Janë bërë 23 vjet nga “Beteja e Çabratit”, e cila u zhvillua më 7, 8, dhe 9 maj.
Tre grupet dhe Shtabi i Brigadës ‘137 Gjakova’, ishin vendosur në lagjjen e Çabratit. Në orët e hershme të datës 7 maj ’99, lagjja e Çabratit në Gjakovë u rrethua nga forca të shumta policore, ushtarake dhe paramilitare serbe bashkë me vullnetarë rusë.
Lufta e pabarabartë sa i përket armatimit, u zhvillua thuaja se fyt më fyt, për shkak të konfiguracionit të terrenit. Në anën e luftëtarëve të lirisë ishin rreth 100 ushtarë të armatosur, e përafërsisht edhe dy herë aq ishin pa armë të cilët “shpresën” e vetme për të mbërri tek arma e kishin, nëse vritej apo plagosej ndonjë shok i tyre.
Beteja zgjati deri në orët e mbrëmjes. Humbje pati në të dy anët. Luftë sporadike pati edhe me datat 8 dhe 9 maj.
Në këto luftime ranë dëshmorë:
Ahmet Gjikolli (nga Peja) Bujar Roka Tom Gjoka (nga fshati Dashinoc-komuna e Deçanit) Kushtrim Hoxha (vdiq me 8 maj nga plagët) Dashmir Krasniqi Visar Juniku Sefedin Xërxa Hamëz Zymberi (vdiq me 15 maj nga plagët) Agim Haxhiavdyli Yllka Domi Ilir Berisha Taulant Nura Ali Hoxha Hazyr Këpuska.
Forcat serbe u hakmorrën në civilë të paarmatosur, duke ekzekutuar burra e djem që hasnin nëpër shtëpi e oborre.
Kjo është lista e civilëve të ekzekutuar:
07.05.’99
Elez Bakalli, Selim Lluhani, Tefik Lluhani, Esat Bicurri, Ferhat Bicurri, Nexhdet Bicurri, Sadri Binaku, Florim Berisha, Gëzim Berisha, Shani Luzha, Florim Luzha, Sami Luzha, Gëzim Luzha, Ylber Mejzini, Basri Nura, Halit Nura, Agim Efendija, Astrit Rexha, Kastriot Zherka, Lulzim Jaka, Halil Axhemi, Burim Bardhi, Fehmi Haxhidauti, Genc Këpuska, Ali Krypa, Ali Beqrama, Ibrahim Gojani, Ejup Huma, Faton Huma, Florent Sulejmani, Avni Shasivari, Shkëlzen Ajrani, Ganii Ibrahimi, Demush Lata, Hasan Smajli,Ramë Syla, Sokol Zenuni, Musa Binaku, Shaban Dodaj, Osman Tafa, Xhelal Sefa.
08.05.’99
Neki Pula, Megzun Boshnjaku, Halil Gashi, Faik Qava, Kujtim Nuka.
10.05,’99
Arben Gexha, Osman Haxhiavdyli, Agron Haxhiavdyli, Afrim Haxhiavdyli, Driton Lluhani, Bekim Haxhibeqiri, Dukagjin Haxhibeqiri, Edmond Haxhibeqiri, Bashkim Domi, Bardhyl Çaushi, Ylber Hoxha, Mentor Shtaloja, Avni Spasi, Islam Koci, Idriz Mehmeti, Njazi Mehmeti , Agim Berisha, Albert Berisha, Fadil Berisha, Qazim Kajdomqaj, Muhamet Dyla, Isa Lokaj, Cenë Hajdari, Afrim Dana, Labinot Dana, Luan Dana, Albert Dana, Kastriot Dana, Gëzim Dana, Agron Dana, Osman Dana, Genc Haraqija, Mehdi Haraqija, Genc Morina, Adriatik Morina, Skënder Morina, Isuf Saraqini, Agim Saraqini, Arben Saraqini, Veli Saraqini, Skifer Sharani, Valon Sharani, Visar Sharani, Isuf Sharani, Mentor Sharani, Tahir Sharani.
Asociacioni Kulturanova nga Novi Sadi ka hapë thirrjen për dy (2) aktore/ë për të marrë pjesë në projektin “Rajoni nga perspektiva ime”.
Pjesëmarrja do të rezultojë me pjesëmarrje në prova në Prishtinë më 17, 18, dhe 19 maj 2022, me një prezantim publik në Prishtinë më 19 maj. Një tjetër prezantim publik do të mbahet jashtë Prishtinës më 20 maj, kurse më 21 maj në Novi Sad/Serbi, dhe më 22 maj në Kikinda/Serbi.
Prezantimet në Prishtinë dhe Novi Sad do të zhvillohen në kuadër të projektit “Shumë perspektiva, shumë përvoja: Histori gojore” që përmban tryeza të rrumbullakëta dhe konferenca në vendet e lartpërmendura.
Njohja në nivel të mirë e gjuhës angleze (apo boshnjake, kroate apo serbe), është e domosdoshme për të qenë pjesë e kësaj performance.
Aktoret dhe aktorët e përfshirë në këtë projekt do të paguhen 400 dollarë bruto. Të gjitha shpenzimet e transportit dhe akomodimit do të mbulohen nga organizatori.
Aktoret dhe aktorët duhet të aplikojnë duke dërguar CV-në e tyre në emailin: [email protected] më së largu deri më 10 maj, 2022. / KultPlus.com
Franz Kafka ishte shkrimtar hebre nga Bohemia. Shkruante në gjuhën gjermane, ndërsa njihet më shumë për tregimet e shkurta. Kafka vlerësohet si një nga figurat kryesore të letërsisë së shekullit XX, shlruan KultPlus.com
Kafka është një nga emrat më të njohur të letërsisë botërore, librat e të cilit janë shitur gjithkund me miliona kopje.
KultPlus sot ua sjell një fragment të përmbledhjes së letrave ‘Letra Milenës’ që Franz Kafka ia ka dërguar Milena Jesenskës:
Merano, me gjasë mars 1920
E dashur Frau Milena,
Ju vuani me përkthimin në mes të botës së turbullt vjeneze. Në njëfarë mënyre, kjo është prekëse dhe e turpshme për mua. Duhet ta keni marrë tashmë një letër nga Wolff-i’, të paktën ai më ka shkruar prej shumë kohësh mbi një letër të tillë. Nuk jam unë që e kam shkruar një novelë të titulluar “Vrasësi, që thuhet të jetë lajmëruar në një katalog, është një keqkuptim ky; por meqë mendohet të jetë më e mira, atëherë kushedi kjo është e saktë fundja.
Që nga letra juaj e fundit dhe e parafundit, meraku dhe shqe tësimi duken se ju kanë braktisur një herë e mirë, e kjo vlen pa dyshim edhe për burrin tuaj, siç dhe jua uroj të dyve! Më kujto het një pasdite të diele para ca vjetësh, po shkoja ngjitur për fasa dash udhëbregut të perandorit Franz, dhe takoj burrin tuaj, që po vinte drejt meje në një gjendje po aq të mjerueshme, dy eks pertë në migrenë, secili në mënyrën e vet. A kemi ecur ne një copë udhë bashkë apo thjesht jemi kryqëzuar, kjo s’më kujtohet me, dhe fundja dallimi ndërmjet këtyre dy mundësive s’duhet të jetë shumë i madh. Por kjo është e shkuar tashmë dhe duhet të mbetet thellësisht e shkuar. A është bukur te ju në shtëpi?
dy zogj këndojnë mbi një selvi … dy zogj të hirtë!
përse nuk janë të bardhë, përherë kam pyetur veten?
poshtë pemës nën barin e blertë lëndinë, prehet një grua pa emër “e dashuruara me diellin” kaq, është gdhëndur mbi atë gur mbi kryet në vënd të kryqit, rrethuar prej dredhkëzave si këmbankat sikur kisha të voglat e fatinave dalë nga përrallat e vëllezërve Grin; sikur duan t’a fshehin të bukurën nga i tmerrshmi mjekërkaltri
dy zogj të hirtë këndojnë mbi atë selvi
të bardhë janë pëllumbat që sjellin degën e paqes
të hirta guguçet që këndojnë për dashuritë e mbetura peng midis detit e qiellit blu, për dashurinë e diellit … në të vërtetën e përditshme dashuritë e gabuara, bëjnë gjëra të paimagjinuara që si shkruajnë dot as baladat… * sonte bien yje dhe në lokalin poshtë shtëpisë time, këndohet një baladë bluzi pa emër / KultPlus.com
Chopin Piano FEST Prishtina 2022 e nis rrugëtimin e sivjetmë më 9 maj 2022, me dy deri në tre netë ngjarjesh gjatë çdo jave të muajit deri në koncertin përmbyllës, më 8 qershor 2022. Festivali do të ofrojë koncerte, masterklasë me studentë, konkursin tradicional të Çmimit Special si dhe konkursin kompozicional ‘Për nder të Chopin-it’.
Edicioni i sivjetshëm do të sjellë muzikantë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Franca, Austria, Gjermania, Italia, Hungaria, Holanda, Sllovenia dhe Spanja.
Festivali do të mbledhë pianistë të shquar vendas dhe ndërkombëtar, që interpretojnë jo vetëm veprat e Chopin-it, por edhe kompozitorë të tjerë të njohur, klasikë dhe bashkëkohorë.
Të ftuarit do të prezantohen me kompozime për solo piano dhe ansamble muzikore për piano (trio, duo, sekstet). Niveli i lartë artistik i programit është përgatitur nga drejtoresha artistike e festivalit Lejla Haxhiu-Pula dhe do të ofrojë përjetime të reja të interpretimit të repertorit kryesor të muzikës për piano siç u veprua edhe në edicionet e fundit, ku performuan pianistë të mëdhenj botëror.
Qëllimi i Chopin Piano FEST nuk është vetëm të ofroj emra të rinj, por edhe të sjell muzikantët më të mirë në Kosovë, të krijojë miqësi dhe rrjete bashkëpunimi. / KultPlus.com
Vehbi Demir Skënderi, poeti që u përjashtua nga Lidhja e Shkrimtarëve, u përndoq dhe internua nga diktatura, u përkujtua sot nga Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” i cili publikoi profilin e një nga shkrimtarëve të spikatur të kohës së komunizmit.
Vehbi Demir Skënderi lindi në fshatin Strelcë të Korçës në maj të vitit 1927. Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes në vitet 1934-1939 ndërsa studimet fetare i kreu në Medresenë e Lartë në Tiranë. Në vitin 1944 u pranua në radhët e Partisë Komuniste Shqiptare. Kreu fillimisht shkollën e mesme profesionale në degën rusisht e në vitet 1956-1961 kreu Fakultetin e Histori-Filologjisë me rezultate shumë të mira. Veprimtarinë si gazetar do ta fillonte në gazetën “Arma e Mbrojtjes”.
Më 1950, me propozimin e poetit Lasgush Poradeci, u pranua si anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë. Më 1953 botoi librin e parë poetik, “Këngët e para”. Ka botuar librat poetike “Vjersha” (1958), “Fletë nga ditari im” (1964), “Vjershat dhe poemat e Drinit” (1969), “Vdekja e Ofelise” (1971), “Shqiponja e Vermoshit” (1972), “Përsëri mëngjes” (1973), Vjersha dhe poema të zgjedhura- “Kolana e poezisë shqipe” (1973), “Nxitoj” (1987), “Hëna e vjedhur” (2000), “Zvicra, Shqipëria ime” (2004). Për “Fletë nga ditari im”, në vitin 1966 Vehbi Skenderi mori Çmimin e Republikës. Po atë vit, me një grup të shquar intelektualësh, ai përgatiti një pamflet dhe e dorëzoi për botim në Zërin e Popullit.
Në këtë pamflet kritikoheshin rëndë Instituti i Historisë dhe Instituti i Gjuhësisë. Pamfleti nuk u botua nga “Zëri i Popullit”, i cili ia dorëzoi dorëshkrimin sekretarit të parë të Tiranës dhe me të u mor Byroja Politike.
Në Komitetin Qëndror, gjatë seancave të terrorit të gjyqit politik e akuzonin për veprimtari anti-parti sepse sipas tyre sulmonte institucionet e diktaturës dhe nacionalist meqë kishte deklaruar se Kosovën e shihte si pjesë të Shqipërisë. Më 1967, për pesë vjet rresht Vehbi Skënderi, tashmë autor i ndaluar, u dërgua në Vaun e Dejës i dënuar me punë korrektuese. Më 1974 Sigurimi, nën udhëzimet e Sekretarit të Parë të Tiranës, sajon të tjera raprezalje kundër Vehbi Skënderit, i cili përjashtohet nga partia, nga Lidhja e Shkrimtarëve, nga puna, i digjen librat dhe i ndalohet botimi.
Më 1975 internohet në Shkodër, por vendimi anulohet nga organet e rrethit të Shkodrës. Më 1976 internohet në Zall-Mner të Tiranës, por edhe ky vendim anulohet. Pas katër vitesh pa punë, ai caktohet punëtor transporti në Kombinatin Poligrafik. Del në pension ne vitin 1987 teksa kryente funksionin e korektorit në repartin e dispensave ne Kombinatin Poligrafik. Prej 15 qershorit të vitit 1996, Vehbi Skënderi jetoi në Zvicër ku ndërroi jetë në 13 qershor 2011. / KultPlus.com
Shtëpia e ankandeve Sotheby’s Nju Jork zbuloi përmbajtjen e plotë të serisë së saj të shitjeve të Majit.
Seritë e shitjeve do të prezantojnë rreth 800 lote në gjashtë shitje të ndryshme. Veprat nga Koleksioni Macklowe do të përmbajnë 30 pjesë nga Gerhard Richter, Mark Rothko, Andy Warhol, Sigmar Polke, Willem de Kooning dhe shumë të tjerë.
Ankandi modern, tha kreu i Sotheby’s, Julian Dawnes, do të shfaqë vepra të artistëve të njohur të shekujve XIX dhe XX, duke përfshirë portretin e Marie-Thérèse Walter të Pablo Picasso-s të vitit 1932.
“Vlerësimi për këtë pikturë është sipas kërkesës, por ne presim që ajo të shitet mbi 60 milionë Dollarë. Dhe sigurisht, një pikturë tjetër e vitit 1932 e Marie Torres nga Picasso në shkallë të ngjashme u shit jo shumë kohë më parë, për mbi 100 milionë Dollarë në ankand publik. Pra, ne sigurisht mendojmë se kjo është në shumë mënyra një pikturë shumë më e rëndësishme. Dhe do të jetë shumë emocionuese të shohësh nëse nuk mund të arrijë një çmim të ngjashëm”.
Pikturat të tjera që do jenë në shitje përfshijnë një autoportret nga Andy Warhol, një nga veprat e tij përfundimtare, e cila ka një vlerësim prej 15-20 milionë Dollarë, një Mark Rothko i paparë më parë nga viti 1960, me një vlerësim prej 35-50 milionë Dollarë, i Gerhard Richter Seascape, me një vlerësim prej 25-35 milionë Dollarë dhe Le Grand Canal et Santa Maria della Salute të Monet, që vlerësohet të arrijë rreth 50 milionë Dollarë. /KlanNews/ KultPlus.com
Oh sa kisha dashtë t’i kujtosh Ato ditë t’bukura me dashni plot Atëherë jeta ishte ma e bukur Dhe dielli ngrohte ma shumë se sot. Gjethet e vdekuna mblidhen me lopatë, E sheh që nuk kam harru’, Gjethet e vdekuna mblidhen me lopatë, Kujtimet dhe pendimet gjithashtu. Dhe era e veriut u gjen strehëz Në natën e ftohtë të harresës. E sheh që nuk e kam harru’ Kȃngën që ma pate këndu’. Kjo kângë veç për ne ȃsht, për mu’ që t’deshta, për ty që m’deshte. Atëherë kur ishim bashkë, unë që të deshta, ti që më deshte. Por jeta ndan ata që duhen, Ngadalë dhe në heshtje. E deti fshin mbi rȃnë, Gjurmët e dashnorëve të ndamë. Gjethet e vdekuna mblidhen me lopatë, Kujtimet dhe pendimet bashkë mbetën Por dashnia ime e zjarrtë Buzëqesh dhe falënderon jetën. Ti ishe aq e bukur e unë t’deshta aq fort, Tash si mundem me t’harru’ dot? Atëherë jeta ishte ma e bukur Dhe dielli ngrohte ma shumë se sot. Ti ke qenë mikja eme ma e mirë, Unë s’e kam ndërmend me u pendu’, Dhe kangën që ma këndove Kurrë, kurrë s’kam me harru’!
Përktheu: Ag Apolloni / KultPlus.com
PR.2005.12.2 : Jacques Prévert et la chatte Agathe , André Villers
Photo envoyée par la Maison Jacques Prévert
50440 Omonville-la-Petite
Fanny Kempa
Responsable de la Maison Jacques Prévert
Direction du patrimoine et des musées
Maison Jacques Prévert – 50440 Omonville-la-Petite
T. 02 33 52 72 38 – 06 89 33 07 60 – Courriel : [email protected]
Bluza e famshme me ngjyrë ushtarake e presidentit ukrainas Zelensky është shitur për 105 mijë euro në një ankand në Londër, sipas mediave të huaja.
Shuma do të jetë pjesë e fondit për Ukrainën. Mediat ndërkombëtare publikuan apelin e kryeministrit britanik Johnson i cili i kërkoi njerëzve të shpenzonin sa më shumë para dhe e cilësoi presidentin ukrainas si një nga liderët më të pabesueshëm të kohëve moderne.
Një tjetër objekt i vënë në ankanda ishte dhe një kanë uji në formë gjeli që iu dhurua Johnsonit gjatë takimit me Zelenskyn në Kiev. /abcnews.al/ KultPlus.com
Regjisori më i famshëm rus i momentit, Kirill Serebrennikov nuk e di se kur do të kthehet në atdheun e tij.
“Për momentin unë jam duke punuar këtu në Evropë, sepse në Moskë nuk është e mundur për shkak të luftës”, tha Serebrennikov përmes një lidhjeje video nga Amsterdami, ku ai është duke punuar për një opera të re.
“Por, nuk do të thoja kurrë përgjithmonë. Jam i sigurt se një ditë do të kthehem në Rusi”, tha 52-vjeçari.
”Për momentin, nuk është e mundur të shikosh shfaqje teatrale kritike në Rusi. Nuk ka liri. Dhe nëse nuk ka liri, nuk mund të thuash asgjë”, theksoi ai.
Regjisori i teatrit, operës dhe filmit u ndalua në vitin 2017 dhe u vendos në arrest shtëpiak.
Në një gjyq të diskutueshëm për keqpërdorim të supozuar të fondeve në vitin 2020, gjyqësori rus e dënoi atë me një dënim prej tre vjetësh me kusht.
Në janar, Serebrennikov u lejua çuditërisht të udhëtonte në Hamburg për prova.
Prodhimi i tij nga vepra e Anton Çehovit, “Murgu i Zi” hap festivalin e teatrit në Avignon, në Francë, korrikun e kaluar.
Në Festivalin e Kanës në maj do të shfaqet në konkurrim edhe filmi i tij “Gruaja e Çajkovskit”./atsh/ KultPlus.com
Aktori dhe personazhi i njohur i ”Friends”, Mike Hagerty ka vdekur në moshën 67-vjeçare.
Lajmi është bërë i ditur nga mikja e tij, Bridget Everett, në një postim të shpërndarë me ndjekësit në rrjete sociale të premten.
“Me pikëllim të madh, familja e Michael Hagerty njoftoi dje për vdekjen e tij në Los Angeles. Një aktor i dashur i personazheve, dashuria e tij për qytetin e tij të lindjes, Çikago dhe familjen e tij ishin gurët e themelit të jetës së tij. E doja Majkun në momentin kur e takova. Ai ishte kaq i veçantë, i ngrohtë, qesharak, nuk takova kurrë një të huaj”, ka shkruar Everett.
Gjatë viteve, aktori grumbulloi një listë të gjatë të roleve të të ftuarve televizivë, kryesisht në komedi, por edhe në drama si “ER” dhe “Deadwood”.
Përveç “Friends”, ku luajti super ndërtesën e zotit Treeger, ai u shfaq në një episod të paharrueshëm të “Seinfeld” si pronar i një dyqani veshjesh dhe pati role të përsëritura në komeditë “Lucky Louie” (me protagonist Louis CK). “The George Carlin Show” dhe së fundmi “Brooklyn Nine-Nine”.
Të shumta kanë qenë mesazhet e tjera prekëse nga miqtë e ata që e njohën nga afër Mike./21Media/ KultPlus.com
Presidentja Vjosa Osmani gjendet për vizitë zyrtare në Amerikën Latine ku ka qëndruar në shtetin e Panamasë ndërkaq sot ka udhëtuar për në Kosta Rikë.
Zyra e Presidencës në një komunikatë për media ka njoftuar se e para e shtetit do të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit të ri të zgjedhur të Kosta Rikës.
“Me ftesë të Presidentit Carlos Alvarado Quesada, Presidentja Osmani do të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit të ri të zgjedhur të Kosta Rikës, Rodrigo Chaves. Gjatë vizitës në San José, Presidentja do të takojë udhëheqësit shtetëror të Kosta Rikës, Presidentin e zgjedhur Chaves si dhe do të realizojë takime bilaterale me krerë të shteteve tjera”, thuhet në njoftim.
Tutje zyra e presidentes njofton se shefja e shtetit në Amerikën Latine po e promovon potencialin ekonomik të Kosovës.
“Gjatë vizitës zyrtare në Panama dhe vizitës aktuale në Kosta Rika, Presidentja Osmani po realizon një sërë aktivitetesh për të promovuar potencialin ekonomik të Kosovës, për të thelluar marrëdhëniet miqësore me shtetet mike në Amerikën Latine, si dhe për të rritur mbështetjen për anëtarësim në organizata ndërkombëtare”, thuhet në komunikatë. / KultPlus.com
Romani “Rrushja” nga Jusuf Buxhovi që sapo doli nga shtypi, trajton plagët e luftës së fundit – dhunimet e femrave të kryera nga soldateska jugosllave, si pjesë e një koncepti morbid, që etnocidi ndaj popullatës shqiptare të përcillet edhe me “misionin e shenjtë”, të shpallur nga Kisha Ortodokse Serbe, që femrat e dhunuara shqiptare të lindin bastardët serbë!
‘Rrusha’, është njëra ndër mijëra viktima të këtij “misioni”, por e dhunuar dyfish: nga paramilitarët serbë, e dhe nga bashkëshoriti i saj, i cili e vret dhe, mbas luftës, për t’i fshehur gjurmët e krimit, e shpallë “heroinë”!
Tragjedia e Rrushës, po edhe të tjerat që e përcollën atë, pasqyrohet nëpërmes rrëfimit të të birit, që si fëmijë përjetoi dramën, ku ai, po ashtu, shfaqet si viktimë e realiteteve të reja të pasluftës nga shkaku se çlirimi nuk është përkthyer në liri…
Romani u botua nga “Faik Konica”, Prishtinë dhe “Jalifat Publishing” – Houston, 2022, faqe 173. / KultPlus.com
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, ka njoftuar se është hapur aplikimi për përfitimin e 100 eurove shtesë për studentët.
Aplikimi është i hapur për të gjithë studentët aktivë dhe të rregulltë të cilët ndjekin studimet në ndonjërin prej institucioneve të akredituara publike apo private të arsimit të lartë në Kosovë. Aplikimi për mbështetje bëhet në mënyrë elektronike, duke plotësuar formularin me të dhënat personale.
Të dhënat duhet të jenë të sakta dhe llogaria duhet të jetë në emër të aplikuesit, përndryshe aplikuesi s’mund të përfitojë nga subvencionimi.
“Vlen të theksohet se të dhënat duhet të jenë të sakta dhe llogaria bankare duhet të jetë në emër të aplikuesit. Përndryshe, nëse të dhënat e plotësuara janë të pasakta, përfshirë numrin e llogarisë bankare, atëherë aplikuesi nuk do të mund të përfitojë nga subvencionimi”, thuhet në njoftim.
Aplikimi do të jetë i hapur deri më 3 qershor.
“Vëmendje: Studentët të cilët janë të punësuar dhe kanë aplikuar/ përfituar si punëtorë të sektorit privat/ publik nuk mund të përfitojnë sërish nga mbështetja”, thuhet tutje në njoftim. / KultPlus.com
Me 7 Maj të vitit 2020, në moshën 66 vjeçare Kosova humbi ‘babain e baletit’, Ahmet Brahimaj.
Ahmet Brahimaj lindi në fshatin Novosellë të Pejës. Lidhja e tij me baletin filloi që në bankat e shkollës së mesme, atëherë kur vazhdoi shkollimin në Shkup për të hyrë në historinë e gjeneratës së parë të Baletit të Kosovës.
Viti 1972 përveç që u bë koha kur u rikthye në Prishtinë, kjo periudhë shënon edhe kohën e formimit të Ansamblit të Baletit, për t’u gdhendur në kujtesën kulturore të vendit.
Si solist i kësaj trupe, Brahimaj ka qenë aty në çdo shfaqje të asaj kohe, duke jetësuar role në 38 premiera të baletit.
Mirëpo, ai nuk mbeti vetëm solist, në vitin 1985 Brahimaj emërohet Shef i Baletit. Për punën e tij krijuese ai mori shumë lëvdata, si dhe për nder të 48 vjetorit, u dekorua me “Plaketën e Teatrit Popullor Krahinor” (1986), dhe me rastin e 60 vjetorit të Teatrit Kombëtar të Kosovës, është shpërblyer për punën artistike e krijuese.
Veprimtaria e tij kulturore nuk mbetet vetëm me kaq. Pas luftës, së bashku me disa nga kolegët e tij, hapin Shkollën e Mesme të Baletit, në kuadër të shkollës së muzikës “Prenkë Jakova”, në Prishtinë.
Klasa e Ahmet Brahimajt u diplomua në vitin 2005, dhe është gjenerata e parë pas luftës e njëherit edhe bërthama e Baletit të Kosovës. Gjithashtu, Brahimaj ka kontribuar dhe në formulimin e Ligjit të Operës, Filharmonisë dhe Baletit, Ligj I cili është në funksion tani dhe është aprovuar në vitin 2005.
Edhe pas vdekjes së tij në moshën 66 vjeçare, të gjithë kolegët e tij e kujtojnë me mall dhe dashuri për përkushtimin dhe mundin e madh që dha në skenë dhe për skenën.Shfaqjet në të cilat ai shkëlqeu me rolet e tij janë listë e gjatë, e që përfshijnë “Karmen” (Don Hose), “Romeo e Xhyljeta” (Romeo), “Zhizela dhe Interplay” (Albert), “Era dhe Kolona” (Komandanti), “Piter Pan” (Kryeplaku Indian),” Kopelia” (Prefekti), “Don Kishoti” (Espado), “Halili e Hajria” (Sadiku), “Bolero e Shtrausiana”, “Vallja pranverore”, “Trëndafili I përgjakur” (Luisillo), “Ritme të zgjuara”, “Kënga e Rexhës” (Valleheqësi), “Besa” (Princi), “Balloja e Kadetëve”, “Zef Lush Marku” (Tri hije të vdekjes), “Loja e Sizifit” (Udhëheqësi I), “E bukura More” (Thanasi), “Legjenda mbi ngadhnjimin” (Vdekja), “Mbrëmje baleti”, kurse Hans Fyelltarin te “Fyelltari” dhe te shfaqja “Tranzicion II” ka luajtur pas luftës, në vitin 2001/02.
Vepra e tij do të mbetet e paharruar për jetën kulturore të vendit./ KultPlus.com
Më 7 maj të vitit 1998 në vendin e quajtur Bogiqe të Malit të Zi ra heroikisht Bahri Fazliu.
Bahri Fazliu ishte anëtar i LKÇK-së dhe pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Për disa vjet jetoi në ilegalitet dhe ishte kryeredaktor i revistës “Çlirimi” e cila botohej nga LKÇK-ja.
Bahri Fazliu ishte vëlla i heroit Fahri Fazliut, i cili më 2 nëntor të vitit 1989 bashkë me Afrim Zhitinë ranë heroikisht në një betejë me policinë serbe në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë.
Për nder të 24 vjetorit të rënies së heroit të kombit, Bahri Fazliu bëhen homazhe pranë varrit të tij te varrezat e dëshmorëve në lagjen Velania në Prishtinë në ora 12:00. /kp/ KultPlus.com
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka hapur thirrje për mbështetje financiare studimore në fushën e kulturës, trashëgimisë kulturore dhe sportit për vitin 2022.
Në kuadër të kësaj ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit renditë për vitin 2022 ndër prioritetet programore ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe zhvillimin e kuadrove në fushat të kulturës, trashëgimisë kulturore dhe sportit.
”Theks të veçantë kemi edukimin artistik të të rinjve, mbështetjen e hulumtimeve, kërkimeve dhe prezentimeve në fushën e trashëgimisë kulturore dhe edukimin profesional në fushën e menaxhimit dhe mjekësisë sportive”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Të drejtë aplikimi në thirrjen publike për mbështetje financiare studimore kanë individët që dëshmojnë se programi studimor është i profilizuar në fushat specifike të kulturës, trashëgimisë kulturore dhe sportit.
Për aplikim dhe detaje të tjera klikoni këtu. /KultPlus.com
Vincent Willem van Gogh ishte një piktor holandez post-impresionist, i cili pas vdekjes u bë një nga figurat më të famshme dhe me ndikim në historinë e artit perëndimor.
Në një dekadë, ai krijoi rreth 2,100 vepra arti, duke përfshirë rreth 860 piktura vaji, shumica e të cilave datojnë nga dy vitet e fundit të jetës së tij.
KultPlus sjell një koleksion të thënieve më të njohura të kësaj mendjeje unike që njohu bota.
Të vuash pa u ankuar është i vetmi mësim që duhet të marrim në këtë jetë.
Peshkatarët e dinë që deti është i rrezikshëm dhe stuhia e tmerrshme, por ata kurrë nuk i kanë parë këto rreziqe si arsye të mjaftueshme për të qëndruar në breg.
Eshtë mirë të duash shumë gjëra, sepse aty qëndron forca e vërtetë, dhe kushdo që do shumë bën shumë, dhe mund të arrijë shumë, dhe ajo që bëhet në dashuri bëhet mirë.
Unë ëndërroj pikturën time dhe pikturoj ëndrrën time.
Jini të vetëdijshëm për yjet dhe pafundësinë në lartësi. Atëherë jeta duket pothuajse një magjepsje.
Nuk ka asgjë më artistike sesa të duash njerëzit.
Një zjarr i madh digjet brenda meje, por askush nuk ndalet për tu ngrohur në të, dhe kalimtarët shohin vetëm një shfryrje tymi.
Unë nuk di asgjë me siguri, por të shoh yjet më bën të ëndërroj.
Normaliteti është një rrugë e shtruar: është e rehatshme të ecësh, por asnjë lule nuk rritet në të.
Nëse dëgjon një zë brenda që thotë se nuk mund të pikturosh, atëherë me çdo kusht pikturo dhe ai zë do të heshtet.
Kam vënë zemrën dhe shpirtin tim në punën time dhe kam humbur mendjen në këtë proces.
Shpesh mendoj se nata është më e gjallë dhe më e ngjyrosur se dita.
Cila do të ishte jeta nëse nuk do të kishim guximin të provonim diçka?
Nëse një gjë ia vlen për më vonë atëherë ia vlen edhe për tani. Sepse gruri është grurë, edhe nëse njerëzit mendojnë se është një bar në fillim.
Jam duke kërkuar, po përpiqem, jam i përfshirë në të me gjithë zemrën time.
Arti shërben për të ngushëlluar ata që janë të thyer nga jeta. / KultPlus.com
Kënga Stefania është bërë një himn në vend, përcjell KultPlus.
Kalush Orchestra, një grup që ndërthur folklorin tradicional dhe hip-hop, po konkurron në këtë aktivitet me këngën Stefania, e cila është bërë himn në Ukrainë.
E shkruar nga frontmeni Oleh Psiuk si nderim për nënën e tij, Stefania është gjithashtu më e ndjekura në YouTube në mesin e 35 pretendentëve.
Në një intervistë me agjencinë italiane të lajmeve Ansa, Psiuk tha se hyrja e grupit të tij mendohej të ishte mirë edhe përpara se Rusia të pushtonte në shkurt.
“Disa njerëz thonë se ne mund të fitonim për shkak të luftës, por kënga jonë ishte ndër pesë të preferuarat para fillimit të konfliktit, që do të thotë se njerëzve u pëlqen pavarësisht,” tha ai.
Rusisë i është ndaluar të konkurrojë në Eurovision këtë vit, pasi organizatorët thanë se pjesëmarrja e saj mund ta çonte në disreputacion konkursin. /KultPlus.com
Mund të ketë mendime të ndryshme për vetitë luftarake të shqiptarëve të kohëve të fundit; kam parasysh brezat e sotëm dhe ata që ishin menjëherë para tyre. Personalisht nuk dëshiroj të shpreh asnjë mendim për këtë çështje.
Është e sigurt se ikja e vazhdueshme e krahut të punës gjatë pesë shekujve e ka mpakur në njëfarë mase kombin. Të rinjtë më të mirë e më të fuqishëm i rekrutonte Turqia për t’i dërguar në luftëra të largëta dhe mbaj mend në fëmijërinë time se si një regjiment shqiptarësh, që u nis për të mposhtur një kryengritje në Arabi, u kthye vetëm me një grusht njerëzish. Mund të jetë një teprim të thuhet se shqiptarët e sotëm janë pasardhës të atyre, që ishin aq të dobët, sa nuk dërgoheshin në luftë, por sidoqoftë do të pritej një ulje e vitalitetit si pasojë e rekrutimeve për pesëqind vjet.
Megjithatë, pak vite më parë, në kohën e Luftës Greko-Turke të vitit 1897, gjenerali prusian fon Grumbkov e ka shprehur botërisht adhurimin e tij kur pa një trupë shqiptarësh në Thesali, që po i ngjiteshin një kodre përballë një zjarri kositës dhe po kapnin një bateri të armikut. Korrespondenti i gazetës së Londrës “Times” në këtë luftë, Kliv Bingam, ka shënuar se “shqiptarët në tërësi e përgënjeshtruan famën e tyre”, por edhe ai dëshmon për një betejë ku, siç shkruan ai, “disa herë rresht shqiptarët vërshuan teposhtë shpatit dhe u përpoqën ta kapërcenin shkëmbin, por zjarri që u derdhej nga sipër ishte vdekjeprurës, kurse bateritë prapa tyre patën pak efekt mbi faqet e shkëmbit e të gurit”.
Sidoqoftë, ka një mendim të njëzëshëm lidhur me vetitë luftarake të shqiptarëve për brezat më të largët. Do të ishte e tepërt ta rrëfeje këtë dhe ka material aq të pasur, sa mund të mbushësh një vëllim të trashë. Unë do ta kufizoj veten vetëm me nja dy shembuj nga më domethënësit.
Në një raport dërguar Senatit të Venedikut më 1576, Andrea Justiniani thotë se në një forcë prej treqind e pesëdhjetë ushtarësh, që përbënin garnizonin e Korfuzit, kishte një togë prej dhjetë shqiptarësh, të cilët “ishin më të mirë se gjithë italianët e tjerë”. Neve na duhet ta pranojmë këtë vlerësim të hapur italian për vlerën luftarake të shqiptarëve, që i bie të jetë të paktën tridhjetë e katër herë më e lartë se e italianëve. Venedikasit kanë qenë çmues të ftohtë të njerëzve e të sendeve: ata nuk do ta kishin ndërtuar dot një perandori, nëse nuk do të kishin pasur një gjykim të saktë e të pagabuar për vlerat aktuale. Në shekullin e shtatëmbëdhjetë ende nuk ishin shpikur makinat për të plotësuar mungesën e trimërisë njerëzore. Raimondo Montekukoli (Montecuccoli), një gjeneralisim i shkëlqyer i Perandorisë së Shenjtë Romake, që fitoi betejën e madhe të Shën Gotardit kundër turqve më 1664, pohon në kujtimet e veta të luftës.
“Se në çfarë rreziku ishim për ta humbur betejën, bëhej fare e dukshme vetëm nga rrëmuja dhe arratisja e një pjese të ushtrisë sonë dhe nga lufta e guximshme e jeniçerëve dhe e shqiptarëve, të cilët, edhe pse mbetën më të paktë në numër, asnjëherë nuk kërkuan mëshirë ose t’u falej jeta, ndërsa beteja për një kohë të gjatë ngjisnin me baticat dhe zbaticat e dallgëve të detit, që shtyheshin përpara e tërhiqeshin pas”.
Mercenarët dhe ushtarët shqiptarë që kërkonin fatin e tyre duke u quajtur me emra të ndryshëm (kapeletë, stratiotë dhe estratiotë, kowali, morienë, xhenetarë), kanë luftuar në ushtritë e Francës, të Spanjës, të Perëndorisë së Shenjtë Romake, të Venedikut dhe të shteteve të tjera italiane, kanë lënë shumë gjurmë në historinë e Evropës. Ata kanë qenë luftëtarë të ndershëm, që nuk përvidheshin kurrë nga beteja, siç ishte zakoni i shumicës së mercenarëve. Francezët zemëroheshin me seriozitetin e këtyre ushtarëve, të cilët luftonin për punëdhënësit e tyre me gjithë shpirt, sikur po luftonin për çështjen e tyre. Kur u dorëzua qyteti i Novarës në vitin 1500, francezët bënë një përjashtim për shqiptarët dhe nuk u dhanë dëshmi mbrojtjeje, sepse, siç thotë Zhan d’Oton, “ata kishin ardhur nga një vend i largët me zemër të lehtë për të luftuar kundër francezëve si tepër shpesh”. Megjithatë, më pas, me sa duket, francezët e kuptuan se këta shqiptarë nuk kishin ndonjë inat të veçantë kundër tyre, por thjesht luftonin siç e quanin se i detyronte nderi i tyre. Më 1503 francezët, nga ana e vet, i morën shqiptarët në shërbimin e tyre dhe shpejt në ushtrinë e Luigjit XII pati një trupë prej një mijë e dyqind shqiptarësh, të cilët treguan trimëri të rrallë, aq sa ata u bënë një pjesë e veçantë e ushtrive franceze për pothuaj një shekull, ndërsa mbretërit e Francës e bënë si rregull që gjithmonë të kishin ndonjë fisnik në krye të këtyre trupave speciale. Ndër të tjera, komandanti i tyre i përgjithshëm për një kohë ishte Duka dë Brisak (Brissac). Në betejën e Kutrës (1587) shqiptarët u vranë pothuaj të gjithë. Beteja e Ivrit (1590) ka parë praninë e fundit të trupave shqiptare në ushtritë franceze. Brantomi shkruan se shqiptarët kanë qenë krijuesit e kalorësisë së lehtë; autorë të tjerë ushtarakë shkruajnë se nuk janë të një mendimi me opinionin e Brantomit, por besojnë se shqiptarët, me metodën e tyre të luftimit, kanë dhënë idenë e krijimit të kavalerisë së lehtë. Kronika e Zhan d’Otonit, të cilën e përmendëm, përshkruan me disa hollësi metodën e luftimit të këtyre mercenarëve shqiptarë. Me shenjën e kryekomandantit të ushtrisë, ata e nisnin betejën duke hyrë
me galop në mes të rreshtave të armikut, mbanin ushta të gjata me flamurthe në majë, jepnin një goditje dhe krijonin pështjellim; pas kësaj tërhiqeshin një çikë, i riformonin rreshtat e veta dhe sulmonin përsëri, atëherë hynte në veprim pjesa tjetër e ushtrisë. Të rreptë e të pamëshirshëm në betejë, këta shqiptarë, duke i ndenjur besnikë kodit të tyre të nderit, pasi mbaronte përleshja, kurrë nuk e harronin rregullën që “Koka e falur nuk pritet”. Në një raport me datën 27 qershor të vitit 1510 dërguar Luigjit XII, mbretit të Francës, nga Seneshali i Madh i Normandisë, i cili ka qenë një ndër gjeneralët që komanduan ushtritë e tij në Itali, ka një krahasim të mprehtë ndërmjet etikës luftarake të sllavëve dhe të shqiptarëve: “Sllavët, – shkruan Seneshali i Madh, – janë të egër në luftë, sepse ata vrasin kë të mundin dhe kurrë nuk zënë robër dhe prandaj me ta e bëmë kokë për kokë”. Kurse lidhur me shqiptarët, Seneshali i Madh vijon: “ata kanë treguar një sjellje krejt të ndryshme dhe i kanë trajtuar me mëshirë ata që kanë kapur, prandaj edhe ne i kemi trajtuar me të njëjtën mënyrë”. Ky borxh nderi që ia paguan kalorësisë shqiptare një gjeneral i shquar i Francës monarkike mund të shumëfishohej lehtë nga mjaft dëshmi të tjera të paanshme. Por nganjëherë trimëria e shqiptarëve ka vepruar kundër tyre, sepse ka ngjallur smirë të fortë e të qëndrueshme. “Shpirti sipërmarrës i shqiptarëve, – thotë koloneli Lik, – gjallëria e tyre, qëndrueshmëria dhe epërsia në gjithçka që lidhet me luftën, i bën ata që t’ua kenë zili dhe t’i urrejnë’, madje edhe ndërmjet turqve, për të mirën e të cilëve janë vënë në shërbim shpesh ato cilësi. Gjithashtu dhe në det shqiptarët, duke shërbyer si oficerë detarë të marinës turke, si kapitenë privatë
anijesh të përdorura në luftë dhe si piratë, kanë treguar një veprimtari sypatrembur. Njëherë e një kohë emri shqiptar përdorej për të gjithë piratët në Mesdheun Lindor dhe Servantesi na tregon se rrëmbyesi dhe pronari i tij në Algjer ishte një pirat shqiptar me emrin Arnaut Mami, që do të thotë Mami Shqiptari. Në prill të vitit 1770 kapitenët shqiptarë nga Ulqini shpartalluan një flotë ruse nën komandën e Aleks Orlovit pranë Navarinos. Me rënien e fuqisë detare osmane dhe me heqjen e pranimit të kapitenëve privatë nga fusha e përdorimit ndërkombëtar në kohë lufte, u erdhi fundi edhe veprimtarive të shqiptarëve në det. Por është një fakt i mirënjohur roli i madh që kanë luajtur kapitenët privatë shqiptarë në Luftën e Greqisë për Pavarësi dhe, deri një brez më parë, elementi shqiptar në flotën greke ka qenë aq mbizotërues, saqë gjuha shqipe detyrimisht përdorej në anijet luftarake si më e parapëlqyera se greqishtja. Asnjë rrëfim për vetitë luftarake të shqiptarëve nuk do të ishte i plotë pa përmendur Skënderbeun, heroin mesjetar të Shqipërisë, i cili për afër një çerek shekulli i mundi turqit e hatashëm nën udhëheqjen e dy sulltanëve të fuqishëm dhe vetë kurrë nuk u thye. Në Shqipëri ai është bërë legjendar për pesë shekuj dhe gjithashtu e kanë quajtur me të drejtë “kampion i rishterimit”, titull ky që ia kanë dhënë papët e Romës, sepse ishte veprimtaria e tij për t’u bërë një ledh, që ndihmoi të shpëtonte Evropa e krishterë nga pushtimi turk, një katastrofë kjo që do të kishte qenë shkatërrimtare për botën e qytetëruar. Ndoshta mënyra më e mirë për të vlerësuar Skënderbeun është t’u drejtohesh fjalëve që kanë thënë për të disa shkrimtarë dhe ushtarakë të shquar. Diku në veprën e tij të vëllimshme Volteri ka guxuar të shprehet se sikur ta kishte mbrojtur
Skënderbeu Konstantinopolin, turqit nuk do të kishin mundur ta merrnin në maj 1453. Gjenerali Xhejms Volfi, heroi i Kuebekut, ka thënë: “Ai (Skënderbeu) ua kalon gjithë oficerëve, të lashtë e të sotëm, për drejtimin e një ushtrie të vogël mbrojtëse”. Autori anglez i shekullit të shtatëmbëdhjetë, Sër Uiliam Tempël, në punimin mbi “Virtytin heroik”, e rendit Skënderbeun me shtatë mbretër të pakurorëzuar të Evropës: “… bëmat dhe virtytet e të cilëve mund t’u lejojnë atyre me të drejtë të renditen krahas kaq mbretërve e perandorëve… Gjergj Kastrioti, i quajtur zakonisht Skënderbeu, princ i Epirit, dhe Huniadi, mëkëmbës i mbretit të Hungarisë, që kanë qenë dy kapedanët më ngadhënjimtarë dhe burra të shkëlqyer, kampionë të vërtetë të krishterimit sa qenë gjallë dhe tmerr i turqve, sepse me forca të pakta iu bënë ledh për aq shumë vjet gjithë fuqive të Perandorisë Osmane… dhe Skënderbeu asnjëherë nuk mblodhi bashkë mbi gjashtëmbëdhjetë mijë veta për të gjitha fitoret e famshme që korri kundër turqve, të cilët ishin disa herë si numër mbi njëqind mijë”. Vetë Sulltani Mehmeti II, pushtuesi i Stambollit, ka thënë një herë: “Kurrë s’ka për të dalë më mbi tokë një luan i tillë”.
***
Sipas legjendës Skënderbeu, siç njihet me këtë emër turk Gjergj Kastrioti, lindi në vitin 1403 dhe, siç na thotë peshkopi Noli, por pa e besuar plotësisht, “e mori peng Muradi II në moshën nëntë vjeç. Kjo do të ketë ndodhur më 1412, meqë Skënderbeu kishte lindur më 1403″. Më pas peshkopi Noli shton duke e shpjeguar: “Por më 1412 në Turqi sundonte Mehmeti I dhe jo Muradi II, që erdhi në fron nëntë vjet më vonë, më 1421″.
Po ta ndjekim më tej legjendën, Skënderbeu u edukua në shkollat më të mira të Perandorisë Osmane, ku ai shfaqi një talent ushtarak të shquar dhe në mënyrë paradoksale, u bë njeriu më i dashur për Portën e Lartë. Ishte ky djalosh nëntëvjeçar, që tridhjetë e një vjet më vonë u kthye në Shqipëri dhe i mundi turqit për afër njëzet e pesë vjet deri sa vdiq më 1468. Në mendjen e lexuesit mund të lindë kjo pyetje: a është e mundur për një djalosh nëntëvjeçar, të rritur në luks, të trajtuar si hero dhe që i dhanë një titull princëror, t’i hidhte mënjanë këto gjëra tridhjetë e një vjet më pas dhe të kthehej për të shpëtuar vendlindjen nga bamirësit e tij? Kjo pyetje nuk mund të marrë një përgjigje të drejtë e të përshtatshme, derisa të mos kemi më shumë fakte konkrete, që mund të jenë diku, ndoshta në Bibliotekën e Vatikanit. Peshkopi Noli e hedh fjalën, por nuk e shpjegon plotësisht këtë mister. Megjithatë ai beson me të fortë se Skënderbeu e ka kaluar pjesën më të madhe të kohës nga viti 1412 deri më 1443 ose në Shqipëri, ose në kufijtë pranë Shqipërisë. Po të jetë e drejtë kjo teori, atëherë do të kemi çelësin për dashurinë dhe përkushtimin e Skënderbeut ndaj vendlindjes. Po të pranohej se Skënderbeu kaloi tridhjetë e një vjet diku në Perandorinë Turke, çfarë shoqërie gjeti ai kur u kthye në Shqipëri? Peshkopi Noli mendon, por nuk e përpunon më tej, se shtresat shoqërore shqiptare mund të kenë qenë atëherë këto: fshatarët e lirë në viset malore, një lloj sistemi feudal në tokat fushore pjellore dhe “qytete të lulëzuara” gjatë bregdetit. Sipas peshkopit Noli, ka pasur disa “aristokratë të vegjël, ose më mirë prijës patriarkalë të malësorëve”. Por shumica e shqiptarëve kanë qenë të lirë, meqë “bujkrobëria dhe skllavëria as mund të mendoheshin për ta”. Një vëzhgues i mprehtë ka thënë me mençuri: “Një shqiptar nuk mund të ishte një skllav”. Dhe lidhur me këtë, është mjaft interesante që: “Në tregjet e skllevërve të Turqisë askush nuk mund të blinte një shqiptar… sepse ishte e pamundur t’i urdhëroje ata dhe ishin tepër të rrezikshëm për pronarët e tyre”. Vëzhgimet e mësipërme mund të shpjegojnë përse popujt e tjerë të Ballkanit iu nënshtruan Turqisë fare lehtë, ndërsa shqiptarët u bënë ballë me sukses turqve për një çerek shekulli. Me gjithë fitoret e panumërta, Skënderbeu gjatë gjithë kohës ka pasur telashet e veta me kuislingë. Herë pas here krerë të tij e tradhtonin dhe bashkoheshin me armikun. Disa këmbëngulnin për “bisedime për paqe”, siç na thotë peshkopi Noli, por “Skënderbeu as nuk donte të dëgjonte për to. Megjithatë shpesh shumica mbizotëronte”. Paqja u arrit më 27 prill 1463, pikërisht pesë vjet para se ai të vdiste. Por më 27 nëntor të po atij viti ai e rifilloi luftën kundër turqve, që vazhdoi deri në vdekjen e tij. Disa nga veprimet luftarake më të mëdha të Skënderbeut lidhen me përpjekjet e turqve për të pushtuar Krujën, kryeqytetin e tij. Përpjekja e parë për të marrë Krujën u bë më 1450 nga Murati II, i cili pësoi disfatë pas një lufte epike prej pesë muajsh. Duke përshkruar madhështinë e rrethimit të Krujës, autori amerikan Agnes Replajer në një artikull me titullin “Skënderbeu”, botuar në “Catholic World” të dhjetorit 1889, shkruan: “Vetë përmasat në të cilat qe planifikuar pushtimi i Krujës, tregojnë se sa i thellë qe zemërimi i sulltanit dhe sa ngulmues qëllimi i tij. U mblodhën njëqind e gjashtëdhjetë mijë veta… ushtria pushtuese marshoi drejt Krujës, i mbuloi gjithë fushat përreth, përpara portave masive të kështjellës vendosi topat, që atëherë ishin një risi imponuese për punët e luftës, dhe i kërkoi garnizonit të dorëzohej. Ata morën një përgjigje sfiduese dhe osmanët
sulmuan muret, por u zmbrapsën me një tërbim aq të madh, sa mbi tetë mijë jeniçerë ranë në luftim, ndërsa Skënderbeu fluturonte si shqiponjë mbi shkëmbinj, priti sa beteja të arrinte kulmin dhe atëherë u lëshua teposhtë mbi armikun e hutuar, i çau llogoret e tij, i vuri zjarrin fushimit dhe gjithçka para tij e shkatërroi dhe i vrau e i preu”. Përpjekjen e fundit për ta marrë Krujën e bëri në korrik 1467 Mehmeti II, i biri dhe trashëgimtari i Muratit, pikërisht më pak se një vit para se vdekja ta hiqte heroin nga skena e betejës. Për këtë sulm peshkopi Noli thotë se Mehmeti “e la ushtrinë e tij të madhe të lirë dhe shkatërroi me zjarr e hekur çdo cep të Shqipërisë ku mundi të shkelë”. Por shpejt ai “e kuptoi se çmimi për repartet që binin në kurthe dhe i shfaroste Skënderbeu, ishte shumë i lartë” dhe … “u kthye në Stamboll i poshtëruar e i mundur”.
***
Gjithë autorët për Skënderbeun, që nga Marin Barleti e deri te Eduard Giboni dhe peshkopi Noli, kanë ngritur lart heroizmin e tij luftarak, por pak gjë është thënë për aftësinë e tij që të punonte me njerëzit. Në kohën e tij Shqipëria ka qenë e ndarë në disa principata dhe çdo prijës ishte ziliqar e krenar, siç mund të jetë një shqiptar, për rëndësinë e vet në tablonë e gjërave. Në këtë pështjellim e përleshje, që afrohej me anarkinë, erdhi Skënderbeu më 1443. Për të sjellë rregull në këtë kaos, ai thirri një kuvend të gjithë princave në Lezhë më 2 mars 1444, ku formoi Lidhjen e Princave Shqiptarë, duke u bërë vetë kryekomandant i ushtrisë së Lidhjes. Ishin më shumë se një duzinë princash, por me anë të diplomacisë e të shpirtmadhësisë ai ia doli t’i mbante ata të bashkuar derisa vdiq. Një njeri më i vogël nuk do t’ia arrinte dot. Herë pas here disa prej tyre u lëkundën, por personaliteti i tij dinamik i mbajti ata të bashkuar fort si në mengene. Por mengeja u prish sapo ai u varros në Katedralen e Shën Nikollës së Leshit më 17 janar 1468. Pak kohë më pas Lidhja e tij u përça dhe bashkë me të ra edhe Shqipëria, për të mos u ngritur dot më deri më 1912, pas katërqind e dyzet e katër vjetësh. Kështu Shqipëria qe vendi i fundit në Ballkan që iu nënshtrua turqve dhe i fundit që rifitoi lirinë e vet.
*Marrë me shkurtime nga libri “Shqipëria – kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore dhe shkrime të tjera) i Faik Konicës./ KultPlus.com
Para dy ditëve është lajmëruar se sot do të dalin në shitje biletat “Believers” për Festivalin “Sunnyhill”, i cili konsiderohet si njëri prej festivale më të mëdha në Evropë, shkruan KultPlus.
Biletat tanimë kanë dalë në shitje dhe të gjithë ata që interesohen për këto bileta, mund t’i blejnë duke klikuar këtu.
Siç njofton edhe faqja zyrtare, biletat “Believer” do të kushtojnë 70 euro, ato Early Bird Ticket 100 euro, Regular Ticket 120 dhe bileta më e shtrenjtë do të jetë ajo VIP, plotë 250 euro.
Sunnyhill Festival do të mbahet në datat 4-7 gusht në Prishtinë. /KultPlus.com
Fehmi Aganin, një prej politikanëve më të dalluar nga Kosova, dhe një sociolog që e morri seriozisht studimin gjatë tërë jetës.
Fehmi Agani lindi pikërisht në janar, me 23 janar të vitit 1932 në Gjakovë, ku mbaroi shkollimin fillor, ndërsa të mesmin e kreu në Prishtinë.
Studimet për filozofi i mbaroi në Universitetin e Beogradit. Studimet pasuniversitare në shkencat politike i mbaroi poashtu në Universitetin e Beogradit, duke marrë gradën shkencore Magjistër i shkencave politike me temën ‘Pjesëmarrja e punëtorëve në procesin e vendimmarrjes në Gjermani’, më 1965. Gradën doktor i shkencave të sociologjisë e mori në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës më 1973, duke mbrojtur me sukses tezën ‘Partitë dhe grupet politike në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore’. Në vitin 1951, iu kundërvua politikës së turqizimit të shqiptarëve dhe për herë të parë u konfrontua me PKJ.
Edhe pse shumë i ri, u rreshtua në anën e LNÇ-së dhe të aleancës antifashiste. Ngjarjet e mëdha politike, veçanërisht ato të vitit 1981 e këndej, bënë që pikëpamjet dhe qëndrimet e tij politike gjithnjë e më tepër të marrin formën e social-demokracisë moderne perëndimore.
Në fund të viteve ’50 dhe në fillim të viteve ’60 punoi profesor i shkollave të mesme në Gjakovë dhe në Prishtinë, ndërsa më vonë gazetar dhe redaktor i politikës së jashtme në gazetën Rilindja.
Në vitin 1967 u zgjodh drejtor themelues i Institutit Albanologjik të Prishtinës. Më vonë u zgjodh prodekan dhe dekan i Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës.
Ishte themelues i Degës së Sociologjisë dhe të Filozofisë në Fakultetin Filozofik dhe i Institutit të Sociologjisë të këtij fakulteti. Ishte kryeredaktor i revistave Studia Humanistica dhe Thema.
Në vitin 1978 mori Shpërblimin e Dhjetorit për studimet e tij shkencore.
Më 1993 u zgjodh anëtar korrespondent, ndërsa më 1996 anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Akademik Fehmi Agani ishte bartës i shumë dekoratave, ndër të cilat edhe i Dekoratës Urdhri i Lartë Skënderbeg me të cilën e dekoroi presidenti i Shqipërisë dhe Urdhri i Lidhjes së Prizrenit me të cilën e ka dekoruar kryetari i Kosovës.
Fehmi Agani u vra afër Lipjanit nga forcat ushtarake e policore serbe më 6 maj 1999, shkruan KultPlus.
Më 6 maj 1999, Agani, së bashku me familjen e tij, tentoi të linte Kosovën me tren. Në kufirin me Maqedoninë, treni u kthye mbrapsht. Diku afër Fushë Kosovës, policia ndaloi trenin dhe urdhëroi të zbrisnin të gjithë. Dëshmi të ndryshme të botuara në shtyp thonë se Agani u mor ose në një autobus së bashku me burra të tjerë shqiptarë, ose i vetëm me policët brenda një makine private.
Kufoma e tij u gjend të nesërmen buzë një rruge gjithë baltë, pranë Lipjanit. Qeveria serbe ngriti pretendimin se Agani është vrarë nga UÇK-ja, në mënyrë që ta pengonin të luante rolin e negociatorit midis Rugovës e qeverisë serbe. / KultPlus.com