Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka caktuar 29 majin si Ditën Ndërkombëtare të Paqeruajtësve të OKB-së.
Kjo ditë ka për qëllim të nderojë paqeruajtësit që kanë humbur jetën për kauzën e paqes, si dhe nderimin e gjithë burrave e grave, të cilët vazhdojnë shërbimin në operacionet e OKB-së me profesionalizëm të lartë, përkushtimin dhe kurajo.
Që nga themelimi i misionit paqeruajtës në vitin 1948, rreth 3200 ushtarë, policë dhe staf civilë, kanë humbur jetën në shërbim të paqes, si pasojë e aksidenteve, dhunës, apo sëmundjeve të ndryshme në disa vende. Kjo ditë përdoret për të forcuar lidhjet mes paqeruajtësve dhe komunitetit ku ata shërbejnë. /KultPlus.com
Winston Leonard Spencer-Churchill (1874-1965) ishte kryeministër i Britanisë së Madhe, në momentet më të rënda gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ishte oficer, por njihet si historian dhe një nga oratorët më të njohur në histori. Më 1953 fiton Nobelin për Letërsi, “për mjeshtërinë e tij të përshkrimeve historike dhe biografike, si dhe për oratorinë brilante në mbrojtje të vlerave njerëzore”. Më poshtë mund të lexoni 30 thënie të tij.
Thënie të njohura nga Winston Leonard Spencer-Churchill:
• Shakaja është një gjë shumë serioze!
• Gënjeshtra ka shkuar deri në gjysmë të botës, përpara se e vërteta të ketë mbathur pantallonat!
• Njeriu bën çfarë duhet bërë – pavarësisht pasojave personale, pavarësisht pengesave, rreziqeve dhe presioneve – dhe kjo është baza e gjithë moralit njerëzor.
• Një pesimist shikon vështirësi në çdo mundësi; një optimist shikon mundësi në çdo vështirësi.
• Politikani ka aftësinë të parathotë se çfarë do të ndodhë nesër, javën tjetër, muajin tjetër dhe vitin tjetër. Dhe, e ka aftësinë pastaj të shpjegojë pse të parathënat nuk ndodhën!
• I burgosuri i luftës është një njeri që përpiqet të të vrasë ty dhe pastaj të kërkon ty të mos e vrasësh atë!
• Edhe pse unë jam krejt i kënaqur me eksplozivet ekzistuese, e ndjej se nuk duhet të ecim në drejtim të përmirësimit të tyre.
• Ndonëse isha i përgatitur për martirizim, parapëlqeva ta lë për më vonë!
• Paqebërësi është ai që përpiqet ta ushqejë krokodilin, duke shpresuar se ai do ta hajë atë të fundit!
• Sjellja është një gjë e vogël që përbën një ndryshim të madh!
• Betejat janë fituar me masakra dhe manovra. Gjenerali i madh, sa më shumë që i jep përparësi manovrës, aq më pak lë vend për masakrën!
• Trimëria me të drejtë është vlerësuar si cilësia e parë njerëzore… sepse ajo është cilësia që i garanton të tjerat!
• Kritika mund të mos jetë e pranueshme, por është e nevojshme. Ajo përmbush të njëjtin funksion që ka dhimbja në trupin njerëzor. Ajo tërheq vëmendjen ndaj gjendjes jo të shëndoshë të gjërave!
• Vështirësitë e mposhtura janë mundësi të fituara!
• Mos lë hapësira të mëdha për një botë të re, kënaqi energjitë tua së shpëtuari çfarë ka mbetur nga e vjetra!
• Ngrënia e fjalëve nuk m’i ka bërë asnjëherë keq tretjes!
• Çdokush e ka ditën e tij dhe disa ditë zgjatin më shumë se të tjerat!
• Sa për mua, mendoj se do të ishte shumë më mirë për të gjitha palët t’ia lëmë të shkuarën historisë, sidomos përderisa kam qëllim ta shkruaj historinë vet!
• I madh dhe i mirë janë rrallë i njëjti njeri!
• Ai i ka të gjitha virtytet që nuk më pëlqejnë dhe nuk e ka asnjë nga veset që unë i admiroj!
• Qytetarët e shëndoshë janë pasuria më e madhe që mund të ketë çdo vend!
• Historinë e shkruajnë fitimtarët!
• Sado e bukur të jetë strategjia, unë herë pas here vështroj rezultatet!
• Unë gjithmonë shmang dhënien paraprake të profecive, sepse është shumë më mirë të profetizosh pasi një zhvillim ka ndodhur tashmë!
• Jam gjithnjë gati të mësoj sado që asnjëherë nuk më pëlqen të më japin mësim!
• Sigurisht që nuk jam një nga ata që kanë nevojë të më nxitin. Në fakt, nëse diçka jam, atëherë jam vetë nxitja!
• Unë kënaqem lehtë me të bukurën!
• Perandoritë e së ardhmes janë perandori të mendjes!
• Nuk kam ndërmend të kem të bëj më me politikën ose politikanët. Kur kjo luftë të mbarojë, unë do të merrem vetëm me shkrime dhe pikturë! / KultPlus.com
Filmi “Tori and Lokita” në të cilin luan aktori nga Kosova, Alban Ukaj, ka triumfuar me një çmim në edicionin e 75-të të Filmit të Kanës, shkruan KultPlus.
Dardennet me “Tori and Lokita” marrin Çmimin Special të edicionit jubilar.
Tori dhe Lokita” është një tregim në stilin e vëllezërve Dardenne, social dhe të angazhuar në shoqëri, për dy fëmijë, afrikanë, që kërkojnë letra në Belgjikë.
Kjo është hera e dytë që Albani shkon në Kanë me vëllezërit Dardenne. Ai mori pjesë për herë të parë në Festivalin e 61-të të Filmit në Kanë në vitin 2008 me filmin e tyre “Lorna’s Silence”.
Festivali më i madh i filmit në botë do të zhvillohet nga 17 deri më 28 maj./ KultPlus.com
Turneut të CS:GO i organizuar në kuadër të XP GAME FEST, nga XportalEsports me partnerë, në sheshin Zahir Pajaziti në Prishtinë ka përfunduar pas super takimeve që janë zhvilluar për dy ditë përballë publikut, shkruan KultPlus.
Ekipi nga Maqedonia, BlueJays kapi çmimin e 5 mijë eurove, duke triumfuar në finale ndaj ekipit shqiptar, BLINK.
Ndeshja finale ishte shumë interesante, dhe plot me emocione para publikut, lojtarët e të dyja ekipeve treguan një ndeshje fantastike në skenën e XP GAME FEST, CSGO CHAMPS.
Kjo është renditja dhe çmimet e katër vendeve të para në turneun e CS:GO të XP GAME FEST 2022:
1.BlueJays – 5.000 euro 2.BLINK – 2.000 euro 3/4. Illyrians – 500 euro 3/4. XTEAM – 500 euro /KultPlus.com
Cili zë vjen mbi tingullin e valëve Që nuk është zëri i detit? Është zëri i dikujt që na flet, Po, nëse nderim veshin, hesht, Pikërisht sepse zumë të përgjonim.
E vetëm nëse, gjysmë të përgjumur, Dëgjojmë pa e ditur që dëgjojmë, Ai na flet për shpresën Drejt së cilës, si një fëmijë Që fle, duke fjetur buzëqeshim.
Janë ishuj fatlumë, Janë toka që nuk kanë vend, Ku Mbreti jeton duke pritur. Por, nëse atje shkojmë duke u zgjuar, Hesht zëri; dhe mbetet vetëm deti.
Për herë të parë në shtetet e Ballkanit Perëndimor është organizuar Java e Ekonomisë Qarkore nga LogEx Community – iniciativë e organizatës The Balkan Forum, komunitet ky i përbërë nga partneriteti mes 8 universiteteve, shoqërisë civile dhe akterëve biznesorë nga të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Në kuadër të Javës së Ekonomisë Qarkore, konferenca hapëse e titulluar “Circular Economy: a way forward” (në shqip Ekonomia Qarkore: një rrugë përpara), është zhvilluar në Kolegjin Universum me rreth 70 pjesëmarrës prej shteteve të Ballkanit dhe Bashkimit Evropian.
Gjatë kësaj konference janë mbajtur dy panele diskutimi me fokus të veçantë në zbatimin e praktikave të ekonomisë qarkore në shtetet e Ballkanit dhe fuqizimin e rregulloreve në kuadër të kësaj fushe.
Ndërkohë, në Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi, Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë, janë zhvilluar ngjarje të tjera duke përfshirë punëtori me fëmijë, webinars dhe podcasts.
Qëllimi i kësaj Jave është të filloj një dialog dhe fushatë rajonale në orientimin e politikave publike por edhe modeleve të biznesit në kompani të ndryshme drejt ekonomisë qarkore, si e ardhmja e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të rajonit tonë. Më konkretisht, gjatë këtyre aktiviteteve janë promovuar praktikat e mira në ekonomi qarkore si riciklimi, ripërdorimi dhe riprodhimi. LogEx Community do të vazhdoj të kontribuoj në këtë çështje dhe kjo javë do të kthehet në një organizim tradicional në shtetet e Ballkanit Perëndimor. Antarët e LogEx Community janë The Balkan Forum dhe Kolegji Universum në Kosovë, Build Green Group në Shqipëri, CIVIL në Maqedoni të Veriut, CENER21 dhe COD Jajce në Bosnjë dhe Hercegovinë, Youth Initiative for Human Rights në Serbi dhe ZIP ADP në Mal të Zi, si dhe akademiket Dr Ivana Lozanovska në Gjermani dhe Dr Sanda Midžić-Kurtagić në Bosnje dhe Hercegovinë
Vet bota është një vepër arti, nganjëherë na duket si ëndërr ose si poemë, ose si tym i ngjyrosur para syve tanë. “Bunarin”, e shohim si shpresë jete, ujë, gëzim, hidhërim, shmangim vështrimin nga vetja, ngjyrosemi me ujin i cili paraprin dhe vulos çastet jetësore. Intsalacioni i artistit dhe pedagogut Adem Rusinovci mu në hyrje të Galerisë së Fakultetit të Arteve, në mes të hapësirës, shëmbëllen me optikën e përsosur nën shpërndarjen e dritës si mjet loje, ideo-estetike që rrezet krijojnë çdo detaj të bunarit- katrorë i lyer me një të zezë të fortë, dramatike, pra ngritë hipotezën se forca e jetës është ky katërkëndësh nën këtë shkëlqim artistik. Ky intalacion filozofik që bën bashkë shkencën dhe artin krijon mendimin e kthimit se të jetosh më shumë ka rëndësi se të vdesësh, ose si të jetosh duke lundruar mbi dallgët e jetës sfiduese, duke mbijetuar brenda një kaosi jetësor. Kjo ide konceptuale e Rusinovcit ngritë shumë pyetje dhe vet vizitori brenda imagjinatës mund t’ia vë pikën kuptimit ose ta vazhdon më tutje konceptin. Kjo vepër aq sa është e të gjithëve aq është edhe personale sepse shumë shpejt mishërohesh me të.
Sipër të varura në tavanin e bardh qëndronin qindra monedha një euro. Ato pluskojnë si shiu, mund edhe të ndjesh fjollat e borës, ose ai uji i bunarit nga i cili është nxjerë mbijetesa u shndërrua në monedha minimaliste. Këto intsalime bashkëkohore, të punuara nga dora e artistit sikur tentojnë të fluruojnë mbi kokat tona. Edhe sikur tentojmë të shkundim këtë hapësirë prapë nuk do mund t’ia dalim, sepse monedhat prapë do nxjerën dhe do thellojnë simbolikën e imagjinatës shekullore njerëzore.
Përballë kësaj vepre domëthënëse në mur, nën këmbë sheh hijet dhe ndjen dimensionin e këtër të këtij arti për të cilin askush nuk shkruan ndonjë fjalë. Materia, forma, drita dhe hija, shprehin majat ekzistuese dhe estetike të këtij punimi.
Kova e kuqe e kthyer mbrapshtë sikur ka kryer misionin e saj dhe ka derdhur monedha në vend të ujit, ka krijuar një oazë dëshirësh njerëzore, qëndron dhe me forcë mbërthen thellë brenda në atë që është poshtë në bunar. Kova nxjerr ujë, ujë të pastër ose ujë të turbullt, kova mund të nxjerr edhe ari, por asgjë nuk mund të mbushet më shumë se aq sa ka hapësirë kova e kuqe. Me këtë kovë shuajmë etjen fizike dhe mendore, por atë e skuqim dhe e skuqim nga vet njeriu. Bunari është art, por në shpirt është art realist ndërsa si kompozicion është art estetik.
Bunari – lidhja me jetën. Gjatë kuadrimit ose leximit në tërësi të imazhit dhe idesë para imazhit, konsktruktojmë në mendje vullnetin për të vërteten diçka që na shtyn dhe na ndez, diçka që krejt qenien tonë e bën të mundshme dhe vet njeriu dëshiron që krejt qenien e tij ta bëj të mundshme dhe lidh ujin me jeten ose jeta nën shërbim të ujit ekzistues. Kështu e do vullneti jonë dhe vërtetë vepra ngacmon ndërgjegjen dhe krijon pasqyron ndaj jetës sonë të përjetshme si hipotezë.
Bunari – lidhja me historinë. Gjatë luftës së fundit, por edhe luftrave më të hershme, në bunare hidheshin kufomat njerëzore, kryheshin vrasje më makabre. Edhe në botë, kriminelët për të elemeniuar gjurmët e krimit, viktimën e hidhin në greminën e bunarit. Aksidentalisht binin edhe kafshët e pafajshme. Shumë skenar filmi si material e përdornin bunarin për mbulesë të fajësisë. Ka edhe tekste letrare dhe këngë që përmendet bunari, por lidhet edhe me dashurinë.
Përmbyllja
Kjo vepër rezulton me optikën e saj drejt ndjenjave njerëzore, aq sa duket e natyrshme aq më shumë rritet ana artistike. Mund të vështrosh dhe të hulumtosh, ose të ngritësh hipoteza mbi strukturën dhe thellësinë e veprës. “Bunari” është i kohës, mund të kthehet edhe prapa në kohë, por i mbijeton çdo kohe sepse në vete ngërthen ndjenja dhe shpirt artistik. /KultPlus.com
Shitjet e mbrëmjes së artit të Christie’s të shekullit 20/21 në Hong Kong, e cila u zhvillua më 26 maj, mblodhi mbi 180 milionë dollarë, me rekorde të reja të vendosura për 11 artistë.
“Buste d’homme dans un cadre” (1969) i Pablo Picasso-s , nga pasuria e legjendës së ndjerë të aktrimit Sean Connery, ishte ndër pjesët kryesore të shitjeve.
Connery u bë një ikonë e filmit si James Bond i parë, duke e bërë këtë në të njëjtën dekadë kur u pikturua vepra.
E shfaqur në ankand për herë të parë, “Buste d’homme dans un cadre” është një pikturë nga periudha e vonë e artistit pionier. Ndërsa Stephane Connery, djali i aktorit, pohoi se Connery zakonisht preferonte veprat e mëparshme të Picasso-s, ai u tërhoq nga sipërfaqja impasto e veprës, korniza e pikturuar dhe ‘fuqia dhe liria shprehëse’ e saj.
Picasso u shit për 22.3 milionë dollarë, duke e bërë atë veprën e dytë më të shtrenjtë të artistit të shitur në Azi. Përfitimet e pjesshme nga shitja do të shkojnë për Fondin e Filantropisë Sean Connery. /KultPlus.com
Edhe pse në paraqitjet publike zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian nuk e përmendin shpesh sikurse në të kaluarën, por përballja me të kaluarën, gjykimet e krimeve të luftës dhe bashkëpunimi rajonal midis ish-shteteve të Jugosllavisë në fushën e shkëmbimit të dëshmive, vazhdon të jetë një prej kritereve në procesin e integrimit në bllok.
BE-ja vazhdon të kërkojë nga vendet e rajonit që të kenë bashkëpunim të plotë me Mekanizmin Ndërkombëtar për Gjykatat Penale, që ka marrë përsipër çështjet e papërfunduara nga Tribunali i Hagës për krimet e luftës në territorin e ish-Jugosllavisë.
Përveç kësaj, blloku evropian kërkon nga gjykatat vendore që të punojnë në dënimin e krimeve të luftës në mënyrë ë të mos ketë ndjenjë të pandëshkueshmërisë. Në rastin e Kosovës, kërkohet bashkëpunimi i autoriteteve dhe Dhomat e Specializuara, me seli në Hagë të Holandës.
Por, përkundër thirrjeve të BE-së, progresi në këtë drejtim, siç thanë zyrtarët në Bruksel, “nuk ka qenë në nivelin e duhur”. Veçmas, sipas tyre, ka ngecje në bashkëpunim mes vendeve të rajonit në shkëmbimin e të dhënave dhe bartjen e rasteve. Ndërsa, tani është shfaqur edhe problemi i konfliktit të juridiksionit, sidomos në rastin e Serbisë.
Për shtetet fqinje të Serbisë, e sidomos për Kroacinë e cila prej vitit 2013 është anëtare e BE-së, është i papranueshëm i ashtuquajturi “juridiksioni universal” që Serbia e ka në ligjet e saj. Ky juridiksion i mundëson Beogradit që të gjykojë rastet e krimeve të luftës që dyshohet se kanë ndodhur edhe jashtë territorit të saj edhe ndaj njerëzve që nuk janë qytetarë të Serbisë.
Ky problem është rishfaqur ditëve të fundit me paralajmërimet e Serbisë se do të ngrehë aktakuzë ndaj katër ish-pilotëve të ushtrisë kroate, nën dyshimet se kanë kryer krime lufte në territorin e Bosnjë e Hercegovinës, duke sulmuar një kolonë të refugjatëve me etni serbe. Këto paralajmërime kanë rritur tensionet midis dy vendeve, teksa kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq, e ka quajtur këtë njoftim si “hap prapa në procesin e pajtimit”.
Pa përmbushjen e kushteve kalimtare nga ky kapitull, Serbia nuk mund të mbyll asnjë kapitull tjetër në procesin e bisedimeve për anëtarësim në BE.
Burimet në BE i thanë Radios Evropa e Lirë se “ka një nivel të bashkëpunimit, por ai gjithsesi duhet të rritet”. Edhe në dokumentet e bllokut, sikurse në atë për përmbushjen e kritereve nga Serbia në kapitullin 23, përmenden disa raste të bashkëpunimit që kanë dhënë rezultat, siç është transferimi i disa rasteve nga gjykatat në Bosnjë e Hercegovinë në ato në Serbi. Por, në të njëjtat dokumente thuhet se “bashkëpunimi midis Serbisë dhe Kroacisë nuk ka dhënë rezultate të prekshme”.
Serbia, sipas një dokumenti të brendshëm të Komisionit Evropian që është përgatitur për vendet anëtare lidhur me diskutimin për kapitullin 23 në negociatat për anëtarësim, ka marrë disa vërejtje sa i përket qasjes ndaj krimeve të luftës.
Në dokument konstatohet se në Serbi nga niveli i lartë politik vazhdohet me glorifikimin e kriminelëve të dënuar të luftës, dhe po të njëjtëve u jepet hapësirë publike dhe rol politik. Po ashtu thuhet se në nivel të lartë po ashtu vazhdohet të vihen në dyshim vendimet për krime lufte të gjykatave, relativizohen krimet e luftës dhe vazhdon të mohohet gjenocidi në Srebrenicë të Bosnjë e Hercegovinës.
Serbia po ashtu nuk ka bashkëpunim të plotë me mekanizmin që ka marrë përsipër rastet e ish-Tribunalit të Hagës. Konkretisht, Serbia nuk ka ekstraduar pranë këtij mekanizmi persona që akuzohet për mosrespektim të drejtësisë dhe rrezikim të dëshmitarëve.
Sheshel ftohet që të dëshmojë në Hagë
Zyrtarët e BE-së, që kërkuan të mbesin anonimin, thanë se gjykimi i krimeve të luftës, pa dallim se të cilës përkatësi etnike ishin kryesit apo viktimat, është i domosdoshëm edhe për procesin e pajtimit në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Sipas tyre, ky pajtim është i domosdoshëm për të përshpejtuar edhe rrugën drejt integrimit në BE.
Ish-presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ka vdekur, shkruan KultPlus.
Për këtë ka reaguar edhe presidentja Vjosa Osmani, e cila është shprehur thellësisht e pikëlluar për këtë lajm.
“Presidenti Bujar Nishani ishte model i atdhetarit të pashoq, i cili përfaqësoi Shqipërinë me dinjitet të lartë dhe përkrahu Kosovën parreshtur, deri në frymën e fundit. Ai një jetë të tërë ia kushtoi Shqipërisë dhe shqiptarëve, duke qenë shembull i politikanit racional e me integritet. Në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, i shpreh ngushëllime familjes Nishani si dhe miqve e bashkëpunëtorëve! Shpirti i Presidentit Nishani pushoftë në paqe!”, shkruan Osmani. /KultPlus.com
Ish-presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ka vdekur, shkruan KultPlus.
Për këtë ka reaguar edhe kryeministri Albin Kurti, i cili është shprehur thellësisht i pikëlluar për këtë lajm.
Postimi i tij i plotë:
“Jam thellësisht i pikëlluar nga lajmi për ndarjen nga jeta të ish Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani.
Do të kujtohet për kontributin e tij në karrierën profesionale si ushtarak e pedagog, deputet e ministër.
Gjatë mandatit të tij si President i Republikës së Shqipërisë, me maturi e urtësi politike punoi për shtetin modern shqiptar.
Me vetëdije të lartë kombëtare u angazhua në intensifikimin e marrëdhënieve vëllazërore mes Shqipërisë e Kosovës, dha mbështetje të pakursyer për Republikën e Kosovës dhe bashkatdhetarët tonë kudo.
I jam mirënjohës për dhënien e shtetësisë shqiptare gjatë mandatit të tij.
Në këto ditë të vështira për familjen, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta zonjës Odeta për humbjen e bashkëshortit, Ersit dhe Fionës për babain, dhe mbarë kombit shqiptar për Presidentin e shtetit tonë amë”, shkruan Kurti. /KultPlus.com
Kasti i ri dhe i vjetër rikthehen për më shumë fatkeqësi të dinosaurëve në “Jurassic World Dominion”, në një dalje përfundimtare që përfundon trilogjinë e dytë të filmave në ekskluzivitetin popullor, transmeton KultPlus.
Filmi zhvillohet katër vjet pas shkatërrimit të ishullit të largët të Isla Nubar dhe dinosaurët enden në të gjithë botën, duke jetuar dhe gjuajtur mes njerëzve.
Aktorët e “Jurassic Park” Laura Dern dhe Sam Neill përsërisin rolet e tyre si paleobotaniste Dr. Ellie Sattler, tani një shkencëtare e tokës dhe ndryshimeve klimatike, dhe paleontologu Dr Alan Grant, duke u ribashkuar me shokun e tyre të filmit të vitit 1993 Jeff Goldblum, i cili luan matematikanin Dr Ian Malcolm. .
Filmi i sheh ata të bashkojnë forcat me sjelljen e kafshëve të Chris Pratt, Owen Grady dhe aktivisten e Bryce Dallas Howard, Claire Dearing, të cilët kanë drejtuar trilogjinë më të fundit të filmave “Jurassic World”.
“Të dy (Dern dhe Neill janë) miq të mrekullueshëm… dhe ndryshuan jetën time për shkak të njohjes së tyre për gjithë këto 30 vjet… Ne ishim në një film që tërhoqi vëmendjen e njerëzve dhe argëtoi njerëzit,” Goldblum, i cili u shfaq në “Jurassic World: Fallen Kingdom” i 2018-ës i tha Reuters në një ngjarje shtypi në Londër për filmin të premten.
“Dhe tani, për herë të parë, duke u ribashkuar në ekran dhe duke marrë një shans për të punuar së bashku në këto rrethana interesante me këtë kast të ri… çfarë një paradë dhe një sallatë kalliri me shokët e skuadrës me fat për mua.”
Filmi, i cili fillon shfaqjen e tij globale në kinema më 1 qershor, përmban shumë efekte vizuale mahnitëse që tregojnë dinozaurët që jetojnë përkrah njerëzve. Së shpejti, shfaqen kërcënime.
“Ajo për të cilën jam shumë mirënjohëse dhe pse u ndjeva i privilegjuar të kthehesha si Dr Ellie Sattler është se ka një mesazh mjedisor të rrënjosur thellë, siç ka e gjithë ekskluziviteti, sepse në fund të fundit ka të bëjë me lakminë e korporatave dhe zhdukjen e mëparshme,” tha Dern.
Howard, personazhi i të cilit ishte ish-menaxher i operacioneve në parkun tashmë të mbyllur të dinosaurëve në filmin e parë “Jurassic World”, tha se mbyllja e trilogjisë e cila filloi në 2015 ishte emocionale.
“Kam qarë shumë,” tha ajo.
“Ishin disa nga aktorët në fluturimin tim për në shtëpi, dhe ata u dërguan mesazh të gjithëve duke thënë: “Bryce qau gjithë 10 orët në shtëpi”. Unë jam si, ‘Unë e di’.”./ Kultplus.com
Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi sot me Titullin “Mjeshtër i Madh” piktorin dhe artistin e shquar, si dhe aktivistin e spikatur të shoqërisë civile, Avni Delvina: “Me mirënjohje ndaj veprimtarisë dhe kontributeve të çmuara artistike si piktor i spikatur me vlera dhe merita intelektuale dhe atdhetare, si dhe për forcimin e lidhjeve të gjithanshme, veçanërisht kulturore mes Shqipërisë dhe Italisë.
Në vlerësim të punës së palodhur për ruajtjen dhe pasurimin e trashëgimisë kulturore shqiptare, si dhe për angazhimin e tij të vyer në radhët e shoqërisë civile, rreth çështjeve me ndjeshmëri të lartë dhe jetike për qytetarët shqiptarë dhe demokracinë tonë”
Duke i drejtuar mjeshtrit Delvina, familjarëve, artistëve të shumtë, personaliteteve të artit e kulturës si dhe aktivistëve të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, Presidenti Meta u shpreh se, “Avni Delvina, është një nga pasardhësit e familjes së madhe të Sulejman Delvinës, Shefqet Delvinës dhe të Avni Bej Delvinës, familje me vlera të shquara patriotike, që ka kontribuar në mbrojtjen e trojeve tona kombëtare dhe të interesave kombëtare, duke u vendosur gjithmonë në shërbim të kauzave më të rëndësishme të vendit dhe kombit”.
“Avni Delvina kishte mbi supe këtë trashëgimi të rëndësishme dhe natyrisht nuk mund të ishte ndryshe nga paraardhësit e tij. Edhe pse filloi të pikturojë në një moshë jo fare të re, talenti dhe kontributi i tij ishin të dukshëm, dhe bënë që në vitin 1989, të pranohej Kandidat i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë”, tha Meta.
“Avni Delvina mori pjesë në ekspozita të ndryshme kombëtare, ku krijoi lidhje e bashkëpunime me piktorë të ndryshëm të asaj kohe, si Adrian Devoli, Mustafa Arapie shumë të tjerë, bashkëpunime të cilat vazhdojnë edhe sot. I etur për liri e demokraci, në 2 korrik 1990, Avni Delvina ishte ndër ata që vendosi të largohej nga Shqipëria, për t’u vendosur në Itali së bashku me familjen e tij. Iu deshën vetëm pak muaj, pas vendosjes në Itali, që të hapte ekspozitën e tij të parë në Bolonja. Jehona e kësaj ekspozite ishte shumë e madhe dhe bëri që ajo të pasohej edhe nga shumë ekspozita të tjera, ku piktori Delvina u vlerësua edhe nga kritikë të njohur italianë”, tha Delvina.
“Një prej tyre ishte Paolo Zauli, i cili i impresionuar nga veprat dhe krijimtaria e piktorit, hapi një ekspozitë personale, me punime të ndryshme të Avni Delvinës, në galerinë e tij me famë në të gjithë Italinë. Pasioni për t’u shprehur me anë të pikturës dhe të ngjyrave, si dhe ndjenjat e forta që përcjellin veprat e tij, kanë bërë që Avni Delvina të vlerësohej me çmime të ndryshme ndërkombëtare”, theksoi Meta.
“Ndërkohë që në Romë, në një nga kryeqytetet më të rëndësishme të botës, piktori Delvina u vlerësua me çmimin Leonardo i Artë, për pikturën dhe peizazhet e tij, të sjella në një formë ndryshe të artit, jo në atë klasike. Vittorio Sgarbi, kritiku i njohur i artit, analist dhe drejtues i shumë emisioneve në Itali, është gjithashtu, një ndër personalitet, që ka vlerësuar punën e Avni Delvinës, dhe ka në koleksion grafikën e tij”, tha Meta.
“Subjektet e krijimtarisë së Delvinës, i kaluan kufijtë evropianë, me ekspozitën e tij ‘The Donald’, e cila iu dedikua Presidentit të Shteteve të Bashkuara në atë kohë, Donald Trump. Kjo ekspozitë, e çelur në Muzeun Historik Kombëtar, ishte unike për nga natyra dhe konceptimi, dhe u bë një lajm në shumë media ndërkombëtare”, shtoi Meta.
“Masivizimi i rrjeteve sociale frymëzoi artistin Delvina, që të nisë një formë të re të shprehjes së artit, atë të grafikës digjitale. Kjo lloj grafike është komunikimi i përditshëm i piktorit Delvina, i cili nëpërmjet qindra punimeve shpreh zërin e tij kritik, kundër padrejtësive dhe abuzimeve me pushtetin”, tha Meta./atsh/ KultPlus.com
Bujar Nishani u betua si president i Shqipërisë më 24 korrik 2012 në moshën 47 vjeçare. Ai mbante pozitën e Ministrit të Brendshëm kur e mori pozitën e të shefit të shtetit shqiptar. Në Shqipërinë postkomuniste, Nishani ishte presidenti i pestë. Ai vdiq sot në moshën 57 vjeçare pas komplikimeve shëndetësore në një spital në Gjermani shkruan Gazeta Express.
Bujar Nishani ka lindur në Durrës më 29 shtator 1964, kurse ka diplomuar në Akademinë Ushtarake “Skenderbej” në Tiranë kurse studimet pasuniversitare në Shtetet e Bashkuara në Shkollën Postdiplomatike të Marinës për “Menaxhimin e Resurseve të Mbrojtjes”. Ai poashtu kishte diplomuar edhe në Fakultetin e Drejtësisë në vitin 2004.
Bujar Nishani u bë pjesë e Partisë Demokratike të Shqipërisë në vitin 1991 dhe ka mbajtur disa pozita të larta shtetërore.
Nishani ka qenë deputet i Parlamentit e më pas ka ushtruar funksionin e ministrit të Drejtësisë dhe ministrit të Brendshëm, pozitë të cilën e kishte mbajtur deri më 24 korrik 2012 kur edhe ishte zgjedhur President i Shqipërisë.
Nishani shërbeu si i pari i shtetit shqiptar nga 24 korriku 2012 deri më 24 korrik të vitit 2017.
Ai u zgjodh president i Shqipërisë me 73 votat e shumicës në Parlament.
Vizitën e parë jashtë shtetit si president Nishani e kishte realizuar në Kosovë. Ai ishte shpallur qytetar nderi i qytetit të Prizrenit dhe Drenasit./ KultPlus.com
Rrëfimet e Hasan Kastratit, Jeton Radoniqit, Pajazit Jasharit, Sabri Novosellës, Teki Dervishit, Fadil Bajraktarit, Basri Ibrahimit, Masar Shportës, Rrahim Ramës, Ali Aliut dhe Ibrahim Kryeziut, për burgun e Goli Otokut në Kroaci, janë jetësuar përbrenda librit “Hije të shtrembëruara” që u promovua dje në ditën e dytë të festivalit “Mirëdita, dobar dan!”, në hapësirën “Miljenko Dereta” të Beogradit. Nëpërmjet këtij promovimi si dhe debatit “E kaluara para së kaluarës: Goli Otoku”, vëmendjen e morën gjithsej njëmbëdhjetë rrëfime të veçanta që në thelb janë sa drithëruese aq edhe të dhimbshme, shkruan KultPlus.
“Hije të Shtrembëruara” sjell rrëfimin e shqiptarëve të Kosovës që ishin burgosur për bindjet e tyre politike, por këto besime nuk kishin të bënin fare me Bashkimin Sovjetik apo me një armik të jashtëm. Rezistenca e tyre politike ishte kundër trajtimit të padrejtë që iu nënshtruan shqiptarëve brenda federatës jugosllave.
Rrëfimet që rrëfejnë ish të burgosurit politikë në këtë libër i përkasin një periudhe të shumë ngjarjeve të rëndësishme që mbeten të dokumentuara dobët, sepse rrëfimi u shkatërrua nga lufta e vitit 1999.
Misioni i këtij libri është që të shndërrohet në një burim përmes të cilit këtyre njerëzve u tregohet se përvojat dhe historitë e tyre përbëjnë momente të rëndësishme në historinë.
“Hijet e shtrembëruara” është një libër kujtimi i historive të ish të burgosurve politikë në Goli Otok. Dy nga historitë janë rrëfyer nga miqtë dhe të afërmit. Rrëfimet u mblodhën duke përdorur metodën e historisë gojore për t’u siguruar një qasje më intime përvojave të të intervistuarve që ishin të burgosur në Goli Otok dhe për të hedhur dritë mbi përvojat dalluese të të burgosurve politikë shqiptarë.
Goli Otok është një ishull i pabanuar në Kroaci. Ndërmjet viteve 1949 dhe 1988, ai funksionoi si qendër paraburgimi dhe kamp pune. Në fillim, ishte një burg i sigurisë së lartë për disidentët politikë nga ish-Jugosllavia, të cilët akuzoheshin për ide dhe besime pro-sovjetike. Më vonë, pas vitit 1956, ai u bë një institucion korrektues të të rinjve. Gjatë ekzistencës së tij si burg politik (1949-1956), të dhënat tregojnë se në Goli Otok kanë kaluar mbi 16.000 të burgosur. Mbi 400 prej këtyre të burgosurve vdiqën gjatë vuajtjes së dënimit për shkak të torturave, punës së rëndë dhe kushteve brutale në burg në përgjithësi, dhe për shkak të vetëvrasjes.
Tregimet që janë në këtë libër janë histori të vështirësive dhe torturave, por edhe rrëfime të rezistencës dhe solidaritetit të veprimtarëve politikë nga Kosova, të cilët kaluan ditë e netë në izolim, në punë të rënda duke shtypur gurë ose duke bërë tjegulla, dhe gjithashtu, duke punuar si marangoz, rrobaqepës, ekonomistë dhe mësues.
Në panel për të promovuar dhe diskutuar rreth këtij libri të pranishëm ishin: historiania Olga Manojlović, redaktorja e librit Aurela Kadriu, Korab Krasniqi nga Forumi i Kosovës ZDF si dhe gazetarja Antonela Riha e cila ishte edhe në rolin e moderatores.
Fillimisht, redaktorja e librit, Aurela Kadriu nisi diskutimin rreth rrëfimeve që përbëjnë këtë libër.
“Kur e lexoni librin keni për të parë se rrëfimet e tregojnë kompleksitetin e zërave të shqiptarëve të Kosovës. Goli Otoku është një rrëfim i madh, një narrativë e gjatë dhe përvoja e shqiptarëve në Goli Otok është e veçantë. Brenda këtij grupi të shqiptarëve që kanë qenë të burgosur në ‘Goli Otok’, ka storje të ndryshme të mënyrave se si ata janë futur atje dhe unë mendoj se ky libër përpos që shërben si dije mbi përvojën e shqiptarëve në Goli Otok, shërben si dije edhe mbi përvojën e shqiptarëve të burgosur prej vjetësh në përgjithësi, për shkak se rrëfimet që janë këtu, nuk janë të izoluara”, thotë Kadriu.
Sipas saj, shqiptarët në këtë burg janë arrestuar për bindjet e tyre.
“Kur në Serbi ka qenë prezent Goli Otoku në diskurset publike, për shkak të narratives që ka interes shtetëror për t’u zotëruar, në Kosovë ka shkuar diku u margjinalizuar për shkak se ka pasur shumë përvoja të ndryshme në burgje të ndryshme në një periudhë pas luftës së dytë botërore deri në 99-tën. Nëse i lexoni këto rrëfime e shihni që shumica prej tyre nuk kanë qenë vetëm në Goli Otok, kanë migruar nga burgu në burg. Goli Otoku nuk ka marrë pozitë qendrore për shkak se të gjithë individët që kanë qenë të burgosur politik, kanë pasur rrëfim më të ngjyrosur”, thotë ajo.
Për Kadriun, dëshira e kosovarëve për bashkim me Shqipërinë ka qenë pjesë e rëndësishme si katalizator i lëvizjes për çlirim ose për përmirësim të situatës së shqiptarëve përbrenda Jugosllavisë.
“Nuk mendoj që rreziku për dokumentim është aq i menjëhershëm por sot e shoh si punë që bëhet prej vullnetit sepse është e rëndësishme të shihet se çfarë ka ndodhur në Kosovë në këto dekada të pas-luftës. Pra, janë rrënuar gjurmët e kujtesës”, thotë ajo.
“E kemi shumë të vështirë që të kapemi pas institucioneve, edhe ne edhe shoqëria serbe. Si hulumtues të rinj, duhemi të çlirohemi nga ideja se duhet që patjetër të punohet me institucione, sado që do të ishte e rëndësishme apo ideale.”
Ndërsa, Korab Krasniqi nga Forumi i Kosovës ZDF, ka folur rreth asaj se çfarë e bënë këtë burg kaq interesant.
“Ky libër është njëfarë lloj testamenti apo dokumenti historik i cili i shërben kulturës kolektive në Kosovë por jo vetëm. Duke pasur parasysh që ‘Goli Otok’ si burg nuk ka mbajtur vetëm shqiptarë por edhe të burgosur apo disidentë politik nga rajone të ndryshme të ish-Jugosllavisë. Çka e bënë burgun interesant është se si burgu në të cilën janë mbajtur disidentët, është një lloj paranoje që ka ekzistuar në Jugosllavi në atë kohë, duke pasur parasysh tensionet e ngritura mes Titos dhe Stalinit. Andaj, burgu i Goli Otok-ut vjen si përgjigje nga kjo, sepse mendohet që në atë kohë, fryma e komunizmit stalinist akoma po dominonte në hapësirat e jugo-sferës, dhe së shpejti këto grupacione do të paraqitnin kërcënim serioz ndaj institucioneve në shtetet e asaj kohe”, thotë Krasniqi.
Sipas tij, ai e sheh këtë burg si një sinonim të një lloj paranoje ku shteti vendos në funksion mekanizma të dhunshëm, të mbylljes, të punës së dhunshme, për ti mbajtur nën ‘kontroll’ këto grupacione që janë parë si kërcënim për këtë vend.
“Hulumtimi serioz nuk duhet të jetë selektiv në kuptimin e asaj se mund të zgjedhim se çfarë hulumtojmë dhe mund të zgjedhim çfarë duam të tregojmë. Mendoj se të gjitha këto copëzat e vogla narrative e përbëjnë atë peizazhin e përgjithshëm të historisë dhe i kontribuon në njëfarë mënyre, kultivimit të shkrimit të historisë në një mënyrë që nuk është e drejtuar nga politikat e ndryshme të cilat ekzistojnë në vendet në rajon. Këtë libër po ashtu e shoh si një lloj monumenti sepse rrëfimet për përvojat e të burgosurve politik përgjithësisht, janë të vendosura në margjina por po ashtu nuk janë të shpërfaqura në atë mënyrë që shoqëria mund t’i mësonte ato. Andaj, si i tillë ky libër na rikujton neve një pjesë të historisë të shqiptarëve por edhe të grupeve të tjera të Jugosllavisë që janë parë si kërcënim ideologjik. Libri fokusohet në rrëfimet e shqiptarëve por edhe ndërton një pikturë të natyrës së jetës që është bërë në burgje”, thotë ai.
Ai tutje theksoi se Kosova ka përjetuar një tranzicion të modernizmit, qoftë atë shtetëror apo kulturor, por në anën tjetër ka ekzistuar ana e errët e medaljes që sipas tij ka ardhur me një përpjekje të vazhdueshme për zhveshjen e ideve përbrenda Jugosllavisë, me ç’rast janë krijuar pakënaqësitë e ndryshme.
“Në momentin që “Kosova është Republikë” është përdorur si slogan, personat e tillë janë mbajtur si disidentë, si persona të cilët kanë bindje ideologjike, separatiste. Duke ekzistuar muri hermetik ndërmjet shqiptarëve të Kosovës dhe shqiptarëve të Shqipërisë, ka ekzistuar po ashtu një lloj hamendje në dy anët e shqiptarëve për njëri-tjetrin”, shpalos ai.
Krasniqi po ashtu ka përmendur edhe punën hulumtuese që sipas tij krijon më shumë dokumentim.
“Mungesa e narrativëve pikërisht e mirëmban këtë uzurpimin e narrativit të luftës duke u bazuar në ngjarje të caktuara. Të dhëna ka shumë por nuk janë sistemuara fare. Akademia në kontekstin e punës dokumentuese, nuk ka bërë mjaftueshëm. Rreth 80% të të burgosurve në ish-Jugosllavi, kanë qenë shqiptarë. Kjo është ajo se çfarë mund të konfirmoj për sa i përket numrave. Në shoqatën e të burgosurve politik në Prishtinë, ekziston një arkiv e cila është duke u ndërtuar dhe në të cilën paraqiten të dhënat e ndryshme të të burgosurve. Kjo data-bazë është në ndërtim e sipër dhe tregon një pasqyrë se sa shqiptarë kanë qenë të burgosur nga viti 1951 e deri më 1999”, thotë Krasniqi.
“Këto pikë-takime qytetare, civile si kjo në “Mirëdita, dobar dan!”, të cilat sjellin rrëfime janë tejet të rëndësishme dhe janë për t’u shtyrë përpara. Unë i shoh këto si dokumente historike me të cilat grupe të ndryshme munden për t’u angazhuar me to, në mënyrë që e kaluara jonë të qartësohet dhe të bëhet si pasqyrë për neve.”
Po ashtu, historiania Olga Manojlović ka thënë se Goli Otoku është një çështje mjaft intriguese në kuadër të diskursit politik.
“Dualizmi i Goli Otokut ka qenë vendi për kampet kriminele e të gjitha burgjeve, e të burgosurve për çështjet politike dhe nga mesi i viteve të 60-ta. Kjo çështje ka hyrë edhe në projekte te ndryshme në kinematografi dhe po ashtu ka ekzistuar një vrull që si i tillë ka konsistuar në mosbesim. Periudha tjetër njihet si më e gjerë dhe e mjaftueshme për shkaqet që kanë qenë, në veçanti, në vitet e 80-ta dhe lëvizjen e të rinjve. Statuset e jugosllavëve dhe politikanëve, janë marigjalizuar në Beograd dhe në Kosovë kjo çështje është intriguese dhe ‘Goli Otoku’ është në diskursin politik dhe dimensionin publik”, thotë Manojlović.
Manojlović para të pranishmëve shtroi edhe pyetjen “Pse janë arrestuar, përse janë mbyllur dhe cilat kanë qenë idetë e tyre politike?”.
Në ndërkohë, gazetarja Antonela Riha përgjatë gjithë debatit “E kaluara para së kaluarës: Goli Otoku”, ka shtruar në tryezë mjaft pyetje interesante si: “Pse janë të rëndësishme për ju temat e të burgosurve dhe pse mësohet në shkollë rreth kësaj çështje në Kosovë?”, “Çfarë domethënie kanë pasur në ish-Jugosllavi, trishtimet e mëdha të të burgosurve, që janë përjetuar deri në vitet e 89-ta?”, “Çfarë identiteti ndërkombëtar ka pasur Goli Otoku?”, “Çfarë dimë për Goli Otokun në krahasim me burgjet e tjera?”, “Goli Otoku dhe rrëfimet e kosovarëve janë të rëndësishme për krijimin e identitetit kombëtar. A paraqet kjo ndonjë rrezik?”, “Në Kosovë tani merreni me burgjet, por si e shihni ju të kaluarën?”, si dhe shumë tjera të cilat krijuan një diskutim mjaft interesant në panel.
Ajo po ashtu nuk la pa përmendur edhe parullën “Serbinë mund ta ndash nga jeta, por jo nga armët.”
Kështu, krejt në fund, dita e dytë e “Mirëdita, dobar dan!” u përmbyll me koncertin “Shpat Deda Trio”, që u mbajt pikërisht në Qendrën kulturore hebreje ‘Oneg Shabat’.
Shpat Deda, Visar Kuçi dhe Tomorr Kuçi krijuan mbrëmë një atmosferë që nuk do të mund të krahasohej me asnjë tjetër. Në skenë ishin vendosur instrumente nga më të ndryshmet dhe ato po pritnin që të gjallëroheshin nën ritmin e treshes.
Nga kënga në këngë, zëri i ëmbël i Shpat Dedës në ndërlidhje me një harmoni unike që vinte nga tingujt e instrumenteve, bëri që ky koncert të dilte përtej të zakonshmes. Me melodi aq të pasura në thelb dhe një zë që jehonte në secilin cep, koncerti ngjalli një nostalgji tejet të bukur.
Pas këtij koncerti, për të treguar më shumë rreth ndjenjës së performimit në një formacion ndryshe, për KultPlus foli këngëtari Shpat Deda.
“Unë kam kaluar tepër mirë dhe programi që kam bërë sonte ka qenë diçka që kam dashur ta arrij që një kohë të gjatë. Visarin dhe Tomorrin, i njeh i gjithë publiku shqiptar dhe ata janë njerëz e muzikantë të jashtëzakonshëm. Pa ata të dy, ky koncert nuk do të mund të realizohej. Sonte e kemi bërë një provë për këtë program dhe është hera e parë që e kemi luajtur. Salla ishte fantastike njëlloj sikurse energjia e publikut. Mezi po pres që të kthehem e ta bëj përsëri këtë program në Prishtinë, Tiranë e vende të tjera”, thotë Deda.
Sipas tij, “Ninulla” do të ishte ajo kënga që erdhi si më e veçanta mbrëmë për shkak të melosit të jugut të Shqipërisë, që atij i ka pëlqyer shumë.
“Secilës këngë, jemi munduar që t’ia gjejmë shpirtin.”
Ndërkaq, sot do të vazhdojë dita e tretë e festivalit me aktivitete të radhës si: Debati “Paralele problematike: Ukraina dhe Kosova” në ‘Endzio Hab’ duke filluar nga ora 17:00, Filmi “Zgjoi” duke filluar nga ora 20:00 si dhe krejt në fund, festivali “Mirëdita, dobar dan!” do të përmbyllet me DJ Genc Elezaj në një festë që fillon nga ora 22:30.
Qëllimi i festivalit “Mirëdita, dobar dan!” është që përmes prezantimit të artistëve dhe performuesve të cilët përfaqësojnë skenën kulturore e bashkëkohore të Kosovës të bashkojnë komunitetet shoqërore e kulturore të Kosovës dhe Serbisë dhe të krijohet një traditë bashkëpunimi, që do të kontribuojë në arritjen e një normalizim të qëndrueshëm të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë./ KultPlus.com
“Hije të shtrembëruara” – libër kujtimi me rrëfimet e ish të burgosurve politikë në burgun e Goli Otokut
Gjashtëvjeçari ukrainas, Ilya Kostushevich, i cili humbi familjen e tij mes luftimeve në qytetin e rrethuar të Mariupolit, i ka shkruar një letër të hapur kryeministrit britanik, Boris Johnson.
Letra, e cila u shpërnda nga ambasadorja e Britanisë në Ukrainë, Melinda Simmons, vjen ndërsa forcat ruse vazhdojnë me ofensivën e tyre në rajonin e Donbasit, njofton Klankosova.tv.
Vogëlushi në letër thotë se ëndërron që asnjë fëmijë në botë të mos njohë luftën, teksa i ka bashkangjitur një flamur të Ukrainës të vizatuar me dorë dhe fotografinë e tij me një kafshë shtëpiake.
“I dashur Boris Johnson! Unë dua që lufta të përfundojë më shpejt që njerëzit të mos vdesin më. Dua të luaj futboll në shtëpi në Mariupol. Do të doja që të gjithë fëmijët e botës të mos kishin luftë. Përshëndetje për të gjithë fëmijët në Britani, faleminderit që na ndihmoni. Ne do të fitojmë! Unë kam një mace, Frosia. Unë po ju dërgojë flamurin e Ukrainës që kam vizatuar. Të përqafoj fort”, ka shkruar ai në letër.
Шестирічний Ілля, який втратив сім’ю в Маріуполі, відповів на відкритий лист Прем’єр-міністра Джонсона дітям України ❤️🇺🇦🇬🇧 pic.twitter.com/1HTNYTaULP
Nëse për një çast Zoti do të harronte se jam një kukull lecke e do të më dhurojë paksa jetë, ka gjasa se nuk do të them gjithçka që mendoj, por patjetër do ta mendoj çdo gjë që do ta them.
Do t’iu jepja vlerë gjërave, jo për vlerën që kanë, por për kuptimin që kanë.
Do të flija pak, do të ëndërroja më shumë,
e kuptoj se për çdo minutë që i mbyllim sytë, humbim gjashtëdhjetë sekonda dritë.
Do të ecja përpara kur të tjerët do të ndaleshin, do të rrija zgjuar kur të tjerët do të flinin, do të dëgjoja kur të tjerët flasin dhe dhe sa do të shijoja një akullore të mirë çokolate!
Nëse Zoti do të më dhuronte paksa jetë, do të vishesha thjeshtë, do të shtrihesha në pishë të diellit duke lënë zbuluar jo vetëm trupin tim por edhe shpirtin tim.
Zoti im, nëse do të kisha një zemër, do ta shkruaja urrejtjen time në akull dhe dhe do të prisja që të shkrihej në diell.
Do të pikturoja me një ëndër të Van Gogut sipër yjeve një poemë të Benedettit dhe një këngë e Serratit do të ishte serenata që do t’ia kushtoja hënës.
Do t’i ujitja me lotët e mi trëndafilët, për ta ndjerë dhimbjen e gjembave të tyre dhe puthjen e mishtë të petaleve të tyre…
Zoti im, nëse do të kisha paksa jetë…
Nuk do të lija të kalonte qoftë një ditë të vetma pa iu thënë njerëzve se dua, se i dua. Do t’i bindja të gjithë burrat e gratë se janë të parapëlqyerit e mi dhe do të jetoja i dashuruar nga dashuria.
Njerëzve do t’ua provoja sa gabojnë tek mendojnë të heqin dorë së dashuruari kur plaken, pa e ditur se plaken kur heqin dorë së dashuruari.
Një fëmije do t’i jepja flatra, por do ta lija ta merrte fluturimin vetë.
Të moshuarit do t’i mësoja se vdekja nuk vjen me pleqërinë por me harresën.
Kaq shumë gjëra kam mësuar nga ju, Njerëzit!
Ka mësuar se e gjithë bota adhuron të jetojë mbi majën e malit, pa e ditur se lumturia e vërtetë është në ngjitjen e shpatit. Kam mësuar se kur i sapolinduri shtrëngon me grushtin e tij të vogël, për herë të parë, gishtin e babait të tij, e mban shtrënguar për gjithmonë. Kam mësuar se një njeri ka të drejtë ta vështrojë një tjetër nga lart poshtë vetëm kur duhet ta ndihmojë për t’u ngritur.
Janë aq shumë gjëra që kam mundur të mësoj nga ju, por realisht, nuk do të më shërbejnë shumë, sepse kur do të m’i vendosin brenda asaj valixheje, palumturisht do të jem duke vdekur./ KultPlus.com
Dibra, një krahinë e pasur me kulturë, traditë, gastronomi dhe e bekuar me një natyrë që lë mbresa, është kthyer në produktin më të ri në turizmin malor.
Dibra çeli sezonin turistik veror, ku përgjatë 3 ditëve janë parashikuar një sërë aktivitetesh kulturore-artistike, ekspozita të ndryshme, histori, dokumentarë, traditë, kulinari tipike dibrane, rafting etj.
Paraditen e sotme në kuadër të “Dibra n’Fest”, u organizua parada e veshjeve popullore të zonës, të cilat bien në sy për ngjyrat e larmishme dhe punimet e bukura artizanale nga gratë e kësaj zone.
Pjesë e aktiviteteve ishte edhe çelja e ekspozitës fotografike “Ngjyrat e Dibrës”, një tjetër ekspozitë me monumentet natyrore dhe të kulturës së saj, dokumentari “Misionari i Melodisë”, rafting në Drin, shëtitje me pajton, veprimtari kulturore artistike të shkollave të rrethit,etj.
Ndërsa mbrëmja do të mbyllet me koncerte me artistë dibranë dhe talente të reja.
Përgjatë gjithë fundjavës qytetarë dhe turistë të huaj do të kenë mundësinë për të shijuar ushqimet tradicionale, vizituar panairin përgjatë pedonales dhe njohur më mirë bukuritë e kësaj zone me plotë potenciale.
Edhe gjatë ditës së djeshme u organizuan një sërë aktivitetesh, ndërsa mbrëmja u mbyll me koncertin e grupit të njohur Elita 5.
Zhvillimi i turizmit në zonën e Dibrës po shënon një epokë të re, sa i përket turizmit malor në vend.
Në Dibër numërohen rreth 23 liqene akullnajore, por ai është i pasur edhe me kulturë, folklor, si dhe ka njerëz mikpritës./atsh/ KultPlus.com
Ukrainasit në qytetin ku u rrit presidenti, Volodymyr Zelensky, e kanë përshkruar atë si një “simbol” të luftës së Ukrainës kundër Rusisë.
Presidenti ukrainas është bërë një fytyrë e njohur që nga fillimi i pushtimit rus, shkruan Euronews, transmeton Klankosova.tv.
Shumë ukrainas në Kryvyi Rih i thanë Euronews se ishin me fat që kishin Zelenskyy si president dhe thanë se i besonin atij për të mbrojtur vendin.
“Ne i besojmë atij. Jemi krenarë për të, ai bashkoi të gjithë botën dhe besojmë se gjithçka do të jetë mirë me ne,” tha një grua.
Një grua tjetër, Liudmila, tha se Zelenskyy luante futboll me djalin e saj dhe ishte “e guximshme dhe e thjeshtë”.
Ish-aktori dhe komediani u zgjodh president në një fitore dërrmuese në vitin 2019 dhe tani ka qenë fytyra kryesore e ukrainasve teksa mbrojnë vendin e tyre, duke këmbëngulur se ai do të qëndronte dhe do të mbronte vendin e tij ndërsa Rusia pushtoi./ KultPlus.com
Ukrainian President Volodymyr Zelensky speaks during his evening video message Saturday May 7. (Office of President of Ukraine)