Ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku, ka bërë të ditur se kryeministri Albin Kurti, i ka shkruar letër, Kryemurgut të Manastirit të Deçanit z. Sava Janjic, ku ka shprehur dëshirën për ta vizituar Manastirin e Deçanit ditëve në vijim.
Siç thotë Çeku janë duke pritur për të marrë përgjigje rreth kësaj vizite, teksa është zotuar se qeveria e Kosovës, është e interesuar për për mbrojtjen e gjithë trashëgimisë sonë kulturore, dhe në veçanti të kishave ortodokse në shtetin tonë.
Postimi i plotë:
Qeveria e Kosovës është maksimalisht e përkushtuar për mbrojtjen e gjithë trashëgimisë sonë kulturore, dhe në veçanti të kishave ortodokse në shtetin tonë. Dialogu me klerikët ortodoksë në Kosovë është rruga e vetme për zgjidhje të qëndrueshme.
Së fundmi, Kryeministri i Republikës së Kosovës z. Albin Kurti i është drejtuar me një letër Kryemurgut të Manastirit të Deçanit z. Sava Janjić. Z. Kurti ka përsëritur zotimin e Qeverisë së Kosovës për mbrojtjen e kishave ortodokse dhe ka shprehur dëshirën e tij për të vizituar Manastirin e Deçanit ditëve në vijim. Ne ende jemi në pritje të përgjigjes për t’i diskutuar detajet praktike të kësaj vizite.
Sfidat tona të përbashkëta mund t’i adresojmë vetëm përmes komunikimit që fuziqon klimën e mirëbesimit. Retorika që nxitë urrejtje dhe përçarje mes komuniteteve nuk është zgjidhje dhe duhet të kundërshtohet nga të gjithë./ KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku gjatë ditës së sotme është takuar me ambasadorin e BE-së në Kosovë, Tomas Szynyog më të cilin kanë diskutuar rreth trashëgimisë kulturore në Kosovë, shkruan KultPlus.
Në njoftimin e bërë nga ministria theksohet se që të dyja palët janë pajtuar se duhet punuar në përfundimin e projekteve të filluara sa i përket trashëgimisë.
Gjithashtu tregohet se Ministra është e zotuar që të jap mbështetje maksimale në mbarëvajtjen e masave shtetërore për të ruajtur kulturën dhe historinë në Kosovë.
Më poshtë mund të lexoni njoftimin e plotë:
Diskutim mbi trashëgiminë kulturore me shefin e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, z. Tomas Szynyog
Ministri Çeku pati kënaqësinë e veçantë të zhvillojë një bisedë të frytshme mbi trashëgiminë kulturore në Kosovë me ambasadorin e BE-së, z. Tomas Szynyog. Në diskutim morën pjesë edhe zv. shefja e sektorit operacional në zyren e BE-së, znj. Hillen Francke, këshilltari politik z. Stefano Gnocchi, këshilltarja e ministrit znj. Nora Arapi Krasniqi dhe asistentja ekzekutive e ministrit znj. Donartë Kastrati.
Trashëgimia kulturore mbetet një nga pasuritë më të çmueshme të Kosovës, me histori shumë-shekullore të kulturave, popujve, feve dhe traditave të ndryshme. Në takim u pajtuan që duhet punuar drejt përfundimit të projekteve të veçse filluara në këtë fushë. Ka shumë monumente të cilat kërkojnë përkujdesje nga shteti i Kosovës me urgjencë.
Na presin sfida të ndryshme përbrenda fushës së trashëgimisë të cilat kanë filluar të adresohen me programin qeverisës. MKRS zotohet të jap mbështetjen maksimale dhe të sigurojë mbarëvajtjen e masave shtetërore për ta ruajtur identitetin, historinë dhe kulturën e Kosovë./ KultPlus.com
Në kuadër të nismës “Artistët në Presidencë”, në ambientet e këtij institucioni u promovua sot ekspozita me piktura e aktivistes së shoqërisë civile dhe artistes pamore nga Librazhdi, Bardha Alimeta, e cila drejton shoqatën “Një grua ndryshe”.
Pas fjalëve prezantuese të gazetarit Rexhep Polisi, të piktorit Buron Kaceli, Edlira Çepanit – drejtore ekzekutive e “Rrjetit Barazi në Vendimmarrje” dhe historianes së artit, Kasia Minarolli, presidenti Ilir Meta në përshëndetjen e tij, u shpreh: “Jam shumë i lumtur që jemi sot, së bashku, në këtë ditë të bukur pranvere, për të folur për një zonjë, apo për “Një grua ndryshe”, për zonjën Bardha Alimeta”.
“Duke folur për Bardhën, flasim dhe i shprehim mirënjohjen tonë mijëra grave të tjera shqiptare, që ashtu si ajo, i përkushtohen çështjes së mbështetjes dhe fuqizimit të grave e vajzave shqiptare dhe luftojnë fort kundër paragjykimeve e pengesave që hasin në jetën e tyre të përditëshme. Përtej arritjeve të jashtëzakonshme të shumë grave e vajzave në jetën politike, ekonomike e sociale të vendit, përsëri kemi raste të shumta, që tregojnë sesa e vështirë është të jesh grua, vajzë, nënë, aktiviste shoqërore, artiste apo shkencëtare. Sfidat e grave janë të shumta, nga vështirësitë e mëdha në tregun e punës në pabarazinë në paga, nga dhuna në familje në paragjykimet shoqërore, nga diskriminimi gjinor në mungesën e barazisë në pjesëmarrjen dhe përfaqësimin politik. Këto problematika bëhen akoma më të mprehta në zonat rurale apo në qytetet modeste të Shqipërisë. Duhet kurajo e vendosmëri t’i sfidosh dhe të përballesh me to. Bardha Alimeta e ka bërë me shumë sukses këtë në qytetin ku është lindur dhe ku jeton, në Librazhd. Ajo është një grua e fortë, që mbron të drejtat e saj dhe të grave e vajzave të tjera. Me shoqatën e saj ‘Një grua ndryshe’ ka bërë shumë për problemet sociale të grave në këtë qytet, duke i nxitur ato të kenë besim në vetvete dhe të luftojnë fort për atë, që duan të realizojnë në jetën e tyre. Por, kemi edhe një anë tjetër të Bardhës, që është shpirti i saj prej artisti, që ajo e shpreh nëpërmjet poezisë, prozës dhe pikturës. Gratë dhe vajzat janë kthyer në burim frymëzimi për librat e saj, si me sfidat dhe vuajtjet, ashtu edhe me arritjet e sukseset e tyre”, tha ai.
Në vijim, Meta duke folur për pikturën, tha se “tablotë e saj, që i kemi të ekspozuara sot, në kopshtin e bukur të Institucionit të Presidentit, janë të mbushura me ngjyra, ku dominojnë ato të pranverës”.
“Bardha Alimeta është një grua artiste që jeton e punon në Librazhd dhe që nëpërmjet artit të saj shpreh shpirtin e brishtë, por të fortë të gruas shqiptare, që ngrihet mbi çdo mendësi e paragjykim. Ajo, mes shumë përpjekjesh, sfidash e barrierash, na jep shembullin më të mirë se puna, pasioni, përkushtimi dhe dashuria për gjërat që i do fort, bëjnë të mundur çdo sukses. Është kënaqësi për mua të promovoj punën e zonjës Bardha Alimeta si artiste dhe si aktiviste dhe të mbyll fjalën time përshëndetëse me një thënie të Shenjtores sonë të madhe Nënë Tereza, që i shkon shumë për shtat Bardhës dhe të gjitha grave e vajzave që luftojnë për të drejtat e tyre: ‘Unë e vetme nuk mund të ndryshoj botën, por mund të hedh një gur në ujë, për të krijuar shumë valë’”, tha në mbyllje të fjalës së tij Presidenti./atsh/ KultPlus.com
Pikturat multidisiplinare të cilat janë punuar me tre teknika të veçanta por krejtësisht ndryshe nga njëra-tjetra ku shikuesi futet në një botë jo edhe aq të zakonshme, erdhën në një formë unike nga tre autorë si: Sali Shkupolli, Ilirjana Luzha dhe Flutra Hyseni, të cilët shpalosën një eksperiment të ri përmes punimeve të tyre në sheshin ‘Zahir Pajaziti’, shkruan KultPlus.
Në amfiteatrin e sheshit ‘Zahir Pajaziti’ të vendosura ishin rreth 35 piktura të cilat i përkasin tre teknikave diversive si: reliefi, ndryshku dhe skulptura. Vizitorë të shumtë dhe dashamirë të artit pamor arritën të shihnin nga afër këto punime nga ku edhe po dominonte ngjyra kafe që po njëlloj si materiali, tërhiqte vëmendjen e të pranishmëve.
Ekspozita e titulluar ‘Frymë’, mblodhi rreth vetes një admirim që po shihej në sytë e vizitorëve e po ashtu edhe në sytë e autorëve të cilët kanë vendosur mbi këtë bashkëpunim, me ç’rast po dukeshin të kënaqur me punën e tyre. Andaj, për të folur më shumë rreth procesit të punës, i pranishëm ishte edhe skulptori Sali Shkupolli, i cili për KultPlus shpalosi edhe idenë për të realizuar një ekspozitë të tillë.
“Ideja ishte e thjeshtë sepse gjatë pandemisë ishim më të lirë dhe kishim kohë në duar tona dhe kështu në bisedë e sipër erdhi ideja për ta realizuar një ekspozitë të tillë”, thotë Shkupolli.
Sipas tij, karakteristikë e ekspozitës është se këtu paraqitet teknika relief e punuar nga vetë ai, teknika pikturë me ndryshk dhe jo me ngjyra që do të thotë se është një risi sepse deri më sot, Shkupolli beson se askush nuk e ka punuar në botë këtë eksperiment të realizuar nga Ilirjana Luzha si dhe Flutra Hyseni e cila ka punuar mjaft shumë me qeramikë, polister dhe skulpturë.
“Procesi me dy studentet e pikturës të cilat njëkohësisht punojnë së bashku me mua në skulpturë, ishte një proces mjaft i mirë që ka nisur qysh nga muaji janar e deri më sot ku çdo ditë kemi qenë aktiv për të arritur deri në fund të realizmit”, përfundon Shkupolli për KultPlus.
Ndërsa, artistja Ilirjana Luzha për KultPlus foli rreth punimeve të saj të punuara në teknikën e ndryshkut.
“Jemi munduar që teknikat tona të jenë të veçanta dhe të jemi secili në stilin tonë, prandaj gjithsej tetë pikturat e mia janë në dimensione 100 me 120cm, të cilat janë të punuara në teknikën e ndryshkut e të cilat titullohen me emrin: ‘Gjurmët e urbanizmit'”, shpalos Luzha.
Sipas saj, të gjitha pikturat janë të punuara me një dashuri të madhe për të sjell një frymë sa më ndryshe dhe më të re në një teknikë mjaft interesante.
“Padyshim që nuk ka qenë lehtë sepse për tu ekspozuar diçka e veçantë nevojitet kohë, mund dhe një dëshirë e madhe për art. Por, tani mundimi im po më duket shumë i lehtë kur po e shoh se sa shumë po vlerësohen këto punime”, përfundon Luzha për KultPlus.
Po ashtu, artistja Flutra Hyseni për KultPlus foli rreth veprës së veçuar nga vetë ajo, e që njëkohësisht kjo vepër tashmë është e njohur për shumë kë por që Hyseni e solli në një formë ndryshe.
“Nga gjithsej nëntë punime të punuara në një periudhë kohore rreth pesë muaj me kermaikë, poliester dhe dru, do e veçoja ‘Hyjneshën në fron’, për arsye se më ka marrë kohë më shumë për shkak se derisa është formuar modelimi sepse është dashur të deformohet në një madhësi më të gjatë”, thotë Hyseni për KultPlus.
Ekspozita multidisplinare me emrin ‘Frymë’ do të jetë e hapur për publikun deri në orën 20:00./ KultPlus.com
Një djalë që ironizon videot virale të TikTok-ut është bërë personi më i ndjekur i Italisë në këtë rrjet social.
Khaby Lame, me origjinë nga Senegali, por me banim në periferi të Torinos, ka plot 58,9 milionë ndjekës, që i ka fituar me shprehinë e tij të fytyrës dhe “demaskimin” e videove të të tjerëve.
Në një nga videot e tij më të shikuara, 21-vjeçari tallet me dikë që ka gjetur mënyrën për të ndarë picën me ndarësen plastike në qendër të picës. Khaby e ndan picën fare thjesht me dorë dhe tregon se nuk është nevoja për zgjidhje të tjera në të tillë situatë.
Interesant është fakti se Khaby Lame nuk flet fare në videot që poston./a2/ KultPlus.com
Këngëtari shqiptar në Itali Ermal Meta do të japë shumë shpejt koncertin e parë pas pandemisë.
Ka qenë vetë këngëtari që ka bërë të ditur lajmin dhe nuk fsheh lumturinë se më në fund ka diçka të sigurtë pas një periudhe të vështirë që bota po kalon me Covid-19.
“Mezi prisja të bëja një postim të tillë, tu jepja një takim, diçka të sigurtë, dhe jo fjalë në rërë por në gur të fortë. Në këtë rast është guri i teatrit antik të Taormina. Shihemi aty më 5 shtator për një koncert së bashkuar. Shumë shpejt do të dalin dhe masat. MEZI PRES”, shkruan Ermali në rrjetet sociale.
Për shkak të pandemisë që ka mbërthyer botën që prej marsit të 2020 nuk janë zhvilluar koncerte përveçse atyre virtuale, në përpjekje për të frenuar zinxhirin e infektimeve.
Së fundmi Ermali ka publikuar disa prej këngëve të tij të albumit “Tribu Urbana” me një prej të cilëve mori pjesë dhe në Sanremo e që u prezantua mjaft mirë, “Un millione di cose da dirti”./ KultPlus.com
Laurence des Cars është emëruar drejtoresha e ardhshme e Muzeut Louvre të Parisit, duke shënuar herën e parë që muzeu i famshëm i artit në kryeqytetin francez ka një grua në krye.
“Des Cars do të pasojë Jean-Luc Martinez në shtator”, njoftoi sot Ministria e Kulturës.
Sipas deklaratës, des Cars ka kryesuar Musee d’Orsay në Paris për katër vjet.
Ajo u emërua si drejtoresha e ardhshme e Luvrit nga Presidenti Emmanuel Macron, pas sugjerimit nga ministrja e Kulturës, Roselyne Bachelot-Narquin.
Louvre është një nga muzetë më të vizituar në botë dhe shtëpia e veprave të shumëta të njohura, përfshirë “Mona Lisa” me famë botërore./atsh/ KultPlus.com
Agron Shujaku dhe Ledian Shala do të prezantohen me një koncert duet pianistik, ku do të prezantohen vepra të kompozitorëve shqiptar për piano- 4 duar, shkruan KultPlus.
Koncerti do të mbahet në qendrën e kulturës ‘Koço Racin’ në Kërçovë me datën 28 maj me fillim nga ora 19:00.
Nëpërmjet një postimi në Facebook Shujaku ka ftuar të gjithë artdashësit nga Kërçova që të prezantojnë në këtë koncert.
“I lumtur që do të performojmë në koncertin e ardhshëm në Kërçovë . Ftoj të gjithë artdashësit nga Kërçova të prezentojnë në Koncertin pianistik me vepra të kompozitorëve kosovar për piano – 4 duar”, ka shkruar ai./ KultPlus.com
Sopranoja kosovare, Elbenita Kajtazi do të debutojë me rolin e Ritës në Gjermani me operën ‘Dy burrë dhe një grua’, e cila realizohet për herë të parë në këtë vend, shkruan KultPlus.
Nëpërmjet një postimi në Facebook sopranoja ka njoftuar se 1 shtatori i këtij viti do të shënoj debutimin me rolin e Ritës nga opera “ Deux hommes et une femme “ në Konzerthaus Berlin.
Më poshtë mund të lexoni statusin e saj të plotë:
Përshëndetje miq të dashur,
SAVE THE DATE!!
Me 1 shtator 2021 do debutoj rolin Rita nga opera “ Deux hommes et une femme “ në Konzerthaus Berlin. Opera “ Dy burra dhe një grua “ është operë komike e kompozuar nga Donizetti e cila zgjat vetëm një orë dhe do të realizohet për herë të parë në Gjermani.
Mezi pres të ngjitem në skenën e Konzerthaus Berlin bashkë me Berliner Operngruppe nën dirigjimin e Felix Krieger./ KultPlus.com
Biblioteka Kombëtare e Izraelit ka botuar për herë të parë në internet një koleksion të dorëshkrimeve, letrave personale dhe vizatimeve nga shkrimtari hebre Franz Kafka.
“Koleksioni është tani në internet pas një procesi intensiv për vite të tëra”, njoftoi biblioteka, duke shtuar se ishte një nga më të mëdhatë në llojin e tij.
Midis artikujve, një fletore e studimeve në hebraisht të Kafkës, si edhe tre drafte të “Përgatitjet e Dasmës në Vend”.
Dokumentet vijnë nga pasuria e mikut më të mirë të Kafkës, Max Brod.
Brod ishte një nga mbështetësit më të njohur të skenës së letërsisë në gjuhën gjermane të Pragës, në gjysmën e parë të shekullit XX.
Para vdekjes së tij, në 1924, Kafka i kishte kërkuar Brodit që t’ia digjte punimet e tij, megjithatë, Brodi në vend të kësaj i botoi ato, duke i sjellë Kafkës famë botërore pas vdekjes./ atsh/ KultPlus.com
11-vjeçari Petrit Halilaj, i veshur me një xhaketë të gjelbër dhe i ngjeshur në mesin e refugjatëve të tjerë që arratiseshin nga Kosova në 1999, në radhë për ushqim në Kukës, Shqipëri. Sot, Petriti është një artist bashkëkohor i klasit botëror që ekspozon ndërkombëtarisht.
Vepra e Petrit Halilaj (Kostërrc, Skenderaj, Republika e Kosovës, 1986) është e lidhur fort me biografinë e tij, historinë e fundit të vendit të tij dhe pasojat e tensioneve politike dhe kulturore në rajon. Kujtimet e fëmijërisë rrënuan në dramën e luftës dhe jetën e refugjatëve përsëriten në të gjithë artin e tij, i cili përqafon tema si shtëpia, kombi dhe identiteti kulturor përmes një shumëllojshmërie të mediave, duke filluar nga vizatimi dhe skulptura, tek videot, instalimet dhe madje edhe shkrimi.
Halilaj ishte artisti që përfaqësoi Kosovën në pavijonin e saj të parë për Bienalen e 55-të të Venecias (2013) dhe gjithashtu ka marrë pjesë në Bienalen e 6-të të Berlinit (2010) dhe Bienalen e 15-të të Lyonit (2019). Ai ka prezantuar punën e tij në ekspozita solo në muze të rëndësishëm dhe qendra arti si Hangar Bicocca (Milano, 2015), Bundeskunsthalle (Bon, 2015) ose Muzeun e Ri (New York, 2017), ndër të tjera./ KultPlus.com
Qyteti bujqësor i Corcoran në Kaliforni është zhytur nga 60 centimetra çdo vit gjatë dekadës së fundit, ndërsa kompanitë bujqësore pompojnë ujë nëntokësor për të ujitur të korrat.
E vendosur në Luginën San Joaquin të Kalifornisë, qyteti prej 7.47 miljesh katrorë ka një total prej 21 960 banorësh dhe është zhytur 11,5 metra në 14 vitet e fundit.
Kjo ka ardhur si rezultat i kompanive bujqësore që kanë pompuar ujë nëntokësor për të ujitur të korrat e tyre për dekada, sipas USGS California Science Water Center.
Ndërsa Corcoran është zhytur rreth katër metra në zona të caktuara që nga viti 2015, parashikohet që qyteti do të fundoset edhe gjashtë deri në 11 metra të tjerë gjatë dy dekadave të ardhshme, njoftoi New York Times.
Banorët tashmë kanë ndjerë efektet e menjëhershme të fundosjes së ngadaltë dhe me një kosto për një qytet ku të ardhurat mesatare janë 40 000 dollarë. Zonat e përmbytjeve janë zhvendosur dhe niveli i qytetit është dashur të rindërtohet për 10 milionë dollarë, duke rritur faturat e taksës së pronës së banorëve afërsisht 200 dollarë në vit për tre vjet.
Për breza të tërë, fermerët nxjerrin ujin nëntokësor nën sipërfaqen e tokës, kur nuk mund të marrin mjaftueshëm ujë sipërfaqësor nga lumenjtë lokalë ose nga kanalet, duke dëmtuar infrastrukturën.
Por, me gjithë efektin negativ që ka në zonë, banorët dhe drejtuesit e qytetit kanë zgjedhur të minimizojnë ose heqin dorë nga injorimi i fundosjes së qytetit.
Fundosja ka ndryshuar peizazhin e qytetit, duke krijuar atë që njihet si “Corcoran Boël”, e cila është një zonë mes fushave bujqësore./ KultPlus.com
Fakte të shumta zbulohen për Skënderbeun dhe luftën e tij në librin e titulluar ‘Kastrioti i madh i Shqipërisë i quajtur Skënderbeu’ nga autori Stephan Zannovich dhe përkthyer nga Qerim Raqi, shkruan KultPlus.
Shtëpia Botuese “Magjia e librit” ka botuar këtë libër në gjuhën shqipe, ndërsa është botuar fillimisht në gjuhën frënge me titullin “Le grand Castriotto d’Albanie” më 1779, e më edhe në shumë gjuhë tjera si: gjermanisht, italisht, rusisht, etj.
Përmbajtja e librit vendoset në Mbretërinë e Shqipërisë, në një Provincë Evropiane që shtrihet përgjatë Gjirit Venecian që ngërthen në vete një vlerë historike-letrare duke përfshirë këtu edhe letërkëmbimet e Skënderbeut me Sulltan Mehmetin. / KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim ambasadorin e Japonisë Akira Mizutani, i cili e uroi për zgjedhjen e saj në krye të shtetit.
Znj. Osmani theksoi raportet e shkëlqyera diplomatike ndërmjet dy vendeve dhe shprehu gatishmërinë e saj dhe të institucioneve të Kosovës për thellimin e mëtejmë të këtyre raporteve në rrafshin politik, ekonomik dhe kulturor. Presidentja Osmani nënvizoi nevojën që dy shtetet të bashkëpunojnë edhe në menaxhimin e pandemisë dhe i kërkoi ambasadorit që t’ia përcjell lutjen e saj qeverisë japoneze që ta ndihmojë Kosovën në përpjekjet për ta kapërcyer pandeminë Covid-19.
Po ashtu, znj. Osmani e falënderoi shtetin e Japonisë për donacionin e fundit të pajisjeve mjekësore, si dhe për kujdesin e vazhdueshëm që ky vend e ka treguar për konsolidimin e mjekësisë në Kosovë.
Më tej, presidentja Osmani ritheksoi gatishmërinë e Kosovës t’i mirëpritur për nxitjen e mëtejme të kompanive japoneze për të investuar në Kosovë. Në këtë rrafsh, ajo nënvizoi se e mirëpret mundësinë e organizimit të një forumi të përbashkët ekonomik ndërmjet të dy vendeve. / KultPlus.com
126 vjet më parë, zhvilloi punimet Kongresi i parë gjuhësor shqiptar në Koriliano-Kalabro të Provincës së Kozencës, një ngjarje e rëndësishme e pasqyruar gjerësisht në shtypin italian dhe europian të kohës.
Tema e këtij Kongresi, organizuar nga arbëreshët, ishte prezantimi i aspekteve gramatikore, leksikore dhe fonetike të gjuhës shqipe. Kongresi i zhvilloi punimet në mjediset e gjimnazit Garopoli të Koriliano-Kalabro dhe morën pjesë 25 kongresistë gjuhëtarë, shkrimtarë, poetë, gazetarë dhe klerikë të shquar të kishës arbëreshe.
Ky aktivitet shkencor gjuhësor dhe patriotik u ndoq nga afër prej 500 pjesëmarrësish të ardhur nga komuna të ndryshme të Kalabrisë, Kampanjës, Pulias dhe Sicilisë. Kryetar nderi ishte Jeronim De Rada.
Në kongres u vendos të formohej një “Shoqëri kombëtare shqiptare”, me qendër në Shën-Mitër (San Demetrio Corone), e cila do të botonte një gazetë arbëreshe dhe do të lidhej me Shqipërinë. / Diaspora Shqiptare / KultPlus.com
Gazetari ditores “Guardian”, George Bass, ka biseduar me këngëtaren Tasmin Archer dhe kitaristin John Hughes për hitin e tyre më të madh, këngën “Sleeping Satellite” të lansuar 29 vjet më parë. Pjesë të shkrimit, Telegrafi sjell më poshtë.
Tasmin Archer: Teksa krijoja muzikë, bëja shumë punë për të paguar faturat. Ndihmoja edhe në Studion “Flexible Response”, aty ku inxhinieri i zërit më njoftoi me anëtarët e ardhshëm të grupit – John Beck dhe John Hughes.
Kur krijoja, nuk besoja se ndonjë nga këngët tona do të bëhet hit. Hera e parë që më kujtohet se dikush e veçoi këngën “Sleeping Satellite”, si të veçantë, ishte kur e takuam Julian Mendelsohnin, producentin e albumit “It’s a Sin” të grupit Pet Shop Boys. Ai ishte shumë entuziast për këngën.
Pasi e kishim melodinë, akordet dhe aranzhmanin e përgjithshëm me disa tinguj zanor, John Hughes e përfundoi tekstin. Vargjet “Të fajësoj për qiellin me dritë hëne / dhe ëndrra që vdiqën” nuk janë kritikë e arrogancës së njeriut që largohet nga Toka, por më shumë lidhet me mungesën e eksplorimit të mëtejshëm të hapësirës që mund të na ndihmonte të kuptojmë më shumë çështjet ekologjike .
Dy javët e këngës në vendin e parë dhe popullariteti i vazhdueshëm na mundësuan një turne në Evropë dhe më tej. E kishim bërë një promovim përpara se të hynim në top-lista, kështu që ishte një vit intensiv sa i përket udhëtimeve ndërkombëtare.
Ne nuk donim album të dytë imitues dhe EMI e mbështeste këtë. Por, pastaj kishte ndryshime në menaxhment që kërkonte material më komercial. Kështu ndryshuam derisa një ditë një shtëpi diskografike na thirri e tha se nuk do ta marrin albumin tonë të tretë.
Pavarësisht se një herë thashë që unë e mbaj çmimin Brit për të zbutur biftekun, jam shumë mirënjohëse se kënga “Sleeping Satellite” u pëlqye nga shumë njerëz. Videoja ishte për tregun amerikan meqë shtëpia diskografike amerikane na shihte si grup alternativ. Pati sukses meqë u nominuam për çmimin e MTV-së në kategorinë alternative dhe ishim në ceremoni në Los Anxhelos. Neil Young, Pearl Jam dhe Madonna interpretuan aty. Kurt Cobain dhe anëtarët e grupeve REM dhe Aerosmith ishin ulur pas nesh. Në fund, humbëm ndaj grupit Stone Temple Pilots dhe pjesën më të madhe të festës së pastajme e kaluam duke biseduar me Jonathan Rossin.
John Hughes: Demo e këngës u refuzua nga çdo shtëpi diskografike, por pastaj e dëgjoi Ian McAndrew. Ai i gjeti lidhjet dhe e bëri një marrëveshje me Virgin Music. Kështu, nënshkruam kontratën me EMI-n.
Struktura dhe melodia e përgjithshme e këngës “Sleeping Satellite” u shkruan në verën e vitit 1989. E lexoja një artikull për 20 vjetorin e uljes së në Hënë. Ajo ngjarje e rëndësishme dhe mungesa e eksplorimit hënor në vitet në vazhdim kishte ndikim tek unë.
Kur hymë në Top 40, kjo nënkuptonte se do të shfaqemi në emisionin “Top of the Pops”. Atëherë kishte interpretime me vokal live e sfondi i incizuar, kështu që bënim kinse po luajmë në instrumente.
Ishim duke e mbështetur turneun britanik të Curtis Stigersit kur mësuam se kënga është në vendin e parë. Pas interpretimit akustik të këngës në Brit Awards, më 1993, kjo ndihmoi që albumi “Great Expectations” të jetë i platinit në Britani.
Tasmin dhe unë kurrë nuk u shqetësuam nëse këto suksese do t’i bëjnë presion marrëdhënies tonë romantike. Disa njerëz në kompanitë diskografike do të preferonin të isha jashtë loje sepse mendonin se do të ishin në gjendje të manipulonin më lehtë me Tasminen. Ata kurrë nuk e kuptuan se e kishin efektin e kundërt.
Ka pak hapësirë për ndjeshmëri krijuese nëse atyre institucioneve u rrezikohet profiti dhe posa e di ti këtë e kupton modus operandin e tyre. Dallimet që kishim me EMI-n për albumin e dytë “Bloom” (1996), nuk janë të rëndësishme tash, sepse e dimë se edhe drejtorët e punëtorët e kompanive mund të jenë nën presion.
Deri këtë vit, për më shumë se një dekadë nuk kemi bërë gjë si “Tasmin Archer”. Kemi vazhduar me krijimet, por privatisht. Për mos publikimin e këngëve tona si përmbushje e kishim hitin botëror të viteve 1990 që na mundësonte edhe një jetë jo ekstravagante. Por, tash kemi një ndryshim të disponimit: këngët që i duam dhe që kënaqemi duke i realizuar. /KultPlus.com
Këshilli qendror i arkeologjisë në Greqi autorizoi përdorimin e disa qendrave arkeologjike të mëdha, përfshirë Akropolin, për seancat e fotografive që do të realizojë kompania franceze e luksit ”Dior”, bëri të ditur sot Ministria e Kulturës.
“Këshilli miratoi projektin me unanimitet”, deklaroi një zyrtar i ministrisë.
”Fotografitë do të zhvillohen gjithashtu në Odeonin e Herodit Atticus në këmbët e Akropolit, në Agoran antike, në tempullin e Poseidonit në kepin Sunion, pranë Athinës, dhe në tempullin e Zeusit në Neme”, sipas këtij zyrtari.
Një kërkesë e mëtejshme për të bërë fotografi në Stadiumin Panathenaic në Athinë, ku u mbajtën Lojërat e para Olimpike të epokës moderne në 1896, do të shqyrtohet të enjten.
”Dior” njoftoi në fund të prillit se do të organizonte më 17 qershor në Athinë paradën e saj, një prezantim që organizojnë markat e mëdha kryesore në katër anët e botës./ /atsh / KultPlus.com
Pikturat e vendosura në muret shumëngjyrëshe po merrnin frymë nën ashpërsinë kaotike të ngjyrave intensive të cilat përplasnin vëmendjen e të pranishmëve në mëdyshjen e zbulimit të enigmës së fshehur e cila ndoshta është një gjëegjëzë e shkëlqyer e veprave artistike të Orhan Kurtollit që mbrëmë erdhën në ekspozitën e titulluar ‘Moshe: një tregim në vazhdim’, të kuruar nga Albert Heta në Klubin e Boksit, shkruan KultPlus.
Në një hapësirë që i ngjasonte një labirinti që nuk kishte një rezultat apo përfundim të menduar, audienca fillimisht pati rastin t’i admiroj dy piktura të përmasave të mëdha të cilat ishin të vendosura në hyrje të ekspozitës e po një lloj si ambienti, këto piktura po portretizonin një gjendje fort të ngatërruar e cila shprehej në një dominim të ngjyrës së verdhë që stimulonte emocione dhe ndjenja të strukura në thellësinë e ndezur nga prezenca verbuese e pikturave.
Ndërkohë, disa piktura të cilat ndodheshin në kënde të vetmuara, ishin pikërisht ato që komunikonin një vetmi e një brengë të errët por që frymonin në ngjyra krejtësisht të gjalla. Ngjyra rozë që kishte kapluar atmosferën në këto piktura, po rrëmbente edhe kuriozitetin e secilit për të soditur britmat e heshtura të cilat mbyteshin brenda trubullimës së shkaktuar nga plotësimi shpirtëror i qetësisë së pikturave.
Tutje në vazhdim ndodheshin edhe piktura të cilat vinin në kontrast me pikturat e mëparshme për arsye se tani në një imazh monokromatik po shfaqej një përsosje e pandryshuar e gjendjes së njeriut në boshllëkun e mendimeve çoroditëse të cilat ishin të rafinuara kujdesshëm nga mëndafshi i penës që ka mbizotëruar mbi kanvaset e definuara në kënde nga një vijë e bardhë që përshtatej këndshëm me prapavijën e murit të bardhë.
Kurse krejt në fund të ekspozitës, të vendosura ishin piktura të cilat dukshëm dëshmojnë edhe periudhën kohore të tyre. Prandaj, për të folur më shumë rreth përmbajtjes së tyre, për KultPlus foli artisti Orhan Kurtolli, i cili tregoi se përmbajtja e tyre ndahej në tre faza.
“Një pjesë janë nga një cikël më i hershëm, një pjesë janë piktura pak më të vjetra që kanë të bëjnë kryesisht me preokupimin tim në pikturë, me kaosin urbanistik që ka ndodhur në qytet dhe pasojat e atij kaosi. Disa punime reflektojnë një tjetërsim apo tërheqje në vetmi. Pastaj, piktura më të qeta nga tërë ajo tollovi që është formuar në qytetin tonë dhe në fund shfaqet një cikël i pikturave që datojnë qysh nga viti 1970, të realizuara në mënyrë mjaft interesante sepse kam qenë shumë i ri kur i jam rikthyer pasionit tim përsëri”, thotë Kurtolli.
Sipas tij, ky tregim ende po vazhdon sepse ‘Moshe: një tregim në vazhdim’ është ekspozita e tretë personale e artistit e cila erdhi si pasojë e një bisede të zhvilluar me kuratorin i cili ka përzgjedhur këto punime të gatshme që vulosën pikënisjen e kësaj ekspozite.
“Pikturat janë realizuar pa menduar për një ekspozitë sepse janë thjesht një punë të cilën unë e zhvilloj në një vazhdim më ndryshe nga ekspozitat e kaluara por me probleme të njëjta. Ndërsa, ajo se çfarë dominon është situata dhe atmosfera surreale ku gërshetohet nostalgjia dhe situatat e tanishme ku unë si krijues jam munduar ta reflektojë një mospajtim për atë se çfarë po ndodhë”, thotë Kurtolli për KultPlus.
Tutje ai ka falënderuar miqtë dhe artistët që ishin prezent në ekspozitë ku ai shpresonte se të gjithë janë ndarë të kënaqur.
“U ndjeva mirë sepse ishte një hapje jo e rëndomtë sepse papritmas u hap dera dhe filloi ekspozita e cila do të qëndroj për një muaj”, përfundon ai.
Kjo ekspozitë konsiderohet shfaqja e parë e një projekti hulumtues në vazhdim sepse artisti tashmë ka realizuar dy ekspozita personale ndërsa ekspozita e tretë me emrin “Moshe: Një tregim në vazhdim” është mbështetur nga Komuna e Prishtinës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rrjeti i Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës – RRIPAK, x-print dhe DZG.
“Moshe: Një tregim në vazhdim” është pjesë e Programit Hapësinor të Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë. / KultPlus.com
Restaurim, ngjitje, dhe larje me dritë e ngjyra i gjithçkaje që jeta ka shkatërruar, asaj që kemi hedhur, duke rikrijuar atë që na është marr, dhe duke shpikur atë që nuk mundëm ta kishim. I aftë të shohë mozaikun jo thjesht si një lojë i materies dhe vëllimit, jo vetëm si një lojë ngjyrash.
Fran Paçivendos bën bashkë dy forma të artit bashkëkohor, mozaikun dhe fotografinë, duke përzierë mijëra piksel me pllaka të panumërta mozaiku.
Teknika që nuk kërkojnë përshkrim, por intensitet, deri në goditjen e vështrimit tonë. Teknika që jo vetëm sjellin suksesin e tyre, por tregojnë fytyrën e njeriut, vështrimin, shprehjen e tij. Teknika bashkëkohore që nuk emocionojnë vetveten, por rrinë në kujtesë me emocionet që transmetojnë. Teknikat që e bëjnë atë një artist të shkëlqyeshëm, sepse ushqehen me histori dhe tradita – deri në bërjen e artit të tij – një dëshmi autentike. Ky është mesazhi që del nga punimet e një prej mjeshtrave më të mëdhenj të mozaikut të këtyre kohërave, Franc Paci, i lindur në Shkodër dhe i diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë.
Një artist i aftë të sjellë deri në ditët e sotme me freski dhe origjinalitet – një art kaq i lashtë – si ai i mozaikut që bëhet për të një formë e shprehjes, një gjuhë bashkëkohore, duke tejkaluar mjeshtrin që ndjek vetëm skicën. Frani bashkëpunon me Institutin Beato Angelico në Milano (fabrikë mozaiku NOVAMOSAICI në Bollate) dhe artistë dhe arkitektë të ndryshëm në projekte për vendet e kultit, ndërtesat publike dhe private. Ai është anëtar i AIMC, Shoqata Ndërkombëtare e Mozaikëve Bashkëkohorë dhe ka marrë pjesë në ekspozita të ndryshme mozaikësh në Ravenna, Firence, Romë, Francë. Për vite me radhë ai ka ekspozuar mozaikë të bërë në karton me artistin e madh Adrian Paci në Bloomberg Spaçe London; Jue De Paume Paris; Bienale e Salonico; Galeria Peter Kilchmann Cyrih; Galeria Kaufman-Repeto Milano; Rrethinat e Sant’Eustorgio Milan.
Disa vepra të krijuara në bashkëpunim me Musiva di Firenze gjenden në vende të ndryshme nëpër botë: Muis Huis Ten Bosch, Nagasaki; Hotel Hilton, Stamboll; Kompleksi Al Wajbah, Doha; Galeria Tregtare Shinmachi, Tokushima; Qendra tregtare, Sakai; Anije lundrimi në Nil; Bar Martini, Milano; Muro di Bay, Pontedera. E gjithë kjo, pa humbur kurrë qëllimin e saj: të krijojë me dorë dhe t’i japë shpirt asaj që krijon./ Diaspora Shqiptare / KultPlus.com
Historia e arbëreshëve të San Benedetto Ullano do të rrëfehet për herë të parë në një film me metrazh të shkurtër. “Me Shëndet” quhet filmi dhe flet për tritoni alpin (Triturus Alpestris Inexpctatus, peshku i rrallë prehistorik që prej mijëra vitesh popullon ujërat e Laghicello, rrethuar nga pyjet e ahut shekullor në San Benedetto Ullano.
Ky është një projekt i Administratës Komunale vendase të kryesuar nga kryetarja e bashkisë Rosaria Capparelli me regji të Marco Caputo dhe Davide Imbrogno.
Xhirimet e këtij filmi të shkurtër janë bërë në gjashtë gjuhë, arbëreshë, nigeriane, pakistaneze, franceze, angleze dhe italiane.
Historia e shkruar nga Imbrogno gradualisht merr formë dhe arrin qëllimin e saj: të tregojë histori të rezistencës. Tritoni reziston, ashtu si tingujt arkaik arbëreshë rezistojnë, të luajtur drejtpërdrejt nga muzikantë të moshuar, trashëgimtarë të një tradite të përjetshme, të cilat formojnë sfondin dhe zbukurojnë skenat e xhiruara në fshatin karakteristik të Cosenza.
Këtu, gjithnjë e më shumë gjurmë të asaj Kalabrie të jashtëzakonshme rizbulohen me tregime krejtësisht të reja, të përbërë nga tregues dallues të identitetit (MID) të aftë për të tërhequr dhe emocionuar vizitorë 365 ditë në vit.
San Benedetto Ullano, një vend ku gjithçka dhe të gjithë rezistojnë. Ky është titulli i skenës përfundimtare të shkurtër. Ne jemi Toka – do të thotë rrëfyesi – ku kishat ende mbeten të drejtuara nga lindja: duke rezistuar. Ne vijmë nga diku tjetër. Nga botët e panjohura në kulturën e panjohur masive. Sot këto botë janë jeta jonë e përditshme e lënë në hije. Ne jemi fëmijët e kthimit pas. Nga ata që, pa vullnet, kanë zbarkuar në botë të ndryshme. Dhe në fund të fundit, ata vendosën të ktheheshin, pikërisht këtu. Ku gjithçka reziston në heshtjen e përshkrimit. Tritoni ka rezistuar në ujërat e Laghicello për mijëvjeçarë, megjithatë është një kafshë parahistorike.
Kostumet, këngët arkaike të dashurisë, vallëzimet, aromat, dritat: rezistojnë. Askush nuk e kishte një herë privilegjin e mërzitjes. Mërzia zhduk atë që ne jemi. Ne vazhdojmë, ditë pas dite, edhe sot – vazhdon ai – të jetë diçka, dikush: është ekzistenca jonë e zhdrejtë. Ne kemi zgjedhur, me vetëdije të plotë, të jetojmë këtu. Në vendin ku disa Perëndi kanë zgjedhur atë rezistencë është një dhuratë, një elegji, një këngë. Ne jemi forca jonë e rezistencës. Ne rezistojmë, duke uruar të gjithë ju të huaj: “të jeni mirë dhe të shkoni mirë”. Këto janë disa fragmente të skenarit./ Diaspora shqiptare / KultPlus.com
Shkrimtari jordanez Jalal Barjas fitoi çmimin më të rëndësishëm letrar arab me një roman për një shitës skizofren gazetash.
Ai mori çmimin ndërkombëtar për thriller-in për veprën e tij “Dafatir al Warrak”, njoftoi juria.
Romani karakterizohet nga “një gjuhë e pasur dhe e rafinuar”, tha juria.
”Barjas arrin të heqë maskat nga fytyra e realitetit tragjik”, shtoi ajo.
I vendosur në kryeqytetin e Jordanisë, Aman, romani përqendrohet te një shitës gazete i detyruar të largohet nga qendra e qytetit, ku mendon të vrasë veten.
Në vend të kësaj, ai fillon një jetë mes të pastrehëve, duke marrë rolet e heronjve nga librat që ka lexuar.
Së shpejti ai fillon të grabisë bankat dhe të pasurit dhe të përdorë para për të ndihmuar njerëzit e varfër.
”Romani është vendosur në kohë ndryshimesh të papara dhe reflekton në jetën e atyre që kanë mbetur pas një peizazh urban tjetërsues”, theksoi presidenti i jurisë, profesor Yasir Suleiman./ atsh / KultPlus.com
Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia ka aprovuar kërkesën e Asociacionit të Komunave të Kosovës për heqjen e kufizimit të lirisë së lëvizjes.
Lajmin ka konfirmuar drejtori i AKK-së, Sazan Ibrahimi.
“Ishte një takim konstruktiv ndërmjet kryetarëve të komunave dhe ministrit Vitia. Kërkesa e Asociacionit të Komunave të Kosovës për heqjen e orës policore, por edhe kërkesat tjera që kanë impakt në zhvillimin ekonomik lokal, janë aprovuar nga ministri Vitia. Por, lehtësimi i këtyre masave do të ndodhë në mbledhjen e radhës së Qeverisë, ku Vitia do t’i paraqesë kërkesat e komunave”, ka deklaruar Ibrahimi për Express.
Ai tha se është rekomanduar që gastronomia të punojë deri në orën 23:00.
“Është rekomanduar që gastronomia të punojë deri në orën 23:00, nëse situata me COVID-19 është situate stabile, atëherë pritet që nga mesi i qershorit të ketë edhe lehtësira tjera për hotelerinë”, ka deklaruar Ibrahimi. / KultPlus.com
Po të ishte biri yt do ta mbushje detin me anije të çdo lloj flamuri.
Do të dëshiroje që të gjithë bashkë me miliona të bënin urën që ai të kalonte.
Po të ishte biri yt do të hidheshe në det, do ta vrisje peshkatarin që nuk ta huazoi barkën, do të ulërije për të kërkuar ndihmë, do të trokisje në dyert e qeverive.
Por rri i qetë, nuk është biri yt. Mund të flesh i qetë E sidomos i sigurt. Nuk është biri yt.
Është vetëm biri i humanizmit të humbur, i humanizmit të ndytë, që nuk bën zhurmë.
Nuk është biri yt. Fli i qetë, nuk është i yti. Ende jo…/KultPlus.com
Një organizatë bamirëse nga Spanja ka publikuar fotografi prekëse të disa trupave të pajetë që janë gjetur në bregdetin e Libisë. OJQ-ja “Proactiva Open Arms” thotë se këta njerëz u munduan që ta kalonin Mesdheun dhe të shkojnë për të jetuar në Evropë.
Vetëm këtë vit, së paku 743 imigrantë kanë vdekur në Detin Mesdhe gjatë përpjekjeve për të shkuar në Evropë, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.
Sipas të dhënave të Organizatës Ndërkombëtare të Migrimit, e cila është pjesë e Kombeve të Bashkuara, vetëm në pjesën qendrore të Mesdheut këtë vit janë regjistruar 630 të vdekur, në krahasim me 289 viktima në tërë Detin Mesdhe vitin e kaluar.
Trupi i një gruaje (Foto e marrë nga faqja e OJQ-së “Proactiva Opean Arms” në Facebook”)
“Ne jemi në shok. Kur njerëzit mundohen që të ikin nga Libia, ata nuk duhet të kthehen apo të lihen në ujin e Mesdheut. Duhet të ketë operacion të kërkim-shpëtimit për ta mbrojtur jetën e njerëzve në det”, tha organizata spanjolle.
Trupi i pajetë i një fëmije, i mbuluar pjesërisht nga rëra (Foto e marrë nga faqja e OJQ-së “Proactiva Opean Arms” në Facebook”)
“Deti Mesdhe është varreza më e madhe në botë. Nuk duhet të jetë kështu”, deklaroi shefja për komunikime në OJQ-në “Proactiva Open Arms”, Laura Lanuza.
Një trup i pajetë, i mbuluar me batanije (Foto e marrë nga faqja e OJQ-së “Proactiva Opean Arms” në Facebook”)
Duke reaguar ndaj këtyre fotografive, kryeministri italian, Mario Draghi, tha: “Fotografitë e trupave të foshnjave dhe fëmijëve të vegjël të nxjerrë nga uji në një plazh të Libisë janë të papranueshme.
Ndryshe, Evropa po përballet me një valë të re të njerëzve që po mundohen të hyjnë në territorin e saj përmes Detit Mesdhe. Rreth 13.000 persona tashmë kanë arritur në Itali vetëm gjatë këtij viti. Moti i ngrohtë në atë zonë e ka shtuar frikën se numri i njerëzve që do ta provojnë fatin për një jetë më të mirë do të rritet ende. / KultPlus.com