Në kuadër të mbështetjes së të rinjve që merren me sport, ministrja Vlora Dumoshi, ka takuar sot sportisten e re Elda Zeqiri, kampione e tetëfishtë e Kosovës, në kategori të grupmoshave të ndryshme në Taekwondo.
Taekwondistja Zeqiri e njoftoi ministren Dumoshi për pjesëmarrjen në garat e shumta dhe sukseset që ka korrur ajo brenda dhe jashtë vendit, duke u shpallur kampione në shumë ngjarje sportive, ku mund të veçohen titujt e njëpasnjëshëm në kampionatet e Kosovës në Taekwondo nga viti 2012 deri më 2020 si dhe një titull në Gjermani në garën e Bavaria Open.
Zeqiri pret që institucionet dhe organizatat sportive t’i përkrahin të rinjtë dhe të rejat që merren me sport sepse kanë nevoja të shumta, duke i pasur parasysh edhe pasojat që ka sjellë edhe pandemia.
Ndërkaq, ministrja Dumoshi e përgëzoi sportisten e re për sukseset dhe fitoret e deritashme që ka arritur. Ajo tha se MKRS-ja në vazhdimësi i ka përkrahur të rinjtë që merren me sport por edhe në fusha të tjera.
“Ne si ministri përpos që i përkrahim organizatat sportive, në mënyrë të drejtpërdrejtë i përkrahim edhe sportistët e rinj nëpërmjet bursave dhe formave të tjera, në bazë të kapaciteteve dhe prioriteteve programore që kemi”, u shpreh ndër të tjera ministrja.
Po ashtu, ministrja tha se është e interesit institucional dhe atij shtetëror që të kemi përfaqësim sa më dinjitoz në garat sportive duke treguar për qëllimet e avancimit cilësor dhe masivizimit në sport. / KultPlus.com
E lindur me 3 maj të vitit 1951, Jill Tracy Biden është parimisht një edukatore amerikane e cila ka qenë zonja e dytë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga viti 2009 deri në 2017.
Jill është martuar me tashmë Presidentin e ri të ShBA-së Joe Biden, ku me rastin e inaugurimit të sotëm, ajo edhe zyrtarisht e merr titullin si zonja e parë e shtetit për katër vjetët e ardhshme.
Zonja e parë ka lindur në New Jersey dhe është rritur në Pensilvani, teksa është martuar me Joe Biden në vitin 1977, duke u bërë njerka e dy djemve të Bidenit nga martesa e parë.
Jill dhe Joe gjithashtu kanë edhe një vajzë së bashku, të quajtur Ashley, e cila ka lindur në vitin 1981.
Çifti ishte takuar në vitin 1975 teksa dy vite më vonë edhe e kanë kurorëzuar dashurinë e tyre me martesë.
Nga viti 1993 deri në 2008, tashmë Zonja e parë ishte pjesë e stafit të kolegjit publik “Delaware Technical and Community”, teksa nga viti 2009 ishte profesoreshë e gjuhës angleze në Kolegjin “Northern Virginia Community”, duke u bërë kështu edhe gruaja e parë e një zëvendëspresidenti që ka mbajtur një punë me rrogë, përgjatë detyrës zyrtare të bashkëshortit.
Jill është gjithashtu themeluese e organizatës jofitimprurëse “Biden Breast Health Initiative”, bashkë themeluese e programit “Book Buddies” si dhe të fondacionit me emrin e njëjtë “Biden Foundation”.
Që nga kandidatura zyrtare e Joe Biden si president në prill të vitit 2019, Jill Biden ishte përkrahëse dhe ka kontribuuar në kampanjën përkrah bashkëshortit, duke e mbështetur vazhdimisht drejt udhëheqjes së shtetit amerikan, që sot zyrtarisht të dy bashkë do ta marrin titullin si të parët e vendit. / KultPlus.com
Udhëheqësi i zyrës së HANDIKOS-it në Prishtinë, Faruk Kukaj, në cilësinë e qytetarit të Prishtinës sot ka marrë pjesë në seancën fillestare në Gjykatën Themelore të Prishtinës, me rastin e padisë që e kishte ushtruar para dy vitesh ndaj komunës së Prishtinës për diskriminim në qasje infrastrukturore.
”E kam vështirë të qarkulloj dhe të marr shërbime në institucione. Pastaj ne jemi diskriminuar se s’po mund të marrim pjesë si të tjerët. Unë jam optimist dhe do të luftoj për të drejtat e mia”, tha Faruk Kukaj.
Përgjatë kohës sa mbahej seanca, persona të tjerë me aftësi të kufizuara qëndronin jashtë me parulla në duar, në mbështetje të rastit por edhe në kërkim të përmbushjes së të drejtës elementare të njeriut – lëvizjes së lirë.
Kjo ishte hera e parë që në gjykatat e Republikës së Kosovës u mbajt seancë gjyqësore me rastin e një padie për mbrojtje nga diskriminimi. / KultPlus.com
Ceremonitë e inaugurimit të presidentit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës marrin vëmendje botërore.
Ndër pjesët e ceremonisë që komentohen janë pjesëmarrësit, por edhe performanca e himnit kombëtar.
Marian Anderson ishte performuesja e himnit kombëtar amerikan në vitin 1961, në inaugurimin e John Kennedyt, e cila bëri histori duke qenë e para afro-amerikane që këndon në një ceremoni të tillë.
Në vitin 1973, atëherë kur postin e presidentit e mori Richard Nixon, hapjen e bëri jazz këngëtarja e famshme atëbotë Ethel Ennis.
Ronald Reagen mori detyrën në vitin 1985, e ceremoninë përuruese të tij e hapi grupi i marinës amerikane, edhe kjo duke u vlerësuar lart artistikisht.
Këngëtarja e famshme e operës Marilyn Horne ka kënduar himin në vitin 1993, në inaugurimin e presidentit Bill Clinton, performancë kjo që u dallua shumë.
Në inaugurimin e presidentit George Bush në vitin 2005, himnin e performoi Bradley Bennett, rreshter i forcës ajrore me profesion. Gjithsesi perofrmanca e tij u listua si ndër më të mirat.
E inaugurimin e presidentit Barack Obama në vitin 2009 e hapi grupi amerikan “Navy Sea Chanters” duke performuar himnin sipas zakonit, e që u radhit gjithashtu si ndër performancat më të arritura në nivel artistik.
Në mandatin e dytë të presidentit Obama, në vitin 2013, himnin e këndoi këngëtarja e famshme Beyonce, e cila më pastaj e pranoi se nuk ka kënduar drejtpërdrejt, por është incizuar paraprakisht, detaj ky që mori shumë kritika.
Ceremonia e fundit inauguruese, që u mbajt në vitin 2017 për presidentin Donald Trump, u hap me himnin kombëtar të kënduar nga Jackie Evancho, e cila famën e saj e filloi në “Americas Got Talent”, aty ku zuri edhe vendin e dytë.
E si çdoherë, edhe për ceremoninë e sotshme janë paraparë dhe përgatitur, e cila do të zhvillohet shumë më ndryshe, si pasojë e pandemisë.
Gjithsesi himni kombëtar do të këndohet siç e do zakoni, që për presidentin e 46-të me radhë amerikan, Joe Biden, do të peroformohet nga artisja dhe përkrahësja e tij e madhe, Lady Gaga. / KultPlus.com
Të gjithë po përgatiten për inaugurimin e ardhshëm presidencial që do të ndodhë sot (e mërkurë) në Shtëpinë e Bardhë.
Megjithëse ceremonia e këtij viti do të shfaqë një festë kryesisht virtuale, Presidenti i zgjedhur Joe Biden dhe Zonja e Parë Kamala Harris kanë zbuluar një listë këngësh të përshtatshme dhe të përzgjedhura posaçërisht për të transmetuar një atmosferë festive në shtëpitë e të gjithëve.
Të premten e datës 15 janar, Komiteti Presidencial i Inaugurimit, së bashku me D-Nice dhe Raedio, publikuan listën zyrtare të këngëve të inaugurimit të Biden-Harris , raporton Billboard.
Duke shfaqur 46 këngë, lista ka për qëllim të pasqyrojë ndjenjat e bashkimit, bashkëpunimit dhe unitetit, shkruan TeenVogue.
Në një deklaratë, ekipi i Biden-Harris shpjegoi se zgjedhja e pistave “përfaqëson shumëllojshmërinë e kombit tonë dhe forcën dhe qëndrueshmërinë tonë ndërsa presim drejtimin e ri dhe një epokë të re në Amerikë”.
Drejtori i Përgjithshëm i Komitetit të Inaugurimit, Tony Allen preku më tej rëndësinë e listës së këngëve, duke i thënë Billboard: “Gjatë një viti të trazuar që ka mbajtur të mbyllur kaq shumë të dashur, muzika ka qenë një mjet i qëndrueshëm që na ka mbajtur të lidhur. Nëse jeni një shpirt i vendit, një entuziast i jazz-it, një fans i hip hop-it, një adhurues i muzikës klasike, ose thjesht dashamirës i rock roll-it të kohërave të vjetra, muzika sqaron, frymëzon, bashkon dhe shëron…Këto këngë dhe artistë pasqyrojnë shpirtin e pamëshirshëm dhe larminë e pasur të Amerikës. Rezultati në një kapitull të ri dhe do të ndihmojë në afrimin e njerëzve ndërsa Administrata Biden-Harris fillon punën e saj të rëndësishme për të bashkuar vendin tonë”.
Sa për aktet muzikore të përfshira, lista e këngëve përfshin zhanre të shumëfishta, me paraqitje nga: Vampire Weekend, Mac Miller, Tame Impala e shumë emra të tjerë.
Disa nga emrat kryesorë të muzikës janë gjithashtu të paraqitur, duke përfshirë këtu artistë si: Beyonce, Dua Lipa, SZA dhe Kendrick Lamar.
Nga këngët e përzgjedhura të inaugurimit është edhe “Levitating” e shqiptares me famë botërore, Dua Lipa.
Praktikisht lëkundja në komoditetin e shtëpisë tuaj nuk do të jetë festa e vetme e madhe e përfshirë në ceremonitë e së mërkurës.
Lady Gaga do të jetë gati për të kënduar Himnin Kombëtar, dhe një ngjarje shtesë televizive ‘primetime’ do të shfaqë një koncert në distancë nga Demi Lovato, Jennifer Lopez dhe disa emra të tjerë. /Telegrafi/ KultPlus.com
Ilustratorja Diellza Gojani e njohur tashmë me emrin artistik “Diego”, po vazhdon të sjell punime nga më të ndryshmet, shkruan KultPlus.
Kësaj radhe ajo është kujdesur që të sjell sportistet më të mira të vendit tonë në disa prej ilustrimeve të saj.
Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Loriana Kuka dhe Distria Krasniqi vijnë të punuara mrekullisht nga Gojani.
Artistja Diellza Gojani synon që përmes këtyre ilustrimeve t’i shtyjë njerëzit që të mësojnë për historinë e popullit shqiptar, të fokusuar te gratë. / KultPlus.com
Nëpër fusha e nëpër male Fryn murlani me stuhi O murlan, njat frymën ndale Ndal ti, o akull, mos më ngri. Mos ma ngrini këtë pikë gjak! -Struku, struku, i shkreti plak. Po del dimni me kosë në dorë, Gjeth e bar i ka kositë; Qet ballkoni pjalm e borë, E plak-shkreta, tue mërdhitë, I thotë vedit me za pak: -Struku, struku, i shkreti plak. / KultPlus.com
Një sërë monumentesh e veprash arti janë ngritur për Heroin Kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti në të gjithë botën.
Një e tillë mjaft e veçantë gjendet në kalanë e Castelleone në Derut të Periugias në Itali.
Ajo është një kala mesjetare, dhe skulptura është vendosur në madhësinë natyrale të Gjergj Kastriot Skënderbeut. Ajo është pozicionuar në majë të së ashtuquajtrësh Kulla Longobrda të kështjellës, që daton që nga shekulli XII.
Sipas studimeve të fundit historike të kryera në arkivat e Vatikanit dhe Bibliotekën Archiginnasio të Bolonjës, Castriota, pikërisht nga maja e kësaj kulle antike do të shtynte peruxhianët në një betejë ndaj turqve me të cilët Pio II e kishte nxitur rreth viteve 1465/66 të ngjitej përmes luginës së Tevere deri në Perugia e vjetër. Një histori mbresëlënëse! / Diaspora shqiptare / KultPlus.com
Një fotografi e rrallë është publikuar në prag të 15 vjetorit të vdekjes së Presidenti Ibrahim Rugova.
Fotografia është shkrepur për festën e Vitit të Ri në lokalet e gazetës së përditshme “Rilindja”, më 31 dhjetor 1969 dhe 1 e 2 janar 1970, gjatë një bisede për letërsinë të gazetarit e redaktorit Gani Bobi
Në fotografi, janë redaktori i Rilindjes Gani Bobi (tashmë i ndjerë) në bisedë me letrarët Ibrahim Rugova, Musa Ramadani dhe Nexhat Halimi.
Presidenti Ibrahim Rugova vdiq më 21 janar 2006 në Prishtinë pas kancerit në mushkëri. /Express/ KultPlus.com
Poezi nga Richard Brautigan Përktheu: Veron Dobroshi
Duket sikur kanë kaluar vite Para se ta marr buqetën e puthjeve Nga gojë e saj Dhe t’i vendos ato Në një vazo ngjyrë agimi Në zemrën time Por Pritja ia vlejti. Sepse Unë Isha i dashuruar. / KultPlus.com
Mozaiku i artistit kosovar, Alkent Pozhegu, ku paraqitet figura e presidentit të zgjedhur amerikan, Joe Biden, është shfaqur edhe në ekranin e televizionit amerikan “ABC News”.
Puna e artistit ka marrë vëmendje edhe në shumë medie të tjera ndërkombëtare, në kohën kur shteti më i fuqishëm i botës po pret që në krye të tij të vendoset politikani që dikur shërbente si nënpresident.
Pozhegu ka thënë se për punimin e këtij mozaiku ka përdorur 120 kilogramë drithëra, misër, fara luledielli, oriz dhe fasule.
Ndryshe, Joe Biden do të inaugurohet zyrtarisht si shef i Shtëpisë së Bardhë dhe president i 46-të i Shteteve të Bashkuara të mërkurën rreth orës 12 sipas kohës lokale apo rreth orës 18 sipas kohës në vendin tonë, shkruan Gazeta Express.
Ai njihet si mik i madh i Kosovës. Ka shprehur përkrahje të vazhdueshme për shtetin tonë dhe shumë vjet më parë e ka kritikuar ashpër “kasapin e Ballkanit”, Sllobodan Millosheviq, për politikat shtypëse në ish-krahinat e Jugosllavisë. / KultPlus.com
Një koleksion me brilantë të ndritshëm nga gjerdani i mençurive të njerëzve më të mëdhenj që lanë gjurmët e tyre në historitë e popujve dhe botës.
Jemi të bindur se do të doni t’i ruani diku për t’i lexuar herë pas here, në fakt, do të donit t’ia rikujtonit vetes çdo ditë.
“Ju nuk mund të ofroni një shtrëngim duarsh me grushtin e mbledhur.” “Le të sakrifikojmë të sotmen tonë në mënyrë që fëmijët tanë të kenë një të nesërme më të mirë.” “Gjëja më e vështirë është vendimi për të vepruar, pjesa tjetër është thjesht këmbëngulje. Frikërat janë tigra prej letre. Ju mund të bëni gjithçka që vendosni të bëni. Ju mund të veproni për të ndryshuar dhe kontrolluar jetën tuaj; dhe procesi, rrugëtimi është shpërblimi i vet.” “Mos merrni parasysh asgjë që dikush ju tregon për dikë tjetër. Gjykoji të gjithë dhe gjithçka sipas vetes tënde.” “Të mësuarit nuk e bjerr kurrë mendjen.” “Zot, më bëj një instrument të paqes sate. Ku ka urrejtje, më lër të mbjell dashuri.” “Gjykimi i mirë vjen nga përvoja, dhe shumë prej saj vjen nga gjykimet e këqija.” “Asnjë akt mirësie, sado i vogël, nuk është tretur kurrë.” “Është shumë më mirë të jesh vetëm, sesa të jesh në shoqëri të keqe.” “Nëse do të bësh gjëra të mëdha, bëj gjëra të vogla në mënyrë të jashtëzakonshme.” “Qëndrueshmëria, këmbëngulja dhe insistimi përkundër të gjitha pengesave, dekurajimeve dhe pamundësive: Është kjo, që në të gjitha gjërat dallon shpirtin e fortë nga i dobëti.” “Mbani fytyrën gjithmonë drejt rrezeve të diellit – dhe hijet do të bien pas jush.” “Kush provoi ndonjëherë. Dështoi ndonjëherë. S’ka rëndësi. Provo përsëri. Dështoni përsëri. Dështoni më mirë.” “Përhap dashurinë kudo që shkon. Mos lejo askënd afër teje nëse nuk do të largohet më i lumtur sesa kur erdhi.” “Pesimisti ankohet për erën, optimisti pret që ajo të ndryshojë; realisti rregullon velat.” “Të jesh plotësisht i sinqertë me veten është një ushtrim i mirë.” “Pyetja më këmbëngulëse dhe urgjente e jetës është: “Çfarë po bën për të tjerët?”” “Ajo që ne arrijmë përbrenda nesh do të ndryshojë realitetin e jashtë nesh.” “Mos e gjykoni ditën nga të korrat që korrni, por nga farat që mbillni.” “Kur një derë lumturie mbyllet, një tjetër hapet, por shpesh ne shikojmë aq shumë derën e mbyllur sa nuk shohim atë që na është hapur.” “Ndershmëria është kapitulli i parë në librin e mençurisë.” “Sa e mrekullueshme është që askush nuk ka nevojë të presë asnjë moment para se të fillojë të përmirësojë botën.” “Shkoni me vetëbesim në drejtim të ëndrrave tuaja. Jetoni jetën që keni imagjinuar.” “Gjithmonë mbani mend se jeni absolutisht unik. Ashtu si të gjithë të tjerët.” “E vetmja gjë e nevojshme për triumfin e së keqes është që njerëzit e mirë të mos bëjnë asgjë.”/ KultPlus.com
Rai konfirmon datat duke shpjeguar se po punohet që publiku të jetë i pranishëm në ambientet e Teatrit Ariston.
“Edicioni i 71-të i Festivalit Sanremo do të mbahet nga data 2 deri më 6 mars. Konfirmimi edhe në fund të një takimi midis organizatorëve të festivalit dhe drejtorit artistik Amadeus, në prani të drejtorit menaxhues Fabrizio Salini.
Midis çështjeve të trajtuara gjatë takimit, portokolli shëndetësor dhe organizativ do të paraqitet së shpejti pranë autoriteteve kompetente për të siguruar praninë e publikut në ambientet e Teatrit Ariston,” shpjegoi Amadeus. / KultPlus.com
Shtëpia spektakolare në Los Angeles ku për një kohë kishte jetuar ylli, Marilyn Monroe, është shitur për një çmim prej 88 milionë dollarëve. Fillimisht kjo pronë e cila gjendet në “Holmby Hills”, kishte dalë në shitje me një çmim marramendës prej 180 milionë dollarëve, para se kjo shifër të ulej në 115 milionë. Por, përfundimisht shtëpia ku aktorja ikonike e hollywoodit kishte jetuar, u shit për gjysmën e çmimit origjinal të caktuar në vitin 2017.
Rezidenca e stilit të vjetër Tuscan ishte ndërtuar në vitin 1935 nga Robert D. Farquhar, për çiftin Florence dhe Charles Quinn, dhe më pas i ishte shitur bashkëthemeluesit të studios “20th Century Fox”, Joseph Schenck.
Me kalimin e kohës Marilyn Monroe e filloi një lidhje romantike me Schenckun, dhe përfundoi duke jetuar në shtëpinë për mysafir të kësaj prone luksoze. Përfundimisht Schencku ia shiti këtë rezidencë e cila i përfshinë nëntë dhoma të gjumit, aktorit Tony Curtis kur ishte kah fundi i karrierës së tij filmike.
Pasi ishin ftuar në një ndejë për të famshëm në këtë shtëpi, Cher dhe bashkëshorti i saj i parë, Sonny Bono, kishin vendosur se kjo ishte shtëpia e tyre e ëndrrave dhe e blenë atë. Sidoqoftë, duke qenë se lidhja e tyre po shkonte drejt fundit, dyshja e famshme filloi të jetonte në anë të ndryshme të rezidencës luksoze, dhe eventualisht vendosën t’ia shesin atë, Ghazi Aitas nga Monaco.
Shtëpia ikonike e cila gjithashtu i përfshinë dy shtëpi roje, pishinë, një shtëpi tjetër me pishinë dhe disa fontana, ka më shumë se tri vjet që ishte në treg për t’u shitur.
Ndërkohë në vitin 2017, një tjetër shtëpi e Marilyn Monroes u shit në vlerë prej 7 milionë dollarëve. Kjo pronë e cila po ashtu gjendet në Los Angeles, u ble për 350 mijë dollarë më shumë se çmimi i kërkuar dhe i shit në më pak se 10 ditë.
Aktorja e kishte blerë këtë shtëpi në vitin 1961, për një çmim prej 80 mijë dollarëve dhe kishte jetuar aty me, Eunice Murrayn, kujdestarja e saj prej kohësh. / KultPlus.com
Presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, i përkujtoi 400.000 viktimat amerikane të koronavirusit në mbrëmjen e së martës në Washington DC, ndërsa shumë qytetarë u solidarizuan në rrjetet sociale për përkujtim kolektiv.
Shifra e tmerrshme e viktimave u arrit të martën. Sipas të dhënave të Universitetit “Johns Hopkins”, numri i përgjithshëm i të vdekurve nga Covid-19 në ShBA ka shkuar në 401.128 persona, ndërsa mbi 24 milionë janë infektuar. Të dyja shifrat janë bindshëm më të lartat në botë.
“Për t’u shëruar, ne duhet të kujtojmë. Nganjëherë është vështirë të kujtojmë, por kështu shërohemi. Është me rëndësi që ta bëjmë këtë si komb”, tha shefi i ri i Shtëpisë së Bardhë gjatë ceremonisë për përkujtimin e viktimave të pandemisë.
Ceremonia u organizua nga komiteti inaugurues i Bidenit, i cili ngjarjen e përshkoi se mundësi për të reflektuar dhe për t’i nderuar ata që nuk janë më. Ky komitet bëri thirrje për një moment kombëtar të unitetit, duke kërkuar nga amerikanët që të ndezin qirinj në dritare, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
Shumë amerikanë publikuan në rrjete sociale mesazhe të përkujtimit dhe fotografi të qirinjve. “U prehshin në paqe familja ime dhe miqtë e mi që humbën ndaj Covid-it. Lutem për babanë tim dhe shumë të tjerë që ende janë duke vuajtur dhe për ata që i kanë humbur të dashurit. Faleminderit, Biden, për nderimin e 400 mijë jetëve të humbura”, shkroi një përdoruese e Twitter-it.
Përkujtimit të viktimave nga presidenti Biden dhe nënpresidentja Harris iu bashkuan edhe zyrtarë të tjerë të lartë në mbarë vendin. Kryetari i Nju Jorkut, Bill de Blasio, tha se ky është një moment unitetit për qytetin dhe vendin. “Në mbarë Amerikën në këtë moment, njerëzit janë bashkuar me një qëllim të përbashkët: për t’i kujtuar ata që kemi humbur, për të ndier atë që familjet e tyre janë duke ndier”, shtoi ai. / KultPlus.com
Dua Lipa i rikthye në një intervistë për Jimmy Kimmel për të diskutuar pak më shumë për gjashtë nominimet “Grammy”.
Gjatë bisedës, këngëtarja edhe njëherë mohoi thashethemet për një shtazëni duke sqaruar se e gjitha ishte një keqkuptim.
Më pas Jimmy Kimmel e pyet se sa e emocionuar është që do të performojë në “Grammy” dhe nëse është ndopak supersticioze. Lipa pohon se deri në një masë edhe është kjo ndoshta edhe për faktin se është shqiptare. “Vjen me territorin”, thotë ajo.
Kimmel kërkon që ajo të ndajë disa nga supersticionet që ajo dhe familja e saj kanë duke pranuar se edhe ai është pak.
“Në familjen time ka supersticione të tilla si: Mos hidh plehrat natën, mos laj rrobat ditën e premte, nëse të kruhet hunda do bëhesh me nerva dhe duhet të prekësh prapanicën tre herë që mos të ndodhë”, thotë ajo duke qeshur.
“Nëse të kruhet dora e majtë do marrësh para, nëse të kruhet dora e djathtë do humbasësh para”.
Më pas ajo shton, “Në mënyrë që të mos kapë syri i keq për ndonjë ditë të veçantë të jetës tënde, duhet të veshësh të brendshmet mbrapsht”.
Më poshtë mund të ndiqni të plotë intervistën e Dua Lipës në “Jimmy Kimmel Live. / KultPlus.com
Këngëtarja shqiptare Dua Lipa, ka bërë thirrje përmes një postimi në InstaStory, në llogarinë e saj personale, ku ka ftuar që të votojnë të gjithë në zgjedhjet e ardhshme, kryesisht kosovarët që jetojnë në diasporë, shkruan KultPlus.
‘Bëje zërin tënd të dëgjohet. Ti mund të votosh kudo që je‘, ka shkruar Dua Lipa.
Vlen të ceket se Lipa është gjithmonë në përkrahje të Kosovës, duke e bërë të ditur shumë shpesh se ndjehet shumë krenare me prejardhjen e saj. / KultPlus.com
Nënë Tereza la gjurmë të mëdha në historinë e humanitetit botëror, duke u bërë ndër figurat e pavdekshme shqiptare.
Sonte, KultPlus ju sjell njërën nga thëniet më të njohura të Nënë Terezës. ‘Atdheun do ta doni më shumë kur të doni më shumë njëri-tjetrin‘ / KultPlus.com
Fillimi i vitit 2020 mori me vete ikonën e muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarushën, mirëpo këngët e saj vazhdojnë të dëgjohen e këndohen, pasiqë Pagarusha pas vetes la kryevepra artistike që nuk do të zhduken asnjëherë, shkruan KultPlus.
Kur flitet për Nexhmije Pagarushën, përdoren në një frymë shumë epitete si, Bilbili i Kosovës, Mbretëresha e Këngës Shqipe, Primadona e Melosit Popullor, e shumë epitete të tjera.
Repertori i saj interpretues është tejet i gjerë dhe i larmishëm. Veçohen këngët “Ani mori nuse”, “Kur më del në derë”, “Metelikun ta kam fal”, “Po të pres te dega e fikut”, “Mora testin”, “Kënga e Rexhës” etj.
“Baresha” është një ndër kryeveprat e interpretimit të saj që ruan elemente folklorik të këngës.
Mirëpo, sonte KultPlus ju sjell një këngë të Nexhmije Pagarushës, që edhe pse nuk është ndër të njohurat e saj, është një këngë e fuqishme që i flet me një mall të pashoq dashurisë.
Bashkangjitur gjeni videon dhe tekstin e këngës.
Ndalu njëherë dhe vetëm një çast zani i tij prej së largu më thërret Kam frikë mos është anderr thirrja e tij Që këtë natë s’po më le me u qetësu
Dashnia që po m’thërret, kaherë ka perëndu veç n’andërr më mundon nganjëherë pa mëshirë
Me mijëra dallëndyshe kur fluturojnë Krith te ty dhe dashunia pushoj Kam ftu një prej zogjëve me më shoqnu zemrën time të njomë me ndryshu./ KultPlus.com
Një nga vatrat më të rëndësishme të mësimit dhe ruajtjes së kulturës shqiptare në Itali ka qenë padyshim edhe Kolegji arbëresh i Shën Adrianit.
Ky institucion I rëndësishëm hapi dyert 287 vjet më parë, me 19 janar të vitit 1732 dhe shërbeu si qendër e rëndësishme arsimore dhe kulturore e arbëreshëve të Italisë.
Kolegji fillimisht u quajt Kolegji arbëresh Korsini. Me themelimin e Katedrës së Gjuhës Shqipe nga Jeronim de Rada (1849), dha ndihmesë me vlerë për shkollën shqipe e mendimin pedagogjik shqiptar. Pothuajse të gjithë shkrimtarët e dijetarët arbëreshë të ngulimeve të Kalabrisë e të Bazilikatës, gjatë shek. XVIII-XIX, kanë ndjekur këtë institut arsimor.
Në këtë kolegj studiuan dhe u formuan personalitete të ndryshme kishtare e kulturore shqiptare, si: Jeronim De Rada, Luigj Gurakuqi, Aleksandër Xhuvani, Kolë Kamsi e të tjerë. Trashëgimia kulturore arbëreshe është ura shpirtërore midis Arbërisë dhe Shqipërisë së sotme. Kolegji arbëresh i Shën Adrianit pati një rëndësi të madhe për konsolidimin e kësaj trashëgimie kulturore e atdhetare. / KultPlus.com
Para pak ditësh u bë e ditur se aktorja e mirënjohur Adriana Matoshi, është kandidate për deputete në radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, shkruan KultPlus.
Ka pasur shumë komente dhe kritika, disa që e përkrahnin e disa që edhe nuk pajtoheshin me vendimin e aktores. Duke bërë që kjo e fundit të reagoj përmes një statusi në rrjetin social Facebook, ku është shprehur se aktrimin do ta vazhdoj në teatër e në filma dhe jo si disa të tjerë na parlament.
‘Në parlament kam me qenë zëri i popullit e do të flas për ato gjëra që i di më së miri‘, ka shkruar Matoshi. / KultPlus.com
Edgar Allan Poe ishte një nga shkrimtarët më të rëndësishëm dhe më me ndikim në shekullin e 19-të.
Pjesa më e madhe e punës së tij u frymëzua nga ngjarjet që ndodhën rreth tij. Ato që e bënë botën të kthej sytë nga shkrimet e Poes nisin me kryeveprën e hershme “Për Helenën” deri te “Ulalume” e errët dhe misterioze. Nga “Korbi”, i cili e bëri atë me famë botërore pas botimit në 1845, te “Annabel Lee”, i cili është një lavdërim i botuar pas vdekjes për një vajzë “në një mbretëri pranë detit”. Pikërisht do të ishte vdekja e vajzës që ai dashuronte që e bëri atë të veçantë në shkrimet dhe thëniet e tij.
KultPlus ua sjell disa nga thëniet e tij:
Vdekja e një gruaje të bukur, është pa diskutim tema më poetike në botë.
Njeriu tani është vetëm më aktiv – jo më i lumtur – as më i mençur, sesa ishte 6000 vjet më parë.
E gjithë ajo që shohim ose duket është vetëm një ëndërr brenda një ëndrre.
E gjithë feja, miku im, thjesht është evoluar nga mashtrimi, frika, lakmia, imagjinata dhe poezia.
Me mua poezia nuk ka qenë një qëllim, por një pasion.
Shkenca ende nuk na ka mësuar nëse çmenduria është apo nuk është sublimiteti i inteligjencës. / KultPlus.com
Zgjedhjet në shtetin tonë dita ditës po afrohen dhe është bërë bujë e madhe në rrjete sociale nga persona që propozojnë se kush meriton të votohet, shkruan KultPlus.
Shpesh e kemi dëgjuar thënien ‘Më trego me kënd rri, të tregoj se kush je ti’, e kjo thënie vlen edhe për preferencat tona në përgjithësi, preferenca këto që janë treguesi kryesor i karakterit të secilit.
Së fundi, me ‘Thuama 5shen tane të them kush je’, ka reaguar Kushtrim Mehmeti përmes një statusi në rrjetin social Facebook.
Pas shumë gjërave që kanë ndodhur në vendin tonë, kjo 5-she që secili qytetar i Kosovës pritet ta votojë, do të thotë shumë për vendin tonë. / KultPlus.com
Ajo është e fundit fëmijë që mbeti nga ata që 70 e kusur vite më parë erdhën së bashku me të nga Çamëria drejt Shqipërisë, për të mos u kthyer më kurrë në shtëpinë ku u lind dhe ku kaloi 15 vitet e para të jetës. Ajo ka flokë shumë të bardhë, që i mbulon me shami të bardhë. Edhe sytë i ka të bardhë, sy që lotojnë shpesh. Quhet Halide Mergjyshi, por të gjithë e thërrasin Mana. Në greqishten e vjetër Mana do të thotë “nënë”. Dhe kjo thirrje nga të gjithë ata që e njohin është ndër të paktat gjëra që i kujtojnë vendin e saj dhe masakrën brenda shtëpisë ku lindi. Ka shumë pak gjëra që e ngacmojnë për t’i sjellë ndër mend atë kohë. Ka disa foto që ia kanë sjellë fqinjë kur kanë shkuar në Greqi, pranë shtëpisë së saj dhe emrin që si për ironi e thërresin në greqisht dhe kujtimet.
E shohim të përlotet kur na rrëfen se si e kanë përzënë nga shtëpia dhe se nuk e di nëse do të donte të kthehej ndonjëherë të jetonte atje. Por, ajo thotë se kështu do t’u lotojnë syte të gjithëve kur të mbërrijnë në moshën e saj. Refuzon të thotë se po loton për të pafundën herë për të njëjtën histori, atë të jetës së sa, për dëbimin nga shtëpia e saj 70 vite më parë. Ajo vetëm tund kokën duke dashur të justifikohet se e kanë dëbuar nga ai vend sepse kështu kanë dashur ta ndërtojnë historinë, popujt dhe ata që udhëhoqën dje dhe ata që udhëheqin sot.
Mban mend kur ke ardhur në Shqipëri?
Sigurisht, që e mbaj mend. Nuk është një kujtim që të largohet as duke shkundur kokën e as duke u plakur. Ishte nëntori i vitit 1944 kur kemi ardhur në Shqipëri, nga Saranda, në Qafë Botë. Mbaj mend si kemi ecur me këmbë zbathur, jo vetëm unë, por shumë si unë. Datën e saktë nuk e mbaj mend. Kam qenë 16 vjeç dhe ditët e fundit në vendin ku linda dhe ku kisha kaluar deri atëherë jetën time kanë qenë të ngarkuara dhe me ngjarje të tmerrshme. Kur mbërritëm në Shqipëri dhe duhet të regjistroheshim, shumë prej nesh, të mbijetuarve nuk mbanim mend as ditëlindjet tona. Shumica e çamëve kanë një ditë lindjeje tjetër nga ajo e vërteta. Unë njoh shumë çamë që e kanë ditëlindjen për Vitin e Ri, më 31 dhjetor sepse kështu janë regjistruar, pasi nuk mbanin mend ditëlindjen e tyre. Nuk është e thjeshtë të ikësh nga shtëpia me rrobat e trupit dhe të vetmen gjë që mund të marrësh nga vendi yt është një gur. Unë as një gur nuk e kam nga vendi im, por shumë prej nesh e kanë marrë një gur nga strehëza e tyre. Dikush merrte një grusht dhe, të tjerë puthnin tokën, gratë që ishin pa burra dhe fëmijë pranë qanin me ulërima sepse papritur e panë veten vetëm, ndërsa të tjerat që kishin pranë dikë nuk nxirrnin asnjë fjalë nga goja, por vetëm tundnin kokën. Unë nuk thoja asgjë, ashtu sikurse nuk mora dot asgjë. Thjesht kam ecur orë të tëra për të mbërritur në Shqipëri.
Çfarë ke ti nga ajo kohë, nga ajo shtëpi?
Asgjë veç kujtimeve të këqija dhe traditave që i ndjek njëlloj si ata që u vranë e u prenë aty. Nuk kam asgjë. E kam parë atë oborr dhe shtëpi pas shumë vitesh në një fotografi që një nga komshinjtë e mi e kish bërë gjatë pushimeve në Greqi. Thuajse të gjithë e dinë historinë time këtu në lagje. Nga kujtimet mbaj mend se jetonim, si të thuash, në të njëjtën ndërtese me gjyshërit e me xhaxhallarët. Sepse ndërtesat tona ishin si të thuash të mëdha, sa pallatet sot, me dy kate vërtet, por me 40 dhoma. Kështu e kishim ne shtëpinë. Në katin e parë kishim bodrumet, stallën, si i thoni ju tani, kishim edhe dhomat për shërbëtorët, edhe vendin ku mblidheshim nëpër festa, edhe vendin ku gatuhej, edhe vendin ku mblidheshim të hanim. Këto ishin të gjitha në katin e parë, ndërsa në të dytin kishte vetëm dhoma ku flinin e rrinim. Eh, ajo shtëpi… Tani të tjerë banojnë në atë shtëpi, ndoshta fëmijët e atyre që na tradhtuan ne.
Si ju tradhtuan?
Mua më vranë vëllanë, përpara syve. Në mëngjes herët. Isha 16 vjeç, ndërsa ai ishte 21. Nuk do ta harroj kurrë atë skenë, madje as shumë nga ato që pashë më pas, gjatë rrugës për në Shqipëri. Nuk i harroj ulërimat që atë ditë vinin nga kati i parë, kur ushtarët grekë kishin shqyer derën dhe kishin rrëmbyer gjërat më me vlerë. Florinjtë që kishin në vath grave ua tërhoqën nga veshi duke i çarë. Ndërsa meshkujt i mblidhnin të gjithë bashkë për t’i pushkatuar në oborr. Mua vëllanë ma vranë brenda në shtëpi. E ata që i vrisnin brenda shtëpi edhe i prisnin, përveçse i pushkatonin. Sepse tortura ishte në sytë e familjarëve që e shihnin mishin të hidhej në zjarr. Që atë mëngjes që na zgjuan britmat, kam parë e dëgjuar histori që mendja e të rinjve sot mund edhe të mos i pranojë. Histori të tjera të trishta kam dëgjuar edhe kur mbërrita në Shqipëri. Ashtu sikurse mua më vranë vëllanë përpara syve të tjerëve u kishin vrarë e prerë nënën, babanë, burrin e fëmijën, u kishin rrëmbyer florinjtë duke i premtuar se do t’i mbronin në bodrum dhe pastaj i kishin dorëzuar vetë te ushtarët grekë duke i tradhtuar.
Kur u nisët për në Shqipëri?
Menjëherë pas kësaj ndodhie. Nuk na kish mbetur më asgjë, përveç frikës se gratë do t’i përdhunonin pasi të pushkatonin të gjithë burrat në Paramithi. Neve na kishin thënë më parë që të ndërronim fe ose të shkonim në Turqi, kur u ndërruan grekët me turqit, por ne nuk donim të linim shtëpinë e pasurinë që kishim venë. Ishte shtëpia jonë, vendi ku kishim jetuar e lindur. Kështu nuk ikëm, e kështu jo vetëm që na bastisën, por edhe na vranë, jo vetëm në shtëpi, por edhe rrugës për në Shqipëri.
Si e mban mend rrugën? Ke udhëtuar në këmbë?
Po, në këmbë për ditë të tëra, e tronditur jo vetëm nga ato që më kishin ndodhur, por edhe me atë që shihja rrugëve për të shpëtuar nga ushtarët grekë.
Çfarë ke parë rrugës?
Gra shtatzëna që hidheshin nga shkëmbinj, hidheshin në humnera për t’i shpëtuar thikave dhe shpatave të atyre. Ndonjëra që nuk vraponte dot, përjetonte… Ç’të të them, i kanë nxjerrë fëmijën nga barku vetëm me një shpatë të vogël. Kam dëgjuar baballarë që i mbanin në kampe pas hekurave dhe shihnin vajzën që përdhunohej e ulërinte se nuk dinte ç’të bënte. Këto nuk harrohen lehtë. Por, sërish dëshiron të shohësh shtëpinë tënde. Nuk më lejon kush të vete edhe një herë përpara se të vdes. E kam të ndaluar, thua se kam vrarë unë dhe jo më kanë vrarë ata.
Dëshiron vërtet të shkosh në një shtëpi ku ke vetëm kujtime të këqija?
Po, edhe një herë në tokën time, aty në oborrin ku mblidhnim ullinjtë, ku luanim… Edhe burri im kishte histori të tmerrshme në Çamëri dhe deri në fund të jetës së tij e kishte vendosur që të mos kthehej më kurrë aty, por unë jo. Nuk e di nëse do të doja të jetoja aty, por ama të shkoj kam shumë dëshirë. Po ja që nuk më lejohet edhe tani pas 70 vjetësh. Kam lindur në një vend ku nuk mund të shkel dot. /luleamyftari/ KultPlus.com