“Gjuhët e rrezikuara dhe Diaspora” nis nesër në Tiranë konferenca ndërkombëtare

Për herë të parë në Shqipëri, për katër ditë radhazi, nga data 16-19 dhjetor 2021, Tirana do të kthehet në kryeqendrën e tubimit më të madh akademik ndërkombëtar, ku diskutohet mbi gjuhët që rrezikojnë të zhduken. FEL (Foundation for Endargered Languages) me seli në Londër dhe Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA) organizojnë konferencën ndërkombëtare: “Gjuhët e rrezikuara dhe diaspora”, ku një vëmendje e madhe do t’i kushtohet edhe një problemi shumë të mprehtë, të patrajtuar asnjëherë më parë në trajtë akademike të këtyre përmasave, pikërisht temës: “Gjendja e arbërishtes dhe studimet mbi të si gjuhë e rrezikuar e diasporës”.

Mes 70 studiuesve pjesëmarrës të konferencës, 54 prej tyre janë akademikë, sociolinguistë e linguistë që vijnë nga universitetet më të rëndësishme të botës, përkatësisht prej vendeve nga Europa, Azia, Amerika, Zelanda e Re dhe Australia.

Konferenca “Gjuhët e rrezikuara dhe diaspora” realizohet rregullisht çdo vit nga Fondacioni për Gjuhët e Rrezikuara (FEL) në bashkëpunim me universitetet dhe qendrat shkencore më të mira të botës dhe sivjet shënon edicionin e saj të 25-të. Në këtë vit jubilar, Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA) është zgjedhur zyrtarisht si institucioni pritës organizator i kësaj konference, gjë që përbën një mundësi të artë për kthimin e vëmendjes ndaj studimit të thelluar të gjuhës dhe të kulturës shqiptare edhe në arenën ndërkombëtare.

Konferenca nis  ditën e enjte, datë 16 dhjetor, ora 09.30, në mjediset e godinës universitare “Liria” (në hyrje të Qytetit Studenti).

Programin e plotë të konferencës e gjeni ketu:http://qspa.gov.al/wp-content/uploads/2021/12/Program_5-December.pdf?fbclid=IwAR1D-AFEn5dZ_lBc2jGyLdE2l3iX96UkXvQJdnbAee9DsNibPM_SESQKDWE

O moj Shqypni, e mjera Shqypni, kush te ka qitë me krye n’hi, ti ke pas kenë një zojë e randë, burrat e dheut të thirrshin nanë

Poezi e shkruar nga Pashko Vasa.

O moj Shqypni, e mjera Shqypni,
Kush te ka qitë me krye n’hi?
Ti ke pas kenë një zojë e randë,
Burrat e dheut të thirrshin nanë.
Ke pasë shumë t’mira e begati,
Me varza t’bukura e me djelm t’ri,
Gja e vend shumë, ara e bashtina,
Me armë të bardha, me pushkë ltina,
Me burra trima, me gra të dlira;
Ti ndër gjith shoqet ke kenë ma e mira.
Kur kriste pushka si me shkrep moti,
Zogu i shqyptarit gjithmonë i zoti
Ka kenë për luftë e n’luftë ka dekun
E dhunë mbrapa kurr s’i mbetun.
Kur ka lidhë besën burri i Shqypnisë,
I ka shti dridhën gjithë Rumelisë;
Ndër lufta t’rrebta gjithëkund ka ra,
Me faqe t’bardhë gjithmonë asht da.

Por sot, Shqypni, pa m’thuej si je?
Po sikur lisi i rrxuem përdhe,
Shkon bota sipri, me kambë, të shklet
E nji fjalë t’ambël askush s’ta flet.
Si mal me borë, si fushë me lule
Ke pas qenë veshun, sot je me crule,
E s’të ka mbetun as em’n as besë;
Vet e ke prishun për faqe t’zezë.

Shqyptar’, me vllazën jeni tuj u vra,
Ndër nji qind ceta jeni shpërnda;
Ca thone kam fè ca thonë kam din;
Njeni:”jam turk”, tjetri:”latin”
Do thonë: “Jam grek”, “shkje”-disa tjerë,
Por jemi vllazën t’gjith more t’mjerë!
Priftnit e hoxhët ju kanë hutue,
Për me ju damun me ju vorfnue!
Vjen njeri i huej e ju rri n’votër,
Me ju turpnue me grue e motër,
E për sa pare qi do t’fitoni,
Besën e t’parëve t’gjith e harroni,
Baheni robt e njerit t’huej,
Qi nuk ka gjuhën dhe gjakun tuej.
Qani ju shpata e ju dyfeqe,
Shqiptari u zu si zog ndër leqe!
Qani ju trima bashkë me ne,
Se ra Shqypnia me faqe n’dhe!
E s’i ka mbetun as bukë as mish,
As zjarm në votër, as dritë, as pishë;
As gjak në faqe, as nder ndër shokë,
Por asht rrëxue e bamun trokë!
Mblidhniu ju varza, mblidhniu ju gra,
M’ata sy t’bukur q’dini me qa,
Eni t’vajtojmë Shqypninë e mjerë,
Qi mbet’ e shkretë pa em’n, pa nder;
Ka mbet e vejë si grue pa burrë,
Ka mbet si nanë, qi s’pat djalë kurrë!
Kujt i ban zemra m’e e lan’ me dekë
Kët farë trimneshe, qi sot asht mekë?
Këtë nanë të dashtun a do ta lamë,
Qi njeri i huej ta shklasë me kambë?
Nuk, nuk! Këtë marrè askush s’e do
Këtë faqe t’zezë gjithkush e dro!
Para se t’hupet kështu Shqypnia,
Me pushkë n’dorë le t’desë trimnia!
Coniu, shqyptarë, prej gjumit çoniu,
Të gjithë si vllazën n’nji besë shtërngoniu,
E mos shikoni kisha e xhamia:
Feja e shqyptarit asht shqyptaria!
Qysh prej Tivarit deri n’Prevezë,
Gjithkund lshon dielli vap’edhe rrezë,
Asht tok’ e jona, prind na e kanë lanë
Kush mos na e preki, se desim t’tanë
Të desim si burrat që vdiqnë motit
Edhe mos marrohna përpara zotit./KultPlus.com

Mbretëria e rrënuar e Kosovës

Poezi nga Beqir Musliu

Zemra kemi mundur t’i nxjerrim në secilin trëndafil
Derisa bozhuret të ligjërojnë mbi atë mbretëri
Që është rrënuar deri në gurin e fundit të themelit
Përse nuk arritën ka krijojnë as pamjen e mykur

Këtu asgjë nuk është në atë vend siç ka qenë
As beteja që ka vallëzuar me koka dhe shpata
Zllapohet tash gjaku e bozhuret hanë vetveten
Në mungesë të bukës që e sosi mbretëria e marrë

Luftëtarët i varëm për degët e historisë
Kemi mundur t’i kërkojmë fëmijët tanë nëpër luftëra
Të cilët na i mësuan emrat si të stërgjyshërve
Apo i ndrydhën në këtë ditë që është jatagan

Nëse prapë zë fill beteja atëherë ku jemi ne
Do të ktheheshim në zanafillë apo do të mbylleshim
Në zemrat e bozhureve si në zemrat tona robër
Të ëndërrojmë parajsën e kuqe si vuajtjen tonë

Por këtu gjithçka tjetër është rrënuar përveç nesh. / KultPlus.com

Kur Adem Istrefi i shkruante Hasan Prishtinës: Kur ia vranë kryengritjes bacën, thanë ia shuan lirisë gacën…

Më poshtë KultPlus ju sjell një nga poezitë e shkrimtarit Adem Istrefi dedikuar Hasan Prishtinës:

Baca i kryengritjes

(Ndryshe si mund të quhej Hasan Prishtina)

Kur ia vranë kryengritjes bacën
Thanë ia shuan lirisë gacën…

Mbi shtratin e një topi po vjen
i mbështjellë me flamur rrethu me dashuri
Nga një cep Jugu në një cep në Veri

Mbi shtratin e një topi
e në shpirtin e një kombi

Po hyn i gjallë
Po vjen me u çmallë…

S’dimë ku të të pushojmë
S’dimë ku të të mbajmë
Çdo pëllëmbë shqiptare ta ka borxh një varr

Se në atë dhe të huaj të ftohtë e të zi
Një fije bar a një gjethe në degë
S’ta tundnin erërat mbi varr

E s’vinte Shqipëria me nëna e bij
Të të mbillte lule e këngë përmbi…

(Nga vëllimi ”Pasha këtë dhe”, Tiranë, 1982) / KultPlus.com

Adelina Marku, e para grua shqiptare që fiton çmimin “Mito Haxhivasilev-Jasmin”


Tosho Filipovski, Tomisllav Kezharovski, Marjanço Nikollovski dhe Adelina Marku janë fituesit e sivjetmë të çmimit shtetëror “Mito Haxhivasilev-Jasmin”.

Katër personalitet marrin çmime për punën e tyre dhe veprimtarinë që ka lënë ndikim në shoqëri. Adelina Marku është e para grua shqiptare që merr këtë çmim.

Ajo njihet për personalitetin e saj tejet karizmatik dhe është e njohur me kolumnat e me tekstet direkt dhe opinione të prera kurse kohë më parë ishte edhe drejtuese emisionesh në TV Alsat.

Çmimi “Mito Haxhivasilev-Jasmin” nuk është ndarë në dy vitet e fundit, prandaj dhe këtë vit ka një peshë shtesë, ndërkohë që konsiderohet si një nga çmimet më prestigjioze në fushën e gazetarisë dhe publicistikës.

Ceremonia e ndarjes së çmimeve do jetë më 21 dhjetor në sallën e kristaltë të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. / KultPlus.com

Alban Skenderaj paralajmëron projektin e ri “Spektatore”

Alban Skenderaj ka ndarë në rrjetet sociale pjesë nga projekti i tij i ri.

Ky projekt do të publikohet së bashku me videoklip dhe titullohet “Spektatore”.

“Vjen (jo edhe aq) shumë shpejt”, ishte mbishkrimi i artistit që shoqëronte videon e shkëputur nga ky projekt.

Alban Skenderaj para disa jave ka publikuar bashkëpunimin më bashkëshorten Miriam Cani. Kënga është pritur shumë mirë nga publiku. / KultPlus.com

Stilistja shqiptare, Nensi Dojaka përzgjedhet nga aktorja e njohur për premierën e filmit ‘Spider-Man’

Filmi i shumëpritur “Spider-Man: No Way Home” pati premierën botërore në Los Angeles të hënën, më 13 dhjetor.

Dhe Madison Beer ishte në mesin e yjeve që u shfaqën në tapetin e kuq për debutimin e vazhdimit të serive të filmit, me Tom Holland në rolin e Peter Parker / Spider-Man.

Beer, e cila tashmë ka shkruar shumicën e këngëve për albumin e saj të dytë në studio, dukej e mahnitshme në një fustan të kuq.

Për fustanin e yllit u kujdes kreatorja shqiptare e cila tashmë po bëhet një emër kryesor në industrinë e modës në botë, Nensi Dojaka.

Për një dukje më të veçantë, ajo veshi edhe geta të zeza të tejdukshme, së bashku me një palë taka të ngritura.

Duke u kombinuar me getat, Madison shtoi edhe doreza me të njëjtin material. Flokët e saj ishin të drejta, grimi ishte i thjeshtë, ndërsa si aksesorë kishte vath të vegjël.

Format trupore viheshin në pah me prerjet e fustanit që tashmë janë detaji kryesor që e karakterizojnë kreatoren shqiptare.

Kujtojmë se kreacionet e Nensit janë zgjedhur edhe nga Dua Lipa, Bella Hadid, Zendaya e Hailey Bieber. / KultPlus.com

Hapet ekspozita “Hasan Prishtina në dokumentet arkivore” në Ulqin

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave e Shqipërisë dhe Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup hapën sot në Ulqin ekspozitën “Hasan Prishtina në dokumentet arkivore”.

Ekspozita, e hapur në ambientet e Librarisë “Ulqini”, pasqyron veprimtarinë e patriotit Hasan Prishtina me rastin e 100-vjetorit të marrjes së detyrës si kryeministër i Shqipërisë.

Në këtë aktivitet mbajtën fjalë përshëndetëse kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, Faik Nika, përfaqësuesi i trungut familjar Hasan Prishtina, Mehmet Prishtina, drejtoresha e Komunikimit në DPA, Elsa Saka dhe drejtori i Institutit, Skënder Asani.

Kjo ekspozitë përmban materiale që ruhen në Arkivin Qendror Shtetëror dhe që flasin mbi veprimtarinë e Hasan Prishtinës në periudhën parashtetërore, ndihma në organizimin e kryengritjeve antiosmane në territoret e Vilajetit të Kosovës dhe mbi mbështetjen e zhvillimit të arsimit shqip.

Në këtë aktivitet Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup i dhuroi librarisë së parë shqipe në Malin e Zi, e hapur së fundmi në qytetin e Ulqinit, mbi 100 tituj nga fondi i tij botues.

Shumë shpejti DPA do të jetë përsëri në këtë ambient për të hapur Këndin Arkivor Ulqin. / KultPlus.com

Hapet pavijoni i artit me vepra të ndryshme artistike të skulptorit Mikel Temo dhe artistes Anjeza Kolevica

Në Tiranë është çelur pavijoni i artit me vepra të ndryshme artistike të skulptorit Mikel Temo dhe artistes Anjeza Kolevica.

Ministrja e Kulturës Elva Margariti, gjatë vizitës u shpreh se “pavijoni i artit pranë Ministrisë së Kulturës u mbush me format e gravitetit shpirtëror të artistes Anjeza Kolevica”.“Një ekspozitë e kuruar nga skulptori Mikel Temo mbi bukurinë e krijimit dhe elementeve që përbëjnë qenien tonë: tokë edhe qiell, zjarr edhe ujë”, e cilësoi ekspozitën Margariti,  teksa bëri të ditur se “pavijoni i artit është i hapur, në pritje të zbulimit të një universi”.

Tokë – Zjarr – Ujë – Baltë janë pikërisht materialet bazë në krijimin e këtyre formave planetare, humane e sidomos femërore, forma të buta tërheqëse sensuale që presin të ngjizen deri në rilindje, në krijimin e një forme të re, një realiteti të ri, një dimensioni tjetër. Forma të një Spiritualiteti Gavitacional/Tërheqës.

Artistja Anjesa Kolevica, vjen nga një familje artistësh korçarë të njohur në fushën e qeramikës. Ajo ka mbaruar studimet e larta në Institutin e Arteve “Francesco Antonio Grue”, Itali, ku është diplomuar me titullin “Maestro d’Arte”, e specializuar në teknologjinë e qeramikës dhe të glazurave. E katërta në brez që trashëgon profesionin e familjes, artin e qeramikës. / KultPlus.com

Shfaqja “Makbeth”, një ngjarje kulturore e pazakontë në vilën e diktatorit

Shfaqja “Makbeth” me regji dhe dramaturgji nga Enton Kaca u shfaq premierë për publikun në Vilën 31, ose siç njihet ndryshe vila e diktatorit Enver Hoxha në kryeqytet.

Me praninë e një publiku të vogël në numër për shkak të kufizimeve nga COVID-19, kjo vepër e Shekspirit erdhi si produksion i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.

Në rolet kryesore janë aktorët e njohur Alfred Trebicka -Makbeth, Loredana Gjeçi-Ledi Makbeth si dhe 4 aktorë ndihmës Ermela Ruri, Ismail Shino, Klejdi Metaj dhe Margent Caushi.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti shprehet se është një shfaqje, që nuk duhet humbur. “Një ngjarje kulturore e pazakontë në vilën e diktatorit. “Makbeth”, një produksion i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, me regji të Enton Kacës dhe interpretim në rolet kryesore nga Alfred Trebicka dhe Loredana Gjeci na rikthyen edhe një herë në vëmendje pasojat tragjike të lakmisë për pushtet…Një shfaqje që nuk mund ta humbisni!”, shprehet ministrja.

Kjo pjesë është rindërtuar dramaturgjikisht duke pasur parasysh vendosjen e saj në kohën e sotme dhe është menduar në një hapësirë jo konvecionale teatrore, dhe specifikisht hapësira e mundshme dhe më e përshtatshme të ishte vila 31, ish -rezidenca e diktatorit Enver Hoxha.

Shfaqja teatrale do të vijojë edhe në datat, 15, 16, 17 dhe 18 dhjetor. / KultPlus.com

Virologu gjerman tregon se sa shqetësues është varianti i ri Omicron

Përhapja e shpejtë e variantit Omicron ka shqetësuar autoritetet shëndetësore në mbarë botën. Rastet e infektuara me variantin e ri të Covid-19 vazhdojnë të rriten.

Epidemiologu i njohur në Gjermani, Christian Drosten, ka kërkuar nga qeveria gjermane që të veprojë me vendosmëri, duke theksuar se shpejtësia e përhapjes së sëmundjes “është dukshëm më e madhe se sa ishim mësuar me variantin Delta”.

Virologu vë në dukje se është ende herët për të vlerësuar me saktësi të dhënat që tregojnë se ky variant i ri i koronavirusit mund të kalohet më lehtë dhe thekson rëndësinë e njohjes së ndikimit të tij real midis njerëzve që nuk janë infektuar më parë dhe atyre që nuk janë vaksinuar.

“Informacioni për atë që po ndodh në Afrikën e Jugut më shqetëson gjithnjë e më shumë. Ajo që po shihet është se fëmijët më të vegjël po shtrohen gjithmonë e më shumë në spital, në gjendje të rëndë”, shtoi ai, raporton a2news.

“Një situatë e tillë, në një vend si Afrika e Jugut, ku praktikisht e gjithë popullata është prekur nga virusi ose është vaksinuar, mund të shërbejë si një paralajmërim për atë që mund të ndodhë në vende të tjera  të botës. Rasti i Afrikës së Jugut mund të transferohet kudo dhe ekziston frika se ata që nuk janë vaksinuar dhe që nuk e kanë kaluar më parë sëmundjen, mund ta kalojnë më rëndë variantin e ri”, theksoi ai.

Eksperti gjerman thekson se vaksinat mbeten mjeti më i mirë për të luftuar pandeminë, veçanërisht përballë një varianti të tillë kaq ngjitës: “Kushdo që mundet, duhet të marrë një dozë përforcuese menjëherë”. / KultPlus.com

Kryeministri Kurti përkujton komandatin Mujë Krasniqi: Ai dhe të tjerët janë të rinj të përjetshëm, ndaj dhe ne do t’i mbajmë lidhur me rininë e çdo brezi

Sot, kryeministri Albin Kurti ka përkujtuar komandatin Mujë Krasniqi i cili dha jetën duke kapërcyer i armatosur mbi kufirin më të padrejtë mes shqiptarëve më 14 dhjetor të vitit 1998.

“Ata që e demotivojnë çështjen kombëtare të lirisë nuk duan shembuj të tillë për rininë. Një komb i ndritur na i jep urdhëresën e mençur: Mos i harro kurrë dëshmorët, sepse e hup udhën!”, ka shkruar Kurti.

KultPlus ju sjell postimin e plotë të tij:

Mujë Krasniqi – Komandant Kapuçi

6 qershor 1967 – 14 dhjetor 1998

Ne jetojmë në kohë të tensionuara, në kohë të shumë sfidave, por ne jetojmë në kohë të hapura. Në kohë të hapura përgjegjësia e fateve tona është e jona. Dhe më shumë se kurrë në kohë sfidash, për asnjë ditë ne nuk duhet të harrojmë dëshmorët tanë. Sepse dëshmorët, çlirimtarët tanë, vepruan në kohë të mbyllura e të paqarta. Sot ne kryejmë mbledhje e marrëveshje ndërqeveritare me Tiranën bashkëkombase. Komandant Kapuçi me shokët e tij sillnin armë prej Republikës amë në shkëmbim të jetës së tyre. Ata dhanë jetën duke kapërcyer kufijtë e jetës me qëllimin që ne të kryejmë sot marrëveshjet tona kombëtare.

“Te Likenet e Hasit” në Gorozhup të Pashtrikut, në pritën nga forcat e armikut, Mujë Krasniqi ra bashkë me vëllaun e tij Ali Krasniqi, shokun e tij këngëtar, Beqir Gashi, e luftëtarët Luljeta Shala, Rifat Mziu, Afrim Musliu, Agim Mziu, Agron Mehmeti, Arben Hyseni, Astrit Bytyçi, Bashkim Krasniqi, Bekim Bytyqi, Besim Qarri, Enver Olluri, Fadil Rashiti, Faton Gjylani, Gani Elshani, Gani Zogaj, Hafir Bajrami, Haki Prokshi, Hazir Selimaj, Hysen Bujupi, Hysni Kajtazi, Ilir Asllani, Isa Morina, Isa Olluri, Kadri Ademaj, Kadri Gashi, Maliq Karaqica, Mentor Ibriqi, Mevlan Hoxha, Muhamet Dervishi, Naser Kelmendi, Qamil Olluri, Ramadan Elshani, Selim Selimi, Sylejman Elshani, Veli Ballazhi, Xheladin Xheladini, Hazir Kryeziu, Qenë Qenaj, Xhevat Thaqi e Avni Kutllovci.

Ne jemi krejt të vetëdijshëm: në çastin kur harrojmë dëshmorët, ne harrojmë synimet historike dhe mbërritjet kombëtare. Një shtet i ndërtuar mbi harresën e heroizmit e vuajtjeve, nuk është shtet në shërbimin tonë. Rrjetet e interesuara për korruptimin e shtetit janë po ata që na kanë thënë se duhen harruar viktimat e gjenocidit. Po në të njëjtën kohë e ritëm me ta, Serbia mohon me të gjitha mjetet gjenocidin që ka kryer. Në lidhje me ne, Serbia nuk ka dëshmorë, por përdhunues. Përballë Serbisë ne kemi dëshmorë.

Por ne, nuk harrojmë! Ne do të bëjmë krejt të kundërtën. Do të vendosim në edukimin e brezave të rinj vetëdijen e dëshmorëve. Sepse në shumicën e tyre dëshmorët janë të rinj, si të rinjtë e çdo brezi. Mujë Krasniqi sapo kishte kaluar tridhjetëvjetorin e tij kur e dha jetën me shokët e tij. E dha jetën duke kapërcyer i armatosur mbi kufirin më të padrejtë mes shqiptarëve. Mujë Krasniqi me shokë i kapërcyen kufijtë e të gjitha kohëve për t’u bashkuar me historinë. Dëshmori mbetet në moshën kur dha jetën. Muja dhe të tjerët janë të rinj të përjetshëm, ndaj dhe ne do t’i mbajmë lidhur me rininë e çdo brezi. Ata që e demotivojnë çështjen kombëtare të lirisë nuk duan shembuj të tillë për rininë. Një komb i ndritur na i jep urdhëresën e mençur: Mos i harro kurrë dëshmorët, sepse e hup udhën! / KultPlus.com

Çeku: Shpreh keqardhjen për anulimin e konkursit për blerjen e veprave të artit, thirrja e radhës do të shpallet në fillim të vitit të ardhshëm

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit së fundmi pati bërë të ditur anulimin e procedurës për blerjen e veprave të artistëve vendor, me ç‘rast ka pasur reagime të shumta, përcjell KultPlus.

Andaj, sot ka reaguar edhe ministri Hajrulla Çeku i cili ka shprehur keqardhjen për anulimin e konkursit për blerjen e veprave të artit.

KultPlus ju sjell njoftimin e tij të plotë:

Disa sqarime mbi anulimin e procedurës për blerjen e veprave të artit.

Fillimisht shpreh keqardhjen time për anulimin e procedurës dhe gjithë situatën e krijuar veçanërisht në raport me të gjithë artistët pjesëmarrës në këtë thirrje.

Sulmet ndaj artistëve që kanë qenë në listën e përfituesve dhe ndaj anëtarëve të komisioneve përzgjedhëse janë totalisht të papranueshme. Fushata denigruese dhe kërcënimet që nisën nga momenti i shpalljes së listës janë veprime të ulëta.

Programin për blerjen e veprave të artit e kemi nisur me qëllimin më të mirë. Megjithatë, duke e përfshirë brenda Programit të Ringjalljes Ekononike kemi krijuar pritshmëri të gabuar. Do të duhej ta komunikonim më mirë në publik konceptin e programit. Gjithashtu, ankesat për konflikt interesi që i kemi pranuar kërkonin periudhë shtesë shqyrtimi. Këtë kohë nuk e kishim, pasi jemi në fund të vitit dhe brenda pak ditësh mbyllen edhe sistemet e pagesave. Për shkak se fondi përkatës i ringjalljes mund të përdoret vetëm sivjet, për shkaqe procedure kërkohej edhe anulimi formal i kësaj thirrje.

Menjëherë kemi filluar punën për thirrjen e radhës, e cila do të shpallet në fillim të vitit të ardhshëm. Do të jemi të kujdesshëm, kemi nxjerrë mësimet tona. Blerja e veprave të artit nga shteti do të jetë praktikë e rregullt viteve në vijim dhe me buxhet të shtuar.

Edhe një herë, shpreh keqardhjen time më të thellë sidomos ndaj artistëve të listës fituese dhe bashkëndiej me ta për situatën e krijuar pa fajin e tyre. Ju siguroj që angazhimi ynë mëton fuqizimin e artistëve të Kosovës. Në këtë kuptim, besoj thellë që shteti duhet t’i blejë veprat më të mira të artit, duke e nxitur krijimin e tregut të artit, i cili e vlerëson dinjitetshëm artistin dhe artin cilëson. / KultPlus.com

Nesër nis edicioni XII i ‘Ditët e Albanologjisë’

Duke filluar nga nesër e deri të premten Akademia e Studimeve Albanologjike organizon edicionin e XII, të Ditët e Albanologjisë. “Albanologjia e mijëvjeçarit të ri” është zgjedhur si temë e këtij edicioni.

Një memorandum bashkëpunimi mes qendrave albanologjike të Tiranës, Prishtinës dhe Shkupit; nderim për disa kërkues shkencorë që lënë karrierën aktive akademike dhe një ekspozitë e botimeve të akademisë, janë disa nga aktivitetet e parashikuara. Ceremonia e hapjes zhvillohet në sallën e albanologjisë, Pallati i Kongreseve, ora 10.00.

Në njoftimin nga ASA bashkëngjitur me programin e detajuar, në vazhdim është dhe katalogu i sapodalë nga shtypi me botimet themelore në vite, si dhe botimet më të reja të ASA-s. Në njoftimin zyrtar thuhet se aty gjenden botime për figura politike e kulturore dhe fenomene të rëndësishme të dy shekujve të fundit, që janë me interes për publikun e gjerë.

“Janë tema dhe subjekte për të cilat dija e akademikëve profesionistë vendos një farë rregulli në këtë kaosin tonë kulturor, ku publikut i ndodh të ushqehet nëpërmjet mediumeve dhe albanologjisë alternative”, thuhet në njoftim.

Akademia e Studimeve Albanologjike (ASA) përbëhet nga katër institute kërkimore kombëtare: Instituti i Arkeologjisë, i Historisë, i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, i Antropologjisë Kulturore e Studimit të Artit, si dhe nga Qendra e Enciklopedisë Shqiptare. ASA përbëhet nga një ekip prej afro 100 studiuesish të njohur, të profilizuar në fushat e albanologjisë, si dhe një rrjet i gjerë bashkëpunëtorësh të institucioneve akademike e kërkimore shqiptare dhe ndërkombëtare.

ASA administron Bibliotekën Albanologjike, si dhe fonde e arkiva shkencore të sistemuara e të ekspozuara në muzeun arkeologjik, kabinetin e numizmatikës, në fondet materiale të arkeologjisë, të etnografisë, në arkivin e historisë kombëtare, në arkivin e shkruar të gjuhësisë e letërsisë dhe në kartotekat gjuhësore, në arkivat e folklorit, etj. / KultPlus.com

Ermonela Jaho për “El Pais”: Në atë mjedis ku mungonte liria, ndjeja se duhej të bindesha, të isha e përsosur përballë asaj që prisnin prindërit e mi

Ermonela Jaho rikthehet në teatrin Mbretëror këtë Krishtlindje për të kënduar “La Bohéme” duke filluar nga e diela. Ermonela Jaho u shkollua në Tiranë dhe më pas ëndrra e sa ishte të ngjitej në skena të mëdha. Sot ajo e ka realizuar ëndrrën e saj dhe është një nga soprano më të mëdha në botë.

Gjithcka e ka arritur me forcën e karakterit, vullnetit dhe, siç thotë ajo, autenticitetit. Pandemia e ka bërë më të fortë.

Disa këngëtarë kanë pësuar krizën e tyre të veçantë gjatë pandemisë, si e keni përballuar ju atë?

Ka qenë një situatë e vështirë. Një ndalesë e papritur që bën gjithçka të rimendohet. Çdo shfaqje e përballoj gjithmonë sikur të ishte e fundit që do të bëj në jetën time. Dhe kjo më ka ndihmuar të përballoj këtë situatë, sepse, në fakt, gjithçka mund të zhduket në një çast. Gjithsesi, shfrytëzova rastin të përmirësohem, megjithëse anulova tetë kontrata.

Si ishte të këndonit pa publik?

Më ndodhi diçka e papritur. U ndjeva pak e padobishme.

Pse?

Më sugjeruan të këndoja online, e provova por nuk funksionoi.

Keni nevojë për audiencën përpara?

Po, është më shumë: madje kisha nevojë për atë frikë që të bën të ndihesh i papërsosur, në kurriz të gabimit. Kjo energji është thelbësore. Këndoni para ekranit…

A nuk ka kuptim të këndosh pa publik?

Jo, nuk ka. Muzika është gjuha e shpirtit. Grekët na mësuan tashmë, dhe prej andej Ëagner-it, që ne bëjmë muzikë për të nxitur emocione te të tjerët, si një katarsis, një terapi.

Jashtë ekraneve, atëherë.

Jashtë, po. Jam munduar por e kam gjetur veten të ftohtë. Ose e vërej publikun ose asgjë. Se kam kuptuar. Nëse jo, dukesha e padobishme, besova se nuk jam e aftë të këndoj, u ndjeva …

Ju duket qesharake?

Kjo, pikërisht. Nuk guxova ta them por po, qesharake. Kështu iu përkushtova studimit dhe pritjes së fatit. Dhe fati im është të këndoj për këdo që është para meje. Kjo është ajo që kam bërë gjatë gjithë jetës sime, që kur isha fëmijë. Një tjetër gjë është të studiosh. Studioni por për t’u vënë përpara publikut sepse ne jemi gladiatorë të skenës.

A është studimi një rrugë që të mëson për t’u përballur me rreziqet?

Unë e konceptoj studimin për të të provuar, për të kapërcyer kufijtë e tu, për të parë nëse je i aftë për më shumë. Dhe në pandemi kam studiuar sikur do të përgatitesha për një maratonë dhe e kam kuptuar që po, mund të shkoj më tej dhe të mos ngec në rehati.

Ju e keni testuar qëndrueshmërinë tuaj, sigurisht. Po brishtësia juaj?

Janë dy pole dhe mes tyre nuk ka asnjë pikë të ndërmjetme: ndërmjet forcës dhe dorëzimit. Kjo është jetë a vdekje, më falni nëse më duket e ekzagjeruar. Të gjitha ose asgjë. Skena është një vend i shenjtë.

Ju thoni se ka kuptim të këndoni për të tjerët që në fëmijëri. Kur e kuptove këtë?

Fëmijët janë një letër e bardhë. Kam ndjerë sakrificën e prindërve që unë t’i përkushtohem kësaj.

Ju keni lindur në një vend komunist, supozoj se duhet të ketë qenë e vështirë?

Shumë. Babai im ishte ushtarak dhe profesor i filozofisë. Një idealist që më përcolli një disiplinë themelore për karrierën dhe jetën time. Arti nuk është një gjë e lehtë, ai ka nevojë për disiplinë të hekurt. Nëna ime, mësuese, duhej të rriste pesë fëmijë. Në atë mjedis ku mungonte liria, ndjeja se duhej të bindesha, të isha i përsosur përballë asaj që prisnin prindërit e mi. Kjo të përndjek.

Ende sot?

Pikërisht, deri më sot. Prindërit e mi e panë që isha e lumtur duke kënduar. Se ishte mënyra ime për të pushtuar lirinë. Se përcillte ndjesi të ndryshme. Kjo më ndodh sot, në çdo personazh kontribuoj një pjesë të vetes.

Kur menduat se mund t’i përkushtoheshit operës?

Kur pashë për herë të parë një Traviata në Tiranë. I premtova vetes se nuk do të vdisja pa e bërë të paktën një herë.

Dhe sa duhen?

I kam numëruar, 301, sepse një ditë ia kam bërë vetes atë premtim. Të kuptoj se çfarë më ka kushtuar. Imagjinoni një vajzë 18-vjeçare që emigroi nga Shqipëria në Itali në atë kohë kur anijet e ngarkuara me bashkatdhetarët e mi mbërrinin në porte, pa para apo më shumë fiksim se një ëndërr. Pa e ditur se sa të vërteta përmban ajo ëndërr ose nëse është një halucinacion, sa herë duhet të biesh dhe të ngrihesh për të arritur atje. Ju duhet të matni forcën tuaj dhe padyshim që disiplina e babait tim më ndihmoi. Ju gjithmonë mund të shkoni më tej, më tej.

Intervistë dhënë për “El Pais”. Përktheu dhe përshtati “Diaspora Shqiptare” / KultPlus.com

Dvd 1083 (02/12/21) Ermonela Jaho_Soprano © Claudio Alvarez

Kori Siparantum pjesëmarrës në festivalin ‘ChoralSpace’ në Berlin

Pas suksesit madhështor të Korit në ‘World Choir Games’ me pjesëmarrjen në Olimpiadën më të madhe të muzikës korale, ku edhe Kosova u përfaqësua për herë të parë në garën – Olimpiadën më të madhe të muzikës korale në botë, tani Kori Siparantum do të udhëtojë për në Berlin, për të shënuar suksese të tjera të radhës, përcjell KultPlus.

Nga data 17 deri më 20 dhjetor, Kori Siparantum do të jetë pjesë e festivalit dimëror ‘CHORALSPACE’ 2021 në Berlin.

Ndërkaq, lajmi u bë i ditur nga vetë dirigjenti Memli Kelmendi, i cili edhe ka shpërndarë datat e koncerteve që do të mbahen atje e po ashtu edhe biletat për të qenë pjesë e atyre koncerteve.

Kori Siparantum Choir në BERLIN
Pas suksesit në World Choir Games, kori Siparantum nga data 17-20 Dhjetor do të jetë pjesë e #CHORALSPACE Winter Festival – #Berlin 2021.
The Choral Cluster:

Siparantum Choir (XK) directed by: Memli Kelmedi;
Wilmersdorfer Kamerchor (DE) directed by: Christian Bährens
👉December 18, 2021, 18:30 St. Matthäus-Kirche, Berlin Mitte
👉December 19, 2021 11:00 Heilig Kreuz Kirche, Berlin Kreuzberg
Albanische Winterklänge
👉December 19, 2021, 19:30 Paul-Gerhardt Kirche, Berlin Schöneberg
Gjithë të interesuarit që duan të jenë pjesë e këtyre koncerteve, biletat mund t’i blejnë në linkun e mëposhtëm:
https://shop.reservix.de/?id=ead47f8b5b097794d9ca891114a3ae1b40d487470b312d83a65b5f56d6dadcf7b628d1c433d3343addab8303d585fc48&vID=24336&eventGrpID=374740&fbclid=IwAR3nfvALBAg-YyZDHbGWXyfFK570-T_coaENUOv9jn1hQotdbhTyVDq1jfs “, ka shkruar Kelmendi. / KultPlus.com

Zyrtari i Moderna’s: Omicron është version më i rëndë se Delta, do të tregojmë sa mbron doza e tretë e vaksinës

Në Britaninë e Madhe, Paul Burton, zyrtar kryesor mjekësor në Moderna, ka folur me deputetë në komitetin e shkencës dhe teknologjisë, për variantin Omicron të COVID-19.

Burton tha se ai pret që të dhënat në ditët në vijim të tregojnë se sa e përmirëson mbrojtjen kundër Omicron doza e tretë e Moderna-s.

Po ashtu ai doli edhe kundër pretendimeve, kryesisht nga Afrika e Jugut, se varianti shkakton sëmundshmëri më të lehtë dhe paralajmëroi se Omicron dhe Delta ka të ngjarë të qarkullojnë së bashku për ca kohë.

“Unë nuk mendoj se Omicron është një version më i butë, është më pak i rëndë i virusit aktual,” i tha ai komitetit. /abcnews.al / KultPlus.com

Reagime të shumta për testin e gjuhën angleze në Indi, ja ç’thuhet për gratë

Një bord i testimit në Indi ka tërhequr një fragment nga testi kombëtar i gjuhës angleze, që duket se e promovonte nënshtrimin e gruas pas reagimeve dhe akuzave për mizogjini.

Të gjithë nxënësit morën nota të plota për pjesën e të kuptuarit të leximit në test në fragmentin që duket se në mënyrë eksplicite thoshte se pavarësia e grave është duke i minuar disiplinën dhe rritja e fëmijëve në shtëpi.

Fragmenti në test përmbante shprehje si “emancipimi i gruas e shkatërroi autoritetin e prindit mbi fëmijët” dhe “me heqjen e burrit nga piedestali, gruaja dhe nëna e privuan veten, në të vërtetë, nga mjetet e disiplinës”, shkruan The Guardian.

Pasi nxënësit, mësuesit dhe prindërit u ankuan, Sonia Gandhi, kryetare e partisë Kongresi në opozitë, kërkoi vëmendje për këtë test. Në një ndërhyrje të rrallë publike, ajo i lexoi fragmentet me zë në kuvend të hënën dhe e shprehu neverinë  e saj për ndikimin që ky tekst mund të ketë te fëmijët e Indisë.

Pas reagimeve, Bordi Qendror i Shkollimit të Mesëm të Ulët tha se do ta tërheqë fragmentin. “Çështja i është dërguar një komisioni të ekspertëve të lëndëve. Sa për rekomandimet, është vendosur që të hiqet fragmenti”, thuhet në deklaratën e bordit.

Ndonëse numri i vajzave që shkollohen në Indi po vazhdon të rritet, shkalla e aftësisë për shkrim e lexim te vajzat e moshës 15-vjeçare është ende dukshëm më e vogël se te djemtë 59.3 me 78.8 për qind. / KultPlus.com

Filmi i shumëpritur i Marvel, Spider-Man: No Way Home, impresionon kritikët e filmit

Nga 16 dhjetori nis të shfaqet edhe në Cineplexx

Spiderman: No Way Home, nis shfaqjen e tij këtë javë edhe në Kosovë, dhe nga 16 dhjetori do të mund ta shikoni çdo ditë në Cineplexx. Me vlerësimet e para të filmit, ai po konsiderohet si një nga filmat më spektakolar të vitit.

Spiderman: No Way Home, filmi i fundit me superheronjë nga Marvel për këtë vit, dhe i treti nga trilogjia e filmave që përqendrohet në personazhin e Spiderman, arrin më 16 dhjetor në Cineplexx me eventin Spiderman Day në të dy kinematë, në Prishtinë dhe Prizren ku do të ketë edhe shpërblime.

Filmi ka thyer rekord të shitjeve paraprake të biletave, duke tejkaluar kështu edhe filmat e mëdhenjë si Avengers: Infinity War, Star Wars: The Rise of Skywalker, e të tjerë.

Gazeta e njohur, Guardian tha se filmi i fundit i Spiderman është vazhdimisht konsistent në cilësinë që ofron, ndërsa gazeta tjetër e madhe, The Wrap, u shpreh se “filmi arrin të mbajë në balancë të jashtëzakonshme aksionin e mahnitshëm përmes kohë-hapësirës dhe emocioneve që aktorët përqojnë dhe storja krijon”.

Gazetarja Perri Reminoff shprehet se filmi është në fillim i ngadaltë deri në shpërthimin e pjesës së dytë që më pas bëhet një nga filmat më argëtues të vitit me të gjitha shpalosjet impresive për botën e “Multiverse”.

Në Rottentomatoes filmi vazhdon ti mbajë kritikat 100% pozitive ku deri më tani mbi 47 kritikë kanë shkruar vlerësimin e tyre për filmin.

Përveç premierës botërore të këtij filmi, Cineplexx gjatë eventit Spiderman Day më 16 dhjetor do të dhurojë shpërblime të ndryshme në të dy kinematë, ku në kinemanë në Prishtinë, dyqani online E-BAA (Insert hyperlink https://e-baa.com/) do t’i dhurojë 5 kupona në vlerë nga 50 EUR ndërsa Marso Merch do t’i dhurojë 10 duksa të ndryshëm, ndërsa në kinemanë në Prizren, brendi i njohur si Aztech (insert hyperlink: https://aztechonline.com/), do të dhurojë 3 kupona në vlerë nga 50 EUR.

Filmi Spiderman: No Way Home gjatë këtij eventi në Cineplexx do të shfaqet në 9 orare të ndryshme.

Biletat për filmin mund t’i blini çdo ditë prej orës 15:00 në Cineplexx, apo përmes aplikacionit CINEPLEXX KS. Për më shumë rreth eventit, klikoni këtu mund t’i gjeni në webfaqën e Cineplexx.

https://cineplexx-ks.eu/Content.Node/ks/events/items/Black_Widow-_Premiere_Night.sq-KS.php

Andrea Bocelli performoi në një darkë private, bileta kushton 20 mijë dollarë

Tenori i famshëm italian, Andrea Bocelli, mbrëmë ka performuar në një darkë private me 50 persona në Hunt & Fish Club, ku 20 mijë dollarë kushtoi vetëm çmimi i biletës, sipas Page Six.

Evenimenti thuhet se ishte i mbushur me njerëz të famshëm dhe se bashkë me të këndoi edhe artistja e kantautorja amerikane, Amelia Milo. Milo po promovonte këngën e saj të re “The First Time I Saw Snow”, të cilën e solli vetëm disa ditë më parë. Biletat dolën në shitje në FlatterNFT , një faqe interneti që shet të tilla për çdo organizim që bëhet. Këngëtari i nominuar për ‘Grammy’ të mëkurën dhe të enjten do të jetë prezent për të interpretuar edhe në Madison Square Garden, përpara se të shkojë në një turne mbarëkombëtar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai e kaloi pjesën tjetër të vitit duke bërë turne në Evropë. Ylli italian po ashtu para pak muajsh u bë e ditur se do të performojë në Botëror 2022, përkrah emrave të mëdhenj si Lady Gaga e bendit Aerosmith./lapsi.al/ KultPlus.com

“Gruaja ime ende i dëgjon hapat e tij gjatë natës”, storia e TV francez për të zhdukurit në Kosovë

Kanë kaluar më shumë se dy dekada që kur lufta copëtoi Kosovën, por trauma e shkaktuar nga ajo vazhdon ende për Bajram Çerkinin dhe të afërmit e tjerë të atyre që ende konsiderohen të zhdukur.

“Lufta nuk ka përfunduar ende në familjen time”, thotë 82 vjeçari, djali i të cilit, Reshati, është në mesin e të zhdukurve. “Gruaja ime ende i dëgjon hapat dhe zërin e tij gjatë natës”.

Kështu fillon shkrimin për historinë e Çerkinit dhe të zhdukurve të tjerë nga lufta, televizioni francez “France 24”, njofton Klan Kosova.

Mijëra të tjerë u zhdukën – shumë prej të cilëve u rrëmbyen gjatë kohës së spastrimit etnik dhe më vonë u vranë derisa trupat e tyre o hodhën në varre masive, puse uji ose u dogjën.

Në vitet pas luftës, ekspertë të mjekësisë ligjore nga e gjithë bota shkuan në Kosovë në një përpjekje për të identifikuar mbetjet dhe për t’i kthyer në familjet e tyre, si dhe për të dokumentuar krimet e mundshme të luftës. Në disa raste, vetëm copa të vogla eshtrash u gjetën dhe iu dorëzuan familjeve.

Por jo të gjitha u gjetën, 1625 persona janë ende të pagjetur zyrtarisht, sipas autoriteteve të Kosovës.

Mediumi francez vazhdon rrëfimin duke thënë se fati i të zhdukurve është një nga çështjet e shumta të nxehta që pengon bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë.

Zyrtarët e Kosovës vazhdojnë të kritikojnë Serbinë për zvarritjen e saj, shpesh duke i akuzuar zyrtarët e saj se refuzojnë të zbulojnë vendndodhjet e më shumë vendeve të varrimit.

Gjatë momenteve të fundit të luftës derisa forcat serbe u tërhoqën nga Kosova në mes të bombardimeve të NATO-s, varrezat masive në gjithë Kosovën u zbuluan shpejt për të marrë eshtrat dhe për t’i kthyer me kamionë në Serbi me synimin për të fshehur provat e krimit.

Që nga fundi i luftës, rreth 1000 trupa të shqiptarëve të Kosovës janë zhvarrosur nga disa vende në të gjithë Serbinë, përfshirë edhe qindra nga një varr masiv në një postë të njësisë speciale të policisë pranë Beogradit.

“Duke u përpjekur të fshehin një krim, ata kryen një tjetër”, thotë Andin Hoti, kryetar i komitetit të Kosovës për personat e zhdukur, babai i të cilit mbetet ende i pagjetur.

Probleme të ngjashme vazhdojnë me Bosnjën fqinje, ku ekspertët ende po përpiqen të gjejnë varre masive afër Srebrenicës, ku rreth 8000 burra dhe adoleshentë myslimanë u vranë nga forcat serbe.

“Po bëhet gjithnjë e më e vështirë për të gjetur varre masive. Ne jemi ende duke kërkuar për më shumë se 1000 njerëz”, tha Almasa Salihoviq, zëdhënëse për Qendrën Përkujtimore të Srebrenicës.

Por edhe kur mbetjet më në fund zbulohen, shpesh shkaktohen trauma të reja.

Në tetor, Vesel Rukolli u informua se eshtrat që i përkisnin babait dhe dajës së tij ishin nxjerrë nga një varr muaj më parë në Kizhevak të Serbisë.

Eshtrat e tyre erdhën pesë vjet pasi disa nga eshtrat e xhaxhait të tij ishin gjetur në një fshat tjetër në Serbi.

Xhaxhai i tij ishte vrarë në prill të vitit 1999 pasi forcat serbe masakruan rreth 40 persona në fshatin Rezallë të Kosovës.

Derisa forcat serbe u larguan nga vendi i ngjarjes, ata përdorën një buldozer për të nxjerrë trupat, duke copëtuar shumë nga viktimat e tyre.

Edhe pse shumica e të vrarëve dhe të zhdukurve nga lufta janë shqiptarë etnikë, shumë serbë janë ende të pagjetur – një pikë që Beogradi e ngre shpesh në luftën me fjalë me zyrtarët e Kosovës.

Zyrtarët në Prishtinë këmbëngulin se po e marrin seriozisht çështjen, me pesë lokacione të pazbuluara në Kosovë që po gërmohen në kërkim të viktimave serbe të luftës.

Për më shumë se 22 vjet, Svetlana Marinkoviq ka pritur të marrë lajm për fatin e bashkëshortit të saj pasi ai u zhduk vetëm disa ditë pas përfundimit të konfliktit.

“Ndoshta nesër do ta zbulojmë”, tha Marinkoviq nga Graçanica për AFP.

“Shpresa vdes e fundit”.

Elon Musk u zgjodh si njeriu i vitit, kritikohet revista “Time”

Revista Time po përballet me një rrebesh kritikash për faktin që e zgjodhi shefin e Teslas dhe SpaceX, Elon Musk, si “Njeriun e vitit” 2021.

Disa ligjvënës menjëherë ngritën pyetje sesa taksa ka paguar ai lidhur me pasurinë e vet të përgjithshme.

“Nuk mund ta besojmë që Time zgjodhi Elon Muskun; ai është njeriu më i pasur i botës e kur vjen fundi, bënë gjithçka për të shmangur taksat në një kohë kur familjet e varfra mezi vënë ushqim në tryezë e luftojnë për të paguar qiranë”, tha republikania, Pramila Jayapal.

ProPublica nxori në muajin qershor një raport mbi taksat e paguara nga amerikanët më të pasur përfshirë Musk. Sipas raportit, miliarderi kishte paguar vetëm $68,000 dollarë taksa federale në 2015, $65,000 dollarë në 2017 dhe asnjë taksë federale në 2018.

Musk u përpoq të shpjegonte se “gjatë pandemisë, të pasurit u pasuruan më shumë dhe fitimet e tyre ishin marramendëse, në një kohë kur mjaft njerëz humbën vendet e punës në Amerikë, si dhe mundësinë e kujdesit shëndetësor”.

Ligjvënësja republikane u shpreh se fare mirë, në kopertinën e kësaj reviste mund të ishin shfaqur heronjtë e frontit të parë të luftës anti-Covid, e jo miliarderë si Musk./ KultPlus.com

Oda e Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës ka paralajmëruar protestë për ditën e nesërme

Oda e Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës ka paralajmëruar protestë për ditën e nesërme si pasojë e pakënaqësive për sektorët e hotelierisë dhe gastronomisë.

Hysen Sogojeva , Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, ka thënë se protesta do të mbahet nesër në ora 13:00 në sheshin “Skënderbeu”, para Qeverisë së Kosovës.

“Pasi që pas shumë përpjekjeve që me dialog e me takime të gjejmë zgjedhje të pranueshme (gjë që nuk është arritur), zëri i antarësisë sonë na obligon që të bëjmë aktivitete duke shprehur pakënaqësinë tonë për situatën e krijuar”, thuhet në njofrimin e OHT-së.

“Biznese e punëtorë, të bashkuar si asnjëherë më parë i thanë BOLL MA’ izolimit të padrejtë!”./ KultPlus.com

Kryeministri Kurti emëron Elizabeth Gowing, këshilltare politike për Çështjet e Komuniteteve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar Elizabeth Katherine Gowing, këshilltare politike për Çështjet e Komuniteteve.

Siç bëhet e ditur nga komunikata, Elizabeth Gowing ka studiuar në Magdalen College, Oxford, dhe ka përfunduar studimet master në Institutin e Arsimit, Universiteti i Londrës.

Ka punuar në politika arsimore dhe në arsimin fillor në Britani të Madhe.

“Që nga viti 2006, kur është zhvendosur në Kosovë, znj. Gowing është angazhuar në fushat e arsimit, shëndetësisë dhe mirëqenies sociale, me fokus te komunitetet joshumicë. Është autore e pesë librave, nga të cilët katër janë për Kosovën dhe Ballkanin. Ka përkthyer edhe dy libra nga shqipja – biografinë e Adem Demaçit, dhe kujtimet e Hasan Prishtinës”, thuhet tutje në njoftim./ KultPlus.com