Kiana Kryeziu për Lojërat Olimpike: Asgjë nuk është e pamundur nëse punoni shumë, jam vajzë e re dhe vij nga një vend i vogël

Skiatorja, Kiana Kryeziu, shkroi histori duke u bërë vajza e parë nga Kosova që arrin të marrë pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore, shkruan KultPlus.

Në garën e saj të parë, një konkurencë të fortë, Kryeziu u rendit e 49-ta nga 82 pjesëmarrëse, me kohë 1 minutë, 18.78 sekonda.

Në anën tjetër, në disiplinën e sllallomit të madh, ajo zuri vendin e 49-të nga 82 garues total me kohë 2 minuta e 42.19 sekonda.

Përmes një postimi në ”Facebook”, Kryeziu u shpreh jashtëzakonisht i lumtur për këtë arritje.

“Asgjë në botë nuk mund të matet me ndjenjën që e perjetova në lojërat olimpike, vetëm prania ime atje ishte një aritje e madhe, një eksperiencë e paharruar. Dua të falënderoj të gjithë që më ndihmuan të jem unë këtu ku jam sot, të cilët qëndruan në hije të suksesit tim të madh”.

17 vjeçarja tutje falënderoi prindërit, që e mbështetën atë sikurse në suksese ashtu edhe në eksperiencat e tjera.

“Gjithashtu, dua të falëndetoj trajnerin tim, Agim Pupovci, i cili më mori në krahët e tij dhe me shumë dedikim e fokusim më solli këtu ku jam unë tani. Si një vajzë e vogël me një ëndërr të madhe nga një vend i vogël, dua të them se asgjë nuk është e pamundur në qoftë se ju punoni shumë”, përfundoi ajo.

Kosova në këto Lojëra Olimpike, është duke u përfaqësuar edhe nga skijatori Albin Tahiri. /KultPlus.com

Tetë vjet nga vdekja e aktorit Skënder Sallaku

Artisti Skënder Sallaku lindi në Tiranë më 25 janar 1935. Që në fëmijëri të hershme ai shfaqi një pasion dhe dëshirë të madhe për aktrimin dhe sidomos për zhanrin e humorit.

Njëkohësisht Sallaku me të njëjtin pasion iu përkushtua edhe sportit të mundjes klasike, ku koleksionoi edhe titullin “Kampion Kombëtar”. 

Aftësitë e tij sportive do t’i shërbenin edhe në skenë, pasi në vitin 1956 ai u emërua si aktori i parë akrobat pranë Teatrit të Estradës dhe Varietesë së Tiranës, duke u bërë pjesë e trupës profesioniste të atij institucioni.

Pas përfundimit të studimeve në Institutin e Lartë të Fizkulturës ai ndoqi edhe një kurs kualifikimi për akrobat në Cirkun e Pekinit. Karriera e artistit zgjati për më tepër se gjysmëshekulli, ku falë aftësive të tij të shkëlqyera plastike, pantomimike etj., interpretoi në më tepër se 1000 role në skenë dhe ekran, të cilat do të mbeten gjatë në kujtesën e artdashësve dhe si një thesar për trashëgiminë artistike, kryesisht në zhanrin e komedisë.

 Disa nga interpretimet e tij më të njohura janë në shfaqjet: “Gaz dhe punë”, “Ditari i një bojaxhiu”, “Ekipi”, “Dosja jonë” e shumë e shumë të tjera. Ndërkohë ai luajti edhe në ekranizimin e materialeve komike si në filmat: “Kur hiqen Maskat”, “Estrada në ekran”, etj., ku ai gjithashtu do të tregonte nivele të larta interpretimi. Për këto arsye artisti Skënder Sallaku gjatë karrierës u vlerësua me shumë çmime si: “Artist i Merituar”, “Artist i Popullit”, “Mirënjohja e Qytetit”, “Urdhri i Punës i Klasit të Dytë”. 

Artisti Skënder Sallaku u nda nga jeta më 11 shkurt 2014 në moshën 79-vjeçare nga një sëmundje e pashërueshme prej së cilës ai vuajti për disa vite, por megjithatë gjente forcën të angazhohej dhe të ishte aktiv me mënyrën e tij, që ishte shkrimi i materialeve komike. /ata/ KultPlus.com

Elegji për Azem Shkrelin 


Poezi nga Din Mehmeti

Mos e zgjoni!
Nuri i tij shndrit

Trupin e ka në të tashmen
Shpirtin në të ardhmen

Është duke përbiruar
Nëpër shkëmboren e mendimit
Për të arritur në anën tjetër të vetes

Rugovasit e mbështollën
Me shalla të bardhë
E vendosën në shpirtin e tyre
Për të jetuar gjithmonë me të

Drita i tha territ:
Nxima shikimin
Mos ta shoh të heshtur

Terri i tha dritës:
Më bëj edhe më të zi

O miku im më i miri mik
Zi zi zi – ajo ditë
Eh eh eh!…

Mos e zgjoni! / KultPlus.com

Vdes në moshën 87 vjeçare, Kadrie Kadare


Sot vdiq motra e shkrimtarit Ismail Kadare, Kadrie Kadare, përcjell KultPlus.

Ajo është ndarë nga jeta në moshën 85 vjeçare.

Ndërsa, lajmi është bërë i ditur nga poeti Sadik Bejko përmes një postimi në rrjetet sociale.

“Sot në moshën 85 vjeç është ndarë nga jeta Kadrie Kadare. Ajo ishte një grua me arsimim të lartë, me kontribute si mësimdhënëse, lektore në Universitet. Ajo ka një kontribut të pavërejtur si korrektore e veprës së Ismail Kadaresë.

Ka punuar dhe në disa nga gazetat me të rëndësishme në këto vite të tranzicionit. Korrektore në gazetat Albania, Shekulli, 55. Panorama, Rilindja Demokratike, Mapo. Etj.

Sot, Ismail Kadare në intimite, në heshtje solemne sot përcillë në varrezat Sharrës motrën e tij të vetme. Para një muaji u nda nga jeta vëllai i tij, dr Shahin Kadare. Të qoftë dheu i lehtë, Kadrie Kadare. Paqe, prehje e përjetshme për ty”, ka shkruar Bejko. / KultPlus.com

Fillon turneu i “Future Nostalgia”, Dukagjin Lipa: Jam shumë krenar për Dua Lipën time


Ajo humbi një paraqitje në Brit Awards 2022 për shkak të faktit së turneu i saj po fillon në ShBA, por megjithatë arriti të fitojë një nga çmimet e mbrëmjes, shkruan KultPlus.

Të martën në mbrëmje, Dua u dërgoi një video-mesazh shikuesve të Brit Awards teksa pranoi çmimin “Artistja më e mirë e zhanrit Pop/R&B”.

Ndërsa, sot babai i saj, Dukagjin Lipa ka ndarë disa fotografi me Duan për të treguar se turneu i saj tashmë ka filluar.

“Mbrëmë filloi turneu i albumit ”Future Nostalgia” me plot zhurmë.

Shumë krenarë për @dualipa-n time dhe gjithë ekipin i cili krijoi një shfaqje kaq të pabesueshme.

Të gjithë ata që do të jenë
në një nga shfaqjet, do të bëhen pjesë e një kënaqësie të madhe”, ka shkruar ai në rrjetet sociale. / KultPlus.com

Pjesë nga ditari i Musine Kokalarit: Harruam që ne i përkasim një të kaluare të ndritur demokratike 100 vjeçare 


U treguan aq të vendosur, aq të palodhur, duke na mbajtur në burg, saqë persekutimi i pandërprerë dhe frika e kazmës varrosi solidaritetin demokratik.

Në një prej fletëve të ditarit të Musine Kokalarit mbajtur në vitin 1979-1980, shkrimtarja dhe intelektualja e kulluar artikulon një të vërtetë të hidhur.

Edhe pse në pak radhë, ajo arrin t’i bëjë një skaner metodologjisë mizore të regjimit, për të shkatërruar gjithë shtresën e intelektualëve dhe kundërshtarëve të regjimit.

Kokalari e sheh thelbin e suksesit të komunistëve jo te mençuria e tyre, por tek vendosmëria e tyre për të vijuar me çdo formë shtypjen, dhunën dhe persekutimin e gjatë e të pambarimtë ndaj kësaj shtrese kundërshtare, duke pritur me durim që ata ta braktisnin qëndresën një nga një.

Ja çfarë shkruan Kokalari në ditarin e saj:

“Një e vërtetë e hidhur! Sido që kemi qenë vërtet njerëz të mirë, mbaruam shumë keq. U shpartalluam dhe moralisht. Duke rënë në burg si shumica, në vend që t’u shmangeshim në heshtje, t’u linim udhë, shumica u kacafytën me informatorët. U dhamë shkas që duke na zënë në fyt, shumë prej nesh u kthyen vetë në informatorë, me premtimin se do të mërrnin një vend të mirë në jetën e lirë.
Këta nuk janë më të mençur se ne. Vetëm u treguan aq të vendosur, aq të palodhur duke na mbajtur në burg, saqë persekutimi i pandërprerë dhe frika e kazmës varrosi solidaritetin demokratik. Kështu të përçarë na shtrydhën, na shtypën dhe harruam që ne i përkasim një të kaluare të ndritur demokratike 100 vjeçare.
Por prapë këta, nga gjiri i tyre, megjithëse kanë kaluar 35 vjet pushtet, gjer më sot s’kam parë individualitet të formuar, veç ligësisë…”
KultPlus.com

Azem Shkreli: Mes nesh kanë hyrë shumë varre dhe gjak

(Bisedë me “Naša Borba”, marrë nga vepra “Zoti nuk është shqiptar”, 1996)

● Kohë më parë morët shpërblimin për libër të vitit. Ku ndodhet momentalisht, krijimtaria shqiptare, në ç’drejtim ecën dhe a ka sot kushte në kosovë për t’u marrë seriozisht me vlera të njëmendta artistike?
► Krijimtaria artistike shqiptare në Kosovë edhe në këto kushte të vështira po dëshmon vitalitetin e saj, jo vetëm të ekzistencës, po edhe të zhvillimit e të avancimit të vlerave. Krijimtaria, në veçanti letërsia, mund të vështirësohet, por është e papengueshme. Krijuesi i mirëfilltë, shkrimtari i mirëfilltë, në të gjitha kushtet dhe në të gjitha situatat është shkrimtar. Tekefundit, krijimtaria artistike shumë herë nuk është rezultat i ndjenjës së mirëqenies. Shkrimtari e prodhon vetë lirinë e vet krijuese, vetë akti krijues është çlirim dhe liri.
Është e vërtetë se klima krijuese te ne është e rënduar mjaft, e ngushtuar, e ngarkuar me pasoja të vrazhdta të gjendjes në të cilën ndodhemi. Vlerat që arrijnë të krijohen dhe të ngrihen mbi këto vështirësi e pengesa, japin apriori provë të qëndrueshmërisë së tyre. Autorë vlerash të tilla, si çdo kulturë tjetër, ka edhe krijimtaria jonë dhe ata janë të papushtueshëm Kjo kurrsesi nuk do të thotë se dhuna e represioni të cilat në esencë janë antikulturë dhe anticivilizim, nuk e kanë lënduar ndjeshëm edhe kulturën dhe krijimtarinë tonë artistike, se nuk i kanë dëmtuar ndjeshëm vlerat, sepse, ato atë punë e atë qëllim kanë kurdo që pushteti i njërit i përdor ndaj kulturës dhe identitetit të tjetrit.

● Sa është e kushtëzuar krijimtaria artistike shqiptare nga ngjarjet ditore politike dhe a është e mundur t’u shmanget atyre?
► Klima dhe hapësira krijuese shqiptare këtu janë të rënduara, të ngushtuara, të ngarkuara. Ç’raport tjetër mund të kenë arti e kultura me dhunën, represionin e terrorin policor që janë përherë antipodë të kulturës e të artit? Kushtëzimi është evident. Ky kushtëzim nuk ka se si të evitohet, pasojat s’ka se si të mos ndjehen. Shkrimtari ynë, sikundër edhe të tjerët, nuk mund të jetojë jashtë kohës dhe jashtë jetës së popullit të tij, pra jashtë brengave dhe shqetësimeve dramatike që jetojnë sot shqiptarët në Kosovë, por edhe në vise të tjera të ish Jugosllavisë. Politika këtu nuk është më sferë interesimi e aktiviteti shtresash të caktuara që të mund t’i rrish anash. Ajo mirret me të gjitha dhe me të gjithë duke pasur në shënjestër çdo gjë që bën jetën, identitetin dhe ekzistencën shqiptare. Jeta politike këtu ndodh e kondensuar, e tensionuar, e instrumentalizuar ekstremisht nga tendenca shpërbëijeje të një substrati etnik. Është krejtësisht e kuptueshme përse shqiptarët nuk duan të jenë më vetëm objekt i politikave që do të vendosnin pozitën dhe fatin historik të tyre, ata duan të jenë subjekt esencial dhe i pakapërcyeshëm i vendosjes për pozitën dhe ardhmërinë e vet. Është po ashtu e kuptueshme përse në këtë vorbull vlimesh dramatike dhe vendimtare, intelektualët, andaj edhe shkrimtarët, nuk mund të kundrojnë anash. Kjo, madje as nuk varet më nga ata, varet nga imperativa të cilat nuk i përcakton vokacioni dhe vullneti i tyre.

● Ju ishit njëri nga pjesëmarrësit e dialogut të dëgjuar që u zhvillua në Francuska 7. Ç’ndodhi, në të vërtetë, atëbotë, ku u shfaqën mospajtimet më të mëdha dhe a ishin ato të pakapërcyeshme?
► Konsideroj se ai takim i shkrimtarëve në Beograd ishte i pari dialog mes shqiptarëve e serbëve. Ai ishte fillim i një dialogu i cili nuk u zhvillua dhe nuk u krye. Ishte i drejtpërdrejtë dhe krejtësisht i hapur. Një dialog politik pa politikë, pa rrotulla e retorizma të demagogjisë politike. Ai dialog, ai fillim dialogu, nuk ishte kurrsesi shkak i konfliktit, ishte hapje dhe sheshim i shkaqeve të konfliktit dhe, në esencë, dëshirë që ato të evitohen. Mospajtimet dhe kundërshtitë u hapën. Mirëpo, ato nuk qe e mundur të zgjidhen aty për aty. Ato u thanë sy më sy, pa ngurim e konsiderata të rreme, pa dorëza e komplekse. Dhe nuk u fshehën kurrë më.
Ku e merr që ai dialog t’ishte ç’duhej t’ishte: fillim i një dialogu sigurisht të gjatë, të rëndë e të mundimshëm, por konstruktiv dhe qëllimmirë.
Megjithatë aty u tha esenca e pozicionimeve të të dyja palëve. Nuk kishim iluzion se me një dialog, me një filiim dialogu, do të zgjidheshin e do të rrafshoheshin mospajtimet të dlat janë të ashpia, të thella dhe të kahershme. Ato as nuk mund të kapërcehen ndonjëherë pa u kapërcyer më parë shkaqet e tyre. Aq romantikë naivë të politikës nuk ishim as ne shkrimtarët. Ne vetëm po fillonim diç të domosdoshme që duhej të gjente vendin, mënyrën dhe vullnetin e mirë të vazhdohej. Krahasoni tani rezultatet e asaj që është dashur të bëhej me këto të kësaj që është bërë tragjikisht mbrapsht!
Një gjë mund ta them me bindje të thellë: Mbyllja e dialogut që në fillim të tij ishte fatale. Sado që dialogu ynë atëherë filloi i ndezur e i elektrizuar nga kundërshti të ashpra të interesave e të argumenteve, nga paragjykime e emodone të hrinjuara gjatë kohë, në ffymën dhe në esencën e qëilimit të atij dialogu të rreptë përmes të dlit doemos që do të zbrazej në fillim tërë një akumulim i gjatë e i fshehur mllefesh e urrejtjesh, kishte më shumë kulturë e tolerancë, më shumë prirje për rezonim intelektual e njerëzor, se sa në të gjitha që pasuan. Mirëpo, dialogun e morën në dorë politika; polida, militarizmi. Gjuhën e argumenteve e zëvendësoi gjuha brutale e forcës, e represionit dhe dhunës. Dihet si i zgjidhin ato çështjet mes popujve. Ato thelluan ndarjen e mosbesimin, urrejtjen e egërsuan dhe e bënë patologjike. Mes nesh futën edhe mjaft gjak dhe varre. Tani jemi shumë më larg njëri-tjetrit. Jemi definitivisht të ndarë dhe të larguar. Në mënyrën më të egër, më primitive, më të papajtueshme.

● A ka sot çfarëdo komunikimi a bashkëpunimi të intelektualëve shqiptarë me kolegët e atyre nga ish-Jugosllavia dhe veçmas nga Serbia?
► Ndarja dhe largimi vazhduan të thellohen. Motivet që i shkaktuan dhe pasojat që lanë janë traumatizuese. Të rinjtë dhe një pjesë e madhe e inteligjencisë shqiptare njohën një realitet të hidhur raportesh të cilat nuk i mbanin mend nga golgotat e kaluara shqiptare dhe nuk mund t’i supozonin të mundshëm tani. Dëshprimi qe i madh posaçërisht tek ajo masë e shqiptarëve të cilët kishin investuar mjaft besim dhe bindje se ishte e mundur jo vetëm fqinjësia e mirë, po edhe bashkëjetesa dhe ardhmëria me serbët.
Besimi dhe iluzionet u rrënuan gjer në themel: Duke zhveshur shqiptarët nga çdo subjektivitet politik, duke ushtruar kolonizim e ndërrim të dhunshëm të strukturës etnike të Kosovës, duke përzënë nga puna, nga shkollat e nga fakultetet qindra mijëra punëtorë, kuadro, studentë e nxënës shqiptarë, duke serbizuar emra rrugësh, firmash, entesh, institucionesh e toponimesh, duke aplikuar ligje të posaçme diskriminuese si dhe përmes një sërë masash e veprimesh të tjera të dhunës, represionit, diskriminimit, aparteidit e gjenocidit të hapur, Serbia demonstroi në mënyrën më të vrazhdtë variantin dhe modelin e saj të kahershëm se si do ta zgjidhte ajo çështjen e Kosovës e të shqiptarëve, po t’i mbetej në dorë ta zgjidhi. Shqiptarët, të cilët nuk janë më çobanë, argatë dhe sharraxhinj, me sytë e tyre panë dhe njohën te ky model tërë monstruozitetin trishtues të elaboratit famëkeq të një Qubrilloviqi.
Një e keqe e posaçme qe fakti se përballë gjithë kësaj, mungoi të dëgjohet zëri i ndërgjegjes së inteligjencisë serbe. Ai zë qe i shurdhër ose i shurdhuar. Nuk ka rëndësi në i mungoi guximi qytetar apo vullneti të dëgjohet. Në mos për të mbrojtur shqiptarët, atëherë për të mbrojtur dinjitetin e vet njerëzor, intelektual dhe kombëtar para vetes dhe para botës. Ishte një fenomen befasues e i palakmueshëm, do të thonim i shëmtuar, një shkak i posaçëm dëshprimi dhe thellimi të mosbesimit e të largimit. Pasojat janë të ndjeshme e të rënda dhe nuk shërohen lehtë. Ato do të jetojnë të thadruara në kujtesë gjeneratash. Dhe, kuptohet, ato lënduan thellë dëshirën dhe vullnetin për komunikim, kuptimin e komunikimit.
Tani duhen durim, kohë dhe përpjekje të mëdha e të gjata për të rivënë urat e rrëzuara të çfarëdo kontakti a bashkëpunimi të cilit mund t’i besohet. Në Beograd kam pasur edhe vetë mjaft miq serbë nga fusha të ndryshme të artit e të kulturës. Nuk jemi parë e nuk jemi dëgjuar qëmoti. Nuk dua të besoj se janë bërë të tjerë njerëz, sepse njerëzorja mbetet te njeriu. Më dhimbset kushdo që, me vullnet e vetëdije apo pa to, misionin e vet të artistit e të intelektualit e viktimizion për shkaqe e motive të cilat nuk i bëjnë nder.

● Si i komentoni qëndrimet radikale të intelektualëve të shquar serbë e shqiptarë, me të cilat, krijohet përshtypja, këputen edhe ato pak fije bashkëjetese të serbëve e shqiptarëve në Kosovë, apo ndoshta konsideroni se bashkëjetesa është e pamundur?
► Do të jem krejtësisht i hapur dhe i sinqertë, ndryshe nuk ka kuptim biseda jonë. Pyetja juaj sikur i barazon pozicionimet [pa] dallim mes qëllimeve radikale të njërës dhe të palës tjetër. Ka, dhe dallimi është radikal, pothuaj i pakapërcycshëm: Ndërkohë që radikalistët shqiptarë nuk kërkojnë asgjë më shumë se sa liri, vetvendosje dhe pavarësi për vete, pa i munguar kujt as qimet e flokut, radikalistët serbë kërkojnë zgjidhje militare, dhunë, represion e terror, përzënie të shqiptarëve nga trojet e tyre etnike, ndërrim të dhunshëm të strukturës etnike, kolonizim e serbizim të Kosovës, zhbërje nacionale të qenies së tjetrit. Ky pozicionim, që është manifestim brutal dhe i shëmtuar i errësimit dhe erozimit të ndërgjegjjes nga pasione patologjike të urrejtjes ndaj tjetrit, nuk i bën nder as individit, as artistit e intelektualit, dhe as popullit në emër të interesave “të larta” të të cilit prononcohet.

● A është e mundur bashkëjetesa?
► Kjo është kryepyetja. Kryepërgjegjjen nuk e jep dot individi, e jep populli. Të dy popujt. Mundësitë e bashkëjetesës i provuam bashkë kaq gjatë në histori dhe në të gjitha variantat na doli e padurueshme dhe e pamundur. Dëshmitë e fundit ishin fatale, ishin tragjike. Duket sikur me bashkëjetesën mes popujve dhe me bashkëshortësinë është njësoj. Kur thyhen, thyhen si kupa e qelqtë, nuk ngjiten dhe nuk amohen më. Tani ne shqiptarët duam që, nga bashkëjetesa e keqe, të bëjmë fqinjësi të mirë. Ndoshta të dyja palët jemi më të përshtatshme për të dytën.

● Pos ndonjë tentimi të zbehtë imitimi të dialogut, dialog të njëmendët serbo-shqiptar nuk kishte deri sot. Sa mund t’i kontribuojnë intelektualët e pavarur normalizimit të marrëdhënieve dhe vendosjes së dialogut serioz politik?
► Intelektualët, po qenë intelektualë seriozë, nuk mund të mos jenë të pavarur. Intelektualët, po qenë të pamanipuluar e të painstrumentalizuar nga pushteti e politika, të painfektuar nga sëmundje urrejtjesh nacionale, janë pa dyshim më të miratueshmit të shtrojnë udhën dhe klimën e arsyes e të vullnetit të mirë, të qetësojnë euforitë banale e pasionet nacionaliste, të zbusin e të humanizojnë raportet, të ndërtojnë besimin në nevojën, në domosdonë dhe në mundësitë e dialogut. Kush tjetër pos intelektualëve dhe para intelektualëve. Të dy popujve tanë u uroj që tani, në të hyrë në shekullin njëzetenjë, ta kenë më të mençur kokën sesa pushkën.
Artistët shqiptarë, disa vite të fundit, shumë rrallë kanë marrë pjesë në manifestime kulturore në Serbi. Edhe ato pak tentime që u bënë, është përshtypja se u instrumentalizuan nga garniturat politike. Në ca raste, artistët e tillë u shpallën “tradhëtarë” të interesave nacionale.
A nuk ju duket edhe kjo pyetje paksa e instmmentalizuar dhe a nuk është më mirë që përgjigjen ta lëmë për kohë më të mira?

● Pas rënies së komunizmit në vendet evro-lindore, ndihet nevoja e krijuesve të tyre për të pushtuar hapësira të reja në rrjedhat kulturore evropiane e botërore. Çfarë është depërtimi i krijuesve shqiptarë në këtë plan?
► Hapja e Shqipërisë ndaj botës, pas aq kohë mbylljeje e izolimi, pas aq kohë vetëmjaftimi që është vetvrasës për kulturën e çdo populli, është hapje e udhëve dhe e vlerave për komunikim kulturor me botën. Po sistemohen përpjekjet të depërtohet me vlerat më të mira. Vlera te tilla ka nga shumë fusha të krijimtarisë dhe rezultatet, jo vetëm me një Kadare, janë kurajuese. Kurajim, vetëvetiu, na përket edhe ne këtu sepse një është kultura shqiptare./ KultPlus.com

Përkujtohet Aqif pashë Elbasani, figurë e shquar e historisë shqiptare

Si sot më 10 shkurt të vitit 1926, ndërroi jetë Aqif pashë Elbasani, një prej eksponentëve të lëvizjes atdhetare para dhe pas shpalljes së Pavarësisë.

Aqif pashë Elbasani ishte pinjoll i Biçakçinjve, një familje e madhe çifligare. Pasi mbaroi arsimin fillor dhe të mesëm në vendlindje, Aqif Pasha u nis drejt Stambollit për të kryer studimet e larta.

Në fund të shek. XIX, iu kundërvu administratës osmane dhe mbështeti lëvizjen arsimore që u zhvillua pas fitores së Revolucionit Xhonturk. Ndërsa, përgjatë vjetëve 1910-1912, iu bashkua qëndresës së armatosur antiosmane dhe luajti rol të rëndësishëm në organizimin e kryengritjes së përgjithshme në qarkun e Elbasanit.

Pas fitores së Revolucionit Xhonturk, u vu në krye të klubit atdhetar të shqiptarëve “Bashkimi”. Në korrik 1909 mori pjesë në Kongresin e Dibrës dhe në vjeshtë të këtij viti, qe gjithashtu në punimet e Kongresit Arsimor të Elbasanit. Kontributi i tij lidhur me ngjarje madhore në historinë e vendit, vijoi me organizimin e kryengritjes së përgjithshme për Shpalljen e Pavarësisë.

Më 25 Nëntor 1912, bashkë me patriotët Lef Nosi, Qemal Karaosmani, E. Jorgaqi, F. Papajani e të tjerë, Aqif Pasha ngriti flamurin shqiptar në qytetin e Elbasanit, duke shpallur pavarësinë. Në vitin 1913 u emërua prefekt i Elbasanit, detyrë që e ushtroi deri në 1914-n, kur u emërua ministër i Brendshëm dhe i Luftës.

Organizimi i Kongresit të Lushnjës u bë i mundur edhe falë angazhimit të tij të dallueshëm. Në vitin 1922 u largua nga Shqipëria i detyruar nga lëvizja e armatosur që shpërtheu në Shqipërinë e Mesme. Pasi u vendos në Vjenë, krijoi Partinë Kombëtare.

Në vitin e mëpasshëm u zgjodh deputet i Korçës në Kuvendin Kushtetues. / KultPlus.com

“N’drras të vekut kush po kjan”

Shkruan Ilir Seci

Motivi i dashurisë në një perlë folklorike malësore…

Etnografët e kanë theksuar se këngët folklorike kane qenë shumë të rëndësishme në mënyrën e jetesës së kulturave njerëzore. Studimet e këtyre këngëve na ndihmojnë për të parë rëndësinë e muzikës folklorike në traditat, ritualet, ceremonitë fetare, dhe vazhdimësinë e jetës së këtyre kulturave. Këto këngë në dukje spontane, qe emërtohen ne te gjithë kulturat si “këngë popullore”, përbejnë nënshtresën nga erdhi edhe muzika e kultivuar. Sot këngëtarë shumë të njohur shkruajnë dhe këndojnë atë qe e kanë quajtur zakonisht këngë popullore, sepse forma dhe mendimi kanë ngjashmëri me ato nënshtresa qe vijnë nga thellësitë e shekujve. Tekstet e këngëve popullore tradicionale kane mbërritur deri ne kohen moderne, pikërisht sepse përçojnë karakteristikat universale te artit, temat e përjetshme qe kane shoqëruar dhe shoqërojnë njerëzimin, si dashuria, jeta, dhe vuajtja. Tipar themelor i këngës popullore është përcjellja e ngjarjeve te vërteta për dëgjues që e përjetojnë nja ngjarje qe ndodh ne kohen e tyre duke bere qe secili individ te identifikohet menjëherë me mesazhet qe ka përçuar kënga. Ndoshta ky identifikim personal e ka bërë këngën popullore të çdo vendi, me rëndësi jetike. Këngët folklorike kane larmi te pamase temash, nga këngët e trimërisë, kurbetit, dashurisë dhe secila nga këto tema te trajtuara ka karakteristikat e veta qe i dallon…te gjithë këto teme të marra së bashku dëshmojnë universin e paratë te pasurisë shpirtërore te popullit qe i krijoi. Ndër temat qe janë trajtuar ne këngët folklorike, tema e Dashurisë është ndoshta edhe me e përkora në lirikat folklorike te Shqipërisë së Veriut. Duke pasur parasysh kushtet shoqërore në të cilat këto këngë u ngjizen, rapsodi e ka ngritur deri ne perfeksion mënyrën e te shprehurit që të thotë sa më shumë dhe të mos keqkuptohet. Ti këndohet Vashës që i pëlqen artistit, vajzës që e ka shituar me bukurinë e saj, sot është e lehtë, por paramendoni kohën kur mbahej pushka krahut, kur për një shikim te pakontrolluar bëhej gjëma!? Ishte një çensurë e pashpallur dhe artisti duhej të ishte shumë i kujdesshëm e të ndërthurte tekste me shumë nënkuptime, qe askush tjetër pos vajzës se cilës i drejtohej kënga mos ta merrte vesh mesazhin…nga ana tjetër autori te ishte gjithmonë i mbrojtur dhe te mos dilte hapur. Nga kjo lloj “ çensure” çdo varg kishte nëntekste shume kuptimplote, ngjeshur me mesazhe e kode komunikimi te cilat ishin aq te arrira sa u mbijetuan shekujve e mberrinë deri ne kohen tone. Ka mundësi qe edhe artiste tjerë nëpër shekuj i ripunuan edhe i lëmuan me shume duke i përsosur deri ne perla… Një nga modelet me te arrira folklorike, qe vështirë se mund te gjenden ne Folklor, është kënga shume e njohur qe këndohet ne Malesitë e Veriut, por edhe me gjere ne viset shqiptare Kënga: ”N’DRRAS TE VEKUT”…

“N’DRRAS TE VEKUT KUSH PO KJAN”…

“N’drras te vekut o kush po kjane Kjane syzeza o per Jaran’ Dushk e bar o ne mal po i than Nuk po e len veren me dale

S’po e len veren me dal sivjet Per qat Djal o qe i ka vdeke Per qat Djal o Djalo te ri A e din Nane ne vorr ku e kan shti

N’vorre te reja ner ni Bli A m’jep iz oj Nan t’shkoj e t’rri Shkoj syzeza i ra permi Çou shkodran o djal i ri

Ku e ke besen qe ma ke dhane M’thojshe jam o trim azgan Gjylja e topit s’mund me m’zan Plumbi i pushkes shenj s’me ban

Kur ta ndiej thojshe zanin tand Edhe i dekun n’vorr me kane Menjeher’ çiko çohna n’kambe Dhe e drrasa i gjuej menjane.

Që në vargun e parë kemi një nëntekst shumë domethënës që na shpalon dramaticitetin e Këngës, gjendja në të cilën është thurur kënga…vasha është duke vajtuar “N’Drras te vekut”…Veku është Avlemendi, Tezgjahu, pra vajza është duke përfunduar pajën e nusërisë…Në traditën malësore dihet që kur vajza ulej në Vek, (Tezgjah, Avlemend), i kishte ditët e ndara dhe do shkonte te burri. Te kjo kënge, vajza është duke vajtuar ndërsa po përgatit Pajën?! Pret te shkojë te Burri dhe ”Kjan syzeza për Jaran!”… Është vaji i një vashe për te dashurin qe ka vdekur…Ndoshta Jarani, (i dashuri), ka vdekur pikërisht për të!? Sepse në atë kohe kur është marre vesh lidhja e fshehur me një djalë ka kërcitur pushka. Ky hamendeshim e bene dhe me intrigues tekstin e këngës sepse më poshtë vajza i kërkon “Ize”, (Leje), nenës së vet që të shkojë deri te varri i djalit të ri të vdekur në lule të moshës… Figuracioni që e përshkruan dhimbjen e vajzës është brilant: ”Kjan syzeza o për jaran/Dushk e bar o ne mal po i than/Nuk po e len veren me dale”…Aq e madhe është dhimbja e zemrës së saj sa as Vera nuk guxon te dalë atë vit. Një asocim brilant me zemrën e thyer të cilën e prêt zymtësia e një martese kundër dëshirës… Çdo varg i kësaj kënge është brilant …me tutje Vajza e pyet Nanen e vet se ku e ka varrin Djali i Ri: ”A e din nane ne vorr ku e kane shti/” dhe Nana ja kthen: ”N’Vorre te reja nen nji Bli”… Pra djali i ri është varrosur te Varret e Reja një asocim me moshën e tij të këputur në mes. Tjetër nëntekst që thekson moshën e tij është edhe vargu “N’Vorre te reja nen nji Bli”, druri i Blirit siç dihet lulëzon në Bjeshkë menjëhere sa shkrin bora, një metafore e shpërthimit të jetës. Por mëqe Vasha me vajin e saj “Nuk po e len Veren me dale” atehere Blini ka vendose të ruaje varrin e djalit të ri…vazhdimi eshte prekes,vajza bie mbi varrin e te dashurit edhe i kujton premtimin e dhene se si ai i kishte premtuar se: ” …”Gjylja e topit s’mund me m’zan/ Plumbi ipushkes shenj s’me ban”…Ne vargun ku thuhet “Çohu shkodran o djal i ri”, duhet te ndalemi e të kujtojmë se në viset shqiptare, ne Malësi e Kosove, emri “Shkodran” ka qene kthyer ne cilësor, pra me tipare mbiemri, pasi Shkodra kishte shume zë mbas trimërive te Dasho Shkrelit, Oso Kukes apo Kupe Danes dhe malësoret uronin ne atë kohe : ”U rrit’te e u bafte shkodran!”… Vazhdimi i këngës dhe mbyllja e saj artistikisht përcjellin një mesazh shumë optimist, djali edhe pse i vdekur është gati te ngrihet kur ta dëgjoje zërin e saj : ” Kur ta ndiej thojshe zanin tand/Edhe i dekun n’vorr me kane/Menjeher’ çiko çohna n’kambe/Dhe e drrasa i gjuej menjane”…Pikërisht për ketë tipar, kënga edhe pse përcjell një mesazh shume te dhimbshëm, tragjik ne fakt, nuk është Elegji. Ne gjithë rezonancën e saj kjo kënge asnjëherë nuk përçon dëshpërim, që mund të ishte i kuptueshëm nga dhembja e madhe. Sepse ka brenda mesazhin e Pamundësisë… Te gjithë ne e njohim atë ndjenje…atë regetime zemre për atë që kemi dashur në fshehtësi e që ndoshta edhe nuk ia thamë kurrë por që na ngrohu e na ngazëlleu. Dashuria kur është e pamundur është edhe me pervëlonjëse. Prandaj edhe vaji i vajzës qe shkon te varri i te dashurit te vdekur nuk kthehet ne Elegji sepse e tillë është jeta, të gjithë e kemi në zemër nga nje varr të tillë dashurie të pamundur, ndoshta një regëtime, një shpresëz, një iluzion pak rëndesi ka… Ndërsa për atmosferën muzikore të këngës ajo është një mrekulli me vete…melodia qe ne fillimet e veta të jep përshtypjen e tringëllimës së heshtur te lotit qe bie mbi Vek,(tezgjah), mbytur nga karkërima e përplasjes së Vekut, (tezgjahut)…Është vaji i heshtur i zemrës që mbytet nga karkërrima e tezgjahut të jetës, vrazhdësisë së saj. Duket sikur ato lot bien si nota muzikore drejt e ne pentagramet e shpirtit… Atmosfera muzikore, ajo qe studiuesit e muzikës e quajnë “Shtimung muzikor”, (“Stimmung”), gjate gjithë këngës është atmosfere optimiste nuk bie ne zvargie zëri e vajtime dëshpëruese karakteristike për këngët orientale, rapsodi duket ka pase në mendje tringëllimat e krojeve, tringëllimet e lotëve te akullnajave qe shkriheshin në Bjeshkë. Ai ka marre për model gurgullimën e krojeve të Malësisë, melodinë e parajst të rrjedhave të Valbonës, të Cemit apo lumit te Shales…Kjo kenge shpeshhere eshte kenduar e percjelle vetem nga melodia e fletes, ne Malësi ka pasë rapsode që e krijonin melodinë vetëm me një gjethe të njome ahu, dëshmi kjo e një sinkretizmi te plote me natyrën…Vetëm imazhi i një djali te ri duke i rene fletës, (gjethes) në një Rudine bjeshke teksa shoqëron zërin engjëllor te një bareshe te re qe këndon përmallshëm, “N’Drras te vekut…” mjafton për t’u kredhur ne një bote ëndërrimesh, bote prej se cilës askush nuk do dëshironte te dilte ndonjëherë…/ KultPlus.com

Të pres në xhaminë e qytetit

Poezi nga Arbër Selmani

Të pres në xhaminë e qytetit
mes lutjeve e mëkateve
eja thuaji Zotit se je më i vogël se ai
je turpi i jetës sime
eja lutu
jepi me gojë frazat që t’i mësoi Libri i Shenjtë
në hyrje, zhvishi këpucët
trosha buke jepi asaj gruas rome te dera,
ec në turmën e burrave,
dhe afrohu
ku të më gjesh.

Të pres në xhaminë e qytetit
eja falju Tokës, falju Diellit, falju kafshëve
çdo shpirti që shtrëngon
jam në rendin e parë
eja dhe bashkë flasim
eja përmendja të madhërishmit, sa i pafuqishëm je ti
ti, plaga e madhe e dashurisë.

Të pres në xhaminë e qytetit
eja në tempull, ti krimb i keq
eja dylufto me kohën kur ishe burrë i mirë
kur ishe insan
i kam hapur dritaret, hoxha po e pret shiun
unë po të pres ty
qyteti po e pret këngën e shpëtimit.

të pres në xhaminë e qytetit
të vish
të kuptohemi për herë të parë.

vishe këmishën e gjelbër, bëhu mbret i fesë islame
shikojmë kupolat, sherefet, minaret,
ti qan për veten
unë qaj pse nuk qava kurrë.

Të pres në xhaminë e qytetit
Eja, edhe nëse nuk më do
Eja se ke heshtur boll
mendja jote ka agjëruar gjatë,
Eja e thuaji të madhit dhe shokëve të tij
që njerëzit e mirë sot nuk janë në këtë xhami.

Të pres në xhaminë e qytetit
eja, të lutem, sepse as unë nuk të dua
përkulemi në tepihun e pastër kadife
te dera, gjuaji përtoke pallavrat që të mbajnë gjallë
Ulu afër meje, mos e shaj krijuesin.

Më gjej në qetësi, jam aty ku ulet njeriu i mjerë
afrohu, mos ma kap dorën,
mbylle gojën, lutu për mua a për veten,
jam duke të pritur
në xhaminë e fundit të dy jetëve tona. / KultPlus.com

Fotografitë e rralla të Marilyn Monroe që zbulojnë jetën e saj para se ajo të bëhej e famshme (FOTO)

Me flokët e saj të bardha dhe me buzë të kuqe, Marilyn Monroe u bë një nga figurat më të njohur te të gjitha kohërave, megjithatë, vetëm pak e dinë se si është dukur aktorja para se të jetë e famshme.

Emri i saj i lindjes kishte qenë Norma Jeane Mortenson. Monroe, kishte kaluar një fëmijëri vërtetë të vështirë. Ajo u zhvendos nga një shtëpi kujdestare në një tjetër, duke kaluar nëpër përvoja traumatike në pothuajse të gjitha shtëpitë. Monroe u martua në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare, por as kjo martesë nuk i solli asaj lumturinë.

Gjithçka ndryshoi në vitin 1944 kur Monroe po punonte në një fabrikë ushtarake ku edhe u njoftua me një fotograf. Kjo marrëdhënie nxiti karrierën e modelimit të Marilyn-it, dhe kjo punë i hapi asaj dyert në industrinë e filmit.

Brenda një periudhe të shkurtër ajo u shndërrua në një nga yjet më të njohur në Hollivud, por një vajzë e trazuar gjithnjë fshihej pas saj. Monroe, kreu vetëvrasje në vitin 1962 ndërsa edhe sot ajo mbahet mend si një ikonë e kulturës popullore dhe një simbol i bukurisë.

KultPlus ju përcjellë disa nga fotografitë e Norman Jeane Mortenson para se të bëhej Marilyn Monroe./ KultPlus.com

Kur Musine Kokalari i shkruante nipit të saj: Gjendja nuk është e lehtë, po unë s’kam se ç’bëj (FOTO)

Musine Kokalari ka qenë një veprimtare politike e kulturore dhe shkrimtare shqiptare e shekullit të XX. Së bashku me Selfixhe Ciun dhe Jolanda Kodrën ka qenë ndër shkrimtaret e para në Shqipëri.

Në vijim, KultPlus ju sjell një letër të shkruar nga Musine Kokalari dërguar nipit të saj Platon Kokalarit, më 18 prill të vitit 1983.

I dashur Platon!

Po të shkruaj këtë letër sonte dhe po të lajmëroj se nesër dal nga klinika. Akoma nuk e di se kur do të ma caktojnë ditën dhe kohën që të vij përsëri. Këtë do ta marr vesh nesër. Bëra 4 ditë kura dhe sot më hoqën prapë 1 kg ujë. Sipas mendimit të doktorit, nevojitet radioskopia. Gjendja nuk është e lehtë, po unë s’kam se ç’bëj. Të dalë ku të dalë. Vetëm një gjë dua nga ty. Të vish, të marrësh ato plaçkat që të kam thënë. Mua, në këtë gjendje, do të më dukej sikur është një kënaqësi. Po nuk duhet ta shtysh. Sëmundjen e kam të rëndë dhe nuk dua që gjithshka të merret nëpër këmbë.

Mos mendo për të tjerët. Unë s’i kam kurrkujt borxh dhe askujt s’i kam kërkuar as ndihmë, as lehtësi, as jam ankuar që mbeta e braktisur. Kur ata që të kanë në dorë të varrosin për së gjalli 38 vjet me radhë, pa të drejtë, është e kuptueshme se asnjeri nuk do të rrezikohet. Ju m’u ndodhët në këto çaste të rënda. Ju faleminderit dhe për këtë dua që ajo që mund të shpëtohet të bjerë në duart tuaja. Pas votimeve të pres. Eja dhe shko brenda ditës.

Thuaji Bibikës që ajo tiranasja aziatike, që qe në dhomën time dhe thoshte se jam ftohur (kishte pasur dhe ujë në mushkri), ka vdekur në gushtin e vitit të kaluar. Edhe ajo qe operuar në gji. Tani s’kam pse të zgjatem më. Për shëndetin tim ose për sëmundjen time s’i drejtohem kërkujt, aqe më tepër atij personi që e kishte në dorë të lehtësonte akuzën time. Tani jam nga fundi dhe sido që të jetë, ishalla kam fat të mos lëngoj.

Ju përqafoj të gjithëve, Musinea.

E hënë, 18 prill 1983.

P.S. Tani jam duke dalë. Do të kthehem më 19 maj. Dizenteri nuk pata. Shpëtova. / KultPlus.com

‘Kënga e turpshme’ e Azem Shkrelit nën interpretimin brilant të Aurela Gaçes (VIDEO)

“Kënga e turpshme” e Azem Shkrelit është një nga poezitë e tij më të shkurtra por më kuptimplota, ku vargu të merr me dhimbjen e njeriut që bart në vete borxhin ndaj atdheut.

Kur këto vargje të një poeti të rrallë siç ishte Shkreli, bashkohen me zërin brilant të këngëtares Aurela Gaçes që dëgjohet çdo ditë e më shumë, bëjnë që vargjet të përjetohen në shumë dimensione artistike e të prekin shpirtin lehtë shpirtin e brendshëm.

KultPlus sot ju përcjellë interpretimin e Aurela Gaçe.

Sonte
Qava sonte për ty
Arbëri
Nuk më vjen turp
Pse qava
Më vjen turp pse s’munda
Të bëj tjetër
Nga turpi qava.
 / KultPlus.com

Dua Lipa nis turneun pas dy vitesh shtyrje

Ajo humbi një paraqitje në Brit Awards 2022 për shkak të faktit së turneu i saj po fillon në ShBA, por megjithatë arriti të fitojë një nga çmimet e mbrëmjes.

Dhe se turneu është organizuar mirë dhe më në fund po zhvillohet, Dua Lipa u pa duke mbërritur në FTX Arena në Miami përpara performancës së saj të parë të mërkurën në mbrëmje, shkruan DailyMail.

Këngëtarja e hitit “New Rules”, 26 vjeçe, dukej tipike me stil teksa doli nga një veturë ‘4X4’ e bardhë në ambientet e ngjarjes, e veshur me një këmishë të madhe që tregonte këmbët e saj të tonifikuara.

Të martën në mbrëmje, Dua u dërgoi një video-mesazh shikuesve të Brit Awards teksa pranoi çmimin “Artistja më e mirë e zhanrit Pop/R&B”.

Dua e pranoi çmimin me një video-mesazh të përgatitur, në të cilin falënderoi ekipin e saj dhe fansat pas fitores.

Albumi i saj “Future Nostalgia” në mars të vitit 2021 fitoi çmimin “Grammy” për ”Albumin më të mirë pop” dhe kënga e saj “Don’t Start Now” arriti sukses komercial dhe kritik, duke përfshirë nominimet në “Grammy Awards 2021” për çmimet “Kënga e vitit”, “Regjistrimi muzikor i vitit” dhe “Performanca më e mirë solo e zhanrit pop”.

Dua fillimisht njoftoi se do të niste turneun e saj “Future Nostalgia” në vitin 2020, por ai u shty disa herë për shkak të pandemisë së vazhdueshme COVID-19.

Megan Thee Stallion, Griff, Tove Lo, Angèle, Caroline Polachek dhe Lolo Zouaï janë disa nga emrat mbështetës që do të performojnë në krah të saj gjatë turneut. / KultPlus.com

Ministrja Margariti prezanton programin e Bonusit të Rijetësimit në Shkodër

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti prezantoi sot në Shkodër Bonusin e Rijetësimit, program që mbështet trashëgiminë kulturore të vendit.

Ministrja Margariti tha se “ky program që nis këtë vit për herë të parë, si nismë e Ministrisë së Kulturës mbështet pronarët të mirëmbajnë dhe rijetësojnë objektet e tyre, banesa e biznese, në qendra historike, ansamble urbane, zona arkeologjike”.

“Shkodra është stacioni i radhës në një tur komunikimi me banorët dhe gjithë të interesuarit, për t’i informuar, por edhe për të marrë mendime, që kjo skemë të përmirësohet dhe t’u vijë në ndihmë të gjithëve”, tha Margariti.

Ministrja Margariti vuri në dukje se interesimi për t’u bërë pjesë e kësaj nisme, që bën bashkë shtetin dhe privatin, tregon për besimin që qytetarët kanë krijuar në punët e mira dhe konkrete, që prekin në mënyrë direkte mirëqënien e tyre ekonomike.

Ministria e Kulturës ka nisur një fushatë informimi dhe konsultimi në qytete të ndryshme të Shqipërisë për Bonusin e Rijetësimit. Kjo nismë përfshin dy instrumente mbështetjeje: një për restaurimin dhe konsolidimin e guaskës së shtëpisë, mureve, dritareve, dyerve, fasadës apo çatisë, ku jepet 10 mijë dollarë mbështetje dhe instrumenti i dytë, për të gjithë ata që do të duhet të futen në një plan transformimi dhe vënie në funksion ekonomik të shtëpisë, deri në 50 mijë dollarë.

Me anë të këtij programi vjen për herë të parë një mbështetje për të gjithë banorët në qytetet dhe ansamblet historike, të cilët kanë nevojë të restaurojnë shtëpinë e tyre dhe shteti do t’u gjendet pranë me një skemë granti. /atsh/ KultPlus.com

Princ Harry në gjurmët e nënës së tij Diana, zotohet se do të punojë kundër HIV

Princi i Britanisë së Madhe, Harry tha se ndihet i detyruar të përpiqet të përfundojë punën e nënës së tij të ndjerë, Princeshë Dianës, në trajtimin e HIV-it dhe stigmës rreth tij, pasi ai u kërkoi njerëzve që të testoheshin për sëmundjen, transmeton KultPlus.

Diana shtrëngoi duart me pacientët me AIDS në një spital në Londër në vitin 1987, një veprim që u pa si një moment historik në betejën kundër stigmës që rrethon njerëzit me virusin dhe Harry është bërë gjithashtu një aktivist i shquar në luftën kundër HIV dhe AIDS.

“Puna e mamasë sime ishte e papërfunduar,” i tha ai ish-kapitenit të unionit të regbit të Uellsit, Gareth Thomas, i cili njoftoi në vitin 2019 se ishte HIV pozitiv, në një video për të shënuar Javën Kombëtare të Testimit të HIV-it. “Ndihem i detyruar të përpiqem dhe të vazhdoj sa më shumë që të jetë e mundur. Nuk mund t’i mbushja kurrë këpucët e saj veçanërisht në këtë hapësirë të veçantë … për shkak të asaj që ajo bëri dhe asaj që ajo përfaqësonte dhe sa e zëshme ishte për këtë çështje. .” Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se kishte rreth 38 milionë njerëz që jetonin me HIV në fund të vitit 2020 dhe se sëmundjet e lidhura me SIDA-n kishin marrë më shumë se 36 milionë jetë që nga fillimi i saj në vitet 1980. Organizatat bamirëse kryesore për HIV/AIDS shpresojnë që testimi më i gjerë mund të çojë në përfundimin e rasteve të reja të HIV në Angli deri në vitin 2030. Harry iu nënshtrua një testi për HIV në 2016, i cili shkaktoi 500% rritje të kërkesave për teste nga një organizatë bamirëse, tha ai. Por ai tha se testimi për HIV kishte rënë rreth 30% gjatë pandemisë COVID-19. “Secili prej nesh ka një detyrë, ose të paktën një mundësi, që të testohet vetë për ta bërë më të lehtë për të gjithë të tjerët që të testohen,” tha Harry. /KultPlus.com

Kosova në top 10 shtetet e botës për ndarjen e shpërblimeve për sportistët që arrijnë suksese në Lojërat Olimpike

“Sipas një hulumtimi të publikuar nga revista e njohur botërore, Forbes, shteti ynë ndodhet në vendin e dhjetë me 123 mijë dollarë (110 mijë euro) shpërblim për medaljen e artë olimpike.

100 mijë euro ndahen nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ndërsa 10 mijë nga Komiteti Olimpik i Kosovës”, ka njoftuar Ministria për Kulturë, Rini dhe Sporte./ KultPlus.com

Ministrja Nagavci: Arsimi është një e drejtë e garantuar për të gjithë fëmijët pa dallim

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka thënë se asnjë fëmijë nuk do të mbetet jashtë shkollës, përcjell KultPlus.

Ky reagim vjen pasi shumë nga fëmijët me nevoja të veçanta kanë problem në qasjen në shkolla.

Nagavci ndër të tjera ka thënë se ka kërkuar nga Drejtoritë Komunale të Arsimit në komuna që të sigurohen për themelimin/funksionalizimin e ekipeve vlerësuese pegadogjike për vlerësimin e fëmijëve me nevoja të veçanta.

Ajo gjithashtu thotë se MASHTI ka hartuar instrumentet e standardizuara për vlerësimin e fëmijëve me nevoja të veçanta.

Ministrja e Arsimit gjithashtu ka treguar se tashmë janë punësuar 100 asistentë, të cilët janë duke u kujdesur për këta fëmijë dhe duke u monitoruar nga Ministria.

KultPlus iu sjell postimin e plotë:

Asnjë fëmijë nuk do të mbetet jashtë shkollës!

Arsimi është një e drejtë e garantuar me konventa e ligje për të gjithë fëmijët pa dallim dhe ne do të sigurohemi që të gjithë fëmijët në Kosovë të kenë çasje në edukim e arsim. Do të ofrojmë mbështetje për secilin fëmijë që ka nevojë e do të sigurohemi që të gjitha palët e përfshira në procesin edukativo-arsimir të realizojnë me përpikmëri përgjegjësitë e tyre.

Sot, kam kërkuar nga Drejtoritë Komunale të Arsimit në komuna që të sigurohen për themelimin/funksionalizimin e ekipeve vlerësuese pegadogjike për vlerësimin e fëmijëve me nevoja të veçanta.

Mungesa apo jofunksionaliteti i ekipeve vlerësuese pedagogjike në komuna  po i dëmton fëmijët me nevoja të veçanta, prindërit dhe shkollat pasi që nuk arrijmë të kemi të dhëna/informata të sakta për nxënësit me nevoja të veçanta, shkallën e funksionalitetit të tyre, nevojat që ata kanë për resurse dhe mbështetje pedagogjike. Si rezultat i kësaj ne kemi fëmije me nevoja të veçanta pa përkrahje, prindër të pakënaqur dhe shkolla që ballafaqohen në përditshmëri me mungesë të përkrahjes nga nivelet komunale  për ta bërë punën e tyre më të lehtë dhe më profesionale.

Ekipet vlerësuese komunale janë mekanizma shumë të rëndësishëm për të vlerësuar dhe vendosur se cilët fëmijë me nevoja të veçanta kanë kosto të cilat vijnë si pasojë e aftësisë se kufizuar të fëmijës. Andaj në vitet në vazhdim mjete financiarë dhe burimoret njerëzore për këtë qëllim do të përfitojnë vetëm komunat të cilat nevojat për resurse dhe mjete financiare  i përcaktojnë bazuar në vlerësimin dhe nevojat e identifikuara nga ky vlerësim.

MASHTI ka hartuar instrumentet e standardizuara për vlerësimin e fëmijëve me nevoja të veçanta. Instrumentet janë të bazuara në Klasifikimin Ndërkombëtar të Funksionalitetit për fëmije dhe të rinjë (ICF) dhe janë të dizajnuara që t’i përgjigjen të gjitha llojeve të aftësisë se kufizuar  sipas qasjes bio-psiko-sociale, që nënkupton që e  vlerësojnë fëmijën në të gjitha aspektet.

Në mbështetje të funksionimit me të mirë të ekipeve vlerësuese janë hartuar edhe  dokumentet tjera përcjellëse për inicimin dhe dokumentimin e procesit të punës se ekipit vlerësues komunal. E gjithë pakoja me instrumente dhe dokumente përcjellëse është edhe në formën elektronike, për të lehtësuar dhe dokumentuar procesin e identifikimin, vlerësimit dhe përcjelljes së përparimit të fëmijëve me nevojat të veçanta, që janë në sistemin arsimor.

Përkundër rëndësisë së madhe të ekipeve vlerësuese për vlerësimin pedagogjik të fëmijëve me nevoja të veçanta arsimore dhe faktit se kjo është e rregulluar me legjislacionin në fuqi, kjo kërkesë për vite me radhë vazhdon të jetë e shpërfillur nga  ana e komunave. Andaj sot edhe një herë kam kërkuar  themelimin e ekipeve vlerësuese,  ashtu që të angazhohemi bashkarisht për ngritjen e kapaciteteve të tyre për të kryer punën siç parashihet me legjislacionin në fuqi.

MASHTI, gjatë  muajve mars-maj 2022, me përkrahjen e Bashkimit Evropian/ Këshillit të Evropës do të ofroi trajnimin 5 ditor për të gjithë anëtaret e ekipeve vlerësuese komunale me qëllim të ngritjes së kapaciteteve të tyre për të kryer funksionin për të cilën janë  themeluar. 

Ne po avancojmë politikat arsimore në këtë drejtim dhe tashmë kemi mundësuar punësimin e 100 asistentëve për këta fëmijë, proces që po monitorohet nga Ministria. Do të vazhdojmë punësimin e të tjerëve në vitet në vijim. Por krahas politikave të avansuara e gjithëpërfshirëse që janë kompetencë dhe përgjegjësi e jona, bashkëpunimi me komunat, shkollat, mësimdhënësit, prindërit e nxënësit është i domosdoshëm që të sigurohet arsim e mirëqenie për secilin. Fëmijët me nevoja të veçanta kërkojnë vëmendjen dhe kujdesin e të gjithëve.

Ne jemi të përkushtuar për bashkëpunim, në të njejtën kohë do të përdorim të gjithë mekanizmat që kemi në dispozicion që të sigurohemi për më të mirën për fëmijët tanë, sepse vetëm kështu do të sigurojmë një të ardhme më të mire edhe për vendin tonë! /KultPlus.com

Shtëpia e Musine Kokalarit në Gjirokastër do të kthehet në muze

Në 105-vjetorin e lindjes së intelektuales Musine Kokalari, bashkia Gjirokastër organizoi aktivitetin e titulluar “Testamenti i Musinesë”.

Përfaqësues të institucioneve publike, pushtetit vendor, të afërm të Musine Kokalarit, intelektualë, studiues, etj vlerësuan kontributin e rëndësishëm të saj për një Shqipëri demokratike dhe të zhvilluar.

“Musine Kokalari ishte një grua e rrallë që shenjoi një epokë dhe udhëhoqi përpjekjet për emancipim të gruas shqiptare, një mendje e bukur dhe shpirt i lirë që s’u dorëzua deri në frymën e fundit. Në bashkëpunim me familjen Kokalari synojmë kthimin e shtëpisë së saj në Gjirokastër, në muze që do të jetë edhe një atraksion tërheqës për turistët”, u shpreh kryetari i bashkisë, Flamur Golemi.

Përgjatë këtij aktiviteti u ekspozuan relike dhe dokumente nga jeta e Musine Kokalari si dhe u shfaq filmi dokumentar “Nusja me shifon të zi” kushtuar jetës së saj.

Musine Kokalari ka qenë një veprimtare politike e kulturore dhe shkrimtare shqiptare e shekullit XX.

Pas Luftës së Dytë Botërore u ftua nga Sejfulla Malëshova që të merrte pjesë në Lidhjen e Shkrimtarëve. E përndjekur nga pushkatimi i vëllezërve dhe duke pas qenë themeluese e Partisë Socialdemokrate dhe organit të shtypit “Zëri i lirisë”, u arrestua më 17 janar 1946 dhe e mbajtën 17 ditë në burg. Më 2 korrik të po atij viti, u dënua me 20 vjet burgim nga gjykata ushtarake e Tiranës si sabotatore dhe armike e popullit.

Më 1964, pas 18 viteve burgim në Burgun e Burrelit, e izoluar dhe nën vëzhgim, kaloi 19 vitet e tjera të jetës së saj e internuar në Rrëshen. Kur i mbaroi internimi më 1979 i thanë të shkonte në Gjirokastër, por pasi nuk e lejuan të shkonte në Tiranë, nuk pranoi të lëvizte nga Rrësheni. Ndërroi jetë më 13 gusht 1983./atsh/ KultPlus.com

Në vend të përshëndetjes

Poezi nga Azem Shkreli

Shko se furishëm po fryn në mua erë mallkimi që s’të fal.
Dhe, dije mirë, kurrë më një e një nuk bëjn’ një si thonte Hikmeti, ai farë poeti me këngë prej zjarri.
Shko merri me vete lutjet tua, edhe hijen tënde hiqe zvarrë rrugëve si gjënë e ndyrë.
Mos u kthe pas.

Mos i harro sytë e përlotur në shtekballin tim.
Mos thuaj lamtumirë.
Asgjë mos thuaj.
Merri me vete gjurmët nëpër të cilat erdhe një natë më e përvuajtur se frika dhe hyre në mua.

Shko dhe bëhu fjalë e mbrame n’gojën time.
Bëhu shkrepetirë e fikur n’ylberin e shkrimit tim.
Bëhu çdo gjë pos Meje e Teje dhe asaj që e quajtëm Ne kur i zinim yjet si fluturat e ua ngjisnim nganjë emër mos ta harrojmë emrin tonë.

Shko, merri me vete edhe rrugët, të mos kthehesh kurrë në vesën e lotit të rrejshëm, gërmadhat e kujtimit t’i rrëzosh.
Shko, mbyllu në do kështjella të largëta harrimi, ku s’të zgjojnë më këmbonat e pendimit kur çmendet mallit vetmia ose kur buza buzën e han n’pikllim, që mëkatin s’e lan, që s’mundet ta shpojë Gurin e rëndë, gurin e ftohtë të ndarjes.
Shko, më mirë dhe hesht. Mos u kthe mbas.
Mos i harro sytë e përlotur n’shtekballin tim.

Mos thuaj lamtumirë.
E kur t’shkojsh larg, më larg se prej blerimi n’blerim
E kur t’shkojsh larg, më larg se prej zemre në zemër
Aq larg sa ta harrosh edhe emrin tënd dhe zërin tim, fshihu prej vetes
Shkurto flokëgjatat, mate me to mendjeshkurtrën tënde dhe mos qaj.
Shko se tmerrshëm po lodrojnë sonte n’mua rrëket e gjakut të ndezur./ KultPlus.com

Musine Kokalari vdiq e vetme dhe u varros nga varrmihësit, kur e zhvarrosën u pa se duart e saj ishin të lidhura me tela me gjemba

Vdiq e vetme dhe u varros nga varrmihësit. Kur e zhvarrosën vite më vonë, u pa se duart e saj ishin të lidhura me tela me gjemba.

Lindi më 10 shkurt të vitit 1917, në Adanë, të Turqisë. Në vitin 1921, familja e saj kthehet në Shqipëri dhe vendoset në Gjirokastër, ku Musineja kreu shkollën fillore. Nëntë vjet më vonë, familja Kokalari vendoset në Tiranë. Në vitin 1937, Musineja mbaroi shkollën e mesme “Nëna Mbretëreshë” dhe më pas shkoi për studime në Universitetin e Romës, në Itali, të cilin e mbaroi shkëlqyeshëm në vitin 1941. Ajo botoi librin e saj të parë “Seç më thotë nëna plakë” në vitin 1939. Ishte viti 1943, kur Musine Kokalari së bashku dhe me disa shokë të tjerë formuan Partinë Socialdemokrate. Një vit më vonë, me përpjekjen e saj, doli numri i parë i gazetës “Zëri i Lirisë”.

Në vitin 1944, botoi librin e saj të dytë “Rreth vatrës”, ndërsa më 12 nëntor të po këtij viti u pushkatuan vëllezërit e saj, Muntaz e Vesim Kokalari. Katër ditë më vonë e arrestuan dhe Musinenë, të cilën e mbajtën 17 ditë në burg. Në janar të vitit 1945, u botua libri i tretë i Musine Kokalarit “Sa u tund jeta”. Më 23 janar të vitit 1946, ajo u arrestua nga banda komuniste ne pushtet për së dyti nga forcat e Mbrojtjes së Popullit e gjyqi e dënoi me 20 vjet heqje lirie. Në vitin 1961, e nxjerrin nga burgu dhe e internuan në Rrëshen, ku dhe doli në pension me gjysmë page. Në vitin 1981, sëmuret nga sëmundja e kancerit, që dy vjet më pas do ta largonte përgjithmonë nga jeta. Dhjetë vjet më vonë, pra në vitin 1993, Presidenti i Republikës i dha pas vdekjes medaljen “Martir i Demokracisë”.

“Për shëndetin tim nuk i drejtohem kujt, aq më pak atij që kishte në dorë të më lehtësonte dënimin”. Kështu shkruante Musineja vetëm pak kohë para se të vdiste, duke lënë të kuptohej se “ai” nuk ishte veçse Enver Hoxha, i cili u kujdes deri në fund për dënimin e saj. E konsideruar si kundërshtare e regjimit komunist, ajo u dënua me 20 vjet burg dhe më pas u internua për 22 të tjerë në Rrëshen, ku vdiq më 14 gusht 1983, nga kanceri.

Bashkëkohësit tregojnë se nuk iu dha mundësia as të kurohej në spitalin onkologjik. Vdiq e vetme dhe u varros nga varrmihësit. Kur e zhvarrosën vite më vonë, u pa se duart e saj ishin të lidhura me tela me gjemba./KultPlus.com

Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës: E mbështesim në plotni restaurimin e ndërtesës “Shtëpia e Xhafer Devës”

Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës ka dalë me një reagim publik, nëpërmjet të cilit mbështesin restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës, nismë kjo e MKRS-së, por restaurim që u kundërshtua nga BE dhe UNDP. KultPlus ju sjell të plotë reagimin e Asociacionit të Arkitekturës së Kosovës.

ASOCIACIONI I ARKITEKTËVE TË KOSOVËS, duke ndjekur zhvillimet e fundit në lidhje me projektin e restaurimit të ndërtesës “shtëpia e Xhafer Devës” në Mitrovicë, dhe “dilemave” tashmë të krijuara në opinionin publik, se a duhet apo jo, një intervenim i tillë restaurues, reagon si më poshtë:

ASOCIACIONI I ARKITEKTËVE TË KOSOVËS e mbështetë në plotni restaurimin e ndërtesës “shtëpia e Xhafer DEVËS”, me Nr.702, sipas Regjistrit të Trashëgimisë Kulturore, dhe me Nr. unik-453.

Veprat arkitektonike – artistike, qofshin ato objekte, komplekse apo edhe vetëm pjesë të caktuara, të cilat shprehin në vete vlera unike dhe cilësi të krijuara në kohë dhe hapësirë në fushën e arkitekturës, trashëgimisë urbane dhe ndërtimit vernakular, janë në obligimin e çdo gjenerate që ti ruajë, mirëmbajë dhe si të tilla ti lë si trashëgimi për kohërat e brezat që do vijnë, si dëshmi mbi artin e të ndërtuarit – arkitekturën që objektet e caktuara e prezentojnë për kohën kur janë ndërtuar dhe kontekstin aktual.

Asociacioni i Arkitektëve të Kosoves, në kuadër të debatit që po mbizotëron këto ditë, jo vetëm në komunitetin profesional, e që realisht ishte dashtë të ishte i tillë, por mbi të gjitha në diskursin publik, i ngritur me ose pa të drejtë, me pyetjen, se a duhet të restaurohet shtëpia e Xhafer Devës, apo jo, ndanë këtë mendim:

Objekti në fjalë, në radhë të parë, paraqet vlerë të pakontestueshme arkitektonike, nga stili i përdorur në fasadat e tij, e deri te detajet dhe koncepti projektues, unik pothuajse për trevën ku u ndërtua, marrë për bazë kohën dhe rrethanat e ndërtimit. Si i tillë, ky objekt, përmbushë kushtin themelor, dhe jo të vetëm, porse për nga baza e parimeve restauruese, i bollshëm në arsyetim, se një objekt i tillë, padyshim që duhet ruajtur dhe restauruar dhe si i tillë, me sa ma shumë autenticitet, të i shtohet fondit të aseteve të trashëgimisë kulturore-arkitektonike të Kosovës dhe me gjerë. Do të ishte i pafalshëm, qëndrimi indiferent ndaj një vlere të tillë, dhe nuk arsyetohet nga asnje tezë, çfarëdo qoftë ajo, qe mund të krijoj dilemë të tillë.

Ne si komunitet i organizuar i arkitektëve në Republikën e Kosovës, nuk mëtojmë, e as që na duket me rëndësi kruciale, lidhja e objektit me fatin apo pozitën shoqërore dhe politike të atyre të cilët mund ta kenë ndërtuar, investuar apo pronësuar. Për ne, mbizotëron vlera arkitektonike, e cila qet në plan të dytë, çdo subjektivizim tjetër, pasiqë ato pjesë duhet të trajtohet dhe të analizohen nga ekspert dhe komunitetet shkencore të cilat kanë për synim ndriqimin e figurave dhe rolit te tyre në historinë e shoqëris sonë. Në aspektin profesional, krijojm ndarje të qartë, objektin si vlerë e pamohueshme arkitektonike, nga pronari, poseduesi apo çfarëdo adresimi tjetër. Tek e fundit, praktikat e shumta nëpër botë, na tregojn se objektet që sot ruhen dhe janë pjesë zyrtare e listës së trashëgimisë botërore, kanë historira nga më të ndryshmet, porse ruajtja e tyre, arrit që të mbaje gjallë nëpër shekuj memorien kolektive, mbi të cilën ndërtohet narrativa e prejardhjes apo qellimit se pse u projektuan apo ndërtuan si të tilla.

Asociacioni i Arkitektëve te Kosoves, inkurajon implementimin e projektit restaurues, të inicuar këto ditë nga institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare . Objekti në fjalë, plotëson të gjitha kriteret profesionale se duhet mbrojtur dhe trajtuar, dhe se qëndrimi indiferent dhe mohues ndaj kësaj vlere, do të ishte goditje direkte në përpjekjet globale dhe lokale, që e kaluara e ndërtuar me shumë mund dhe sakrificë, të na perbashkoj në vlerësim dhe inkurajim për një botë më të mire dhe më me vlera.

Sikurse në gjinitë tjera të artit, poashtu edhe në arkitekturë, vlenë maksima, vepra flet vet, asaj nuk i duhet asgjë më shumë, se sa bukuria që ka.

Në përfundim të këtij reagimi publikë, ne si Asociacion e Arkitektëve të Kosovës, bëjmë thirrje, që vlerësimet për rastet tilla, duhet të bëhen nga profesionistët e fushës, e në asnjë mënyre nga dikush tjetër, pasiqe objektet me vlera arkitektonike dhe të trashëgimisë kulturore, shquhen për atë që prezentojnë si art i të ndërtuarit, e më pas vjen dhe dimensioni historikë. Ndërtesës “shtëpia e Xhafer DEVËS”,mund dhe duhet që pas një restaurimi adekuatë, t’i kthehet në shfrytëzim komunitetit të qytetit të Mitrovicës dhe me gjerë si një qendër apo objekt kulture, ku do të promovoj vlera dhe në të mund të zhvillohen ngjarje kulturore që fisnikërojnë dhe më shumë shoqërinë tonë.

Prishtinë, dt. 10.02.2022 Asociacioni i Arkitektëve të Kosovë./ KultPlus.com

Rriten vizitat në parkun Disney pas lehtësimit të masave anti-Covid

Disney thotë se udhëtimet në parqet e tij në SHBA janë rritur, ndërsa abonimet në shërbime i tejkalojnë pritshmëritë, shkruan BBC, përcjell KultPlus.

Kompania tha se shitjet në atraksionet e saj vendase u ngriten mbi nivelet para pandemisë, por paralajmëroi se pret që parqet jashtë vendit të jenë ende të prekura nga COVID.

Ndërkohë, Disney+ shtoi 11.8 milionë abonentë në tre muajt e fundit të 2021, duke e çuar totalin në pothuajse 130 milionë në mbarë botën.

Firma gjithashtu parashikoi rritje të mëtejshme të abonentëve për këtë vit.

Rritja e regjistrimeve në Disney+ sugjeron gjithashtu se disa zakone të qëndrimit në shtëpi të lidhura me pandeminë mund të jenë të qëndrueshme, pavarësisht shqetësimeve pasi Netflix kishte paralajmëruar se rritja po ngadalësohej.

Shefi ekzekutiv, Bob Chapek tha se ai besonte se shërbimi i transmetimit do të ketë 230 milionë deri në 260 milionë abonentë deri në vitin 2024.

“Ky shënon vitin e fundit të shekullit të parë të Ëalt Disney Company dhe performanca si kjo e shoqëruar me koleksionin tonë të pakrahasueshëm të aseteve dhe platformave, aftësitë krijuese dhe vendin unik në kulturë më japin besim të madh se do të vazhdojmë të përcaktojmë argëtimin për të ardhmen. 100 vjet”, tha ai. /KultPlus.com

“Java e Kulturës Bashkëkohore së Kosovës” në Tiranë, publikohen emrat e artistëve që do të performojnë

Në përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, duke filluar nga data 14 shkurt, qendra kulturore ‘Tulla’ në bashkëpunim me Ambasadën e Kosovës dhe Bashkia Tiranë, vijnë me një program eventesh kulturore, shkruan KultPlus.

Sot, ‘Tulla’ ka bërë publike edhe emrat e artistëve që do të marrin pjesë.

KultPlus ua sjell postimin e plotë:

Artistët e përzgjedhur përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të muzikës moderne kosovare që u zhvillua pas vitit 1999. Përmes nismave të pavarura, në Kosovë doli një skenë muzikore që shmangu komercializmin dhe njëkohësisht arriti të jetë imprint në kujtesën kolektive. Para se të njihej për hip-hopin, Kosova themeloi dhe zhvilloi skenen alternative, e cila e vazhdoi trasimin e rrugës së nisur nga gjenerata e rock artistëve të viteve ’80 në Radio Televizionin e Prishtinës.

Genc Salihu – kurator

Me rastin e përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Tulla – Culture Center në bashkëpunim me Ambasadën e Kosovës organizon në Tiranë Javën e Kulturës Bashkëkohore të Kosovës – KS #14 Shoëcase nga data 14 deri 20 shkurt 2022.

Programi muzikor do të sjellë në skenën e Tullës: KS All Stars – Dren Abazi, Shpat Deda, Genc Salihu dhe Alban Nimani, La Fazani dhe Filharmonia e Peshqve, KS Jazz Shoëcase me Nesim Maxhuni quartet.

Ky program realizohet me mbështetjen e institucioneve Kosovare dhe Shqiptare: Bashkinë e Tiranës, Komunën e Prishtinës, Qendrën Kinematografike të Kosovës, Teatrin Kombëtar të Kosovës dhe Ministrinë e Kulturës së Kosovës./ KultPlus.com