6500 persona nënshkruajtën peticionin për liberalizimin e vizave

Këshilltarja lokale e Bashkimit Evropian, Kati Schneeberger, ka filluar një peticion online me anë të të cilit kërkon liberalizimin e vizave për Kosovën.

Qëllimi i saj është t’i bind shtete skeptike të BE-së se qytetarët e shtetit më të ri të Evropës duhet të lëvizin pa viza sa më parë.

Në iniciativën që nisi më 27 maj, të dielën rreth orës 6 pasdite, ishin anëtarësuar mbi 6.500 persona.

E atë e mirëpresin njohësit e integrimeve Evropiane dhe besojnë se mund të influencojë tek zyrtarët vendimmarrës në Union.

“Adresat janë pak më konkrete, janë tek Franca, Holanda dhe do të varet shumë prej këtyre shteteve se a do të liberalizohen vizat apo jo, zyrtrarët e BE-së e kanë kaluar pjesën e tyre.” deklaroi profesoresha e Integrimeve Evropiane, Jehona Lushaku.

Një peticion të njëjtë me 5000 nënshkrime e kishte dërguar edhe Lushaku, në zyrën e BE-së në Kosovë, në Këshill të ministrave, e tek zyrtarë të UE-së.

“Por ka tri vite që kjo iniciativë veç ka marrë adresën e duhur por nuk ka pasur ndonjë ndikim të madh, tani që vije nga zyrtarë të BE-së shpresojmë të ketë ndikim më të madh” tha ajo tutje.

Megjithatë sipas Lushakut pika kyçe është tek shtete anëtare dhe aty Qeveria duhet të lobojë më shumë./Klankosova.tv/ KultPlus.com

Kampione Europe, peshëngritësja shqiptare fiton medalje ari (VIDEO)

Peshëngritësja shqiptare, Evangjeli Veli, është shpallur kampione Europe në stilin e shkëputjes për peshën deri në 55 kg, në Kampionatin Europian të Peshëngritjes që po zhvillohet në Tiranë.

Veli, ia doli të kalojë me sukses të treja provat, me 91, 93 dhe 95 kilogramë. Me realizimin e tre provave me sukses, peshëngritësja shqiptare, ia doli të marrë vendin e parë në podium, duke u shpallur Kampione Europe.

Pas Velit, u renditën peshëngritësja ukrainase Kamila Kontop dhe ajo nga Belgjika, Nina Streck. Peshëngritësja shqiptare merr kështu medaljen e arit, ndërsa vitin e kaluar shkoi deri te medalja e bronzit.

Pas kësaj arritje të madhe, emocioni dhe gëzimi te Evangjeli Veli ishte shumë i madh, teksa nuk i mbajti dot lotët./ KultPlus.com

https://www.facebook.com/ErionVeliaj/videos/473551627904781

Çifti shqiptar feston 65 vjetorin e martesës, angazhohen brende të njohura për dukjen e tyre (VIDEO)

Një çift shqiptar ka shënuar 65-të vjetorin e martesës, dhe jo e zakonshme për çiftet shqiptare në këtë moshë që të realizojnë edhe fotosesion, shkruan KultPlus.

Dhe për shënimin e kësaj feste duket se kanë shprehë gatishmëri edhe shumë brende të njohura të Kosovës që të kujdesen për dukjen e tyre, sikurse për grimin, veshjen dhe fotosesionin.

Ky set i fotografive është realizuar nga Marjan Komani, për veshjen është përkujdese Valdrin Sahiti, kurse për grimin dhe flokët Sellma e Kaci.

KultPlus  ju sjell këtë fotosesion të shoqëruar edhe nga një video./ KultPlus.com

Kryeministri Kurti: Qeveria pret angazhim me të madh në ndjekjen e gjykimin e krimeve të luftës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria pret angazhim më të madh në ndjekjen e gjykimin e krimeve të luftës.

Ai ka thënë se Kodi i Procedurës Penale i Kosovës mundëson gjykimin në mungesë.

Në një postim në Facebook ai ka shkruar se para tri vjetësh, kërkesa e pashtershme për drejtësi për viktimat, ka sjellë deri te miratimi i një norme të këtillë juridike që mundëson mbarëvajtje të procesit gjyqësor pa praninë e të akuzuarit.

“Qeveria pret angazhim me të madh në ndjekjen e gjykimin e krimeve të luftës. Për këtë, brenda vitit të parë kemi shtuar buxhetin për rritjen e numrit të prokurorëve special dhe bashkëpunëtorëve profesionalë. Po ashtu, po punojmë në krijimin e Institutit që do dokumentojë krimet e kryera gjatë luftës, e po punojmë zellshëm në hartimin e strategjisë për drejtësinë tranzicionale”, ka shkruar ai.

Kurti ka shkruar se krimet e luftës nuk parashkruhen, por ditët e vitet ikin shpejtë. Me këto, ka shtuar ai, ikin edhe ata të cilëve shteti u ka borxh vënien e drejtësisë për familjarë të vrarë e për dhimbjen e papërballueshme e cila po mbetet pa përgjigje.

Ai ka thënë se kriminelët e luftës duhet dënuar dhe për këtë është e nevojshme dhe e domosdoshme përgjegjësia më e lartë institucionale, në radhë të parë e Prokurorisë Speciale e pastaj e tërë sistemit.

“Pesha e përgjegjësisë e organeve të drejtësisë tejkalon atë profesionale dhe imponon veprim efikas. Këtë e kemi borxh”, ka thënë ai./ KultPlus.com

Deshi lepuroshi


Rexhep Hoxha

Deshi lepuroshi
t’bëjë një mrekulli,
të vishej me tesha
po sikur njeri.
Veshi pantollone
këpucë e jelekë,
n’Zvicërr porositi
sahat me qostek.
Mirë, porse të ngratit
i shkoi puna huq,
sepse veshët e gjatë
s’i ndejtën n’kapuç./ KultPlus.com

Pasi u tërhoq nga dëshmia para Gjykatës, Elon Musk flet për herë të parë për Johnny Depp dhe Amber Heard

Elon Musk theu heshtjen për Amber Heard dhe Johnny Depp duke u shprehur me fjalë lavdëruese për të dy aktorët pasi avokatët e tyre dhanë argumentet përfundimtare në gjyqin për shpifje.

CEO i ‘Tesla’ dhe ‘SpaceX’, i cili ka qenë në lidhje me aktoren për disa muaj pas ndarjes së çiftit, fillimisht u konisderua si dëshmitar i mundshëm në këtë rast, por në fund nuk dëshmoi. Megjithatë në një status në Twitter ai shkroi: “Shpresoj që ata të dy të vazhdojnë përpara. Në më të mirën e tyre, ata janë të dy të pabesueshëm.”

Musk e bëri komentet e tij duke iu përgjigjur shkencëtarit të MIT Lex Fridman, i cili shkroi në Twitter: “Përfundimet e mia nga gjyqi Johnny Depp kundër Amber Heard: 1. Fama është një drogë e tmerrshme (për disa). 2. Psikiatrët dhe avokatë vijnë nga nivel drastike të ndryshme aftësish. 3. Të gënjesh miliona njerëz është diçka që njerëzit janë të aftë ta bëjnë. 4. Dashuria mund të jetë një rrëmujë. 5. Mega pint of wine.(referuar deklaratës së Amber për Johnnyn)”

Depp po e padit Heardin për 50 milionë dollarë për shpifje në një shkrim të ‘Washington Post’, në të cilin ajo shkroi, “Unë u bëra një figurë publike që përfaqëson abuzimin në familje”, pa përmendur emrin e aktorit. Heard ka kundërpaditur Depp për 100 milionë dollarë. Të dy akuzojnë njëri-tjetrin për dhunë në familje gjatë një viti të martesës së tyre, ku secili mohon abuzimin.

Në padinë e tij për shpifje, Depp akuzoi Heardin se kishte një lidhje jashtëmartesore me miliarderin. “Pa e ditur zotin Depp, jo më vonë se një muaj pas martesës së tij me zonjën Heard, ajo po kalonte kohë në një marrëdhënie të re me themeluesin e Tesla dhe Space X, Elon Musk”, thuhet në dosje. Megjithatë, një përfaqësues i Musk tha për E!News në 2019, “Elon dhe Amber nuk filluan të takoheshin deri në maj 2016, madje edhe atëherë takoheshin rrallë. Marrëdhënia e tyre nuk u bë romantike deri pak kohë më vonë.”

Heard dhe Musk ndezën thashethemet për romancë rreth korrikut 2016. Ata dolën publikisht së bashku për herë të parë dhe gjithashtu e bënë lidhjen zyrtare në Instagramit në prill 2017. Gushtin e ardhshëm ata u ndanë. insajderi / KultPlus.com

Trupi i pajetë i Bujar Nishanit mbërrin në Shqipëri të martën

Trupi i pajetë ish-presidentit të Republikës, Bujar Nishani do të mbërrijë në Shqipëri të martën. Ish-kryetari i shtetit ndërroi jetë ditën e djeshme në një spital në Gjermani, ku ishte i shtruar prej një muaji.

Gazetari Juxhin Mustafaraj raporton se Nishanit do t’i kryhen të gjitha nderimet e fundit në një ceremoni shtetërore. Ai ishte presidenti i 6-të i Shqipërisë post komuniste.

Nishani po kurohej në spitalin universitar Charite në Berlin. Ai u shtrua fillimisht në spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë, pasi kishte kompliacione të post Covid. Ish-presidenti u dërgua për mjekim më të specializuar, por shëndeti i tij u përkeqësua për shkak të insuficiencës polmonare të theksuar. Bujar Nishani dha frymën e fundit dje.

Në karrierën e tij politikë ai njihej për gjuhën e kujdesur dhe maturinë. Bujar Nishani ishte një nga figurat më të rëndësishme të Partisë Demokratike.

Ai ka mbajtur disa poste të rëndësishme si deputet, ministër dhe kryetar i Këshillit Kombëtar në selinë blu. Në vitin 2012, Nishani u zgjodh president. Ndërsa së fundmi ai ishte anëtar i Komisionit të Rithemelimit./ KultPlus.com

Avokati i Johnny Depp kishte përfunduar provimin e jurisprudencës në Kosovë (FOTO)

Seancat mes Depp e Heard janë në kulmin e fokusit mediatik duke u përcjellë me një vëmendje të madhe nga mediet dhe showbizi, shkruan KultPlus.

Mirëpo është një e veçantë tjetër në këto seanca gjyqësore. Avokati i Depp ishte më herët në Kosovë, dhe pikërisht në shtetin e Kosovës kishte përfunduar provimin e jurisprudencës, gjë që dëshmohet edhe në biografinë e tij.

Në ekipin mbrojtës të Depp është avokati Benjamin G. Chew, një emër ky i njohur edhe në Kosovë.

Përpos provimit të jurisprudencës, Chew, në janar të vitit 2014 mbrojti dhe liroi nga akuzat drejtuesin e PTK-së në një proces penal të EULEX-it.

Gjyqi Depp – Heard po vazhdon të tërheqë vëmendjen e publikut dhe çdo ditë e më shumë po mësohen detaje të reja pikante nga martesa e tyre.

E gjithë bota e showbizit dhe jo vetëm i ka kthyer sytë kah gjyqi Amber Heard dhe Johnny Depp./ KultPlus.com

‘Abetare, Abetare, sillma diellin në dritare’

Poezi nga Xhevahir Spahiu

Abetare, Abetare,
Sillma diellin në dritare!

Lehtë, lehtë
e bukur, bukur,
Dora ime sa e lumtur;
Hap një faqe,
kthen një fletë,
Nëpër shkronja –
Bota vetë.

Rrjedh në fjalë plot kumbim
Gjuhë e lasht e vendit tim.

Me ty mendjen lartësoj
Me ty zemrën e gëzoj,
Bëhem zog e fluturoj.

Abetare, Abetare,
Ti je dielli në dritare. / KultPlus.com

Abetare e përbashkët për të gjithë shqiptarët

Ministrja e Ministrisë së Arsimit, Arbërie Nagavci ka njoftuar se ka marr pjesë në konferencën “Gjuha amtare, dygjuhësia dhe integrimi” që është mbajtë në Malmo të Suedisë, shkruan KultPlus.

Ministrja Nagavci nga kjo konferencë ka vënë në pah se abetarja do të jetë e përbashkët për të gjithë shqiptarët, që nga shtatori i këtij viti.

Më poshtë e sjellim të plotë deklaratën e plotë të ministres Nagavci.

Me shumë kënaqësi iu bashkova konferencës “Gjuha amtare, dygjuhësia dhe integrimi”, që po mbahet në Malmo të Suedisë.

Në këtë konferencë po trajtohen tema me interes dhe me qëllim që të mbajmë gjallë frymën edukuese të gjuhës amtare në përbërjen e akademikëve, ligjëruesve, mësuesve, anëtarëve të Lidhjes së Shoqatave Shqiptare ”Iliria” në Suedi dhe Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë ”Naim Frashëri”.

Duke e njohur rëndësinë e mësimit të gjuhës shqipe por edhe kulturës shqiptare, si Ministri e Arsimit po punojmë në ofrimim e teksteve dhe materialeve shkollore për fëmijët që ndjekin mësimet në gjuhën shqipe në diasporë.

Bashkë me Republikën e Shqipërisë tashmë e kemi tekstin e nivelit të parë

“Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare”, dedikuar fëmijëve të diasporës që do të shpërndahet në shtator, po ashtu edhe Abetaren e përbashkët.

Në një bashkëbisedim të këndshëm me bashkëatdhetarët shqyrtuam domosdoshmërinë e angazhimit të shtuar të dy shteteve tona për aktivitete të përbashkëta.

Falënderime për mësimdhënësit e mësimit në gjuhën shqipe në Suedi, por edhe në vende të tjera, për përkushtimin dhe vendosmërinë që ta avancojnë mësimdhënien dhe mësimnxënien e gjuhës shqipe për fëmijët shqiptarë./ KultPlus.com

Presidenca e Kosovës reagon për marrëveshjen Serbi dhe Rusi, Vela: Deri kur BE-ja do ta tolerojë këtë sjellje?

Së fundmi është raportuar se Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, ku është bërë e ditur se Serbia dhe Rusia ka nënshkruar një marrëveshje tre vjeçare për furnizim me gazin rus.

Për këtë marrëveshje ka reaguar shefi i stafit të presidencës së Kosovës, Blerim Vela, i cili ka pyetur Bashkimin Evropian mbi çështjen se deri kur do ta tolerojë këtë sjellje të Serbisë.

“Putin dhe Vuçiq ranë dakord në një telefonatë sot se Rusia do të vazhdojë furnizimin me gaz natyror për Serbinë dhe dy vendet do të forcojnë partneritetin e tyre. Serbia, një vend kandidat për në BE, në vend që të përafrohet me sanksionet e BE-së thellon bashkëpunimin me Rusinë. Deri kur BE-ja do ta tolerojë këtë?”, ka shkruar Vela në Twitter. /KultPlus.com

Konkurrenti i Rita Orës triumfon në “The Voice Australia 2022”

Lachie Gill është fituesi i “The Voice Australia” për vitin 2022, përcjell KultPlus.

24 vjeçari arriti që të fitojë çmimin prej 100 mijë dollarësh dhe gjithashtu edhe një kontratë me Universal Music Australia.

Trajnerja e Lachiet, këngëtarja shqiptare, Rita Ora, e lavdëroi atë për talentin që zotëron dhe falënderoi Australinë për mbështetjen e tyre.

“Ti i bëre të gjitha këto. Australi, faleminderit, faleminderit, ju dua. Ndjej sikur ky është vetëm fillimi për ty. Urime. Jam shumë e lumtur për ty sa nuk mund të marr frymë”, tha Ora.

Lachie falënderoi Rita Orën, që i kujtoi atij të qëndronte autentik. /KultPlus.com

“Në fshatin tim prej vitesh s’kisha qenë, dhe malli më kish djegur e zhuritur”

Poezi nga: Dritëro Agolli.

Në fshatin tim prej vitesh s’kisha qenë
Dhe malli më kish djegur e zhuritur,
Atje më dukej hëna tjetër hënë
Siç thosh dikur Naimi mendjendritur.

Në çezmë ndala t’ia dëgjoja fjalët,
Që vetëm unë i merrja vesh aq mirë;
Por shkela në një gur të rrumbullakët
Dhe gjurin e dërmova në errësirë.

E mora gurin në pëllëmbë qetë
Dhe thashë i lodhur, zhytur në mendime:
“Për pak të shava keq, o gur i shkretë,
Sikur mos ishe nga vendlindja ime!”/ KultPlus.com

Margariti në Berlin, shkëmbim përvojash për ngritjen e Muzeut Hebre Shqiptar

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, gjatë vizitës së saj në Berlin vizitoi Muzeun Hebraik në Berlin (Jewish Museum Berlin), ku u prit nga drejtori Martin Michaelis.

“Kujtesa është ajo çka na bën të ndërgjegjshëm për atë që jemi e të mos biem në gabimet e së shkuarës”, tha Margariti në rrjetet sociale, ndërsa ndau momente nga kjo vizitë.

Margariti theksoi se “ky është një muze bashkëjetese, si ai që edhe ne po ngremë në Vlorë”.

“Qëllimi i kësaj vizite ishte shkëmbimi i ideve dhe eksperiencave, për finalizimin e institucionit më të ri të kujtesës, Muzeun Hebraik Shqiptar”, tha ajo.

Ky muze do të jetë një magnet tërheqës jo vetëm për turistët, si pjesë integrale e qendrës historike të qytetit, por mbi të gjitha për të rinjtë.

Muzeu Hebraik në Vlorë do të tregojë një histori unike, kushtuar bashkëjetesës së hebrenjve dhe shqiptarëve në kohë, i cili synohet të kthehet në një magnet kulturor për zonën historike në Vlorë.

Me ndërtimin e këtij muzeu do të vendoset një standard i ri për muzetë në Shqipëri duke mbështetur krijimin e një muzeu bashkëkohor, të vetmin në llojin e tij në Shqipëri dhe rajon, përsa i përket misionit, konceptit, arkitekturës, menaxhimit, qeverisjes, modelit të ekspozimit dhe tregimit të historisë, partneriteteve dhe angazhimit të komunitetit./atsh/ /KultPlus.com

Boris Johnson vazhdon të mbështesë Ukrainën, zhvillon një bisedë telefonike me Zelenskyn

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky tha se ka folur në telefon me kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson për të diskutuar një sërë temash.

Në postimin e tij në Twitter, Zelensky thotë se të dy udhëheqësit diskutuan për forcimin e mbështetjes së mbrojtjes për Ukrainën, intensifikimin e punës për garancitë e sigurisë dhe furnizimin me karburant në Ukrainë.

“Ne duhet të punojmë së bashku për të parandaluar një krizë ushqimore dhe për të zhbllokuar portet e Ukrainës,” thotë ai.

Biseda e tyre vjen pasi Ukraina përballet me humbje në rritje në lindje, ndërsa Rusia kërkon të sigurojë një territor të mëtejshëm në rajonin e Donbasit. /KultPlus.com

Komeditë më të mira në Disney aktualisht

Në Disney+ mund të shikoni filma nga të gjitha llojet, megjithatë janë disa filma që veçohen nga të tjerët dhe mund të shikohen në çdo kohë, përcjell KultPlus.

Më poshtë janë të radhurita disa prej filmave më të mirë të Disney+

10 Things I Hate About You (1999)

Cars (2006)

Cheaper by the Dozen (2003)

Night at the Museum (2006)

A Goofy Movie (1995)

The Absent-Minded Professor (1961)

Bolt (2008)

‘Rritni fjalët, jo zërin, është shiu ai që i rritë lulet, jo vetëtima’

Me siguri se deri tani keni dëgjuar për poetin e njohur persian Rumin.

Mençuria e tij asnjëherë nuk kishte kufizuar nga barrierat nacionale apo kulturore.

Një këndvështrim i tillë si i Rumit është shumë i rëndësishëm për ne në këto kohëra të urrejtjes dhe luftërave.

Më poshtë, ju mund t’i gjeni të listuara disa prej thënieve më inspiruese të këtij poeti të mahnitshëm.

– “Detyra juaj nuk duhet të jetë të kërkoni dashurinë, por t’i kërkoni të gjitha barrierat që i keni ndërtuar brenda vetes kundër dashurisë”

– “Çfarë jeni duke kërkuar, është duke ju kërkuar juve”

– “Mos u pikëlloni. Çdo gjë që humbni vjen në një formë tjetër”

– “Dje kam qenë i zgjuar, kam dashur ta ndryshoj botën. Sot jam i mençur, andaj jam duke e ndryshuar vetveten”

– “Ju keni lindur me krah, përse preferoni të zvarriteni tërë jetën?”

– “Rritni fjalët, jo zërin. Është shiu ai që i rritë lulet, jo vetëtima”

– “Fjalët janë pretekst. Është lidhja e brendshme ajo që e tërheq një person te tjetri, jo fjalët”

 – “Lamtumirat janë vetëm për ata që dashurojnë me sy. Për ata që dashurojnë me zemër e shpirt nuk ka ndonjë gjë të tillë si ndarja”

– “Plaga është vendi nga ku drita futet në ju”

– “Kudo që jeni, dhe çfarëdo që bëni, qëndroni të dashuruar”

– “Duhet ta thyeni zemrën derisa të hapet”

– “Dua të këndoj siç këndojnë zogjtë, duke mos u brengosur kush më dëgjon ose çfarë mendojnë tjerët”

– “Dashuria është ura mes juve dhe çdo gjëje tjetër”

-“Përse vazhdoni të qëndroni në burg kur dera është krejtësisht e hapur?”

– “Mbyllni sytë, bini në dashuri, rrini aty”

– “E vetmja bukuri që zgjatë është bukuria e zemrës”. / KultPlus.com

Kurti: Jemi duke i bërë përgatitjet për të aplikuar në BE e NATO

Lëvizja Vetëvendosje, ka mbajtur mbledhjen e 47-të të Këshillit të Përgjithshëm, me ç’rast ka marrë pjesë edhekryeministri Albin Kurti.

Gjatë fjalës së tij para anëtarëve të Këshillit, Kurti ka shtuar se tash imazhi i Kosovës ka një përmbajtje më të re si në kuptimin politik ashtu edhe ekonomik.

“Kemi aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Anëtarësimi ynë në KiE është vlerë e shtuar për Këshillin dhe mundësi për Kosovën që të përparoj më shumë në fushën e drejtësisë. Jemi duke i bërë përgatitjet për aplikim për anëtarësim në Partneritetin e Paqes në kuadër të NATO-s, e do të aplikojmë edhe për anëtarësim në BE”, ka thënë Kurti.

Kurti thotë se Kosova ka shënuar progres të shumtë nëpër fusha të ndryshme, duke përmendur edhe rritjen ekonomike.

“Kemi shënuar rritje ekonomike, kemi bërë hapa të rëndësishëm në forcimin e sistemit të drejtësisë, kemi luftuar krimin e korrupsionin, kemi avancuar aleancat dhe kemi forcuar raportet me shtet mike. Kosova është bërë fanar i demokracisë në rajon”, ka thënë Kurti.

Ndërkaq, Kosova veçse ka aplikuar për t’u bashkuar në Këshillin e Evropës, pas përjashtimit të Rusisë. /KultPlus.com

‘Gjaku ynë, taksa juaj’, përmes artit reagohet kundrejt taksimi 18% të produkteve menstruale (VIDEO)

Në Ditën Ndërkombëtare të Higjienës Menstruale, në kuadër fushatës #pecetanukeshteluks artistja feministe Ms. Indefinite publikoi video perfomarmancen artistike kundër varfërisë menstruale dhe stigmes për menstruacione.

Më poshtë mund të gjeni edhe video e publikuar:

Gjaku ynë, taksa juaj!” artistikisht kundërshton varfërinë menstruale dhe stigmatizimin e menstruacioneve, duke reaguar përmes artit kundrejt taksimit 18% të produkteve menstruale, pasi që në Kosovë nuk është vërejtur asnjë iniciativë e institucioneve publike për të zbutur varfërinë menstruale, përkundrazi pecetat menstruale sipas ligjit për TVSH nuk bëjnë pjesë në produktetet esenciale dhe si të tilla taksohen 18%.

Ms. Indefinite (emri artistik) është artiste feministe, që më anë të aktivizmit artistik, përmes video-performancave avokon për të drejtat e gruas në Kosovë.

Nëpërmjet artit si krijim shpreh kritiken shoqërore duke shfaq revolten qytetare në krijimtarinë artistike, duke trajtuar në menyrë kreative dhe në formë goditëse çështjen e drejtësisë dhe barazisë gjinore në shoqërinë kosovare, me synimin e luftimit artistikisht të patriarkatit dhe femicidit. /KultPlus.com

PriFest me ndryshime, i zhvendos datat në 23-28 gusht

Një nga festivalet më të mëdha të filmit në Kosovë dhe jo vetëm, PriFest Film, ka njoftuar se do të mbahet në gusht dhe jo në korrik siç ishte paraparë më herët, shkruan KultPlus.

PriFest ka njoftuar se për shkak të ngjarjeve të shumta të artit dhe kulturës, janë zhvendsour edhe datat nga korriku në gusht.

“Për shkak të një numri të madh të ngjarjeve të artit dhe kulturës që ndodhin në korrik, në nivel ndërkombëtar dhe lokal, PriFest ka vendosur që edicionin e tij të 14-të ta zhvendosë në datat 23-28 gusht!”, thuhet në njoftimin e tyre.

Festivali ka bërë thirrje që të rezervoni vizitën tuaj, të promovoni punën e juaj dhe të shikoni kinemanë e madhe ballkanike dhe botërore. /KultPlus.com

“Nga Revolucioni në Evolucion” 10 vjet me FemArt Festival

Festivali i parë feminist në Kosovë e më i madhi në rajon, FemArt sjell edicionin e 10-të për dhjetë ditë me radhë, 14-23 qershor, 2022, i cili vjen për të shpërfaqur aftësinë e grave dhe burrave artiste/ë dhe aktiviste/ë, për t’u përmbushur, inspiruar e për të gjetur paqen. Nën moton “Nga Revolucioni në Evolucion” gra e burra, të reja e të rinj, artiste dhe artistë, aktiviste dhe aktivistë mblidhen për të vazhduar evolucionin feminist, për të inspiruar dhe sjellë ndryshimin. FemArt feston një dekadë të njohjes dhe nderimit të guximit të grave artiste dhe aktiviste, fuqisë kreative, dhe angazhimit të tyre për barazi e drejtësi.

Edicionin e dhjetë e hap shfaqja premierë “Kosova: Toka e Shpirtrave të Trazuar” me autore Shqipe Malushin, dhe regji të Zana Hoxhës. Kjo shfaqje është një dëshmi e përjetimeve të shumë grave që vjen si thirrje për të kujtuar dhe pranuar të kaluarën, ndryshuar të tashmen, dhe ndërtuar të ardhmen. Poezitë në lëvizje të Shqipe Malushit dramatizohen, inskenohen e jetësohen nga Trupa Artistike e Artpolis më 14 qershor, 2022, nga ora 20:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Image

FemArt nisi nga një ide, një dëshirë, një zotim, dhe një pasion për një shoqëri të drejtë dhe të barabartë për të gjithë. Feminizmi si koncept para së gjithash e mbi të gjitha përfshin respektimin e të drejtave dhe mundësive të barabarta për të gjitha gjinitë. Aktivizmi ynë artistik-feminist vjen si një përgjigje për t’u shëruar e kuptuar, për të krijuar e transformuar shoqërinë e jetën.

Një dekadë e artit të angazhuar kulmon me prezantimin e 24 aktiviteteve të artisteve/ëve dhe aktivisteve/ëve nga Kosova, Shqipëria, Serbia, Gjermania, Austria, Portugalia, Spanja, Izraeli, Reunion Island, Italia dhe Franca që sjellin shfaqje teatrore, balet flamenko, vallëzim bashkëkohorë, koncert, konferenca, diskutime, trajnime dhe punëtori. Aktivitete këto që do të zënë vend në Teatrin Kombëtar të Kosovës, Teatrin Dodona, Teatrin Oda, Bibliotekën Kombëtare dhe Muzeun Etnologjik “Emin Gjiku”.

Gratë artiste sjellin, fuqizojnë dhe inspirojnë përmes shfaqjeve teatrore, koncerteve, punëtorive e trajnimeve; “Pa zë” me regji të Klaudia Pirolit, “Në prag të thyerjes” nga Dekadenca dhe Markiza de Sada, “Nata e Divave” nga Dekadenca dhe Lady K, “Enigma e Revolucionit” me regji të Dijana Milošević dhe dramaturgji të Duca Knezheviq, “Ndal luftën” nga Miriam Engel, “Cities by Night” nga Valentina Medda, koncert nga Christine Salem, akrobacione dhe lojë me flakë nga Këmbëgjatat, muzikë elektronike nga M.i.M b2b Anitë, trajnim mbi feminizmin me Nevenka Rikallo, trajnimi për vetëmbrojtje “Çikat e Sjellshme”, si dhe konferenca dhe publikimi i raportit “Marrëdhëniet Gjinore dhe Pushteti” me autore Marta Keil dhe Katie Kheriji-Watts.

Inspiron edhe ilustrimi i fitueses së thirrjes ndërkombëtare të Festivalit FemArt, Dima Nachawi, një artiste feministe nga Siria, e cila thekson se, “gratë janë pjesë e pandashme e natyrës, të afta të rilindin edhe nga toka e tharë dhe të zhvillohen drejt diellit, si simbol i lirisë dhe evolucionit. Fuqia e saj rrezaton jetë, ngrohtësi dhe forcë në zemrat e komuniteteve tona”.

Ndërvite FemArt ka bashkëpunuar e krijuar edhe me artistë dhe aktivistë burra, të cilët ndajnë vlerat e përbashkëta feministe. Dhe në veprat e tyre zë vend të rëndësishëm ngritja e vetëdijes për barazi gjinore dhe fuqizim të grave. Kjo vazhdon edhe sot, me veprat si: “Babai dhe Babai” me regji të Kushtrim Koliqit dhe autorësi të Jeton Nezirajt, “Vals i Këputun” me regji dhe koreografi të Gentian Dodës, “Burrat” me regji të Pedro Alves, “Burrneshat” me autorësi të Jeton Nezirajt e regji të Erson Zymberit, “Ora e Vdekjes” me regji të Ilir Bokshit.

E nga Spanja na bashkëngjitet një performancë e veçantë, për herë të parë në Kosovë, “Luxuria” Flamenko Balet me regji të David Gutiérrez Molina dhe Paula Sánchez Reyes, që përmbyll edicionin e dhjetë të Festivalit FemArt, më 23 Qershor, 2022 nga ora 21:30 – 23:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Një performancë që shpërfaq botën e pasigurisë, intrigave, dinamikave komplekse të fuqisë, dashurisë, besnikërisë dhe tragjedisë.

FemArt, si festival ndërkombëtar, ka arritur që të zgjerojë edhe më shumë rrjetin e saj duke bashkëpunuar me Perform Europe, dhe IETM (Rrjeti Ndërkombëtar për Artet Performuese Bashkëkohore), “On the Move” OTM, dhe FACE – “Fresh Arts Coalition Europe”.

FemArt ka mbushur 10 vjet dhe është në rritje. Është shndërruar në platformë unike të unitetit, diversitetit, barazisë dhe krijimtarisë; promovimit të feminizmit, barazisë gjinore, drejtësisë, edukimit, pajtimit dhe ndërtimit të paqes. Është një hapësirë e sigurt për shprehje dhe një mundësi për ndryshim. E tërë kjo nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen e partnerëve, bashkëpunëtorëve dhe donatorëve, përfshirë këtu: Buçaj, EU KCR, CDF, KTK, Ambasada e Luksemburgut, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komuna e Prishtinës, cfd, UNFPA, Ambasada e Francës, Perform Europe, SDC, KCSF, K10, Ambasada e Izraelit, IETM, Teatri Kombëtar i Kosovës, Teatri Dodona, Biblioteka Kombëtare, Grupit KOHA, Mik Mik dhe Onix Spa. /KultPlus.com

1918, Esad Pasha i kërkon Amerikës që t’i vijë në ndihmë Shqipërisë

“The New York Herald” kishte botuar më 1918, thirrjen e Esad Pashë Toptanit ndaj presidentit amerikan Woodrow Wilson që t’i vinte asokohe në ndihmë kundër austriakëve, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Esad Pasha i kërkon Amerikës që t’i vijë në ndihmë Shqipërisë

I bën thirrje presidentit Wilson që të ndihmojë në heqjen e zgjedhës austriake.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Esad Pasha, gjenerali shqiptar, ndodhet tani në Paris. I takuar nga një korrespondent i Herald-it, gjenerali tha :

Situata në Shqipëri është e favorshme. Mund të përmirësohet. Tre vjet më parë isha kryetar i qeverisë shqiptare dhe mandati im u shënua nga rendi më i mirë në Shqipëri. Njerëzit tanë janë plot guxim. Vendi ynë është kopshti i Evropës dhe ne e ndjejmë tmerrësisht që pjesa më e madhe është në duart e Austrisë, rreth 50.000 apo 60.000 burra. Unë kam vetëm dy regjimente nën komandën time. Njerëzit e mi kanë bërë mirë, këto tre vjet, duke luftuar dhe marrë robër dhe materiale. Nuk kemi humbur asnjëherë, siç tregojnë raportet zyrtare. Qeveria franceze na ka dhënë të gjitha furnizimet e nevojshme. Pozita gjeografike është e favorshme për ne, nëse avancojmë.

Pse nuk përparojmë? Ah, nëse aleatët do të na lënë të lirë, unë mund të bëj më mirë. Ajo që dua është më shumë ushtarë. Nëse aleatët do të më ndihmojnë, dua që të kem më shumë nga ushtarët tanë në Shqipëri, kështu mund të arrij rezultate më të mira. Shpresoja se mund t’i liroj të gjithë njerëzit e Shqipërisë nga përparimi i aleatëve, ashtu siç ishte rregulluar për grekët dhe serbët. Unë nuk e di se çfarë po ndodh, por e di se nuk mund t’i bëj gjërat në mënyrën time, dhe mënyra ime është mënyra e njerëzve të vendit tim dhe aleatëve. Nëse do të kisha mundur të hyja në mesin e njerëzve tanë dhe të shpjegoja se çfarë është në dobi të tyre, ata do të revoltoheshin dhe do të vinin në flamurin tonë dhe unë do të kisha një ushtri prej 60.000 vetësh — një forcë e barabartë me atë të Austrisë.

Po të më kishin lënë dorën e lirë do ta kisha marrë Shkodrën para kësaj dhe do të kisha marrë rrafshinat e Kosovës. E di që mund t’i bëj shqiptarët kundër austriakëve. I bëj thirrje Amerikës të na ndihmojë. I bëj thirrje Amerikës që të na dërgojë ushtarë dhe të na ndihmojë të luftojmë në terren që e duam kaq shumë. I bëj thirrje Presidentit Wilson që të mbajë anën e vendit tonë të vogël. Vendet e vogla kanë të drejtat e tyre dhe ne e dimë se Presidenti juaj i madh do ta përdorë ndikimin e tij për të mirën tonë.

Çfarë do të thotë “Dorë e lirë”.

Çfarë dua të them me një dorë të lirë? Dua të them se mirëkuptimi (pakti) nuk është bërë ashtu siç e prisnim. Ne duam që shqiptarët nën zgjedhën austriake të mund t’i kthejmë në anën tonë. Në lindje, në kufirin tonë, janë forcat serbe dhe franceze, ndërsa në perëndim janë anglezët dhe grekët. Ne jemi – me ushtarët që kemi – në mes. Tani do të donim që amerikanët të na bashkohen dhe të shtyjnë me ne në qendër të linjës sonë. Ka një arsye tjetër pse Amerika duhet të ndërhyjë në favorin tonë. Nëse ajo nuk përfaqësohet në kufirin tonë, si mund të përfaqësohet në tryezën e paqes për çështjen lindore? A nuk ka interes ajo të mbështesë  Aleatët në Ballkan? Austro-Hungaria nuk është aspak e fortë në kufijtë tanë. Nëse do të mund të shkatërronim forcat austro-hungareze, Gjermania nuk do ta duronte dot goditjen.

Ne do të formonim një ushtri të madhe së bashku me grekët, serbët, shqiptarët tani nën pushtetin austriak, dhe me ta do të bashkoheshin jugosllavët, boshnjakët dhe hercegovinasit, të cilët janë të gjithë të pakënaqur me Austrinë. Unë nuk jam për asnjë nga aleatët që qëndrojnë të ndarë (veç e veç). Unë jam për të gjithë aleatët dhe bëj kauzë të përbashkët me ta. Le të luftojmë tani dhe të flasim më pas. Shkaku i madh është çështja dhe detajet mund të diskutohen kur t’i gjunjëzojmë këta austriakë.

Ne mendojmë se Amerika është fuqia që mund t’i bëjmë thirrje. Amerika ka ardhur për të luftuar armikun e përbashkët, dhe kjo është gjithçka që ajo dëshiron, të bëjë këtu. Por ky fakt e vendos atë në një pozicion jashtëzakonisht të fortë për të marrë veshin (dëgjimin) e Fuqive Evropiane kur kërkon konsideratë për shtetet e dobëta dhe të vogla të Evropës. Ajo siguron ushtarë dhe para, ajo ka një zë të fortë, veçanërisht në këtë moment, në luftë. Po, Amerika është shpresa jonë; Amerika është shtylla jonë në këtë bllok diplomatik kurioz në operacionet shqiptare. /KultPlus.com

“Triangle Of Sadness” nga Ruben Ostlund fiton Palmën e Artë në Festivalin e Filmit në Kanë

Filmi “Triangle Of Sadness” i regjisorit suedez Ruben Ostlund, u kurorëzua me Palmën e Artë të Festivalit të Filmit në Kanë, në edicionin e tij të 75-të, shkruan KultPlus.

Ostlund fiton për herë të dytë çmimin prestigjioz, pasi e fitoi atë me filmin “The Square” në vitin 2017.

Lista e plotë

Palma e Artë
Triangle Of Sadness , regjia: Ruben Ostlund

Çmimi i Madh (TIE)
Stars At Noon , regjia: Claire Denis
Close , regjia: Lukas Dhont

Regjisori më i mirë
Park Chanwook, Vendimi për t’u larguar

Çmimi Special i 75-vjetorit
“Tori And Lokita” , drejtorë: Jean-Pierre Dardenne, Luc Dardenne

Çmimi i jurisë (TIE)
OE , regjia: Jerzy Skolimowski
“The Eight Mountains” , regjisorët: Felix Van Groeningen & Charlotte Vandermeersch

Skenari më i mirë
Tarik Saleh, ” Boy From Heaven”

Aktorja më e mirë
Zar Amir Ebrahimi, “Holy Spider”

Camera d’Or ( Kamera e Artë)
“War Pony” , regjisorë: Riley Keough & Gina Gammell

Filmi i shkurtër Palma e artë
“The Water Murmurs” , regjia: Jianying Chen

Dokumentari më i mirë
“All That Breathes” , regjia: Shaunak Sen

Çmimi Special i Jurisë
“Mariupolis 2” , regjia: Mantas Kvedaravicius. /KultPlus.com

Vdes në moshën 57-vjeçare aktori Enea Zhegu

Aktori i njohur i kinemasë shqiptare, Enea Zhegu ka vdekur në moshë të parakohshme mëngjesin e kësaj të diele.

I njohur në rolin e tij si ‘Tomka’, te filmi i famshëm i regjisores Xhanfize Keko, ‘Tomka dhe shokët e tij’, Zhegu vdiq në moshën 57-vjeçare.

Zhegu ka qenë pjesë e disa prej filmave më të famshëm shqiptar, si “Tomka dhe shokët e tij”, “Lulëkuqet mbi mur”, “Njeriu me top”, “Një jetë më shumë”, por edhe shumë filmave të tjerë, duke u kthyer në ikonë në kinematografinë shqiptare,.

Lajmi i trishtë për vdekjen e e tij është bërë i ditur nga shumë prej të afërmve dhe miqve në rrjete sociale.

Ndonjëherë mjafton vetëm një rol që të kthehesh në legjendë. Tomka i dashur nga te gjithë, Tomka i lirisë, Tomka që ngriti peshë zemrat e të gjithëve, edhe për ata që e njihnin… veç nga ekrani. Do mbetet Tomka jonē simbol i brezit qe kërkoi ndryshimin. Faleminderit që na bëre të ëndërrojmë përmes Tomkës! R.I.P Enea Zhegu“, shkruan Milena Selimi.

Tomka nuk vdes kurrë! Po duan të thonë se ka mbyllur sytë përjetë Enea Zhegu!Dhe bashkë me të edhe Tomka ynë!Jooooo!Enea mund të ketë vdekur edhe pse nuk kishte moshë,por Tomka kurrë nuk vdes!As sytë e Enea Zhegut në ballin e Heroit të fëminisë tonë!”, shkruan Ilia Kadia.

“U prehsh në paqe mik…Aktori i dashur i femijëve të kohës sonë Enea Zhegu”, shkruan Anila Çobani. /KultPlus.com