Distria Krasniqi me fitore të madhe, në Paris mposht francezen Mosdier

Distria Krasniqi ka arritur që të marrë edhe një tjetër fitore në kuadër të Grand Slamit në Paris, shkruan KultPlus.

Disitra po përballet për herë të dytë në kategorinë -52 kilogramë dhe tani vazhdon rrugëtimin në raundin e tretë ku do të përballet me Chelsie Giles.

Në një përballje me nikoqiren Anais Mosdier, Krasniqi arriti që brenda 2 minutave të fitojë me IPPON.

Kosova po përfaqësohet me katër xhudistë në këtë garë, ku së bashku me Distrien janë edhe Akil Gjakova, Laura Fazliu dhe Flaka Loxha.

Mbretëria e Bashkuar përballet me rritje rekord të çmimeve të energjisë

Çmimi i energjisë elektrike në Britani të Madhe duket të ketë shënuar një rritje, siç njofton edhe rregullatori i energjisë, shkruan AP, transmeton KultPlus.

Zyra e Tregjeve të Gazit dhe Energjisë Elektrike, e njohur si “Ofgem”, tha se kufiri i ri i çmimit – shuma maksimale që furnizuesit e gazit mund të ngarkojnë klientët – do të rritet rreth 830 euro në vit në shumicën e pjesëve të Mbretërisë së Bashkuar duke filluar nga muaji prill.

Vendimi ka të ngjarë të prekë 22 milionë familje në të gjithë vendin.

Shefi i Thesarit, Rishi Sunak, njoftoi menjëherë për një paketë masash për të ndihmuar miliona njerëz – përfshirë ata me të ardhura më të ulëta – të përballen me rritjen e madhe të faturave të gazit.

Ai tha se qeveria do të lehtësojë dhimbjen duke përhapur më të keqen e kostos shtesë me kalimin e kohës. Klientët do të përfitojnë 200 paund (271 dollarë) zbritje në faturat nga tetori, të cilat do të paguhen me këste të vogla gjatë viteve të ardhshme. Shumica e taksapaguesve të këshillit do të marrin gjithashtu një kursim prej 150 paund (200 dollarë) këtë vit, tha Sunak.

Banka qendrore ka paralajmëruar se mund të rritet në 6 për qind në prill. Disa analistë parashikojnë se inflacioni mund të arrijë në 7 për qind. /KultPlus.com

PEN-i amerikan më 28 shkurt publikon rezultatet për librin e poezisë më të mirë të përkthyer në Amerikë për vitin 2022

PEN-i amerikan do të dhurojë çmimet e përvjetshme për poetët nga bota  (The 2022 PEN America Literary Awards).

Njëra prej çmimeve që do të jepet aty ka të bëjë me përmbledhjen më të mirë të përkthyer në gjuhën angleze brenda vitit.

Për këtë çmim, që ka një juri profesionale, çdo vit në fillim të janarit  shpallet lista e gjatë me 10 kandidatë, kurse më 27 janar u shpall lista e shkurtër 5 kandidatë. 

Në mesin e këtyre poetëve të lartepermenduar në gjuhën shqipe është i përkthyer vetëm libri i Naxhvan Darvish “Është një vend që quhet këngë” në përkthim të Muhamed Mufakut dhe me dy pasthënie të Agim Vincës dhe Adem Gashit, e cila doli në Prishtinë në janar të 2021 botim të Institutit të Studimeve oriantale(ISO) dhe u promovua në Tiranë më 10 dhjetor 2021 në International Hotel Tirana. 

Është për të shënuar se përzgjedhja “Është Një vend që quhet këngë” prezenton në shqip krijmatarinë e tij poetike të botuar gjatë 2000-2020 dhe  u prit shumë mirë në promovimin që u bë në prani të poetit në Tiranë. 

Më 28 shkurt PEN American do të shpall emrin e librit fitues në fushën e poezisë të përkthyer në anglisht për vitin 2022. /KultPlus.com

Gjakova e fillon mbarë në Grand Slam të Parisit, Loxha humbet pas një meçi të vështirë

Grand Slam i Parisit ka filluar sot dhe do të zgjas deri më 6 shkurt, derisa Kosova po përfaqësohet në këtë konkurs me katër garues, shkruan KultPlus.

Akil Gjakova në meçin e tij ndaj Massaoud Redouane Dris arriti që të tregojë forcën e tij, duke fituar këtë përballje.

Akili e fitoi meçin në kategorinë 73 kilogramë.

Në anën tjetër, Flaka Loxha arriti që të dominojë kundërshtarën e saj Vera Zemanova, por në fund në “Golden Score”, humbi pasi kjo e fundit e mposhti me IPPON në kategorinë 57 kilogramë.

Gjakova ka kaluar në luftën e dytë, derisa në garë për Kosovën janë edhe Laura Fazliu, dhe e arta Distria Krasniqi. /KultPlus.com

‘Lamtumirë atdhe i bekue, lamtumirë për sa të jetë jeta’

Shkruan: Gjergj Fishta

Lamtumirë vendet e mija

Lamtumire vëndet e mija, 
Që po m’zhdukeni dalngadalë 
Gjëmon Deti ushton duhija 
Lkundet varka vale mbi vale. 

Kah njaj Diell që asht tuj flakrue 
Andej fill un tash do t’veta 
Lamtumir atdhe i bekue 
Lamtumirë për sa të jetë jeta! 

Neser Nadja kur mbi ne, 
Rrezja e diellit ka me ra, 
Kush e di sa Ujë e Dhe, 
Mue prej teje ka me me më nda? 

Po ni pvetsha retë minore? 
Po në i pvetsha zogjt e detit? 
Veç për ty moj tokë arbnore, 
Ska me më fol kush ma mue t’shkeretit 

Kam me shkel në të tjera zalle 
Në të tjera brigje e të tjera Dete 
Kam me ndije të tjera gjuhë 
Në të tjera vënde e të tjera qytete… 

Vëndin tëm ma skam me pa… 

Ka me prit pra motër zeza 
Me i pru nanës në shpi ndonjë re, 
Po, kushedi, i vllau atëhera, 
Ku asht kah kalbet për nan dhe… 

Para Hyut naltohet lutja, 
O ju bjeshkët e shqiptarisë, 
Ku ndër ju s’dijmë, çka asht tuta! 
Veç në ju asht logu i burrënisë! 

Lamtumire ju mriza e stane! 
Lamtumire ju “shkurre e mreta”! 
Lamtumire ju o armt e t’parve 
Lamtumire për sa t’jetë jeta. /KultPlus.com

91 vjet nga vdekja e ‘Heroit të Popullit’, Mihal Gramenos

Më 5 shkurt, Mihal Grameno, i sëmurë, e i dëshpëruar, u tërhoq nga lëvizja shoqërore, derisa vdiq në Korçë gjatë vitit 1931. Për meritat e shquara në dobi të atdheut, i është dhënë titulli “Hero i Popullit”, shkruan KultPlus.

Më 13 janar 1871 do të lindte në Korçë Mihal Grameno, një ndër veprimtarët më të zëshëm të çështjes sonë kombëtare, luftëtar me çetën e Çerçiz Topullit, gazetar, botues dhe shkrimtar.

I shkolluar fillimisht në vendlindje, në vitin 1885 do të mërgonte drejt Rumanisë. Në Bukuresht u lidh me lëvizjen kombëtare shqiptare dhe në vitin 1889 Mihal Grameno u zgjodh Sekretar i Shoqatës “Drita”.

Në vitin 1907 iu bashkua çetës së Çerçiz Topullit dhe mori pjesë në vrasjen e peshkopit grek te Guri i Cjapit, për të marrë gjakun e Spiro Kosturit, i vrarë nga grekët në Selanik.

Si gazetar bëri të mundur raportin e përleshjes së çetës në Mashkullorë. Po atë vit në nëntor përfaqësoi Klubin e Korçës në Kongresin e Manastirit. Në vitin 1909 Grameno themeloi në Korçë Lidhjen orthodokse dhe redaktonte të përkohshmen e përdyjavshme me të njëjtin emër që botohej gjatë viteve 1909–1910. Grameno u arrestua në vitin 1910 nga autoritetet osmane për punën e tij në gazetën “Bashkimi i Kombit”.

Gjatë kryengritjeve të vitit 1911 Grameno kryente ndërlidhjen mes grupeve të çetave ndër viset shqiptare dhe prijësve të lëvizjes kombëtare në Stamboll për të koordinuar kryengritjet.

Më 1 shkurt 1911 nisi të botojë një tjetër gazetë: të përjavshmen “Koha” të cilën edhe e redaktonte, së pari të botuar në Korçë dhe më pas në Jamestown, New York, ku jetoi nga 1915 deri më 1919.

U kthye në Evropë për të përfaqësuar Partinë Politike të shqiptaro-amerikanëve në Konferencën e Paqes në Paris dhe si korrespondent i gazetës “Albania” që botonte A. G. Naçe në New York.

Pas një viti u kthye në Shqipëri. Pas shpërthimit të Luftës I Botërore u detyrua të largohej në SHBA, ku vazhdoi të punojë për çështjen kombëtare deri më 1920, kur u kthye në atdhe. I sëmurë, e i dëshpëruar, u tërhoq nga lëvizja shoqërore. Vdiq në Korçë më 5 shkurt, 1931. Për meritat të posaçme në në dobi të atdheut dhe çështjes shqiptare, i është dhënë titulli “Hero i Popullit”.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave publikoi sot imazhe të tregimit “Saideja Engjëllore”, shkruar nga Mihal Grameno. / KultPlus.com

‘Mjeshtri i madh’, 81 vite nga lindja e kompozitorit të njohur, Ferdinand Deda

Përkujtohet sot ditëlindja e artistit Ferdinand Deda. Ai lindi në qytetin e vogël të Peqinit më 5 shkurt të vitit 1941. Studioi pranë liceut artistik “Jordan Misja” në Tiranë dhe i përfundoi ato më 1959.

Menjëherë pas përfundimit të liceut u emërua mësues muzike në qytetin e Gjirokastrës. Pak kohë më pas, Deda filloi Konservatorin Nacional të Pragës në ish-Çekosllovaki, sot Çeki, por për shkak të prishjes së marrëdhënieve më ish-Bashkimin Sovjetik, ai vazhdoi studimet në “Akademinë e Arteve të Bukura” në degën e dirigjimit.

Në vitin 1991-1992 ai specializohet për dirigjim dhe kompozicion në Itali.

Që nga viti i diplomimit dhe derisa u tërhoq nga skena, artisti realizoi mbi 300 koncerte të rëndësishme, ku jo vetëm si dirigjent, por punoi dhe krijoi gjithashtu edhe si kompozitor.

Ferdinand Deda ka dirigjuar koncerte të rëndësishme në skenën kombëtare, por edhe në atë ndërkombëtare ku shpesh herë është vlerësuar shumë me çmime të rëndësishme dhe medalje të festivaleve dhe performancave në aktivitete të ndryshme.

Ai gjithashtu njihej për publikun shqiptar edhe si një nga kompozitorët më të rëndësishëm të “Festivalit të Këngës në RTSH”, festivalin e këngëve të stinës “Kur vjen Pranvera” dhe këngët e tij vazhdojnë të këndohen edhe sot jo vetëm nga këngëtarët por edhe nga artëdashësit e muzikës.

Madje ai është edhe themelues i “Festivalit të Pranverës”, në RTSH.

Deda gjithashtu ka dhënë kontributin e tij të madh edhe në kinematografinë shqiptare si kompozitor i shumë filmave. Më vitin 1997 u shpall fitues i “Diskut të Artë”, ndërsa ka mbajtur titujt si “Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh”.

Artisti Ferdinand Deda u nda nga jeta më 22 gusht të vitit 2003 nga një sëmundje e pashërueshme. /atsh/ KultPlus.com

Figura emblematike e humorit shqiptar, Tano Banushi

Përkujtohet sot ditëlindja e njërit prej yjeve të skenës së humorit shqiptar, Tano Baushi, shkruan KultPlus.

Artisti lindi në qytetin e Shkodrës më 4 shkurt të vitit 1927 me emrin Athanas Lluko Banushi megjithëse publiku shqiptar e njeh me emrin Tano. Humori ka qenë pjesë e rëndësishme e jetës së artistit pasi është rritur në një familje e cila humorin e kishin si lajtmotiv të jetës së tyre me në krye babanë e tij, Lluko Banushi.

Që në kohën kur ai ndiqte gjimnazin artisti filloj të aktivizohej në shfaqje të ndryshme deri në momentin kur në Shkodër u themelua edhe estrada profesioniste e qytetit në virin 1958. Ishte pikërisht ky momenti kur Tano Banushi u kthye në një artist i cili u vlerësua shumë dhe u duartrokit nga i gjithë publiku artëdashës shqiptar, pasi cilësitë e tij interpretative ishin shumë të larta.

Gjatë karrierës së tij artisti, Tano Banushi ka interpretuar mbi 1000 role duke mishëruar shumë personazhe, karaktere dhe figura artistike të cilat do ta kthenin në një figurë emblematike të humorit dhe estradës shqiptare.

Disa nga rrolet që do të veçonim nga ky artist janë ato në shfaqjet si “Fejesa” e Cehovit, “Një tragjedi Optimiste”, “Këshilli i ndrikullave”, “Hej moj babë”, e shumë e shumë të tjera.

Artisti gjatë karrierës së tij më të gjatë se gjysmë shekulli shkruante materiale dhe skeçe, por gjithashtu edhe kompozonte muzikën që shoqëronte materialet e krijuara prej tij, pasi sotëronte dhe luante mjaftë mirë instrumentin e kitarës.

Publiku shqiptar e identifikon artistin me shumë materiale dhe personazhe por ajo çka nuk do të iki kurrë nga memoria e publikut është materiali “Fotografia” e cila mund të konsiderohet edhe si një ndër perlat e humorit dhe estradës shqiptare./ atsh/ KultPlus.com

Lasgush Poradeci: Kur u takova me katër kosovarë

Tiranë, e Djelë 9 Janar 1972

U takova me 4 kosovarë 30-35 vjeçarë, intelektualë të ardhur prej Kosove për qëllime kulturale, pas 2 javë, më tha njëri, do shkojmë për në Kosovë. Nuk më njihnin personalisht, u entuziazmuan që më njohë, njëri poet më tha: “jeni i adhuruar në tërë Kosovën, rinija entuziazmohet me juve, ju-a kemi botuar në Kosovë të 2 volumet e poezive”. Njëri prej tyre më tha: “Ky është poet, ka qënë nënë influencën tuaj, ju ka imituar etj”. Ay më tha: “e kam për nder të jem influencuar prej Lasgushit”.

Unë: “s’ka influencë, nuk lot rol influenca në poezi, në krijimin artistik. Influencë, imitacion, plagjiat, reminiscencë, çdo referencë ose lidhje ose relacion etjerash si këto terma, nuk ekzistojnë në poezinë e vërtetë. Poezi e vërtetë quhet një poezi, e cila është origjinale. Poezi origjinale është ajo poezi, e cila, gjith dyke qënë tangjente me poezinë e tjetrit, e ka përdorur atë tangjente vetëm si material brut, si lëndë e parë, por prej kësaj materjeje prima ka krijuar një origjinalitet fondi dhe forme dhe stili t’atillë, sa ajo del me atë origjinalitet të krijuar prej poetit, si një poezi më vete, si një krijim i ri, krijim që s’mund t’i-a gjesh shëmbëllën në tjetër poezi, sepse ajo tashi është një gjë më vete, një kontribut i ri në gjithë poezinë ekzistente. Me këtë origjinalitet, ajo e justifikon veten të ekzistojë midis similareve të saj, si krejt indipendente.

Similar s’do me thënë identik, po kategori e veçantë dhe veçantinë e saj i-a kërkon origjinaliteti i saj, origjinalitet fondi, forme, shprehjeje, stili, dhe sipër së gjithash koncepsioni – të gjitha këto të pakraharsueshme aspak me poezi tjetër. Krijimi i ri nuk tutet prej krijimeve anàs, d.m.th. prej similareve, prej similiaritetit. Këto dhe shumë të tjera shpjegime i thashë poetit kosovar rreth imitacionit, influencës që siç tha ay tjetri koleg i tij ishte prej Lasgushit. Ay (më vjen keq që s’ja mora emrin) mbeti i kënaqur, dhe fitoj kurajë prej shpjegimeve të mija, u duk nga fjalët që më tha pastaj – dhe unë i thashë duke e kurajësuar zemërbardhësisht: “bëni poezi, krijoni poezi, mos kini frikë prej poezisë së Lasgushit, sepse duke qënë i zoti të krijojë njeriu poezinë e tij, origjinale, siç thamë s’trembet prej tjetrit.

Ay që krijon një krijim të ri, nuk trembet prej tjetrit, sepse krijon një gjë të re. Si të trembet krijonjësi prej krijesës së tij, prej krijesës së tij të re, origjinale? Poeti, kur është i zoti të krijojë një poezi të re sipas këtij principi që është i vetmi princip poetik nuk ka frikë, s’trembet prej krijimit të tij, por përkundër, gëzohet dhe gëzohet me gëzim të madh, me gëzim të madh sepse i fal botës një gëzim të ri, një gëzim tjetër midis gëzimeve të tjera, dhe ay që i fal tjetrit një gëzim të ri s’trembet prej kësaj të falure prej kësaj dhurate po gëzohet me gëzim absolut për gëzimin absolut d.m.th. gëzimin origjinal që ay i fal të tjerëve nga zotësija e tij. Tashi ne mund të themi në këtë akord të tjera, po njësoj janë tërë të tjerat, esencial, ecenca e poezisë është poezia origjinale, d.m.th. origjinaliteti poetik.

/ KultPlus.com

‘Eja eja lule borë’, një ndër këngët më të bukura shqiptare (VIDEO)

E shkruar në vitin 1946 nga poeti shkodran Zef Pali dhe e kompozuar nga Simon Gjoni, kënga “Eja, eja lule borë” mbetet ndër këngët më të bukura shqiptare, shkruan KultPlus.Një këngë që i ka rezistuar kohës, shtatë dekadave jetë, edhe sot këndohet e dëgjohet me ëndje.

Po e sjellim sonte një performancë të këngës e cila nuk është vetëm shkodrane, por një vlerë e të gjithë shqiptarëve.

Bashkangjitur gjeni tekstin origjinal të këngës:

Eja, eja lule borë

Tue kerkue n‘mal e n‘koder

tue prek‘ lule e gjeth‘ me dore

veç nji kopsht ma t‘bukur Shkodër

ty te gjeta Lule Borë

Ref

Je e vogel por je plot

Ty t‘ kerkoj une tash sa mot

Tash sa mot une ty t’ kerkoj

N‘gzim me ty jeten ta çoj

Eja eja lule bore

se me ty do t‘thur kunor

eja eja lule bore

se me ty do t‘thur kunor

Pash ma t’ buk’ren stinë pranvere

pash mbretneshen trandofil

mos t‘i falish kujt Ti eren

se per mue vetem ke çil

Fjalet e mija deh ndigjoi

ma ke ftyren porsi zane

une prej gjumit do’t zgjoj

veç me t pa ne drit t’ksaj Hane. / KultPlus.com

Hapet konkursi letrar për mërgatë “Azem Shkreli”

Komisioni organizativ i Lidhjes së Shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Gjermani dhe përfaqësuesi i familjes Shkreli konfirmojnë se edhe këtë vit do të organizohet Konkurs letrar për mërgatën “Azem Shkreli”.

Vendimi u bë publik pas mbledhjes së mbajtur më 30 janar 2022.

Nga juria profesionale do të ndahen dy shpërblime për dy veprat më të mira nga konkurruesit tanë shqiptarë në mërgatë: Veprën më të mirë në poezi, (Shpërblimi — 500 Euro) dhe veprën më te mirë në prozë, (Shpërblimi — 500 Euro). Të gjitha veprat duhet të jenë të botuara në vitin 2021. Autorët, veprat e tyre të botuara duhet t´i dërgojnë nga tri kopje(tri Libra të botuara) deri me dt. 20.03.2022, në adresën: Pal Sokoli Friedrich-Ebert-Str.136b  42117 Wuppertal”, thuhet në njoftim duke sqaruar se detajet për ceremoninë e shpalljes së fituesve do të publikohen në vijim. / KultPlus.com

Tri herë kampion olimpik në cilësinë e trajnerit, Driton Kuka pranon çmimin “Arritjet më të mëdha në vitin 2021”

Tri herë kampion olimpik në cilësinë e trajnerit, Driton Kuka, ka pranuar çmimin nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos për “Arritjet më të mëdha në vitin 2021”, përcjell KultPlus.

Çmimi iu nda në Paris të Francës, ku këtë fundjavë mbahet Grand Slami i xhudos.

Kosovën e përfaqësojnë kampionia olimpike, Distria Krasniqi (-52 kg), Flaka Loxha (-57 kg), Laura Fazliu (-63 kg) dhe Akil Gjakova (-73 kg). / KultPlus.com

Dua Lipa së shpejti lanson ‘podcast’, interviston disa nga emrat më të njohur të modës, muzikës e letërsisë

Këngëtarja kosovare me famë botërore, Dua Lipa, duket se nuk ka të ndalur në punën e saj drejt sukseseve, shkruan KultPlus.

Lipa së fundmi ka bërë të ditur se më 11 shkurt do të lansojë shërbimin e saj të ‘podcastit’ të titulluar “Dua Lipa në shërbimin tuaj”.

Lajmin e ka bërë të ditur ajo vetë në llogaritë e saj në rrjetet sociale, duke shprehur entuziazmin e saj.

Podcasti ynë i shërbimit95 po lansohet më 11 shkurt dhe jam shumë e emocionuar që të gjithë të bashkoheni me mua në këtë udhëtim ku intervistoj disa nga emrat më të jashtëzakonshëm të modës, muzikës, letërsisë, aktivizmit global e shumë të tjera. Abonohuni në podcast dhe dëgjoni trilerin në shumicën e shërbimeve të transmetimit ose kudo që merrni podcastet tuaja”, ka shkruar Lipa. / KultPlus.com

Facebookut i fshihen 30% e aksioneve

Mark Zuckerberg , bashkëthemelues i Facebook dhe një nga aksionarët kryesorë të tij, pa pasurinë e tij të bjerë me gati 30 miliardë dollarë në një ditë pas një rënie rekord të aksioneve të kompanisë mëmë Meta, të enjten.

Me një pasuri aktuale prej 84.3 miliardë dollarësh, sipas Forbes, kjo është hera e parë që 37-vjeçari nuk përfshihet në 10 njerëzit më të pasur në planet që nga vera e 2015.

Zuckerberg zotëron pothuajse 13% të Meta Platforms, kompania mëmë e Facebook.

Shlyerja prej 29.8 miliardë dollarësh e pasurisë së Zuckerberg është humbja e dytë më e madhe ditore në histori. Është pak më shumë se 35 miliardë dollarët e humbur nga njeriu më i pasur në botë, Elon Musk, nëntorin e kaluar, pasi ai shkroi në Twitter se synonte të shiste 10% të aksioneve të tij në Tesla.

Aksionet e Meta ranë pasi kompania paralajmëroi për rritje më të dobët se sa pritej të ardhurat tremujorin e ardhshëm dhe tha se ndryshimet e fundit të privatësisë së Apple do t’i kushtonin kompanisë 10 miliardë dollarë, sipas CNBC.

Rënia prej 26% ishte rënia më e madhe njëditore e Metës dhe rezultoi në humbjen e më shumë se 200 miliardë dollarëve në kapitalizimin e kompanisë. Kjo shumë është gjithashtu një rekord historik negativ.

Çfarë ka ndodhur në kompani së fundmi?

Facebook njoftoi të mërkurën se fitimet e tij ranë me 8%, pra 10.29 miliardë dollarë në tremujorin e fundit të 2021. Oksimoroni në këtë rast gjendet në elementin e mëposhtëm: Në të njëjtin njoftim thuhet se të ardhurat janë rritur me 20%, pra me 33.67 miliardë dollarë.

Si është e mundur të rriten të ardhurat, por të zvogëlohen fitimet?

Sipas analistëve, kjo papajtueshmëri vjen për shkak të kostove për departamentin e Reality Labs, pra departamentin që do të “lançojë” të ardhmen e botës online, realitetit virtual. Sipas raportimeve, Meta ka investuar tashmë mbi 10 miliardë dollarë në këtë teknologji dhe pritet të shpenzojë edhe më shumë fonde.

Ndryshimet e fundit të privatësisë nga Apple e bëjnë më të vështirë për kompanitë si Meta gjurmimin e njerëzve për qëllime reklamimi, gjë që ushtron presion edhe mbi të ardhurat e kompanisë. Në një telekonferencë me analistët të mërkurën, shefi financiar i Metës tha se kompania po përballej me 10 miliardë dollarë nga ndryshimet e Apple në 2022. Analistët në MoffettNathanson, në një shënim për klientët, e përshkruan vlerësimin si “të befasishëm”.

Meta parashikoi të ardhura shumë më të ulëta se pritjet e analistëve për tremujorin aktual, pjesërisht për shkak të konkurrencës në rritje nga TikTok , tha kompania, duke ndikuar qartë investitorët.

Rekrutimi i saktë dhe ndryshimi i orientimit

Meta Platforms Inc. synon të zbatojë planin e Mark Zuckerberg për të ndryshuar peizazhin në rrjetet sociale, duke instaluar një “botë” të re të realitetit virtual , siç paralajmëroi disa muaj më parë. Që atëherë, kompania ka zhvendosur burimet dhe ka punësuar inxhinierë nga konkurrentët si Apple dhe Google, të cilët mund të ndihmojnë në realizimin e vizionit të saj. Zgjeroi fuqinë punëtore me 23%, duke e mbyllur vitin me 71,970 punonjës, kryesisht në role teknike, për t’i shërbyer planit dhe për të përshpejtuar kalimin në botën e re që po përgatitet të prezantohet në internet./albeu.com/ KultPlus.com

Kryeministri Kurti priti në takim familjarët e të vrarëve më 3 dhe 4 shkurt të vitit 2000 në veri të Mitrovicës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar ngjarjet e 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000 në veri të Mitrovicë, në takimin me Gani Xhaka dhe Luan Abrashi, të cilëve atë natë u janë vrarë familjarët në veri të Mitrovicës.

Duke falënderuar kryeministrin Kurti për vëmendjen dhe kujdesin, ata theksuan se kjo është ftesa e parë për takim në kryeministri në këto 22 vite.

Xhaka kujtoi natën e 3 shkurtit, kur nga bomba e tretë e hedhur në banesë u plagos rëndë bashkëshortja e tij Nerimanja, si dhe vajza e tyre Eminja, 11 vjeçare. Ai rikujtoi tmerrin e qëndrimit në banesën e cila ishte kapluar nga zjarri pas bombës së hedhur, ndërsa nuk guxonin të hapnin dritaret pasi serbët e armatosur ishin çdokund.

Pas rreth 4 orësh kishin arritur të largohen për në spital, ku bashkëshortja dhe vajza ishin shtrirë në kate të ndara. Nga plaga e rëndë në abdomen, Nerimanja ndërroi jetë në ora 22:00. Ganiu kujtoi atë natë të rëndë, kur i qëndroi pranë bashkëshortes deri në frymën e fundit. E pas kësaj, mblodhi forcat që të ngushëllonte vajzën e plagosur.

Familja Xhaka jetonte në të njëjtën rrugë me familjen Abrashi, në veri të Mitrovicës.

Luani ishte vetëm 11 vjeçar kur iu vra e ëma, Sebiha Abrashi, nga të shtënat në ndërtesën ku jetonin në veri të Mitrovicës. Ai tregoi se pronat e tyre ishin detyruar t’i shesin në vitin 2009.

Atë natë ishte vrarë edhe shoku i Luanit, Nderim Ajeti, 13 vjeçar.

Para 22 vitesh, natën mes 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, strukturat kriminale të Serbisë me formacione të armatosura vranë 10 shqiptarë, në mesin e të cilëve fëmijë, gra e pleqë, e plagosën 25 të tjerë, në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës.

Nerimane Xhaka, Sebiha Abrashi, Nderim Ajeti, Nezir e Shqipe Voca, Niman Sejdiu, Bashkim Rrukeci, Selime Berisha, Muharrem Sokoli dhe Remzije Canhasi, u vranë nga plumbat e bombat e strukturave kriminale, me planin për ta spastruar atë pjesë nga shqiptarët.

Atë natë filloi edhe dëbimi i rreth 12 mijë banorëve shqiptarë, të cilët u detyruan të kalojnë në jug të qytetit, duke lënë prapa shtëpitë e tyre. Kjo shënon edhe përmbysjen demografike të asaj pjese të Kosovës me shumicë shqiptare në favor të serbëve. / KultPlus.com

“Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie”, Spahiu: Duke përkthyer një vepër në gjuhën amtare ajo shijohet në tërësinë e saj

Uranik Emini

Projekti më i ri i titulluar titulluar “Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie” i cili po zhvillohet për herë të parë nën organizimin e PEN Qendrës së Kosovës, po vazhdon serinë e diskutimeve në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, ku së fundmi është biseduar për Komunikimin Ndërkulturor, shkruan KultPlus.

Me këtë projekt origjinal, nata e katërt solli pranë të pranishmëve debatin rreth temës ‘Komunikimit ndërkulturor’, ku për të diskutuar më thellësisht, në panel të ftuar ishin: shkrimtari Avni Spahiu, shkrimtari dhe publicisti, Ibrahim Berisha si dhe moderatori Artan Krasniqi.

Këto ngjarje të cilat gjithmonë nisin fiks në orën 17:00, kanë mbajtur pranë vetes edhe një numër të vogël të publikut i cili gjithmonë qëndron besnik ndaj këtyre aktiviteve. Andaj, për të diskutuar më gjerë për temën ‘Komunikimi ndërkulturor’, në bashkëbisedim janë bashkangjitur edhe të pranishmit.

Ndërsa, kujtojmë se të gjitha punimet e pjesëmarrësve në panel do të botohen në një libër kur të përfundojë i gjithë projekti. Në këtë projekt të përfshirë janë gjithsej 22 intelektualë që do të flasin nga kontekste të ndryshme për tema të caktuara përgjatë muajit janar dhe shkurt.

Krasniqi ia dha fjalën Spahiut, por ky i fundit e “dorëzoi” tek Ibrahim Berisha, i cili filloi që të fliste i pari rreth kësaj teme.

“Në politikat kulturore edhe në Kosovë, sikur në Shqipëri, mungon kombinimi i tre elementëve themelorë: krijimtari, politikë kulturore dhe menaxhim kulturor, këto, që do të krijonin një koncept funksional dhe kreativ ndërkulturor brenda shqiptarëve po edhe të shqiptarëve në raport me kulturat tjera”, u shpreh Berisha.

Ai tutje shtoi se Kultura identifikohet me komunikimin, ndërsa komunikimi ndërkulturor me qytetërimet apo qytetërimin.

“Qytetërimi, një përkufizim: Është kulturë, arsimim, harmoni shoqërore. Është dhënie dhe marrje vlerash materiale dhe jomateriale të qëndrueshme dhe të dobishme rritë hapësirën e kësaj harmonie. Tashti zhvillimi i teknologjive komunikuese, krijon mundësi të gjera komunikimi ndërkulturor dhe këtë fare qartë e tregoi edhe një gjendje jo e natyrshme, krijuar nga Pandemia e dy viteve të fundit, shkaktuar nga Kovid 19. Botë që në një përmasë globale, hoqi dorë theksueshëm nga lëvizjet fizike, dhe gjeti strofull brenda hapësirës kulturore virtuale. Në këtë virtualitet, u ritheksua dhe ridimensionua edhe më shumë, komunikimi ndërkulturor, duke ndryshuar psikologjinë, kërkesat, dhe dukshëm, edhe përmbajtjet e konsumit, madje edhe ushqimor. Kjo ishte hapësira e përbashkët, e qasshme, e lirë dhe me ofertë të gjerë”.

Publicisti gjithashtu thotë se komunikimi ndërkulturor në Kosovë, nuk është gjë e re, por është i lënduar. Kufizime dhe vetëkufizime ka plot.

“Shembull në Kosovë është libri. Qarkullimi i librit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, vazhdon të jetë i sanksionuar me tatime. Botuesit e librarët kosovarë paguajnë tvsh 14 për qind për import të librit. Libri i importuar në Kosovë tatimohet 8 për qind dhe po ky libër që merret nga Shqipëria atje tatimohet 6 për qind, dmth ky libër i importuar tatimohet 14 për qind. Kjo tregon si e koncepton logjika politike një segment kaq jetik për shqiptarët, komunikimin e librit. Nuk do harruar se bazuar në të gjitha hulumtimet, blerja e librit dhe leximi i librit nga shqiptarët në Kosovë është më i ulëti në Evropë. Ende ka pak libra në gjuhën shqipe për të ndërtuar edhe te planifikimi, aq sa mund të shihet në politikat kulturore edhe në Kosovë, sikur në Shqipëri, mungon kombinimi i tre elementëve themelorë: krijimtari, politikë kulturore dhe menaxhim kulturor, këto, që do të krijonin një koncept funksional dhe kreativ ndërkulturor brenda shqiptarëve po edhe të shqiptarëve në raport me kulturat tjera”.

Sipas tij, mundësitë që ofrojnë teknologjitë komunikuese janë shfrytëzuar fare pak për të bërë pjesë të tregut global kulturën shqiptare, por në anën tjetër, hapësira kulturore në Kosovë, veçmas përmes medias është e mbushu me përmbjajtje kulturore e universale.

“Duke mos qenë as përafërsisht të barabartë në raportin e dhënie-marrjes, ka një orientim masiv të shfrytëzimit të prodhimeve globale kulturore, veçmas nga të rinjtë. Dilemat që shtrohen lidhur më përmasën e kësaj marrëdhënieje komunikuese, fokusohen në nevojën e promovimin e e nacionales dhe lokales, veçmas duke pasur parasysh presionin e madh nga vërshimi i prodhimeve të qendrave koorporative multinacionale. Në këtë kontekst, edhe kultura shqiptare në Kosovë i shtrohet procesit konvergjues, ashtu siç edhe e kishte parë studiuesi Michael Buraëy kur theksonte se në këtë betejë vlerash, normash, gjykimesh, shijesh, lokalja, mund të luftojë duke synuar të mbetet me elementet identitare, por edhe mund të adaptohet apo thjesht edhe të shkatërrohet.
Ajo që do të ndodhë, padyshim, nuk varet vetëm nga politikat kulturore, po edhe nga vetë ne, krijuesit, artistët, shkrimtarët”.

Për rëndësinë e komunikimit ndërkulturor foli edhe Avni Spahiu, i cili tha se përmes mediave ndërkombëtare dhe internetit, ky komunikim është bërë më i lehtë në mbarë botën.

“Miliarda informacionë kalojnë për do minutë në kokat e njerëzvë në atë që është quajtur autostradë informativë të ngritur nga revolucioni teknologjik informativ. Kjo gjë, përmës mediave ndërkombëtare dhe internetit e ka bërë të lehtë komunikimin mes njerëzvë në mbarë botën. Procesi i globalizimit ka krijuar një realitët të ri sipas të cilit ne nuk mund të funksionoimë më të izoluar, por duhët të ndërvëprojmë më pjësën tjëtër të botës për të mbijëtuar si kulturë relativisht e vogël dhë më hapësirë të kufizuar”.

Sa i përket botës aktuale, Spahiu thotë se mesazhi kulturor është gjithnjë e më i pranishëm.

“Në botën aktuale është gjithnjë më i pranishëm mesazhi kulturor dhe përdorimi i gjuhës diplomatike që mund të çojë në një kuptim më të mirë të mënyrës se si funksionon diplomacia de disa procese diplomatike”.

Rreth kësaj teme, profesori Spahiu shton edhe pjesën e rolit të përkthyesit në komunikimin ndërkulturor.

“Në një sërë fushash si ajo shkencore, kërkimi akademik, arsimi ,shëndetësia, kultura, politika dhe diplomacia, zhvillimi etj, rëndësia e komunikimit ndërkulturor nuk mund të mohohet. Komunikimi përmes letërsisë së shkruar ,sidomos, kërkon një ndërmjetësues, një përkthyes që është gjithashtu një ekspert në komunikimin ndërkulturor, detyra e të cilit është të krijojë një urë dhe të ndihmojë të tjerët të kalojnë kufijtë kulturorë dhe gjuhësorë”.

Pas përfundimit të fjalimeve nga të dyja palët, moderatori Krasniqi hapi edhe pjesën e diskutimit, në të cilën u inkuadruan publiku dhe realisht u zhvillua një debat parësor mbi atë se çfarë në realitet është komunikimi ndërkulturor dhe si po mundohet Kosova të paraqitet më mirë në skenat ndërkombëtare, gjë të cilën Shqipëria e ka bërë shumë më mirë, kjo për faktin se ka vendosur ambasadorë të kalibrit të lartë dhe njohës të kulturës në radhë të parë.

Ndërkaq, projekti “Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie” do të mbahet deri në fund të muajit shkurt, ku çdo të martë dhe të enjte në KultPlus Caffe Gallery, duke filluar nga ora 17:00, do të debatohet rreth temave si: Gjuha e shkrimit letrar sot, Letërsia dhe teknologjia, Letërsia e gruas, Roli i letërsisë në periudha krizash dhe Letërsia e përkthyer.

Kujtojmë se deri më tani janë trajtuar dy tema si: Liria dhe e drejta e autorit. Botimi dhe vlerësimi i letërsisë sot, Leximi dhe biblioteka, Krijmtaria letrare në periudhën e pandemisë dhe Komunikimi ndërkulturor.. / KultPlus.com

Blerta Basholli për Variety: Industria e filmit po bëhet më e larmishme ndaj filmave të bukur, pavarësisht se nga janë ata

Shtëpia e parashikimeve për çmime të ndryshme ndërkombëtare, duke përfshirë edhe Oscars, Variety, së fundmi po kap hapin me regjisorët e filmave të përzgjedhur për ‘Oskarin Ndërkombëtar të Filmit me metrazh të gjatë’ për të diskutuar rrugën e tyre drejt çmimeve dhe çfarë kanë mësuar deri më tani, transmeton KultPlus.

Drama e triumfit mbi fatkeqësinë “Zgjoi”, e cila bazohet në një histori të vërtetë, përqendrohet në një grua kosovare, burri i së cilës u zhduk në luftë. Përpjekja e saj për të hapur një biznes u përball me armiqësi nga burrat në fshatin e saj. Filmi mori çmimet e audiencës, regjisë dhe jurisë së madhe në konkursin ‘World Dramatic’ të Sundance vitin e kaluar.

Më poshtë KultPlus ua sjell intervistën e plotë të tyre me regjisoren Blerta Basholli:

Variety: Çfarë do të thotë për ju të jeni në listën e ngushtë për Oskarin më të mirë ndërkombëtar?

Blerta Basholli: Do të thotë shumë dhe është një nder në shumë mënyra. Para së gjithash, për shkak të historisë frymëzuese të grave të Krushës, të cilat vendosën të bëjnë diçka për veten dhe fëmijët e tyre dhe e bënë atë; për shkak të të gjithë atyre që punuan shumë dhe vendosën pasionin e tyre në këtë film; dhe për shkak të vendit tonë të bukur të vogël, Kosovën. Njerëzit kanë kaluar shumë në këtë vend dhe rrugëtimi i “Zgjoi” po u jep shpresë. Të gjithë, fjalë për fjalë të gjithë, janë kaq krenarë për filmin tonë dhe të gjithë po brohorasin për ne në këtë sezon çmimesh.

Variety: Cili ka qenë aspekti më sfidues i fushatës suaj deri më tani?

Blerta Basholli: Filmi e filloi udhëtimin e tij të bukur virtualisht në Sundance, ku theu rekorde dhe bëri histori me tre çmime dhe ndryshoi “Hive’s” dhe jetën tonë. Dhe për disa muaj vazhdoi të ishte kështu dhe ajo që na mungonte ishin shfaqjet personalisht dhe dëgjimi i reagimeve nga publiku drejtpërdrejt. Unë nuk kam shumë përvojë në fushatë, ndaj kisha dyshimet e mia se si mund të bëja këtë proces, por për mua ka qenë e bukur deri tani. Ne duhet të shfaqnim filmin, të bisedojmë me shumë njerëz, të dëgjojmë drejtpërdrejt nga ata se si filmi i preku dhe i frymëzoi ata. Për mua ishte një mënyrë tjetër – një mënyrë e bukur – për ta ndjerë këtë histori edhe një herë.

Variety: Edhe pse jeni në listën e ngushtë në kategorinë e veçorive ndërkombëtare, kategoria e fotografive më të mira nuk ka veçori të gjuhës jo-anglisht. “Parasite” (2019) ishte fituesi i parë në histori. A mendoni se zërat ndërkombëtarë janë mbytur në kritikat mediatike dhe filmike?

Blerta Basholli: Kur flas për t’u dhënë shpresë njerëzve nga një vend i vogël si Kosova, “Parasite” bëri pikërisht këtë për mua dhe mendoj për të gjithë kineastët ndërkombëtarë. Përveç faktit që “Parasite” është një film i jashtëzakonshëm dhe Bong Joon-Ho është një regjisor brilant, fitorja ndryshoi shumë gjëra dhe mbi të gjitha frymëzoi dhe dha shpresë për shumë prej nesh. Dhe mezi pres që më shumë filma ndërkombëtarë të fitojnë në këtë kategori.

Variety: Kur përpiqesh të bësh audiencën konsumatore të shikojë një film ndërkombëtar, duket se ka një fokus në kohëzgjatjen e një filmi, por kur diçka si “Avengers: Endgame” zgjat tre orë, fansat e Marvel janë të entuziazmuar dhe thonë se mund të largohen më gjatë nëse do të donin. A është e drejtë kjo?

Blerta Basholli: Nga këndvështrimi im, koha e vrapimit nuk është diçka që duhet të na flasë dhe të jetë diçka për të përcaktuar se çfarë është një histori e mirë apo jo. Ajo që ka rëndësi është gjithmonë tregimi dhe se si ajo histori i prek njerëzit.

Variety: Akademia ka favorizuar vendet evropiane, me Italinë dhe Francën që fitojnë tre herë më shumë se një vend si Japonia. Si mund të inkurajojmë më shumë diversitet nga të gjitha vendet në mbarë botën?

Blerta Basholli: Dhoma e transmetimit të Akademisë është një burim relativisht i ri dhe është një mënyrë e paçmueshme për anëtarët e Akademisë për të aksesuar me lehtësi filma nga e gjithë bota. Plus, fitimi i filmave si “Parasite” duket se tregon se e gjithë industria e filmit po bëhet më e larmishme dhe e hapur ndaj filmave të bukur, pavarësisht se nga janë ata.

Variety: Ju po përfaqësoni vendin tuaj në një organ amerikan të çmimeve (megjithëse ka votues që janë ndërkombëtarë). Si ndiheni kur jeni ai përfaqësues?

Blerta Basholli: Një përgjegjësi e madhe dhe një nder. E gjithë Kosova i ka sytë nga ne, plus ne njihemi si njerëz që e duam shumë Amerikën. Amerika e ndihmoi vendin tonë të çlirohej dhe ne do të jemi përgjithmonë mirënjohës për këtë, dhe njerëzit e lidhin përfaqësimin tonë me këtë dhe kanë pritshmëri të mëdha.

Nominimet për Oscar do të zbulohen më 8 shkurt. / KultPlus.com

Courtesy of Everett Collection

Ambasadori i SHBA-së në Prishtinë me mesazh për garuesit e Kosovës në Lojërat Olimpike Dimërore në Kinë

Ambasadori i Shteteve të Bashkuar në Prishtinë, Jeff Hovenier, i ka uruar fat dhe sukses ekipit olimpik të Kosovës në Lojërat Olimpike Dimërore 2022 në Kinë.

Kosova parakaloi sot në ceremoninë hapëse të lojërave Pekini 2022, me skitarin Albin Tahiri si bartës të flamurit shtetëror.

Lojërat Olimpike Dimërore do të mbahet nga 4 deri më 20 shkurt në Pekin dhe Kosova po merr pjesë për herë të dytë në historinë e vet në lojëra dimërore.

Në një shkrim në Twitter gjatë ceremonisë hapëse të lojërave, Hovenier shkroi: “I uroj ekipit të Kosovës – dyshes dinamike Kiana Kryeziu, gruas së parë që e përfaqëson Kosovën në Lojtarët Olimpike Dimërore dhe Albin Tahirit, garuesit të parë të Kosovës në Lojërat Olimpike Dimërore – shumë fat dhe sukses në garë për medalje të artë.”

Tahiri e barti i vetëm flamurin e Kosovës në ceremoninë hapesë sot pasdite, pasi garuesja tjetër Kiana Kryeziu nuk u lejua të merrte pjesë për shkak të kontaktit me trajnerin Agim Popovci që ka dalë pozitiv në testin për Covid-19.

Kryeziu e siguroi pjesëmarrjen në Pekini 2022 pas garës kualifikuese në Itali në fillim të janarit, duke u bërë gruaja e parë që do ta përfaqësojë Kosovën në Lojërat Dimërore.

Ajo do të garojë në sllallom të madh në garën me ski në Pekin.

Tahiri, i cili bë sportisti i parë që e përfaqësoi Kosovën në Lojëra Olimpike Dimërore duke marrë pjesë në PyeongChang 2018 në Korenë e Jugut, në Pekin 2022 do të garojë në katër disiplina të garës me ski.

32-vjeçari do të garojë nën flamurin e Kosovës në katër disiplina të garës me ski: lëshim, kombinim alpin, sllallom të madh dhe sllallom. / KultPlus.com

Dua Lipa në hapjen e TEYC: Kjo është një mundësi e mirë për t’i treguar Europës talentin e rinisë shqiptare

Ylli i muzikës botërore, shqiptarja Dua Lipa, përmes një videomesazhi drejtuar të gjithë të rinjve shqiptarë ka përshëndetur sot në ceremoninë hapëse të eventeve të “Tirana European Youth Capital 2022”.

Dua Lipa ka premtuar një tjetër vizitë në Tiranë në kuadër të aktiviteteve për “Tirana, Kryeqyteti Europian i Rinisë”.

Përshëndetje çuna, përshëndetje kryebashkiakut Erion. Shpresoj që po kaloni të gjithë mirë! Jam shumë e lumtur të jem pjesë e festës tuaj të madhe që do të zgjasë në të gjithë vitin në Tiranë, Kryeqyteti Europian i Rinisë. Tirana mban një vend special në zemrën time, jo vetëm prej rrënjëve të mia shqiptare, por gjithashtu dhe për atmosferën pozitive dhe energjinë e mrekullueshme. Tirana është si një shtëpi për mua dhe dua që e gjithë bota ta dijë. Kjo është një mundësi e mirë për t’i treguar Europës talentin dhe potencialin e rinisë shqiptare. Paçi fat me organizimin e mbi 1000 aktiviteteve në Tiranë dhe jam e sigurt që secila prej tyre do jetë një sukses. Mezi pres të jem aty me ju me miqtë e mi dhe të bashkohemi në festën tuaj por deri atëherë ju dërgoj shumë puthje”, u shpreh në videomesazhin e saj Dua Lipa. /atsh/KultPlus.com

Të gjitha masat e reja që do të hyjnë në fuqi nga nesër

Qeveria e Kosovës ka miratuar sot propozimin e Ministrisë së Shëndetësisë për vendosjen e masave të reja kundër pandemisë COVID-19.

Në një konferencë për media, ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi ka njoftuar se është marr vendim lidhur me orën policor, orarin e punës së gastronomisë, bartjen e maskës dhe për posedimin e dy dozave të vaksinës për hyrje-daljet në Kosovë.

Vendimi i plotë i Qeverisë:

V E N D I M

Për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19

[Zbatimi territorial]

Ky vendim zbatohet në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

[Hyrjet dhe daljet e qytetarëve në dhe nga Republika e Kosovës]

Çdo person i cili hyn në Republikën e Kosovës duhet të posedojë një nga dëshmitë e mëposhtme:

2.1 Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë me dy doza ose me një dozë të vaksinës Janssen (J&J) që nuk ka kaluar më shumë se 12 muaj nga marrja e dozës së fundit;

2.2 Certifikatën e vaksinimit me një dozë e shoqëruar me testin RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 48 orë;

2.3 Dëshmi se personi ka kaluar COVID-19 në 90 ditët e fundit (test RT-PCR pozitiv i lëshuar 21–90 ditët e fundit);

2.4 Dëshmi se personi e ka marrë dozën e tretë/përforcuese

2.5 Dëshmi të testit RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 48 orë.

Nga kërkesa për të poseduar ndonjërën nga dëshmitë sipas pikës 2.1 deri 2.5 lirohen:

3.1 Personat të cilët hyjnë në Kosovë përmes aeroportit apo përmes pikave kufitare tokësore dhe largohen nga Kosova (tranzit) brenda tre (3) orësh përmes aeroportit ose pikave kufitare tokësore, me kusht që në hyrje të nënshkruaj deklaratën se do ta lëshojë Kosovën brenda tre (3) orësh dhe që dalja në pikë kufitare të jetë e ndryshme nga hyrja kufitare;

3.2 Personat, të cilët punojnë si transportues profesionist (vozitës), me kusht që të respektojnë protokollin për transport ndërkombëtarë për mbrojtje nga COVID- 19;

3.3 Shtetasit e Republikës së Kosovës që kanë dalë jashtë Kosovës në 12 orët e fundit;

3.4 Qytetarët e huaj, të cilët kalojnë nëpër Kosovë përmes transportit të organizuar me autobus ose me linjë të rregullt ndërkombëtare, transit, me kusht që të nënshkruhet deklarata se do ta lëshojnë territorin e Kosovës brenda pesë (5) orësh;

3.5 Diplomatët e huaj, të akredituar në Kosovë dhe pjesëtarët e trupave të KFOR;

3.6 Personat nën moshën dymbëdhjetë (12) vjeçare;

3.7 Shtetasit e Republikës së Kosovës që nuk i kanë dy doza të vaksinës janë të detyruar të kryejnë karantinim shtëpiak për një periudhë prej shtatë (7) ditësh që nga hyrja në territorin e Republikës së Kosovës;

3.8 Personat me dëshmi mjekësore nga mjeku specialist i fushës përkatëse se kanë kundërindikacione dhe janë të liruar nga vaksinimi. Personat e tillë duhet të paraqesin testin RT-PCR negativ për COVID-19, të administruar jo më herët se 48 orë para nisjes (për udhëtarët që hyjnë në rrugë ajrore) ose 48 orë para mbërritjes në pikën kufitare (për ata që hyjnë në rrugë tokësore).

3.9 Personat nga mosha 12 vjeçare deri në moshën 16 vjeçare duhet të posedojnë testin RT-PCR negativ jo më të vjetër se 48 orë.

[Mbrojtja dhe siguria në punë]

Të gjithë punonjësit e institucioneve publike, ndërmarrjeve publike qendrore e lokale, i bizneseve private, organizatave, si dhe subjektet tjera, duhet të posedojnë një nga dëshmitë e mëposhtme, në mënyrë që t’ju lejohet hyrja në ambientet e punës:
4.1 Certifikatën e vaksinimit me më së paku dy doza ose një dozë të vaksinës Janssen kundër COVID-19;

4.2 Personat me dëshmi mjekësore nga mjeku specialist i fushës përkatëse se kanë kundërindikacione dhe janë të liruar nga vaksinimi, duhet të posedojnë testin RT-PCR negativ për COVID 19 jo më të vjetër se një javë;

Nëpunësi më i lartë administrativ, apo pozita ekuivalente, institucioneve publike, private, si dhe subjektet tjera, është i obliguar të caktojë një apo më shumë persona përgjegjës që do të kontrollojnë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën 4.1 deri 4.2.

Punëdhënësit publik e privat, si dhe subjektet tjera obligohen që mbështetur në nevojat dhe natyrën e punës së tyre, të identifikojnë dhe të përcaktojnë stafin esencial, si dhe të organizojnë punën vetëm me këtë staf.

Punëdhënësit publik dhe privat, si dhe subjektet tjera udhëzohen të krijojnë kushtet për kryerjen e detyrave të punës nga shtëpia për punëtorët që nuk janë staf esencial, sipas nevojave të punëdhënësit.

Ç. [Masat e përgjithshme të mbrojtjes dhe higjienës]

Obligohen institucionet publike e private, si dhe subjektet tjera, të mbajnë dezinfektues për duar dhe një sasi të maskave në vende të qasshme në hyrje të objektit si dhe në ambientet e brendshme.

Obligohen institucionet publike e private, si dhe subjektet tjera që në hyrje të çdo objekti të vendosin shenja të dukshme të rregullave të sjelljes për mbrojtje nga COVID-19, përfshirë shenjën e ndalimit të hyrjes në objekt pa maska, respektimin e distancës prej një (1) metër dhe shenja promovuese për vaksinim sipas dizajnit të Ministrisë së Shëndetësisë.

Obligohen përgjegjësit e institucioneve publike e private dhe subjektet e tjera që të kryejnë dezinfektimin dhe ajrosjen e hapësirave të mbyllura.

Bartja e maskës duke mbuluar hundën dhe gojën është obligative në të gjitha rastet, në ambientet e mbyllura.

Obligohen të gjitha institucionet publike e private, si dhe subjektet tjera që të caktojnë një punonjës që do të monitorojë zbatimin e masës të përcaktuar në pikën 11 dhe posedimin e dëshmive sipas pikës 4.1 dhe 4.2.

[Kufizimi i qarkullimit]

Kufizimi i qarkullimit të qytetarëve do të jetë nga ora 00:00 deri në ora 05:00, përveç:

13.1 Rasteve të natyrës urgjente (për të kërkuar ndihmë mjekësore, blerje të barnave, për të ofruar kujdes ose ndihmë mjekësore, për të shmangur dëmtimin ose për t’i shpëtuar një rreziku lëndimi);

13.2 Qarkullimit për personelin shëndetësor, të sigurisë dhe operatorët që kryejnë punë apo shërbime publike;

13.3 Personelin e ndërrimit të natës të operatorëve ekonomikë që sigurojnë funksionimin e zinxhirit të furnizimit (përfshirë transportin e mallrave/shërbimeve), por me kusht që të pajisen me leje të veçantë nga sistemi EDI i Administratës Tatimore të Kosovës;

13.4 Personat të cilët ofrojnë dëshmi se duhet të jenë në aeroport gjatë orarit të kufizimit të qarkullimit, për shkak se kanë për të udhëtuar përmes aeroplanit;

13.5 Personave ndaj të cilët aplikohet leja e veçantë e përkohshme që lëshohet nga Qendra Operative Emergjente e Ministrisë së Punëve të Brendshme, sipas pikës 15, për shkak të domosdoshmërisë së qarkullimit gjatë orës policore.

Obligohen punëdhënësit të sigurojnë që punëtorët e tyre që i nënshtrohen kufizimit nga pika 13 të kenë kohë të mjaftueshme për të udhëtuar në banesat e tyre.

Qendra Operative Emergjente e Ministrisë së Punëve të Brendshme mundet që të lëshojë leje të veçantë, për persona të cilët ofrojnë dëshmi të mjaftueshme për domosdoshmërinë që kufizimi i qarkullimit të orarit të ju zgjatet përkohësisht.

Dh. [Institucionet e arsimit]

Procesi edukativ-arsimor në institucionet parashkollore dhe të qëndrimit ditor zhvillohet sipas rekomandimeve për institucionet parashkollore të IKSHPK të datës 20.01.2022..

Procesi edukativ-arsimor në të gjitha institucionet e arsimit parauniversitar të të gjitha niveleve, si dhe në qendrat e qëndrimit ditor zhvillohet në përputhje me Udhëzuesit të MAShTI për organizimin e procesit mësimor në kushtet e pandemisë Covid-19. Task forcat e institucioneve edukative-arsimore vendosin për aplikimin e skenarëve për organizimin e procesit mësimor, varësisht nga gjendja në institucion dhe në klasa.

Procesi mësimor në institucionet publike dhe private të arsimit të lartë, si dhe në institucionet aftësuese dhe të arsimit joformal, mund të zhvillohet me prani fizike me kusht që grupet mbi 50 persona të akomodohen në jo më shumë se 50% të hapësirës.

Studentët në mënyrë që të ju mundësohet regjistrimi në konvikt duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 4.1 ose 4.2.

Studentët në institucionet publike dhe private universitare duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 4.1 ose 4.2, në mënyrë që të ju lejohet hyrja në objektin e institucionit.

Stafi në të gjitha institucionet publike dhe private të të gjitha niveleve të arsimit, duke përfshirë institucionet parashkollore dhe të qëndrimit ditor, duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 4.1 ose 4.2, në mënyrë që të ju lejohet hyrja në objektin e institucionit.

Nëpunësi më i lartë administrativ, apo pozita ekuivalente, i çdo institucioni sipas pikës 19, 20 dhe 21, është i obliguar me vendim të caktojë një apo më shumë persona përgjegjës që do të kontrollojnë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën 4.1 ose 4.2.

Të gjitha institucioneve publike dhe private të të gjitha niveleve të arsimit, iu ndalohet organizimi i aktiviteteve jashtë mësimore, siç janë ekskursionet, shëtitjet grupore, ahengjet e ndryshme të stafit mësimor apo të nxënësve – studentëve.

[Paraqitja për skemat sociale dhe pensionale]

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve udhëzohet të lirojë të gjithë përfituesit e skemave sociale dhe pensionale që menaxhohen nga MFPT-ja nga paraqitja e rregullt në zyrat përkatëse për qëllime të evidentimit, siç kërkohet me ligjet përkatëse.

[Kufizimi i mbledhjeve publike dhe private]

Përveç nëse përcaktohet ndryshe në këtë vendim, lejohen grumbullimet në ambiente të mbyllura deri në tridhjetë (30) persona (punëtori, mbledhje, seminare, trajnime apo grumbullime tjera). Përveç atyre nën moshën 12 vjeçare, obligohen pjesëmarrësit që të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 25.1 deri 25.3 në mënyrë që të ju lejohet hyrja në këto ambiente, si dhe organizatori obligohet të siguroj distancën fizike prej një (1) metër në mes të personave dhe kontrollimin e dëshmive përkatëse si:

25.1 Certifikatën e vaksinimit me së paku dy doza ose një dozë të vaksinës Janssen kundër COVID-19;

25.2 Personat me dëshmi mjekësore nga mjeku specialist i fushës përkatëse se kanë kundërindikacione dhe janë të liruar nga vaksinimi, duhet të paraqesin testin RT-PCR negativ për COVID-19, jo më të vjetër se 48 orë;

25.3 Certifikatën e vaksinimit me një dozë, jo më të vjetër se një (1) muaj.

Mbledhjet e Kuvendit dhe të Qeverisë lejohen pavarësisht numrit të personave, duke u respektuar mbajtja e maskave dhe distanca fizike prej një (1) metër në mes të personave.

Qendra Operative Emergjente e Ministrisë së Shëndetësisë mundet që të lëshojë leje të veçantë, që tejkalon numrin prej tridhjetë (30) persona, për ngjarje të rëndësisë së veçantë në funksion të interesit publik.

Lejohen grumbullimet dhe ngjarjet kulturore, në ambiente të jashtme deri në pesëdhjetë (50) persona (publiku). Organizatori obligohet të sigurojë mbajtjen e distancës fizike prej 1 metër në mes të personave dhe paraqitjen e dëshmive të evidentuar në pikat 25.1 deri 25.3 përveç pjesëmarrësve nën moshën 12 vjeçare dhe bartjen e maskës.

Pavarësisht pikës 27 dhe 28, për koncerte dhe festivale me publik në këmbë vlejnë ndalesat e përcaktuara në pikën 32.

Ceremonitë dhe ritet fetare lejohen të zhvillojnë aktivitetin e tyre deri në 50% të kapacitetit shfrytëzues me kusht që posedojnë ndonjërën nga dëshmitë sipas pikës 25.1 deri 25.3 në mënyrë që t’u lejohet hyrja në hapësirat e mbyllura, në përputhje me udhëzuesin përkatës, përveç pjesëmarrësve nën moshën 12 vjeçare.

Lejohen funeralet, duke siguruar që pjesëmarrësit të mbajnë distancë fizike prej një (1) metër nga njëri-tjetri.

[Ndalimi i veprimtarive dhe organizimeve të caktuara]

Pavarësisht numrit të personave, ndalohet veprimtaria e klubeve të natës si dhe organizimi i festivaleve, koncerteve, ekskursioneve, pelegrinazheve, dasmave, fejesave, ahengjeve familjare dhe shoqërore, në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Gj. [Gastronomia]

Shërbimet e gastronomisë lejohen të zhvillojnë aktivitetin e tyre. Klientët dhe stafi i gastronomisë duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë sipas pikës 25.1 deri 25.3 në mënyrë që t’u lejohet hyrja në hapësirat e mbyllura të lokaleve, në përputhje me udhëzuesin përkatës, përveç atyre nën moshën 12 vjeçare.

Në lokalet e gastronomisë është e obliguar të caktohet një apo më shumë persona përgjegjës që do të kontrollojnë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën 25.1 deri 25.3.

Shfrytëzimi i hapësirave të mbyllura lejohet deri në pesëdhjetë (50%) e kapacitetit të hapësirës. Në hapësirat e hapura lejohet shfrytëzimi deri në shtatëdhjetë (70%) e kapacitetit të hapësirës. Sipërfaqja llogaritet për zonën ku shërbehet ushqimi dhe pijet.

Kuptimi i shprehjes ‘hapësirë e hapur’ dhe ‘hapësirë e mbyllur’ ka të njëjtin kuptim me Ligjin Nr. 04/L-156 për Kontrollin e Duhanit.

Klientët duhet të qëndrojnë ulur në çdo kohë në kuadër të lokaleve të shërbimeve të gastronomisë në të cilën lejohet shërbimi i ushqimit apo pijeve, përveç:

37.1 Gjatë hyrjes apo daljes nga ambienti i lokalit:

37.2 Ndërsa paguan porosinë;

37.3 Gjatë shkuarjes apo kthimit nga tualeti;

37.4 Kur është e nevojshme për qëllime të shëndetit dhe sigurisë.

Në rastet nga pika 37.1 deri 37.4 është e obliguar bartja e maskës. Shërbimet e gastronomisë lejohet të zhvillojnë aktivitetin e tyre nga ora 05:00 deri në orën 23:00. Muzika lejohet vetëm deri në orën 22:00.

Përgjegjësit e lokaleve duhet të sigurohen që distanca ndërmjet klientëve në tavolina të ndryshme të jetë së paku një (1) metër.

Pjesa e prapme e një karrigeje, me pjesën e prapme të karriges tjetër duhet jenë në distancë së paku një (1) metër.

Në hapësirat e mbyllura lejohen deri në 4 persona në tavolinë. Në rast se tavolinat janë më të mëdha se dy (2) metra, atëherë parakusht është kufizimi prej pesë (5) persona në 10 m2.

Në hapësirat e jashtme lejohen deri në gjashtë (6) persona në tavolinë apo banak. Çdo tavolinë duhet të jetë e pajisur me dezinfektues që përmbajnë së paku 60% alkool. Shërbimi “dërgesë me porosi” lejohet të funksionojë edhe pas orës 23:00, pas pajisjes me leje të veçantë nga sistemi EDI (ATK) dhe masa rigoroze të higjienës për veturën, porositë dhe personelin.

[Qendrat tregtare dhe operatorët e tjerë ekonomik]

Lejohet veprimtaria e qendrave tregtare sipas udhëzuesit përkatës. Obligohen të gjithë operatorët, të cilët për veprimtari ekonomike e kanë tregtinë me shumicë dhe pakicë, që të përcaktojnë numrin maksimal të klientëve në lokal në të njëjtën kohë sipas rregullit – një (1) person për 8 m 2 . Këta operatorë obligohen të shënojnë në hyrje numrin maksimal të klientëve të lejuar në të njëjtën kohë. Sipërfaqja llogaritet për zonën ku lejohen të qëndrojnë klientët.

Klientët dhe stafi në qendra tregtare duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 25.1 deri 25.3, në mënyrë që t’ju lejohet hyrja në objekt, përveç atyre nën moshën 12 vjeçare.

Subjekti që menaxhon me qendrën tregtare është i obliguar të caktojë një apo më shumë persona përgjegjës që do të kontrollojnë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën 25.1 deri 25.3. dhe atë në secilën hyrje të qendrës tregtare.

[Puna me palë]

Në institucionet publike, private dhe subjekte tjera, punonjësit/personeli i cili ka punë me
palë/kontakt të drejtpërdrejtë me klientë (duke përfshirë, por duke mos u kufizuar, berberë, vozitësit e taksive, punonjësit në markete dhe banka etj.), duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 25.1 deri 25.3, në mënyrë që t’ju lejohet hyrja në vendin e punës. Obligohet të caktohet një apo më shumë persona përgjegjës që do të kontrollojnë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën 25.1 deri 25.3.

Inkurajohet pranimi i pagesave në formë elektronike, në vend të keshit.

Personi përgjegjës i institucionit publik, privat apo i subjekteve tjera, obligohet që të ndalojë rreshtimin apo tubimin brenda dhe jashtë ambientit të punës/biznesit, përveçnëse mbahet distancë fizike prej të paktën 1 metër nga grupet e tjera të personave.

[Transporti publik dhe ndërkombëtar]

Ndalohet hyrja në mjetet e transportit publik dhe ndërkombëtar pa maskë. Operatorët e transportit rrugor të udhëtareve lejohen të punojnë duke shfrytëzuar 50% të kapacitetit të ulëseve.

Në taksi lejohen të udhëtojnë deri në dy (2) udhëtarë. Stafi dhe pasagjerët e transportit publik duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 25.1 deri 25.3, në mënyrë që t’u lejohet veprimtaria, respektivisht udhëtimi në mjetet e transportit publik dhe ndërkombëtar, përveç atyre nën moshën 12 vjeçare.

Secili operator është i obliguar të caktojë një apo më shumë persona përgjegjës në çdomjet të transportit publik, që do të kontrollojnë pasagjerët për posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën 25.1 deri 25.3.

[Teatrot, bibliotekat, etj.]

Bibliotekat, muzetë, kinematë, teatrot, qendrat rinore, qendrat e kulturës me grupe apo institucionet tjera të ngjashme vartëse të MKRS-së apo të Komunave, lejohet të punojnë duke shfrytëzuar 50% të kapacitetit të hapësirës/sipërfaqeve të objekteve përkatëse, me kusht që publiku të jetë i ulur në karrige. Obligohet mbajtja e maskës dhe distancës fizike prej një (1) metër në mes të personave.

Shfrytëzuesit e veprimtarive sipas pikës 58, duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 25.1 deri 25.3, në mënyrë që t’ju lejohet hyrja në objekt, përveç atyre nën moshën 12 vjeçare.

Në veprimtaritë sipas pikës 58, duhet të caktohet me vendim një apo më shumë persona përgjegjës që do të kontrollojnë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën 25.1 deri 25.3.

[Sporti dhe rekreacioni]

Lejohen organizimi i garave sportive dhe stërvitjeve përkitazi me protokollet dherekomandimet e organizatave botërore për organizimin e ngjarjeve sportive dhe me masat mbrojtëse të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Numri i pjesëmarrësve në garë (sportistë, klube, zyrtarë, dhe pjesëmarrës tjerë të nevojshëm për zhvillimin e garës) përcaktohet nga federatat sportive duke respektuar masën e distancës dhe masat tjera mbrojtëse. Në aktivitetet garuese në hapësira të mbyllura dhe të hapura nuk lejohet prania e shikuesve.

Në aktivitetet garuese në hapësira të mbyllura lejohet prania e shikuesve deri në 10% të kapacitetit të objektit apo hapësirës sportive (stadium, salla sportive, pishina, hapësira të tjera të mbyllura) duke respektuar masën e distancës prej 1 metër dhe masat tjera mbrojtëse.

Në aktivitetet garuese në hapësira të jashtme lejohet prania e shikuesve deri në 30% të kapacitetit të objektit apo hapësirës sportive (stadium, salla sportive, pishina, hapësira të tjera të mbyllura) duke respektuar masën e distancës prej 1 metër dhe masat tjera mbrojtëse.

Shikuesit në aktivitetet garuese në hapësira të mbyllura apo të jashtme, duhet të posedojnë një nga dëshmitë e cekura në pikën 25.1 deri 25.3.

Organizatorët e garës janë të obliguar të caktojnë persona përgjegjës për kontrollimin e posedimit të ndonjërës nga dëshmitë sipas pikës 25.1 deri 25.3, si dhe të ndërmarrin masat specifike, në përputhshmëri me protokollet ndërkombëtare, për menaxhimin e masës (tifozëve) para, gjatë dhe pas hyrjes në hapësirën sportive.

Lejohet shfrytëzimi i fitneseve, palestrave dhe të ngjashme për aktivitete individuale rekreative. Klientët dhe stafi, duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e përcaktuara në pikën 25.1 deri 25.3 të këtij Vendimi.

Çdo fitnes, palestër dhe i ngjashëm është i obliguar të caktojë të paktën një punonjës i cili do të kontrollojë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën 25.1 deri 25.3.

Shfrytëzimi i fitneseve, palestrave dhe të ngjashme, bëhet në proporcion 1 klient në 10m 2 .

Obligohet vendosja e shenjave informuese dhe dezinfektuesve (apo mjeteve të tjera për pastrimit) në secilën pajisje të fitnesit me qëllimit të vetëdijësimit dhe dezinfektimit të tyre nga secili klient pas përdorimit.

[Banjat termale]

Për të hyrë në banja termale, klientët dhe stafi duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e përcaktuara në pikën 25.1 deri 25.3të këtij Vendimi, përveç atyre nën moshën 12 vjeçare. Obligohet caktimi i të paktën një punonjësi i cili do të kontrollojë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën 25.1 deri 25.3.

[Tregjet dhe therja e kafshëve]

Tregjet publike të automjeteve, kafshëve dhe shpezëve lejohet të zhvillojnë veprimtarinë duke shfrytëzuar 50% të kapacitetit të hapësirës/sipërfaqeve të objekteve përkatëse.

Obligohet mbajtja e maskës dhe vendosja e tezgave në distancë fizike prej të paktën dy (2) metra.

[Të dhënat personale dhe mënyra e kontrollimit të dëshmive sipas pikës 4.1 deri 4.2]

Caktimi i personave të autorizuar apo punonjësve të autorizuar për kontrollimin e dëshmive sipas pikës 25.1 deri 25.3, bëhet përmes vendimit ku përcaktohet emri dhe mbiemri i personit të autorizuar. Këta persona duhet të jenë të identifikueshëm përmes kartelës/shenjës identifikuese dhe emrat e tyre të afishohen në hyrje të institucionit, qendrave tregtare, lokaleve të gastronomisë dhe cilitdo biznes tjetër.

Prezantimi i dëshmive të përmendura në pikën 25.1 deri 25.3, bëhet në një formë e cila nuk lejon që personat e autorizuar ose shërbimet e autorizuara për të kontrolluar posedimin e tyre, t’i mbajnë, t’i ruajnë, t’i regjistrojnë apo përpunojnë të dhënat që përbëhen në dëshmi në çfarëdo forme, përpos nëse subjekti i të dhënave ka dhënë pëlqimin e tij në formë të shkruar për përpunimin e këtyre të dhënave.

Personat e autorizuar dhe të caktuar me emër, për të kontrolluar dëshmitë përmendura në pikën 25.1 deri 25.3, në rastet kur subjekti i të dhënave ka dhënë pëlqimin e tij në formë të shkruar për përpunimin e këtyre të dhënave, nuk lejohen t’i mbajnë të dhënat ose ripërdorin ato për qëllime të tjera, përveç për konstatimin e posedimit të dëshmive, në interes të shëndetit publik dhe për qëllimet e vetme për të luftuar përhapjen e pandemisë COVID-19.

Nj. [Udhëzuesit dhe sqarimet]

Obligohet Ministria e Shëndetësisë që të ndryshoj dhe plotësoj udhëzuesit e përkohshëm, të përgjithshëm dhe të veçantë për parandalimin dhe luftimin e COVID-19, si në vijim:

76.1 Udhëzues i Përkohshëm për aplikimin e masave të përgjithshme për parandalimin dhe luftimin e COVID-19;

76.2 Udhëzues i Përkohshëm për sektorin e shërbimeve personale dhe bizneseve, industrisë, administratës publike dhe OJQ-ve;

76.3 Udhëzues i Përkohshëm për institucionet arsimore të të gjitha niveleve;

76.4 Udhëzues i Përkohshëm për gastronomi, hoteleri, sektorin e shitjes dhe qendra tregtare;

76.5 Udhëzues i Përkohshëm për tubimet fetare, varrime, punëtori dhe aktivitete kulturore;

76.6 Udhëzues i Përkohshëm për fitnese, palestra dhe aktivitete tjera rekreative dhe sportive;

76.7 Udhëzues i Përkohshëm për transportin publik dhe ndërkombëtar;

76.8 Udhëzues i Përkohshëm për institucionet e kujdesit shëndetësor;

76.9 Udhëzues i Përkohshëm për aviacionin civil;

76.10 Udhëzues i Përkohshëm për institucionet korrektuese, qendra të azilit dhe të mbajtjes për të huaj;

Udhëzuesit nga pika 76 janë të detyrueshëm për të gjithë personat dhe sektorët ndaj të
cilëve zbatohen.

Obligohet Ministria e Shëndetësisë që në rast nevoje të nxjerr sqarime për pikat e këtij Vendimi.

[Zbatimi]

Obligohet Ministri i Shëndetësisë, AUV dhe Policia e Kosovës, që në bashkëpunim me shtabet emergjente komunale, të mbikëqyrë zbatimin e këtij vendimi dhe të dorëzojnë në Zyrën e Kryeministrit raport javor (çdo të premte deri në orën l6:00).

Obligohet Ministria e Shëndetësisë, ShSKUK dhe IKShPK të dorëzojnë në Zyrën e Kryeministrit raportin javor (çdo të premte deri në orën 16:00) për zbatimin e masave, gjendjen në institucionet shëndetësore, gjendjen epidemiologjike dhe parashikimet për dy javët në vijim.

Obligohet Ministria e Shëndetësisë që, bazuar në Ligjin Nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19, në territorin e Republikës së Kosovës të nxjerrë vendime operacionale varësisht prej situatës epidemiologjike dhe rekomandimeve të IKShPK-së.

Obligohet Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse të mbikëqyrin zbatimin e masave, vendimeve të tjera dhe udhëzuesve përkatës në zbatim të Ligjit Nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë në territorin e Republikës së Kosovës.

Për shkelësit e masave, organet kompetente obligohen të shqiptojnë masat ndëshkimore sipas Ligjit Nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës dhe ligjeve të tjera në fuqi.

I vetmi autoritet që mund të interpretojë këtë vendim është Ministria e Shëndetësisë, ndërkaq çdo institucion tjetër mund të ofrojë sqarime për kategoritë respektive për të cilat aplikohet ky vendim, vetëm pas miratimit të atij sqarimi nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.

[Shfuqizimi i vendimit Nr. 01/55]

Shfuqizohet Vendimi i Qeverisë Nr. 01/55, i datës 21.01.2022.

[Hyrja në fuqi]

Vendimi hyn në fuqi më datën 05.02.2022. / KultPlus.com

Së shpejti hapet ekspozita personale ‘Pasqyrë.Plotni’ e artistes Arlinda Hajrullahu

Hapja e ekspozitës personale ‘Pasqyrë.Plotni’ të artistes Arlinda Hajrullahu, me kurator Arbër Selmani, do të bëhet me datë 9 shkurt 2022, përcjell KultPlus.

Pjesë nga koncepti kuratorial:

Ekspozita ‘PASQYRË. PLOTNI.’ e artistes Arlinda Hajrullahu do t`ju bëjë të reflektoni për veten, për rrudhat e fytyrës, për mundësitë e humbura, për jetën në situatë pandemie. Në kuptimin e plotë të fjalës, do ta shihni se si sytë tuaj janë vazhdimësi e pikturave të artistes, njëjtë se si goja juaj bashkë me ndërtimin e saj hyjnor do ta përthekojë një pikturë që sonte po ju takon për herë të parë. Juve. Pjesën tjetër të plotnisë.

Në dimensione të ndryshme, me ngjyra të mistershme, kjo ekspozitë vjen e katrorizuar dhe shënon veç fillimin e një faze të re të krijimtarisë artistike të Arlindës.

Ekspozita fillon nga ora 19:00, në Galerinë e Fakultetit të Arteve. Ndërkaq, do të qëndrojë e hapur deri me 23 shkurt 2022.

Të pranishmit duhet t`u përmbahen të gjitha masave që i ka vendosur Qeveria e Kosovës në raport me pandeminë COVID 19. / KultPlus.com

Letra e Ismail Qemalit drejtuar redaktorit të ‘Le Matin’

Nga Aurenc Bebja, Francë – 04 Shkurt 2022

“Pro Armenia” ka botuar, me 10 tetor 1901, në f.172, një shkrim në lidhje me letrën e Ismail Qemalit drejtuar asokohe redaktorit të gazetës franceze “Le Matin”, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar.

Një letër nga Ismail Qemali

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Lexojmë në “Le Matin” :

Bruksel, 26 shtator 1901.

Zoti redaktor,

Vizita e perandorit të Rusisë në Francë nuk është një nga ato mirësjelljet banale që përsëriten kaq shpesh midis sovranëve të Evropës. Sundimtari më i fuqishëm në tokë shtrëngon duart e më të ndriturës së republikave. Ky vëllazërim midis absolutizmit dhe demokracisë përbën në vetvete një nga ato fakte të jashtëzakonshme që nuk i hasim në historinë politike të kombeve. Në fillim të shekullit të kaluar, Car Aleksandri I erdhi në Francë në krye të ushtrisë së aleatëve për të zhdukur rrënjën e Revolucionit francez; në agimin e shekullit të sotëm, është Cari Nikolla II ai që vjen atje si mik, si aleat i këtij kombi të madh, i cili gjithmonë harron fyerjet e së shkuarës, gjithmonë i gatshëm për të bërë zgjedhje fisnike për të mirën dhe përparimin e njerëzimit.

Qëndrimi i autokratit të madh mes marinarëve, ushtarëve dhe qytetarëve francezë, është shenjtërimi i Revolucionit të madh; urbaniteti i skajshëm i këtyre të fundit ndaj pritësit të tyre të shquar shpall laicizimin e së drejtës hyjnore. Atë që patriotët e mëdhenj të Republikës së parë, kapedanët e mëdhenj, perandorët dhe mbretërit e mëdhenj francezë nuk arritën dot me kaq shumë sakrifica, kaq shumë pushtime, e arritën njerëzit e thjeshtë, por të përkushtuar dhe të sinqertë të Republikës së tretë. Franca, në formën e saj të vërtetë, është e vendosur fort midis kombeve të mëdha dhe, nga lartësia e madhështisë së saj, ajo është e lirë të ushtrojë ndikimin e saj mirëbërës mbi fatin e njerëzimit. Burrështetasit e Republikës mund të krenohen për këtë dhe ata që duan të përfitojnë nga madhështia e Francës janë të parët që urojnë veten për këtë.

Ne orientalët, pa dallim race apo feje, e ndiejmë, ndër të gjitha, efektin e dobishëm të kësaj situate politike në Francë; të gjithë ne e vendosim shpresën tonë në asnjëanësinë dhe në frymën e saj të drejtësisë. Qëndrimi i saj ndaj atij që me keqbërjet më të neveritshme ndot si shekujt më të ndritur ashtu edhe vendet më të shenjta, na jep një pamje të përurimit të një epoke drejtësie për popujt fatkeq të Lindjes.

Ishta Franca ajo që pati nderin të ndërpresë marrëdhëniet politike, jo me Turqinë, por me Abdul-Hamidin, i cili për një çerek shekulli ka përdorur të gjitha instrumentet administrative dhe politike që kurora i siguron atij për të shkatërruar vendin e tij dhe për të shtypur nënshtetasit e tij. Ne, osmanët, përshëndesim, pa përjashtim, nismën e lumtur të Republikës Franceze, së cilës i bashkohemi me zemër e shpirt për ta ndihmuar në aksionin e saj të shtrëngimit kundër regjimit të terrorit dhe hilesë. Ne jemi të gatshëm të pranojmë çdo kompromis që synon të vendosë në Kostandinopojë një qeveri të ndershme dhe njerëzore, të aftë për të garantuar marrëdhënie të mira me kombet e huaja dhe për të vlerësuar vlerën e angazhimeve ndërkombëtare; për të instaluar, për më tepër, në provinca një administratë që i përgjigjet aspiratave legjitime të popujve të ndryshëm dhe u siguron individëve gëzimin e lirisë individuale dhe të drejtën e iniciativës private.

Ne dëshirojmë të shpresojmë se fryti i menjëhershëm i aleancës së shpallur kaq solemnisht midis Republikës liberale dhe Autokratit të drejtë e paqësor, do të jetë rivendosja e rendit dhe drejtësisë midis popujve të Lindjes, të cilët banojnë nën shtypjen e një njeriu me një kapriço të paemër dhe të paprecedentë si dhe zhdukja e të vetmes njollë të zezë që kërcënon vazhdimisht horizontin e qetë të Evropës.

Iniciativa që Franca ka ndërmarrë në një rend thjesht humanitar, e mbështetur nga aleati i saj i shquar, zemra e të cilit është plot dashuri për drejtësinë dhe paqen, mund të përballet vetëm me miratimin unanim të të gjitha fuqive të qytetëruara dhe mirënjohjen e përjetshme të të gjithë popujve të patrashëguar e të braktisur për kaq shumë kohë në regjimet më të urryera.

Ju lutem pranoni, zoti redaktor, shprehjen e ndjenjave të mia më të shquara.

Ismail QEMALI

https://www.darsiani.com/la-gazette/pro-armenia-1901-letra-e-ismail-qemalit-drejtuar-redaktorit-te-le-matin-ne-jemi-te-gatshem-te-pranojme-cdo-kompromis-qe-synon-te-vendose-ne-kostandinopoje-nje-qeveri-te-ndershme-dhe-njerezore/ / KultPlus.com

Ismail Bej Qemali (1844 – 1919)


Tirana shpallet Kryeqytet Evropian i Rinisë, Ermal Meta: Tirana jeni ju, të rinjtë

Këngëtari shqiptar i mirënjohur edhe në Itali Ermal Meta ka marr pjesë në ceremoninë gala të hapjes së eventeve të vitit 2022 ku Tirana është shpallur Kryeqyteti Evropian i Rinisë.

Në fjalën e tij përshëndetëse për të rinjtë që kishin mbushur Pallatin e Kongreseve, përpara performancës së tij muzikore Meta u shpreh i lumtur që rikthehet në Tiranë, sidomos në këtë edicion special që e kthen vëmendjen e gjithë Evropës drejt kryeqytetit shqiptar.

“Jam shumë i lumtur që jam këtu me ju. Hera e parë që u ktheva në Tiranë ishte në vitin 2018 kur bëra koncertin tim të parë në një qytet kaq të bukur dhe nuk prisja një transformim të tillë. Më goditi shumë dhe më la një ndjesi shumë të mirë. Ajo që më godet më shumë sa herë që kthehem janë njerëzit. Tirana jeni ju, sepse Tirana mund të ketë rrënjë shumë të thella, por ju jeni degët e reja dhe duhet të kërkoni diellin edhe në momente të vështira,” ishte mesazhi i artistit mjaft të dashur drejtuar të rinjve.

Ermal Meta performoi të suksesshmen “Piccola Anima” të pavdekshmen “Caruso” dhe “What a wonderful world” në sallën e Pallatit të Kongreseve të kthyer në arenën e të rinjve që do jenë pjesë e mijëra eventeve të Tirana European Youth Capital 2022./atsh/ KultPlus.com

‘One Love Experience’, ekspozita dedikuar Bob Marley në Londër

“One Love Experience” u pagëzua ekspozita dedikuar ikonës së ndjerë të muzikës rege, Bob Marley, e cila u hap në galerinë Saatchi në Londër.

Në lidhje me ekspozitën ka folur e bija e Marley, Cedella, e cila ka thënë se Bob Marley ka pasur mision që t’i bashkojë njerëzit, të flasë për padrejtësitë si dhe të mundohet që të na bëjë ta duam njëri-tjetrin, përkundër asaj se kemi dallime.

Ekspozita “One Love Experience” është interaktive, dhe në të prezantohen krijimet artistike dhe fotografi. Në të zbulohet edhe lidhja e këngëtarit me Britaninë, për të cilën e bija e tij ka thënë se ai e ka dashur këtë vend.

Në ekspozitë shihet edhe një disko pa muzikë.

“Çdo sallë ka diçka ndryshe”, ka thënë Cedella. Sipas saj, nga çdo sallë që del, ndjen sikur me vete merr diçka nga Bobi.

Me këtë rast ka folur edhe kuratori i ekspozitës “One Love Experience” në Londër, Jonathan Shank. Ai ka thënë se emri i mesëm i birit të tij është Marley. Sipas tij, mesazhet për fuqi e barazi, si dhe inkluziviteti, gjithmonë kanë rezonuar me të.

Bob Marley vlerësohet njëri prej artistëve më të mirë të të gjitha kohërave, me shitje të mbi 75 milionë incizimeve në mbarë botën. Në vitin 1994, ai u vlerësua në Hollin e të Famshmëve të Rokenrollit, ndërkaq revista Rolling Stone e ka ranguar në pozitën e 11-të në listën e 100 artistëve më të mirë të të gjitha kohërave.

Marley në vitin 1977 u diagnostifikua me një lloj kanceri të lëkurës, që si pasojë e tij edhe vdiq në vitin 1981.

Ekspozita “Our love Experience” do të jetë e hapur deri më 18 prill 2022./ KultPlus.com