Letra e nënës për fëmijët: Do të më mungojë edhe kërkesa e tyre për të fjetur me ta çdo natë

Në disa faqe të ndryshme ku flitet për përkujdesjen e nënës ndaj fëmijës, po qarkullon një letër e cila tashmë është bërë virale në internet

Letra është shkruar nga Maria Tarkany dhe paraqet nostalgjinë për rrëmujën në shtëpi, që do ta kenë nënat kur fëmijët e tyre të rriten.

Kjo është letra që po qarkullon në faqe të ndryshme:

Disa ditë me duket se nuk ja dal dot me gjithë ato rroba te palara, ene dhe rrëmujën në shtëpi por sot ndjeva një kënaqësi pasi vura djalin në gjumë, dhe serish u gëzova kur i lexova librin e preferuar vajzës sime dhe atë e zuri gjumi afër meje. Po aq e lumtur u ndjeva edhe kur bashkëshorti më dha puthjen e natës së mirë.

Kalova pak kohë sot duke pastruar dhomën e ndenjes. Pasi e përfundova, u ula në tokë dhe nisa te qaj. Qava sepse e gjitha kjo do të më mungojë një dite. Do më mungojnë shume ato perimet që bien nga karrigia e ushqimit te djalit dhe ngjiten pas lodrave të tij në toke.

Do te mungojë edhe ajo pasiguria teksa kontrolloj çdo cep të tokës se mos vajza e madhe ka lënë ndonjë lodër me të cilën djali mund te mbytet.
Do më mungojnë shumë ato shenjat e gishtave te vegjël te përlyer me kos e të ngjitura nëpër dyer e dritare.

Do të më mungojë edhe kërkesa e tyre për të fjetur me ta çdo natë, derisa t’i zërë gjumi dhe me pas unë të rreshkas ne dhomën time të fjetjes.

Shumë shpejt aq sa pa e kuptuar do të mbetemi vetëm me një kuti te vogël lodrash, të cilën do ta ruajmë për nipërit tanë e do të luajmë me ta kur te vijnë të na vizitojnë.
Bashke me fëmijët tanë do te përpiqemi t’i mbledhim serish për te pastruar dhomën. Dhe përsëri unë do te qaj sikurse bëra sot, teksa do te kujtoj ditën kur mblidhja lodrat e fëmijëve të mi. ( Maria Tarkany)./ KultPlus.com

Gjendet i vdekur aktori i Superman

Një këngëtar dhe aktor amerikan i cili kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij në Britani, është gjetur i vdekur në shtëpinë e tij në Spanjë.

Sipas Daily Mail, trupi i Al Matthews u zbulua në jug të Spanjës mbrëmjen e së shtunës rreth orës 22.30.

Një fqinj e gjeti atë pa ndjenja dhe thirri policinë, por mjekët konstatuan se Matthews kishte ndërruar jetë në vendngjarje.

75-vjeçari, i cili u shpërngul në Spanjë nga Britania e Madhe disa vite më parë, ishte i njohur për rolin e tij në filmin Alienët nga James Cameroon në vitin 1986.

Matthews gjithashtu performoi në filmin Superman III në vitin 1983.

Raportet mjekësore thanë se aktori vuante nga disa sëmundje të rënda dhe nuk kishte shenja dhune në trup. Megjithatë një autopsi do të zhvillohet për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes./tvklan.al

Ministria e Kulturës paguan peletin për shtëpinë e Ukë e Mendim Rugovës

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka blerë lëndë djegëse-pelet në vlerë prej 9 mijë e 500 euro për rezidencën e familjes Rugova.

Kjo është konstatuar si pagesë e parregullt në raportin e auditimit të realizuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) për vitin 2017.

Sipas raportit të auditimit, duke u bazuar në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore, MKRS mund të mbulojë vetëm shpenzimet e restaurimit dhe ato të konservimit për objektet e trashëgimisë kulturore në pronësi private.

“MKRS kishte nënshkruar kontratë në vlerë 9,560€ për “Furnizim me lëndë djegëse-pelet për Rezidencën Ibrahim Rugova”. Malli dhe fatura janë pranuar në vlerë totale, mirëpo në mungesë të mjeteve ishin paguar vetëm 1,510 euro”, thuhet në raportin e auditimit për MKRS-në.

Auditori ka rekomanduar që ministri duhet të siguroj se nuk do të ketë kompensime shtesë për shërbimet që janë pjesë e detyrave të obligueshme të postit që mbajnë punonjësit e ministrisë. Gjithashtu rekomandohet që ministri duhet të sigurohet që të gjitha pagesat kryhen sipas ligjeve përkatëse.

“Kompensimi shtesë për shërbimet që janë pjesë e detyrave të obligueshme të postit që mbajnë punonjësit e ministrisë dhe mbulimi i shpenzimeve në mungesë të bazës ligjore rezulton me pagesa të parregullta për ministrinë”, potencohet në raport te rreziku i pagesave të parregullta.

Raportin e auditimit të MKRS-së ku janë të potencuara edhe pagesat e parregullta mund t’i lexoni KËTU./ Kallxo.com

Meta takon bashkatdhetarët në New York

Presidenti Ilir Meta është në New York teksa po merr pjesë në meshën e mbajtur në kishën katolike shqiptare “Zoja e Shkodrës”.

Në prani të famulltarit Dom Pjetër Popaj, klerikëve e besimtarëve, Meta ka përshëndetur bashkatdhetarët duke i shprehur mirënjohje për atë që ata kanë bërë në ruajtjen e identitetit kombëtar.

”Ju falënderoj për punën e jashtëzakonshme që ju bëni duke i bashkuar të gjithë shqiptarët në SHBA. Të forcojmë identitetin kombëtar, bashkëpunimin e tolerancën ndaj njëri-tjetrit. Bashkëpunim për qëllimet më të larta që i shërbejnë vendit tonë dhe kombit tonë. Nder dhe privilegj të takoja në Vatikan, Atin e Shenjtë Papa Françesku. Kënaqësi e jashtëzakonshme, për të dëgjuar lutjet e bekimet e tij për kombin tonë. Porosia e Atit të Shenjtë, për të forcuar harmoninë tonë ndërfetare. Porosia e Papës ishte që të bëjmë çdo gjë që Shqipëria të mos pësojë “dimrin demografik” të Europës. Bekimet e lutjet e tij për kombin tonë, të na japin sa më shumë forcë, dashuri e bashkëpunim me njëri-tjetrin”, ka thënë Meta.

Ndërsa në rrjetin e tij social facebook, Ilir Meta shkruan:

“Para shtatores së Shën Nënë Terezës në New York, me anëtarët e Klubit Kulturor “Rozafati” të kishës katolike shqiptare “Zoja e Shkodrës”.

Kënaqësi e jashtëzakonshme që gjuha, traditat dhe vlerat tona kombëtare po trashëgohen dhe kultivohen me shumë dashuri tek të rinjtë shqiptarë që kanë lindur në SHBA”./ droni.al

Piktorja angleze sjell artin modern në Fier

Ngjyrat dhe veprat më të fundit të artit kontemporan vijnë tek artdashësit fierakë përmes ekspozitës së piktores angleze, Lina Ogaily.

Piktorja nga Anglia, por me origjinë irakiane, hapi për herë të parë në Fier ekspozitën e saj personale. Ajo zgjodhi Galerinë e re të Arteve në Fier, e cila u transferua në godinën që ndodhet në Parkun Qendror të qytetit.

Lina Ogaily është piktore angleze me origjinë irakiane. Ekspozitat e saj të mëparshme janë zhvilluar në Londër dhe Dubai, por dhe në vende të tjera, ku ka marrë vlerësime pozitive nga kritikët për stilin e saj të veçantë.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur përgjatë një jave, (22-29 shtator), për të gjithë artdashësit fierakë në Galerinë e Artit “Vilson Kilica”./ ata

Publikohet traileri i dokumentarit “Amy Winehouse – Back to Black” (VIDEO)

Eagle Vision ka njoftuar ditë më parë se në fillim të muajit nëntor, do të publikohet dokumentari më i ri për Amy Winehouse, ndërsa së fundmi është publikuar traileri i tij, përcjellë KultPlus.

Dokumentari, i titulluar “Amy Winehouse – Back to Black”, tregon prapaskenat e këngëtares së ndjerë, duke treguar sekuenca të jetës së saj personale gjatë kohës kur po realizonte edhe albumin e saj të fundit.

Dokumentari i ri përmban pamje të pazbuluara më parë nga jeta e Winehouse, si dhe intervistat me Mark Ronson dhe Salaam Remi. Dokumentari do të përfshijë edhe filmime nga “Një Mbrëmje në Londër”, një shfaqje private që Winehouse organizoi për miqtë e saj, të njëjtën natë kur mori pesë çmime Grammy.

Filmi do të lëshohet në mënyrë digjitale, nëpërmjet DVD-së dhe Blu-Ray-së, dhe tani është në dispozicion për parapagim. Ai do të shfaqet më 2 nëntor./ KultPlus.com

Së shpejti fillon “Fiction Fest”, festivali i parë dedikuar prozës artistike

Gjatë vjeshtës së hershme të këtij viti do ta nisë edicionin e tij të parë Festivali Ndërkombëtar i Prozës “FICTION FEST”. Duke qenë se i dedikohet vetëm prozës artistike dhe jo formave të tjera të shkrimit letrar, ky është festivali i parë i kësaj natyre në Kosovë.

Në këtë festival do të marrin pjesë emra të njohur e të respektuar të letërsisë shqipe dhe asaj të përbotshme. Në edicionin e parë do të na nderojnë me pjesëmarrjen e tyre këta shkrimtarë: Rexhep Qosja, Donika Dabishevci, Srdjan Tesin, Virion Graçi, Stefan Boshkoviq dhe Dimitar Samardjev.

“FICTION FEST” do t’i ketë dy net dhe do të mbahet në Prishtinë me datat 04 dhe 05 tetor, 2018, në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”. Në natën e parë do të lexojnë këta autorë: Srdjan Tesin, Donika Dabishevci, Stefan Boskovic, Virion Graçi dhe Dimitar Samardjev.

Në natën e dytë do të lexohen fragmente nga romanet e shkrimtarit të njohur, Rexhep Qosja. Pas leximit të fragmenteve nga romanet e tij, që do ta bëjnë aktorët profesionistë të vendit tonë, me shkrimtarin Rexhep Qosja do të ketë një orë diskutimi lidhur me prozën e tij dhe artin e tij të shkrimit letrar.

Koordinatore e Festivalit Ndërkombëtar të Prozës “FICTION FEST” është Saranda Buzhala, kritike letrare dhe asistente e lëndëve të letërsisë shqipe, e angazhuar në Universitetin e Prizrenit./ KultPlus.com

Hije të ikjes

Poezi e shkruar nga Flutur Mustafa.

Unë nuk du me shku.
Me të thanë të drejtën nuk e di
as çfarë shije ka ikja.

Asnjëherë nuk ia kam mbathë.
Të tjerë janë largu,
e rrugët e ikjes jo gjithmonë lajnë vend për kthim.

Unë nuk di qysh iket.
A i nxen krejtë nji valixhe lëkure
apo duhet me marrë veç
çka me lëkurë mundesh me bajtë ?

Me buzë,
mbase me duar ?!
apo me gjuhë ?
mbase me dhëmbë.

Tregomni si me marrë me vete:
kafshimet e çarçafëve,
pështymen e jargavitjen,
si të paketoj afshin, gjumin, ndjenjën?
si të paloj pasthirmat, zanin,
dorën që ma mbyll gojën
kur çoejmë dashni …

Nuk e kam ndërmend me ikë
askund, asnjiherë.

Thjesht deshta me iu pyetë
juve që i praktikoni ikjet,
të më rrefeni
qysh e paloni dashninë?

Fatime Mehmetaj do të prezantojë projektin “Delinquent teens at library” në Antalia të Turqisë

Shefja e Bibliotekës “Hivzi Sylejmani”, Fatime Mehmetaj do të prezantojë projektin “Delinquent teens at library” në Konferencën Ndërkombëtare “Libraies for everyone-Life program, “Life after life” që do të mbahet në Antalia të Turqisë nga 1 tetori deri më 5 tetor të këtij viti, shkruan KultPlus.

Projekti “ Delinquent teens at library”, është shpërblyer si një ndër projektet më të mira në Konferencën e mbajtur në Sofia në vitin 2016, në mesin e 35 projekteve nga 11 vende të Ballkanit dhe është financuar nga Bill&Melinda Gates.

Projekti është realizuar në vitin 2017 në bibliotekën “Hivzi Sulejmani”./ KultPlus.com

“Java e Librit të Ndaluar” po shënohet sot edhe në Kosovë si ngjarje një ditore

Kryeqyteti i Kosovës, për herë të parë i është bashkuar nismës “Java e Librit të Ndaluar” e cila shënohet në shumë qytete të shteteve perëndimore, shkruan KultPlus.

Organizata ETEA, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, do ta organizojë “Ditën e Librit të
Ndaluar” me temën “Librat digjen, (por) idetë jo”, si përgjigje ndaj cenzurës, me theks të veçantë te cenzurimi i librave.

“Java e Librit të Ndaluar” si ngjarje ndërkombëtare e cila synon ngritjen e vetëdijes mbi lirinë e të
shprehurit dhe përkujtim për librat e ndaluar dhe artistët dhe intelektualët e dënuar sidomos gjatë kohës së diktaturave totalitare, mbahet për herë të parë në Kosovë, si ngjarje një ditore e cila organizohet nga “ETEA” në kuadër të “Prishtina Lexon”, shkruhet në komunikatë.

Si ngjarje, e cila është inicuar nga Asociacioni i bibliotekave amerikane, “Java e Librit të Ndaluar” promovon mendimin jokonformist, sfidues dhe kritik. Edhe kjo ngjarje sot shkon në linjën e idealeve të promovuara përmes ngjarjes si festim dhe përkujtim ndërkombëtar i rëndësisë së lirisë të të shprehurit dhe rëndësisë fundamentale që mendimet dhe publikimet t’i nënshtrohen vlerësimit
publik dhe të mos mbeten të cenzuaruara.

Në Prishtinë, aktivitete dedikuar kësaj ngjarjeje do të realizohen nga Organizata “ETEA” gjatë gjithë ditës së 24 shtatorit 2018. Duke filluar nga ora 12:00, në sheshin “Zahir Pajaziti”, është shfaqur një performancë artistike me karakter satirik, kjo e fundit e pergatitur nga skenaristi Florent Kurtalani dhe regjisori Kushtrim Mehmeti. Në ambientet e sheshit do të ketë edhe aktivitete tjera të cilat vënë theksin te rikujtimi i shkrimtarëve, gazetarëve dhe intelektualeve të tjerë shqiptarë që në kohëra të ndryshmeu persekutuan dhe cenzuruan nga pushteti dhe grupacione sociale që i shkojnë për shtati njerëzve të politikës dhe pushtetit.

Më tej, në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar të Kosovës, në ora 15:00, të interesuarit do të kenë mundësine t’i bashkohen diskutimit të hapur me shkrimtarin dhe publicistin Veton Surroi, autor i librit “Këmbët e gjarprit”, libër ky ndaj të cilit, në vitin 2014, u organizuan aksione përmes së cilave u dogjën publikisht kopjet e tij në Skënderaj e Ferizaj. Ky diskutim do të moderohet nga Liridona Sijarina.

“Dita e Librit të Ndaluar” përmbyllet në mbrëmje, në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar të Kosovës, me shfaqjen e filmit “Fahrenheit 451” nga ora 19:00. Filmi është i bazuar në romanin po me këtë emër, autor i të cilit është shkrimtari Ray Bradbury. Romani “Fahrenheit 451” paraqet një shoqëri të ardhshme ku librat janë te jashtëligjshme ndërsa “zjarrfikësit” kanë për detyrë të djegin çdo libër që gjendet në qytet.

“Librat digjen, (por) idetë jo” është tema për këtë vit, ndërsa “Dita e Librit të Ndaluar” në Kosovë synon të shndrrohet në ngjarje tradicionale përmes së cilës do të trajtohen tema të shumta që në një apo tjetër mënyrë atakojnë cenzurën ndaj mendimit të lirë dhe mentalitetin konzervator apo dogmatik.

AGJENDA
12:00 – 12:30 Performancë artistike nga skenaristi Florent Kurtalani dhe regjisori Kushtrim
Mehmeti
/ @ Sheshi “Zahir Pajaziti”
12:00 – 13:00 Libri yt i ndaluar & Rikujtim i shkrimtareve të persekutuar dhe cenzuruar
/ @ Sheshi “Zahir Pajaziti”
15:00 – 16:00 Diskutim i hapur me shkrimtarin dhe publicistin Veton Surroi mbi temën “Librat
digjen, (por) idetë jo” me moderim nga Liridona Sijarina
/ @ Lapidariumi i Muzeut Kombëtar të Kosovës
19:00 – 21:00 Shfaqja e filmit “Fahrenheit 451”
/ @ Lapidariumi i Muzeut Kombëtar të Kosovës

“Të mendosh se e njeh shumë mirë gruan tënde, është një mendjelehtësi”

Osho është filozofi i madh indian (Shree Rajneesh), njëkohësisht një nga spiritualistët më të mëdhenj të shekullit të XX.

Në vijim, do t’ju njohim me disa nga shprehjet filozofike dhe praktike të OSHO-s, që do t’ju bëjnë ta shihni veten dhe realitetin me sy tjetër.

“Përdoreni energjinë me dashuri, përdoreni në ndonjë akt krijues, përdoreni në miqësi, përdoreni në meditim, bëni diçka me të që t’ju ngrejë lart. Dhe sa më lart të shkoni, burimet e më shumë energjie bëhen të disponueshme për ju. Në pikën më të lartë të vetëdijes, ju jeni gati një Zot. Kjo është në duart tuaja!”

“Të mendosh se e njeh shumë mirë gruan tënde, është një mendjelehtësi. Si mund ta njohësh ti atë grua? Si mund ta njohësh ti atë burrë? Janë proçese, nuk janë gjëra. Gruaja që ti ke njohur dje, sot nuk është më: ajo është gjithmonë një tjetër, totalisht ndryshe.”

“Ti je përgjigjja, por je krejtësisht i përgjumur. Përgjigjja është brenda teje. Ti je vetëm një farë. Ke nevojë për dheun e duhur, ke nevojë për një kopshtar, ke nevojë për bashkëpunimin e për vullnetin tënd që të vdesësh si farë që pastaj të mund të lindësh si pemë.”

“Përmes dashurisë, hedhja e egos është e thjeshtë. Kjo është aq e natyrshme pasi vet dashuria është frymëzueshmëri natyrore. Çdo gjë tjetër është jonatyrore kur të krahasohet me rrugën e dashurisë.”

“Tërë përpjekjet e shkencës nuk janë asgjë tjetër përpos kërkime për jetën e amshuar, e gjithashtu edhe tërë përpjekjet e religjioneve nuk janë asgjë tjetër përveç kërkim për jetën e amshuar”

“Çdo fëmijë lind si individ, por tepër rrallë njeriu vdes si individ. Me gjithë qëllimet më të mira, prindërit, mësuesit, udhëheqësit, klerikët dhe të ngjashmit na mbjellin idenë e konkurrencës, rivalitetit, ambicies, duke krijuar kështu prej çdo fëmije qenien e cila me jetën takohet në lufta mendimesh, me fjalë të tjera, në dhunë, në agresivitet.”

“Nëse e dashuron një lule, mos e këput. Sepse nëse e këput, ajo vdes dhe pushon së qëni ajo që dashuron. Kështu që… Nëse e do një lule, lëre të jetë…”

”Dashuria nuk është zotërim. Dashuria është vlerësim”.

“Përjetoje jetën në gjithë mënyrat e mundshme… e mirë-e keqe, e hidhur-e ëmbël, errësirë-dritë, verë-dimër. Përjeto gjithë dualitetet. Mos ki frikë nga eksperienca, sepse sa më shumë eksperiencë që të kesh, aq më i pjekur do të jesh”.

“Trishtimi jep thellësi. Lumturia jep lartësi. Trishtimi jep rrënjë. Lumturia jep degë. Lumturia është si një pemë që ngjitet drejt qiellit, dhe trishtimi është si rrënjët që shkojnë poshtë në tokë. Të dyja nevojiten, dhe sa më lart të shkojë një pemë, aq më thellë shkon, njëkohësisht. Sa më e madhe pema, aq më të mëdha rrënjët. Në fakt, janë gjithmonë në proporcion. Ky është ekuilibri i saj”

“Të jesh krijues do të thotë të jesh në dashuri me jetën. Ti mund të jesh krijues, vetëm nëse e do jetën mjaftueshëm, sa që të duash t’i rrisësh bukurinë, të duash të sjellësh pak më shumë muzikë, pak më shumë poezi, pak më shumë vallëzim”

“Miqësia është dashuria më e pastër. Eshtë forma më e lartë e dashurisë, aty ku nuk kërkohet asgjë, nuk ka kushte, ku njeriu thjesht jep dhe e shijon”

“Jeta fillon aty ku merr fund frika”

“Hiq dorë nga ideja për t’u bërë dikushi, sepse ti je tashmë një kryevepër. Nuk mund të përmirësohesh. Vetëm duhet që ta kuptosh kush je”

“Duke rënë në dashuri, ti mbetesh fëmijë; duke u rritur në dashuri, ti maturohesh. Me kalimin e kohës, dashuria bëhet jo një marrëdhënie, por një gjendje e qenies tënde. JO se je në dashuri – ti tani je vetë dashuria”.

“Kurajo është një marrëdhënie dashurie me të panjohurën”

“Një fëmijë është një rilindje e zotit. Ai duhet të respektohet dhe atij duhet t’i jepet çdo mundësi për t’u rritur dhe për t’u bërë jo ashtu siç do ti, por ashtu siç është potenciali i tij.”

Dobitë e leximit për shëndetin

Shumë lexojmë për qejf, por letërsia është më shumë se sa thjesht zbavitje. Shumë studime tregojnë për efektin shumë pozitiv të leximit mbi shëndetin mental.

Ashtu siç thotë edhe George R. R. Martin tek “A Dance of Dragons”: “Lexuesit i jetojnë njëqind jetë para se të vdesin, përderisa ata që kurrë nuk lexojnë, jetojnë vetëm njëherë”. Këtë thënie e duan shumë lexues sepse është e vërtetë: secili libër i ri është mundësi e re për ta parë jetën përmes syve të ndryshëm.

Doktori i psikologjisë, Joyce Billington shpjegon se si ky fenomen ndikon në shëndetin tonë mental: “Leximi mund të ofrojë modele më të pasura, më të gjera dhe më komplekse të përvojave, të cilat u mundësojnë njerëzve ta shohin jetën e tyre prej përspektivave të rifreskuara dhe me një kuptueshmëri të ripërtërirë”.

woman smiling and reading book

Ata që nuk lexojnë zakonisht i shohin gjërat vetëm nga njëra anë e tregimit: pika e tyre e shikimit dhe përspektivës mund të jetë e vetmja që ata e provojnë. Librat i zgjerojnë këto lente, të cilat mund ta çlirojnë stresin dhe pamjen universale të problemeve tuaja personale.

Ne të gjithë kalojmë përmes vështirësive të ngjashme dhe librat janë njëra ndër mënyrat për tu ballafaquar kokë më kokë me këto probleme.

Novelat i bëjnë thirrje imagjinatës tonë për tu hapuar për ide të reja: “Trilleri mund të na ndihmojë ta kuptojmë përvojën tonë shoqërore” thotë psikologu Keith Oatley, gjatë diskutimit për lidhjen mes psikologjisë dhe letërsisë.

Kjo edhe ishte vërtetuar nga një studim i cili ishte i fokusuar veçanërisht mbi ndjeshmërin dhe trillerin: “lexuesit e rregullt të trillereve përshkruese janë treguar më të mirë në dy teste të ndryshme të ndjeshmërisë”, për dallim prej atyre që nuk lexojnë. Të qenurit në gjendje për ti parë gjërat nga përspektiva të ndryshme, ju ndihmon të bëheni person më dashamirës.

Njerëzit zakonisht theksojnë se ata nuk kanë kohë për të lexuar, por madje edhe leximi vetëm fundjavave mund të ua sjell juve këto dobi. Në studimin e doktorin Billingto, thuhet se madje edhe ata që lexojnë vetëm nga gjysëm ore në javë, kanë treguar se ndihem më mirë me jetën e tyre.

Prandaj, merreni një libër dhe përmirësojeni shëndetin tuaj./filozofia.al

15 vullnetarë nga shtete të ndryshme, restaurojnë dy kisha në Himarë

15 pjesëmarrësit e Ateliesë së Restaurimit, vullnetarë nga shtete të ndryshme si: Portugalia, Zvicra, Gjermania, Hondurasi, Italia etj, përjetuan një eksperiencë unike, duke realizuar punë konkrete konservuese-restauruese. Ata u bënë pjesë aktive e zbatimit të projektit për restaurimin e çatisë së Kishës së Shën Sergjit dhe Bakut, monument kulture i kategorisë së I-rë.

Gjithçka u realizua nën drejtimin teknik të stafit të specializuar të Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Berat dhe Vlorë. Vlerësojmë punën e mrekullueshme të 4 mjeshtrave: Sybi Kurti, Brahush Hajdari, Rasim Shuka dhe Aurel Agollari.

Kisha e Shën Sergjit dhe Bakut, monument kulture i kategorisë së I-rë, është ndër objektet më të hershme të kultit në bregdetin e Himarës. Ajo është ndërtuar brenda mureve rrethuese të kështjellës së Himarës, në kuotën më të lartë të saj.

Atelieja e Restaurimit u organizua nga Instituti i Monumenteve të Kulturës në bashkëpunim me organizatën European Heritage Volunteers, Drejtorinë Rajonale të Kulturës Kombëtare –Vlorë dhe GIZ Albania. Ajo është pjesë e aktiviteteve të certifikuara të Vitit Europian të Trashëgimisë Kulturore 2018./ata

Letra e fundit e Steve Jobs: Dashuria mund të udhëtojë mijëra kilometra

“Në këtë moment, i shtrirë në shtrat i sëmurë, ndërsa reflektoj për jetën time, kuptoj se e gjithë fama dhe pasuria që i kushtova kaq shumë kohë, janë zbehur dhe duken të pakuptimta përballë vdekjes së afërt.

Në errësirë, shoh dritat jeshile që vijnë nga pajisjet dhe dëgjoj zërat e aparaturave, mund ta ndjej frymën e zotit të vdekjes që afrohet. Tani e di, kur kemi siguruar mjaftueshëm pasuri sa për të shtyrë gjithë jetën, duhet të merremi me të tjera çështje, që nuk lidhen me pasurinë. Duhet të merremi me diçka më të rëndësishme. Mbase me marrëdhëniet me njerëzit, mbase me art, mbase me ëndrrat për ditët e rinisë.

Ndjekja non-stop e pasurisë, do t’ju shndërrojë në një qenie të ndrydhur, ashtu si mua. Zoti na dha shqisat për të ndjerë dashurinë në zemrat e njerëzve, jo për të ndjerë iluzionet që sjell pasuria.

Pasurinë që kam fituar gjatë jetës time, nuk mund ta marr me vete. Çfarë mund të marr janë vetëm kujtimet e dashurisë. Ajo është pasuria e vërtetë që do t’ju ndjekë, do t’ju shoqërojë dhe do t’ju japë forcë e ndriçim për të vazhduar. Dashuria mund të udhëtojë mijëra kilometra. Jeta nuk ka limit. Shko ku të duash. Arriji lartësitë që do të arrish. Eshtë e gjitha në zemrat dhe duart tuaja. Cili është shtrati më i shtrenjtë në botë? – “Shtrati i vdekjes”.

Mund të punësosh dikë të ngasë makinën për ty, të fitojë para për ty, por s’mund të punësosh dikë që të përballojë sëmundjen tënde, për ty. Të mirat materiale mund të gjenden sërish edhe pasi kanë humbur, por ekziston diçka që nuk mund ta gjesh kurrë pasi e ke humbur – “Jeta”… Kujdesu për veten. Vlerësoji të tjerët”./KultPlus.com

Nisë në Tiranë Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit, 14 trupa nga të gjitha trevat shqiptare

Skena e re ‘ArTurbina’ ka hapur dyert mbrëmjen e të dielës duke mirëpritur artistë dhe publikun në një festë të përbashkët, atë të Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrit.

Rikthimi i këtij Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit, konsiderohet si ngjarja më e rëndësishme teatrore e vitit. Ky festival organizohet me rastin e Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut, nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës.

“ArTurbina” do të flasë shqip me të gjitha dialektet dhe format e saj në skenë nga data 23 deri më 30 shtator. Një festival që përfshin gjithë trevat shqipfolëse: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi. 14 trupa teatrore janë bërë pjesë e këtij festivali, organizmi i të cilit u mbështet edhe nga Bashkia e Tiranës.

Adem Karaka, drejtor i Teatrit te Shkupit dhe Agron Myftari i Prishtinës bashkë me Hervin Çulin të Teatrit Kombëtar, çelën siparin e tij. Çuli u shpreh se Andia Xhunga dhe Bashkim Hoxha do të hyjnë më histori se do ngjisin në skenë shfaqjen e parë, TAG”. Ndërsa, Myftari shprehet se, ‘ne veriorët nga Kosova nuk dimë të flasim shumë veç po ose jo, se ruajmë energjinë. Tirana të organizojë aktivitete të tilla, ne do ti rrimë pas”. Drejtori i Shkupit u shpreh se ndihem i privilegjuar dhe kam shpresë që vrulli i ndërtimit të skenave do të vazhdojë. “Shqipja gjithmonë ka tingëlluar bukur në çdo cep të rruzullit ku flitet. Padyshim më bukur ka qenë në këto skenat tona”.

Aktori i njohur, Ndriçim Xhepa, kryetar i jurisë duke e konsideruar vlerë të veçantë që ky festival rifillon, tha se “ndoshta jo çdo vit, por një herë në dy vjet të bëhej se do të vinte natyrshëm që krijimtaria e trupave të rretheve njëherë në dy vjet të kenë mundësi që të zgjedhin gjënë më cilësore të tyre”.

Ai sugjeroi që nga Tirana ky festival të udhëtojë edhe në Shkup.

I pranishëm, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se “është i lumtur që po organizon këtë Festival bashkë me Morelia-n. “Fakti që kemi bërë 700 aktivitete në vit në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, pyetjes së Xhepës i përgjigjem, që jemi të gatshëm qe jo vetëm të bëjmë një aktivitet teatror, por edhe shumë të tjerë”.

Veliaj u ndal edhe te ndërtimi I Teatrit të Ri duke shtuar se “Teatri i ri është ky shembull, më pak preokupim për llaç e tulla, por më shumë angazhim që me ato pak para që ne kemi të financojmë teatro si ky që ne kemi sot”.

Ndërsa ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro theksoi në fjalën e saj se ‘bashkë me miqtë e mi konceptuam këtë Festival mbarëkombëtar, pasi morëm shtysë për Vitin Mbarëkombëtar të Skënderbeut’./KultPlus.com

Lexo edhe:

Ikonat e viteve ’90 të udhëhequra nga Monica Belluci, rishfaqen në pistë për Dolce & Gabbana

Dolce & Gabbana rivendosën muzat e tyre të 90-ta për një pistë “vrasëse” në Milano. Bukuritë klasike italiane si Monica Bellucci, Carla Bruni dhe Isabella Rossellini, të cilët shkuan në shtëpinë e modës italiane gjatë fillimit të artë të viteve ’80 dhe ’90, u rikthyen në pistë për të magjepsur të gjithë.

Aty nuk mungoi edhe vajza më trendi e momentit, Emily Ratajkoëski, gjithashtu ecte për D & G, edhe modelja dhe këngëtarja britanike Karen Elson. Në tërësi, koleksioni solli një sërë grash të mrekullueshme nga breza të ndryshëm që sollën një shfaqje të shquar këtë sezon.

Domenico Dolce dhe Stefano Gabbana kanë sjellë disa prej emrave më të mëdhenj në botë për një shfaqje dedikuar #DGDNA. Kishte ikonat italiane të udhëhequra nga aktorja Monica Bellucci, e cila hapi koleksionin e ndjekur nga një grup supermodele. Eva Herzigova, Carla, Isabella Rossellini e cila doli me familjen e saj elegante: djali Robert, vajza Elettra Wiedemann dhe nipi i ri i markës Ronin, i cili bëri debutimin e tij të Javës së Modës.

Bukuria shtatëdhjetëvjeçare Maye Musk shëtiti së bashku me fytyrën e freskët Tess McMillan, ndërsa ylli i muzikës pop Austin Mahone ndau skenën me Karen Elson dhe Bruna Marquezine për një koleksion që me të vërtetë ndjehej gjithëpërfshirës.

Natyrisht, kishte edhe disa surpriza. Nga prania e muzikantëve ndërkombëtarë si Jessica Jung dhe aktorja dhe ylli i stilit Thai, Davika Hoorne, dy prej të cilëve bënë shëtitjet e tyre të para për markën-në përdorimin e çifteve të jetës reale, si Mariano Di Vaio dhe Eleonora Brunacci Di Vaio dhe Evandro Soldati dhe Yasmin Brunet. Krijimi i një ADN-je të re për shtëpinë, ku në mënyrë të dukshme të gjithë janë të ftuar në parti, Dolce dhe Gabbana dhe drejtori i tyre i hedhjes, Décio Santos, e kanë bërë mbledhjen e tyre një akt të vështirë për t’u ndjekur. /KultPlus.com

Shqiptarët e braktisur të Sanxhakut

Një historie të dhimbshme i është kthyer TCH përmes “Gjurmë shqiptare”.

Bëhet fjalë për shqiptarët e Sanxhakut (në Serbi), të cilët vazhdojnë të jetojnë të harruar nga trungu i tyre, veçmas nga Shqipëria, që ka pasur mundësi politike, si shtet, të tregojë kujdes për ta.

Ato që rrëfejnë protagonistët e këtij emisioni sa janë të dhimbshme, janë edhe akuzuese.

Flasin sidomos për politikat perfide të fqinjëve tanë që jo vetëm të pushtojnë, por edhe të zhdukin gjurmët e historisë që nuk u shkojnë përshtati./KultPlus.com
https://www.youtube.com/watch?v=4lLAzCeYVqc&feature=player_embedded

UP vazhdon përpjekjet për hapjen e Ballkanistikës

Programi i Ballkanistikës në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës nuk është akredituar që nga viti 2016 nga Agjencia e Akreditimit.

Arsye për këtë ishte mungesa e kuadrove në gjuhët e Ballkanit. Ballkanistika ka për bazë hulumtimin shkencor dhe përkthimin. Ekspertët thonë se është një dëm që nuk ka kuadro, ndërsa drejtues të fakultetit po bëjnë përpjekje që ky program të akreditohet në vitin e ardhshëm akademik.

Fakulteti Filologjik i Universitetit të Prishtinës pat filluar programin katërvjeçar Ballkanistika në vitin 2015, me 15 studentë. Ndërkohë, në procesin e riakreditimit në vitin 2016, edhe pse u vlerësua në mënyrë pozitive nga ekspertët e huaj, nuk u akreditua. Kjo për shkak se Agjencia e Akreditimit filloi të zbatojë rregullin që për çdo program duhet të ketë tre bartës me doktoratë shkencore në atë fushë. Sipas Agjencisë së Akreditimit, Ballkanistika në vitin 2016 nuk ka pasur kuadro të mjaftueshëm për t’u ri-akredituar. Dekanja e Fakultetit të Filologjisë, Lindita Rugova, tha për Radio Kosovën se nuk kanë mundur të sigurojnë kuadro në atë kohë, por kanë pasur profesorë nga Evropa dhe nga vendi, të cilët dikur kanë studiuar gjuhët sllave.

“Në atë kohë ne nuk kishim, sepse fushat tona të studimit janë shumë iterdisiplinare. Por, ligji ishte ligj, hyri në fuqi dhe ne nuk i kishim tre persona me të cilët do të vazhdonim gjeneratën e dytë të atij programi, sepse gjenerata e parë shkoi, ata e përfunduan, sivjet kanë vitin e katërt”, deklaroi Lindita Rugova.

Rugova tha se nuk do të heqë dorë nga ky program dhe se pritet që vitin e ardhshëm akademik të konkurrojë përsëri për akreditim. Ajo tha se është në interes të të rinjve të mësojnë gjuhët e Ballkanit, pasi kanë për bazë hulumtimin shkencor dhe përkthimin.

“Sivjet jemi mbledhur dhe meqë kemi marrë kuadro të reja gjatë këtij viti, kemi mundësi një master të ri ose të vazhdojmë. Kur të përfundojë konkursi për avancime do ta kemi të qartë, pasi kemi tre ose katër doktorantë që janë para doktoraturës. Po përpiqemi që sivjet t’i bëjmë këta njerëz dhe unë personalisht nuk heq dorë nga ato studime ballkanike, sepse do të vijë koha kur të gjithë do të kërkojnë të studiojnë”, theksoi Lindita Rugova.

Njohësi i çështjeve të arsimit, Dukagjin Pupovci, tha se është mirë që në Kosovë të studiohen gjuhët e Ballkanit, për të njohur kulturat e tjera. Ai tha se është dëm që ka mungesë të kuadrit për këtë fushë.

“Mendoj se edhe shtetet e tjera të rajonit kanë studime të fokusuara në vendet e Ballkanit. Në mënyrë specifike kanë katedra të gjuhës dhe letërsisë shqipe, sepse mendojnë se një numër i njerëzve duhet ta njohë gjuhën dhe kulturën shqiptare. Është dëm i vërtetë nëse nuk paska kuadër për një program të tillë. Programe të tilla duhet të ekzistojnë, pasi që ne jetojmë në një rajon ku jetojnë popuj të ndryshëm ku duhet t’ia njohim edhe gjuhën, edhe kulturën e edhe letërsinë. Një program i tillë do të ketë një numër të kufizuar të studentëve aq sa do të mund të punësoheshin në Kosovë”, deklaroi Dukagjin Pupovci.

Programi “Ballkanistika” në Fakultetin Filologjik do të merret me studimet e gjuhëve, kulturën, gjeografinë dhe historinë e Ballkanit. Ideja për themelimin e këtij programi ka ardhur nga Departamenti i gjuhës shqipe, duke u bazuar në nevojat e zgjerimit të hulumtimeve shkencore si dhe për nevojat që ka tregu i Kosovës./KultPlus.com

Arta Dobroshi në kërcim për paqe me një prej njerëzve më të mirë në botë

Aktorja kosovare Arta Dobroshi tash e sa kohë është duke e realizuar kampanjën Jumping Joyfully For World Peace e cila po përzgjedhë persona të ndryshëm si pjesë të kësaj kampanje, shkruan KultPlus.

Së fundi ajo ka zgjedhë një prej njerëzve më të mirë në këtë botë, sipas saj. Është ky humanitari Fejz Bakalli.

“Me një prej njerëzve ma të mirë në këtë botë, me humanitarin Fejz Bakalli. Ti dhe Ginger keni ndihmuar shumë njerëz. Ju i sillni dashuri botës tonë. Faleminderit. Fotografia nga i mrekullueshmi Ginger Bakalli. Ju dua shumë të dyve me gjithë zemrën time!”, ka shkruar Arta në statusin e saj në rrjetet sociale. / KultPlus.com

Piktoret binjake nga Irani që po lënë nam në SHBA

Motrat binjake Safarani, të lindura në Iran, kanë pikturuar që kur ishin 13 vjeç. Ato u dashuruan me artin në Iran, por pas diplomimit në degën e pikturës të Universitetit të Teheranit, vendosën ta vazhdojnë arsimimin e tyre jashtë shtetit dhe u transferuan në Boston.

“Ne donim të lëviznim, të eksploronim dhe të ndryshonim mënyrën tonë të të jetuarit. …Dhe shkoi mirë. Këtu kemi shumë mundësi që nuk i kishim në Teheran, që mund të na ndihmojnë të zhvillohemi si artiste. Mund të krijonim çfarë të donim në Iran, por për t’i shfaqur disa nga ato piktura … kishte rregulla dhe kufizime”, thotë Bahareh.

Pasi përfunduan studimet pasuniversitare për artet e bukura në Universitetin Northeastern, dy motrat filluan të organizonin ekspozitat e tyre të para të veçanta. Jeta në Shtetet e Bashkuara u mësoi atyre se të qenit i suksesshëm nuk do të thotë vetëm të kesh talent. Për të patur sukses, është e nevojshme të takohesh me tregtarët e artit, të udhëtosh në të gjithë vendin dhe të japësh intervista. Sot, pikturat e motrave, që shprehin përqafimin e bukurisë me dhimbjen, janë bërë të njohura.

“Nëse gjithçka në botë do të ishte e përsosur, gjithçka të ishte e bukur, të gjithë të ishin të lumtur, kjo do të ishte koha kur nuk do të krijohej asgjë”, shpjegon Farzaneh.

Pikturat e tyre shiten mirë, pavarësisht çmimit të lartë – secila prej tyre kushton midis 12 dhe 30 mijë dollarëve. Disa krijime paraqiten si instalime video – një mënyre e re arti që Bahareh dhe Farzaneh e zbuluan në Amerikë.

“Sfida më e madhe për të gjithë ata që emigrojnë është që të përshtaten në vendin e tyre të ri. Në Iran, ne kemi mësuar artin tradicional; kur erdhëm këtu, eksploruam artin me video, artin e performancës. Kjo na çoi në një nivel krejt të ri”, thotë Farzaneh.

Motrat janë shumë të zëna me punimet e tyre. Çdo ditë ato planifikojnë ekspozita dhe takime të reja. Ekspozita e tyre e ardhshme do të jetë tani në vjeshtë, në Nju Jork. Dhe ato thonë se ky është vetëm fillimi./KultPlus.com

Misioni gjermano-shqiptar zbulon një vendbanim antik pranë Divjakës

Pranë qytetit të Divjakës janë zbuluar rrënojat e një vendbanimi antik, që ekipi i arkeologëve mendon se i përket gjysmës së dytë të shekullit VI p.e.s dhe ka qenë i banuar deri në shekullin III p.e.s, shkruan “WorldBulletin”.

Arkeologët shqiptarë dhe gjermanë kanë punuar për disa muaj në këto mbetje që mendohet se janë shtëpi rezidenciale, mure rrethuese dhe rrugë.

Qëllimi i këtij projekti është që të krijohet një hartë e Shqipërisë me të dhëna për zonat ku mund të ketë mbetje antike.

“Ajo që po përpiqemi të kuptojmë është se kush jetonte mes Apollonisë dhe Dyrrahut dhe se kush e ndërtoi këtë vendbanim. Babunja në Divjakë është përzgjedhur mes shumë zonave të tjera dhe për herë të parë po bëjmë këtu kërkime arkeologjike. Ky fshat kodrinor ka një organizim urban perfekt. Me një rrugë kryesore dhe 15 të vogla që të lidhura me atë në vendet e duhura”, thotë Manuel Fidler, një arkeolog i Universitetit të Berlinit.

Gërmimet në Divjakë po zhvillohen në pjesën kodrinore të zonës, ndërsa në qytetin antik të Arnisas do të vazhdojnë në muajt në vijim./KultPlus.com

Hapet në Hamburg ekspozita “25“ e artistit shqiptar Mentor Ejupi

Në lokacionet e Bankës së njohur të Hamburgut është hapur ekspozita „HASPA“ e artistit shqiptar Mentor Ejupit, i lindur në Prishtinë por që jeton dhe vepron nga dhjetori i vitit 1993 në metropolen europiane të Hamburgut.

Në bashkëpunim me bankën e njohur të qytetit – Port të Hamburgut, ku ne mesin e qindra artistëve u përzgjodh pikërisht artisti nga Prishtina e si arsye është merita e punës 25 vjeçare në këtë qytet. Puna e cila u paraqit sonte para artdashësve në korporatën e njohur është e gjitha e koncipuar nga Ejup – Toro në jetën e tij gjatë këtyre 25 viteve në Hamburg. Dashuria – Vuajtjet dhe shqetësimet tjera – janë motoja e kësaj ekspozite e cila përmbledhë gjithsej 25- së piktura të punuara në teknikën e vajit në kanavec.

25 është numri i pikturave të ekspozuara nga Ejupi si dhe janë 25 vite pune dhe aktivitete artistike të autorit në këtë qytet. Ekspozita ka të ndara dy cikle nga jeta e artistit, njëra është e bazuar në tingujt e albumit „Sarabande“ të gjenisë së pianos të muzikës Rok – Jon Lord ( Deep Purpel ) e komponuar dhe realizuar në vitin 1974 më orkestrën simfonike të Budapestit. E bazuar në muzikën e barokut ( Vallëzimi Sarabande i ndaluar nga Mbreti Philipp II në Spanjë në vitin 1583, ngase vallëzimi përmbante elemente të epshit dhe eksercizmit ). Suita e barokut ishte motivimi i Jon Lord si dhe kompozicionet e Bach, porse në rastin e Mentor Ejupi-Toro albumi „Sarabande“ luan një rolë krejt tjetër, atë të vetmin rol që ka është kujtimet dhe momentet nga më të ndryshmet nga adoleshenca dhe nga mosha rinore e tij që kishte kaluar në Prishtinë. Nga liqeni i Batllavës e deri tek demonstratat e studentëve.

Në ciklin e dytë është paraqitur një seri me një abstraksion konkret ( siç e quan autori i tekstit të katalogut Albert Böhl ) , vlerësim ky nga autori i kritikës i bazuar në përcjelljen e procesit të realizimit të pikturave , më tutje Böhl: „ Mund të shihet qartë se forma përfundimtare nuk është projektuar paraprakisht. Piktura u zhvillua në mënyrë të suksesshme, në mënyrë aktive të shoqëruar nga artisti. Sapo zbatohet ngjyra ajo provokon piktorin në lëvizjet ardhshëm të brushës. Formati i vendosur i ngjyrave, dinamika e brendshme e tij, veprimet e tij ishin analoge me proceset natyrore. Zonat e lyera me ngjyrë u kaluan, përsëri të kufizohen, për t’u pikturuar përsëri mbi kufijtë. Rastësia e punës dhe konceptit e ngiste atë.”

Ekspozita është hapur sonte në HASPA, Hamburg dhe do të jetë e hapur deri më 28.09.2018, kurse pesë punime do të jenë pjesë e korporatës të ekspozuara deri ne vitin 2028./KultPlus.com

S’kam pikë fuqie

Poezi e shkruar nga Nizar Qabbani.
Përktheu: Gili Hoxhaj

Unë nuk kam asnjë pikë fuqie për të të ndryshu ty
As për t’i shpjegu zakonet tua,
Kurrë mos besoni se një burrë mundet me e ndryshu një grua
Këta burra janë veç pretendues,
të cilët mendojnë që e krijuan gruan nga njëra brinjë e tyre.
Gruaja nuk del kurrë nga njëra brinjë e burrit,
është burri ai që del prej barkut të saj,
ashtu si peshku që ngrihet nga thellësitë e ujit
dhe si rrëketë që përhapen larg lumit.
Është ai që rrethon diellin e syve të saj
dhe imagjinon se është i fiksuar në vend.

Unë nuk kam asnjë pikë fuqie për të zbut’ ty,
as për t’i ndryshu institktet tua.
Kjo është një detyrë e pamundur
E kam testu inteligjencën time në ty,
edhe budallallëkun tim po ashtu.
Asgjë s’ka funksionu me ty, madje as udhëzimet
As joshja
Rri primitive ashtu siç je!

Nuk kam as fuqinë më të vogël për t’i prish zakonet tua,
për tridhjetë vjet ke qenë e tillë
Për tre qind vjet
një stuhi e futur në shishe,
një trup prej natyre që ndjen aromën e një burri
e sulmon atë natyrshëm
triumfon mbi të, natyrshëm.

Kurrë mos besoni atë që një burrë e thotë për veten
që është ai i cili i shkruan poezitë,
që është ai i cili i bën fëmijët,
Është gruaja ajo që i shkruan poezitë
ndërsa burri është ai që e vendos emrin e tij mbi to,
Është gruaja ajo që e bartë fëmijën
Dhe burri ai që nënshkruhet në spitalin e lindjes si babai i tij.

Nuk kam hiç fuqi për ta ndryshu karakterin tënd,
Librat e mij janë të padobishëm ndaj teje,
qëndrimet mija nuk të bindin ty
As këshillat atërore nuk të bëjnë ndonjë dobi,
Ti je mbretëreshë e anarkisë, e çmendurisë, e që nuk i përket askujt
Qëndro e tillë!
Ti je trungu i feminitetit që rritet dhe në errësirë,
S’të duhet diell, as ujë
Ti një princeshë e detit që i ke dashtë të gjithë burrat
dhe s’e ke dashtë asnjërin,
ke flejtë me të gjithë dhe me asnjërin prej tyre.
Ti je gruaja Bedouin që ka shkuar me gjithë fisin
Dhe është kthyer e virgjër,
Qëndro e tillë!

‘The Kosovo War’, libri me fotografitë e masakrave dhe tmerrit në Kosovë

Ekspozita e tij me fotografitë nga lufta e fundit në Kosovë është e bukur, por edhe e tmerrshme. Mizoritë serbe janë në secilën fotografi e cila dëshmon vuajtjen e shqiptarëve dhe luftën e gjenocidin e bërë nga serbët.

Fotografitë e Wade Goddard kësisoj do të jenë pjesë e një libri – “The Kosovo War” apo Lufta e Kosovës.

Goddard, 49 vjeçar, ishte njëri prej fotografëve ndërkombëtarë që e përcolli luftën në Kosovë. Libri i tij do të botohet me rastin e 20-të vjetorit të fillimit të luftës së përgjakshme në Kosovë.

Goddard është i njohur me tmerrin dhe vrasjet e masakrat, pasi e ka përcjellë edhe një pjesë të luftës në Sarajevë.
Goddard sot jeton në Dubrovnik, atje ku deri në fund të tetorit është e hapur ekspozita e tij me fotografitë nga lufta e fundit në Kosovë.

Këto janë disa prej fotografive që janë të përfshira në këtë libër që mbetet si dokumentim tjetër i gjenocidit dhe luftës që shqiptarët e përjetuan jo shumë kohë më parë nga forcat serbe. / KultPlus.com