Dogana e Kosovës sekuestron veshmbathje të falsifikuara

Dogana e Kosovës ka njoftuar se ka sekuestruar mallra të falsifikuara të markave të njohura, përcjell KultPlus.

Sipas Doganës, sasia e mallrave të asgjësuara është rreth 2 mijë copë.

“Nën mbikëqyrje doganore dhe nën përgjegjësin e bartësit të së drejtës janë asgjësuar mallrat ‘tekstil dhe atlete’ të markave të njohura: Zara, Adidas, Nike, Hugo Boss, Lacoste, Chanel, Puma, Prada, Gucci, Gant, Polo Ralph Lauren dhe Tommy Hilfiger, mallra këto të konfirmuara nga bartësi i së drejtës se janë të falsifikuara. Sasia e mallrave të asgjësuar është 1,970 copë”, thuhet në njoftim. / KultPlus.com

Madonna: 40 vjet më parë, unë erdha në New York me vetëm 35 dollarë dhe një palë këpucë vallëzimi

Madonna bëri një paraqitje surprizë në MTV Video Music Awards 2021

Pas një pamje të Madonës që mbërriti në New York City me një taksi të verdhë, ylli legjendar i popit doli në skenë për të përkujtuar 40 vjetorin e MTV, transmeton KultPlus.

“Rreth 40 vjet më parë, unë erdha në New York City me asgjë tjetër përveç 35 dollarë dhe një palë këpucë vallëzimi. I thashë taksistit të më çonte në qendër të gjithçkaje. Ai më la në Times Square. Isha 19 vjeç dhe u tmerrova, por ishte vetëm hapi i parë. E dija që një ditë, me shumë punë të palodhur, do të njihesha jo vetëm në New York City, por në të gjithë botën. Dyzet vjet më parë, një luftëtar tjetër mbërriti në New York City, me shpresën për të krijuar diçka revolucionare: një kanal i dedikuar i gjithi muzikës u shfaq premierë në mes të natës dhe e quajti veten MTV. Ne gjetëm njëri -tjetrin dhe krijuam një lidhje që ndryshoi jetën time, ndryshoi muzikën dhe krijoi një formë krejt të re arti. Kjo është arsyeja pse ka vetëm një vend për të qenë sonte ”, theksoi Madonna para të pranishmëve, transmeton tutje KultPlus.

Duke hyrë në vitin e 40-të të karrierës së saj muzikore, Madonna dhe VMA kanë një trashëgimi të gjatë, duke përfshirë performancën e saj legjendare të “Like a Virgin” në 1984, performancën e saj ikonike të “Vogue” në 1990.

Madonna ka grumbulluar 20 trofe “Moon Person” në VMA gjatë karrierës së saj të dekoruar, duke filluar në vitin 1986 kur mori Çmimin “Video Vanguard”. Madonna gjithashtu fitoi çmimin “Viewer’s Choice” në 1989 për “Like a Prayer” dhe, një dekadë më vonë, çmimin e lakmuar Video të Vitit për këngën e saj 1999 “Ray of Light”.

Në ditëlindjen e saj të 63 -të më 16 gusht, Madonna njoftoi se po kthehej në “Warner Music Group” me planet për të rilançuar të gjithë katalogun e saj; Madonna “do të merret personalisht me albumet e saj historike”, tha WMG duke shtuar se këngëtarja gjithashtu “do të prezantojë publikime unike për ngjarje speciale, dhe shumë më tepër”. / KultPlus.com

Lajm i mirë për Kosovën, Festivali i Filmave Malorë ‘BANFF’ sërish në Prishtinë

BANFF Kosovo, festivali i filmit për sportet malore dhe aventurën në natyrë, vjen në Cineplexx Prishtina nga BANFF Centre Mountain Film Festival në Kanada me një përzgjedhje filmash që kanë për qëllim të promovojnë sportet malore, aventurën në natyrë, çiklizmin, çështjet mjedisore, fuqizimin e gruas në sportet malore si dhe sfidat njerëzore në ekspedita të rralla natyrore.

Në edicionin e dytë në Prishtinë, BANFF Kosovo shfaqë një program prej 16 filmash të shkurtër të ndarë në RED dhe BLUE Programme, që do të shfaqen përgjatë dy ditëve, me 5 dhe 6 Tetor në kinematë Cineplexx Prishtina.

“Si pjesë e këtij edicioni të BANFF Kosovo, sjellim udhëtime nga vende të largëta, sfida njerëzore në ekspedita të rralla, tregime të sporteve ekstreme, adrenalinë dhe pafund energji, në një eksperiencë të jashtëzakonshme kinematografike. Kjo përzgjedhje filmash për shfaqje në Prishtinë, ka për qëllim inspirimin dhe motivimin tonë për ta dashur dhe respektuar natyrën si dhe njëri-tjetrin, me shpresë që sfida që po e kalojmë tani me COVID-19 të jetë e fundit, kurse rikthimi ynë në normalitet të paraqesë mundësi fantastike për aventura të përbashkëta” – është shprehur Drejtori i BANFF Kosovo, Besnik Shala.

RED Programme që shfaqet me 5 Tetor, hapë edicionin e sivjemë të BANFF me filmin ‘Mother Earth’ që trajton çështjet mjedisore, për të vazhduar me filmin ‘Pretty Strong: Fernanda’ një film për ngjitësen e maleve Fernandën përmes të cilës promovohet fuqizimi i gruas në këtë sport. Filmat tjerë sjellin shpirtin e aventurës, skijimit, ciklizmit dhe paraglajding.

Me 8 Tetor në BLUE Programme shfaqen një përgjedhje tjetër prej 8 filmash, mes tyre filmi ‘Running the Toog’ nje portret për një grup vrapuesesh britanike në Taxhikistan, si dhe nje mori filmash tjerë që fokusohen në përpjeket njerëzore për të arritje në fusha të ndryshme të sporteve ekstreme, anë e kënd botës.

Të 16 filmat që do të shfaqen në Cineplexx në Prishtinë janë produksione të vendeve të ndryshme të botës, duke përfshirë Kanadanë, Gjermaninë, Amerikën, si dhe vende tjera nga mbarë bota.

BANFF Mountain Film Festival organizohet në BANFF (Alberta) të Kanadasë çdo vit që nga viti 1976. Prishtina është për herë të dytë nikoqire e këtij festivali. Kjo ngjarje kulturore, e artit, sportit dhe aventurës, organizohet nga Banff Mountain Film Festival Kosovo dhe mundësohet nga Komuna e Prishtinës, Ambasada Kanadeze në Kroaci, RED BULL dhe CINEPLEXX në Prishtinë. Datat e prezentuara të festivalit mund të ndërrojnë në rast të mos-relaksimit të masave si pasojë e COVID-19.

(Shkrim i sponsorisuar nga Cineplexx) / KultPlus.com

Dy vite pa dramaturgun rom, Nexhip Menekshe

Sot u bënë dy vite nga vdekja e dramaturgut dhe aktorit të komunitetit rom, Nexhip Menekshe.

Ai la pas vetes një trashëgimi të pasur artistike. Menekshe ishte autor i dymbëdhjetë dramave dhe regjisor i 20 performancave. Tërë jetën ia kushtoi artit. Përmbajtja dhe tema e dramave të tij ishin instrumente për përshkrimin e jetesës së romëve, traditat dhe kultura e tyre. Të gjitha dramat ishin të bazuara në aktualitet prandaj konsiderohen një mënyrë për vetëdijesimin dhe ndërgjegjësimin e publikut.

Angazhimi i tij dhe i gjeneratës që i takonte ka kontribuar në zhvillimin e një korpusi të jashtëzakonshëm të vajzave dhe djemve romë, të shkolluar dhe të angazhuar që të luftojnë për të mirën publike.

Viteve të fundit ishte edhe njëri ndër iniciatorët dhe kontribut dhënësit që gjuha rome të jetë gjuhë zyrtare në Komunën e Prizrenit, gjë e cila është në proces dhe pritet të jetësohet së shpejti. / KultPlus.com

Seriali ‘Rrushe’ me copëza të dhimbjes nga e kaluara, regjisori Lucaj flet për sezonin e dytë

Xhemile Hysenaj

Ashtu siç nuk jemi mësuar të shohim më parë, nën ombrellën e dramës dhe krimit tash e sa kohë ”Rrushe” ka shpalosur një histori të papriturash që publikut kosovar i dhuruan emocione të shumta. Me një kastë të mrekullueshme aktorësh, loja e të cilëve zuri vend shumë shpejt tek adhuruesit e këtij zhanri duke i marrë këta të fundit pas vetes në secilën episodë, drejt një rrugëtimi të mahnitshëm kinematografik, shkruan KultPlus.

Rrushe është serial i zhanrit dramë, krim, me familjen Pirulli si protagonistë kryesor. Familja Pirulli janë një familje e zakonshme nga Prishtina, apo të paktën kështu duken në sytë e të tjerëve. Vesa, e bija e familjes, punon si një gazetare hulumtuese. Por, një e kaluar e errët, e mistershme dhe brutale, që fillin e kishte në bujari e në mirësi, rikthehet që t’ua ndryshojë jetën atyre që më së paku e meritojnë. E në udhëkryq të kësaj ngjarjeje gjendet Vesa, për të cilën koncepti i drejtësisë dhe i dashurisë do të ndryshojë përgjithmonë.

Në një intervistë për KultPlus, Valter Lucaj, regjisori i këtij seriali tejet të dashur për publikun, tash kur seriali veçse i është afruar përfundimit të sezonit të parë, ka treguar më detajisht për rrugëtimin e ”Rrushe-s”, si dhe për komplet realizimin e këtij sezoni, njëherit edhe sezoni i parë i serialit ”Rrushe”.

Lucaj ka treguar për KultPlus se që nga fillimi i projektit të serialit ”Rrushe” ai dhe ekipi realizues kanë punuar me besim, dashuri dhe përkushtim të madh për këtë projekt të cilin regjisori e konsideron mjaft sfidues. Ai po ashtu ka theksuar se ka kohë që në Kosova është dëshmuar në aspektin kinematografik, për të cilin pohon të jetë një nivel shumë i lartë si në rajon edhe më gjerë, meritë kjo që sipas regjisorit sigurisht se i përket aktorëve dhe regjisorëve kosovarë.

”Shikuesit tanë tani më janë mësuar të shohin krijimtari të shumta cilësore nga trendi botëror, sidomos serialet filmike. Fatkeqësisht, në Kosovë pak i kemi nënvlerësuar shikuesit deri më tani, duke ju servuar gjëra të shpejta dhe jo aq cilësore. Këtë normalisht që e ka diktuar edhe tregu vendor sepse për të krijuar një serial të mirëfillt artistik duhen fonde dhe duke qenë të vetëdijshëm që mënyra e vetme për përkrahjen e projekteve të tilla është nëpërmjet sponsorëve pasi që deri më tani qendra e filmit, televizioni publik dhe disa televizione nacionale nuk e kanë pasur në agjendë që të kenë projekte cilësore të punuara në shqip për publikun kosovar. Ne si Gjirafë jemi munduar që t’i tregojmë publikut tonë që edhe ne mund të prodhojmë seriale të tilla. Prandaj edhe për këtë arsye ndihem shumë i lumtur që këtë avancim e ka bërë Gjirafa dhe se pritshmëritë e mija sa i përket shikueshmërisë duke e ditur se me sa përkushtim dhe energji kemi punuar për këtë projekt, natyrisht që i kam pritur”, ka theksuar regjisori Lucaj për KultPlus.

Për idenë e fillimit të këtij seriali, Lucaj ka treguar se u ka ardhur në shkurt të vitit 2020, pastaj pas takimeve me skenaristin Jeton Kulinxha, me të cilin regjisori ka bashkëpunuar edhe më parë, janë dakorduar të fillojnë punën edhe për këtë projekt. Piloti i serialit i është xhiruar në nëntor të vitit të kaluar, për të cilin regjisori ka treguar se kanë hasur nëpër shumë vështirësi duke pasur parasysh masat anticovid dhe situatën pandemike në tërësi. ”Ishte dashuria dhe përkushtimi që ne kishim ndaj projektit ”Rrushe” që erdhi deri te realizimi i pilotit, i cili na ka ndihmuar sa i përket aspektit të shitjes dhe marrëveshjeve me bashkëpunëtorë të tjerë. Në janar te vitit 2021 kemi vazhduar xhirimet e epizodeve të tjera dhe nuk jemi ndalur deri më tani. Pa pikë dyshimi e them që ”Rrushe” nuk do të ishte kjo që është pa stafin realizues me të cilët kam pasur rast të punoj një kohë të gjatë, pa kastën e aktorëve por edhe pa dashurinë e madhe për punën dhe artin”, shprehet tutje regjisori për KultPlus.

Pavarësisht se Kosova numëron shumë aktorë të talentuar dhe profesionistë, për regjisorin përzgjedhja e kastës nuk ka qenë aspak e lehtë. Ai ka treguar për KultPlus se duke pasur parasysh që në serial ndërthuren shumë lidhje familjare në mes të personazheve, ka bërë që të krijohen edhe vështirësi në përzgjedhjen e tyre. Ndërkaq, regjisori nuk harron të pohojë se për sa i përket aktorëve të këtij serialit ai ndjehet i lumtur dhe i nderuar që i është dhënë mundësia të punojë me këta artistë, që sipas tij, janë aktorët më të mëdhenj të kinematografisë sonë, e në anën tjetër edhe për artistët e rinj të cilët janë paraqitur në këtë serial.

”Seriali si zanafillë lidhet me vuajtjet e popullit tonë në vitet e 90-ta dhe kjo reflekton te pasardhësit, por mendoj që tema e ”Rrushe-s” është universale, që në mënyra të ndryshme prekë çdo gjeneratë. Kemi pasë shumë komente të ndryshme, njëri prej komenteve që më ka lënë përshtypje ka qenë prej një djaloshi të ri, i lindur dhe i rritur jashtë Kosovës, komenti i tij ka qenë që familjarët i kanë folur shumë për Kosovën dhe për atë se çfarë ka ndodhur por ai nuk e ka kuptuar mirë këtë. Pasi që ka pa serialin ”Rrushe” tanimë e ka më të qartë se për çfarë flisnin më saktësisht rrëfimet dhe përjetimet e familjarëve të tij. Thënë shkurt, unë mendoj që ”Rrushe” është një temë universale që përçon te shikuesi emocione dhe ndjenja me të cilat pothuajse të gjithë ballafaqohen në jetë të përditshme, tema këto si dashuria, familja, atdhedashuria, tradhetia e sidomos rolin e gruas në shoqërinë tonë”, deklaron Lucaj për KultPlus

Seriali ndahet në dy periudha kohore që parë nga vështrimi historik i Kosovës, kanë qenë tejet të rëndësishme dhe një temë kaq e ndjeshme për publikun tonë, sigurisht se ka vështirësitë e veta drejt realizimit. Mirëpo, për këtë gjë, regjisori falenderon skenaristin, për të cilin thekson se ka ardhur me një storie që i ka lënë gojëhapur. ”Prej që kemi filluar përgatitjet për ”Rrushe-n”, Jetoni ka ardhur me një storie që na ka lënë gojëhapur. Skenari është shkruar dhe analizuar në çdo detaj, dukë i përcjellur personazhet, raportet mes tyre, mangësitë që munden me u shfaqë rrugës dhe njëkohësisht kemi marrë edhe feedback nga shikuesit. Përpos Jetonit, bashkësekenarsit ka qenë edhe Patrik Lekaj i cili po ashtu ka dhënë një kontribut të madh”, thekson tutje regjisori për KultPlus.

Ndërkaq, sa i pëërket sezonit të dytë të serialit ”Rrushe”, nuk ka akoma ndonjë plan konkret se kur apo se çfarë do të trajtojë, mirëpo regjisori Lucaj ka treguar për KultPlus se pas përfundimit të sezonit të parë do të ulen dhe analizojnë e pastaj edhe të vendosin për rrugëtimin e këtij seriali, për të cilin pohon se kanë opsione të shumta para vetes por akoma asgjë definitive.

Ndërkaq, sa i përket mesazhit që ky serial tenton të përçojë tek shikuesit, Lucaj ka thënë: Rrushe është nje storie universale dhe siç e kemi menduar dhe parë nga komentet e shumta që kemi nga shikuesit, çdo person pavarësisht moshës, nivelit arsimor apo edhe vendit se ku jeton do të gjejë copëza nga perditshmeria, dhimbje nga e kaluara si dhe lidhshmëri me personazhet kryesore.

Ky serial përfshin aktorët si: Doresa Rexha, Shkumbin Istrefi, Aurita Agushi, Andi Bajgora, Lum Veseli, Ema Koxha, Xhevat Qorraj, Armend Smajli, Eshref Durmishi, Qëndresa Jashari, Bislim Muçaj, Arta Muçaj, Agron Shala, Labinot Raci, Enver Petrovci, Ernest Malazogu, Adriana Matoshi, Çun Lajçi, Ermal Sadiku, Adrian Morina, Basri Lushtaku, Semira Latifi, Afrim Muçaj, Bujar Ahmeti, Allmir Suhodolli, Adelina Halitjaha, Eden Kastrati, Lurni Krasniqi, Donikë Ahmeti, Berat Pllana, Xhelal Haliti, Artiola Hamdia, Erta Leci, Vjosa Abazi, Shkëlqim Islami, Nexhat Xhokli, Mikel Markaj, Kastriot Saqipi, Gojrat Kqiku dhe Dashuri Rexhepi.

Prodhimi nga Gjirafa Studios ka sjellur këtë serial me regji nga Valter Lucaj, me skenar nga Jeton Kulinxha dhe Patrik Lekaj, producente Doresa Rexha, menaxhere e produksionit Adele Gjoka, skenografia nga Enes Sahiti, drejtor i fotografisë Burim Tufa, inxhiner i zërit Gëzim Berisha, muzika nga Samer Agolli, kostumografia nga Bahtije Krasniqi, montazhi dhe ngjyrat nga Kreshnik Shala. / KultPlus.com

Organizohet trajnimi ‘Konservimi i mozaikut romak’ në Parkun Arkeologjik ‘Ulpiana’

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në bashkë organizim me Këshillin për Trashëgimi Kulturore të Kosovës dhe Institutin Arkeologjik të Kosovës, në partneritet me European Heritage Volunteers, nga 12-15 shtator 2021 organizojnë trajnimin “Konservimi i mozaikut romak në Parkun Arkeologjik Ulpiana – Kosovë”.

Qëllimi i këtij projekti është trajnimi i vullnetarëve nga vende të ndryshme të botës në fushën e trashëgimisë kulturore. Përveç punës praktike do të realizohen edhe ligjërata të hapura e prezantime rreth temave, eksperiencave të ndryshme në arkeologji dhe konservim.

Trajnimi do të fokusohet në konservimin parandalues dhe restaurimin e mozaikëve nga periudha romake pasi që drejtohet nga restaurues – konservatorë të specializuar në mozaikë. Ky projekt paraqet një mundësi të mirë që studentët e përzgjedhur të marrin njohuri teorike dhe praktikë profesionale rreth metodave të konservimit, restaurimit etj.

Instruktor është Tome Filov, konservues i mozaikut në Institutin Nacional të STOBIT, në Maqedoninë Veriore.

Pjesëmarrës janë studentë dhe profesionistë nga këto shtete: Franca, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Gjermania, Kosova, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Serbia, Kili, Kanada, Greqia, dhe Spanja.

Për më shume detaje rreth projektit mund të gjeni në linkun e mëposhtëm. / KultPlus.com
https://www.heritagevolunteers.eu/…/ConservationOfRoman…

Dina e Mel te ‘UraCult’ në Köln, promovojnë muzikën arbëreshe

Shkruan: Ali Salihu- URACult

Derisa për trashëgiminë kulturore të Arbëreshëve të Italisë dhe aktiviteteve të tyre lexojmë rregullisht në mediat tona, për Arbëreshët e Kroacisë dijmë shumë pak. Edhepse në numër më të vogël se bashkëkombasit në Itali, edhe Arbëreshët e Zarës kanë një traditë të begatshme kulturore. Të shpërngulur nga rrethina e Liqenit të Shkodrës në fillim të shekullit të 18-të, ata lanë gjurmë të pashlyeshme në Kroaci, kryesisht në Zarë dhe rrethinë, duke i dhënë Kroacisë personalitete të rëndësishme në sfera të ndryshme të jetës. Familja Deshpali nga Zara njihet sot si vatër e muzicientëve në Kroaci.

Një projekt interesant i realizuar nga Dina Busic dhe Melita Ivkovic me emrin “Bërbili”, ka kthyer sadopak kurreshtjen te lagjja Arbanasi e Zarës ku e ka burimin ky projekt. Dina Busic, një pasardhëse e Arbëreshëve, si studente kishte një detyrë të bëj një hulumtim të muzikës së vjetër. Një bisedë me gjyshen e saj arbëreshe e bëri të kuptoj se muzika e vjetër arbëreshe është një thesar i vlefshëm muzikor. Repertoari i këngëve të vjetra të kënduara nga gjyshja e saj, e shtynë atë të studioj më thellë musikën e paraardhësve të saj. Kurreshtja por edhe këmbëngulja ishin të mëdha dhe së bashku me kolegen, muzicienten Melita Ivkovic, por edhe me kolegë tjerë si dhe disa gjuhëtarë e historianë, u zhytën në botën e muzikës dhe gjuhës arbëreshe për të kurorëzuar punën e tyre me një përmbledhje këngësh, të cilat këndoheshin nga disa gjenerata. Këto këngë u incizuan në kishën Marijina, një kishë me akustikë të shkëlqyshme që gjindet në ishullin kroat Zlarina. Rezultati i kësaj pune të gjatë është një album muzikor të cilin kritika muzikore kroate e vlerësoi si një „muzikë unike e origjinale mediterano-orientale“. Ky album shihet njëherit edhe si një kontribut për ruajtjen e gjuhës arbëreshe, që sipas UNESCO-s është një ndër gjuhët më të rrezikuara në botë.

Në fund të Korrikut disa nga këto këngë u prezentuan në ZA Fest, në një atmoferë të mrekullueshme në Kalanë e Rozafës, para 2000 mysafirëve. Një prezentim i projektit në Prishtinë i planifikuar për muajin Gusht, është shtyrë për një termin tjetër por rrugëtimi i këngëve arbëreshe në këtë muaj vazhdon për në Gjermani. Shoqata URACult nga Kölni e cila qe gati shtatë vite është aktive si urë kulturore ndërmjet vendeve të Evropës Juglindore dhe Gjermanisë, do të sjell në Köln duon „Dina e Mel“.

“Ishim në kontakt me zonjën Dina Busic qe një kohë të gjatë dhe gjatë qëndrimit në Zarë në muajin Korrik, ishim të ftuar nga zoja Busic në hapjen solemne të edicionit të 63. të Mbrëmjeve të muzikës së Zarës, festival ky i nisur nga familja e muzicientëve arbëreshë Deshpali” rrëfen kryetari i shoqatës URACult Ali Salihu i impresionuar nga atmosfera e kësaj mbrëmjeje. Aty edhe u konkretizua bashkëpunimi dhe javën që vjen (me datën 16. Shtator) “Dina e Mel” do të prezentojnë projektin e tyre para publikut gjerman në qytetin e Köln-it. Para koncertit do të organizohet një panel diskutimi me dy artistet nga Zara si dhe me ekspertë e etnomuzikologë që do të mbështetet nga organizata Südosteuropa Gesellschaft.

„Jemi të lumtur që për herë të parë të kemi artistë nga Kroacia në skenën tonë të cilët do të na prezentojnë një pjesë të vlefshmë të trashëgimisë kulturore të këtij regjioni“ vazhdon Salihu për të shtuar se „falë bashkëpunimit të shkëlqyeshëm me shoqata tjera kulturore në Köln, ne i kemi mundësuar zonjës Busic prezentimin e projektit edhe në festivalin Migrant Mucis Manifesto poashtu në Köln, ku marrin pjesë etnomuzikologë e ekspertë të njohur nga gjithë bota“.

Në qytetin e Kölnit i cili njihet për diverzitetin e madh kulturor, në të njëjtën mbrëmje, së bashku me „Dinae Mel“ do të paraqitet edhe grupi „Compas a tres“ si bashkëpunim i URACult-it me organizatën Byeond The Roots. / KultPlus.com

Arbëreshët e New Orleans-it të Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Sikurse kishte ndodhur edhe në valët e mëparshme të emigrimit edhe Arbëreshët e New Orleansit në SHBA nuk ikën nga Sicilia në mënyrë të organizuar. Fillimisht ikën më të guximshmit, të cilëve më vonë iu bashkëngjitën edhe familjarët, duke zvogëluar kështu banorët e fshatit “Kontessa Entellina” dhe duke rritur numrin në “Kontessa Entellina” tashmë në anën tjetër të oqeanit. Kështu New Orleansi u shndërrua në “shtëpinë” e dytë të arbëreshëve dhe komuniteti me përqendrimin më të madh të Arbreshëve në Amerikë.

Madje në vitin 1886, një grup arbëreshësh do të formonin shoqatën “Societa Italiana de Beneficenza Contessa Entellina”- një organizatë me qëllim ndihmën reciproke vëllazërore. Në vitin 1920 ishin diku mbi 20 mijë Arbëreshë në New Orleans, më shumë se ata që mbeten në Sicili.

Në shtypin amerikan të kohës shkruhej se “Contessa Entellina” një orë largë Palermos është fshat tipik në të gjitha pikëpamjet, i banuar 500 vjet më parë nga të ikurit prej turqëve Otoman. Vetvetën e quajnë “Arbëreshë”dhe flasin shqip, transmeton KultPlus.

“Në vendlindje e përshkruajnë veten si Arbëreshë, dhe nuk një arbëresh do të përgjigjej kurrë: “Io Sono Italiano”( Unë jam Italian)- por ““U nam Geg” ( un jam Gegë )- thot Joseph Schiro, kryetari i shoqatës dhe stërnipi i priftit arbëresh i ardhur në moshën 16 vjeçare në New Orleans , i cili flet rrjedhshëm në arbërisht.

Historiani i shoqatës Contessa Entellina, Justin Lance Schiro, tregon se pas zhbërjes së sistemit të skllavërisë që solli lirinë për skllevërit, pronarët e plantacioneve kishin mbetur pa krah pune. Ata u paguanin rrugën me anije fermerëve të Siçilisë me një traditë të gjatë në bujqësi. Prurje të tilla krijuan një traditë të fortë tregtaresh e zejtarësh siçilianë në Nju Orlins, shumë prej të cilëve me origjinë arbëreshe.

Gjyshërit nga babai janë të dy nga (fshati) Contessa. Ata u vendosën këtu në vitet 1800,” tregon Tony Foto. Ai shpjegon se gjyshërit nga babai dallonin nga prindërit e nënës së tij që ishin italianë, por jo arbëreshë:

“Gjyshërit nga babai flisnin anglisht dhe arbëresh. Nuk flisnin italisht. Gjyshërit e tjerë që kishin ardhur gjithashtu nga Italia nuk kuptonin asnjë fjalë që ata thonin në gjuhën e arbëreshëve”.

Nevoja i solli arbëreshët në Nju Orlins. Fati i vendosi në një qytet që kishte pritur e asimiliar komunitete të pafundme etnike. Profesori i historisë Lawrence Powell tregon se në Nju Orlins, vetë nga diktati i gjeografisë së qytetit, krijoi një kulturë tolerancë e shkrirjeje kulturore unike:

“Deri kur thanë kënetat në fillim të shekullit të 20-të, të gjithë banorët jetonin në një distancë rreth 3km nga brigjet e lumit Misisipi, pra nuk kishte hapësirë për të krijuar geto apo lagje etnike. Të gjithë jetonin bashkë. Njerëzit shkëmbenin receta nga gardhi i oborrit, kalonin kohën përjashta pasi nuk kishte kondicioner. Në Nju Orlins, njerëzit jo vetëm mësuan të mbijetojnë, por të krijojnë një kulturë për të shijuar jetën. Në një qytet ku jetonin në buzë të katastrofës, kur Misisipi mund të dilte në çdo moment nga shtrati e t’i përpinte, ata mësuan të gëzojnë të tashmen”.

Gjykatësi në pension, Salvador Mulé, e konsideron veten amerikan i brezit të parë: gjyshërit e tij i lindën fëmijët në Contessa Entellina, para se të vendoseshin përfundimisht në Nju Orlins. Ai kujton se si në fëmijëri dëgjonte gjuhën arbëreshe:

“Kur vizitonim gjyshërit, prindërit flisnin me ta në gjuhën arbëreshe që të mos i kuptonim ne fëmijët. Por ne nuk na e mësuan kurrë gjuhën e tyre”.

Gjenerata më e vjetër përpiqet të tërheqë brezat e rinj në këtë traditë. Aktivistja Joyce Schiro ndihmon me kërkime gjenealogjike për të zbuluar rrënjët e prejardhjen e pjesëtarëve të shoqatës.

Presidenti Gasper Schiro, jurist në pension, beson se këto aktivitete ofrojnë më shumë se thjesht një mundësi për t’u mbledhur e për të kujtuar të afërmit që janë ndarë nga jeta.

Për disa, identiteti arbëresh ka mbetur thjesht një jehonë nga e kaluara e brezave. Për të tjerë, si Lisa Gourgues, është një mundësi për të kuptuar veten dhe për të zbuluar degët e largëta të familjes:

Lisa Gourgues, Nju Orlins

“Kur isha e vogël mendoja se isha italiane; mësova se isha siçiliane, pastaj më treguan se gjyshi ishte arbëresh/shqiptar”.

Gjyshi i Lisës nuk ishte nga fshati Contessa Entellina por nga Santa Christina Gela. Por meqë Contessa Entellina feston trashëgiminë arbëreshe në Nju Orlins, ajo gjen arsye të përfshihet në ceremony.

Lisa tregon se kishte gjithmonë kuriozitet për gjyshin që kishte vdekur para ajo të lindte.

“Nëna gjithmonë më tregonte se ai dukej ndryshe nga siçilianët, pasi ishte bardhosh me flokë e sy të errët”.

Në përpjekje për të mësuar më shumë për të, ajo vizitoi edhe fshatrat siçiliane nga vinin familjet Palermo dhe Musacchia nga ridhte gjyshi. Një kuriozitet që e ka lidhur tani me kushërirë të shumtë që ende ndjekin traditën arbëreshe në Itali.

Për ata që ende nuk e kanë realizuar ëndrrën për të vizituar fshatin e të parëve në Siçili, festa e nëntorit merr një rëndësi të veçantë…

“Është tradita që ka kaluar nga gjyshi, tek babai, e tani tek unë,” thotë Tony.

Një traditë që i ndihmon këta banorë të Nju Orlinsit të kujtojnë udhëtimet e arbreshëve shekuj më parë drejt Italisë dhe të afërmve të tyre drejt një jete të re në Shtetet e Bashkuara. / KultPlus.com

KOMF ofron rekomandimet për përmirësimin e skemës për shtesat për fëmijë

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF mirëpret vendimin e Qeverisë për fillimin e zbatimit të masës për aplikimin e shtesave për fëmijë, e cila është dokumentuar në shumë vende të botës si instrumenti më efektiv në zbutjen e varfërisë dhe i cili zbatohet në pothuajse të gjitha vendet e Europës.

KOMF nga viti 2015 ka dërguar rekomandimin drejt Qeverive të Kosovës dhe drejt partive politike për planifikimin dhe realizimin e shtesave për fëmijë.

KOMF përmes një shkrese me rekomandime ka ofruar kontributin drejt Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për përmirësimin e skemës për shtesat për fëmijë duke paraqitur mangësitë aktuale si dhe propozimet për adresimin e tyre.

Rekomandimet kryesore:

-Shtesat për fëmijë aktualisht po mundësohen përmes aplikimit në formë elektronike – ekosova. Në mungesë të informatave, shkathtësive apo edhe pajisjeve elektronike, shumë prindër mund të privohen nga kjo e drejtë për të aplikuar për shtesa për fëmijë. KOMF ka rekomanduar që krahas aplikimit në formë elektronike, të mundësohet aplikimi edhe në formë fizike nga prindërit/kujdestarët ligjor.

-KOMF ka propozuar që skema për shtesat e fëmijëve të rishikohet duke përfshirë fëmijët deri në moshën 18 vjeçare. Legjislacioni në Kosovë por edhe Konventa për të Drejtat e Fëmijës përcakton moshën e fëmijës deri në moshën 18 vjeçare. Përfshirja e fëmijëve deri në moshën 18 vjeçare është e nevojshme sidomos duke pas parasysh faktin që aktualisht nuk ka ndonjë skemë të aplikueshme për mbështetjen e fëmijëve të moshës 16 – 18 vjeçare apo fuqizimin e të rinjve.

-KOMF potencon që shuma aktuale e shtesave për fëmijë është e pamjaftueshme për të përmbushur nevojat e fëmijëve. Megjithatë, KOMF vlerëson nismën e ndërmarrë për realizimin e shtesave për fëmijë, e cila do ti hap rrugë krijimit të një skeme të qëndrueshme në vitet në vijim. KOMF rekomandon që në kuadër të planifikimit buxhetor vitin e ardhshëm, shtesat për fëmijë të prioritizohen për të konsideruar rritjen e shumave mujore, për të mbështetur nevojat e fëmijëve.

-Në kuadër të vendimit për caktimin e kushteve dhe kritereve për zbatimin e pjesshëm të masës 3.5, në paragrafin 4, përcaktohet që aplikimi për të përfituar nga shtesat e fëmijëve mund të bëhet nga nëna e fëmijës, ndërsa në mungesë të nënës mund të bëhet nga babai dhe kujdestari ligjor. Megjithatë për momentin, platforma online ekosova, lejon aplikimin për shtesa të fëmijëve vetëm nënën, përderisa nuk lejon aplikimin nga babai apo kujdestari ligjor. KOMF kërkon që platforma online të rishikohet për të mundësuar aplikimin edhe nga babai si dhe kujdestari ligjor. Mundësimi i aplikimit për shtesa të fëmijëve nga kujdestari ligjor është sidomos i domosdoshëm për fëmijët pa kujdes prindëror për të cilët në mungesë të prindërve, kujdestari ligjor ushtron të drejtat dhe përgjegjësitë e plota për fëmijën.

-Skema për shtesa për fëmijët është mundësuar në kuadër të Pakos për Ringjallje Ekonomike. Për të siguruar qëndrueshmërinë e shtesave për fëmijë përtej kësaj pakoje, KOMF rekomandon që Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve të planifikojë hartimin e Ligjit për Shtesat për Fëmijë. Në këtë proces paraprakisht duhet të analizohet me kujdes dhe të vendoset modeli më i përshtatshëm i shtesave për fëmijë për kontekstin e Kosovës. Praktikat dhe modelet nga shtetet e e rajonit dhe Europës janë të ndryshme lidhur me shtesat për fëmijë. Dy modelet kryesore të shtesave për fëmijë janë si vijon: Shtesat universale për fëmijë, që nënkupton transfere të pakushtëzuara për të gjitha familjet me fëmijë pa marrë parasysh nivelin e të ardhurave të tyre, statusin ekonomik apo statusin e punësimit. Model tjetër i shtesave për fëmijë është përcaktimi apo përshkallëzimi i shumës së shtesave bazuar në të ardhurat vjetore të familjes, statusit ekonomik dhe statusit të punësimit, numrit të fëmijëve në familje, moshës dhe nevojave të fëmijëve.

-KOMF bashkë me organizatat anëtare është i gatshëm për të kontribuar në këtë proces me qëllimin për të siguruar bashkërisht modelin më të mirë të shtesave për fëmijë për mbështetjen e fëmijëve dhe prindërve. / KultPlus.com

”+18” e regjisorit Rijani shpallet fituese në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrove në Shkup

Shfaqja “+18” nga David Mamet dhe Arian Krasniqi, me regji të Qendrim Rijanit është vlerësuar duke si shfaqja më e mirë e edicionit të 15-të të festivalit ndërkombëtar të Teatrove – ITF SKUPI FEST në Shkup, përcjell KultPlus.

”Falenderojmë për punën e mrekullueshme regjisorin Qendrim Rijani, ekipin fantastik të teatrit, organizatorët e Festivalit, jurinë e festivalit si dhe publikun e mrekullueshëm të Shkupit.

Ky çmim ndërkombëtar do të jetë një shtytje për të vazhduar punën tonë duke arritur synimet tona dhe duke ngritur kështu teatrin dhe qytetin tonë në një dimension të lartë artistik. Kështu duke u bërë konkurent rajonal ndërkombëtar, ne dëshmojmë se jemi vend me vlera të larta kulturore dhe artistike.

Teatri ka ekzistuar para nesh dhe do të ekzistoj përgjithmonë”, thuhet në njoftimin e faqes zyrtare të teatrit ”Hadi Shehu” në Facebook. / KultPlus.com

Blue Ivy bëhet fituesja më e re në histori të MTV VMA

Blue Ivy, vajza e dy artistëve të mirënjohur amerikanë, Beyonce dhe Jay-Z ka bërë historinë duke u bërë vajza më e re fituese në MTV Video Music Awards, përcjell KultPlus.

Nëntëvjeçarja u vlerësua si një kompozitore dhe kontribuese me vokale në këngën “Brown Skin Girl” nga albumi i divës 40-vjeçare “The Lion King: The Gift”.

Videoklipi i “Brown Skin Girl” u shpall fitues i trofeut Moon Man për kinematografinë më të mirë, shkruan DailyMail, përcjell tutje KultPlus.

Çmimi i MTV erdhi gjashtë muaj pasi Blue, Knowles-Carter, Saint Jhn dhe Wizkid fituan videon muzikore më të mirë për Brown Skin Girl në ndarjen e 63-të çmimeve “Grammy”. Ajo gjithashtu ka fituar BET dhe NAACP Image Award për po të njëjtën këngë. / KultPlus.com

Vdes ‘Tarzani’ i jetës reale, jetoi 40 vjet në xhungël

Një person që jetoi në xhunglën e Vietnamit për më shumë se 40 vjet, i cili konsiderohej si “Tarzani” i jetës reale, ndërroi jetë në moshën 52 vjeçare, 8 vjet pasi u kthye në botën e civilizuar.

Ho Van Lang iu dorëzua sëmundjes së kancerit pasi mbijetoi së bashku më babanë e tij për 41 vjet në xhungël, i cili e mori të birin në 1972 dhe së bashku u fshehën në botën e egër për shkak të bombardimeve të Amerikës gjatë luftës në Vietnam.

Të dy rivendosën kontakte me shoqërinë vietnameze në 2013 dhe besonin se lufta ende vijonte.

Pas vitit 2013, Lang filloi të jetonte në një mënyrë jetese relativisht moderne, por disa miq të tij besojnë se stresi dhe dieta e dobët e botës së ‘civilizuar’ kishin një efekt të dëmshëm në shëndetin e tij.

Miku i Lang, Alvaro Cerezo shprehet se jeta ‘moderne’ ndoshta kishte shkaktuar pasoja fatale për të pasi filloi të hante ushqime të përpunuara dhe nganjëherë pinte alkool./A2cnn/ KultPlus.com

Veshjet më të bukura në tapetin e kuq të Met Gala 2021, në mesin e tyre edh Rita Ora (FOTO)

Met Gala 2021 erdhi dhe shkoi sa hap e mbyll sytë.

Konsideruar si një nga netët më të rëndësishme në kalendarin e modës, mbledhja ekskluzive e fondeve u mbajt dje (e hënë) në New York, transmeton KultPlus.

Por, mungesat e yjeve që priteshin të shfaqeshin edhe këtë vit ishin të bollshme. Sarah Jessica Parker e njohur si një nga yjet që gjithmonë është në listën e personave të veshur më së miri nuk u shfaq, as Beyonce nuk ishte.

Por yjet përsëri u shfaqen në ato shkallë të famshme të Muzeut Metropolitane për festën me temë “Në Amerikë: Një Leksikon i Modës” , të veshur me modelet e tyre më të mira patriotike.

Më poshtë ua sjellim pamjet më të paharrueshme nga tapeti i kuq i mbrëmjes së kaluar:

Rita Ora

Gigi Hadid

Billie Eilish

Jennifer Lopez

Kendall Jenner

Ella Emhoff

Barbie Ferreira

Megan Fox

Iman

Normani

Rihanna

Zoe Kravitz

Komapania financiare ofron 1 mijë e 300 dollarë për atë që shikon 13 filma horror gjatë tetorit


Një kompani financiare do të paguajë 1 mijë e 300 dollarë për atë që do të mund të shikojë 13 filma të frikshëm në tetor. Kjo vjen si një përpjekje për të gjetur nëse madhësia e buxhetit të një filmi ndikon në efektivitetin e tij.

CNN shkruan se “FinanceBuzz” po kërkon të punësojë dikë që do të shikojë 13 nga filmat më të frikshëm, ndërkohë do të monitorojë rrahjet e zemrës duke përdorur Fitbit.

“Për nder të sezonit të frikshëm, ne në FinanceBuzz po vdesim të dimë nëse filmat horror me buxhet të lartë japin apo jo frikë më të fortë sesa ata me buxhet të ulët. Ju do të na ndihmoni të zbulojmë nëse buxheti i një filmi ndikon apo jo sa frikësues mund të jetë, duke veshur një Fitbit për të monitoruar rrahjet e zemrës suaj derisa shihni këta 13 filma”, ka shtuar kompania”, ka thënë në një njoftim kompania.

Sipas CNN, personat që do të pranojnë këtë sfidë në këmbim të parave do të shikojnë filmat e mëposhtëm midis 9 tetorit dhe 18 tetorit: “Saw, Amityville Horror”, “A Quiet Place”, “A Quiet Place Part 2”, “Candyman”, “Insidious”, “The Blair Witch Project”, “Sinister”, “Get Out”, “The Purge”, “Halloween (2018)”, “Paranormal Activity” dhe “Annabelle”.

Po ashtu “FinanceBuzz” do t’i sigurojë personit që do shoh filmat dhe një gjurmues Fitbit së bashku me 1 mijë e 300 dollarë dhe një dhuratë 50 dollarëshe për të mbuluar kostot e festës së frikës.

Personat e interesuar duhet plotësojnë një formular dhe t’i tregojnë kompanisë pse janë personi më i mirë për këtë punë.

Aplikimet duhet të përfundojnë deri më 26 shtator, dhe FinanceBuzz do të zgjedhë një fitues deri më 1 tetor./KultPlus.com

Elbenita Kajtazi hap festivalin ‘ReMusica’, mbush zbrazëtinë e koncertit pa publik përmes interpretimit të veprave të njohura

Sot, ka filluar festivali i muzikës ‘ReMusica’.

Natën e parë të edicionit të 20-të të ‘Remusica’ e hapi sopranoja e njohur kosovare, Elbenita Kajtazi dhe pianistja, Camille Lemonnier, përcjell KultPlus.

Sopranoja Kajtazi përformoi nën shoqërimin e pianistes në sallën pa publik për shkak të situatës pandemike. Ndonëse koncerti u përcoll virtualisht, Kajtazi mbushi zbrazëtinë nga mungesa e publikut në sallë duke interpretuar veprat e Strauss, Liszt, Chopin, Massenet, Puccini, Gronoud, Mulliqi, Gjergj Kaqinarit e Edon Ramadanit.

Në natën e parë të ReMusica u shfaq edhe dokumentari i shkurtër me regji të Hana Agimit, ‘ReMusica 20 vjet’ i cili paraqet këtë festival në 20 vite të realizimit.

Remusica u krijua me qëllim të prezantojë publikun shqiptar me muzikën bashkëkohore, dhe gjatë viteve solli shumë programe te pasura, asamble dhe artistë të mirënjohur si: Petrit Ҫeku, Aki Takahasi, Marc Bouchkov, Andreas Richter, Annete Vande Gorne e shumë emra tjerë të mirënjohur të botës së muzikës. Festivali po ashtu ka pasuruar literaturën muzikore gjatë viteve me publikime nga artistët vendor për instrumente të ndryshme (kitarë, piano, instrumente të tunxhit etj) .

Sivjet, disa nga aktivitetet e festivalit do të mbahen në formë fizike, siç janë puntoritë dhe ligjeratat, ndërsa koncertet nga artistë të mirënjohur do të mbahen në formë dixhitale.

Përveç Kajtazit do të performojnë edhe disa nga artistët tjerë të shquar vendorë dhe ndërkombëtarë: Asasello String Quartet nga Gjermania, Pierre dhe Theo Fouchenneret nga Franca, ndërsa Merita Rexha Tërshana është në piano si dhe soprano Kaltrina Miftari dhe Tringa Sadiku në kitarë. /KultPlus.com

OKB: Ndryshimet klimatike kërcënojnë të drejtat e njeriut dhe planetin

Shefja e Kombeve të Bashkuara për të Drejta të Njeriut, Michelle Bachelet, ka thënë se ndryshimet klimatike, ndotja e ajrit dhe humbjet në natyrë, janë duke krijuar konflikte në gjithë botën dhe përbëjnë kërcënimin më të madh për të drejtat e njeriut në botë.

“Krizat e ndërlidhura me ndotje të ajrit, ndryshime klimatike dhe biodiversitet veprojnë si kërcënime të shumëfishta, rrisin konfliktet, tensionet, pabarazitë strukturore dhe përballin njerëzit me situata tejet të cenueshme”, ka thënë Bachelet në nisje të një sesioni të ri për të drejta të njeriut.

 “Ndërkohë që rriten këto kërcënime nga ambienti, ato përbëjnë kërcënimin më të madh për të drejtat e njeriut në epokën tonë”, ka shtuar ajo, teksa iu është referuar zhvillimeve klimatike “ekstreme dhe vrasëse”, sikurse vërshimet në Gjermani dhe zjarret pyjore në Kaliforni.

Përfaqësuesit qeveritarë dhe ekspertë për klimën nga e gjithë bota do të mblidhen për dy javë në muajin nëntor në Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike.

“Na duhet të rrisim pritshmëritë – e ardhmja jonë e përbashkët varet nga to”, ka thënë Bachelet./KultPlus.com

‘Çast lamtumire’

Poezi nga Mitrush Kuteli

… Pra, bir, mos qaj: ky është ligji e qënies
Të vijë rrotull dhe të kthehet rishtaz
Përbrenda gjirit t’amës s’amëshuar
Të mosqënies.

Ku janë ata që patën qënë? Shkuan
Atje ku qenë – lanë prapa tyre
Një tingull n’erë, shuar dalngadalë,
Si çdo qënie.

Nga shtati i tyre ngjizet rishmë jeta
Që duhet rrojtur: mbajtur, vojtur, falur
Kur çasti i madh troket në derën tone
Urdhëronjës.

Koprace është jeta në të mira
Dhe dorëhapur gjëmash dhe mënxyrash –
Të gjitha duhen hequr dhe duruar
Zemërkthjellët.

Un’ rrethin tim e mbylla keq a mirë,
Si vdekëtar i thjeshtë – hallkë e lidhur
Dhe shkoj i velur hojesh dhe sherbelesh
Pa keqardhje.

Do rroj, shpresoj, ca kohë, brenda teje
Se kjo ka qënë ëndra ime: shpirtin
Tim trashëgim të ta le pas vdekjes
Siç e mora.

Vazhdo dhe ti të jetës shteg, të shkruar:
Të larta mos lakmo – se shtypës bëhesh
As poshtë shumë mos rrëshqit, se shtypesh,
Qofsh i lumtur!./KultPlus.com

“Emigracioni arbëresh në Istria”, botohet libri i studiuesit arbëresh Matteo Mandalà

Studiuesi arbëresh akad. Matteo Mandalà ka botuar librin “L’immigrazione albanese in Istria” (secoli XV-XVIII) – Emigracioni arbëresh në Istria – shekujt XV-XVIII.

Në një njoftim për shtyp, Akademia e Shkencave të Shqipërisë duke njoftuar për këtë botim shpjegon studimet e kryera nga autori në këtë punim.

Mandalà i shtyrë nga dëshira për të kuptuar lidhjet shkakësore që karakterizojnë natyrën komplekse të historisë së emigrimit të popujve të Ballkanit, në veçanti të shqiptarëve, ka kryer kërkime të thelluara në arkivat civile dhe kishtare në dekadat e fundit, ku në librin “L’immigrazione albanese in Istria” (secoli XV –XVIII) ndjek vijën e identitetit kulturor të një dege të emigracionit të arbëreshëve të Istrias (që gjendet në një gadishull midis Kroacisë dhe Sllovenisë).

Si filolog, Mandalà është në kërkim të episodeve të shpeshta që kanë ndodhur në historinë e trazuar të popullit shqiptar, duke hedhur poshtë vizionin romantik të historisë së emigrimit të arbëreshëve, të mbështetur shpesh nga falsifikime të dukshme dhe thjeshtime të fakteve historike.

Qasja e këtij studimi është multidisiplinar dhe nuk injoron asnjë aspekt historik të këtij emigrimi, në veçanti atë statistikor, ekonomik, demografik dhe social, duke kombinuar aspekte të ndryshme që përcaktojnë tiparet e një shoqërie multietnike gjatë shekujve.

Sipas këtij libri që në vitin 1499 dëshmohet prania e fiseve arbëreshe.

Kërkimet e Matteo Mandalà-së kanë rezultuar me një punë të shkëlqyer dhe emocionuese në faqet e këtij libri.

Matteo Mandalà është filolog. Veprat e tij janë të botuara kryesisht në Itali e pjesërisht në Shqipëri e Kosovë, ku ndër të tjera ai është edhe anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

“Matteo Mandalà është bir i komunitetit arbëresh të Piana degli Albanesi (Hora e Arbëreshëvet), profesor i rregullt i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Departamentin e Kulturës të Universitetit të Palermos, bashkëthemelues dhe drejtor i Laboratorit Albanologjik, një disiplinë në të cilën ai mori pjesë në disa konferenca, madje edhe organizator në disa prej tyre, përgjegjës për projektet kërkimore mbi komunitetet shqiptare të Italisë, të cilave u ka kushtuar studime të shumta në dialektologji, filologji, kritikë letrare dhe histori, autor i disa monografive, botimeve kritike të veprave letrare dhe ese të kritikës letrare shqiptare, i dedikuar aktualisht për të rindërtuar procesin e ndërtimit të identitetit në komunitetet arbëreshe midis shekujve XVIII dhe XX”, thuhet në njoftimin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë./atsh/KultPlus.com

Alban Muja vjen me ekspozitën personale ‘Whatever happens, we will be prepared’

Artisti kosovar, Alban Muja, do të hapë ekspozitën e tij personale “Whatever happens, we will be prepared” më 15 shtator, përcjell KultPlus.

Kjo eskpozitë do të mbahet në Galerinë Kombëtare të Kosovës dhe do të jetë e hapur deri më datë 2 nëntor 2021.

Në këtë ekspozitë do të krahasohen përzgjedhje të larmishme të veprave ekzistuese si dhe të veprave të reja të Mujës dhe për herë të parë në Kosovë do të shfaqet projekti ‘Family Album’, (Albumi Familjar), i cili e përfaqësoi Kosovën në Bienalen e Venedikut në vitin 2019.

Ky do të jetë një udhëtim përmes rrëfimeve vizuale shumë shtresore në të cilat vizitori ftohet të zbulojë një sërë pozicionesh sociale dhe gjeopolitike si dhe procese të shumta që formojnë identitete të ndryshme personale, kombëtare dhe shoqërore.

Për të eksploruar këto tema të ndryshme, Muja përdor një sërë mediumesh duke përfshirë këtu filmin, fotografinë, pikturën, grafikën dhe skulpturën, shpesh duke trajtuar tema komplekse dhe të çuditshme të cilat ai i zgjedh para shikuesit.

Alban Muja është një artist bashkëkohor kosovar. Ekspozitat e zgjedhura të tij përfshijnë: Muzeu Ludëig, Budapest; Muzeu Maxxi Romë; Bienalja e 3 -të e Artit Industrial, Istri, Kroaci; Galeria e Arteve Craëford, Cork; Qendra Eksperimentale MOMus për Artet, Selanik; Muzeu i artit Kumu, Talin; Muzeu i Artit Guangdong; Muzeu i Artit Bashkëkohor – Shkup; MeetFactory, Pragë; Forum Stadpark, Graz; ‘Trieste Contemporanea, Trieshtë; Galeria James, Neë York; Galeria e Arteve e Qytetit të Ljublanës; Muzeu i Artit Zhejiang, Hangzhou; Muzeu i Arteve të Bukura, Split; Muzeu i Artit Modern dhe Bashkëkohor, Rijekë; Galeria Kombëtare e Artit Zachęta, Varshavë; Bienali i 2-të i Artit Bashkëkohor në strehën Atomike në Konjic, BiH; Galeria Shkuc, Ljubljanë; Galeria Kombëtare e Kosovës; 60‘Berlinale’; Galeria Gagosian, Beverly Hills; Galeria Kombëtare Sllovake; Staatliche Kunsthalle, Baden-Baden; Bienalja e 28-të Grafike e Ljublanës; nGbK, Berlin; Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë; Bienalja e Cetinjës dhe të tjera.

Ekspozita “Whatever happens, we will be prepared” është e kuruar nga kuratorja, Maria Isserlis./KultPlus.com

Festivali ‘ReMusica’ fillon me dokumentarin e shkurtër ‘ReMusica 20 vjet’

Sonte, ka filluar festivali i muzikës ‘ReMusica’.

Edicioni i 20-të i këtij festivali ka filluar me shfaqjen e dokumentarit ‘ReMusica 20 vjet’ i cili paraqet këtë festival në 20 vite të realizimit, transmeton KultPlus.

Ky dokumentar me regji të Hana Agimit, paraqet fytyra të shumta që kanë marrë pjesë që nga themelimi i festivalit.

Annette Vande Gorne, kompozitore e muzikës akusmatike, përkujton fillimin e këtij festivali, i cili ia risjell në mendje kohën e vizitës së saj të parë në Prishtinë në kohën e luftës.  

“Kujtimi më asocon me vizitën e parë në Prishtinë, një qytet në luftë në njërën anë, ku ushtria e armatosur rrinte në hollin e hotelit, në anën tjetër shtëpitë e djegura, një manastir ortodoks rrethuar me thasë të mbushur me rërë dhe i mbrojtur nga ushtarët e Kombeve të Bashkuara.”- thotë Vande Gorne.

Kompozitori, Rafet Rudi, që drejtonte Qendrën Për Muzikën e Re, e cila themeloi këtë festival, flet për iniciativën që ndikoi në krijimin e ReMusica.

“Gjatë luftës ka qenë iniciativë e aktores Vanessa Redgrave që ta bëjë një festival dhe ta shfaqë në momentin kur Kosova të çlirohet, në kuadër të festivalit ajo kishte paraparë që të ketë një nismë qoftë për këtë festival ose iniciativa të ndryshme, natyrisht ambicia ime ishte që të fillojmë me një festival të muzikës moderne që unë atëherë e gjykoja që i mungon Kosovës.

Ndërër vite, fizinomia e këtij festivali ka ndryshuar, e këtë e shpjegon edhe udhëheqësja direkte e festivalit, Donika Rudi.

“Angazhimi im si udhëheqëse direkte e festivalit është realizuar në dekadën e dytë të festivalit, pikërisht në vitet kur edhe ndërron fizionomia e festivalit dhe kur ReMusica fillon e shtrihet edhe në epoka të tjera stilistike, duke futur kështu në program, repertuarin e vjetër të muzikës barok, renesancës e kështu me radhë, por duke pasur në fokus gjithmonë muzikën bashkëkohore.” – shton Rudi në këtë dokumentar.

Remusica gjatë viteve solli shumë programe te pasura, asamble dhe artistë të mirënjohur si: Petrit Ҫeku, Aki Takahasi, Marc Bouchkov, Andreas Richter, Annete Vande Gorne e shumë emra tjerë të mirënjohur të botës së muzikës. Festivali po ashtu ka pasuruar literaturën muzikore gjatë viteve me publikime nga artistët vendor për instrumente të ndryshme (kitarë, piano, instrumente të tunxhit etj) .

Sivjet, disa nga aktivitetet e festivalit do të mbahen në formë fizike, siç janë puntoritë dhe ligjeratat, ndërsa koncertet nga artistë të mirënjohur do të mbahen në formë dixhitale. Disa nga artistët më të shquar vendor dhe ndërkombëtar do të performojnë në saje të edicionit të 20-të si : Elbenita Kajtazi si soprano, Asasello String Quartet nga Gjermania, Pierre dhe Theo Fouchenneret nga Franca, ndërsa Merita Rexha Tërshana është në piano si dhe soprano Kaltrina Miftari dhe Tringa Sadiku në kitarë. / KultPlus.com

‘Trishtimi i hënës’

Poezi nga Sharl Baudlaire

Sonte hëna kaq përtace po rri duke ëndërruar;

Si një grua e bukur që me dorën e saj të lehtë,

Mes shumë jastëkëve përkëdhel e shpërqëndruar,

Përpara se të flerë, profilin e gjinjve të vet,

Lart mbi shpinat e atllasta të orteqeve të butë,

Pas dergjieve të përzgjatura dorëzohet e zalisur,

Sytë bredhin ndër vegime të bardha, që aq urtë,

Fillojnë e i ngjiten kaltërsisë si yje të stisur.

Kur mbi këtë glob, në ngashërimin e saj të trishtë,

Një lot tinzar, ajo ngandonjëherë lë të bjerë,

Një poet i mëshirshëm, që gjumin shpirtit ia ka nxjerr,

Atë cirkë të bardhë në zgavrën e dorës e vë lirisht,

Me tërë reflekset e arta të një cope guri të çmuar,

E diku në zemër, larg rrezeve të diellit e mban./KultPlus.com

Dua Lipa paralajmëron turne në SHBA

Këngëtarja shqiptare, Dua Lipa, do të zhvillojë një turne në Amerikë me albumin e saj ‘Future Nostalgia’, transmeton KultPlus.

Njoftimin e ka bërë vetë këngëtarja përmes një postimi në Facebook, duke paralajmeruar se të premten do të dalin në shitje biletat.

Dua ka publikuar edhe datat e këtij turneu, i cili do të fillojë më 8 shkurt 2021 në Miami dhe do të përmbyllet më 1 prill në Vancouver./KultPlus.com

Presidentja Osmani dekoron ambasadorin Kosnett me urdhrin ‘”Dr. Ibrahim Rugova”

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar sot në takimin lamtumirës ambasadorin e SHBA-së në Prishtinë Philip S. Kosnett, për kontributin e dhënë në ndërtimin e paqes dhe zhvillimit të demokracisë në vend.

Duke e falënderuar për punën e palodhshme dhe angazhimin jashtëzakonisht aktiv gjatë misionit të tij në vendin tonë, Osmani tha se puna e ambasadorit Kosnett dhe të stafit të tij janë po ashtu kontribuese të rëndësishme në drejtim të mbajtjes së Kosovës lartë në agjendën e politikës së jashtme të SHBA-së.

Palët diskutuan edhe për raportet e thella e strategjike ndërmjet të dy vendeve, me ç’rast presidentja Osmani vlerësoi se tashmë jemi në një etapë të re të bashkëpunimit bilateral, e cila krijon mundësi të jashtëzakonshme për hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit në vitet në vijim.

Me këtë rast, ambasadori Kosnett shprehu mirënjohjen e thellë për vlerësimin e punës së tij dhe konfirmoi se raporti në mes të Kosovës dhe SHBA-ve do të jetë përherë i fortë dhe i pakontestueshëm.

Në takim palët vlerësuan lart edhe faktin se raporti në mes të dy vendeve tona po zhvillohet gradualisht me një dinamikë të re e premtuese, ku Kosova po bëhet më shumë partner aktiv dhe kontributdhënës në procese të ndryshme strategjike.

Në këtë kontekst, u apostrofua vendimi i fundit i institucioneve kosovare për mikpritjen e qytetarëve afganë, angazhimin e FSK-së në misione paqeruajtëse krah ushtrisë amerikane, si dhe angazhimi aktiv i Kosovës në luftën ndaj terrorizmit.

Ndryshe, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka nominuar për ambasador të ri në Kosovë Jeffrey M. Hovenier.

Hovenier, i cili pritet të zëvendësojë ambasadorin aktual Kosnet, është një diplomat karriere i shërbimit të jashtëm amerikan që ka qenë pjesë e stafit të të Dërguarit të Posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës./KultPlus.com

Papa: Pandemia është testi më i madh i kohës sonë

Papa Françesku i bëri thirrje Evropës që të tregojë “solidaritet” gjatë rimëkëmbjes ekonomike nga pandemia COVID-19.

Papa i bëri komentet gjatë një vizite në Sllovaki – njërin nga vendet më të goditura në kontinent nga pandemia.

Ai e cilësoi pandeminë si “testin më të madh të kohës sonë”.

“Na ka mësuar se sa e lehtë është – edhe kur jemi të gjithë në të njëjtën anije – të tërhiqemi dhe të mendojmë vetëm për veten tonë”, tha Papa.

Sllovakia, vend anëtar i Bashkimit Evropian me rreth 5.4 milionë banorë, ka pasur përqindjen më të lartë të infektimit dhe vdekshmërisë nga COVID-19 në një periudhë të këtij viti.

“Pas muajve të gjatë dhe të mundimshëm të pandemisë, plotësisht të ndërgjegjshëm për vështirësitë përpara, jemi në pritje të një rritjeje ekonomike, që do të mbështetej edhe nga planet e Bashkimit Evropian për rimëkëmbje”, tha Papa në kryeqytetin e Sllovakisë, Bratisllavë.

Ai paralajmëroi kundër “ndjenjës kalimtare të euforisë” dhe tha se Evropa duhet të tregojë një solidaritet të tillë, që “duke kapërcyer kufijtë”, e kthen atë “në qendër të historisë”.

Një ditë më herët, kreu i Selisë së Shenjtë qëndroi në Hungari, ku foli për “kërcënimet nga antisemitizmi”.

“Është një fitil që nuk duhet të lejohet të digjet. Dhe, mënyra më e mirë për ta fikur atë është të punojmë së bashku, pozitivisht dhe të promovojmë vëllazërinë”, tha Papa.

Vizita e Papës në Hungari dhe Sllovaki është e para prejse ai i është nënshtruar një operacioni në zorrën e trashë, në muajin korrik./KultPlus.com