Aktori 37-vjeçar, Jonah Hill, e ka përshkruar rrjetin social Instagram, si “vrasësin më të madh” të brezit aktual dhe ka thënë se platforma krijon varësi po aq të dëmshme sa cigaret.
“Instagrami është si cigaret e kohës sonë. Është vrasësi më i madh. Është vdekja. Dhe unë marr pjesë plotësisht në të, ashtu siç pi cigare. Por përsëri, ka një spektër për atë që është apo jo e shëndetshme. Unë duhet të kem një ndërveprim të kufizuar me të.”
Ylli i “War Dogs” nuk dëshiron të kritikojë askënd që përdor Instagram, pasi edhe ai “është po aq hipokrit sa të tjerët”.
Për intervistën në GQ Style, ai shtoi: Unë nuk po kundërshtoj askënd. Do të postoj selfie dhe s’më intereson. Ideja është se duhet të jetë një punë në progres për të arritur drejt lumturistë.
“Unë nuk mendoj se e kam hequr ndonjëherë këmishën në një pishinë derisa isha në mesin e të 30-ave, edhe para familjes dhe miqve. Ndoshta do të kishte ndodhur më herët nëse pasiguritë e fëmijërisë sime nuk do të përkeqësoheshin nga vitet që njerëzit kanë bërë shaka me trupin tim. Sot, jam 37 vjeç dhe më në fund e dua dhe e pranoj veten. Ky nuk është një postim për mua dhe as që ju të keni mëshirë. Është një postim për atë fëmijën që nuk e heq këmishën nga pishina. Argëtohu! Ti je i mrekullueshëm!”, theksoi tutje ai. / KultPlus.com
Nuk është se mendimet më janë mbyllur, Nuk është se nuk dua te shoh dritë përsëri… Është e thjeshtë, më mungon kjo, Kjo që adhuroj – Më mungon ti!
Nuk është se fëmijët, nuk me pëlqejnë, Por vdes morali, para syve të mi… Edhe iluzionet e mia vdesin, Përpara trishtimit – Më mungon ti!
Nuk është se kam harruar, qe për burrat, Te mos tregosh qe dashuron, quhet trimëri… Nuk është asnjë nga këto, Por nuk me përgjigjesh, Kur te thërras – Më mungon ti! / KultPlus.com
Më 4 shtator, Cineplexx organizon eventin “Crazy Day”, ku të gjitha biletat 2D, 3D, ulëset e rregullta dhe VIP, do të jenë vetëm 2,00 Euro. Eventi do të mbahet në të dy kinematë, në Prishtinë dhe Prizren ndërsa kinemaja do të punojë nga ora 11:30 deri në ora 22:30. Biletat tashmë janë në shitje, për filmat më të ri si: Shang-Chi and the Legend of the Ten Rings, Escape Room 2, Free Guy, Candyman, Paw Patrol, etj me super çmim 2,00€.
Më poshtë, do t’i listojmë top filmat që mund t’i shikoni gjatë kësaj dite:
Shang-Chi and the Legend of the Ten Rings
Shang-Chi, mjeshtri i Kung Fu-së së së paarmatosur, detyrohet të përballet me të kaluarën e tij pasi përfshihet në organizatën Dhjetë Unazat. Filmi i rradhës nga seria e filmave të Marvel.
Free Guy
Një tregtar bankash zbulon se ai në të vërtetë është një personazh i pakontrolluar nga askush, brenda një video loje brutale.
Paw Patrol: The Movie
Ryder dhe këlyshët thirren në Adventure City për të ndaluar Kryetarin Humdinger të kthejë metropolin e zhurmshëm në një gjendje kaosi.
Escape Room 2
Gjashtë njerëz padashur e gjejnë veten të mbyllur në një seri tjetër dhomash arratisjeje, duke zbuluar ngadalë atë që kanë të përbashkët për të mbijetuar. Duke bashkuar forcat me dy nga të mbijetuarit origjinal, ata së shpejti zbulojnë se të gjithë kanë luajtur lojën më parë.
Malignant
Madison është paralizuar nga vizionet tronditëse të vrasjeve të tmerrshme dhe tortura e saj përkeqësohet ndërsa zbulon se këto ëndrra të zgjuara janë në fakt realitete të tmerrshme.
Cineplexx gjithashtu do të shfaq edhe filma tjerë gjatë kësaj dite speciale. Biletat për këtë event mund t’i blini çdo ditë prej orës 15:00 në Cineplexx, ose përmes aplikacionit Cineplexx Ks. Ndërsa më shumë informata rreth filmave mund të gjeni në webfaqën e Cineplexx.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, MASHTI në bashkëpunim me Drejtoritë Komunale të Arsimit është duke bërë përgatitjet që viti i ri shkollor të fillojë me kohë e me prezencë fizike në mjediset shkollore.
KOMF bën thirrje për mobilizim, krijim të kushteve infrastrukturore në bazë të rekomandimeve të IKSHPK-së, respektim të masave dhe vaksinim të të gjithë mësimdhënësve, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të fëmijëve në procesin mësimor.
Për të mbrojtur shëndetin e fëmijëve, KOMF u bën thirrje:
-Mësimdhënësve, të vaksinohen për shkak të ruajtjes së shëndetit të përgjithshëm, me theks të veçantë shëndetit të fëmijëve.
-DKA-ve, për krijim të kushteve infrastrukturore, dezinfektim të rregullt të shkollave dhe pajisje të shkollave me mjete dezinfektuese, si dhe monitorim të vazhdueshëm e rigoroz të zbatimit të masave për parandalimin e Covid-19;
-Nxënësve dhe mësimdhënësve, për zbatim të masave për parandalimin e përhapjes së Covid-19 duke bartur maskat, respektuar distancën fizike dhe mirëmbajtur higjienën;
-MASHTI-t për inspektim rigoroz të zbatimit të masave;
-MASHTI-t, komunave dhe shkollave për vënien e fokusit te shëndeti mendor i fëmijëve, angazhimin e psikologëve qoftë edhe përkohësisht në shkolla, me qëllim të përmirësimit të shëndetit mendor të fëmijëve, por edhe të mësimdhënësve, të rënduar nga pandemia Covid-19. Të sigurohet që të paktën një psikolog të jetë në dispozicion për një shkollë.
-MASHTI-t në bashkëpunim me DKA-të, të sigurojnë mbarëvajtjen e punës së mësimit plotësues/shtesë për të siguruar përmirësimin e gjendjes së fëmijëve në mësimnxënie, sidomos për fëmijët të cilët nuk e kanë ndjekur mësimin në distancë.
-MASHTI-t dhe MSH-së bashkë me komunat, të sigurojnë realizimin e vizitave të rregullta shëndetësore të fëmijëve në shkolla.
KOMF kërkon mobilizim të gjithëmbarshëm, krijim të kushteve dhe respektim të masave nga nxënësit dhe mësimdhënësit, për të ruajtur shëndetin e fëmijëve si dhe për të mundësuar një vit shkollor efektiv.
Varësisht prej situatës epidemiologjike, MASHTI dhe komunat duhet të aplikojnë skenarët sipas rekomandimeve të IKSHPK. / KultPlus.com
Anibar-i po kërkon artistë dhe/ose dizajnerë për projektin “Trashëgimia kulturore si formë arti– Promovimi i trashëgimisë kulturore në Pejë”, ku planifikohet të dizajnohet një libër me ilustrime i cili e ilustron historinë e gjatë dhe pasurinë e Kinemasë ”Jusuf Gërvalla” ndër vite.
Për ta bërë këtë, ”Anibar” po kërkon një ilustrues, artist dhe/ose dizajner grafik i cili do të jetë në gjendje ta dizajnojë dhe ilustrojë këtë libër. Synimi i “Trashëgimisë kulturore si formë arti”: Projekti i Anibar-it ”
Trashëgimia kulturore si formë arti – Promovimi i trashëgimisë kulturore në Pejë” shërben për ngritjen e vetëdijes dhe promovimin e hapësirave të trashëgimisë kulturore vendore, si Kinemaja Jusuf Gërvalla dhe hapësirave të tjera të rëndësishme historike në Pejë, për komunitetet e ndryshme që jetojnë në Kosovë. Përmes aktiviteteve artistike dhe programeve edukative, projekti synon ta rrisë dukshmërinë e hapësirave të trashëgimisë kulturore në rajonin e Pejës përmes intervenimeve artistike dhe edukimit duke i angazhuar të rinjtë dhe fëmijët me prejardhje të ndryshme etnike që jetojnë në këtë rajon.
Projekti “Trashëgimia kulturore si formë arti – Promovimi i trashëgimisë kulturore në Pejë” është pjesë e grantit financiar të projektit “Trashëgimia Kulturore si nxitëse e dialogut ndërmjet komuniteteve dhe kohezioni social” që zbatohet nga UNDP në Kosovë dhe financohet nga Instrumenti i Bashkimit Evropian që kontribon në Stabilitet dhe Paqe (IcSP).
Qëllimi i Librit me Ilustrime për “Kinemanë Jusuf Gërvalla”: Në kuadër të “Trashëgimisë kulturore si formë arti – Promovimi i trashëgimisë kulturore në Pejë”, në Kinemanë Jusuf Gërvalla do të zhvillohen disa aktivitete dhe intervenime, por edhe në hapësira të tjera të trashëgimisë kulturore.
”Së pari, ne do ta organizojmë Ekspozitën e Trashëgimisë së Kinemasë & Promovimin e Veprave të Artit, që është një koleksion i artikujve nga arkivi i kinemasë dhe veprave origjinale të artit të përzgjedhura përmes thirrjes së hapur. Së dyti, si pjesë e aktivitetit të Vizitës Studimore, nxënësit do ta vizitojnë kinemanë në një vizitë me një udhëzues që do t’u flasë për historinë e kinemasë dhe ekspozitës. Deri në fund të vizitës, Anibar do të shpërndajë libra me ilustrime për këta fëmijë, për ta bërë përvojën e tyre edhe më mbresëlënëse dhe edukative. Libri do t’i shpërndahet rreth 1500 fëmijëve përmes aktiviteteve të ndryshme të projektit dhe komunikimit me ta”, thuhet në komunikatën për media.
Përmbajtja dhe forma e librit me ilustrime:
Libri i Ngjyrosjes “Kinema Jusuf Gërvalla” duhet t’i ketë gjithsej 13 – 14 faqe, duke përfshirë kopertina të forta me një dizajn dhe emër interesant. Duhet t’i përmbajë dhjetë (10) faqe me ilustrime origjinale që paraqesin historinë dhe pasurinë e kinemasë, tri (3) faqe tekst mbi kinemanë (përgatitur dhe redaktuar nga Anibar), faqen hyrëse, faqen e fundit dhe kopertina të forta me ilustrime.
Roli dhe detyra e artistëve të përzgjedhur do të jetë e dyfishtë: i) ai/ajo do të duhet të krijojë/dizajnojë dhjetë (10) faqe origjinale me ilustrime të librit bazuar në historinë e kinemasë dhe ii) ai/ajo do të duhet t’i bashkojë të gjitha këto dhjetë (10) faqe, përfshirë faqet shtesë me tekst të shkruar (përgatitur nga Anibar) në një (1) libër me ilustrime. Artisti apo artistja e përzgjedhur do të punojë ngushtë me Anibar-in për ta krijuar versionin përfundimtar të librit me ilustrime, siç u përmend më lart.
Artisti ose artistja e përzgjedhur është përgjegjës për krijimin/ilustrimin dhe bashkimin e librit, ndërsa Anibar-i është përgjegjës për përmbajtjen, tekstin (në gjuhët zyrtare shqip dhe serbisht, përfshirë anglishten) dhe aspektet e dukshmërisë dhe rezultatin përfundimtar të projektit.
Kush mund të aplikojë:
Çdokush që ka aftësi për të krijuar një libër me ilustrime: artistë, ilustrues, dizajnerë grafikë, etj .; pavarësisht moshës së tyre. Çdokush që ka mënyra dhe modele inovative për t’i bërë librat me ilustrime sa më të përshtatshëm dhe argëtues për fëmijët pas përvojës së tyre në vizitën një (1) ditore; Ne i inkurajojmë fuqishëm minoritetet dhe personat nga komunitetet joshqiptare që të aplikojnë gjithashtu, me fokus tek komuniteti boshnjak, serb, turk, ashkali, egjiptian, goran dhe rom.
Për të aplikuar, ju lutemi dërgoni një email në [email protected], duke përdorur temën ‘Aplikacioni – Libri me ilustrime “Kinemaja Jusuf Gërvalla”. Në email, ju lutemi përfshini një prezantim të shkurtër ku tregoni se kush jeni, si dhe portofolion tuaj. Në rast se tashmë keni ide rreth faqeve me ilustrime dhe formës, ju lutemi përfshini edhe ato. Për frymëzim, ju rekomandojmë ta lexoni botimin “Një histori e shkurtër e kinemasë Jusuf Gervalla” në linkun: https://anyflip.com/xjjai/ozsh, ta shikoni këtë tur virtual të posterave të filmit ose ta vizitoni kinemanë: https://anibar.org/ekspozita/.
Afati i fundit për aplikim është: 27 gusht 2021
Procesi i përzgjedhjes: pas datës së mbylljes së thirrjes, OJQ Anibar do t’i vlerësojë dhe zgjedhë tri idetë (aplikacionet) më të mira të cilat përshtaten me kërkesat e kësaj thirrje dhe që e portretizojnë më së miri qëllimin e kësaj Thirrje të Hapur dhe kërkesat e këtij aplikacioni si dhe historinë dhe rëndësinë e Kinemasë Jusuf Gërvalla. Rezultatet e përzgjedhjes do të shpallen deri më 31 gusht 2021.
Informacione të tjera të rëndësishme: ju lutemi vini re se për idenë/aplikacionin e përzgjedhur do të paguhet kompensim gjatë zbatimit të projektit/idesë. Ju lutemi vini re se nëse ideja/aplikacioni juaj përzgjedhet, do të duhet të jeni në dispozicion në fillim të shtatorit 2021 për angazhim me Anibar-in. / KultPlus.com
Çifti bashkëshortor i moshuar nga Gjermania janë bërë tejet të famshëm në rrjetin social Instagram, duke u dëshmuar adhuruesëve të tyre se mosha është veç një numër, shkruan KultPlus.
Britt Kanya dhe Gunter Krabbenhoft kanë arritur të kenë shumë fansa në Instagram, ndërkohë numri i tyre vazhdon të rritet.
Ishin miqtë e këtij çifti, ata që frymëzuan që çifti ta bënte këtë, transmeton tutje KultPlus
Gunter e mësoi Britt-in se si të përdorë Instagramin. Ai nuk përdor rrjete të tjera. Britt ka një qëllim, të shijojë jetën. Madje, Britt pranon se nuk kishte ndër mend të fillonte një revolucion, ajo thjesht hapi një llogari të zakonshme në Instagram. / KultPlus.com
“Zemra jeme ka ni dishir të madhe me ardh në Shqipni”, shkruan Nënë Tereza në letrën drejtuar shtetit komunist shqiptar në vitin 1989.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka publikuar sot letrat që Nënë Tereza, i dërgoi ish-liderit komunist Ramiz Alia më 29 gusht 1989, transmeton KultPlus.
“Zemra jeme ka ni dishir të madhe me ardh në Shqipni”. Me këto fjalë të shkruara në shqip, Nënë Tereza i drejtohej shtetit shqiptar gjatë diktaturës komuniste, për të parë për të fundit herë nënën Drane dhe motrën Age sa ishin gjallë, por dëshira nuk iu plotësua! Ajo për herë të parë do të hynte në Shqipëri në vitin 1989.
Si sot, më 26 gusht 1910, u lind në Shkup, Anjezë Gonxhe Bojaxhiu. Që e re, 18-vjeçare, nisi jetën e saj përkushtuar Zotit, të varfërve dhe të munduarve! Në fillim u shpërngul në Irlandë e më pas në Indi, ku jetoi pjesën më të madhe të jetës së saj. Për këtë mision të sajin shumëvjeçar, në vitin 1979 ju dha çmimi Nobel për Paqe. Vdiq më 5 shtator 1997. Në 2016 u shpall shenjtore.
Letrat e shkruara nga dora e Nënë Terezës, që për herë të parë u ekspozuan nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave dhe Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje në përvjetorin e shenjtërimit të Nënës së botës. / KultPlus.com
Gonxhe Bojaxhiu, e njohur botërisht si Nënë Tereza ose Shën Tereza e Kalkutës është nobelistja shqiptare që pjesën më të madhe të jetës së saj ia kushtoi bamirësisë, shkruan KultPlus.
Ajo lindi në Shkup (sot Republika e Maqedonisë), atëherë pjesë e Vilajetit të Kosovës në Perandorinë Osmane. Pasi kishte jetuar në Maqedoni për tetëmbëdhjetë vjet, ajo u shpërngul në Irlandë dhe më pas në Indi, ku jetoi pjesën më të madhe të jetës së saj.
Nënë Tereza themeloi Misionaret e Bamirësisë, një kongregacion fetar katolik, i cili në vitin 2012 kishte më shumë se 4,500 motra dhe ishte aktiv në 133 vende.
KultPlus sot ju sjellë një fotografi të rrallë të Nënë Terezës me motrën e saj, Age Bojaxhiu. Fotografia është shkrepur në vitin 1923, në Konsullatën Kombëtare të Vajzave Prizrenase./ KultPlus.com
Met Gala njihet si një nga eventet më të rëndësishëm në botë që i dedikohet tërësisht modës dhe mirëpret yjet më të njohur nga industria e argëtimit dhe dizajnit. Ndërsa ngjarjet e modës janë reduktuar vitin e kaluar për shkak të pandemisë, Met Gala pritet të bëjë një rikthim madhështor.
Mirëpo ky event kaq i rëndësishëm këtë vit ka marrë kritika të shumta nga fansat për listën etë ftuarve. Mes shumë të ftuarve përfshihen edhe ata që njihen si “influencers”, influecuesit e rrjeteve sociale.
Për New York Post, një agjent i famshëm tha se nuk është i kënaqur me pjesëmarrësit e këtij viti. Ndërsa një publicist tjetër u shpreh:
“Personalisht, mendoj se Met Gala nuk e ka më shkëlqimin e dikurshëm. Është shndërruar nga një event super prestigjioz në një vend plot me influencues”, transmeton KultPlus.
Gjithashtu është mësuar se kryeredaktorja e Vogue, Anna Wintour ka zvogëluar listën e të ftuarve nga 600 në 450 për shkak të pandemisë së COVID. Është raportuar se në event do të marrë pjesë edhe Addison Rae, një yll 20-vjeçar i TikTok me më shumë se 82 milionë ndjekës, si dhe YouTuber, Emma Chamberlain, e cila ka më shumë se 10 milionë abonues të platformë. Pikërisht ky fakt nuk ju ka pëlqyer aspak fansave të eventit.
Përfaqësuesit e Vogue nuk kanë dhënë ende asnjë koment për ankesat. Burimet thonë se tashmë talentet e reja po marrin përparësi, prandaj edhesi të ftuar janë zgjedhur pikërisht ata. / KultPlus.com
Roma nuk do të ketë mundësinë të presë festivalin europian të këngës Eurovision për vitin 2022.
Kompeticioni prestigjioz i këngës që u fitua nga grupi Maneskin vitin e kaluar do të mbahet në Itali, por jo në “qytetin e përjetshëm”, siç ishte parashikuar më herët. Motivi është se nuk ka ambientin e duhur për të pritur një ngjarje të tillë dhe për këtë arsye në listë janë 5 qytete të tjera si Milano, Bologna, Pesaro, Rimini dhe Torino, transmeton KultPlus.
Sipas disa burimeve për mediat italiane, autoritetet lokale në Romë kishin propozuar Pallatin e Sportit si vendin ku mund të organizohej Eurosong 2022, por teknikët e EBU që merren me organizimin e eventit e kanë refuzuar duke thënë se nuk përmbush disa nga kushtet e nevojshme.
Më pas, bashkia ka propozuar disa vende alternative mes të cilave dhe Cinecitta apo Panairin e ri të Romës, por asnjë prej tyre nuk është konsideruar e përshtatshme. / KultPlus.com
Sot është caktuar të mbahet seanca përgatitore për rastin ku Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” (UP) ka paditur Komunën e Prishtinës dhe Kishën Ortodokse Serbe, për vërtetimin e së drejtës së shfrytëzimit dhe kthimit në posedim të pronës në kampus, ku dhe gjendet kisha, transmeton KultPlus.
Kjo seancë ishte caktuar fillimisht të mbahej më 25 mars të këtij viti, mirëpo e njëjta ishte shtyrë, për çka kishte raportuar “Betimi për Drejtësi”.
Kësisoj, seanca përgatitore pritet të mbahet sot nga ora 10:00.
Padia në këtë rast është ushtruar më 29 nëntor 2015.
Sipas padisë, Universiteti i Prishtinës ”Hasan Prishtina” në Prishtinë, që prej 12 dhjetorit 1975, e ka në shfrytëzim patundshmërinë në sipërfaqe prej 4.27.16 ha në Prishtinë, e cila gjatë gjithë kësaj kohe thuhet se është shfrytëzuar në mënyrë të papenguar, pasi që e njëjta ka qenë pjesë përbërëse e Kampusit Universitar sipas planit detal urbanistik të Qendrës Universitare në Prishtinë.
Në padi thuhet se e paditura e parë, Komuna e Prishtinës, në kundërshtim me planin urbanistik, pa bazë juridike dhe në mënyrë të kundërligjshme ia ka dhënë në shfrytëzim tani të paditurës së dytë, Kishës Ortodokse Serbe “Xh.Sh Nikolla Xh. Serpska” në Prishtinë, e cila thuhet se duke e uzurpuar tani pjesën kontestuese në mënyrë të kundërligjshme e ka ndërtuar Kishën Ortodokse “Sveti Sava”, në sipërfaqe prej 0.54.12 ha, me oborr në sipërfaqe prej 3.73.04 ha.
Tutje, në padi thuhet se bazuar në këto fakte tani paditësi sipas ligjit në fuqi, si bartës i së drejtës së shfrytëzimit të patundshmërisë, e ka të drejtën e kërkesës për kthimin e tani patundshmërisë kontestuese, pasi që e njëjta thuhet se e ka pasur në shfrytëzim dhe posedim në mënyrë të ligjshme këtë pronë.
Po ashtu, në padi thuhet se sipas Rregullores së UNMIK-ut nr.1999/24, parashihet se për të gjitha ligjet vendimet administrative dhe vendimet gjyqësore të nxjerra pas datës 22 mars 1989, që janë të natyrës diskriminuese nuk mund të zbatohen në Kosovë.
Po ashtu, në padi thuhet këto veprime janë të kundërligjshme pasi që të njëjtat janë marrë nën masat e dhunshme nga autoriteti i dhunshëm ish-Këshilli Ekzekutiv Komunal, andaj sipas Rregullores së UNMIK-ut nr.1999/24, të gjitha ligjet vendimet administrative dhe vendimet gjyqësore të nxjerra pas datës 22 mars 1989, që janë të natyrës diskriminuese nuk mund të zbatohen në Kosovë.
Me anë të kësaj padie, UP-ja po kërkon nga gjykata që të aprovohet padia dhe kërkesëpadia e tij, të vërtetohet se i njëjti ka të drejtën e shfrytëzimit të patundshmërisë në sipërfaqen e përgjithshme prej 4.27.16 ha, në Prishtinë, të detyrohet Komuna e Prishtinës që të bëjë ndryshimin e bartësit të të drejtës së shfrytëzimit të paluajtshmërisë. Tutje, kërkohet që dy të paditurat t’ia kthejnë në shfrytëzim të lirë dhe të papenguar këtë patundshmëri, si dhe në mënyrë solidare të paditurat paditësit t’ia kompensojnë shpenzimet e procedurës. /gazetaeexpress/ KultPlus.com
Më 26 gusht të vitit 1910 në Shkup lindi Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, e njohur më vonë si Shën Nënë Tereza, shkruan KultPlus.
Nënë Tereza themeloi Misionarët e Bamirësisë, një kongregacion fetar katoliko, i cili në vitin 2012 kishte më shumë se 4,500 motra dhe ishte aktiv në 133 shtete. Ato ofrojnë shtëpi për njerëzit që janë duke vdekur nga HIV/AIDS, lebëra dhe tuberkulozi; ato ofrojnë ushqime, klinika të lëvizshme, programe këshilluese për fëmijët dhe familjet, jetimore, dhe shkolla. Anëtarët duhet t’i përmbahen betimit të “dëlirësisë, varfërisë dhe bindjes”, si dhe një kusht të katërt, për të dhënë “shërbime falas e me gjithë zemër për më të varfërit e të varfërve”.
Nënë Tereza është nderuar me çmimet dhe nderimet më të larta, duke përfshirë: më 1962 Çmimin e Paqes Ramon Magsaysay dhe 1979 Çmimin Nobel për Paqe. Më 19 tetor 2003, ajo u lumturua dhe u quajt “Tereza e Bekuar e Kalkutës”. Për t’u kanonizuar në shenjtore, asaj duhej t’i njihej një mrekulli e dytë, në bazë të rregullave të kishës katolike. Një mrekulli e dytë i është njohur nga Papa Françesku, në dhjetor të vitit 2015, duke i hapur rrugën që ajo të shpallet e shenjt nga Kisha Katolike e Romës. Kanonizimi i saj është bërë më 4 shtator 2016, një ditë para 19-vjetorit të vdekjes së saj (5 Shtator), ku njihet edhe si dita e saj e festës.
Një figurë e diskutueshme si gjatë jetës dhe pas vdekjes së saj, Nënë Tereza u admirua gjerësisht nga shumë njerëz për veprat e saj bamirëse. Ajo u vlerësua dhe u kritikua për akuza të ndryshme, të tilla si për pikëpamjet e saj për abortin dhe kontracepsionin Ajo gjithashtu ka marrë kritika për kushtet në shtëpitë që ajo ofronte për ata që ishin buzë vdekjes.Biografia e saj e autorizuar u shkrua nga Navin Chaëla dhe u botua në 1992, ajo ka qenë subjekt i filmave dhe librave të tjerë. Më 6 Shtator 2017, Tereza dhe Shën Françesk Xavier u emëruan bashkë-mbrojtës të Argjipeshkës Katolike Romake të Kalkutës. / KultPlus.com
Për cilin dhe çfarë mund të them: “E njoh!”? Këtë zemër brenda vetes, unë mund ta ndjej dhe të pohoj se ekziston. Këtë botë unë mund ta prekë dhe të them se ajo është. Këtu përfundon e gjithë shkenca ime, pjesa tjetër është spekulim. Po të përpiqesha të rrokja “Unin” time, për të cilin jam i sigurt se ekziston, po të përpiqesha ta përkufizoja, ta përmblidhja në thelbin e vet, do të shihja se është ujë që më rrëshqet nëpër gishta. Unë mund të vizatoj një e nga një të gjitha pamjet që ai di të marrë, të gjithë dukjet që i kanë dhënë të tjerët, edukatën, origjinën, vrullin apo heshtjen, madhështinë ose poshtërsinë e tij. Kjo zemër që është e imja do të mbesë përgjithmonë e panjohur. Midis sigurisë që kam për ekzistencën time dhe përmbajtjes që përpiqem që ti jap kësaj sigurie, hendeku nuk do të mbushet kurrë. Un do të jem përgjithmonë i huaj për vetveten. Në psikologji si në logjikë gjithmonë ka të vërteta, por kjo nuk është aspak e vërteta. Thënia e Sokratit “Njih vetveten” ka po kaq vlerë sa edhe “Ji i virtytshëm” i rrëfeve tanë. Ata dëshmojnë për nostalgjinë dhe në të njëjtën kohë për padijen tonë. Këto janë lojëra shterpë mbi problemet e mëdha. Ato janë të përligjura vetëm në atë masë që ato janë të përafërta. Shihni këto pemë, unë e njoh ashpërsinë e tyre, marrim ujin dhe unë e provoj shijen e tij. Aromën e barit, yjet, netët, disa mbrëmje kur zemra ç’tendoset. Si mund ta mohoj këtë botë, fuqinë dhe forcën e së cilës unë e provoj? Megjithatë e gjithë dituria e kësaj bote nuk më ndihmon aspak që të më sigurojë se kjo botë është e imja. Ju ma përshkruani dhe më mësoni ta klasifikoj, Ju më numëroni logjet e saj dhe unë, i etur për dije i pranoj si të vërteta. Ju zbërtheni mekanizmin e saj dhe tek unë shpresa rritet. Në fund ju më mësoni se kjo gjithësi madhështore dhe e larmishme përbëhet nga atome dhe vetë atomi përbëhet nga elektrone. Të gjithë këto janë të drejta dhe unë pres që ju të vazhdoi më tej. Por ju më flisni për një sistem planetar të padukshëm ku elektronet vërtiten rreth një bërthame. Ju ma shpjegoni këtë botë me anë të një figure. Atëherë unë vërej se kemi hyrë në lëmin e poezisë që nuk do ta njoh kurrë. A kam kohë që të zemërohem? Ndërkohë ju keni ndërruar teori. Kështu shkenca, e cila duhet të më mësonte gjithçka, bëhet hipotetike, qartësia shndërrohet në metaforë dhe pasiguria kthehet në vepër arti. Dhe përse mu deshën aq shumë përpjekje? Konturet e buta të kodrave dhe dora e mbrëmjes mbi një zemër të plagosur më mëson shumë më tepër. Arrita atje ku u nisa. E kuptoj që nëse nëpërmjet shkencës mund të rrok dukuritë dhe t’i numëroj, nuk mundem, megjithatë, të kuptoj botën. Edhe sikur me gisht ta përshkoja gjithë relievin e saj, përsëri nuk do ta njohja më mirë. Dhe ju më vini të zgjedh midis një përshkrimi që është i sigurt, por që nuk më mëson asgjë, dhe hipotezave që pretendojnë të më mësojnë, por që nuk janë aspak të sigurta. I huaj për vetveten dhe për botën. I armatosur përballë rreziqeve vetëm me një mendim që mohon vetveten sapo ta pohojë atë. Cila është ajo gjendje ku unë mund të jetoj, i qetë duke mos pranuar të mësoj e të jetoj ku dëshira për fitore ndeshet me pengesa që përballojnë sulmet e saj. Të dëshirosh do të thotë të nxitësh paradokse. Gjithçka është rregulluar në mënyrë të tillë që të lind kjo paqe e helmatisur që sekretohet nga moskokëçarja, gjumi i zemrës ose vetëmohimet vdekjeprurëse. / KultPlus.com
Disa javë para se të vdiste, Eva Peron qëndroi pranë burrit të saj për inaugurimin e tij të dytë si President i Argjentinës. Kanceri i saj i qafës së mitrës, thuhet se e kishte bërë atë aq të dobët, saqë ajo qëndronte brenda një lloj kafazi të bërë nga suva dhe tela për të mbështetur gjymtyrët e saj të dobëta. Ajo peshonte pak më shumë se 5-6 gurë (36 kg).
Ka gra që kanë lënë gjurmë në kohë dhe që kanë ndryshuar historinë, që kanë thyer normat e vendosura nga shoqëria dhe që kanë treguar se janë të afta të bëjnë të njëjtën gjë ose më shumë sesa meshkujt që përpiqeshin t’i fusnin në rolin e bashkëshorteve dhe të nënave. Mari Kyri, Frida Kahlo, Amelia Earhart, Virginia Wolf … Eva Peron. Zonja e parë argjentinase mori një rol të rëndësishëm në jetën politike dhe sociale të kombit të saj, duke qenë një mbrojtëse e shtresave të varfra dhe e të drejtave të grave.
Fëmijëria e Eva Duartes, vajza e ligjshme e Juan Duartes dhe e Juana Ibarguren u karakterizua nga varfëria dhe kontakti me botën rurale. Në moshën 15 vjeçare shkon në Buenos Aires dhe fillon të punojë si aktore, modele dhe folëse në radio. Në vitin 1945 kur kishte fituar pak njohje martohet me kolonelin Juan Domingo Peron dhe një vit më vonë pas zgjedhjeve të të shoqit si president i Argjentinës do të merrte krahë nga jeta politike, një nga më aktivet dhe më të rëndësishmet e shek XX. Evita Peron, siç e thërrisnin shtresat e varfra të shoqërisë argjentinase, e përdori pozicionin e saj për të përmirësuar gjendjen e punëtorëve dhe të grave në vendin e Amerikës Jugore.
Në vend që të pranonte poste zyrtare në qeverisje preferoi të aplikonte politikat e saj sociale përmes fondacionit “Eva Peron”. Fondet publike me të cilat mbahej u përdorën për ndihma sociale si ndërtime spitalesh dhe shkollash ose në programe mbështetëse për shtresat e varfëra. Veproi si ndërmjetëse mes qeverisë dhe sindikatave dhe themeloi partinë peroniste femërore me të cilën mbrojti të drejtat e grave dhe mori votën femërore në vitin 1947.
Zonja e parë do të vdiste më 26 korrik 1952 nga kanceri i mitrës duke shënuar kështu edhe rënien e peronizmit që do të shtypej tre vite më vonë nga një grusht shteti me karakter ushtarak. Rëndësia që pati ky personazh femëror për atë periudhë kur gratë ishin të nënshtruara nga meshkujt e shndrroi automatikisht në një figurë të admirueshme dhe të njohur në të gjithë botën. Emri i saj ka kaluar në histori si sinonim i luftës për të drejtat e grave, bindjes dhe stilit femëror. / cbc.al / KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett.
Me këtë rast, ambasadori Kosnett shprehu falënderimin e qeverisë së SHBA-ve për vendimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për të ofruar mbrojtje të përkohshme dhe të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan.
Ndërkaq, presidentja Osmani theksoi se qytetarët e Kosovës, nisur nga përvoja e kaluar, mirëkuptojnë nevojën për strehim të sigurt për personat e rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan.
Presidentja Osmani nënvizoi se Republika e Kosovës do t’i qëndrojnë përkrah SHBA-ve dhe shteteve aleate duke dhënë kontributin e saj në paqen ndërkombëtare.
Presidentja Osmani po ashtu shprehu falënderimin për mbështetjen e SHBA-ve në ballafaqimin me pandeminë që nga donacionet në pajisje mjekësore dhe vaksina, deri tek nismat për njoftim të publikut për masat mbrojtëse kundër Covid-19 dhe informimit të drejtë për vaksinat.
Presidentja Osmani dhe ambasadori Kosnett diskutuan po ashtu për thellimin e bashkëpunimit me institucionet e Kosovës në fushën e politikës së jashtme si dhe në realizimin e reformave në drejtësi dhe energjetikë. / KultPlus.com
Poeti, shkrimtari dhe kritiku letrar shqiptaro-amerikan Gjekë Marinaj u emërua fitues i një prej çmimeve letraro-kulturore më prestigjioze të Koresë së Jugut, “Çmimin Letrar Ndërkombëtar Changwon KC”. Banues në zonën e Dallasit, Dr. Marinaj është profesor në Kolegjin Richland si dhe drejtor i Mundus Artium Press.
I organizuar nga qyteti Changwon i Koresë së Jugut, Çmimi Letrar Ndërkombëtar Changwon KC vlerëson Dr. Marinaj për kontributin jetësor dhe etikën kulturore në letërsi. Në përzgjedhjen e Marinajt për këtë nderim, komiteti i çmimit vuri në dukje se ai gjithmonë “i vendos njerëzit në qendër të punës së tij, inspiron paqen përmes poezisë dhe këndon për përmirësimin dhe sjelljen e shpresës në botë”.
Komiteti i Çmimit Ndërkombëtar Changwon KC vuri në dukje edhe poezinë protestuese të Marinajt të vitit 1990 “Kuajt”, botimi divergjent i të cilës e detyroi poetin të ikte nga regjimi komunist i Shqipërisë. E tronditur nga demonstratat masive në cilat poezia u bë menjëherë njohur, qeveria komuniste u rrëzua gradualisht pas botimit të saj.
Marinaj është shkrimtari i dymbëdhjetë që merr Çmimin Letrar Ndërkombëtar Changwon KC, themeluar në vitin 2010. Fituesit e mëparshëm, mes tyre edhe disa kandidatë për Çmimin Nobel, kanë përfshirë Bei Dao të Kinës, Alexei Varlamov të Rusisë, Hans-Ulrich Treichel të Gjermanisë dhe Claude Mouchard të Francës.
Lee Seong-mo, drejtor i Qendrës së Letërsisë Kim Dal-jin të Changwon, i cili administron çmimin, vuri në dukje: “Duke parë fituesit deritanishëm, të gjithë kanë qenë shkrimtarë që puna e tyre ka ngritur lart vlerat e lirisë, të drejtave të njeriut dhe paqes. ”
Duke komentuar për mediat koreane për çmimin, Marinaj tha: “Letërsia ka një fuqi të mrekullueshme për të përmirësuar cilësinë e jetës së secilit anëtar të racës njerëzore. Letërsia është dashuri njerëzore. Ajo është si rrezet e diellit dhe ajri, pa kufij, e atyshme për këdo që ka nevojë për të, sepse letërsia është natyra jonë e vërtetë.”
Çmimi Letrar Ndërkombëtar Changwon KC përfshin edhe një shpërblim monetar prej 5,000 (pesë mijë) dollarësh amerikan. Marinaj do të udhëtojë në Changwon për ceremoninë e marrjes së çmimit, që do të mbahet më 2 tetor (2021) në vendlindjen e Kim Dal-jin, një shkrimtar i njohur korean i shekullit të njëzetë.
Marinaj ka botuar 22 libra me poezi, gazetari, kritikë letrare dhe përkthime letrare. Veprat e tij janë përkthyer në më shumë se një duzinë gjuhësh. Mes shumë nderimeve, Marinaj ka marrë dy Çmime Kombëtare Letrare nga qeveria dhe Shoqata e Shkrimtarëve të Vietnamit, Çmimin “Autori Ndërkombëtar” të Italisë, Çmimin “Poeti i Botës” të Uzbekistanit, Çmimin “Poet Botëror” të Bengalit Perëndimor dhe Çmimin shumë prestigjioz “ISISAR” për kërkimin e paqes përmes letërsisë.
Marinaj mban titullin “Ambasador i Kombit” për Shqipërinë, vendin e tij të lindjes, si nderim për kontributin e tij në letërsinë dhe kulturën shqiptare dhe botërore përmes poezisë, prozës, gazetarisë, kritikës letrare, filozofisë dhe mësimdhënies akademike.
Në një komentet për mediat amerikane, Marinaj vuri në dukje se kur je shkrimtar “shkruan për të edukuar, informuar, argëtuar dhe motivuar derisa fjalët të arrijnë përtej çdo kufiri njerëzor dhe të bëhen instrumente në shërbim të kujtdo që dëshiron ose ka nevojë për to”.
Gazeta Gyeonggi me qendër në Seul vuri në dukje se “Marinaj është bërë një nga poetët më të rëndësishëm, me famë botërore të shekullit 21, siç ishte Pablo Neruda në shekullin e 20-të”.
Marrë nga AP (Associated Press) dhe përkthyer nga anglishtja nga Elena Lato Sang-woo 상우
POETI I REZISTENCËS QË USHQEN NJERËZIMIN ME PAQE DHE SHPRESË
Nga Hyunsoo Jeong
Poeti Amerikan me origjinë Shqiptare Gjekë Marinaj fiton Çmimin e 12 -të letrar Ndërkombëtar Changwon KC në Korenë e Jugut: Vlerësim për fuqizimin e vlerave globale të lirive dhe të drejtave të njeriut në letërsi.
Çmimi Letrar Ndërkombëtar Changwon KC feston 12 vjetorin e tij këtë vit. Fituesi i parë ka qenë një poet i cili kompozoi poezi disidente gjatë incidentit në Sheshin Tiananmen në Beidao të Kinës, i cili më pas u detyrua të ikë në Hong Kong e pastaj në Shtetet e Bashkuara. Sot ai është kandidat për Çmimin Nobel në Letërsi. Pas kësaj, midis shkrimtarëve që kanë fituar Çmimin Ndërkombëtar të Letërsisë Changwon KC, janë nominuar edhe tre të tjerë për Çmimin Nobel në Letërsi.
Fituesi i 12-të është gjithashtu një poet i rezistencës, i cili iku në Jugosllavinë (e vjetër) dhe më pas në Shtetet e Bashkuara për shkak të kërcënimit të regjimit komunist shqiptar. Gjekë Marinaj (lindur në 1965) është një poet, shkrimtar dhe kritik letrar Amerikan i lindur në Shqipëri. Ai ka marrë shumë çmime letrare ndërkombëtare, përfshirë Çmimin Kombëtar Heraldik të Vietnamit. Ai aktualisht është drejtor i Mundus Artium Press, dhe jep mësim në Universitetin e Richland, Dallas.
Marinaj ka botuar 22 libra me poezi, gazetari, kritikë letrare dhe përkthime letrare. Veprat e tij janë përkthyer në më shumë se 10 gjuhë dhe janë të dashura nga njerëzit në mbarë botën.
Çmimi Letrar Ndërkombëtar Changwon KC bashkë-kryesohet nga kryebashkiaku i qytetit Changwon, Heo Seong-moo dhe presidenti i Universitetit Kyungnam Park Jae-gyu, dhe përbëhet nga planifikimi, organizimi, gjykimi i anëtarëve të komitetit drejtues. Kim Gu-seul, Profesor i Universitetit Hyupseong; Park Duk-gyu, Profesor i Universitetit Dankook; Bang Min-ho, Profesor i Universitetit Kombëtar të Seulit; Kwak Hyo-hwan, drejtor i Institutit të Përkthimit të Letërsisë në Kore dhe Yeo Tae-cheon, profesoreshë në Universitetin e Grave Dongduk, ishin këtë herë pjesë e jurisë së dhënies së këtej çmimi.
Juria i kushtojë vëmendje të veçantë edhe poezisë “Kuajt” që e bëri poetin të ikte në Amerikë.
“Tërë jetën duke vrapuar rrimë / Shohim veç përpara / Ç’bëhet prapa s’duam t’ia dimë. / Ne nuk kemi emër / Të gjithëve kuaj na thonë. / Nuk qajmë, / Nuk qeshim; / Heshtim, / Dëgjojmë; / Hamë atë ç’na japin, / Ecim nga na thonë, / Asnjë nga ne s’është mendje hollë. (…)”
Siç dihet në mitologjinë greke, kuajt janë fillimisht qenie hyjnore, por nën sistemin e atëhershëm komunist shqiptar, njerëzit vonuan të tregohen mendjehollë pasi u duhej të vraponin sikur po ndiqeshin vërtet nga kuaj shumë të egër.
Por arsyeja kryesore pse juria zgjodhi Marinaj si fitues është fakti se “poeti gjithmonë vendos njerëzimin në qendër të punës së tij, nxit paqen përmes poezisë dhe kompozon fuqishëm për përmirësimin dhe shpresën e botës”.
Lee Seong-mo, drejtor i Qendrës së Letërsisë Kim Dal-jin, i cili është përgjegjës për integritetin e këtij çmimi letrar, analizoi: “Nëse shikoni profilin e fituesve të deritanishëm, çmimi u është dhënë shkrimtarëve të mëdhenj që kanë ngritur lart vlerat e lirisë, të drejtat e njeriut dhe rolin e paqes globale në letërsinë e tyre”. I tillë është poeti Marinaj, i cili me të dëgjuar lajmin, shprehu me kënaqësi ndjesitë e tij për mediat. “Më pëlqen të shkruaj sepse letërsia është për të gjithë. Letërsia ka një fuqi të mrekullueshme për të përmirësuar cilësinë e jetës së secilit anëtar të racës njerëzore. Letërsia është dashuri njerëzore. Ajo është si rrezet e diellit dhe ajri, pa kufij, e atyshme për këdo që ka nevojë për të, sepse letërsia është natyra jonë e vërtetë.”
Vlera monetare që jepet çdo vit për këtë çmim është 5,000 (pesë mijë) dollarë, e cila sigurohet nga qyteti i Changwon-it. Këtë vit, ceremonia e dorëzimit të çmim do të mbahet në vendlindjen e poetit Kim Dal-jin në orën 3 pasdite të 2 tetorit, por orari mund të ndryshojë në varësi të situatës së Koronës.
Rreth Çmimit Letrar Ndërkombëtar Changwon KC: Themeluar nga bashkia e qytetit Changwon, Çmimi Letrar Ndërkombëtar Changwon KC u lançua për herë të parë në 2010 në Qendrën e Letërsisë Kim Daljin. Organizuesit zgjedhin çdo vit një shkrimtar ndërkombëtar që praktikon më së miri frymën e humanizmit në letërsinë që shkruan. ‘K’ në ‘KC’ rrjedh nga shkronjat e para të fjalëve Korea, Kim (DalJin) dhe KYUNGNAM, ndërsa ‘C’ është shkronja e parë e qytetit Changwon.
Përktheu nga gjuha koreane: Elena Lato Sang-woo 상우 / KultPlus.com
Manuali historik i “Apple II”, kompjuterit Apple të prodhuar 41 vjet më parë dhe i firmosur nga Steve Jobs, u shit në ankand për 800 000 dollarë.
Blerësi është Jim Irsay, pronar i Indianapolis Colts, një ekip profesionist futbolli i Ligës Kombëtare të Futbollit.
Manuali me 196 faqe ka qenë i nënshkruar nga Jobs dhe CEO i dytë i kompanisë, Mike Markkula, dhe daton tre vjet pas lëshimit të pajisjes në 1977.
“Julian, brezi yt është i pari që rritet me kompjuterë. Shko ndrysho botën! Steven Jobs, 1980″, shkroi themeluesi i ndjerë i gjigantit amerikan, në moshën 25 vjeç.
Juliani në fjalë është Julian Brewer, djali i një ish-shpërndarësi të produkteve të Apple, i cili u vizitua nga Jobs dhe Markkula gjatë një fushate promovimi në vend.
Apple II rezultoi të ishte një produkt shumë i rëndësishëm për tregun e kompjuterëve, pasi ishte ndër të parët që synonte konsumatorët tradicionalë dhe jo vetëm kompanitë.
Ndërsa Apple I ishte kryesisht për hobistin, me më pak se 200 njësi të prodhuara, Apple II me të vërtetë” ndryshoi botën “duke i dhënë rreth 6 milion shtëpive dhe bizneseve shijen e tyre të parë të kompjuterëve personalë.
Të ardhurat e Apple II i lejuan kompanisë në ato vite të fluturonte në bursë. / atsh / KultPlus.com
Carlos Santana, kitarist i Rock and Roll, dhe fitues i shumëfishtë i Çmimit Grammy, ka njoftuar se albumi i tij i ri “Blessings and Miracles”, do të dalë në mbarë botën nga Bmb më 15 tetor.
Përveç “Move”, disku do të shfaqë një bashkëpunim në këngën “She’s Fire” me Diane Warren dhe G-Eazy, një këngë tashmë e disponueshme për ata që do të porosisin paraprakisht diskun. Para publikimit të “Blessings and Miracles”, Santana dhe grupi i tij do të kthehen drejtpërdrejt me koncerte pas një pauze 18-mujore.
Turneu do të fillojë më 11 shtator nga Atlantic City dhe më pas do të vazhdojë për disa takime në SHBA.
“Blessings and Miracles”, është një nga albumet më ambiciozë të karrierës legjendare të Santana.
“Titulli i këtij albumi vjen nga besimi im se ne kemi lindur me fuqi qiellore që na lejojnë të krijojmë bekime dhe mrekulli,” shpjegon Santana. /KultPlus.com
Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist nesër organizon protestë para Ministrisë së Drejtësisë në emër të grupit organizativ të protestës “Vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare”.
Përmes një video ftuese për protestën që do fillojë nesër nga ora 12:00 kërkohet që vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare. Kjo protestë vjen pas rastit tragjik në Ferizaj ku dy persona privuan nga jeta një 18-vjeçare të dielën.
Lidhur me rastin është protestuar edhe dje gjatë ditës ku protestuesit hodhën ngjyrë të kuqe në drejtim të pjestarëve të Policisë. Protestuesit kërkonin drejtësi për këtë rast, pasi që sipas tyre institucionet e sigurisë dhe të rendit kanë dështuar në punën e tyre./KultPlus.com
Më 25 gusht 1900, lindi Prof. Hasan Ceka, njeriu i cili konsdierohet si themeluesi i arkeologjisë shqiptare.
Nëntoka jonë mban kushedi edhe sa e sa dëshmi të tjera për paraardhësit tanë, e ajo që është zbuluar deri më tani është falë punës së palodhur e plot përkushtim të arkeologëve tanë. Andaj në ditën e tij të lindjes, kujtojmë njeriun që për më shumë se gjysmë shekulli ju kushtua tërësisht kërkimeve e studimeve për arkeologjinë shqiptare.
Hasan Ceka studioi në Vjenë ku u dallua si student i shkëlqyer. Pas kthimit në Shqipëri, në vitin 1930, punoi në Bibliotekën Kombëtare, krijoi një koleksion arkeologjik, të cilin edhe sot e trashëgon Biblioteka e Institutit të Arkeologjisë, ndërsa ka përfaqësuar Shqipërinë pranë misioneve të huaja arkeologjike në Apolloni e Butrint.
Në vitin 1947 drejtoi ekspeditën e parë arkeologjike në Apolloni si dhe punën për krijimin e Muzeut Arkeologjik Etnografik në Tiranë. Në 1956-të kthehet në Apolloni për t’ia kushtuar qytetit antik tërë veprimtarinë e tij kërkimore e studimore. Cekës i takon merita e zbulimit të një kompleksi arkitektonik në afërsi të ndërtesës së Agonoteteve, e nimfeut të qytetit dhe e shumë veprave të tjera. Prof. Ceka u nda nga jeta më 2 nëntor 1998. / KultPlus.com
Të kundroj, tek krisi gishtërinjtë, N’skaj bote, nga një kënd i një farë shtëpie, Ç’prej se të lashë Prishtinë. Ku jam e ç’kohë bën, për mua s’luan gjë. Sa herë zgjohem nga ky shtrat mërgate, që Zoti e di a vetë gërrhatën në të, e lyp pamjen që e lashë po s’më braktisi. Të shoh ty: Pas terrasës me drandofil të ngrirë, Shtresë e hollë bore që gdhinë në qytetin ku cicërojnë fëmijët, Ku shahen për një çamçakëz, Ndarë padrejtësisht me dhëmbë…
Dhe krejt vetëm unë e ti
Ku e thyen qafën miqët e mirë, Orë e heshtjes i shitoi, s’flet kush për “Bukurinë e zezë” poetët që i vramë, Përse i zdritën netët e Bartolomeut Dardan dreqi e rroftë! Kemi frikë. Ne s’i duam profetët mëkatarë, Diku u këndon epitafe një bariton i shqyer Kujt akordi s’i pengon. Borë marsi, prilli e maji 9,9 n’këtë pranverë Dhe fëmijë që hahen si gjelat Për ndihma humanitare Pampers, tamël druni dhe… pak dashuri.
Prap ti Prishtinë
Mesditë është dhe rrugët janë shterrë, Çfarë telefoni idiot! Askush s’përgjigjet n’te. Memecëri e ndytë, në gjithë këtë qytet. Ç’u bë ai det njerëzish?! T’ëmën e s’ëmës! Askujt buza n’gaz s’i shkon, kush s’e di një barsoletë të mirë! Sa për një mahi t’idhët, në këtë pikë t’qetësisë, Vetëm pranverë 9,9,9 dhe 9 Ku era hedh qese najloni e fryn pantallona uniformash Me folklor të Shumadisë.
Dikush më dha shenjë me buzëqeshje, dje n’varrim. I dashur mu duk se ishe ti; edhe pse e di se nuk vjen aty Ku të gjallët e rrejnë një kufomë Dikush preku n’gaz, krejt si ti, m’dërgoi puthje me gisht… U çart edhe poeti i mbrëmë në këtë qytet! Çfarë arrogance pash Zotin, sikur s’kemi tjera punë, I kalojmë ditët në ceremoni varrimi Mbi arkivole prekim shikim Dokrra shpirti im, llafe. Kush tha se gazi u shua? Përse u çnjerëzua një poet! Jo, aspak Se jemi njerëz, gëzohemi si çdo kafshë e butë: Aty kur blejmë supë me kiste, Kur e mashtrojmë patrullën, me t’u shtënë serbë… Si the?! Sa pare i ka fytyra pa leqe, nderi e… Prano. S’e vlejnë një bukë fabrike, një birrë Peje, jo se jo.
Shih çfarë të bëra Prishtinë M’u thaftë dora e Mira ime, S’ta shkrova një fjalë të mirë, Përherë një dorë ethesh më dridhë Gjithë kjo borë në gji! M’u marrtë goja, s’ta thash asnjë varg, Për erën bli në verë, udhët e zëna me nektar e njerëz Që pështyjnë tri here Orët e Liga n’gji, Sa shqip! Belbëzimet që t’i qesin njëmijë vargje n’ditë, Gjithë këta poet të këqij! Por, s’kanë si të duan ndryshe, Prishtinë. Më plaçin sytë. S’ta thura një pikturë, aso që laikët i shesin në rrugë, krejt lirë. Për me të marrë me të mirë. Me t’rrejtë se s’na vjen era mut, kur shohim pika gjaku. Se… se… deshëm diçka në ty. Ç’e do këngën time verdh si lakra!? Për këta fëmijë nervoz, që grithen, ngrehen për flokësh Kur zihen për politikë Apo për këta etër, që aktrojnë qetësi Dehen me coca-cola Teren në tym duhani Ballkanik Me ambalazh “Marlboro”. E di! S’ke pse më ndien mua gjakhumburën, Por, zë besë Kosovë Se aty ku të gjallët e rrejnë një kufomë Buzëqeshi i mbrami poet. Vetë miku im. Tash të shprishin bombat Kosovë, E këtu, gjë nuk ndodh, pak kush bën kryq, E lëkundin dallgët Atlantikun.
Në historinë e njerëzimit ka pasur gra të shkëlqyera që kanë luajtur rol themelor në shkencë, por pavarësisht kontributeve të tyre të jashtëzakonshme, nuk u njohën kurrë.
Disa mbetën në hije për shkak të burrave të tyre që i detyruan të tërhiqeshin qëllimisht nga puna, ndërsa të tjera gjetën vdekjen e parakohshme dhe fatkeqe. Shumë pak prej tyre arritën të vendoseshin në botën shkencore dhe të njiheshin.
Sot, KultPlus ju sjell historinë e këtyre grave mahnitëse, të cilat kanë lënë një gjurmë të rëndësishme në historinë e shkencës.
1. Hypatia
Hypatia ka lindur në mesin e shekullit IV në kryeqytetin e Aleksandrisë. Ajo punoi si filozofe dhe matematikanë, duke iu përkushtuar mësimit dhe studimit të shkencave ekzakte. Midis shumë kontributeve të saj, ajo përmirësoi modelin e astrolabes, instrumenti që përcakton pozicionet e yjeve. Në kohë kur ajo jetoi, puna e saj nuk u prit mirë nga disa grupe, duke e gjykuar si pagane. Hypatia u vra dhe prefekti perandorak Orestes dënoi vrasjen e saj, dhe më pas, veprimet e dhunshme kundër filozofëve të Aleksandrisë përfunduan. Figura e Hypatia-s njihet dhe admirohet nga gratë e shkencës, astronomisë, matematikës dhe gjithashtu nga aktivitet dhe feministët, informon abcnews.al.
2. Lise Meitner
Lise Meitner, e lindur në Vjenë në 1878, është fizikantja që ka investiguar radioaktivitetib. Ajo ishte profesorë në Institutin Kaiser Ëihelm dhe në Universitetin e Berlinit nga viti 1926 deri në 1933. Në vitin 1938 asaj iu desh të largohej nga Gjermania sespse ishte hebre. Ligjet e Nurembergut të qeverisë naziste e detyruan atë të largohej dhe më pas ajo u bashkua me stafin e Institutit Kërkimor të Institutit Manne Siegbahn në Stokholm. Lise Meitner ishte pjesë e ekipit që zbuloi ndarjen bërthamore, megjithatë, vetëm kolegu i saj Otto Hahn mori vlerësimin dhe Çmimin Nobel në Kimi. Megjithëse zbulimi i Meitner ishte shumë i rëndësishëm, merita e saj kaloi pa u vërejtur nga shkenca deri në shumë vite më vonë. Pas kësaj, emri i saj u njoh dhe vlerësua, dhe madje një asteroid (6999) dhe 2 krate në Hënë dhe në Venus janë emëruar në kujtim të saj.
3. Ada Lovelace
Ada Lovelace, e lindur në Londër në vitin 1815 është matematikanë, shkencëtare kompjuteri, shkrimtare dhe vajza e vetme e Anna Isabella dhe poetit Lord Byron. Ndarja e prindërve të saj dhe largimi i babai, shënoi një kthesë të madhe për Adën. Ada kishte shumë aspirata shkencore dhe gjithmonë dëshmonte se ishte më e dedikuar se nëna e saj, e cila pasi la letërsinë ishte matematikanë e shkëlqyer, informon abcnews.al. Në moshën 18-vjeçare, Ada u takua me matematikanin Charles Babbage,i cili e motivoi atë t’i bashkohej ekipit të tij më të famshëm “makina analitike”. Ada që jo vetëm pati sukses në këtë, por gjithashtu krijoi atë që njihet si algoritmi i parë për një makinë. Kjo zyrtarisht e bën atë programuesen e parë kompjuterike. Në fakt gjuha aktuale e programimit Ada, krijuar nga Departamenti i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, u emërua pas vdekjes së saj.
4. Jocelyn Bell Brnell
Jocelyn Bell Burnell ka lindur në Velfast në 1942. Ajo është arstrofizikanja që zbuloi sinjalin e parë radio të një pulsari, i cili është një yll që lëshon rrezatim shumë intensiv në intervale të shkurtra, të rregullta. Kjo gjetje e sukesshme gjithashtu kaloi pa njohje, pasi ishte mësuesi i saj Anthony Hewish që rrëmbeu çmimin Nobel në Fizikë në vitin 1974, pavarësisht se ajo e bëri zbulimin. Por fakti nuk kaloi pa u vërejtur nga bota shkencore, pasi shumë kolegë të saj e dënuan dhënin e çmimit për Hewish. Sidoqoftë, ky nuk ishte një lajm i keq për të pasi ajo bëri dhe shumë zbulime të tjera, më të rëndësishme sesa një çmim Nobel. Burnell është një nga shkencëtarët më me ndikim në Mbretërinë e Bashkuar dhe, natyrisht, të astrofizikës, informon abcnews.al.
5. Marie Curie
Marie Curie ka lindur në Varshavë në vitin 1867. Ajo ka qenë një shkencëtare e njohur e vlerësuar dy herë me çmimin Nobel në Fizikë dhe Kimi. Curie ishte pionere e radioaktivitetit, duke zbuluar teknika për izolimin e izotopeve radioaktive dhe 2 elementëve kimikë: poloniumit dhe radiumit. Nga këto zbulime, jeta e Marie Curie ishte e rrethuar nga radioaktiviteti. Ajo e mbante me vete elementin kimik, duke injoruar shkallën e dëmtimit të shkaktuar nga ekspozimi ndaj tij. Punën e saj shkencore, ajo e ndau me bashkëshortin Perre Curie, dhe më vonë me një nga dy vajzat, Irene-Joliot Curie, informon abcnews.al. Shumë vite pas vdekjes së Pierre, Marie filloi një romancë me shkencëtarin Paul Langevin, që i solli asaj shumë probleme, pasi ai kishte qenë i martuar ndërsa dilte me të. Megjithatë, edhe pse pati shumë paragjykime, Curie pati mbështetjen e shumë shkencëtareve, përfshirë Albert Einstein.
6. Rita Levi-Montalcini
E lindur në Torino në vitin 1909, Rita Levi-Montalcini ishte një shkencëtare e specializuar në neurologji. Ajo mori çmimin Nobel në Fiziologji ose Mjekësi. Pavarësisht kësaj, jeta e Ritës nuk ka qenë e lehtë. Ajo ka qenë studente gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe u përball me shumë vështirësi për shkak se ishte hebre. Në Itali, kishte ligje kundër hebrenjve të imponuara nga Benito Mussolini, kështu që Rita duhej të linte universitetin dhe të zhvendoste eksperimentet që bënte në dhomën e saj të gjumit. Atje, ajo krijoi një laborator me mikroskop dhe disa enë shtëpiake të adaptuara. Por ato vite terrori patën pasojat e tyre; qyteti i Torinos u bombardua në vitin 1941, kështu që Rita u detyrua të transferohej në një shtëpi në mal bashkë me instrumentet e saj, informon abcnews.al. Edhe atje nuk gjeti paqe dhe nuk qëndroi për shumë kohë. Pas sulmit të trupave naziste, asaj iu desh të ikte më në jug. Sapo mbaroi lufta, vitet e kërkimit të Ritës në bashkëpunim me biokimistin, Stanley Cohen dhanë rezultate: ajo arriti të izolonte të ashtuquajturin “faktori nervor i rritjes”, një proteinë thelbësore për mbijetesën e neuroneve. Ky ishte zbulimi i parë i komunikimit qelizë-qelizë.
7. Margarita Salas
Margarita Salas lindi në Spanjë në vitin 1938. Ajo mori titullin Ph.D. në Kimi, në Universitetin Complutense të Madridit. Margarita ka qenë përgjegjëse për promovimin e kërkimit spanjoll në fushën e biokimisë dhe biologjisë molekulare. Puna e saj ka spikatur për kontributin në hulumtimin e leximit të informacionit gjenetik. Studimi i Maragrite përqendrohet në virusin bakterial Phi29, i cili na ka lejuar të kuptojmë më shumë sesi sillet ADN-ja, si virusi bakterial transformon proteinat dhe si ato lidhen me njëra-tjetrën për të formuar një virus funksional. Margarita ka marrë disa çmime, duke u shpallur Studiuesja Europiane e vitit 1999 nga UNESCO. Ajo u emërua Drejtore e Institutit të Spanjës (1995-2003), e cila bashkon të gjitha Akademitë Mbretërore Spanjolle. Në dhjetor 2018, Shkolla Eliseo Godoy në Zaragoza ndryshoi emrin për të pasur Margarita Salas.
8. Irene-Joliot Curie
Lindur në Paris, Irene-Joliot Curie, vajza e Marie dhe Pierre Curie, studioi fizikë dhe kimi në Universitetin e Parisit gjatë Luftës së Parë Botërore. Kur mbaroi studimet, ajo filloi të punonte si asistente për nënën e saj në Paris Radio Institute, i cili më vonë u njoh si Instituti Curie. Kërkimet e saj në fushën e fizikës bërthamore përfshinin strukturën e atomit, projeksionin e bërthamës dhe prodhimin artificial të elementeve radioaktive. Për Curie, të qenit vajza e 2 shkencëtarëve të njohur fitues të çmimeve të mëdha, ishte një nxitje për karrierën e saj. Në fakt, ajo gjithashtu fitoi çmimin Nobel në Kimi në vitin 1935. Irene-Joliot Curie vdiq nga leucemia për shkak të ekspozimit të tepër ndaj rrezatimit, informon abcnews.al.
9. Hedy Lamarr
Lindur në Vjenë në 1914, Hedy Lamarr ishte një aktore dhe shpikëse e filmit amerikan. Historia e Hedy-t është interesante sepse, pavarësisht nga fakti se pjesa më e madhe e jetës së saj i ishte kushtuar aktrimit në kinema, ajo ishte bashkëshpikëse e versionit të parë të një spektri të zgjeruar që lejonte komunikime pa tel në distanca të gjata që tani i njohim si “Wi-Fi”. Së bashku me muzikantin George Antheil, ata zhvilluan teknikën e kodimit të informacionit. Por, para se të ndodhte kjo zbulim, Hedy përjetoi një ngjarje të tmerrshme. Burri i saj, Friedrich Mandl, e mbajti atë peng në shtëpinë e saj nën kontroll të rreptë dhe e detyroi atë të largohej nga industria e filmit, informon abcnews.al. Në vitin 1937, ajo arriti të shpëtonte dhe të shkonte në Paris për të vazhduar karrierën e saj artistike. Atje ajo takoi Louis B. Mayer, president i Metro Goldwyn-Mayer, me të cilin nënshkroi një kontratë për Hollywood. Në vitin 1942, Hedy regjistroi patentën e saj të komunikimit sekret, që kërkonte të shmangte zbulimin e silurëve nga trupat aleate. Hedy argumentoi që nëse të dy transmetuesit dhe marrësi do të ishin në gjendje të hidheshin njëkohësisht nga frekuenca në frekuencë, atëherë kushdo që përpiqej ta ndërpriste atë sinjal nuk do ta dinte se ku ishte. Fatkeqësisht, Hedy nuk mori merita për shpikjen e saj./ KultPlus.com