Zbarkimi i trupave të FSK-së në Kuvajt, Kurti: Një moment krenarie

Ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës së bashku me Ushtrinë Amerikane kanë zbarkuar në Kuvajt, shkruan KultPlus.

Ky është misioni i parë ndërkombëtar i FSK-së, për të cilin kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se është një moment krenarie dhe një hap i rëndësishëm përpara.

“Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është në misionin e saj të parë ndërkombëtar të bashkëpunimit me ushtrinë amerikane. Me vite mësim dhe trajnime, ne tani jemi gati të kontribuojmë në paqenë dhe sigurinë globale. Një moment krenarie”, ka shkruar Kurti në Twitter./ KultPlus.com

Osmani pas arritjes së ushtarëve në Kuvajt: Jashtëzakonisht krenare

Ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës së bashku me Ushtrinë Amerikane kanë zbarkuar në Kuvajt, shkruan KultPlus.

E për këtë ka reaguar edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani e cila ka thënë se ndihet jashtëzakonisht krenare me ushtarët që po e lartësojnë flamurin Kosovar.

“Jashtëzakonisht krenare me ushtarët tanë, të cilët po e lartësojnë flamurin e Republikës së Kosovës në Kuvajt. Kosova do të jap kontributin e saj në misione paqëruajtëse në botë përkrah aleatëve tanë. Falenderim i veçantë për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e Gardës Kombëtare të Ioëas”, tha ajo./KultPlus.com

Vjen ‘Jeta e re’, numri i parë për këtë vit

Posa ka dalë në qarkullim numri i parë për këtë vit i revistës letrare të traditës “Jeta e re”.

Revista fillon me një ligjëratë të shkrimtarit anglez, Neil Gaiman, me titullin “Pse e ardhmja jonë varet nga biblioteka, leximi dhe ëndërrimi me sy hapur”, kurse rubrika e prozës me shkrimtarin Ibrahim Kadriun – “Me zhurmën e trenit mbi binarë “, për të vazhduar me “Tregime të lumtura” të Sali Bashotës, “ Heshtja e përkthyesit” të Avni Alisë,  “Njëmbëdhjetë orë në qiell” të Aziz Mustafës, “Gruaja tjetër” të Sherwood Anderson-it, “Pushimet e Bernardo Soaresit”, “Natë e një ëndrre të mes dimrit”, “Erdhi doktor Pereira” të Antonio Tabucch-it  dhe “ Sinesi i Rodit” të Juan Jose Arreola-s.

Rubrika e poezisë nis me një cikël poetik të Kujtim M. Shalës, për të vazhduar me Halil Matoshin, Arben Idrizin, Linditë Ahmetin, Arif Kutleshin,  nobelistin Seamus Heaney, Jules Renard dhe Jevrem Bërkoviq.

Në rubrikën qendrore të revistës Dossier, në një hapësirë prej gjashtëdhjetë faqesh, është prezantuar Bioi Kasares, një nga shkrimtarët më të njohur jo vetëm argjentinas, mik personal dhe letrar për jetë i Borhesit. Rubrika fillon me  një shkrim emocional dhe mjaft tërheqës me titullin “Bioi Kasares: Një kujtim i shkurtër” të shkrimtarit spanjoll Martin Kasariego, një adhurues i madh i veprës së këtij shkrimtari, për të vazhduar me tregimet: e Kasaresit “Në kujtim të Paulinës”, “Të sprasmet”, “Kati i fundit”, “Shpëtimi”, “Çështja e plakushëve fluturakë”, ”Francezja”, “Vigjilja e Faustit” dhe “Margarita dhe fuqia e farmaceutikës”. Kjo rubrikë përfundon me shkrimin mjaft impresionues “Adolfo Bioi Kasares: trillimi joshës” të Ema Rodriguez-it dhe me një intervistë gjithashtu mjaft interesante të Kasaresit.

Te rubrika e kritikës vijnë tre autorë tashmë klasikë: Erich Auerbach me teksin “Sheja e Odiseut” (vijon nga numri i kaluar), Hans Robert Jauss me “Teoria e zhanreve dhe letërsia mesjetare” dhe Aleida Asmann me “Kanoni dhe arkivi”. Nga autorët tanë kemi “Kena e poezisë” të Arsim Canollit, “Simbolika e kodit të ligjërimit në poezinë e Kujtim M. Shalës” të Gentiana Bajramit Atashit, “Refleksione meditative mbi harresën” të Rifat Ismailit, “Romani Oh i Anton Pashkut” të Agnesa Beqirit, “Midis përrallores dhe reales” të Ballsor Hoxhës. Ndërkaq, me tekste në këtë rubrikë janë paraqitur për herë të parë edhe dy studiuese të reja: Rrezarta Morina me tekstin “Romani për Kosovën” dhe rrafshet esenciale të tij  midis faktit historik e fiksionit” dhe Eriola Çoçaj me “Janusi qindfytyrësh i Tufës përballë Janusit dyfytyrësh të Poussin-it”.

Përkthyesit që kontribuuan në këtë numër janë: Erion Karabolli, Alket Çani, Arben Idrizi, Azem Qazimi, Alfred Beka,  Arta Hallaçi, Ilir Breca dhe Qazim Muja./ KultPlus.com

Restaurohet çatia dhe muri i portës “Çene” në Gjirokastër

Në Gjirokastër ka përfunduar puna për restaurimin e çatisë dhe murit të portës “Çene”, monument kulture kategoria I, në lagjen “Varosh”.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër bën të ditur se “është një nga portat e jashtme karakteristike e shtëpive Gjirokastrite me një ekzistencë mbi 100-vjeçare dhe me elemente të cilat faktohen ne konstruksionin e saj”.Sipas DRTK-së, pas shembjes që pati muri rrethues dhe nga dëmtimet në vite çatia dhe muri mbajtës ishin drejt rrënimit.Specialistët e DRTK-së Gjirokastër duke ruajtur elementet arkitekturore realizuan restaurimin e plotë të tyre.

Banesat e Gjirokastrës janë një tip i veçantë në tipologjinë e banesës shqiptare dhe asaj ballkanase të mesjetës së vonë dhe luajnë një rol të rëndësishëm në fizionominë e qytetit.

Gjirokastra ka 56 banesa monumente kulture të kategorisë së parë, 502 të kategorisë së dytë dhe shumë komplekse të tjera me vlera historike, arkitektonike dhe kulturore.

Qyteti ruan të paprekur skemën urbanistike, ku çdo shtëpi ka karakteristika të veçanta, që lidhen me terrenin mbi të cilin është ndërtuar.

Kujdesi, mirëmbajtja dhe promovimi i trashëgimisë sonë kulturore është një mision i përbashkët, për t’i përçuar këto pasuri, në mënyrën e duhur, tek brezat e ardhshëm./atsh/ KultPlus.com

Ushtarët e FSK-së zbarkojnë në Kuvajt së bashku me ushtrinë amerikane

Ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës së bashku me Ushtrinë Amerikanë kanë zbarkuar në Kuvajt.

Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Mbrojtjes së Kosovës duke thënë se kjo gjë do të forcojë aftësinë e FSK-së për të mbrojtur veten duke përmirësuar ndërveprueshmërinë me partnerët amerikan.

“Kosova po kontribuon për Paqen dhe Sigurinë ndërkombëtare”, thuhet në postimin e Ministrisë së Mbrojtjes./ KultPlus.com

🇽🇰🇺🇸 Me këtë rast, pranoni përshëndetje nga MM dhe FSK. Bashkë-zbarkimi i parë ndërkombëtar i Forcës së Sigurisë së…

Posted by Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës on Saturday, May 8, 2021

Sekretet dhe simbolet e ndërtesës gotike të Parlamentit hungarez

Duke tërhequr gati 700 000 vizitorë çdo vit, Parlamenti është një nga destinacionet turistike më intriguese në Evropë, me më shumë se njëqind vjet histori pas saj. Vendi ku punojnë 800 njerëz, ka në përmbajtje përveç zyrave, edhe dhoma, një zyrë poste, një bibliotekë, një berber dhe një mjek.

Ndërtimi i Parlamentit – ose Országház – filloi në vitin 1885 dhe u inaugurua në 1904, është krijimi i arkitektit Imre Steindl, i cili si për ironi të fatit u verbua para përfundimit të ndërtesës, duke e lënë atë të paaftë të vlerësonte kryeveprën e tij të përfunduar. E projektuar me një mori simbolesh që fshihen në çdo detaj, ndërtesa ka të inkorporuar në strukturën e saj një kupolë kryesore, 96 metra e lartë, që simbolizon një vit historik për Hungarinë – 896. Ekzistojnë gjithashtu 96 shkallë dhe 365 kulla në të gjithë ndërtesën, një për çdo ditë të vitit.

Në Sallën Qendrore ekspozohet kurora e Shën Stefanit që nga viti 2000, kurorë me të cilën janë kurorëzuar më shumë se 50 mbretër që nga shekulli i 12-të. Kurora prej ari, e dekoruar nga perlat dhe gurë të tjerë të çmuar ruhet nga rojet, si një ndër dy kurorat bizantine.

Si një nga ndërtesat më të larta në Budapest, Parlamenti ka një sipërfaqe prej 18 000 metrash katrorë, 691 dhoma, 28 hyrje, 10 oborre dhe 29 shkallë. Një prej shkallëve kryesore ka tetë kolona graniti katër tonësh, nga të cilat vetëm 12 mund të gjenden në botë sot,shkruan a2news. Gjithashtu, në këto shkallë, por edhe tavane të sallave, janë përdorur për dekor më shumë se 40 kilogramë ari 22 deri në 23 karat, duke përfshirë gjethe të rralla ari.

Deri në vitin 2013, ndërtesa e Parlamentit të Hungarisë ishte e mbushur me vrima plumbash nga dy Luftërat Botërore dhe revolucioni i vitit 1956, një pjesë e të cilave ende ruhen./a2/ KultPlus.com

Festa e fshatit shqiptar Karakurt në 210 vjetorin e themelimit

Fshati i banuar nga shqiptarë në Ukrainë, Karakurt ka ditën e tij të njohur si Kurban, festa e Fshatit.

Kjo festë lidhet me Ditën e Shën Gjergjit dhe traditë e këtij fshati shqiptar është gjella rituale- kurban. Për këtë festë kurbani përgatitet nga një qengj i ri në një mënyrë të veçaltë: me oriz ose bullgur dhe me zorrët e kafshëve.

Deri në vitin 2016 Karakurt quhej Zhovtnevoe dhe këtë vit ky fshati mbushi plot 210 vjet me shumicën e popullsisë shqiptarë. Sot fshati ka 2700 banorë.


Karakurt u themelua në 1811 nga shqiptarët, të cilët shkuan nga Shqipëria Juglindore dhe u vendosën fillimisht në Dobrudja. Dhe më pas, disa shekuj më vonë, u themelua një fshat në Besarabia.
Është e mahnitshme se si disa shekuj më vonë, njerëzit vendas ende arritën të mbanin gjuhën, identitetin kombëtar

Sot, lidhjet e komunitetit lokal shqiptar me Shqipërinë janë forcuar më tepër, me kostumet tradicionale, vallet e këngët, ndërsa në shkolla vendase po mësohet dhe shqipja e sotme.

Në këtë fshat u vendos dhe monumenti i Heroit Kombëtar shqiptar, Gjergj Kastriot Skënderbeu./ KultPlus.com

O nënë, eja në dritare

Poezi nga Teodor Keko

Muzgu i kaltër vel u var,
mahnitës u bë qielli.
Gjithcka si me magji më ngjan
me një dekor baleti.

Dhe hëna paksa e trishtuar
si pikëllimi i Lorkës,
qiellit i shkon kaq shumë
sic i shkojnë nuses lotët.

O nënë, eja në dritare
të shohim hënën mbi Dajt tek ndrisë
dhe të më thuash me një zë zemre:
Nuk ka si muzgjet e Shqiperisë!/ KultPlus.com

5 mitet e mëdha të Luftës së Dytë Botërore

76 vjet pas Ditës së Fitore së kapitullimit gjerman më 8 maj 1945, që i dha fund luftimeve fizike në Frontin Perëndimor në Luftën e Dytë Botërore, e që mbeten ende jo pak mite dhe ide të gabuara mbi atë luftë.

Gazeta “Time” pyeti historianin e Muzeut Kombëtar të Luftës së Dytë Botërore, Rob Citino, se cilat janë mitet kryesore, me studimin e të cilave ai është marrë për shume vite. Si profesor i historisë ushtarake, Citino është autor i 10 librave.

Ja cilat janë sipas tij 5 mitet më të mëdha të Luftës së Dytë Botërore:

Miti 1: Presidenti amerikan Ruzvelt, ishte informuar paraprakisht për sulmin mbi Pearl Harbor

Unë e quaj këtë mitin më të madh të Luftës së Dytë Botërore. Njerëzit janë të gatshëm të besojnë të gjitha llojet e teorive më të çmendura të konspiracionit. Por nuk ka asnjë dokument që të tregojë se Ruzvelti e dinte paraprakisht atë që do të ndodhte në Pearl Harbor.

Që në fillim, ka pasur një grup studiuesish “revizionistë”, të cilët e kanë mbështetur këtë teori. Por libri i Xhon Toland në vitin 1982, që fliste për një “Seaman Z”, që i dërgoi Uashingtonit një mesazh në lidhje me sulmin në Pearl Harbor, nuk u mor asnjëherë seriozisht.

Miti 2: Ervin Romel ose “Dhelpra e Shkretëtirës”, ishte gjenerali më i madh gjerman i të gjitha kohërave

Romel ishte drejtues i një batalioni alpin këmbësorësh në Luftën e Parë Botërore. Ai e përsosi artin e sulmit të shpejtë dhe të befasishëm. Trupat e tij shfaqeshin papritmas mbi një kreshtë mali, duke zënë në befasi armikun e tyre. Kjo i dha atij vlerësime të mëdha nga eprorët.

Në periudhën midis 2 luftërave, ai dha mësim taktikat e luftës në akademitë ushtarake në Gjermani.

Ai tërhoqi vëmendjen e Hitlerit, dhe ishte ky i fundit që sponsorizoi plotësisht karrierën e tij, duke e bërë atë që ishte. Romel mori komandën e një force të madhe në Afrikën e Veriut, Afrika Korps. Aty ai i bë i njohur si “Dhelpra e Shkretëtirës”, për shkak të manovrave të befasishme, sulmet e shpejta, dhe marshimet gjatë natës që e ngatërronin armikun.

Por ai nuk mundi që të fitojë asnjëherë ndonjë gjë të qëndrueshme. Për shembull, ai nuk arriti asnjëherë në Kanalin e Suezit. Dhe kjo sepse nuk i interesonte logjistika. Ai mendonte se logjistika dhe furnizimet, ishin problem i dikujt tjetër. Por logjistika është gjithçka në luftën në shkretëtirë.

Çdo shishe uji, çdo predhë, çdo serbator karburanti duhej të transportohej nga Evropa kontinentale. Akti i tij i fundit ishte të përpiqej të parandalonte “D Day”, pushtimin nga aleatët perëndimorë më 6 qershor 1944, dhe ai dështoi plotësisht.

Miti 3: Hitleri ishte fajtori i vetëm për humbjen e Gjermanisë në Luftën e Dytë Botërore

Ky koncept gjendet në 90 për qind të librave të shkruar për luftën në Evropë. Sipas tyre çdo gabim, çdo kthesë e gabuar që bënë gjermanët, çdo sulm idiot që vendosën të ndërmerrnin, ishte një ide e Hitlerit. Mua do të më pëlqente që ta fajësoja për gjithçka Hitlerin.

Është e sigurt se ai e nisi Luftën e Dytë Botërore, dhe ai është autori i Holokaustit. Por ai nuk ishte përgjegjës për çdo vendim të gabuar që mori ushtria gjermane, pasi gjeneralët ishin në krah të Hitlerit në çdo hap. Kur gjeneralët gjermanë shkruan kujtimet e tyre pas luftës, krijuan fabulën se “Hitleri na vuri që të gjithëve në rrezik”.

Por ata harrojnë entuziazmin me të cilin ata zbatuan planet e tij, dhe faktin që i qëndruan besnikë deri në fund. Zyrtarët e lartë gjermanë, gjeneralët, mbajnë një pjesë të madhe të përgjegjësisë për shpërthimin e luftës, vazhdimin e saj, dhe në fund për humbjen e saj nga Gjermania.

Miti 4: Japonia mund ta kishte fituar Luftën e Dytë Botërore, sikur përveç anijeve të kishte bombarduar edhe depozitat e naftës në Pearl Harbour

Unë mendoj se kjo mund ta vononte vetëm për disa muaj fitoren e SHBA-së. Japonia nuk donte të pushtonte Amerikën. Tokio dëshironte një lloj lufte të kufizuar: të shkatërronte flotën tonë dhe të ndërtonte një perandori të madhe në Paqësor, gjatë kohës që ne do të ishim duke e rindërtuar flotën tonë.

Kur të ishim gati për veprim, perimetri i mbrojtjes japoneze do të ishte aq i fortë, sa që Shtetet e Bashkuara nuk do të kishin vullnet për të luftuar përtej Paqësorit. Edhe nëse Japonia shkatërroi rezervuarët e karburantit, ne do t’i kishim rikuperuar shpejt ato.

Miti 5: Lufta e Dytë Botërore pati disa pika kthese

Nëse lexoni histori të Luftës së Dytë Botërore, autorët përmendin dhjetëra pika kthese. Në Paqësor, thuhet se kjo ndodhi në qershor të vitit 1942, kur forcat amerikane fundosën katër aeroplanmbajtëse japoneze në Miduej. Shumë të tjerë përmendin Stalingradin apo Betejën e Kurskut në vitin 1943. Por çështja është që nëse ka kaq shumë pika kthese në Luftën e Dytë Botërore, atëherë unë nuk jam i sigurt se ka pasur realisht ndonjë të tillë. /Time/ KultPlus.com

Misteri i ‘qytetit të të vdekurve’

Në një fshat të largët rus, të quajtur Dargavs, gjendet një varrezë masive mesjetare e përmasave të mëdha. I quajtur “Qyteti i të vdekurve”, ky nekropol i lashtë mban eshtrat e më shumë se 10 000 njerëzve – shumë prej të cilëve të varrosur me rrobat dhe sendet e tyre. Sipas besëtytnisë së vendasve, kushdo që guxon të hyjë në këtë vend nuk do të kthehet i gjallë.

Një mori misteresh e rrethojnë këtë vend, të vendosur pranë kufirit me Gjeorgjinë, në Rusinë Jugore. Mistere këto që lidhen me origjinën e varrezës, me datën e ndërtimit të saj, dhe me historinë ndër vite të këtij vendi dhe zonës përreth.

Një teori është se varret me kulm përmbi tokë, mund të jenë ndërtuar gjatë pushtimit mongol-tatar të shekullit të 13-të, ndërsa një hipotezë tjetër sugjeron që “Qyteti i të vdekurve” mund të jetë krijuar duke ndjekur traditën indo-iraniane. Gjithashtu, historianët e lidhin edhe me epideminë e murtajës së përhapur gjatë shekullit 17-18-të, ku banorët e infektuar karantinoheshin në këto kripta mortore dhe prisnin që vdekja të afrohej.  

Sot, zona përfshin 99 kripta të tilla me kulm me dritare, ku gjenden ende kufoma, disa prej të cilave të ruajtura aq mirë, sa mishi i trupit është akoma i lidhur me kockat e tyre. Kufoma të tjera janë varrosur brenda arkivoleve prej druri që i ngjajnë varkave, dhe kjo i bën historianët të mendojnë se banorët e lashtë besonin se i vdekuri duhej kaluar në një lumë, për të arritur në parajsë.

Shumë vizitorë udhëtojnë në këtë varrezë prej 1,5 hektarësh për të parë arkitekturën mesjetare të ruajtur jashtëzakonisht mirë, por jo vetëm kaq. “Njerëzit që vijnë këtu, me frikë nga bukuria e këtij vendi, arrijnë paqen me frikën e përjetshme të vdekjes”, thotë për BBC historiania Luidmila Gaboeva.

Bebe Rexha flet për traditat shqiptare: Në shtëpi duhet të kap tabakanë dhe të shërbej

Këngëtarja shqiptare, Bebe Rexha, fama e së cilës ka vërshuar botën, së fundi ka dhënë një intervistë për prestigjiozen ”Los Angeles Times’, ku ndër të tjera ka folur edhe për prejardhjen e saj dhe traditat shqiptare, përcjell KultPlus.

Ajo ka treguar për mediumin botëror se si është muzika tradicionale shqiptare dhe cilat janë ritmet e saj.

“Kur të shkoni në një dasmë atje, do të keni një djalë të madh që godet në daulle bas dhe më pas do të vijë edhe dikush me klarinetë ose një fizarmonikë – kaq. Daullet tingëllojnë si: Boom-Chicka-Boom-Chicka-Boom-Boom-Boom”, ka theksuar Rexha.

Tutje, ajo u pyet edhe për traditata dhe zakonet e vendit, të cilat ajo i praktikon te familja e saj, në shtëpinë e tyre në New York.

“Kur njerëzit vijnë, unë duhet t’u shërbej atyre diçka, edhe nëse ata po punojnë për mua – si për shembull zonja ime pastruese duhet të ketë një vakt të plotë. Në kulturën shqiptare, kur dikush vjen mysafir, ekziston një sistem i hapave se si ju i shërbeni njerëzve. Le të themi se nëse do të kaloni nga shtëpia e mamasë sime, ajo do t’iu mirëpresë, dhe ne duhet të kemi çokollata të vogla, çokollata vërtet të këndshme dhe duhet të shkojmë në sallon për t’ua shpërndarë gjithëve – nga më i vjetri tek më i riu, të gjithë marrin një copë çokollatë. Atëherë më pas unë do të shërbej pije, ujë ose lëngje frutash. Pastaj vendos në tabaka një pjatë të madhe me ëmbëlsira – të gjitha llojet e ëmbëlsirave. Atëherë ndoshta më pas duhet të bëj kafe dhe do të shërbej kafe me tortë. Dhe pastaj e përfundoni me fruta”, ka thënë tutje Bebe Rexha. / KultPlus.com

Sherri mes Ritës e Duas shuan shpresat për bashkëpunim mes katër këngëtareve shqiptare

Bebe Rexha ka sjellë disa bashkëpunime me artistë të famshëm amerikanë në albumin e saj më të ri “Better Mistakes” mirëpo nuk ka arritur të sjellë bashkëpunimin që shumëkush është duke e pritur që një kohë të gjatë.

Bëhet fjalë për premtimin që pati dhënë kohë më parë këngëtarja 31-vjeçare shqiptare, se do t’i bënte bashkë në një projekt, Rita Orën, Dua Lipën, Ava Maxin dhe vetë atë, të gjitha këto, artiste të famshme botërore, me prejardhje shqiptare.

Rexha ka thënë në një intervistë për “The Sun” se është e dëshpëruar që nuk ka arritur ta realizojë këtë duke shtuar se tanimë nuk beson se do të ndodhë ndonjëherë.

Ajo ka thënë se bashkëpunimi nuk mund të bëhet për shkak të problemeve mes Duas dhe Ritës.

“Kam provuar me të vërtetë. Nuk e di saktë se çka po ndodh mes tyre apo cila është drama. Jam munduar gjithmonë të krijojë paqe dhe t’i bëjë bashkë vajzat. Unë me të vërtetë dua të bëjë diçka bashkë me ato por tani jam e sigurtë se kjo nuk do të bëhet kurrë. Nuk dua të shtojë asgjë më shumë për këtë”, është shprehur ajo.

Sipas “The Sun”, Dua dhe Rita, prindërit e të cilave janë që të gjithë nga Kosova, asnjëherë nuk kanë folur për rivalitetin e krijuar, ndonëse besohet se kjo ka ndodhur për shkak të krahasimeve mes tyre.

Ato madje shpeshherë kanë marrë pjesë në ngjarje të njëjta muzikore edhe fizikisht por asnjëherë nuk janë takuar dhe nuk janë paraqitur bashkë para mediave, duke i ikur kontaktit me njëra-tjetrën. 

Ndërkohë, Bebe ka thënë se beson që ato janë bërë “rivale” mes vete për shkak të presionit të të qenit gra në industrinë e muzikës.

“Është e çuditshme sepse e di se si është të jesh vajzë dhe nganjëherë bëhemi vërtetë rivale. Nuk jam duke folur për veten, Duan, Ritën apo Avan. Po flas për vajzat në përgjithësi. Nuk e di për në Mbretërinë e Bashkuar, mirëpo këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, disa vjet më parë, 80% e këngëve të transmetuara në radio ishin të burrave ndërkaq vetëm 20% të grave. Kësisoj, ne ndihemi sikur duhet të garojmë sepse jemi minoritet në industrinë e muzikës”, ka thënë Rexha.

Ajo ka thënë se është për keqardhje që nuk po arrin të realizojë një këngë bashkë me tri vajzat shqiptare pasi siç ka thënë, i njeh të gjitha personalisht dhe se të gjitha janë shumë të mira dhe secila prej tyre është tejet e suksesshme në muzikë.

Bebe Rexha pati hedhur idenë për bashkëpunim mes artisteve shqiptare më famë botërore, në fillim të vitit 2019. /koha/ KultPlus.com

Doktoresha amerikane që u vlerësua me medaljen e ‘Urdhrit të Skënderbeut’

Dr. Lulu Hunt Peters lindi në Milford, Maine, SHBA, në vitin 1873. Ajo ndoqi Universitetin e Kalifornisë, Berkeley në vitin 1909 dhe Universitetin e Kalifornisë Jugore në vitin 1911.

Si një mjeke dhe edukatore e shëndetit publik, ajo filloi praktikën në vitin 1915 në Los Angjelos.

Gjatë dhe pas Luftës së Parë Botërore, ajo punoi me Kryqin e Kuq në Ballkan, për të cilin u vlerësua me medaljen e Urdhrit të Skënderbeut të Shqipërisë, për punën e saj atje. Ajo vdiq në Londër në vitin 1930. / KultPlus.com

Kolona të gjata në Rrugën e Kombit, kosovarët nisen drejt Shqipërisë (VIDEO)

Qytetarët e Kosovës vazhdojnë të kenë Shqipërinë, destinacionin kryesor për pushime.

Për pasojë, lëvizja në Rrugën e Kombit, gjatë paradites së sotme paraqitet e rënduar.

Të favorizuar nga moti i mirë dhe temperaturat e larta, ata kanë vendosur të kalojnë këto ditë pranë bregdetit.

Disa javë më parë, qeveria e Kosovës, vendosi si masë kufizuese anti Covid, kalimin e kufirit, vetëm më testin negativ PCR të koronavirusit.

Kjo pengonte qytetarët e Shqipërisë dhe Kosovës të udhëtonin lirshëm drejt dy shteteve. Megjithatë, Kosova doli me një vendim të dytë, ku theksohet se nuk është nevojë për testin negativ, për të kaluar kufirin.

Ndërkohë, Shqipëria ka dalë nga lista e kuqe e vendeve, që paraqesin risk të lartë të pandemisë Covid 19./tch/ KultPlus.com

OKB: 155 milionë persona janë përballur me uri vitin e kaluar

Nivele të thella të urisë kanë prekur të paktën 155 milionë persona vitin e kaluar si rezultat i konflikteve, dëmeve ekonomike të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit dhe moti ekstrem, derisa situata këtë vit është e njëjtë ose edhe më e ashpër, është thënë në një raport të përpiluar nga 16 organizata.

Dy të tretat e njerëzve që janë përballur me këtë krizë janë nga 10 shtete – Afganistan, Jemen, Siri, Sudan, Kongo, Nigeri veriore, Etiopi, Sudan Jugor, Zimbabve dhe Haiti.

Të 155 milionë personat përballen me “krizë”, “emergjencë” apo me nivele katastrofike të urisë, çka përbën rritje prej 20 për qind të numrit të personave që janë përballur me diçka të tillë, krahasuar me vitin 2019, ka thënë raporti, transmeton KultPlus.

“Numri i personave që përballen me pasiguri të thellë në ushqim dhe kërkojnë urgjentisht ushqim dhe ndihmë për jetesë, është duke u rritur”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres teksa ka prezantuar Raportin Global për Krizë Ushqimore.

“Në shekullin 21, nuk ka vend për uri”, ka thënë Guterres.

“Neve na duhet ta luftojmë urinë dhe konfliktin, për ta zgjidhur njërin apo tjetrin problem”.

Raporti, që mbulon 55 shtete, po ashtu ka thënë se 133,000 njerëz në Burkina Faso, Sudanin Jugor dhe Jemenin, kanë nevojë urgjente për ushqim, për të parandaluar vdekjet nga uria.

Ekonomisti kryesor në Programin Botëror të Ushqimit Arif Husain ka thënë në një konferencë për media në OKB, se konfliktet nxisin më së shumti krizën me ushqim. / KultPlus.com

Pas sezonit të dimrit, lopët ngjiten drejt kullotave në Alpet e Zvicerës

Zvicra është e vendosur në sistemin e vargmaleve të larta të Alpeve. Shpesh në literaturën gjeografike përmendet si shtet alpin, transmeton KultPlus.

Simboli i këtij shteti pa dyshim se janë lopët. Për çdo vit bëhet parada e lopës alpine. Në vjeshtën e vonë lopët kthehen në fermat e tyre, për të kaluar dimrin brenda rrethojave në fermat zvicerane.

Shumë fermerë zviceranë në vjeshtë janë të zënë me kthimin e kafshëve të tyre nga kullotat malore. Pasi të kalojnë verën duke kullotur në livadhe me barishte të freskëta, gjedhet do të kalojnë dimrat e tyre në hambar.

Por, në stinën e pranverës, kur edhe jemi tani, bëhet parada e tyre, ato ngjiten drejt kullotave në Alpe dhe qëndrojnë deri në vjeshtë në ambiente të jashtme./albinfo/ KultPlus.com

Shqiptarët si një shpirt i vetëm përballë të të gjitha formave të së keqes

Vështrim rreth romanit “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” të shkrimtarit Jusuf Buxhovi së fundmi është botuar edhe në italisht. Më poshtë do vijojmë me një analizë të veprës, me një panoramë të përgjithshme por edhe me veçantitë e saj.

Nga Xheni Shehaj

Dy fjalë për subjektin e romanit:

Ngjarjet janë vendosur në kohën e pushtimit osman. Gjakova dhe malësitë përreth ziejnë nën thundrën e pushtuesit. Rrëfyesi i ngjarjeve është prifti Gjon Nikollë Kazazi. Përmes optikës dhe rrëfimtarisë së tij lexuesi njihet me ngjarjet e asaj kohe, personazhet, botëkuptimin e vendasve, qëndresën dhe forcën e popullit. Hera – herës rrëfimi ndërthuret me ditarin e rrëfyesit – personazhit kryesor Gjon Nikollë Kazazit. E gjithë vepra sillet e rrotullohet rreth murtajës, sëmundjes vdekjeprurëse që vendi e mori dhuratë nga turqit.
1.Në libër flitet për një spastrim, një shfarosje masive që osmanët duan t’i bëjnë popullatës vendase. Një popull i fortë, qëndrestar, që nuk jepet kurrsesi duhet goditur në forma e mënyra nga më të ndryshmet.
“Fillova të shfletoja dhe pas pak hasa shënimin se si qysh në kohën e Egjiptit të vjetër, pastaj në kohën e Lekës së Madh dhe deri tek Perandoria e Romës, sëmundja ishte përdorur si mjet lufte.”
E kështu turqit pa bërë bujë, përhapën murtajën me shpresën se sëmundja do bënte kërdinë dhe ëndrra e tyre për një shfarosje masive të shqiptarëve do të bëhej realitet.
Spastrimi, asgjësimi i shqiptarëve u zgjodh të realizohej përmes dy mënyrave:

  • spastrim fizik, pra shfarosja e popullatës përmes sëmundjes;
  • spastrim shpirtëror, mohimi i gjuhës, i këngëve, i riteve ceremoniale të varrimit, shpalosja e qindra flamujve të sekteve fetare, zëvendësimi i këngëve me ilahi në gjuhën turke, arabe, etj.
    Shfarosja e shqiptarëve
  • Spastrimi fizik
    Si mund ta dobësosh një popull kryeneç, të padëgjueshëm dhe rebel? Me luftë kurrsesi, me të mira jo, përmes fesë jo, atëherë duhet gjetur një metodë tjetër, futja e një mikrobi, e një sëmundjeje, e diçkaje të padukshme por tepër efikase: murtaja.
    Gjon Nikollë Kazazi ishte i bindur se murtajën e kishin futur osmanët në vend.
    “Ngjet që sëmundjen e kanë futur vetë turqit qëllimisht dhe i kanë ndërmarrë që me kohë të gjitha masat, vetë të mbrohen nga ajo e ne të na shfarosin.”
    Në vetvete murtaja ishte një strategji luftarake e mirëmenduar për të shuajtur një komb të tërë pa gjak, pa luftë, pa dhunë. Mbyllja e vendit për shkak të sëmundjes do të sillte mbylljen e aktiviteteve, varfërinë, frikën, çmendurinë. Pra gjithçka ishte e programuar më së miri.
    “Në mbrëmje fillova të lexoj librin e Kavijusit “Strategjia osmane” në të cilën bëhej fjalë për politikën e gjatë 300-vjeçare pushtuese dhe asimiluese të Portës dhe për përpjekjet e saj që në tokat e pushtuara të krijonte njëfarë njeriu të ri osman, i cili do të paraqiste një krijesë të re, të përzier nga elemente orientale dhe evropiane. Ky njeri i ri osman nuk do të kishte as të kaluar dhe as traditë por vetëm të ardhme. Ai do të ishte një trung pa rrënjë dhe pa vetëdijen e qenësisë së vet”.
    Këtë synonte perandoria osmane, zhdukjen e popujve autoktonë dhe zëvendësimin e tyre.
  • Spastrimi shpirtëror
    Kishte të bënte me të brendshmen, me atë forcë që mban gjallë njeriun. Osmanët nuk lejonin këngët patriotike, këngët kushtuar trimave që kishin lënë gjurmë ndër shekuj. Një malësor e varën vetëm sepse ai nuk tregonte emrat e këngëtarëve që kishin kënduar në një dasëm këngë për trimin që vrau sulltan Muratin.
    Patër Coli, ndihmësi i Gjon Nikollë Kazazit u var në mes të qytetit dhe një nga arsyet që çuan në dënimin e tij ishte krijimi i një alfabeti me shkronja latine. Varrosja e të vdekurve të infektuar nga murtaja në gropat e gëlqeres ishte një tjetër goditje për popullsinë. Vendasit e nderonin të vdekurin dhe e përcillnin në banesën e fundit me respekt. Varri i përbashkët që kishin hapur turqit shkaktoi indinjatë dhe zemërim tek malësorët.
    Po ashtu dhe ngatërresat që hafijet turke qisnin mes shqiptarëve ishin një goditje që synonte të dërrmonte shpirtin, gjakun, kombin.
    Urtësia e pleqve
    Me përhapjen e murtajës Gjoni bashkë me parinë e vendit nxituan të gjenin një zgjidhje se si ta ndalonin sëmundjen. Urtësia dhe përvoja e pleqve dha kontribut të madh në ndalimin e murtajës. Malësorët që kishin kaluar të njëqindtat kujtonin se para shumë vitesh kjo sëmundje ishte shfaqur në ato vise. Plakat e moçme përmes grithjes ja kishin dalë ta zhduknin flamën.
    Rituali i grithjes u përsërit nga një grup pleqsh dhe vrulli i sëmundjes ra. Prijësit shpirtërorë të të gjitha feve në vend u bënë bashkë dhe ndihmuan në ngadalësimin e sëmundjes. Duke ua vënë veshin të moshuarve u arrit të kryhej grithja e gjithë popullatës.
    Harmonia fetare dhe vëllazërimi
    Në libër përpos të tjerave flitet për këngët, trimërinë, burrërinë. Ndjenja e patriotizmit dhe harmonisë fetare, vëllazërimi dhe e shkuara e lavdishme zënë vend të posaçëm në vepër. Të rinj që sakrifikojnë për atdheun, pleq që ndihmojnë në luftimin e murtajës, priftërinj, hoxhallarë, dervishë, lëkurëpunues, shitës, argjendarë, tregtarë, qytetarë e malësorë, i gjithë vendi bëhet bashkë për të parandaluar të keqen e përbashkët.
    Figura e tellallit, bejtexhiut dhe veçori të tjera
    Teksa lexon librin ndesh praninë e figurës së tellallit e cila krijon një atmosferë hijesh. Një, dy, dhjetë tellallë që enden nëpër rrugët e qytetit të izoluar me thirrjet e tyre. Zëri i tyre jehon nëpër kalldrëme, nëpër mure shtëpish të kyçura, nëpër vatra ku ka zënë farë frika. Një lajmëtar, disa lajmëtarë. Tellallët janë lajmëtarët e së mirës dhe të së keqes. Me zërin e tyre ata shpërndajnë lajme. Mbi ta bie urimi e mallkimi, shiu e dielli.
    Selami Taraku, një bejtexhi rrugësh ndeshet rëndom në vepër. Një pjesë e quajnë marrok e nuk ja vënë veshin, një pjesë e dëgjojnë dhe qeshin me ato që ai reciton. Askush nuk ja merr për të madhe çfarëdo që thotë e bën. Selamiu është prezent kudo nëpër qytet, në çdo rrugë, kalldrëm, cep e gjen teksa reciton a këndon poezitë e tij.
    Ditari si formë shkrimi është i pranishëm në libër. Fillimisht lexuesi ndesh ditarin e Gjonit, i cili përshkruan aty ngjarjet e ditës, vdekjet nga murtaja, hiletë e turqve. Nga fundi i librit Gjoni i zbulon lexuesit ditarin e Ibrahim pashës. Pasha kishte shkruar ditë pas dite që nga fillimi i murtajës, urdhrat e Portës, raportet e tij dërguar Sulltanit, vdekjet, pritshmëritë.
    Vdekja në vepër duket si diçka e zakonshme. Disa vdesin nga litari, disa nga sëmundja. Vdekja e disa prej personazheve si Coli, Lam Mula, Selami Taraku, duket sikur duhet të ndodhë medoemos pasi vetëm me flijimin e tyre mund të vijojë jeta. Flijimi, i lashtë sa vetë jeta kërkon kurban. Vetëm pasi e merr lëshon pe dhe jeta rrjedh e qetë. /mapoletrare/ KultPlus.com

Ex Libris largon Flutura Açkën nga fotoja e përbashkët me Kadarenë (FOTO)

Në një shkrim të botuar në gazetën Ex Libris, që mban titullin ”Kadare-Onufri 25 vjet bashkëpunim- Bujar Hudhri: Ishte një terren i vështirë dhe vazhdimisht binin rrufe”, fotografia e bashkangjitur në këtë artikull është edituar dhe shkrimtarja Flutura Açka është larguar, përcjell KultPlus.

Në fotografinë origjinale që ka publikuar Açka, vërehet ajo në cep të fotografisë, ndërkaq në atë të publikuar me artikullin, kjo e fundit është larguar.

Sikur ta kishin në dorë stalinistët e mi të dashur, ma kishin retushuar edhe fjalën!”, ka shkruar Açka në Facebook. / KultPlus.com

‘Kënga e pranverës’, poezia e Yllka Domit që u botua në New York Times

Yllka u vra bashkë me disa bashkëluftëtarë dhe ushtria serbe, për të fshehur gjurmët, trupin e Yllkës bashkë me trupat e tjerë të vrarë, i dërguan në një varrezë masive në Batajnicë, për t’u gjetur e rivarrosur më 23 dhjetor 2003 në Kodrën e Çabratit, në Gjakovë.

Në kohën kur ajo u vra, ishte në vitin e fundit të shkollës së mesme “Mazllom Këpuska” dhe nuk arriti ta përjetonte diplomimin e saj. Por, Yllka ishte shumë më tepër se kaq. Ajo ishte poete që premtonte të sillte një frymë të re në poezinë shqiptare.

Në vijim, KultPlus ju sjell poezinë ”Kënga e pranverës”, poezi kjo e cila ishte botuar edhe në New York Times Magazine” nga Chris Stephen.

Nuk do të jemi bashkë,
jetërave tona po u afrohet fundi.
Nuk do të njihemi,
bashkë nuk do të takohemi,
do të derdh lot,
duhet ta dish se nuk ka shpresë më për mua,
e kam dashur shpirtin tënd më tepër se veten.
Shkrova për ty kujtimin
që të mund të gjesh prehje.
/ KultPlus.com

‘Nëna e zë vendin e cilitdo, por vendin e saj nuk e zë dot askush’

E diela e dytë e muajit Maj, njihet botërisht si Dita e Nënës.

Për të shënuar këtë ditë, KultPlus ju sjell disa nga thëniet më të njohura për nënën.

-Zemërmi i nënës është si bora e pranverës. Bie shumë, por shkrin shpejt.

-Nëna është ajo që mund të zërë vendin e kujtdo, por vendin e saj nuk mund ta zërë askush.

-Çdo mbretëreshe ka madhështinë e saj, por madhështia e nënës është mbi të gjitha mbretëreshat e botës.

-Nënë është fjala më e bukur në buzët e njerëzimit.

-Nuk gjen në botë jastëk më të mirë se sa prehëri i nënës, e as trëndafil më të bukur sesa thellësia e shpirtit të saj.

-Në këtë botë egoiste, vetëm nëna dëshiron të të shohë gjithmonë të lumtur.

-Një nënë shikon gjithçka, flet pak, sakrifikon çdo gjë , ankohet pak, jep shumë dhe pret pak. Gjithçka që ajo dëshiron është që fëmijët e saj të jenë të lumtur.

-Gjithçka që është e bukur te njeriu, është krijuar prej rrezeve të diellit dhe prej qumështit të nënës, dhe kjo na mbush me dashuri, përjetësisht.

-Dora që përkund djepin, është ajo që rrotullon fatin e njerëzisë, sepse ajo dhe vetëm ajo e drejton jetën drejt horizonteve të ndritura ose të errta.

-Nëntë muaj je ushqyer nga gjaku i saj, ke marrë frymë nga oksigjeni i saj. Në hapat e para të jetës je mbajtur nga duart e saj… Mundohu që pjesën tjetër të jetës të bëhesh shkaku i lumturisë së saj. / KultPlus.com

Kroacia, shteti i parë në Ballkan që miraton pasaportën e Covid-it

Kroacia është bërë shteti i parë ballkanik dhe njëherit nga të parët edhe në Evropë që zyrtarisht ka miratuar pasaportën e Covid-it, përcjell KultPlus.

Ministri i Brendshëm, Davor Bozinovic ka thënë se qëllimi i këtij vendimi është lehtësimi i udhëtimit dhe mundësimi i turizmit.

“Këto janë çertifikate dixhitale jeshile që kanë për qëllim lehtësimin e udhëtimit. Çertifikatat e Covidit do të lëshohen bazuar në të dhënat e njerëzve që kanë mbijetuar Covidin në 180 ditët e fundit”, ka theksuar ministri, përcjell tutje KultPlus.

Çertifikatat do të lëshohen në PDF, qytetarët do të jenë në gjendje të paraqesin kërkesa përmes sistemit e-Citizens. Këto çertifikata do të jepen edhe fizikisht në 150 degë të Institutit Kroat të Sigurimeve Shëndetësore.

Verifikimi do të kryhet duke lexuar kodet QR. Pasagjerët mund të ngarkojnë faturat e tyre në PDF për tu verifikuar më shpejt duke shmangur kolonat kufitare.

Çertifikata e Covidit do të lëshohen nga 1 qershori i këtij viti dhe pritet që të ngjallin sezonin turistik në Kroaci. / KultPlus.com

Për herë të parë, Shqipëria kalon 24 orë pa asnjë të infektuar me Covid-19

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama përmes një statusi në rrjetin social Facebook, ka treguar se sapo kanë kaluar 24 orët e pata pa asnjë të sëmurë ne Covid-19, shkruan KultPlus.

”LAJM I BUKUR
Sapo kanë kaluar 24 ORËT E PARA pa asnjë të sëmurë me Covid të paraqitur në dyert e Spitalit Infektiv qysh nga marsi i vitit 2020
”, ka shkruar Rama.

Shqipëria është ndër vendet e Evropës që procesin e vaksinimit e ka zhvilluar shumë shpejt dhe deri më tani është bërë e ditur se janë vaksinuar mbi 500.000 persona. / KultPlus.com

Gruaja që krijoi ditën e nënës përfundoi duke e urryer

Nëse edhe ju e urreni gjithë këtë komercializim të ditës ndërkombëtare të nënës, imagjinoni si do ndihej Anna Jarvis po të ishte gjallë, gruas që iu desh të kalonte shumë peripeci derisa të bënte të mundur nderimin e nënës qoftë thjesht dhe vetëm në një ditë të vitit.

Megjithatë, pak para se të ndërronte jetë, Jarvis pranoi se pendohej për shumëçka lidhur me Ditën e Nënës. Nëse do të jetonte ende, Anna do të ish’ duke përjetuar makthin më të madh të jetës së saj.

Përpara se të ndërronte jetë, mamaja e saj, Anna Reeves Jarvis shpresonte që dikush t’i dedikonte një ditë speciale mamave. Kur ajo ndërroi jetë më 9 maj 1905, Jarvis vendosi ta bënte ëndrrën e së ëmës realitet.

Kështu nisi një fushatë jo vetëm ndaj mamasë së saj, por ndaj kujtdo. E gjitha nisi fillimisht në qytetin e saj të lindjes, Grafton, Virginia perëndimore, e cila shënon vendin e parë që mundësoi organizimin e kësaj feste zyrtare (tre vite më vonë) në kishën Andrews Methodist Episcopal që sot konsiderohet si vendi i shenjtë përsa i përket kësaj dite të shënuar.

Në 1914- n, presidenti Woodrow Wilson nënshkroi një projekt- ligj që njihte ditën e nënës së Jarvis- it si festë kombëtare.

Ka një arsye përse është Dita e Nënës dhe jo e nënave

Qëllimi i kësaj dite ishte një dhe i vetëm: nderimi i nënës më të mirë që ka jetuar ndonjëherë sipas teje. Shkurt, nënën tënde. Por sot, festa ka marrë përmasa globale duke uruar këdo që është bërë nënë apo të festuarit mes mamash, pa praninë e fëmijëve.

Kështu, Jarvis mohoi festën e saj

Jarvis nuk mund ta kapërdinte faktin që njerëzit shpenzonin kaq shumë para për lule, çokollata apo dhurata me çmime marramendëse. Si fillim protestoi ndaj luleshitësve të cilët rrisnin çmimet në ditën në fjalë. Më pas akuzoi zonjën e parë Eleanor Roosevelt për përdorimin e Ditës së Nënës si një mënyrë për të promovuar shëndetin dhe mirëqenien e fëmijëve dhe grave. Jarvis- it nuk i pëlqente kjo lidhje dhe deformim që po i bëhej festës.

Jarvis vdiq në sanatorium në 1948- n. Sot njerëzit vazhdojnë ende të blejnë lule, bizhuteri… dhe mesatarisht pritet që sot, vetëm populli amerikan të shpenzojë plot 25 miliardë dollarë. /KultPlus.com