SHBA: Të gjithë duhet të ndjekin shembullin e Kosovës për riatdhesimin e pjesëtarëve të ISIS-it

Koordinatori amerikan për kundërterrorizmin, ambasadori Nathan A. Tales, thotë se Kosova është një nga vendet e para në riatdhesimin e qytetarëve të vetë, që kanë luftuar për ISIS-in.

Në një konferencë për shtyp, mbajtur të enjten (01.08) në Departamentin e Shtetit, ambasadori Tales tha: “Sa i përket riatdhesimit dhe gjykimit të luftëtarëve të huaj ne kemi pasur disa suksese dhe duam që ato të shtohen. Vende si Kazakistani dhe Kosova kanë qenë në gjendje të riatdhesojnë dhjetëra dhe në disa raste qindra luftëtarë dhe familjarë të tyre, kanë dënuar ata që kanë bërë krime dhe kanë dërguar në qendra rehabilitimi fëmijët dhe familjarët, të cilët marrin pjesë në programe çradikalizimi dhe integrimi”, raporton DW.

Duke përmendur Italinë, e cila ka thënë së fundmi se do të riatdhesojë një luftëtar të huaj, i cili do të gjykohet për vepër penale, ambasadori Tales kërkoi që më shumë vende perëndimore të bëjnë të njëjtën gjë.

“Çdo vend është i detyruar të zgjidhë problemin e qytetarëve të vet, që kanë shkuar për të luftuar për ISIS-in. Asnjë vend nuk duhet të presë që SHBA-ja ose SDF-ja, forcat demokratike siriane, të zgjidhin këtë problem për ta. Ky është një problem që ka të bëjë me vendin ku janë radikalizuar më parë këta luftëtarë të huaj”, tha Tales.

ISIS-i i përhapur në gjithë botën

Ai theksoi se i ashtuquajturi ISIS Kalifat është shkatërruar, por lloje të tjera të ISIS-it vazhdojnë të jenë të gjalla në gjithë botën. Ai përmendi Afrikën dhe Azinë juglindore si shembuj ku shihen rreziqe për shembull në Nigeri, Egjipt dhe Sri Lanka e Afganistan.

Konferencën e shtypit Tales e mbajti së bashku me ambasadorin James Jeffrey, të dërguarin special për koalicionin botëror kundër ISIS-it, i cili foli për rezultatet e luftës kundër ISIS-it në Siri dhe Irak. Në Siri lufta kundër ISIS-it ka pasur sukses, por në pjesë të ndryshme të vendit ISIS-i vazhdon të jetë aktiv. Edhe në Irak ka grupe terroriste të lidhura me ISIS-in.

Çlirimi i disa zonave të Sirisë ka prodhuar një numër të madh luftëtarësh të huaj dhe terroristësh që mbahen në kampe. 70 mijë vetë mbahen në al Hawl. 60 mijë prej tyre janë sirianë dhe irakianë dhe 10 mijë janë nga vende të treta dhe i janë bashkuar 2 mijë luftëtarëve të huaj terroristë. “Aty ekziston problemi i radikalizimit. Ne duam që t’ i largojmë këta njerëz nga andej dhe t’i kthejmë tek komunitetet e tyre”, tha ambasadori Jeffrey.

SHBA-ja ka riatdhesuar pesë të rritur, katër meshkuj dhe një femër, të cilët janë akuzuar për vepra penale të lidhura me terrorizmin dhe mbështetjen e ISIS-it. Një person është dënuar. Proceset e tjera nuk kanë përfunduar.

“Dream Girl”, bashkëpunim i Butrint Imerit e Nimos

Edhe një këngë e re i është bashkuar skenës sonë muzikore duke shtuar shumë sosh që kanë ardhur gjatë sezonës së verës.

Butrint Imeri dhe Nimo kanë sjell bashkëpunimin e ri muzikor duke e sjell para fansave dhe publikut.

“Deram Girl” titullohet kënga e tyre më e re që e kanë shoqëruar me një video tejet të veçantë.

Tekstin e këngës e këngës e kanë shkruar Butrinti, Nimo dhe producenti muzikor, BigBang.

“Supercut” është kompania prodhuese e videos gjersa regjisor i saj Besian Durmishi.

Ndryshe, dyshja është duke mbajtur ndaras disa koncerte anembanë trojeve shqiptare dhe në diasporë. /KultPlus.com

Kandidati për President të SHBA-së Joe Biden viziton restorantin e një shqiptari

Ish zv-presidenti Joe Biden, cili po vazhdon fushatën për president të SHBA-ve ka vizitiuar restorantin e shqiptarit Anton Dedvukaj, në Detroit, Michigan.

Joe Biden njihet si një mik i madh i shqiptarëve i cili ka dhënë një kontribut të madh për çlirimin e Kosovës.

Në Detorit ndodhet një komunitet i madh i shqiptarëve nga të gjitha trojet shqiptare

Në foto shihet kandidati për President Joe Biden, ndërsa mbrapa tij shihet flamuri shqiptar.

Biden u zotua se do të mund Presidentin Donald Trump në  Michigan në zgjedhjet e përgjithshme nëse ai do të fitojë primaren Demokratike. / KultPlus.com

Miley Cyrus me postimin e parë pas arritjes në Kosovë

Artistët tashmë kanë nisur të vijnë në Kosovë gjersa disa prej tyre kanë zbarkuar në kryeqytetin tonë.

Një prej tyre është këngëtarja me famë botërore, Miley Cyrus, e cila gjatë ditës së djeshme ka ardhur në vendin tonë.

Ajo gjatë mbrëmjes së sotme do të performojë në festivalin më të madh të muzikës, “Sunny Hill Festival”, i cili do të zgjat deri më 4 gusht.

Ajo së fundi ka publikuar një fotografi në llogarinë personale të Instagramit teksa i dedikohet festivalit që do të mbahet në parkun e Gërmisë.

Në fakt, Miley ka ri-shpërndarë një mesazh të Dua Lipës teksa tregon se ‘mbretëresha’ ka arritur në Kosovë.

Ndryshe, Calvin Harris, Gashi si dhe shumë këngëtarë të tjerë do të paraqiten para publikut shqiptar në Prishtinë. /KultPlus.com

Sot nis “DokuFest”, para publikut do të shfaqen mbi 280 filma



Prej sot e deri më 10 gusht mbahet edicioni i 18-të i festivalit të filmit “DokuFest”, ndërsa tematika e këtij edicioni është zgjedhur të jeta e vërteta.

Para publikut janë zgjedhur të shfaqen 282 filma, si dhe muzikë e panele të ndryshme ku do të trajtohen tema që kryesisht synojnë fuqizimin e të rinjve në tregun e punës.

Drejtoresha e festivalit “DokuFest”, Nita Deda tha se këtë vit ky festival do të ketë një program të larmishëm duke përfshirë ekspozita, muzikë dhe filma për të gjitha kategoritë.

Drejtori artistik i “DokuFest”, Veton Nurkollari, tha se nga 2500 filma garues janë përzgjedhur 16 sish që do të garojnë në gjashtë kategori.

Sipas tij, risi këtë vit do të jetë kinemaja mobile, e cila do të udhëtojë në disa lagje më të skajshme të Prizrenit, për ta sjellë festivalin në çdo pjesë të Prizrenit.

Nurkollari u shpreh se edhe këtë vit “DokuFest” do të ketë një festival muzikor që do të shtrihet në katër skenat e festivalit.

Drejtori artistik njoftoi po ashtu se në këtë edicion do të shfaqen edhe 50 filma për të rinj dhe fëmijë.

Sipas përzgjedhësit të filmave të shkurtër, Samir Karahoda tha e programi i filmit të shkurtër përmban gjithsej 30 filma që janë përzgjedhur gjatë tërë viti. Ai tha se tema e këtyre filmave do të jetë migrimi, racizmi e çështje gjinore.

Linda Llulla, drejtoresha ekzekutive e “DokuFest”, u shpreh se krahas filmave dhe muzikës, publiku do të mund të argëtohet dhe edukohet edhe përmes paneleve të ndryshme që synojnë fuqizimin e të rinjve për tregun e punës. / Insajderi / KultPlus.com

Lisa Marie shkruan libër me detaje “shokuese” për Michael Jackson

Lisa Marie Presley raportohet se e ka bërë një marrëveshje milionëshe për ta shkruar një libër, i cili do të përfshijë detaje “shokuese” për ish-bashkëshortin e saj Michael Jackson.

Këngëtarja 51-vjeçare, e cila ishte e martuar me Jacksonin nga viti 1994 deri në vitin 1996, thuhet se po planifikon ta shpalosë jetën e saj me Mbretin e Popit në një vëllim bombastik të cilin thuhet se ia ka shitur Gallery Books për 3 deri në 4 milionë dollarë.

Një burim shtoi në faqen e kolonës së thashethemeve të “New York Post” se vëllimi “premton zbulime shokuese për Michael Jackson dhe një kuptim krejtësisht të ri për (babanë e Lisa) Elvisin”.

Është e paqartë natyra e zbulimeve të planifikuara të Lisas për Michael, por marrëveshja rreth librit vjen pas thashethemeve të vazhdueshme të abuzimit të fëmijëve, të cilat ndërlidhen me këngëtarin, shkruan KOHA Ditore. Dokumentari i Dan Reed, Leaving Neverland, i eksploroi pretendimet e dy meshkujve, Wade Robson dhe James Safechuck, të cilët pretenduan se Jackson i kishte angazhuar ata në akte seksuale shumë herë në fëmijërinë e tyre. Përfaqësuesit e trashëgimisë së Jacksonit vazhdojnë t’i mohojnë me ngulm akuzat dhe madje iu drejtuan gjykatës në përpjekje për ta ndaluar transmetimin e dokumentarit. / KultPlus.com

Koncerti komemorativ i Metallica “S&M2” do të shfaqet nëpër kinema

Me siguri jeni në mesin e atyre që nuk i kanë blerë biletat për koncertet e ardhshme jubilare të Metallicas “S&M2” në San Francisko. Në fakt, koncerti i parë që e feston albumin simfonik live të vitit 1999 “S&M” është shitur krejtësisht aq shpejt saqë disa fansa dyshuan se ishin përfshirë botët online.

Tani grupi ka njoftuar se ky koncert përkujtimor do të shfaqet më 9 tetor në rreth 3000 kinema në të gjithë globin. Lista e kinemave pjesëmarrëse nuk është konfirmuar ende, por biletat thuhet se do të dalin në shitje nga 7 gushti. Ndërkohë, Metallica e ka krijuar një sajt të dedikuar për më shumë informacione.

Ata do të performojnë përsëri me Orkestrën Simfonike të San Franciscos, këtë herë nën drejtimin e dirigjentit Michael Tilson. Por Metallica nuk po e rikrijon thjesht S&M. shkruan KOHA Ditore. Ata gjithashtu do të kryejnë interpretime të azhurnuara simfonike të këngëve më të fundit, gjatë një koncerti që gjithashtu e shënon hapjen madhështore të Chase Center në Mission Bay.

Interesimi i Metallicas për t’i gërshetuar këngët e tyre me orkestër buronte, pjesërisht, nga dashuria e bateristit Lars Ulrich për koncertin e Deep Purple të vitit 1969 Concerto for Group and Orchestra. Performancat e tyre origjinale me Simfoninë e San Franciskos u realizuan nga Michael Kamen, i cili njihet për bashkëpunimin me Pink Floyd.

Koncerti i dytë “S&M2” zhvillohet më 8 shtator, dy ditë pas të parit. Metallica mbanë një varg koncertesh evropiane nga tani deri atëherë; më pas ata do të mbajnë koncerte në Australi dhe Zelandën e Re. / KultPlus.com

Miratohet projektligji që i mundëson kosovarëve të marrin pasaportë të Shqipërisë

Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, më 31 korrik, është miratuar projektligji i ri “Për Shtetësinë”. Në projektligjin që do i dorëzohet Parlamentit ka disa ndryshime thelbësore, siç është Neni 6 ku parashikohet “Fitimi i shtetësisë me origjinë”.

Aty parashikohet:

1.Shtetësia shqiptare fitohet nga i huaji, të paralindurit e të cilit kanë origjinën shqiptare, me kusht që të provohet lidhja familjare në vijë të drejtë, deri në tri shkallë, e kërkuesit me të paralindurin.

2.Në këtë rast shtetasi paraqet kërkesë për fitimin e shtetësisë shqiptare në bazë të origjinës dhe plotëson kriteret e përcaktuara në shkronjat “dh” dhe “ë”, të pikës 1, të nenit 8, të këtij ligji.

3.Dokumentacioni i nevojshëm që provon origjinën shqiptare të kërkuesit përcaktohet me udhëzim të ministrit.

Ky nen u krijon mundësinë të gjithë shqiptarëve që kanë lindur në shtete të tjera, por që arrijnë të provojnë origjinën shqiptare, të marrin shtetësinë e Shqipërisë. Qytetarët e Republikës së Kosovës u përjashtuan nga marrja e shtetësisë shqiptare me një vendim të korrikut të 2013-ës, pavarësisht se mund të provojnë origjinën (kombësinë) shqiptare.

Por ky vendim shfuqizohet në projektligjin e ri.

Në projektligj shkruhet: “Ligji nr.8389, datë 5.8.1998, “Për shtetësinë shqiptare”, i ndryshuar, vendimi nr.554, datë 3.7.2013, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave për njohjen ose fitimin e shtetësisë shqiptare nga personat me origjinë shqiptare, me përjashtim të shtetasve të Republikës së Kosovës”, dhe çdo dispozitë tjetër në kundërshtim me këtë ligj shfuqizohen.”

Një tjetër ndërhyrje e rëndësishme është edhe dhënia e shtetësisë shqiptare për këdo që lind brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.

Në nenin 4 “Mënyrat e fitimit të shtetësisë”, përveç origjinës është shtuar edhe: “lindje në territorin e Republikës së Shqipërisë”.

Kjo do të thotë se Shqipëria pranon parimin e “Jus soli”, që i jep shtetësinë çdo personi që lind brenda territorit të saj edhe nëse asnjë prej prindërve nuk ka shtetësinë shqiptare. Ky parim respektohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa në disa shtete të Evropës janë disa kritere shtesë që duhet të plotësohen./tch/

Marsh paqësor për natyrën në Prishtinë

Iniciativa vullnetare e qytetarëve të vullnetit të mirë sot organizojnë marsh paqësor në Prishtinë me moton “Çfarë mundemi ne të bëjmë për natyrën dhe shoqërinë”.

Marshi nis në ora 11:00 nga sheshi “Zahir Pajaziti” dhe do të vazhdohet në drejtim të sheshit “Skënderbeu”.

Sipas organizatorëve, marshe të tilla synojnë të organizohen edhe në qytetet e tjera në Kosovë e Shqipëri ndërsa më 21 shtator kur shënohet Dita e Paqes të organizohet një marsh i tillë edhe në Bruksel. KultPlus.com

Ardian Bujupi dhe Elvana Gjata sjellin ‘Meine Liebe’ (VIDEO)

Edhe një këngë e re i është bashkuar skenës sonë muzikore duke shtuar shumë sosh që kanë ardhur gjatë sezonës së verës.

Ardian Bujupi dhe Elvana kanë bashkuar forcat për të sjell një projekt muzikor para fansave dhe publikut të gjerë.

“Meine Liebe (I dashuri im)” titullohet kënga e tyre më e re që e kanë shoqëruar me një video tejet të veçantë, ku shihet për mrekulli këngëtarët.

Theksojmë se një pjesë e këngës është regjistruar në gjuhën gjermane gjersa pjesa më e madhe në gjuhën shqipe.

Ndryshe, dyshja është duke mbajtur ndaras disa koncerte anembanë trojeve shqiptare dhe në diasporë. KultPlus.com

Hapet ekspozita arkeologjike në Kalanë e Prizrenit

Në Kalanë e Prizrenit është hapur ekspozita arkeologjike.

I pranishëm në hapjen e ekspozitës ishte edhe i pari i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi.

Me këtë rast, ai tha se përmes kësaj ekspozite paraqitet trashëgimia dhe kujtesa, të cilat sipas tij, janë pjesë përbërëse e identitetit kulturor.

Sipas tij, dëshmitë e paraqitura në ekspozitë janë dëshmi të emancipimit kulturor e shoqëror të qytetërimit tonë.

“Kalaja e Prizrenit, është monumenti më i veçantë i trashëgimisë kulturore në Republikën e Kosovës, simbol i qytetit, pjesë e ndritshme e identitetit kulturor të Kosovës. Ministria e Kulturës ka mbi dhjetë vite që këtë monument të veçantë e ka përfshirë në prioritetet e veta dhe falë angazhimit të suksesshëm të stafit profesional të MKRS- së, Kalaja është shndërruar në njërin prej atraksioneve të turizmit kulturor dhe të politikave kulturore në vendin tonë”, thotë ai.

Gashi shton se trashëgimia kulturore e historike është pasqyrë e vlerave dhe e nivelit kulturor të një populli, dhe se, përmes kujtesës historike, e njohin dhe e nderojnë të kaluarën, traditën, rrënjët, gjurmët, frymëmarrjet tona nëpër shekuj.

“Ky monument, falë përkushtimit të MKRS-së si dhe Fondit të Ambasadorit Amerikan ka marrë një pamje tjetër, krejtësisht solemne, është dhe mbetet Arkivi i Kosovës sidomos për epokën, historinë e periudhës mesjetare po ashtu Kalaja e Prizrenit është plotësuar edhe me një komponentë shumë të rëndësishme, pra Muzeun e Kalasë”, theksoi ai.

Tutje ministri tha se funksioni i këtij Muzeu është multidimensional, ku krahas ekspozitës së përhershme, në këto ambiente do të mund të organizohen aktivitete të ndryshme kulturore ndërkohë që, është krijuar ambienti i përshtatshëm edhe për stafin menaxhues të këtij aseti të trashëgimisë kulturore.

“Ekspozita, të cilën po e përurojmë përmban thesarin më të mirë të trashëgimisë kulturore të Republikës së Kosovës ku paraqiten eksponate të cilat janë zbuluar kryesisht nga zona e Prizrenit dhe në Kalanë e Prizrenit. Në Kala janë zbuluar struktura të shumta arkitekturore, objekte të ndryshme qoftë enë, armë, stoli, monedha të shume epokave,” tha ministri. / KultPlus.com

Si Ali Pasha vrau dashnoren e djalit bashkë me 17 prostituta

Historia që vijon, është më kontradiktorja nga “bëmat” e Ali Pashë Tepelenës.

I rrethuar gjithnjë prej femrash që stoliste e bënte me to ç’të donte, mori befas një vendim të tmerrshëm për t’i mbytur në liqen disa nga dashnoret e të birit, të cilat ligji i kohës “i ndëshkonte”. Ai vetë, po e po… bashkë me Lordin Bajron.

Prandaj, kjo është një nga ngjarjet që shumica e europianëve shënuan në mbresat e tyre në Pashallëkun e Ali Pashës, që ishte historia e Frosinës dhe djalit të Aliut, Mukhtarit.

Sipas tregimeve, dhe ciceronit që shoqëroi grupin e shqiptarëve në varrin ku prehet trupi pa kokë i Ali Pashës, mësohet se Mukhtari ishte qejfli i madh.

Duke u nisur nga ky fakt, një greke e quajtur Frosinë, që ishte gruaja e një tregtari grek, ishte njëra nga shumë femrat që shkonte me Mukhtarin.

Duke pasur dëshirën e saj që ta vidhte Mukhtarin sa më shumë të mundte, Frosina iu lut atij, i cili e dashuronte si i çmendur, që t’i jepte unazën e floririt që mbante në dorë.Kur Ibrahim pasha vrau në Shkodër 5 oficerë francezë(1812)

I verbuar nga pasionet, ai kujtoi se Frosina ia kërkonte unazën në shenjë dashurie, por Frosina shkoi menjëherë te një argjendar për ta shitur mallin e marrë.

Argjendari që e pa unazën e kuptoi menjëherë vlerën e saj, shkoi në pallatin e Pashait për ta shitur mallin e çmuar te gruaja e Mukhtarit, Pashoja.

Sigurisht që kjo e fundit e njohu unazën e të shoqit, u bë si e marrë dhe e pyeti argjendarin se ku e kishte gjetur unazën. .

Argjendari i tregoi se ia kishte dhënë grekja Frosinë. Pashoja, si grua e ndershme dhe me dinjitet, që tashmë ishte në kulmet e xhelozisë, shkoi menjëherë tek i ati i Mukhtarit, Aliu dhe i tregoi historinë.

Në këtë kohë, Mukhtari thirret nga Stambolli për të shtypur Pashain e Adrianopojës në Turqi.

Aliu që u informua nga nusja e të birit, Pashoja, për herezitë e të shoqit me putanat greke, kreu një hetim dhe i gjeti të gjitha prostitutat me të cilat i biri shkonte, i mori, i lidhi dhe i mbyti në liqenin e Janinës, për shkak të pabesive bashkëshortore dhe prostitucionit që kryenin, çka, sipas Aliut, dhe ligjeve të kohës ishte krim i madh.

Thonë se ishin plot 17 vajza të reja e bukuroshe që s’mëkatuan asfare, përveçse iu bindën urdhëresave dhe urisë seksuale si të të atit, ashtu edhe të të birit.

Megjithatë, u bënë “kokat e turkut”, oshtima e ulërimës së të cilave u dëgjua gjatë në vë veshët e ishullit.

Monologu i të vetmuarit

Poezi nga Ismai Kadare

Tani une ngjitem lart dhe s’kam asnje gezim.
Ketu ku kam arritur me ftohte eshte, me vetmi.
E dija kete, por padurimi i vdekur
Me shtynte te shpejtoj te ky sinor i kote.

Krahe grash te thyera mbi supe si te prera nga nje
morg
Me japin nje gezim po aq te vdekur.
Me duket ende dimer ndonese esht prill.
Kam ftohte.
Kam ftohte.

KultPlus.com

Gabime qesharake në filma

Megjithëse qindra apo mijëra njerëz punojnë në produksionin e filmave, ndonjëherë i shpëtojnë gabime që nuk arrijnë të korrigjohen në fund.

Disa prej tyre përfshijnë informacione të rreme apo detaje që nuk duhen shfaqur.

Në galerinë e mëposhtme do të shihni disa gabime qesharake në filma që ndoshta nuk i kishit vënë re më parë:

“Piratët e Karaibeve” – Jack Sparrow ka vënë një kapele me etiketë “Adidas” që dallohet qartë.




“Troja” – Një aeroplan fluturon prapa Akilit (Brad Pitt)




“American Sniper” përdor dukshëm një kukull plastike në vend të vajzës së personazhit që luhet nga Bradley Cooper.



“The Green Mile” – Një person me fuqi të jashtëzakonshme, i akuzuar për përdhunim, dënohet me vdekje në karrigen elektrike, megjithëse në shtetin ku zhvillohet ngjarja nuk përdorej metoda e dënimit me vdekje.
“La La Land” – Në skenën hapëse të muzikalit modern “La La Land”, shoferët kërcejnë mbi makina në një autostradë në Los Anxhelos. Disa nga tavanet e automjeteve janë shtrembëruar si pasojë e aktivitit fizik mbi to.




Dua Lipa arrin në Kosovë, këto janë fjalët e para të saj

Këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa sapo ka arritur në aeroportin “Adem Jashari” në Prishtinë.

Ajo pritet të përformojë në festivalin Sunny Hill që do të mbahet me datën 1, 2 dhe 3 gusht.

Me të mbërrirë në aeroport, Lipa ka thënë “Mirë se ju gjejë, po ndihem shumë mirë dhe e lumtur.”

Edhe pse pritet që të përforjmë, Dua Lipa ka thënë se nuk e di nëse do të përformoj.

Në pyetjen se a do të përformojë, Lipa ka thënë “Nuk e di a do të këndojë”.

Lindja e xhonturqve dhe roli i shqiptarëve

Në fillim të prillit 1896, raportet diplomatike britanike nga Stambolli flitnin për shenja të pakënaqësisë në shoqërinë osmane, si shprehje kundër regjimit autokratik të sulltanit. ‘Nga fshatarët e deri në Pallat’ dhe brenda të gjitha klasave, përfshirë ushtrinë dhe marinën, pakënaqësia ishte pothuaj publike. Ekzistonin disa organizata që vepronin në favor të shpërndarjes së agjitacionit për një qeverisje liberale, por një organizatë e rëndësishme qe formuar tri vite pas këtyre raporteve diplomatike britanike.

Kadetët ushtarakë i tërhiqte mendimi politik i Perëndimit dhe në mënyrë sekrete debatonin për mundësinë e aplikimit të tij në vendin e tyre. Në maj të vitit 1889, një grup prej katër studentëve të Kolegjit Mjekësor Ushtarak në Stamboll, në mesin e tyre Ibrahim Temo (1865-1945), një shqiptar nga Maqedonia, ishin mbledhur për të formuar një organizatë klandestine me qëllim të heqjes së sulltanit nga froni. Organizata ishte emëruar Ittihat Osmanli Cemiyeti (Shoqëria Osmane për Unitet).

Brenda një kohe të shkurtër, grupi u zgjerua në mënyrë rapide me anëtarë nga shkollat tjera, nga institucionet burokratike dhe ushtarake. Anëtarët u organizuan në qeliza sekrete dhe u identifikuan me numra. Ibrahim Temo mori numrin 1/1, që d.m.th. ishte anëtari i parë themelues ose ‘xhonturku numër një’ siç u quajt më vonë dhe që do të luante rol udhëheqës në këtë organizatë.

Kjo organizatë, më vonë, nga shtypi evropian u emërua me termin xhonturqit (turqit e rinj) dhe kishte për qëllim që ta kthente kushtetutën e abroguar, centralizimin e pushtetit dhe unifikimin e Perandorisë nën nacionalizmin e fuqishëm osman. Kjo ishte e kundërta e asaj që kërkonin shumica e shqiptarëve. Premtimi për shkollat në gjuhën shqipe ishte i vetmi element tërheqës që xhonturqit ofronin për shqiptarët. Megjithatë, shumë personalitete shqiptare që në të kaluarën kishin shprehur tendenca nacionaliste, dhe shumë oficerë ushtarakë, e shihnin organizatën xhonturke si mjet për të shtyrë përpara çështjen e tyre nacionale dhe kjo ishte arsyeja që iu bashkuan pa ndonjë hezitim të madh.

Ibrahim Temo, për t’i ikur arrestimit, u detyrua të shkonte në Rumani, ku punoi së bashku me Nikolla Naçon për të zgjeruar organizatën me anëtarë shqiptarë, të cilët ishin aktivë në organizatat e tyre sekrete nacionaliste. Temo ia doli ta rekrutonte Nexhip Dragën, anëtar i një familjeje shqiptare me influencë të madhe në Mitrovicë. Komitetet lokale të xhonturqve u shumuan shpejtë anembanë Kosovës, në mesin e popullatës dhe në garnizonet ushtarake dhe deri më 1908 u dominuan nga shqiptarët. Siç ka shënuar Noel Malcolm, ‘Kosova duhej të ishte mburojë kundër xhonturqve’, por në realitet shqiptarët e Maqedonisë dhe ata të Kosovës luajtën ‘rol vendimtar për t’i sjell ata [xhonturqit] në pushtet’.

Shqiptarët po ashtu luajtën një rol të rëndësishëm në mesin e organizatave xhonturke në ekzil. Ismail bej Qemali ishte në mesin e anëtarëve kryesor në kongresin që u mbajt në Paris më 1902 e që u organizua nga princi Sabahudin, me qëllim të bashkimit të fraksioneve të ndryshme të xhonturqve. Ismail beu propozoi që të kërkohej nga Fuqitë evropiane që ato të intervenonin, por shumica e xhonturqve nuk u pajtuan. Xhonturqit mendonin se Fuqitë e Mëdha ishin armiku më i madh i osmanëve dhe se do të ishte turp që të kërkohej ndihmë prej tyre. Ata argumentonin se Ismail beu po ua hapte derën vendeve evropiane imperialiste, që kishin tendenca për të okupuar territore të Perandorisë.

Duke bërë këso propozime, Ismail beu dëshironte që me ndihmën e Fuqive ta siguronte ardhmërinë e Shqipërisë. Ai nuk e braktisi kauzën shqiptare dhe asnjëherë nuk i përkrahu tërësisht xhonturqit. Nën këshillat e Ismail beut, Xhemil Vlora vepronte në Shqipërinë e mesme, kurse në Paris u ndihmoi nacionalistëve shqiptarë që udhëhiqeshin nga Jup Kastrati, që ta themelonin organizatën e tyre.

Botimet shqip në Evropë, të cilat përkraheshin nga Ismail beu, haptas promovonin autonomi ose pavarësi për Shqipërinë. Çështja shqiptare ishte aq temë e rëndësishme në mesin e xhonturqve në ekzil, saqë Porta i shfrytëzoi këto fakte që të deklaronte se Dahmat Mahmut Pasha dhe bijtë e tij po e përkrahnin haptas lëvizjen nacionaliste shqiptare. Kjo e detyroi Dahmat Pashën që ta përgënjeshtronte këtë deklaratë dhe të shprehej se nuk pajtohej me idenë për Shqipërinë e pavarur ose autonome.

Në atë kohë u bë e qartë se Ismail beu nuk ishte në pozitë që t’i udhëhiqte shqiptarët në ekzil, pasi që xhonturqit, por edhe nacionalistët shqiptarë, e konsideronin si pro-grek dhe pro-britanik. Ai shihej si favorizues i një marrëveshjeje diplomatike e cila do të çonte në autonominë e Shqipërisë, por që ishte proces i ngadalshëm dhe, si i tillë, refuzohej nga shumica e atyre që e përkrahnin luftën guerile kundër Portës. Edhe xhonturqit grekë të Maqedonisë dhe pjesëve tjera të Perandorisë Osmane, ishin kundër Ismail beut, pasi që atyre nuk u pëlqente ideja e intervenimit të jashtëm dhe pavarësia e Shqipërisë. Dervish Hima, një prijës nacionalist dhe delegat në Kongresin e Parisit, ishte faktor më i madh, por që Porta gabimisht e kishte cilësuar si vartës i Ismail beut.

Në lidhje më ndihmën nga jashtë, princi Sabahudin dhe Ismail bej Qemali vendosën që të përfshinin Qeverinë britanike në planet e tyre për ta hequr sulltanin nga froni. Ismail beu veproi duke shfrytëzuar eksperiencën dhe lidhjet që i kishte themeluar gjatë karrierës së tij me diplomatët britanikë dhe Foreign Office-in. Britanikët mund të kishin arsye që ta ndihmonin një puç. Foreign Office-i po e humbte influencën që dikur e ushtronte pa pengesa ndaj Portës, kurse këtë rol tashti po e merrte Gjermania. Sulltani ia kishte dhënë Gjermanisë koncesionet e hekurudhës së Bagdadit, kurse britanikët gjatë vitit 1903 dhe 1904 kishin bërë gjithçka për ta bllokuar këtë skemë.

Ismail bej Qemali tentoi që ta siguronte përkrahjen britanike dhe të sillte ndryshime radikale në sistemin osman të qeverisjes, por kjo përfundoi pa sukses pasi britanikët refuzuan që të përfshiheshin në këtë çështje. Dështimi i organizimit të grushtshtetit ndikoi që autoriteti i Sebahudinit dhe Ismail beut të venitej në masë të madhe në mesin e përkrahësve të tyre. Me siguri kjo ka qenë arsyeja pse Ismail beu vendosi që të distancohej nga xhonturqit dhe të tregonte më shumë konsideratë për të ardhmen e Shqipërisë.

Kongresi i Parisit (1902) tregoi se xhonturqit dhe nacionalistët shqiptarë në ekzil ishin më shumë organizata intelektuale sesa politike. Ata nuk kishin themeluar lidhje të forta me organizatat dhe popullin brenda territorit të Perandorisë. Revolucioni po tharmohej në Maqedoni, kurse xhonturqit dhe nacionalistët shqiptarë në ekzil ishin jashtë ngjarjeve dhe situatës reale në terren. Por, shqiptarët me tendenca nacionaliste, sikur ata me ndjenja osmane, së bashku me oficerët e ndryshëm të ushtrisë të cilët iu bashkuan xhonturqëve në Maqedoni dhe Kosovë, ishin në gjendje më të mirë për ta ndryshuar situatën. 

Ministria e Kulturës hap thirrjen për aplikimet për Fondin e Përkthimit Letrar në gjuhë të huaj

Ministria e Kulturës hap thirrjen për aplikime për Fondin e Përkthimit Letrar nga gjuha shqipe në gjuhë të huaj.

Përvoja e vitit të kaluar tregoi një hap të rëndësishëm përpara të ndërmarrë nga Ministria e Kulturës për përhapjen e letërsisë jashtë vendit duke mbështetur përkthimin e veprave në gjuhë të ndryshme italisht, greqisht, spanjisht, frëngjisht ose sllovenisht. Ky fond kontribuoi gjithashtu në rritjen e interesit të përkthyesve të huaj dhe shtëpive botuese të huaja për letërsinë shqipe.

Kjo iniciativë synon të mbështesë përkthimin e veprave më të rëndësishme shqiptare në trillime, letërsi, vepra, ese që tashmë kanë një kontratë botuese me shtëpitë botuese të huaja.

Aplikimi është i hapur nga 1 gusht deri me 26 gusht 2019, në orën 16.00.

Procedurat që duhen ndjekur për të aplikuar në këtë fond janë, kërkesa duhet të dorëzohet nga një botues i huaj, i pajisur me licencë për të publikuar përmes përfaqësuesit të tij ligjor.

Gjithashtu botuesi duhet të sigurojë të drejtat e të drejtës së autorit para se të aplikojë ose të paktën të jetë në proces për të siguruar të drejtat e autorit, një proces që duhet të përfundojë deri në afatin e dorëzimit të specifikuar në kontratën e përkthimit.

Botuesi gjithashtu duhet të paraqesë kontratën me përkthyesin, kontrata origjinale duhet të jetë në gjuhën shqipe ose në anglisht. Pas miratimit të mbështetjes financiare, Ministria e Kulturës do të nënshkruajë një kontratë bilaterale me botuesin.

Së fundmi ndihma financiare (e plotë ose e pjesshme) e përkthimit të veprës do të sigurohet nga Ministria e Kulturës dhe do të mbështesë botuesin. Financimi i plotë / i pjesshëm i përkthimit që do të sigurohet nga Ministria e Kulturës e do të transferohet në llogarinë e botuesit.

Sipërfaqja e Teatrit Kombëtar jo vetëm që nuk preket, por i shtohen edhe 8.000 metra katrorë

Sipërfaqja e Teatrit Kombëtar jo vetëm që nuk preket, por i shtohen edhe 8.000 metra katrorë.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, teksa ka publikuar edhe një video ku nënkryetari i bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku, kryetari i këshillit bashkiak, Toni Gogu dhe anëtarë të rinj të këshillit, panë dje nga afër gjendjen e mjeruar në të cilën ndodhet kjo hapësirë në qendër të kryeqytetit.

“Sipërfaqja e Teatrit Kombëtar jo vetëm që nuk preket, por i shtohen edhe 8.000 metra katrorë! Populiti, materiali me të cilin është ndërtuar ky teatër, as nuk mund të riparohet e as mund të rikonstruktohet”, shprehet Rama duke theksuar se “Tiranës i duhet dhe do të ketë, Teatrin Kombëtar që meriton”.

Gjatë inspektimit, Mazniku u shpreh se “sipërfaqja që i përket sot Teatrit Kombëtar nuk do të preket dhe do t’i mbetet teatrit dhe artistëve”.

“Pamë edhe materialin me të cilin është ndërtuar ndërtesa e teatrit, pupuliti i famshëm, i cili është bërë pothuajse një shekull më parë, por provë e qartë e faktit se kjo ndërtesë në mënyrën se si është bërë nuk ka asnjë mundësi dhe shans të funksionojë apo të qëndrojë në kohë, apo të riparohet a të ristrukturohet”, tha ai. 

Mazniku tha se “përveç faktit që nga ana strukturore, nga ana funksionale, edhe nga ana e sallave, mjediseve ndihmëse për artistët, teatri nuk ka asnjë mundësi funksionale për të qenë një teatër i mirëfilltë modern, që t’i japë mundësinë qytetit të ketë ato vepra për të cilat ka nevojë”.

Ai theksoi se falë këtij projekti, do të përfitohen më shumë se 8000 metra katrorë ndërtim për Teatrin e Ri, i cili do të jetë sipas standardeve më të mira të një teatri kombëtar.

Filmi i Tarantinos lihet pas nga ‘Mbreti Luan’

Filmi më i fundit i Quentin Tarantinos, “Once Upon a Time in Hollywood”, pati një performancë të mirë në fundjavën e parë të shfaqjes në kinematë amerikane.

Ai mblodhi 40 milionë dollarë duke lënë pas “Inglourious Basterds” të 2009 dhe “Django Unchained: në 2012. Filmi i ri, i vendosur në vitin 1969 në kohën e vrasjeve manson, ka si protagonistë Leonardo di Caprion dhe Brad Pitin.

Filmi i Tarantinos është pritur mirë edhe nga kritika me revistën “Times” që e cilëson atë si një nga më të mirët e regjisorit.

Ai është filmi i parë i Tarantinos që prodhohet jashtë kompanisë “Weinstein” ose “Miramaxit” të mëhershëm, dhe një nga më të kushtueshmit, me rreth 90 milionë dollarë të shpenzuar për të.

Por, “Mbreti Luan”, që ishte në javën e tij të dytë të shfaqjes nëpër kinema, e la prapa filmin e Tarantinos duke arritur të arkëtojë 75.5 milionë dollarë.

Risjellja në ekranin e madh e një klasiku të Disneyt të 1994, me një kast vokal që përfshin Beyonce, Donald Glover dhe aktorin britanik Chiwetel Ejiofor, ka mbledhur deri më tani 350 milionë dollarë në Amerikën veriore dhe 963 milionë dollarë në shkallë globale.

Perëndive

Poezi nga Dardan Islami

Zoti nuk flet me mua,
e di se më dëgjon,
bëhet sikur s’më kupton,
vazhdon e më provon, shpesh më shpërblen,
i kam thënë shumë herë se e adhuroj,
e kërkova shumë 
por asnjëheerë nuk e gjeta në religjione,
e gjeta rastësisht Brenda vetës.
Zoti është artist, Zoti është comedian
Zoti është energji,
Edhe Zoti gabon!
Ai gjithmonë buzëqesh!

Rikthehet Scorsese-it, një film i ri me De Niron dhe Al Pacino

Një film i ri i Martin Scorcese-s, që mban vulën e “Netflix”, e me një kast yjesh mes të cilëve Robert De Niro, Al Pacino dhe Joe Pesci, do të mbërrijë së shpejti.

Bëhet fjalë për “The Irishman”, irlandezin, një sagë epike mbi kriminalitetin e organizuar në Amerikën e pas luftës, që do të zbarkojë në platformën e “streamingut” në vjeshtë, pasi të kalojë më parë në festivalin e filmit në Nju Jork, më 27 shtator. Por, do të shpërndahet më pas edhe nëpër kinema.

Filmi është një kthim në origjinë për Martin Scorcesen, të lidhur pandashmërisht me Nju Jorkun e tij, mes “Little Italy” dhe “Brooklyn”.

Filmi ka mes protagonistëve edhe një aktor tjetër të preferuar të regjisorit italo-amerikan, Harvey Keitel, bashkë me Ana Paquin, Bobby Cannavale dhe Stephen Graham.

Historia tregohet përmes syve të një veterani të luftës së dytë botërore, që luhet nga De Niro, mashtrues dhe mercenar që ka punuar përkrah disa prej figurave më të rëndësishme të shekullit të 20.

Tregohet një prej mistereve më të mëdha, të pazgjidhura të historisë amerikane, zhdukja e sindikalistit legjendar Jimmy Hoffa, që luhet nga Al Pacino, duke e shoqëruar spektatorin në një udhëtim përmes sekreteve të krimit të organizuar mes meksikanëve, rivaliteteve dhe lëshimeve të politikës tradicionale.

Filmi vlerësohet se është më i kushtueshmi i sezonit të ri, me plot 140 milionë dollarë, duke kapërcyer buxhetin fillestar të “Netflixit” kjo pasi është dashur shumë punë në post produksion, për të rinuar në pamje si Robert De Niron ashtu edhe aktorët e tjerë.

“La Folia”, muzika më me ndikim në histori

Si ndodhi që një melodi e lehtë, e krijuar fillimisht nga fermerët mesjetarë, të pushtojë imagjinatat e aq shumë njerëzve? Pjesë të shkrimin të kritikut të muzikës Andre Valentino, Telegrafi sjell më poshtë.

Është e lehtë sot të kesh informata për top-listat. A doni ta dini kush është artisti më i njohur në rrjetin Spotify? Vetëm pak klikime do t’ju çojnë tek Ed Sheeran dhe 72 milionë dëgjuesit e tij mujor. Po kënga më e njohur? Kënga e Sheranit, “Shape Of You” është e para që u dëgjua dy miliardë herë. Diku tjetër numrat janë edhe më befasues. “Despacito” nga Luis Fonsi dhe Daddy Yankee ka mbi 6.3 miliardë shikime në YouTube

Por, interneti nuk mund t’ju tregojë gjithçka. Për shembull, cila është melodia më e njohur e të gjitha kohëve? Jo kënga me më së shumti versione, se ajo është “Yesterday” e grupit The Beatles. Por, melodia më rezistuese, një temë e thjeshtë e modifikuar nga mendje e duar të panumërta. Një nga kandidatët është një melodi që pak e njohin. Megjithatë, për shekuj të tërë, “La Folia” ka mahnitur qindra kompozitorë dhe muzikantë. Historia e saj na flet shumë për historinë e muzikës dhe ndoshta edhe diçka për veten tonë.

“La Folia” ka një histori të gjatë. Akordet e saj dalluese u zhvilluan për herë të parë nga muzika popullore e Portugalisë, në fund të shekullit XV, ku u përdor në festivale popullore. Emri i saj – “folly” në italisht apo “marrëzi” – i referohet mënyrës sesi fshatarët i drejtoheshin muzikës. Shkrimtari i Rilindjes, Sebastian de Covarrubias, e përshkruan “La Folian” si “shumë të zhurmshme”, ndërsa një tjetër e thekson “gjallërinë dhe zjarrin” e saj, me valltarët “që bëjnë gjeste që zgjojnë epshet”.

Një shekull pas shpikjes, “La Folia” u përhap në Spanjën e afërt dhe më pas në Mesdhe. “Ka pasur shumë muzikantë spanjollë që kanë punuar në Itali, për shembull në Vatikan”, shpjegon Alexander Silbiger, profesor i Muzikës në Universitetin Duke. “Këngëtarët dhe muzikantët ishin spanjollë. Ky mund të ketë qenë faktor në përhapje”. Në këtë mund të ndikojë edhe fakti se Spanja atë kohë e sundonte Italinë e Jugut, duke e bërë më të lehtë shkëmbimin kulturor mes dy vendeve.

Në të njëjtën kohë, muzikantët filluan ta ndryshonin “La Folian” për ta përshtatur me shijet e ndryshme. Nga viti 1650, melodia e zjarrtë u zhyt në epokën e madhështisë, duke u ngadalësuar (versionet e mëparshme ishin më të rrjedhshme). Kjo ka kuptim: fryma e re e barokut nxiste më shumë hir sesa fshatarë e rëndomtë.

Sa e famshme ishte “La Folia” në kulmin e saj në shekullin XVIII? Është e vështirë ta thuash me siguri Statistikat në internet ende nuk janë të qarta dhe kompozitorët shpesh i referoheshin “La Folias” pa e emëruar. Edhe sot duhet të hulumtosh për të mësuar se një kantatë nga Bachu dhe një pjesë për tastierë nga Handeli e përdorën këtë temë. Thjesht, të kërkosh me “La Folia” nuk mjafton.

Megjithatë, ka të dhëna që tregojnë se tema ishte fenomen i veçantë. Midis viteve 1670 dhe 1700, pjesë të huazuara “La Folias” u shtypën kudo – nga Zaragoza deri në Berlin e Oksford. Deri më 1760, kishte arritur në Meksikë dhe në Bolivi. Në dekadën e parë të shekulli XVIII, rreth 20 kompozitorë u morën me të, nga Antonio Vivaldi tek Arcangelo Corelli.

Ndoshta e gjithë kjo ka të bëjë me përshtatshmërinë e “La Folias”. Melodia është aq e thjeshtë saqë muzikantët mund ta eksplorojnë me lehtësi në mënyra të ndryshme, duke shtuar harmoninë ose luajtur me shpejtësinë, e ku gjithmonë tema origjinale shkëlqen. Këto të ashtuquajtura “variacione” të “La Folias” – veçanërisht gjatë periudhës barok – janë disa nga arritjet më të mëdha në muzikë. Përpjekja e Corellit është spektakolare, me violinën që luan për 11 minuta dhe 23 variacione të akordeve origjinale. Ndaj, nuk është çudi që ata që donin të bëheshin violinistë e mësonin “La Folian” e Corellit para çdo gjëje tjetër.

“La Folia” nuk u ndal te muzikantë e klasit të lartë. U përdor në një baladë politike suedeze dhe një operë koti angleze. Madje, ka disa prova se u kthye tek rrënjët fshatare duke ndikuar te këngët popullore të Finlandës dhe të Norvegjisë. Ndërsa, me rënien e barokut tema mbijetoi gjatë shekullit XIX. Beethoveni, Berliozi, Brahmsi dhe Liszti e shfrytëzuan që të gjithë. Rachmaninoffi po ashtu, edhe pse ai ka menduar se Corelli ishte kompozitori.

Tema lulëzon edhe sot. Muzikantët modernë e përshtatin në mënyrat e reja. Disa e kanë luajtur me instrumente të pazakonta, përfshirë sitarin dhe ukulelen. Të tjerët e kanë ndryshuar zhanrin, duke e ndërruar barokun me metall dhe harpsikordin me kitarat elektrike. Në të njëjtën kohë, zhvillimi i kinemasë ka hapur një derë tjetër. “La Folia është përdorur në filma, shumë herë e në mënyra të ndryshme”, thotë Adam Grannick, regjisor dhe adhurues i “La Folias”. “Ishte një version i përdorur tek ‘The Addams Family’. Në filmin ‘1492’, tema kryesore është një version i ‘La Folias’”.

Si u bë që kjo melodi e krijuar nga fermerët mesjetarë, të nxisë kaq shumë artistë? Ekspertët kanë teoritë e tyre. John Williams, kitarist klasik nga Australia, thekson rreptësinë e saj. Të tjerët janë të nxitur nga krenaria kombëtare. Andres Segovia, një tjetër kitarist, e ka quajtur “La Folian” “në thelb spanjolle “. Silbiger ndjehet njëjtë kur e dëgjon. “Ka një nuancë të së kaluarës, të lavdive të Spanjës”.

“La Folia” është përdorur nga muzikantë të panumërt, sipas mënyrës së tyre, si një recetë ku secili shton diçka të tijën. Sidoqoftë, çështja kryesore është se përbërësit themelorë janë gjithmonë të njëjtë. /Telegrafi/

Nesër, Dua Lipa me konferencë në Prishtinë për një projekt të rëndësishëm

Nesër në Prishtinë do të prezantohet “Sunny Hill Foundation Music & Art Center” .

Sunny Hill Foundation dhe Sunny Hill Festival nesër me anë të konferencës do të prezantojnë projektin në fjalë. Dua Lipa do të jetë pjesë e konferencës.

Sunny Hill Foundation ka ndarë fondin prej 150 mijë eurosh për të jetësuar Qendrën Kulturore e cila do të funksionalizohet gjatë vitit tjetër.

Në konferencë nesër do të shpaloset edhe bashkëpunimi i parë në mes të Sunny Hill Foundation dhe Institute of Arts and Innovation përfaqësues nga Gëzim Gashi. Tre të rinj nga Kosova do të kenë mundësi që gjatë vitit 2020 të udhëtojnë për Amerikë, si pjesë e Quincy Jones Production dhe Institute of Arts and Innovation.

Përmes këtij bashkëpunimi do të përfitojnë të rinjtë e Kosovës, duke ju mundësuar kështu hapjen e mundësive të reja dhe zhvillimit të talentit të tyre në SHBA.

Konferenca do të mbahet në Emerald HOTEL prej orës 11:00 me date 2 GUSHT.

Prezente: Dua Lipa – Sunny Hill Foundation
Dukagjin Lipa – Sunny Hill Festival
Shpend Ahmeti – Kryetar i Komunës së Prishtinës
Gezim Gashi – Institute of Arts and Innovation

Sepse të dua

Poezi nga Hermann Hesse

Sepse të dua, i egërsuar,
Po vi tek ti në këto nete.
Me që ti kurrë s’më ke harruar
Dhe shpirtin tënd mora me vete.

Me mua ësht’ e më përket përfare.
Të mira, të liga, këtu do t’i shkojë.
Prej dashuris’ sime përvëlimtare
S’ka engjëll që mund të të çlirojë

KultPlus.com