Ylli i “Broadway”, Rebecca Luker, ka ndërruar jetë në moshën 59 vjeçare.
Lajmin e trishtë e konfirmoj agjentja e saj, Sarah Foster, transmeton KultPlus.
Aktorja e nominuar tre herë për ‘Tony’ njoftoi në shkurt se po luftonte me sëmundjen e Lou Gehrig (skleroza amiotrofike laterale).
Nuk është bërë i ditu shkaku i vdekjes së saj.
Aktorja bëri debutimin në “Broadway” në fund të viteve 1980 në “The Phantom of the Oper” duke punuar në rolin kryesor si Christine.
Ajo gjithashtu luajti si Maria në “The Sound of Music”, Marian në “The Music Man” dhe Winifred Banks në “Mary Poppins”, secila prej të cilave fitoi nominimet e saj për Tony përkatësisht në 1995, 2000 dhe 2007. / KultPlus.com
Legjenda e Santa Claus, babagjyshit të Krishlindjve që ne njohim sot, mund të gjurmohet qindra vjet tek një murg me emrin Shën Nikolla.
Besohet se Nikolla lindi diku rreth vitit 280 Pas Krishtit në Patara, afër Myra në Turqinë e sotme. Shumë i admiruar për devotshmërinë dhe mirësinë e tij, Shën Nikolla u bë personazh i shumë legjendave.
Thuhet se ai dha tërë pasurinë e tij të trashëguar dhe udhëtoi nëpër fshat duke ndihmuar të varfërit dhe të sëmurët. Një nga historitë më të njohura të Shën Nikollës është koha kur ai shpëtoi tre motra të varfra nga shitja në skllavëri nga babai i tyre duke u siguruar një pajë në mënyrë që të martoheshin.
Përgjatë shumë viteve, popullariteti i Shën Nikollës u përhap dhe ai u bë i njohur si mbrojtësi i fëmijëve dhe marinarëve. Dita e tij e festës festohet në përvjetorin e vdekjes së tij, 6 dhjetor. Kjo tradicionalisht konsiderohej një ditë me fat për të bërë blerje të mëdha ose për t’u martuar.
Nga Rilindja, Shën Nikolla ishte shenjtori më i popullarizuar në Europë. Edhe pas Reformës Protestante, kur nderimi i shenjtorëve filloi të dekurajohej, Shën Nikolla mbajti një reputacion pozitiv, veçanërisht në Hollandë. / KultPlus.com
Themeluesi i kompanisë Microsoft, Bill Gates, ka thënë se ky vit ka qenë i keq dhe sipas tij pritet që lajme të mira do të na vijnë gjatë vitit të ardhshëm.
“Më shumë se 1.6 milion njerëz kanë humbur jetë gjatë pandemisë së coronavirusit dhe mbi 75 mijë tjerë janë infektuar me COVID-19, kurse dëmet ekonomike kapin vlerën e dhjetëra trilion dollarëve. Miliona njerëz kanë mbetur pa punë dhe kanë probleme të mëdha për të paguar faturat, e mbi një miliard fëmijë kohën më të rëndësishme për shkollë, e kanë humbur. SHBA këtë vit ishte dëshmitare e vrasjeve të tmerrshme siç ishte ajo e George Floyd dhe Briana Taylor, zjarret në zonat malore dhe zgjedhjet presidenciale që kurrë më parë nuk janë parë të zhvillohen në atë mënyrë”, ka shkruar Gates në blogun e tij “Gates notes”, transmeton KultPlus.
Megjithatë, thotë së gjërat do të përmirësohen gjatë vitit 2021.
“Gjatë vitit të ardhshëm do të na vijnë lajme të mira. E kam kaluar 2020-ën me kolegët nga Fondacioni, duke u munduar ta kuptojmë se si duhet ta testojmë, trajtojmë dhe parandalojmë COVID-19. Kur mendoj shpejtësinë dhe përparimin e shkencëtarëve, jam i befasuar. Raca njerëzore kurrë nuk ka bërë përparim më të madh kur është fjala për shërimin e çfarëdo sëmundje brenda një viti. Një gjë e tillë kurrë më parë nuk është bërë sikur në luftën kundër COVID-19”, ka shtuar Gates.
Në rrethana të zakonshme, zbulimi dhe prodhimi i vaksinës mund të marrë kohë deri në 10 vite, por kësaj radhe, shumë vaksina kundër koronavirusit janë zbuluar brenda më pak se një vit.
Sidoqoftë, Gates konsideron se pavarësisht përparimit, njerëzit vazhdojnë të jenë të rrezikuar nga pandemia e koronavirusit.
“Modelet kompjuterike parashikojnë që pandemia do të mundte të jetë edhe më e rëndë gjatë muajve të ardhshëm. Gjithashtu duhet të bëjmë më shumë për variantin e ri të koronavirusit që është shfaqur, për të cilin thonë se përhapet më shpejtë, por që nuk është edhe aq vdekjeprurës”, ka theksuar miliarderi amerikan. / KultPlus.com
Grupi ‘Zani Band’ sot ka publikuar këngën më të re, që mban titullin ‘Ti jeton’, shkruan KultPlus.
Teksti i këngës është shkruar nga Bekim Këpuska, orkestrimi nga Visar Kuçi, ndërsa vokali nga Bashkim Kërqeli.
‘Ti jeton’, një këngë që me nostalgji të madhe i flet dashurisë së shkuar.
Më poshtë, KultPlus ju sjell videon dhe tekstin e këngës.
Brenda meje rrjedh nje melodi Me kthen ne kohe kujtime nostallgji cdo note qe degjoj kaq shum me shijon Kthehem pas nje kujtim qe me ngroh
Cdo dite shum afer me rri gjurmet tua i ndjej dhe pse sje ti me lidh biseda me lidhe jeta me mendimet e tua te verteta, ref Ti jeton Ti jeton Ne cdo kohe Gjurmet ndjej gjurmet ndjej Se je ti Nuk harroj nuk harroj Emrin tand Ishe ti ishe ti Qe heshtjen zgjove
ngado kaloj dicka me kujton pa nje krahe kam mbetur po çaloj shpirti yt ne kete vend jeton hija jote me ndjek me mbulon Bridge edhe pse dua te shkruaj per ty gjithmon gjej veten pa ndihme lapsi me thyhet pa mbaru letra me rreshqet nga duart. / KultPlus.com
Kjo dhomë (modeste) që shihet në këtë foto, ku qëndrojnë këta burra e këto gra, është kthina Nr. 2, e Shoqatës së Kompozitorëve të Kosovës. Kjo ishte njëra prej dy kthinave, sa i kishte godina e SHKK.
Aty veproi për nëntë vite me radhë Fakulteti i Arteve me tri degët e saj (dega e muzikës, me tërë kapacitetin mësimor dhe pjesërisht dega e artit figurative dhe e dramës, të cilat mësimin e zhvillonin edhe në objekte tjera në qytet). Kjo kthinë, gjatë tërë ditës, shërbente si vend për administratën komplete të Fakultetit. Aty punonin Sekretari dhe referentët e Fakultetit si dhe personeli ndihmës. Natyrisht, në ditët e ngarkuar me mësim, që zakonisht ishin e mërkureja dhe e enjtja, kjo kthinë shërbente edhe për mbajtjen e mësimit. Mes’java ishte sidomos e ngarkuar, meqë, ato ditë, ishte rezervuar, në rradhë të parë, për kolegët që udhëtonin nga qytetet tjera (Gjakova, Peja, Ferizaji etj.)
Përballë kësaj dhome (përballë kthinës nr.2, në foto), ishte “salla” kryesore e mësimit, që kishte një sipërfaqe rreth 18 – 19 metra katror. Aty zhvillohej kryesisht, mësimi grupor por edhe mësimi individual, sidomos mësimin i drejtimit të pianos (kjo ishte e domosdoshme), meqë aty ishte pianoja e vetëm që kishte në dispozicion Fakulteti – një piano ‘e vërtet’, me ngjyrë të zezë, e markës ‘Petrof’. Ishte piano e madhësisë gjysëm-koncertale dhe ishte pronë e Shoqatës.
Sic dihet, pianot tjera, që kishte në dispozicion Fakulteti qëndronin në ndërtesën e Fakultetit. Kurse, neve na ishte e ndaluar që t’i afroheshim ndërtesës. Bile disa herë arsimtarët e Fakultetit tentuan që të depërtojnë në klasat e Fakultetit. Kjo u pengua nga policia, dhe u shoqërua me kërcnime të ashpra. Në një orvatje të till, pati edhe një intervenim brutal të policisë!
Në disa raste, si vend për të mbajtur mësimin, shfrytëzohej edhe pasllumi, që ishte një vend jashtë objektit kryesor. Ishte nja hapësirë tepër e ngushtë prej (rreth) 6 metërsh katror. E meta e këtij pasllumi ishte jo vetëm hapësira e vogël, por, gjithashtu, edhe tavani i tij, i cili ishte tepër i ultë, kështuqë personat me shtat më të lart, duhej të ngryseshin tepër për të hyr në të (!). Vështirësi tjetër shkaktonte dera e hyrjes, që hapej në drejtim të mbrendshëm, kështuqë kur vinte ndonjë student me vonesë, duhej që, së paku, 2-3 veta të dilnin, dhe t’i skajonin karriget për t’u hapur dera, dhe pastaj bashkarisht, hynin të gjithë.
‘Salla’ koncentrale e Fakultetit
Në këtë “sallë”, përveç mësimit që kishte një orar të afishuar, të cilit i përmbaheshim me saktësi, zhvilloheshin pandërprerë një mori aktivitetesh, gjatë tërë ditës, me interes të përgjithshëm. Mbaheshin, përpos mbledhjeve të Këshillit të Arsimtarëve, edhe orë interne, koncerte, festivale, tribuna dhe diskutime të ndryshme, promovime të ndryshme, prova të disa formacioneve që kishin filluar të formoheshin në ato kushte të reduktuara.
U mbanin edhe koncerte mjaft ambicioze, kurse në vitin 1992, u mbajt edhe Festivali ‘Ditët e muzikës kosovare’, me tre koncerte të plota. Për zhvillimin e një koncerti “normal” i vendosnim (maksimalisht) 52 karrige – kjo është e saktë, meqë shumë herë më ka ra rradha që unë t’i bëj pregaditjet. Aq ishte kapaciteti i sallës, dhe aq kishim karrige! Karriget ishin jashtëzakonisht të vogla, çuditërisht!
Për nga volumi, nuk ishin më të mëdha se ato të kopshteve të fëmijëve, për fatin tonë !
Ndonjëherë, ndodhte rasti që të shenonim ndonjë datë apo ngjarje të rëndësishme, qoftë me koncert apo me ndonjë tribunë apo diskutima. Psh., organizuam shenimin e 200 vjetorit të vdekjes së Moxartit, me një koncert të plotë, pikërisht në ditën e përvjetorit të tij vdekjes (më 5 dhjetor 1991), meqë viti 1991 ishte shpallur në botë si Viti i Moxartit.
Shenuam 60 vjetorin e lindjes së kolegut tonë, Prof. Engjëll Berishës. Pos shenimit të jubileve të ndryshme, në disa raste patëm edhe tubime komemorative. Më kujtohet (meqë unë isha iniciator), edhe mbledhje komemorative për vdekjen e kompozitorëve Çesk Zadeja dhe Feim Ibrahimi në verën e viti 1997, pastaj për vdekjen e kolegut tonë Qazim Bobajt etj.
Të gjitha këto aktivitete përcilleshin rregullisht, me shumë interes, nga shtypi i ditor i vetëm i asaj kohe (nga ‘Rilindja’ – ‘Bujku’).
‘Vizitat’ policore në Fakultetin tonë
Meqë godina e Shoqatës ishte në zonën e qendrës së qytetit (për dallim nga objektet tjera, në periferi të Prishtinës, në të cilat mbahej mësimi i Fakulteteve të tjera) atë, godinën tonë, shpeshëherë e vizitonin patrullat policore. Atë e bënin, për të vëzhguar dhe regjistruar ndonjë “aktivitet të dyshimt”, e herë-herë, sidomos në perudhën e dimrit, ata vinin (me qëllime paqësore) thjeshtë për të pushuar.
Në ato vite të trazuar, në rrethana ekstremisht të destabilizuara, gjithnjë krijoheshin situata të reja, situate nga më të çuditshmet. Më kujtohet, njëherë, ishte caktuar për në ora 12 të ditës (orë e zakonshme për këto tubime) Mbledhja e Këshillit të Fakultetit, të të tri degëve. Dmth., salla ishte e mbushur përplot.
Për fat të keq mu atë ditë kishte ndodhë një incident në qytet, siq ndodhnin, përndryshe, për çdo ditë, në pjesë të ndryshme të qytetit. Policët ishin të trazuar, nervoz dhe agresiv. Ne e vërenim atë, që në ardhje në Shoqatë. Meqë kishim drojë se do të futeshin në ndërtesën tonë, për ndonjë kontrollë apo bastisje, mendonim se si duhet të vepronim nëse ndodh një gjë e till. E diskutuam dhe sajuam një plan: nëse policët hynë në godinë, njëra prej kolegeve tona, pianiste (më duket se ishte L. P., nëse nuk gaboj), do të ulej te pianoja dhe do të luante, duke inskenuar një koncert si një lloj Recitali pianistik, kurse ne, antarët e Këshillit të Fakultetit do të ishim figurantë, që do të luanim rolin e publikut në sallë! Por gjërat rrodhën ndryshe. Sigurisht, të zënë me ndonjë aksion, në pjesë tjetër të qytetit, ekspedita policore nuk u shfaqën fare atë ditë. Koncerti nuk u mbajt, “figurantët” e prezymuar, ruajtën statusin e tyre të antarit të Këshillit të Fakultetit. Ndërkaq, Këshilli arriti ta mbajë mbledhjen me të gjitha pikat e parapara të rendit të ditës…
Kur e mendoj tash, këtë storie groteske, ma thot mendja se më mirë që nuk është mbajt ai koncert sepse, do të ishte koncerti më i pikëllueshëm i parë në jetën time. Sdi pse, kjo storie, aq dramatike dhe aq qesharake, më vonë, gjithmonë më është dukur si një sekuencë e nxjerrë nga filmat e neorealizmit italian.
(Ta sqaroj për gjeneratën më të re, që do ta lexojë këtë shkrim se: në krejt këtë ndodhi të pakuptueshëm për ta, në atë tubim, ishin emrat si Muslim Mulliqi, Tahir Emra, Faruk Begollim Xhevdet Xhafa, Agim Çavdarbasha, Seniha Spahiu, Lejla Pula, Valbona Petrovci (nese nuk gaboj) e shumë të tjerë, emra që e shenojnë artin nacional të Kosovës , në pjesën e dytë të shekullit XX!)
Fotoja me shumë kujtime
Këta burra dhe këto gra që i shihni në këtë foto (gjithsesi, bashkë me kolegët tjerë të Fakultetit), në mënyrë të disciplinuar kryen obligimin (për nëntë vjet me rradhë), obligim që ua kishte dhënë historia – gjithmonë të përgjegjshëm, unik dhe solidarë, deri më 24 mars të vitit 1999. Ditën që është bërë kjo foto, siq shihet në të, duket se janë mbledhur për ndonjë festë apo gëzim të rastit që, në ato kohëra të zymta, ishin shumë të rralla. Të gjithë ata janë personalitete të rëndësishme të kulturës sonë: Matej Rodiqi, Enver Petrovci, Safete Rugova, Seniha Spahiu, Valbona Petrovci, Engjëll Berisha, Fatmir Krypa, Zeqerija Ballata, Selim Ballata, dhe unë (Rafet Rudi)
Shkëputër nga “Libri im i kujtimeve”- në pregaditje./ KultPlus.com
Kush e mban mend ‘Beni ecën vetë’? Filmin që edhe pas kaq vitesh akoma mbetet ndër filmat më të mirë shqiptar.
‘Beni ecën vetë’ është film shqiptar i prodhuar nga Kinostudio ‘Shqipëria e Re’, në vitin 1975.
Beni, një fëmijë i gjithë të tjerët por me një kujdes të tepruar nga prindërit, nuk lejohet të luajë jashtë mureve të shtëpisë, kështu, Xhaxha Thomai . Xhaxha Thomai që vjen nga fshati e merr me vete dhe për herë të parë Beni gjendet pa kujdesin e prindërve. Beni për herë të parë jeton në familjen e xhaxhait dhe i duhet të mësojë shumë gjëra të reja. Për ta ndihmuar të kalojë frikën dhe të ambientohet e ftojnë të marrë pjesë sëbashku me fëmijët e tjerë në një piknik.
Një natë Beni mbetet i vetëm në mes të pyllit por tashmë ai fillon të zbulojë një jetë shumë pranë natyrës, duke larguar frikën dhe mendimet negative të fëmijërisë.
Filmi është relizuar nën regjinë e Xhanfise Keko, skenari nga Kiço Blushi, ndërsa muzika e filmit nga Limos Dizdar.
‘Beni ecën vetë’ është prej atyre filmave që ngulitet thellë në memorien e secilit, të rrëmben pas vetes qysh në minutat e parë. Një filmë që la gjurmë të mëdha në konematografinë shqiptare.
Më poshtë KultPlus ju sjell në video kolonën zanore të këtij filmi. Një melodi që qysh në sekondat e parë na kthen mbrapa në kohë. / KultPlus.com
Ninulla vjen e shkëputur nga përmbledhjet “siculo-arbëreshe”, nga Lionardo Vigo (1805-1888)
Ai ishte një poet, filolog e politikan italian që në vitin 1857 botoi “La Raccolta di canti popolari siciliani”, ku përfshiu dhe këngë popullore të arbëreshëve të Siçilisë.
Vigo ishte një dishepull i romantizmit dhe besonte se, këngët popullore dhe motivet folklorike gjithmonë ndjellin dhe shpirtin poetik të së shkuarës, për të krijuar atë që Herderi e quan dhe Volksgeist -“shpirt i kombit”, që u fal njerëzve impulsin krijues përsa i përket përforcimit të nacionalizmit të tyre kulturor.
Ç’mrekulli është vallë kjo?
‘Ç’mrekulli kjo, që na gëzoi Erdh pranvera, dimri shkoi. Ljeu Krishti në një skutë, Ljeu i varfër e i butë. Ljeu aty, e s’ljeu në Horë, Në një shpellë e nën dëborë, Ljeu, e qielli u bë dritë Nata u shndërrua në ditë. Jeta u mbush plot me gëzim, pemët, me fletëza në bulim. Na pru Zoti në këtë dhe Gaz të madh, paqe e hare!
Ninulla në arbërishte:
Çë thavmasmë isht kjo? Çë edhe nata ditë u bë. të ghzon zemërën dimri shkoi e s’ ishtë më gjithë jeta bën hare ljulje e peme për në dhe Ljeu jashtë e jo në Horë në një shpellë, në një gërromim ljeu në tsin, ljeu në sborë ljidhur klje te një skutin mbet në kashtë e në sanùa si i vapkëth për mua E si ljeu n’ ata malje n’ ata malje ashtu tutsè me ghzim Parraisi u psaljë gazin m’ i madh njeriut i qièlli paqe, gaz, haré yn’ Zot pru në ktë dhe
Këshndellë apo Kërshëndellë
Sipas Profesor Eqrem Çabejt* fjalën Kërshëndellë, Mikloshiçi e Majeri e nxirrnin nga latinishtja: “Christi Natalia”, ndërsa Atë Gjergj Fishta na e shpjegon këtë fjalë me mjetet e shqipes: Krisht – këndellë “Këndellja e Krishtit”- e Atë Bernardin Palaj e quan Sh’ Kndella, që do të thotë këndellje apo përtëritje e çdo gjëje. Gjithsesi ndikimi i emrit Krisht me etimologji popullore nuk mund të mohohet. Për herë të parë fjala përdoret në veprën e Buzukut “mbas Kreshendellsh”; Budi e përdor në trajtën “Natecë Kërshëndellesë”.
Pra, fjala “Kërshëndellë” do të thotë “të lemit e Krishtit”
Në Jug të Shqipërisë, sipas Hahnit, Kërshëndellat janë gjashtë javët e kreshmëve që para Kërshëndellave e deri te Teofania. Fjala Krishtlindje, që përdoret sot rëndom për kremtimin e lindjes së Krishtit, pas gjase është një përkthim, një kalk i ri i fjalës greke.
Tradita e lashtë shqiptare e festës
Kërshëndellat zëvendësuan festën e moçme të Natës së Buzmit, trashëguar që prej kohëve të lashta. Buzmi, simbol i jetës së re, i kthimit të motit kah pranvera, u bë simbol i Hyjnisë që lind, i Krishtit. Krishti vjen për t’i dhënë fund së vjetrës e të gjithë të këqijave të saj. Krishti rrafshon të vjetrën. E nisë jeta me urimin e së resë: me gjeth e me bar, me kingja e me tambël të bardhë, me shpresë për një të ardhme më të mirë. Poeti dom Prenkë Ndrevashaj i këndon kështu në poemthin “Buzmi”**:
Ushton flaka lakmueshëm e i përqafet
Njanit unak herë tjetrit,
Si Foshnja Ejllore;
Rroket me zemra të përgjumshme
e u uron kënaqe e bekim!”
Kështu, festa pagane e buzmit u kristianizua dhe në Shqipëri; që shumë kohë para pushtimit otoman, u kremtua festa e madhe: lindja e Jezu Krishtit që, siç shkruan dom Ndrevashaj, nuk harron me u ndalë çdo vjetë mes rranxave të vetmueme:
“O Natë e bardhë, me shekuj tu bame flí
te këto rranxa të vetmueme, në luftë me jetë,
E me duhma t’ortekut ktu për bri!
Veç ti s’harron me u ndalë te na çdo vjetë!”** ./konica/ KultPlus.com
Shok i dashtun, unë përgjithësisht nuk shkruej urime, as për Krishtlindje as për Bajram, as për ditëlindje as për ndoj feste tjetër. Nuk shkruej, pse urimet qe n’ato dite tan bota ban, nuk dij a plotësohen një për qind se pothuej të gjitha dalin nga hipokrizia. Bota ketë e din, por njësoj vazhdon të shkruejë urime. As për Motmotin e Ri deri tash nuk i urova askujt asgja.
Por kësaj here due te hyj ne rradhën e njerëzve korrekte dhe t’u uroj shokve te mi Motmotin e Ri 1937. Së pari, t’uroj, shok i dashtun gjumin e ambël, qe te mos ndëgjosh si gjëmojnë njerëzit nën barrën e kryqave të vet tue mundunve, as britmën e ngadhnjysve në këtë jetë. Te mos dëgjosh bubullimën e Spanjës. Gjumin e ambël! Të mos dëgjosh si afër teje gërset dhëmballa për dhëmballë, nga teë ftohtit. Pse atëherë duhet të pyesësh: moj dhëmballë, pse ndeshe për dhëmballë dhe gërset aq?
E gjuha ne vend te dhëmballës përgjigjet: pse asht ftohtë, zotni, e kur asht ftohte, zotni, u hyn dreqi trupit, muskulave, nervave, zotni, dhe qashtu gërset dhëmballa për dhëmballë, zotni. Asht tepër banale të themi se mungon veshja dhe mbathja dhe zjarrmi, prandej: gjumin e ambël, shok i dashtun. Se dyti mbas gjumit t’ambël, t’uroj – ç’asht dhe e natyrshme – të jesh i gëzuem, gjithmonë i gëzuem. Nga gëzimi i madh, ne sentimentalizëm, të puthish drrasat e dhomës e shtyllat, si bani Greta Garbo në filmin “Mbretnesha Kristina”, kur shijoi dashunin shtazore (desha të them hyjnore, por njësoj asht).
Aq i gëzuem, saqë bota të ta kenë zili dhe të thonë: oh, sa i lumtun asht! Të jesh i gëzuem edhe pse n ‘anë tjetër zemra të pëlset, si paljaços. Te jesh i gëzuem, se gëzimi yt u jep shpresa edhe tjerëve. Në rasë se tryeza e shkrimit të çalon, ti qeshu. Në rasë se e vetmja karrige që ke në shtëpi asht e shpueme dhe s’ke se ku të rrish, ti qeshu.
Në rast se s’ke zjarrm e ke të ftohtë, po, ti qeshu. Në rasë se ndonj ditë, ashtu kot, të mungon dhe buka, ti merre për lojë, për shaka, dhe qeshu, qeshu. Del në rruge bile, në kryqzimin e udhve, dhe qeshu,qeshu,qeshu, e bota do ta ketë zili dhe do të thotë: ah, sa i lumtun asht! E kur të të vije në shtëpi ta shofi shkakun e gëzimit tand, do t’i kujtohet botës vetvetja dhe do të filloje të qeshi kikikikakaka. Smundja e të qeshunit do të përhapet ndër të gjithë dhe njerzit si majmunat do të hidhen përpjetë nga gëzimi… Dhe kështu uroj që vjetin 1937 ta kalojmë në gëzim, edhe se të smunde patalogjisht. / KultPlus.com
Prej më shumë se dhjetë vitesh Joao Coelho Guimaraes, nga Brazili, kishte humbur kontaktet me familjen e tij. Fatmirësisht, ai u bashkua me të ëmën dhe motrën, falë një videoje virale që u shpërnda në të gjithë botën.
Guimaraes u raportua i vdekur pasi u zhduk një dekadë më parë pas një aksidenti, dhe kaloi vitet e fundit duke mbledhur kanaçe për të siguruar ushqim.
Joao mbase do të kishte mbetur një endacak i përjetshëm, nëse nuk do t’i kishte tërhequr vëmendjen biznesmenit Alessandro Lobo, i cili e pyeti nëse ishte i uritur apo donte para. Por ai refuzoi ofertën, dhe në vend të kësaj e pyeti nëse berberët e tij kishin një brisk për t’i shkurtuar mjekrën.
“I siguruam një ditë për kujdesin ndaj vetes”, tha Lobo, duke shtuar se përveç pastrimit të mjekrës dhe flokëve, ata i dhuruan gjithashtu veshje dhe këpucë, duke e shndërruar atë drastikisht, transmeton KultPlus.
Ndryshimi ishte i jashtëzakonshëm dhe video e shpërndarë në rrjete sociale theu çdo parashikim dhe u pa nga miliona njerëz në botë, përfshirë dhe familjen e Joaos. / KultPlus.com
Në konkursin e këtijë viti të Qendrës Kinematografike të Kosovës Këshillit Drejtues ka vendosur që të mbështeten 26 projekte filmike në kategori të ndryshme.
Në kategorinë e filmit të metrazhit të gjatë artistik, debutant, postproduksion dhe bashkëprodhim minorë janë mbështetur 7 projekte; në kategorinë e filmit të shkurtë dhe gjatë dokumentar janë mbështetur 4 projekte, në kategorinë e filmit të shkurtë animacin dhe artistik 4 projekte dhe në kategorinë e konkursit për zhvillim skenari 11 projekte.
Anëtarë të jurisë në kategori të ndryshme kanë qenë: Isa Qosja, Katriel Schorry, Lenka Tyrpakova, Ismet Sijarina, Ilir Gjocaj, Valton Beqiri, Agron Vula, Veton Nurkollari, Florent Mehmeti, Lura Limani, Besa Luci, Erson Zymberi, Shkelzen Maliqi, Ballsor Hoxha, Burbuqe Berisha dhe Zeni Ballazhi.
Vlera e mbështetjes për të gjitha projektet arrinë mbi 650 mijë euro.
Lista e projekteve të mbështetura mund të gjindet më poshtë. / KultPlus.com
Është hapur ekspozita vjetore e anëtarëve të Asociacionit të Artistëve Vizuel të Kosovës për vitin 2020 në Muzeun Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.
Muret e Muzeut u mbushën me pikturat, skulpturat, grafikat, dizajnet grafike, fotografi artistike dhe vizatime të artistëve të shumtë, teksa e pranishme ishte edhe ministrja në detyrë për kulturë, Vlora Dumoshi.
“Pata nderin të jem e pranishme në hapjen e ekspozitës vjetore të anëtarëve të Asociacionit të Artistëve Vizual të Kosovës, për vitin 2020”, ka shkruar Dumoshi në profilin e saj.
Ajo tutje ka theksuar se nëpërmjet krijimtarisë së tyre, artistët sollën frymën e introduktit real, ekspresiv, surreal, abstrakt, e deri te trendet më aktuale të artit konceptual përpara syrit të publikut kosovar.
Me këtë rast u ndanë edhe tri çmime për artistët Luan Mulliqi, Agim Salihu dhe Haxhi Kastrati. / KultPlus.com
Në një garazh në Itali, është zbuluar një automjet BMW, version i rrallë prej të cilave gjithsej ekzistojnë vetëm 453.
Kjo makinë është prodhuar në periudhën 1978-1981 dhe i përket linjës “M1” të kompanisë gjermane. Mirëpo, makina ka qenë e mbyllur në garazh për 30 vite.
Madje, ky automjet ka përshkuar vetëm 7391 kilometra. Makina me motor 3.5 litra që arrin 273 kuaj/fuqi, poashtu është në gjendje shumë të mirë.
Ky model pritet të dalë në shitje me çmimin fillestar prej 600 mijë eurosh. / KultPlus.com
(Adil OLLURI: Bartësi i shpirtrave të përzënë, Onufri, Tiranë, 2020)
Shkruan: Gentiana SOFTOLLI
Autori
Adil Olluri (1984-), shkrimtar, studiues i letërsisë dhe kritik letrar, studimet universitare (bachelor dhe master) i ndoqi në Universitetin e Prishtinës, në Degën e Letërsisë Shqipe të Fakultetit të Filologjisë, ku ka përfunduar edhe studimet e doktoratës me një temë shumë të veçantë: “Proza e Ymër Shkrelit”. Është ndër autorët më të përkthyer në gjuhë të huaj. Vetëm tregimi “Kthimi i babait” është përkthyer në dhjetë gjuhë të huaj, një tregim-monolog që trajton fatin e të pagjeturve të luftës së fundit. Olluri është autor që në shkrimet e tij letrare, konkretisht në fushën e kritikës, merret edhe me fenomene letrare si posdmodernizmi te libri “Trilogjia postmoderne”, e deri te kritika tematike, siç bën te libri studimor “Fytyra e Tiranisë: rrëfimi për diktaturën në romane bashkëkohore” (2017). Po ashtu, ai ka botuar: “Romani postmodern shqiptar”, monografi (2011), “Shumë rrugë dhe një rënie”, tregime (2013), libër ky i përkthyer në gjuhën italiane në vitin 2016 dhe “Bartësi i shpirtrave të përzënë”, roman (2015), tashmë disa herë i ribotuar. Në fillim të këtij viti që po lëmë pas botoi librin me tregime “Kthimi i profetit”, i cili u cilësua si libër “tematikisht provokues dhe estetitikisht sprovues”. Në pjesën më të madhe, vlerësohet për qartësinë në të rrëfyer dhe tregime antihimnizuese, të cilat janë të përmbledhura te “Shumë rrugë dhe një rënie”
Romani
“Bartësi i shpirtrave të përzënë” është i vetmi roman i Adil Ollurit, i cili trajton temën e luftës së fundit në Kosovë. Ashtu si te tregimet, këtë libër e bën të veçantë pikërisht qasja ndaj kësaj teme, pa bujë dhe himnizime, pra si një rrëfim i vogël i një historie të madhe e të rëndë, siç është dëbimi i shqiptarëve nga Kosova. Kjo shpalohet përmes përjetimeve të llojllojshme të familjarëve të ndryshëm, brenda një jave të frikshme, ku tragjedia nis me trenin, simbol ky i ikjes dhe i shpëtimit nga gjenocidi serb. Kjo është vetëm pamja fabulare që e përshkon trenin e dhimbjes, ndërsa ana e tjetër është mjeshtëria e rrëfimit që na sjell autori me një konsistencë prej autori e regjisori, duke kapur detajet dhe imazhet më të trishta, që vetëm gjuha e letërsisë di t’i shpalojë.
Titulli
“Bartësi i shpirtrave të përzënë” është titull pothuaj konotues. Bartësi është treni, shpirtrat – njerëzit e përzënë nga lufta. Bartësi personifikohet dhe njëjtësohet me frymët e gjalla, një objekt që bart të gjallë e të vdekur drejt “tokës së premtuar”, për ta shpëtuar shpirtin. Titulli në njëjës, bartësi, pra objekti bëhet shpëtimtar i shpirtrave njerëzorë, një titull që nuk afishon luftën, por dhimbjen biblike e mitike, një titull që nuk shënjon identifikim nacional, etnik, një gjetje autoriale tipike për eksodin biblik.
Bartësi, treni është krejt fusha, mejdani ku ndodh gjithë ngjarja, është teatri ku ndodh drama dhe tragjedia njerëzore, është monitori prej nga shfaqen lufta për jetë a vdekje, është pikëshikimi prej nga shpirtrat vrojtojnë, vuajnë, luftojnë për mbijetesë. Duke qenë se romani i takon epikës, titulli edhe pse tregon një situatë, më shumë është lirik, sesa epik. Narracioni i këtij romani në pjesën më të madhe është retrospektiv, me narrator të gjithëdijshëm, i cili si temë trajton jetën e një familjeje treanëtarëshe që, në kohë lufte, jetojnë të ngujuar në një banesë në Prishtinë.
Inovacioni
Vepra në fjalë mund cilësohet si një inovacion në kulturën e shkrimit pasi që, ndryshe nga autorë të tjerë, Olluri romanin e tij e shkroi në vetën e dytë, duke e bërë të mundur kështu një komunikim më ndryshe të autorit narrator me personazhet dhe autorit me lexuesit, përmes të cilës vetë rrëfen sprovat, frikën dhe gjykimin ndaj vetvetes deri në imtësitë më të vogla, çka nuk ndodh zakonisht në romanet klasike. Kjo është një frymë dhe tendencë që, përveç rrëfimit, të na bëjë edhe vrojtues më të thellë të ngjarjes.
Dihet veta e tretë është normë për romanët klasike, ndërsa veta e dytë është tipike për tekstet funksionale, siç janë letrat, apo edhe për tekstet letrare që kanë model letërkëmbimi. Prandaj, një inovacion i tillë, në romanin e Adil Ollurit, vjen lehtë, pa përthyerje të mëdha gjuhësore, por rrëfimi e shkrimi rrjedhin natyrshëm, sa që lexuesi shpesh i rrëmbyer nga fragmentet herë-herë tragjike, herë-herë tragjike-komike, harron vetën e dytë si referencë, duke u bë një me përjetimet e personazheve. Në mënyrë të veçantë, kjo përhumbet kur bëhet përshkrimi i përjetimeve të familjes, e cila është boshti i rrëfimit të romanit, një përshkrim në formën më të kulluar nga autori, i cili vë në pah anën humane të njerëzve të rëndomtë përballë situatave të vërteta në luftë, e cila shpeshherë është mitizuar në forma të ndryshme, duke kaluar deri në patetizëm dhe përmes epiteteve të ndryshme, në emër të rrëfimeve të mëdha. Prandaj mund të themi se këtu, pra në këtë roman, inovacion është edhe mënyra se si ndërron diskursi në një rrëfim për luftën, nga ai heroik e gati mitik, në një diskurs ‘të thjeshtë’ demitizues e antiheroik deri te formulimi motivues: “Çka t’bahet me krejt, edhe me neve”.
Megjithëse, te “Bartësit të shpirtrave të përzënë”, dominues është diskursi social dhe historik në radhë të parë pasi që në qendër të romanit vihet një periudhë lufte, e cila ka vetëm dy dekada që ka përfunduar dhe për një pjesë goxha të madhe, plagët e saj ashtu si edhe kujtimet e trishta për të janë ende të freskëta. Sado që janë të kundërta me njëra tjetrën, figura përfaqësuese të këtij romani janë analeksa dhe proleksa. Periodizimi i ndodhive gjatë kohës së luftës duke i kujtuar netët e gjata me britma, të shara e rrahje, që dukeshin se s’kanë fund, për të vazhduar me trenin dhe ndodhitë jo më pak të dhimbshme, na bëjnë të ditur një funksioanlizim të rrëfimit analektik. Mirëpo, në anën tjetër kemi lutjen dhe shpresën e vetme të protagonistëve, po edhe të gjithë atyre shpirtrave të përzënë “me pshtu pa therrë n’kambë”, çfarë vë në pah funksionalizimin edhe të rrëfimit prolektik, e cila artikulohet si dëshirë, ëndërr e secilit që gjendet në trenin luftës.
Kult dhe frikë
Për të balancuar ngjarjen, autori vë në përballje dy kulte, atë të vdekjes dhe të lindjes. Kulti i vdekjes së dy vëllezërve pranë njëri-tjetrit, ku nga dhembja dhe pikëllimi për vëllain e vrarë, tjetri revoltohet kundrejt pushtuesit, dhe që të dy vriten dhe bien kokë me kokë, shënon një simbolikë trishtuese, por që e ngrit lart kultin e vdekjes, sepse nuk ndahen deri në vdekje, madje edhe në vdekje janë bashkë.
Në fund të romanit, autori rrëfen për lindjen e një fëmije, e që simbolizon shpresën dhe aspiratat për një jetë më të mirë, por njëkohësisht ngrit lart kultin e lindjes, por edhe të lirisë.
Përgjithësisht, ku roman përmbledh në vete dy luftëra: lufta nga pushtuesit, që i përzënë “shpirtrat” nga vatrat e tyre, dhe, në anën tjetër kemi luftën psikologjike që është edhe më e vështirë, ku e vetmja simbolikë heroike është që vdekjen ta presësh qetësisht dhe të jesh i gatshëm për orën tënde dhe deri atëherë të përballesh dhe ta dominosh frikën. Në të gjithë rrugëtimin me tren, frika është mbizotëruesja më e madhe e gjithë veprës e cila na bën të kujtojmë një frazë të popullit “nuk ka ma t’ambël se shpirti yt”, e cila me raste na duket edhe si pjesë komike e një ngjarjeje tragjike, e cila del krejtësisht njerëzore. Personazhet gjatë gjithë kohës bëjnë orvatje të vazhdueshme për të shpëtuar veten dhe të afërmit e tyre, duke harruar shpesh se kjo dhimbje i ka pllakosur qindra mijëra të tjerë nëpër fusha e male, nën qiell të hapur.
Romani bartësi i shpirtrave të përzënë është një hypertext që ka bazë e ndërtohet mbi një ngjarje të vërtetë, së cilës autori i është qasur në një formë krejtësisht ndryshe nga çfarë jemi mësuar të lexojmë më parë, duke ndryshuar kështu tërësisht formatin. Në vend të heroit trim e tejet burrëror, ai vë në qendër një hero frikacak, si Bardhylin, me profesion mësues. Mozaikun e personazheve e plotësojnë Valdetja dhe Jeta, duke u pasuar edhe nga Selmani, vëllai i Bardhylit, i cili mendohet të jetë një përfitues i luftës në krahasim me vëllain e Valdetes, që ka një karakter më luftarak, sepse u bashkohet radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Protagonistët Bardhyli, Valdetja dhe Jeta marrin përsipër shumë sfida të cilat edhe mund të shihen si të gjeneralizuara, nëse duam të zgjerohemi edhe më shumë në situata të tjera të familjeve shqiptare gjatë lufte. Ndërsa, përveç ushtarëve serbë, si antagonist, në një farë mënyre shfaqet edhe vëllai i Bardhylit, Selmani, i cili i bën më të ndjeshme dhe më dramatike situatat. Në këtë kontekst, historia e kësaj familjeje është shkruar në tri akte, duke vazhduar më tutje klasifikimin e saj në kapituj për të na njoftuar kështu për një strukturë kompozicionale prej nga rrëfimin e ndërton në disa nivele, por asnjëherë pa humbur vijën dhe linjën kryesore fabulative, eksodin e shqiptarëve.
Po ashtu, duhetë thënë se ky roman përmban edhe elemente filmike, përfshirë këtu trenin dhe enterierin e tij, i cili po bartte shpirtra të përzënë, ku në mesin e asaj turme njerëzish, e cila po gumëzhinte sa nga të qarat, e sa nga rënkimet, po qëndronte edhe një i pafrymë, duke mos i lënë për asnjë çast të harrojnë makthin që mund t’i zë. Ky enterier, brenda të cilit bëhet një lojë e dyfishtë psikologjike, është e përshkruar me finesa të cilat të duket se nga secili kend është vënë një objektiv i kamerës. Në anën tjetër, eksterieri përshkruhet duke vënë në fokus fshatrat e braktisura, pamje me shtëpi të djegura, që deri dje kishin kryer ritualet e përditshme njerëzore banorët jorezidentë të trenit.
Përfundim
Që nga titulli e gjer në faqen e fundit të këtij romani, autori ka arritur që të shfaqë një anë tjetër të medaljes së luftës, të cilën e kemi njohur, por që pakkush e ka rrëfyer në frymën reale, tipike njerëzore, duke bërë që një temë e madhe, siç është lufta e fundit në Kosovë, të shtrohet me një lirizëm të ndjeshëm dhe rrëfim tejet racional./ KultPlus.com
“A mund ta përfytyrosh një gazetar që thotë sot on the record, ta zëmë, se zezakët janë primitivë e analfabetë? Se çifutët janë fëlliqanë që sundojnë me pare, e se duhen skajuar nga shoqëria? E pra, kjo është mënyra si shprehet rregullisht Valon Syla në mediat kryesore në Kosovë. Si nazist në ”Der Stürmer”.
Veçse Syla s’flet për çifutë, a për njerëz me ngjyrë. Ai është i trentë, por jo budallë: e di që kufiri shkon te thana. Ta bësh neandertalin ashtu në një Kosovë nën tutelë ndërkombëtare, ngelesh keq. Të ikin grantet, të hiqen vizat. Biles dro që të dënon dhe ligji. Ka edhe anë të mira, kjo pavarësia e varur.
Prandaj Syla u mëshon atyre që e di se janë pa agjenci. Mërgimtarëve. Njerëzve si unë, e familja ime. Miqve, fqinjve, familjarëve të larguar. Kundër nesh, mund ta lëshojë pa duar. Mund të thotë pa drojë se jemi primitivë të tanë, se jemi analfabetë, a ”gërrnjaça” (çkado që dmth kjo fjalë, akademik Syla ndoshta e di). Mund të thotë se rrojmë e sundojmë me pare. Mund të propozojë hapur se ne duhemi skajuar nga vendimmarrja, margjinalizuar.
E pse jo? Kur gjen një sylë diku një komunitet të pambrojtur, çdo taktikë i bëhet okej. Syla ynë shëron komplekse si gjithë banditët me penë. Sajon Tjetrin me zellin e maniakut, me përgjithësime, nxirje, damkosje, për ta stisur ashtu një kontrapunkt të vetvetes. Sa më të ligë ta bëjë Tjetrin. Aq më i mirë ndihet vetë Syla. Mërgimtari duhet të jetë primitiv e analfabet, ashtu që Syla ynë të ndihet francez. Se ky vetë s’pi çaj rusi, as ha qebapa. Mërgimtari duhet të jetë banal, që Syla ynë të ndihet i kultivuar. Mërgimari do të jetojë doemos për pare, që Syla ynë… e kuptuat, besoj. Syla ynë, shikon veten në pasqyrë dhe sheh një Voltaire të paepur. Si Sylë Expressi, më!
Këtyre ditëve, Syla ynë më paska lakuar emrin edhe mua në përçartje të vetat. Sipas tij, unë gjoja paskam avokuar dikur dhunë kundër UNMIK-ut. Natyrisht që kjo është një rrenë budallaqe. Dhe natyrisht që Syla thotë këtë rrenë pasi ka mbështetur rregullisht mbidhunën e shtetit kundër qytetarëve. Se Syla rrenat i ka oksigjen. Për të kulluar këtë dhe gjithë pisllëqet tjera që ka derdhur ai në media ndër vite, duhej të isha mjeshtër kanalizimesh. Por ky është zanati i tij, ndaj unë po ndalem këtu.
Që të mos keqkuptohemi. Mua më vjen keq për grushtin që paska ngrënë dje Syla nga një mërgimtar. Syla është edhe gazetar, pos që është psikopat, dhe si gazetar është i lirë të ushtrojë zejen e vet, ashtu qysh di e qysh mundet. Por dora në zemër, dhe këtë e them pa emocion, Sylës do t’i bënte mirë të kërkojë trajtim edhe si psikopat. Ku ta dish? Ndoshta kjo i bën mirë edhe gazetarisë së tij. Se për momentin, s’di njeriu se ku mbaron psikopati e ku nis gazetari, me thënë nga del shpirti.
Në një botë ideale, ku gazetarët kanë edhe etikë profesionale, sylët si ky yni s’do të ekzistonin fare. Mjerisht, meqë jemi ku jemi, ka redaktorë përgjegjës. Kur as këta nuk dinë a nuk duan të ndalojnë përçartjet e sylëve (se helbete, pisllëku shitet) ka gjykata. Dhuna është për pesimistë. Unë jam optimist.
Si optimist, dua t’i bëj një thirrje edhe publikut. Ja ta zëmë, ti që lexon këtë tekst. Çfarë të duhet ty që të reagosh? Këta morra kamerash që kanë banalizuar gjithë ekzistencën tonë, gjithë sferën tonë publike. Këta sylë të panumërt që na ulin këmbëkryq me zor, në shek XXI, në nivele katundarie të cilat turpërojnë edhe çobanët. Gjithë flora e fauna e tyre gjallnon falë një gjëje të vetme: pëlqimeve tua.
Çfarë kërkon ti më shumë, që t’u heqësh pëlqimet? Pret që ata të poshtërojnë edhe ty personalisht, a fëmijët tu, ashtu si na poshtërojnë neve dhe fëmijët tanë?
Atëherë, kam një lajm për ty. Ata janë duke e bërë këtë tashmë. Sa herë që ata thonë në publik se filan komuniteti qenkan primitivë, e analfabetë, a fëlliqana të tanë. Sa herë ata shprehen si nazistë në ”Der Stürmer”. Ta dish që janë duke ta marrë masën ty, si qytetar. Se janë duke të disiplinuar indirekt ty. Dhe ti ke dy zgjidhje: ose u pranon këtë mandat mbi ty. Ose u tregon ti vendin atyre, me një klik të thjeshtë – duke u hequr pëlqimet nga mediat.
Ti vendos.
Jo prit, e kam seriozisht: ti vendos”. / KultPlus.com
Ditët e Albanologjisë tashmë janë bërë një traditë për Akademinë e Studimeve Albanologjike dhe institutet përbërëse, si ai i arkeologjisë, i historisë, i gjuhësisë dhe letërsisë, instituti i antropologjisë kulturore dhe i studimit te artit. Ditët e Albanologjisë këtë vit do të zhvillohen virtualisht, diktuar nga pandemia.
Rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, akademiku Marenglen Verli, në hapjen e edicionit XI të Ditëve të Albanologjisë tha përmes një mesazhi shpërndarë në rrjetet sociale se do të promovohen 56 botime të Akademisë dhe revista shkencore, secili institut do paraqitet me monografi dhe studime te ndryshme.
“Ne promovojmë 56 tituj botime te akademisë dhe revista shkencore te cilat janë realizuar, ka qene një vit i begatë pavarësisht kushteve dhe na detyron ta bëjmë ne mënyrë vizuale ketë prezantim. Autoret do të paraqiten dhe nga drejtorët e katër instituteve tona, ku do te njiheni me tematiken e realizuar gjate këtij viti “,-u shpreh akademiku Mariglen Verli, rektor i Akademisë së Studimeve Albanologjike.
Akademiku Verli thekson rëndësinë e studimeve te akademisë qe drejton në identitetin tonë kombëtar.
“Te gjithë ata qe janë të interesuar për shkencat tona, ne do të kemi një numër të rëndësishëm botimesh që janë monografi, përmbledhje studimesh të shkurtra, materiale dokumente, akte te konferencave por edhe vepra kolektive si vëllimi i tretë historia e shqiptareve shekulli XX, kolanë me vepra te profesor Zoizit, punime interesante mbi dialektet dhe monografi interesante të prof. Bodinakut dhe studiues te ndryshëm”/BalkanWeb/ KultPlus.com
Teksa aparate të shumta fotografike të të huajve dhe hapat e vendasve drejtohen në institucionet kulturore të vendit, arkitektja Fitore Gashi në bashkëpunim me Galerinë Paper ka vendosur që t’i sjell ato në përmasa më të vogla por me detaje artistike më të mëdha, shkruan KultPlus.
Nën kombinimin e vijave, ngjyrave, formave dhe shenjave të tjera identifikuese, Gashi ka realizuar 4 kartolina, të cilat sjellin artistikisht institucione kulturore të vendit, duke u shndërruar në dhuratë simbolike në fundvit për miqtë dhe mikeshat e Galerisë Paper.
Salla e Kuqe, Galeria Kombëtare e Artit (ish-objekti) bashkë me Pallatin e Rinisë, Teatri Dodona dhe Galeria Paper zënë vend në krijimtarinë më të re të Fitore Gashit, e cila qysh moti kishte filluar promovimin e vendeve, institucioneve dhe objekteve shqiptare nëpërmjet kartolinave.
Për të kuptuar më shumë për këtë përfaqësim simbolik nëpërmjet artit, KultPlus ka biseduar me koordinatoren e kësaj Galerie, Rina Statovcin dhe me vet Fitore Gashin.
“Meqë për shkak të pandemisë njerëzit nuk kanë pasur shumë mundësi që të shohin institucione kulturore përgjatë vitit, ne kemi dashur që t’ua japim një vepër arti që ta kenë në shtëpi në formë të kartolinës”, ka thënë Statovci.
Në anën tjetër Gashi për KultPlus theksoi se bashkëpunimi i tyre ka filluar nga interesimi i Galerisë Paper duke parë kartolinat e saj të mëparshme në rrjete sociale. Kësisoj, puna e përbashkët e nisur në gusht të këtij viti është kurorëzuar me këto vepra arti.
“Qëllimi ka qenë që t’i ilustrojmë këto institucione dhe Galeria Paper ta ketë një lloj përfaqësimi të artit në Kosovë”, u shpreh kreatorja e kartolinave.
Përzgjedhjen e institucioneve të cilat do të zinin vend në kartolinat e Fitores e kishte bërë drejtori i Galerisë Paper, Gaz Ejupi.
“Kemi vendosur për Sallën e Kuqe, si simbolikë të shumë aktiviteteve e manifestimeve; Galerinë, si institucioni i parë i artit në vitin 1979 që në atë kohë drejtohej nga Shqyri Nimani, bashkë me Pallatin e Rinisë; Paper Gallery dhe Teatri Dodona si një formë tjetër e artit që ka filluar me fëmijë e tash është edhe për të rritur”, sqaroi Fitore Gashi.
Galeria Paper
Pasi që rendit institucionet, Fitorja tregon edhe për mënyrën se si i ka kthyer ato në kartolina.
“Kam shkuar te të gjitha këto institucione, te Salla e Kuqe, Teatri Dodona e Galeria Paper. Ndërkaq për Galerinë Kombëtare të Arteve kam pasur nevojë për hulumtim online për shkak që ajo tashmë është në një objekt tjetër, kështu që i kam përfshirë elementet që mua më kanë bërë më së shumti përshtypje dhe ato të cilat i kam vërejtur e dashur më së shumti”, shpjegon Gashi.
Tutje, arkitektja theksoi se ideja kryesore e bashkëpunimit të saj me Galerinë Paper ka qenë paraqitja artistike e aktiviteteve në këto institucione kulturore.
“Ilustrimet nuk janë të punuara me hamendje por në atë mënyrë që të përfaqësohet denjësisht siç unë i kam ditur këto institucione, është një reflektim dhe ftesë për të ditur më shumë për artin në Kosovë”, vlerëson Fitore Gashi.
Salla e Kuqe
Kështu, Gashi në kartolina ka paraqitur ekspozitat të cilat ndodhnin në këto dy Galeri, shfaqjet që jepeshin në Teatrin Dodona dhe detaje të tjera nga Salla e Kuqe.
Në Galerinë Paper ajo ka tentuar të sjell elemente interesante, e veçmas duke u fokusuar edhe në veprat e artit që ekspozoheshin më parë dhe vazhdojnë të qëndrojnë në muret e kësaj galerie.
“Harqet e Galerisë Paper kanë qenë fokusi që kam dashur t’i përfaqësoj sepse kur kam ardhur për herë të parë ato i kam vërejtur. Pastaj është llogoja që dallohet nga jashtë, radio dhe pjesa tjetër, pjesët e ekspozitave dhe performanca e flautistes Nita Shala”, thotë ajo.
Teatri Dodona
Te teatri Dodona, çdo detaj i Fitores frymon me realen. Kukullat të cilat janë paraqitur vërtetë kanë qenë arsye e realizimit të shumë shfaqjeve, bashkë me detajet tjera artistike.
“Te Salla e Kuqe si pavilion ose si pjesë e hapësirës dallohet struktura metalike e ndriçimit , që nuk e di nëse ka ndodhur ndonjëherë dikush të shkoj në ndonjë shfaqje apo festival aty e të mos e vërejë atë”, thotë Fitore Gashi.
Në kartolinën tjetër është ish-objekti i Galerisë Kombëtare të Arteve dhe Pallati i Rinisë.
“Te pjesa e Pallatit të Rinisë kam dashur që të jetë diçka simbolike, një siluetë e pjesës së saj me fokus pjesën e poshtme ku është mbajtur edhe ekspozita. Për shkak që ka pak informacione kam dashur që ta bëj hapësirën në mënyrë më të gjeneralizuar por që ta jap përshtypjen e një galerie të artit, pastaj kam dashur t’i jap rëndësi edhe pikturave”, thotë arkitektja Gashi.
Përderisa këto kartolina do të jenë dhuratë në duartë e miqve të Galerisë Paper, Fitore Gashi do të vazhdoj të krijoj edhe shumë vepra tjera artistike, të cilat përfaqësojnë në një mënyrë të veçantë Kosovën. Poashtu vlen të përmendet se kartolinat e saj janë blerë nga turistë të Kosovës nga Amerika e Belgjika, teksa ajo ka pasur bashkëpunim edhe me Ambasadën e Kosovës në Turqi për dhurata protokollare dhe me Ambasadën Italiane e cila përdori kartolinat si dhuratë për ushtarët e KFOR-it, të cilët kanë kryer misionin në Kosovë. / KultPlus.com
Më në fund Sot doli dielli Shtyju, shqyu mjegullën E rëndë Të këtyre ditë dimri. Dimër ky? I çuditshëm. Mbrëmë në shëtitjet e mia të vetmuar Më doli stacioni i trenit Ashtu siç doli dielli Befasishëm Në mes të ndërtesave të larta. Stacioni i lamtumirëve, i pritjeve, I lotëve të fshira me një shami ku ke qendisur inicialet e tua, I puthjeve të fshira me të njejtën shami Stacioni i vogël I historive të mëdha Histori të njerëzve si ti e si unë. Stacioni i trenave për Bllacë. Moj çikë, kthjellu! Është kohë festash! Mendoje Orient-Expressin Dhe thesaret e njëmijë e një netëve të Stambollit Mendoje Transiberiani Me peizazhet të akulltë e madhështorë E poezinë e Renë Char. Struku në batanijen e kuqe aty te zjarri. Treni kaloi. / KultPlus.com
Mimika Luca, një ndër aktoret e dashura për publikun feston sot 83-vjetorin e lindjes.
Ajo cilësohet si një aktore shumëdimensionale si në teatër ashtu edhe në kinematografi.
Ajo u lind më datë 24 dhjetor të vitit 1937 në qytetin e Gjirokastrës. Gjatë fëmijërisë së saj ka kaluar shumë vështirësi ku edhe përfundoj në strehën vorfnore. Megjithatë ajo arriti të ndiqte pasionin e saj për artin dhe sidomos atë për baletin. Ajo ka interpretuar si balerinë së skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit nga viti 1951 deri në vitin 1962 ku edhe spikati per talentin dhe për aftësitë e saj fizike.
Pas njohjes me bashkëshortin e saj Ndrek Luca, një aktor i jashtëzakonshëm edhe ky për interpretimin e karaktereve dhe figurave artistike, Mimika iu përkushtua me dashuri artit dramatik dhe ku pati sukses në interpretimet e saj.
Ajo u pranua si aktore e Teatrit Popullor sot Teatri Kombëtar në vitin 1962.
Gjatë karrierës së saj 15-vjeçare si aktore Mimika Luca ka interpretuar në rreth 30 rrole ku ndër to do të veçonim Luçia te “Borgjezi fisnik”, Tjen Ny te “Muri i madh”, Dila te drama “Cuca e maleve”, Nica te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, Laja te “Kur hidheshin themelet”, Sonja te “Xhaxha Vanja”. Interpretimin e saj ndër më të mirët e ka në dramën “Drita”, dramë e shkruar nga vetë aktorja.
Mimika Luca interpretoj gjithashtu edhe në shumë filma artistik si “Treni niset në shtatë pa pesë” “Përrallë nga e kaluara” “Taulanti kërkon një motër” e shumë të tjerë.
Në vitin 1977 ajo emërohet edhe pedagoge në “Institutin e Lartë të Arteve” dega e Dramës. /atsh/ KultPlus.com
Fytyrat e qeshura e plotë jetë të fëmijëve të studios së baletit ‘Behia’s Dance’, mbrëmë përjetësuan në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës përrallën e famshme të Bukuroshes së fjetur, shkruan KultPlus.
Skena e Teatrit Kombëtar mbrëmë ishte e mbushur me entuziazëm e hare, fëmijët që lehtësisht u faleshin me shpirt tingujve të muzikës, sollën për audiencën përrallen e Bukuroshes së fjetur.
Një përrallë kjo klasike, që flet për një princeshë e cila është e mallkuar të flejë për njëqind vjet nga një zanë dashakeqe, mirëpo, ky mallkim do të prishej vetëm kur ajo të zgjohej nga një princ i bukur. Kur zanat e mira e dëgjojnë këtë, ajo e dinte që princesha do të frikësohej nëse kur të zgjohet gjendet e vetme, kështu që zana përdorë shkopin e saj për të vendosur çdo person të gjallë dhe kafshë në pallat për të fjetur derisa princesha të zgjohet.
Shfaqja e baletit ‘Bukuroshja e fjetur’, që para publikut erdhi nën koreografinë e Behie Murtezit dhe Driton Saqipit, për pothuajse dy orë, rrëmbeu vëmendjen e gjithë publikut, me këmbët e fëmijëve që preknin në tokë e që parë nga fytyrat e tyre dukeshin se kishin kapur qiellin me dorë.
Zana, Bukuroshe e Princa, ishin personazhët e kësaj përralle që mbrëmë erdhi përmes artit më të bukur teatral, atij të baletit.
Erza Limani, e cila në këtë shfaqje ishte në rolin kryesor, atë të Bukuroshes, tregoi për KultPlus se edhe pse në fillim kishte pasur shumë emocione për performancën e saj, ishte munduar që në skenë të bëjë më të mirën e saj.
‘Jam ndjerë jashtëzakonisht mirë gjatë performancës’, potencoi ajo tutje për KultPlus.
‘Bukuroshja e fjetur’ ishte e planifikuar të fillonte me provat qysh në Mars të këtij viti, mirëpo si shumë aktivitete të tjera kulturore, edhe kjo u anulua nga pamundësia e mbajtjes së provave, për të filluar pastaj në dhjetor.
‘Kemi zgjedhur këtë shfaqje pasi ka qenë një vit i vështirë si për fëmijë poashtu edhe për të rritur dhe kemi dashur të japim një mesazh pozitiv, të lezetshëm’, deklaroi koreografja Murtezi për KultPlus.
Murtezi, ndër të tjera, tregoi për KultPlus se edhe pse të punosh me fëmijë është tejet e vështirë, ajo ishte ndarë shumë e kënaqur me shfaqjen si tërësi.
‘Besoj që kjo shfaqje ka dhënë një energji të mirë, të paktën për këtë vit’, është shprehur Murtezi.
Me duartrokitje, të qeshura, përqafime e gëzim të madh, përfundoi ‘Bukuroshja e fjetur’, një shfaqje që mesazhin që përçoi e pati kuptimplotë si për fëmijët ashtu edhe për të rriturit: E mira dhe dashuria triumfojnë gjithmonë ndaj të keqes. / KultPlus.com
Kinemaja më e madhe në Kosovë, Cineplexx, njofton se nga sot do të nis të shfaqet një nga filmat e shumëpritur të këtij viti, Wonder Woman 1984.
Filmi i shumëpritur Wonder Woman 1984, nis nga sot të shfaqet në Cineplexx. Filmi është vazhdim i filmit hit Wonder Woman, i cili kishte arkëtuar mbi 822 milionë në arkat filmike 3 vite më parë.
Në vitet 1980 aventura e rradhës e Wonder Woman e gjen atë përballë dy armiqve të rinj: Max Lord dhe Cheetah. Në film, rikthehet në rolin e saj aktorja e njohur Gal Gadot, ndërsa përveç saj, në film luajnë aktorët e famshëm si Kristen Wiig, Robin Wright, Pedro Pascal, ndërsa si regjisore e filmit rikthehet Patty Jenkins, të cilën po e ndjek suksesi që kur filmi i parë i Wonder Woman entuziazmoi fansat.
Filmi do të shfaqet çdo ditë në shumë orare, ndërsa Cineplexx do të punojë me orar të ri, nga ora 11:00 deri në ora 17:30 në Prishtinë, ndërsa në Prizren nga ora 11:00 deri në ora 19:45.
Në një mjedis si i yni, ekziston një nevojë e jashtëzakonshme për shkrime muzikore e sidomos me një përparësi të lartë botime muzikore, por njëkohësisht është një mjedis i frikshëm për ata që marrin guximin të angazhohen në këtë fushë, dhe kështu hapësira për një zhvillim të shpejtë të saj ka qenë e kufizuar. Sidoqoftë, një numër botimesh janë realizuar dhe sot na shërbejnë si pika orientimi.
Fatmirësisht, trendi i botimeve muzikore sot është kthyer duke pasuruar fondin e saj. Pikërisht mbrëmë, muzikës artistike shqiptare iu shtua edhe një botim me vlerë.
Në sallën e Qendrës Kulturore Informative ne Shkup, u promovua botimi i miniaturave për flaut dhe piano nga kompozitori ynë i mirënjohur Valton Beqiri. Sipas recensentes të këtij botimi dhe njëkohësisht solistes sonë të mirënjohur prof. Venera Mehmedagaj-Kajtazi “këto miniatura ofrojnë mundësinë e përzgjedhjes së veprave nga njëra prej tyre e gjer te kombinimi apo realizimi i tyre në tërësi “.
Ajo poashtu theksoi se “kēto vepra do të jenë pjesë e shpeshtë e repertorit koncertal jo vetëm në suaza kombëtare por edhe ndërkombëtare”. Sipas kompozitorit Drinor Zymberi “këto vepra paraqesin një hap të rëndësishëm drejt pasurimit të literaturës muzikore për këtë formacion. Në rrafshin kompozicional ato paraqesin një sintezë në mes muzikës burimore shqipe dhe asaj profesionale – artistike, duke i bërë model atraktiv si për instrumentistin ashtu edhe për dëgjuesin.
Njëri nga anëtarët e panelit prof.Blerim Grubi u shpreh mjaft i lumtur për këtë ngjarje. Sipas Grubit për komunitetin artistik muzikor dhe jo vetëm, kjo është një ditë e veçantë ku për herë tē parë kemi një përmbledhje të veprave në një botim të vetëm”.
Krahas mirënjohjes drejtuar autorit të miniaturace, vlen të theksohet kontributi, puna dhe angazhimi i ideatores së këtij botimi, Sarana Ademi. Për fund, në kuadër të këtij promovimi u interpretuan edhe disa nga veprat e këtij albumi nga flautistja Sarana Ademi nën përcjelljen pianistike të vetë autorit.
Ky botim është mbështetur nga Ministria e kulturës së Republikës së Maqedonisë së veriut, komuna e Çairit si dhe komuna e Prishtinës./ KultPlus.com
Shërbimi Korrektues i Kosovës në kuadër aktiviteteve të punës së organizuar nëpër institucione korrektuese, ka pranuar donacion nga OJQ “Help Kosovo”, makinë për prodhimin e qeseve të mbeturinave.
Me fillimin e prodhimit të qeseve për mbeturina nga të burgosurit , përveçse synohet rehabilitimi edhe risocializimi i tyre, synohet edhe ulja e shpenzimeve ekonomike, e po ashtu edhe rritja e nivelit të higjienës dhe pastërtisë brenda institucioneve korrektuese.
Vetëm në kontingjentin e parë janë prodhuar 120.000 copë qese të mbeturinave, ku rrjedhimisht është kursyer buxheti i SHKK-së për 5000 euro.
Puna është duke u kryer nga të burgosurit e BSL-së, ndërsa është duke u udhëhequr dhe mbikëqyrur nga Njësia Ekonomike e SHKK-së. Në punë janë të angazhuar rreth pesë të burgosur, e që gradualisht në vitin e ardhshëm synohet edhe në rritjen e kapaciteteve prodhuese, me çka do të rritet edhe numri i të punësuarve.
Aktualisht në Burgun e Sigurisë së Lartë janë duke funksionuar tri punëtori, në të cilat bëhet prodhimi i letrës higjienike, prodhimi i qeseve të mbeturinave, si dhe zdrukthëtaria. Në këto punëtori janë të angazhuar mbi njëzet të burgosur, ndërsa produktet e prodhuara do të përdoren për nevojat e të gjitha institucioneve korrektuese.
Shërbimi Korrektues i Kosovës ka për qellim që me anë të Njësisë Ekonomike të angazhoj të burgosurit në punë dhe aktivitete të ndryshme, po ashtu me anë të punës së organizuar në institucione korrektuese synohet në një ulje të konsiderueshme të shpenzimeve.
Shërbimi Korrektues i Kosovë mbetet i përkushtuar që në të ardhmen të vazhdoi bashkëpunimin me donatorë edhe për projekte tjera. / KultPlus.com