dhe besoj që edhe viti 2019 do të jetë vit i veçante sa i përket investimeve në këto kulla” ka thënë ministri Gashi.

Ministri Gashi i përgëzoj familjarët për bashkëpunimin, dhe gatishmërinë që këtë kullë ta rikthejmë në funksion, sepse në shumë lokalitete, kullat e tilla, tashmë janë shkatërruar. Por këto që ekzistojnë, jemi të interesuar si ministri që t’i funksionaliojme.

Ndërkaq, drejtoresha për Trashëgimi Kulturore në Pejë, Shpresa Gjonbalaj falënderoi ministrin për mbështetjen dhe angazhimin që ka shprehur për t’i parë nga afër punimet e restaurimit të kullës së Fazli Boqollit.

“Kjo kullë ka vlera të veçanta historike, ndihet për veprimtari patriotike, gjatë viteve të 90’ ky monument ka qenë në shërbim të lëvizjes për pajtimin e gjaqeve në krye me Anton Çettën. Në oden e kësaj kulle atëkohë janë pajtuar shumë gjaqe. Po ashtu, ka qenë edhe si shkollë shqipe në kohën e sistemit paralel në Kosovë. Gjithashtu, ka shërbyer edhe në punimin dhe riparimin e armëve në kohën e rezistencës çlirimtare për nevojat e UÇK-së” tha Gjonbalaj.

Ndërkaq kryefamiljari Fazli Boqolli falënderoi ministrin Gashi për kontributin dhe angazhimin që ka treguar për restaurimin e kësaj kulle me vlera historike po ashtu shprehu falënderim për të gjithë ata të cilën janë angazhuar rreth këtij restaurimi.

Kulla përmban karakteristikat e objekteve fortifikuese familjare, e që janë tipike edhe për ndërtimin e tipit të njëjtë në Rrafshin e Dukagjinit. Si ndërtim u realizua në gjysmën e dytë të shek. XVIII-të.
Monumenti disa herë ka pësuar djegie, fillimisht gjatë Luftës së Dytë Botërore. Është djegur e mandej është rinovuar pa humbur elementet bazë të kullës. Edhe gjatë luftës së fundit 1998/99, nga forcat serbe kulla u dogj, duke lënë vetëm muret të cilat në mungesë të intervenimit po rrënohen vazhdimisht. Për këtë arsye MKRS-ja për shkak të të vlerave saja si në aspektin arkitektonik, historik, shoqëror e shpirtëror e ka vlerësuar që sa më parë të intervenojë në këtë monument./ KultPlus.com

Nusja kosovare në mediet ndërkombëtare, The Times e zgjedhë foto të ditës

Gazeta prestigjioze “The Times”, sot, ka publikuar disa fotografi të zgjedhura si fotografi të ditës. Në mesin e fotografive të zgjedhura është edhe fotografia e fotografit, Armend Nimani, shkruan KultPlus.

Në këtë fotografi shihet një nuse kosovare e cila është stolisu sipas riti të stolisjes së nuses ilire.

“Fytyra e nuses së Kosovës është pikturuar me vija në formë rrethi me ngjyrë të arit, që simbolizojnë ciklet e jetës në një traditë shekullore”, është përshkrimi që i është bërë fotografisë.

Më poshtë mund të gjeni versionin online të gazetës “The Times”. Aty mund të shihni edhe disa fotografi të tjera të cilat janë realizuar në vende të ndryshme të botë./ KultPlus.com

https://www.thetimes.co.uk/article/news-in-pictures-friday-september-7-2018-pjmp7xlbr

“Metamorphosis” i rikthen gjallërinë ish-mensës së punëtorëve të kompanisë “Ramiz Sadiku”

Alberina Haxhijaj

Mbrëmë, të paktën për një natë, projekti “Metamorphosis” ka rikthyer të kaluarën dhe gjallërinë e ish-mensës së punëtorëve të kompanisë “Ramiz Sadiku”, me ekspozitë, performancë e muzikë, shkruan KultPlus.

Në fund të viteve ’40 dhe në fillim të viteve ’50 lagjja Pejton kishte një gjallëri tjetër. Kjo lagje ju ‘takonte’ klasës së punëtorëve të cilët kohën më të madhe e kalonin në mensën e punëtorëve, të “Ramiz Sadikut”. Në këtë mensë ushqeheshin punëtorët e kompanisë por edhe banorët e lagjes dhe familjarët e tyre. Pikërisht kjo ndërtesë ishte vendtakimi i tyre dhe hapësirë ku ata diskutonin por edhe festonin së bashku.
Përtej shkallët, të cilat kanë mbetur akoma brenda hapësirës, improvizohej një skenë ku mbaheshin edhe aktivitet të ndryshme kulturor por jo vetëm. Ky objekt ka shërbyer edhe për të organizuar dasmë. Çdo herë kur kalohej në këtë rrugë, gjatë atyre viteve, ajo çka kujtojnë së pari banorët, është gjallëria që ka mbizotëruar aty.

Por, pas vitit 1989 kur “Ramiz Sadiku” falimentoi si rezultat i tensioneve politike, mensa mori tjetër funksion. Ajo, do bëhej një prej qendrave humanitare për refugjatët e luftës së fundit në Kosovë, e më pas edhe restorant. Me kalimin e viteve ky objekt do mbetej një gërmadhë. Një strehë për qentë endacak, apo vend jo i zakonshëm për të luajtur fëmijët e lagjes. Shpesh herë muret e tij u bënë identifikues të portës, gjersa fëmijët që banonin pranë luanin futboll dhe gjuanin për të shënuar gol. Në mesin e tyre ka edhe të tillë që kanë kaluar andej duke mos e pyetur vetën se për çfarë ka shërbyer ky objekt më herët.

Gresa Gashi e cila për tri ditë u bë pjesë e ekipit prej 20 të rinjve e të rejave, pjesë e projektit “Metamorphosis”, u shpreh se pjesa më emocionuese e punës së tyre ka qenë rezultatin final, pasi që arritën t’i rikthejnë gjallërinë objektit, edhe pse ndoshta vetëm për një natë.

“Kam dëgjuar prej një shoku për këtë aktivitet dhe që në fillim kam menduar që ideja është shumë e mirë. Kemi intervistuar banorët edhe kemi marrë shumë informata sa që kemi arrit me e kriju një lloj historie për këtë objekt. Objekt për të cilin as që e kemi ditë që ka ekzistuar më herët, ose kemi kaluar dhe as që jemi ndalë. Përveç që kemi arrit me e ringjallë historinë e këtij objekti na e kemi shfaq edhe kreativitetin tonë. Kemi realizuar diçka vet”, u shpreh ajo.

Këta të rinj dhe të reja kanë arritur që të gjejnë informata të ndryshme dhe interesante për objektin e braktisur, me qëllim që më pas përmes një ndërhyrje artistike ta shpalosin atë histori. Të ndarë në dy grupe, Konstruksion dhe Performancë, kanë reflektuar mbi të kaluarën e mensës së punëtorëve të një prej kompanive më të mëdha të ndërtimit në kohën e ish-Jugosllavisë, por edhe funksioneve tjera që ka pas ndër vite. Ata gjatë tri ditëve krijuan ulëse dhe tavolina, të ndihmuar nga Besnik Leka, për të sjellë kështu performancen “On the loop”.

Performanca “On the loop” nëpërmjet “statujave lëvizëse” solli disa karaktere që portretizojnë më së miri funksionin e këtij objekti. Aty njerëz të profesioneve të ndryshme ndanin me njëri-tjetrin detaje nga përditshmëria e tyre.

E në këtë rivitalizim të objektit të braktisur nuk kishte sesi të mungonte muzika. Prandaj ritmet e muzikës repetitive që dëgjoheshin përçonin emocionet e bukura dhe të errëta që bartë në vete ky objekt për një përjetim krejt ndryshe. Duke e shoqëruar këtë rikthim me një instalacion arkitektonik, planimetria e objektit dhe me një rrëfim të detajuar të historisë së objektit, ashtu siç banorët e lagjes “Pejton” e kujtojnë.

“Metamorphosis” është projekt i cili përkon me një prej qëllimeve kryesore që ka fondacioni “Shtatëmbëdhjetë” e që është rivitalizimi i hapësirave të braktisura, tregoi për KultPlus, Nita Zeqira nga ky fondacion.

“Kemi përzgjedh këtë lokacion që edhe pse është goxha i fshehur është në qendër të Prishtinës. Kemi hulumtuar dhe e kemi sjellë historinë e këtij objekti përmes arteve bashkëkohore. Jemi mundu që më hulumtu sa më shumë dhe me kriju një memorie kolektive të hapësirë. Kjo është edhe një ndër qëllimet tona si fondacion që të rikthejmë këto hapësira përmes kulturës, artit dhe qytetarisë aktive”, u shpreh ajo për KultPlus.

Tutje tregoi se fondacioni “Shtatëmbëdhjetë” është çdo herë në kërkim të hapësirave të tilla të braktisurave, dhe shumë shpejt mund të presim kthimin e vëmendjes së njerëzve të ndonjë hapësirë tjetër./ KultPlus.com

”Shtëpia me Gjethe” vizitohet nga rreth 7 mijë turistë të huaj

Muzeu i Përgjimeve ”Shtëpia me Gjethe” është kthyer tashmë në një atraksion turistik jo vetëm për vizitorët shqiptarë, por veçanërisht për turistët e huaj që vizitojnë Shqipërinë.

Sipas shifrave të publikuara nga Ministria e Kulturës, gjatë periudhës janar-gusht muzeu u vizitua nga 6651 turistë të huaj dhe 4633 vendas. Ndërsa vetëm në muajin gushtë të 2018, muzeu u vizitua nga 2859 vizitorë, ndërsa në 2017 nga 1528 vizitorë, pra ka një rritje prej 81% të vizitorëve në muajin gusht.

Muzeu i Përgjimeve ”Shtëpia me Gjethe” u vizitua nga vizitorë të kombësive të ndryshme si; francezë 666, italianë 426, gjermanë 157, spanjollë 120, holandezë 113 , amerikanë 108, anglezë 85, australianë 58, belgë 49, të tjerë 408. Sipas MK-së, të ardhurat gjatë periudhës janar-gusht 2018 ishin 1.553.470 lekë , 87,45% ose 724.750 lekë më shumë.

Ndërsa gjatë periudhës qershor-gusht 2018/qershor -gusht 2017, 61,6% ose 2400 vizitorë më shumë . Gjatë kësaj periudhe në 2018 u vizitua nga 6269 vizitorë, ndërsa në 2017 nga 3896 vizitorë.
Shpërndarja e vizitorëve të huaj sipas kombësisë janar-gusht 2018; italianë 1389, francezë 1125, amerikanë 735, anglezë 652 ,gjermanë 612 holandezë 540, spanjollë 271, suedezë 187, danezë 178, të tjerë 2216.
Shumica e vizitorëve të huaj në janar -gusht kanë qenë italianë, francezë dhe amerikanë. Të ardhurat për muajiin qershor- gusht 2018 dhe qershor-gusht 2017 kanë qenë 59.4% ose 1.254.950 lekë më shumë, në total 3.368.010 lekë.

Muzeu i Përgjimeve ”Shtëpia me Gjethe” është i hapur për publikun në 23 maj të vitit 2017. Ky muze, ose thesari i memories sonë kolektive, do vazhdojë të mbetet një atraksion kulturor dhe historik për vizitorët, pasi është një plagë që ka prekur brezin e shkuar dhe bën një panaromë informuese për brezin e ri, pasi i kushtohet njerëzve të pafajshëm që u arrestuan, internuan, torturuan dhe vuajtën dënime të rënda për shkak të përgjimeve, kontrolleve e spiunimeve gjatë regjimit komunist, shumica e të cilave kryheshin nga kjo shtëpi.

E ndërtuar në vitin 1931, godina e njohur në Shqipëri si “shtëpia e gjetheve”, fillimisht ka pasur funksionin e një klinike. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, nën pushtimin gjerman, ajo i përkiste Gestapo-s, ndërkohë që fill më pas, gjatë viteve të para të regjimit të ri, ajo u bë një qendër e Sigurimit (Policia politike) e përdorur për hetime. Nga viti 1950 ajo u bë zyra qendrore e seksionit teknik dhe shkencor të sigurimit./k.s/j.p/ KultPlus.com

Shpirti im

Poezi nga Nazim Hikmet.

Shpirti im

mbylli sytë

avash avash

siç fundosesh në ujë

zhytu në gjumë

lakuriq dhe veshur me të bardha

më e bukura ëndërr

do të të presë

shpirti im

mbylli sytë

avash avash

përhumbu, si në harkun e krahëve të mi

në gjumin tënd mos më harro

mbylli sytë dalëngadalë

sytë e tu të kaftë

ku digjet një flakë e gjelbër

shpirti im./ KultPlus.com