Filmi debutues i regjisores dhe skenaristes Blerta Basholli “Zgjoi” (Hive) është përzgjedhë në konkurencë zyrtare kryesore në festivalin e njohur ‘Sundance Film Festival’ që do të mbahet në janar të vitit 2021 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
‘Zgjoi” është film i bazuar në ngjarje të vërtetë që portretizon Fahrijen (interpretuar nga Yllka Gashi) e cila në kërkim të burrit të sajë të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për t’a siguruar mbijetësën e familjes, në një ambient tradicionalisht patriarkal ku ambicia e saj për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë. Punët bujqësore fillojnë t’i ecin mbarë, pos bletëve që janë shumë kaotike dhe agresive ndaj sajë. Në rrugëtimin për ta gjetur paqen me bletët, ajo fillon ta gjejë edhe paqen me vetëveten.
Regjisorja dhe skenaristja Blerta Basholli në lidhje me pjesëmarrjen në Sundance u shpreh jashtëzakonisht e lumtur, e në veçanti për temën që shtjellon ky film, për gratë e suksesshme të Krushës së Madhe: “Një falenderim i veçantë është për zonjën Fahrije Hoti, e cila ndau me ne tregimin e saj, tregim i cili ishte inspirimi i vërtetë për mua si grua e shpresoj të jetë edhe për shumë gra e vajza të tjera”. Regjisorja Basholli falenderoi edhe të gjithë ekipin e filmit për të cilin u shpreh se: “ ishte një kombinim perfekt i një grupi filmbërësish nga shumë vende të ndryshme që kontribuan jashtë mase në të gjitha fazat e realizimit të filmit”.
“Jam shumë i lumtur që pas një pune gati 5 vjeçare do të sjellim para publikut një rrëfim shumë të rëndësish për ne, dua të falenderoj të gjithë ekipin dhe regjisoren Basholli e në veçanti zonjën Fahrije që na besoi tregimin e sajë që ta realizojmë në film”. – u shpreh producenti kryesor i filmit Yll Uka.
Rolin kryesor e luan Yllka Gashi, ndërsa në rolet tjera paraqiten Çun Lajçi, Kumrije Hoxha, Aurita Agushi, Kaona Sylejmani, Mal Noah Safçiu, Adriana Matoshi, Astri Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Valire Haxhijaj Zeneli, Armend Smajli, Ilir Prapashtica, Xhejlane Terbunja, Shkelqim Islami etj, drejtor fotografie Alex Bloom, montazher Enis Saraçi dhe Félix Sandri, bashkëproducent Valon Bajgora, Agon Uka, Britta Rindelaub, Kristijan Burovski, Tomi Salkovski, Paskal Semini.
“Zgjoi“ është një bashkëprodhim filmik në mes të Kosovës, Zvicrrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Zyra Federale për Kulturë FOC dhe Cinéforom (Zvicër), Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare për Kinematografi (Shqipëri), prodhuar nga Industria Film dhe Ikonë Studio me bashkëprodhim nga Alva Film Production, Black Cat Production, AlbaSky, Swiss National TV, ndërsa të drejtat e shitjes globale i ka LevelK./ KultPlus.com
Në një kohë të largët, në ditët kur miu ishte berber, gomari bartte porositë dhe breshkat piqnin bukët, ishte një mal i madh i quajtur Kaf Daği në kufi të mbretërisë shpirtërore, nga ku u shpërndanë shumë përralla dhe mite të Lindjes së Mesme.
Sot, Kaf Daği mendohet të jetë diku në vargmalin e Kaukazit që ndan Detin e Zi nga Kaspiku. Në këtë vend magjik – i njohur gjithashtu si “Jabal Qaf” në arabisht dhe “Kuh-e Qaf” në persisht – princat janë mallkuar nga shtrigat, të cilat i kthejnë në drerë; vajzat e bukura lindin nga portokajtë; dhe sulltanët, oborrtarët, skllevërit dhe fermerët janë në mëshirën e zanave dhe demonëve që popullojnë vendin e zanave turke.
Përrallat gojore të fushës së Anadollit janë përzierje e jashtëzakonshme e motiveve dhe traditave të tregimit, duke u frymëzuar nga “Njëmijë e një net” dhe vëllezërit Grimm, si dhe nga tregimet kurde, persiane, sllave, hebreje dhe rumune.
Ignatuis Kunos, një turkolog hungarez, i cili ishte një nga akademikët e parë që mblodhi dhe shkroi disa prej tyre në vitet ‘80, krahasoi thesaret e folklorit turk me “gurët e çmuar që qëndrojnë të lënë pas dore në rrugët e filologjisë për shkak të mungesës së mbledhësve për t’i hulumtuar”.
Ai shqetësohej se lëvizja e vazhdueshme e modernizimit – veçanërisht hekurudhat – do të gërryejnë trashëgiminë kulturore të Anadollit. Për fat të mirë, për më shumë se një shekull, tradita gojore e përrallave ka mbijetuar, dhe një projekt akademik gjigant i quajtur “Masal” ka për synim të mbledhë dhe indeksojë 10 mijë tregime si formë e ruajtjes së tyre për brezat e ardhshëm.
Njerëz nga shoqëria civile si dhe akademikë të universiteteve prej departamenteve të letërsisë në gjithë Turqinë mund të ngarkojnë përralla në ueb-faqen e projektit “Masal”. Materialet e dërguara do të kalojnë në tri faza shqyrtimi nga studiues dhe redaktor gjuhësh. Projekti financohet nga Qendra Kulturore “Atatürk” dhe është ndërmarrja e parë e këtij lloji në Turqi.
Tregimet do të ndahen bazuar se nga cili prej shtatë regjioneve janë dhe në cilën nga pesë kategoritë bëjnë pjesë: përralla me kafshë, magji apo të jashtëzakonshme, përralla realiste dhe humoristike. Përrallat e “Zincirlemelit” ndjekin një formulë të rreptë, pothuajse si një poezi, në të cilën personazhet dhe ngjarjet në fillim dhe në fund formojnë imazhe pasqyre.
Shpesh ekzistojnë disa variante të ndryshme të një historie, që kërkon referencë të përpiktë për të kuptuar se si një përrallë mund të ndryshojë me kalimin e kohës nga një rajon në tjetrin: ekzistojnë rreth 20 versione të ndryshme të “Tın Tın Kabacık”, për dy vajza të vogla të braktisura nga babai i tyre, vetëm në provincën e Muğlas. Shumë histori dhe poezi gjatë viteve janë kthyer në turqisht nga versionet origjinale kurde, laze, armene dhe çerkeze.
Nëse një përrallë e ngarkuar miratohet, ajo bëhet pjesë e databazës në ueb-faqen “Masal”, e cila gradualisht do të jetë në dispozicion të publikut. Më shumë se 3 mijë e 300 përralla janë mbledhur nga 77 zona të ndryshme deri më sot, dhe drejtuesit e projektit shpresojnë që përmbledhja të përfundojë deri në shkurt të vitit 2022.
Motive të tilla si qilima magjikë, kafshë dhe zogj që kanë dhuntinë që të flasin dhe pasqyra me magji, molla dhe shega, jehojnë në të gjithë kanunin. Personazhet e guximshme që sfidojnë dragonjtë dhe gjigantët e Kaf Daği ose i mbijetojnë një udhëtimi nëpër shkretëtirë, shpërblehen me propozime martese në kopshte të bukura dhe zogu-fenik si “Zumrutu Anka” ose “Simurgh” e të ngjashëm janë gjithmonë në afër për të ndihmuar një hero kur është i zënë ngushtë.
Përrallat mund të jenë gjithashtu edhe të shëmtuara. Shërbëtorët e zinj dhe shtrigat e moshuara pothuajse gjithmonë paraqiten si njerëz të ligë. Pashallarët kanë vrarë gratë e tyre të pafajshme dhe armiqtë copëtohen nga kuajt e egër; një harabel vjen për t’i thënë një gruaje të re se vdekja është fati i saj.
Përrallat turke gjithashtu morën një dimension të rëndësishëm politik gjatë ditëve të para të republikës, kur themeluesi i Turqisë moderne, Mustafa Kamal Atatürk, përpiqej të fuste atë që kishte mbetur nga Perandoria Osmane në botën moderne. Kultura popullore u refuzua si e prapambetur dhe studiuesit turq si Pertev Naili Boratav, i cili ishte pionier i studimit të përrallave popullore, u bënë një shënjestër e nacionalistëve turq në vitet 1940 për theksimin e larmisë etnike në vend përmes punës e tij.
“Përpikëria e Boratavit dhe intelektualizmi publik i guximshëm më frymëzuan”, ka thënë autori Kaya Genç, libri i të cilit “Luani dhe Bilbili” kryqëzon Turqinë moderne në një ekzaminim të “shpirtit kontradiktor të kombit turk”.
“Në përrallat popullore, heronjtë janë kryesisht të huaj që vuajnë dhunën e autokratëve të fuqishëm; për politikanët, toni i tyre sfidues është i rrezikshëm”, ka thënë ai.
Mehmet Naci Onal, një pedagog në departamentin e gjuhës dhe letërsisë turke në Universitetin “Muğla Sıtkı Koçman”, që është i cili shërben si studiues në projektin “Masal”, shpreson që akademikë, shkrimtarë dhe artistë do të jenë në gjendje që të përfshijnë një databazën e projektit rrëfime për gjeneratat që vijnë.
“Përrallat na mësojnë se si të mendojmë. Të përdorim arsyen, të jemi të durueshëm, të ëndërrojmë, të tejkalojmë vështirësitë, të mos frikësohemi, të mos ngecim kur hasim në vështirësi, të jemi njerëz të mirë, të luftojmë kundër të keqes, të tregojmë të vërtetën, të vëmë re gënjeshtrat dhe mashtrimet, të rezistojmë dhe të dëgjojmë. Këto vlera janë vlera universale për njerëzit: kohët ndryshojnë, njerëzit nuk ndryshojnë”. /Koha/ KultPlus.com
Pamja e një ushtarit derisa po ua kalon rrugën nga përmbytjet dy fëmijëve është bërë virale në rrjetet sociale. Shihet se ai bartë në krahë, dy fëmijë, djalë e vajzë, gjest ky që është çmuar shumë nga qytetarët.
Raportohet se fotografia është shkrepur në zonën e Gjilanit, komunë kjo që nuk ka kaluar lehtë nga përmbytjet që u shkaktuan nga reshjet e shumta të shiut.
Vendi ynë është përballur me reshje të shumta të shiut ditëve të fundit, për shkak të kësaj situate në teren kanë vepruar edhe ekipet e FSK-së. / express/ KultPlus.com
Poetja Luljeta Lleshanaku është nominuar për çmimin letrar “Poeti Europian i Lirisë 2022”, organizuar nga qyteti Gdansk në Poloni, shkruan KultPlus.
Ky çmim vie si nderim për shkrimtarët të cilët kanë tentuar t’i bëjnë vend në poezitë e tyre fenomeneve si liria si dhe që kanë një vlerë artistike.
“Poeti Europian i Lirisë 2022”, do t’i jepet një poeti nga Evropa i cili është gjallë, teksa Lleshanaku është në garë me 4 shkrimtarë tjerë nga Çekia, Ukraina dhe Sllovenia.
Poezitë e Lleshanakut janë përkthyer nga shqipja në polonisht nga përkthyesja Dorotha Horodynska. / KultPlus.com
Melodi e këputun – lot i kjartë nga syni i një grues së dashun… andje e përplasun, xhevahir i tretun, një andërr e shkelun, buzë e paputhun në melodin e këputun.
Nga vaji i heshtun shkunden supat e zhveshun, verbojnë nga zbardhimi… e ther, ther hidhnimi për çastet e rrëshqitun, për fatin e ikun, për gëzimin e humbun në melodin e këputun.
Brrylat ndër gjujë të mpshtetun, ftyrë në shplakë e fundosun: Qan grueja e pikllueme me zemër të piskueme (një kitarë e gjymtun, za kange i mbytun në buzë nga dhimb’ e puthun në melodin e këputun).
Hesht njeriu pran grues që qan e turpnueme… syni i venitet në të loti vërvitet, diçka nxjerr nga xhepi grues ia lë – dhe së shpejti e len gruen e humbun në melodin e këputun.
Por kur vjen ndoj tjetër, epshi kapërthehet, gjaqet turbullohen, përzihen, përvlohen, çohen peshë, tërbohen … e vetëm ndëgjohen ahtët e molisun në melodin e grisun. / KultPlus.com
Sociologja feministe Shulamit Reinharz e përshkruan zërin si “ta kesh aftësinë, mjetet dhe të drejtën për ta shprehur veten, mendjen dhe vullnetin personal. Nëse një individ nuk i ka këto aftësi, mjete ose të drejta, ai ose ajo mbetet i heshtur”.
Ky konceptim nxjerr në pah strukturat e pushtetit shoqëror që privilegjojnë disa zëra ndërsa përjashtojnë të tjerët. Të flasësh dhe të dëgjosh do të thotë të kesh pushtet mbi jetën e dikujt. Të heshtësh do të thotë të të mohohet kjo forcë.
Dje Vasfije Krasniqi-Goodman u deklarua se individë të ndryshëm kanë tentuar ta heshtin rreth temës për të cilën ajo theu tabu dhe u bë zë i shumë grave. Për më tepër është deklaruar se individët po këshillohen të mos flasin me të. Po tentohet të heshtet zëri i tyre që duan të flasin me të dhe kësisoj vetë zëri i saj dhe i kauzës së saj.
Stigmatizimi rreth çështjes së dhunës seksuale të luftës vazhdon të mbetet tabu në shoqërinë tonë, pavarësisht iniciativave të ndryshme që tentojnë ta ndryshojnë këtë realitet. Kur të mbijetuarit e përdhunimit seksual u ekspozohen gjykimeve që i fajësojnë të mbijetuarit, mund të ndodhë viktimizim i dytë ndaj tyre.
Reagimet si kjo që e ka përshkruar Vasfija kanë funksion heshtës dhe kanë funksion të viktimizimit të dytë të tyre.
Reagimet, që në kulturën tonë janë predominante, si fajësimi, mohimi i ndihmës apo këshillimi e shpesh herë edhe presioni që të mos flitet për këto përvoja, shkatërrojnë në mënyrë efektive secilën përpjekje për të kërkuar drejtësi.
Pavarësisht vëmendjes së shtuar të bashkësisë ndërkombëtare ndaj mosndëshkimit për krimet e dhunës seksuale, përgjegjësia mbetet e pakapshme. Në shumicën e vendeve, të mbijetuarit shpesh hezitojnë të raportojnë përvojat e tyre për shkak të stigmës, frikës nga hakmarrja ose refuzimit nga familjet ose komunitetet e tyre. Një realitet i tillë është edhe në Kosovë.
Si shoqëri duhet që kolektivisht të konsolidohemi që të mos kontribuojmë në riviktimizimin e të mbijetuarave të dhunës seksuale dhe kjo nuk mund të bëhet duke i heshtur njerëzit që gjejnë forcën për folur rreth asaj që iu ka ndodhur.
Pa Marte Tunajn, Vasfije Krasniqi-Goodman dhe Shyhrete Sylejmanin, nuk do të munden të fuqizohen të mbijetuarit e tjerë të dhunës seksuale dhe nuk do ta kenë mundësinë të kalojnë metamorfozën prej të të qenit objekt i dhunës në pjesëmarrës aktivë të luftës për drejtësi.
Çdo tentativë që synon heshtjen e grave si Vasfija synon harresë kolektive të krimeve që janë bërë ndaj civilëve në Kosovë. /grazeta/ KultPlus.com
Princi Harry dhe Meghan Markle, do të ribashkohen me familjen mbretërore gjatë kësaj vere.
Duka dhe dukesha e Sussexit thuhet se do të rikthehen në Britani të Madhe në qershor të këtij viti, për ta ndjekur ceremoninë zyrtare mbretërore, “Trooping of the Colour”, që tradicionalisht mbahet më 12 qershor, për ta nderuar ditëlindjen e Mbretëreshës Elizabeta e Dytë.
“Plani aktual është që parada për nderë të ditëlindjes së mbretëreshës, të mbahet në Londër në formë normale, me përjashtim të faktit se do të duhet bërë disa akomodime të reja dhe rregulla që duhet ndjekur. Qëllimi dhe dëshira përfundimtare është që kjo ceremoni mbretërore të mbahet”, citohet të ketë thënë një burim për “The Sunday Times”.
Kjo do të jetë hera e parë që Princi Harry dhe Dukesha Meghan, të cilët e kanë një djalë së bashku, Archie, do të shihen në publik bashkë me anëtarët e tjerë të familjes mbretërore, që nga ngjarja “Commonweal Service” e cila u mbajt në mars të vitit të kaluar.
Në një intervistë të realizuar në muaji gusht, Harry kishte thënë se çifti kishte planifikuar ta vizitojë Britaninë e Madhe më shpesh, por është kufizuar shkaku i pandemisë së koronavirusit.
Kjo po ashtu do të jetë vizita e parë e dyshes në Britani të Madhe, nga heqja dorë e obligimeve zyrtare të familjes mbretërore, dhe shpërngulja në Kaliforni. Thuhet se Princi Harry në fillim e urrente jetën në Los Angeles, por është shumë më i lumtur tani që familja është akomoduar në Santa Barbara.
Ndërkohë në muajin korrik, Meghan Markle, u bë lajm në mediat botërore me ta zbuluar lajmin se kishte pësuar abort spontan teksa ishte shtatzënë me fëmijën e dytë të çiftit.
Megjithëkëtë, së fundmi në media dhe portale të ndryshme po qarkullon lajmi se dukesha mund të jetë sërish shtatzënë, pasi në disa fotografi të realizuara nga paparazzit, ajo duket sikur po e fsheh barkun e fryrë. Ende nuk dihet nëse ky lajm është i vërtetë, pasi nuk ka konfirmime për një shtatzëni të radhës, por edhe nuk është për t’u çuditur nëse çifti i famshëm vendosë ta mbajë të fshehtë këtë lajm deri në lindje të fëmijës, marrë parasysh sa vëmendje merr çifti nga publiku, dhe sa e sulmuar ka qenë Meghan nga mediat në Britani të Madhe. /Koha/ KultPlus.com
Takimet Ndërkombëtare Letrare “Azem Shkreli 2021” kanë hapur konkursin për pranim të poezive, shkruan KultPlus.
Edicioni i 19-të i manifestimit letrar në Pejë pritet të organizohet në datat tradicionale, 23 e 24 maj, teksa ato do të vlerësohen nga juria e Këshillit Organizativ.
Poezit të cilat dërgohen në këtë organizim letrar duhet të jenë të pabotuara dhe jo më të gjata se dy faqe kompjuterike.
Konkursi do të jetë i hapur për poetët deri më 31 mars 2021, teksa poezitë duhet të dërgohen në adresën elektronike: [email protected] . / KultPlus.com
Vepra “Ligjërimet arbëreshe” nga Gjovalin Shkurtaj është ribotuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, shkruan KultPlus.
Kjo vepër flet për kulturën e arbëreshëve, historinë e shpërnguljes së tyre në Itali, folklorin, traditat dhe letërsinë e tyre.
Kërkesat e larta të lexuesve për këtë libër e kanë motivuar edhe ribotimin, në shërbim të albanologëve, studiuesve e studentë të degëve të gjuhësisë në universitetet shqiptare.
Në ribotimin e veprës, autori ka sjellur disa plotësime.
Vepra përmban shqyrtime sociolinguistike në boshtin “gjuha e bukës” dhe “gjuha e zemrës” në Diasporën shqiptare dhe studime dialektologjike për një numër të folmesh kryesore të diasporës arbëreshe të Italisë, si dhe për të folmet arvanite të Greqisë, për të folmen e arbëreshëve të Zarës. / KultPlus.com
Shkrimtari i njohur francez Viktor Hygo vazhdon të mbetet ndër shkrimtarët më me rëndësi në letërsinë botërore, madje ka shumë prej kritikëve e studiueseve të letërsisë që e konsiderojnë edhe si ‘Babai i romantizmit’, shkruan KultPlus.
Sot KultPlus ju sjellë nga shprehjet e tij më të famshme.
“Një mijë në qëndrofshin, do të qëndroj dhe vetë,
Po dhe njëqind në mbetshin, nuk tundem kurrsesi;
I dhjeti do të jem, po qe se mbeten dhjetë;
E në mbettë veç një, – unë do të jem ai!”/ KultPlus.com
Distria Krasniqi e ka fituar medaljen e artë në Mastersin e Dohas, pasi e mposhti Funa Tonakin në finalen Katarit të hënën, duke e nisur vitin 2021 në mënyrë mbresëlënëse dhe duke mbetur në binar për ta siguruar pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike Tokio 2020.
Xhudistja kosovare dhe numri një i botës Krasniqi është fituese e medaljes së artë në kategorinë deri në 48 kilogramë në Mastersin e Dohas.
Krasniqi bëri paraqitje mahnitëse kundër ish-kampines së botës dhe njërës prej favoriteve për medaljen e artë në Lojtërat Olimpike Tokio 2020, të cilat do të mbahen këtë verë.
Kosovarja i shënoi dy pikë wazzari, të cilat i mjaftuan për ta fituar luftën me japonezen dhe rrjedhimisht edhe medaljen e artë.
Numri një i botës në kategorinë deri në 48 kilogramë e pati një ditë të mrekullueshme në Katar, duke i fituar pa telashe të gjitha katër luftërat.
Pasi e kaloi rrethin e parë pa luftë, Krasniqi e mundi sllovenen Marusa Stanger me ippon në rrethin e dytë, ndërsa në çerekfinale fitoi ndaj portugezes Catarina Costa.
Në gjysmëfinale, ajo fitoi ndaj francezen Melanie Clement.
Mastersi i Dohas është i rëndësishëm sepse u siguron garueseve edhe pikë olimpike, të cilat janë të nevojshme për ta siguruar pjesëmarrjen ne Lojërat Olimpike Tokio 2020./ KultPlus.com
Situata pandemike na zbuloi dobësitë e shtetit, mungesën e kuadrit mjekësor, hapësirave për hospitalizim dhe varfërinë në ide për menaxhim të krizës.
Mungesa e reshjeve na krijon probleme me ujë. Një vit i thatë na spjegon qartë pasivitetin e mekanizmave shtetërorë te cilat as që e kanë pasur në rend dite ndonjëherë ndërtimin e një sistemi alternativ për furnizim.
Reshjet e medha tregojnë defektet në planifikim hapësinor, në çështjet e ndërtimit, në organizimin e ujêrave të zeza, mospunën mbi shtretërit e lumenjëve dhe cilësinë e dobët të punimeve rrugore.
Ndërkohë që vendi shkatërrohet, ne vazhdojmë të votojmë për hatër./ KultPlus.com
Ajo nuk kishte frikë të ngrihej e të mbronte ato që besonte, prandaj i bëri armiq ata që donin që ajo të pengohej e të rrëzohej…
Ajo ishte më e fortë se shumica e grave, sepse ajo jetonte me integritet dhe guximin e bindjeve të saj, por nganjëherë ajo pyeste veten se pse ndihej kaq e vetmuar.
Kur ajo shikoi rreth vetes, ajo e kuptoi se ajo kishte vetëm disa njerëz të vërtetë të cilëve mund t’u besonte.
1. Ajo e mban veten me standarde më të larta
@Pixabay
Ajo nuk kishte frikë të ëndërronte shumë për veten dhe të ishte ambicioze. Ajo e dinte se çfarë dëshironte të bëhej dhe ajo u sigurua të bënte gjithçka në fuqinë e saj për të jetuar ëndrrat e saj.
Njerëzit të cilët ishin shumë të ndrojtur për të parë ëndrrën e saj të madhe filluan të mos e durojnë atë për suksesin e saj.
2. Ajo ishte e vërtetë dhe e ndershme edhe kur lëndohej
@Pixabay
Ajo kurrë nuk i lë pasojat e të thënit të të vërtetës që ta pengojnë atë e të mos bëjë gjënë e duhur.
Nëse ajo duhej të ishte e hapur për gabimet e saj, edhe nëse ato do ta fusnin në vështirësi, ajo nuk hezitoi t’i diskutonte. Nëse asaj iu desh të përballej me dikë që po bënte gabim, ajo nuk hezitoi aspak.
3. Ajo kurrë nuk lejoji që dikush të tregonte mungesë respekti ndaj saj
@Pexels
Ajo qëndroi një grua e fortë sepse e dinte vlerën e saj.
Ajo e vlerësoi veten dhe dinjitetin e saj, dhe ajo nuk do të toleronte askënd që do të përpiqej ta bënte atë të kërkojë falje se është e fuqishme. Ajo u sigurua se u trajtua ashtu siç e meritonte dhe njerëzit që dëshironin ta minonin forcën e saj, filluan ta kenë zët.
4. Ajo dashuroi me gjithë zemrën e saj
@Pexels
Ajo kurrë nuk u ruajt nga njerëzit që i donte dhe ajo dha gjithçka që kishte, edhe kur u lëndua.
Ajo i trajtoi njëlloj njerëzit që shpifnin për të dhe shfrytëzonin mirësinë e saj dhe respektin që ua dha të gjithëve.
5. Ajo nuk deshi t’ia dijë se çfarë mendonin njerëzit e tjerë për të
Ajo nuk u kap në mbajtjen e aparencës.
Ajo nuk i lejoi njerëzit e tjerë ta kontrollonin atë me kritikat e tyre të vazhdueshme dhe opinionet negative mbi të. Ajo vazhdoi të jetojë sipas rregullave të saj dhe të ndiqte bindjet e saj edhe kur njerëzit u përpoqën ta ulnin.
6. Ajo ishte e lëndueshme dhe i përballte të tjerët me pasiguritë e tyre
@Pixabay
Ajo nuk kishte frikë ta “zhvishte” zemrën, sepse e dinte se nuk kishte asgjë për të cilën të kishte turp.
Pasiguritë e saj, të metat e saj dhe dobësitë e saj ishin në ekspozim si një shenjë e vetë-pranimit të vetes dhe guximin e saj. Jo të gjithë mund ta përballonin ndershmërinë e saj, sepse preferonin të pretendonin se ishin të përsosur dhe kështu ata ikën larg saj.
7. Ajo e donte veten fort
@Pexels
Ajo e dinte veten jashtë dhe brenda, çdo forcë, çdo dobësi e çdo gjë të çuditshme dhe ajo e pranonte veten plotësisht.
Kur njerëzit u përpoqën ta kritikonin dhe ta bënin atë të urrente vetveten ashtu siç ata e urrenin veten, ata dështuan në mënyrë të mjerueshme, sepse ajo kishte një ndjenjë të lartë vetëvlerësimit që ata kurrë nuk do ta gjenin tjetërkund.
8. Jetoi me bindje dhe integritet
@Pixabay
Pavarësisht nga ajo që njerëzit thanë apo bënë, ata kurrë nuk mundën ta nxirrnin atë nga rruga që ajo shtroi për veten e saj.
Ajo i njihte pritshmëritë e saj për veten dhe standardi i përsosmërisë së karakterit që donte të arrinte dhe ajo kurrë nuk kompromentonte me të. Është e lehtë për një grua me karakter të fitojë armiq.
Përkundër tërheqjes së zemërimit të njerëzve që do të donin ta shihnin atë të penguar dhe duke rënë, ajo arriti ta mbante kokën lart dhe vazhdoi të jetonte sipas standardeve të saj.
Ajo nuk u frikësua lehtësisht sepse e dinte se forca e saj do të lejonte vetëm shokët e saj të vërtetë që e donin të qëndronin pranë saj dhe kjo ishte gjithçka që kishte rëndësi për të! / Shkollaesuksesit / KultPlus.com
Pogradeci është qytet në Shqipërinë juglindore, në bregun jugperëndimor së liqenit të Ohrit. Qyteti numëronte rreth 38,000 banorë në vitin 2009. Pogradeci ndodhet në juglindje të Republikës shqiptare, është kryeqendra e rrethit të Pogradecit dhe bënë pjesë në qarkun e Korçës. Qyteti ka një sipërfaqe prej 13 km² dhe shtrihet në bregun e liqenit të Ohrit. Pogradeci shtrihet 700 metra mbi nivelin e detit në një luginë, e cila rrethohet nga malet në perëndim dhe nga kodra të ulta në jug dhe në lindje.
Turizmi i vjeter
Pogradeci është rrethuar nga fshatrat Tushëmisht në lindje, Buçimas në juglindje, Gështenjas në jug, Verdovë në perëndim dhe Memëlisht në veriperëndim. Në Pogradec mbizotëron një klimë mesdhetare malore dhe pjesërisht kontinentale, me dimër të ftohtë dhe verë të nxehtë e të thatë. Temperatura mesatare vjetore arrin deri në 12.3 °C. Muaji më i ftohtë është janari dhe muaji më i nxehtë është gushti. Muaji më i lagësht është nëntori me reshje shiu mesatarisht 108 milimetra ndërsa sasia mesatare vjetore e reshjeve arrin në 730 milimetra. /urbannews.al/ KultPlus.com
I squtë isha e prore esëll. I mprehtë, përllogarȋts, mendjehollë, finok e dinak – tana kto i kisha. Trunin t’fuqishëm si dinamo, t’saktë si peshore farmacisti, depërtues si bisturi. edhe me imagjinu që isha veç 18 vjeç…
Nuk asht e zakonshme qi nji djale kaq i ri me pasë kaq shumë intelekt. Shif, për shembull, Piti Bellous, shokun t’em të dhomës në universitet, e njejta moshë, e njejta kategori shoqnore, por i trashë me rrahë murin. Djalë i mirë, me thanë të drejtën, por kry tallash. Tip emocional. I paqindrueshëm. I ndikueshëm. Dhe ma e keqja, njiri qi ndjek moden! e, për hir t’s’vërtets, moda i bjen ndesh logjikës. Me u perfshi prej çdo trillit të momentit, me iu dorzu idiotsisë vetëm pse edhe të tjerët e bajnë – kjo, për mu është kulmi i marrisë. Por jo per Pitin.
Nji masdite e gjeta Pitin të shtrimë n’ shtrat aq t’merúm n’ ftýr saqi fill e diagnostikova me apendicit. “Mos l’viz,” i thashë. “Mos merr laksativ! Po shkoj e thrras doktorin.” “Rakuni,” bzani me za të trashë. “Rakuni?” i thashë, tuj ndalë turrin. “Du pelice rakuni,” hungroi ai. Aty e kuptova se halli i tij s’ishte fizik, por mendor. “Ça të duhet pelicja e rakunit?” “Duhet t’ma kishte marrë mendja,” bërtiti, tuj i ra tamthave. “Duhet t’ma kishte marrë mendja që do t’ktheheshin n’modë qysh se u kthy edhe Çarlestoni. Shkova harxhova tana paret për libra, e tesh s’mundem me ble pelice rakuni.” “Po don me thanë qi njerzit kanë fillu prapë me veshë pelice rakuni, a? – e pyta me mosbesim. “Tanë garipat e universitetit janë tu i veshë. Ku ke kenë kahere ti?” “N’bibliotekë,” i thashë, tuj dashtë me përmendë nji vend që nuk frekuentohet prej garipave. Kceu prej shtratit e filloi me ecë nëpër dhomë. “Duhet me gjetë sesban nji pelice rakunit,” tha tanë zjerm. “Veç n’mos e gjetsha!” “Pse mar Piti? Shife pak ma me gjakftoftsi kët punë. Pelicet e rakunit s’janë t’pastra. Lshojnë qime. Majnë erë t’keqe. Randojnë shumë. S’shifen me sy prej shëmtisë. Janë…” “Ti s’merr vesh mor burrë,” m’ndërpreu me mungesë durimi. “Asht efekti qi ka. A nuk ke qejf me ra n’sy?” “Jo,” i thashë, pa hezitu. “Une po,” tha, me bindje. “Ça s’kisha dhanë për nji pelice rakuni. Çado!” Truni jem, kjo makineri me precizion t’naltë, kaloi n’marsh t’pestë. “Çado?” e pyta, tuj e pâ me ngulm. “Ç ado,” ma ktheu, pa lvizë qerpikun. Fërkova mjekrrën mendueshëm. Qëlloi ta dijshe ku mundem me gjetë pelice rakuni. Baba e pat pasë nji kur pat kenë student e qi tash rrin e myllun në nji arke n’bodrum të shpisë. Qëlloi edhe qi Piti kishte diça që m’duhej mu. Domethanë, nuk asht se e kishte tamam tamam, por t’pakten kishte disa t’drejta mbi të. e kam fjalen për të dashtunen e tij, Poli espi.
Kisha kohe qi ia kisha vu synin Poli espit. Që t’jem ma i qartë, dëshira jeme për kët vajzë nuk ishte e natyrës emocionale. Me thanë të drejtën, ajo ishte vajzë që ngjallte emocione, por unë s’jam prej atyne qe ju flet zemra para mendjes. Poli më duhej për nji arsye te mirëmendume e të përllogaritun.
Isha student i vitit t’ parë për juridik. Mas pak vjetsh, do fillojsha praktiken. Isha shumë i ndërgjegjshëm për randsinë e grues së duhun në karrierën e nji juristi. Kisha vu re se juristët ma të suksesshem, pothujse pa përjashtim, ishin të martum me gra të bukra, të fisme e inteligjente. Me nji perjashtim, Poli i përmbushte tanë kto.
e bukur ishte. Përmasat nuk i kishte hala aty ku duhet, por isha i bindun se me kohën kishte me mbrritë aty ku duhet, se premisat i kishte.
e fisme ishte. Me ktë kam parasysh që ishte tanë hijeshi. ecte drejt e me elegancë, që të bante me mendu se vinte prej nji familje me taban. N’tavolinë kishte sjellje prej zonje. e kisha pa te nji restorant afër universitetit tuj hangër specialitetin e ditës – sanduiç me mish gjeli me lang, arra t’ grime a lakën – pa ndy as gishtat.
Inteligjente nuk ishte. N’fakt, anonte kah e kunderta. Por isha i bindun se, nën udhëheqjen teme, kishte me u ftillu. Gjithsesi, ia vlente me e provu. Fundi fundit, asht ma kollaj me e ba të dijshme nji vajzë të bukur po të trashë, sesa me e ba të bukur shëmtaqen e squtë.
“Piti,” i thashë, “a ke ra n’dashni me Poli espin?” “Asht e lezetshme,” m’u pergjigj, “por s’di a me e qujtë dashni. Pse?” “A ka simpati për ndonji mashkull tjetër?”, vazhdova. “S’besoj. S’di gja. Pse?” Tunda kryt me knaqsi. “Pra, me nji fjalë, ba me dalë ti jasht lojet, fusha asht e hapun, apo jo?” “Besoj se po. Pse, ku e ke hallin?” “Asgja, asgja,” iu gjegja pafajsisht, dhe shkova nxora valixhen prej raftit. “Ku je tu shku?” pyti Piti. “N’shpi për fundjavë.” Futa pak gjana n’çantë. “Ndigjo,” tha, tuj m’kapë për krahu me ngulm. “Kur t’jesh n’shpi, a mundesh me i marrë borxh babës do pare për mu, sa me ble nji pelice rakunit?” “edhe ma mirë se kaq,” i thashë tuj i shkelë synin dhe mbylla çanten e ika. “Shif,” i thashë Pitit kur u ktheva të hanën nadje. Hapa valixhen dhe prej aty nxora nji gzof t’madh që baba e kishte veshë në 1925ën. “Ouuuu!” thirri Piti i mahnitun. Zhyti durt në pelicen e rakunit e mandej edhe fytrën. “Ou ou ou,” përsritte pa ndalë. “A e den?” e pyta. “Ça flet mor burrë!” bërtiti, duke shtrëngu n’gjoks gjanë e madhe me lesh. Por nji shikim dinak i kaloi nëpër ftyrë. “Ça den për kët?” “T’dashtunën tande,” i thashë, pa ia ba t’gjatë. “Polin?” tha me nji piskamë të frikshme. “Den Polin?” “Po.” e hodhi pelicen tej. “Kurrë,” tha me vendosmëri. Mlodha supet. “Po mirë. N’qoftë se s’don me ecë me modën, puna jote.”
U ula në nji karrike dhe fillova me ba sikur po lexoj nji libër, por me bisht t’synit vazhdova me pa Pitin. Ishte n’kulmin e hutimit. Fillimisht pau pelicen me shprehjen që ka fmija n’amëltore. Mandej ia ktheu shpinën tue shtrëngu nofullën me burrni. Mandej prapë ia nguli sytë pelices, me nji ftyrë edhe ma t’dishrume. e mandej prapë i ktheu shpinën, por jo me aq vendosmëri si ma parë. Shko e eja, tuj u lkundë mes deshirës e vendosmënisë. Ma n’fund nuk ia ktheu ma shpinën; ndejti tuj vështru ngultas pelicen, me nji afsh të çmendun.
“Nuk asht se kam ra n’dashni me Polin,” shungulloi si prej fundit t’kazanit. “e as nuk kam qëllime serioze me të.” “Tamam,” pëshpërita unë. “Ça asht Poli për mu, apo unë për Polin?” “Kurgja,” i thashë. “Veç do herë kena dalë, pak muhabet e gallatë”. “Provoje pelicen,” i thashë. Bani si i thashë. Jaka e pelices i rrinte përmi veshë e i shkote deri në fund të kamve. U dukte si mal rakujsh t’cofun. “M’bjen tamam,” tha tanë qejf. U çova prej karrikes. “A jena dakord?” e pyta, tu i zgjatë dorën. U kapërdi. “Dakord,” tha dhe ma shtrëngoi dorën.
Takimin e parë me Polin e pata t’nesërmen mrama. Kjo ishte në qëllim të studimit; dojsha me zbulue se sa punë m’nevojitej me ia gatitë mendjen simas standartit tem. Si fillim e ftova për darkë. “Mmmm sa ushqim yll,” tha ajo ndërsa po delshim prej restorantit. Mandej e çova me pa nji film. “Uuu sa film hatâ,” tha kur po delshim prej kinemasë. Mandej e çova n’shpi. “Ooo sa gallatë ja kalum,” tha tuj më dhanë natën e mirë.
U ktheva n’dhomë me zemër t’randume. e kisha nënvlersu shumë randesen e detyrës qi kisha marrë përsipër. Intelekti i ksaj vajze ishte tmerrues. e as me e furnizu me dije e informacion nuk dukej se bante prokopi. Në fillim u dote me e msu si me mendu. e ky m’u duk mision tepër i vshtirë, aq sa për nji moment thashë t’ia kthej Pitit mrapsht. Por mandej m’u kujtun hiret e saj të bollshme fizike dhe mnyra se si hynte në dhomë, e se si përdorte thikën e pirunin, e në fund vendosa me e bâ edhe nji përpjekje.
Iu futa ksaj pune, siç e kam zakon, në m’nyre sistematike. I nisa nji kurs në logjikë. Qëlloi qi, si student i juridikut, isha tu marrë për vedi leksione logjike, kshtu qi e kisha tanë informacionin që m’u dote. “Poli,” i thashë, kur po e merrsha me dalë ne takimin e dytë, “sonte do t’shkojmë te restorant Noll dhe do t’bâjm muhabet.”
“Uu sa hatâ,” tha. Me ndejtë shtremt e me folë drejtë, kaq kollaj me ia mbushë mendjen si kjo vajzë nuk e gjen t’dytë.
Shkum te Nolli, vendtakimi i universitetit, u ulmë nën nji lis të vjetër dhe ajo po m’shifte me ngulm e kureshtje. “Për ça do t’flasim?” pyeti. “Për logjiken.” e mendoi iherë për nji minut e mandej vendosi se i pelqën. “Super,” tha. “Logjika,” fillova unë, tuj kru fytin, “asht shkenca e të mendumit. Para se me mendu saktë, duhet si fillim me dallu rrejshmëritë e zakonshme të logjikës. Për kto do t’flasim sonte.” “Uuu, fantastike!” u hodh ajo, tuj rrahë shplakë tanë qef. M’u çu mishi kokërr por gjithsesi vazhdova. “Ma s’pari do t’analizojmë rrejshmërinë që quhet Dicto Simpliciter.” “Uuu shumë mirë,” tha, tuj përplasë qerpikët me padurim. “Dicto Simpliciter nënkupton nji argument të bazum në nji përgjithësim të papërligjshëm. Për shembull: ‘Ushtrimet janë të dobishme. Prandaj gjithkush duhet me ba ushtrime’.” “Poooo,” tha Poli. “Dihet qi ushtrimet janë shumë të mira se i bâjn mirë trupit dhe e bâjn ma t’bukur.”
“Poli,” i thashë me butsi, “argumenti asht i rrejshëm. Ushtrimet janë të dobishme asht nji përgjithësim i papërligjshëm. Për shembull, nëse ke smundje zemre, ushtrimet nuk janë të dobishme. Ka njerz t’cilvet doktori u thotë mos me ba ushtrime. Fjalia e duhun asht që ushtrimet, zakonisht, janë të dobishme, ose ushtrimet janë të dobishme për shumicën e njerzve. Përndryshe ke ba gabimin e Dicto Simpliciter. e kupton?”
“Jo,” tha. “”Po keka gallatë. Prapë! Prapë!”
“Mirë, por mos m’tërhiq prej manget!” i thashë, dhe kur ma la mangën rahat, vijova: “Tash, vazhdojmë me rrejshmërinë e qujtun Përgjithësim i Ngutun. M’ndigjo me vëmendje: Ti nuk din frangisht. Piti Bellous nuk din frangisht. Prandaj, unë bi në konkluzion qi kërkush në Universitetin e Minesotes nuk flet frangisht.”
“Me tamam?” tha Poli e mrekullume. “Kërkush?”
U përpoqa me e mshehë dishprimin. “Poli, asht rrejshmëri. Përgjithsimi asht arritë ngutshëm. Ka shumë pak shembuj me e justifiku kët përfundim”. “A din ma rrejshmëri?” pyti, gati pa fryme. “Kjo keka ma qef se kcimi”.
Më kaploi nji valë mërzie. S’ishte kërkund kjo vajzë. Kërkund! Megjithatë, jam prej natyret ngulmues, ndaj vazhdova. “Tashi e ka radhën Post Hoc. Ndije ktë: Mos ta marrim ma Billin me vedi n’piknik. Sa herë vjen ai, bjen shi.”
“Njof njënën fiks ishtu,” u hodh. “Nji vajzë prej qytetit tem, Jula Beker e ka emrin. Sa herë që vjen ajo me ne n’piknik…”
“Poli,” i thashë preraz, “asht rrejshmëri. Jula Beker nuk e ban shiun me ra. Ajo s’ka lidhje me shiun. N’rast se fajson Jula Beker, je fajtore per Post Hoc.”
“Nuk e baj ma kurrë,” premtoi si e mpime. “A je me nerva me mu?” Lshova nji pshertimë. “Jo Poli, nuk jam me nerva.” “Mire pra, më difto mâ rrejshmëri!” “Mirë. Provojmë Premisat Kundërthanëse: N’qoft’ se Zoti mundet me ba çdo gja, a mundet Ai me kriju nji gur aq të madh sa mos me mujtë me e lujtë vendit as Ai vetë?” “Patjetër,” u përgjigj fill. “Po n’qoft’ se Ai mundet me ba gjithçka, Ai mundet dhe me e lvizë gurin,” i thashë. “eeee,” tha mendushëm. “Po mirë pra, Ai nuk mundet me e kriju gurin njaq t’randë.” “Por Ai mundet me ba gjithçka,” ia kujtova. Filloi me kru krytin e bukur por bosh. “Jam ba lamsh,” pranoi.
“Sigurisht. Sepse kur premisat e nji argumenti bien në kundërshtim me njëna tjetrën, nuk mundet me pas argument. Nëse ka forcë të parezistueshme, nuk mundet me pasë objekt të palëvizshëm. e nëse ka nji objekt të palëvizshëm, nuk mundet me pasë forcë të parezistueshme. e kupton?” “M’thuj tjera se keka gallatë!” tha me padurim. Pashë sahatin. “Mendoj se boll për sonte. Po t’çoj n’shpi dhe fillo e përseriti tana ça kena msu sonte. Kena me pasë edhe nji msim tjetër nesër mrama.”
e lashë para konviktit të vajzave, ku më tha se kishte kalu nji mramje hatâ dhe unë u ktheva mërzitshëm në dhome. Piti ishte ratë n’shtratë, tuj gërrhatë, me pelicen e rakunit grumbull si shtazë me qime, n’fund t’kamve. Për nji moment, thashë t’ia nxjerri gjumin e t’i tham që mundet me e marrë te dashtunën mrapsht. Dukej sheshit qi plani jem ishte drejt dështimit. Ajo vajzë s’kishte tru për logjikë.
Por mandej më ndrroi mendja. Kisha harxhu nji mramje; ça asht edhe nji mramje tjetër? Kushedi? Ban vaki që n’kraterin e shuem të trunit të saj të kishin metë nja dy gaca t’ndezuna. Ban vaki mundem me i fry e me ndezë zjerm. Ishte mision pa shumë shpresa, por vendosa me e provu edhe nji herë.
Të nesërmen mrama, t’ulun nën lisin shekullor, i thashë: “Rrejshmëria e parë sonte quhet Ad Misericordiam.” U drodh prej lezetit.
“Ndigjo me vëmendje,” i thashë. “Njeni shkon me apliku për punë. e pyt pronari për kualifikimet dhe ai fillon e i thotë që ka nji gru e gjashtë fmi në shpi, grunë e ka sakate, fmitë s’kanë kurgja me hangër e me veshë, s’kanë kpuce n’kamë, nuk ka shtretën në shpi, s’ka dru me u nxe e dimri po afron.”
Nji lot rrodhi në secilën faqe rozë të Polit. “O sa gjynah, sa gjynah,” u ngashëry.
“Po, gjynah” i thashë, “por nuk asht argument. Ai nuk iu përgjigj pytjes së pronarit për kualifikimet e tij. N’vend qi me u përgjigjë, u përpoq me e ba pronarin me i ardhë keq për të. Asht fajtor për rrejshmërine Ad Misericordiam. e kupton?” “A ke facoletë?” belbzoi tuj tërhekë hundët. Tuj i dhanë facoletën u përpoqa mos më ulëritë, ndërsa ajo fshinte sytë.
“Tashti,” vazhdova tuj kontrollu tonin e zanit, “do diskutojmë Analogjinë e Rrejshme. Qe nji shembull: Studentat duhen leju me e pâ librin gjatë provimit. N’fund t’fundit, edhe kirurgët kanë grafi me i udhëzu gjatë operacionit, avoketnit kanë dosje e libra për me u orientu në gjyq, marangozi ka skicat kur ndërton diçka. At’here pse mos me i leju edhe studentat me i hedhë nji sy librit gjatë provimit?” “Kjo,” tha ajo me entuziazëm, “asht ideja ma fantastike qi kam ndigju ndonjiherë.” “Poli,” i thashë me sosje durimi, “argumenti asht krejt i gabum. Doktorrat, avoketnit e marangozat nuk janë në provim për me pâ sa kanë msu, studentat po. Situatat janë krejt të ndryshme dhe nuk mundesh me i krahasu.”
“Prapë mendoj se asht ide shumë e mirë,” tha Poli. “Marrina,” përshpërita. Me marifet, vazhdova: “Tashi do t’provojmë Hipotezën që i Kundervehet Faktit.” “Mmmmm,” u përgjigj Poli. “Ndigjo: N’qoft’ se Madam Kyri nuk do kishte lanë nji pllakë fotografike në nji syrtar me nji copë minerali, bota sot nuk kishte me e njoftë radiumin.” “Shumë e vërtetë!,” tha Poli, tuj tundë kryt. “A e ke pa at filmin? U sa fantastik asht. Aj aktori Uollter Pixhen asht njish, m’hedh dekun.”
“Harroje Pixhenin ihere,” i thashe ftoftë. “Po t’rikujtoj se kjo fjali asht rrejshmëri logjike. Ndoshta Madam Kyri do ta kishte zbulu radiumin ma vonë. Ndoshta do ta kishte zbulu dikush tjetër. Kushedi sa gjana të tjera do kishin ndodhe. Nuk mundesh me fillu me nji hipotezë që nuk asht e vërtetë e mandej me dalë në konkluzione pa bazë.
“Uolter Pixhen duhet me lujtë ne ma shumë filma,” tha Poli.
edhe nji herë, vendosa. Hera e fundit. Ka kufi durimi njerzor. “Rrejshmëria tjetër asht Helmimi i Pusit.” “Sa e lezetshme,” cicëroi.
“Dy persona janë tuj ba debat. I pari çohet e thotë: ‘Kundërshari jem asht rrencak me nam. S’asht me besu asnji fjalë qi nxjerr prej gojet.”… Hajt Poli, mendoju mirë. Ça ka qi nuk shkon ktu?”
e pashë me vëmendje teksa çonte harkun e vetllës tuj u përqendru. Papritmas, nji shkëndije inteligjence, e para që kisha dëshmu deri at’here, i kaloi nëpër sy. “Nuk asht e drejtë,” tha e indinjume. “Nuk asht hiç e drejtë. Çfarë shansi ka personi i dytë me fitu debatin kur i pari e qun rrencak hala pa hapë gojën?”
“Bravo!” thirra i ngazëllym. “Qind për qind e saktë. Nuk asht e drejtë. Personi i parë e ka helmu pusin para se të tjeret me fillu me pi prej tij. I ka futë nënkamcen kundërshtarit para se ai me fillu me ecë… Poli, ma ke bâ qefin shumë.” “Heee,” përshpëriti, tuj u kuqë prej lezetit.
“A shef qi nuk janë njaq të vshtira me u kuptu? Vetëm duhet me u përqendru. Me mendu, me analizu, me vlersu. Hajde tesh t’i përsërisim tana ato ëe kena msu deri tesh.” “Jepi,” tha, tuj tund dorën.
I frymzum prej idesë që Poli nuk asht edhe aq e trashë, ia nisa nji përsëritjet të gjatë e me durim të tana msimeve që i kisha dhanë. Vazhdova duke i dhanë shembuj e krahasime pa fund, e pa u lodhë. Ishte si me kenë tuj hapë tunel. N’fillim gjithçka ishte punë, djersë dhe errsinë. S’ia kisha idenë se kur do t’shifsha dritë, ose ma mirë a kisha me pa ndoj dritë. Por nuk hoqa dorë. Gjujta, gërmova e çjerra me thoj, e në fund e mora shpërblimin. Fillova me pa nji rreze drite. e mandej rrezja u ba ma e madhe e në fund shpërtheu dilli nga të katër anët dhe gjithça ishte dritë.
Pesë netë ezgjet u deshtën, por ia vlejti. e kisha kthy Polin në logjiciene. e kisha msu si me mendu. Puna jeme kishte kry. Ma n’fund ishte e denjë për mu. Ishte ba gruja e duhun për mu, zonja e përsosun e pronave të mija, nana ideale për fmitë e mi të edukum.
Nuk mund të thuhet që s’ndisha dashni për kët vajzë. Përkundrazi. e doja njashtu si Pigmalioni që dashuronte gruen e përsosun që kishte kriju vetë. Vendosa me ia ba të njoftun ndjenjat e mia në takimin e ardhshëm. Kishte mbrritë vakti qi lidhjen tonë me e kalu nga stadi akademik tek ai romantik.
“Poli,” i thashë në takimin e radhës, kur ishim ulë nën lisin tonë, “sonte nuk do flasim ma për rrejshmëritë logjike.” “Aaaa?” tha me zhgënjim. “Vajzë e dashtun,” i thashë, duke i dhuru nji buzqeshje, “kena kalu pesë mramje bashkë. Ia kena kalu shkëlqyeshëm. Asht e qartë që shkojmë shumë bashkë.” “Përgjithsim i Ngutun,” tha Poli me ngazëllim. “M’fal, si?” e pyta. “Përgjithsim i Ngutun,” përsëriti. “Si mundesh me thanë që shkojmë bashkë tu u bazu në pesë takime?” Qesha i zbavitun. Zemra vogel i kishte përvetsu msimet mirë. “Vajzë e dashtun,” i thashë, tu i ra lehtë dorës, “pesë takime mjaftojnë. Tekembramja, s’asht nevoja me hangër tanë torten për me e ditë sa e mirë asht.”
“Analogji e Rrejshme,” tha Poli aty për aty. “Une s’jam torte. Jam vajzë.”
U zgërdhiva, por kët herë ma pak. Zemra vogël i kishte msu msimet pak si tepër mirë. Vendosa me ndryshu taktikë. Mnyra ma e mirë ishte nji deklaratë e thjeshtë, e fortë dhe e drejtpërdrejtë dashniet. Pushova pak, sa me i dhanë trunit tem gjigand kohë me gjetë fjalën e duhun. Dhe ia nisa:
“Poli, të du. Je e tanë bota jeme, hana, yjet dhe yjsitë e universit. T’lutem, e dashtun, m’thuj që ke me u lidhë me mu, ose përndryshe jeta jeme s’ka kuptim. Kam m’u brengosë, s’kam me hangër, kam m’u sjellë si lvozhgë bosh e pa jetë.”
Tesh, thashë me vedi, s’ka rrugë tjetër, përveçse me pranu.
“Ad Misericordiam,” tha Poli.
Shtrëngova dhamt. Nuk isha Pigmalioni. Isha Frankenshtajni, dhe përbindshi jem m’kishte xanë mat. Me mund t’madh, luftova valën e panikut që po m’kaplonte; duhet ta ruja qetsinë me çdo kusht.
“Ouu, Poli,” i thashë, tuj u mundu me qeshë me zor, “sa mirë i paske msu rrejshmëritë.” “Fiks njashtu,” tha, tuj tundë kryt me krenari. “e kush t’i ka msu, Poli?” “Ti.” “Tamam. Domethanë që m’ke diça borxh, apo jo? Po te mos m’kishe njoftë mu, s’i kishe msu kurrë.” “Hipotezë që i Kundërvehet Faktit,” ma preu.
Fillova me qitë djersë prej vetllave. “Poli”, belbzova, “nuk duhet me i marrë kto gjana kaq seriozisht. Kto jane gjana librash. Ti e din që ato që msojmë n’shkollë s’kanë lidhje me gjanat në jetë.” “Dicto Simpliciter,” tha ajo, tuj m’tundë gishtin . Kaq mjaftoi. U çova me vrik n’kam, tuj virrë si dem. “A den me u lidhë me mu apo jo?” “Jo,” u përgjigj. “Pse jo?” “Sepse sot masdite i kam premtu Piti Bellout që kam me u lidhë me të.”
Nuk po iu besoja veshve. Mas tanë premtimeve, mas marrveshjes që kena bâ, masi më ka shtrëngu dorën! “Thiu!” bërtita, tu i ra dheut me shtjelm. “Mos u lidh me të, Poli! Ai asht rrencak, mashtrus e derr.”
“Helmim i Pusit,” tha Poli, “edhe mos bertit! Mendoj që edhe bërtitja duhet të jetë rrejshmëri.”
Tuj mbledhë pikat e fundit të fuqisë, e zbuta zanin. “Mirë, dakord,” i thashë. “Je ba logjiciene. Hajde t’i shofim gjanat me logjikë. Si mujte me zgjedhë Piti Bellos para meje? M’shif mu: student i shkëlqyeshëm, intelektual i kalibrit, njiri me t’ardhme t’sigurt. Shife Pitin: nji rrotë hajvani, kokrra e demelit, njiri pa asnji lek n’xhep. A mundesh me më thanë nji arsye të vetme logjike pse ke zgjedhë Piti Bellous?” “Patjetër qe po,” u përgjigj Poli. “Ai ka pelice rakuni.” / KultPlus.com
“Në vitin 2007 isha në studime postdiplomike në Shkup, ishte një vit i ngarkuar me paraqitje muzikore dhe vokali im ishte ngarkuar shumë. E porosita këngën për të marrë pjesë në Festivalin e RTSH-së, më erdhi ftesa prej organizatorëve, dhe bashkëpunova me Alfred Kaçinarin dhe Pirro Çakon. Kënga më pëlqeu shumë, u porosit por e lashë ta incizoja më vonë. Çka ndodhi, e humbas komplet vokalin, prej ngarkesës! Një mëngjes zgjohem dhe mbes pa zë. Ka qenë ndjenjë e rëndë, kur provon me folë e nuk të del zani. Aty mu shemb krejt bota, sepse si një interprete, kjo më dukej e tmerrshme, e kisha përshtypjen që nuk do të këndoja më kurrë. Më pas nisa me u informu dhe e kuptova që këto janë sulme që ndodhin tek interpretët ndër vite, shkaku i ngarkesave vokale, dhe kjo ndikon më pas edhe në aspektin fizik por edhe në aspektin psiqik”
Këngëtarja Adelina Thaçi e kujton këtë traumë të para 14-të viteve, kur kishte marrë pjesë në Festivalin e Radio Televizionit Shqiptar, me këngën “Pres një çast”. Adelina do të vizitonte edhe foniatrin – specialistin e telave të zërit, për ta kthyer vokalin dhe për ta vazhduar rrugëtimin. Ajo më tregon se atëbotë u lëndua shpirtërisht, por nuk e ndaloi procesin e kthimit të ambitusit të saj të vërtetë prej këngëtareje.
“Alfred Kaçinari më propozoi ta anuloja pjesëmarrjen në këtë edicion të festivalit të dhjetorit, pra të pauzoja, por unë megjithatë vazhdova. Veç shpirti im e di se qysh e kam incizu këngën në studio, por edhe performancën live. E di që në performancën në skenë, me krejt forcat e mia mendore e psiqike, dola, dhe pastaj kam pështy gjak, pra e pata lëndu edhe më shumë zanin. Nuk ia fali vetes sepse ndonjëherë duhet me heqë dorë prej disa gjanave, anipse kjo është e vështirë” vazhdon Adelina.
Adelinën e takoj në njërën prej kafeneve të qytetit, dhe shoqëruar me ujë e me çaj frutash, flasim për jetën e për karrierën e saj 25 vjeçare në skenën e muzikës shqiptare.
Me hove hove, meqë edhe etapat e jetës së saj do të ndryshonin, shpesh me një Adelinë me më shumë muzikë e shpesh me një Adelinë më të larguar nga jeta kulturore, zëri që i është veshur si nënkresë këngëve “Shko”, “Ka kaluar koha”, “Po u mërzite”, “Sonte”, “Kontrast”, “Kurrë su pamë në sy” e ka pozicionuar veten në mesin e zërave më të mirë shqiptarë, duke i qëndruar besnike një stili të njomë muzikor e duke sjellë këngë, prej të cilave disa edhe i kanë rezistuar kohës, shijeve e trendeve muzikore.
*
Adelina Thaçi, si e vogël ishte merak në fustanet e nënës së saj, në fustanet edhe të hallave. Një Adedlinë e vogël, kudo që shkonte koncertonte para të pranishmëve, ndërsa nëse aty pari kishte një lugë apo një element tjetër, ajo e shndërronte në mikrofon. Taket ishin gjithmonë në kombinim, shpesh më të mëdhaja se vetë Adelina. Këto ishin shkëndijat e para që tregonin saktë se Adelina Thaçi do të bëhej këngëtare, edhepse gjatë jetës së saj pati tentime në profesione tjera por të cilat nuk përfunduan aq mirë sa muzika.
“Më kujtohet që një herë, bashkë me vëllaun, na ftuan në një lexim ku ishte shkrimtari Mirko Gashi, në Gërmi. Ishim në tavolinë me të dhe përderisa ai lexonte, mua më thanë që t`ia ledhatoja mjekrrën. Më pëlqeu prezantimi im, edhepse isha e vogël, morra shumë jetë prej atij momenti. Si e vogël i kam përcjellë shumë ‘Akordet e Kosovës’, i shihja edhe fëmijët kur përfundonte festivali që takoheshin te Embëltore Elida në kryeqytet, për ndonjë shampite apo edhe veç për takim mes tyre. Asokohe halla ime punonte në television edhe mi sjellte paraprakisht tekstet e festivalit, secili tekst kishte fletë me ngjyrë tjetër, ky detaj më ka ngelë në kokë. Duke u rritë, fillova me këndu nëpër shtëpi dhe filluan me më pëlqy sidomos këngët e Nexhmije Pagarushës dhe Ëhitney Houston. Jam frymëzu shumë prej të dyjave, më kanë përcjellë gjithmonë. U mshelsha me orë të tëra në dhomë para pasqyres, duke e pa veten para një publiku të madh, sikur në koncert” më tregon Adelina Thaçi.
“Si e vogël, meqë babi ishte humorist, kam qenë në mesin e këngëtarëve e artistëve tjerë. Kemi shku edhe në pushime bashkë, me axhin Lec, me Qumilin, me Sabri Fejzullahun, me Violeta Kukajn, me Leonora Jakupin, në Kroaci patëm shku edhe me Ramadan Krasniqin, estrada muzikore e asaj kohe. Koncerti im i parë ka qenë në Ulqin, në një prej pushimeve. Krejt kohën në plazhë më detyrojshin me këndu, e këndojsha ‘Bareshën’ ose diçka nga Ëhitney. U organizua një koncert në Ulqin edhe më ftuan edhe mua aty, me një audiencë prej rreth 4-5 mijë vetash. Unë isha në klasën e tetë. Kanë qenë plot kablla në skenë dhe veç e paramendojsha se qysh kom me u rrëzu aty, prej emocioneve. Ishte mendu që babi me bo pak humor dhe unë me këndu, meqë isha e re edhe e brishtë, dhe kisha frikë. Publiku më priti shumë mirë, u lumturova në njëfarë mënyre” tregon Adelina.
Adelina, sot në të 40-tat e saj, nënë e dy vajzave, gjithmonë si e vogël ka qenë zhurmagjikja e shtëpisë, ajo e cila ka marrë iniciativa. Nga babai i saj, Rasim Thaçi – Cima, ajo ka marrë ndihmë në fushën profesionale, ndërsa përkrahja morale e prindërore në të gjitha aspektet e formimit të saj nuk ka munguar edhe nga nëna e saj.
Adelina, shkollën fillore e përfundoi në ‘Faik Konica’, ndërsa më pas gjithçka në aspektin akademik do të rrotullohej kah akademia. Për pak, Adelina ishte gati të regjistrohej në drejtimin farmaci, në shkollë të mesme, siç thotë ajo shkaku i modestisë se ndoshta nuk do t’i ecte mirë me muzikën dhe ndoshta nuk ishte aq e mirë në këtë fushë.
“Konkurova në farmaci dhe në atë kohë edhe bleheshin testet, disa edhe veç zhdukeshin, humbshin krejt. Mua m`hupi testi, shkaku që edhe nuk dhashë pare. Me test nuk u pranova në farmaci edhe kuptohet që atyre ditëve isha jo në gjendje të mirë emocionale. Atyre ditëvve babin e viziton Mehdi Bajri, kompozitor e redaktor i muzikës dikur, edhe insiston që unë të regjistrohem në shkollën e mesme të muzikës. Gjithçka ndodhë për një arsye, sikur ishte e shkruar që unë mos me u regjistru në farmaci. U pranova në ‘Prenk Jakova’ dhe u testova në ritëm, në vesh muzikor, në të gjitha aspektet. Tash kur e mendoj, nuk e di pse kam provuar në farmaci, ndoshta jam ndiku pak prej shoqërisë asaj kohe sepse përndryshe asnjëherë nuk kam pasë interesim në atë fushë. Asokohe mjekësia, farmacia, arkitektura, ishin drejtime më në zë” tregon Adelina.
Adelina do të vazhdonte shkollimin edhe në Fakultetin e muzikës, magjistraturën e përfundoi në Shkup, në performancë vokale dhe në kompozim, dhe më pas nisi të punonte si ligjëruese, punë të cilën e ushtron edhe sot.
*
Adelina Thaçit mjafton t’ia dëgjoni këngët dhe do ta kuptoni se ku frymon ajo më lirshëm dhe se çfarë stili muzikor e ka përcjellë gjatë tërë karrierës së saj. Duke mos qenë asnjëherë këngëtare sezonale, asnjëherë e sforcuar me paraqitjet televizive, patjetër e përmbajtur sikur një pjesë e gjeneratës së këngëtarëve ku edhe ajo përket, gjithmonë e kujdesshme në përzgjedhjen e këngëve të cilave vetëm një here sipër u vihet një emër origjinal i këngëtarit, Adelina që prej vitit 1994 vazhdon të këndojë dhe të jetë emër i respektuar në muzikën shqiptare.
Adelina fillimisht nisi me muzikë të lehtë, dhe thotë se ka eksperimentuar me zhanre të ndryshme muzikore por të cilat janë prapë se prapë pjesë e nje thesi prej të cilit Adelina ka preferuar të mos largohet në distancë të largët. Influencat e saj të mëdha si Houston, Celine Dion, Alicia Keys, Aretha Franklin, secila ka luajtur me këngë dhe me stile, por gjithmonë duke mos abuzuar dhe duke bërë kalime të lehta por pa dalë qesharake, rrëfen Adelina.
Adelinës sot i mungojnë festivalet, dhe pikërisht nëpër festival ajo e vazhdoi për shumë kohë karrierën e saj. Në festival, pos prezantimit të vokalit dhe personalitetit muzikor, këngëtarët në një mënyrë edhe e shohin veten në raport me të tjerët, garojnë me të tjerët.
Krijimi që do ta bënte kthesën, e do të bënte të gjithë të kthenin sytë kah Adelina Thaçi, ishte kënga “Shko”. Në vitin 2001, plot e kujtojnë festivalin ‘Show Fest’ në Kosovë, ku Adelina pikërisht me këtë këngë triumfoi, dhe dyert u hapën mirë e mirë për suksesin e saj. Këngës “Shko” e cila, dorën në zemër, edhe sot dëgjohet me ëndje e ndoshta shërben edhe si ngacmim për melankolinë dhe nostalgjinë e atyre viteve, nga Alfred Kaçinari e Jorgo Papinxhi u nis për Kosovë. Një CD erdhi në duart e Adelinës.
“Me autobus më erdhi CD, më ishin dërgu edhe parti dhe vija melodike që unë ta ushtroja këngën. Kënga fillimisht të unë e krijoi një bum shpirtëror. Më shkoi në mendje që ta përdorja instrumentin e Skocisë, meqë atëbotë në Kosovë kishte prani të madhe të KFOR-it. Shkova në Polici dhe kërkova të bij në kontakt me dikë prej skocezëve, për ta përdorur instrumentin e tyre, këto tubat e mëdhenj, sikur ne që e kemi gajden. Një ushtar u pajtua që të vinte në performancën live me veshjen skoceze dhe me instrumentin, dhe u bë pjesë e Show Festit. Kënga ka qenë në toplistë për 12 javë, është pëlqy shumë, dhe e shoh se i reziston kohës. Ka qenë këngë e kompletuar, me tekst e me melodi, i ka pasë krejt elementet. Prej saj më pas nisën koncertet, ftesat në Kosovë e Shqipëri. Kjo këngë ka qenë fat për mua” më tregon Adelina.
Këngët e Adelinës dhe sukseset nuk patën të ndalur. Në vitin 1998, ajo publikon albumin e saj të parë. Në vitin 2003, me këngën “Të pres” triumfon edhe në festivalin Polifest, e më pas vjen albumi me të njëjtin emër. Në vitin 2004 vjen kënga “Komsi komsa”, ndërsa në vitin 2008 Adelina bashkëpunon me reperin Capital T në këngën “Një mëngjes”. Më vonë Adelina krijon edhe këngët “Orët e fundit”, “S`dua të lësh gjurmë”, “Vendi im” dhe “Po u mërzite”, mes këngëve tjera.
“Jam e para në familjen time që merrem me muzikë. Hallën e kam pasë regjisore, ajo ka punuar dhe punon në television. Një i afërm i bie defit profesionalisht. Babai e ka një vokal të jashtëzakonshëm, sepse ka këndu në lloj lloj parodie dhe si aktor është provuar edhe në muzikë. Ka vokal të fortë, ka volum, e përdorke zakonisht teknikën e fytit dhe shpesh zani i shterrej” tregon Adelina Thaçi, një prej fëmijëve të humoristit e artistit të njohur Rasim Thaçi – Cima.
*
Mirë që Adelinës më asnjëherë në jetë nuk i ndodhi bllokada e tillë e telave të zërit.
“Një profesionist gjatë rrugëtimit professional e mëson edhe kujdesin ndaj vokalit, i mësons teknikat. Sa përqind mëson me këndu, aq duhet edhe me mësu kujdesin ndaj zanit, sepse nuk duhet me abuzu në këndim. Ndoshin këto lëndimet e vokalit sepse ne shpesh kërkojmë shumë prej vetes, por ndonjëherë duhet anulim dhe pushim. Unë qysh e vogël jam ushqy pak, por shëndetshëm, kam qenë vajzë e shëndoshë me imunitet të fortë. Vakti im i preferuar, prej që e mbaj në mend veten si Adelinë, është mëngjesi, të cilin e ha çdo ditë në këtë njëjtën kohë. Nuk pij shumë alkohol, nuk jam shumë mishngrënëse, nuk jam duhanpirëse, i kushtoj shumë vëmendje gjumit. Kurrë nuk i kam dashtë shumë qëndrimet deri në orët e vona. Shpesh, kur kemi pasur performance në Filharmoni, jam mbyllë me ditë të tëra në shtëpi, jam kujdesë në ushqim, duhet regjim dhe disciplinë. Shtoja këtu edhe ushtrimet vokale, ato fizike. Mos të harrojmë që po flasim për telat e zanit të cilët i kemi non stop aktiv, dhe ky mbetet një aparat që vështirë kontrollohet. Duhet të mos ngritet zëri lartë dhe me emocione, sepse edhe ajo ndikon shumë. Unë jam pjekur profesionalisht dhe kjo më ndihmon shumë, sepse interpreti është një sportist, nëse nuk ka ushtrime, nuk përparon. Duhet një kujdes maksimal nëse ekziston dëshira për ta pasur një karrierë të gjatë” thotë Adelina.
Pos si këngëtare të muzikës pop, Adelinën shumë e njohin edhe si këngëtare klasike. Meqë më vonë Adelina do të shkollohej për performancë vokale klasike, ajo dikur e zbuloi një anë tjetër të sajën, këndimin klasik dhe ariet e ndryshme.
https://www.youtube.com/watch?v=pMGSx7V24h0
“Kur shkova në Shkup për magjistraturë, atje ka edhe salla koncertale dhe kushtet janë më të mira, e zbulova dhe e konfirmova këtë anë timen të afinitetit për muzikë klasike. Aty e pashë një Adelinë tjetër, një interprete të muzikës klasike. Më pas kam shku edhe në masterklase në Itali e në Austri, ku veç e kam forcu këtë pjesë. Unë konsiderohem prej profesionistëve të jem një soprano liriko-dramatike. Në vitin 2008, ditën kur u shpall pavarësia e Kosovës, unë do të merrja pjesë në festivalin ‘Bruna Spiler’ në Herceg Novi, një festival klasik ndërkombëtar. Rrethi më rekomandonte mos me u nisë në udhëtim, meqë kaloja transit kah Beogradi. U ula me babin me bisedu dhe më tha ta merrja rrugën, nuk janë të gjithë njerëzit në Beograd kriminela. Kësisoj, nëse nuk jam gabim, nisem prej Prishtinës në Shkup, Shkup – Beograd, dhe më pas deri në destinacion. Ka qenë përvojë e mrekullueshme. Në juri ka qenë një serbe nga Novi Sadi, soprano. Unë u prezantova me disa arie klasike dhe kërkova që të këndoja edhe Arien e Mrikës, meqë edhe u shpall pavarësia edhe më lindi pak ndjenja e nacionalizmit. I morra 100 pikë dhe u shpalla fituese, e krejt në fund, kjo serbja në juri ma kërkoi Arien e Mrikës sepse i kishte pëlqyer shumë” tregon Adelina, këtë episod të mrekullueshëm si këngëtare tanimë edhe e muzikës klasike.
Gjithmonë, për Adelinën rëndësi kanë pasur tekstet e këngëve, të cilat ajo gjithmonë i ka gërmuar deri në kujdesin më të madh.
“Unë ende e dua tekstin, tekstet e këngëve të mia gjithmonë kanë qenë me domethënie, të këndshme. Tekstet e mia i kanë shkruar Pirro Çako, Jorgo Papingji, Naime Beqiraj, Avni Qahili, Hivzi Krasniqi, Aida Baraku, Demir Gjergji, unë e kam ditë që prej tyre do të dalin tekste të mira, me përmbajtje, me mesazh. Kur është shtu melodia, gjithçka është kompletu” vazhdon Adelina.
Prej vitit 2000 e deri në vitin 2013, Adelina Thaçi ishte aktive në muzikë. Ajo e quan këtë periudhë si kohën e artë, kohën e vlerave, kur ajo u përmbush shpirtërisht dhe krijoi mahnitshëm shpesh solo, shpesh me bashkëpunime, shpesh me bendin e saj. Më vonë, ajo do të largohej prej muzikës në periudha të ndryshme, shkaku i situatave të cilat secilin e secilën e vënë para sakrificave dhe, patjetër, prioriteteve.
“I kam pasë pauzat e mia në muzikë, për të reflektuar. Artisti që nuk ndalon ndonjëherë, mundet edhe me u përsëritë apo edhe i humbë kreativiteti. Fillimisht erdhi koha dhe unë u bëra nënë, dhe doja që kohën time t`ia kushtoja fëmijëve, familjes. Në momentin që bëhesh nënë, e merr epitetin më të bukur në botë, ti ndryshon, i kupton më mirë edhe prindërit tu, bëhesh person më i ndjeshëm, më njerëzor. Vazhdova pak me muzikë dhe ndodhi rasti me bashkëshortin tim. Ajo vuajtje nuk zgjati shumë, por mjaftoi që unë të ndërroja. Në shumë aspekte, jam tjetër Adelinë. E pata 1 vit lëndues, operacion pas operacioni, dhe aty e kam zbulu veten sa e fortë jam dhe sa di me menaxhu. Gjatë kësaj kohe, e kam mendu edhe më të keqen; çka boj unë nëse Bardhyli nuk është, çka ndodhë me mua? Gjatë asaj vuajtje shpirtërore, sepse edhe isha larg fëmijëve, isha në gjendje edhe një organ me e largu prej trupit tim, veç me e shpëtu një jetë njeriu. Secili do ta bënte të njëjtën gjë. Atë kohë isha një urë lidhëse, duhej energji edhe për fëmijët edhe për Bardhylin. U konsumova, dihet, dhe më pas shpërtheva prej emocioneve. Shyqyr që gjithçka ka përfundu mirë me bashkëshortin tim, por ishte rast që më shërbeu për reflektim, që me ja ditë jetës vlerën më shumë” tregon Adelina, kur unë e pyes për rastin e sëmundjes së bashkëshortit të saj, Bardhylit. Adelina jo pak herë ka treguar për këtë sfidë që erdhi mysafire e paftuar në familjen e saj, prandaj unë, në këtë tregim që kryefjalë e ka Adelinën, do të doja të kisha vetëm kaq hapësirë dhe jo për shumë për një kapitull të keq, por të mbyllur tani, në jetën e Adelinës.
Adelina më tregon se Bardhylit i shkojnë lotët sa herë që ajo performon, dhe bile edhe dashuria e tyre filloi më intenzivisht pikërisht prej një pjesëmarrjeje të Adelinës në koncertin e grupit Marigona. Bardhyli, para se ta njihjte Adelinën veç i kishte dëgjuar këngët e saj. Adelina thotë se edhe ajo edhe Bardhyli kanë një modesti që shpesh është e tepërt. Bardhyli është më i qetë, e Adelina më ekspresive.
*
Në fund të këtij rrëfimi për jetën e këngëtares Adelina Thaçi, e cila i ka dhënë jo pak muzikës shqipe dhe e ka vendin e saj në historinë e muzikës, aty në kapitullin e zërave të dëlirë dhe të përzier në mes të popit e shpesh klasikes, mund të kërcejmë edhe në dy tri frekuenca.
“E quaj veten me fat sepse përgjatë karrierës sime nuk më ka ndodhë asnjëherë të rrëzohem, në aspektin muzikor. Kam pasur gjithmonë bashkëpunëtorë fantastik rreth vetes. Ka qenë një moment kur jam involvuar në një situatë me njerëz që rrija dhe i kisha në shoqëri, dhe aty erdhi në pah Adelina si këngëtare, por në fund doli e vërteta. Asokohe lajmi doli dhe u bë një bujë për atë tradhëti, por përpos këtij rasti, gjithmonë kam pasur suksese në aspektin muzikor” tregon Adelina.
Kënga e fundit e Adelinës është “Po u mërzite”, me të cilën ajo në festivalin Kënga Magjike 2013 morri çmimin ‘Çesk Zadeja’, i cili mban emrin e kompozitorit të njohur shqiptar.
“E morra këngën prej Aidës dhe Armendit, u mishërova shumë me këngën. Janë disa kategori të cilat as nuk na shohin as nuk na dëgjojnë, dhe doja të bëja diçka për ta. Shkova në RTK dhe i morra një zonjë e një zotëri që e dinin gjuhën për memecët dhe të shurdhërit dhe i morra në skenë më mua, në skenën e festivalit, për të treguar se kënga është edhe për këta njerëz, që i duam shumë dhe kujtohemi për ta. Artistit duhet t’i kujtohen edhe shtresat tjera në popull, sepse artisti është ai që duhet ti vë në pah këto dukuri” më tregon më tutje Adelina.
Folëm edhe për librat, por ta themi që biseda u përthekua në faktin se ‘Alkimisti’ i Coelhos lexohet disa herë në jetë, dhe gjithmonë kuptohet ndryshe. Adelina është nëna e Fionës dhe Melisës, dhe nëse ato në të ardhmen do të duan të jenë këngëtare, Adelina është aty si një nënë shembullore dhe një mjeshtre që do të dalë në ndihmë kurdo të jetë nevoja.
Adelina Thaçi – me mikrofon, anash vajza Fiona
“Këtë vit kam në plan të realizoj disa këngë të reja, ndoshta edhe ndonjë videoklip, por gjithmonë i thjeshtë. Jam në bisedime edhe për një koncert recital me disa këngë të miat. Unë jam ligjëruese në shkollën e mesme të muzikës, kam edhe studion time personale si trajnere vokali. Nuk e di ku e gjej tërë këtë energji, por ajo më buron nga brenda, për të gjitha këto aktivitete” përfundon Adelina.
E presim rikthimin e Adelinës në skenë, një Adeline e cila nuk do të habitemi nëse prapë na sjellë këngë të arritura dhe tekste të menduara e të përpiluara me kuptim e me ide të qartë. Deri atëherë, kemi trashëgiminë muzikore të Adelinës së cilës bën ti kthehemi shpesh e më shpesh.
(Ky tekst është botuar me ndihmën e Komunës së Prishtinës dhe subvencioneve kulturore vjetore nga kjo Komunë)
“France-Orient” ka botuar, më1 shkurt 1922,në faqen n°27, një letër të Mithat Frashërit (Sulo Kendom) mbi zhvillimet e brendshme asokohe në Shqipëri dhe marrëdhëniet e saj me fqinjët, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Letër nga Tirana
Tiranë, 12 janar.
Ne kemi pasur ditë të tensionuara këtu në Shqipëri, megjithëse ndryshimet e qeverive kanë ndodhur me qetësi dhe pa ndonjë shqetësim. Ekzagjerimet e Agjencive – të cilave nuk u mungon fuqia e imagjinatës – na bëjnë të buzëqeshim këtu.
Tani, domethënë që prej 22 dhjetorit të kaluar, ne kemi një qeveri e cila gëzon besimin e plotë të Parlamentit. Z. Xhafer Ypi, Presidenti aktual i Këshillit, është i diplomuar për drejtësi, një njeri me përvojë dhe vullnet të mirë, dhe ai e ka rrethuar veten me kolegë të mirë.
Kabineti i Hasan Prishtinës, i cili kishte vetëm një jetë kalimtare (dritëshkurtër) nga 7 deri më 12 dhjetor, ra si rezultat i demonstratës unanime – por shumë të qetë dhe dinjitoze – që shpërtheu kundër saj.
Në të njëjtën kohë me Kabinetin, ne kemi gjithashtu një Këshill të Lartë të ri, të përbërë nga katër anëtarë, të cilët zënë vendin e Shefit të Republikës.Ky Këshill u zgjodh në mbledhjen kombëtare të Lushnjes (25 janar 1920), nga i cili, për më tepër, ka dalë kushtetuta aktuale e Qeverisë Kombëtare Shqiptare.Kështu që të katër anëtarët e Këshillit qëndruan në pushtet për dy vjet. Ata që i zëvendësojnë ato janë : Omer Vrioni (mysliman), Anton Pistuli (katolik), Sotir Peci (ortodoks) dhe Refik Toptani (mysliman).
Vendimi i Konferencës së Ambasadorëve për kufijtë shqiptarë solli qetësinë në vend. Serbët evakuan të gjitha zonat që kishin pushtuar që nga armëpushimi dhe tërheqja filloi pa ndonjë incident, pavarësisht humorit të keq të panevojshëm të shfaqur nga Zyra e Shtypit e Beogradit.
Së shpejti kufiri shqiptaro-serb do të fiksohet në terren. Fatkeqësisht, grekët nuk u janë përgjigjur ende dy shkresave që Konferenca e Ambasadorëve dërgoi në Athinë për evakuimin e disa zonave të pushtuara në Shqipërinë e Jugut, që nga maji i vitit 1920, d.m.th. që nga largimi i trupave franceze nga Korça. Ne jemi duke pritur për këtë evakuim nga dita në ditë.
Sidoqoftë, asgjë nuk ka ardhur, për të prishur marrëdhëniet e Shqipërisë me fqinjët e saj dhe – për mendimin tim modest – Agjencia e Athinës gabohet që lëshon “urbi e orbi” lajme mbi praninë e Kemalistëve në Shqipëri dhe të ashtuquajturat intriga kundër Greqisë. Jam i bindur që nuk ka asnjë lidhje midis Shqipërisë dhe Turqisë dhe se nuk është në Tiranë që grekët duhet të kërkojnë Kemalistët.
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Është një fakt i sigurt, pra ai i vullnetit të mirë të shfaqur nga shqiptarët për të qëndruar në kushtet e korrigjimit më të sjellshëm me popujt fqinjë. Shqipëria dëshiron të jetë e paanshme dhe të mbajë neutralitetin në çështjet e Ballkanit.
Nëse simpatia e shqiptarëve shkon – kur bëhet fjalë për çështje të përgjithshme – drejt brigjeve të Senës, kjo është një shfaqje e natyrshme e prirjeve të këtij populli, sesa një fakt politik.Kështu ardhja e Z. Monbouyran, drejtor i shkollës i liceut francez-shqiptar në Korçë, ishte një festë e vërtetë për banorët e qytetit.Unë ju thashë në letrën time të fundit në lidhje me përparimin që ka bërë kjo shkollë dhe rëndësinë që ajo ka marrë, veçanërisht që nga mbyllja e shkollave greke, një mbetje e regjimit turk.Z. Monbouyran gjithashtu do të japë mësime të gjuhës dhe letërsisë frënge.Gjithashtu kërkohen dy mësues të tjerë, dhe ne shpresojmë që ata të arrijnë së shpejti.Misioni laik francez që rekomandoi z. Monbouyran në legatën shqiptare në Paris, meriton mirënjohjen e shqiptarëve.
Duke folur për shkollat, është e pamundur të mos përmendësh atë që sapo është krijuar në Tiranë me ndihmën e Kryqit të Kuq Amerikan (Junior Red Cross);është një shkollë arti dhe zejtari (Vocational School) e mirëmbajtur në mënyrë të barabartë nga C.R.A. (Kryqi i Kuq Amerikan) dhe nga shteti shqiptar.Ajo tashmë ka 67 nxënës, dhe makinat e të gjitha llojeve (përfshirë një makinë telegrafike pa tel) sapo janë instaluar.
C.R.A. i ka dhënë gjithashtu shërbime të mëdha Shqipërisë së re, nga pikëpamja e shëndetit dhe e arsimit fillor, me spitalet, shërbimin mjekësor dhe shkollate saj, gjë që shpjegon prestigjin që gëzon gjithçka që është amerikane, në brigjet e Adriatikut.
Nëse ju flas për këtë në këtë letër, e bëj për të tërhequr vëmendjen e lexuesve të “France-Orient” të cilët kanë në zemër interesat e Francës dhe t’u sugjeroj atyre idenë e përfitimit të shembullit që na japin amerikanët. Gabojmë – mendoj – të mos interesohemi në qarqet zyrtare të Parisit dhe të Shqipërisë, dhe të neglizhojmë një terren kaq të mirë, i gjithi i bërë dhe i përgatitur për ndikimin moral të Francës republikane dhe të drejtë.
Në Tiranë, prej disa kohësh kemi takuar njerëz që kanë ardhur për biznes, italianë, amerikanë, anglezë; por unë ende nuk kam pasur befasinë e këndshme të takimit me një francez. Dhe Zoti e di sa i mirëpritur do të ishte një francez.
Nora Gjakova e ka siguruar një vend në gjysmëfinale të Mastersit të Dohas, pas fitores kundër francezes Helene Recevuax, në turneun e parë të këtij viti në xhudo që po mbahet në Katar.
Gjakova e nisi luftën në mënyrë mahnitëse duke e mbërthyer kundërshtaren, ku e shënoi edhe pikën e fitores.
Kosovarja tani është vetëm një fitore larg sigurimit të një medaljeje në kategorinë deri në 57 kilogramë.
Gjakova rrethin e parë e kaloi pa luftë, ndërsa në rundin e dytë e mundi xhudisten serbe Marica Perisic.
Në gjysmëfinale, Gjakova do të përballet me Tsukasa Yoshida.
Në luftë për medalje mbeten edhe Distria Krasniqi (në gjysmëfinale) dhe Majlinda Kelmendi (në çerekfinale).
Mastersi i Dohas është i rëndësishëm sepse u siguron garueseve edhe pikë olimpike, të cilat janë të nevojshme për ta siguruar pjesëmarrjen ne Lojërat Olimpike Tokio 2020./ KultPlus.com
Xhudistja kosovare po shkon me hapa të sigurt drejt medaljes së artë pas rikthimit të saj në gara të rëndësishme pas afro një viti
Majlinda Kelmendi është kualifikuar në gjysmëfinale të Mastersit të Dohas, i cili është duke u mbajtur në Katar.
Kampionia olimpike e mposhti me lehtësi zviceranen Evelyne Tschopp në çerekfinale për ta prerë biletën për në gjysmëfinale.
Xhudistja pejane fitoi me Ippon ndaj kundërshtares, e cila njëherësh pësoi lëndim.
Në gjysmëfinale, Majlinda do të ketë punë me francezen Amandine Buchard.
Kelmendi po shkon me hapa të sigurt drejt medaljes së artë, në rikthimin e saj në gara pas afro një viti.
Paraprakisht, Majlinda në rrethin e parë të kategorisë 52 kilogramë e kishte mundur rumunen Andreea Chitu.
Në rrethin e dytë, Kelmendi ishte më e mirë se polakja Agata Perenc, kurse në atë të tretë, respektivisht në çerekfinale e eliminoi zviceranen Tschopp./ KultPlus.com
Teatri “Aleksandër Moisiu” i qytetit të Durrësit mbush plot 68 vite nga krijimi si teatër profesionist.
Institucioni u krijua më 11 janar të vitit 1953 si domosdoshmëri për të mbushur jetën artistike dhe kulturore të qytetit bregdetar.
Në qytetin e Durrësit që në kohën para përfundimit të Lftës së Dytë Botërore kishte një jetë artistike tepër active, me shoqëri artistike që shpeshherë vendosnin shfaqje dhe spektakle në kushte shumë të vështira.
Ishte koha që sapo ishin krijuar edhe institucione të tjera artistike si Teatri Popullor, Teatri Migjeni i Shkodrës, A.Z.Çajupi i Korçës, ndaj u pa e nevojshme që të themelohej edhe në Durrës një institucion artistik profesionist.
Në fillimet e tij ky teatër kishte një trupë me 14 aktorë dhe këta veteranë që përbënin këtë trupë ishin emra të njohur si Meropi Xhoja, Nikolin Xhoja,Koste Lezha, Teodor Rupi, Spiro Urumi etj.
Kjo trupë teatrore vuri për herë të parë premierën “Vajza nga Fshati” e autorit Fatmir Gjata dhe me regji nga regjisori i Teatrit Popullor Pandi Stillu dhe premiera përuruese e teatrit është shfaqur më 12 prill të vitit 1953, e cila u prit mjaft mirë nga publiku durrsak.
Menjëherë pas suksesit të shfaqjes së parë u vendosën edhe vepra të tjera por ajo që do të ishte edhe kulmi i këtij teatri në ato vite ishte komedia “Prefekti” i Besim Levonjës dhe për shkak edhe të interpretimit të mrekullueshëm të Nikolin Xhojës. Shfaqja qëndroi për nje kohë të gjatë në repertorin e teatrit dhe do të shënjonte edhe kulmin artistik të këtij teatri./atsh/ KultPlus.com
E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Vasfije Krasniqi-Goodman, ka deklaruar se të mbijetuarit e dhunës në Kosovë po keqtrajtohen, shkruan KultPlus.
Krasniqi – Goodman në një postim në Twitter ka shkruar për dhunën seksuale që kanë përjetuar gjatë luftës në Kosovë, e ka kuptuar se si janë keqtrajtuar të mbijetuarit e dhunës.
Ajo ka deklaruar se i është kërkuar të mos iu flasë disa njerëzve të caktuar, kurse sot të tjerëve po u kërkohet të mos i flasin asaj.
“Që prej se kam folur në Kosovë, e kam kuptuar sesi të mbijetuarit keqtrajtohen. Neve na kërkojnë të mos u flasim disa njerëzve të caktuar dhe tani njerëzve po iu kërkojnë të mos më flasin mua”, ka shkruar Krasniqi-Goodman./ KultPlus.com