Programet e redaktimit të fotografive kanë qenë prej kohësh pjesë e jetës sonë, kështu që është e vështirë të shihni fotografi nuk kanë editime, sado të vogla qofshin.
Megjithatë, është e gabuar të mendosh se Photoshop-i i përket vetëm botës moderne. Njerëzit kanë përmirësuar pamjen e portreteve të tyre për shekuj me radhë. Kjo do të thotë se kishte specialistë në rregullimin e fotografive që datojnë që nga shekulli i nëntëmbëdhjetë. Edhe piktorët kanë punuar shumë për t’i bërë modelet të duken më të bukura sesa ishin në të vërtetë.
Bright Side ka zbuluar fotografi të familjes mbretërore nga shekulli XIX dhe fillimi i shekullit XX, dhe i krahasoi ato me pikturat e tyre. Ndryshimet shikoji vetë, në foto galerinë më poshtë./KultPlus.com
Fotografia i ka fillet tek shpikja e Dagerrotipit (Daguerreotype), një proces fotografik i zhvilluar nga Joseph Nicephore Niepce dhe Louis Daguerre në 1837, që më vonë u patentua nga qeveria franceze dhe shpikja u prezantua si ”dhuratë për botën”, më 19 gusht të 1839, ndaj kjo ditë do të njihet si Dita Botërore e Fotografisë.
Me kalimin e viteve dhe me ndihmën e jashtëzakonshme të teknologjisë, fotografia ka evoluar shumë dhe sot pothuajse të gjithë janë të pajisur me një kamerë përmes të cilës mund t’i ”ngrijnë” momentet.
Në historinë e fotografisë shqiptare vlen të përmendet fototeka ”Marubi” përfshinë fotografi të vjetra më shumë se 150 viteve që ruhen në Shkodër.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për BBC ka thënë se Kosova me zemërgjerësi po pret refugjatët afganë, duke përmendur se edhe vetë ajo ka qenë refugjate dhe se e ndjen këtë situatë.
“Janë skena që ta thyejnë zemrën. Edhe unë kam qenë refugjate dhe përnjëmend e ndjejmë këtë çdo ditë”, tha Osmani.Pas deklaratave se Kosova është përgatitur që një muaj për ardhjen e afganëve, Osmani ka thënë se informatat i kishin më herët nga SHBA-ja dhe punonjësit e ushtrisë amerikane në Afganistan, por se saktësisht nuk e kanë ditur që do të vinte kjo situatë.
“Por ne jemi të gatshëm dhe e treguam këtë gatishmëri pa hezitim. Numri i saktë është ende duke u diskutuar, por ne s’mund të jemi vendi që i themi jo këtyre refugjatëve, të këtyre njerëzve në nevojë kur ne kemi hapësirën dhe sa më shumë hapësirë që kemi do ta shfrytëzojmë atë për t’i strehuar ata”.
“Me shumë gjasë ne do t’i kemi ata më shpejt se që e presim. Në fillim menduam se ata do të vinin për nja dy javë dhe se mund të kemi më shumë kohë për t’u përgatitur. Brenda dy-tri ditëve do të merret vesh edhe për datën e saktë se kur do të vijnë ata”.
Osmani ka thënë se Kosova është e gatshme të ndihmojë edhe si shtet transit për refugjatët afganë, sepse, sipas saj, vetëm kur punohet bashkë do të arrihet të ndihmohen.
Presidentja kosovare përmendi këtu edhe rastin e Kosovës kur u çlirua nga regjimi gjenocidal i Serbisë.
“Nëse ne nuk punojmë së bashku nuk do të jemi në gjendje të korrim sukses. Edhe në rastin e Kosovës u tregua kjo. Vetëm kur SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe anëtarët e tjerë të NATO-s së bashku mundën regjimin e Millosheviqit dhe sollën paqe në gjithë Ballkanin Perëndimor”.
Osmani po ashtu u ka bërë thirrje të gjitha qeverive demokratike që t’ia zgjasin dorën afganëve njësoj siç ia zgjatën Kosovës.
“Nëse Kosova, një shtet i vogël ballkanik, mund ta bëjë këtë, çdo vend tjetër mund ta bëjë gjithashtu. Ne vetëm duhet të tregojmë zemërgjerësinë”, tha ajo. ./klankosova/./KultPlus.com
Memorandum i “Shoqërisë Çamëria” në SHBA drejtuar Konferencës së Paqes në vitin 1919 ku kërkohej bashkimi me Shqipërinë, është një dokument i publikuar nga Hasan Bello, doktor i shkencave në histori.
Pjesë e emigracionit shqiptar në SHBA në dekadat e para të shek.XX ishin dhe shqiptarët e Çamërisë. Për shkak të represionit që shteti grek ushtronte mbi këtë popullsi që në vitet e Luftërave Ballkanike 1912-1913, një pjesë e tyre ishte detyruar të merrte rrugët e mërgimit. Por aspak indiferentë ndaj çështjes kombëtare, shqiptarët e kësaj krahine filluan të organizoheshin.
Një nga këto ishte dhe “Shoqëria Çamëria” e krijuar në qytetin Worcester, në shtetin e Massachusetts të SHBA-ve. Pothuajse të gjithë anëtarët e saj ishin njëkohesisht pjesë e Partisë Kombëtare Shqiptare e krijuar në SHBA nga Kristo Dako dhe personalitete të tjera.
Më 22 janar 1919 “Shoqëria Çamëria” i drejtoi kryeministrit të Francës dhe njëkohësisht Presidentit të Konferencës së Paqes në Paris, Georges Clemenceau një memorandum, ku kërkohej korrigjimi i vendimit të padrejtë të Konferencës së Londrës së vitit 1913 dhe bashkimi i Çamërisë me Shqipërinë.
“Shkëlqesi
Të nënshkruarit, përfaqësues të shqiptarëve të rrethit të Janinës, duke përfshirë Prevezën, Filatin, Igumenicën, Paramithinë dhe Margëlliçin, me organizatën e tyre “Shoqëria Çamëria” dhe që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës i luten Shkëlqesisë s`uaj të hidhet poshtë vendimi i Konferencës së Londrës, që preu këto vende shqiptare nga trupi i mëmëdheut tonë të dashur dhe ia dha Greqisë, nga e cila kemi pësuar persekutime të papërshkrueshëm.
Në emër të parimit të kombësive, për të cilën kaq gjak po derdhet dhe për hir të paqes në të ardhmen në Ballkan, lusim Shkëlqesinë t`uaj të përdorni influencën t`uaj, për t`ia kthyer këto vende mëmëdheut tonë Shqipëri të cilës i përkasin si nga pikëpamja etnografike, e ndjenjave, e gjeografisë, si dhe historisë.
Një pyll spektakolar i projektuar në thellësi të plazhit Pernera në Ayia Napa, Qipro është prezantuar së fundmi.
Ky projekt i përbërë nga 93 skulptura ka kushtuar 1 milion euro. Autori, Jason deCaires Taylor, i cili ka bërë edhe punime të tjera nënujore në Meksikë dhe Grenada, thotë se objektivi i tij është të rikthejë në qendër të vëmendjes rindërtimin e hapësirave natyrore.
Disa nga skulpturat e tij peshojnë deri në 13 tonë dhe pas vetëm pak javësh që janë vendosur aty, kanë filluar të rrethohen nga algat e para. Taylor shpreson që në të ardhmen, e gjithë zona të “pyllëzohet” me bimësi nënujore.
“Kjo është shumë inkurajuese, do ta vizitoj herë pas herë vendin për të parë se si do të ketë lulëzuar jeta detare”, tregon ai për CNN.
Puna për ndërtimin e pyllit nisi në mars 2020, por përurimi u shty për shkak të pandemisë.
“Zgjodhëm kohën më të papërshtatshme, ishte një sfidë e vërtetë realizimi i këtij projekti”.
Muzeu nis në tokë, me hyrjen kryesore në plazhin Pernera, ndërsa një shteg i vendosur mbi një platformë pluskuese të çon nën ujë për të parë skulpturat e zhytura. / KultPlus.com
Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e 27-të me radhë gjatë të cilës ka miratuar tri vendime.
Në këtë mbledhje u miratua vendimi për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covid-19.
Në njoftim thuhet se bazuar në të dhënat aktuale mbi situatën epidemiologjike dhe rekomandimet e IKShPK – së, Qeveria ka balancuar interesin e ruajtjes së shëndetit publik dhe interesit ekonomik, duke marrë masa të cilat në njërën anë mundësojnë një aktivitet të shtuar ekonomik, ndërsa në anën tjetër kontrollojnë dhe parandalojnë shpërndarjen e COVID-19.
“Masat e ndërmarra përmes këtij vendimi nuk përcaktojnë, në asnjë rast obligimin e vaksinimit të detyrueshëm, duke qenë se kufizimet e vendosura ndaj publikut mund të përmbushen me paraqitjen e dëshmisë së statusit të vaksinimit, të rezultatit të një testimi që arrin në përfundimin se personi nuk është i infektuar me COVID-19, ose se personi është shëruar nga COVID-19 dhe ka antitrupa të mjaftueshëm”, thuhet në komunikatë.
Më tej, në mbledhjen e sotme të Qeverisë, është shqyrtuar dhe miratuar vendimi për zgjatjen e mandatit të Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqi edhe për katër (4) vjet.
Miratimin e kabinetit qeveritar e ka marrë sot edhe kërkesa e Ministrisë së Shëndetësisë për angazhimin e përkohshëm të 1,116 (njëmijë e njëqind e gjashtëmbëdhjetë) profesionistëve shëndetësorë dhe stafit mbështetës për menaxhimin e pandemisë dhe përkrahjen e procesit të vaksinimit kundër COVID-19, për tre muaj, me mundësi të vazhdimit edhe për tre muaj tjerë shtesë (MFPT),në shumë totale prej 3,192,854 € (tre milionë e njëqind e nëntëdhjetë e dy mijë e tetëqind e pesëdhjetë e katër euro).
Masat anti-COVID të miratuara sot nga Qeveria e Kosovës:
Për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19
A. [Zbatimi territorial]
1. Ky vendim zbatohet në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
B. [Hyrjet dhe daljet e qytetarëve të huaj nga Republika e Kosovës]
2. Të gjithë qytetarët të cilët hyjnë në Republikën e Kosovës, përfshirë edhe ata me leje qëndrimi të përkohshëm ose të përhershëm në Kosovë dhe të cilët vijnë nga vendet me rrezik të lartë sipas listës zyrtare të Institutit kombëtar të shëndetësisë publike të Kosovës (IKShPK), duhet të kenë test RT-PCR negativ për COVID-19 të bërë në 72 orët e fundit.
3. Nga pika 2. përjashtohen:
3.1. Qytetarët të cilët hyjnë në Kosovë përmes aeroportit apo pikave kufitare tokësore dhe largohen nga Kosova brenda tre (3) orësh, përmes aeroportit ose pikave kufitare tokësore, me kusht që në hyrje të nënshkruaj deklaratën se do ta lëshojë Kosovën brenda tre (3) orësh; 3.2. Qytetarët të cilët punojnë si transportues profesionist (vozitës), me kusht që të respektojnë protokollin për transport ndërkombëtarë për mbrojtje nga COVID-19; 3.3. Qytetarët të cilët kalojnë nëpër Kosovë përmes transportit të organizuar me autobus ose me linjë të rregullt ndërkombëtare, transit, me kusht që të nënshkruhet deklarata se do ta lëshojnë territorin e Kosovës brenda pesë (5) orësh; 3.4. Diplomatët e huaj, të akredituar në Kosovë, si dhe familjarët e tyre; 3.5. Personat që kanë çertifikatë të vaksinimit të plotë kundër COVID-19; 3.6. Personi me një rezultat pozitiv të testit të antitrupave serologjik –IgG, të lëshuar më së shumti tridhjetë (30) ditë para arritjes. 3.7. Fëmijët nën moshën njëmbëdhjetë (11) vjeç.
C. [Mbrojtja dhe siguria në punë]
4. Gratë shtatzëna, lirohen nga obligimi për t’u paraqitur fizikisht në punë. Punëdhënësit publikë apo privat udhëzohen të ju krijojnë mundësinë që të punojnë nga shtëpia, për aq sa është e aplikueshme.
Ç. [Masat e përgjithshme të mbrojtjes dhe higjienës]
5. Obligohen institucionet publike dhe private, si dhe subjektet tjera, të mbajnë dezinfektues për duar dhe maska në vende të qasshme, në hyrje të objektit si dhe në ambientet e brendshme.
6. Obligohen institucionet publike e private, si dhe subjektet tjera, që në hyrje të çdo objekti, të vendosin shenja të dukshme të rregullave të sjelljes për mbrojtje nga COVID-19, përfshirë shenjën e ndalimit të hyrjes në objekt pa maska, si dhe respektimin e distancës.
7. Obligohen përgjegjësit e institucioneve publike e private dhe subjektet e tjera, që të kryejnë dezinfektimin dhe ajrosjen e hapësirave të mbyllura.
8. Ndalohet hyrja në ambientet e mbyllura pa maskë.
9. Bartja e maskës duke mbuluar hundën dhe gojën është obligative në të gjitha rastet, përveç: 9.1. Gjatë ecjes në ambient të jashtëm, vetëm; 9.2. Gjatë ngasjes së automjetit, vetëm, apo në grup me jo më shumë se katër (4) persona; 9.3. Gjatë vrapimit, çiklimit dhe ushtrimeve fizike; 9.4. Gjatë ngrënies apo pijes.
10. Obligohen të gjitha institucionet publike dhe private që të përcaktojnë një punonjës të monitorojë zbatimin e masës të përcaktuar në pikën 8.
D. [Institucionet e arsimit]
11. Institucionet publike dhe private të të gjitha niveleve të arsimit vazhdojnë mësimin sipas udhëzuesit përkatës për sektorin e arsimit.
12. Të gjitha institucioneve publike dhe private të të gjitha niveleve të arsimit, iu ndalohet organizimi i ekskursioneve dhe shëtitjeve grupore.
Dh. [Paraqitja për skemat sociale dhe pensionale]
13. Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve udhëzohet të lirojë të gjithë përfituesit e skemave sociale dhe pensionale, që menaxhohen nga MFPT-ja nga paraqitja e rregullt në zyrat përkatëse për qëllime të evidentimit, siç kërkohet me ligjet përkatëse..
E. [Kufizimi i mbledhjeve publike dhe private]
14. Lejohen grumbullimet në hapësira të mbyllura (mbledhje, seminare, trajnime), me kusht që të shfrytëzohet 30% e kapacitetit të hapësirës. Organizatori obligohet të mbaj distancën fizike prej së paku 1 metër në mes të personave, sipas dëshmive të përcaktuar në pikën 17 të këtij Vendimi.
15. Lejohen grumbullimet në ambiente të jashtme, tubimet shoqërore (festivale, koncerte, etj.) me kusht që të shfrytëzohet 50% e kapacitetit të hapësirës, sipas dëshmive të përcaktuar në pikën 17 të këtij Vendimi.
F. [Klubet e natës dhe ahengjet]
16. Nga data 20 gusht 2021 deri me datë 1 shtator 2021, ndalohet veprimtaria e klubeve të natës, dasmave, fejesave, ahengjeve familjare dhe mbrëmjeve të maturës, në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
G. [Hyrja, shfrytëzimi dhe organizimi i aktiviteteve të caktuara]
17. Nga data 20 gusht 2021 deri me datë 1 shtator 2021, hyrja në ambientet ku mbahen grumbullime, tubime (festivale, koncerte) aktivitete sportive dhe kulturore të cilat kanë kapacitet mbi 100 persona, si dhe organizimi i këtyre aktiviteteve, lejohet vetëm nëse klientët/pjesëmarrësit posedojnë një nga dëshmitë e mëposhtme:
17.1 Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë ose marrjen e një dozë të vaksinës kundër COVID-19; 17.2 Testi RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 72 orë; 17.3 Dëshmi se personi ka kaluar COVID-19 (test RT-PCR pozitiv i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë ose rezultat pozitiv i testit të antitrupave serologjik –IgG, i lëshuar më së shumti para 30 ditëve; 17.4 Test i shpejtë antigjen negativ jo më i vjetër se 48 orë.
18. Nga data 20 gusht 2021 deri me datë 01 shtator 2021, një nga dëshmitë e cekura në pikën 17 duhet të posedohet nga të gjithë punëtorët në kuadër të bizneseve/ aktiviteteve të cekura në pikën 17, të cilët janë në kontakt të drejtpërdrejtë me klientët.
19. Personat përgjegjës të bizneseve/ aktiviteteve të cekura në pikën 17, janë të detyruar të caktojnë një person i cili do të kontrollojë posedimin e të paktën një prej dëshmive sipas pikës 17.
20. Personat nën moshën 16 vjeçare nuk janë të detyruar të posedojnë asnjë nga dëshmitë e cekura sipas pikës 17.
Gj. [Gastronomia]
21. Shërbimet e gastronomisë përfshirë restoranet dhe hapësirat e ngjashme në hoteleri lejohen të punojnë deri në orën 22:30 dhe të zhvillojnë aktivitetin e tyre në përputhje me udhëzuesin përkatës. Në hapësirat e mbyllura lejohet veprimtar deri në 50% e kapacitetit të hapësirës. Në hapësirat e hapura lejohet shfrytëzimi deri në 70% e kapacitetit të hapësirës. Sipërfaqja llogaritet për zonën ku shërbehet ushqimi dhe pijet.
22. Përgjegjësit e lokaleve duhet të sigurohen që distanca ndërmjet klientëve në tavolina të ndryshme të jetë së paku një (1) metër.
23. Pjesa e prapme e një karrige, me pjesën e prapme të karriges tjetër duhet jenë në distancë së paku një (1) metër.
24. Në hapësirat e mbyllura lejohen deri në 4 persona në tavolinë. Në rast se tavolinat janë me të mëdha se dy (2) metra, atëherë parakusht është që të shfrytëzohet hapësira duke respektuar kufizimin prej pesë (5) persona në 10 m2.
25. Në hapësirat e mbyllura lejohet shërbimi i ushqimit dhe pijeve vetëm për mysafiret që janë të ulur ose duke qëndruar në këmbë në një tavolinë ose në banak.
26. Në hapësirat e jashtme lejohen deri në gjashtë (6) persona në tavolinë, banak apo në tavolina në këmbë.
27. Çdo tavolinë duhet të jetë e pajisur me dezinfektues që përmbajnë së paku 60-70% alkool.
28. Duhet të vendosen udhëzuesit në hapësirat e jashtme të lokaleve lidhur me informimin e klientëve për protokollin e masave kundër COVID-19.
H. [Qendrat tregtare dhe operatorët e tjerë ekonomikë]
29. Lejohet veprimtaria e qendrave tregtare në përputhje me pikën 8 të këtij Vendimi dhe sipas udhëzuesit përkatës.
30. Obligohen të gjithë operatorët, të cilët për veprimtari ekonomike e kanë tregtinë me shumicë dhe pakicë, që të përcaktojnë numrin maksimal të klientëve në lokal në të njëjtën kohë sipas rregullit – 1 person për 8 m2. Këta operatorë obligohen të shënojnë në hyrje numrin maksimal të klientëve të lejuar në të njëjtën kohë. Sipërfaqja llogaritet për zonën ku lejohen të qëndrojnë klientët.
I. [Puna me palë]
31. Personi përgjegjës i institucionit publik apo privat dhe i operatoreve ekonomikë, obligohet që të ndalojë rreshtimin apo tubimin brenda dhe jashtë ambientit të punës/biznesit, përveç nëse mbahet distancë fizike prej të paktën 1.5 metra nga grupet e tjera të personave.
J. [Transporti publik]
32. Ndalohet hyrja në mjetet të transportit publik pa maskë.
33. Operatorët e transportit rrugor të udhëtareve lejohen të punojnë, duke shfrytëzuar kapacitetin e plotë të ulëseve, me kusht që personeli dhe udhëtarët të mbajnë maskën gjatë tërë kohës. Operatorët e transportit nuk mund të ketë më tepër udhëtarë në autobus sesa që posedojnë ulëse.
34. Në taksi lejohen të udhëtojnë deri në dy (2) udhëtarë.
K. [Teatrot, bibliotekat, etj.]
35. Teatrot, bibliotekat, orkestrat, galeritë, ansamblet, baleti, kinematë, qendrat rinore, muzetë, qendrat e kulturës me grupe apo institucionet tjera të ngjashme vartëse të MKRS-së apo të Komunave, lejohen të punojnë duke shfrytëzuar 50% të hapësirës/sipërfaqeve të objekteve përkatëse për të gjitha aktivitetet (si gjatë shfaqjeve ashtu edhe gjatë ushtrimeve), në përputhje me pikën 8 dhe sipas dëshmive të përcaktuar në pikën 17 të këtij Vendimi.
L. [Sporti dhe rekreacioni]
36. Lejohet organizimi i garave sportive dhe stërvitjeve përkitazi me protokollet dhe rekomandimet e organizatave botërore për organizimin e ngjarjeve sportive dhe me masat mbrojtëse të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
37. Në aktivitetet garuese në hapësira të mbyllura lejohet prania e shikuesve deri në 15% të kapacitetit të objektit apo hapësirës sportive (salla sportive, pishina, hapësira të tjera të mbyllura) duke respektuar masën e distancës prej 1.5 metra dhe masat tjera mbrojtëse, në përputhje me pikën 8 dhe sipas dëshmive të përcaktuar në pikën 17 të këtij Vendimi.
38. Në aktivitetet garuese në hapësira të jashtme lejohet prania e shikuesve deri në 30% të kapacitetit të objektit, apo hapësirës sportive (stadium, pishina, hapësira të tjera të jashtme), duke respektuar masën e distancës prej 1.5 metra dhe masat tjera mbrojtëse, në përputhje me pikën 8 dhe sipas dëshmive të përcaktuar në pikën 17 të këtij Vendimi dhe udhëzuesit respektiv.
39. Organizatorët e garës janë të obliguar të ndërmarrin masat specifike, në përputhshmëri me protokollet ndërkombëtare, për menaxhimin e masës (tifozëve) para, gjatë dhe pas hyrjes në hapësirën sportive.
40. Lejohet shfrytëzimi i fitneseve, palestrave dhe të ngjashme për aktivitete individuale rekreative, sipas dëshmive të përcaktuar në pikën 17 të këtij Vendimi dhe udhëzuesit respektiv.
41. Shfrytëzimi i fitneseve, palestrave dhe të ngjashme bëhet në proporcion 1 klient në 8m2, sipas dëshmive të përcaktuar në pikën 17 të këtij Vendimi dhe udhëzuesit respektiv.
42. Obligohet vendosja e shenjave informuese dhe dezinfektuesve (apo mjeteve të tjera për pastrim), në secilën pajisje të fitnesit me qëllimit të vetëdijësimit dhe dezinfektimit të tyre nga secili klient pas përdorimit.
Ll. [Udhëzuesit dhe sqarimet]
43. Obligohet Ministria e Shëndetësisë që të nxjerrë udhëzuesit e përkohshëm, të përgjithshëm dhe të veçantë për parandalimin dhe luftimin e COVID-19, si në vijim:
43.1. Udhëzues i Përkohshëm për aplikimin e masave të përgjithshme për parandalimin dhe luftimin e COVID-19;
43.2 Udhëzues i Përkohshëm për sektorin e shërbimeve personale dhe bizneseve, industrisë, administratës publike dhe OJQ-ve;
43.3 Udhëzues i Përkohshëm për institucionet arsimore të të gjitha niveleve;
43.4 Udhëzues i Përkohshëm për gastronomi, hoteleri, sektorin e shitjes dhe qendra tregtare;
43.5 Udhëzues i Përkohshëm për tubimet fetare, varrime, punëtori dhe aktivitete kulturore,
43.6 Udhëzues i Përkohshëm për fitnese, palestra dhe aktivitete tjera rekreative dhe sportive;
43.7 Udhëzues i Përkohshëm për transportin publik;
43.8 Udhëzues i Përkohshëm për institucionet e kujdesit shëndetësor;
43.9 Udhëzues i Përkohshëm për aviacionin civil;
43.10 Udhëzues i Përkohshëm për institucionet korrektuese, qendra të azilit dhe të mbajtjes për të huaj;
44. Udhëzuesit nga pika 43 janë të detyrueshëm për të gjithë personat dhe sektorët ndaj të cilëve zbatohen.
45. Obligohet Ministria e Shëndetësisë që në rast nevoje të nxjerr sqarime për pikat e këtij vendimi.
M. [Zbatimi]
46. Obligohet Ministria e Shëndetësisë, AUV dhe Policia e Kosovës në bashkëpunim me shtabet emergjente komunave, të mbikëqyrë zbatimin e këtij vendimi dhe të dorëzojë në Zyrën e Kryeministrit raport javor (çdo të premte deri në orën l6:00).
47. Obligohet Ministria e Shëndetësisë, ShSKUK dhe IKShPK të dorëzojnë në Zyrën e Kryeministrit raportin javor, (çdo të premte deri në orën 16:00), për zbatimin e masave, gjendjen në institucionet shëndetësore, situatën epidemiologjike si dhe parashikimet për dy javët në vijim.
48. Obligohet Ministria e Shëndetësisë që, bazuar në Ligjin Nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19, në territorin e Republikës së Kosovës të nxjerrë vendime operacionale, varësisht prej situatës epidemiologjike dhe rekomandimeve të IKShPK-së.
49. Obligohet Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse, të mbikëqyrin zbatimin e masave, vendimeve të tjera dhe udhëzuesve përkatës në zbatim të Ligjit Nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë në territorin e Republikës së Kosovës.
50. Për shkelësit e masave, organet kompetente obligohen të shqiptojnë masat ndëshkimore sipas Ligjit Nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës dhe ligjeve të tjera në fuqi.
51. I vetmi autoritet që mund të ofroj opinion për këtë vendim është Ministria e Shëndetësisë, ndërkaq çdo institucion tjetër mund të ofrojë sqarime për kategoritë respektive për të cilat aplikohet ky vendim, vetëm pas miratimit të atij sqarimi nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.
N. [Shfuqizimi i vendimit Nr. 01/25]
52. Shfuqizohet Vendimi i Qeverisë Nr. 01/25 i datës 12.08.2021.
Nj. [Hyrja në fuqi]
53. Vendimi hyn në fuqi ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe vlenë deri më dt.01.09.2021. / KultPlus.com
Fotoja e një bojaxhiu që mbulon me bojë reklamat e një salloni nusërie në Kabul pas triumfit të talebanëve u bë virale.
Por vajza me fustan të bardhë që qëndronte në vitrinat e dyqanit në kryeqytetin afgan është një modele shqiptare.
Bëhet fjalë për Beatrix Ramosaj.
Mësohet se ajo kishte realizuar kohë më parë një set fotosh për një kompani turke dhe fotoja e saj kishte përfunduar edhe në kryeqytetin e Afganistanit.
Ka qenë vetë Ramosaj që ka publikuar foton e plotë të reklamës. / KultPlus.com
Ky qiell i prillit pa ty është i vjetër. shkon një trishtim e ja ku vjen një tjetër. Në mallin tënd ky karafil i egër,- Ti do të më dashurosh patjetër!
Në sytë e tu diej të vegjël e ndezën natën dhe ditën e ndezën. Mirë sot, po si durohet pa ty nesër?- Ti do t’më dashurosh patjetër.
Kapërcej ty e kapërceva veten, dhe përtej vetes kapërceva jetën, dhe përtej jetës kapërceva vdekjen,- I hapa krahët të pushtoj ty vetëm:
Ftohen të gjithë të interesuarit që të dërgojnë propozime për konsiderim për çmimet e OSCARS për kategorinë për film në gjuhë të huaj (international feature), i cili mund ta përfaqësoj Kosovën këtë vit.
Në këtë kategori përfshihen filmat e metrazhit të gjatë artistik, dokumentarë, dhe të animuar më të gjatë se 40 minuta, që janë shfaqur/do të shfaqen në kinema apo VOD platformë për së paku 7 ditë rresht, jo më herët se 1 janar 2021 dhe jo më vonë se 31 dhjetor 2021.
Edhe këtë vit përshkak të pandemisë, Akademia e Oscars ka adaptuar rregullën që vlen edhe për edicionin e 94-t e cila përcakton se: filmat e përzgjedhur që e kanë pasur shfaqjen teatrale të planifikuar më parë, por që fillimisht janë bërë të qasshme përmes një platforme me reputacion të shpërndarjes, ose të ndonjë platforme VOD, mund të kualifikohen, nën kushtet e mëposhtme:
– Që t’i sigurojnë Akademisë dokumentacionin (dokumentin origjinal dhe një përkthim në anglisht) të datave të mbylljes së kinemasë të mandatuar nga qeveria, dokumentacionin që dëshmon shfaqjen në kinema të planifikuar më parë, dhe shpërndarjen në një platformë me reputacion, ose marrëveshje me ndonjë platformë VOD. – Filmi do të vihet në dispozicion në Dhomën e Shfaqjes së Akademisë brenda 60 ditëve pasi filmi është përcaktuar zyrtarisht nga komiteti përzgjedhës për të përfaqësuar vendin. – Që plotëson të gjitha kriteret e tjera të pranueshmërisë.
Kushtet dhe detajet tjera të aplikimit i gjeni në linkun poshtë (rregulla e 13të):
Ndër artistët më të shquar të artit të Dalmacisë në gjysmën e dytë të shekullit XV, është pa dyshim edhe Andrea Aleksi prej Durrësi. Dokumentet e arkivave të qyteteve bregdetare të Dalmacisë e përmendin shpeshherë si “magister Andrea Alessi da Durazzo” (mjeshtri andrea Aleksi nga Durrësi), ose “magistro andrea lapicide” (mjeshtri andrea gurëgdhendësi, gurëlatuesi). Andrea Aleksi hyn në radhën e atyre arkitektëve dhe skulptorëve të Rilindjes së Dalmacisë, të cilët lanë pas vete vepra të pavdekshme të artit arkitektonik dhe skulpturor.
Ky është njëri ndër tre artistët më të spikatur të Dalmacisë. Veproi të shumtën në Dalmaci dhe më pak në Itali. Këtu do të flitet vetëm për veprimtarinë dhe veprat e tija në Dalmaci.
Veprat e bukura arkitektonike dhe plastike të punuara nga dora e këtij artisti gjenden në shumë qytete e vende të Dalmacisë dhe paraqesin një kontribut jashtëzakonisht të vlefshëm në artin e Rilindjes së Ballkanit. Ato stolisin edhe sot e kësaj dite ngrehina të shumta arkitektonike si; kisha, kapela, kambanare, shtëpi private, të cilat dëshmojnë për një zotësi, shkathtësi dhe fuqi shprehjeje artistike shumë të lartë të këtij artisti të madh….
Andrea (Ndreu) u lind në Durrës aty rreth vitit 1425, por përse është shpërngulur nga Durrësi nuk dihet. Si djalosh njëzetvjeçar, në vitin 1445, punon në punishtën e arkitektit dhe skulptorit të shquar Juraj Dalmatinac.
Dokumenti i parë na paraqet Ndreun duke punuar te gurëlatuesi Marko Petrov në punishtën e tij në Zarë, ku edhe mësoi zejen.
Në Split kishte shtëpinë, familjen dhe punëtorinë e tij me disa nxënës dhe ndihmës. Më 1475 u martua në Split me Marusha de Balistis. Veprimtarinë e tij mund ta përcaktojmë prej vitit 1435, kur nisi të mësojë artin e deri në fund të dhjetëvjetshit të parë të shekullit XVI, kur përmendet i vdekur.
Kur nga rreziku prej turqve Spliti fortifikohej me ngrehjen e rrethojës fortifikuese, aty punon edhe mjeshtri i vjetër, plaku Andrea, sikurse na tregojnë dokumentet relevante të vjetit 1488. Edhe pas këtij viti Andrea përmendet në paditë, kontratat për shitblerje, kontratat për punime të ndryshme e të tjera. Më 1847 përmendet përsëri përkitazi me punimet në kambanaren e Splitit.
Si mjeshtër përmendet për herë të fundit më 1503. Më 30. VIII. 1504 la pas vete dhiatën me anën e së cilës i fali kishës së Rrëshajëve në Split toka të shumta. Besohet se vdiq në vitin 1504. Emrin e tij sot e mban një rrugë e Splitit.
Veprat e Andrea Aleksit
Andrea Aleksi ishte fillimisht bashkëpunëtori kryesor i Juraj Dalmatincit, të emërtuar nëpër dokumente Giorgo da Sebenico. Në listën e bashkëpunuesve të këtij artisti nën numrin 16 është shënuar emri: Andrea Nicolo da Durazzo (më 8.I.1445), kurse në listën e viti 1452: Andrea Alessi Albanesi da Durazzo.
Në literaturën e ish Jugosllavisë e quajnë zakonisht Andrija Aleshi iz Draça.
Më vonë Andrea bashkëpunon me mjeshtrin Nikolla Fiorentinasin, sajellës i Rilindjes në Dalmaci. Është vështirë të veçohet vepra e Ndreut nga ajo e bashkëpuntorëve të tij. Për ta zgjidhur këtë problem, shkrimtarëve u ndihmoi pa dyshim analiza e stilit dhe e karakteristikave të Pagëzimores së Katedrales së Trogirit, për të cilën dihet se është vepër e Andreut.
Në vazhdim do të cekim me radhë thuajse të gjitha veprat e këtij artisti, për të cilat është vërtetuar se janë punuar nga dora e tij ose e ndihmësve të tij, nën udhëheqjen e këtij mjeshtri tonë të madh.
Veprat e Andreut në Shibenik.
Në vitet 1441-1451, së bashku me Juraj Dalmatinasin, Andreu punoi në Shibenik. Sipas koncepcionit dhe veçorive artistike, vepra të tija janë: truproja e profetit Eli në altarin e relikjeve të katedralës, brezi i lulëzuar i stolisur me dragonj, mbështetur njëri në tjetrin, jashtë katedralës. Gjurmët e daltës dhe të dorës së shkathët të Andreut shihen edhe në truproren e Shën Hieronimit, në Atin e Pushtetshëm të kupës së brendshme, në truporet e pagëzimores, në gurin e varrit të ipeshkvit Sisgoreo, punuar më 1453, si dhe në shikimin e derës së katedralës. Interesante janë edhe dritaret e mëdha të korit të Shibenikut me dantele të komplikuara gotike, të futura në një suazë katërkëndëshe kënddrejtë, gjë e cila i takon Rilindjes. Vepër e Andreut po ashtu është edhe relievi i Shën Hieronimit në medalionin e rrumbullakët në korin e Katedralës së Shibenikut, i punuar në vitin 1468. E tija është edhe Kapela e Shën Domenikut në të njëjtën kishë, e ndërtuar në vitin 1448.
Veprat e Andreut në Trogir.
Trogiri është vend në të cilin Andreu krijoi veprat kryesore të tij. Vepra më e rëndësishme dhe më e bukura e Andreut është Pagëzimorja e Trogirit, të cilën filloi ta ndërtojë në vitin 1466, kurse dhe e përfundoi më 1467, duke e nënshkruar kështu: Andreas Alexius Durrhachinus.
Në këtë vepër madhështore ai paraqiti një sintezë të punës dhe të mundësive të veta. Në fund të katedrales gjendet dera e pagëzimores në mes të shtyllëzave të skalitura në gjethe e kokrra të mëdha lerthi. Andrea e përpunoi derën nën ndikimin e stolisjes romane të Pallatit të Dioklecianit në Split, duke i nxjerrë dy gungëza përmes shiritave të gdhendur me tubëza lulesh e frutash, të cilat i mbështeteshin derës si kënde të saja. Andrea skaliti në disa rrasa mermeri në bareliev “Pagëzimin e Krishtit”. Rrasat mandej i puqi më së miri dhe ua mveshi mureve. Pagëzimorja e Trogirit përbrenda është katërkëndëshe këndrejtë me një kupës të mprehtë, venduar mbi një kornizë dystivëshe të stolisur me gjethe të skalitura, me majë të sjellë në të djathtë. Nën kornizë lëshoi një brez të madh të skalitur e të dekoruar me dragonj, të cilët mbajnë në duar një kordon të trashë festimesh. Dragonjtë janë barkosha e hundëçupulë. Korniza është mbështetur mbi disa shtyllëza të skalitura në vija vertikale. Ndërmjet shtyllëzave janë gropuar, gërryer, gungëzat e zakonshme që lartohen, të skalitura edhe ato me vija vertikale. Anesat e murit kanë formë rombi të stolisur drandofillëza, sikurse është stolisur përjashta Katedrala e Shibenikut. Mbi altarin e kapelës lartohet truporja e Pagëzuesit. Në faqen e murit, përballë altarit, përmbi kornizën dystivëshe me gjethe në valvitje në drejtim të kundërt, gjendet një gungë në të cilën është vendosur truporja e Shën Hieronimit, duke përsiatur në mes harpiave dhe gjarpërinjve, ndërsa pranë gjendet një luan. Andreu i ri dhe i gjallërishëm, në Pagëzimoren e Trogirit bëri një realizim jashtëzakonisht të fuqishëm të Shën Hieronimit në shpellë–një nga veprat më të bukura të tija. Në Pagëzimoren e Trogirit na shfaqet Rilindja e plotë: figurat donatelike, lulevargjet (girlandat) e lulëzuara, shtyllakët (pilastrat) e kaneluar. Autori zotëron mjeshtërisht hapësirën dhe merr idenë themelore arkitektonike nga forma e tempullit të Jupiterit në Pallatin e Dioklecianit. Rilindja zgjoi një interesim të madh për motivet klasike, të cilët i gjejmë në relievet dhe dekorimet e pagëzimores. Në këtë punim shkëlqen prirja stilistike me plot origjinalitet. Truporet e skalitura në mermer paraqiten të valvitura e të matura, me flokë të lëshuara, me simetri të plotë dhe me rrudhat e petkave të skalitura shumë thellë. Stili i përzierë gotiko-klasik, shihet edhe në gungën (apsidën) e katedralës dhe në harkun e pagëzimores, i cili ka një hark të mprehtë, kurse sipërfaqet e tija janë të zbukuruara me kaseta klasike, sikurse është harku i pagëzimores së Splitit.
Edhe dekori iskulpturor i anijatave të pagëzimores përmban motivet e njëjta të goticizmit dhe të klasicizmit. Nën vargun e dyfishtë të gjetheve të vrullshme, që i luhat era në dy drejtime, dragonjtë e pafrenuar mbajnë kurorat e rënda të luleve e të pemëve. Përmbi hyrjen në Pagëzimore gjendet relievi i madh i pagëzimit të Krishtit në Lumin Jordan, ku shihet modeli i plotë, sepse rrudhat e petkave humbasin vijën gotike, bëhen më të drejta dhe më të thella.
Pagëzimorja ka dekorin e rilindjes: gjethet që valviten në dy drejtime, rozetat e lulëzuara, larimet (frizat) me dragonj që mbajnë girlandat (lulevargjet) me lule, shtyllakët (pilastrat) e kaneluar, kapitelet me akant (dashtër) dhe bririn e begatisë, shtyllakët konkavë (të luguar) që mbarojnë me guaskë, etj.
Më 4. I. 1468, pasi mbaroi Pagëzimoren e Trogirit, Andrea Aleksi ndërmorri ndërtimin e kishës (kapelës) të Lumit Orsini po në Katedralën e Trogirit, së bashku me Nikolla Firentinasin, i cili vdiq më 1472, kështu që Andreu e vazhdoi punën vet. Kjo kishëz pompoze u ndërtua në navatën e majtë. Harku është i hijeshuar me skalitje të ndryshme. Kjo kapelë (kishëz) është mjaft e madhe dhe ka një kupolë, në mesin e së cilës është skalitur reliev i Atit të Pushtetshëm, rrethuar nga katër serafinë. Në altar janë skalitur në një rrasë dy engjëj, kurse sarkofagun e ri e të Lumit Orsini, në të cilin janë skalitur katër skenat e jetës së këtij Shenjtërori, e mbajnë katër engjëj të tjerë. Midis njëzet fillakëve të mermertë dalin hajnisht trupore dragonjësh të lakuriquar (cullakë) me flakadanë në dorë. Mandej kemi shtatoret (truporet) e dymbëdhjetë apostujve, të katër shenjtërorëve të tjerë, truporen e Shëlbyesit me katër engjëj, aktin e kurorëzimit të Zojës etj.
Harku me kaseta në kapelën e Lumit Orsini fitoi një realizim të ri të Rilindjes, Andreu tregon një lartësi shprehjeje artistike në skalitjet e truporeve (shtatoreve) të ndryshme në Trogir, sikurse janë: Ati i Pushtetshëm, Krishti, Zoja, Shën Gjon Pagëzuesi, Shën Gjon Ungjilltari, Shën Filipi, Shën Hieronimi etj. Përpos këtyre, në Trogir Andreu ka punuar edhe monumente të tjera.
Më 1469 punoi varrin e humanistit Ivan Sabota dhe të birit të tij Shimunit. Gjithashtu, ka punuar edhe në dekorimin e pallateve të bukura Torlon dhe Qipiko, për çka na dëshmojnë triforat dhe portaret e tyre të mrekullueshme. Relievi mbi varrin e ipeshkvit Torlon, truproja e Shën Pjetrit përmbi derën e kësaj kishe dhe skulpturat në kishën e Shën Sebastianit, janë vepra të tija, sepse karakteristika e daltës së tij është shenjë e besueshme.
Veprat e Andreut në Zarë.
Në altarin kryesor të kishës së Shën Gjonit, më 1955 u zbulua një rrasë e bardhë mermeri, e gjerë 34 cm, e lartë 35 dhe e trashë 6 cm, e cila në anën e përparme kishte të skalitur kompozicionin e Shën Hieronimit në shpellë. Relievi është i ruajtur mirë, ku mund të shihen edhe detajet. Shenjtërori plak, i devotshëm, disi i mbështjellë me një cergë, qëndron ulur me këmbë të kryqëzuara. Me dorën e djathtë shfleton librin, që gjendet në një mëngë të shkëmbit. Pak më lart gjenden të skalitur edhe dy libra. Para tij, në thellësinë e shpellës qëndron i qetë një luan. Poshtë në shpellë gjendet një kapelë kardinali; djathtas, në skaj të shpellës është skalitur një gjarpër, kurse përmbi të, në thellësinë e shkëmbit, një dragua me flatra të hapura.
Kompozicioni është i qerthulluar nga sipër si dhe në të dy anët, ndërsa poshtë si bazë gjendet një kënddrejtë. Relievi i Zarës për nga kompozicioni u afrohet atyre të Splitit (më pak atij të Galerisë dhe më tepër atij në kodrinën Marian). Trajta e shpellës dhe mënyra e latimit të shkëmbit, vendosja e luanit, e librave dhe e gjarpërit, janë të ngjashme. Dragoi këtu është shumë më lart dhe ka një pozicion tjetër fare. Shenjtërori këtu i ka këmbët të kryqëzuara, kurse në ata të Splitit ka mbështetur mjekrën në dorë dhe lexon. Kryet dolikocefal (të zgjatur), balli me madhësi mesatare, laprat e veshëve të trasha e të mishta, dora e djathtë (dorë plaku), shiritat e kapelës valviten në mënyrë temperamente. Relievi i Zarës na tregon një siguri, liri dhe mjeshtri në komponim. Figura e shnjtërorit është e vendosur në qendër të katërkëndëshit dhe këtij i janë nënshtruar si shpella e shkëmbi, ashtu edhe shtazët. Luani, për shkak të dimensioneve të vogla, nuk ka mundur të paraqitet në thellësi, si në relievin e Marianit në Split, por nuk është i latuar pa shije, si në atë të Galerisë së Splitit. Gjarpëri lakohet në mënyrë natyrore në drejtim të diagonales së katërkëndëshit dhe nxjerr kokën prej një gavre. Edhe kapela e kardinalit është trajtuar më gjallërishëm. Relievi i shën Hieronimit, i zbuluar në Zarë, është një nga veprat më të bukura të Andreut dhe gati identik me atë të Marianit në Split. Në bazë të disa motiveve, duket se artisti ynë ka punuar në Zarë edhe në pallatin e Grisogono-Vovo-s, sepse aty gjejmë kamare (nisha) jo të thella, të kaneluara që mbarojnë me guaskë, që është tipar i punimve të Andreut.
Veprat e Andreut në Split.
Veprat e Andreut në Split mund t’i radhisim kronologjikisht kështu: më 1445, 1451, 1455, dokumentet na tregojnë se ka punuar në ndërtesën e bashkisë së Spitit. Stili dhe karakteristikat e portoreve (portaleve) të oborrit të Pallatit të Ivan d’Augustio dhe në atë të familjes Papaliq në Split, dëshmojnë se këto vepra mund të jenë të tijat. Po të vërtetohej kjo gjë, Andrea do të ishte mjeshtër edhe më i madh. Ka gjasë, sepse ornamentet e tyre janë të ngjashme me ato në rrasën e varrit të ipeshkvit Ivan Skafa në Rab, që e punoi Andreu. Në një dokument tjetër theksohet se Andrea Aleksi ka punuar në ngrehinën monumentale të quajtur “Palatium”, si dhe në ndërtesën e një tregtari venedikas të quajtur Venturi Meraviglia. Dokumentet arkivore venedikase na tregojnë se Andreu punoi në kapelën e Shën Katarinës në kishën e Shën Domenikut më 1448 për 105 dukatë. Po në këtë kapelë ndërtoi edhe varrin e familjes fisnike Luccari.
Në mbarim të vitit 1472 Andrea merr përsipër ripërtëritjen dhe zbukurimin e kambanares së Katedralës së Splitit. Punimet i bëri kryesisht në katin e katërt, i cili paraqet një vepër arkitektonike të bukur, proporcionet e së cilës kanë një elegancë të gjallë. Plastika dekorative përmban ornamente që gjenden edhe në apsidën e Katedralës së Trogirit.
Relievi i Shën Hieronimit në kishën e vogël pitoreske të këtij shenjtënori në kodrinën Marian në Split, është i nënshkruar prej Andreut dhe mban datën e vitit 1480. Kjo është vepra më interesante në Split. Ky reliev, me paraqitjen e Shën Hieronimit në shpellë në altarin e kishës, është dhuratë e Andreut që ia kushtoi kësaj faltoreje.
Analiza stilistike e kësaj vepre vërteton se autor është i nënshkruari Andrea. Relievi është i skalitur në gurë polikromë. Shembëlltyra e Shën Hieronimit është një prodhim apo punim tipik i galerisë së tipave të këtij mjeshtri shqiptar. Përfaqësuesit më të mirë të këtyre tipave i gjejmë edhe në veprat e tij në Trogir. Kështu është paraqitur figura e një njeriu thatanik e ashtmadh me kokë dolikocefale, i cili rri ulur në gjysmëterrin e thellësisë së shkëmbit. I mbështetur me njërin krah në një plasaritje lexon librin, ndërsa në dorën tjetër mban një shkop. Prej gavrave të shkëmbit shikojnë hajnisht e tinëzisht përcjellësit e tij: luani, harpia, gjarpëri. Polikromia e gurit i jep pa dushim një plasticitet më të fortë dhe kontraste më të bukura kolorike. Niveli artistik i kësaj vepre, eleganca, shqetësimi dhe lëvizja e hovshme janë faktorë të një interpretimi figurativ plastik.
Më 1947 Galeria e Arteve e Splitit zbuloi edhe një reliev të këtillë në ishullin Rab. Relievi i ka dimensionet gati të njëjta me atë të Marianit dhe të Zarës. Përmbajtja dhe mënyra e përpunimit janë të ngjashme me relievin në Marian dhe në Zarë, por ka vetëm disa ndryshime të vogla. Relievi është i suazuar me një vijë të thjeshtë, plaku mjekërosh, Shën Hieronimi, rri ulur në shkëmb në thellsësinë e shpellës, i veshur me petka të grisura, me dorën e majtë në ije duke mbajtur shkopin; në të djathtën ka mbështetur mjekrën dhe lexon librin e hapur. Aty gjenden edhe shtazët simbolike, që i gjejmë edhe në paraqitjet ikonografike të këtij shkrimtari të shenjtë të kishës. Ambienti i këtij relievi u përngjanë shpellave fantastike të kompozicioneve pitoreske fetare të mjeshtërve të hershëm të Firences, të qindvjetëshit XV. Në fund të shpellës këtu kemi edhe një stemë të qerthulluar me flatra të hapura, që s’e gjejmë në relievet e tjerë. Kjo vepër i ka të gjitha veçoritë e punimeve të Andrea Aleksit: figurat thatanike, modelimin e kreut e të gjymtyrëve, mënyrën e komponimit dhe sintezën e këndshme të goticizmit dhe të klasicizmit dhe u përgjanë veprave të tjera të këtij lloji. Mirëpo, relievi i Shën Hieronimit, që gjendet në Galerinë e Arteve të Splitit, është diçka më i dobët se të tjerët, ndonëse në tërësi mjaft i fuqishëm. Së këndejmi, disa historianë të artit mendojnë se këtë vepër e kanë punuar nxënësit e Andreut më 1475-1480.
Andrea ka lënë në Split edhe dy vepra e këto janë: retabli në kishën e Betlehemit në Marian, punuar rreth viteve 1485- 1497, dhe varri, që mbaroi për vete më 1503, në kishën e Rrëshajeve të Splitit.
Veprat e Andreut në Dubrovnik.
Këtu janë zbuluar dy relieve të Shën Hieronimit, njëri nga të cilët është i dëmtuar dhe është gjetur si spolie (pre) pranë kishës së Zonjës së Kashtelit dhe tash gjendet në Pallatin Princor. I dyti gjendet te familja Haler–Pugliesi dhe është gjetur në Sllani. Për masat e të dyve janë gati të njëjtë me atë të Zarës dhe të dy kanë formë katërkëndëshi kënddrejtë. Për këto dy relieve të Shën Hieronimit nuk dihet me saktësi se a janë apo jo veprat e Andreut, por duke u bazuar në stilin dhe në karakterin e tyre, shihet qartazi se prodhim i shkollës dhe i punishtës së tij. Ndoshta i kanë punuar nxënësit ose ndihmësit e tij, porse ai vetë është i pranishëm me shembujt dhe ekzemplarët e vet, kurse shembëlltyrat e tija janë gjedhe direkte. Disa mendojnë se i ka punuar vetë Andreu si plak i thinjur, në kohën kur dora nuk i punonte më si duhet. Kompozicioni dhe përmbajtja e relieveve të Dubrovnikut janë identikë me relievet e Shën Hieronimit në Trogir, në Split dhe në Zarë, por, megjithatë, ekzistojnë edhe disa ndryshime. Shenjtori është i kthyer në drejtim të kundërt, qëndrimi i luanit dhe i harpisë ndryshon, nuk është një, por disa libra. Në relievin e dytë ka edhe më tepër ndryshime. Aty gjejmë elemente të reja të një periudhe të mëvonshme. Plaku nuk është i mbështjellë me cergë, por i veshur me rroba të mira. Kryçi është element i ri i futur në skemën e vjetër ikonografike. Shtazët shikojnë përfundi kryçit, gjarpëri fshihet nën të shënjtin, kurse luani i vogël naiv luan padjallëzueshëm me kapelën e plakut.
Veprat e Andreut në vende të tjera.
Andrea Aleksi ka lënë disa vepra të çmueshme edhe në disa vende të tjera. Besohet se një reliev engjëlli me stemë, që gjendet në kopshtin e familjes Radman në qytetin e vogël Omish, është vepër e tij. Shembëlltyra e engjëllit ka një fytyrë endërrimtare, kurse në ballë një diademë. Rreth e përqark janë të skalitura gjethet e vrullshme të goticizmit të vonshëm. Në të njëjtin kopsht, vepra të Andreut janë: një kapitel i madh dhe një enë kishtare për ujin e bekuar. Në ishullin Korçulla, në qytetin me të njëjtin emër gjenden në një ndërtesë disa kamare jo të thella të kaneluara e që mbarojnë me guaskën karakteristike të Andreut. Ky ka punuar edhe në ishullin Hvar, prej nga është sjellë në Galerinë e Arteve në Split një reliev i Shën Hieronimit. Në Itali artisti ynë punoi në ishjt Tremiti, në Padovë, në Venecie, në Firencë, në Ankonë e Janinë, por për veprat e tija në Itali na mungon literatura.
Stili dhe veçoritë e artit të Andrea Aleksit
Andrea Aleksi në veprat e tija me elemente gotike e klasike, na paraqitet si përfaqësues i periudhës kalimtare prej goticizmit në klasicizëm të artit kroat bregdetar. Në veprat e para shihet më tepër ndikimi i gotikës, kurse më vonë përdor përherë e më tepër format e Rilindjes. Mirëpo, Andreu dinte në një mënyrë të këndshme t’i shkrinte në një këto dy elemente dhe stile. Përmes shkrirjes së goticizmit të lulëzuar në zbukurimet me trajta klasike, ai depërton përherë e më tepër në klasicizëm edhe në krijimin e figurave skulpturore. Në skulpturë Andreu është mjeshtër i rryer dhe gjithmonë u ka mbetur besnik shtatoreve dhe truporeve të zgjatura, me koka dolikocefale, me rrudha të petkave, thuajse janë modeluar në argjil të lagët. Karakteristika kryesore, tipike dhe individuale e veprave të Andreut janë kokat e zgjatura, dolikocefale të shembëlltyrave të ndryshme, gjë që është cilësi e racës njerëzore dinarike. Motive të rëndomta në stolisje, në skulpturë dhe në arkitekturë janë gjethet në luhatje e sipër në dy drejtime të kundërta, rozetat e lulëzuara, frizat e dragonjëve që mbajnë girlandat (lulevargjet) me lule, kanelimi i shtyllave (pilastrave), kapitelët me akantus dhe me bririn e begatisë, pilastrat me skalitje jo të thella konkave që mbarojnë me guaskë, kamaret (nishat) jo të thella konkave (të luguara) të mbushura me kanelura klasike e me maja të mprehta në formë guaske gotike dhe harku i mprehtë. Duke ua bërë një analizë artistike veprave të tija, shihet se Andreu ka njohur mirë pikturimin e Rilindjes dhe në punimet e veta e ka imituar me sukses.
Si ndihmës i mjeshtrit të madh Juraj Dalmatinac dhe si bashkëpunëtor i skulptorit Nikolla Fiorentiasi, Andreu u zhvillua prej një gotiku të vonshëm në një artist të mirëfilltë të Rilindjes dhe paraqet një periudhë kalimtare gotiko-rilindase në artin e Dalmacisë.
Duke i analizuar të gjitha veprat e këtij artist, na shfaqet qartë figura e madhe e këtij personaliteti. Ky arkitekt e skulptor gurgdhendës, në veprat e veta shumnëfishe mbetet i pavdekshëm në artin e Rilindjes dalmatinase dhe aty zë një vend kryesor. Edhe pse në rrugën e tij të zhvillimit artistik shihen qartazi ndikimet e mjeshtërve Juraj dhe Nikolla, Andret nuk mund t’i mohohen vula personale dhe cilësitë individuale. Ky luajti rolin vendimtar në zhvillimin e rilindjes në viset pranë detare të Kroacisë. Në kohën kur në atdheun e tij Skënderbeu zhvillonte luftëra të përgjakshme kundër turqve, Andreu ndërtonte Pagëzimoren e Trogirit, këtë vepër monumentale të ndërtimit arkitektonik e skulpturor. Historiani kroat i artit Kruno Prijatel thotë: “Ndoshta në figurat me koka dolikocefale dhe në trajtat e tjera të shprehjes artistike fshihet fryma shqiptare, çka do të thotë se Andrea ishte i lidhur shpirtërisht me vendin e vet”.
Nga Kadri Halimi
BIBLIOGRAFI:
1) Fiskovič C.–Prijatelj K., Prilozi povijestiumjetnosti u Dobrovniku, Split 1950 (Novi prilozi o andriji Alesiju).
2) M.Vasić, Miloje. Arhitektura i skulptura u Dalmaciji, Beograd 1922.
3) Dom Zef Oroshi, Nji arkitekt e skulptor shqiptar në Dalmati, “Shejzat” II/
1-2, Roma 1958.
4) Karaman, Ljubo. Pregled umjetnosti u Dalmaciji, Zagreb 1952.
5) Kolendić, Petar. Alesi i Firentinac na Tremitima–Glasnik Skop. Nauč. Društva 0/1, Skoplje 1924.
6) Petricioli, Ivo. Alesijev relief sv. Jeronima u Zadru–Vjesnik za arheologiju i historiju dalmatinsku, LVI–LIX, Split 1957.
Në përvjetorët tragjik të hedhjes së bombës atomike në Nagasaki, përkrah rreth 80 mijë viktimave të cilët vdiqën nga efektet e bombës së dytë, e cila u lëshua tri ditë pas asaj që u hodh në Hiroshima, ku kishin humbur jetën më shumë se 160 mijë viktima, përmendet edhe emri i një shqiptaro-amerikani, që humbi jetën larg vendhedhjes së bombave nga sulmi hakmarrës i aviacionit japonez. Edhe pse trupi i Odises nuk u arrit të gjendej, emri i është shkruar në historinë e Amerikës dhe ka për dëshmi memorialin në varrezat e heronjëve. Në mes shumë memorialeve gjendet në Arlington-VA edhe ai i djalit nga Vunoi. Guri memorial mban numrin 36-5 MF.
Por çuditërisht, deri para pak kohësh, emri i tij ka munguar në literaturën shqiptare, madje dhe në shtypin e diasporës nuk përmendej fare, as në Atdhe. Marinsi me origjinë nga Vunoi i Himarës shërbente në anijen”Boria”. Para se të përshkruajmë aktin final të betejës që u zhvillua mes anijes amerikane “Boria” dhe avionëve kamikazë japonezë pas hedhjes së bombës në Nagasaki, ku humbi jetën heroi i Amerikës, shqiptari nga Vunoi i Himarës, le të tregojmë shkurtimisht historinë e familjes së tij, sipas dëshmive të përcjella nga vetë të afërmit e marinsit-hero. Si dhe kur erdhën ata në Amerikë?I ati i Odisesë, quhej Anastas Koleka nga Vunoi i Himarës. Ai ishte ndër ata shqiptarë që emigroi në Amerikë aty rreth vitit 1906. Si shumë mërgimtarë të tjerë shqiptarë, edhe Odiseja i mbante të forta lidhjet me familjen dhe vendlindjen. Kështu vepronin shumica e shqiptarëve, të cilët punonin në Amerikë por nuk e merrnin që në fillim familjet atje nga frika e moskthimit. Si gati të gjithë emigrantët e tjerë shqiptarë edhe Anastasi u kthye në atdhe për të krijuar familjen.
Kjo ndodhi 14 vjet pasi kishte emigruar. Ai u kthye në fshatin e tij Vuno, me qëllim që të martohej, siç vepronin pothuaj pjesa më e madhe e shqiptarëve të emigruar. Anastasi gjeti vajzën e zemrës dhe u martua me vajzën himariote, Ollgën dhe pa kaluar shumë kohë pas dasme, së bashku me nusen e re, më 1920, merr rugën e gjatë të rikthimit në kontinentin e çudirave. Pas kthimit vendosën në Lorean, Ohio. Familja e re u përshtat me atdheun e ri. Aty ju lindën dhe tre fëmijtë e tyre Kristo (Chris) Odisea “Ulysses) dhe Joana (Johanna).Odise Koleka, në moshën 7-vjeçare së bashku me nënën Ollgë, motrën Joana dhe vëllain Chris, që ishin vetëm 2 vjeçare, u kthyen në vendlindjen e prindërve të tyre në Vuno. Gjatë qëndrimit të dy vëllezërit vazhduan shkollën në Himarë. Më 1936 vëllai i Odisesë, Chris kthehet në Amerikë, ndërsa Odisea do ta ndiqte një vit më pas. Ollga mbeti në Himarë së bashku me vajzën. Me largimin e djemëve të saj në SHBA u bë ndarja faktike, nëna nuk i pa më djemtë e saj. Jeta u tregua e ashpër, ndërkohë edhe motra e tyre, Johanna, nuk pa më me sy vëllain e saj Odisenë, ndërsa me vellain tjetër, Chris do ta takonte mbas shumë vjetësh, kur ata ishin me flokë të bardhë, pas rënies së komunizmit në Shqipëri.
Ollga, gjatë të gjithë jetës së saj, mbeti një nënë me zemër e shpirt të përvëluar nga malli e dhimbja. Ajo do të mbetej gjatë të gjithë kohës me vështrimin e përqëndruar andej nga ktheheshin burrat prej kurbetit duke pritur si nënë zemërmallur kthimin. Me këtë ndjenjë qëndroi nëna shpirtbrengë deri sa mbylli sytë nga kjo jetë në vitin 1970, pas një sëmundje të gjatë. Dhe pse e sëmurë rëndë sytë e saj gjatë gjithë kohës mbaheshin tek dy fotografitë që i kishte vendosur në mur, njëra ishte fotografia e Odisesë me uniformën ushtarake, ndërsa tjetra ishte fotografia familjare…Bomba në Hiroshima dhe Nagasaki Japonia nuk e kishte marrë seriozisht deklaratën e presidentit amerikan Harry Truman, i cili kishte paralajmëruar prerë :”Japonia duhet të dorëzohet pa kushte, si shans i fundit për të shmangur një shkatërrim total.” Paralajmërimi i presidentit qe konkret , i prerë, dhe nuk fshihte tragjedinë e tmerrshme që mund të ndodhte si pasojë e mosnënshkrimit të aktit të dorëzimit: “Nëse ata nuk pranojnë kushtet tona, ata duhet të presin një shi që do t’i shkatërrojë nga ajri, në një mënyrë që nuk është parë kurrë në tokë”-paralajmëroi presidenti Truman. Llogaritë qenë bërë të detaje: Nëse do të pushtohej Japonia me forca ushtarake do të rrezikoheshin jetët e jo më pak se 1 milion vetëve, prandaj u vendos që Japonia të ndëshkohej me bombat e tmerrshme. Pse u zgjodh Hiroshima? Arsyeja ishte se u konsiderua si vend ideal, ndoshta edhe për shkak se aty ndodheshin edhe depozitat kryesore të furnizimit të ushtrisë japoneze.Me 6 gusht 1945, aty rreth orës 8 e 15 minuta në mëngjes qe lëshuar prej luftanijes amerikane”Augusta” njëra prej bombave të tmerrshme, që përmbante 20 mijë ton eksploziv. Bomba ishte pagëzuar me emrin “Little boy” duke iu referuar presidentit Rusvelt. Njerëzia panë se si u ngrit një re e madhe tymi në formën e një kërpurdhe gjigande mbi qytetin 350 mijë banorësh të Japonisë, Hiroshima. Pamjet qenë të tmerrshme, dëmet gjithashtu. Bomba shkatërroi një zonë prej 13 Km katrore. Tri ditë më pas, me 9 gushte, një tjetër bombë e të njëjtit lloj, do të hidhej në qytetin tjetër japonez, në Nagasaki. Kjo bombë qe pagëzuar me emrin”Fat Man”. Thonë se i referohej Kryeministrit britanik Einston Churchill. Kjo bombë peshonte 4050 kg.
Nagasaki ishte si i fortifikuar prej natyre; rrethohej prej malesh të lartë dhe efekti veprues qe më i kufizuar; vetem në 6.7 Km katrore. Statistikat tregojnë se gjatë hedhjes të dy bombave pati shumë të vdekur e të sakatuar. Rreth 160 mijë të vdekur në Hiroshima dhe 70-80 mijë në Nagasaki. Shumë qenë dhe ata që vdiqën më vonë nga pasojat e bombave. Viktima të shumta qenë kontigjente të sëmundjeve kanceroze. Po t’u shtosh shifrave edhe viktimat e mëvonshme, shifra e përgjithshme e të vdekurve për shkak të bombave arrin në 237062. Më shumë se 60 për qind e ndërtesave u bënë shkrumb e hi.Pas kësaj tragjedie Japonia që e pat radhitur veten në krahun e Hitlerit si pjesë e trikëndshit Berilin-Romë -Tokjo, u tërhoq dhe pranoi kapitullimin. Ky akt shënoi dhe fundin e Luftës së Dytë Botërore.
“Kamikazët” japonezë dhe anija”Boria”, ku shërbente Koleka
Ishte kohë lufte kur Odisea, që pat lindur më 29 nëntor 1923, kishte mbushur 20 vjeç atë mot që do të rreshtohej në radhët e ushtrisë më të madhe të botës, e cila do të vendoste fatet e Luftës së II Botërore. Pikërisht më 25 tetor 1943, në moshën e ëndërrave ai do të vishte uniformën e ushtrisë më të fortë në botë dhe do të kontribuonte për shfarosjen e murtajës nazi-fashiste që po kërcënonte botën. Odisea u radhit në radhët e marinës; aty në US NAVY e kreu shërbimin ushtarak në ato kohë lufte. Heroi ra atë ditë kur në Nagasaki, qe hedhur bomba. Më 9 gusht 1945, “kamikazë” japonezë goditën anijen, ku shërbente edhe Odise Koleka, anijen”Boria”. Kronikat përcjellin faktet tragjike: Ka qenë ora 2:59 minuta kur anija e tyre mori një goditje të befasishme. U krijua një situatë e jashtzakonshme. Por jo gjithçka e tmerrshme kishte mbaruar me atë sulm kamikaz të fillimit. Sulmet do të përsëriteshin sërish; anija u mbulua me zjarr përsëri në orën 3:26, ku një tjetër avion kamikaz iu sul si një skifter anijes”Borie”.
Ekuipazhi amerikan bëri të gjitha përpjekjet që ta largonte të keqen që po e kërcënonte anijen e vet që po përpihej nga flaka, uji dhe rreziku prej ajrit. Me mjetet që dispononte anija “Boria” e goditi avionin 2700m lart. Por e keqja e kishte marrë rrugën. Anija ishte e ekspozuar ndaj kamikazëve që vazhdonin të vërtiteshin si skifterët mbi gjahun e zbuluar.Qielli u mbush me avionë japonezë.Në kufijtë e një ore ekuipazhi goditi edhe tre avionë të tjerë, por ç”mund të bënte ai më shumë?!.Ai ekip heronjësh qëndroi deri në vetmohim, deri në rrahjet e fundit të zemrave. Luftohej për jetë a vdekje Kamikazët japonez kërkonin shpagim.Ata kishin mbushur qiellin mbi Oqean.Lufta vazhdoi gjatë. Vonë aty rreth orës 4:30 zjarri në “Borie” u shua dhe shumë gjëra në anije ishin prishur që nga goditja e parë. Bilanci ishte tragjik: 35 të vdekur, nga të cilët 13 nuk u gjetën kurrë, 34 marinsa të tjerë amerikanë qenë të plagosur, gati të gjithë ata që shpëtuan gjallë ishin në gjendje tepër të rënduar.Anijes”Borie” filluan t”i vijnë ndihma.” USS Abbot” një anije tjetër filloi të transportonte personelin mjeksor për t”i dhënë ndihmat e para të plagosurve dhe për t”u kujdesur për të vrarët.Por Odisea ishte pa fat, ai ishte ndarë nga jeta e të gjallëve, dhe për fat të keq, si shumë të tjerëve, trupi i tij nuk u gjet, ashtu si edhe 13 të tjerë.
Në fletët e ditarit…
Duke shfletuar ditarin e atyre çasteve të vështira, ndalim në njërën nga ditët:E Enjte, 9 gusht 1945: Ekupiazhi i anijes Boria sulmohet rreptë. Kamikazët zbrazin bomba si pikat e shiut.Marinarët qëndrojnë dhe u kundërpërgjigjen. Sulmet janë të pafundme. Një pjesë e marinarëve janë shuar dhe i kanë përpirë dallgët.Tragjedia ka ndodhe.
E premte, 10 gusht 1945
Në orën 3:30 filloi ceremonia në det për të nderuar të vrarët, që ranë në krye të detyrës. Trimat po përcilleshin siç u kishte hije; me dhimbje, nderim dhe me krenari! Por, sa keq, trupi i birit të shtrenjtë të Shqipërisë, Odisesë, nuk u gjet. Sa i pa fat, ishin vetëm 6 ditë deri në përfundimin e Luftës…Me 15 gusht 1945 lufta e dytë botërore mbaroi…Dhe më 2 shtator, 1945 Japonia nënshkroi aktin e dorëzimit.Jeta e 22 vjeçarit Odise Koleka ishte shuar më 9 gusht 1945. Letra që hedh dritë në aktin e heroit shqiptaro-amerikan dhe që rindërtoi historinë…Ishte një letër dërguar me psotë të zakonshme nga Energjik Ndrenika ajo që më ra në dorë dhe që u bë shkas për të ndriçuar aktin e ushtarit shqiptaro-amerikan. Në letër shkruhej: Me këto dokumenta që kemi të nxjerra nga arkivat po iu drejtohemi juve me besim të plotë se do të ndriçoni ketë histori. Ne ndjehemi krenare pse në historinë e Amerikës është dhe akti trimëror i shqiptarit nga Vunoi,i njeriut tonë të shtrenjtë. Duke u bazuar tek kjo e vërtetë, po ju dërgojmë rrëfimin real për një njeri që dha jetën, në ushtrinë amerikane, gjatë luftës së dytë botërore. Heroi quhet Odhise Koleka- “Ulysses Kollecas” po ju dërgojmë edhe dokumentacionin e ofruar nga shteti amerikan.
Për të gjitha këto dokumenta, bisedime, fotografi, një punë të pa lodhur ka bërë mbesa e nënës tonë Enita Kushi. Besojmë me anën e këtij shkrimi do të kujtojmë atë që në moshë të re dha jetën e tij, e shumë bashkëfshatarët e tij që e mbajnë mend, besojmë se do të ndjejnë interes ta lexojnë jetën e Odhisesë. E mbi të gjitha e bëjmë për nënën tonë për t’i mbushur sadopak boshllëkun e krijuar për të vëllain e saj. E bëmë për vallin e tij Chris “Kriston”, që gjatë të gjithë jetës e ndjente mungesën e vëllait të vogël, Odisesë. Por që në takimin e parë me motrën e tij pas 55 vjetësh, të gjithë dashurinë që ndjeu për të kaluarën ia dhuroi motrës së tij të dashur, së cilës i ishte përvëluar zemra nga mungesa e vëllait hero.Për t”i mbledh këto dokumenta ndihmuan edhe dy shokë të tij, që ende jetojnë. Për nder të tij, në varrezat e Arlingtonit VA, ndodhet memoriali me emrin e Odisese me numër 36-5 MF.Letra që m’u përcoll nënshkruhej nga Energjiku, Eleni, Irakliu, Miranda.Kjo ishte letra që u bë shkas për të ndriçuar aktin e Odise Kolekës.Kujt t’i bjerë rruga në varrëzat ë heronjëve të Amerikës, le të ndaloi hapat para varrit më numer 36-5 MF në varrëzat e Arlingtonit VA. Vendosni një lule në shenjë nderimi e kujtimi për heroin shqiptar që ra në kohën kur Lufta e tmerrshme po mbyllte perden…./ Nga Dalip Greca, Dielli / KultPlus.com
Komisioni Disiplinor që është krijuar në kuadër të Qendrës Kinematografike të Kosovës, ka marr vendim që të shkarkojë drejtorin e këtij institucioni, Arben Zharkun, ku sipas vendimit, që është bazuar në Ligjin Nr.06/L-114 për Zyrtarë Publikë, është vlerësuar se Zharku ka kryer shkelje të rënda, shkruan KultPlus.
KultPlus ka siguruar vendimin e këtij komisioni, që është i datës 18. 08. 2021, dhe po sipas këtij dokumenti, vendimi hyn në fuqi në ditën e nënshkrimit.
Bëhet e ditur se Komisioni Disiplinor ka bërë shqyrtimin e legjislacionit në fuqi, shkresave, vendimeve si dhe provave të deponuara, dhe në bazë të gjetjeve, është vlerësuar se mes të tjerash, QKK ka hyrë në obligime kontraktuale, përkatësisht ka tejkaluar buxhetin e ndarë.
“Në total, borxhet e QKK-së ndaj operatorëve ekonomik, deri në kohën e hartimit të këtij raporti, arrijnë shumën prej: 1. 809.075 euro. Borxhet për vitet 2018, 2019 dhe 2020, vetëm për kategorinë: Subvencione ( mbështetje financiare për realizimin e filmave) janë në shumën prej 1.710.375”, thuhet në vendimin e Komisionit Disiplinor.
Në këtë vendim, më pas është përfshirë edhe financimi i filmave, përkatësisht i filmit “Ekzil” me regji të Visar Morinës, sikurse që janë bërë gjetjet edhe në mospërfitimin e QKK-së nga fitimet e filmave që janë financuar nga ky institucion. Ky vendim i është dërguar zyrës së ministrit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, sikurse edhe zyreve të tjera që ndërlidhen më këtë rast. / KultPlus.com
Në të vërtetë, Margaretha Zelle nuk kishte dhënë kurrë ndonjë informacion të vlefshëm, as për gjermanët dhe as për francezët. Më 15 tetor 1917, censurë në gazetat franceze: askush nuk duhet ta dijë se Mata Hari, kërcimtarja e famshme me sensualitet oriental, u ekzekutua për spiunazh në favor të Gjermanisë.
Fuqia e maskimi i aspekteve të shumta të jetës së saj e çoi hollandezen bukuroshe me pamje indiane drejt famës, më pas para togës së pushkatimit, mes manovrave të shërbimit sekret gjatë Luftës së Parë Botërore.
Në të gdhirë të 15 tetorit 1917, togeri Mornet u paraqit në burgun Sën-Lazar të merrte Mata Harin e ta shoqëronte në vendin e ekzekutimit. Në qelinë e saj, ajo e përshëndeti, duke protestuar: “Ç’e kanë këtë zakon kanë francezët, t’i ekzekutojnë njerëzit në agim!” Presidenti i Republikës, Poincaré, nuk e kishte pranuar kërkesën e saj për falje, ndaj i duhej të shkonte! Për shfaqjen e saj të fundit, ajo vendosi të bëhej më e bukur se çdo herë tjetër. Veshi një fustan mëndafshi të zbukuruar me gëzof dhe në kokë vendosi një kapelë kashte të vogël bardhezi. Nuk do të dilte kurrsesi e pakuruar. Në hendeqet e shato dë Vincen spiunia e hirshme nuk shfaqi asnjë lloj frike. Në vendin e ekzekutimit e prisnin 12 ushtarë të zgjedhur nga regjimenti i Zhuaves. Refuzoi me mirësjellje lidhjen e duarve dhe mbulimin e syve. Me buzëqeshjen në buzë, u dërgoi nga një puthje 12 ushtarëve që qëndronin 10 metra para saj në pritje të urdhrit për të qëlluar. Kur Mata Hari ra përtokë, një oficer u afrua dhe i dha goditjen e fundit pas veshit, ishte goditja tradicionale “coup de grace”.
Mata Hari posedonte një personalitet të jashtëzakonshëm. Me emrin e vërtetë Margaretha Zelle, lindur në 1876, në veri të Holandës, që fëmijë u dallua nga shprehia, karakteri i pafytyrë dhe dhuntia për gjuhët e huaja. Kuptoi që në moshë të re, se mënyra më e mirë për të marrë atë që dëshironte ishte të kënaqte meshkujt, nisur nga i ati, i cili e llastonte dhe e mbushte me dhurata të shtrenjta. Ishte një “fëmijë orkide”, e quante një shoqe klase, një vajzë e vogël e brishtë, zeshkane, e cila dallonte nga vajzat e tjera të shkollës lëkurëzbehta, flokëverdha. Lumturia e fëmijërisë përfundoi me largimin e të atit me një grua tjetër në 1889, pasuar nga vdekja e nënës në 1891.
“Doja të jetoja si një flutur në diell”, – do shprehej ajo në një intervistë. U fejua gjashtë ditë pasi u njoh me të shoqin dhe u martua në korrik 1895. Jeta bashkëshortore u pasua me zhgënjime, probleme, borxhe. Në 1902 martesa përfundon në divorc, shënuar nga vështirësitë e përjetuara në Indi, holandezja e re fillon një transformim sa të thellë, aq edhe radikal, duke u shndërruar në një femër fatale. Në 1905, një kërcimtare ekzotike, e quajtur Mata Hari – “syri i ditës” në gjuhën maljaziane, shpërtheu në jetën e shoqërisë pariziane, duke performuar në muzeun “Guimet”, Muzeu Kombëtar i Arteve Aziatike.
Në një kohë kur çdo burrë i pasur dhe i fuqishëm dëshironte të kishte një dashnore të bukur, Mata Hari konsiderohej gruaja më tërheqëse, joshëse dhe e dëshiruar në Paris. Ajo frekuentonte aristokratë, diplomatë, financues, ushtarakë të rangjeve të larta dhe sipërmarrës të pasur, të cilët i dhuronin gëzofe, bizhuteri, kuaj, enë argjendi, orendi dhe pallate elegante për kënaqësi e thjeshtë për të qenë në shoqërinë e saj. Për vite me radhë, ajo mbushi teatrot e kryeqyteteve kryesore evropiane.
Në vjeshtën e vitit 1915, ndërsa ishte në La Haye, kërcimtaren ekzotike e vizitoi Karl Kroemer, Konsull Nderi i Gjermanisë në Amsterdam, i cili i ofroi 20 000 franga, ekuivalenti i më shumë se 50 000 euro sot, që ajo të spiunonte në favor të Gjermanisë. E pranoi shumën, të cilën e konsideroi si dëmshpërblim për gëzofet, bizhuteritë dhe paratë që gjermanët i kishin konfiskuar në fillimet e luftës, por më vonë pohoi se kurrë nuk bëri atë që i ishte kërkuar.
Kur filloi lufta, në 1914, shkoi në Francë. Agjentet e kundërzbulimit francez e vëzhgonin nga afër kërcimtaren, kur ajo shkonte për darka, në suitën e hotelit me zyrtarë të lartë të Ministrisë së Jashtme. Kur agjentët e kundërzbulimit francez ishin gati të mbyllnin dosjen për Mata Harin, një oficer i lartë francez, mik i ngushtë i Mata Harit, rregulloi që të merrte një lejekalimi speciale për të shkuar afër fshatit Vitel, afër vijës së frontit.[…] Kohë më vonë do të zbuloheshin elemente kuriozë në mesazhet e radiove të përgjuara në Kullën Eifel. Numrat e dosjeve franceze tregojnë, se Ladoux vuri në dispozicion të prokurorisë mesazhet që e përcaktonin Mata Harin si spiune në prill të vitit 1916 dhe jo në dhjetor dhe janar, siç pretendonte Ladoux se ishin dërguar.
Me sa duket, Ladoux ishte personi i vetëm që i kishte parë mesazhet origjinale para se të deshifroheshin dhe përktheheshin. Po ashtu, mësojmë se këto mesazhe ishin zhdukur nga arkivat. Përpos gjithçkaje, përmbajtja e tyre do të përdorej dhe do të kishte pasoja të tmerrshme për kërcimtaren. Edhe Ladoux u akuzua për spiunazh dhe u arrestua, por arrestimi i tij nuk do ta shpëtonte gruan e re.
Mëngjesin e 13 shkurtit 1917, Mata Harri u arrestua dhe u çua në burgun fortesë të Sën Denis. E shpallur fajtore për të gjitha krimet për të cilat akuzohej, Mata Hari dënohet me vdekje me pushkatim. Paraqitja e fundit e Mata Harit ishte e përkryer, mbase përfaqësimi më i bukur i jetës së saj. Hijeshia dhe qëndrimi e bënë rreshterin që komandonte togën e pushkatimit të thoshte: “O Zot! Kjo grua di si të vdesë!”.
Për 100 vitet e fundit, Mata Hari është nderuar si femra fatale, si kërcimtarja joshëse dhe ekzotike që spiunonte gjermanët gjatë Luftës së Parë Botërore dhe shkaktoi vdekjen e mijëra ushtarëve të aleatëve. Ajo pushtoi imagjinatën e njerëzve në mbarë botën, shumë kohë pasi ajo u ndesh me fatin e saj.
Ata donin që ajo të ishte manipuluese, agjente e dyfishtë, gllabëruese e burrave, mbi të gjitha e pamoralshme. Në kapërcyellin midis dy botëve, fundi i shekullit XIX në frenezinë e Belle Epoque dhe shekullin tragjik XX, Mata Hari qe mbi të gjitha pre e ngathët dhe e pavetëdijshme e rrethanave, viktima indirekte e tërbimit të njerëzve në një luftë mishngrënëse, që kërkonte viktimat e spiunazhit.
Mbrëmja e fundit në histori, miti i mbijeton legjendave, thashethemeve dhe dezinformatave. Në moshën 41-vjeçare, gruaja e braktisur nga të gjithë, e cila ra nën plumbat francezë më 15 tetor 1917, ruan pamjen e saj dhe këtë fuqi të çuditshme magjepsjeje që e bën atë një karakter mitik në imagjinatën e gjithsecilit. / Konica.al / KultPlus.com
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cilësoi sot akt kriminal ndaj trashëgimisë kulturore, zjarrvënien e qëllimshme në godinën “Sarajet” në Tiranë.
Margariti inkurajoi organet e kompetente të zbardhin ngjarjen dhe të vënë përgjegjësit para ligjit.
Po ashtu, ministrja Margariti u shpreh se duke parë situatën e krijuar, godina do të shpronësohet me procedurë të përshpejtuar.
“Ministria e Kulturës mbështet Bashkinë e Tiranës në nismën për ta shndërruar këtë godinë në një objekt kulturor, publik, duke ruajtur vlerat e saj unike. Falënderojmë për ndërhyrjen e menjëhershme punonjësit e Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe për Shpëtim, që luftuan me flakët e zjarrit, punonjësit e Policisë së Shtetit dhe Policisë Bashkiake, Bashkisë së Tiranës, punonjësit e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, por edhe çdo qytetar të thjeshtë që ka kontribuar në shuarjen e zjarrit e do të ndihmojnë në zbardhjen e kësaj ngjarjeje të paprecedentë”, tha Margariti.
Margariti kujtoi se për vlerat e saj arkitektonike dhe historike, godina e shek. XIX, e njohur si “Sarajet”, në rrugën “Alqi Kondi”, u shpall në vitin 1973, monument kulture e kategorisë I.
“Që në orët e para të ditës së sotme nga ana e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, Tiranë është bërë kallëzimi pranë Komisariatit të Policisë nr. 1, Tiranë, me dyshimin se bëhet fjalë për një zjarrvënie të qëllimshme, për të zhvlerësuar godinën dhe tjetërsimin e funksionit të saj. Kjo godinë, e cila ka kryer funksionin e Bibliotekës së parë Kombëtare ka qenë pronë e shtetit deri në vitin 2000, kur iu kthye ish-pronarëve të saj. Së fundmi Bashkia Tiranë kishte nisur procedurat e shpronësimit, për ta shndërruar në një institucion kulturor publik”, tha ajo. / KultPlus.com
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar masat e reja anti-COVID, të cilat do të hyjnë në fuqi nga dita e premte, më 20 gusht.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se masat kufizuese kanë për qëllim kontrollin dhe parandalimin e shpërndarjes së COVID-19.
“Masat e këtij propozimvendimi, nuk përcaktojnë në asnjë rast obligimin e vaksinimit të detyrueshëm, duke qenë se kufizimet e vendosura ndaj publikut mund të përmbushen me paraqitjen e dëshmisë së statusit të vaksinimit, të rezultatit të një testimi që arrin në përfundimin se personi nuk është i infektuar, apo që është i shëruar nga COVID-19 dhe ka antitrupa të mjaftueshëm për ta luftuar sëmundjen”, ka deklaruar Vitia.
Ministri Vitia nuk i ka përmendur masat të cilat u miratuan sot, megjithatë, të martën ai ka takuar hisedarët në zbatimin e masave anti-COVID, me të cilët ka vendosur për masat e reja.
Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit, Hysen Sogojeva, të martën ka deklaruar se nga data 20 gusht, deri më 1 shtator, orari i gastronomisë do të jetë deri në orën 22:30 apo eventualisht deri në orën 23:00.
“Nga data 20 deri më 1 shtator orari i gastronomisë do të jetë deri në 22:30 ose deri në orën 23:00. Sallat e dasmave, hotelet, restorantet, qendrat tregtare dhe restorantet brenda tyre po ashtu. Maksimumi i personave të lejuar në dasma do të jetë 150.”, ka deklaruar Sogojeva.
Sogojeva tha se në dasma do të kërkohet dëshmia e vaksinës, apo testi negativ i COVID-19.
Po ashtu, ai tha se nga data 20 gusht, klubet e natës do të mbyllen, derisa tha se nuk është përmendur kufizimi i lëvizjes së qytetarëve.
“Klubet e natës mbyllen nga data 20. Kufizimi i lëvizjes nuk është përmendur. Ne si Odë duke e parë gjendjen, u pajtuam me këto masa deri më 1 shtator”, ka deklaruar Sogojeva.
Ndërkaq, Asociacioni i Komunave të Kosovës përmes një postimi në Facebook, ka deklaruar se kryetarët e komunave kanë propozuar mbylljen e klubeve të natës, lejimin e dasmave me vetëm 150 persona me dëshmi të vaksinimit ose me test PCR negativ apo serologjik.
“Në respektim të masave do të duhet të shtohen rastet e inspektimeve nga niveli qendror dhe në bashkëpunim me inspektorët komunalë që të jenë edhe në një fushatë ndërgjegjësimi sidomos në gastronomi që të zvogëlojmë shkallën e infektimeve”, thuhet në njoftimin e AKK-së.
Gjithashtu, në këtë takim është marrë vendim që qendrat e vaksinimit të punojnë edhe të shtunën.
“Ministri Vitia tha në fund se tash në Qendrat e Vaksionimit do të punohet edhe të shtuneve ndërsa sa i përket barnave esenciale kemi marrë gjitha masat por janë 200 aktivitete të prokurimit dhe nuk mund të përshpejtojmë për shkak procedurave”, thuhet në postimin e AKK-së. /Gazeta Express/ KultPlus.com
Violonçelisti Redi Hasa, i cili ka zhvilluar karrierën në Itali, do të performojë në një event muzikor ku muzika baroke takon atë tradicionale shqiptare.
“Bach is back” është projekti, i cili tregon për artistin shqiptar, historinë dhe prejardhjen e tij.
Ky event zhvillohet më 19 gusht në komunën Galatone, Itali.
“Muzika baroke takon atë tradicionale shqiptare “Bach is Back”. Një projekt që flet për mua, historinë time dhe rrënjët e mia”, shkruan violonçelisti shqiptar në faqen e tij në Facebook. / KultPlus.com
“La Croix” ka botuar, të premten e 21 dhjetorit 1951, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me ndalimin e dhëmbëve prej floriri në Shqipëri nga regjimi diktatorial, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar.
Ndalimi i dhëmbëve prej floriri në Shqipëri
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
“Një qarkore e re e qeverisë komuniste të Tiranës ndalon përdorimin e arit për dhëmbët artificialë.
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Kjo qarkore ishte, aq më tepër, e padobishme, sepse arin e destinuar për këtë përdorim e patën sekuestruar dhe askush nuk guxonte të furnizonte metalin e çmuar për të vënë dhëmbë prej ari pa rrezikuar të konsiderohej trafikant dhe armik i popullit.”
Këngëtari Goran Bregoviq ka konfirmuar zyrtarisht pjesëmarrjen në Festivalin e Birrës në Korçë më 22 gusht.
Bregoviq pas Korçës do të performojë në kryeqytetin e Rusisë, Moskë më 26 gusht. Datat e koncerteve të Bregoviq janë publikuar edhe në uebfaqen e tij zyrtare.
Teksa dita e performances së tij afrohet, duket se edhe reagimi qytetar po ndizet. Kjo pasi qytetarët kanë mbuluar me ngjyrë fytyrën e këngëtarit në posterë si dhe kanë shkruar vitin 1999, kohën kur Serbia pushtoi Kosovën duke vrarë mijëra persona e dëbuar nga vendi i tyre. / KultPlus.com
“N’dry”, titullohet shfaqja nga Arta Arifi me regji të Iliriana Arifit nga “Tana Production” & “Sythi”, e që vjen premierë në Etno Fest, shkruan KultPlus.
“N’dry” përcjell fijen e fatit të një gruaje, në rrethana të jashtëzakonshme, me identitete të ndryshme, dhe sekrete të mëdha.
“Pasi i rrëzojne shtëpinë dhe e largojnë me forcë nga muri, Dushkaja mbledh eshtrat e Hanes dhe rikthehet në shtëpinë e vjetër, nga e cila ishte larguar dikur e përndjekur nga vrasjet dhe fantazmat. Kësaj radhe ajo ritakohet me veten, vrasësit, të vrarët dhe të vdekurit në jetën e saj.”
Aktorët të cilët do të sjellin këtë shfaqje para publikut janë: Sheqerije Buqaj, Shpëtim Selmani, Alketa Syla dhe Edona Vatoci.
Shfaqja vjen premierë me datë 21.08.2021, duke filluar nga ora 20:00 në Ento Fest në Kukaj. / KultPlus.com
Komediani Sean Lock ka vdekur nga kanceri në moshën 58 -vjeçare, konfirmoi agjenti i tij, transmeton KultPlus.
Lock ishte një kapiten i ekipit në serinë 8 Nga 10 Macet, të drejtuar nga Jimmy Carr.
Ai gjithashtu u shfaq në QI, The Last Leg, Have I Got News for You dhe The Big Fat Quiz of the Year.
Pas vdekjes së Lock, komediani Bill Bailey tha: “Më ka thyer zemrën humbja e mikut tim të dashur, Sean Lock, ai ishte origjinal, një aktor humori i mrekullueshëm.
Jon Richardson, i cili u shfaq përballë Lock si kapiten i skuadrës në 8 Out of 10 Cats, shkroi në Twitter: “Unë e kisha idol Sean si një aktor humori shumë kohë para se të bëhesha komedian vetë dhe 10 vitet që punova së bashku me të, ai vazhdoi të jetë i njëjtë për mua. Një aktor i jashtëzakonshëm dhe një zë vërtet unik “./KultPlus.com
Rita Ora u përlot gjatë episodit të së martës në “The Voice Australia”.
Ylli shqiptar i muzikës pop ishte e mbushur me emocione pasi shikoi performancën e konkurrentes Rebecca O’Connor, një imituese e Tina Tuner nga County Cork në Irlandë.
Rebecca shpjegoi se duke u rritur, ajo ishte “vajza e vetme me ngjyrë në fshat” dhe duke parë Tinën në televizor, kjo gjë e fuqizonte atë, shkruan DailyMail.
“Oh, Zoti im! Mami, ajo duket pak si unë!”, kujtoi Rebecca atë kohë.
Rita filloi të kishte më shumë empati për konkurrenten se sa nga të gjithë anëtarët e tjerë të jurisë, me të dëgjuar që Rebecca u rrit duke dëgjuar Tinën dhe u ngushëllua në dikë tjetër, si ajo, duke qenë një sukses i tillë.
Interpretuesja e hitit “Lonely Together” ka lindur në Kosovë nga prindër shqiptarë para se të transferohej në Mbretërinë e Bashkuar si një fëmijë i vogël.
“Kjo më prek, po, sepse kur isha duke u rritur – u transferova në Mbretërinë e Bashkuar kur isha një [vjeç] – dhe siç sapo e thatë, unë nuk isha vajza me pamje normale në lagjen time”, filloi Rita.
“Sapo dëgjova Tinën – do të filloja të qaja – sepse për mua, ajo është idhulli im më i madh, më i madh në botë për kaq shumë arsye”, vazhdoi ajo.
“Sepse historia e saj është kaq frymëzuese. Për të fituar aq shumë sukses në moshën e saj – ajo nuk u bë me të vërtetë një artiste solo deri në fund të të tridhjetave”, theksoi artistja shqiptare.
“Dhe ajo kishte të gjitha ato probleme dhe vështirësi, dhe unë mendova me vete, nuk është kurrë vonë”, shtoi Rita, zëri i së cilës ishte i thyer dhe lotët i rridhnin në fytyrë.
“Faleminderit Zotit për artistët si Tina, dhe unë jam vetëm duke qarë sepse edhe ajo e bëri këtë për mua. Dhe ajo e ka bërë atë për kaq shumë njerëz të tjerë”, vazhdoi ajo.
Këngëtarja e hitit “For You” duhej të bënte një pushim të menjëhershëm, duke pranuar: “Unë nuk mund të flas, jam kaq emocionale”, para se të fshinte lotët nga fytyra e saj.
Si Rita ashtu edhe kolegia e saj, trajnerja tjetër Jess Mauboy kishin kthyer karriget për Rebeccën dhe Jess filloi të shpjegonte se si një australiane autoktone, edhe ajo i kuptonte përpjekjet e Rebeccës për t’u përshtatur.
“Edhe unë e kisha shumë të vështirë, mendoj, të rritesha në këtë vend, të isha kjo që jam dhe në aspektin kulturor…”, filloi Jess, para se Rita ta ndërpriste atë.
“Jess!”, bërtiti Rita duke e ndërprerë, para se t’i bënte thirrje Rebeccës se ajo do të ishte më e përshtatshme për të gjetur ‘këngët e duhura’ për të punuar.
“Unë besoj se mund të gjej edhe këngët e duhura”, u përpoq Jess të argumentonte, por mendja e Rebeccës ishte e vendosur – ajo zgjodhi Ritën, e cila tani do të jetë mentorja e saj përgjatë këtij rrugëtimi në “The Voice Australia”./KultPlus.com
Kur kureshtja e shpie njeriun nëpër skutat më të largëta dhe në trevat më të gjelbëruara të Kosovës, ndonjëherë qëllon të bësh zbulime rastësore që përveçse të mahnisin ty vetë si hulumtues, njëherësh edhe shpërfaqin pjesëza historie shqiptarësh që janë mjegulluar gjatë rrjedhës së shekujve.
E tillë është edhe kjo histori që do të lexoni në vijim:
Gjatë rrugës Prishtinë – Gjilan, kur më tepër i shtyrë nga kërshëria, sesa nga ndonjë nxitje më e përcaktuar, i shmangesh udhës kryesore, dhe vazhdon midis kodrave të blerta, fushave të mbjella me misër, gjurmëve të grurit të korrur, pemëve që harlisen me kumbulla dhe mollë, zogjve dëfryes ndër cicërimat e tyre, dhe pak shtëpive që t’i has syri tek-tuk, sakaq një degëzim rural rrugor të shpie në një fshat tepër unik në historinë dhe banorët e tij.
Është fshati Manishincë, që ngrihet mbi një kodërz të butë, pak kilometra nga një vendbanim akoma mjaft i populluar serb në Kosovë, ku gjindja ende jetojnë në limontinë e zadrugave titiste, diçka kjo që pohohet edhe nga mbishkrimet cirilike që flasin akoma për korrje-shirjet, drithërat, traktorët e lërimin e arave, krahas magazinave dhe dyqaneve të dikurshme kooperativiste.
Gjithsesi fshati ku kemi vajtur, cazë rastësisht, e më tepër qëllimisht, Manishinca, ndryshon nga fshatrat e tjerë të banuar nga serbët përreth, duke mos shfaqur gjurmë të qarta të trashëgimisë jugosllavo-agrare, meqenëse bëhet fjalë për një ngulim të vogël, ku bien në sy sapo t’i jesh futur shtegut të ngushtë që të çon drejt qendrës së tij, serat e shumta, mullarët, misri dhe shtëpitë e vjetra dhe të reja që kacavirren njëra mbi tjetrën në faqen e kodrinës ku janë mbështetur të gjitha.
Aty na presin ndërkaq një mori zbulimesh të befasishme, që menjëherë mishërohen në njeriun e parë që na buzëqesh kur zbresim nga makina, Srboljubi, i cili mbas një “Dobrodošli”, shton në çast “Mirë se erdhët”, dhe të rrëmben vetvetiu në ngazëllimin e vet, duke të shpënë t’i argëtosh sytë me pemët e pafundme frutore që stolisin tokat e tij, ndërsa përpara syve të hapen plantacionet me tranguj që eksportohen direkt në Gjermani (nën emblemën e Ministrisë së Bujqësisë së Kosovës), stallat me kafshë, arat me misër dhe bletët e mjalti që duket sikur buron nga kroje qiellore.
Historia e këtij njeriu dhe origjinës së tij dhe të lagjes së vet, është thelbi i këtij tregimi.
Si të gjithë banorët e këtij fraksioni të Manishincës, Srboljubi është thjesht një “Korçar”!
Po pra, e lexuat mirë!
Ai vetë e pohon kur është duke të shoqëruar nëpër shkallët e shtëpisë së tij familjare, se korçarë në këtë ngulim janë të gjithë pa përjashtim, të cilësuar qysh në mbiemra si Korčević, apo në emërtimin e lagjes së tyre “Korčini”, që është thjesht versioni në serbisht i shumësit “Korçarë” në gjuhën shqipe.
Prej kohësh kisha dëgjuar se në Kosovë dikur patën ardhur valë migrimesh edhe nga viset jugore të Toskërisë, por njohuritë e mia ngushtoheshin veç me praninë e shqiptarëve ortodoksë dhe vllehëve voskopojarë në Prizren, të cilët në këtë kryeqendër ekonomike dhe kulturore të këtyre viseve shqiptare, ishin shpërngulur kryesisht mbas djegies së Voskopojës, dhe ku kishin pasur edhe Kishën e tyre të Sveti Spasit (të djegur për këtë shkak nga serbët), si qendrën e tyre shpirtërore dhe fetare, me liturgji në greqisht (jo serbisht), stemën e veçantë të komunitetit të tyre (jo në gërma cirilike serbe), e shumë gjurmë të tjera të lënë në këtë qytet.
Në Kosovë nuk mungojnë gjithaq edhe mbiemrat “Korça”, dhe gjithmonë pata qenë kureshtar për origjinën e këtij mbiemri, sidomos kaq larg Korçës së mirëfilltë, vendlindjes së gjyshërve të mi.
Të ulur rreth tavolinës së këtyre korçarëve të habitshëm kosovarë, në një fshat serbishtfolës, pasi e zonja e shtëpisë, një nikoqire e vërtetë, me buzën në gaz, sytë e hareshëm e gojën e ëmbël, na ka ofruar përnjëherë çdo pije dhe ushqim të mundshëm, unë nuk përmbahem dot dhe pa humbur kohë i kërkoj Srboljubit të ma shtjellojë më hollësisht historinë e origjinës së tyre korçare.
“Me kadalë” – ma kthen ai në shqip, në dialekt të pastër geg, dhe fillon të tregojë se përpara disa shekujsh paraardhësit e tij kanë ardhur pikërisht nga Korça, kryesisht “Kao zidari”, “gurpunues”, mjeshtra në këtë zanat të vyer, dhe janë kujdesur për ndërtime të shumta, përfshirë kishat e këtyre trevave.
Duke dashur ta përforcojë dëshminë e tij, mikpritësi ynë na tregon po ashtu se korçarët e mërguar deri në Manishincë, patën ardhur duke kaluar pikësëpari nga viset e Maqedonisë, më saktësisht nga Prilepi, dhe të ofron një libër fort vëllimor si fakt të mëtejshëm, një libër ku tregohet se familjet korçare të ardhura tërthorazi nga Maqedonia, kishin qenë fillimisht katër syresh (dhe dyzet e nëntë shtëpi), ndërsa pastaj ishin bërë plot katërmbëdhjetë, me tetëdhjetë e shtatë shtëpi.
Është vërtet e mahnitshme t’i dëgjosh dhe t’i lexosh këto gjëra, aq më tepër të thëna nga dikush që ndonëse flet serbisht, ka pamjen dhe fytyrën tipike dashamirëse dhe zemërgjerë të një korçari (edhe gjyshja e stërgjyshi im korçar, kështu dukeshin fundja).
Në familjen e tij, duke përfshirë doemos të shoqen, Verkën, e cila nuk resht së foluri edhe ajo, duke të sjellë kafe turke, mjaltë kurativ të bletëve të familjes, raki të disa llojeve (edhe ftoi, si askund tjetër; megjithëse unë ia kthej flakë për flakë, se në Boboshticë të Korçës, kemi raki mani, ai askund tjetër gjithashtu), të gjithë sidoqoftë ndihen korçarë dhe kanë vetëdije të plotë për origjinën e tyre, bashkë me djalin dhe nipat e këtyre dy ish mësuesve të moshuar, e ndoshta pakëz edhe nusja e tyre.
Nusja mbase është nga lagja e afërt, fraksion e të njëjtit fshat, që mban emrin kuptimplotë “Bugari”, megjithëse vendasit ngulmojnë që bëhet fjalë për maqedonas, të cilët serbët dikur i patën quajtur kështu, e ndërkohë për veshët dhe ëndjen e saj maqedonishtja ime tingëllon më këndshëm se kroatishtja me të cilën po komunikoj me antarët e tjerë të kësaj familje gazmore korçarësh kosovarë serbishtfolës.
Prania e një toponimi të këtillë, “Bugari”, kaq afër lagjes Korçini në Manishincë, e dëshmon edhe më tepër prejardhjen e tyre korçare, duke faktuar kalimin e tyre nga Maqedonia, ndoshta bashkërisht me maqedonas (bullgarë) sllavë, të cilët mund të jenë shpërngulur njëkohësisht me korçarët në ato kohë të turbullta, disa shekuj më parë.
Ndërkaq tërë familja është mbledhur, teksa njëri nga fëmijët mban akoma të veshur fanellën e Messi me stemën e Barcelonës, dhe unë i them me qesëndi “Messi sada igra za Paris SG” (Messi tani luan për Paris SG), dhe menjëherë shtoj “Sad će Manaj, albanac, da igra za Barça” (Tani do të luajë Manaj, lojtar shqiptar, për Barça-n), por çunaku buzëqesh dhe të avitet me kërshëri edhe ai, duke treguar të njëjtën mikpritje si gjithë të afërmit e tij.
Të vërshojnë të gjithë me pyetje “Ku është Korça?”, “Si është Korça?”, “Si shkohet në Korçë?”, “Ko ima najbolju rakiju, Korčini ili Korça?” (Kush e ka rakinë më të mirë, lagja Korçini apo Korça), “Mi smo korčini” (Ne jemi korçarë), dhe nuk harrojnë të të tregojnë me mburrje, se kanë njohur një korçar prej vërteti, i cili dikur paskësh punuar në Kosovë për organizatat ndërkombëtare.
Mezi presin të shkojnë në Korçë, ndërsa të paktën kreu i familjes, Srboljubi, ka qenë në Tiranë dhe bregdetin shqiptar, por këtë gusht të nxehtë, nuk e mban vendi pa vajtur gjer në Korçë, mbase i nxitur jo pak edhe nga vizita jonë, nga ky takim kaq mbresëlënës mes korçarësh, që përkundër shekujve ndarje, ndihemi sërish mirëfilli të këtillë, megjithëse flasim gjuhë të ndryshme, sepse shpirti, zemra, qëndrimi, kultura dhe origjina, na bashkon më tepër se gjithçka tjetër.
Kur bëhesh gati të largohesh, ngaqë pas muzgut po erret dhe nata nuk është për shtigjet e ngushta rurale deri në rrugën Gjilan – Prishtinë, të gjithë brofin në këmbë, të habitur që po ikën pa u nginjur me gatimet, mishin dhe mikpritjen e tyre, dhe të rrasin në duar një enë me disa kilogramë mjaltë të cilësisë më të lartë, teksa “Faleminderit” të thonë vetë në shqip, pa hapur akoma ti gojën për të folur.
I zoti i shtëpisë na shpie të shohim edhe krojin e fshatit, ku datohet më së miri themelimi i këtij vendbanimi, dhe ku lexoj vitin e moçëm 1674, si themelimin e “Mahala Korčini”, lagjes së tyre të korçarëve.
Ky krua i kushtohet Sveta Petkës (Shën e Premtes), dhe gjithkujt që shuan etjen në këtë burim, i thuhet që “Çdo pikë uji t’i bëhet shëndet atij që e gjerb”!
Kur jemi uruar anasjelltas “Natën e mirë” (prej tyre, në shqip), dhe “Prijatno” (prej nesh, në gjuhën e tyre), largohemi nga lagja Korčini me bindjen se kemi qenë dëshmitarë të një ngjarje që rrallëherë kemi për ta hasur në jetë.
Këta njerëz, këta korçarë krejtësisht të panjohur, që jetojnë në viset kosovare prej kaq shekujsh, akoma janë tepër të vetëdijshëm për origjinën e tyre, duke e ditur se nga vijnë, çfarë prejardhje kanë, duke pasur gjithaq dijeni të plotë për rëndësinë e Korçës dhe të kulturës e traditave të saj edhe në ditët e sotme.
Mbase gjuha që flasin është e ndryshme, ngaqë prej shumë kohësh jetojnë krah për krah me serbët,me të cilët i afron feja, bashkëjetesa dhe doket e shumta, ndoshta janë asimiluar në shumë aspekte, por vetëdijen e dëlirë korçare nuk ua kanë zhbërë apo ndryshuar sadopak vitet dhe shekujt.
Korçarët e lagjes Korčini e dinë shumë mirë se kushërinjtë e tyre në Kosovë, me mbiemrin Korça, shqiptarë dhe myslimanë me fe, janë të afërmit e tyre nga gjaku, dhe këtë gjë e pohojnë njëzëri pa ngurrim.
Gjithashtu këta njerëz kanë punuar, jetuar dhe janë shkolluar bashkë me fqinjët e tyre shqiptarë, jo vetëm në kohëra jugosllave e titiste, por edhe në ditët e sotme, dhe hyrje-daljet, bashkëjetesa dhe tregtia midis dy komuniteteve është gjithnjë për t’u pasur zili.
Falë kësaj dashamirësie që mbretëron mes banorëve të lagjes Korčini dhe shqiptarëve, edhe unë pata fatin të mësoja për këta korçarë të panjohur të Kosovës, sepse vetë shqiptarët më treguan për praninë dhe historinë e tyre, duke më grishur edhe më tepër, për shkak të rrënjëve të mia korçare.
Jam i lumtur që i njoha, që kuvendova me ta, që ma treguan prejardhjen e tyre, por mbi të gjitha u ndjeva krenar ngaqë e kuptova mirëfilli se kur u takuam, të gjithë së bashku ishin veç KORÇARË!
Edhe dy ditë kanë mbetur për aplikim për 30 BURSA të plota për maturantë nga Kolegji Universum në bashkëpunim me kompanitë partnere të teknologjisë informative në kuadër të bashkëpunimit për ndërlidhje të Akademisë dhe Industrisë.
Bursat ofrohen për 3 vite studimi në Programin Shkenca Kompjuterike në Kolegjin Universum. Studentët do të angazhohen në punë praktike gjatë studimeve dhe do ta kenë punësimin e garantuar pas diplomimit. Kjo u mundëson studentëve të marrin diplomë akademike dhe përvojë profesionale gjë që po iu mundëson studentëve kyçjen më të lehtë në tregun e punës.
Të gjithë maturantët e Republikës së Kosovës kanë mundësi të aplikojnë të bëhen pjesë e garës për bursa studimi dhe punësim të garantuar nga Kolegji Universum dhe kompanitë partnere. APLIKO në këtë link: https://cutt.ly/mQiq7ej
Studimet Duale sipas konceptit Gjerman të financimit te studimeve nga kompanitë, studentët përfitojnë:
1. Financim 100% i studimeve për tri vite të studimit;
2.Punë Praktike nga viti i parë, 20 orë në javë;
3.Punësim i Garantuar pas diplomimit.
Puna praktike do të ofrohet në këto pozita: Web Developer, Programmer Analyst, Software Developer, Frontend Developer, Backend Developer, DevOps, Mobile App Developer, QA Tester.
AFATI I FUNDIT PËR APLIKIM 20 GUSHT 2021!
Fito BURSË për 3 vite studimi dhe fillo karrierën që nga viti i parë i studimeve. APLIKO në këtë link: https://cutt.ly/mQiq7ej
Kolegji Universum ka disa vite që po përdor këtë sistemi gjerman të arsimit për studentët dhe vazhdimisht kontaktohet nga institucione të ndryshme për të formuar partneritete dhe bashkëpunime profesionale që synojnë të kontribuojnë në ekonominë dhe zhvillimin e sektorëve në Kosovë.
Kolegji Universum është kolegji më inovativ në Kosovë, i renditur në Top 1000 shkollat më të mira të biznesit në botë nga Agjencia Eduniversal. Institucion lider i ndërkombëtarizimit, i vetmi institucion nga Kosova që ka arritur numrin më të madh të marrëveshjeve të financuara nga Komisioni Evropian. Mëso më shumë www.universum-ks.org
Mural Fest fillon nesër duke sjellë një numër të konsiderueshëm prej 20 artistësh nga vende të ndryshme të botës që do të pikturojnë dhjetë mure të Tiranës.
Këto godina nga më të lartat do të vishen me ngjyra nga më të ndryshmet duke sjellë një pamje tjetër në artin publik në kryeqytet.
“Vendosëm këtë vit ta bënin bashkë me dekor Tiranën. Mu kërkua të bëj kuratorin dhe unë atë e ndaj me një nga djemtë më me eksperiencë, Qirjako Jozifidhis, i cili është ai që krijuar revistën e parë Carpen Diem, me eksterieret e pikturimit, ku ka përfshirë edhe Tiranën, atëherë kur projektin e bënte Edi Rama me Anri Salën. Është një vazhdimësi nga lyerja ekstravagante e viteve 2001 për një rikthim të një pikturimi të pikturës monumentale”, shprehet kuratori Helidon Haliti.
“Janë ndër dhjetë artistët më në zë të huaj duke nisur nga Case nga Gjermania, Manomatic nga Spanja, Same 84 nga Greqia, WD nga Indonezia, Mattia Campo nga Italia apo Wuper nga Serbia”, shton kuratori.
Projekti do të zhvillohet te Komuna e Parisit, Rruga e Kosovarëve, në unazën e vogël dhe në qendër në Tiranë, në godina që shkojnë deri në 60 metra./KultPlus.com