Pak para vdekjes Nënë Tereza kishte kërkuar të vizitonte Shqipërinë

Fondi Arkivor online i Ministrisë së Jashtme kishte publikuar dokumentet, shkresa dhe letra të shenjtores shqiptare, Nënës Terezë, e cila ka kërkuar të vizitojë varret e nënës dhe motrës së saj që preheshin në atdhe.

Nënë Tereza nuk u lejua nga regjimi komunist asokohe të merrte pjesë në ceremonitë e tyre mortore, por prej vitit 1985, në Shqipëri nisi të kishte disi ndryshime. Sipas dokumenteve të kohës, kërkesa e parë u përcoll në ambasadën shqiptare në Romë, nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve Arbëreshë.

Në dokumente bie në sy përgjigja e saj në intervistën e dhënë për gazetaren e televizionit shtetëror shqiptar pyetjes lidhur me përshtypjet nga vizita e saj e parë në Shqipëri, ku rëndom dëgjoheshin vetëm vlerësime pozitive, Nënë Tereza do përgjigjej: “Nuk kam ditur më parë ç’ka qenë Shqipëria dhe nuk jam në gjendje të bëj një krahasim dhe të jap ndonjë përshtypje”.

Pas largimit nga Shqipëria, Nënë Tereza iu drejtua me një letër presidentit Ramiz Alia për të lejuar hapjen e një shtëpie në Tiranë për Misionaret e saj të Bamirësisë. Përgjigjja vonoi gjatë.

Vizitat e Misionareve të Nënë Terezës që prisnin në Romë, por edhe të vetë Nënë Terezës vazhduan në ambasadën shqiptare në Romë edhe në muajt në vijim për të marrë një përgjigje nga pala shqiptare.

Pas vizitës së Sekretarit të Përgjithshëm të OKB, Haver Perez De Kuelar, në Shqipëri në maj 1990 dhe ngjarjeve të korrikut në 1990, në tetor 1990 Alia përgjigjet se së shpejti do kishte një përgjigje pozitive për vizitën e Nënë Terezës në Shqipëri, shkruan lapsi.al. Po në tetor 1990, në Tiranë kopshtit të fëmijëve që u vizitua nga Nënë Tereza gjatë vizitës së saj të parë në Shqipëri i vihet emri i nobelistes per paqe “Kopshti Nënë Tereza”.

Në këtë periudhë pati zhvillime të reja politike në Shqipëri dhe po flitej zyrtarisht për lirinë e praktikimit të besimit dhe për veprimtarinë e institucioneve fetare. Këto rrethana lehtësonin edhe hapjen e Misionit të Nënë Terezës në Shqipëri. Përgjigjja nga shteti shqiptar vjen në nëntor 1990 sipas të cilës Nënë Tereza ishte e mirëpritur për një vizitë të dyte në Shqipëri, ndërsa për aktivitetin e Motrave të saj Misionare të Bamirësisë në Shqipëri duhej të ndryshonte në fillim legjislacioni ekzistues shqiptar që të lejonte këtë veprimtari. Vizita e dyte u zhvillua 1-5 dhjetor 1990.

Shtëpitë e Misionit të Bamirësisë së Nënë Terezës në Shqipëri do të fillonin aktivitetin e tyre në mars 1991 në Tiranë e në Shkodër./KultPlus.com

Ai donte vdekjen, Ajo veç jetën desh…

William Shakespeare

Ai desh vdekjen dhe premtimet e saj të zbehta,

Në jetën pa shpresë të një djaloshi në përgjërim,

Ai desh të vdiste, të ndahej veç prej hidhërimit,

Të harronte ditët e netët plot dhimbje e trishtim.

Ajo jetën desh ta gëzonte plot zjarr e harrim,

Donte njerëzit dhe vitet që shkonin plot gëzim,

Qe dhurate prej qiellit e qeshur plot gajret,

Lule e pavyshkur në daç në shi a erë me tërbim.

Por një ditë prej ditësh gjithçka ndryshoi rrjedhë,

Dashuria keq i përfshiu dhe nuk ditën a benë mirë,

Se ajo shumë donte jetën e ai vdekjen fort e desh,

Cili nga të dy nga kjo betejë më i fortë do dil ?

Duheshin aq shumë sa çdo gjë do sakrifikonin,

Çdo gjë përreth familje e miq gati të mohonin,

Gjithçka për tu dashur se ajo qe pasuri e tyre,

Por ajo desh jetën te gëzonte e ai vdekjen desh …

Sa të ndryshëm po aq edhe të afërt në gjithçka,

Për dashurinë e çmendur mes tyre merreshin vesh,

Por njeri veç për vdekjen ëndërronte të ikte fluturim,

E tjetra të jetonte me të desh, pa brenga e hidhërim.

Por historia ka një fund : të ndaheshin me shtrëngim,

Ata që kishin premtuar besnikëri gjer në amshim,

E sot në dhimbje e torturë djaloshi jetën po e shkon,

Nga që vajza për të në qiell lart ka shkuar fluturim …

Ai donte vdekjen, ajo jetën veç desh,

Ai për të jetoi, ajo për të dha shpirt …

Dokumentari për Led Zeppelin në nderim të 50 vjetorit të bendit

Dokumentari i ri për bendin legjendar britanik, Led Zeppelin, do ta shënojë 50 vjetorin e themelimit të tyre.

Nën regjinë e Bernard MacMahon, ky projekt ende i patituluar përcjell ngritjen e të katër anëtarëve të grupit përgjatë viteve të 1960-ta.

Ky dokumentar gjithashtu mbulon vitet e hershme të bendit duke kulmuar me albumin e vitit 1970, “Led Zeppelin II”, që çimentoi reputacionin e tyure duke rrëzuar albumin e The Beatles, “Abbey Road” nga maja e toplistave amerikane, shkruan NMË.

Aty po ashtu do të ketë intervista edhe me Robert Plant, Jimmy Page dhe John Paul Jones, si dhe do të shfaqen intervista të papara më herët të të ndjerit John Bonham.

Për momentin, ky projekt është në post-produksion, dhe konceptin e tij e kanë sjellë Bernard MacMahon dhe Allison McGourty.

Komuna e Gjilanit shpall të hapur propozimet për çmimin letrar Beqir Musliu

Mbështetur në Rregulloren e Kuvendit komunal të Gjilanit , për dhënien e titujve të nderit, Çmimeve si dhe Mirënjohjeve institucioneve apo personave që kanë kontribuar në fusha të ndryshme të jetës sonë dhe, në të mirë të qytetarit e në veçanti të Komunës sonë, shpallim të hapura propozimet për Çmimin letrar “Beqir Musliu”, për vitin 2019 dhe atë nga data 10 – 25 maj.

Inkurajohen asociacionet e ndryshme letrare, brenda e jashtë komunës, shtëpitë botuese si dhe institucionet bibliotekare që t’i përgatisin dhe përcjellin propozimet e veta në Zyrën e Kryetarit të Komunës së Gjilanit, përmes Qendrës për Shërbim Qytetar, sipas Rregullores dhe afatit të paraparë.

Të interesuarit mund t’i propozojnë shkrimtarët e gjithë hapësirës shqiptare, të cilët kanë rrumbullakësuar një karrierë të begatshme letrare, kanë dëshmuar cilësi krijuese e në veçanti, prurje të reja letrare – artistike duke e zhvilluar dhe afirmuar në kufij nacional dhe përtej, letërsinë tonë, në fushën e poezisë, prozës, dramës si dhe studimeve letrare.

Shkrimtarët e propozuar duhet të jenë mbi moshën 60 vjeçare.

Propozimeve iu bashkangjitet edhe një arsyetim i përmbajtësor për jetën dhe krijimtarinë letrare të të propozuarit, duke u fokusuar në arrtitjet dhe prirjet e reja letrare.

Zyra e Kryetarit, ashtu si e parasheh Rregullorja, në bashkëveprim me Ars Clubin “Beqir Musliu” si dhe institucionet kulturore komunale, përmes një Jurie Letrare, më 11 qershor 2019, shpall emrin e fituesit të ri ndërsa për ceremoninë e dhënies, sipas pajtimit me autorin dhe me palët tjera që e organizojnë dhënien e këtij Çmimi, cakton datën dhe për këtë njofton me kohë publikun dhe pjesmarrësit e Ceremonisë./KultPlus.com

Intervista me motrat e mbretit Zog në Marsejë

“Excelsior” ka botuar, të mërkurën e 5 korrikut 1939, në ballinë, intervistën ekskluzive të gazetarit André Guerber me motrat e mbretit Zog, Ruhijen, Myzejenin dhe Maxhiden, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Në Marsejë, tri princesha të reja ecnin në natën e mjegullt…

… Ato ishin motrat e mbretit të Shqipërisë në kërkim të një toke strehimi.

(Nga i dërguari ynë special)

Marsejë, 4 korrik. — Nata sapo ka rënë në Portin e Vjetër dhe, tashmë, Notre Dame-de-la-Garde është zhytur në errësirë. Ura kaluese e trageteve, aq e lëvizshme ditën, duket e vdekur, interte.

Por nga larg duket silueta e “Cairo City”, që vjen nga Athina, me, në bord, tri princeshat në mërgim : motrat e ish mbretit Zog të Shqipërisë.

Pak nga pak, anija u afrua në bregun e errët dhe të trazuar. Udhëtarët fillojnë të zbresin, për të shkelur tokën franceze. Në zbarkim, pak njerëz në pritje të udhëtarëve. Duket se ne e kemi harruar tashmë ditën kur Shqipëria u fshi nga harta e kombeve të pavarura.

Tri gra sapo arritën në dalje, tri brune me sy të zjarrtë, të veshura me pallto prej gëzofi. Të zbehta, pak të brengosura, ato i japin njëra-tjetrës krahun e tyre, dhe shikojnë, të magjepsura, qytetin e madh, Marsejën ! Tirana gjendet larg me sheshin e madh dhe xhaminë e saj !

Sot, është një tokë miqësore, por gjithsesi një vend strehimi, i cili i mirëpret.

Ato që ishin tri amazonat e Evropës nuk janë më veçse gra si të tjerat.

Ato hezitonin të largoheshin. U afrova dhe pashë në sytë e tyre një trishtim të pafund.

Më e madhja nga të tri motrat, Myzejeni, më pak melankolike, ndoshta se dy motrat e saj, e kishte vënë re lojën time. Ajo buzëqeshi dhe pastaj foli ngadalë, duke kërkuar fjalët e saj :

— “Në emër të vëllait tonë, mbretit Zog,” tha ajo, “dhe në emrin tonë, ne e falënderojmë Francën për pritjen e saj të përzemërt për të mërguarit e shkretë që po kërkojnë një vend azili. Që nga pushtimi i vendit tonë nga italianët, ne vazhdojmë të udhëtojmë nëpër vende të huaja në kërkim të harresës.”

Tani fola me princeshën Maxhide, më e bukura nga tri motrat, e cila dukej e tronditur.

— A keni ndërmend të qëndroni në Francë?

— Jo, jo për momentin; ne do të largohemi pas disa orësh për në Angli, ku qeveria e Madhërisë së Saj na ka ofruar me mirësi një mikpritje bujare.

Princeshat e tretë shqiptare që do të përgjigjet, Ruhija, fillon, gjithashtu, duke buzëqeshur.

— “A keni menduar,” e pyeta, “të qëndroni përgjithmonë në Angli” ?

Me këtë pyetje, buzëqeshja e saj simpatike u zhduk për t’u zëvendësuar me një shprehje urrejtjeje të ashpër. E preka në një pikë të dobët…

— “Ndoshta imagjinojnë,” vazhdoi ajo, “se vendi ynë është pushtuar përfundimisht dhe i nënshtruar ndaj italianëve. Çfarë gabimi ! Asnjëherë, shikoni, se ne nuk e kemi humbur shpresën në popullin tonë. Ai, ashtu si ne, ishte i befasuar dhe nuk mund t’i rezistonte të gjithë këtij dislokimi të forcave luftarake. Por sot, ai po zgjohet nga gjendja e tij letargjike dhe ka filluar të reagojë, kështu pushtuesit mund të fillojnë ta marrin vesh.”

— Kur mbreti Zog, vëllai juaj, do të bashkohet me gruan dhe fëmijën e tij pranë jush ?

Pyetja ime mbeti pa përgjigje. Por, para ardhjes së princeshave të Shqipërisë, kisha dëgjuar një bisedë mes dy burrave që duhej të ishin shumë të informuar. Njëri foli anglisht, ndërsa tjetri serbisht; nëpërmjet një përkthyesi, kuptova se mbreti së shpejti do të bashkohej me motrat e tij në Angli.

Por tashmë të tri princeshat ishin larguar, nisur drejt një vendi azili, që ato do ta braktisin një ditë, nëse fati dëshiron…

André Guerber/KultPlus.com

“Pristine Conditions” me koreografi të Arthur Kuggeleny do të prezantohet nesër me premierë

“Pristine Conditions” me koreografi të  Arthur Kuggeleny do të prezantohet nesër me premierë

Arthur Kuggeleny nesër do të prezantojë punën e tij koreografike që e ka realizuar tash e sa kohë brenda Baletit Kombëtar të Kosovës e për audiencën kosovare do të vjen premierë nëpërmjet shfaqjes “Pristine Conditions”.

Është hera e tretë që koreografi Arthur Kuggeleny po vjen me punën e tij në Kosovë, mirëpo shfaqja e tij e fundit po shënon premierën e dytë për këtë sezon në kuadër të këtij institucioni kulturor.

“Jam shumë i emocionuar, mezi po pres të shoh reagimet e publikut nga kjo shfaqje”, ka thënë Arthur Kuggeleny, i cili tha që ndjehet i lumtur për rikthimin e tij në Prishtinë, tash e tri herë. Ai ka thënë se nëpërmjet kësaj shfaqje ai do të sjellë një ndjenjë ndryshe dhe ka shprehur dëshirën që këtë shfaqje ta shohin sa më shumë njerëz.

Në anën tjetër, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi ka thënë se me këtë premierë do të prezantohen në mënyrën më të mirë.

“Kjo është premiera e dytë për vitin 2019, jam i bindur që nesër para publikut do të dalim në mënyrën më të mirë të mundshme” tha Kajtazi.

Ai po ashtu shtoi që Arthur është një koreograf i njohur evropian dhe se që nga 1 prilli është duke u përgatiture për këtë shfaqje.

“Arthuri është një koreograf i njohur evropian, ne jemi me fat qe kemi punuar me të, jam shumë i bindur që nesër do të prezantohemi me një shfaqje të re” u shpreh ai.

E balerini Kreshnik Musolli tha që për të ka qenë një përvojë e mirë pjesëmarrja në këtë shfaqje.

“Ka qenë përvojë e mirë sepse është stil i veçantë i tij dhe jo gjithçka është e përgatitur paraprakisht”, ka thënë Musolli, duke shpjeguar se çdo ditë kanë zbuluar diçka të re me këtë koreograf, duke nisë nga lëvizjet e vogla për ti shndërruar më pas si pjesë të rëndësishme të projektit.

Kjo premierë shfaqet të enjten, në ora 20:00, kurse reprizat e kësaj shfaqje do të jenë në kuadër të Baletit Kombëtar të Kosovës. / Gzim Mujaj/ KultPlus.com

Piktori i madh i vetmisë

Vazhdojnë të mbesin enigma, si mjeshtri danez Vilhelm Hammershoi ashtu edhe enterierit e tij. Kritikja e artit, Cath Pound, përpiqet të zbërthejë këtë mister. Pjesë të shkrimit të saj, Telegrafi ua sjell më poshtë.

Pavarësisht nëse pikturonte një stufë në qosh, një divan ose një seri të dyerve të bardha, artisti i madh danez i shekullit XIX, Vilhelm Hammershoi, arrinte të mbushte objektet e zakonshme në dhomat gjysmë të zbrazëta me “një cilësi jo të kësaj bote, me një refleksion të ekzistencës sublime”, siç ka thënë më 1916, historiani i artit Julius Elias.

Ndonëse opusi i tij përfshinte portrete enigmatike, peizazhe dhe pamje të qytetit, si dhe një sërë aktesh unike, janë enterierët misterioze të bëra me ndjesi me nuancat bardhë dhe gri, shpesh me një grua që shihet nga pas, ato të cilat e afrojnë me audiencat bashkëkohore, që nga dalja e tij nga errësira 20 vjet më parë.

“Interior, Strandgarde 30” (1901), ku gruaja rri në hije, është shembull se si evokohet vetmia në mënyrë mjeshtërore

“Shohim miliona imazhe çdo ditë dhe shumica e tyre janë të tmerrshme. Dhe, pastaj e vëni veten përpara një enterieri të zhveshur të Hammershoit ku – pa dashur që të tingëllojë kjo si diçka triviale – është sikur të jesh në një mësim të jogës. Duhet të hiqni gjithçka nga vetja për t’iu kthyer esenciales”, thotë Jean-Loup Champion, kurator i ekspozitës “Hammershoi, mjeshtër i pikturës daneze”, që do të jetë e hapur deri në nëntor në Muzeun Jacquemart-Andre të Parisit.

Ato janë imazhe që kërkojnë të zhytesh qetë në mendime, edhe pse ndjesia e parë e qetësisë shpesh hap rrugë për diçka më shqetësuese.

Hammershoi po ashtu bënte peizazhe të papopulluara, si kjo e vitit 1888, në një zonë të Virumit, në veri të Kopenhagës

Hammershoi pikturonte në një kohë kur interierët ishin motiv mjaft popullor. Shtëpia shihej si strehë nga rritja e industrializimit dhe artistët portretizuan me entuziazëm konceptin e zbukurimit të hygesë (nga fjala daneze “hygge” që nënkupton momentin e rehatisë së madhe – v.j.) në piktura. “Por, nuk mund ta ndjeni këtë para Hammershoit”, thotë Champion.

Hammershoi duket se ka qenë i heshtur, i qetë dhe i rezervuar po si art i tij. Kishte një rreth të vogël dhe të ngushtë familjarësh dhe miqsh, shumë prej të cilëve shfaqeshin në punën e tij, por në përgjithësi jetoi në vetmi duke u shfaqur pak në publik.

“Pushimi” (1905) është shembull i rrallë i pikturave të Hammershoit që projekton prehjen dhe ngrohtësinë

Nga viti 1898 e deri më 1909, shtëpia e tij ishte një apartament në Kopenhagë, ku pikturoi shumicën e enterierëve. Duke favorizuar një estetikë të rreptë, banesa e tij dallonte nga enterierët e shumicës së klasës së epërme të mesme. Mobilet ishin minimale dhe këto veçanti potencoheshin kur paraqiste gruan Ida, shpesh me shpinë të kthyer. Ndonëse gratë ishin shumë prezentë në pikturat e Epokës së Artë Daneze, duke ofruar ngrohtësi e intimitet, asnjë nga këto elemente nuk është e pranishme në punën e tij. Prezenca e Idas nuk i jep jetë enterierëve, sepse mbesin të paarritshme dhe të paqarta po si ajo.

Hammershoi mund të ketë përmbysur motivet e paraardhësve holandezë dhe danezë, por në fakt mund të shihet si paraardhës i Edward Hopperit. Championi pajtohet se ata “kanë të njëjtin siklet”. Duke bërë krahasime me punën më të famshme të Hopperit, “Nighthawks” (1942), ai thotë se “është gjithmonë një çështje e të qënit i vetëm, se ndihesh i vetmuar kur ndodhesh para këtyre pikturave”. Megjithatë, e sheh Hopperin më empatik kur portretizonte ankthet e tij.

Ida me dy kunatat e saj, në portretin familjar “Tri gra të reja” (1895)

Me Hammershoin na mbetet të projektojmë emocionet tona në piktura edhe nëse ato janë shpesh me ankth dhe shqetësime të cilat ndoshta thonë më shumë për kohën e trazuar në të cilën jetojmë sesa për qëllimet e padepërtueshme të mjeshtrit danez. Edhe pse Hammershoi jetonte në kohën kur danezët po luftonin me humbje të konsiderueshme territoriale dhe tensione brenda Evropës, është e mundur që shikuesit bashkëkohorë të reagojnë në mënyrë të njëjtë si të tjerët dikur. Por, aftësia e tij për të nxjerrë ndjenja nga ne nuk është esenca e vetme e punës të tij. “Natyrisht, nuk duhet të harrojmë se pikturat e tij janë shumë të bukura”, thotë Champion.

Emil Hannover, historian i artit dhe mik i Hammershoit, e kishte parë punën e tij si “protestë e heshtur kundër të gjitha gjërave pa shije e pa finesë të kohës sonë”. Në kohën tonë që është ma pa shije e ma pa finesë se fundi i shekullit XIX dhe fillimi i shekullit XX në Danimarkë, në të cilën dëshirojmë të pastrojmë shtëpitë nga blerjet e panevojshme dhe mendjet tona nga shpërqendrimet e kota, ndoshta nuk është befasuese që pikturat e tij të rezonojnë aq thellë. Ai është piktori për të cilin kemi nevojë sot. /Telegrafi/ KultPlus.com

Të premten hapet ekspozita e radhës nga Vigan Nuza

Artisti Vigan Nuza do të hapë ekspozitën e tij të radhës.

Nuza, me datë 10 maj do të hapë ekspozitën “Shine” në Prishtinë, në lokalin ‘Argjendaria Dua’, përballë ndërtesës së Komunës së Prishtinës.

Ekspozita hapet në ora 16:00, ndërsa Nuza është përkujdesur që edhe kësaj radhe të na befasojë me një hulumtim rreth trashëgimisë kulturore, që lidhet edhe me lokacionin ku do të mbahet ekspozita, shkruan KultPlus.

Gurët e çmuar janë kësaj here inspirimi i Nuzës, sidomos një i tillë i cili ka vlerë shumëvjeçare, punuar nga dora e njeriut. / KultPlus.com

Krijime të 72 artistëve, vijnë në Galerinë Qahili përmes ekspozitës ‘Unusual Message’

Me 16 maj 2019, duke filluar nga ora 19:00, në Galerinë Qahili hapet ekspozita Unusual Message. Kjo ekspozitë shpalos krijime të 72 artistëve e njëkohësisht profesorëve të 12 Universiteteve të ndryshme të botës.

Punime që përmbajnë njërën nga elementet, si hutin, librin, gjethet e ullirit, kafkën e deles, veja, shenja @, korbi, kanaqja, kapsja e letrave dhe retë krijojnë imazhe paradoksale dhe surreale. Elemente të jetës së përditshme kthehen në diçka artistike e rrëfejnë tema aktuale, ikonografi religjioze, natyrën dhe humorin. Artistët nga Bosnja dhe Hercegovina, Kina, Qipro, Franca, Irani, Korea, Meksika, Polonia, Rumania, Turqia, Amerika dhe Kosova tregojnë ngjarje me anë të dy përceptimeve dhe interpretimeve të ndryshme.

Kjo ekspozitë u mbështet nga Rektorati i Universitetit të Prishtinës dhe Komuna e Prishtinës. /KultPlus.com

Ramë Lahaj me “La Traviata” në Teatrin e Los Angeles

Tenori i njohur shqiptar do të ngjitet së shpejti në skenën e Teatrit në Los Angeles, shkruan KultPlus.

Në këtë teatër ai do të luaj në shfaqjen “La Traviata”, dhe për këtë angazhim ka njoftuar vet Lahaj nëpërmjet faqes së tij në facebook.

Lahaj ka bërë të ditur se për këtë paraqitje është ftuar nga artisti i njohur Placido Domingo, kurse për detajet e tjera se kur do të jetë kjo shfaqje, ai ka thënë se do të bëhet e ditur së shpejti./KultPlus.com

Olsi Beçi, fotografi i suksesshëm që u bë kineast i madh

Olsi Beçi është një nga personazhet e famshme të televizionit shqiptar, fama e të cilit ka shkuar përtej kufijve të Shqipërisë. Olsi ia ka dalë të fitojë një emër në Shqipëri si fotograf dhe kineast i talentuar. Para se të bëhej i njohur për publikun shqiptar në shkallë kombëtare nëpërmjet emisioneve të suksesshme të TV Klanit si “E Diela Shqiptare” dhe “Kënga Magjike”, Olsi Beçi e filloi karrierën e tij në Itali si fotograf para 10 vitesh. Pas rikthimit në Shqipëri, cilësohet si një nga fotografët më të mirë dhe avancon karrierën e tij në art dhe film duke bërë filma dokumentarë. Pas pjesmarrjes dhe suksesit të tij në programin televiziv “E Diela Shqiptare” bashkë me gruan Ariola, bëhen dy personazhe shumë të njohur dhe të dashur për publikun shqiptar.

Një nga filmat e tij që bëri bujë në skenat botërore dhe festivalet ndërkombëtare është filmi “The Other Face” me regjisore Arsa Gashi. Filmi mori çmimin e skenarit të kinemasë botërore “World Cinema Screenwriting Award” në Festivalin e Filmit të Amsterdamit.

Një tjetër film dokumentar po aq i suksesshëm i tij është “Childhood held hostage” (Fëmijëria e Mbajtur Peng) që u nominua për çmimet Kult dhe Doku Fest. Ndërsa në 2019 u vlerësua me çmimin “Ekselencë në film” dhe “Video më e Mirë” për Eko Movie 2019, për mbrojtjen e kauzës “Lumenjtë e pastër”. Pasi korri sukses me çmimet e para në festivalet kombëtare shqiptare në Shqipëri dhe Kosovë, Olsi Beçi debutoi me projekte ndërkombëtare në skenën botërore. Ia vlen për t’u përmendur video-projekti për Lonely Planet, një bashkëpunim me Leon Cika, për turizmin e huaj në rivierën shqiptare si dhe projekti kulturor për mbrojtjen e monumenteve të lashta bizantine në Shqipëri. Si dhe bashkëpunimet me UNICEF, Google, dhe NATO e bënë akoma edhe më të njohur.

“Me Leonin kemi shumë vite që bashkëpunojmë në disa projekte mjaft të rëndësishme si për artin, kulturën dhe filmin shqiptar. Kemi marrë pjesë si juri në shumë aktivitete si edhe kemi konkuruar me punën tone artistike në disa galeri. Në veçanti projekti për Lonely Planet që kemi bërë së bashku ka qenë me shumë rëndësi për Shqipërinë sepse e caktoi vendin tonë si një ndër 10 destinacionet botërore për t’u vizituar. Kjo ka ndihmuar në zhvillimin e sektorit të turizmit në Shqipëri duke i dhënë një imazh cilësor vendit para botës. Dhe me të vërtetë Shqipëria është një qendër kulturore turistike me një pasuri të madhe kulturore dhe historike. Ndjehem krenar që me projeket e mia si për Google dhe NATO kam përfaqësuar Shqipërinë në arenën botërore,” tha Olsi Beçi.

Sot Olsi Beçi respektohet dhe adhurohet në Shqipëri por edhe në botë për fotografitë e tij mahnitëse dhe stilin e dokumentarit dhe videove të stilit film. Mënyra se si Olsi Beçi i tregon historitë përmes filmave dokumentarë është shumë unike. Ai din se si ta mbaj audiencën të mbërthyer në ekran në emocionet e personazheve, duke shpalosur teknikën dhe stilin e tij prapa kamerës. Olsi është një fotograf i preferuar për Vipat dhe celebritetet e njohura shqiptare si dhe është një filmbërës mjaft i talentuar. Është nominuar Videografi më i Mirë (Best Cinematographer nga VIP Magazine dhe Artisti i Vitit 2019 nga NY Elite Magazine. Po ashtu ka fituar çmimin Ekselencë në Kinemane dhe Televizionin Shqiptar (Excellence in Albanian Cinema and Television) nga Albanian Excellence, Arritje në Art nga Nato (Award for Art Achievement) si dhe arritje të shkëlqyer artistike dhe ekslenencë në art (Outstanding Artistic Achievement and Excellence in Arts) me rastin e ditës botërore të OKB-së të kreativitetit dhe inovimit.

“Për vitin 2019 jam i angazhuar me disa projekte të rëndësishme në Europë dhe Amerikë. Jam i lumtur të jep pjesë e jurisë Miss Universe Albania; fotograf dhe juri te Ekspozita ndërkombëtare e Gruas të Suksesit Shqiptar që do organizohet nga nga Albanian Excellence në qershor 2019. Si dhe do jem pjesë e ekipit prestigjioz si fotograf zyrtar i festivalit International Filmmaker Festival of New York në maj 17-21, 2019. Po ashtu do jem pjesë sërish e projektit NATO Run kësaj rradhe në Budapest në tetor 2019 si fotograf/videograf dhe producent. Shpresoj që nëpërmjet artit tim të përcjell te publiku emocione të fuqishme, kënaqësi dhe mesazh inspirimi,” shtoi Olsi Beçi.

Nga Ermira Babamusta

“Të pasurit, vetëm kur sëmuren e kuptojnë paaftësinë e të mirave materiale”

Disa thënie të mrekullueshme nga Charles Caleb Colton.

“Nuk është mirë të heshtim nëse jemi të mençur, por nëse nuk jemi aq të mençur, atëherë më mirë është të heshtim.”

“Pasuria mund të na aftësojë të bëjmë favore; por hirin pasuria s’na e jep”.

“Shumë prej atyre që ditët u duken të gjata, jeta u duket e shkurtër.”

“Librat, sikur shokët, duhet të jenë të pakët dhe të zgjedhur mire. Sikur shokët, gjithashtu, duhet tu kthehemi atyre përsëri dhe përsëri, sikur shokët e vërtetë asnjëherë nuk do të na zhgënjejnë – asnjëherë nuk do të ndalojnë të na udhëzojnë – asnjëherë nuk do të mërziten.”

“Shumë libra nuk kërkojnë mendime nga ata që i lexojnë ato, dhe për një arsye të thjeshtë; ato nuk bënë një kërkesë të tillë nga ata që i shkruan.”

“Provime janë të tmerrshme edhe për më të përgatiturit, sepse edhe më budallai ndër budallenjtë mund të formulojnë pyetje, të cilave, as më i zgjuari ndër të zgjuarit nuk është i aftë t’u japë përgjigje.”

“Miqësia përfundon shpesh në dashuri, ndërsa e kundërta nuk ndodhë kurrë.”

“Korrupsioni është si orteku i borës: pasi nis të rrotullohet mund veç të rritet.”

“Trupi dhe mendja, si burri dhe gruaja, jo gjithmonë janë dakord të vdesin bashkë.”

“Askush nuk i do më shumë sekretet se ai që nuk ka në mend t’i mbajë.”

“Ka një paradoks tek krenaria: disa persona i bën qesharakë e për disa të tjerë kujdeset që të mos bëhen.” / KultPlus.com

121 foto të zonjave shqiptare në 121 histori suksesi në shekullin XXI

Albanian Excellence do të çelë këtë fund qershori në Tiranë një Ekspozitë Ndërkombëtare kushtuar suksesit të gruas shqiptare kudo është. Ky është një event logjik dhe shumë i rëndësishëm i punës më se shtatë vjeçare që kjo Qendër ka realizuar nga krijimi i saj , në nëntor të vitit 2012, në 100 vjetorin e shtetit shqiptar, duke krijuar një data base të vyer suksesi, tashmë edhe për ta treguar në foto, ka njoftuar Flora Nikolla, organizatore e këtij eventi të madh.

Ky është një gëzim pune në fakt për stafin e Albanian Excellence, sepse zonjat që do të jenë pjesë e kësaj Ekspozite, janë më së shumti histori suksesit të zbuluara e të hulumtuara prej saj, të nderuara nga Albanian Excellence me tituj, medalje dhe ajo që është më e rëndësishmja, të intervistuara dhe të botuara në librat e Albanian Excellence, të cilat deri më tani arrijnë në nëntë botime shumë cilësore. Në fakt prej rreth një viti drejtuesit e kësaj qendre kanë pohuar në disa media se , “tashmë ka ardhur koha që historitë e suksesit të hulumtuar dhe intervistuar nga Albanian Excellence të dalin nga librat dhe të jenë në ndihmë e në mbështetje të komunitetit”.

Kjo Ekspozitë , duket një tentativë më shumë drejt kësaj iniciative shumë të vyer pas krijimit në dhjetor të vitit të kaluar të orkestrës Albanian Excellence, me pjesëmarrjen e instrumentistëve shqiptarë në botë kurorëzuar me një koncert të organizuar nën kujdesin e Presidentit të Republikës, shkëlqesisë së tij , z.Iir Meta , apo edhe me krijimin në mes të muajit prill të Aleancës Globale ët Gruas së Suksesit shqiptar, një organizëm vullnetar për marrjen e iniciativave globale në mbështetje të gruas shqiptare kudo është.

Janë 121 zonja të suksesit shqiptar 2019, që do të marrin pjesë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Gruas së Suksesit Shqiptar, që do të hapet në Tiranë në kuadër të vitit 2019, shpallur si , “Viti i Gruas nga Albanian Excellence” dhe në kuadër të Çmimit të madh të dhjetorit , “Zonjat që bëjnë Shqiptarinë “.

Ekspozita mendohet të çelet në 30 qershor në Tiranë, në një vend të rëndësishëm me pjesëmarrjen e personaliteteve të rëndësishme të jetës së vendit , por që do të vijojë të prezantohet mbi bazë të një axhende që është duke u përpunuar në shumë vende në botë. Ajo që ka shumë rëndësi është edhe fakti se, tema e Fotografisë është prezantimi i Zonjave shqiptare që i përkasin , të gjitha trojeve shqiptare dhe të gjitha vendeve të botës është prezantimi artistik përmes detajit i cili tregon dhe shpreh suksesin.

Kjo Ekspozitë pas qëndrimit të saj në Tiranë prej disa ditësh , do të vijojë të hapet në disa vende të tjera si në Prishtinë, Ulqin, Strugë, Zvicër , SHBA, me idenë e botimit të këtyre fotove në një album fotografik që do të mbajë autorësinë e Albanian Excellence.

Të gjithë fonografët që do të jenë realizues të fotove të këtij eventi do të jenë autorë të shpallur të tyre duke gëzuar të gjitha të drejtat autoriale. Ndërkohë një grup fotosh do të realizohen dhe nga fotografi zyrtar i Albanian Excellence, Olsi Beci.

Ne mesin e muajit Prill, Albanian Excellence, organizoi me sukses të plote Konferencën Ndërkombëtare, “Vlera e të qenit grua në shekullin e XXI”, një aktivitet nga e cila u krijua Aleanca e Gruas së suksesit shqiptar në botë si dhe u rivitalizua nënshkrimi i Peticionit “Në Mbështetje të grave të dhunuara gjatë luftës së Kosovës së vitit 1999”, një iniciative e Albanian Excellence që nisi në qershor të vitit të kaluar në Nju Jork të SHBA.

Albanian Excellence metodikën e saj në mbështetje të Gruas mbarëshqiptare e mbështet në Memorandumin e nënshkruar tri vite më parë 2016, në Manhattan –Nju Jork, kur u nënshkrua Memorandumi, “Të qenit grua në shekullin e XXI”. Ky memorandum i organizuar në kuadër të Mbrëmjes Gala që promovoi librin , “Zonjat shqiptare në Nju Jork”, u nënshkrua në prani të Presidentit të Republikës së asaj kohe Shkëlqesisë së tij zotit, Bujar Nishani.

Në këtë kuptim, të gjitha aktivitetet e zhvilluara në vijimësi të këtij eventi i cili u komentua për suksesin e tij absolut, janë në përputhje me nënshkrimin e këtij memorandumi. Një vit më parë në këtë kuadër, Albanian Excellence organizoi në Hotel Sheraton në Tiranë, aktivitetin shumë planësh , Zonjat që bëjnë Shqipërinë, kur u nderuan me këtë titull të paktën 23 zonja shume të rëndësishme të jetës shumë planëshe shqiptare. Këtë dhjetor, po në këtë kuadër, në një mbrëmje Gala në 12 dhjetor, do të shpallet çmimi mbarëkombëtar, “Zonjat që bëjnë Shqiptarinë”, në disa fusha. Ky është i pari çmim i këtij lloji që promovon gruan shqiptare dhe suksesin e saj kudo ajo është./KultPlus.com

Shqipëria e viteve 1928 në arkivin e dy diplomatëve

Pietro dhe Larissa Quaroni, duken të pashëm teksa pozojnë veshur me veshjen karakteristike shqiptare. Shqipëria do ti joshte gjithnjë me kulturën dhe folklorin e saj. Gjatë qëndrimit të tyre në Shqipëri ata donin të mësonin gjithcka për këtë vend.

Pasioni i tyre i madh ishte fotografia. Një arkiv i pasur fotosh dëshmojnë një nga periudhat më interesante të vendit. Nga data 14 maj deri më 29 Qershor, në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD), në bashkëpunim me Ambasadën Italiane dhe Institutin Italian të Kulturës do të prezantohet koleksioni i arkivit personal fotografik të Pietro dhe Larissa Quaroni-t. Fotografitë janë bërë nga çifti Quaroni gjatë misionit të tyre diplomatik në Ambasadën e Italisë në Shqipëri në periudhën 1928 – 1931 dhe pjesa më e madhe e tyre ekspozohet për herë të parë për publikun.

Në ekspozitë do të shfaqen përreth 85 fotografi të përmasave të ndryshme, të shoqëruara nga dy dokumetarë të të njëjtës periudhë dhe për herë të parë jepet mundësia të shihet në tërësinë e tij arkivi i pasur (mbi 750 fotografi) i digjitalizuar për këtë rast. Vizitorit i jepet mundësia të zbulojë ngjarjet, personat, jetën e përditshme, peizazhet dhe traditat shqiptare, të para e të jetuara nga çifit Quaroni në një kontekst historik dhe social, i cili paraqet shumë interés: pamje befasuese dhe autentike, një vështrim i mirëfilltë dhe jo fort i zakontë, në mënyrë të veçantë mbi figurat politike dhe personazhet që kanë dominuar skenën shqiptare përgjatë viteve ’20 dhe ’30.

Arkivi është ruajtur në Itali nga familja Quaroni dhe është sjellë në Shqipëri nga mbesa e Pietro dhe Larissa Quaroni-t, Cristina Quaroni, e cila, nëntëdhjetë vjet pas gjyshërve të saj, vjen në Shqipëri si bashkëshortja e Ambasadorit të Spanjës. Ekspozita është, pa dyshim, një mënyrë për të nderuar kujtimin e gjyshërve të saj, por në mënyrë të veçantë ka për qëllim të vërë në dispozicion të studiuesve shqiptarë dhe italianë një pasuri me vlerë historike/Shqip./ KultPlus.com

‘Pranë burimit dorë për dore, hidhet vallja popullore’ (VIDEO)

Kush kujton Akordet e Kosovës, e kujton një këngë shumë të veçantë nga ky festival.

Në vitin 1984, kënga “Vallja popullore” kënduar nga Tringa Gjikolli, Teuta Grajçevci dhe Emine Vala morri Okarinën e Artë në Akorde dhe shpërblimin e parë nga juria profesionale.

Kënga u kompozua nga Pranvera Badivuku me tekst të Riza Sheqirit dhe orkestrim të Krist Lekaj.

Përcjelljen e bëjnë Grupi i fëmijëve i RTP-së dhe Visar Aliu në çifteli.

Publikuar në vitin 1985 në audio kasetën e parë me këngë për fëmijë nga Fabrika e kasetave e produksionit muzikor të Radio Televizionit të Prishtinës (RTP), Kosovë. / KultPlus.com

Me 10 maj, Olen Cesari me koncert në Prishtinë

Me datë 10 maj, në kryeqytet do të koncertojë violinist i njohur shqiptar me famë botërore, Olen Cesari.

Cesari do të jetë pjesë e aktiviteteve për Ditën e Evropës, ndërsa aktivitete të ndryshme do të ndodhin gjatë tërë javës në mbarë Kosovën.

Koncerti fillon në ora 20:00 në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare (ish Instituti i Historisë). Koncerti është i hapur por ftesa duhet marrë në Europe House, përballë Komunës së Prishtinës, shkruan KultPlus.

Cesari do të jetë i shoqëruar edhe nga muzikantë të tjerë, ndërsa do të ketë edhe befasi të tjera gjatë natës.

Koncerti organizohet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, në bashkëpunim me Europe House. / KultPlus.com

Vendet magjike të “Game of Thrones”, mund t’i vizitoni edhe ju

Game of Thrones është një nga serialet më të mëdha televizive të të gjitha kohërave.

Një pjesë e suksesit të kësaj shfaqje televizive i takon edhe vendeve ku është xhiruar seriali, janë shumë reale, transmeton Klan Kosova.

Të njëjta vende mund t’i vizitoni edhe ju – janë më poshtë.

Islandë

Irlanada Veriore

Skoci

Spanjë

Maroko

Malta

Kroaci

Rita Ora e Dua Lipa shmangin njëra-tjetrën qëllimisht në “Met Gala”

Janë dy nga pop-yjet më të famshme të eksportuara në Britani, por marrëdhëniet mes Rita Orës dhe Dua Lipës besohet se janë aq të ftohta sa edhe e shmangën njëra-tjetrën në “Met Gala” si dhe në ndejën pas ceremonisë.

Këngëtaret thuhet se kanë një mosmarrëveshje private që kulmoi të hënën mbrëma, kur të dy yjet u shfaqën në tepihun e kuq në Muzeun Metropolitan të Artit Modern në New York.

Mësohet se Dua, 23 vjeçe, është bërë e frustruar me krahasimet e vazhdueshme që ia bëjnë me bashkëvendësen e saj 28 vjeçare derisa ajo dëshiron të njihet si artiste origjinale, transmeton Koha.net.

Një burim i ka thënë tabloidit britanik “The Sun”: “Është mëkat, sepse dikur ishin shumë të afërta dhe Dua kishte folur se sa e admiron Ritën. Dua madje ka thënë se dëshiron të bëhet sikurse Rita në të ardhmen”.

“Por tanigjërat kanë marrë tatëpjetën dhe ajo po provon të distancohet – dhe këtë s’po tenton as ta mbajë të fshehtë në industri”.

“Rita me çdo kusht dëshiron të shmangë konfrontimin dhe iu shmang për t’u siguruar se s’do të ndeshen ballë-për-ballë. Ajo urren skenat, por vërtet dëshironte të merrte pjesë në ‘Met Gala’ dhe nuk deshi që një mosmarrëveshje t’ia pamundësonte shkuarjen atje”.

Dy yjet vazhduan ndejën pas ceremonisë së “Met Gala” me vizita të ndara në pas-ndejën e organizuar nga Katy Perry në “The Standard NYC”.

Rita u pa teksa hynte bashkë me miken e saj të afërt, Kate Moss, ndërsa Dua më vonë hyri e shoqëruar nga i dashuri i saj, Isaac Carew.

Dy yjet kanë të kaluar të ngjashme pasi të dyja kanë shkuar në shkollën prestigjioze londineze “Sylvia Young Theatre School” pasi janë vendosur në Britani të Madhe nga vendlindja e tyre në Kosovë.

Derisa Rita ka pasur sukses të vazhdueshëm pas lansimin të albumit të saj debutues “Ora” më 2012, Dua shihet si yll në ngritje pasi fitoi po ashtu çmime për albumin e saj debutues të vitit 2017.

Me popullaritetin që ka aktualisht, ajo është përzgjedhur të këndojë kolonën zanore të filmit të ri për James Bondin, duke hyrë në kllapën e legjendave si Tom Jones, Madonna, Tina Turner dhe Adele.

The Sun

Arkitekti belg krijon një dizajn të mahnitshëm për Notre Dame

Arkitekti belg, Vincent Callebaut krijon një ri-dizajn të mahnitshëm të pjesës së djegur të katedrales Notre Dame në Paris.

Pjesa e djegur sipas projektit të arkitektit Callebaut, do të zëvendësohet me një xham të kristaltë me energji diellore, që ka një kopsht në krye të katedrales 850-vjeçare, ku do të mbillen 21 tonë fruta dhe perime çdo vit.

Vincent Callebaut ka paraqitur dizajnet e tij të reja për rindërtimin e katedrales së famshme, që do ta transformonte atë në një ndërtesë moderne, eko-miqësore.

Katedralja Notre Dame më 15 prill ishte përfshirë nga një zjarr i madh, që ka shkaktuar dëme të mëdha materiale. Shumë shtete, biznesmenë e emra të njohur janë zotuar se do ta ndihmojnë rikonstruktimin e kësaj katedraleje, duke dhuruar shumë parash./KultPlus.com

Ed Sheeran dhe Justin Bieber të premten publikojnë këngën e re

Thashethemet janë të vërteta – Ed Sheeran dhe Justin Bieber po bashkohen përsëri për një këngë të re.

Kanë kaluar pothuajse katër vite që nga bashkëpunimi i tyre në projektin “Love Yourself”, ndërsa tani të premten lansojnë këngën e re.

“Kënga ime me Justin Bieber do të dalë të premten”, ka shkruar Sheeran në postimin e tij në Instagram.

Fansat kanë spekuluar për një projekt mes 28 vjeçarit dhe 25 vjeçarit që nga muaji i kaluar dhe që kjo doli të jetë e vërtetë.

Bashkëshortja e Bieber, Hailey ka postuar një fotografi të bashkëshortit të saj me përshkrimin: “Ju më keni bërë njeri më të mirë dhe më ke bërë më të lumtur siç kam qenë, të dua më shumë se gjithçka”.

Kujtojmë që Justin Bieber bëri një rikthim befasues në skenë gjatë setit të Ariana Grandes në Coachella të dielën. /Telegrafi.com/

  • E
  • Sheshi “Skënderbej” fiton çmimin e dytë nga BE për arkitekturën bashkëkohore më të mirë në Europë

    Pas çmimit prestigjioz europian për “Hapësirën Publike Urbane 2018” në Barcelonë, Sheshi “Skënderbej” ka marrë një tjetër vlerësim ndërkombëtar.

    Mes 393 projekteve që garonin për Çmimin e Bashkimit Europian për Arkitekturën Bashkëkohore, Sheshi “Skënderbej” mbërriti deri në finalen e madhe dhe fitoi çmimin e vendit te dytë, duke marrë vlerësimet më të larta nga juria profesiniste nga e gjithë Europa për fuqinë transformuese, fokusin tek këmbësorët, qëndrueshmërinë dhe gjelbërimin.

    Ajo që ra në sy ishte gara e fortë dhe rezultati tejet i ngushtë i votimit, 4-3 në fazën finale, mes sheshit “Skënderbej” në Tiranë dhe projektit fitues të studios së famshme franceze “Lacaton- Vasal”, e cila konkuronte me një projekt godinash banimi dhe shërbimi në Bordo të Francës.

    Ishte nënkryetari Arbjan Mazniku ai që mori çmimin në emër të Bashkisë së Tiranës në ceremoninë e organizuar me këtë rast, ku vlerësohet përsosmëria dhe inovacioni në fushën e arkitekturës/ Dita. / KultPlus.com

    Legjenda e Bjeshkëve të Nemuna

    Gani Mehmetaj

    Në valën e dëbimeve, kur refugjatët iknin maleve apo fshiheshin shpellave që të mos i rrihte era, shqota e shiu, më kujtohej legjenda për emrin e Bjeshkëve të Nemuna. Legjenda thotë se një nënë me dy fëmijë (burrin ia vranë hordhitë turke), mori ikën drejt Bjeshkëve të Nalta, sipër Rrafshit të Dukagjinit. Me fëmijë për dore, nuk u kujtua për sende të tjera, koha nuk priste, ushtarë të armikut mund t’i kapnin. E frikësuar nga ndjekësit, e pikëlluar për vrasjen e burrit, kthente kokën prapa me dy jetimë. Në largësi shquhej shtëpia e saj që i dilte flaka. Një pikëllim i pakufishëm ia mbuloi fytyrën, ia nxiu sytë. Ec e ec e ujë askund. Sa më shumë që ngjitej, bjeshkët lartësoheshin, sa më shumë përpiqej t’i shmangej diellit, masa e zjarrtë bëhej më e pamëshirshme, skuqte e digjte si saç. Dhe ata shpejtonin, sa më larg ushtarëve turq.

    Dielli i korrikut vazhdonte t’i përvëlonte, etja i kishte molisur nënë e fëmijë. Vijat e ujit në këtë kohë, në të dy krahët sipër burimit të Drinit shterojnë, bora që dikur rrinte deri në fund të gushtit, për dreq, atë ditë korriku kur u duhej kalamajve të nënës së ve, kishte shkrirë në luginat më të fshehura nga dielli përvëlues.
    “Nanë, du ujë!” kërkonte me ngulm djali i vogël, sepse urinë e harruan nga vapa e madhe e lodhja edhe më e madhe. Po ujë s’kishte askund. “Nanë, t’lutem, ni pikë uj!” e përgjëronte vogëlushi, pa e kuptuar se kjo gjë nuk ishte në vullnetin e nënës së gjorë. S’gjendej askund pikë uji sa t’ua njomte buzët e përthara. S’kishte një copë reje në qiell që do ta fshihte diellin të mos përvëlonte. Nëna e hutuar përpiqej ta ngushëllonte të voglin me fjalë, i madhi nuk bëzante, megjithëse shkrumbi iu bë një pëllëmbë mbi buzë, thotë legjenda.

    “Tash e gjajmë ujin, drita e syve të mi, edhe pak! Gurrat e Bardha nuk janë larg”, përpiqej t’i jepe zemër nëna e shkrumbuar nga vapa e pikëllimi. Kaluan Gurrat e Bardha, por uji nuk rridhte as për ilaç, u ngjitën Malit të Thatë, vija uji askund. Kopetë e deleve me barinj si t’i kishte lëshuar toka a ngrënë ujku, kambana nuk jehonte në tërë Bjeshkët e Nalta, sikurse quheshin dikur. Njeri të gjallë mbi faqe të dheut.

    Fëmijët u lodhën, buzët iu ngjitën nga shkrumbi, forcat u shteruan, nuk mund të flisnin nga etja e nga lodhja, nisën të përpëliteshin, flisnin përçart. Nënën e mbërtheu kulmi i dëshpërimit. Lotët nuk i rridhnin që t’ua njomte buzët kalamajve, shihte e dëshpëruar se si po i shuheshin dy engjëjt para syve. Por më parë se t’i kapte agonia, para se t’ua bënte gjamën, ajo mallkoi në kulm të zemërimit: “Hej, moj bjeshkë, kurrë mos paçi ujë! Flaka u daltë! Ju shitoftë reja!” Dhe ra shakull në tokë mbi kalamajtë që po i kalonin çastet e fundit të agonisë.

    Legjenda nuk e thotë ç’u bë me nënën e dy fëmijët. Nuk e thotë as a vdiqën apo i shpëtoi mrekullia.

    Legjenda thotë se mallkimi i nënës i zuri të gjitha bjeshkët sipër Dukagjinit, në të dy anët e Drinit të Bardhë. Nama e nënës u rri kërcënueshëm edhe sot. Bjeshkët e Nemuna u dogjën nga zjarri i mallkimit, reja shkreptin ndonjëherë në qiell të kthjelltë, duke djegur pyje të tëra. Gur mbi gur nuk mbetën. Të mbërthen angështia kur i shikon mijëra hektarë të djegur, brinjë të bjeshkës që dalin në sipërfaqe, gërgja që shkëlqejnë në diell. Mallkimi i ndjek këto bjeshkë: zjarret përsëriten çdo vit, në të njëjtën kohë, në të njëjtin rrugëtim të nënës: sa herë nisin të këndellen bimësia e filizat e hollë, bie një rrufe dhe i djeg filizat e bredhave e të çetinave.

    Asnjëherë nuk ma tregoi gjyshja fundin e nënës me fëmijë, legjenda nuk e thotë a shpëtuan apo vdiqën. Ata morën rrugën e përjetësisë, por sigurisht si fëmijë nuk ma thanë fundin tragjik, sepse përrallat e legjendat gjithherë duhej të përfundonin fatlumësisht.

    Megjithatë në Bjeshkët e Nemuna, më thoshte gjyshja, është një muranë, shkëmb i skalitur, ku shihet nëna me dy kalamajtë, më bohçe e me pagur uji. Barinjtë kur kalojnë pranë shkëmbit, e derdhin një curril uji, që t’ua njomin buzët nënës e kalamajve.

    Një motërzim serb shumë më i vonshëm, ka një legjendë tjetër për mallkimin e Bjeshkëve të Nemuna. Sipas kësaj legjende kur ushtria serbe pasi pësoi disfatë nga malësorët e Rugovës e burrave të Dukagjinit, me të ngjitur bjeshkëve, dielli i pamëshirshëm i dërmoi përfundimisht. Gushti me vapë, ushtria e shkalafitur serbe, që i kishte zënë gjaku i të pafajshmëve, ranë shakull në gërxhe. Legjenda e tyre, e sajuar nga kronistët ushtarakë, thotë se gjenerali i tyre klithi: “Qofsh e mallkuar!” (Prokleta da si) . Në gjuhën e tyre “Prokletije”, d.m.th. “Të mallkuarat”.

    Në hartat gjeografike mbi pesëdhjetë vjet ishin të shënuara të dy emërtimet.

    Më iku nga përfytyrimi nëna me dy kalamajtë që përpëliteshin për një pikë uji, u zhduk vapa e gushtit, që nisi të më djersinte në fundmars. Pamjet e tjera e mbulonin të parën, fërfëlliza e zëvendësoi diellin saç. Turma të mëdha refugjatësh mbulonin rrugën gjarpërore nga Burimi i Drinit deri në Qafën e Malit, sipër Kullës, nëpër Bjeshkët e Nemuna. Shpërngulja e njerëzve më dukej si në ëndërr. Kllapia nuk më shqitej. Më fanitej sikur ata po ktheheshin me zhurmë. Zhurmën e dëgjoja nga furriku im. Ikën të heshtur e kokulur, ktheheshin triumfalisht. (Tregim)

    Këshilli Botëror i Turizmit: Mbi 300 mijë vende pune nga turizmi në Shqipëri

    Kthesa e turizmit shqiptar, nga një sektor i preferuar kryesisht për vendasit dhe turistët vetëm në sezonin e verës, sot në destinacion gjithëvjetor i preferuar nga turistët e huaj nga e gjithë bota, pritet të japë një kontribut pozitiv gjithnjë e në rritje në ekonominë shqiptare, me efekt zinxhir në punësim, konsum, aktivitetet e hotelerisë, bizneseve dhe kohës për argëtim.

    Këshilli Botëror i Turizmit dhe Udhëtimit (WTTC) në raportin paraprak për vitin 2019 për ndikimin në ekonomi, parashikon që turizmi shqiptar do të rritet me ritme pozitive.

    Kontributi i turizmit dhe udhëtimeve në prodhimin e brendshëm bruto (PBB) të Shqipërisë pritet që të jetë 27,3% për vitin 2019, me rritje 5,2%  nga viti i shkuar. 

    “Rritja kryesisht reflekton aktivitetin ekonomik të prodhuar nga industritë si hotelet, agjentët e udhëtimit, linjat ajrore dhe shërbimet e tjera të transportit të udhëtarëve. Por ajo gjithashtu përfshin, për shembull, aktivitetet e restoranteve dhe industritë e kohës së lirë të mbështetur drejtpërdrejt nga turistët”, – citohet në raport.

    Sipas WTTC, në vitin 2018 turizmi mbështeti në mënyrë direkte hapjen e 286 mijë vende pune. Kjo pritet të arrijë në mbi 300 mijë vende punë në 2019 dhe rritje me 1,4% në 111.000 vende pune (8,8% të totalit të punësimit) në vitin 2028.

    Në vitin 2018, kontributi total i turizmit në punësim, duke përfshirë edhe vende pune të mbështetura në mënyrë indirekte nga industria, ishte 25,2 % të totalit të punësimit. 

    Eksportet e vizitorëve janë një komponent kyç i kontributit të drejtpërdrejtë i udhëtimeve turistike. Në vitin 2018, Shqipëria pati 264.8 milionë lekë të ardhura nga eksportet e vizitorëve dhe në 2019, pritet të rritet në mbi 6 milionë turistë ndërkombëtarë.

    Raporti citon se, pjesa e udhëtimit dhe turizmit në investimet e përgjithshme kombëtare do të rritet nga 7,6% në 2018 në 8,2% në vitin 2028.

    Ambasada e Shqipërisë në Kosovë organizoi festen e ditëlindjës së Nexhmije Pagarushës

    Ambasada e Shqipërisë në Kosovë sonte me 7 maj organizoi një mbrëmje solemne me rastin e shënimit të ditëlindjes së yllit shqiptar Nexhmije Pagarushës, ngjarje që u mbajtë në Sallën e Kuqe në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, shkruan KultPlus.

    Në këtë mbrëmje ishin mbledhur shumë artistë, këngëtarë, miq e adhurues të shumtë për të nderuar mbretëreshën e muzikës shqiptare. Mbrëmja filloi me përformancën e Korit të Shkollës së Muzikës në Prishtinë.

    Më pas përformuan këngëtarë nga të gjitha trevat shqiptare përfshirë Kosovën, Maqedoninë dhe Shqipërinë. Ndër këngëtarët të cilët erdhen në Kosovë që me tingujt e muzikës së tyre të festojnë ditëlindjen e bilbilit Nexhmije Pagarusha, ishin: Shpresa Gashi, Eva Rusi, Rona Nishliu, Shkurte Fejza, Selami Kolonja, Bujar Qamili e shumë të tjerë.

    Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, zotëri Qemal Minxhozi, tha që është privilegjë pjesëmarrja në ditëlindjen e saj dhe duke e konsideruar organizimin përkatës si një dhuratë modeste për figurën e saj të çmueshme.

    “Është ditëlindja e Nexhmije Pagarushës e cila na ka frymëzuar për të bërë këtë dhuratë modeste për të, ajo është diva e muzikës shqiptare është privilegjë për secilin për të marrë pjesë në ditëlindjen e saj. Për Nexhmien uroj ti bën edhe 100 vjet të tjera, të ketë shëndet dhe sa më shumë lumturi” tha Minxhozi për KultPlus.

    Në këtë mbrëmje u recitua edhe një poezi nga artistja Safete Rugova, e po ashtu u kënduan edhe këngë kushtuar Nexhmijes.

     Kënga kushtruar Nexhmijes u dha premier në ketë mbrëmje, e kompozuar nga Pranvera Badivuku dhe u interpretua nga Selami Kolonja për herë të parë në ditëlindjen e 86-të të  Bilbilit të Kosovës.

    Kompozitorja Pranvera Badivuku, tha që inspirim për të kompozuar këtë këngë kushtuar Nexhmijes, i kishte ardhur nga teksti i cili ishte shkruar më herët nga tekstshkruesi shkodran Ramazan Qeka.

    “Unë i kam kushtuar 2 këngë  më herët kengëtarës tonë të madhe që është zë i artë i këngës shqipe, e për këtë rast më ka inspiruar tekstshkruesi Ramazan Qeka nga Shkodra i cili e ka postuar një tekst para vitit të ri, unë e gjeta atë e që titullohet “Lauresha Kosovare”, kjo ka qenë inspirimi i tekstit  që unë vendosa ta bëjë kengë. Po më vije mirë që kënga u realizua para ditëlindjes së saj dhe është një dhuratë për të” u shpreh Badivuku për KultPlus.

    Ndërsa edhe këngëtari Selami Kolonja u shpreh mjaft sentimental në lidhje me këngën që e këndoi me shumë dashuri dhe sipas tij kishte një ndjenjë të veçantë.

     “Para vitit të ri më thirri kompozitorja dhe më tha që e kam shkruar një këngë për Nexhmije Pagarushen, ishte një ndjenjë e shumë e mirë që unë u përzgjodha për ta kënduar këtë këngë. Ishte një këngë që e kam sjellur dhe e kam kënduar me shumë dashuri”.

    Edhe pse e lodhur nga mosha, entuziazmi i Nexhmije Pagarushës nuk mungoi në ngjarjën e rëndësishme kushtuar ditëlindjës së saj, madje u shpreh e mahnitur me ketë organizim meqë ishte hera e parë që bëhëj diçka kaq e madhe për të.

     “Nuk kemi pasur rast të kemi një koncert të tillë kurrë në Kosovë, i falënderohem ambasadorit shumë, nuk kam fjalë  edhe besoj se të gjithë janë duke e ndjerë  vetën të lumtur. Janë mbledhur të gjithë artistët sonte këtu edhe ata janë të lumtur edhe publiku është i lumtur e sidomos une, ju falënderoj shumë” – tha ajo.

    Nexhmije Pagarusha është një këngëtare dhe aktore shqiptare, e cila njihet si mbretëresha e muzikës shqiptare. Me një karrierë të ndritur Pagarusha është e njohur për interpretimet e saj të shkëlqyera në muzikën popullore dhe atë klasike./KultPlus.com

    Gëzim Mujaj