Studiuesit, sidomos ata të angazhuar me përparësi në analizat krahasimore ndërmjet sistemeve kulturore, kanë vërejtur se në shumë kultura e kollitura e stimuluar përcjell kuptime simbolike të caktuara.
Umberto Eco ka shkruar se anëtarët e kulturave të ndryshme
dallojnë disa lloje të ndryshme të kollës abuzive, se e kollitura e stimuluar
është një model sjelljeje e institucionalizuar.
Kështu, shoqërinë shqiptare paramoderne, veçanërisht në
krahinat fshatare, kur burrat rrugëtonin natën stimulonin të kolliturën herë
pas here para se të kryqëzoheshin me burra të tjerë që ecnin në kah të kundërt,
para se t’i afroheshin një burri ose një grupi burrash që ecnin më ngadalë në
kahun e tyre, kur kalonin pranë shtëpive ose staneve të bagëtive të të tjerëve.
Të kollitura të tilla përcillnin mesazhin se burrat që i
stimulonin nuk rrugëtonin natën për qëllime të liga dhe jo rrallë i
identifikonin udhëtarët në terrin e natës.
Mjaft malësorë, sidomos ata më me emër në krahinë, kishin
diçka të veçantë, vetëidentifikuese në të kolliturën e tyre të stimuluar.
Edhe në ditët tona e kollitura përcjell simbolikisht mesazhe
të caktuara, veçse shumë më rrallë në errësirën e natës.
Përgjithësisht burrat kolliten kur futen në një njësi
shërbimi ose shitjeje, nëse personi që duhet të shërbejë aty nuk gjendet në
banak, por në ndonjë kthinë ku nuk duhet. Një e kollitur e tillë njëherazi
dëshmon praninë e një klienti në mjediset e njësisë së shitjes ose të shërbimit
dhe e thërret zanatçiun ose shitësin të vihet në rolin që duhet të kryejë.
Gjithashtu, ndër shqiptarët, njerëzit me autoritet kolliten
enkas për t’i kumtuar një personi tjetër, përgjithësisht me status më të ulët,
mesazhin se po flet ose po vepron gabim, se duhet të ndryshojë linjën e
arsyetimit ose modelin e sjelljes.
* Zyhdi Dervishi – “Lente të ndërveprimit simbolik”./KultPlus.com
Imagjinoni Mesdheun! Çfarë ju vjen në mendje? Brigjet gjarpëruese të mbushura me shkëmbinj dhe limane. Qielli fantastik, pa një njollë reje. Dhe sigurisht, një det i jashtëzakonshëm, për të cilin nuk ka epitet që mund ta përshkruajë. Nëse nuk i keni planifikuar ende këto pushime verore, ju jeni ende në kohë për të bërë zgjedhjen e duhur. Plazhet fantastike të jugut të Shqipërisë janë perlat e Mesdheut dhe ju duhet patjetër t’i vizitoni, shkruan Traveler.es.
Shqipëria, objektivi juaj i ardhshëm.
Mundohuni të kujtoni plazhe si Costa Brava, Costa Azur ose bregdetin amalfitan… janë destinacionet e para që vijnë në mendje për disa pushime verore të paharrueshme në vijën e bardhë gurore dhe ujin blu të plazheve. Është koha për të shtuar në këtë listë edhe një vend të ri: Rivierën Shqiptare.
Plazhet më të mira të Rivierës Shqiptare
Shqipëria më në fund ka hapur dyert e saj për turistët dhe pushuesit dhe nuk ka nevojë për shumë argumente, thjesht shikoni fotot. Plazhet i ngjajnë parajsës në tokë (dhe disa janë pothuajse të braktisura). Surpriza arkeologjike dhe të gjitha me ndjenjën e zbulimit të një prej sekreteve të mirëfshehura në anën tjetër të Mesdheut. Një breg i mbushur me surpriza
Riviera nuk ka kufij të përcaktuar, por nëse doni të vendosni një portë, ndoshta do të jetë në Vlorë, 150 kilometra në jug të kryeqytetit shqiptar, Tirana. Këtu është vendi ku Adriatiku takon Jonin, në një takim detar që ju fton të bashkoheni që nga momenti i parë. Vlora vjen me një ngarkesë të madhe historike: Aty u shpall pavarësia e Shqipërisë nga Perandoria Osmane në vitin 1912. Që atëherë, ajo është rritur për t’u bërë një qendër për aktivitetin e rëndësishëm të portit, gjithashtu dhe një nga plazhet kryesorë të Rivierës fantastike .
Plazhi më i ri në dispozicion mund të jetë zgjedhja e ardhshme nëse nuk doni ta ndani veten në shumë bare të këtij plazhi. Uji i Ftohtë, vetëm dy kilometra larg, është një shtrirje e plazheve më pak të frekuentuar, por me një nivel të aktivitetit për t’u pasur zili.
Nëse dëshironi një ofertë të mirë për kohën e lirë, Vlora duhet të jetë zgjedhja juaj.
Pas bregdetit në jug, ndalesa tjetër është qyteti i qetë i Himarës, i ndarë midis vendpushimeve moderne dhe tavernave tradicionale greke. Pak me larg nga Himara është Llamani, një plazh i bukur, i rrethuar nga dy kodra, shumë popullor për turizmin vendas.
Po kërkoni një eksperiencë më të relaksuar? Shkoni në Qeparo, një fshat piktoresk i kapur pas dy shkëmbinjve dhe me pamje nga skena e Mesdheut, pikërisht ajo që keni në mendjen tuaj: portin e artë, detin bruz dhe qiellin e përjetshëm.
Mbërritja në Sarandë, qendra strategjike e Rivierës dhe një destinacion që po fiton popullaritet në Ballkan. Saranda, përkundër popullsisë modeste të saj, po përjeton një periudhë rritjeje të lartë, e cila dallon dukshëm nga “bumi” i ndërtesave në të gjitha kodrat përreth qytetit bregdetar. Por, për momentin (dhe fatmirësisht), Saranda mbetet një opsion i këndshëm si një bazë për të eksploruar plazhet aty pranë, kur ju i keni parë tashmë ata që janë në rrugë.
Oazet e Ksamilit
Midis tyre, Ksamili merr trofeun më të mirë, jo vetëm në zonë, por ndoshta në të gjithë Rivierën. Ky arkipelag i vogël, 20 milje në jug të Sarandës, ka tre plazhe të vogla gurore që pothuajse mund të bashkohen me njeri-tjetrin. Ksamili është shumë afër qytetit të lashtë të Butrintit, sot një nga vendet më të rëndësishme arkeologjike në Shqipëri. Me një park kombëtar, Butrinti tregon shenja të vendbanimeve të lashta romake dhe greke që kanë jetuar aty, në një përzierje interesante që do t’ju marrë një gjysmë dite, për t’ju nxjerrë kështu nga peshqiri i plazhit.
Ejani dhe zbuloni parajsën e re mesdhetare. Apo keni nevojë për më shumë arsye?”, përfundon Traveler.es./KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, bashkë me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, kanë bërë sot vendosjen e gurthemelit të \”Muzeut te Historisë së Natyrës\” në parkun \”Te Pishat\” në Sllatinë.
Ministri Gashi tha se “ky muze do të shërbej për mbrojtjen, ruajtjen dhe promovimin e koleksioneve të natyrës së Kosovës si dhe do të ndikoj në përmasimin e infrastrukturës promovuese dhe edukative të ndërlidhur me Trashëgimisë Kulturore dhe si i tille ky projekt e përmirëson edukimin dhe ndihmon zhvillimin shkencor edhe për popullatën vendase”.
“Ndërtimi i ‘Muzeut të Historisë së Natyrës’ ka për qëllim koleksionimin, ekspozimin dhe arkivimin e mbetjeve të çfarëdo organizmi në standardet më të larta të mundshme për të siguruar ruajtjen dhe të gjitha informatat rreth tyre. Ky institucion i ri do të ketë karakter vetëdijësues dhe edukativ për natyrën dhe do të jetë përgjegjës edhe për zhvillimin e hulumtimeve, për interpretimin e rezultateve, për përkrahjen proceseve të shkencës dhe konservimit biologjik”, tha ministri Gashi.
Ai po ashtu sqaroi se Muzeu do të jetë qendër hulumtimi, studimi e trajnimi për muzeologji dhe fusha tjera relevante në raport me historinë e natyrës dhe qendër e kultivimit të trashëgimisë etno botanike.
“Është me rëndësi të potencohet se në këtë muze prioritet i theksuar do t’i ipet koleksionit i cili është në posedim të Muzeut Kombëtar të Kosovës, 400 eksponate zoologjike (shpezë, gjitarë, amfibe, peshq dhe reptilë), 40 enë qelqi me shtazë në formalinë, 10 vezë të shpendëve, 250 flutura, dhe herbariumi me përafërsisht 180 eksponate”, theksoi Gashi.
“Interpretimi dhe Promovimi i Trashëgimisë Kulturore që do të arrihet përmes këtij projekti, do të ndikojë në rritjen e numrit të turistëve të interesuar në këtë fushë, gjë që do të ndikonte drejtpërdrejtë në zhvillimin e turizmit kulturor, dhe në zhvillimin ekonomik që janë pjesë kryesore e objektivave zhvillimore të vendit tone”, tha ndër të tjera ministri Gashi.
Projekti është pjesë e politikat programore të MKRS-së të Departamentit për Trashëgimi Kulturore e Kornizës Afatmesme te Shpenzimeve dhe Deklaratave te Politikave Prioritare Afatmesme.
Ndërkaq kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se “Po shkojmë drejt përmirësimit të jetës së qytetarëve tanë, duke pas parasysh se Muzeu i Natyrës do jetë një pasurim i koleksionit të pasur që ka natyra jonë duke bërë këto eksponentë në një vend të përbashkët në projektin afër 2 milionësh të financuar nga Ministria e Kulturës në komunën e Fushë Kosovës, këto janë vepra të jashtëzakonshme dhe shumë shpejt do ta kemi një nga veprat më të bukura Studimin Kombëtar, ministri i kulturës nuk është vetëm në pjesën sportive por edhe në pjesën e etno kulturore po ashtu edhe me artin dhe muzikën bashkarishtë do të ecim përpara”.
“Mbeta i shtangur nga prania jote, që kur të pashë për herë
të parë. Ti erdhe në studio për të parë pikturat e mia. Sa më shumë të njihja
aq më mirë ndjehesha. Më pëlqente mënyra se si arrinim të bisedonim, ëmbëlsia
me të cilën ti më nxisje që të flisja për veten time. Më bëje aq pyetje sa
nganjëherë ndjehesha keq, por falë shpirtit tënd dhe inteligjencës tënde,
arrija të të tregoja gjithçka që ti doje të dije. Mjaft njerëz më quanin tip
interesant, sepse jam një njeri ndryshe. Për ato unë jam vetëm një zbavitje, e
destinuar për t’u harruar shumë shpejt, sapo t’ju shfaqet dikush tjetër më
kurioz se unë. Ndërsa ti arrite të nxirrje nga thellësia e shpirtit tim
ndjenjat që aq rrallë unë i ndaja me dikë tjetër. Ishte aq bukur dhe është
akoma.
Mbasi u bëmë miq, të kërkova që të martoheshim. Që nga ajo
ditë ti fillove të më lëndoje. Dhe vazhdoje ta bëje. Unë vuaja, por sa herë
takoheshim (në atë kohë takoheshim dy herë në javë), ti më thoje: «Kahlil, më
duket se të kam lënduar të mërkurën e kaluar», ose të premten ose një ditë
çfarëdo. «Më fal, nuk doja ta bëja.»
E më pas bëheshe krijesa më e ëmbël e botës, dhe unë mendoja
: «Kjo është Meri që dua». Ndërsa ti pak para se të mbaronte takimi, nuk
rezistoje dot pa nxjerrë nga goja diçka brutale. Asgjë nga ato që unë mund të
thoja apo të bëja, nuk të ndalonte dot. Ti ishe agresive dhe më vrisje. Kthehesha
në shtëpi dhe reflektoja:
Nëse e pranoj diellin, të nxehtit, ylberin, duhet të pranoj
edhe djegjen, stuhinë e tufanin.
– Unë përpiqesha ta bëja, por e ndjeja që gjërat e
rëndësishme brenda meje, po vdisnin pak nga pak. Në zemrën time gjërat tashmë
kishin ndryshuar, sepse shpirti im nuk rezistonte më të lëndohej pa fund. Duhet
të mbrohesha. Dhe vazhdimisht i përsërisja vetes:
– Një lidhje më intime me këtë grua është e pamundur?
Natyrisht edhe kjo strategji nuk dha asnjë rezultat. Edhe
kur unë të rrëfeva se çfarë po më ndodhte. Por që nga ai moment, ti nuk më
lëndove më kurrë. I shkruaja të gjitha këto për të të treguar se si i kam
përjetuar unë vitet e para me ty. Gjërat më të rëndësishme nuk kanë ndryshuar
kurrë: ndjenja, pasioni, gjithçka ka mbetur si atëherë, dhe do të jenë kështu
përgjithmonë. Do të të dua përjetësisht, siç të desha shumë kohë para se të
takoja për herë të parë. Dhe këtë unë e quaj fat. Asgjë nuk mund të na ndajë.
As ti dhe as unë nuk mund ta ndryshojmë më këtë lidhje. Do të doja që ti t’a
kujtoje për tërë jetën tënde se je njeriu më i rëndësishëm i botës sime. Se
edhe nëse do të martoheshe shtatë herë, me shtatë burra të ndryshëm, zemra ime
do të ishte gjithmonë si një herë e një kohë.
Vetëm sot arrij ta kuptoj pse martesa jonë ishte e pamundur. Ajo do të na kishte shkatërruar të dyve. Ne e jetuam jetën së bashku në një mënyrë krejt tjetër: prandaj dhe shpëtuam. Ti më ke ndihmuar që të zbuloj veten time dhe punën time. Edhe unë mendoj që kam bërë të njëjtën gjë me ty, dhe falënderoj Qiellin që jemi së bashku.”/KultPlus,com
John Stainbeck është fitues i çmimit “Pulitzer” dhe “Nobel” për letërsinë.
Në një nga letrat e përfshira në librin “Stainbeck :
një jetë mes letrash” të shkrimtarit dhe aktorit Robert Wallsten , ndër të
tjera ai paraqet gjashtë këshilla që sipas tij ndihmojnë në një proçes të
suksesshëm të të shkruarit.
Harrojeni mendimin apo frikën se nëse do ta përfundoni
ndonjëherë punën tuaj dhe hiqni dorë nga ideja e të shkruarit 400 faqe në një
kohë të shkurtër . Të shkruash nga një faqe për çdo ditë ndihmon më tepër dhe
do të surprizoheni kur të përfundoni.
Hidhni gjithçka në letër duke shkruar lirshëm dhe sa më
shpejt të jetë e mundur . Mos korrigjoni dhe rishkruani asgjë deri në momentin
që i gjithë proçesi të përfundojë. Rishkrimi në moment ,zakonisht bëhet shkak
për humbjen e besimit në punën tuaj ,çka me shumë mundësi do të sillte
ndërprerjen e saj. Rishkrimi gjithashtu ndërhyn në rrjedhën dhe ritmin që vjen
si shkak i një lidhjeje të pandërgjegjshme me materialin .
Harrojeni idenë e “audiencës” tuaj anonime që në radhë të
parë do tju friksojë dhe në radhë të dytë,ndryshe nga teatri, këtu nuk
egziston. Kur shkruani ,audienca juaj është një lexues i vetëm . Do të shtoja
se ndonjëherë është mirë t’i drejtoheni një personi real ose imagjinar .
Nëse mendoni se një pjesë apo frazë kërkon më shumë
punë,kalojeni dhe vazhdoni më tej. Kur të përfundoni mund t’i riktheheni dhe me
siguri duhet ta keni gjetur arsyen e ngecjes ,ose do të arsyetoni se është më
mirë të shmanget.
Kujdes me ngjarjet tuaja më të dashura . Ndonjeherë mund të
zgjateni më tepër nga sa është e nevojshme dhe mund ta ngarkojë më shumë nga
çduhet rrëfimin. Kjo do të sillte prishje të linearitetit apo harmonisë me të
cilën lidhen pjesët .
Nëse do të përdorni dialogë , kujdesuni që t’i thoni me zë të lartë teksa shkruani . Vetëm kështu mund ta përçoni idenë e bashkëbisedimit./KultPlus.com
Fjalim i mbajtur nga Fan S. Noli në Parlamanetin Shqiptar në 1924
Ne vendin tone mbreteron konfuzioni i pese anarkive :
E para – Anarkia fetare: katër fe të ndryshme që nuk kanë zënë rrënjë në zemrën e një populli pagan.
E dyta – Anarkia sociale: Këtu s’ka as klasë bejlerësh, as klasë bujqësh, as klasë burzhuazie. Këtu bujku është më bej se beu dhe beu më bujk se bujku. Kemi një shembull të bukur për partinë popullore e cila mbahet sot në fuqi prej bejlerëve nga oxhakët më të vjetër, kurse anatarët e saj lëvdohen se kanë shpëtuar prej bejlerëve.
E treta – Anarkia morale:Këtu qeni nuk e njeh të zonë, këtu karakteret dobësohen, qullosen dhe ndërrojnë formë e ngjyrë dita me ditë si në kaleidoskop. Këtu ambicjet janë pa fre e pa kufi, këtu i padituri i di të gjitha dhe i pazoti është i zoti për të gjitha.
E katërta – Anarkia patriotike:Këtu brenda një dite si me magji tradhëtori bëhet patriot dhe patrioti tradhëtor. Këtu shohim përpara syve tanë të kapërdisen si patriotë të mëdhej ata që kanë luftuar për harfet dhe për flamurin e babës, që kanë djegur Shqipërinë e Mesme ose ata që janë puthur me andartet e i kanë ndihmuar shenjtërojnë anëe mbanë Toskërinë. Këtu si më thoshte një mik është më mirë që njeriu të jetë tradhëtor e të shikojë interesat e tij sepse kështu do të jetë i sigurtë që të nesërmen do të prokllamohet patriot i madh.
E pesta – Anarkia e idealeve:Këtu idealet e shtrembëra, të errëta e të mumifikuara të Fanarit e të Buhares përfyten e përleshen në një luftë për jetë a vdekje me idealet më të gjalla më elegante e më të nderitshme të Perëndimit. Na mungojnë vetëm idealet e antropofagëve. Po për të zënë vendin e tyre kemi kolltukofagët, krimba të verdhë me kokë të zezë, që rriten me plagët e infektuara të Shqipërisë në lëngim, këpuseh që mund ti copëtosh, por jo ti shqitësh nga trupi që kafshojnë dhe thëthijnë. Herodi tregon se në betejën navale të Salaminës, një athinas kapi një anije persiane me dorën e djathtë e s’e lëshonte, gjersa ja prenë; atëhere e kapi me dorën e mëngjër, ja prenë dhe këtë, atehere e kapi me dhëmbë e s’e lëshoj gjersa i’a prenë kokën. Sikur të ngjallej Herodi përsëri do të shikonte që kolltukofagët tanë janë më të fortë se ky trim legjendar i vjetërsisë antike. Që t’i çqitësh këta tanët nga kolltuku duhet të preç jo vetëm duart e kokën po dhe këmbët e trupin./KultPlus.com
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka dekoruar me medaljen e “Mirënjohjes”, mbretëreshën e muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha.
Çmimi i mirënjohjes iu akordua këngëtares Pagarusha përmes propozimit të një Akademie në Florida, i cili është çmim periodik vjetor që firmoset nga Presidenti amerikan për Personalitete që kanë impakt mbi njerëzit dhe shoqëritë e tyre, konkretisht në fushën e artit.
Për nder të ditëlindjes së saj ua rikujtojmë se ky çmim iu nda vitin e kaluar si një ndër çmimet më të rëndësishme në karrieren e saj.
Në ceremoninë e organizuar për 85-vjetorin e artistes së madhe shqiptare në Akademinë e Arteve në Tiranë, nga Shoqata RessEgnatia dhe Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, ishin të pranishëm Presidenti Ilir Meta, personalitete të fushave të ndryshme nga Shqipëria dhe Kosova, familjarë, miq, artistë dhe artdashës.
“Mirë se ju gjeta. Kurrë s’kam menduar që do të vijë ky
moment kaq i rëndësishëm për mua, kaq i dashur, kaq e lumtur jam. Nuk di kush
është më i kënaqur, unë që jam me ju, apo ju me mua”, u shpreh artistja e
madhe.
Nexhmije Pagarusha ka lindur më 7 maj 1933, është një këngëtare dhe aktore shqiptare, e mbajtur si mbretëresha e muzikës shqiptare. Me një karrierë të ndritur Pagarusha është e njohur për interpretimet e saj të shkëlqyera në muzikën popullore dhe opera./KultPlus.com
Aktivistë të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar kanë vendosur sot gërmat në fasadën e godinës.
Rudi Erebara ishte ai që i rivendosi shkronjat në fasadë,
ndërsa u shpreh se “e bëri këtë gjë pasi i vijnë për duarsh” duke theksuar
se “ato në të vërtetë janë vendosur nga qytetarët”.
“Gërmat i ka vendosur populli, unë i vendosa aty. Kjo është
një luftë që sapo ka filluar dhe ne do ta fitojmë. Rama Ik, bashkë me Erionin
dhe gjithë këlyshët e tjerë. Unë e kisha kënaqësinë më të madhe t’i vendosja
gërmat edhe sepse më vijnë për duarsh”, u shpreh shkrimtari dhe përkthyesi i
njohur.
Ndërsa pedagogu Ervin Goci deklaroi: “Nuk jam më protestues
por pjesë e Teatrit. Do ta mbrojmë me turne dhe të guxojë njeri që të vendos
dorë mbi Teatrin. Këto germa janë të shenjta, prandaj edhe ishim të vendosur
për t’i rivendosur. Ndaj kanë ardhur shumë njerëz për të na mbështetur për
shkak të simbolikës dhe frymëzimit që ka. Ata duhet të dinë se nëse prekin këtë
godinë kanë popullin kundër dhe nëse e dinë se kanë popullin kundër, të guxojnë
t’i prekin!”
Kujtojmë që në datën 26 prill Teatrit Kombëtar iu hoqën
germat në mënyrë të befasishme. Artistë dhe dashamirës të institucionet e
dënuan aktin, duke i bërë thirrje instancave përkatëse që të merrnin
përgjegjësi.
Intelektualë të njohur ngritën zërin kundër shembjes së
Teatrit Kombëtar, si; Flutura Açka, Aurel Plasari, Edmond Tupe, Ardian Vehbiu,
Edmond Budina, Maks Velo etj. Si dhe artistë si Alert Çeloalija, Neritan
Liçaj, regjisorët Kastriot Çipi dhe Robert Budina, pedagogu i gazetarisë Ervin
Goci, etj.
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit shpreh vendosmërinë për mbrojtjen deri në fund të godinës së Teatrit Kombëtar./KultPlus.com
Gjon Mili, është padyshim një nga fotografët më të mëdhenj të Amerikës, që ka lënë gjurmë në historinë e fotografisë përmes punës së tij.
Gjon Mili mbahet mend për fotografitë që u ka bërë piktorëve
të mëdhenj si Pablo Pikaso apo Salvador Dali.
Ai ka lindur në Korçë dhe fëmijërinë e ka kaluar në
Rumani, duke ndjekur kolegjin kombëtar në Bukuresht. Rreth vitit 1923,
Mili emigroi drejt SHBA-ve.
Në 1939, Mili filloi të punojë si një fotograf.
Gjatë viteve ai u njoh me shumë artistë të shquar në piktura
dhe në artin kinematografikë të Hollivudit.
Gjon Mili është marrë edhe me kinematografi, duke xhiruar me
skenar të vet gjashtë filma dokumentarë.
Ai ka pasqyruar në fotoportrete interesante figura të tilla të artit e kulturës botërore si regjisorin Hitchcock, kompozitorin Stravinski.
Ekspozitën e parë vetjake Mili e ka hapur me 1934, ndërsa të
fundit, më të zgjedhurat e gjithë krijimtarisë me 140 foto, më 1980 në Nju Jork
me rastin e 75-vjetorit të lindjes.
Për nder të tij, dhjetë vjet pas vdekjes, në fund të vitit
1994, në Haward Greenberg Gallery të Nju Jorkut u paraqitën punë të bëra prej
tij në harkun kohor 1930-1970, si dhe objekte nga jeta dhe vepra e Milit në
lëmë të fotografisë dhe filmit.
Gjon Mili vdiq në Stamford, Connecticut, ShBA më 14 shkurt të vitit 1984./KultPlus.com
Dijana Toska, gazetare e njohur në Shkup është ideatorja e Himnit për Nënë Terezën. Në mendje i vinin vargjet e poezisë “Lamtumirë”, që shenjtorja shqiptare i kishte shkruar kur po largohej, më 1928, për në Kalkutë.
Në dhjetor të vitit 2014, teksa në Shkup po mbahej
simpoziumi kushtuar 100 vjetorit të vdekjes së pagëzuesit të Nënës Tereze, Don
Zef Ramaj, Dijana Toskës i lindi ideja që poezinë e shkruar nga duart Nënë
Terezës, ta shndërroj në një testament që do të shërbejë si kod moral i bekimit
të njerëzimit. Me shumë dashuri e energji të pakursyer gazetarja e njohur punoi
që kjo ëndërr të realizohet dhe me 5 shtator të gjithë të dëgjojmë së bashku
tingujt e Valsit Hyjnor, përcjellë INA.
Ajo ka përzgjedhur poezinë “Lamtumirë” shkruar nga bamirësja
e madhe në anije kur po largohej më 1928 për në Kalkutë, Indi. Muzikën e kishte
shkruar kusheriri i saj, Lorenc Antoni me kërkesë të Don Lush Gjergjit, pak
para vdekjes së tij. Me 5 janar 2015, në Katedralen në Prishtinë, Dijana takoi,
Don Lush Gjergjin ku i paraqiti projekt idenë për Himnin dhe shtëpinë e Nënës
Terezës i cili përçon tri mesazhe: universal, fetar e kombëtar.
“Ky është Himni që populli shqiptar do t’i falë botës dhe çdo manifestim kudo në botë që do të organizohet për Nënën Terezë, do të përcillet me Himnin e saj”, thekson Dijana Toska./KultPlus.com
Për më shumë se 50 vite, vdekja ka qenë një pjesë e trishtë e jetës së jashtëzakonshme të Stephen Hawking-ut.
Fizikanti i njohur i cili vdiq në moshën 76 vjeçare, nuk
shpresonte se do ta priste ditëlindjen e tij të 25-të, pasi në moshën 21
vjeçare ishte diagnostifikuar me një sëmundje neuro-degjenerative të
pashërueshme.
Ndonëse Hawking i mposhti vështirësitë për pesë dekada, në
vitin 2011 ky shkenctar kishte thënë për “The Guardian” se vdekja s’ka qenë
asnjëherë larg mendjes së tij.
“Për këto 49 vite kam jetuar me përspektivën e një vdekje të
hershme. Unë s’kam frikë nga vdekja, por as nuk po nxitohem drejt saj. Deri në
atë ditë, kam shumë gjëra për të bërë”, kishte thënë Hawking.
Në vazhdim po ju paraqesim disa nga mendimet më interesante të këtij shkenctari rreth vdekjes, jetës së përtejme dhe Zotit.
Hawking-u nuk besonte në parajsë
Ky shkenctar kishte një pikëpamje pragmatike rreth asaj se
çfarë ndodh me trupin dhe trurin pas vdekjes.
“Unë e konsideroj trurin si një kompjuter i cili do të
ndalojë së punuari atëherë kur përbërësit e tij dështojnë”, kishte thënë ai për
“The Guardian”. “Për kompjuterët e prishur nuk ekziston parajsa e as jeta e
përtejme; kjo është vetëm një përrallë për njerëzit që kanë frikë nga
errësira.”
Ai besonte në “një Zot të papërcaktuar”, por jo në një
krijues
Hawking i referohej emrit të Zotit në librin e tij themelor
“Një histori e shkurtër e kohës” (A Brief History of Time), ku shkruante se
nëse fizikantët do të mund të gjenin një “Teori të gjithçkaje” – e cila do të
ishte një shpjegim i ndërlidhur rreth asaj se si funksionon gjithësia – ata do
të mund ta vërenin “mendjen e Zotit”.
Por në disa intervista dhe shkrime të mëvonshme, si ajo e
vitit 2010 e titulluar “The Grand Design”, Hawking ka sqaruar se ai nuk ka qenë
duke iu referuar një krijuesi në kuptimin tradicional.
“Krijimi spontan ose i vetvetishëm është arsyeja që ekziston
diçka në vend të asgjëje, që ekziston gjithësia, që ekzistojmë ne”, shkruante
ai në “The Grand Design”. “Nuk është e domosdoshme të thirret Zoti për ta ndezur
“Letrën e kaltërt” dhe ta vë gjithësinë në lëvizje.”
Përdorimi i fjalës “Zot”, kishte thënë Hawking për “Times”
pas publikimit të librit, është më shumë figurativ se sa i mirëfilltë.
“Zoti është emri të cilin njerëzit ia japin arsyes se përse
ne jemi këtu” kishte thënë ai. “Mirëpo unë mendoj që arsyeja është ligj i
fizikës, më tepër se sa dikush me të cilin mund të kesh një marrëdhënie
personale. Një Zot i papërcaktuar.”
Hawking e konsideronte veten Ateist
Në një intervistë për gazetën spanjolle “El Mundo”, Stephen
Hawking kishte folur mjaft qartë për mendimet e tij mbi Zotin,
“Para se ta kuptojmë shkencën, është e natyrshme për ne të
besojmë që Zoti e ka krijuar gjithësinë. Por shkenca sot ofron një shpjegim
shumë më bindës”, kishte thënë ai. “Ajo që kam menduar kur kam thënë se ‘ne do
ta njihnim mendjen e Zotit’ është që ne do ta njihnim çdo gjë që Zoti do ta
njihte, nëse ai do të ekzistonte, por që nuk ekziston. Unë jam një Ateist”
kishte thënë Hawking.
Por prap mendonte se gjithësia e kishte një kuptim
Sipas gazetës prestigjioze amerikane “The New York Times”
edhe pse Hawking-u refuzonte ta përdorte termin tradicional “Zot” ose
“Krijues”, ai thellësisht besonte se gjithësia dhe jeta e kanë një kuptim.
“Mos harroni të shikoni lartë tek yjet dhe jo poshtë tek
këmbët. Tentoni t’i jepni kuptim asaj që e shihni dhe vriteni mendjen rreth
asaj se çfarë e bënë gjithësinë të ekzistojë” kishte thënë Haëking mbi kuptimin
e jetës.
“Bëhu kurioz. Sado e vështirë mund të duket jeta, ekziston
gjithmonë diçka që mund të bësh dhe të kesh sukses.”
Fondacioni nga Kosova ‘Action for Mothers and Children’, që vepron në qytetin e Cyrihut, ka dhënë detajet e fundit për mbrëmjen e bamirësisë ‘Shpëto Jetë’, e cila do të mbahet të premtën, më 10 maj, në Hotelin “Marriott” të Cyrihut, transmeton albinfo.ch.
Organizatorët njoftojnë së këtë vit, mbrëmja do të ketë një
pikë artistike nga sopranoja, Learta Jakupi, ndërsa përgjatë mbrëmjes do të
performojë edhe bendi nga Prishtina ‘String String’.
“Qëllimi kryesor mbetet ngritja e fondeve për nënat dhe
fëmijët në Kosovë, rrjetëzimi dhe shkëmbimi i njohurive dhe ekspertizave për
një punë sa më të mirë”, thuhet në njoftim.
Shitjet e biletave do të shkojnë për furnizimin me pajisje mjekësore dhe medikamente, zhvillimin e sistemit të transportit neonatal dhe zgjerimin e Qendrave Informuese për Shëndetin e Gruas ‘Klasat për Nëna’ në Kosovë./KultPlus.com
Veshje tipike e grave në Shqipërinë Veriore, mbi lumin Drin, Nikaj-Mërturi e Rugova, Malësi e Madhe dhe shqiptarë të Malit të Zi, në zonën e Nën Shkodrës deri në Breg të Matit ku malësorët e Malësisë së Madhe kanë zbritur.
Xhubleta është një fund në trajtë këmbane, që vjen i valëzuar përfundi, sidomos në pjesën e mbrapme. Përbëhej nga një numër i madh copash e rripash të ngushtë shajaku, qepur horizontalisht dhe të ndërthurur me breza gajtanësh. Mbahet e varur në supe me dy rripa të gjërë.
Në shek. XVIII, xhubleta përbëhej nga shumë ngjyra, por ato
që na kanë mbërritur në ditët e sotme janë: të zeza për gratë dhe bardhë e zi
për vajzat. Pjesë të tjera të kostumit me xhubletë janë: kraholinë, xhoka,
kërdhokla, paraniku, kallmat e shputat, etj.
Xhubleta është me prejardhje të lashtë. Paraqet ngjashmëri
me veshjen e disa figurinave neolitike të gjetura në Bosnje, por edhe në vise
të tjera të Mesdheut, që i përkasin mijëvjecarit te dytë para erës sonë dhe
lidhen me qytetërimet e vjetra mesdhetare.
Xhubleta e Malësisë është trashëgimi e qartë e prejardhjes ilire të kulturës tone, që malsorët e përcollen deri në vitet 1950-1960, pra përbën një nga elementët identifikues të veshjes popullore shqiptare, nëpërmjet motiveve, ku emblema për të gjitha është shqiponja. Xhubleta përmban një seri simbolesh ku paraqesin lidhjet me fenë katolike, besimin te zoti ,dashurinë dhe thekson bukurinë e femrës malësore.
Do të vijnë mbas nesh fëmijët tanë e fëmijët e fëmijëve tanë dhe ata do të flasin për ne, ata do të gjykojnë për ne- (Breznitë veprat i gjykojn .. – ka thanë nji njeri i madh!)- dhe nuk do t’na dënojn, e dij, për belbëzimet tona, shtërzimet’ për gabimet – t’vogla e t’mëdha-për të mbërrimet tona… Pse – kush ka faj që prindet s’na lanë gadi kurrgja -pos vorreve dhe padijes; kush ka faj që aq kohë – errësija dhe vetmija- si mrazet e pranverës kanë mbyt filizat mu në farë?! Do të vijnë mbas nesh fëmijët tanë e fëmijët e fëmijëve tanë-breznitë, dhe ata do të dijnë për ne, se ne jemi pjella e Ditës së Re-dhe plot diell e dashni; do të dijnë për ne, e dij, dhe do t’ua kallxojnë me binduni fëmive të vetë si kemi ngallnjye, nga hini dhe vjetërsia,qytete t’reja, fabrika dhe katunde… si kemi shkrue kangë, si kemi thurë tregime- tue belbzue ebecenë dhe gjuhën vetë… (Dhe, ani, që të gjithë jemi marrë me çdo gja, si me qenë mjeshtra çollakë, me pak dije po me shumë e shumë vullnet.
Kryeministri i Kosovës, zotëri Ramush Haradinaj së fundi është paraqitur në publik jo vetëm si politikan por edhe si këngëtarë.
Modestia e tij dhe talenti për
muzikë është komentuar mjaft nga qytetarët, mirëpo kryeministri duket se është
mjaft i guximshëm dhe i pakompleksuar për të shfaqur edhe anën e tij të padukshme.
I pyetur nga gazetarët se cila është
arsyeja pse këndon, kryeministri Haradinaj tregon pasionin e tij për këngën “Kah
po shkon moj zanë” dhe ajo që e lidhë me këtë këngë është nostalgjia e luftës.
Kjo këngë është përdorur si lloj
alarmi dhe frymëzim për t’iu dhënë forcë ushtarëve të Kosovës për të luftuar.
“Për ata që kanë qejf me ditë pse këndoj, unë këngën e kam filluar në luftë. S’e di prej tutës apo prej trimnisë, por në luftë e kam filluar sepse para lufte nuk kam kënduar kurrë. Në luftë nuk kemi pas trumpe ose alarm për mirëmëngjesi, për me i çua ushtarët ka qenë kënga “Kah po shkon moj zanë”, krejt ushtarët e kanë pas mërzi këtë këngë. Kur jam hy nëpër ato ku kanë fjet ata, kanë qenë shumë të tmerrshme me i pa, unë nuk kam thënë çohuni por këngën “Kah po shkon moj zanë”, u shpreh kryeministri Haradinaj.
Edhe pse i vetdijshëm se dikujt mund të mos i pëlqej, Ramush Haradinaj thotë se ai këndon sepse e ka qejf këndimin./Kultplus.com
Arben Llapashtica, fitues i garës së fotografisë të organizuar nga BERZH-i.
Kameramani, Arben Llapashtica, është shpallur fitues i garës
së fotografisë të organizuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim
(EBRD), me bazë në Londër.
Llapashtica në këtë garë ka konkurruar me një fotografi të
shkrepur në Malet e Rugovës.
“Fotografia është shkrepur nga fshati Shtupeq derisa isha në një aventurë të hikingut. Rugova është e pasur me shpella, ujëvara, liqe të ndryshme, pika të larta malore dhe tunele. Është një nga destinacionet më të mira për hiking, skijim, paraglajding dhe për piknikë”, ka thënë Llapashtica kur e ka sqaruar motivin e fotografisë së përzgjedhur në këtë garë, fotografi e cila doli të jetë fituese, raporton Koha.net.
BERZH-i, në thirrjen për pjesëmarrje në garë, ka thënë se
Ballkani Perëndimor është një nga rajonet më të bukura ku kjo bankë punon.
Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia veriore dhe
Serbia janë përplot befasi.
Aty përmendet Nikola Tesla, si zbulues dhe matematikan serb
(i lindur në Smiljan gjatë Perandorisë Austriake, tani në atë që quhet Kroaci)
dhe Nëna Terezë (apo Mari Tereza Bojaxhiu), fituese e çmimit Nobel për paqe, e
cila ka lindur në atë që tash njihet si Maqedonia e Veriut.
Sarajeva, kryeqyteti i Bosnjës, që ishte nikoqir i sivjetmë
i Takimit Vjetor dhe i Forumit të Biznesit të BERZH-it, ishte një prej qyteteve
të para që kishte sistemin e vet të tramvajit.
Lord Bajroni kishte lavdëruar veshjet shqiptare në letrat
dërguar nënës së tij. Ndërsa druri më i vjetër në Evropë – Stara Maslina
(Ulliri i Vjetër) – rritet në Tivar të Malit të Zi dhe është mbi 2 mijë vjeç.
Fituesi i garës u shpall në bazë të pëlqimeve që kishte
marrë në platformat Instagram dhe Facebook.
Kujtojmë se të drejtë pjesëmarrjeje në këtë garë kishin të gjithë pasionantët e Ballkanit Perëndimor nga mbarë bota./KultPlus.com
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK) dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Malit të Zi nënshkruan sot marrëveshjen dhe protokollin për bashkëpunim, me qëllim të thellimit të bashkëpunimit në fushat e interesit të përbashkët dhe kërkimeve akademike në të ardhmen, sipas kumtesës së ASHAK-ut.
Këto dy dokumente janë nënshkruar nga udhëheqësit e të dy institucioneve të larta shkencore, kryetari i ASHAK-ut, akademik Nexhat Daci dhe kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Malit të Zi, akademik Dragan K. Vukçeviq.
Udhëheqësit e të dy institucioneve janë zotuar të punojnë për zbatimin e pikave të kësaj marrëveshje dhe protokollit për bashkëpunim, të cilat janë dokumentet e para të këtij lloji të nënshkruara nga përfaqësuesit e këtyre dy akademive. / KultPlus.com
Për herë të parë në histori, ka më shumë njerëz të moshuar sesa fëmijë të vegjël në planet.
Numrat tregojnë se në fund të vitit 2018, numri i njerëzve mbi 65 vjeç ka tejkaluar numrin e të vegjëlve deri në 5 vjeç. Aktualisht, ka rreth 705 milion njerëz të moshës 65 vjeç, ndërsa ata të moshës deri në katër vjec janë rreth 680 milionë.
Po ashtu vihet në dukje rritja e pabarazisë midis të moshuarve e dhe të miturve, që do të thotë se deri në vitin 2050 do ketë dy herë më shumë 65-vjeçarë për çdo person të moshës deri në 4 vjeç.
Ky hendek në rritje është një trend që demografët e kanë studiuar për vite: në shumicën e vendeve jetojmë më gjatë, por lindja e foshnjave është në rënie.
Në vitin 1960, shkalla e fertilitetit të botës ishte gati pesë fëmijë për grua, sipas Bankës Botërore. Pothuajse 60 vjet më vonë, ajo u përgjysmua në vetëm 2.4.
Popullsia e moshuar është më e madhe në vendet e zhvilluara. Ata kanë një nivel më të ulët të lindjeve për arsye të ndryshme, kryesisht lidhur me prosperitetin ekonomik – shkalla e vdekshmërisë fëminore është më e ulët, por mjetet kontraceptive janë më të aksesueshme dhe edukimi i fëmijëve mund të jetë shumë i shtrenjtë.
Standarde më të mira të jetesës do të thotë që njerëzit në këto vende “jetojnë më gjatë”. Shembulli kryesor është Japonia, ku ka rreth 18 milionë njerëz të moshës 75 vjeç e lart
Sipas të dhënave të OKB-së, përqindja e fëmijëve nën moshën 5-vjeçare në popullsinë e përgjithshme të Japonisë është rreth 3.85 përqind. Në nëntor të vitit të kaluar, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) paralajmëroi se ekonomia japoneze mund të përjetonte një rënie prej më shumë se 25 për qind gjatë 40 viteve të ardhshme për shkak të popullsisë së vjetëruar.
Vendet afrikane janë shembulli më i mirë i sa i përket normave të lindjeve: ato janë në krye të listës së vendeve me pjellori të lartë. Për shembull, Nigeria është “vendi më pjellor në botë”, me 7.2 lindje për grua të regjistruar në 2017.
Megjithatë, të njëjtat vende kanë një shkallë të lartë të vdekshmërisë për fëmijët – Nigeria ka një normë prej 85 fëmijë për 1000 lindje, një nga më të lartat në botë.
Një nga rastet më ekstreme është Rusia: shkalla e fertilitetit prej 1.75 fëmijëve për grua pritet të kontribuojë në një rënie të madhe të numrit të rusëve në dekadat e ardhshme.
Departamenti i Popullsisë i OKB-së ka llogaritur se popullsia e Rusisë do të bjerë nga 143 milion në 132 milion deri në vitin 2050.
Në vitin 2015, Kina rishqyrtoi “politikën e një fëmije” dhe në vitin 2018 njoftoi fundin e kufizimit të numrit të përgjithshëm të lindjeve deri në vitin e ardhshëm.
Zbutja e ligjeve të rrepta megjithatë, nuk rezultoi të ishte një zgjidhje magjike: Kina regjistroi 1.5 milion lindje në vitin 2018, e cila ka qenë më e ulëta në 60 vjet.
Ekspertët për popullatën paralajmërojnë se politikat që promovojnë shëndetin e njerëzve të moshuar duhet të luajnë një rol kyç në zbutjen e efekteve që çojnë në fatin e popullsisë.
Argumenti është që individët më të shëndetshëm janë më të aftë të vazhdojnë të punojnë më gjatë dhe me më shumë energji, të cilat mund të rezultojnë me kosto më të ulët shëndetësore. / KultPlus.com
Këngëtarja shqiptare, Jonida Maliqi e cila këtë vit përfaqëson Shqipërinë në Eurovision, tashmë gjendet në Tel Aviv bashkë me delegacionin shqiptarë ku edhe ka mbajtur provën e parë për edicionin e 64 të “Eurovisionit”.
Tashmë është publikuar edhe një pjesë nga prova e parë e Jonidës në skenën e Eurovisionit, ndërsa do të mbajë disa prova të tjera deri në natën e 16 majit, kur do të prezantohet para publikut evropian.
Deri më tani vlerësimet për këngën shqiptare janë pozitive, ku në faqen më të madhe të lajmeve rreth Eurovisionit “Wiwibloggs”, kënga “Ktheju Tokës” është radhitur e dyta si favorite për të fituar, menjëherë pas Holandës e cila kryeson sondazhin. /KultPlus.com
Nora
Visoka-Weller flet për rëndësinë e përkrahjes së Kosovës në këtë fushë
Gjatë luftës
së fundit në Kosovë, një pjesë e thesarit arkeologjik të Kosovës, me pasuri
etnografike dhe arkeologjike u ekspozua në Beograd dhe që nga ajo kohë objektet
kanë mbetur atje.
Të gjitha
eksponatet e ekspozuara në Beograd janë origjinale, përveç monedhave të arit
dhe medaljonit të perandorit Prob. Në lidhje me kthimin e artefakteve dhe
mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të Kosovës, ka folur edhe Nora
Visoka-Weller, e cila është e specializuar në ligjet mbi artin dhe mbrojtjen e
trashëgimisë kulturore.
“Jam
gjithmonë e lumtur të ligjëroj në vende të ndryshme, por është shumë e
rëndësishme për mua të ngris vetëdijen për trashëgiminë e shkatërruar gjatë
luftës së fundit në Kosovë dhe rëndësinë e përkrahjes së Kosovës në këtë
fushë”, thotë Visoka-Weller.
Nora
Visoka-Weller nga Kosova është ligjëruese në akademinë prestigjioze për Studime
të Sigurisë Shtetërore në Romë të Italisë. Me ftesë të shtetit Italian,
gjegjësisht Ministrisë së Mbrojtjes ajo tani u ligjëron trupave të NATO’s dhe
Interpolit mbi ndalimin e kontrabandimit të artefakteve dhe mbrojtjen e
trashëgimisë kulturore në vendet e pas luftës.
Visoka-Weller
gjithashtu është studiuese brenda Kolegjit Selwyn në Universitetin e
Kembrixhit. Sipas regjistrimit të eksponateve të bërë në vitin 1990, në Muzeun
e Kosovës janë evidentuar 7.290 eksponate.
Ndërsa pas
përfundimit të luftës, gjatë muajit qershor 1999, 13 arka me material
etnologjik janë bartur nga Muzeu i Kosovës-Prishtinë, në Muzeun Etnologjik –
Beograd.
Kjo histori
nuk ka të bëjë vetëm me procesin teknik të rikthimit, por ka të bëjë edhe me
zotërimin e së kaluarës, gjë me të cilën merret arkeologjia. Është thënë
vazhdimit se Beogradi i mban këto artefakte për mbrojtje fizike, por edhe për
mbrojtjen e identitetit kulturor serb, gjë që është e kërcënuar në Kosovë.
Është shumë e rëndësishme që këto artefakte të kthehen, për shkak se janë disa kryevepra, artefakte me vlerë e të rëndësishme dhe mbi të gjitha janë pjesë e kulturës së Kosovës. Ato janë një shpjegim i gjithë kulturës, nga sfondi historik dhe vlera e tyre është e pazëvendësueshme.
Alketa Spahiu, 29-vjeçare nga Prishtina nuk ka mundur që të pranohet si punëtore në Ministrinë e Punëve të Jashtme për pozitën si “Zyrtar të Misionit Diplomatik”. Ani se Alketa kishte përgaditje profesionale, përvojë pune, cv mjaftë të pasur të pasur, e dhjetëra aktivitete të tjera që do t’i mundësonin asaj që ta fitonte pozitën e punës për të cilën ajo ka aplikuar.
E diplomuar në studimet bachelor e master në njërin prej universiteteve më prestigjioze në Europë me notë mesatare shumë të mirë për ‘Diplomaci Diplomaci Multilaterale e Siguri Kolektive, 29-vjecarja nga Kosova nuk po mund të gjejë punë në vendlindje.
Ajo u kthye nga Europa për të dhënë kontribut në Kosovë, ansi se posedon pasaportë të huaj.
Por, Alketa u dëshpërua kur aplikoi në një konkurs publik të cilin e kishte hapur, Ministria e Punëve të Jashtme në Kosovë për pozitën e punës si ‘Zyrtar të Misionit Diplomatik”.
Por nga ky institucion kosovar ajo mori përgjigje se nuk i ka përmbushur kriteret përe t’i vazhduar procedurat e tjera të konkursit.
E Alketa, e cila ka mbikualifikime për ktë pozitë të punës, thotë se konkursit ia ka bashkangjitur të gjitha përvojat e saja.
Ajo në një postim të gjatë në Facebook, ka shpjeguar përvojat e saja si dhe ka shprehur zhgënjimin për nepotizmin që i ka kapluar institucionet kosovare.
Ky është postimi i plotë i saj:
VEC TE ISHA KON EDHE E KOMORANIT :p
Dje pasdite, pranova kete email nga Ministria e Puneve te Jashtme qe une nuk i plotesoj kriteret as edhe per test dhe interviste ne konkursin per zyrtar te misionit diplomatik ku do te pranoheshin 15 sosh (e un aplikova e nxitur nga disa miq sepse e di qe nuk ka meritokraci) edhepse:
1. Posedoj summa cum laude (kualifikimi me i larte akademik) bachelor ne Shkenca Politike dhe Komunikim Nderkulturor ne Universitetin e Perugias te perfunduar para kohe ne nje prej universiteteve me te vjeter ne Europe dhe i ranguar shume mire, studente me burse te dyfishte per merite;
2. Posedoj magjistrature ne Diplomaci Multilaterale e Siguri Kolektive me note shume te larte ne te njejtin universitet, studente me burse te dyfishte per merite;
3. Flas e shkruaj rrjedhshem tre gjuhe te huaja, prej te cilave dy jane gjuhe zyrtare te Kombeve te Bashkuara dhe njera e Bashkimit Evropian;
4. Pervoje pune profesionale pese vjecare si e angazhuar me UNDP, programe te qeverise italiane, programe te Komisionit Evropian, Ministri e Drejtesise se Kosoves duke perfshire edhe programet me te mira te Diplomacise Publike e Digjitale brenda Ministrise se Puneve te Jashtme si dhe pervoje praktike me ambasadat e Kosoves;
5. Aktivisite qysh si femije ne organizata si Scouts, Kryqi Kuq, organizata te ndryshme per demokratizim e aktivitete rinore;
6. Autore e kater librave letrare;
7. Aktive ne komunitet qysh ne moshe te hershme;
8. Pjesemarrese ne konferenca te ndryshme nderkombetae te nivelit te larte;
ETJ ETJVLEN TE CEKET QE JAM VETEM 29 VJEC
Edhepse une kam nje pune qe e dua shume dhe vleresohem jashtezakonisht nga shefi, menaxhmenti dhe partneret per performancen time keshtuqe edhe nese do ma ofronin, gjasat maksimale do te ishin qe nuk do ta pranoja, kam aplikuar ne kete pozite vetem si lloj testi per nepotizmin dhe korrupsionin qe ka kapluar kete vend.
Sepse une u ktheva ne kete vend per t’u bere diplomate por fale politikave llum partiake, nuk arrita asnjehere dhe sepse jam njeri i principeve dhe nuk kam pranuar asnjehere oferta ne kembim te sherbimeve partiake.
Te gjithe ankoheni per rrahjet neper ambasada, pijandurat qe bejne skandale e per mungesen e kapaciteteve te diplomateve kosovare e nese kjo shkelje flagrante nuk ju ben pershtypje, uroj qe kurre te mos pajiseni me viza per Gjermani e te vuani pasojat e mosreagimit tuaj.
Une kam derguar gjithe dokumentacionin qe eshte kerkuar per kete pozite konform konkursit dhe nuk ka patur asnje baze per moskonsiderim te pakten per test dhe interviste.
Vlen te ceket qe edhe pervojat qe i kam patur brenda institucioneve te Kosoves i kam zhvilluar ne cilesine e ekspertes se angazhuar nga organizata nderkombetare ku pozitat fitohen me merite dhe se as edhe nje here te vetme nuk kam pranuar te behem servile e partive politike.
Gjithashtu, mua kjo pune nuk ma nderron jeten. Une si banore e BE kam te drejte pune ne 28 shtete. Une do te ankohem sepse e dua kete vend dhe sepse mendoj pertej komoditetit personal. Qytetaria aktive eshte baza e demokratizimit te nje shoqerie. Perndryshe, une nuk dua te akuzoj individe instuticional e partiak por korozionin e sistemit qe eshte krijuar nder vite.
Ftoj Jeta Xharra Insajderi Gazeta Express Berat Buzhala Dimal Basha dhe te gjithe mediate interesuara qe ta percjellin kete rast per te miren kolektive.
Ftoj edhe ata qe shpenzojne para nga taksapaguesti e tyre per transparence e qeverisje te mire si Ruairí O’Connell U.S. Embassy Pristina, Kosovo