Nexhmije Pagarusha, ikonë nacionale e kulturës sonë

Nga Rafet Rudi

Nexhmije Pagarusha hyn në radhën e atyre personaliteteve në muzikën tonë që fuqishëm e shënojnë kohën e vet. Praktikisht periudha kohore në të cilën ajo veproi, mjedisi në të cilën ajo zhvilloi aktivitet si dhe zhanri të cilit ajo i takon, identifikohen plotësisht me të, me zërin e saj me frymën e saj.

Nexhmija, ka përfaqësuar bukurinë e muzikës sonë popullore. Ajo ka qenë shenja me të cilën muzika jonë popullore është njohur në ish Jugosllavi, në Ballkan dhe më gjërë. Për më tepër, bukuria e zërit të saj (kjo është fatlumsia e jona), ka përcaktuar koordinatet njohëse dhe identifikuese të muzikës sonë popullore. Kornizat e kësaj muzike, historikisht, për të parën herë janë evidentuar si të tilla. Përmes saj, ne kemi filluar ta njohim vetëveten. Në mungesë të shenimeve dhe regjistrimeve, ne nuk i njohim veçoritë specifike të muzikës sonë të epokave të mëhershme. Përmes inçizimeve të para tonike, në periudhën e pas luftës dytë botërore, kur, në mes tjerësh edhe Nexhmija fillon të bën regjistrimet e para në Radio, pikërisht në atë periudhë, ne kemi filluar ta njohim, më për afër, muzikën tonë. Andaj me zërin i saj, Nexhmije Pagarusha, me regjistrimet që na e ka lënë në trashëgimi, historikisht për herë të parë, e ka përcaktuar fizionominë e muzikës tonë popullore. Ne, përmes muzikës së saj, e kemi njohur më në fund veten.

Specifikat e “muzikës kosovare” në zërin Nexhmijes

Ndonëse muzikën e saj, ne e përgjithësojmë dhe e shkrijmë (me arsye) në nocionin “muzika shqiptare”, është interesant, gjithashtu, se me një analizë më të thellë krahasuese, shohim se ajo bartë një origjinalitet edhe më përcaktues, meqë përfaqëson karakteristikat kryesore të këngës popullore shqiptare të veriut. Ajo e ka pasuruar në veçanti muzikën kosovare, duke e bërë të njohur si të tillë. Ndoshta ky dimension është vendimtar që ajo, si askush tjetër, ka qenë e adhuruar edhe në Shqipëri, si përfaqësuese më e denjë e muzikës tradicionale shqiptare në Kosovë.

“Impostimi natyral” i zërit të Nexhmijës

Kaptinë e veçantë e trashëgimisë që na len Nexhmija, është pa mëdyshje, fuqia e vokalit të saj. Nexhmija nuk iu ka nënshtruar një regjimi shkollor sistematik dhe më të gjatë, të zërit. Zëri saj është “i lindur”, dmth., ajo ka një “impostim natyral”, gjithsesi të jashtëzakonshëm, që shumë rrallë mund të haset. Gjithmonë është thënë se zëri i saj ka shtrirje (diapazon) të gjërë dhe absolutisht të jashtëzakonshëm. Zëri i saj ka karakteristikat e një soprani të lartë (gati të një soprani koloratur), njëkohësisht ka karakteristikat e një soprani dramatik dhe në këtë zë shquhen njëkohësisht karakteristikat e një alti të thellë. Te Nexhmija “bashkëjetojnë” në mënyrë të natyrshme të gjitha këto karakteristike. Për më tepër, në të gjitha këto regjistra, ajo gjithmonë e ruan veçantinë e ngjyrës së saj specifike.

Fakti se Nexhmija nuk pat fat të studionte kanton, nuk mendoj se është ndonjë humbje e madhe për profilin vokal të saj. Paradoksale duket por e vërtet është se në perfeksionimin sistematik shkollor të zërit, në procesin e zhvillimit maksimal të teknikës vokale, krahas përparësive që nominalisht ky shkollim krijon, ekziston rreziku real që zëri të bëj transformim radikal në atë masë saqë i humbë veçoritë iniciale të ngjyrës, të karakterit identifikues, humbë butësinë intime, humbë afinitetin personal për melizma specifike etj. Duke iu nënshtruar literaturës të etabluar të zhvillimit teknik të zërit, pësojnë doemos disa parametra tjerë natyral të zërit. Kjo mund të jetë e dëmshme, sidomos, për zëret që kanë “impostim natyral” (të cilin e ka poseduar Nexhmija). Në anën tjetër edhe në domenin e kulturës së frazimit, të shprehjes specifike, mund të zbehen karakteristikat që bartin një bagazh specifik nacional, meqë i nënshtrohen një literature të një muzike të standardizuer dhe unike. Pikërisht, me këtë impostim natyral, të lindur, dhe me një talent muzikor evident të jashtëzakonshëm, Nexhmija arrin të përballon copëzat vokalisht të vështira vokale, sikundër që i gjemë te “Baresha” dhe te “Nje Lule”.

Kënga jonë në duart e Nexhmijës dhe Rexhos

Kapitull i veçantë i jetës së saj ka qenë bashkëpunimi i dendur me kompozitorin tonë Rexho Mulliqin. Rexhoja, si një muziktar inteligjent, e njihte në thelb kapacitetin real të vokalit të Nexhmijës. Ai e optimizonte këto mundësi të Nexhmijës në mënyrë precize dhe në mënyrë unike. Këngët që ai i shkruante për të, janë ekzakt të kompozuara për mundësitë vokale të saja, për ngjyrën dhe karakterin e zërit të saj. Së këndejmi, “Baresha” dhe “Një lule” (këngët emplematike të saja) me vështirësi këndohen nga këngëtarë të tjerë. Nexhmija, është thjeshtë “bashkëautore” e këtyre këngëve, sado paradoksale që kjo duket. Bashkëpunim, në mes këtyre artistëve të veçantë të muzikës sonë (i këtij cifti bashkëshortor), të cilët gjenin frymëzim te njëri tjetri, në mes të cilëve qarkullonte një energji e një kreativiteti të lart, ka ndikuar direkt në profilimin artistik të saj. Për aq sa ata, njëri – tjetrit i dhanë, për aq fitoi kënga jonë.

Në fund të themi se: atë që Édith Piaf paraqet për muzikën franceze (shansonën), Vaçe Zela për muzikën në Shqipëri, Amália Rodrigues për muzikën portugeze (fado), të cilat janë ikona kulturore nacionale dhe shtylla të kulturës së tyre, pikërisht atë paraqet Nexhmija për muzikën shqiptare. “Bilbili i Kosovës” është trashëgimi e madhe, e pakapërcyeshme e këngës shqipe. Ajo mbetet institucion i veçantë kulturës sonë nacionale. / KultPlus.com

Kurora 150 vjet e vjetër në ankandin e “Sotheby’s”

Një tiara (kurorë me xhevahire – v.j.), e përcjellë ndër breza nga familja mbretërore e Italisë, do të jetë një nga bukuritë në ankandin e stolive të shtëpisë “Sotheby” në Gjenevë, që mbahet javën e ardhshme.

E datuar nga gjysma e dytë e shekullit të 19-të, kjo tiarë ishte dhuratë për Maria Vittoria dal Pozzo gjatë martesës së saj më 1867 me Amadeon I të Savojës, më vonë mbret i Spanjës.

Tiara paraqet motive të holla të përshkuara nga diamante dhe perla natyrore dhe shitet me një çmim të përllogaritur nga 1 deri në 1.5 milionë dollarë.

“Është një copëz e vërtetë, e bukur dhe historike, që ka mbetur në Shtëpinë e Savojës për më shumë se 150 vjet”, ka thënë Benoit Repellin, kryesues i shitjes së stolive shkëlqimplota në “Sotheby”.

Shitja e 11 majit do të shpalosë edhe diamante të mëdha dhe gurë të çmueshëm me ngjyra, përfshirë edhe një safir të vitit 1930, si dhe një karficë diamanti që përbën safirin më të madh nga Kashmiri që është shfaqur ndonjëherë në një ankand – një perlë vezake 55.19 karatë – ashtu sikundër edhe një safir tjetër kashmiras që peshon 25.97 karatë.

E vlerësuar se do të mbledhë nga 2 deri në 3 milionë dollarë, ai i takonte trashëgimtares së një fabrike, ka thënë Olivier Wagner, drejtor i departamentit të stolive në “Sotheby”.

Safirët e Kashmirit janë të kërkuar që prej kur u zbuluan në fund të shekullit të 19-të dhe minierat u qëmtuan rreth 20 vjet, ka thënë ai për “Reuters”.

“E vetmja mënyrë për t’i gjetur ata është t’i blesh në ankand”, ka thënë ai.

Fotolegjenda: Një zyrtare e stafit në “Sotheby” mban një tiara me diamante, e cila është përcjellë ndër breza në familjen mbretërore italiane. Ankandi do të mbahet gjatë javës së ardhshme në Gjenevë. / KultPlus.com

“Korça Short Film Fest” fton të gjithë kineastët që të aplikojnë për edicionin e sivjetmë


“Korça Short Film Fest” fton të gjithë kineastët shqiptarë që të aplikojnë me filmat e tyre në thirrjen e fundit të këtij viti, e cila do të jetë e hapur deri më 15 Maj, shkruan KultPlus.

“Të gjithë kineastët e interesuar janë të ftuar të dërgojnë filmat e tyre të shkurtër
përmes platformës Filmfreeëay duke përdorur kodin: Korca2021”, thuhet në njoftimin e organizatorit, të cilët kanë njoftuar se aplikimi është pa pagesë.

“Korça Short Film Fest” do të organizohet në muajin korrik./KultPlus.com

Këta janë super-filmat që mund t’i shikoni këtë fundjavë në Cineplexx

Këtë fundjavë, në Cineplexx mund t’i shikoni disa nga premierat më të fundit botërore.

Vikendi është kohë që më së miri kalohet duke shikuar filma, dhe ku t’i shikosh filmat më të rinjë dhe më mirë se në Cineplexx. Këtë vikend, në kinemanë në Prishtinë dhe Prizren mund t’i shikoni 9 filma të ndryshëm, të cilët shfaqen në orare të ndryshme nga ora 12:00 deri në ora 21:30 në kinemanë në Prishtinë dhe në Prizren. Top 3 filmat të cilët mund t’i shikoni këtë fundjavë në Cineplexx janë:

1) Those Who Wish Me Dead
Një adoleshent, dëshmitar i një vrasje e gjen veten të ndjekur nga vrasësist binjakë në shkretëtirën e Montanës me një eksperte mbijetese me detyrë ta mbrojë djaloshin – dhe një zjarr në pyll që kërcënon t’i konsumojë të gjithë.

2) Mortal Kombat
Luftëtari i arteve marciale Cole Young kërkon kampionët më të mëdhenj të Tokës në mënyrë që së bashku të qëndrojnë kundër armiqve të Outworld në një betejë me rrezik dhe pasoja të mëdha për gjithë universin.

3) Nobody
Një kalimtar i rastit që ndërhyn për të ndihmuar një grua që ngacmohet nga një grup burrash bëhet objektivi i një zoti hakmarrës të drogës.

Përveç këtyre tre filmave, në të dy kinematë po shfaqen filmat Godzilla vs Kong, horrori Wrong Turn, komedia The Comeback Trail, si dhe animacionet Raya and the last Dragon, Tom and Jerry dhe Soul.

Kinemaja në Prishtinë dhe Prizren, nis punën nga ora 12:00, ndërsa për të gjithë filmat që po shfaqen dhe oraret e shfaqjeve mund t’i gjeni në linkun këtu.

Në prag të turit të koncerteve, Kreshnik Zhabjaku: Kam mall dhe emocion për Shqipërinë dhe për publikun shqiptar

Kreshnik Zhabjaku, është bariton shqiptar që jeton dhe punon në Nju Jork(SHBA),  pasi u largua nga Shqipëria pas trazirave që ndodhën në vënd  në vitin 1997.

Sot, qytetar i botës dhe një artist me një karrierë të admirueshme, vijon karrierën e tij 20 vjecare,  me sukses në SHBA, Europë dhe më gjërë.

Kur e pyet për lidhjen e tij me këngën, thotë që e nuk mban mënd të mos ketë dashur ndonjëherë  të këndojë , ndërsa e qënura bariton në një nga metropolet e botës, e bën të ndihet mirë dhe i jep vitalitet .

Kreshnik Zhabjaku, studimet  e para i kreu në Liceun Artistik “Jordan Misja”, me  pedagoge, Ermelinda Papariston dhe më pas në Akademinë e Arteve me artisten e madhe Nina Mula,  pedagoge të  cilat sikundër thekson  ai në këtë intervistë, i dhanë  bazën e suksesit të tij muzikor .

Zhabjaku, ka kryer Masterin në Konservatorin Mannes College of Music 2003 NYC dhe është fitues, “Këngëtari më i mirë” i “Mbrëmjes së Romancës Shqiptare” 1996.

Fitues i “Arleen Auger Memorial Fund Scholarship” dhe “Motrat Qirjazi Scholarship” 2001 NYC, fitues i Çmimit “Franco Gentilesca”NY 2002,  Finalist i “Nico Castel International Master Singer Competition” 2011, NYC.

Ai është përshëndetur fuqishëm nga gazeta Washington Post: “…një recitalist në lule te karrierës së tij” dhe nga Gazeta Houston Chronicle që shkruan: “… Kreshnik Zhabjaku zoteron një zë të embel, te fuqishëm dhe prezencë në rolin kryesor…”

Karriera e tij operistike njeh role të ndryshme. Si solist në Operën Kombëtar Shqiptar ka kënduar rolin e Massetto-s, Mozart Don Giovanni, Gaudenzio në Signor Bruschino dhe Figaro në Il Barbiere di Seviglia të dyja të Rosinit. Me Opera in the Heights ka kënduar rolet Bel Core nëL’elisir D’amore, Donizetti, dhe Don Giovanni te Don Giovanni, Mozart. Për këtë rol Gazeta Huston Press shkruan: “Në rolin e shthurur të Don Giovanit Kreshnik Zhabjaku të bën ta shohësh me një qetësi të këndshme. Rolin e percjell me një seksualitet të natyrshëm. Kjo është arsyeja që zonjat e ndjekin me vëmendje. Zëri i tij ngjitet mbi muzikën e Moxartit me shkathtësi pa e shqetësuar…”

Kreshnik Zhabjaku,  ka kënduar rolin e Eneas në Dido &Eneas të H. Purcell me One World Symphony, NYC, Belcore në L’Elisir D’amore, Donizetti, Germont në La Traviata Verdi dhe Figaro në Le Nozze di Figaro me Rogue Opera, Oregon.

Ai ka kënduar në Festivalin Ndërkombëtar Bel Canto at Caramoor në Katonah, NY 2005 dhe 2007. Count Zetate “Vejusha Gazmore”, Franz Lehar me Manhattan Lyric  si dhe shumë role të tjera.

Kreshnik Zhabjaku, do të jetë në Shqipëri në muajin qershor, i ftuar nga Albanian Excellence, një qëndër që promovon nga viti 2012, suksesin shqiptar, e  cila në bashkëpunim me Bashkitë  Pogradec, Korcë, komunat Dibër e Strugë (Maqedonia e Veriut),  do të organizojë një tur koncertor më kuintetin Albanian Excellence dhe sopranon e mirënjohur me banim në Nju Jork, Deshira Ahmeti.

“Promovimi dhe prezantimi i këngës qytetare është mëse e nevojshme sot”, thotë baritoni i mirënjohur në këtë intervistë ndërsa shprehet  se,”ka mall dhe emocion për Shqipërinë dhe për publikun shqiptar”.

Publiku në Shqipëri më dha duartrokitjet e para dhe të ngrohta. Janë gjëra të paharrueshme” cilëson ai.

F.N : Kreshnik, çfarë ndjesie ju jep sot e qënësia juaj bariton në një nga metropolet e botës ?

K.ZH:  E qënura bariton në një nga metropolet e botës, më bën të ndihem mirë  dhe sigurisht që më jep vitalitet .

F.N: A është e vëshirë është të bëhesh bariton ?

K.ZH : Sigurisht ka vështirësitë e veta po rruga e këngëtarit klasik ka vështirësi të mëdha nga që trajnimi dhe mirëmbajtja e vokalit është jetike. Zëri baritonit ka veçantinë e tij sepse quhet si materiali kadif (i ngrohtë) i zërave.Pikërisht, këtu qëndron për mua, vështirësia e baritonit, për të arritur këtë perfeksion .

F.N: Kur e kuptuat ju këtë vështirësi ?

K.ZH : Kjo vështirësi për mua, ka qënë gjithmonë e pranishme,  pasi kur je i ri duhet gjithmonë balanca e gdhëndjes së timbrit tënd autentik me ngrohtësinë që i kërkohet tipit të zërit.

F.N: A e kujtoni kohën kur ju lindi dëshira të këndoni e të mendoni se:” po unë … do ja kushtoj jetën këngës “ ?

K.ZH : Unë nuk mbaj mënd asnjëherë të mos kem dashur të këndoj. Vij nga një familje artistësh, nëna ime ka qënë  pianiste/coach/komcertmaster për 36 vjet në TKOB , ndërsa babai Ismail Zhabjaku regjisor filmash në Kinostudio. Motra ime Azeta Kola Zhabjaku, ka studiuar për piano dhe flaut, ndërsa sot jeton në Amerikë ku  ka marrë titullin PhD në Historinë Botërore. Me pak fjalë që  i vogël kam qënë gjithmonë nën praninë e instrumentave muzikorë dhe këngëtarëve të mrekullueshëm të Operas Kombëtare.

F.N: A kujton ndonjë ndodhi nga fëmijëria juaj ?

K.ZH: E bukur ka qënë momenti rreth moshës 6 ose 7 vjeç kur mbasi kisha dëgjuar me muaj e vite provat e Operas Traviata e kisha memorizuar dhe mami kur po bënin prova skenike në një pushim më thotë Kreshnik : “hajde kendo”, dhe më vuri mbi piano për të kënduar pjesë nga opera. Si Alfredon ashtu dhe Violetën edhe babain Giorgio.

F.N: Ka patur ndonjë moment që jeni dorëzuar e keni thënë: “nuk mundem më …”

 Ne se jo… pse ?

K.ZH: Ka patur momente sidomos kur erdha në Amerikë, që lodhja e të qënurit artist është më e madhe se dëshira për të kënduar. Por vullneti nuk më ka munguar asnjëherë dhe ajo më ka shtyrë në momente të caktuara. Dashuria për artin klasik gjithmonë ka qënë jeta ime.

F.N Cfarë do të kujtonit nga studimet në Tiranë , sa të vlefshme kane qënë për karrierrën tuaj ?

K.ZH: Studimet në Tiranë kanë qënë baza e karrierës sime artistike. Kam pasur fatin të studioj në Liceun Artistik “Jordan Misja” me Ermelinda Papariston një edukator i përkushtuar. Dhe më pas kam pasur fatin të studioj me artisten e madhe Nina Mula. Këtu është edhe rritja ime si këngëtar. Do të kujtoja nga të gjitha nivelet e edukimit tim përkushtimin e mësuesve dhe pedagogëve atë asaj kohë. Nga që doja rezultate të larta pedagogët e vinin re dhe kërkonin më shumë nga unë. Ka qënë kjo, që kur fitova konkursin në Mannes College of Music mu ofrua bursë dhe mbaj mënd (më vjen për të qeshur) kur fillova orën e parë të solfezhit pedagogja Ms. Aaron më thotë: “nuk duhet të jesh në këtë nivel, është bërë gabim. Duhet të jeshë në klasën e pianistëve dhe violinistëve. Solfezh 3”

F.N: Si dhe pse shkuat të jetoni e të punoni në Nju Jork ?

K.ZH: Mbasi përjetova ngjarjet e vitit 1997, nuk kishte më kuptim qëndrimi im në Shqipëri. Unë u bëra pjesë e departamentit të solistëve në Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit,  por pasiguria më shtyu për t’u larguar.

F.N: A mund të përshkruani një ditë tuajën në metropolin e botës?

K.ZH: Ka vështirësitë e saj,  por kënaqësia është shumë më e madhe. Takimi me artistë nga e gjithë bota është një ndjesi e mrekullueshme. Muzikë ka kudo në të gjithë lagjet e NYC kështu që ndihesh si në shtëpi.

F.N:Cfarë ka përfituar Kreshniku në karrierën e tij profesionale në Nju Jork ?

K.ZH: E them gjithmonë NYC,  ka qënë i mrekullueshëm në jetën dhe karrierën time artistike si në Opera ashtu dhe në jetën koncertale.

F.N: Po në anën personale ?

K.ZH : Edhe nga ana personale jam i dashuruar se çfarë afron NYC.

F.N: Cilat janë rolet më pikante që keni interpretuar ?

K.ZH: Figaro te Berberi i Sevilies (Rosini), Oniegin te Evgeni Oniegin (Çajkovski) dhe Don Giovanni (Moxart) .

F.N: Roli i jetës tuaj dhe pse ?

K.ZH:  Oniegin mund të them. Muzikaliteti dhe fuqia emocionale e Çajkovskit ka qënë dhe është e magjishme për mua.

F.N: Cili është qëllimi i largët që keni ju në karrierën tuaj muzikore ?

K.ZH: Të vazhdojë gjithmonë rrugën që kam nisur dhe shpresoj që të jem mbartës i denjë i muzikës që përfaqësoj.

F.N :A keni  idhull në jetën tuaj artistike ?

K.ZH: Nëna dhe babai im.

F.N: Bashkëpunimi juaj i parë me Albanian Excellence ka qënë kënga Silent Night , në dhjetor të vitit të kaluar . Pse ju bashkuat kësaj iniciative të AE që në fakt ishte një mesazh mirësie ndaj viktimave e situatës së krijuar nga Covid19?

K.ZH: Bashkëpunimi me AE ka qënë një ndër projektet më me vlerë humanë të jetës time jo vetëm për mesazhin e mrekullueshëm që përcolli por ishte kënaqësi të jesh brënda një grupi të mrekulkueshëm artistësh.

F.N:  Po bashkëpunimin me sopranon e mirënjohur Dëshira Ahmeti si do ta konsideronit ?

K.ZH: Çfarë të them për Dëshirën…?,  jo vetëm që e njohim njëri tjetrin qysh në Akademinë e Arteve ku dolëm nga duart e zysh Ninës por, për mua, kënaqësia që ndjej kur jemi bashkë në projekte të ndryshme është e dyfishtë. Në nivelin human ajo dhe familja e saj janë miq të vyer në familjen tonë dhe si kolege është një artiste e rëndësishme për Maqedonin, Shqipërinë dhe më tej.

F.N: Së shpejti në muajin qershor, ju do të vini në Shqipëri … Si ndiheni ?

K.ZH: I mallëngjyer dhe plot dashuri.

F.N: Do të jeni protagonist i një turi koncertor në disa qytete ne Shqipëri dhe në Maqedoninw e Veriut … së bashku me kuartetin Albanian Excellence ?

K.ZH: Edhe një herë e theksoj që është kënaqësi të punosh me artistë të denjë.

F.N: A keni mall dhe emocion për Shqipërinë dhe për publikun shqiptar …?

K.ZH: Absolutisht. Publiku në Shqipëri më dha duartrokitjet e para dhe të ngrohta. Janë gjëra të paharrueshme.

F.N:  A mendoni që iniciativa e Albanian Excellence për të sjellë ne një interpretim të ri, muzikë mirëfilli shqiptare, do të ketë sukses ?

K.ZH: Patjetër promovimi dhe ekspozimi i këngës qytetare është mëse e nevojshme sot.

F.N: A keni një mesazh për artëdashësit shqiptarë që do ju ndjekin në këtë koncert ?

K.ZH: Hajdeni të kalojmë një mbrëmje të ëmbël me muzikën e krijuar nga vetë populli. Të zhvishemi nga hija e virusit dhe të kënaqemi me njëri tjetrin.

F.N: Po nje mesazh për popullin shqiptar kudo ku ai jeton ?

K.ZH:  Mesazhi im është të ruajmë vlerat e mira të të parëve dhe të kujtojmë gjithmonë si nga spektri politik por edhe ai krahinor që jemi një dhe të përbashkët në arritjen e objektivave të kombit.

F.N : Faleminderit./ KultPlus.com

Shpaloset ekspozita e Shkamb Jakës, kombinim i artit dhe shkencës në një plasaritje të ngjyrave

Era Berisha

Gjithsej gjashtë piktura të cilat shpalosin botën e fizikës kuantike, astrofizikës dhe metafizikës në një formë të vendeve utopike virtuale janë prezantuar sot në ekspozitën e titulluar ‘’Spooky Action at a Distance’’, në Paper Gallery, shkruan KultPlus.

Këto gjashtë piktura gjetën ekzistencën e tyre në formën e skicave dixhitale të frymëzuara nga idetë e Niels Bohr, Einstein, Michio Kaku, Tyson ku së bashku me eksperimente dhe teori të ndryshme si: “double slit experiment”, “casimir effect”, “theory of relativity”, “string theory”, u gjallëruan në formën e pikturave reale të cilat ishin vendosur brenda katër mureve.

Vizitorë të shumtë patën rastin të shohin këto piktura që portretizojnë punën e artistit Shkamb Jaka, për të cilin kthimi i gjeometrisë Euklidiane në piktura si pasqyrim i një bote 3D që mund të përjetohet vetëm në një mënyrë 4D është qasja kryesore e tij.

Shprehja e botëkuptimit të artistëve që shpeshherë ndoshta edhe nuk e gjejnë shpjegimin specifik të mënyrës së të shprehurit përmes artit e ku këtë herë ka ndodhur po njëlloj me Jaken, i cili ka përplasur këto piktura që ndoshta për shumë kë mund të duken të pakuptimta por për shumë të tjerë ato depërtojnë në kompleksitetin e mendimeve dhe ideve dhe kështu zhvillojnë një qasje artistike të veçantë të perceptimit.

Në mesin e gjashtë pikturave, ajo e cila dallohej nga të tjerat ishte piktura e cila sipër saj e kishte të vendosur një video-instilacion të po të njëjtit imazh por aty është shfaqur skica dixhitale e artistit që dukej se i është bashkangjitur pikturës në një ngjyrim të vetëm identik. Këtu lehtësisht dëshmohet dhe dallohet talenti dhe puna e vërtetë e një artisti.

Ndërsa për të folur më shumë rreth idesë për këtë ekspozitë, e pranishme ishte edhe koordinatorja nga Paper Gallery, Rina Statovci.

“Koncepti i Paper Gallery është dhurimi i një platforme për artistët e rinj si Shkambi dhe ne gjithmonë mundohemi që galerinë tonë ta dhurojmë si një hapësirë ku artistët e rinj shqiptarë dhe ndërkombëtarë të vinë ta shfrytëzojnë dhe realizojnë ekspozita personale ose projekte tjera si instalacione, video-instalacione, performanca dhe çka do që ka të bëjë me art”, tha ajo.

Sipas saj, bashkëpunimi me Shkambin është menduar qysh nga viti 2020 ku është vendosur që ekspozita të gjejë vend në muajin maj. Por, që në fakt ideja origjinale ka qenë ofrimi i një pjese tjetër të Paper Gallery vetëm për një punë të tij por pas disa bisedimeve dhe pas përfundimit të konceptit që Shkambi ka pasur për këtë ekspozitë është vendosur që të ofrohet e gjithë hapësira e Paper Gallery që ai të realizojë një ekspozitë personale.

“Artistët e rinj që shumë shpesh nuk zhvillohen sepse Kosova si një shtet i vogël nuk është shumë i pasur dhe nuk ka kushte të mjaftueshme që ata të kenë një hapësirë. Prandaj, ata nuk duhet të ndalen sepse ka vende ekspozuese në Kosovë ku ofrohen këto mundësi artistëve të rinj që të shfaqin punën e tyre”, përfundon ajo.

Ekspozita e hapur për publikun erdhi në një formë mjaft të bukur ku në mesin e ngjyrave, dritat po vinin në pah ende më shumë detajet e veçanta të këtyre pikturave të cilat kapnin syrin e çdo kujt që afrohej për ti parë dhe analizuar thellësisht ato.

Kurse për të folur më shumë rreth procesit të pikturimit të një pune një-vjeçare, për KultPlus foli vetë artisti Shkamb Jaka.

“Ekspozita është frymëzuar nga një thënie e Ajnshtajnit ku ai është frikësuar nga një eksperiment, një eksperiment ky që në njëfarë forme i ka thyer të gjitha ligjet e natyrës dhe atë se çfarë ai ka thënë deri atëherë. Saktësisht ka të bëjë me dritën që ekziston si valë edhe si grimcë por që Bori e ka kundërshtuar duke thënë se drita është grimcë vetëm kur observohet që do të thotë se drita ka një koishencë të veten dhe tani kur ajo observohet, kthehet në grimcë”, shprehet Jaka.

Sipas tij, kur drita ka koishencë ajo mundet të telekomunikojë që do të thotë se është më e shpejt sesa shpejtësia e dritës dhe ky konstatim i ka thyer ligjet e natyrës, me ç’rast është quajtur Spooky Action at a Distance dhe njëkohësisht erdhi si emër i kësaj ekspozite.

Për Jaken, procesi i pikturimit ka qenë pak i vështirë sepse është dashur të arrihet në një përfundim për të treguar botëkuptimin e tij dhe shpjeguar atë në mënyrën më të mirë, por që me mbështetjen e profesoreshës së tij Zake Prelvukaj, e cila ka qenë përkrahësja më e madhe, kjo ekspozitë erdhi deri në prezantimin e saj.

“Unë do e veçoja pikturën e parë sepse ka nisur një stil të ri tek unë gjatë pandemisë dhe që tani ajo mund të shihet në dy forma, në dixhitale dhe fizike. Prandaj, pavarësisht sfidave prapa skenave, kjo ekspozitë është shfaqur ashtu siç e kam imagjinuar dhe dëshiruar”, përfundon Jaka për KultPlus. / KultPlus.com

Kur “La Tradition” publikonte këngën shqiptare të shitësit të misrave nga Prizreni

Nga Aurenc Bebja

“La Tradition” ka botuar, me 1 janar 1906, në faqet 15-17, një këngë të veçantë popullore shqiptare, kënduar asokohe rrugicave të Kostandinopojës nga një djalosh 17 vjeçar nga Prizreni me emrin Osman Mustafa, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Këngë popullore nga Konstandinopoja dhe Arkipelagu

I. – Kënga e shitësit të misrave

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Gjatë mbrëmjeve të gjata të dimrit, të rinjtë shqiptarë, nëpër rrugicat e errëta të Kostandinopojës, shesin pije freskuese dhe misra të pjekura. Për të tërhequr vëmendjen, ata këndojnë me zë të lartë ;

I

Ndërsa pjekja misrin,

Dhe po shfryja avujt prej tij.

Zëri im u ngjir i ulëritur nëpër rrugë:

Misër i sapo pjekur !

Pronari përgatit misrin;

Djali kujdeset për shitjen,

Nëse ai nuk e shet atë,

Ai (shefi) do t’i administrojë shkopin!

II

Kjo është kokrra e bizeles së pjekur e shqiptarit;

Ky është hobi i Hanumëve.

Misri i sapo përgatitur.

Shefi përgatit misrin;

Djali kujdeset për shitjen,

Nëse ai nuk e shet atë,

Ai do t’i administrojë shkopin!

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

III

Unë nuk e shita misrin tim;

Unë nuk mund të shpëtoj nga shporta ime;

Sonte në shtratin tim, nuk do të jem në gjendje të pushoj në qetësinë time.

Misër i sapo pjekur…

IV

Unë gjithashtu e shita misrin tim;

Këtë mbrëmje e hoqa qafe shportën time;

Këtë natë në shtratin tim, pushova i qetë.

Misër i sapo pjekur…

V

E kam lexuar Elifin (1) ; Unë e njoh atë përmendësh;

Natën dhe ditën blini shumë misrin tim.

Nesër në mbrëmje, kush e di nëse do të kthehem!

Misër i sapo pjekur…

VI

Nuk shes më boza (2); misri im është shumë i mirë tani.

Nëse nuk e besoni, shijojeni, do ta shihni!

Çdo kokërr peshon njëqind drame (3).

Misër i sapo pjekur…

VII

Kam sjellë misrin nga Selaniku;

Kërcëllon nën dhëmb: ai është shumë i freskët;

Këto janë bilbilat e sarajeve, trëndafilat e Kostandinopojës!

Misër i sapo pjekur…

VIII

Sinan trimi merr hua, duke menduar se nuk do të paguajë;

Pronari im është me të vërtetë i pari në Kostandinopojë;

Ai pjek kokrra bizeleje të një cilësie të lartë dhe i shet me çmim të ulët,

Sepse ai synon të mos shlyejë paratë që merr hua …

Bejlerët janë klientët e tij!

Misër i sapo pjekur…

IX

Misër i sapo dalë nga furra !

Mund të numërojmë kokrrat;

Pas meje fëmijët ndihen keq.

U vjen keq që nuk blenë ca tek unë!

Ata nuk kanë para; nënat e tyre i qortojnë.

Misër i sapo pjekur…

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

X

Shporta ime po digjet; avulli del prej saj :

Misrat janë shumë të freskët!

Fëmijët i shikojnë nëpër dritare: janë misra për tu admiruar!

Misër i sapo pjekur…

XI

Shitësi i misrit ka ardhur; ai po largohet.

Të gjithë blerësit e vlerësojnë atë

Nëse blini ndonjë; paguajini çmimin.

Ja po largohet tregtari i misrit.

Misër i sapo pjekur…

(Kënduar në tetor 1886, në Konstandinopojë, nga Osman Mustafa, atëherë 17 vjeç, tregtar misri, i lindur në Prizren të Shqipërisë).

(1) Alfabeti.

(2) Një lloj pije alkoolike e marrë nga meli me anë të fermentimit, e shitur në dimër nga shqiptarët në rrugët e Kostandinopojës.

(3) Më shumë se 300 gram.

 https://www.darsiani.com/la-gazette/la-tradition-kenga-e-shitesit-te-misrave-nga-prizreni-ne-rrugicat-e-erreta-te-kostandinopojes-ne-tetor-te-1886/

Vala e parë e emigrimit të shqiptarëve në SHBA në fillim vitet 1900

Shqiptarët ishin populli evropian që iu drejtuan të fundit Amerikës, për shkak të traditës së vjetër për të emigruar në vendet evropiane.

Shqiptari i parë që shkeli në Amerikë është një qytetar i paidentifikuar nga qyteti i Korçës i cili arriti në SHBA në vitin 1876. Pas tij në nëntor të vitit 1877 shkoi në Amerikë prifti shqiptar Prend Doçi.

Shtetasi i parë shqiptar që u vendos në Amerikë shërbeu si bërthamë magnetike për emigrantët e tjerë shqiptarë. Ishte Kolë Kristofori nga fshati Katund i Korçës që arriti në Amerikë më 1884-ën. Pas gjashtë vitesh Kolë Kristofori u kthye ne fshatin e lindjes. Por më 1892, ai u rikthye në Amerikë së bashku me 17 bashkëfshatarë të tij, të cilët formuan bërthamën e Diasporës shqiptare në SHBA. Më 1900 shumë shqiptarë të tjerë iu drejtuan Amerikës.

Numri i shqiptarëve të regjistruar si të tillë figuron të jetë 4105 për periudhën 1900-1932. Shifrat reale janë edhe më të larta, por për shkak të regjistrimit si shtetas të perandorisë osmane ose grekë është vështirë të bëhet një numërim i saktë i shqiptarëve të emigruar në ato vite në SHBA. Ndër këta shqiptarë përmendim mbiemra si: Mortati, Braçe, Luarasi, Peci, Konica, Noli, Millone, Flloqi, Kirkoa, Cikozi, Dishnica, Idrizi, Ymeri, Kamburi, Pandele etj..

Kategoritë e emigrantëve

Emigrantët e parë shqiptarë në SHBA mund të ndahen në dy kategori: në emigrantë ekonomikë, të cilët largoheshin nga atdheu për të fituar para dhe në emigrantë politikë, të cilët detyroheshin të largoheshin për arsye politike. Lidhur me çështjen se cila kategori e emigrantëve ishte mbizotëruese, ka patur mendime të ndryshme. Disa autorë janë të mendimit se emigrantët ekonomik formonin masën kryesore të emigracionit shqiptar në SHBA. Autorë të tjerë mendojnë të kundërtën.

Vitet 1904-1905

Valët më të fuqishme të emigracionit u përkasin viteve 1904-1905 dhe 1909-1912, vite këto të karakterizuara nga tensione të forta politike të krijuara nga ngjarje që sollën shpalljen e pavarësisë, si dhe vitet 1913-1914, veçanërisht vera e vitit 1914 kur Shqipëria e jugut u pushtua prej ushtrisë greke. Në këtë periudhë shqiptarët vijonin të ishin shtetas të Perandorisë Osmane dhe shkonin në Amerikë me pasaporta osmane, prandaj edhe në listat e emigracionit të zyrave amerikane ata figuronin si shtetas osmanë. Një pjesë tjetër regjistroheshin si grekë për shkak të lidhjeve fetare me Patriarkanën e Stambollit dhe prej koncepteve zyrtare të shtetit osman, i cili shqiptarët e besimit ortodoks i konsideronte grekë për nga kombësia. Madje, shumë emigrantë erdhën edhe nga vendet ballkanike, Bullgaria, Rumania, etj, ku kishin emigruar prej kohësh. Si të tillë ata erdhën në Amerikë me dokumente identifikimi jo shqiptare.

Numri i saktë

Si rrjedhojë e të gjithëve këtyre faktorëve, është e vështirë të gjesh numrin e saktë të emigranteve shqiptarë që u vendosën në Amerike në dhjetëvjeçarin e parë të shek. XX. Sipas dokumentacionit zyrtar federal të vitit 1910, në SHBA ndodheshin 625 shqiptare. Gjatë viteve 1911-1914 në ShBA mbërritën 1528 shqiptarë, ndërsa në vitet 1915 deri 1919 numri i tyre bie ndjeshëm në 694 vetë. Në strukturën demografike të Diasporës shqiptare të Amerikës, mbizotëronin burrat, sepse ata, duke dashur të riktheheshin përsëri në atdhe, nuk i merrnin gratë dhe pjesën tjetër të familjes së tyre. Numri i grave shqiptare në SHBA erdhi duke u rritur pas vitit 1920, kur shumë shqiptarë vendosën të qëndrojnë atje si banorë të përhershëm.

Gazeta “Kombi”

Sipas gazetës ‘Kombi’ i pari fëmijë me prindër shqiptarë lindi në janar të 1908-ës në familjen e Kristo Koçit nga Korça. Pjesa dërrmuese e emigrantëve shqiptarë që vinin në SHBA ishin nga Shqipëria e jugut. Fuqizimi nga ana ekonomike i këtyre  emigrantëve nxiti edhe mjaft shqiptarë të tjerë t’i drejtoheshin Amerikës. Pas vitit 1905, interesat tregtare bënë që të hidheshin hapa të rëndësishëm drejt një emigracioni të organizuar të shqiptarëve në SHBA.

Ku u vendosën emigrantët?

Megjithëse ligji amerikan i emigracionit në vitin 1907 ndalonte ardhjen e emigrantëve në SHBA me para të marra borxh, shqiptarët të cilët në të shumtën e rasteve udhëtonin me para të siguruara në këtë mënyrë, mund t’i bënin ballë atij në pjesën më të madhe, duke deklaruar para doganës amerikane se paratë e udhëtimit i kishin siguruar prej prindërve ose të afërmve të tyre që ndodheshin në SHBA. Shqiptarët e parë që erdhën si emigrantë në Amerikë, u vendosën në pjesën më të madhe të tyre në qytetin e madh të Bostonit dhe pikërisht në pjesën jugore dhe perëndimore të qytetit. Pas Bostonit ata u vendosën në qytete apo qyteza të tjera të shtetit Masaçustes. Qendër e rëndësishme e emigrantëve shqiptarë u bë Anglia e re (New England).

Jetesa

Për një periudhë relativisht të shkurtër një pjesë e emigrantëve shqiptarë, sigurisht më të zotët, arritën të zbulonin të fshehtat e funksionimit të ekonomisë së një vendi që ofronte mundësi pa kufi, ata filluan të merreshin edhe me tregti. Sipas gazetës  ‘Kombi’ deri në fund të vitit 1907 shqiptarët ishin shpërndarë në 12 qytete amerikane. Shumë domethënëse, për integrimin e shqiptarëve në SHBA ishin dhe reklamat që publikoheshin në faqet e gazetës ‘Kombi’, të cilat u bënin jehonë biznesmenëve shqiptarë që jetonin në qytete të ndryshme të Amerikës. Shumë interes paraqet edhe mënyra e jetesës së emigrantëve shqiptarë. Të gjithë bashkëfshatarët ose bashkëqytetarët grumbulloheshin si rregull, në të njëjtat qendra banimi. Kjo dukuri lidhet me faktin se një fshatar apo një qytetar shqiptar i ardhur në Amerikë kthehej shumë shpejt në një pikë tërheqëse për bashkëfshatarët apo bashkëqytetarët e tjerë. / Diaspora Shqiptare / KulPlus.com

Haxhiu: Do të ndërmarrin masa për adresimin e dhunës në familje

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka takuar mbrojtësit e viktimave të dhunës në familje, me rastin e përvjetorit të aprovimit të Konventës së Stambollit, me ç’rast tha se është shqetësuese rritja e rasteve të dhunës në familje, për që do të ndërmarrin masa për adresimin e këtyre rasteve.

Pas takimit me mbrojtësit e viktimave, Haxhiu tha se Qeveria Kurti e ka prioritet adresimin e dhunës në familje.

“Do të angazhohemi për ndërmarrjen e masave për adresimin e dhunës në familje, në mënyrë që të ndëshkohen e jo të neglizhohen siç ka ndodhur në të kaluarën. Për neve mbetet shqetësuese rritja e rasteve të dhunës në familje. Ne sot planifikojmë të aprovojmë programin qeverisës dhe në këtë drejtim, shumë prej çështjeve që adresohen edhe sa i përket dhunës në familje adresohen në prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë, që rastet e dhunës në familje të jenë sa më të vogla”, tha ajo.

Menaxheri i Zyrës për ndihmë dhe mbrojtje viktimave, Basri Kastrati, tha se vizita e sotme tregon seriozitetin dhe përkushtimin për trajtimin e rasteve të dhunës në familje.

“Sfidat që i adresuam bashkërisht, do të jenë prioritet i MD, dhe sigurisht që rastet e dhunës në familje do të trajtohen me shumë seriozitet nga organet e drejtësisë. Prioritet i joni është që zëri i viktimës të dëgjohet gjatë procedurës”, tha ai. / KultPlus.com

Jeta paralele e Maks Velos

 

Maks Velo u lind në Paris, në vitin 1935, në familjen e Sotirit, mjek të diplomuar në Athinë dhe të specializuar si okulist në Francë, dhe Ani Poros – vajzës së një emigranti nga Dardha e Korçës. Kur ishte pesë vjeç, familja e tij u kthye në Korçë, ku Maksi kreu studimet deri në vitin e dytë gjimnaz.

Me 7 maj të 2020, Velo shuhet në banesën e tij në Tiranë.

Në Korçë ka qenë nxënës i piktorit Vangjush Mio. Në vitin 1952, familja është zhvendosur në Tiranë, ku Maksi ka përfunduar dhe studimet e larta në degën e Inxhinierisë së Ndërtimit – Arkitekturës

Edhe pse me profesion arkitekt, piktura ka qenë një pasion, të cilin Maksi e ushtronte rregullisht, i tërhequr nga rryma impresioniste, ekspresioniste dhe surrealiste. Këto prirje në pikturë dhe qëndrimi kundër doktrinës socialiste në art dhe politikë, sollën dërgimin e tij në disa fshatra derisa e arrestuan në vitin 1978, kur ishte 43 vjeç. Dy vite më parë ai ishte ndarë nga bashkëshortja, me të cilën ka një djalë. Ish-bashkëshortja dëshmoi kundër Maksit për qëndrimet e tij moderniste në pikturë. U akuzua për agjitacion dhe propagandë kundër shtetit dhe u dënua me 10 vjet burg. Shumë nga pikturat dhe objektet artistike që iu gjetën në shtëpi (249), u shkatërruan me urdhër të Gjykatës. U lirua me amnisti para mbushjes së afatit të dënimit, në vitin 1986.

Në vitet 1990, Maks Velo ka botuar një varg librash me tregime dhe skica rreth kohës së burgut, si dhe një koleksion të madh pikturash.

Si artist, ai krijoi në disa gjini të artit: pikturë, prozë, poezi, publicistikë sikundër ishte i angazhuar në çështje të aktualitetit shqiptar.

Historia e jetës së Maks Velos është ndoshta një simbol se si funksiononte komunizmi duke shkatërruar shoqërinë deri në bërthamën më të fortë e të shenjtë, atë të familjes.

I denoncuar nga ish-gruaja dhe miqtë e tij ai u arrestua dhe përfundoi në burg dhe iu shkatërruan më shumë se 200 vepra arti nga regjimi diktatorial.

Në një nga rrëfimet e tij në media pas viteve ’90 ai ka rrëfyer se u njoh dhe u dashurua me një vajzë, që vetëm pas martesës do të zbulonte se ishte agjente e Sigurimit të Shtetit dhe faktori kryesor në dënimin e tij 10 vjeçar.

Shumë vite më vonë ai do të lexonte dhe dëshminë e njeriut më të afërt të tij që e çoi drejt arrestimit.

Cikël i ri i piktorit Maks Velo. Përshtypjet lirike për Parisin

Ky është një cikël i ri i piktorit Maks Velo me përshtypjet lirike për Parisin, vendlindjen e tij. Pa u kujdesur shumë për detajin, por duke dhënë gjendje të tij të çastit, ai na shpalos emocionin e qytetit më romantik të botës. Duket se adhurimi për këtë qytet e bën më të çlirët, por nga ana tjetër e nguc të shpalosë me forcën e materialit të vizatimit atë që e ngërthen brenda dhe e mban kaq të lidhur me qytetin e madh… / KultPlus.com

Sot ditëlindja e Nexhmije Pagarushës, bilbilit të muzikës shqipe

Më 7 maj 1933, në fshatin e vogël Pagarusha, afër Malishevës, lindi Nexhmije Pagarusha, këngëtarja dhe aktorja e madhe shqiptare nga Kosova, shpesh e referuar si mbretëresha e muzikës shqiptare, shkruan KultPlus.

Veprimtaria e saj muzikore 50-vjeçare është aq e gjerë, sa që është vështirë të thuhet se cilit zhanër i takon.

Është e njohur për interpretimet e saj të shkëlqyera në muzikën popullore dhe opera.

Kur flitet për Nexhmije Pagarushën, përdoren në një frymë shumë epitete si, Bilbili i Kosovës, Mbretëresha e Këngës Shqipe, Primadona e Melosit Popullor, e shumë epitete të tjera.

Repertori i saj interpretues është tejet i gjerë dhe i larmishëm. Veçohen këngët “Ani mori nuse”, “Kur më del në derë”, “Metelikun ta kam fal”, “Po të pres te dega e fikut”, “Mora testinë”, “Kënga e Rexhës” etj.

“Baresha” është një ndër kryeveprat e interpretimit të saj që ruan elemente folklorik të këngës.

Nexhmie Pagarusha ka ushtruar edhe aktivitet prej aktoreje, duke u paraqitur në disa skena të filmave “Tre vetë kapërcejnë malin”, “E kafshoja terrin”, “Fluturimi i Micakut”.

Pagarusha fitoi vlerësime si artiste në Kosovë dhe vendet fqinje për gamën e saj të veçantë vokale soprano, të cilën ajo e shfaqi duke interpretuar këngë të ndryshme popullore kosovare gjatë karrierës së saj, e cila zgjati 36 vjet, nga viti 1948, në debutimin e saj në Radio Prishtina, deri në vitin 1984, në koncertin e saj të fundit në Sarajevë.

Më 2012, u dekorua me “Nderi i Kombit” nga presidenti i Shqipërisë.

Nexhmije Pagarusha vdiq më 7 shkurt 2020 në moshën 86-vjeçare. / KultPlus.com

Vendet e BE-së do të përjashtojnë Izraelin nga kufizimet e udhëtimit

Bashkimi Evropian ka përfshirë Izraelin në listën e vendeve që mund të përjashtohen nga kufizimet e udhëtimit.

Në njoftimin e Këshillit të BE-së thuhet se lista është azhurnuar dhe se Izraeli është përfshirë në listën e vendeve për të cilat kufizimet e përkohshme të udhëtimit mund të hiqen në lidhje me pandeminë e koronavirusit (COVID-19).

Në listën e BE-së më parë ishin Australia, Zelanda e Re, Ruanda, Singapori, Koreja e Jugut, Tajlanda dhe në përputhje me reciprocitetin, Kina.

Në mars, BE-ja vendosi kufizime për udhëtimet jo të detyrueshme në 27 shtete anëtare, si dhe Islandën, Lihtenshtajnin, Norvegjinë dhe Zvicrën, të cilat janë pjesë e zonës Shengen, në mënyrë që të parandalojë përhapjen e koronavirusit.

Lista jo-detyruese për shtetet anëtare rishikohet çdo dy javë dhe ka statusin e një “rekomandimi”. / KultPlus.com

Triumfi i letërsisë mbi dënimet

Fjala e Prof. Dr. Bajram Kosumit, autor i librit “Letërsia nga burgu/kapitull më vete në letërsinë shqipe” (2020) në promovimin e librit në Tiranë (2021).

Si autori për të cilin flitet, unë do të duhej të isha më i privilegjuari në këtë amfiteatër. Por nuk jam. Janë ata të tjerët, mijëra të burgosur të cilët me fjalën e bukur e mundën ferrin ku ferronin. Fjala e shkruar e tyre është testamenti më i përsosur letrar: triumfi i letërsisë mbi dënimin dhe ligjin.

Letërsinë e lexojmë për kënaqësi estetike. Lexuesi e zgjedh librin, autorin apo një poezi sipas shijes së tij. Sado kjo është e drejtë e pavarur e tij, këtë e ndikojnë edhe lexuesit e tjerë, sidomos ata me autoritetin e lexuesit të madh, në veçanti historianët e kritikët letrar. Me të drejtë, edhe krijuesit edhe lexuesit shikojnë me përimtësi punën e historianit të letërsisë.

Detyra e historianit është ndryshe: të gjejë ligjësitë e një letërsie të caktuar, të një grupi a të një shkolle, si dhe faktorët letrarë, kulturorë, socialë që e kanë ndikuar atë letërsi. Të gjejë elementet karakteristike të një letërsie, ato elemente ligjërimore, stilistike, tematike e zhanrore që e dallojnë atë nga pjesa tjetër e letërsisë dhe i japin asaj identitetin letrar, si dhe të dallojë elementet e reja të saj që i solli trungut letrar. Kështu, historianët e shohin letërsinë jo vetëm si një vepër apo si tërësi veprash letrare, por edhe si shfaqje letrare e kulturore, karakteristike për një grup shoqëror. Kjo është arsyeja pse historianët e letërsisë i kushtojnë aq kujdes periodizimit, dallimit të shkollave e teorive letrare, identifikimit të cdo entiteti letrar etj.

Pikërisht këtë qasje kam pasur si qëllim në librin Letërsia nga burgu: të dëshmoj ekzistimin e një shfaqje letrare në letërsinë shqipe, e cila paraqitet si entitet më vete, bashkëjeton me letërsinë bashkëkohore, por dallon nga ajo në shumëçka.

Për hir të disa lexuesve të cilët më kanë shkruar në fejsbuk, apo me të cilët kemi diskutuar për librin, duhet të bëj dy mohime:

1. Nuk e kam pasur qëllim të shkruaj historinë e letërsisë nga burgu, sepse pavarësisht se kam analizuar ose marrë shembuj prej rreth dyzet veprave të kësaj letërsie, kanë mbetur pa u analizuar dhe cituar edhe shumë të tjera.

2. Nuk kam pasur qëllim të krijoj një hierarki të vlerave të letërsisë nga burgu, për arsye se dyshoj në mundësinë e krijimit të hierarkisë në letërsi.

Qëllimi im i vërtetë në këtë libër është të dëshmoj se, sado rrethanat politike mbas vitit 1945, dhuna, diktatura, burgosjet dhe vrasjet etj., dhe sidomos ato pas vitit 1981 në Kosovë, sollën vuajtje e mjerime të pashembullta, personale dhe nacionale, ato krijuan rrethanat për lindjen e dy shfaqjeve të jashtëzakonshme kulturore e letrare.

Shfaqja e parë ndodhë në Shqipëri, në vitet 50-60 të shekullit XX. Letërsia u shndërrua në corpus delicti. Nga ana e pushtetit kjo është për keqardhje, sepse ai kërcënoi letërsinë dhe burgosi shkrimtarët. Por nga ana e shkrimtarit, kjo tregon se statusi i letërsisë në shoqërinë shqiptare u ngrit në kulmin e vet: shkrimtarët kundërshtohen me vetëdije dhe me bindje të plotë me pushtetin, duke rrezikuar dënimin me burg apo me vdekje. Liderët politikë të shtetit citojnë dhe anatemojnë

shkrimtarët publikisht në forumet shtetërore e politike. Familja shqiptare, nëna, ati, vëllai e motra e kuptojnë rrezikun e madh për jetën e përditshme që u vjen nga letërsia dhe kundërshtimi me shtetin. Edhe po të duan të mos kundërshtohen me shtetin, letërsia i shpie në atë rrugë. Mblidhen në grupe private katër, pesë, gjashtë e më shumë krijues dhe lexojnë poezitë e njëri tjetrit, diskutojnë për letërsinë etj., duke rrezikuar statusin e tyre social. Më në fund pësojnë vetë shkrimtarët: burgosen, dënohen, internohen, pengohen etj., për shkak të një krimi: letërsia!

Ka shumë pësime nga kjo politikë: personale, njerëzore, politike, sociale, ekonomike e përplot të tjera. Vetëm letërsia fiton: ajo ngritet në pikën më të lartë, diçka për të cilën ja vlen të sakrifikohesh dhe diçka për të cilën gjykatat dënojnë njerëzit me vdekje, si bënë gjykatat shqiptare deri pak para rënies së komunizmit.

Sado grekët dhe latinët e vjetër e ngritën letërsinë në kult, vetëm një herë në historinë e letërsisë, romantikët europian, e ngritën letërsinë në majën e kulturës njerëzore. Hegeli e bëri barazimin midis zotit që krijon planetët dhe artistit që krijon veprën, në mos e lartëson artistin më shumë se vetë zotin: vepra artistike paraqet të bukurën më të lartë se e bukura e botës që shohim dhe e njohim; ndërsa e bukura e botës është reflektim i të bukurës absolute të zotit; artisti nuk e arrin bukurinë absolute të zotit, por e ngre më lartë reflektimin e kësaj të bukure në tokë.

Shndërrimi i letërsisë në corpus delcti, përveç anës së errët, ka edhe çmimin e një fakti që ndan jetën nga vdekja, e ky për letërsinë është çmimi më i lartë në historinë e saj.

Shfaqja e dytë ndodhë në Kosovë, me Revolucionin e vitit 1981, i cili u godit me dhunë të shfrenuar të Serbisë/Jugosllavisë. Vrasje, burgosje, tortura, dënime drakonike, diferencim social, politik e ekonomik të mbështetësve të revolucionit. Bëhet e famshme fjalia e Fadil Hoxhës nga ajo kohë: për mbështetësit e republikës “bira e miut 300 grosh!” Revolucioni që përshiu gjithë shoqërinë shqiptare, në njërën, si dhe gjykatat jugosllave të cilat dënuan për tri vjet mbi një mijë intelektual të rinj, studentë, gazetarë, shkrimtarë etj. në anën tjetër, sado sollën vuajtje e mjerim njerëzor, politik, social e ekonomik, krijuan rrethanat për një prej shfaqjeve më të shkëlqyera në historinë e letërsisë dhe në kulturën shqiptare: letërsinë nga burgu

Të dyja këto letërsi, letërsia nga burgjet e Shqipërisë komuniste dhe letërsia shqipe nga burgjet serbo-jugosllave, të cilat përbëjnë një tërësi, me shumë elemente të ngjashme midis vetes dhe me shumë elemente të tjera të dallueshme me letërsinë tjetër shqipe, paraqesin një shfaqje letrare të veçantë, të cilën unë e quaj të mrekullueshme, e cila përmban vlera tematike, kulturore, stilistike dhe zhanrore. Këtë lloj të letërsisë nuk e kanë të gjitha letërsitë nacionale: e kanë ato kombe e ato shtete të cilat diktatura dhe dhuna i nënshtroi në jetën e përditshme por nuk e mundi dot letërsinë, si artikulim i dëshirës për liri. Kjo letërsi është e rëndësishme si për vlerat letrare, po aq edhe për ndërgjegjen shqiptare, si një katarsis kulturor, politik e letrar për shekullin e trazuar shqiptar. Ajo paraqet një vlerë të lartë letrare e morale të cilën ende nuk po e vërejmë dhe nuk po e përjetojmë sa duhet.

Ajo që synoj unë me këtë libër është që historianët e letërsisë ta vërejnë dhe ta theksojnë këtë shfaqje letrare në gjithë veçantinë e saj. Ajo ekziston si shfaqje brenda letërsisë shqipe dhe duhet trajtuar ashtu.

Hartuesit e cilësdo histori të letërsisë nuk mund të mos e shohin ekzistencën e kësaj letërsie si një tërësi. Autorët e veçantë të saj apo veprat e veçanta e bëjnë jetën e tyre letrar edhe pa vullnetin e

historianit të letërsisë, por veçimi, përkufizimi si shfaqje letrare dhe dhënia e vendit të merituar në historinë e letërsisë varet nga historianët e sotshëm të letërsisë.

Letërsia nga burgu vetëm deri para dhjetë vjetëve studiohej si “letërsi disidente”. Tash është shumë më e fortë prirja e studimit të saj si letërsi nga burgu, për të shmangur lokucionin politik, fort në modë deri para pak vjetëve, “letërsi disidente”. Në shumë universitete europiane e amerikane mësohet si kurs akademik brenda kurrikulës për letërsinë. Kështu, vetëm sa për shembull, ligjërohet në Boston Colege (Prof. Eric Weiskott), në Summer Schools at Magdalen College, University of Oxford (Prof. Dr Caroline Cole), në Georgetown Colege, në University of Colorado Boulder, në University of California, Santa Barbara, në University of Pennsylvania, School of Arts and Sciences, në State University of New York, College of Technology Canton, New York etj. Në disa universitete janë mbrojtur dhe vazhdojnë të mbrohen teza të doktoratës me letërsinë nga burgu. Në të gjitha këto raste, e në shumë tjera që nuk i përmendëm, ligjërohet e mësohet letërsia e krijuar në burg, kryesisht ajo e Europës Lindore, letërsia irlandeze, letërsia angleze dhe amerikane, letërsia afrikane etj.

Vetëm në universitetet shqiptare, në ato ku ka departamente të letërsisë shqipe, nuk mësohet si kurs i veçantë “letërsia nga burgu” në gjuhën shqipe.

Theksin e vë këtu për të theksuar qasjen institucionale dhe atë personale ndaj kësaj letërsie. Unë, si lexues, e lexoj lirikën nga burgu, letrat nga burgu, kujtimet nga burgu, romanet e shkruara gjatë internimeve apo menjëherë pas burgut etj., pra e lexoj Kasëm Trebeshinën, Mehmet Myftiun, Adem Demacin, Visar Zhitin, Merxhan Avdylin, apo librat antologjikë si Libri e Lirisë (1991), Letra nga burgu/ libër i censuruar (2004) etj. dhe kënaqi shijen time estetike.

Por, ta dallosh letërsinë nga burgu si një entitet në historinë e letërsisë shqipe është më shumë se një akt personal: është ta pasurosh letërsinë shqipe me një përmasë letrare që sjell tema e figura të jashtëzakonshme e paradoksale, një letërsi e krijuar në kushte të jashtëzakonshme, një letërsi plotë humanizëm-përkundër urrejtjes dhe armiqësisë zyrtare të asaj kohe kundër kësaj letërsie dhe autorëve të saj. Pra, unë angazhohem për një qasje institucionale ndaj kësaj letërsie: që nga botimi e deri te përfshirja e saj në kurrikulin shkollor, pra në historinë e letërsisë shqipe dhe në tekstet shkollore.

Më në fund, kjo letërsi na bën më të kuptueshëm edhe një fakt thelbësor për vetë artin dhe letërsinë: triumfin e letërsisë mbi shformimin ideologjik dhe nacionalist të shekullit XX dhe pushkatimet, varjet në litar, burgimet njëzetetetë vjeçare, izolimet politike, sociale e ekonomike, dëbimit e formave të tjera të dhunës.

Kjo letërsi dëshmon triumfin e vet. / KultPlus.com

Rritu!

Poezi nga Liridon Mulaj

Plagët e guralecëve ndër shputa
mbylli me dyll
Harroji tutat e shkyeme n’gjunj
e krahët mbushun me t’gërvishtuna
fëminije

Harroji!
Karrocat prej druni
shokët me flokë t’pa qethuna
Valët e detit harroji
edhe shkumën e tij t’gjelpt’

Vishi teshat e moralit
ndryj vetullat
e syve, terrojua driten
tash je burrë,
e lumtunia s’të ka ma hije

Kshtu m’tha baba dikur
e mandej iku
m’la vetëm… / KultPlus.com

Në Prishtinë do të ndërtohet obelisk në kujtim të viktimave të COVID-19

Komuna e Prishtinës ka ndarë një lokacion për vendosjen e obeliskut në shenjë mirënjohje për profesionistët shëndetësorë dhe në shenjë nderimi të atyre që kanë ndërruar jetë nga virusi COVID-19.

Ata që vdiqën nga COVID-19 në Kosovë do të mund të kujtohen çdo herë, nëpërmjet një simboli që pritët të ndërtohet në nderim të tyre.

Drejtoria e Planifikimit Strategjik dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm e Komunës së Prishtinës ka shqyrtuar kërkesën, drejtuar Kryetarit të Komunës nga Odat e Profesionistëve Shëndetësorë (Oda e Mjekëve, Oda e Stomatologëve, Oda e Farmacistëve, Oda e Infermierëve dhe Oda e Fizioterapeutëve) të Kosovës, për vendosjen e obeliskut në shenjë mirënjohje për profesionistët shëndetësorë dhe në nderim të atyre që kanë ndërruar jetë nga virusi COVID-19.

Kjo drejtori sipas kërkesës së lartcekur nga Odat e Profesionistëve Shëndetësorë të Kosovës dhe në bashkëpunim me zyrtarët e kësaj drejtorie, ka identifikuar lokacionin e kërkuar për vendosjen e këtij obelisku, i cili gjendet në kuadër të Planit rregullues urban “Prishtina e Re – Zona Perëndim” i miratuar me Vendimin e KK të Prishtinës,01. nr.35-186850, dt. 02.10.2013, sipas të cilit kjo zonë është paraparë të jetë për infrastrukturë rrugore.

“Lokacioni i kërkuar/propozuar shtrihet në pjesë të parcelës kadastrale,nr.2723-0, ZK Prishtinë, në pronësi – Pronë shoqërore, KK Prishtinë. Është propozuar që obelisku në fjalë të vendoset në hyrjen kryesore të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, andaj në aspektin e planifikimit nuk paraqet ndonjë pengesë për caktimin e lokacionit sipas kërkesës nga Odat e Profesionistëve Shëndetësorë të Kosovës”, thuhet në vendimin e Komunës së Prishtinës, të cilin e ka parë lajmi.net, e i cili do të miratohet edhe në Asamble.

Sipas këtij vendimi, bazuar në gjendjen faktike, konstatohet se hapësira ku do të vendoset obelisku është pjesë e infrastrukturës rrugore, përkatësisht sipërfaqe e gjelbëruar, andaj gjatë vendosjes së tij duhet t’i kushtohet kujdes i veçantë ambientit. Propozohet që të vendoset në madhësi, formë dhe material të përcaktuar sipas kërkesës së parashtruar (gjerësi 2.5 m dhe gjatësi 10 m). / KultPlus.com

E mendonin të vdekur, gruaja mbijeton me muaj në kanion duke ngrënë bar dhe myshk

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Utah të Shteteve të Bashkuara, ku një 47-vjeçare ka mbijetuar 4 muaj në një kanion të humbur, duke ngrënë vetëm bimësinë e rrallë që ndodhej aty, bar dhe myshk, dhe ujin e një përroi.

Gruaja, identiteti i të cilës nuk është bërë ende i ditur, ishte zhdukur 4 muaj më parë, dhe kërkimet kishin filluar që kur autoriteteve i kishte bërë përshtypje automjeti i saj i parkuar për kohë të gjatë në parkun e izoluar, i quajtur Diamond Fork Canyon, që do të mbyllej gjatë sezonit dimëror.

Asnjë denoncim nuk kishte ardhur kështu që misteri i automjetit u harrua, deri në rihapjen e parkut, pak ditë më parë.  Gjatë inspektimit të territorit me reliev të vështirë, policia pyjore gjeti një çadër kampingu të vogël me gruan në brendësi, në gjendje të vështirë shëndetësore dhe dukshëm nënpeshë, por jashtë rrezikut për jetën.  

Gruaja u transportua në spital ku tregoi për historinë e saj, edhe pse ende në gjendje konfuze.  Gruaja i ka rezistuar dimrit të ftohtë të kanioneve dhe ushqimit tejet të kufizuar, edhe pse rrëfeu që disa turistë i kishin lënë në fillim disa ushqime.

Sipas autoriteteve gruaja , që nuk rezulton të ketë një familje që ta kërkojë, mund të mos ketë humbur, por të ketë vendosur të rrijë aty disa kohë dhe më pas të ketë llogaritur keq forcat fizike, duke mos pasur më fuqi për të kërkuar ndihmë./a2/ KultPlus.com

BKK me shfaqje në kujtim të Ahmet Brahimajt, Çeku: Për baletin kosovar, ai e bëri pjesën e tij, tani është radha jonë

Në një vjetorin e vdekjes së Ahmet Brahimaj, Baleti Kombëtar i Kosovës dha reprizën e shfaqjes ‘Sisters’ me kereografi të Mehmet Balkan, shkruan KultPlus.

Pjesmarrës në këtë shfaqje ishte edhe Ministri i Kulturës, Harrulla Çeku i cili në një postim në Facebook ka shkruar se Ahmet Brahimaj mbetet një nga figurat kyçe në zhvillimin e baletit në Kosovë.

Tutje ai ka shtuar se pa figura si Brahimaj baleti kosovar do të dukej ndryshe, duke theksuar se Ahmet Brahimaj ka bërë pjesën e tij dhe na mbetet ne bëjmë pjesën tonë.

Më poshtë mund të lexoni statusin e tij të plotë:

Shfaqja e natës së sontme iu dedikua të ndjerit Ahmet Brahimaj, një prej figurave kyçe të zhvillimit të baletit në Kosovë, fillimisht si pjesëtar i gjeneratës së parë të baletit dhe më pas si drejtor i institucionit.

Ahmeti, me kontributin e tij jetësor në kulturë, mbetet një prej heronjve tanë popullor që i kanë dhënë shpirt vendit tonë. Ai i takon gjeneratës që e ka mbajtur kulturën gjallë me rezistencë dhe devotshmëri.

E kemi parë edhe në situatë pandemike që pa art dhe kulturë, muzikë dhe vallëzim, jeta është e thatë. Baleti në Kosovë, si medium, është kulmi i disiplinës, kapaciteteve fizike, ekselencës njerëzore.

Gjatë udhëheqjes së tij si drejtor, Baleti Kombëtar ngriti zërin tonë në botë. Trupa e baletit ka bashkëpunuar me shumë koreografë të shquar ndërkombëtarë, performoi anembanë Evropës, por më e rëndësishmja, u ofroi qytetarëve tanë netë të paharrueshme muzikore.

Pa figura si Ahmet Brahimaj, baleti kosovar do të dukej shumë ndryshe. E gjithë kultura kosovare e çmon, dhe i gjithë populli i Kosovës e nderon punën dhe figurën e tij në këtë përvjetor.

Për baletin kosovar, ai e bëri pjesën e tij, bile në mënyrë të jashtëzakonshme. Tani është radha jonë.

Qoftë i përjestshëm kujtimi për Ahmet Brahimajn./ KultPlus.com

Yuri Kim për Skënderbeun: Për guximin e tij është nderuar në të gjithë botën

6 maji është dita e lindjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut, i cili për herë të parë e pa dritën e diellit në vitin e largët 1405.

Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka publikuar në rrjete sociale statujën e tij në Michigan, teksa i uron ditëlindjen luftëtarit më të madh të Shqipërisë.

Ajo shkruan se ai e mbrojti me çdo kush popullin e tij dhe për guximin e pashoq u nderua në të gjithë botën, madje edhe në SHBA.“Pavarësisht nëse e njihni si Gjergj Kastrioti apo Skenderbeg, ai e shpalli veten Dominus Albaniae (“Zoti i Shqipërisë”) dhe mbrojti popullin e tij me të gjitha forcat kundër një perandorie pushtuese. Ai lindi këtë ditë, 6 maj, në 1405. Ai është i nderuar në të gjithë botën, duke përfshirë edhe në SHBA, ku qëndron kjo statujë e tij në Michigan. Besoj se guximi dhe këmbëngulja legjendare e Skënderbeut mbetet e gjallë në zemrat e shqiptarëve të sotëm. Gëzuar ditëlindjen luftëtarit më të madh të Shqipërisë – një frymëzim për të gjithë ne!”/ KultPlus.com

Si dukej Ambasada Amerikane në Tiranë në vitin 1938 (FOTO)

Godina e Ambasadës Amerikane në Tiranë dikur një si “Legata Amerikane në Tiranë”. Kjo godinë ishte gjithashtu rezidencë e ambasadorit amerikan.

Ndërtesa u ndërtua në vitin 1929, ndërkohë që marrëdhëniet diplomatike shqiptaro-amerikane u vendosën në vitin 1922 deri në vitin 1939, për tú rivendosur sërish në vitin 1991 me vizitën e Sekretarit amerikan të shtetit, Xhejms Beker.

Bejker në cilësinë e tij si Sekretari amerikan i Shtetit ishte zyrtari i parë më i lartë perëndimor që vizitoi Shqipërinë, e cila në atë kohë ndodhej ne tranzicion nga komunizmi në demokraci, dhe mbajti një fjalim para qindra mijëra qytetarëve shqiptarë në sheshin kryesor të Tiranës, Sheshin “Skënderbej”.

Ambasada ndodhej në të njëjtin vend ku ndodhet edhe sot, në Rrugën e Elbasanit, dhe SHBA-të e kishin blerë truallin në kohën e qeverisjes së Mbretit Zog.

Në pamje dallohet se pas krahëve të Legatës, shihet vetëm mali i Dajtit dhe nga të gjitha anët e godinës ka vetëm fusha boshe, ndërkohë që sot çdo gjë është ndryshe./ KultPlus.com

Viti 1985, kur Donika Gërvalla interpretonte me flautë në Radio Symphony Orchestra Tirana (VIDEO)

Donika Gërvalla, e cila është Zëvendës Kryeministre e Dytë dhe Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, njëkohësisht njihet edhe si një flautiste e zonja, shkruan KultPlus.

Ndërkaq, e njohur tashmë për publikun edhe si një flautiste e shkëlqyer, KultPlus ju sjell një video të vitit 1986, ku Gërvalla performonte me flautë.

Më poshtë gjeni videon e plotë. / KultPlus.com

Kurti: Vështirë të ketë pasur dikund tjetër ndonjë ushtri çlirimtare si kjo e jona që ka aq shumë dëshmorë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar Luan Haradinajn në 24 vjetorin e rënies së tij, përcjell KultPlus.

Kurti ka shkruar se Luan Haradinaj e  kalonte kufirin prej studentit te luftëtari me armën e vet dhe me armë për shokë.

Më poshtë mund të lexoni statusin e plotë:

Në 24 vjetorin e Luanit

Luan Haradinaj e kalonte kufirin prej studentit te luftëtari me armën e vet dhe me armë për shokë. Luan do të thotë të kalosh kufirin mes mënyrës studente dhe asaj luftëtare.

Nuk është e rendit të përditshëm kjo dashuri e dyfishtë për lirinë: për ushtrimin e mendimit të lirë dhe për jetën e lirë. Vështirë të ketë pasur dikund tjetër ndonjë ushtri çlirimtare si kjo e jona që ka aq shumë dëshmorë të cilët ranë duke bartur armatim për të tjerë luftëtarë që do të bëhen dëshmorë më pas./ KultPlus.com

Ajër me kokëdhembje

Nga Dije Demiri-Frangu

Oksigjeni i rralluar  si mendje pleqsh

Si flokë të një shëndetligu

Verë e ashpër ajër me kokëdhembje

Kishte vërshuar

Gjetheve hënës zogjve ju kish rënë tensioni

Ikona mesjete ishin bërë vetëm t’i shohësh

Zhegu punonte orkestronte milingonat

Që vrisnin me muzikë toke qetësinë e lodhur

Një re e zezë kërkohej

Zogj zëra fëmijësh pleqsh thërrisnin-oj ree

Një që dinte të qaj e të dënesë me të madhe kërkohej

Që të vajtojë zëshëm  mbi kufomën e asaj dite që po ikte

Bashkë me ajrin e rralluar si mendje pleqsh./ KultPlus.com

Polifonia në Gjirokastër tërheq turistë: Në verë priten më shumë festivale

Në Gjirokastër kënga polifonike është duke u promovuar përmes krijimit të teksteve të reja dhe përfshirjes së fëmijëve në grupe polifonike.

Njëri prej mjeshtrave të polifonisë Arjan Shehu tregon se nëse UNESCO nuk do ta kishte njohur dhe mbrojtur pak do ti dihej vlera. Sot ai shpreson që polifonia të përdoret si aset krahas trashëgimisë, kulturës dhe natyrës.

Përfshirja e fëmijëve si pjesë e grupeve polifonike është sipas muzikantit Gentian Selfo një qasje shumë e mirë ndaj kësaj trashëgimie. Polifonia dhe njohja e mirë e ritmit është diçka që i zbavit fëmijët dhe një mënyrë e mirë për të evidentuar talente.

Eventet e verës megjithëse do të jenë shumë të kufizuara në pjesëmarrje për shkak të masave do ta risjellin polifoninë në qendër të vëmendjes kombinuar me zërat e fëmijëve. Artistët e vjetër dhe të rinj po përpiqen të krijojnë ndërthurje mes polifonisë, këngës qytetare dhe folklorik koreografik. Përfshirja e vizitorëve për tu bërë pjesë e grupeve të këngëve dhe valleve do të jetë e veçanta e sezonit./ KultPlus.com

‘Midis librash një copë ëndërr ai vodhi’

Nga Alain Bosquet

‘Vjedhja’

Në dyqanin e bukës

Një copë bukë ai vodhi;

Katër muaj burg të zi.

Në kafenenë ndaj rrugës

Një copë sheqer ai vodhi:

E hidhur, e hidhur gjithë jeta

Do t’i bëhet tani.

Në kantierin fqinj

Një copë rrase ai vodhi:

Gjer në vdekje s’do ketë mbi kokë çati.

Midis librash

Një copë ëndërr ai vodhi

Për të qenë i lirë,

Dhe me pak lumturi./KultPlus.com

Portrait de l’écrivain français Alain Bosquet, en avril 1997, France. (Photo by Louis MONIER/Gamma-Rapho via Getty Images)