Prej datës 30 gusht po vijojnë aktivitet e programuara për të festuar 533 vjetorin e Horës së Arbëreshëve.
Aktivitetet janë realizuar në dy vende në Horën e Arbëreshëve në Siçili dhe në Cerzeto në Kalabri.
Agjencia Kombëtare e Diasporës vazhdon aktivitetet në komunitetin Arbëresh në Itali. AKD në bashkëpunim me komunën Cerzeto në Kalabri dhe me mbështetjen e Ministrit të Shtetit për Diasporën sot do të zhvillojë aktivitetin “Udhëtimi i Zemrës”, ku do të zhvillohen takime me përfaqësues të këtij komuniteti dhe do të diskutohen çështje me elementë kulturor, antropologjik, historik që bashkojnë veçoritë midis Italisë dhe Shqipërisë ndër shekuj.
Pjesë e këtij eventi, do të jetë dhe organizimi i një koncerti artistik “Tinguj jete midis tokës dhe detit”, me veprat e kompozitorit Aulon Naçi, me ndërthurje të muzikës klasike, instrumenteve dhe poezive arbëreshe.
E pranishme në aktivitet, Drejtoresha e Studimeve në QSPA ka kontribuuar në përzgjedhjen e materialeve letrare që do të interpretohen sot.
Kujtojmë se gjatë ditës së parë Drejtoresha e AKD, Sonila Hysi zhvilloi një takim me Kryetarin e Bashkisë “Hora e Arbëreshëve”, Rosario Petta, si dhe me përfaqësues të përfaqësisë diplomatike.Gjithashtu morën pjesë në meshën e zhvilluar në gjuhën shqipe. Një ekspozitë me botime të Qendrës Studimore për Arbëreshët shfaqi interes ndër komunitetin arbëresh. Gjatë ditës Drejtoresha Ekzekutive e AKD, Sonila Hysi u mirëprit sot nga Kryetari i Bashkisë së Palermo Prof. Leoluca Orlando. / KultPlus.com
Nëpër fusha e nëpër male Fryn murlani me stuhi O murlan, njat frymën ndale Ndal ti, o akull, mos më ngri. Mos ma ngrini këtë pikë gjak! -Struku, struku, i shkreti plak. Po del dimni me kosë në dorë, Gjeth e bar i ka kositë; Qet ballkoni pjalm e borë, E plak-shkreta, tue mërdhitë, I thotë vedit me za pak: -Struku, struku, i shkreti plak. / KultPlus.com
Pas largimit të forcave amerikane dhe atyre të NATO-s nga Afganistani, talibanët besohet se kanë arritur të marrin nën kontroll mjete luftarake tokësore dhe ajrore me vlerë miliona dollarë, duke rritur ndjeshëm fuqinë e tyre.
Sipas një bilanci paraprak të mjeteve luftarake që kanë mbetur, besohet se xhihadistët kanë tani në zotërim më shumë mjete ajrore se sa 1/3-ta e vendeve anëtare të NATO-s. Për krahasim, talibanët besohet se kanë në zotërim 48 mjete ajrore luftarake, ndërsa Shqipëria 19.
Përgjatë muajve të fundit, talibanët kanë marrë nën kontroll 10 baza ajrore dhe të mërkurën kanë nisur një operacion me një helikopter Black Hawk, me vlerë 6 milionë dollarë, në Luginën Panjshir, ku është përqendruar një grup luftëtarësh të rezistencës afgane.
Raportohet se drejtuesit talibanë kanë instruktuar ndjekësit e tyre që të gjejnë të gjithë pilotët afganë të këtyre mjeteve ushtarake, që kanë kryer stërvitje intensive me ushtarët e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve aleate. Avioni më i rëndësishëm i sekuestruar nga Talibanët ishte në aeroportin e Kabulit, një model Hercules me vlerë 14 milionë dollarë.
Forcat Ajrore të Afganistanit kishin në përdorim 167 mjete ajrore, 108 helikopterë dhe 59 avionë, sipas inventarit të fundit të bërë nga qeveria amerikane më 30 qershor 2021. Para rënies së Kabulit, Uzbekistani konfirmoi se 22 avionë dhe 24 helikopterë kishin mbërritur në vend për të shmangur marrjen e tyre nga talibanët. Ndërsa gjenerali amerikan Frank McKenzie, tha se trupat amerikane kishin shkatërruar 73 avionë dhe helikopterë, para se të largoheshin nga vendi të hënën. / KultPlus.com
Këngëtarja Bebe Rexha së fundmi ka dhuruar 10 mijë dollarë për Spitalin e Dibrës ndërsa u bën thirrje të gjithë ndjekësve të saj në rrjete sociale për të dhënë ndihmën e tyre.
Spitali i Dibrës nuk ka mjaftueshëm furnizime ndërsa ditët e fundit është i stërmbushur me pacientë me koronavirus.
Artistja me famë botërore, përmes një postimi në ‘Instastory’ kërkon ndihmë nga ndjekësit dhe shkruan: “Për të gjithë shqiptarët e mi dhe dibranët ju lutem ndihmoni. Nuk ka mjaftueshëm furnizime. Ju lutem ndihmoni duke dhuruar. Çdo gjë ndihmon”, ka shkruar Bebe Rexha në thirrjen e saj publike në “InstaStory”, e cila shton: “Ju lutem ndihmoni, nuk ka mjaftueshëm furnizime”.
Këngëtarja ka postuar gjithashtu linkun nga ku mund të dhurohen online para për spitalin. Siç vihet re, deri më tani janë mbledhur 33.280 dollarë, ku 10 mijë janë dhuruar nga ajo vetë. / KultPlus.com
105 vjet më parë, më datë 1 shtator të vitit 1916 në Shkodër, u themelua dhe filloi veprimtarinë e saj, Komisia Letrare Shqipe.
I konsideruar si institucioni i parë në rrafshin albanologjik, Komisia Letrare Shqipe, u krijua me nismën e Akademisë së Shkencave të Vjenës, 8 vjet pas njësimit të alfabetit të përbashkët të gjuhës shqipe më 1908 në Manastir dhe ishte një tjetër hap i rëndësishëm për standardizimin e gjuhës, si dhe një nga ngjarjet më të rëndësishme për kulturën shqiptare në përgjithësi e të gjuhësisë në veçanti.
Ky institucion hartoi “Rregulla mbi ortografinë e gjuhës shqipe” që u bë një nga bazat mbi të cilat u vendos gjuha standarde shqipe. Komisia kodifikoi për herë të parë drejtshkrimin e gjuhës letrare, terminologjinë shkollore e administrative me bazë elbasanishten dhe çoi më përpara njësimin e gjuhës letrare dhe kodifikimin e drejtshkrimit të saj, duke i afruar më shumë të dy variantet letrare.
Komisia ishte një këshill i formuar nga intelektualët më në zë të kohës mbi çështjen e gjuhës shqipe, dhe mjaft albanologë të huaj. Pjesëmarrës të saj ishin intelektualë të njohur brenda dhe jashtë vendit, personalitete të kulturës kombëtare, ekspertë të të gjitha fushave, njohës të të gjitha gjuhëve klasike dhe moderne të kontinentit evropian, si dhe të zhvillimit arsimor e kulturor të vendeve të përparuara.
Me një përfaqësi të tillë synohej “bashkimi i një elite intelektuale të fuqishme” dhe gjetja e zgjidhjes së problemeve më të mprehta dhe të ngutshme të gjuhës, letërsisë, arsimit dhe kulturës kombëtare.
Ndër ta përmendim: Luigj Gurakuqi, At Gjergj Fishta, Sotir Peci, Dom Ndre Mjeda, Mati Logoreci, At Ambroz Marlaskaj, dr.Gjergj Pekmezi, Hilë Mosi, Aleksandër Xhuvani, Maksimilian Lamberci, Rajko Nahtigal, Imzot Vinçens Prenushi etj.. / KultPlus.com
Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet ka bërë të ditur se festivali ndërkombëtar për artiste dhe aktiviste është shtyrë për shkak të situatës të përkeqësuar me Covid-19 dhe versionin Delta, përcjellë KultPlus.
“Masat e Qeverisë kanë bërë që Artpolis të marrë vendim për shtyrje të Festivalit FemArt për javën e parë të tetorit. Më 1-6 tetor 2021 FemArt do të jetë sërish afër publikut me shfaqje, performanca, muzikë, poezi, ekspozita, punëtori, raporte e konferenca përmes edicionit të 9-të, që vjen me moton “F… Seksizmit””, thuhet në njoftimin e tyre.
Festivali ‘FemArt’ do të mbahet me respektim të plotë të masave kundër Covid-19 dhe versioni Delta, e vetëm personat e vaksinuar do të mund të jenë prezent në këto aktivitete artistike. / KultPlus.com
Koreografi, Robert Nuha do ta përfaqësojë Kosovën në festivalin e vallëzimit bashkëkohor ‘Solo Dance Festival’ në Ankara të Turqisë.
Njoftimin e ka bërë vetë koreografi përmes një postimi në rrjetin social Facebook, shkruan KultPlus.
“I lumtur të njoftoj se do të përfaqësoj Kosovën në stilin bashkëkohorë @solodanceankara në @kermodern në Ankara, Turqi nga data 3 deri 5 shtator! Me performancën time Solo “InOuT” e cila pati premierën botërore në ‘Laiks Dejot Festival në Riga’, në Letoni një javë më parë! Faleminderit festivalit dhe @kosovo_in_ankara @emumxhiu për ftesën!”, ka shkruar Nuha.
Robert Nuha më herët ka marrë pjesë në një numër të madh projektesh artistike, me artistë shqiptarë dhe të huaj, duke prezantuar punët e tij në festivale të ndryshme në Gjermani, Itali, Zvicërr, Kroaci, Letoni etj. / KultPlus.com
Në hollin kryesor të Muzeut Historik Kombëtar u çel sot ekspozita me titull: “Katundet arbëreshe”. Kjo ekspozitë pasqyron shpirtin arbëresh, i cili dëshmon përkatësinë e vet etnike.
Ekspozita, e cila do të qëndrojë një javë e hapur, është përfytyruar, duke menduar gjithë shqiptarët në botë, me dëshirën për të njohur gjakun e kombit shqiptar të shpërndarë në luftëra të shumta.
Risi e kësaj ekspozite janë 2 libra, që ekspozohen për herë të parë:1-“Saggio di Grammatologia Comparata sulla lingua”, me autor Dhimitër Kamardrën.2-“Canti tradizionali ed altri saggi delle colonie”, me autor Zef Skiroin. Gjithashtu përbën risi një brez metalik që vjen nga Hora e Arbëreshëve me një paftë ku paraqitet Shën Gjergji hipur në në kalë.
Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, në fjalën e tij tha se: “Në këto ditë të trashëgimisë kulturore në të cilat ne synojmë nxitjen dhe zhvillimin e aktiviteteve promovuese kjo ekspozitë të nxit dhe të shtyn në gjurmime të tjera historike e etnografike mbi bashkësitë arbëreshe, origjinën e veshjes, modifikimet që kanë ndodhur etj.”
“Katundet arbëreshe në Itali filluan të formohen në shek. XV dhe formimi i tyre u plotësua në shek. XVIII. Kolonitë arbëreshe mbëritën në Itali në valë të ndryshme duke sjellë në mërgim, bashkë me gjuhën amtare edhe kostumet e traditat kulturore në kohën e mërgimit. Këtë pasuri shpirtërore arbëreshët e kanë ruajtur gjithmonë me këmbëngulje deri në ditët e sotme. Arbëreshët bashkë me emrin e tyre të vjetër etnik që e morën nga mëmëdheu, ruajtën edhe kultin e Heroit Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Këto grupe të popullsisë arbëreshe nuk u shkrinë dot me popullsinë vendase, por ruajtën dhe lartësuan me krenari identitetin etnik origjinal që ka ardhur përtej shekujve në forma të shumëllojshme, duke e shprehur në jetën e përditshme, në shprehjet artistike, traditat gojore dhe letrare”.
Kjo ekspozitë do të qëndrojë rreth 1 javë e hapur, por që sigurisht ne do të mundohemi që nëpërmjet kontakteve që kemi me shkollat 9-vjeçare, apo dhe me shkollat e mesme të arrijmë të bëjmë të mundur biseda të ndryshme gjatë kësaj kohe, për të njohur më mirë botën arbëreshe nga ana e brezit tonë të ri” përfundoi drejtori Koçi. / KultPlus.com
“L’Unità” ka botuar, të enjten e 27 majit 1982, në faqen n°14, një shkrim në lidhje me ekspozitën e piktorit të shquar shqiptar Ibrahim Kodra në Romë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar.
Ibrahim Kodra në “Nuovo Carpine”
Çdo gjë që është e gjallë lidhet me dritën, me detin, me verën
Burimi : L’Unità, e enjte, 27 maj 1982, f.14
Ibrahim Kodra. Galeria “Nuovo Carpine”, rruga Mantellate n°30; deri më 31 maj; nga ora 10:13 paradite deri në 5:20 pasdite.
Shqiptari Kodra, në Milano, është në shtëpi (vendas); në Romë, ai është pothuajse një i panjohur. Kjo antologji, me piktura nga viti 1945 e deri më sot dhe qeramika shumë të bukura të formave dhe ngjyrave, na bën të njohim rrugëtimin dhe duhet thënë menjëherë se, në fund, ajo që vërtet shijon dhe mbetet në kujtesë është drita e tij e detit me lojëra të lumtura të peshqve dhe zogjve dhe ai tingull i flautit dhe kitarës që vjen nga figurat e tij po aq të lumtura të muzikantëve mesdhetarë.
Mua më duket qartë se ata vijnë nga muzikantët harlekinë të Pikasos si gjithë figuracioni post-kubist (pas periudhës së Antibes) të robotëve që kanë gjetur një mënyrë për të shijuar gjithsesi diellin. Kodra përdor mënyrën e tij, disi monotone, e cila gjithmonë skematizon figurën njerëzore me një vëllim obsesiv në përsëritje, por të këndshme në shije.
Monotonia ndonjëherë shpengohet nga transparenca e bukur e dritës dhe nga ajo ndjenjë e ngjyrave që marrin natyrën dhe gjërat njerëzore në det ose pranë detit. Dikush sheh rrënjë bizantine në figurat e tij mesdhetare. Kjo është e mundur, aq sa aspekti neokubist i formës i përshtatet pllakës së mozaikut dhe ngurtësisë ikonike.
Por unë këmbëngul, ajo që është e gjallë, në mënyrën e Kodrës, lidhet me detin, me dritën e tij, me kohën e meridianit veror. Robotët e tij, në fund të fundit, janë kukulla dhe grumbullimi i tyre në masë nuk tremb aspak. Sigurisht që nuk ka peshq dhe zogj të lirë apo vela të fryra nga erërat paqësore që janë figurat me të cilat lirizmi delikat i Kodrës është në gjendje të ngrihet.
Është publikuar traileri i shumëpritur i filmit “No Time To Die”, i cili u vonua për një kohë të gjatë për shkak të pandemisë.
Filmi aksion/aventurë do të publikohet më 30 shtator për të gjitha kinematë në Britani të Madhe dhe më 8 tetor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ky film u prit shumë gjatë edhe për shkak që Daniel Craig do të luajë për herë të fundit në rolin e “007”.
Ralph Fiennes në rolin e Ben, Whishaw në rolin e Naomie, Harris në rolin eMoneypenny; Rory Kinnear në rolin e Tanner; Jeffrey Wright në rol si CIA Agent Felix Leiter; dhe Léa Seydoux në rol si MI6 psychiatrist Madeleine Swann, janë disa nga emrat që do të jenë pjesë e “No Time To Die”./KultPlus.com
Në hollin kryesor të Muzeut Historik Kombëtar u çel sot ekspozita me titull: “Katundet arbëreshe”.
Kjo ekspozitë pasqyron shpirtin arbëresh, i cili dëshmon përkatësinë e vet etnike.
Ekspozita, e cila do të qëndrojë një javë e hapur, është përfytyruar, duke menduar gjithë shqiptarët në botë, me dëshirën për të njohur gjakun e kombit shqiptar të shpërndarë në luftëra të shumta.
Kjo ekspozitë të nxit dhe të shtyn në gjurmime të tjera historike e etnografike mbi bashkësitë arbëreshe.
Drejtori i Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi u shpreh në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se, “risia që sjell kjo ekspozitë, është një hapësirë panoramike e të gjithë fshatrave apo katundeve, siç është në gjuhën e tyre, të botës arbëreshe, e cila vjen nëpërmjet disa shpërnguljeve të mëdha, janë rreth 6 shpërngulje të cilat janë realizuar ndër vite, duke filluar nga e para dhe deri tek e fundit që shkon diku tek shekulli XVII-XVIII, për të treguar gjurmët e një kontinuiteti shpirtëror, etnik arbër, i cili u vendos në Italinë e Jugut”.
“Risia tjetër është që kjo shoqërohet me disa objekte origjinale, të cilat ne i kemi pjesë të pavijoneve tona, siç është kallamari origjinal i De Radës, i cili është një objekt që është dhuruar që më herët, që me themelimin e Muzeut Historik Kombëtar, por që sigurisht merr një rëndësi të veçantë duke menduar që kryeveprat më të rëndësishme të De Radës janë shkruar nëpërmjet këtij kallamari. Ashtu siç mund të themi dhe për dy libra origjinale si “Sprovë për një gramatikë të Gjuhës Shqipe”, nga Dhimitër Kamarda, të vitit 1866, “Mbledhje folklorike të poemave popullore arbëreshe” nga Zef Skiroi dhe një paftë origjinale të Shën Gjergjit, pra shenjtorit i cili shpesh herë në kulturën popullore arbëreshe identifikohet edhe me Gjergj Kastriot Skënderbeun”, theksoi Koçi për ATSH.
Më tej, Koçi nënvizoi se synimi i MHK ishte që, “me rastin e fillimit të muajit të trashëgimisë kulturore europiane në Shqipëri ta hapim pikërisht me këtë ekspozitë që iu dedikohet një komuniteti shumë vital, i cili është një urë bashkëpunimi kulturor midis Shqipërisë dhe Italisë, me një kontribut të jashtëzakonshëm në të dyja vendet, qoftë në kulturën shtetformuese italiane, në të cilën ata janë qytetarë tashmë prej 500 vitesh, por qoftë edhe në identitetin kulturor shpirtëror të shqiptarëve”.
Së dyti, theksoi Koçi, “kemi dashur që nën efektet e globalizmit, që shpeshherë ushtrojnë një presion mbi kulturat e vogla, mbi gjuhët e vogla, ne të sjellim një dëshmi të këtij komuniteti kaq vital edhe jetësor në Italinë e Jugut që ka mbajtur dhe ka ruajtur traditat e veta të hershme prej shumë kohësh, edhe të mbrojtura nga kartat e të drejtave për minoritetet gjuhësore dhe nëpërmjet konventave ndërkombëtare që shteti italian i respekton.
Së treti, shtoi Koçi, “kemi dashur që t’i japim një portë njohëse për shqiptarët, publikun kryeqytetas që viziton Muzeun Historik Kombëtar, të ketë mundësi që kur shkon në Italinë e Jugut, përveçse Barit dhe Salentos apo dhe vendeve të tjera, Brindisit, të vizitojë Kalabrinë dhe të vizitojë edhe ngulimet arbëreshe, sepse jam shumë i sigurt që do të gjejnë disa njerëz shumë fisnik, shumë bujarë, të cilët mbartin një kulturë shumë të hershme dhe do të dëgjojnë dialektin e tyre, por do të dëgjojnë edhe disa rrëfenja dhe do të shikojnë jetën e një komuniteti shumë vital”.
“Ashtu siç kemi dashur dhe për të huajt që vizitojnë Muzeun Historik Kombëtar gjatë kësaj kohe, të sezonit turistik, që në vitet e tyre të ardhshme, pra kur të vizitojnë Italinë e Jugut, të kenë mundësi që të njihen edhe me kulturën e këtij komuniteti të rëndësishëm arbëresh të vendosur në Itali”, u shpreh ai.
Ai nënvizoi se, “kjo ekspozitë do të qëndrojë rreth 1 javë e hapur, por që sigurisht ne do të mundohemi që nëpërmjet kontakteve që kemi me shkollat 9-vjeçare, apo dhe me shkollat e mesme të arrijmë të bëjmë të mundur biseda të ndryshme gjatë kësaj kohe, për të njohur më mirë botën arbëreshe nga ana e brezit tonë të ri”./atsh/KultPlus.com
Mbretëresha Margrethe II, monarku në fuqi i Danimarkës, do të dizajnojë skenat për një film të ardhshëm të Netflix të përshtatur nga një roman i Karen Blixen, është njoftuar së fundi.
Një fantazi romantike e vendosur në Mbretërinë përrallore të Babenhausen, Ehrengard do të drejtohet nga Bille August, regjisori veteran danez i Pelle the Conqueror (i cili fitoi Palmën e Artë dhe Oskarin për filmin më të mirë në gjuhë të huaj në 1988) dhe The Best Intentions (që fitoi në gusht Palmën e Artë të dytë), njofton Klankosova.tv.
Margrethe, e cila u ngjit në fronin danez në vitin 1972 dhe është komandante e përgjithshme e forcave mbrojtëse të Danimarkws, gjithashtu ka pasur një karrierë të gjatë si artiste, duke përfshirë vizatimin e ilustrimeve për botimet daneze të Lord of the Rings, dhe ekspozita në galeri përfshirë Muzeun Arken të Artit Modern në Ishoj pranë Kopenhagenit.
Ajo gjithashtu ka merita në ekran si stiliste e prodhimit në përrallën fantastike të vitit 2009 The Wild Swans (Mjellmat e egra), dhe një adaptim të filmit të shkurtër të Hans Christian Andersen në vitin 2000./KultPlus.com
Inkurajohen gratë shtatëzëna, nënat gjidhënëse dhe gratë që planifikojnë shtatzëni, të vaksinohen për të mbrojtur veten nga COVID-19.
Vaksinimi është detyrë qytetare dhe vetëm përmes vaksinimit mund të mbrojmë vetën, familjen dhe vendin, thuhet në thirrjen e MSh-së.
Dr.Pranvera Zejnullahu-Raci, u ka bërë apel grave që të vendosin për vaksinim, pasi thotë se nënat gjidhënëse duke u vaksinuar ndihmojnë edhe në shtimin e imunitetit të foshnjes së tyre.
Princesha Diana donte të transferohej në Kaliforni dhe të bënte filma pas kamerës-një ngjashmëri e mrekullueshme me dëshirat e nuses së saj Meghan, ka zbuluar së fundmi një burim për DailyMail.
Stewart Pearce, i cili po thyen heshtjen e tij për planet e princeshës për herë të parë në 24 vjetorin e vdekjes së saj, tha se Diana planifikoi të merrte djemtë William dhe Harry në ShBA ndërsa romanca e saj lulëzonte me Dodi Fayed.
Stewart i cili u miqësua me princeshën në vitet para vdekjes së saj thotë se Diana po zhvillonte një karrierë në Hollywood, por nuk ishte e interesuar të bëhej aktore.
Ndërsa Kevin Costner i kërkoi asaj një vazhdim të mundshëm të filmit të tij të vitit 1992, “The Bodyguard”, ambiciet e saj ishin pas kamerave.
Pearce tha se Princesha e Uellsit, e cila vdiq në një aksident fatal me veturë të dielën e 31 gushtit 1997, kishte në plan një zhvendosje në Malibu, Kaliforni, si çelës për të punuar në karrierën e saj në televizion.
Por ai hodhi poshtë spekulimet se shoqja e tij e ngushtë ishte ose shtatzënë ose po planifikonte të martohej me regjisorin Fayed.
Pearce, 68 vjeç, mësoi për planet e Dianës gjatë viteve të tij si trajner privat i zërimit, punë të cilën e filloi në vitin 1995.
Trajneri, i cili kaloi kohë me nënën e dy fëmijëve vetëm disa ditë para vdekjes së saj, në moshën 36-vjeçare, në një aksident me veturë me shpejtësi të madhe në një tunel parisian, zbuloi: “Kishte një numër projektesh të mëdha që po krijonin në vetëdijen e saj përmes ofertave që i ishin ofruar asaj”.
“Por një nga mundësitë kryesore që ajo donte të krijonte, ishte të fillonte zhvillimin e dokumentarëve për tri interesa bamirësie që më pas do të asimiloheshin në fotografitë kryesore të filmit”, tha ai. “Ajo po planifikonte të kalonte shumë kohë në Hollywood”, thekson miku i saj.
“Çështja ishte se Diana me të vërtetë kishte filluar të eksploronte fuqinë e saj krijuese”, shtoi ai.
Pearce shtoi se Diana po konsultohej me regjisorët dhe agjentët kryesorë të Hollywoodit për ambiciet e saj për të bërë filma.
“Çdo gjë që ajo bëri ishte nënshkruar me autografin e përsosmërisë, që do të thotë se ajo u konsultua me njerëzit e duhur”, tha ai.
“Bëhej fjalë për shkallën më të lartë të opinioneve që mund të mbaheshin për menaxhimin më të madh të projektit”.
“Kështu që unë e di se këdo që ajo punësoi ose punoi në lidhje me të do të kishte qenë një standard i shkëlqyeshëm duke lëvizur drejt mundësisë së një statusi fitues të çmimeve. Nuk ka dyshim. Ajo ishte e mbushur me veprimin e bashkë-krijimtarisë”.
Nuk ishte vetëm fama mbretërore e Dianës, e cila e bëri atë një përshtatje natyrale për botën e arteve dhe Hollywoodin.
“Industritë krijuese bazohen në komunikimin e hapur”, tha Pearce. Dhe ajo ishte një komunikuese e aftë.
“Një nga gjërat që ajo ishte në gjendje të bënte ishte të ishte menjëherë e arritshme nga diçka që ajo do të thoshte. Natyrisht reputacioni i saj i parapriu asaj. Ajo e bëri lëvizjen e parë gjithmonë. Do të ishte një prekje e butë për mënyrën se si personi dukej apo ishte veshur”, thekson ai.
“I dua këpucët e tua. Ku i ke marrë ato?”, për shembull ishte një nga frazat e modestisë që e afronte Dianën deri edhe me njerëzit më të thjeshtë.
“Këto prekje të menjëhershme, të cilat ajo i aplikoi, janë kaq joshëse dhe magjepsëse duke u shprehur përmes pafajësisë dhe argëtimit me sytë e saj të ndritshëm blu. Njerëzit u ndjenë menjëherë të dashur nga ajo”.
Komunikimi ishte gjithmonë plotësisht i hapur. Ajo e kishte shumë të lehtë të krijonte kontakte me artistët kryesorë.
Pearce shtoi se Diana kishte krijuar një miqësi të ngushtë me prodhuesin e respektuar të filmit britanik “Lord”, fitues të çmimit ‘Oscar’, David Puttnam, filmat e të cilit përfshijnë edhe: “The Killing Fields”, “Midnight Express” dhe “Memphis Belle”.
“Puttnam e ndihmoi atë të bënte kontakte kryesore të Hollywoodit. Por jeta e princeshës u ndërpre tragjikisht para se të takohej me ta”, tha Pearce.
“David po e këshillonte atë për një numër njerëzish me të cilët do të kontaktonte në vjeshtën e vitit 1997, por për fat të keq nuk i bëri ato takime”, tha ai për DailyMail.
Në mesin e viteve ’90, fituesja e ‘Oscar’, Costner iu drejtua Dianës, përmes kunatës së saj Sarah Ferguson, për të luajtur në vazhdimin e “The Bodyguard” me Whitney Houston.
Costner zbuloi se ai kishte një telefonatë me Dianën në lidhje me projektin, gjatë së cilës ajo pyeti nëse do të kishte një “skenë puthjesh”.
Sidoqoftë Pearce është e bindur se të bëhesh një zonjë kryesore nuk ishte kurrë në mendjen e saj.
“Jo, jo jo Kjo është diçka për të cilën Diana nuk ishte e interesuar, aspak”, tha ai për DailyMail. “Ju mund ta shihni sa i theksuar jam”, shtoi ai.
“Edhe pse ajo ishte një adhuruese dhe entuziastë e madhe për artet e shfaqjes, veçanërisht vallëzimin, [aktrimi] nuk ishte diçka që ajo e pa si trajektoren e saj të re krijuese”.
“Unë e mbaj mend atë duke folur për tekat e idesë së mrekullueshme të Kevin duke dalë përpara duke thënë se ne do të donim të bënim një film për ju”, shtoi ai.
Zbulimet rreth ambicieve të Dianës në Hollywood vijnë në 24 vjetorin e vdekjes së saj nga një aksident me makinë në Paris, gushtin e vitit 1997.
Pearce tha se para vdekjes së saj, Diana po shkonte në Los Angeles me Dodi Fayed.
Fayed, i cili ishte regjisor i “Chariots of Fire” inkurajoi të dashurën e tij të re të gjente zërin e saj në dokumentarë.
“Diana ishte ajo që ishte – Diana. Duket pak e turbullt, por ajo që dua të them është sharmi, buzëqeshja e saj dhe mënyra se si njerëzit e respektuan atë, që unë mendoj se do të kishte qenë një përfundim i paracaktuar se ajo do të kishte gjetur pika të lehta aksesi në kompanitë kryesore të prodhimit në të gjithë bregun perëndimor”, tha Pearce.
“Unë nuk e di se sa serioz ishte Dodi në përmbushjen e praktikës së tij si producent. Këto ishin vetëm mundësitë që diskutoheshin”.
“Nuk e di me kë po fliste. Por ajo më pyeti: ‘A mendoni se kjo është një ide e mirë, dhe foli për dokumentarë dhe për tiparet kryesore të filmit”.
I pyetur nëse puna e saj do të ishte e vlefshme për çmime si ‘Oscar’ apo ‘Emmy’, ai tha: “Jam i sigurt se do të kishte qenë shumë e lehtë për të që të arrinte arritje”.
Pearce pohon se Diana e divorcuar ishte në mes të një romance me Dodin, sesa një grua e vendosur për t’u martuar dhe krijuar një familje të re.
“Nuk ishte në mendjen e Dianës kur e pashë për herë të fundit, një javë para se ajo të shkonte për t’iu bashkuar Dodit në jaht, për të ikur në horizont me të”.
“Ajo në të vërtetë po kalonte një kohë të mrekullueshme, por brenda saj nuk kishte asnjë qëllim të martohej. Ajo me siguri nuk ishte shtatzënë. Kjo ishte një mundësi e mrekullueshme për të eksploruar jetën sibaritike, të luksit dhe kënaqësisë së pastër, sepse kjo është ajo që i ofrohej asaj. Ajo ndihej shumë e sigurt”.
Ata po shijonin trupat e njëri-tjetrit. “Zotëria i paepur”, ishte mënyra si e përshkroi Diana.
“Ai ishte gjithnjë mirësjellës, i sjellshëm, jo i zymtë por i sjellshëm. Kishte një butësi, brishtësi dhe cenueshmëri që ajo gëzonte aq shumë”.
Diana u bë e afërt me Pearce kur nën konfidencialitet të rreptë ai ndihmoi në përsosjen e zërit, gatishmërisë dhe shprehjes së saj nga viti 1995 deri në vdekjen e saj.
Në librin e tij, “Diana The Voice of Change”, Pearce shkroi sesi dyshja e rafinuan zërin e saj teknikisht, duke përdorur ushtrime mendore për të përmirësuar besimin, pavarësinë dhe vendosmërinë e saj.
Pearce tha se ai po planifikon të shkruajë më shumë për miken dhe nxënësen e tij.
“Unë tashmë kam filluar të shkruaj librin tjetër, i cili do të bazohet në trashëgiminë e Dianës. Pra, përsëri, vrulli me të vërtetë po ecën përpara. Unë jam absolutisht i emocionuar. Mendoj se është vërtet e mahnitshme që njerëzit e kanë gjetur të dobishëm kontributin tim modest”, tha ai./KultPlus.com
” Na ishte njëherë’- nga produksioni Framein me producent Arben Fejzullau dhe regjisor Ibër Deari, do të vijë shpejt në ekranin e televizionit shtetror të Maqedonisë së Veriut (MTV2), institucion nga i cili është mbështetur financiarisht.
Ky projekt vjen para shikuesve në formatin serial – film televiziv ku do të ketë gjithsej 10 episoda, çdo episodë ka kohëzgjatje prej 30 deri 35 minutash.
Ngjarje të bazuara në tregime shqiptare por të dramatizuara me kujdes dhe të punuara në skajshmeri nga një staf profesional.
Cdo episodë nga 10 sa janë për këtë sezonë nuk ngjasojnë mes vete.
Zhanri, aktorët, skenografia dhe qasja regjisorjale do të jenë të ndryshme në projektin “Na ishte njëherë” që për 10 javë do ju ofrojë shikuesve laramani temash e trajtime interesante të tregimeve te mocme Shqiptare.
PREMIERA e epsiodit te pare do jete me 5 shtator 2021, ora 21;00 ne TVM2
Netflix po nis vjeshtën me një numër të konsiderueshëm të filmave të ndryshëm, të cilët do t’u shoqërojnë që nga fillim i muajit shtator.
Në mesin e filmave që janë dramë origjinale, këtë muaj do të keni mundësi të shikoni “Worth” e cila do të vije më 3 shtator, krahas kësaj drame, “Money Heist(La Casa de Papel)”, do të publikojë në po të njëjtën datë pjesën e parë të sezonit të pestë dhe final, ndërsa pjesët tjera do të lansohen muajt në vazhdim.
1 shtator: Agatha Christie’s Crooked House Barbie Big City Big Dreams Blade Runner: The Final Cut (1982) The Blue Lagoon (1980) Chappie A Cinderella Story Clear and Present Danger Cliffhanger Cold Mountain Crocodile Dundee in Los Angeles Dear John Do the Right Thing Freedom Writers Green Lantern House Party House Party 2 House Party 3 How to Be a Cowboy The Interview Kid-E-Cats: Sezoni 2 Labyrinth Letters to Juliet Love Don’t Cost a Thing (2003) Mars Attacks! Marshall
2 shtator: Afterlife of the Party Final Account Q-Force
3 shtator: Dive Club Money Heist:
Sharkdog Worth
6 shtator: Countdown: Inspiration4 Mission to Space
7 shtator: Kid Cosmic: Sezoni 2 Octonauts: Above & Beyond On the Verge Untold: Breaking Point
8 shtator: The Circle: Sezoni 3 Into the Night: JJ+E
9 shtator: Blood Brothers: Malcolm X & Muhammad Ali The Women and the Murderer
10 shtator: Firedrake the Silver Dragon Kate Lucifer: The Final Season Metal Shop Masters Pokémon Master Journeys: The Series Prey Yowamushi Pedal Yowamushi Pedal Grande Road
13 shtator: Countdown: Inspiration4 Mission to Space
14 shtator: Jack Whitehall: Travels with My Father: Sezoni 5 A StoryBots Space Adventure The World’s Most Amazing Vacation Rentals: Sezoni 2 You vs. Wild: Out Cold
15 shtator: Nailed It!: Sezoni 6 Nightbooks Saved by the Bell: Sezoni 1-9 Schumacher Too Hot To Handle Latino
16 shtator: He-Man and the Masters of the Universe Jaws Jaws 2 Jaws 3 Jaws: The Revenge My Heroes Were Cowboys
17 shtator: Ankahi Kahaniya Chicago Party Aunt The Father Who Moves Mountains Sex Education: Sezoni 3 Squid Game The Stronghold
19 shtator: Dark Skies
20 shtator: Grown Ups
21 shtator: Go! Go! Cory Carson: Chrissy Takes the Wheel Love on the Spectrum: Sezoni 2
22 shtator: Confessions of an Invisible Girl Dear White People: Pjesa 4 Intrusion Jaguar Monsters Inside: The 24 Faces of Billy Milligan
23 shtator: Je Suis Karl
24 shtator: Blood & Water: Sezoni 2 Ganglands (Braqueurs) Jailbirds New Orleans Midnight Mass My Little Pony: A New Generation The Starling Vendetta: Truth, Lies and The Mafia
28 shtator: Ada Twist, Scientist Attack of the Hollywood Clichés!
29 shtator: The Chestnut Man Friendzone MeatEater: Sezoni 10 pjesa 1 No One Gets Out Alive Polly Pocket Sezoni 3 pjesa 1 Sounds Like Love
30 shtator: Love 101: Sezoni 2 Luna Park The Phantom./KultPlus.com
“Midwest Book Review” : “KOSOVA – VAZHDIMËSI E MBRETËRISË SË VJETËR TË DARDANISË”
Në vazhdën e interesimit gjithnjë e më të shtuar për “Kosovën” (botimi në anglisht) në SHBA, Midwest Book Review (Organizatë për kritikë letrare në rajonin Midwest), në kuadër të bibliotekës “The World Hostory” (Biblioteka: Histori botërore), sjell një vështrim të gjerë për veprën dhe rëndësinë e saj për opinionin amerikan.
Po sjellim një përmbledhje të shkurtër të shkrimit që boton “Midwest Book Review”:
“Seria trivëllimshme “Kosova” nga autori shqiptar Jusuf Buxhovi është vepër gjithpërfshirëse historie e vendit të vogël të Evropës, Kosovës. Duke dhënë një analizë të së kaluarës, nga antika deri në kohët moderne, Buxhovi e shquan Kosovën si vazhdimësi të mbretërisë së vjetër të Dardanisë – tokë e banuar nga shqiptarët gjatë gjithë historisë. Buxhovi është dukshëm i pandikuar nga animet e akademikëve të brumosur nga regjimi komunist. Si historian, ai përshkruan dhe zbërthen të kaluarën me korrektësi dhe baraspeshë, duke shqyrtuar këndvështrime të ndryshme dhe duke i pranuar argumentet e mirëndërtuara të dijetarëve vendas dhe të huaj. Përfundimisht, me këtë vështrim, Buxhovi e sheh Kosovën ose Dardaninë si pjesë të pandashme të territorit etnik shqiptar, si djep të zhvillimit përparimtar, dhe si vendlindje të individëve të shquar që dhanë ndihmesë për kombin e tyre dhe për qytetërimin perëndimor në tërësi.
Kritika: Vepër mbresëlënëse dhe themelore e mbështetur në punë hulumtuese të përpiktë, dhe me një përkthim të aftë anglisht nga skuadra e Getoar Mjekut, Avni Spahiut dhe Faton Bislimit, tri vëllimet që përbëjnë librin “Kosova” janë të shkruara, organizuara dhe paraqitura jashtëzakonisht mirë. Një ndërmarrje monumentale e shkallës më të lartë, me bashkëredaktorë Diane Tafilajn dhe Jason Frazer-in, “Kosova” e Jusuf Buxhovit është kontribut i rëndësisë kritike për historinë e rajonit dhe një botim thelbësor që bibliotekat akademike ta përfshijnë koleksionin mbi historinë evropiane në përgjithësi dhe në listat e studimeve shtesë mbi historinë shqiptare në veçanti./KultPlus.com
Ka ndërruar jetë aktori i teatrit të Gjilanit, Muharrem Sylejmani.
Lajmin e ka bërë të ditur Teatri i Gjilanit përmes një postimi në Facebook, shkruan KultPlus.com
Postimi i plotë:
Me pikëllim të thellë ju njoftojmë se sot, më 01.09.2021, ka ndërruar jetë Muharrem Sylejmani (1954 – 2021), i cili ishte një nga aktorët më të mirë dhe më të dashur të Teatrit të Gjilanit, bartës i mbi 30 roleve kryesore, regjisor i dhjetëra shfaqjeve, njeriu URË i këtij institucioni.
Teatri i Gjilanit shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqëve, kolegëve dhe gjithë atyre që e njohën Muharremin, i cili me karizmën e tij, urtësinë dhe dashurinë e madhe për teatrin ka lënë gjurmë të pashlyeshme në ndëtimin e vlerave dhe krijimin e teatrit tonë.
Pastë dritë shpirti yt, Muharrem! Do të të kujtojmë përherë!
Teatri i Gjilanit nuk është më i njëjtë pa ty!./KultPlus.com
Rreth 35 filma nga Greqia, Turqia, Bullgaria, Rumania, Shqipëria, Mali i Zi, Sllovenia dhe Kroacia janë në konkurrim në edicionin e 11-të të “Balkan Film Food Festival” që hap nesër siparin në Pogradec.
Filmi “Liqeni im” me skenar dhe regji nga Gjergj Xhuvani do të çelë edicionin e 11-të të “Balkan Film Food Festival”.
Përgjatë 5 ditëve (1-5 shtator), edicioni i 11-të i festivali ballkanik të filmit do të sjellë produksione të ndryshme filmash shqiptarë dhe të huaj, që do të jenë në konkurrim.
Drejtori artistik i festivalit, Eno Milkani, tha se këtë vit festivali sjell në konkurrim rreth 35 filma nga vendet e Ballkanit. Ai theksoi se janë në program 4 filma artistikë me metrazh të gjatë.
“Filmi “Liqeni im” është xhiruar në Prespë, dhe në një farë mënyre është si një lloj premiere dhe për vetë Pogradecin. Kemi në program filmin “Shpia e Agës” nga Lendita Zeqiraj, që është bashkëproduksion mes Kosovës dhe Shqipërisë, pastaj një film rumun “Mia misses her revenge” prodhim i vitit 2020, si dhe një film prodhim maqedonas “The happiness effect” dhe ky i vitit 2020″, tha Milkani.
Fatos Baxhaku është një nga krijuesit e festivalit dhe ky është viti i dytë që “Balkan Film Food Festival” zhvillohet pa të.
Drejtori artistik, Eno Milkani thotë se Pogradeci është përzgjedhur prej tij për këtë festival. Të ftuarit nuk kanë munguar çdo vit në festival. Aktorja Tinka Kurti, regjisori Piro Milkani, Mevlan Shanaj etj, do të jenë në ditët e festivalit.
Juria me anëtarë të huaj do të vlerësojë filmat që janë në konkurrim në këtë edicion. Në juri këtë vit janë Vincenzo Filippo, producent “Lupin Film Itali”, Eloise Verekeen aktore nga Franca dhe Marco Cicolini “Artinvita Festival Selector”, Itali.
Sa i takon pjesës së kulinarisë në festival, të ftuarit që janë turq, rumun, maqedonas, grekë do të kenë një turn në Lin, Volorekë, etj, për të provuar gatimet vendase.
Filmat e shkurtër dhe të studentëve
Në festival filmat me metrazh të shkurtër janë të ndarë në dy seksione. Seksioni i parë dhe i dytë, janë të ndarë në nënkategori, film student, film i shkurtër i financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, film dokumentar dhe fiction dhe filma vizatimor.
Sipas drejtorit artistik, Eno Milkani, në këtë program marrim pjesë rreth 30 filma të shkurtër, që gjithashtu do të jenë në konkurrim.
“Balkan Film Food Festival” me drejtor artistik Eno Milkanin dhe drejtore ekzekutive Gerta Qurkun këtë vit sjell dhe shtatë filma, që janë bërë nga studentët e gazetarisë së Elbasanit dhe të Shkodrës vjet në bashkëpunim me USAID.
Në program janë dhe pesë filma të shkurtër fitues nga festivali i Strumicës, që u zhvillua para dy javësh dhe do të shfaqen në ditën e fundit në “Balkan Film Food Festival”.
Filmat do të shfaqen në Odeonin e qytetit dhe në kinema. Çmimet do të jenë si çdo vit, “Filmi artistik me metrazh të gjatë më i mirë”, “Filmi artistik më i mirë i shkurtër”, etj./atsh/KultPlus.com
Posta Shqiptare nderoi tre etërit e albanologjisë, Gustav Meyer, Holger Pedersen, Norbert Jokli, profilet e të cilëve tashmë janë në pullat postare.
Përmes një njoftimi për shtyp, Akademia e Shkencave thekson se “tezat themelore të albanologjisë së sotme mbështeten në veprat e këtyre dijetarëve”.
Këta albanologë janë vlerësuar edhe nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, emrat e të cilëve i mban çmimi i madh shkencor ndërkombëtar në albanologii “Trinia e Albanologjisë: Myjer, Pedersen, Jokli”.
Ky çmim jepet periodikisht, por jo më rrallë se një herë në katër vjet, për vepra me rëndësi madhore të realizuara nga albanologë të huaj, që përforcojnë tezat themelore të dijeve për gjuhën, lashtësinë, vazhdimësinë, identitetin, trashëgiminë kulturore materiale e shpirtërore dhe historinë e shqiptarëve.
Çmimi “Trinia e Albanologjisë: Myjer, Pedersen, Jokli” do të ndahet në nëntor me rastin e mbajtjes së Kuvendit Ndërkombëtar të Studimeve Albanologjike./atsh/KultPlus.com
Bie prej qiellit a ngrihesh prej humnerës së thellë, O Bukuri! Shiki yt hyjnor dhe i djallëzuar,
Krimin me mirësinë ngatërruar, përherë na e ndjell,
Duke i ngjarë aq shumë shijes së verës së bekuar.
Sytë e tu strehojnë çdo perëndim dhe aurorë; E si një natë e stuhishme parfume shpërndajnë; Pthjet e tua janë melhem, goja jote një amforë, Që i bën trima vogëlushët e heronjtë të qajnë.
Gurgullon honeve të zi a yjeve të zjarrtë digjesh? Fati i magjepsur të ngjitet pas fundeve si një qen; Ti gjithcka në botë sundon e askujt s’i përgjigjesh, E kudo, rastësisht, gjëmën dhe harenë shpërthen.
Bukuri, ti marshon mes kufomave që ke përçmuar; Nga xhevahirët e tu, Tmerri nuk ka më pak magji, E Krimi, mes gjithë stringëllave të tua më i çmuar, Mbi barkun tënd, krenarisht vallëzon plot dashuri.
Flutura e natës e verbuar pas teje, të vjen afër, qiri, Fërfëllin, ndizet e thotë: I bekuar qofsh pishtar! I dashuruari ethshëm përkulet mbi të dashurën e tij, Si ai i plagosuri për vdekje përkëdhel të tijin varr.
S’ka rëndësi nëse Parajsën apo Ferrin ke për nënë, O Bukuri! Mostër e frikshme, e paanë, e lindur e lirë! Vallë buzëqeshja jote, syri yt, këmba, hapur ma lënë Portën, për atë pafundësi kurrë të njohur aq mirë?
S’ka rëndësi je Djall apo Zot! Ëngjëll a Sirenë të jesh, S’ka rëndësi nëse zanë me sy kadife që xixëllojnë butë, O parfum, ritëm, kthjelltësi, o e vetmja ime mbretëreshë! Bën universin më pak të shpifur, më pak të rëndë çdo minut’./KultPlus.com
Filmi “The Expendables” do të kthehet sërish në ekran me mision të ri, në të cilin përfshihen: Sylvester Stallone, Jason Statham e shumë aktorë të tjerë që iu bashkuan kastës së tyre.
Filmi i parë “The Expendables” u lansua në kinema në vitin 2010, me një kastë aktorësh dhe ikonash të viteve të 80-ta si dhe talentësh të rinjë. Dhe çdo pjesë e tij ka nga një hero. Por filmi i fundit ka shumë heronjë.
Seritë e këtij filmi kanë fituar mbi 804 milionë dollarë amerikan në mbarë botën.
Tani pasi që kaluan shtatë vite që prej realizimit të filmit të tretë, kompanitë Lionsgate dhe Millennium Media, do të sjellin në ekran pjesën e katërt “The Expendables” me aktorët: Stallone, Statham, Dolph Lundgren e Rabdy Couture, njofton revista Deadline. Nuk është bërë e qartë se edhe cilët aktorë nga grupi i mëparshëm do të kthehen në skenë.
Në filmat e mëparshëm, me role janë paraqitur edhe yjet tjerë, si Jean-Claude Van Damme, Chuck Norris, Bruce Willis, Arnold Schwarzenegger, Harrison Ford, Mell Gibson e Wesley Snipes.
Në filmin e ri u bashkuan edhe disa aktorë të rinjë, në mesin e tyre: 50 Cent, Tony Jaa dhe Megan Fox.
Xhirimet e filmit “The Expendables 4” do të fillojnë kah fundi i këtij viti. Regjinë e tij do ta bëjë Scott Waugh e skenarin Spenser Cohen.
Pritet që ky film të parqesë disa nga aventurat më të egra deri më sot.
Sipas informatave, aktori Statham do të jetë ylli kryesor i filmit, e Fox aktorja kreyesore.
Nuk është bërë e qartë se kur do të kenë shansin të shohin adhuruesit këtë film në ekranin e madh./KultPlus.com