Nesër do të përurohet shtatorja e Mbretëreshës Geraldinë

Nesër, më datë 1 shkurt 2022, është bërë e ditur se në krah të godinës së Ministrisë së Drejtësisë, do të përurohet shtatorja e Mbretëreshës Geraldinë.

Bulevardi qendror i Tiranës, i përzgjedhur si vendqendrim për përmendoren e ngritur në nder të konteshës nga Hungaria, mban emrin e të shoqit, Mbretit Zogu I. Kjo përkujtesë e Geraldinës, Mbretëreshës së shqiptarëve, vjen në 20-vjetorin e ndarjes së saj nga jeta.

Kontesha u lind në Budapest më 6 gusht 1915, kohë kur kish nisur shkërmoqja e Perandorisë Austro-Hungareze. Ndoqi shkollën angleze në Menton të Francës dhe më pas kolegjin “Sacred Heart” të Pressbaum-it, në Austri, ku kreu edhe fakultetin e shkencave shoqërore dhe financiare. Më 27 prill të vitit 1938, ajo vuri kurorë me Mbretin Zog I, por do të largohej nga Shqipëria si Mbretëreshë vetëm një vit më pas, tek nisi pushtimi italian i vendit.

Fotoja bashkëlidhur, së bashku me një sërë portretesh të Mbretëreshës dhe imazhesh nga celebrimi i martesës së saj me Mbretin Ahmet Zogu, gjenden në Fototekën e Arkivit Qendror Shtetëror (AQSH). / KultPlus.com

Poezia “Pengu i lirisë” e Alketë Spahiut shpallet fituese e çmimit ‘Pena e Flakës 2022’

Poezia e Alketë Spahiut, me titull “Pengu i lirisë” është shpallur fituese e çmimit kryesor në “Ora e madhe letrare” të shtyllës “Pena e Flakës” në kuadër të Manifestimit “Flaka e Janarit 2022”.

Pasi janë lexuar e deklamuar poezitë pjesëmarrëse në “Ora e madhe letrare”, janë publikuar edhe rezultatet e konkursit anonim letrar në prozë e poezi.

Juria e përbërë nga Ramadan Mehmeti, Sabile Keçmezi – Basha dhe Sinan Sadiku, ka qenë unanime në vlerësimin final për shpalljen e fituesit të poezisë më të mirë të lexuar në “Ora e madhe letrare”.

Në emër të jurisë, Dr. Sabile Keçmezi – Basha, ka prezantuar vendimin, duke potencuar se disa nga poezitë konkurruese pjesëmarrëse kanë qenë të botuara paraprakisht, ndaj si të tilla janë eliminuar me automatizëm nga konkurrenca, ndërsa poezia më e mirë e lexuar në “Ora e madhe letrare” është shpallur “Pengu i lirisë” i autores Alketë Spahiu.

Në emër të jurisë vlerësuese, Sabile Keçmezi – Basha vuri në dukje se cilësia e prurjeve të këtij edicioni ka qenë në nivel të kënaqshëm, sikurse edhe konkurrenca, për të cilën tha se ka qenë jashtëzakonisht e fortë dhe në numër të madh.

“Duke i analizuar poezitë, në të gjitha vërejtëm tonin medidativ ku me të madhe gjejmë shqetësime krijuese që gërshetohen në filozofinë poetike të këtyre poetëve, të cilët sjellin një imazh që në vete bart realitetin e kohës dhe me një simbolikë metaforike gjuhësore përjetohet si refleks komunikimi duke bartur natyrshëm një mesazh të qartë tek lexuesit”, nënvizoi ajo, ndërsa pjesëmarrjen masive të poetëve e cilësoi “festë në vete” për poezinë shqipe.

Në kuadër të pjesës letrare të manifestimit, Juria e konkursit anonim letrar, në përbërje Prend Buzhala, Emin Azemi e Albina Idrizi, ka ndarë çmimet në prozë e poezi për krijimet më të mira, me sa vijon:

Çmimin e parë e fitoi poezia “Legjendë tingujsh” me shifër “Itaka”, vendin e dytë e fitoi poezia “Fjalët për një këpucë të humbur” me shifër “këpuca e gjetur”, kurse vendi i tretë i ka takuar poezisë me shifrën “Flokë të arta” e me titull “N’ikje”.

Ndërsa në prozë, tregimi “Dritëhije e Prishtinës” me shifrën “Janari” zuri vendin e parë. Vendi i dytë i takoi tregimit me titull “Tundimet e Shën Arturit” me shifrën “Dora d’ Istria”, ndërsa ai me shifrën “Intuita” e me titull “Makthi cullak” zuri vendin e tretë.

Siç është bërë e ditur edhe ky edicion i “Pena e Flakës” do të përgatitet dhe botohet në një botim të veçantë në revistën letrare “Agmia”, në të cilën, përveç krijimeve fituese nga konkursi anonim dhe nga “Ora e madhe letrare” do të botohen edhe një numër syresh, të cilat janë vlerësuar nga komisioni si punime të denja e me nivel të kënaqshëm letrar/artistik: “Më thuaj shpesh”, shifra “Perla”; poezia me titull “Për një ditë marsi” me shifrën “Janari”; pastaj poezia “Nata” me shifrën “24 pjesët e natës”; poezia “Mjekrës së thinjur të kohës” me shifrën “15012017”; poezia “Blegërima e harresës” me shifër “Harrestar në Horoskop”; poezia e radhës me titull “Jetëshkrim manekinësh” me shifrën “Manekini”, si dhe poezia “Kurrë lumë” me shifrën “1980”. / KultPlus.com

Vdes Alije Vokshi, gruaja e parë kosovare që diplomoi në pikturë

Sot vdiq piktorja Alije Vokshi. E lindur më 1945, Vokshi ishte piktorja e parë shqiptare e diplomuar në universitet.

Kur flitet për artin dhe pikturën në raport me gratë kosovare, padyshim që duhet ndalur në një pikë, se historia e pikturimit me gruan shqiptare në Kosovë fillon pikërisht me emrin e Alije Vokshit.

Piktorja Alije Vokshi është gruaja e parë shqiptare nga Kosova që diplomoi për pikturë. Vokshi ka lindur në vitin 1945 në Prishtinë. Ka mbaruar Shkollën Pedagogjike në Prishtinë, ndërsa përfundoi studimet e magjistraturës në Beograd në vitin 1981. Ajo kreu edhe një vit specializim në Paris dhe më pastaj u angazhua deri në pensionim, si ligjëruese në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës nga viti 1974-2015.

Njerëzit rreth saj herët kishin filluar të nuhasnin shenjat e para të talentit të saj. Në çdo copë letre të zbrazët, ajo dikur vizatonte akte dhe portrete, madje edhe xhamat e djersitur e të avulluar ishin bërë objekt i gjurmëve të para të talentit të saj për vizatimin e pikturën.

Alije Vokshi, ishte piktore që inspirimin e kërkonte përtej dhomës së saj. Jo rrallë herë, ajo pëlhurave të bardha të kornizuara, u jepte imazhin e fshatarëve e peizazheve të anës së Dukagjinit. Ajo shpesh nisej rreth Deçanit, atje prej nga edhe i ka rrënjët. E tërhiqte fort veshja, dukja dhe zakonet e fshatrave.

Qëndrimi dhe pozicioni i tyre karshi jetës reflektohet dukshëm në çdo detaj të portreteve që u prezantuan në ekspozitën në Galerinë e Ministrisë, për dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Në ekspozitën e saj vërehej që subjekti i pikturave të saj ishin pikërisht gratë dhe burrat e vendit prej nga vinte.

Por ajo ka lënë gjurmë më një ndër pikturat ikonë, me portretin e plakës me të zeza, që ishte vjehrra e saj Ina. / KultPlus.com

Fotografia: Atdhe Mulla

Shtyhet shpallja e projekteve fitues që mbështeten nga Ministria e Kulturës

Shtyhet afati për shpalljen e projekteve fitues që përfitojnë mbështetje financiare nga Ministria e Kulturës.

Lajmin e ka bërë ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila thekson se fituesit do shpallen më 10 shkurt 2022.

“Për shkak të vështirësive të krijuara nga pandemia COVID-19 dhe numrit të madh të aplikimeve, kërkojmë mirëkuptimin tuaj në shtyrjen e afatit të shpalljes së projekteve fituese që përfitojnë nga mbështetja financiare e Ministrisë së Kulturës. Fituesit do të shpallen në datën 10 shkurt 2022”, tha Margariti. / KultPlus.com

Teatri Oda publikon orarin e shfaqjeve për muajin shkurt

Teatri Oda po vazhdon të sjellë shfaqje të reja, ku edhe së fundmi ka publikuar orarin për muajin shkurt, shkruan KultPlus.

Nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, Teatri Oda njoftoi se është publikuar programi i ngjarjeve për muajin shkurt 2022.

Pra, shfaqja e parë do të jetë “Inspektor Limi” nga Lirak Çelaj me regji të Florent Mehmetit, e cila do të jepet më 4 shkurt me fillim nga ora 19:00.

Në anën tjetër, ky muaj do të mbyllet më 24 shkurt përsëri me shfaqjen “Inspektor Limi”. / KultPlus.com

Fotografi e rrallë e Zahir Pajazitit në vitin 1980

Vëllai i Heroit Zahir Pajaziti, Agimi pati publikuar një fotografi të njërit ndër themeluesit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në fotografinë e realizuar në vitin 1980, Heroi Zahir Pajaziti, shihet në shoqëri të një miku të tij të atëhershëm.

Zahir Pajaziti, kishte rënë heroikisht në janar të vitit 1997.

Ai ishte njëri ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Komandant i saj në Rajonin e Llapit. / KultPlus.com

Presidentja Osmani pas takimit me Escobar dhe Lajcak: Serbia bllokuese e progresit në dialog

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani sot priti në takim Përfaqësuesin Special të BE-së Miroslav Lajčák dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarin e SHBA-ve, njëherit përfaqësues special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, për të diskutuar mbi zhvillimet në dialog dhe se si mund të ecet përpara me dialogun Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Presidentja Osmani theksoi se Republika e Kosovës është e përkushtuar për dialog që ka në qendër njohjen reciproke dhe u shpreh se Kosova e ka dëshmuar këtë me angazhimin e saj aktiv dhe me propozimet e bëra përgjatë procesit. Ajo gjithashtu përsëriti qëndrimin e Kosovës se marrëveshja për njohje reciproke nuk duhet të prekë sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Kosovës. “Është tashmë e qartë se Serbia po e bllokon progresin në dialog nëpërmjet qasjes së saj jokonstruktive”, potencoi Presidentja.

Duke vënë në pah konstruktivitetin e Kosovës, Presidentja, gjithashtu bëri të qartë se lista e marrëveshjeve që nuk janë  zbatuar nga Serbia është e gjatë dhe duhet të trajtohet urgjentisht nëse duam të rivendosim besimin në procesin e dialogut. Ajo tha se Serbia jo vetëm që vazhdon të mos zbatojë marrëveshjet e mëparshme, por ajo gjithashtu shfaq pengesa të qarta sa herë që marrin pjesë në takimet e organizuara në kuadër të dialogut në Bruksel. Në këtë drejtim, Presidentja tha se pret trajtim të barabartë të palëve në këtë proces nga ana e Bashkimit Evropian si ndërmjetësues i dialogut.

Presidentja po ashtu theksoi edhe një herë rëndësinë absolute të ndriçimit të fatit të personave të zhdukur me dhunë si prioritet i procesit të dialogut. / KultPlus.com

Rita Ora për ‘Vogue Arabia’: Duke pasur parasysh përvojën time, puna me refugjatët ka qenë gjithmonë një pasion i imi

Sukseset e këngëtares kosovare me famë botërore, Rita Ora, duket se nuk kanë të ndalur në tregun botëror. Së fundmi ajo ka pozuar për kopertinën e ‘Vogue Arabia’ ku është dukur mjaft e mahnitshme në veshjet e ndryshme me plot sharm dhe stil, shkruan KultPlus.

Magazina Vogue Arabia gjithashtu zhvilloi edhe një bisedë mes Orës dhe ikonës së modës italiane, Donatella Versace, të cilat kanë ndarë momente të ndryshme nga jeta e tyre.

Të dy ikonat ulen për të diskutuar ‘fuqinë e butë’ dhe dëshirën e tyre për t’i kushtuar platformat e tyre në shërbim të më pak fatlumit.

Në bisedë e sipër, Rita Ora është shprehur se gratë ende luftojnë të merren seriozisht në industritë e ndryshme dhe se ajo është vazhdimisht duke luftuar që zërat e tyre të dëgjohen. Po ashtu ajo bëri thirrje që të gjithë duhet të dhurojnë kontributin e tyre kudo që ata të munden.

“Këto vite ishin të vështira, por unë kam mësuar shumë. Më kanë bërë më të fortë, sepse ka një gjë që nuk do të bëj kurrë: të heqë dorë”, numëron Ora veten në mesin e të devotshmëve të firmës Versace, duke pranuar se ajo pëlqen të shprehë veten përmes modës, duke u kthyer në kohë të shumta.

Rita Ora e veshur me Versace

A keni menduar ndonjëherë se cilat këngë kanë formuar jetën e Rita Orës? Ajo i shpalos ato tutje në bisedën e zhvilluar për revistën Vogue Arabia.

“Liria nga George Michael – një nga të preferuarat e mia”, ndan këngëtarja.  “Unë në fakt e kam interpretuar këtë këngë para Donatella Versaces në çmimet e modës britanike dhe unë isha veshur kokë e këmbë me Versace”, thotë tutje ajo.

Krejt në fund, ajo ka ndarë edhe një moment tjetër të bukur nga jeta e saj, duke treguar pasionin e saj për punën me refugjatët.

“Puna me refugjatët ka qenë gjithmonë një pasion i imi. Duke pasur parasysh përvojën time si refugjate, jam shumë e përkushtuar për të punuar me ata që kanë përjetuar beteja të ngjashme”, thotë Ora. / KultPlus.com

6 vite nga vdekja e akademikut Kristo Frashëri

Sot shënohet 6 vjetori i vdekjes i historianit, profesorit, akademikut Kristo Frashëri, shkruan KultPlus.

Kristo Frashëri lindi në Stamboll më 4 dhjetor 1920.

Në vitin 1927 u riatdhesua familjarisht dhe u vendos në Tiranë. Pasi kreu shkollën e mesme më 1940 u regjistrua në Fakultetin e Shkencave Ekonomike në Universitetin e Firences. Gjatë vitit 1942 ai u internua nga administrata fashiste e pushtimit dhe më 1943 kaloi në rreshtat partizane. Gjatë periudhës 1945-1952 punoi në Bankën e Shtetit Shqiptar. Studimet e larta i ndoqi në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë, në Insitutin e Lartë Pedagogjik, në vitet 1951-1955.

Gjatë viteve 1953-1999 ai punoi në disa institucione të rëndësishme, ku shërbeu si punonjës shkencor në Institutin e Shkencave, në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë, në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë të Universitetit të Tiranës dhe në vitin 1997 ai u emërua zv.kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ku qëndroi deri në vitin 1999.

Kristo Frashëri ka një prodhimtari të pasur shkencore, që shtrihet në të gjitha periudhat e historisë së Shqipërisë, që nga Antikiteti e deri në kohën e sotme. Ai ka botuar me dhjetëra artikuj studimorë, referate historike, vëllime dokumentare dhe monografi shkencore, që trajtojnë pa përjashtim ngjarje, personalitete dhe procese të historisë së Shqipërisë.

Ndër to janë sprovat për të ndriçuar mjegullnajën shqiptare gjatë Mesjetës së hershme, rendin feudal mesjetar në viset shqiptare, formacionet shtetërore mesjetare, tiparet e regjimit feudal turk në Shqipëri, Rilindjen Kombëtare Shqiptare, Luftën çlirimtare të Vlorës, jetën dhe veprimtarinë e Abdyl Frashërit, Sami Frashërit etj.

Pas vitit 1990 ai ka botuar një sërë punimesh shkencore, si: “Lidhja e Prizrenit 1878-1881” (Tiranë, 1997); “Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Jeta dhe vepra” (Tiranë, 2002); “Historia e Tiranës” (Tiranë, 2004); “Historia e lëvizjes së majtë në Shqipëri” (Tiranë, 2006); “Skënderbeu në burimet dokumentare shqiptare në shek. XV” (Tiranë, 2005); “Identiteti kombëtar i shqiptarëve” (Tiranë, 2006); “Historiografia shqiptare në tranzicion” (Tiranë, 2006); “Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, 28 nëntor 1912” (Tiranë, 2008); “Historia e qytetërimit shqiptar” (Tiranë, 2008).

Kristo Frashëri si pedagog i historisë së Shqipërisë në Univeristetin e Tiranës dhe si punonjës shkencor ka një kontribut të veçantë në përgatitjen e historianëve të rinj. Kristo Frashëri u nda nga jeta më 31 janar 2016, në Tiranë./ KultPlus.com

Rita Ora edhe në kopertinën e ‘Vogue Arabia’: Besoni në vete dhe vizionin që keni për artin tuaj (FOTO)

Këngëtarja kosovare me famë botërore, Rita Ora po vazhdon me suksesin e saj në tregun botëror. Së fundmi ajo ka pozuar për kopertinën e ‘Vogue Arabia’ si dhe ka zhvilluar një bisedë me ikonën e modës italiane, Donatella Versace, shkruan KultPlus.

Ndërsa, njoftimin e ka bërë të ditur vetë magazina Vogue Arabia, të cilën KultPlus e sjell më poshtë:

Ne jemi duke hyrë në shkurt me #ritaora – këngëtare, kompozitore, aktore, dhe filantrope-në mbulesën e lëshimit të fundit të #Voguearabia, e cila përmban bisedën me projektuesin italian #donatesellesace.

Këtë muaj, të dy ikonat ulen për të diskutuar ‘fuqinë e butë’ dhe dëshirën e tyre për t’i kushtuar platformat e tyre në shërbim të më pak fatlumit.

“Këshilla më e mirë që unë mund t’i jap vajzave të reja është që gjithmonë të besoni në veten dhe vizionin që keni për artin tuaj, dhe mos lejoni që dikush t’ju thotë se ju nuk mund të arrini ëndrrat tuaja”, thotë Ora, e cila filloi jetën si një refugjate dhe vazhdoi për të parë debutimin e saj të parë rekord në #1 në tabelat në Mbretërinë e Bashkuar. / KultPlus.com

Dua Lipa: Zgjoi mori shumë çmime në Sundance dhe bast im është që Basholli do të shtojë një Oscar në koleksionin e saj

Regjisorja e filmit ‘Zgjoi’, Blerta Basholli sapo ka ndarë një postim në rrjetet sociale, ku theksohen fjalët e këngëtares kosovare me famë botërore, Dua Lipa, e cila gjithmonë ishte një përkrahëse e filmit Zgjoi dhe po vazhdon të mbetet e tillë, shkruan KultPlus.

Më poshtë KultPlus ju sjell postimin e saj të plotë:

“Zgjoi është një film i bukur që tregon historinë prekëse dhe frymëzuese të Fahrije Hotit dhe grave të Krushës. Kjo histori lufte dhe këmbënguljeje është ajo që duhet treguar. Ajo flet për shpirtin e përvojës kosovare dhe shpresoj se mund të ndihmojë në shërimin kolektiv të familjeve që u ndanë dhe njerëzve që humbën të dashurit e tyre.

Jam shumë krenare për atë që ka arritur Blerta Basholli – është një frymëzim. ZGJOI mori shumë çmime në Sundance dhe bast im është që Basholli do të shtojë një Oscar në koleksionin e saj”, ka thënë Lipa.

/ KultPlus.com

Bordi i RTK-së do t’i shkurtojë vendet e punës: Ka mbi 80 redaktorë dhe rreth 60 gazetarë

Një pjesë e madhe e shpenzimeve të Radio Televizionit të Kosovës, shkojnë për paga, ka thënë sot para deputetëve kryesuesi i bordit të RTK-së, Besnik Boletini.

Boletini tha se nuk kanë shkuar në RTK për të hequr njerëz prej punës, por për t’i motivuar ata që të punojnë. Megjithatë, ai tha se nuk do të ketë rritje të vendeve të punës, por përkundrazi.

“Nuk ka me pasë rritje të vendeve të punës qysh është raportu para disa ditëve. Përkundrazi, ka me pasë shkurtime racionale në dobi të funksionimit të mirë të RTK-së”, tha ai.

Paraprakisht, Boletini theksoi se situata në RTK është shumë problematike, me më shumë gazetarë sesa redaktorë, raporton Gazeta Express.

“Situata të cilën e kemi gjetur është pak problematike sepse p.sh. si punëtorë të rregullt në televizion, më shumë ka redaktorë sesa gazetarë. Janë diku mbi 80 redaktorë dhe diku rreth 60 gazetarë”, tha ai.

RTK-ja ka angazhuar në vazhdimësi punëtorë përmes disa kontratave për shërbime, me të cilat, sipas Boletinit, nuk njihet realisht statusi i punëtorit.

“Kemi pa që numri i këtyre personave të angazhuar është 239. Kjo nënkupton që të gjithë kanë hyrë pa konkurs dhe të gjithëve u është vazhduar kontrata ndër vite pa iu vlerësuar performanca, sepse ky lloj i kontratës me kontratë për shërbime nuk parasheh as vlerësime, nuk është realisht status i punëtorit”, tha ai.

“Ne jemi të shqetësuar edhe për të drejtat e punëtorëve sepse ky lloj i kontratës nuk parasheh asnjë benefit që parashikohet me ligjin e punës”, shtoi Boletini.

Ka pasur raste, tha Boletini, kur gratë lehona kanë dalë në punë një muaj pas lindjes për ta përmbushur këtë kontratë. / KultPlus.com

‘E bardhë e frikshme e bardha pa cicërima, pa bate e rrëmujë fëmijësh gazmor’

Nga Xhabir Tabaku

Bie borë në Nju Jork sot. Shumë borë. Qëlloi e shtunë, kësisoj lëvizjet pothuaj ndaluan fare. Rrallë ndonjë kamion me rruspë dëgjohet duke gërvishtur asfaltin e duke shpërndarë kripë gjithandej. Tek-tuk ndonjë i papërtuar pastron borën para shpie, e shumta ngujuar – secili në mënyrën e vet. Nga vij unë nuk bie shumë borë. Atje bie shumë shi. Por në fëmininë time mbaj mend çoku kishte më shumë borë. Krejt i vogël prindërit e mij e unë me motrën banonim të kushtëzuar në nji katund të Shkodrës. Ishte rast i veçantë në historinë e vendit tim që katundi të vinte nga e kaluara e largët nga një qytet. Në lashtësi qyteti kishte shkëlqyer. Drivast e thirrnin e ma vonë qyteti u bë katund dhe ne e thërrasim Drisht. Drishti ishte dhe prapë është ndër vendet më të bukura që kam parë në jetën time. Dhe unë nuk se s’kam shëtitur dynjâ. Ai shtrihet mbi mokna e vende-vende në nje fushë imcake por pjellore në luginën e lumit Kir. Përveç lumit poshtë, bukurinë Drishtit ia shtojnë edhe malet mbas shpine e përballë, matanë Kirit. Banesa jonë ishtë nji odë e vetme, një shtrat për prindërit, një tavolinë buke e një raft i vogël librash që prindërit i sillnin nga shpia në Shkodër per t’i lexuar. Mua e motrës na shtronin me fjetë përtokë. Banjoja ishte e përbashkët me të zotët e shpisë. Mahalla ku banonim ne quhej Habibaj. Nuk e di nëse emri i asaj mahalle kishte të bënte me rrënjën arabe të fjalës, por një gjë e di me siguri, njerëzit më të dashur në botë ishin habibët. Shtëpia e tyre ishte jona. Babën e nanën time i trajtonin sikur të ishin prej qelqi, ndonëse prindërit e mij ishin të thjeshtë deri në thjeshtësine e përkryer katundare. Dasma a deka, prindët e mij ishin në krye të vendit. Mësuesi e hoxha mâ! – thonin ata dhe u qeshnin sytë. Ai katund burrash e trimash! Grashë të fisme e të ndershme deri ku s’ka mâ. Bukëdhânë si ata. Shkolla ku jepnin mësim baba e nana ishte në mahallën ngjitë, Zhup. Atëherë mâ nalt vinte lagja kala. Kalaja e Drishtit pra. Baba i kishte miq krejt katundin e na çonte shpesh në kalá. Kalalitë shquheshin per veti fisnike e trimnije. Mua më llastonin burrat e djemt e rritur e motren e trajtonin si kukull grate e vajzat. Kur binte borë, mblidheshim here te oda jonë te shpija e Shaban Rrustemit e herë te shpijat e miqve të babës. Burrat ngrenin biseda të moçme, ma të rinjtë e na fëmijët ngrenim “bàt”.

Bati mâ së shumti ishte nji rrasë petashuqe guri apo dërrasë e rëndë mbajtun nalt me një krânde të lidhur me spango. Hidhnim dromca buke kollomoqi dhe prisnim mbas penxhereve për zogjtë. Kishte shumë zogj. Nuk ua dija emrin por të gjithë i thirrnin zogj bore. Zinim shumë zogj, ua këpusnim krenat, i shpuplonim e mandej gratë e shpisë herë na goditshin pilaf me zogj t’pjekun e herë i piqnim vetë me gështenja.

***

Tek pashë gjithë atë borë sot kur u ngrita nga shtrati, mora një kafe në dorë bashkë me gruan dhe pranë kaloriferit tek penxherja po shihnim kah oborri e rruga e madhe që shtrihet tej pára. Gruaja si gratë, piu kafen e u ngrit për punët e shpisë. Unë tek soditja borën që binte e shtresohej me ngut më ra n’mend çka shkrova mâ nalt. Zogjtë, mendova. Sigurisht që malli për vitet e fëminisë me mua, batet, pilafi me zogj, gështêjat e pjekna etj, por tash qasja ndryshe patjetër. U ngrita, mora një pjatë në kuzhinë, mora do oriz, bollgur dhe thekna e i hodha në tè. I vura mbi pragun e ballkonit dhe u rehatova prap pranë kaloriferit tek penxherja. Prita e prita por asnjë zog s’u afrua. Asnjë.

Më krijoi një ndjenjë boshllëku në shpirt. Gjithë ata kujtime të hareshme fëminie me borë e zogj e jetë, u përkthyen në heshtje të bardhë. E bardhë e frikshme e bardha pa cicërima, pa bate e rrëmujë fëmijësh gazmor. Ndoshta atje bie shi, mendova me vedi, duke dashtë me shkund veten nga ankthi i bardhë dhe hova më kambë. / KultPlus.com

Kur Sulltani fali Abdyl Frashërin

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 31 Janar 2022

“Stamboul” ka botuar, të shtunën e 6 shkurtit 1886, në ballinë, një shkrim në lidhje me faljen e Abdyl Frashërit nga Sulltani, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar.

Abdyl bej Frashëri

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Shqiptari Abdyl bej Frashëri, vëllai i Sami beut, shkrimtar i njohur osman, me ndikim të madh në vendin e tij, i komprometuar në kryengritjen shqiptare të vitit 1881, ishte arrestuar dhe internuar në Panderma (Bandirma).

Madhëria e Tij Perandorake Sulltani sapo e ka falur (amnistuar).

Abdyl beu ka mbërritur në qytetin tonë. / KultPlus.com

Abdyl Frashëri (1839 – 1892)


225 vjet nga lindja e gjeniut të muzikës klasike, Franz Schubert

Franz Schubert, gjeniu i muzikës klasike, i cili la gjurmë të mëdha në historinë e muzikës botërore, duke u përjetësuar përmes kompozimeve të tij, shkruan KultPlus.

Sot, në 225 vjetorin e lindjes së tij, KultPlus ju sjell një pasyqrë të jetës dhe veprës së tij.

Schuberti ishte një kompozitor austriak, i cili shkroi rreth 600 melodi, nënë simfoni duke përfshirë të famshmen ‘’Simfonia e papërfunduar’’, muzikë liturgjike, opera etj.

Schubert ka lindur në një familje muzikantësh, dhe ka marrë trajnim formal muzikor në fëmijërinë e tij. Ndërsa Schubert kishte një rreth i ngushtë i shokëve dhe bashkëpunëtorëve të cilët admiruar puna e tij (në mesin e tyre të shquar këngëtari Michael Johan Vogl), vlerësimi muzikës së tij gjatë jetës së tij ishte i kufizuar. Ai nuk ishte në gjendje për të siguruar punë adekuate të përhershme, dhe për shumicën e karrierës së tij ai u mbështet tek miqtë dhe familja. Ai bëri disa të holla prej veprave të publikuara, dhe herë pas here dha mësim privat muzikorë.

Ndërkohë, aftësitë gjeniale te tij filloi ti tregojë në kompozimet e tij. Schubert ishte lejuar herë pas here për të udhëhequr orkestra në Stadtkonvikt, dhe Salieri vendosi për ta stërvitur atë privatisht për kompozime dhe teori në këto vite. Kjo ishte fillesë e parë për atë orkestër amatore për të cilën, vite më vonë, shumë kompozime të tij ishin shkruar. Gjatë pjesës tjetër të qëndrimit të tij në Stadtkonvikt ai shkroi një pjesë të mirë të muzikës kamertale, këngë të ndryshme, disa pjesë të ndryshme për piano etj.

Në fund të vitit 1813 ai u largua nga Stadtkonvikt, dhe u kthye në shtëpi për studime në Normalhaupshule për të trajnuar si një mësues. Në vitin 1814 ai hyri në shkollën e atit të tij si mësues i nxënësve ri. Për më shumë se dy vjet qëndroi në këtë punë të rëndë, të cilën ai e kreu me sukses.Ai vazhdoi të marrë mësime private në përbërje nga Salieri, i cili bëri më shumë për trajnime muzikore të Schubertit sesa ndonjë prej mësuesëve të tij të tjerë.

Viti më pjellor i Schubertit ishte ndoshta në vitin 1815. Ai kompozoi mbi 20.000 masa muzikore, më shumë se gjysma e të cilave ishte për orkestër, përfshirë nëntë vepra të kishës, një simfoni, dhe rreth 140 melodi.

Në atë vit ai u prezantua edhe për Anselmi Hüttenbrenner dhe Franz von Schober, të cilët i bëri miqtë e tij të përjetshëm. Një tjetër mik i tij, Johann Mayrhofer, u prezantua atij nga Spaun në 1814. / KultPlus.com

Osmani fton ZRRE-në që të trajtojë me seriozitet komentet dhe t’i integrojë në mënyrë adekuate në dokumentin final

Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës, sot ka dërguar komentet në Raportin Konsultativ të Zyrës së Rregullatorit për Energji mbi Shqyrtimin e Strukturës Tarifore për Konsumatorët e Rregulluar të Amvisërisë të Shërbyer nën FSHU.

Në këtë dokument janë paraqitur qëndrimet e Zyrës së Presidentes lidhur me strukturën e re tarifore të propozuar nga ZRRE-ja dhe janë dhënë rekomandime konkrete të cilat do të rezultonin me respektim të parimit të mosdiskriminimit, përballueshmërisë, qasjes së barabartë dhe furnizimit të rregullt me energji.

“Për Presidenten e Kosovës, objektiv kryesor mbetet respektimi i parimit të përballueshmërisë, qasjes së barabartë, dhe furnizimit të rregullt me energji elektrike. Nisur nga kjo, kërkohet nga ZRRE që, ashtu siç e ka cekur vet në dokumentin e publikuar, të sigurohet që ‘konsultimi publik [të jetë] në qendër të politikave rregullatore efektive. Respektivisht, ZRRE-ja ftohet që me seriozitet t`i trajtojë komentet dhe rekomandimet e palëve të interesit dhe t’i integrojë ato në mënyrë adekuate në dokumentin final, në mënyrë që struktura e re tarifore të mos jetë diskriminuese dhe e papërballueshme ndaj grupeve të caktuara të konsumatorëve në vend’”, thuhet në njoftimin e dërguar nga presidenca.

Sot ka qenë dita e fundit kur palët e interesit kanë mundur të dërgojnë komente në ZRRE. /KultPlus.com

97 vjetori i shpalljes së Tiranës si kryeqytet i Shqipërisë

Më 31 Janar 1925, Tirana u bë kryeqytet i Shqipërisë, pasi Asambleja Kushtetuese votoi nenin 6 të kushtetutës: “Tirana është kryeqyteti i Shqipërisë.”

Që nga kjo datë kushtetutat janë ndërruar shumë herë, por ky nen ka mbetur i pa ndryshuar.

Delegatët e parlamentit të cilët më 21 janar 1925 e shpallën republikën e parë shqiptare, morën vendimin e radhës edhe për Tiranën.

Pra, 10 ditë më vonë shpallën Tiranën si kryeqytet të Shqipërisë. /KultPlus.com

*Në foto: Anëtarët e Asamblesë Kushtetuese që votuan më 31 janar 1925, Tiranën kryeqytet dhe Ahmet Zogun president

Teatri Dodona publikon orarin e shfaqjeve për muajin shkurt

Teatri Dodona po vazhdon të sjellë shfaqje të reja, ku edhe së fundmi ka publikuar orarin për muajin shkurt, shkruan KultPlus.

Nëpërmjet një postimi në “Facebook”, Teatri Dodona njoftoi se do të shfaqen pesë shfaqje për muajin që po vjen.

Pra, shfaqja e parë do të jetë “Gogoli” nga Arian Krasniqi me regji të Mentor Berishës, e cila do të jepet më 5 shkurt me fillim nga ora 12:00.

Në anën tjetër, ky muaj do të mbyllet më 27 shkurt me shfaqjen “Ditëlindja” nga Ivor Martinic, dhe regji të Ilirjana Arifit. /KultPlus.com

Los Angeles Times shkruan për 3 filma ndërkombëtarë që synojnë Oscarin, përfshin edhe “Zgjoin”

Njëra ndër gazetat më prestigjioze në Amerikë, Los Angeles Times, ka shkruar për 3 filmat nga 15 kandidatët për çmimin ndërkombëtar të “Academy Awards”,  në mesin e të cilave është edhe “Zgjoi”, përcjell KultPlus.

Të përfshirë në listën e ngushtë të Oscarit këtë vit në kategorinë e filmave ndërkombëtarë janë edhe historitë e dilemave morale sikurse

Të përfshira në listën e ngushtë të Oscar-it të këtij viti të pretendentëve ndërkombëtarë të filmave artistikë janë historitë e dilemave morale (“Një hero”), (“Liri më e madhe”), (“Qengji”) dhe (“Sheshi i lojërave”).

Por mes 15 finalistëve ka edhe perspektiva unike për sipërmarrjen dhe fatin. Dhe mund të habiteni kur i gjeni ato histori në një kavanoz të shijshëm ajvari, në shkallë shkencore apo edhe midis përfitimeve të papritura të, besoni apo jo edhe në jashtëqitjen e tharë të jakut.

“Zgjoi

Yllka Gashi në filmin “Zgjoi,” nga regjisorja Blerta Basholli.

Gati dy dekada më parë, Fahrije Hoti filloi një biznes duke shitur një shije speci të kuq të njohur si ajvar dhe mjaltë në Kosovë. Burri i saj ishte zhdukur në luftën e Kosovës disa vite më parë dhe, si shumë nga të vejat në fshatin e saj të vogël, ajo po bëhej e dëshpëruar për të mbajtur familjen e saj. Betejat mizogjene me të cilat u përball nga burrat dhe madje edhe gratë e tjera në vendlindjen e saj kur filloi përpjekjet e saj janë frymëzimi për “Hive” të Blerta Bashollit, një dramë prekëse që është në prag të të qenit i pari i nominuar për Oskar për filmin ndërkombëtar të Kosovës, kur nominimet janë shpallur më 8 shkurt.

Basholli thotë se Fahrija e vërtetë, e luajtur nga Yllka Gashi në film, ka kujtuar vështirësinë e saj fillestare në rritjen e bletëve. Në atë që do të ishte e tmerrshme për shumëkënd, bletët e thumbonin vazhdimisht sepse ajo nuk mund të qëndronte e qetë. Dhe, në një moment, ajo u pickua aq shumë sa përfundoi në spital.

“Ajo tha: “Nëse nuk je i qetë me bletët, ato do të të thumbojnë, dhe e njëjta gjë është me të vejat”. Nëse nuk i kërkoni me qetësi t’ju bashkohen, ata do t’ju sulmojnë”, thotë Basholli. “Për mua, ky ishte një krahasim vërtet interesant.”

Për Bashollin, rrugëtimi frymëzues i Fahrijes është gjithashtu një udhëtim universal.

“Mendoj se të gjithë jemi ndjerë të vegjël në disa momente të jetës sonë, qoftë si adoleshente, qoftë sepse i përkasim një komuniteti të grave, apo i përkasim një kombësie, race, seksualiteti të caktuar,” thotë Basholli. “Ose ndoshta ishim të trembur dhe ndiheshim të vegjël. Pra, në këtë kuptim, me të vërtetë ndjeva sikur njerëzit do të lidhen me të dhe kjo është arsyeja pse doja ta përqendroja historinë tek ajo.”

‘“The Good Boss”

Sa i mirë është një shef i mirë kur bën gjëra të këqija? Kjo është pyetja në qendër të komedisë së errët të Fernando León de Aranoa, kandidati i Spanjës.

Ky bos, i portretizuar nga Javier Bardem, zotëron një fabrikë të nivelit të lartë dhe është i fiksuar pas fitimit të një trofe tjetër që ta varë në murin e tij. Me një datë inspektimi afër, ai është përballur me punonjës të pakënaqur dhe me një rrjet gjithnjë e më të komplikuar të politikave. Ndërsa filmi përparon, ai bëhet më shumë një manipulues me zemër të ftohtë sesa si njeriu i njerëzve si e sheh veten.

Lidhur me veprimet e tij, Aranoa thotë, “Personazhi po thotë: ‘Dëgjo, jam i detyruar ta bëj këtë. Unë jam duke dashur të kem përfitime në biznes. Unë jam duke kërkuar përfitimin e punëtorëve të mi, sepse ata janë djemtë e mi’. Kur shikuesit e shohin, disa prej tyre në mes të filmit thonë: ‘Në rregull, ndoshta ai nuk është shef i mirë’, kështu që ata janë duke u larguar nga dashuria që kanë ndier në fillim ndaj personazhit, ndërsa të tjerët e ndjekin deri në fund”.

Aranoas i duket mjaft interesante gama e opinioneve për personazhin, veçanërisht e njerëzve në Spanjë.

“Të rinjtë nën të 30-at ndihen sikur ai është një shef shumë i mirë, sepse nuk janë mësuar me të pasurit e disa të drejtave”, ka thënë Aranoa. “Ata thonë: ‘Jo, ai nuk është aq i keq. Ai i çon [punonjësit e tij] në restorante të mira.’ Ata njerëz në të 30-at po ashtu mendojnë se ai është një shef i mirë, duke thënë se ai po përpiqet të bëjë gjithçka për t’i mbrojtur punëtorët e tij. Nuk jam dakord, por jam i lumtur që edhe ata do ta përkrahnin personazhin ashtu”.

“Lunana: Një jak në klasë”

Drama prekëse e Butanit e regjisorit Pawo Choyning Dorji u frymëzua nga vitet që ai kaloi duke mbledhur histori në vendlindjen e tij. Megjithatë, gjatë atyre udhëtimeve ai u mahnit nga fakti se sa nga të rinjtë e vendit po largoheshin jashtë shtetit. Debutimi i tij artistik përqendrohet në një individ të tillë, i cili dërgohet në vitin e tij të fundit të trajnimit për t’iu dhënë mësim fëmijëve në Lunana, një nga fshatrat më të largëta në Butan.

Me një popullsi prej vetëm 40 banorësh, enklava nuk ka energji elektrike apo rrjet telefonik. Në fakt, fshatarët përdorin pleh të tharë të jakut për t’u ngrohur. Për gati një vit e gjysmë, ekipi i Dorji-t dhe një ushtri mushkash dhe gomarësh transportuan panele diellore, bateri diellore dhe nevoja të tjera logjistike për të filmuar në vendndodhje për 2 muaj e gjysmë. Dhe pas gjithë këtyre akoma nuk lejohen tushe, pasi që janë një koncept i huaj në fshat.

“Doja ta xhiroja në Lunana, sepse doja të kapja atë autentiken, atë pastërtinë, jo vetëm të vendit, por edhe të njerëzve”, ka thënë Dorji. “Të gjitha personazhet e filmit që shihni, jo vetëm që janë aktorë për herë të parë, por të gjithë njerëzit në fshat nuk kanë asnjë koncept për kinemanë. Ata nuk kanë parë asnjë film në jetën e tyre. Harrojeni filmin, ata nuk kanë parë kurrë një llambë, dhe ajo pjesa ku fëmijët i lajnë dhëmbët ka qenë hera e parë që ata kanë provuar pastën. Dhe kjo ishte ajo që dëshiroja të ndaja më botën, autenticitetin e këtij vendi dhe të njerëzve”. /KultPlus.com

Kurti: Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu ishin kushtrimi i çlirimit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Presidentën Vjosa Osmani kanë vendosur kurorë lulesh te shtatoret e heronjve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu, Edmond Hoxha dhe Ilir Konushevci, shkruan KultPlus.

“Komandanti Zahir Pajaziti ishte ndër pararendësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai bashkë me Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën kryenin aksione kundër okupatorit edhe para se të fillojë lufta çlirimtare”, tha Kurti pas homazheve në sheshin e Dëshmorëve në Besianë, në 25-vjetorin e rënies së tyre.

Ai tha se Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu ishin kushtrimi i çlirimit dhe ata i dhanë një hov të jashtëzakonshëm Ushtrisë Çlirimtare. E rritën edhe besimin e popullit në UÇK, por edhe vetëbesimin e popullit.

Andaj, bashkë Vjosa Osmanin, Kryetarin e Komunës së Besianës, Shpejtim Bulluqi dhe kolegë e bashkëpunëtorë të tjerë, Kurti vendosi lule të freskëta për këta luftëtarë të paepur, të cilët nuk kursyen asgjë për atë që është më e shtrenjta për vendin dhe popullin tonë, lirinë e Kosovës.

Lavdi Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut, Edmond Hoxhës, Ilir Konushevcit dhe të gjithë heronjve, dëshmorëve e martirëve të populli tonë, tha në fund shefi ekzekutivit.

Nga aty, Kurti dhe Osmani po ashtu bënë homazhe dhe vendosën kurora lulesh edhe te varri i Zahir Pajazitit në Kompleksin Memorial në Orllan. /KultPlus.com

‘Jam i varfër, po i lirë, ndaj më pëlqen varfëria’

Shkruan: Andon Zako Çajupi

Varfëria dhe Liria

Jam i varfër, po i lire,
ndaj më pëlqen varfëria;
kush do të rrojë më mirë,
s’urdhëron dot veten e tia.
Mbreti, sikur të më thotë:
«Hajde në pallat me mua,
të gëzosh dhe ti në botë^,
do t’i them: «Zot, nukë dua;
për të ngrën’ e për të pirë
nukë mund të shes lirinë;
i varferi rron më mirë
s’ai që do madhërinë.
S’më duhet ergjëndi mua,
dua lirine dhe ndere,
dua te bej si te dua,
jo si te duan te tjere.
Kush mund e ben si do vete,
ben si thote Perendia,
nuke ka ne kete jete
gje m’e vyer se liria. /KultPlus.com

Osmani: Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu janë pararoja e UÇK-së dhe lajmëtarët e lirisë së Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me kryeministrin Albin Kurti kanë vendosur kurorë lulesh te shtatoret e heronjve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu, Edmond Hoxha dhe Ilir Konushevci, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në llogarine zyrtare në ”Facebook”, ka shkruar se ata ishin patriotë të devotshëm.

Postimi i plotë:

“Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu janë pararoja e UÇK-së dhe lajmëtarët e lirisë së Kosovës.

Ata ishin patriotë të devotshëm, organizatorë të zotë dhe luftëtarë të paepur.

25- vjet më parë, angazhimi i tyre për lirinë e vendit u ndal mizorisht në një pritë, në të cilën tre patriotët ranë në përjetësi.

Ata janë fryma çlirimtare, krenaria e shtetit të Kosovës dhe udhërrëfyes për brezat!

U kujtofshin përjetë Zahiri, Edmondi dhe Hakifi!”, shkruan Osmani.

Më 31 janar të vitit 1997 ndodhi njëra nga betejat e para të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me forcat armike. /KultPlus.com

Lançohet “HYJNESHAT” zina e parë mbi kulturën drag në gjuhën shqipe

Të enjten me 27 janar 2022, në hapësirat Termokiss në Prishtinë është mbajtur ngjarja e lançimit të zinës “HYJNESHAT” – publikimi i parë mbi kulturën drag në gjuhën shqipe, prodhuar nga kolektivi Hyjneshat dhe platforma Dylberizm.

Qëllimi i kësaj zine është të informoj, promovoj dhe dokumentoj artin dhe artistet drag të Kosovës. Kultura queer si kulturë e shtypur nuk ka hapësirë dhe vëmendje të duhur në sferën e përgjithshme të artit. Prandaj, është koha që të njoftohemi nga afër me këtë pjesë të rëndësishme të kulturës queer kosovare, duke dëgjuar nga përvojat e atyre që e mbajnë gjallë atë.

Në këtë edicion do të keni mundësinë të i lexoni 8 intervista me performueset drag (hyjneshat) të cilat rrëfejnë lidhjen e tyre me këtë formë të artit dhe personazhin të cilit ato kanë krijuar.

Barbie Lo, Diva, Kathryn Lux, Miss Fenix, Rebiswan, Stormy, Victoria Owns dhe Vjeshta Shtatori janë 8 hyjneshat e edicionit të parë të zinës, të cilat ndajnë me ne rrugëtimin e tyre si performues drag, të ngjyrosur me ndjenjat, sfidat dhe përjetimet e tyre.

Me fotografi nga Besfort Syla, editim nga Nderim Ahmeti, dhe dizajnim nga Arrita Katona.

Prodhimi i këtij publikimi është mbështetur nëpërmjet Lokomotiva, një program i implementuar nga Kosovo 2.0 dhe financuar nga Prince Claus Fund. Printimi i publikimit është financuar nga CSGD. /KultPlus.com