Del në ankand Kushtetuta Amerikane

Një Kopje jashtëzakonisht e rrallë origjinale e Kushtetutës Amerikane, e ratifikuar më 17 shtator 1787 në Filadelfia, së shpejti do të dalë në ankand në Nju-Jork, njoftoi shtëpia e ankandeve “Sotheby’s”.

Sotheby’s po ekspozon një koleksion privat të dokumenteve kushtetuese amerikane, që datojnë nga periudha revolucionare 1776-1789, përfshirë Kartën e famshme Kushtetuese të nënshkruar në Filadelfia nga “Etërit Themelues” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndër të cilët George Washington, Benjamin Franklin dhe James Madison.

Për Selby Kiffer, një ekspert historie për dorëshkrimet dhe librat e lashtë në Sotheby’s, dokumenti është një “shtypje e parë (kopje) fantastike e Kushtetutës së SHBA-së, ndoshta, e shtypur më 16 shtator (1787) në mbrëmje”.

“Një dokument jashtëzakonisht i rrallë, sepse ka vetëm 11 kopje të njohura, ndërkohë që mund të jenë shtypur, ndoshta, 500”, shpjegoi Kiffer.

Teksti kushtetues, që fillon me këtë formulë të famshme “Ne, populli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me qëllimin e formimit të një bashkimi më të përsosur, (…) dekretojmë dhe vendosim këtë Kushtetutë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, është vlerësuar nga Sotheby’s midis 15 dhe 20 milionë dollarëve dhe do të dalë në ankand në fund të nëntorit./ /ervo/KultPlus.com

Edicioni i parë i “N’Altitude Festival” në Lëpushë

Në Lëpushë të Malësisë së Madhe do të mbahet në datat 1-3 tetor, edicioni i parë i “N’Altitude Festival”.

Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Edona Bilali zhvilloi sot një takim me strukturat organizuese të këtij festivali për përgatitjet e fundit.

Bibali theksoi se, në këtë festival do të zhvillohen aktivitete të ndryshme për të njohur më tepër traditën dhe pasuritë natyrore të zonës.

Ajo shtoi gjithashtu se ky festival do të kontribuojë në zhvillimin e turizmit në qarkun e Shkodrës.

“Jemi gati për të mirëpritur në Lëpushë, Malësi të Madhe edicionin e parë të N’Altitude Festival, ku do të zhvillohen aktivitete të ndryshme për të njohur më tepër traditën dhe pasuritë natyrore të zonës”, u shpreh Bilali.

“Sot realizova një takim me strukturat organizuese për përgatitjet e fundit, ku gjeta rastin t’i falenderoj për punën dhe dëshirën për të kontribuar në zhvillimin e turizmit në qarkun Shkodër. U vura në dispozicion pasi ky aktivitet thekson jo vetëm karakteristikat e zonës, por ka edhe ndikim ekonomik. Ju mirëpresim në datat 1-3 tetor për të shijuar atmosferën, traditën dhe pamjet piktoreske”, tha Bilali./atsh/KultPlus.com

Zviceranët gjejnë mënyrën për t’iu shmangur kufizimeve, organizojnë piknik në rrugët e qyteteve

Prej disa ditësh Zvicra ka ashpërsuar masat ndaj përhapjes së Covid-19 duke kërkuar “Pasaporta vaksinimi”  në të gjitha baret dhe restorantet.

Por qytetarët zviceranë kanë gjetur një mënyrë ideale për për të shijuar pijen dhe ushqimin në rrugët e Zvicrës edhe pse jo në restorante.

Ata kanë organizuar piknik jashtë restoranteve duke i lënë ata pothuajse bosh.

Ata kanë organizuar piknik jashtë restoranteve duke i lënë ata pothuajse bosh./Kultplus.com

OKB lëshon tri pulla për paqen me imazhin e John Lennon

Administrata Postare e OKB -së (UNPA) ka shënuar Ditën Ndërkombëtare të Paqes duke lëshuar pullat e reja që shfaqin ikonën e muzikës dhe aktivistin e paqes, John Lennon, transmeton KultPlus.

Pullat përfshijnë tekstin e himnit klasik të John Lennon për paqen botërore, “Imagine”, së bashku me nënshkrimin e tij, dhe tre portrete të ndryshme fotografike të ish-këngëtarit të grupit Beatles në fazat e mëvonshme të jetës së tij.

Ky vit shënon gjithashtu 50 vjetorin e regjistrimit të “Imagine”, i cili konsiderohet si kënga më e suksesshme e karrierës solo të Lennon.

Kënga është interpretuar në disa nga ngjarjet më të mëdha në botë, duke përfshirë koncerte për paqen, festimet e Vitit të Ri dhe Lojërat Olimpike – gjithmonë një mesazh shpresëdhënës gjatë kohëve shqetësuese.

“Tekstet e saj na inkurajojnë të lëmë mënjanë të gjitha dallimet dhe të bashkohemi për të imagjinuar një botë paqeje, pa lakmi, uri ose barriera që ndajnë njerëzit dhe kombet” vuri në dukje OKB./KultPlus.com

Galeria ‘Firstsite’ në Colchester fiton çmimin ‘Muzeu i Vitit’

10 vjet pasi u hap, galeria e artit ‘Firstsite’ në Colchester ka fituar çmimin ‘Muzeu i Vitit’, transmeton KultPlus.

Çmimi prej 100,000 paund iu dha drejtorit të organizatës Essex, Sally Shaw, në një ceremoni në Muzeun Shkencor të Londrës të martën.

Kjo qendër është vlerësuar për punën e saj në komunitet, të tilla si ofrimi i ushqimeve falas në shkollë për fëmijët gjatë festave dhe dërgimi i paketave të artit.

Drejtoresha e ‘Art Fund’, Jenny Waldman tha se kjo galeri “i tejkaloi të gjitha pritjet tona”.

Ajo shtoi se Firstsite ishte “një shembull i shquar i inovacionit dhe integritetit”.

Waldman shpjegoi: “Në thelbin e tyre është arti i fuqishëm, i angazhuar bashkëkohor, i vendosur në një galeri që i jep hapësirë ​​të gjithëve, nga artistët, stafi i NHS deri tek familjet lokale dhe grupet e refugjatëve.

“Këtu është një organizatë e vogël me mendime të mëdha që kujdeset për komunitetin lokal. Këtu është përsosmëria e Essex.”-shtoi ajo./KultPlus.com

Këshilli i Prindërve të Prishtinës: Mësimi të nisë më 27 shtator, shtyrja e mëtejme e papranueshme

Këshilli i Prindërve të Komunës së Prishtinës kanë reaguar pas deklaratave të ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia i cili tha se IKSHPK-ja ka rekomanduar që të vazhdohet me masat për institucionet arsimore.

Këshilli i Prindërve të Prishtinës ka thënë se ky rekomandim është në kundërshtim të plotë me Udhëzuesin e Ministrisë së Arsimit për vitin 2021-2022.

“Nëse vazhdohet me këso vendimesh joserioze të shtyhet fillimi i procesit mësimor, si dhe të kushtëzohet fillimi i tij me skenarë të shpikur pa nevojë, ne si Këshill i Prindërve në Prishtinë do të shqyrtojmë seriozisht opsionin që të pezullojmë angazhimin e prindërve nëpër shkollat e Prishtinës, si në Këshilla Drejtues ashtu edhe në Task Forcat e shkollave. Nuk përjashtohet edhe thirrja për bojkotim të mbledhjeve të prindërve nëpër klasa”, thuhet në reagimin e Këshillit të Prindërve.

Reagimi i plotë:

Këshilli i Prindërve i Komunës së Prishtinës vlerëson se deklarimi i Ministrit të Shëndetësisë, z. Arben Vitia, se fillimi i procesit mësimor mund të shtyhet përsëri (meqë IKSHPK paska vlerësuar ashtu) dhe se pas fillimit mësimi nuk do të ndërpritet është edhe i befasishëm edhe në kundërshtim të plotë me Udhëzuesin e Ministrisë së Arsimit për vitin 2021-2022. Ai Udhëzues parashikon katër skenarë të procesit mësimor e jo vetëm një, sikurse ka pretenduar z. Vitia.

Për më tepër, lehtësia me të cilën po deklarohet shtyrja e mundshme e procesit mësimor po na tingëllon edhe e paarsyeshme edhe e papërgjegjshme – sidomos kur nga e hëna u pritka hapja e restoranteve edhe në hapësirat e brendshme (!).

Njëkohësisht këto veprime (parandaluese) janë krejt ndryshe me çfarë është thënë e bërë për më shumë se një muaj nga Ministria e Arsimit dhe drejtoritë komunale të arsimit, se përgatitjet janë bërë për të filluar procesi mësimor, por edhe me të gjitha masat e mëhershme të zhvillimit të procesit mësimor në kohë pandemie.

Nëse vazhdohet me këso vendimesh joserziore të shtyhet fillimi i procesit mësimor, si dhe të kushtëzohet fillimi i tij me skenarë të shpikur pa nevojë, ne si Këshill i Prindërve në Prishtinë do të shqyrtojmë seriozisht opsionin që të pezullojmë angazhimin e prindërve nëpër shkollat e Prishtinës, si në Këshilla Drejtues ashtu edhe në Task Forcat e shkollave. Nuk përjashtohet edhe thirrja për bojkotim të mbledhjeve të prindërve nëpër klasa.

Ju bëjmë thirrje të gjitha institucioneve vendimmarrëse, që të jenë serioz e të përgjegjshëm për deklarimet e vendimet që marrin për procesin mësimor dhe që më datë 27 shtator të fillohet procesi mësimor – me një skenar të pranueshëm e të përshtatshëm. Shtyrja e mëtejme do të jetë absolutisht e papranueshme për ne./KultPlus.com

Publikohet libri “Engima e poezisë” nga Sabri Hamiti

Në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (AShAK) është prezantuar libri  “Engima e poezisë”, nga Sabri Hamiti.

Sipas Hamitit, kjo është një dramë e vogël e kapërcimit nga shkrimi deri te leximi publik.

“Libri im enigma është libri i pestë që ka botuar akademia për të bërë një poetikë shqipe. Kjo paraqitje është një dramë e vogël e kapërcimit nga shkrimi deri te leximi publik. Akti e ka aventurën e parë të librit. Poezia që thur enigmën duke lënë shteg për zgjidhjen e saj. Për të zgjidhur enigmën unë rivizitova poet e përkthyes të shqipes”, tha Hamiti.

Autori Nysret Krasniqi tha se “Enigma” e poezisë titullohet libri i paraparë në programin e punës të sesionit të gjuhësisë që i kushtohet poezisë shqipe por edhe asaj botërore.

“Sot do të promovojmë librin më të ri të akademisë së studiues i letërsisë dhe kritikë letrare por edhe poet. Enigma e poezisë titullohet libri i paraparë në programin i punës të sesionit të gjuhësisë. Një vepër që i kushtohet poezisë shqipe por edhe asaj botërore. Do të thoshim një mjeshtër i analizave dhe gjetjeve që zbërthejnë gjithë këto figura. Është një dialog në libra të shënjuara që i ka gjetur lexuesit. Na orienton të lexojmë dhe zbërthejmë”, tha Krasniqi.

Studiuesja Persida Asllani tha se librat e Sabri Hamitit gjithmonë i kanë ofruar një ndjesi të mirë.

“Dhe vijmë si dy lexuese që kanë nisur me shumë sistem që do të thosha veprën e Sabri Hamitit që kur ishim student. Një vepër që na jepte ndjesinë të mirë. Edh ne sot vijmë si dy lexuese që duke menduar të shmangnim përsëritje kemi zgjedhur të fokusohemi në disa aspekte. Po e them se shkrimi për poezinë shpjegon thelbin e poezisë si enigmë e leximit dhe interpretimit. Titullin e lexoj si pohimin  e tij se poezia mbetet e tillë enigmë që mrekullon e që josh dhe sfidon leximin”, tha Asllani.

Poeti Eqrem Basha tha se kjo vepër vë në relacion poezinë e kanonit për të analizuar dhe rivlerësuar traditën poetike shqipe.

“Kjo vepër vë në relacion poezinë e kanonit për të analizuar dhe rivlerësuar traditën poetike shqipe. Në këtë ndërmarrje zgjedhja autore bazohet në fuqinë krijuese të tyre të cilët kanë formuar kanonin poetik shqiptar nëpërmjet diferencave për tu studiuar si forma të ndërligjshme të poezisë shqipe”, tha Basha./KultPlus.com

OBSH: Ndotja e ajrit vret shtatë milionë persona në vit

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka fuqizuar të mërkurën udhëzimet e reja për kualitet të ajrit, duke thënë se ndotja e ajrit është një prej kërcënimeve më të mëdha të ambientit për shëndetin e njerëzve, dhe për pasojë shkakton shtatë milionë vdekje të parakohshme në vit.

Kjo Organizatë ka thënë se nevojitet veprim urgjent për të zvogëluar daljen në ajër të ndotur, derisa e ka renditur dëmin e tij në linjë me pirjen e duhanit dhe ushqimin e pashëndetshëm.

“OBSH ka ndryshuar pothuajse të gjitha udhëzimet për kualitetin e ajrit, duke paralajmëruar se tejkalimi i niveleve të reja është i lidhur me rreziqe të konsiderueshme në shëndet” ka thënë Organizata, duke shtuar se “zbatimi i niveleve të reja mund të ruajë miliona jetë”.

Udhëzimet synojnë të mbrojnë njerëzit nga efektet e dëmshme të ndotjes së ajrit dhe të njëjtat përdoren si referenca nga qeveritë për të krijuar standarde që duhen zbatuar.

Hera e fundit kur OBSH-ja ka publikuar udhëzime për kualitet të ajrit ka qenë viti 2005. /REL/KultPlus.com

Publikohet traileri i filmit ‘The Tragedy of Macbeth’

“The Tragedy of Macbeth” është filmi i ri amerikan bardh e zi, me regji të Joel Coen, i cili bazohet në dramën me po këtë titull të William Shakespeare. Me rolet kryesore paraqiten Denzel Washington dhe Frances McDormand.

Traileri e këtij filmi të cilin e lansuan kompanitë Apple dhe A24, sjell në skenë dredhitë e çiftit, dredhitë për pushtet në Skoci dhe në fund zhytjen e tyre në çmenduri. Ai tregon klipe të ndara, zogj të mëdhenj të zi në qiell, Macbethin duke ecur me mundim nëpër shkretëtirë dhe zonjën Macbeth e cila me frikë shikon përtej krahëve të saj.

Dialogu i vetëm që dëgjohet është zëri i një shtrige, duke interpretuar njërin prej rreshtave më ikonik të dramës: “diçka e ligë po vjen”.

Me role në këtë film paraqiten edhe aktorët: Corey Hawking e cila veçohet për praraqitje me rol edhe në serinë “The Walking Dead”,  Moses Ingram nga filmi “The Queens Gambit” , Brendan Gleeso e të tjerë.

Për Joel, ky është filmi i parë që realizoi vetëm, pa vëllain e tij Ethan Coen.

“The Tragedy of Macbeth” do të shfaqet premierë botërore në festivalin e filmit në Nju Jork me 24 shtator 2021. Në mënyrë të limituar do të shfaqet në kinema me 25 dhjetor, ndërkaq në platformën Apple TV+ do të transmetohet me 14 janar 2022./KultPlus.com

Pse njerëzit e pëlqejnë kaq shumë Lana del Rey?!

Nuk është një nga artistet që shet pafund albume, apo bën shumë lekë me shitje. Nxjerr shumë rrallë këngë, por të gjitha janë të pëlqyera. Nëse ende nuk e ke dëgjuar muzikën e saj, mjafton t’i kushtosh disa orë dhe do të biesh në dashuri me tekstet dhe meloditë qetësuese të këngëve të Lana del Rey.

Por pse është kaq e pëlqyer Lana del Rey?

1. Me këngët e saj të transporton në një ambient komplet tjetër.

Nëse mundohesh të dëgjosh këngët e Lanës me kufje dhe me vëmendje, do të transportojnë në një mjedis komplet tjetër, pasi janë vërtet hipnotizuese. Secila këngë tregon një histori të vetën që të bën pjesë të njëbote imagjinare.

2. Trajton shpesh tematikën e dashurisë së vërtetë.

Lana me të vërtetë trajton fuqinë e emocioneve të forta, nostalgjinë dhe të qenit i verbër në dashuri. Ajo i çmon meshkujt në këngët e saj dhe vepron sikur të mund të bëjë gjithçka për ta, pavarësisht se si e trajtojnë. Kjo gjë është e vështirë, por kur jemi të dashuruar me të vërtetë, jemi joegoistë, edhe nëse na trajtojnë keq. Dashuria është poetike, dramatike dhe disa herë e dhimbshme të paktën për disa shpirtra të ndjeshëm. Por nuk duhet të jetë kështu, dashuria duhet të jetë e thjeshtë, duhet të jetë argëtuese. Lana na thote se dashuria është diçka që ia vlen të luftosh për ta pasur, edhe pse mund të kemi ngelur me zemër tëthyer kohë më parë.

3. I kushton shumë rëndësi kulturës.

Lana del Rey nuk ka videoklipe të realizuara në mënyrë totalisht moderne, por i ka si një ndërthurje të sëvjetrës me të renë. Kjo gjë i jep edhe veçanti, pasi në çdo këngë të saj, mund të dallosh një aspekt të njëkulture tjetër, apo të së shkuarës, gjithmonë të përshtatur me përmbajtjen e teksteve të këngëve të saj.

4. Nuk është e përqendruar vetëm në një zhaner muzikor.

Lana është vërtet e mrekullueshme në zhanera të ndryshëm muzikor. Muzika e saj mund të klasifikohet si pop art, por ajo ka edhe disa këngë të cilat janë më të lidhura me muzikën grunge, rap, opera, jazz, r & n & b, klasike. Çdo album është i ndryshëm nga tjetri, nuk ka të bëjë vetëm me muzikën, por edhe me atmosferën, pamjet dhe kuptimin. Për më tepër, në këngët e saj ne arrijmë të shohim se si transformohet Lana si person, por edhe mënyrën se si mendimet dhe ndjenjat e saj po ndryshojnë.

5. Mban kontakte shumë të mira me fansat e saj.

Ajo thjesht i do shumë fansat e saj dhe është gjithmonë gati të flasë me ta. Lana madje i përqafon dhe i puth në koncertet e saj. Nuk ka rregull të artë në koncertet e saj. Të gjithë ata që mund t’i afrohen mjaftueshëm Lanës gjatë turneut ose jetës së përditshme, mund të takohen lehtësisht me të. Për më tepër,ajo me të vërtetë kujdeset për fansat e saj dhe dëshiron t’i njohë ata më shumë. Kjo gjë i jep shumë pikënjë artisti. / KultPlus.com

‘Sa shumë djelmët i paska pasë ky Stalini në këtë dhenë tonë’

Dhuna bahet pushtet

Dhuna tiranike e quajtun “proletare”, e ushtrume ditë e natë gjithkund e papushim, pa dallue fshat, as qytet, e shoqnume me britmat e sloganet papagal dhe torturat çnjerëzore, me rrenat e kaçarrenat e njerëzve servilë o t’paguem: mbas gjithë atyre pushkatimeve të përgjakshme, burgimeve e shpërnguljeve të dhunshme masive, ia dulen me e përkulë popullin e lirë të Shqipnisë dhe kështu dhuna partizane iu duel me u ba Qeveri.

Më 9 Maj 1945 ra Gjermania. Erdhi urdhni për më u ra të gjithë kumbonëve. Për botën duhej t’ishe gëzim i madh. Por nuk kje për ne. Fitues kishte dalë Stalini. Atij i këndohej ndër të gjitha rrugat nga gupet e repareve partizane.

“Bijt e Stalinit jemi ne,
që çlirojmë botën anë e m’anë,
e do t’valojë përmbi dhe
flamuri i kuq, flamuri parizant.”

Mbas darke , sic mblidheshim, tue folë për ngjarjet e ditës njani tha: ndigjoni fjalët e kangës; aman, sa shumë djelmët i paska pasë ky Stalini në këtë dhenë tonë!
– Lene ma,- iu përgjigj nji plak,- se këtu baba Sulltani e kushdo që të na sundojë na e thrrasim babë o xhajë.
– Pse po interesohesh ti? Sikur t’ishin këta të rijt hajde de, por ti… Para njizet vjetësh sigurisht që jo.
– – Un, – tha, – mendoj që Çurçilli nuk se si e duron Stalinin që ka zabtue gjysën e Europës, prandaj së shpejti angalzët e rusët do të jenë në luitë.
– Anglia ka paktin njëzetvjeçar të miqsisë me Bashkimin Sovjetik dhe ajo i mban paktet se e zen lepurin me qerre.
– Nuk ashtu punë paktesh,- tha një tjetër, – por Çurçilli vetë për më shkatërrue Gjermaninë ja u ka shitë Europën me gjithë kolonitë biznesmenëve të Amerikës e gjysen tjetër rusve. Gjatë historisë shofim se shumë ngjarje të mëdha të politikës i cakton vetëm trilli personal i udhëheqsave. Me këtë rasë ky i gëzohet vetëm titullit të naltë: “Strategu politik e luftës së dytë botnore” pamvarësisht se gjysën e Europës e ka hjedhë në skllavni e gjysën tjetër copë e zhel në rrugë të madhe me lypë nji copë bukë prej jankive.
– Ai qe ban, din shka ban,- tha plaku.- Un mendoj që ai bashkë me Ameriken nuk kanë me e lanë gjatë komunizmin në Europë.
– Po ti, Pater Gjon,- pveti nji tjetër,- shka mendon.
– Un ndryshoj,- tha At Gjon Shllaku.- Kjo luftë asht ba për më i sjellë botës nji ekpokë të re, atë të “Kombeve të Bashkueme”. Karta e Kasablankës na çontë nji bashkëpunim i të gjitha kombeve.
– Ajo nuk asht gja tjetër, por nji version i ri i Lidhjes së Kombeve të presidentit Uilson: ajo ma shumë e nxit luftën se e kundërshton.
– Kjo lufta e dytë, – tha At Gjoni, – u ba luftë ideologjike. Në njanen anë demokracitë kapitaliste bashkë me komunizmin dhe me tjetrën fashizmi e nazizmi që fliteshin për nji rend të ri. Kështu ky bashkëpunim ka më i përpunue njerëzit që hem kapitalistat të përqafojnë idetë e socializmit, edhe komunizmit ka me u ba demokratik e dikur e do të jetojnë bashkë.
– Kurgja nuk po na thue Pater Gjon, – tha persëri plaku. Komunizmi e demokracia janë krejt dy shjetana të kundërt dhe nuk mund aviten kurr bashkë. Hori e pasaniku jeton veç me fitue, ndërsa komunizmi asht si ai djali që kur rrin pa punë çohet e rrahë e mbyet fëmijën e vet. Mjerisht ne na ka përfshi ky e na do vuejmë deri të na lshojë. Ky nuk na lshon, por deri të vijë një tjetër me e hjekë qafet…

Ndërkaq ndër të gjitha qytetet administrata erdh tue u forcue pak a shum filloi me i sistemue edhe forcat deri atëherë partizane. Disa i veshi me uniformë policie e disa tjerë me ngjyrë tjetër. Filluen me u dukë bile edhe oficera të veshun me uniforma të bukura, por që nuk dihej se të cfarë ushtrije mund të ishin.
Edhe nëpër zyre filloi me marrë punën në dorë ndonji njeri që ishte me mjaft shkollë, megjithëse pak kush të kryente punë, por të dërgojshin herë te ai o te nji tjetër deri që të shumtën e herës të përcjellshin pa gja. – U shpallën ligjë financiare e monetare me udhnesa drakoniane: Vulosën karmonedhat dhe vunë tatime luftet, superfitimit e fitimit dhe e mblodhën gjithë florinin e ruejtun me shekujndër qypa. Ndër komisjonet e tatimit emnuen edhe shumë tregtarë, për me u dukë se janë të ndershëm, por ata të shkretët as nuk i pveste kush e ma vonë ranë edhe në burg, Së fundmi banë edhe shumë reforma e filluen diskutimet për ligjin elektoral, i cili vazhdoi gjatë. Në këtë kohë u zhvilluen edhe veprimtari të rëndësishme kulturore. Shumë njerëz edhe filluen të mendojnë se këta e kishin mbarë e përnjimend me vullnet të mirë se ishin djelm të mirë që dojshin me i dhanë nji zhvillim të vërtetë gjendjes sociale të popullit shqiptar aq të mbrapambetun. Por shumë prej njerëzve të ditun e kishin kuptue gjendjen. N’at kohë në Kishën Franceskane kishim nji kujdestar. Kishte që ishte shumë i ndershëm e besnik, por edhe jepte shejet e nji te mbete mendore dhe kushdo që e shifte tallej me të me dashuni. Ashtu vepronte edhe At Gjon Shllaku. Sa herë që e shiftë n’oborr të Kuvendit apo në kjoster e merrte mrapa tue qeshë e i thonte “O more Mark sa i lumtun je ti sot! Të gjithë duhet të kishin kokën tande se shka ndodh. Hajde t’i ndrojmë krenat bashkë”! Maarku ikte si fëmija se ndoshta mendonte se koka mund ndrrohen më të vërtetë.

Deri aty kish vojtë puna: më i pas lakmi nji të marri.

(Pjesë e shkëputur nga libri i At Zef Pllumit “Rrno vetëm për më tregue”)/ KultPlus.com

Maqedonia e Veriut zë vendin e pestë në Indeksin Global të Paqes

Tashmë është publikuar Indeksi Global i Paqës për vitin 2021, ku Maqedonia e Veriut, renditet e pesta me radhë ndër vendet që kanë paraqitur përmirësime të mëdha në paqe, transmeton KultPlus.

RMV, u ngrit për 11 vende në GPI (Indeksi Global i Paqes), derisa tani renditet e 40-ta në përgjithësi.

Sipas shkrimit të GPI-së, rritja e paqës në Maqedoninë e Veriut, erdhi kryesisht nga përmirësimet në fushën ‘konfliktit të vazhdueshëm’, ndërsa tash llogaritet që ky përmirësim është në nivelin e tij më të mirë që nga viti 2016-të. /alsat/ KultPlus.com

Mësohen emrat e mundshëm që do të performojnë në Botëror 2022

Këngëtarja e famshme Lady Gaga dhe grupi ABBA mund të performojnë në finalen e Kupës së Botës 2022, që do të mbahet në Katar vitin e ardhshëm, transmeton KultPlus.

Krahas mundësisë për të parë muzikantë të listës A, tifozët e futbollit gjithashtu do të jenë në gjendje të eksplorojnë një port të ri që do të jetë shtëpia e dy anijeve turistike, të cilat do të jenë në gjendje të strehojnë rreth 6,000 tifozë futbolli.

Sipas The Times, Katari dëshiron të përshëndesë tifozët nga e gjithë bota “me stil perëndimor”, shkruan The Sun, transmeton tutje KultPlus.

Dhe kjo përfshin sigurimin e emrave të mëdhenj të muzikës në hapjen solmene si: Lady Gaga, ABBA, Andrea Bocelli dhe Aerosmith.

Të gjitha këta këngëtarë të listës A kanë kontratë me kompaninë gjigante të menaxhimit të artistëve, Universal, të cilët kanë një partneritet me FIFA-n. / KultPlus.com

‘Britney vs Speras’, dokumentari më i ri nga Netflix

Platforma e famshme ”Netflix” ka paralajmëruar një dokumentar, fokusi i të cilit do të jetë mbi jetën e këngëtares së famshme amerikane, Britney Spears, përcjell KultPlus.

Dokumentari mban titullin “Britney vs Spears” kryesisht do të trajtojë bujën e madhe të këngëtares në lidhje me kujdestarinë ligjore nga i ati i saj.

”Netflix” publikoi disa sekonda nga projekti në fjalë i cili është nën regjinë e Erin Lee Carri, ndërkaq traileri i plotë i dokumentarit pritet të publikohet gjatë mbrëmjes së sotme.

Dokumentarit “Britney vs Spears” i është dashtur një vit deri në realizimin final, ndërkaq akoma nuk është bërë e ditur data e premierës së tij. / KultPlus.com

Bebe Rexha: Jepini vetes tuaj një kompliment së paku një herë në ditë, ju e meritoni këtë

Artistja shqiptare me renome botërore, Bebe Rexha, ka zhvilluar së fundmi një bisedë virtuale me autorin e famshëm Jay Shetty në rrjetin social Facebook, transmeton KultPlus.

Rexha dhe Jay diskutuan para mijëra ndjekësve në rrjetet sociale për shëndetin mendor, duke vënë në dukje faktin se si këngëtarja shqiptare gjithmonë ka folur hapur rreth kësaj teme. Ajo madje tregoi se shumica e këngëve të saj janë frymëzuar nga jeta reale dhe konkretisht ballafaqimi me shëndetin mendor.

Nga biseda e zhvilluar me autorin e njohur, Rexha ndau me ndjekësit vazhdimisht mesazhe me qëllim motivimi dhe një prej tyre u ripublikua nga një faqe e fansave të saj në Instagram, të cilën Bebe Rexha e rishpërndau më vonë në InstaStory.

“Jepi vetes të paktën një kompliment në ditë, ti e meriton dreqi e marrtë”, shkruhej në këtë deklaratë të thënë nga artistja shqiptare. / KultPlus.com

Hockney dhe Van Gogh: Si na sjellin gëzim imazhet e natyrës?!

Në Mars te vitit 2020, përderisa ne po mundoheshim të ambientoheshim me pandeminë, David Hockney publikoi një imazh të dafinave të verdha të ndritshme, të quajtur “Mos harroni se ata nuk mund ta anulojnë pranverën”. Kjo e fundit ofroi një shpërthim optimizmi shumë të nevojshëm, duke na kujtuar të gjithëve se natyra, me ciklet e saj të vazhdueshme të rilindjes dhe përtëritjes, ende mund të ofrojë shpresë, shkruan BBC, përcjell KultPlus.

Hockney e ka vlerësuar prej kohësh botën natyrore, si për frymëzimin e saj estetik ashtu edhe për cilësitë terapeutike: “Ne mund të pasurohemi vetëm duke parë natyrën,” ka thënë ai.

Është një pikëpamje që shumë prej nesh kemi arritur ta përjetojmë pasi kemi bërë shëtitje të gjata për të qetësuar mendjet tona. Është vërtetuar se vetëm 20 minuta në natyrë arrijnë që të ulin stresin te ne, kështu edhe vështrimi i një pikture të natyrës ka po të njejtin efekt.
Kështu që nuk është për t’u habitur që vizitorët janë mbledhur në Hockney – Van Gogh: “Gëzimi i Natyrës” në Muzeun e Arteve të Bukura në Hjuston, ndërsa londinezët po presin me padurim The Hockney’s Mbërritja e Pranverës, e cila hapet këtë javë në The Royal Academy.

Ekspozita, një ri-punim i ekspozitës jashtëzakonisht popullore të vitit 2019 në Muzeun Van Gogh në Amsterdam, eksploron dashurinë e dy artistëve për natyrën, si dhe ndikimin e pagabueshëm që ka Van Gogh te Hockney.

Hockney ka thënë: “Unë gjithmonë e kam gjetur botën mjaft të bukur, vetëm duke e parë atë. Dhe kjo është një gjë e rëndësishme që ndaj me Vincent van Gogh: ne të dy me të vërtetë kënaqemi duke shikuar botën”, përcjell tutje KultPlus.

Ndoshta nuk është për t’u habitur që tema e tyre shpesh mbivendoset.
“Ne kemi një pikturë të bukur nga Van Gogh me disa trungje pemësh, por vetëm pjesën e poshtme të dy trungjeve të pemëve në pyll në pranverë dhe është sikur ai është pothuajse i shtrirë në tokë në pyll dhe para tij është ky qilim i mrekullueshëm i lule të egra, “thotë Dumas.

Hockney hulumtoi të njëjtën temë në monumentin e tij Arritja e Pranverës në Woldgate, East Yorkshire, 2011, në të cilën “gjithçka është zmadhuar me të vërtetë, të gjitha lulet e egra janë vërtet të hedhura në erë”, thotë Dumas. / KultPlus.com

Maya Picasso dhuron nëntë vepra të të atit në Muzeun e Parisit

Nëntë punime të tjera, nga Pablo Picasso, i shtohen muzeut që mban emrin e tij, në zemër të Parisit, ku gjendet gjithashtu edhe koleksioni më i rëndësishëm botëror i mjeshtrit, transmeton KultPlus.

Punimet iu dhuruan koleksionit, nga e bija, Maya.

Njëra nga pikturat, bardhezi, nga viti 1938, u paraqit në shtyp në prani të ministres franceze të Kulturës, Roselyne Bachelot dhe atij të Ekonomisë, Bruno Le Maire.

E titulluar “Fëmija me lëpirëse ulur nën karrige”, vepra kubiste përfaqëson me siguri, Majën të vogël, e fshehur nën mobilie, si për të shprehur një parandjenjë ogurzezë, atë të luftës botërore që ishte gati të shpërthente, siç shpjegohet edhe nga nipi i artistit, Olivier Widmaier Picasso.

Koleksioni përfshin gjashtë piktura dhe dy statuja, njëra prej të cilave, “Venus del Gas”, e krijuar nga Picasso në 1945 dhe një tjetër, polineziane, tipike për skulpturat antropomorfike të ishujve Marquesas. të shekullit XIX, që artisti e mbajti me xhelozi në studion e tij, së bashku me një libër skicash.

Më e hershmja nga pikturat e koleksionit është një portret klasik i babait të Picasso-s, “Don Jose Ruiz”, gjithashtu piktor, që daton më 1895.

Më e fundit, një vepër kubiste, “Koka e një njeriu”, realizuar verën e vitit 1971.

Pranë saj është “Studio për një muzikante mandoline”, bardhezi në vaj, një portret i Emilie Marguerite Walter (e quajtur “Mémé”), vjehrra e Picasso-s, një vepër e realizuar në vaj dhe laps, në kanavacë.

Ndërsa, “El Bobo”, vepër në vaj, e frymëzuar nga Nano i Velasquez dhe i vitit 1959, si edhe një album që përfshin disa studime për “Déjeuner sur l’herbe”, e frymëzuar nga vepra e famshme nga Edouard Manet. / KultPlus.com

Komedia e ‘Swiss Connection’ nga Jeton Neziraj, premierë në Zürich

Komedia “Swiss Connection” e dramaturgut Jeton Neziraj do të ketë premierën botërore, këtë të shtune, me 25 shtator, në teatrin Winklewiese në Zurich. Regjia është realizuar nga Manuel Bürgin, kurse luajnë Aurita Agushi, Nina Mariel Kohler, Adrian Morina dhe Christoph Rath.

Në shfaqje, Këmbëshpejti, personazhi i dramës bënë një jetë të dyfishtë në Cyrih. Ai është martuar me zviceranen Sara. Dhe derisa ditën pjekë bukë, natën ndërsa mobilizon bashkëatdhetarët e tij për “çështjen kombëtare”. Ai prandaj përndiqet nga shërbimi sekret jugosllav. Kur Sara, gruaja e tij, i kupton të gjitha këto, situata komplikohet: A do largohet prej tij ajo apo ajo do bëhet madje bashkëluftëtare me të?

Jeton Neziraj, në këtë ‘komedi krimi’, flet për këtë grup idealistësh, të cilët në vitet 90-ta, nga nëntoka e Zvicrës planifikuan çlirimin e Kosovës dhe krijuan aleancë ushtarake me NATO-n. Neziraj zbulon botën misterioze të kësaj lëvizjeje çlirimtare dhe bashkon neutralitetin zviceran me bombat që eksplodojnë, dhurimin e milionave për ‘çështjen’ dhe planifikimin ‘symbyllurazi’ të luftës.

Projekti u krijua në kuadër të bashkëpunimit të financuar nga Pro Helvetia, me titullin artistik “The Albanians, the Hungarians, the Serbs, the Swiss and some other little Details OR: Where is Home?”. Një projekt ky ndërmjet katër teatrove bashkëprodhuese nga Serbia, Kosova dhe Zvicra.

Skenografe dhe kostumografe e shfaqjes është Luisa Beeli, muzikën e ka komponuar Dominik Blumer, kurse dramën në gjermanisht e ka përkthyer Zuzana Finger.

Reprizat tjera deri më 9 tetor 2021.

Rezervimi i biletave

+41 (0)44 261 21 79 www.winkelwiese.ch / KultPlus.com

126 vjetori i lindjes së patriotit dhe atdhetarit, Avni Rrustemi

Veprimtar i lëvizjes demokratike, Hero i Popullit, Avni Rustemi lindi në Libohovë. Në mars 1908 ndërpreu mësimet në Medresenë e Janinës dhe u bashkua me çetën e Çerçiz Topullit. Më pas ndoqi Shkollën Normale të Elbasanit (1909-1910) dhe kolegjin francez të Lozanës (1912-1913), ku themeloi shoqatën patriotike të studentëve shqiptarë “Burimi”.

Në vitin 1914 mori pjesë në trupat vullnetare që luftuan kundër bandave të andartëve grekë. Organizoi më 28.11.1918 demostratën e popullit të Vlorës kundër trupave pushtuese italiane. Kreu kolegjin arbëresh të Shën Adrianit në Shën-Mitër dhe më pas studimet e larta për pedagogji në Universitetin e Romës (1919). Avni Rustemi, më 13 qershor 1920 vrau me atentat në Paris E. Toptanin.

Në fund të vitit 1920 u kthye në Shqipëri dhe filloi menjëherë ngritjen e organizatave profesionale të arsimtarëve; bashkoi të gjitha shoqëritë demokratike të vendit në federatën “Atdheu” (1921). Më pas themeloi shoqërinë “Bashkimi”. Avni Rustemi vdiq pas një atentati që iu bë në Tiranë më 22 prill 1924. Në varrimin e tij në Vlorë me një pjesëmarrje të madhe të popullit u mbajtën fjalime të zjarrta nga përfaqësuesit e forcave demokratike. Kjo ngjarje afroi shpërthimin e Lëvizjes së Qershorit (1924). / KultPlus.com

Vitia paralajmëron masat e reja: Mund të hyni në lokale, vetëm me certifikatë të vaksinimit

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia gjatë raportimit në Komisionin për Shëndetësi, ka bërë të ditur që janë duke punuar në masat e reja që pritet të hyjnë në fuqi nga 27 shtatori.

Vitia ka paralajmëruar masa të reja edhe në sektorin e gastronomisë, transmeton KultPlus.

“Sa i përket gastronomisë, është evidente që tash në kohën e ftoftë dëmtimet janë më të mëdha dhe me miratimin edhe të tyre, që me masat që jemi duke punuar, që të aplikohet nga 27 shtatori masa kufizuese e personave që hyjnë në këto lokale, vetëm me certifikatë të vaksinimit ose me test serologjik dhe me test PCR dhe tani një masë e tillë nuk është penguese as për sektorin e gastronomisë”, tha ai.

Ai po ashtu theksoi se po punojnë që fillojë vaksinimi edhe për moshat më të reja. / KultPlus.com

Sot shënohet Dita Botërore e lëvizjes pa makina

Që prej vitit 1988 në Paris ka filluar të festohet 22 Shtatori si Dita Ndërkombëtare Pa Makina dhe brenda katër viteve arriti të bëhet Dita Botërore e Lëvizjes pa makina në të gjithë botën.

22 Shtatori është një ditë mjaft e rëndësishme për mjedisin jetësor, pasi respektimi i kësaj dite ndikon drejtpërdrejtë në uljen e ndotjes së ajrit.
Sot, me mbi një miliardë automjete të cilat qarkullojnë në mbarë globin, na jep bindjen se nuk mund t’i shpëtojmë zhurmës dhe ndotjes që shkaktohet prej tyre. Në këtë menyrë për të shmangur përdorimin e makinave, të përdorim 22 Shtatorin për të ecur në këmbë, apo edhe të përdorim biçikletat, përcjell KultPlus.

Dita Botërore pa makina ka për synim sensibilizimin e njerëzve që të paktën për një ditë të vitit të i largohen makinave të tyre, të cilat lirojnë lëndë të dëmshme për organizmin tonë.

Në periudhën prej 16-22 Shtator, me ndihmën e Bashkimit Evropian, organizohet e ashtuquajtura “Java Evropiane e Qarkullimit”.
Qëllimi i nismës evropiane bëhet për ndërgjegjësimin për ndërmarrjen e politikave të suksesshme urbane për të mundësuar rritjen e vëllimit të transportit me mjete miqësore me mjedisin. Në këtë kuadër, në kryeqytet dhe në qytetet e Evropës shmagnen lëvizjet me makina, ku disa nga qytetarët preferojnë të ecin e ca të tjëre përdorin biçikletat e tyre. / KulPlus.com

Elhaida Dani publikon albumin e ri ‘Zanin’ (VIDEO)

Këngëtarja e njohur shqiptare, Elhaida Dani ka publikuar albumin e saj më të ri muzikor, përcjell KultPlus.

Albumi mban titullin ”Zanin” dhe përfshin gjithsej pesë këngë. Ndërkaq secila këngë është publikuar edhe me videoklip. Këngët e albumit “Zanin” përfshijnë: “Jam Betu”, “Amore”, “Kënga Jonë”, “Hajmali” dhe kënga me të njëjtin titull si albumi.

Për këtë album kanë punuar tre kompozitorët e njohur shqiptarë: Elgit Doda, Kledi Bahiti dhe Alban Kondi.

Këngëtarja shqiptare e cila njihet si fituese e “The Voice of Italy” në vitin 2013 dhe reprezentuese e Shqipërisë në “Eurovision” në vitin 2015, e ka ndarë me gëzim në rrjetet sociale me fansat albumin e saj të ri.

Ajo shkroi “E gëzofshi” në mbishkrimin e një prej videove, që shfaqte pjesë nga kënga e parë e albumit, me titull “Zanin”. / KultPlus.com

Përkujtohet në 68-vjetorin e vdekjes juristi, letrari e politikani Mirash Ivanaj

Si sot më 22 shtator 1953, ndërroi jetë juristi, letrari e politikani Mirash Ivanaj.Ivanaj u lind në Podgoricë.

Studimet i kreu në Itali nga ku kthehet në Shqipëri me dy doktorata të kryera, një në fushën e jurisprudencës dhe tjetrën në fushën e letërsisë.Kur kthehet në Shqipëri përfshihet në fushën arsimore dhe të publicistikës. Rreth vitit 1932 ai bëhet pjesë e politikës dhe jetës parlamentare, ku kryesisht merret me çështjet e arsimit.

Projektligji i 11 prillit 1933 do të quhej si reforma “Ivanaj” dhe do të sulmohej jo vetëm në shtypin e kohës por edhe në arenën ndërkombëtare ku do të bëhej subjekt gjykimi i gjykatës ndërkombëtare të Hagës, pasi reforma solli mbylljen e të gjitha shkollave fetare në vend.

Pushtimi italian do të sillte largimin e tij nga Shqipëria drejt Lindjes së Mesme dhe rikthimin e tij në 1945 pas garancisë së qeverisë së re se karshi tij nuk ka proces gjyqësor të hapur. Emri i tij si pjesë e listës intelektuale do të përfshihej shumë shpejt në listat e sigurimit të kohës nga ku “Profesori” do të arrestohej më 15 maj 1947.

Ai u akuzua si mbështetës i regjimit të shkuar si edhe bashkëpuntor i anglo-amerikanëve. U dënua me 7 vjet heqje lirie dhe në prag të përfundimit të dënimit ai humbi jetën në burg.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në Shqipëri përkujtoi Mirash Ivanaj duke publikuar disa fotografi dhe dokumente të tij si kërkesa drejtuar Masonerisë italiane ku ndër të tjera ankohet për shkollat në veri që kanë rënë në dorë të Klerit, dorëheqja e Ivanaj si ministër Arsimi drejtuar kryeministrit, pas 30 gushtit të vitit 1935. / KultPlus.com