Bebe Rexha me “I’m a Mess” në Top 40

Bebe Rexha, ka hyrë për herë të parë në Top 40 të top-listës prestigjioze “Billboard”, shkruan KultPlus.

Bebe Rexha këtë pozitë e ka zënë si solo artiste me këngën “I’m a Mess”, këngë e cila nga pozita 45-të kaloi në të 39-ën.

Bebe Rexha pati shënuar edhe më parë sukses në topl listat e Billbordi-it vecanërisht më këngën “Meant to Be”, në bashkëpunim me Florida George Line, që për 40 javë dominoi në top-listën për zhanrin ‘Country’./KultPlus.com

“Electricity” e Dua Lipës arrin mbi 1 milion shikime

Dua Lipa e ka lansuar këngën e saj të re me titull “Electricity”, të cilën e ka shoqëruar me videoklip. Kjo këngë po tregon që do jetë e suksesshme që në fillim.

Një ditë pas publikimit kjo këngë është bërë kënga me trendi si dhe ka arritur më shumë se 1 milion shikime në më pak se 24 orë.

“Faleminderit që po e shikoni këngën dhe shpresoj që është duke iu pëlqyer”, ka shkruar Dua Lipa në Instagram

“Electricity” është një bashkëpunim i këngëtares me “Silk City” – ekipi i formuar nga Mark Ronson dhe Diplo./ KultPlus.com

Restaurimi i kishës më të vjetër në Shqipëri është bërë keq, një vit pas e kap lagështia

Kisha e Labovës së Kryqit më e vjetra në Shqipëri dhe ndër më uniket në të gjithë botën bizantine përfundoi vitin e kaluar punimet restauruese.

Ndërhyrja konsistoi në fasadën e jashtme, lehtësimin e peshës së kupolave, çatinë e objektit dhe ndërhyrjet për zbulimin e pastrimin e pikturës murale.

Një vit pas përfundimit të ndërhyrjes lagështia në mjedisin e brendshëm të objektit ka rikthyer punimet në çatinë e objektit, ndërsa Drejtoria e Monumenteve të Kulturës nuk ka asnjë shpjegim për këtë ndërhyrje. Drejtori Albert Kasi tha se nuk ka dijeni rreth situatës së objektit dhe se nuk po kryhen punime të tjera restauruese.

Sipas banorëve në Labovë, kisha nuk ka shpëtuar nga problematika e lagështisë. E gjithë periudha e reshjeve ka vijuar ta kërcënojë objektin e restauruar një vit më parë. Mjeshtrit lokalë jashtë kamerave flasin për cilësi të dobët të tjegullës dhe pllakës që mbuloi objektin si dhe për punime me cilësi të dobët dhe restaurim të nxituar.

Kisha e Labovës së Kryqit e vendosur në fshatin me të njëjtin emër në Gjirokastër prej vitesh ishte e ekspozuar ndaj një rreziku evident shembjeje.

Kupola kryesore e kishës që është duke jetuar “efektin e Pizës” arriti të stabilizohej pas ndërhyrjes restauruese, por probleme të tjera duket se ju shfaqën objektit pas restaurimit.

Vizitorët e shumtë kësaj vere janë befasuar prej pikturës origjinale, ikonostasit, madhështisë së kupolës 17 m të lartë dhe qasjes origjinale në raport me mjedisin natyror e gjeografik të Labovës./TCH/ KultPlus.com

Paja e nanës

Poezi nga Arlinda Baftiu.

Në pajën e nanës i kam gjetë palue rrugët e përbaltuna,
epue në themrat e çikës që zvarritet kah drita,
e tue ecë nëpër errsinat e kohve të ftohta,
bahet vigan i luftave në kangët e trimnive të pakëndueme….
paja e nanës qendisun me gjylpanat e djersëve të akullta
lulue me urtitë e zanave të malit,
në pejt’ e kuq të gjamave të heshtuna.
E bardhë paja e nanës me çarshafët e mirsive të paepuna
që shtrohen gjanë e gjanë me mbulue tana errsinat,
çilma sandëkun e dritës, nanë,
çilma diellin ta marr zemrën,
edhe pshtjellëm prapë në lulakun e bebës,
që e ke pru në pajë,
të rritem edhe njiherë në diellin tand./ KultPlus.com

‘Në sytë e tyre shkëlqen ëmbëlsia e melankolisë’

Jeta Zymberi

Të jesh fotograf përveç aparatit duhet të kesh syrin dhe zemrën në fokusin e duhur.
Fotografia nuk është vetëm një shkrepje, ajo shkon përtej saj, lidhet me mendjen, shpirtin e syrin e atij që shkrep. Të shumtë janë fotografët në vendin tonë, por të paktë janë fotografët artistik, shkruan KultPlus.

Një mënyrë të veçantë të punës së tij si fotograf e realizon Arbër Halili.

Fotografitë e tij të rrëmbejnë në çast dhe të fusin në një botë pothuajse imagjinare.
Portretet e femrave si duket janë pika e dobët e Halilit.

Muzat e tij nuk janë të zakonshme, ato shprehin një bukuri natyrale të ndërthurur me brendësinë e tyre, por njëkohësisht sa reale ato duken edhe imagjinare.

Fotografi 23 vjeçar si duket botën e sheh më ndryshe, realja dhe imagjinarja janë të ndërthura në mënyrën më të bukur tek ai. Andaj fotografitë e tij, sidomos portretet e femrave të cilat i sjellë shpesh, kur i shikon për një moment të krijojnë idenë që nuk janë të vërteta.

Një grup fotografish të tilla Arbër Halili sapo i ka publikuar në rrjetin e tij social Facebook. Këto fotografi janë realizuar për të prezantuar koleksionin e ri të dizajneres së njohur, Besë.

Këto fotografi janë thjeshtë ato të radhës për fotografinë i cili tashmë ka arritur të krijojë stilin e tij të veçantë dhe shumë artistik. /KultPlus.com

Balerini Sinan Kajtazi kundër ndërprerjes së punës së artistëve

Performuesit e Institucioneve vartëse të Ministrisë së Kulturës si, Teatri Kombëtar i Kosovës, Filharmonia e Kosovës dhe Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” kanë anuluar çdo aktivitet të tyre deri në ngritjen e pagës komfor rregullores, shkruan KultPlus.

Ky vendim i tyre ka nxitur reagime të ndryshme.

I fundit që ka reaguar para pak minutash është edhe balerini i Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi i cili është shprehur i pajtimit me kërkesën e komunitetit artistik për rritje pagash, por jo edhe me ndërprerjen e punës.

Sipas balerinit, ndërprerja e punës nuk është e drejtë dhe se çdo ditë e humbur kushton shumë.

Më poshtë po ju sjellim reagimin e plotë të balerinit Sinan Kajtazi:

Si balerin i Baletit Kombëtar të Kosovës, mbështes kërkesat e komunitetit artistik në lidhje me rritjen e pagave të performuesve në Institucionet e Kulturës, por nuk jam i pajtimit që të ndërpritet puna.
Duhet ditur që ne jemi njerëz që merremi me art dhe nuk jemi punëtorë fabrike, me i fikë e ndezë maqinat kurdo që jemi të pakënaqur. Duhet kërkuar të drejtat tona ne çfarëdo forme që kemi mundësi, përveç ndërprerjes së punës sepse për shumicën e performuesve, qoftë edhe një ditë e vetme e humbur ka rëndësinë e vet.
Institucionit të cilit i takoj, ka lidhur marrëveshje me artistë dhe Festivale nëpër botë para më shumë se një viti, dhe për ne si trupë është fatale ndërprerja e punës.
Vlerën, seriozitetin dhe reputacionin e Institucioneve të cilave i takojmë, duhet t’a mbrojmë vet, ne që jemi pjesë e tyre!
Në të njëjtën kohë jam komplet kundër rregullores së re për rritjen e pagave e cila është në procedim e sipër, sepse si e tillë është diskriminuese për shumicën e performuesve të Institucioneve të Kulturës. / KultPlus.com

Vdes aktori Burt Reynolds

Ka vdekur në moshën 82 vjeçare aktori Burt Reynolds nga një sulm në zemër.

TMZ raporton se ai ka vdekur në mëngjesin e sotëm në një spital në Florida, transmeton Koha.net.

Ai ishte dërguar për në spital pas sulmit kardiak, e familjen e kishte përkrah tij në momentet e fundit të jetës.

Reynolds që disa vite kishte probleme me zemër, ndërsa i ishte nënshtruar më 2010 një operacioni në zemër.

Ai është i njohur për filmat dhe paraqitjet e tij televizive, me më të njohurit “Smokey and the Bandit”, “Boogie Nights”, dhe “The Cannonball Run”.

Reynolds ishte nominuar për Oscar për aktorin më të mirë në rolin dytësor në personazhin e Jack Horner te “Boogie Nights” më 1997. Në atë vit kishte fituar çmimin Golden Globe./KultPlus.com

Flaka Halit shprehet e lumtur për hapjen e ekspozitës së parë personale në Shqipëri

Në ambientet e Galerisë Kombëtare të Arteve është zhvilluar sot konferenca për shtyp mbi ekspozitën e Flaka Halitit “Këtu – apo atje, është më atje”. Kjo ekspozitë e parë personale e artistes në Shqipëri do të çelet nesër, datë 7 shtator në ora 19:00 në sallën e ekspozitave të përkohshme, dhe do të qëndroj e hapur për publikun deri më datë 9 nëntor 2018.

Folës gjatë konferencës ishin artistja Flaka Haliti, kuratorja Leonie Radine dhe Drejtori i Galerisë, Erzen Shkololli.

Erzen Shkololli falënderoi Leonie Radine që pranoi ftesën e tij dhe të Flakës për të kuruar këtë ekspozitë të parë të artistes në Shqipëri. Shkololli përmendi faktin që kjo ekspozitë është realizuar në kuadër të Kalendarit të Përbashkët Kulturor Shqipëri-Kosovë, dhe çdo vit do të ketë nga një prezantim të artistëve nga Kosova në Galerinë Kombëtare të Arteve.

Më pas fjalën e mori Leonie e cila foli më shumë mbi praktikën artistike të Flaka Halitit ndër vite, prezantimin e përmbledhjes së punëve të artistes fillimisht në Kunsthalle Lingen dhe më pas në Kunsthaus Hamburg, Gjermani, si edhe qasjen e saj në kurimin e kësaj ekspozite në Tiranë. Kjo ekspozitë që do të prezantohet tani në Galerinë Kombëtare të Arteve paraqet një lexim alternativ të objekteve, figurave dhe materialeve të ndryshme duke e transformuar sallën e ekspozitës në një hapësirë ku publiku vendos në jetë veprat sipas imagjinatës së tyre individuale.

Leonie thotë: Titulli “Këtu – apo atje, është më atje” reflekton këtë skepticizëm të përgjithshëm ndaj përkufizimeve të ngurta mbi hapësirën. Duke lexuar këtë titull, publiku mbetet në mëdyshje, sepse refuzohet çdo lokalizim. Pra, ku jemi ne? Në një sallë ekspozitash në Tiranë, Shqipëri. Por, a luan një rol të caktuar vendi ku prezantohet ekspozita? Mos ndoshta vepra e artit duhet të kuptohet kudo, pavarësisht vendit ku ekspozohet?

Më pas, artistja Flaka Haliti falënderoi përzemërsisht Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës që bënë të mundur realizimin e ekspozitës së saj të parë në Tiranë. Në fund, ajo zgjodhi të bënte një tur në ekspozitë për të pranishmit për të shpjeguar më shumë mbi veprat e saj, si edhe për narrativën e gjithë prezantimit.

Jeni të ftuar nesër, datë 7 shtator, ora 19:00 për të marr pjesë në çeljen e ekspozitës së parë personale të Flaka Halitit në Galerinë Kombëtare te Arteve.

Biografi e shkurtër
Flaka Haliti ka lindur në vitin 1982 në Prishtinë, Kosovë dhe jeton në Mynih, Gjermani. Pas studimeve të saj në Städelschule në Frankfurt am Main, Gjermani, puna e saj ka eksploruar atë që është ndërmjet dhe që shkon përtej nocioneve të thjeshta që i mvishen përkatësisë dhe identitetit. Punët e saj janë ekspozuar në shumë institucione e bienale të njohura ndërkombëtare. /KultPlus.com
Foto: Gerta Xhaferaj

Vera Ora e lumtur përkrah vajzave, Ritës dhe Elenës (FOTO)

Vera Ora, nënë e Rita Orës është një përkrahëse e madhe e vajzave të saj të cilave ju gjendet gjithmonë përkrah.

Ajo shpesh është komentuar por dukjen e saj rinore dhe tejet të bukur dhe këtë vazhdon ta dëshmojë gjithnjë.

Së fundmi ajo ka postuar një fotografi ku përkrahë ka dy vajzat e saj Ritën dhe Elenën, e ku të tria së bashku duket të buzëqeshura dhe mjaft të lumtura.

Një fotografi e bukur e femrave të familjes Ora. /KultPlus.com

Bashkia Lezhë shpall konkursin për vendosjen e shtatores së Gjergj Kastriotit në qendër të qytetit

Në kuadrin e “Vitit mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit”, Bashkia Lezhë me iniciativën personale të vetë Kryetarit Fran Frrokaj, ka planifikuar që në zemrën e qytetit, në Sheshin “Gjergj Kastrioti” të vendosë një shtatore monumentale të Heroit tonë Kombëtar.

Pikërisht këtu në qytetin e Lezhës u zhvilluan edhe dy ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar, Kuvendi i Besëlidhjes së Lezhës i mbajtur me 2 mars 1444 në ambientet e katedrales mesjetare të Shën Nikollit dhe 24 vite më vonë me 17 janar 1468 këtu kaloi në përjetësi dhe më pas u përcoll në banesën e tij të fundit, i pavdekshmi Gjergj Kastrioti.

Sot, gati në çdo qytet të Republikës së Shqipërisë dhe në trevat e mbetura jashtë saj në vitin 1912, ekziston një monument i Heroit tonë Kombëtar. Gjithashtu, pothuajse çdo kryeqytet europian dhe disa qytete të rëndësishme në vendet perëndimore e kanë nga një objekt të tillë me forma dhe përmasa nga më të ndryshmet, por ajo që e meriton me shumë se kushdo tjetër në Shqipëri dhe në botën e qytetëruar, e që fatkeqësisht i mungon, është pikërisht Lezha e Besëlidhjes, Lezha e Gjergj Kastriotit, vendi ku nisi dhe ky u mbyll “Epopeja e lavdishme Kastriotiane”.

Prandajë ftohen të gjithë skulptorët shqiptarë dhe të huaj, kudo ku ata jetojnë e punojnë duke ushtruar aktivitetin e tyre, që të marrin pjesë me modelet/bocetet e tyre në konkursin që do të organizohet nga Bashkia Lezhë me 26.09.2018, në ora 10:00, tek salla e madhe e Qendrës Kulturore të Fëmijëve “Gjergj Lacaj”, Lezhë.

Shtatorja monumentale e Gjergj Kastriotit e planifikuar për t’u derdhur në bronz do të ketë këto përmasa: lartësia 3.5 m dhe ndërsa piedestali i stilizuar i punuar me gurë, me lartësi 1.8 m. Pra në total objekti monumental duhet të qëndrojë në mënyrë impozante dhe të ketë lartësinë e duhur prej 5.3 m, për të dominuar mbi sheshin “Gjergj Kastrioti” dhe për të qenë lehtësisht i dallueshëm në të gjithë hapësirën muzeale të qytetit tonë.

Subjekti i veprës duhet të bazohet tek “Besëlidhja e Lezhës” dhe figura e realizuar në këtë shtatore, më e lartë se sa figura normale njerëzore, duhet të mishëroje tiparet fizike dhe cilësitë më të shkëlqyera të Heroit tonë Kombëtar, por edhe duhet të ruajë në mënyrë të përhershme raportet kohore dhe harmonike me qendrën historike të qytetit të Lezhës.

Portreti i përjetësuar në bronz duhet të paraqesë një Gjergj Kastriot në moshën 39 vjeçare, konform të vërtetës historike, pra aq sa ishte kur thirri dhe organizoi Kuvendin e Besëlidhjes së Lezhës, por jo një portret i një burri të moshuar dhe në prag të vdekjes, siç ndodh rëndom ta shohim imazhin e tij të shenjtë në pikturat dhe skulpturat e shumë autorëve shqiptarë apo të huaj. Portreti fizik duhet t’i përmbahet njerëzores dhe jo imazheve surreale, abstrakte dhe të bastardhuara deri në kufijtë e groteskut dhe shëmtisë ekstreme artistike.

Vepra duhet të mishërojë portretin e vërtetë dhe impresionues të Gjergj Kastriotit, të nxjerrë në pah madhështinë dhe autoritetin e tij karizmatik, duke mos përjashtuar as ngarkesat e shumta politike(politika e kohës kur jetoi), historike dhe kalorsiake.etj. Ne kërkojmë një “Gjergj Kastriot të veçantë”, imazhi i të cilit gjatë viteve në vazhdim, të kthehet në një “Simbol apo Emblemë e qytetit të Lezhës”, kësaj Lezhe që jo më kot historianët e kanë pagëzuar si “Qyteti i pavdekshëm, Lezha e Besëlidhjes dhe Lezha e Gjergj Kastriotit”, thuhet në komunikatë./KultPlus.com

Nesër nis Festa e vjeljes së Rrushit “ Hardh Fest 2018”

Me sloganin “Me Pamje Kah Vneshta”, këtë vit mbahet edicioni i 17 i festës së vjeljes së rrushit – Hardh Fest, që do të nis nesër dhe do të zgjasë deri më datën 9 shtator, n’Konak të Rahovecit (tek shtëpia e verës).

Ndërsa ceremonia zyrtare e hapjes së festës fillon nga ora 11:30, me prerjen zyrtare të kalaveshit të rrushit si dhe adresimet zyrtare.

Festivali organizohet nën patronatin e kryetarit të Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi.

Sipas organizatorëve, e veçanta e këtij edicioni është ardhja e legjendës së muzikës rock, Kee Marcello, ish anëtar i grupit Europe, i cili me bendin e tij, do të performojë gjatë koncertit të Hardh Fest 2018./KultPlus.com

Albert Heta ftohet të marrë pjesë në Kongresin e Shkollave të Larta Kombëtare të Artit

Albert Heta, Drejtor i Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë dhe Drejtor Ekzekutiv i Rrjetit të Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës – RRIPAK është ftuar nga ANdÉA – Association nationale de écoles supérieures d’art (Asociacioni Kombëtar i Shkollave të Larta të Artit) për të marrë pjesë në Kongresin e 45-të Shkollave të Larta Kombëtare të Artit që po mbahet në Rennes të Francës, përcjellë KultPlus.

Kongresi veror ANdÉA është moment me rëndësi për 45 Shkollat e larta franceze të artit. Takimi po ashtu është moment për hapjen dhe ngritjen e çështjeve politike në raport me sistemin arsimor dhe artin. Shkollat Franceze të Artit janë bërë institucione autonome para rreth 10 viteve.

Në këtë situatë të re, disa çështje politike janë me rëndësi në këtë zhvillim, si marrëdhëniet mes qeverive lokale dhe shtetit. Qeveritë lokale të qyteteve dhe rajoneve janë përfshirë në financimin e 35 nga 45 shkollave të artit që funksionojnë në Francë. Shteti po ashtu pjesërisht është përfshirë në ifinancimin e institucioneve të reja arsimore të artit përmes Ministrisë së Kulturës së Francës.

Janë shumë çështje që tani janë duke u bërë të rëndësishme në raportin në mes institucioneve lokale dhe politikave kombëtare. Një nga pyetjet e hapura është kualiteti dhe natyra e kontratave të punës për profesorët lokal, dhe të tjerët, në shkollat që udhëhiqen nga shteti. Në këtë kontekst të ri, të institucioneve autonome dhe lidhjet mes shkëmbimeve lokale dhe ndërkombëtare, pyetjet që Kongresi do t’i shtrojë për diskutim janë: Ku jemi ne me të vërtetë në këto marrëdhënie ndërkombëtare? Cilat politika dhe cilat marrëdhënie me botën ne i dëshirojmë të ndodhin me “veprimet tona ndërkombëtare”, ku rëndësia e këtyre raporteve është duke u rritë në një shpejtësi të lartë? Çfarë bashkëpunimi është i nevojshëm për implementim dhe themelimin e platformave bashkëpunuese jashtë vendit? Me çfarë qëllime? A kërkojmë mundësi të reja për studentët? A dëshirojmë të ngrisim numrin e nxënësve ndërkombëtarë në shkollat tona? A dëshirojmë të shkëmbejmë kompetencë, ndër të tjera të zhvillojmë edukim për art aty ku mungon edukimi në botë? A është e nevojshme të krijohet një kampus jashtë vendit?

Ftesa dhe pjesëmarrja e Albert Hetës në Kongresin e ANdÉA lidhet drejtpërdrejt me pozitën e rëndësishme ndërkombëtare të punës së Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë dhe rritjes së ndikimit ndërkombëtar të platformës artistike dhe arsimore Shkolla Verore si Shkollë dhe relacionin e programit me zhvillimet në Prishtinë dhe më gjerë në rajon, si dhe pyetjet fundamentale se si të konstruktohen marrëdhëniet me vendet e jashtme dhe përmes çfarë kanaleve të reja kjo bëhet e mundur sot, thuhet në komunikatë. /KultPlus.com

I shfrytëzonin emrin e të atit për një shoqatë prostitucioni, reagon ashpër Elton Deda

Kantautori i njohur Elton Deda ka reaguar ashpër pas denoncimit të emisionit investigativ Fiks Fare ku një shoqatë që mban emrin e babait të tij Ferdinand Deda, rekrutonte vajza për prostitucion.

Deda zotohet publikisht se “do ta heqë përjetësisht fytyrën e të atit nga ajo vulë dhe aga ai aktivitet i ndyrë”.

Më poshtë po ju sjellim postimin e plotë të Elton Dedës.

I dashur Baba, Nder i Kombit dhe muzikanti gjeni. Me ne fund te erdhi edhe ty rradha qe ne 15 vjetorin e vdekjes, te dalesh ne TV, jo me baketen tende ne dore por fytyra jote e pashme e stampuar ne nje vule shoqate e cila merret me prostitucion dhe eskorta. Se si eshte legalizuar kjo shoqate ne gjykate nuk e di, por me siguri kane harruar te kerkojne pelqimin tend meqenese ti ke levizur per pak kohe jashte shtetit. Gjithashtu edhe per ne familjaret e tu, harruan te na kerkojne nje autorizim te perkohshem derisa te vije ti. Meqe te erdhi shoirti ne maje te hundes dhe vendose te mos ktheheshe, keta vendosen te te kujtojne duke te respektuar dhe duke i vene emrin tend te nderuar nje shoqate. Mbase po te kishe vendosur te rrije edhe mund te kishe perfituar dicka nen dore, pa zhurme dhe mbase kishe mbyllur ndonje vrime ne portofol. Te premtoj qe do bej ç’eshte e mundur ( pasi e di qe shumepak prej baballareve te kombit do tu interesoje ta ndjekin kete ceshtje), ta heq perjetesisht fytyren tende te hijshme nga ajo vule dhe nga ai aktivitet i ndyre. Nuk mund te rri pa falenderuar Fiks Fare qe e solli ne vemendje kete fenomen. Do flasim prape Babi, qendro i forte!
Yt bir, ka shkruar Deda në Facebook. /KultPlus.com

Gjakova organizon tryezë diskutimi në 140 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

Shoqata e Intelektualëve “JAKOVA” në bashkëpunim me Drejtorinë komunale të kulturës në Gjakovë, në kuadër të jubileut të 140 – vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, organizon tryezë me temën: “Kontributi i Gjakovës në organizimin dhe proceset e tjera të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”.

Tryeza mbahet më datë 8 shtator në ora 11:00 në Shkollën e muzikës “Prenk Jakova” në Gjakovë.

Në këtë tryezë referojnë: Akademik Jusuf Bajraktari me temën “Jehona identitare e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, Fitim Rifati me temën ”Programi i Kuvendit të Prizrenit në Qershor – Korrik 1878”, Alban Dobruna me temën “Roli i Ahmet Korenicës në LShP”, Migena Arllati me temën “LShP në epikën popullore”.

Dega e LShP – së në Gjakovë ishte dega më e fuqishme e Lidhjes sepse krerët dhe zhvillimet e këtushme nxitën fuqishëm proceset e mëtejshme të finalizuara në Prizren. Historia përsëritet. Sot, Kosova sërish ndodhet para diskutimeve dhe vendimeve kapitale lidhur me tërësinë e territorit të saj./KultPlus.com

Bashkëpunimi kulturor, çelësi për një Kosovë dhe regjion stabil

Zëvendësministrja Burbuqe Bakija-Deva ka marrë pjesë në kampin “Euro Atlantic Summer School – REACT 2018” të organizuar në Guci të Malit të Zi.

Zëvendësministrja ka qenë pjesë e panelit ku është folur për bashkëpunim kulturor rajonal. Ajo konkretisht ka ligjëruar për “Bashkëpunimin e ndërsjellë kulturor për një Kosovë stabile”. Sipas saj, bashkëpunimi kulturor rajonal është një nga çelësat kryesorë për një Kosovë dhe regjion stabil dhe të integruar në BE.

Ja fjalimi i plotë i zëvendësministres:

Të nderuar të pranishëm,

Sot për mua është nder dhe një kënaqësi e veçantë të jem pjese e edicionin e 11-të të Euro Atlantic Summer School – REACT 2018, si një vend ideal për të ngritur vlerat e diversitetit kulturor dhe të dialogut dhe bashkëpunimit mes kulturave të ndryshme.

Fillimisht më lejoni të falenderoj organizatorët e këtij kampi, Alfa Center si dhe të gjithë partneret e tjerë që mundësuan organizimin e kësaj ngjarje, sepse promovimi i dialogut dhe bashkëpunimi në mes të kulturave, janë mënyra më e mirë për të arritur bashkëpunimet e së ardhmes si dhe për të ndërtuar urat e tolerancës dhe bashkëjetesës.

Ne mund të shikojmë prapa dhe të kujtojmë ditë të mira të zhvillimit të artit dhe kulturës në Kosovë. Përkundër faktit të censurës dhe regjimit të viteve 80-ta, artistë dhe personalitete të ndryshme mundoheshin të mbanin hapin e zhvillimit në bote. Me kontributin, energjinë dhe motivin e tyre ata arrinin të ishin pjesë e debatit kulturor në bote. Hovi i zhvillimit të artit vazhdojë edhe gjatë viteve 90-ta. Me gjuhën e artit dhe kulturës u shpreh zemërimi i asaj kohe dhe shpresa për të ardhmen.

Por sot duke qenë Shtet i Pavarur, qytetarët tanë mund të kthejnë sytë nga optimizmi dhe nga e ardhmja.

Bashkëpunimi reciprok kulturor ndërmjet vendeve të rajonit dhe më gjerë është një nga çelësat kryesorë për një Kosovë stabile dhe për të hapur dyert e Evropës për Kosovën dhe për shtetet e tjera të rajonit.

Vëmendje e posaçme është vënë në politikat shtetërore të Republikës së Kosovës për kulturën dhe artin, duke filluar nga dyfishimi i fondeve për kulturën e artin e deri te përkrahja për pavarësimin dhe qëndrueshmërinë e artit dhe kulturës por edhe mbrojtjen me ligj të punës së artistëve dhe të profesionistëve të kulturës.

Kultura sot trajtohet nga politika si një nga kushtet kryesore për zhvillimin e shoqërisë.

Kosova është kthyer në një prodhues kualitativ por edhe në një konsumues të pasionuar e të etur të artit e të kulturës duke sjellë kështu prezantime e bashkëpunime të rëndësishme të artistëve të vendit me kolegët e tyre nga rajoni e më gjerë.

Në mesin e shumë bashkëpunimeve në mes të artistëve dhe personaliteteve të kulturës nga Kosova me homologët e tyre nga rajoni e më gjerë vlen të përmenden:

Pjesëmarrjen e Kosovës në edicionin e 16-të Bienalesë së Arkitekturës në Venedik 2018;

Pjesëmarrja e Kosovës në pavijonin e përbashkët me Shqipërinë në edicionin e 71-të të Festivalit të Filmit në Kanë;

Prezenca e Qendrës Kinematografike të Kosovës në tregun e filmit- European Film Market, në festivalin prestigjioz Berlinale;

Pjesëmarrja e QKK-së në tregun e filmit “Japan Content Shoëcase – TIFFCOM 2017”, aleat i festivalit të madh “Tokyo International Film Festival”;

Pjesëmarrja e Kosovës në Panairet Ndërkombëtare të Librit në Paris, Frankfurt, Tiranë sikurse dhe realizmin e aktiviteteve të parapara në kuadër të Kalendarit të Përbashkët Kulturor ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës dhe Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë për vitin kalendarik 2017 dhe 2018.

Jemi në përgaditje të marrëveshjes për krijimin e kalendarit të përbashkët kulturor edhe me Republikën e Maqedonisë, dhe shpresojmë që një kalendar të përbashkët kulturor të kemi edhe me Malin e Zi.

Një e arritur e vecantë në sektorin kulturor dhe atë kreativ është edhe nënshkrimi i Marrëveshjes mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian për qasje në kuadër të programit evropian “Evropa Kreative” sikurse dhe funksionalizim i Deskut Evropa Kreative Kosovë. Pjesëmarrja në kuadër të këtij programi do të ofrojë mundësi të reja për të mbështetur sektorët kulturorë dhe krijues në Kosovë. Ajo gjithashtu do të ndihmojë në ndërtimin e urave dhe krijimin e hapësirës për kontaktet me njerëzit, mirëkuptimin e ndërsjellë dhe bashkë-krijimin.

Ne si Ministri e Kulturës, Rinisë dhe Sportit përmes mekanizmave institucional e ligjor po vazhdojmë me përmbushjen e objektivave të përcaktuara në fushën e kulturës duke krijuar mjedis mbështetës institucional për zhvillimin bashkëkohor të arteve skenike-muzikore e pamore në Kosovë, dhe me aftësi konkurruese në arenën ndërkombëtare, duke e promovuar identitetin kulturor të Kosovës brenda identitetit kulturor evropian.

Ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e jetës së qytetarëve në aspektin kulturor dhe artistik vlerësojmë të ketë patur realizimi i programeve vjetore të institucioneve te ndryeshme publike, te cilat kanë prezantuar në mënyrë të denjë identitetin kulturor të Kosovës në arenën ndërkombëtare gjatë këtij viti, me pjesëmarrjen e tyre në festivalet ndërkombëtare të teatrit, baletit, filmit, artit vizual, muzikës, promovimit kulturor dhe librit.

Gjithashtu në programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për krijimin e politikave të reja kulturore, është në program përkrahja e artistëve të rinjë dhe nismave të reja kulturore. Gjatë periudhës katërvjeçare 2017-2021 do të ndërtohet një qasje e re dhe bashkëkohore e politikës kulturore dhe planeve të veprimit, dhe metoda efikase të zbatimit të legjislacionit për të përkrahur sektorin e kulturës, duke përfshirë programet për avancimin e lidhjeve kulturore dhe shkëmbimeve ndërkulturore të artistëve, shoqatave kulturore dhe institucioneve të kulturës. Gjithashtu, do të ketë rritje të mbështetjes për artistët e rinj në nisma që e prezantojnë Kosovën në shtetet e regjionit dhe BE-së.

Promovimi i dialogut mes kulturave, promovimi i tolerancës dhe bashkëpunimit në mes kulturave, janë mënyra më e mirë për të arritur bashkëpunimin në politikë si dhe për të ndërtuar urat e tolerancës dhe bashkëjetesës.

Këto bashkëpunime janë testament i rivendosjes së komunikimit dhe të bashkëpunimit mes artit dhe kulturës në Kosovë dhe në Evropë. Ky rrugëtim vetëm sa ka filluar dhe do të bëhet edhe më intensiv dhe më përmbajtjesor. Normalisht, ky rrugëtim nuk është pa sfida, sfida që sikur edhe në të kaluarën më së shumti rrjedhin nga politika. Kosova, ndonëse shtet që 10 vite, ende nuk është njohur nga të gjitha shtetet e regjionit dhe Evropës. Si pasojë të rinjtë e Kosovës shpesh nuk kanë mundësi të marrin pjesë në aktiivitete të ndryshme kulturore dhe sportive për faktin që Kosova është i vetmi vend në Evropë qe nuk gëzon lëvizjen e lirë të qytetarëve.

Kjo e pengon komunikimin mes Kosovës dhe shteteve dhe popujve të Evropës.

Por, edhe këtu, deri sa politikanët kosovarë kërkojnë rrugë e mënyra për të arritur deri te homologët e tyre nga e vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, artistët dhe personalitetet e kulturës kanë arritur që jo vetëm të vejnë ura komunikimi por edhe të përçojnë mesazhin se Kosova është dhe dëshiron të mbetet vend ku diversiteti kulturor konsiderohet si pasuri dhe thelb i identitetit dhe qenies.

Andaj ne politikanëve dhe politikës nuk na mbetet tjetër vetëm që të mbështesin dhe përkrahin aktivitete të tilla të cilat krijojnë ura të tilla komunikimi.

Shpresojmë që një kamp i tillë rinor të organizohet edhe në Kosovë dhe ne si MKRS dhe Qeveri e Republikës së Kosovës zotohemi që do të jemi partnerë në këtë aktivitet./ KultPlus.com

Memorandum mirëkuptimi në fushën e trashëgimisë kulturore

Sot, në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë, u nënshkrua një memorandum mirëkuptimi për organizimin e aktiviteteve të përbashkëta ndërmjet Muzeut Historik Kombëtar dhe Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.

“Është kënaqësi e veçantë për ne, që sot në prag të përurimit të ekspozitës ‘Jeta përmes kujtimeve’ dhe të promovimit të librit ‘Familjet katolike shqiptare në Shkup’ të autorëve: Skënder Asani, Albert Ramaj dhe Natasha Didenko po nënshkruajmë këtë Memorandum Mirëkuptimi për zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta ndërmjet Muzeut Historik Kombëtar dhe Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, që do të pasohet me nënshkrimin e një Marrëveshjeje të Përbashkët më datën 14 tetor 2018, ku jemi të ftuar për çeljen e ekspozitës ‘Unë jam shqiptar’ në Shkup. Unë besoj se aktivitete të tilla kulturore do të na japin mundësinë për sfida të reja për të ardhmen, duke njohur më mirë njëri-tjetrin. Bashkëpunimi ynë do të vijojë edhe në fushën e botimeve të përbashkëta ndërmjet institucioneve që përfaqësojmë”, është shprehur Dorian Koçi, drejtor i Muzeut.

Në vijim e mori fjalën Skënder Asani, drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, i cili theksoi se nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet institucioneve është një ngjarje e madhe.

“ Është në nderin tonë që nënshkruam këtë Memorandum Mirëkuptimi me Muzeun Historik Kombëtar, si institucion shkencor në fushën e trashëgimisë kulturore. Ndihmesa e Muzeut Historik Kombëtar mendoj se do të jetë e vyer në ruajtjen dhe kultivimin e trashëgimisë kulturore të shqiptarëve të Maqedonisë, bashkëpunim që do të reflektohet edhe në botimet e përbashkëta. Nuk është e rastit që bashkëpunimi ynë fillon në kuadër të 2-vjetorit të shenjtërimit të Gonxhe Bojaxhiut – Shën Tereza, e cila ka lindur në Shkup në kryeqendrën e Dardanisë”, u shpreh ai raporton a.t.a

Produkti i këtij bashkëpunimi është ekspozita “Jeta përmes kujtimeve” dhe promovimi i librit “Familjet katolike shqiptare në Shkup”. / KultPlus.com

Si për çudi

Poezi nga Ilnisa Agolli.

Më folën për ty mbrëmë
Nuk ndjeva asgjë
Kur po thaja flokët në darkë,
kjo asgjë
më lëshoi në hundë një erë fjalësh të lëna përgjysmë
Ca vargje të vjetra të mësuara përmendësh,
një aromë të largët të librave që s’mi dhe kurrë
dhe çaste fotografish të mbetura diku
mes lobeve të trurit
Ishte e gjitha betejë
një tjetër e humbur imja
Ishte e gjitha fitore
një tjetër tëndja pa ty ngadhnjimtar
Ishte e gjitha lutje
një tjetër latine
pa kurrfarë kishe
Si ai Psalm i Davidit që lexuam atë natë të errët
kur të volla makinës
ndërsa rrëmoja për qiri kroskotit
Ishte e gjitha memorje
E gjitha harresë
Vargje të Elyar
nga ato që shmang kur rritesh
Nga ato që rritesh dhe shmang
dhe të hesht syve trishtimi
e , qerpikëve të kolovitet njëjta pendesë

Natyrisht, diçka nuk shkonte me tharësen
E fika!/ KultPlus.com

Burberry ndalon djegien e veshjeve të pashitura

Prodhuesi anglez i produkteve të luksit Burberry ka deklaruar sot, se do të ndalojë praktikën e djegies së produkteve të pa shitura, me efekt të menjehershem.

Firma modës gjithashtu deklaroi se do të ndalojë përdorimin e gëzofëve të vertetë nga kafshët në produktet e saj dhe do t’i heq nga produktet ekzistuese. Në Korrik nga raportet e fitimeve, doli në pah se Burberry shkatërroi veshjet e pashitura, aksesorët dhe parfumet me një vlerë të përgjithshme prej 28,6 milone sterlina për të mbrojtur brand-in e vet.

Prodhuesi tha se viti 2017 ka qënë një vit i pazakontë dhe atyre iu desh të shkatërronin produkte parfumesh te vjetra me vlerë prej 10 milionë stërlinas, pasi nënshkroi një kontratë me firmën amerikane Coty./KultPlus.com

Teatri i Prishtinës “Dodona” të shtunën hap sezonin

Teatri “Dodona” i Prishtinës hap sezonin e ri teatror ditën e shtunë duke filluar në ora 12:00 dhe 13:00 ku do të jepet shfaqja për fëmijë “Kësulëkuqja”.

Shfaqja është punuar sipas përrallës së Vëllezërve Grim nën regjinë e Melihate Qenës.

Kukullat nga Valdet Rama, muzika nga Violeta Rexhepagiqi, piktura nga Musa Kalaveshi, ndërsa luajnë: Roza Berisha-Fejzullahu, Avdi Azemi dhe Valdet Rama.

Shfaqja bën fjalë për dy fëmijë të cilët luajnë teatër para shtëpisë. Ata kanë emrat e tyre Agim dhe Shpresë. Por nuk ka emër edhe kukulla me të cilën ata luajnë. Ata pasi e mësojnë se të gjithë fëmijët në sallë I kanë emrat e tyre fillojnë ta kërkojnë edhe një emër për kukullën, Në shportën e lodrave e gjejnë një kësulë të kuqe. Kjo është kësula e kuqe më e famshme në botë, duke I’u falënderuar një gjysheje. E vajza këtë dhuratë nuk e heq asnjëherë nga koka. Por që përralla jonë të shkoj si duhet nevojitet edhe një ujk për ti vështirësuar gjërat. E ku është ujku natyrisht se është edhe gjahtari. Kjo është përralla për kësulëkuqen por e treguar në një mënyrë krejtësisht të re./KultPlus.com

“Street Party” i parë në Prishtinë me muzikë, art e inovacion

Rruga “Fehmi Agani” në kryeqytet, së cilës shumëkush i referohet “Te kafet e vogla”, për dhjetë orë do të mbyllet për vetura.

Por mundësi kalimi do të kenë të gjithë qytetarët. Për herë të parë, këtë të diel, do të organizohet “Street Party” (Ndeja në rrugë) në Prishtinë. Me muzikë, art dhe inovacion do të shënohet edicioni i parë i kësaj ngjarjeje që organizon “Next Level”.

Për pjesëmarrje në këtë ngjarje konkursi është i hapur deri të enjten, ku të gjitha veprat artistike dhe inovative do të përzgjidhen për të qenë pjesë e ngjarjes. Me këtë rast do të jetë një galeri e hapur ku studentët do të mundë të shesin dhe ekspozojnë punën e tyre. “Street Party”, po ashtu, do të ketë artistë të artit të rrugës të cilët me ngjyra do ta pushtojnë hapësirën ku mbahet ngjarja.

Në një njoftim nga “Next Level” thuhet se për idetë dhe aktivitetet artistike do të përkujdeset Donat Rashica, ndërsa për argëtimin e të pranishmëve me muzikë do të jenë disa DJ nga vendi dhe bota. Në mesin e tyre është D Master, Bannz. Dagz, PM, Gesundheit, Funk OFF, MiM dhe mysafirja speciale nga Japonia, “Hito”. /KultPlus.com

Hapet aplikimi për konkursin e fotografisë PerFoto 8

Hapet aplikimi për edicionin e 8-të të konkursit të fotografisë PreFoto, shkruan KultPlus.

PreFoto është një konkurs i hapur për të gjithë fotografët profesionist dhe të apasionuarit e fotografisë. PreFoto në edicion e 7 ishte e certifikuar nga organizata “IAAP” (International association of art photographers) po ashtu këtë edicion është e certifikuar nga Shoqata e fotografëve Amerikan “PSA” (Photographic Society of America).
Pas certifikimit të PreFoto nga dy organizata ndërkombëtare dëshmohet edhe njëherësh cilësia dhe serioziteti i ekspozitës PreFoto. Të gjitha fotografitë që pranohen për t’u ekspozuar printohen nga organizatorët e festivalit.

Për 8 vite, në këtë konkurs kanë aplikuar afër 2000 fotograf nga e gjithë bota. Konkursi – Ekspozita PreFoto ka dëshmuar seriozitetin në organizimin e aktiviteteve të tilla, duke e kthyer Luginën e Preshevës në një vendtakim për të apasionuarit e fotografisë.

Tani janë hapur aplikimet për edicionin e 8 që do të mbahet në muajin nëntor tema dhe këtë edicion do të jetë e lirë.

Rregullat e Aplikimit:

1. Konkursi është i hapur për të gjithë fotografët profesionist dhe të apasionuarit e fotografisë.
2. Fotot me ngjyrë ose bardh e zi
3.Çdo pjesëmarrës mund të aplikoj në maksimum 3 foto.
4. Fotot duhet të dërgohen në rezolucionin prej minimum 2400 piksel ose 300 dpi, në cilësinë më të lartë në formatin JPEG.
5. Fotot nuk duhet të posedojnë ndërhyrje.
6.Cdo fotografë do të merr konfirmim për pranimin e fotove si aplikim, ndërsa do të lajmrohen vetëm ata që do të pranohen në Ekspozitë/Konkurs .
7.Fotografit e dërguara të titullohen.
8. Fotografit mund të dërgohen në e-mail adresën [email protected] ose mund të aplikojn online në ëëë.prefoto.org
9. Aplikimi është pa pagesë
10. Data e fundit e aplikimit 21.10.2018.
/ KultPlus.com

Stavileci: Shqipëria e paaftë për ta mbajtur shtetin, Kosova për ta bërë

Esat Stavileci lindi më 11 korrik 1942 në Gjakovë e vdiq më 17 gusht 2015 në Prishtinë.

Ishte një nga profesorët më të nderuar të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës si dhe një nga akademikët më të respektuar në Kosovë dhe trojet shqiptare.

Ndër thëniet e tij sot veçojmë atë kur është pyetur se çfarë kanë të përbashkët Shqipëria dhe Kosova:

Më kanë pyetur se çfarë kanë të përbashkët Shqipëria dhe Kosova?

Jam përgjigjur shkurt:
Shqipëria dhe Kosova kanë të përbashkët paaftësinë:
në Shqipëri “për ta mbajtur shtetin”;
në Kosovë “për ta bërë shtetin”.
Kam tërhequr vërejtjen se “shteti nuk është mall që shitet në treg”./ KultPlus.com

Përurohet Qendra e Rinisë në Pejë

Qyteti më perëndimor i Kosovës, Peja, sot u bë me Qendrën e Rinisë.

Të rinjtë e kësaj treve tani e tutje do të kenë shtëpinë e tyre të re. Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, bashkë me kryetarin e kësaj komune, Gazmend Muhaxheri, zyrtarë të Ministrisë e Komunës dhe përfaqësues të strukturave rinore bënë përurimin e këtij objekti, investim i tërësishëm i MKRS-së, në vlerë prej mbi 220 mijë euro. Projekti, deri në finalizimin e tij ka zgjatur dy vite.

Në takimin që zhvilluan ministri Gashi e kryetari Muhaxheri, e vlerësuan se ky projekt kapital është i rëndësishëm për të rinjtë pejanë dhe tani ata kanë hapësirën e mjaftueshme dhe moderne se ku t’i realizojnë aktivitetet dhe grumbullimet e tyre. Po ashtu, Gashi e Muhaxheri kanë biseduar edhe për projekte dhe mundësi tjera të bashkëpunimit e bashkëinvestimit në të mirë të qytetarëve të Komunës së Pejës. Konkretisht, diskutuan edhe për zgjidhjen e çështjes së Qendrës Nacionale të Xhudos, e cila shumë shpejt do të fillojë të ndërtohet.

Ministri Gashi, ka shprehur kënaqësinë për realizimin e këtij projekti, duke e konsideruar se të rinjtë e Pejës tani kanë vendin e tyre, adresën ku mund të takohen, planifikojnë dhe jetësojnë aktivitetet në interesin e tyre. Ministri Gashi çmoi punën që është bërë dhe porositi që objekti të ruhet e të menaxhohet sa më mirë ashtu që të përcillet tek gjeneratat që do të vijnë pas.

Ministri Gashi tha se ministria që ai udhëheq mbetet maksimalisht e interesuar dhe e angazhuar që të punojë në mbështetje të të rinjve dhe interesave të tyre, përmes edukimit joformal dhe fuqizimin e tyre duke i nxitur për angazhim më të madh në vendimmarrje.

“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka qenë investuese e këtij projekti dhe jemi duke planifikuar edhe disa investime ne komuna të tjera. E kemi përfunduar projektin në Vushtrri, jemi duke investuar në komunën e Ferizajt dhe shumë shpejt do fillojmë me tri qendra të tjera rinore në qytete të ndryshme, në mënyrë që të rinjve të Kosovës t`i kushte, mundësi dhe hapësira të reja në shërbim të aktiviteteve rinore, sepse siç dihet pjesa më vitale e shoqërisë janë të rinjtë”, është shprehur mes tjerash ministri Gashi.

Ministri Gashi foli edhe për planet në të ardhmen: “Ne si ministri e kemi në plan të veçantë investimin në fushat e rinisë, edhe te pjesa e investimeve kapitale, infrastrukturore dhe pjesa e programeve rinore dhe besoj se kështu fuqishëm do vazhdojmë edhe gjatë vitit 2019”.

Ndërsa kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, falënderoi ministri Gashi për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm që MKRS-ja ka me Komunën në projekte që janë në interes të Komunës. Ai e vlerësoi se ky projekt do të krijojë kushte më të mira për të rinjtë e Pejës.

“Është një qendër rinore e cila është e punuar mjaft mirë. Besoj që do t’i shërbejë edhe lagjes Dardania por edhe të gjithë komunitetit rinor që merren me aktivitete sportive”, ka thënë kryetari.

Ministri Gashi e kryetari Muhaxheri vizituan edhe stadiumin “Shahin Haxhiislami” për të parë nga afër punimet që po zhvillohen në këtë stadium./ KultPlus.com