11 shtatori, ngjarja që tronditi botën (FOTO)

Shtetet e Bashkuara por edhe mbarë bota përkujtojnë sot 20-vjetorin e sulmeve të përgjakshme të 11 shtatorit 2001.

Sulmi ndaj kullave binjake ishte kryer me 11 shtator 2001 nga një grup prej 19 vetash rrëmbyese islamistë radikalë, 15 prej të cilëve ishin nga Arabia Saudite, dy nga Emiratet e Bashkuara Arabe, një nga Egjipti dhe një nga Libani.

Fillimisht njëri aeroplan i rrëmbyer ishte përplasur mbi kullën veriore të Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju Jork, duke krijuar një çarje të thellë në faqen e ndërtesës dhe duke shkaktuar zjarr kurse 17 minuta më vonë, një aeroplan tjetër pasagjerësh përplaset mbi kullën jugore.

Në sulmin e 11 shtatorit 2001 humbën jetën rreth 3 mijë persona.

Në mesin e viktimave në kullat binjake ishin 2.752 persona prej tyre 343 zjarrfikës dhe 60 policë. Pjesa më e madhe e viktimave ishin civil të 70 kombësive të ndryshme. / KultPlus.com

‘Një poemë është një qytet në luftë, është një qytet në flakë, është një qytet në armë’

Nga Charles Bukowski

Një poemë është një qytet i mbushur me rrugë dhe kanale
me shenjtorë, heronj, lypës, të çmendur,
me banalitet dhe dehje sarhoshësh,
me shi dhe bubullima dhe periudha
thatësire, një poemë është një qytet në luftë,
… një poemë është një qytet që i kërkon përsenë një ore,
një poemë është një qytet në flakë,
një poemë është një qytet në armë
berberhanet e saj për burra të mbushura me pijanecë cinikë,
një poemë është një qytet ku Zoti kalëron lakuriq
nëpër rrugë si Lady Godiva,
ku qentë lehin natën, dhe përndjekin
flamurin ; një poemë është një qytet poetësh,
shumica mjaft të ngjashëm
dhe ziliqarë e idhnakë…
një poemë është ky qytet tani,
50 milje larg nga askund,
në 9.09 të mëngjesit,
shija e alkoolit dhe cigareve,
pa polici, pa të dashuruar, duke ecur nëpër rrugë,
kjo poemë, ky qytet, që i mbyll dyert,
i barrikaduar, pothuaj bosh,
funebër pa lot, që mplaket pa mëshirë,
malet prej shkëmbi të ashpër,
oqeani si një flakë lavande,
një hënë pa madhështi,
një muzikë e vogël e ardhur nga dritare të thyera…
një poemë është një qytet, një poemë është një komb,
një poemë është bota…
dhe tani po e fus këtë nën gotë
për shqyrtimin e hollësishëm të botuesit të çmendur,
dhe nata është gjithandej
dhe ca zonja të zbehta të thinjura mbajnë radhën,
një qen ndjek një qen deri në gji,
trompetat thërrasin trekëmbëshin,
ndërkohë që ca njerëz të vegjël dërdëllisin mbi gjëra
që s’mund t’i bëjnë. / KultPlus.com

E dashura, gruaja, magjistarja e Borgesit!

Për një admirues të Jorge Luis Borgesit, shkrimtarit dhe poetit të madh argjentinas, ikonë e letërsisë së shekullit të 20-të, të shëtisë në universin intim, të bisedojë me vejushën e tij, Maria Kodama, është si të kridhesh sërish në hovin e veprës së admiruar.

Në një fotografi, Jorge Luis Borges përkëdhel një deve, e cila duket sikur hungërin drejt kamerës: njërën dorë e shtrëngon pas krahut të guidës egjiptian, veshur me një xhaketë gri, një kravatë, flokët e thinjur shprishur nga era. Mbi deve qëndron Maria Kodama; ajo është pak më shumë se dyzet vjeç, Borgesi është thuajse edhe një herë sa mosha e saj – ajo e veshur në ngjyrë rozë, krahët elegantë të zhveshur dhe, në të vërtetë, ndaluar në imazhin mes dy piramidave, ngjason si një hyjni…

Libri i Maria Kodamas “Atlas”, botuar në 1984, është i fundit në bibliografinë narrative të Borgesit, ndoshta, me dashakeqësi, më i shpërfilluri. Borgesi do të vdiste dy vjet më vonë.

Në albumin me ndriçime endacake, ose fotografi të shkruara, Borgesi kujton Egjiptin. “Rreth tre ose katërqind metra larg piramidës, u përkula, mora një grusht rërë, e hodha në heshtje pak më tej dhe thashë zëulët: “Unë po modifikoj Saharanë”. 

Një fakt i vogël, por fjalët jo shumë të zgjedhura ishin të sakta dhe mendova se më ishte dashur gjithë jeta që të isha në gjendje t’i thoja. Kujtimi i atij momenti është një nga më të rëndësishmit e qëndrimit tim në Egjipt”.

Mirëpo, në këtë rast, duhet të pyesim veten se deri në cilën folje, deri në cilën copëz fraze e modifikoi Kodama Borgesin. Që Borges është një Sahara, historitë e tij shkërmoqen pasi i lexuan, është një fakt: Saharaja ngërthen gjithçka, shpërbën gjithçka, gjithçka barazohet.

Borgesi deklaron, se “Atlas” është shkruar nën frymëzimin, më saktë nën magjinë e Kodamës. “Bashkë me Maria Kodamën ndamë të gëzuar dhe të mahnitur zbulimin e tingujve, gjuhëve, muzgut, qyteteve, kopshteve dhe njerëzve që janë përherë të ndryshëm dhe unikë. Këto faqe dëshirojnë të dëshmojnë për këtë aventurë të gjatë që vazhdon”.

Pas vdekjes së nënës, në 1975, Borges u martua me Maria Kodamën, e cila u shndërrua në bashkëpunëtore, nxënëse, sekretare e tij. Jo rrallëherë Maria Kodama shihej si një stratege, një përfituese, një ndihmëse e thjeshtë, magjistarja që manipuloi Borgesin. Kodama ka fytyrën, qëndrimin, një përçmim diskret, madje edhe mbiemrin e magjistares.

Mbase tek ajo Borgesi pa të mishëruar librin e librave, një lloj Aleph, ku, në historinë eponime shfaqet edhe një tjetër grua enigmatike, Beatriz Viterbo, “e gjatë, e brishtë, disi e epuar”. Kodama, e lindur në Buenos Aires, në vitin 1937, në një libër biografik, shprehet “E.T… kështu më thërrasin miqtë e mi, jashtokësore”.

Më tej, thekson: “Jam rritur si japoneze. Pra, jam japoneze. Kështu më ka rritur im atë. Me stilin alla japonez. Me mua fliste gjithmonë, si me një të rritur. Më bëri të lirë. Të jesh i lirë, do të thotë të marrësh përgjegjësi për atë që dëshiron të bësh, të durosh pasojat, pa i shqetësuar të tjerët”.

Borgesi vdiq më 14 qershor 1986, disa muaj më parë, në prill, ai ishte martuar me Kodamën. Figura e saj lidhet me të, a thua të ishte ëndrra e tij e fundit, të shkruarit ekstrem të dorës. Kodama adhuronte poezitë e Borgesit, madje “në një nga ato poezitë Borges i drejtohet një gruaje, duke i thënë se ai do t’i ofrojë vetminë e tij, mjerimin e tij, urinë e zemrës së tij”. Ishte koncpeti “uria e zemrës” që më goditi.

Me pak fjalë, është profecia e një dashurie. Vetë Maria Kodama duket si një krijesë e Borgesit, me vështrimin kozmik, me sy të përhumbur. I verbër, ai i diktonte punët e tij, duke ia kushtuar ato të viteve të fundit.

Ajo thotë, se e zbuloi ligësinë kur u martua ose fill pas saj. Jehonat e shtypit, të skandalizuara nga ky bashkim, të cilat i konsideronte sa befasuese, aq edhe të pashpjegueshme, mbërritën deri në brigjet e liqenit Leman, në Gjenevën e qetë, ku ajo shoqëronte Jorge Luis Borges në javët e fundit të jetës së tij.

Gjithçka ndodhi kur ata që e ruanin, përndiqnin, ngacmonin, shpifnin për të, pra kërkuan të shkatërronin universin intim dhe sublim që ajo kishte ndërtuar për vite me shkrimtarin. Pavarësisht nëse njerëzit e duan apo jo, shpreht Maria, ajo është e veja e Borgesit.

I pëlqen apo jo, ajo gjithmonë do të fajësohet për gjithçka që bën. Borgesi ka qenë dhe mbetet shpirti im binjak, pasi ai ishte si Hektori për Andromakën: babai, nëna, vëllezërit e motrat, mbi të gjitha “dashuria që lulëzon”.

Sipas historisë ose legjendës, ishte Borges ai, që, në Gjenevë, i kërkoi të martohej Kodamës. “Nëse doni të zhburrëroni lirinë time, do t’ua lejoj, Borges”, – ia ktheu ajo. “Ju jeni skllave e lirisë”, – i tha Borges.

Mandej: “Mendo, Maria, do të jesh Maria Kodama Borges”. “Problemi, Borges, është se unë nuk i përkas askujt”. Kur ai, i verbër, kap krahun e saj duket sikur shfleton një libër, gris një fletë qiellore. Në të vërtetë, Borgesi ishte person që dëshironte të dominohej, edhe nga fiksimet e përsëritura. Kodama ia arriti më së miri.

Megjithatë, siç ndodh rëndom, uria është e dyfishtë dhe preja rezulton të jetë në përgjim, më e egër. / KultPlus.com

Kaltrina Krasniqi me ‘Vera Andrron Detin’ merr çmimin “Autorë nën 40 vjeç” për regjinë më të mirë

‘Vera andrron detin’ me regji nga Kaltrina Krasniqi dhe skenar nga Doruntina Basha së fundmi ka shfaqur premierën madhështore në Festivalin e Venedikut – njërin ndër festivalet më të vjetra dhe rëndësishme të filmit në botë, me ç’rast filmi ka fituar çmimin e ri “Autorë nën 40 vjeç” nga kinemaja “Venezia a Napoli” për regjinë më të mirë, përcjellë KultPlus.

Juria vlerësoi filmin në këtë mënyrë:

Për mënyrën se si ajo tregon, përmes forcës së grave, marrëdhënien komplekse midis të vjetrës dhe të resë, në një vend në rindërtim: fshatin dhe qytetin; patriarkalitetin dhe kërkesat e brezave të rinj. Drejtimi tërheq me saktësi dhe koherencë rruga e aspiratave të drejtësisë së një nëne dhe një vajze, duke lënë në fund aftësinë për të parashtruar pyetje dhe sfida për të ardhmen e një shoqërie të tërë dhe identitetit kombëtar.

Kushtuar drejtoreshës Valentina Pedicini, e cila vdiq më nëntor 2020 në moshën 42 vjeçare, çmimi synon të rrisë autorësinë e re të grave në kujtesën e saj, pasi ajo ka lënë gjurmë me një vizion të guximshëm, etik dhe delikat në kinema.

Dy çmime u jepen autorëve femra nën 40 vjeç, të cilat dallohen për talentin e tyre në regji, skenar, montazh dhe drejtim fotografie për një nga filmat e zgjedhur në ‘Bienalen Orizzonti’ dhe ‘Orizzonti Extra’, ‘Ditët e Venecias’ dhe ‘Javën Ndërkombëtare të Kritikëve’.

Fituesit do të priten gjithashtu në Napoli gjatë “Venezia a Napoli. Il cinema esteso” për një rezidencë artistike dhe ata do të takojnë auditorin në shfaqjen e filmave për të cilët janë shpërblyer.

Në film përditshmëria e qetë e Verës çrregullohet nga vetëvrasja e papritur e burrit të saj që hapë rrugë për një paradë të padëshiruar kërcënimesh nga kushërinjtë që pretendojnë të kenë pronësi mbi shtëpinë e familjes së tyre në fshat. Kur tendencat e një skeme të nëntokës fillojnë të dalin në pah, bota e Verës përballet me rreziqe të cilat duket se do ta fundosin atë. Frika dhe mosbesimi, shtyjnë Verën të marrë fatin e familjes në duart e saj.

E zhytur në një atmosferë të tensionuar, “Vera Andrron Detin” është një portret intim por edhe universal i një gruaje e cila lufton një realitet të vrazhdë pabarazishë gjinore thellë të rrënjosura në shoqëri edhe në ditët e sotme’.

Në film luajnë: Teuta Ajdini Jegeni, Alketa Syla, Refet Abazi, Astrit Kabashi, Arona Zyberi, Aurita Agushi, Ilire Vinca, Xhevat Qorraj, etj. Drejtoreshë e fotografisë: Sevdije Kastrati; Producent: Shkumbin Istrefi.

Vera andrron detin’ është bashkëprodhim në mes të Kosovës (Puntoria Kreative Isstra, Vera Films), Maqedonisë së Veriut (Dream Factory) dhe Shqipërisë (Papadhimitri Productions) i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë – Shqipëri. / KultPlus.com

Rekomandohet që deri në tetor të mos ketë nisje të mësimit

Situata e rënduar me pandeminë bëri që procesi mësimor të mos nis më 1 shtator.

IKSHPK po rekomandon që masat anti-covid të vazhdojnë edhe më tutje.

Një vlerësim që procesi mësimor duhet të shtyhet e ka edhe infektologu Shemsedin Dreshaj.

Ai thotë se fillimi i mësimit para tetorit paraqet rrezikshmëri të lartë infektimesh.

“Mësimi i sigurt s’mund të fillojë as para datës 1 tetor. Për shkak se nën 1 është përfshirja, nën 2 është doza e dytë dhe nën 3 është intervali dy javor që ka nevojë secili person që ka marrë dozën e dytë që të sigurojë imunitet stabil”, tha Dreshaj për RTV Dukagjini. / KultPlus.com

“Long Way”, kënga e re e Eddie Vedder (VIDEO)

Këngëtari amerikan Eddie Vedder nga grupi i zhanrit rok “Pearl Jam” ka publikuar një këngë solo të re të titulluar “Long Way”, kënga e parë e publikuar nga albumi i tij i ardhshëm “Earthling”.

Eddie Vedder për herë të parë bashkëpunoi me producentin Andrew Wyatt në këtë këngë.

“Ajo ishte gjithçka për të, por fuqisë së saj i nevojitej hapësirë”, thotë një pjesë e tekstit të këngës, gjersa video-klipi është në stilin bardh/zi e një udhëtimi në rrugë.

“Dashuria e saj ishte përndjekëse, ajo iku por s’u largua kurrë, ajo morri rrugën e gjatë, për në liri”, vazhdon teksti.

Vedder gjithashtu kohëve të fundit pati një bashkëpunim edhe me Glen Hansard në këngën për filmin e aktorit/regjisorit Sean Penn në filmin “Flag Day”, ku këndon vajza e tij Olivia Vedder këngën “My Father’s Daughter” dhe “There’s a Girl”.

‘Pearl Jam’ si bend do të performojë në Festivalin “Sea.Her.Now” më 18 shtator, dhe në Festivalin “Ohana” më 26 tetor.

Kënga mund të porositet përmes “Pearl Jam’s Ten Club”. / albanianpost / KultPlus.com

Poezia e shkruar nga burgu e shkrimtarit Kasëm Trebeshina

Melankoni

Në dritare të dy rrimë
dhe nga hëna po shikojmë
s’jemi parë dhe të mërguar
njëri-tjetrin po kërkojmë.

Jemi fare pran’ në jetë
dor’ për dore gati zënë:
Diku rrugët na takojnë,
po kalojnë nëpër Hënë!

Burg 1954

Kjo është një poezi e hershme e Trebeshinës, që dëshmon për melankolinë dhe mendimin filozofik, karakteristika thuaj të krejt krijimtarisë së autorit të cilit i pëlqen kurdoherë t’i shikojë e t’i pikturojë dukuritë e jetës e të shoqërisë në tërë ashpërsinë dhe konkretësinë e tyre. Tek kjo poezi, shkruar në burg, hasim absurditetin e jetës (jemi fare pranë e prapë larg njëri-tjetrit etj). / KultPlus.com

Enza Scutari, poetja e frymëzuar nga realiteti arbëresh

Poezia bashkëkohore arbëreshe përfaqësohet sot edhe nga një plejadë poetësh të talentuar që janë afirmuar në jetën letrare të Arbërisë së vogël, siç e cilësojnë komunitetin e arbëreshëve të Italisë.

Në mes tyre dallohen emrat e Kate Cukaros, Margarita Scilipes, Maria Menna, Matilde Feraro, Conceta Mazzei, por figura më përfaqësuese është Enza Scutari. Ajo i takon brezit të hershëm dhe është si të thuash dekane e poezisë femërore të sotme arbëreshe.

Ajo ka lindur në Farneta di Castroregio dhe ka punuar si mësuese në shkollat e komunitetit arbëresh dhe veçanërisht për afro dyzetë vjet si mësuese e arbërishtes në S. Costandino Albanese (Potenza).

Por veç mësuesisë ajo njihet dhe çmohet si hulumtuese dhe studiuese e traditave dhe kulturës arbëreshe si dhe popullarizuese e përhapëse e vlerave artistike e kulturore të arbëreshëve.

Penës së saj i takojnë disa vëllime me poezi, të cilat kanë marrë çmime dhe mirënjohje prestigjioze nga komunat arbëreshe.

Poezia e saj është kryesisht poezi lirike, e frymëzuar nga realiteti arbëresh, me motive dhe këndvështrime origjinale. Ajo karakterizohet nga një frymëzim spontan dhe pas thjeshtësive artistike, fshihet një shpirt i ndjeshëm, me ndjesi të holla e delikate. Poezia e saj bart e trajton mendime fisnike dhe nota humane, diapazon të pasur tematik, refleks të historisë dhe realitetit arbëresh.

Lirika e saj shpërfaq mendime dhe ndjesi jetësore aq dhe meditative, shprehur përmes motiveve patriotike, erotike, eterike, pejsazhiste, që vijnë nga të njëjtat burime shpirtërore dhe ide filozofike, dhe përcjellin kumte dhe mesazhe me vlera shoqërore dhe patriotike.

Një vlerë tjetër e çmuar është gjuha e saj, arbërishtja e mëmës, një e folme e bukur dhe e pasur, me ngarkesa emocionale dhe kuptimore, e afërt me gjuhën shqipe standarde.

Me poeten Enza Scutari pata pasur fatin dhe nderin të njihem e të miqësohem vite të shkuara, kur ajo më nderonte me pjesëmarrjen e saj në promovimin e librit tim “Manastiri i dashurisë” në Lece të Italisë. Atje ajo më dhuroi për kujtim një dorëshkrim me vjersha të saj arbërisht, që unë me kënaqësi po ia paraqes lexuesit tonë.

NDËMN DHE

Ndën dhe
u shua drita ditës
çë kërkonej
një lule
për mall.
Ndën dhe
u fshehzëri natës
çë kërkonej një fjalë
për mos të vdis!

E s’u bë më gjë…

SI DY LUC

Si dy luc
mburohen
me dëshirë
si dy luc
grumbullohen
me kullure argjendi
sytë e tu;
te zemra ime
mblidhen suvala
pa sullunar!

________
• luc – dritë
• suvala – vala
• pa sullunar – pa shtytje

U DI….

U di për tij
e për mua
se gjella jon
kle e dashur
e mallepsur
e pënsuar
gjithmonë.
Pse ni duanë
të na ndronjen
pse duan të na farmëkosnjen?
U fshihem
prapa malit!

________
• kle – qe
• gjella – jeta
• mallepsur – e malluar
• ndonjen – ndrrojnë
• farmakosin – helmojnë

TË MBLIDHEMI

Adunare gjith një herë
me trëmbësi
me dhëmbësi
se je vetëm
mbi dhe,
e adunare
se ti s’je
si do të jesh
e s’të ka ënda
të rrish mb’jet
prana shkrepen dielli
e gjith jeta
duket e jotja!

_______
• prana – pastaj

SI NJË KOQEZ FARË

Si një koqez farë
te zemra ime
shtija rrënj
kjo dashuri,
prana belu belu
ngjan degat
prej diellit
me trëmbësi,
dega të njoma
ndë këputen
shkrihet uj e gjak!

________
• belu belu – bukur bukur
• ngjan – ngre
• trëmbësi – frikë

AFËRDITË

Prita të ngrëhshit
mjegulla mallingunishë
për të shihnja
yllin Afërditës
të ngjatej
te shtrati im
pa palaca,
si një ëngjel
i lethë
me penda erje
me sy kristali
të më puthnej
ndë ballet!

_________
• mallingunishë – e mallit
• ngjatej – zgjatej
• na palaca – pa mbuluar
• me penda erje – me flatra ere

NJË FLUTUR BORJE

Një flutur borje
fluturonej pa penda
tyerat i vejn pas
e qeshin
qeshin!
Kur dielli ja rru
klajn
klajn…
Te lumi u kallartin
umbrat e natës
e të klarit
ashtu vjeshin!

__________
• u kallartin – zbritën
• të klarit – të qarit
• ashtu vjeshin – bëj vjershën

Nga Prof. Nasho Jorgaqi / KultPlus.com

“Fake Love”, kënga e pestë e ‘BTS’ që arrin 1 miliard shikime në Youtube (VIDEO)

Superyjet e muzikës k-pop, ‘BTS’ kanë festuar një tjetër arritje të karrierës së tyre. Së fundmi, një nga këngët e tyre ka marrë miliarda shikime në kanalin ‘Youtube’.

“Fake Love” është videoja e pestë e tyre që shënon këtë moment historik për karrierën e grupit. Gjithsej 1 miliard shikime në Youtube ka arritur kënga.

Grupi BTS pati vënë rekord me këngën “Dynamite” më 2020, që ishte kënga e parë në anglisht. Ajo pati 101.1 milionë shikime për 24 orë. Ndërsa, me këngën “Butter” që u publikua më 21 maj, ata thyen rekordin e tyre për shikueshmërinë më të lartë në 24 orë në Youtube duke arritur në 113 milionë shikime 24 orët e para të publikimit.

Kënga “Butter” vuri rekordin e të gjitha kohërave për premierën më të madhe të video-muzikës në Youtube me mbi 3.9 milionë shikues njëkohësisht. / KultPlus.com

Anëtarja e grupit “BLACKPINK”, Lisa debutoi si solo këngëtare me albumin “Lalisa” (VIDEO)

Lisa njëra nga katër anëtaret e grupit me famë botërore nga Korea Jugore, “BLACKPINK”, e ka publikuar albumin e parë solo me titull “Lalisa”, shkruan KultPlus.

Krahas këtij incizimi, ylli i muzikës K-pop gjithashtu i ka lansuar dy këngët, “Lalisa” që numëron gjithsej 56 milionë shikime, 14 orë pas publikimit dhe kënga “Money”, që të dyja në gjuhën koreane dhe angleze.

Lisa e cila e gëzon një bazë të madhe adhuruesish edhe si solo këngëtare, dhe i numëron më shumë se 58 milionë ndjekës në rrjetin social Instagram, e shfrytëzoi këtë rrjet social për t’i falënderuar të gjithë ata që kanë qenë pjesë e këtij projekti shumë për zemër.

“A jeni duke e dëgjuar dhe shijuar albumin tim? Unë jam shumë e lumtur që po e shijojmë së bashku më në fund albumin tim të parë. Faleminderit shumë që keni pritur kaq gjatë dhe faleminderit shumë që gjithmonë keni qenë afër meje. Sot është një ditë e vecantë për mua dhe është ndjenjë e mirë ta ndaj me juve këtë ditë”, ka shkruar Lisa në mesazhin e saj.

Lisa nuk është anëtarja e vetme e grupit “BLACKPINK” që po zhvillon karrierë si solo këngëtare. Anëtarja tjetër, Jennie e kishte publikuar videoprojektin e parë si solo këngëtare në vitin 2018. Kënga titullohet “Solo”. Ndërsa, Rosé ka debutuar si solo këngëtare me albumin “R”.

Anëtarja e fundit e grupit, Jisoo gjithashtu pritet që së shpejti të publikojë projektin e saj si solo këngëtare.

Grupi me famë botërore është shfaqur në shumë shfaqje amerikane, dhe Lisa do të përformojë këngën e re për herë të parë drejtpërdrejt në ‘The Tonight Show Starring Jimmy Fallon’. / KultPlus.com

20 vjet më vonë, zjarrfikësit e Arlingtonit kujtojnë ngjarjet e 11 shtatorit të vitit 2001

Në shtator të vitit 20012, Justin Tirelli, kapiten i shërbimeve mjekësore emergjente në Departamentin e Zjarrfikësve të Qarkut të Arlingtonit në Virxhinia, kishte vetëm disa muaj që kishte filluar punën, kur u thirr për të ndihmuar më 11 shtator, pasi një aeroplan u përplas në ndërtesën e Pentagonit.

Justin Tirelli, kapiten i shërbimit mjekësor emergjent në Departamentin e Zjarrfikësve në Arlington të Virxhinias, ishte vetëm 24 vjeç kur një aeroplan i rrëmbyer u përplas në njërin nga muret e ndërtesës së Pentagonit më 11 shtator 2001.

“Kur kemi të bëjmë me një ngjarje të madhe si kjo, 20 vite mund të duken shumë, por mua më duket sikur ka ndodhur dje”, thotë ai për Zërin e Amerikës.

Tirelli dhe shokët e tij e kuptuan se Shtetet e Bashkuara ishin sulmuar kur morën urdhrin për të shkuar në Pentagon.

“Shumë gjëra po ndodhnin atë ditë. Njerëzit po dilnin jashtë ndërtesës, kishte të lënduar, tym dhe një zjarr të madh. Një numër kamionësh të zjarrfikësve dhe makinash policie ishin dislokuar atje. Kishte njoftime për ardhje të avionëve të tjerë. U bënë disa evakuime nga ndërtesa, të pasuara nga urdhra për rikthim në ndërtesë”, thotë ai.

Lufta rraskapitëse kundër flakëve, të shkaktuara nga përplasja e avionit, vazhdoi për orë të tëra.

Gjatë asaj kohe, Tirelli duhej të hynte në Pentagon për të hipur në çati.

Gjatë ngjitjes në çati, ai pa mbetje dhe pjesë të avionit.

Tymi ishte aq i dendur sa Tirelli mendoi se nuk do të dilte i gjallë nga ndërtesa.

“Nuk kishte asgjë tjetër veçse zjarr. Dhe sa herë që spërkatnim ujë, dukej se uji nuk po bënte asgjë, dukej se po hynte në humnerë”, thotë ai.

Tirelli dëgjoi njerëz që bërtisnin dhe qanin dhe pa personelin ushtarak duke vrapuar jashtë ndërtesës.

Ekipi i tij i zjarrfikësve nuk pranoi të pushonte, askush nuk donte të largohej.

“Unë kurrë nuk do t’i harroj disa nga njerëzit që pashë, viktimat që pashë atje. Nuk po pastronim thjesht objekte të shkatërruara, por po nxirrnim trupa të pajetë të njerëzve, familjet e të cilëve ishin në pikëllim nga humbja e të dashurve të tyre. Trupat e viktimave, e bënin më të rëndë ngjarjen. Ndonëse nuk i kam takuar kurrë familjet e tyre, ndihem i lidhur me ta.”

Sulmi në Pentagon i ndryshoi jetën kapiten Tirellit. Megjithatë, zjarrfikësi nuk ndihet si hero. Ai thotë se kjo ishte thjesht puna e tij.

Edhe pas 20 vjetësh, ai përkujton çdo përvjetor të sulmeve të 11 shtatorit 2001. / VOA / KultPlus.com

36 këpucë për 36 jetët e humbura nga vetëvrasja në vitin 2020

‘Linja e jetës’ qendra telefonike për parandalimin e vetëvrasjes ku çdo thirrje është plotësisht anonime dhe trajtohet pa gjykime, sot në sheshin ‘Zahir Pajaziti’ në Prishtinë, ka vendosur 36 lule për të gjithë personat e prekur nga vetëvrasja në vitin 2020 dhe jo vetëm, përcjellë KultPlus.

36 lule për të gjithë personat e prekur nga vetëvrasja, për të gjithë ata që janë duke e lexuar këtë shkrim dhe që janë duke kaluar periudha të vështira e që nuk janë ende të gatshëm të kërkojnë ndihmë, për të gjithë ata që në mungesë të një sistemi të duhur mbështetës nuk kanë mundësi ta lexojnë këtë shkrim, për të gjithë ata që duan të kërkojnë ndihmë por frikësohen se do të paragjykohen nga shoqëria, për të gjitha ata që sot kujtojnë dikë që nuk e kanë më pranë, për të gjithë ata që nuk janë të informuar se si ta ndihmojnë dikë që e kanë pranë e që ka nevojë për ndihmë, për të gjithë ata që janë duke kërkuar arsye për të vazhduar, për të gjithë ata që janë duke kaluar në procesin e shërimit, për të gjithë ata, për ty.

Nëse ndonjëherë ke nevojë të flasësh me dikë, telefono në 0800 12345“, thuhet në postimin e tyre në rrjetet sociale. / KultPlus.com

Filmi ‘Zgjoi’ i Blerta Bashollit edhe në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Meksikë

Filmi “Zgjoi” me regji të Blerta Bashollit në shkurt të këtij viti bëri historinë duke rrëmbyer tri çmimet kryesore të “Sundance Film Festival”.

Pavarësisht kësaj, sukseset për këtë film duket se nuk kanë të ndalur.

Pas pjesëmarrjes në “Sydney Film Festival”, i njëjti po ashtu do të jetë në konkurrencën ndërkombëtare të filmave të metrazhit të gjatë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Guanajuato në Meksikë.

Këtë e ka bërë të ditur protagonistja kryesore e filmit, aktorja Yllka Gashi, përmes një postimi të shpërndarë në Facebook.

“Zgjoi” nuk ka të ndalur!!!
Rrugëtimi i tij vazhdon në Meksikë në edicionin e 24-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Guanajuato që mbahet nga 17 deri më 26 shtator në qytetet León, San Miguel de Allende & Irapuato.
“Zgjoi” është në konkurrencën ndërkombëtare të filmave të metrazhit të gjatë!

“Zgjoi“ është bashkëprodhim në mes të Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Në rolin kryesor luan Yllka Gashi, ndërsa në rolet tjera luajnë Çun Lajçi, Kumrije Hoxha, Aurita Agushi, Kaona Sylejmani, Mal Noah Safçiu, Adriana Matoshi, Astri Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Valire Haxhijaj Zeneli, Armend Smajli, Ilir Prapashtica, Xhejlane Terbunja, Shkelqim Islami etj;

Filmi “Zgjoi” nga Blerta Basholli është propozuar ditë më parë nga Kosova si kandidat zyrtar për garën prestigjioze “Oscars”. / KultPlus.com

Publikohet trileri zyrtar amerikan i filmit ‘Zgjoi’ së regjisores Blerta Basholli (VIDEO)

Fituesi i çmimit të trefishtë Sundance filmi ‘Zgjoi’ i regjisores Blerta Basholli është një dramë e fortë e bazuar në historinë e vërtetë të Fahrijes, e cila, si shumë nga gratë e tjera në fshatin e saj patriarkal, ka jetuar me shpresë të zbehur dhe pikëllim në rritje që kur burri i saj u zhduk gjatë luftës në Kosovë, e për këtë histori e cila tashmë ka marrë vëmendjen e botës, është publikuar trileri zyrtar amerikan i tij, shkruan KultPlus.

Në mënyrë që të sigurojë familjen e saj në vështirësi, ajo bashkon vejushat e tjera në komunitetin e saj për të filluar një biznes që shet një produkt ushqimor vendas. Së bashku, ata gjejnë shërim dhe ngushëllim në shqyrtimin e një të ardhme pa burrat e tyre – por vullneti i tyre për të filluar të jetojnë në mënyrë të pavarur haset në armiqësi.

Burrat në fshat dënojnë përpjekjet e Fahrijes për të fuqizuar veten dhe gratë përreth saj, duke filluar një grindje që kërcënon sovranitetin e tyre të ri – dhe të ardhmen financiare të familjes së Fahrijes. Në sfondin e trazirave civile të Evropës Lindore dhe misogjinisë së vazhdueshme, Fahrije dhe gratë e fshatit të saj bashkohen në një luftë për të gjetur shpresë përballë një të ardhme të pasigurt.

Fituesi i Çmimit të Publikut, Çmimit të Regjisorit dhe Çmimit të Jurisë së Madhe të Kinemasë Botërore në Sundance, ‘Zgjoi’ është një portret i rëndë, shkatërrues i humbjes dhe udhëtimeve tona përpjetë drejt lirisë. / KultPlus.com

Mbahet takimi i parë i Komisionit Shtetëror për Rini

Sot u mbajt takimi i parë i Komisionit Shtetëror për Rini, i cili për herë të parë në Kosovë është themeluar nga Qeveria e Kosovës si një mekanizëm koordinues ndërinstitucional dhe përgjegjës për zhvillimin e dokumenteve strategjike të Qeverisë për fushën e rinisë.

Komisioni kryesohet nga zëvendësministrja e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani.

Në takimin e parë mori pjesë edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili themelimin e Komisionit Shtetëror për Rini e konsideroi si një hap të rëndësishëm për avancimin e rinisë në Republikën e Kosovës.

Kryeministri Kurti ndër të tjera u shpreh se: “duhet një qasje gjithëpërfshirëse drejt rinisë që i ndihmojnë të zhvillojnë njohuritë dhe shkathtësitë, të gjejnë vendin dhe misionin e tyre në shoqëri, të jenë aktiv dhe të shëndetshëm por edhe kontribuues në shoqëri civile e treg të punës.”

Më tutje Kurti ju tha anëtarëve të komisionit: “Unë pres që përveç fushave të bashkëpunimit, të bëhet edhe një ndarje e qartë e roleve dhe përgjegjësive. Në ministritë tuaja ju keni për detyrë t’i jepni vëmendje të veçantë vendimeve që ndikojnë tek të rinjtë si dhe t’i shtyni përpara politikat që përcaktohen si prioritete.”

Ndërsa në cilësinë e kryesueses së Komisionit Shtetëror për Rini, zëvendësministrja Osmani shprehu përkushtimin e Qeverisë për të bërë maksimumin që fokusi primar të jetë në rininë.

Ajo tha: “Në shëndetësi, ekonomi apo arsim, nevojitet nga një vendimmarrës politik që sigurohet që qeveria jonë në mënyrë të drejtpërdrejtë po përmirëson jetët e të rinjve tanë. Këtë, ne e kemi arritur duke emëruar zëvendësministrat për rini të cilët do përqendrohen në politikat sektoriale me fokus te rinia.”

Anëtarë të komisioni janë zëvendësministrat e tetë ministrive qendrore për rininë, të cilat janë emëruar përgjegjës për rini në ministritë dhe sektorët që mbulojnë. Në takimin e sotëm pati edhe përfaqësues të organizatave vendore dhe ndërkombëtare që punojnë në sektorin rinor. / KultPlus.com

Jasharaj: Çdo shtyrje e vitit të ri shkollor do të sjellë probleme

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës se ende nuk ka marrë ndonjë vendim nëse viti i ri shkollor do të nis më 13 shtator, ditë e hënë.

Jasharaj në një intervistë për Telegrafin, ka thënë se Qeveria duhet të merr vendimet me kohë, duke shtuar se mësimdhënësit dhe prindërit duhet të jenë të përgatitur nëse procesi mësimor do të fillojë të hënën.

Gjithashtu, ai ka bërë të ditur se në takimet e fundit që kanë pasur me MASHTI-n dhe drejtoritë e drejtorive arsimor, janë dakorduar që fillimi i vitit të ri shkollor të nis më 13 shtator.

“Nëse bazohemi në takimet e fundit që kemi pasur me MASHT, ku ishte edhe ministrja Arbërie Nagavci, dhe gjithë drejtorët e drejtorive arsimore, përfaqësuesit e prindërve dhe unë si përfaqësues i SBASHK-ut, bashkë me stafin tjetër tonin, atje të gjithë janë deklaruar se janë të përgatitur për fillimin e vitit të ri shkollor, duke e përmendur datën që është zyrtare 13 shtator, mirëpo nuk ishte takim ku do të merrej një vendim i prerë. Ajo që e kemi parë në media nga deklaratat e ministres Nagvaci lë të kuptohet se do të ketë shtyrje të reja, ngase thuhet se masat do të vazhdojnë”, theksoi ai.

Jasharaj tha se do të jetë problem nëse shtyhet viti i ri shkollor.

“Ky do të jetë problem shtesë nëse shtyhet mësimi, ngase pyetja e parë bie se si do të zëvendësohen gjithë këto ditë, ngase sot Qeveria do të dalë me një vendim të prerë, unë po e them atë që e kam obligim, punëtorët e arsimit jo vetëm tani por edhe para 1 shtatori kanë shprehur gatishmërinë të ia nisin mësimin”, pohoi ai.

Sa i përket vaksinimit të mësimdhënësve, Jasharaj bëri të ditur se mbi 90 % e punëtorëve arsimor tashmë janë vaksinuar.

“Apeli ynë për vaksinim ka dhënë rezultate, nga një numër shumë i vogël prej 7 mijë e 200 para 1 muaj e sa, tashmë kemi mbi 90 % të vaksinuar. Më 13 shator nëse fillon procesi mësimor sa i përket vaksinimit të mësimdhënësve nuk do të ketë probleme. Dua të kritikoj Qeverinë, sepse duhet të dalin në kohë dhe të tregojnë vendimet e prera, në mënyrë që edhe mësimdhënësit edhe fëmijët të jenë të përgatitur”, deklaroi ai.

Duke folur për situatën e krijuar, Jasharaj tha se nëse kalohet në mësimin online, mësimdhënësit duhet të kenë kohë të përgatiten.

“Nëse kalojnë në mësimin online, atëherë mësimdhënësit duhet të kenë afat dy tri ditë të përgatiten, sepse shumica nuk kanë laptopë, po ashtu edhe prindërit duhet të përgatiten. Ky vit shkollor është më i vështiri nga të gjithë, pasi vitin e kaluar i ka prekur të moshuarit, kurse tani është i pamëshirshëm edhe për fëmijët edhe moshat e reja. Ky është një problem shtesë, dhe unë uroj që ata që janë deklaruar se janë të gatshëm të filloj procesi mësimor, të kenë përgatitjen e duhur”, theksoi ai.

Gjatë bisedës, Jasharaj tha se janë të gatshëm edhe nëse kalohet në mësimin online, por që gjithçka varet nga IKSHPK dhe Qeveria.

“Sot duhet të merret vendimi, dhe jo në momentin e fundit. Sa na përket neve, ne jemi për fillimin e vitit të ri shkollor, jemi të gatshëm jemi të vaksinuar, por e tëra i mbetet Qeverisë”, tha mes tjerash ai.

Jasharaj tha se në këtë kohë të pandemisë, Qeveria duhet të bëjë zgjidhjen më të mirë.

“Këto dy vite ishin të vështira për ne, çdo shtyrje do të na krijojë probleme pastaj, sepse duhet zëvendësuar ditët e humbura, por qeveria duhet të bëjë zgjidhje, dhe nuk duhet të zgjas viti deri në korrik. Ndoshta do të ishte më mirë që pushimi pranveror të mos mbahet. Covidi po cakton rregulla që nuk na pëlqejnë, edhe prindërit edhe ne duhet t’i ruajmë fëmijët. Viti i ri shkollor është për fëmijë, Qeveria duhet të zgjedh mënyrën më të mirë që dija te shkojë të ta pa u dëmtuar shëndeti i tyre”, potencoi ai.

Ndryshe, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në takim që ka pasur me kryetarët e komunave ka propozuar që fillimi i vitit të ri shkollor të shtyhet deri më 26 shtator. / KultPlus.com

Dua Lipa publikon versionin e ri të “Cold Heart” (VIDEO)

Dua Lipa ka vazhduar me publikimin e projekteve të reja dhe këtë herë artistja ka lansuar versionin ‘remix’ të këngës “Cold Heart”.

Në versionin origjinal, Dua ka bashkëpunuar me legjendën e muzikës, Elton John, ndërsa tani kënga është realizuar ‘remix’ nga DJ e njohur amerikane, The Blessed Madonna.

Treshja e famshme e artistëve kanë publikuar këngën vetëm në versionin audio, ndërsa The Blessed Madonna është shprehur e lumtur për këtë bashkëpunim.

“Ashtu si pothuajse të gjithë në planet, unë mahnitem nga Elton John dhe Dua Lipa. Ishte një nder kaq i madh të më kërkohej të isha pjesë e bashkëpunimit të tyre, i cili është një projekt kaq i bukur. Menjëherë më pëlqeu kënga dhe u përpoqa shumë për ta bërë atë mirë. Nuk është gjë tjetër veçse gëzim i madh të jesh në orbitën e këtyre ikonave dhe zemrave të tyre të mëdha e të ngrohta të bukura. Unë i vlerësoj të gjithë ju që do ta dëgjoni”, është shprehur The Blessed Madonna.

Kjo nuk është hera e parë që Dua bashkëpunon me The Blessed Madonna, dy muzikantet më parë kanë realizuar edhe versionin ‘remix’ të këngës “Levitating”, bashkë me Missy Elliott dhe Madonna.

Në anën tjetër artistja shqiptare së fundi ka realizuar një tjetër kampanjë për markën e njohur “Versace”, ku u shfaq me flokë të gjata me ngjyrë të kuqe, ndërsa falënderoi Donatella Versace që ia besoi promovimin e koleksionit të ri. / KultPlus.com

(Photo by Ryan Pierse/Getty Images)

Masat e reja që pritet të hyjnë në fuqi pas 13 shtatorit

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka mbajtur sot takim virtual me kryetarët e komunave, me të cilët ka diskutuar rreth masave të reja që do të hyjnë në fuqi pas datës 13 shtator.

Asociacioni i Komunave të Kosovës përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se ministri Vitia i ka njoftuar kryetarët për masat e reja që pritet të miratohen më 13 shtator dhe që do të jenë të vlefshme deri më 26 shtator.

Sipas këtij njoftimi, mësimi në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar nuk fillon para datës 26 shtator.

Takimet do të lejohen vetëm deri në 20 persona, me distancë 1.5 metra. Institucionet publike do të jenë të obliguara të punojnë vetëm me staf esencial.

Po ashtu, është bërë e ditur se gastronomia do të vazhdojë të punojë si me masat e deritanishme, deri në orën 21:30, duke u lejuar të shfrytëzohen vetëm hapësirat e jashtme.

Njëjtë do të veprohet edhe në pikat kufitare, ku qytetarët mbi moshën 16-vjeçare janë të obliguar të paraqesin certifikatën e vaksinimit ose testin PCR negativ, atë serologjik dhe atë rapid.

Qendrat kulturore dhe institucionet e kulturës në varësi të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe komunave, do të pezullojnë aktivitetet deri më 26 shtator.

Masat tjera do të vazhdojnë ashtu siç kannë qenë deri më tani.

AKK ka bërë të ditur se nga data 27 shtator, do të ketë masa të reja në varësi nga analizat dhe situata që mund të jetë në atë kohë. / KultPlus.com

Restaurimi i Kishës së Manastirit të Shën Marisë së Athalit, miratohet projekti

Kisha e Manastirit të Shën Marisë së Athalit, e ndërtuar në malin e Athalit, një ndër objektet më të rëndësishme të kultit për banorët e zonës do të restaurohet.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti njoftoi sot se Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale miratoi projektin për kryerjen e ndërhyrjeve restauruese-konsoliduese në kishën e Himarës.

Projekti, që do të konkretizohet falë financimit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, synon të rikthejë në jetë këtë monument kulture të kategorisë I, i cili sot paraqet dëmtime të shumta në strukturë, fasadë e interier.

Kisha e Shën Mërisë së Athalit është një ndër objektet më të rëndësishëm të kultit, për banorët e Himarës.

Kjo kishë ndodhet mbi një kodër rreth dy orë në lindje të qytetit të Himarës. Në një mbishkrimi që gjendet i pikturuar mbi portën perëndimore të kishës, thuhet se ndërtimi i saj u përfundua në 10 prill të vitit 1795. Kisha është e tipit bazilikë me tre nefe, me përmasa të brendshme 10,10 x 5,10 m.

Ambienti i altarit ndahet nga një ikonostas prej muri mjaft të lartë, me tri hyrje. Mbi frontonin e murit qendror ngrihet kambanorja, ndërsa në lindje përfundon me një absidë cilindrike.

Ambientet e naosit dhe altarit janë të pikturuara me afreske dhe mbishkrime me vlera të rëndësishme artistike dhe historike. Në krah të kishës ndodhet ndërtesa gjysmë e rrënuar e manastirit. Ajo është dykatëshe, kati i poshtëm i së cilës ka shërbyer për katoje, ndërsa i sipërmi për banim./atsh/KultPlus.com

‘Jo s’i harroj unë ata sy, që më ndiqnin në çdo çast e çdo moment’ (VIDEO)

Aleksandër Gjoka është një këngëtar dhe autor këngësh shumë i njohur.

 Është këngëtar i mirënjohur shqiptar dhe deri më tani ai ka të incizuara disa këngë por më e njohura ndër to është “Kuturu” një këngë shumë e bukur e cila dëgjohet edhe sot.

Poashtu ai është pjesëmarrës i disa edicioneve të festivalit “Kënga Magjike”.

Sot, KultPlus ua risjell tekstin dhe videon e këngës ‘Dashurisë së shkuar’:

Sytë e tu i ndesha këtë natë,
Tek eci vetëm në mërzi,
Vallë a do më flisje prapë,
E me veten time ndjej çudi
.

Koha pa ne mbeti e ngratë,
Une i pafat në dashuri,
Sa kujtime kthehen pas,
A më sjell në mendje ti tani.

Jo s’i harroj unë ata sy,
Që më ndiqnin në çdo çast,
E çdo moment,
Skam harruar puthjet mjaltë,
Dhe pse fshehur ne i lamë diku atje.

Hej të thërras e të mendoj,
Ndaj të lutem,
Sot afrohu të takoj,
Ndonëse vitet ikin shpejt,
Përse na ndanë
.

Sytë e tu i ndesha këtë natë,
Tek eci vetëm në mërzi,
Vallë a do më flisje prapë,
E me veten time ndjej çudi
.

Koha pa ne mbeti e ngratë,
Une i pafat në dashuri,
Sa kujtime kthehen pas,
A më sjell në mendje ti tani.

Jo s’i harroj unë ata sy,
Që më ndiqnin në çdo çast,
E çdo moment,
Skam harruar puthjet mjaltë,
Dhe pse fshehur ne i lamë diku atje
.

Hej të thërras e të mendoj,
Ndaj të lutem,
Sot afrohu të takoj,
Ndonëse vitet ikin shpejt,
Përse na ndanë
.

Hej të thërras e të mendoj,
Ndaj të lutem,
Sot afrohu të takoj,
Ndonëse vitet ikin shpejt.

Përse na ndanë,
Përse na ndanë
./KultPlus.com

Java e Modës në New York, Rita Ora shpërblehet me çmimin “Ikona e Stilit”

Ato janë dy nga artistet më të famshme të muzikës në Mbretërinë e Bashkuar.

Këngëtaret e famshme Rita Ora dhe Charli XCX dukeshin tejet me stil të enjten në mbrëmje teksa bënë një shfaqje mbresëlënëse në “Daily Front Row’s Fashion Media Awards”, të organizuar në Rainbow Room në Rockefeller Center të New Yorkut.

Interpretuesja e hitit “Hot Right Now”, 30 vjeçe, bëri një hyre klasike në event e veshur me një fustan të zi, ndërsa këngëtarja tjetër e hitit “Fancy”, 29 vjeçe, dukej gjithashtu glamuroze në ngjyrën vjollcë, shkruan DailyMail.

Artistja shqiptare me renome botërore u shpërblye në këtë mbrëmje me çmimin e Ikonës së Stilit, kështu që natyrisht ishte e etur për ta shijuar mbrëmjen në maksimum.

Veshja e saj e zezë me mëngë voluminoze e bëri 30-vjeçaren të dukej tejet atraktive, ndërsa vuri në pah linjat e saj trupore.

Ajo e rriti lartësinë e saj me një palë këpucë të zeza dhe i mbajti aksesorët në minimum për të lejuar që dekolteja me pupla të zërë vendin e parë.

Duke i kthyer flokët e saj bionde nga fytyra, Rita dukej edhe më tërheqëse ndërsa i kishte sytë e lyer errët dhe kishte vendosur pak shkëlqim në buzët e saj./KultPlus.com

Shtyhet sërish viti i ri shkollor


Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka takuar sot përfaqësues të Asociacionit të Komunave të Kosovës, për të diskutuar për masat anti-COVID.

Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka deklaruar për Express se mësimi parauniversitar është pezulluar deri më 26 shtator.

“Shkollimi parauniversitar pezullohet deri më 26 shtator”, ka deklaruar Ibrahimi.

Ndryshe, mësimi ishte paraparë të fillonte më 13 shtator./KultPlus.com

Javën e ardhshme në Kosovë fillon ‘Festivali i Arkitetkurës’

Javën e ardhshme fillon edicioni i 9-të i ‘Festivalit të Arkitekturës’ në Kosovë. Edicioni që sivjet për temë ka “Alter-Nation” do fillojë me ligjeratat në  Kino Armata më 16 dhe 17 Shtator dhe puntoritë në ICK më 15 shtator.

Ligjeruesit kryesorë të javës së parë janë: Alison Brooks – arkitekte britaneze, Asif Khan – arkitekt dhe dizajner nga Londra, Marisa Jahn dhe Rafi Segal  profesorw ne Massachusetts Institute of Technology, Carlos Lanuza – arkitekt nga Barcelona dhe Alexander Auris nga Brukseli.

Dy arkitektët e fundit do udhëheqin edhe puntoritë “Prishtina Queer Commons”-Auris dhe puntorinë ‘newarkitekturë – Lanuza’.

Javëve në vazhdim aktivitetet do të mbahen online me puntori dhe ligjeratë tjetër nga Local Studio nga Norvegjia, si dhe ligjerata nga Rosa Rogina nga London Festival of Architecture, Frani O’Toole nga Amerika dhe Materia Prima nga Mexico City.

Muaji i festivalit do të perfundojë me dy ligjerata në Prishtinë nga Suhair Khan, udhëheqese e projekteve strategjike ne Google dhe nga Sumayya Vally, Counterspace e cila është dizajnerja me e re e Serpentine Pavilion që është i ekspozuar për momentin në Londër./KultPlus.com

‘Një kalimtareje’

– Poezi nga Charles Baudelaire

Rruga rreth e rrotull zjente e zhurmonte.
Veshur në të zeza në dhimbje madhështore,
një grua shkoi duke tundur plot salltanet,
kindet e dantellat e fustanit të saj të gjatë

Po pija në mejhane i përhumbur, tapë e ekstravagant
kur ajo kaloi para meje, me kembë prej statuje e fisnike
si shqiponjë. E, thellë në sytë e saj, qiell gri ku lind urugani,
pashë embëlsinë që magjeps e epshin që vret…

Ish një vetëtimë verbuese e pastaj u bë… natë!
O bukuri kalimtare që më bëre të fluturoj me krahë,
vallë, s’do të shoh më, në këtë jete a në eternitet?

Ajo iku e humbi mes turmës! S’do t’a shihja kurrë!
Nuk dija ku vinte e as ajo s’dinte ku shkoja unë.
Por, oh, qeshë i bindur! Po, qeshë i sigurtë!
Ajo do ish gruaja që do të kisha dashuruar…/KultPlus.com