“Në birucë nuk kam shkruar, kam ndier”

“Megjithëse ishte mesditë biruca ishte e errësuar … Jashtë binte shi dhe qielli ishte nxirë …” Është kjo një fjali e marrë nga romani juaj “Hetimi”, një roman mbi periudhën e burgut. Le ta nisim nga kjo fjali bisedën … Ku ju çon në kujtesë?

Biruca e parë është e tmerrshme. Është e përgatitur për të bërë përshtypje, për të të thyer, është një nga mjetet e torturës psikologjike. Aty janë të regjistruara gjithë vuajtjet e tërë atyre që kanë kaluar aty, përpara teje, për një periudhë të gjatë apo të shkurtër. Më vonë edhe mësohesh, por ditët dhe javët e para në birucën e parë janë të paharrueshme. Komunizmi për mua ka simbol atë birucën. Është si një top i zi në kujtesën time. Kam bërë një vizatim të mrekullueshëm «Biruca», që është një nga më të mirat në Ciklin e Burgut.

“Gjithë jetën kisha një lloj ndjesie, atë të poshtërimit që më bënte shteti, por asnjëherë si këtu … Këtu nuk kishte kthim prapa. Shteti komunist nuk dinte të falte apo të kërkonte ndjesë …” Është ky roman një përballje me komunizmin? Gjithë jeta ishte një përballje me komunizmin. Ishte një sistem i çuditshëm, vazhdonte të degradohej, të rrënohej dhe nuk kishte kthim mbrapa. Aq e vërtetë sa ne ishim të fundit, pasi kishin rënë tërë shtetet komuniste u dorëzua dhe yni. Poshtërimin e kishte në sistem. Aty ai i provonte karakteret. Kush pranonte poshtërimin edhe mund të vazhdonte të jetonte. Më shumë romani është një përballje me veten time. E kujtoni shkrimin e parë në birucë? Si lindi nevoja për të shkruar? Në birucë nuk kishe mundësi të shkruaje. Dy ditë para daljes në gjyq, hetuesi Dhimitër Shkodrani më dorëzoi aktakuzën dhe më dha një fletë letër dhe një laps të vogël  5 cm, me të cilën supozohej se do të bëja mbrojtjen. Në birucë nuk kam shkruar. Kam ndier, kam përjetuar, kam menduar. Ç’do gjë e shkrova pas 1989-s. Por në realitet shkrimet ishin bërë gati që atëherë. “Spaçi” është një tjetër roman juaji mbi periudhën e kaluar në një nga kampet më të njohura të torturës komuniste. Si e keni shkruar këtë libër? Tregimin e parë e kam botuar në gazetën “Republika” më 1991. Isha akoma punëtor në Abrazivi. Pastaj vazhdova të botoj te RD-ja tregime të shkurtra, të gjitha nga Spaçi. Së fundi i përmblodha në një libër të vogël “Palltoja e burgut”, që u botua më 1995-n nga shtëpia botuese “Letrat”. Janë 50 tregime. Kristjane Monteko i përktheu në frëngjisht dhe shtëpia botuese “Lampsaque” i botoi në vitin 1998 në Paris. Pastaj kam botuar edhe tregime “Thesi i burgut”, “Phoenix”, 1996; “Kostumi i martesës”, “Onufri” 2002; dhe së fundi “Historia e një cope guri”, “Sejko”, 2006. Të gjitha këto janë përmbledhur në dy librat “Hetimi” dhe “Spaçi”, botime të “55”-s. Jeni një ndër autorët që ka shkruar më shumë mbi periudhën e burgut, duke vendosur si në një telajo të vërtetën përtej hekurave… Ishte letërsia një domosdoshmëri për ta thënë këtë të vërtetë? Po, letërsia ishte një domosdoshmëri. Më parë nuk më kishte shkuar në mendje se mund të shkruaja. Më mjaftonin arkitektura, piktura dhe studimet. Por pas burgut ndjeva një nevojë të papërmbajtshme për t›i shkruar ngjarjet, po ashtu bëra edhe me ciklin e madh “Burgu” me 100 vizatime. Edhe tani kam mbledhur disa ngjarje, më ndihmon shoku i Spaçit, Cesk Drangu, ai ka kujtesë të jashtëzakonshme. Ka shumë përcaktime sot mbi letërsinë e shkruar në burg … Ju si e shihni rolin e kësaj letërsie? Ka rol shumë të rëndësishëm. Është një letërsi specifike që lind nga një kohë të caktuar. Duhet të kemi parasysh se ka dy lloj letërsie burgu.

Është letërsia e krijuar nga Viktor Hygo me Zhan Valzhanin dhe Kozetën, që përshkruan burgjet ordinere. Është edhe letërsia, e cila lindi si rezultat i diktaturave të shekullit XX pas rënies së komunizmit dhe nazizmit. Kjo merret me burgjet politike dhe kampet e internimeve. Dostojevski tregonte se i duhej një lloj distance nga koha e kaluar në burg për të shkruar librat mbi atë periudhë. Sa e rëndësishme është distanca në këtë lloj shkrimi? Po, është e domosdoshme që të seleksionosh detajet, të zbutësh urrejtjen dhe ta vendosësh ngjarjen në një kontekst global. Kështu e ka arti dhe letërsia. Çuditërisht koha u jep një patinaturë tjetër. Besoj se koha duhet të jetë midis pesë deri 10 vjet mbas ngjarjeve, se pastaj emocionet zbehen. A ka një lloj disidence në letërsinë e shkruar gjatë asaj periudhe? Kjo pyetje është shtruar shumë herë. Ishte e pamundur, vetëm Kadareja me “Pallatin e ëndrrave” mund të quhet një disidencë. I çuditshëm është dhe një rast i veçantë, ai i Engjëll Çobës që shkruan “Kujtimet e burgut” në atë periudhë, pasi del nga burgu më 1975-n, dhe që u botuan vetëm tani vonë. E keni rrëfyer burgun përmes vargjeve dhe prozës … A ka përfunduar ky rrëfim te ju? Po, sigurisht, tani janë bërë mbi 30 botime, sigurisht jo të gjitha mund t›i quash vepra letrare, por dobia e tyre është e jashtëzakonshme, sepse krahas dokumenteve që po botohen, është krijuar edhe kjo që ju e quani fraksion. Nga ndryshon letërsia e shkruar në burg nga ajo që bëhej jashtë tij … Letërsi të shkruar në burg ka pak. Të sqarohemi, vetëm në burgjet ordinere lejohet të shkruash dhe kanë lindur disa shkrimtarë në Francë dhe në SHBA. Letërsia jonë e burgut është shkruar pas ‘90-s. Po marrim në analizë këtë. Ndryshon në atë që shumica e autorëve me të mbaruar ato kujtime nuk shkruajnë më, nuk dinë të bëjnë letërsinë e zakonshme, sepse kjo lloj letërsie ka lindur nga vuajtja dhe nga një jetë e caktuar. E gjitha është e vlefshme si dokumentacion edhe e atyre që dinë të bëjnë letërsi edhe e atyre që nuk dinë të bëjnë. Besoj se e gjitha kjo do të mbetet si letërsi e burgut nën diktaturë. Besoj se kjo tani e ka zënë vendin e vet në letërsinë që është bërë në këto vitet e tranzicionit. 18 Revista saras /KultPlus.com

Madonna me stil krejt tjetër para se të bëhej e famshme (FOTO)

Pasnjë dyshim, sot ajo është “Mbretëresha e Popit”. Madonna Louise Ciçone, e njohur thjesht si Madonna, nuk ka nevojë për prezantim, pasi të gjithë e njohin mjaft mirë.

Këngëtarja, kantautorja, aktorja dhe biznesmenia e famshme amerikane ka rrëmbyer zemrat e miliona njerëzve në mbarë botën më hitet dhe rolet e saj.

Gjatë gjithë karrierës së saj, Madonna arriti kaq shumë gjëra dhe veprat e saj janë vlerësuar nga shumë kritikë muzikorë.

61-vjeçarja është e pranishme më gjatë së kushdo tjetër në industrinë e muzikës, duke marrë gjithë vëmendjen.

Por, si ka qenë Madonna para famës. Fotot e mëposhtme do ju lënë pa fjalë. /KultPlus.com

Fotografi të punëtorëve të Radio Televizionit të Prishtinës

Radio Televizioni i Prishtinës, institucioni që u themelua 75 vjet më parë, me 5 shkurt 1945, mund të harrohet sot prej gjeneratave të reja.

Radio Televizioni i Prishtinës, shkurtuar si RTP ose TVP, ishte radio televizioni i parë shqiptar i Kosovës. Ndërprerja e programeve nga ky televizion u realizua me masa të dhunshme të ndërmarra nga qeveria serbe në vitin 1990. Radio Prishtina filloi punë menjëherë pas luftës së dytë botërore më 1945 në Prizren, pastaj u transferua në Prishtinë. Pas luftës në Kosovë materiali dhe ndërtesat e Radio Televizionit të Prishtinës janë nën administrimin e Radio Televizionit të Kosovës.

Disa fotografi poshtë, marrë nga grupi RTP në Facebook, tregojnë stafin punues në RTP. Fotografitë janë huazuar nga Sabri Vllahiu, Sahit Kokolli, Pren Gjidoda e të tjerë.

Do kalonin 29 vite deri kur Televizioni i Prishtinës filloi transmetimin në vitin 1974. 

Në fillim të vitit 1974 TVP nuk ka pasur teknologji elektronike, por i gjithë materiali për program xhirohej me teknikë filmike e mandej dërgohej në TV Beograd ku filmi zhvillohej e më vonë montohej për transmetim. Transmetimi deri më 29 nëntor 1975 bëhej nga TV Beogradi. Në verën e vitit 1974 nga Anglia pati ardhur autoreportazhi (OB Van) i parë me 4 kamera bardhë-e-zi.

Si sot 75 vjet më parë nisi punën Radio Televizioni i Prishtinës

Radio Televizioni i Prishtinës, i pari televizion në Kosovë, sot shënon 75-vjetorin e themelimit. RTP filloi punën së pari në Prizren menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore teksa më pas u transferua në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Ka qenë viti 1945 fillimi i këtij rrugëtimi të gjatë dhe të mundimshëm, fillimisht në kuadër të Forcave Aleate në Mitrovicë ku edhe ka funksionuar stacioni radiotelegrafik.

Në datën 5 shkurt të atij viti, 1945, në Prizren u themelua stacioni i parë profesional me programin e rregullt ditor në gjuhën shqipe, pastaj dhe në atë serbe.

Pas zhvendosjes në Prishtinë, Radio Prishtina vazhdoi rritjen e saj krahas kërkesave të shoqërisë. Falë zhvillimit të teknikës dhe aftësimit të kuadrit u zgjerua dhe u begatua radio-programi.

Kështu Radio Prishtina arriti të bëhet institucion i fuqishëm informativ, arsimor e kulturor brenda dhe jashtë vendit.

Me ato programet cilësore informative, politike, dokumentare, arsimore e kulturore, RTP-ja u bë institucioni i vetëm radioteleviziv që ofronte hapësirë për të gjitha etnitetet që të shprehen në gjuhët e tyre.

“Akordet e Kosovës”, “Mikrofoni i artë”, “Zambaku i Prizrenit”, “Kosovarja këndon” e shumë të tjera janë programet cilësore muzikore që padyshim mbesin thesar i kësaj krijimtarie televizive.

RTP-ja që sot shënon 75-vjetorin është sinonimi i qëndresës kombëtare shqiptare. /KultPlus.com

Libri për Jugosllavinë Socialiste të premten promovohet në Prishtinë

Të premten, me 7 shkurt, prej orës 18:00 në Bibliotekën Kombëtare në Kosovë do të promovohet libri ‘Consumer Culture Landscapes in Socialist Yugoslavia’ – Peisazhet e Kulturës së Konsumatorit në Jugosllavinë Socialiste.

Në promovimin e librit do të marrin pjesë dy nga redaktorët e librit – Nataša Bodrožić dhe Saša Šimpraga, dhe një prej autoreve të librit – Eliza Hoxha.

Jugosllavia Socialiste ishte një eksperiment unik ku u ushtrua një plan urbanistik i veçantë me forma shoqërore progressive. Libri, duke përcjellut një tipologji të veçantë arkitekturore, futet nëpër këtë periudhë që solli shumë ndryshime shoqërore e ekonomike. Libri kalon nëpër Prishtinë, Sarajevë, Novi Sad, komplekset e ndryshme arkitekturore të dizajnuara nga Zivorad Jankovic dhe bashkëpunëtorët e tij, shkruan KultPlus.

Jankovic ishte arkitekt serb që bashkë me H.Muhasilovic e dizajnoi kompleksin Boro dhe Ramizi në Prishtinë.

*

Redaktorët e librit: Nataša Bodrožić, Lidija Butković Mićin, Saša Šimpraga

Autorët e librit: Nataša Bodrožić, Lidija Butković Mićin, Saša Šimpraga, Tvrtko Jakovina, Igor Duda, Ana Grgić Sanja, Matijević Barčot, Branislav Dimitrijević, Dragan Markovina, Darovan Tušek, Jurica Pavičić, Diana Magdić, Mariana Bucat, Robert Plejić, Filip Kobzinek, Mejrema Zatrić, Mirza Mehaković, Aleksandar Bede, Eliza Hoxha + Ana Dana Beroš, Nikola Bojić, Luka Skansi, Brian Shipman, Borka Bobovec, Ivana Prijatelj Pavičić, Christian Maijstre. / KultPlus.com

Shpirt, po bjen borë n’Prishtinë

Nga Eli Krasniqi

Shpirt, po bjen borë n’Prishtinë,
të gjithë janë gëzu, mue mu lagën shputat
se çizmet e vjetra kanë ecë shumë këto vjet
tu kërku pranverat e mëshefuna.

Qyteti asht ba i bardhë, nuk më njeh ma,
në rrugë shoh të rinjë tjerë
sikur na, mendojnë që revulucioni bahet
neve na u deshtë me përbi revulucionet
me i marrë ngryk së pari, me na i ndje vorbullat
e gjakut në gji.
Revolet e heshtuna. Dashnitë e burgosuna.

Unë ka do ditë që ndihem që jam plakë, do ditë çohem
si fëmi. Ato mëngjese janë të çuditshme kur i shoh vijat nër sytë
e mi.

Vazhdoj hala me gjurmu të kalumen, nëpër arkiva, nëpër
rrëfime njerzish. Ty nuk të gjej jashtë vetës.
Brenda meje të kam shterrë.
Paloj rrobat në kofera, prenotoj hotele,
udhëtime nëpër qytete, tu i ndjekw pas-ardhësit e skllevërve të zinj
më dhemb çdo pjesë e trupit për ta,
ma cfilitë shpirtin malli i tyne,
ndërkohë ‘mirësia’ e të bardhëve, më neveritë.

Nuk më duron ky qytet, shpirt
më ban grumbull gjaku, si abort spontan,
më nxjerr jashtë kufinjve të vet. Më degdisë
në pritje, unë nxitoj me u kthy.
Sa herë vij, borë bjen borë shpirt.

Dumoshi pranon detyrën, premton bashkëpunim të ngushtë me komunitetin kulturor

Ministrja e re e Kulturës Vjosa Dumoshi ka marrë sot detyrën, shkruan KultPlus.

Atë ia dorëzoi ish-Ministri Gashi. Dumoshi premton se do të bashkëpunojë me komunitetin artistik si dhe atë të sportit.

Përmes një postimi në Facebook, ajo ka treguar se e ka pranuar detyrën dhe se përgjegjësitë do t’i kryejë me vullnet.

Postimi i plotë i saj:

Të dashur qytetarë

Sot e mora detyren e Ministres për Kulturë, Rini dhe Sport. Si gjithmonë në jetën time, edhe kësaj rradhe detyrat ndaj atdheut do t’i kryej me përgjegjësi dhe vullnet të madh.
Gjithashtu, do të jem e përkushtuar që detyrat, obligimet dhe konceptet e zhvillimit t’i diskutojmë hapur dhe bashkarisht me stafin qeveritar dhe kjo me qëllim për ta rritur efikasitetin dhe kualitetin në punë.

Siç e dini, na presin sfida të mëdha dhe përgjegjësi të mëdha, por BASHKË do t’ia arrijmë. Besimi në ne na jep kurajo dhe forcë.

Me respekt dhe në shërbimin tuaj deri në fund.

Vlora Dumoshi /KultPlus.com

Filmat që parashikuan koronavirusin

“Contagion”, një film i 2011-ës për një epidemi me ngjashmëri të frikshme me koronavirusin, është ngritur në shifrat e shikueshmërisë sërish, duke reflektuar se si njerëzit e përdorin kinematografinë si një mënyrë për të pranuar realitetin.

Por ai nuk është filmi i vetëm, i cilësuar si i parashikues i koronavirusit. Filma si “The Omega Man”, “World War Z” dhe “Pandemic” ndjekin të njëjtën linjë.

Këta filma gjithsesi marrin trajta më fantastike. “Contagion” ndërkohë përkon në shumë detaje me situatën momentale në botë.

Ai fillon me një grua, që luhet nga Guineth Paltrou, e cila kthehet në Minesota me një sëmundje të çuditshme , pas një udhëtimi në Hong Kong. Brenda pak ditësh ajo vdes, duke e lënë të shoqin,që luhet nga Met Demon, në një gjendje shoku. Nuk kalon shumë kohë deri sa dhe të tjerë fillojnë të shfaqin të njëjtat simptoma, teksa ato përhapen përreth gjithë globit.

Me regji të Stiv Soderberg dhe tekst të Skot Z. Bërns, filmi ofron një alternativë tmerruese të ngjarjes. Thashethemet dhe paniku fillojën të përhapen, ndërsa shohim karantina, aeroporte të boshatisura dhe një pamje shokuese të qyteteve.

Ajo që filmi nxjerr në pah është se një vendim i gabuar qeverie apo një pakujdesi mund të shkaktojë një seri ngjarjesh shkatërrimtare.

Një konsultant i filmit, Lori Garet, e cilësoi situatën në film si plotësisht të mundshme.

Është e kuptueshme pse, me përhapjen e koronavirusit, ky film po shihet sërish në mënyrë masive. /KultPlus.com

Sinéad O’Connor ka folur për shëndetin e saj mendor

Sinéad O’Connor ka folur rreth një videoje shqetësuese të cilën e kishte postuar në rrjetet sociale në vitin 2017, duke thënë se vërtetë ka besuar që është e rrezikuar nga vdekja, transmeton Koha.net.

Në videon e postuar në Facebook, O’Connor shfaqej e shqetësuar dhe duke folur haptas për shëndetin e saj mendor. Po ashtu, këngëtarja e kishte pranuar se po i shkon mendja të vetëvritet.

Por, në një deklaratë përcjellëse të lëshuar nga zëdhënësit e saj, fansat ishin informuar që ylli irlandez i muzikës po ndihej më mirë, e sigurt dhe jo e rrezikuar nga vetëvrasja. Po ashtu, ata e kishin konfirmuar se O’Connor ishte e rrethuar dhe nën kujdesin e më të dashurve të saj.

Së fundmi, këngëtarja në një intervistë për emisionin “The Tommy Tiernan Show”, ka folur për këtë ngjarje duke thënë se e kishte postuar videon në fjalë, në përpjekje për të kërkuar ndihmë.

“Atëkohë, në jetën time po ndodhnin shumë gjëra si pasojë e së cilave pësova krizë nervore. Isha në depresion të thellë dhe vuaja nga histerektomia radiale e cila do ta çmendte secilin person. Sot, mund të qeshi dhe të flas për atë periudhë të jetës, por atëkohë ishte një përjetim i tmerrshëm për mua. Nuk më pëlqen të vuaj në atë mënyrë,” citohet të ketë thënë O’Connor.

Këngëtarja e njohur për hitin “Nothing Compares 2 U”, e cila vjetëve të fundit është konvertuar në Islam dhe tani njihet me emrin Shuhada Sadaqat, ka deklaruar se më nuk vuan nga krizat mendore. /Koha /KultPlus.com

Kur 25 studentë shqiptarë u dërguan në kohën e Mbretit Zog për të studiuar në Fakultetet e Mjekësisë në Francë

Nga: Aurenc Bebja

“Comoedia” ka botuar, të enjten e 10 tetorit 1929, në faqen n°6, një shkrim në lidhje me dërgimin në Francë të 25 studentëve shqiptarë nga qeveria shqiptare për të studiuar asokohe në Fakultetet e Mjekësisë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Disa studentë shqiptarë në Francë

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Qeveria shqiptare ka vendosur të dërgojë 25 bursistë në Fakultetet e Mjekësisë në Francë, të cilët do të ndjekin posaçërisht leksionet e Shërbimit shëndetësor ushtarak.

Universiteti i Strasburgut do të marrë 10 studentë, gjë që dëshmon mbi vlerësimin e madh që kanë universitetet franceze jashtë vendit, veçanërisht në Shqipëri. /KultPlus.com

Dora

Poezi nga Faslli Haliti

Dora hapet,
Mbyllet.
Dora
Kap,
Lëshon,
Jep dhe merr,
Vë dhe heq pranga,
Lidh dhe zgjidh zinxhirë,
Vë dhe heq litarin,
Godet dhe përkëdhel,
Ngul dhe shkul,
Ngre dhe shemb;
Mbiell dhe korr,
Hap e mbyll dyer.
Dora lan
Dora lyen;
Dora lan dorën,
E majta lan të djathtën,
E djathta të majtën,
Të dyja lajnë njera – tjetrën;
Dora
Është flori,
Dora është topuz;
Ndan dhe bashkon
Dora, pykë,
Ndan dhe çan.
Dora pajton,
Dora bëhet grusht,
Bëhet pëllëmbë, qëllon,
Të lë pesë gishta në faqe
Dora përkëdhel;
Dor flet me gishta,
Flet pa gramatikë,
Pasintaksë,
Pa morfologji,
Pa gabime ortografike, ortoepike,
Dora bën dhe çbën çdo gjë.
Dora
Autore e çdo vepre,
Autore e çdo ndërtimi,
Autore e çdo konstruksioni,
Autore e çdo shembjeje, shkatërrimi,
Dora firmos lindjet dhe vdekjet,
Dora
Fut dhe nxjerr,
Mbërthen e zbërthen,
Ndez dhe shuan;
Gris
Dhe arnon,
Ngjit
Dhe shqit,
Qep dhe shqep,
Zbardh dhe nxin.
Njeriu s’bën dot pa duar.
Vetëm Zoti bën dhe çbën.

Të bëhet tha Zoti!

Dhe u bë.
U bë dita, nata
Qielli, dielli, hëna,
Yjet.
U bë toka dhe ujërat,
U bënë erërat, breshëri, vetëtima, rrufeja…
U bënë kafshët, shpendët,
Hidrikët , reptilët, mikroorganizmat, viruset.
Edhe çudibërësi i përrallës i thotë mbretit si një zot virtual:
Unë e shëroj djalin tënd madhëri.
Nëse më gjendet një kostum
Që të mos jetë prerë me gërshërë,
Të mos jetë qepur
Me gjilpërë,
Të mos ketë asnjë pullë.


Homologia Elva Margariti uron ministren Dumoshi për detyrën e re

Homologia nga Republika e Shqipërisë, Elva Margariti, e ka uruar ministren Vlora Dumoshi për marrjen e pozitës për të udhëhequr Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Ky është urimi i Ministres së Kulturës së Republikës së Shqipërisë, Elva Margariti.

Përshëndetje Ministre Dumoshi.

Doja të përcillja urimet më të sinqerta për këtë sfidë të re e për rolin e rëndësishëm që ju kanë besuar!

Jam e bindur që urat e komunikimit e përkushtimi për të lartësuar të bukurën shqiptare nuk do të na mungojnë!

Përzemërsisht, Elva Margariti
Ministre e Kulturës së Shqipërisë
. /KultPlus.com

Pamje magjike: Gërmia e mbuluar me borë

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka publikuar fotografi nga parku i kryeqytetit, Gërmia.

Mbrëmjen e së martës në Prishtinë kanë filluar reshjet e mëdha të borës, pas ditëve me temperatura të larta.

Bora ka mbuluar gjithë qytetin, e Ahmeti ka publikuar në Twitter disa fotografi nga parku i Gërmisë. “Parku i Germisë këtë mëngjes. Mushkëritë e Prishtinës”, ka shkruar kryetari.

Fotografitë janë realizuar nga Blend Zymi. /KultPlus.com


Zbulohet një objekt arkeologjik në Durrës (VIDEO)

Një objekt arkeologjik në qendër të qytetit të Durrësit pas godinës së prefekturës. Objekti është zbuluar teksa një subjekt po gërmonte për të realizuar një projekt infrastrukturor. Ajo që dallohet për momentin është një bllok guri si dhe fragmenti i një muri me tulla të kuqe.

Puna është ndërprerë dhe është njoftuar Ministria e Kulturës. Disa specialistë të fushës e kanë evidentuar objektin, fotografuar dhe filmuar. Ata nuk kanë qenë në gjendje të përcaktojnë se çfarë përfaqëson ky fragment i zbuluar dhe cilës  periudhë i përket.

Nga shtresëzimi duket si ndërtim i periudhës së Bizantit. Zbulimi është kryer në qendrën e Durrësit e cila ka qenë historikisht qendra e këtij qyteti qëkurse ai u themelua. Do të jenë specialistët ata që do të analizojnë këtë zbulim./ Shqiptarja.com / KultPlus.com

Gropa ku u zbulua objekti arkeologjik në Durrës

“Kam nevojë që në klasë mos t’më lirohet banka e fundit por të jem aty në mesin tuaj”

Ese nga Albina Osmani

Në këtë jetë të gjithë vijnë si fletë e bardhë! Ndoshta jeta nuk do ketë gjithmonë ngjyrat tona të preferuara… Nganjëherë do jetë vetëm bardh e zi sikur ekrani televiziv që dukej para 20 viteve. Pavarësisht si do reflektojnë ngjyrat në jetën tonë, unë besoj që askush nuk kemi ardhur gabim në këtë jetë, Zoti na krijoi për një arsye, e ç ‘është më e veçanta se të gjithë kemi ardhur në këtë jetë nga krijesa më e bukur që quhet grua.

Ti që më gjykon mua, zhveshe egoizmin nga vetja edhe nëse të ndjek nga mbrapa, injoroje. Në qoftë se për ty nuk jam më shumë se një ollog, atëherë je gabim! Unë mund të bëj aq sa bënë ti… pse jo edhe më shumë, por prapë mos më trajto keq! Nëse jam femër jeta ime dua të jetë më shumë se vetëm 15 vite, jam ende fëmijë që kam nevojë për kraharorin e nënës, jo për kraharorin e një bashkëshorti, kam nevojë që në klasë mos t’më lirohet banka e fundit por të jem aty në mesin tuaj! Të njëjtën gjuhë flasim, të njëjtin ajër thithim, atëherë pse të mos bëhemi solidar. Të gjithë jemi njerëz me kokë, a mjafton kjo për të pirë njësojë gllënjka uji. A mjafton kjo që të më shikosh me një sy më pozitiv, të mos më shikosh ngjyrën e lëkurës, por ngjyrën e shpirtit! E di pse? Sepse askush nuk ka mundur ta kuptoj përmbajtjen e librit duke shikuar vetëm kopërtinat e tij.

Sa shpesh them më vete se mos Zoti më dënojë në mënyrën më ç ‘njerëzore kur më solli në këtë planet të quajtur “Tokë” e sidomos në një vend të quajtur “Kosovë” ku mezi i lanë vend në hartën e botës, aty ku të jesh njeri do të thotë të kesh dy këmbë e dy duar pa ditur mirë rëndësinë e fjalës. Gjëja e vetme që në këtë botë kemi të përbashkët është shpresa! Më fal këtë nuk mund ta ndryshoj… Por prapë se prapë ndihuni të lirë nga kjo sepse shpresa ime dallon nga ajo juaja! Shpresa ime po bëhet ëndërr, ëndërr që të dal rrugëve e lirë pa dëgjuar njeri të më ofendoj e të më shikoj me neveri, të kapem dorë për dore më të gjithë fëmijët e tjerë e të largojë këtë mllef që po më ngulfat, të rri e qetë pa pritur ditën kur për pak para do largohem nga shtëpia… unë nuk jam objekt për t’u blerë as për t’u bërë lodra juaj, e as skllav i juaji. Në qoftë se ti si prind më sheh sikur një çamçakëz para syve tu, për të tjerët nuk do jem as mikrob, do jem një hiç! Nuk dua të jem e tillë, zemrën dhe mendjen vendosë në dyluftim se do ia dalë mbanë, por jo.

Diskriminimi ndaj meje është bërë përditshmëri e imja, nganjëherë vetmin bëjë miken time më të mirë, e bëjë mbretërinë time… më dëgjon në heshtje pa bërë zhurmë, më pëlqen ajo, është e vetmja që më kujton se do vij dita kur dheu do na mbuloj trupin, si timin të zi edhe tëndin të bardh! Përfundimi i të gjithëve do jetë njësoj… do bëhemi engjëj por atëherë do jemi engjëj pa ngjyrë!

Kjo ese ishte në mesin e dhjetë eseve në kuadër të punëtorisë “Pen For Culture” organizuar nga OJQ “ProPlus” dhe mbështetur nga Amasada Amerikane në Kosovë. /KultPlus.com

“ProPlus” hapë thirrjen e tretë për të rinjtë nga të gjitha komunitetet

OJQ “ProPlus” me mbështetje të Ambasadës Amerikane në Kosovë hapë thirrjen e radhës për të rinjtë e të gjitha komuniteteve që të aplikojnë në projektin “PEN FOR CULTURE” që ka për qëllim fuqizimin, paqen dhe socializmin dhe punës ekipore nëpërmjet artit.

Në këtë thirrje të hapur, kësaj radhe kanë të drejtë aplikimi të gjithë të rinjtë prej moshës 13 deri 18 vjeç, të cilët kanë interesim për të marrë mësime për fotografinë nga njëri nga fotografët më të mirë kosovarë.

ProPlus në këtë fazë të projektit fton të rinjtë që janë të interesuar për këtë fushë të artit që të jenë pjesë e kësaj punëtorie që do të zgjasë për tre ditë. Të njëjtit duhet të kenë njohuri bazë të gjuhës angleze.

Afati për aplikim është i hapur deri më datë 29 shkurt dhe të interesuarit mund të dërgojnë aplikimin me të dhënat e tyre personale si dhe një numër telefoni në [email protected]. Nga kjo thirrje do të përzgjedhen 10 nxënës.

Bëhuni pjesë e kësaj punëtorie artistike, shfaqni talentin tuaj dhe shoqërohuni me njëri- tjetrin, në mënyrë që të kuptoni botën e njëri-tjetrit më shumë, thuhet në njoftimin e organizatorëve të kësaj punëtorie që pritet të mbahet brenda territorit të Kosovës. Punëtoria do të mbahet nën mbikëqyrjen e një profesionisti dhe në fund të punëtorisë, nxënësit pjesëmarrës do të pajisen me mirënjohje. /KultPlus.com

Vlora Dumoshi pranon detyrën e ministres në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka përzgjedhur Vlora Dumoshin për pozitën e ministres në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, shkruan KultPlus.

Vlora Dumoshi, e cila më parë ka qenë në postin e Drejtoreshës në Drejtorinë për Kulturë në Komunën e Prishtinës, sapo ka pranuar detyrën e re, pozitën e ministrit në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës.

Ish-ministri Kujtim Gashi ia dorëzojë detyrën ministres së re Vlora Dumoshi për të udhëhequr MKRS-në në këtë mandat qeverisës.

Ai tha se është kënaqësi që i dorëzon postin një ministres që e njeh punën.

“Për mua është kënaqësi e veçantë ta pres për t’ia dorëzua postin, zonjës Dumoshi, për dy vite sa kam qenë në këto zyre jam munduar t’i qoj përpara disa projekte, tani shumë projekte zonja Dumoshi do t’i qoj përpara. Ka pasur shumë sfida duke pasur parasysh që ka shumë kërkesa ka pasur projekte të mëdha kapitale me të cilat mburret ministria. Jam i bindur që sot vjen një figurë shumë e respektuar e Prishtinës që ka dhënë një kontribut si drejtoreshë në Prishtinë dhe sa ka qenë edhe pse shkurt, pasi vjen një ministre që e njeh punën”, tha ai.

Gashi u shpreh i gatshëm të jap kontribut dhe të bashkëpunojë edhe sa të jetë në kuvend.

“Shpreh gjithë kapacitetin si ministër të mbështes projektet që vinë nga kjo ministri. E keni një buxhet të rritur dhe pasi kemi projekte të mëdha, si stadioni dhe salla e baletit dhe besoj fuqishëm që do të ju duhen vetëm disa javë që këto të vazhdojnë”, tha ai.

Ministrja Vlora Dumoshi tha se do të punojë ngushtë me komunitetin e kulturës dhe sportit dhe poashtu edhe me ata që janë të gatshëm të bashkëpunojnë.

“E vlerësoj pritjen tuaj, unë i siguroj komunitetin kulturor dhe sportiv që do të punojë dhe vazhdimësia ime do të jetë edhe e ministrave të mëparshëm. Puna ime do të jetë e afërt me këto komunitete, prandaj jemi afër që kjo të arrihet. Do të bashkëpunojmë në interes të qytetarëve dhe në veçanti të komunitetit të rinisë dhe sportit”, tha ajo. / KultPlus.com

Në emër të Vlora Dumoshit jepet lajmi për vdekjen e Kadaresë, reagon ministrja

Ministrja e re e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka qenë viktimë e sulmeve kibernetike, pak orë para se ta marrë zyrtarisht postin e saj. Dikush ka hapur llogari në Twitter me emrin e saj, dhe ka shpërndarë lajme të rreme, duke thënë se ka vdekur shkrimtari Ismail Kadare

Një llogari në rrjetin social Twitter, me emrin e ministres Dumoshi, sot ka publikuar disa postime në të cilat thuhej se ka vdekur shkrimtari Ismail Kadare.

Postimet janë shkruar në gjuhën angleze, madje në njërin prej tyre thuhet se lajmin për vdekjen e Kadaresë, Dumoshit ia ka konfirmuar edhe ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Shqipërisë, Elva Margariti.

Pas këtyre postimeve në Twitter, ka reaguar ministrja Dumoshi në profilin e saj në Facebook, ku ka thënë se ajo nuk ka asnjë llogari në Twitter.

“Sapo u njoftova se dikush ka hapur një llogari të rrejshme në emër timin në rrjetin social Twitter dhe të njëjtën e ka keqpërdorur, duke lëshuar lajme të rrejshme -fake news. Dua të ju informoj se unë nuk kam asnjë llogari në Twitter”, ka shkruar Dumoshi.

Madje ajo ka shtuar se këtë rast do ta paraqesë në Departamentin e Krimeve Kibernetike në Policinë e Kosovës.

“Menjëherë do ta paraqes rastin në Policinë e Kosovës, departamentin e krimeve kibernetike.
Dëshiroj të shpreh keqardhjen time për këdo që mund të jetë trazuar nga këto lajme të rrejshme, duke keqpërdorur emrin tim”, ka shkruar Dumoshi.

16 vjeçarja shqiptare mahnit jurinë e ‘The Voice of Switzerland’ (VIDEO)

16-vjeçarja Lorena Beadini ishte e para që doli në skenë. Me interpretimin e saj të këngës së Meghan Trainors “All About That Bass”, ajo mahniti të gjithë anëtarët e jurisë. Beadini e ka ditur për një kohë të gjatë se dëshiron të provojë veten si këngëtare.

Në moshën gjashtëvjeçare ajo kishte dhënë koncertin e saj të parë, transmeton albinfo.ch. Pra, asaj nuk i mungon përvoja skenike. E megjithatë atë e rrëmbyen emocionet para se të dilte në skenë.

“Zakonisht nuk kam emocione”, thotë Beadini. Por, në këtë skenë kishte diçka që ndryshonte dhe kjo është e kuptueshme. Lorena po këndonte para emrave të mëdhenj të muzikës zvicerane, si DJ Antoine, Anna Rossinelli, Noah Veraguth dhe “Büetzer Buebe”, Gölä dhe Trauffer.

Ndërkaq, Beadini nuk lejon të hutohet nga të famshmit e pranishëm dhe performanca e saj ishte një nga më të suksesshmet. Talenti i saj qe aq i dukshëm, sa nuk kaloi as një minutë para se secili nga katër anëtarët e jurisë të shtypte butonin jeshil, për t’i sinjalizuar asaj se donte ta kishte Lorenën në ekipin e vet.

E mbuluar nga lëvdatat, ajo tashmë ndodhej në dilema: kë ta zgjidhte. DJ Antoine provoi ta “korruptonte”, duke i dhuruar një trëndafil për ta joshur në ekipin e vet, por Lorena u përcaktua për ekipin e Anna Rossinelli-t. Për të vazhduar garën, Lorena Beadini në raundin e ardhshëm duhet të këndojë duet me njërin nga garuesit e tjerë. /Albinfo.ch / KultPlus.com

Grupi ‘Don’t Listen to Your Neighbors’ me koncert në Vjenë për nderë të Pavarësisë së Kosovës

Këshilli Koordinues në përkrahje të Ministrisë së Diasporës së Republikës së Kosovës dhe Europahaus organizojnë koncert në Vjenë për nder të pavarësisë së Kosovës me një nga grupet më të njohura dhe unike në Shqiptari, shkruan KultPlus.

Grupi ‘Don’t Listen to Your Neighbors’ do të performojnë muzikën tonë të vjetër në stilin e tyre ‘jazz’, ka njoftuar Ermal Vejsa për KultPlus.

Koncerti mbahet më datë 7 shkurt, prej orës 20:00 në Tunnel Vienna Live, Florianigasse 39, 1080 Wien. / KultPlus.com



Filmi “IFIREHS” nga Ben Apolloni sonte premierë në Kino ABC

Filmi “IFIREHS” me skenar dhe regji të Ben Apollonit vjen premierë sonte në Kinemanë ABC, shkruan KultPlus.

Ky film i metrazhit të shkurtër, është i bazuar në ngjarje të vërtetë.

Producente e filmit është Erza Ramku e cila njëherit edhe luan një ndër rolet kryesore në film.

Në film luajnë edhe: Valon Nuhiu, Erza Ramuka, Edona Berisha- Bekteshi, Gjelbrim Emini, Asdren Selimi, Rexhep Ramuka,

Drejtor fotografie i filmit është Fisnik Halili, editor Avdi Thaci, skenograf dhe kostumograf Ardian Kadriu, tonist dhe dizajn i audios Engjëll Mahmuti, ndërsa make-up artiste Lirije Laqi etj.

Filmi vjen premierë sonte në ora 19:00. / KultPlus.com

Në Uster të Zvicrës organizohet mbrëmje kulturore me rastin e Pavarësisë së Kosovës

Në Uster të Zvicrës, Shoqata Kulturore Shqiptare organizon një manifestim kulturor me rastin e Pavarësisë së Kosovës, pjesë e të cilit do të jetë edhe Ansambli Folklorik Autokton Rugova, i njohur për interpretimin mbresëlënës të valleve tradicionale.

Me një program të larmishëm artistik dhe në bashkëpunim me Ansambli Folklorik Autokton Rugova, pretendohet t’u ofrohet publikut atmosferë me rastin e festës së Pavarsisë së Kosovës.

Në kuadër të Festës së Pavarësisë së Kosovës më 15 shkurt (e shtunë) 2020, nga ora 18:00, do të zhvillohet mbrëmja solemne e organizuar nga kjo shoqatë me anëtarët e saj me një program të larmishëm.

Vlen të theksohet se hyrja do të jetë falas. /Albinfo.ch. / KultPlus.com

Fotografia e Shoqata Kulturore Shqiptare Bashkimi

“Disa njerëz në jetën tonë vijnë si bekime, disa të tjerë si mësime”

Thënie nga Nënë Tereza.

“Paqja fillon me një buzëqeshje.”

“Skamja më e tmerrshme është vetmia dhe ndjenja e të qenurit i padashur për të tjerët.”

“Uria për dashuri është shumë e vështirë të hiqet se sa uria për bukë.”

“Puna pa dashuri është skllavëri.”

“Nëse lutemi ne do të besojmë; Nëse besojmë ne do të duam; Nëse duam ne do të shërbejmë.”

“Dashuria e fort nuk mat. Ajo vetëm jep.”

“Njëra ndër sëmundjet më të mëdha është të jesh askush tek çdokush.”

“Disa njerëz në jetën tonë vijnë si bekime. Disa të tjerë si mësime.”

“Mos mendoni se dashuria, për të qenë e vërtetë duhet të jetë e veçantë. Ajo që kemi nevojë është të dashurojmë pa u lodhur.”

“E kam zbuluar një paradoks se nëse unë dashuroj deri në dhimbje, atëherë më nuk mbetet dhimbje por vetëm dashuri.”

– Nëna Terezë

Dua Lipa e mirëpriti versionin e ri të “Don’t Start Now” të interpretuar nga Hayley Williams

Vokalistja e bendit “Paramore”, Hayley Williams, e interpretoi një version më melankolik të hitit të ri të Dua Lipas, “Don’t Start Now”.

Muzikantja e njohur ishte duke performuar në emisionin e radios BBC, “1 Live Lounge”, dhe kishte zgjedhur për ta interpretuar si ‘cover’, këngën e njohur të Lipës, transmeton Koha.net.

Para se ta performonte këngën, Williams i kishte thënë prezantueses së këtij emisioni: “Ne e kemi ndryshuar paksa këngën, në mënyrë që ta interpretojmë sipas stilit tonë. Shpresojmë që Duas do t’i pëlqejë ky version”.

Dhe po, Dua Lipa i ka mirëpritur ndryshimet që Williams ia ka bërë hitit të saj “Don’t Start Now”, dhe për ta përkrahur atë, Lipa e ka postuar një fragment të kësaj performance në Instagramin e saj.

“Don’t Start Now” është pjesë e albumit të ardhshëm të këngëtares kosovaro-britanike, “Future Nostalgjia”, dhe deri më tani i numëron më shumë se 124 milionë klikime në YouTube.

Hayley Williams, përveç si anëtare e bendit “Paramore” është duke e zhvilluar një karrierë edhe si solo këngëtare. Së fundmi, ajo i ndau me gjithë fansat dy këngë nga albumi i saj debutues, “Simmer” dhe “Leave It Alone”, derisa albumi i ri i këngëtares me titull “Petals For Armor”, do të publikohet më 8 mars të këtij viti.