DokuFest ka kënqësinë të prezantojë të parin në serinë e programeve speciale, kjo e titulluar ‘Double Burdens: Exposures & Expressions‘, e kuruar ekskluzivisht për këtë edicion të festivalit nga programuesja e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Toronto, Dorota Lech, do t’shfaqim 5 filma yjor nga ana tjetër e “Perdës së Hekurit”.
Filmat në këtë seri janë një dëshmi e guximit të autorëve të tyre, të cilët u përballën me pengesa të panumërta për të shfaqur vizionet e tyre në ekran. E nxjerrur nga jeta e tyre, mjegullohet kufiri mes dokumentarit dhe fiksionit, këta filma janë plot mesazhe, delikate dhe të hapura, duke na dhënë pamje pas perdes, ku imagjinatat ishin të pa kufijta.
Filmat në këtë seri janë:
Daisies (Věra Chytilová, Çekosllovaki, 1966)
Kjo perlë klasike e kinemasë feministe që i përket Valës së Re Çekosllovake, ndjek fatkeqësitë e dy vajzave të reja të quajtura Marie I dhe Marie II, bota e të cilave është shumë e shkëputur nga një stil jetese tradicionale, aq sa në fakt i lutet shikuesit të hapë sytë rreth asaj cka ata e konsiderojnë të shenjtë për ta.
The Tied-Up Balloon (Binka Zhelyaskova, Bullgari, 1967)
Komedia satirike e Zhelyaskova e vitit 1967 ‘The Tied-Up Balloon’ (bazuar në romanin e Yordan Radichkov me të njëjtin titull), është aq e guximshme politikisht sa premiera e saj u ndalua nga autoriteti qendror për shkak të përshkrimit të ashpër të jetës në fshatrat bullgare, si dhe sugjerimeve rreth origjinës të vërtetë të udhëheqësve komunistë të shtetit.
Ndiqet një histori e Luftës së Dytë Botërore, të një tullumbaceje të madhe në formë peshku të artë që shfaqet papritur mbi fshatet bullgare, e cila bëhet sinonim i lirisë për fshatarët e Bullgarisë.
Brief Encounters (Kira Muratova, Ukrainë, 1967)
Në filmin ‘Brief Encounters’ të Kira Muratova të vitit 1967, Muratova luan Valentinën, një këshilltare e qytetit ukrainas dhe një qytetare modele sovjetike. Muratova, zbulon varësitë emocionale dhe pakënaqësitë e dy grave, në këtë rast Valentinës dhe të dashurës së bashkëshortit të saj, Naidës. Pasi profesioni i ri i Nadiës si shërbëtore e Valentinës, rezulton në gërshetimin e rrëfimeve të tyre. Kritika e Muratovës për iden abstrakte të dashurisë utopike, që rezultoi në një barrë të dyfishtë të balancimit të punës dhe shtëpisë, e ndaloi shfaqjen e filmit deri në perestrojkë.
Mona Lisa Without a Smile (Malvina Urșianu, Rumani, 1968)
Film ky themelues i kinemasë moderniste rumune,‘Mona Lisa Without a Smile’ e Ursianut vjen pas persekutimit dhe burgosjes të saj politike, duke e ndaluar atë të punojë në industrinë e filmit. Ajo ndjek historinë e një shkencëtari të quajtur Caius, që ndeshet me një ish-shok klase, Cosma, në një mbledhje shtypi, duke zbuluar se subjekti i punës së Cosma-s është ish-dashuria e tyre e shkollës, Irina. Ajo që shpaloset me këtë ribashkim sot shihet si një kritikë delikate e regjimit të Çausheskut
My 20th Century (Ildikó Enyedi, Hungari, 1989)
Filmi debutues i Enyedi në vitin 1989 ‘My 20th Century’ analizon origjinën binjake të modernitetit dhe kinemasë – elektriciteti, nëpërmjet shfaqjeve si psh: të një qeni që i nënshtrohet një eksperimenti pavlovian, ose hyrjes së foshnjave binjake Dóra dhe Lili në një botë të varfur, por me një teatralitet te idealizuar thekshëm. Dashuria e Enyedit me konceptet universale dhe dilemat materiale, na kujton qartë se shekulli ynë i 20-të është një i mbushur me paradokset dhe ne, si qeni i lidhur me elektroda, dinim pak për universin përtej “laboratorit” tonë. /KultPlus.com
Tani për tani, e vetmja gjë që Brad Pitt i ka thënë vërtet lamtumirë është cigarja (“Unë jam në një moshë që nuk më bëjnë mirë”), por shumë shpejt ai mund të ndërpresë edhe aktrimin, pasi mendon se ka ardhur koha për ta bërë këtë, sipas corriere.it.
“Mendoj se kam arritur në fazën e fundit të karrierës sime”, tha aktori 58-vjeçar në një intervistë për GQ.
Pitt nuk e di ende se cilën rrugë do të ndjekë për t’i dhënë fund një karriere tridhjetëvjeçare, plot kënaqësi dhe çmime, por ajo që është e sigurt është se ai po e mendon këtë.
“Mendoj se kam kaluar vite në depresion dhe kur arrita të pajtohem me këtë, duke u përpjekur të përqafoj të gjitha anët e vetes, të mirat dhe të këqijat, arrita t’i kap këto momente gëzimi. Tani ndihem i lumtur”, tha Pitt.
Dhe pikërisht në emër të kësaj lumturie të re, Pitt po mendon të mbyllë karrierën e tij hollivudiane për t’iu përkushtuar gjërave të tjera që i pëlqejnë, si skulpturat (gjatë pandemisë ai mësoi të bënte punime me qeramikë), dhe mobiljet (në shkollën e mesme ai ndoqi kurse në një punëtori zdrukthtarie).
“Unë jam një nga ato krijesa që flas përmes artit. Gjithçka që dua është të krijoj. Kur nuk e bëj, ndihem sikur po vdes”, tha aktori.
Megjithatë, duke gjykuar nga numri i projekteve në të cilat ai po punon dhe është përfshirë si në filmat; “Bullet Train” që do të publikohet më 25 gusht, “Babylon” në dhjetor; dhe përmes kompanisë së tij të produksionit “Plan B Entertainment” (këtë vit do të publokohet “Women Who Talk”, një adaptim i romanit të Miriam Toews dhe “Blonde”; filmi i shumëpritur i Netflix për Marilyn Monroe, ndarja nga kinemaja nuk duket dhe aq e afërt./atsh/ KultPlus.com
Egjipti i lashtë na kanë lënë trashëgimi imazhe të piramidave të larta, mumjeve të pluhurosura dhe mureve të mbuluara me hieroglife, simbole që përshkruajnë njerëz, kafshë dhe objekte me pamje të pazakontë. Këto simbole të lashta – alfabeti i lashtë egjiptian – kanë pak ngjashmëri me alfabetin latin, të cilin njohim sot.
Kuptimi i hieroglifeve egjiptiane, mbeti disi misterioz deri në zbulimin e Gurit të Rozetës në vitin 1798, pas të cilit studiuesi francez Zhan-Fransua Shampoljo ishte në gjendje të deshifronte gjuhën misterioze. Por nga lindi një nga format më ikonike dhe më të vjetra të shkrimit në botë, dhe si e kuptojmë atë? Dhe cila është origjina e hieroglifeve?
Që nga viti 4000 Para Krishtit, njerëzit kanë përdorur simbole të vizatuara për të komunikuar. Këto simbole, të gdhendura në enë apo pllaka balte të gjetura përgjatë brigjeve të Nilit në varret që i përkasin elitës, datojnë nga koha e një sundimtari predinastik të quajtur Nakada ose “Akrepi I”, dhe ishin ndër format më të hershme të shkrimit në Egjipt.
Megjithatë, Egjipti nuk ishte vendi i parë që dinte të komunikonte përmes shkrimit. Mesopotamia kishte tashmë një histori të gjatë të përdorimit të simboleve që nga viti 8000 Para Krishtit. Për ndërsa historianët debatojnë ende nëse egjiptianët e morën apo jo idenë për zhvillimin e një alfabeti nga fqinjët e tyre mesopotamianë, hieroglifet janë dukshëm egjiptiane, dhe pasqyrojnë florën, faunën dhe imazhet e jetës egjiptiane.
Me fillimin e Mbretërisë së Vjetër dhe të Mesme Egjiptiane nga viti 2500 Para Krishtit, numri i hieroglifeve ishte rreth 800. Kur grekët dhe romakët arritën në Egjipt, përdoreshin më shumë se 5000 hieroglife. Po si funksionojnë hieroglifët? Tek hieroglifet, ekzistojnë 3 lloje kryesore glifesh.
Së pari janë glifet fonetike, të cilat përfshijnë karaktere të vetme që funksionojnë si shkronjat e alfabetit anglez. Së dyti janë logografët, simbole të shkruara që përfaqësojnë një fjalë, pak e shumë si shkronjat e alfabetit kinez. Dhe se treti ishin taksogramet, të cilat mund ta ndryshojnë kuptimin kur kombinohen me glife të tjera.
Ndërsa gjithnjë e më shumë egjiptianë filluan të përdornin hieroglifet, u shfaqën 2 lloje shkrimesh: ai hieratik (priftëror) dhe ai demotik (popullor). Gdhendja e hieroglifeve në gurë ishte një proces i ndërlikuar dhe i shtrenjtë. Ndaj lindi nevoja për një lloj shkrimi më të lehtë korsiv.
Hieroglifet hieratike ishin më të përshtatshme për të shkruar në papirusë të bërë me kallamishte dhe bojë. Ato përdoreshin kryesisht për të shkruar rreth fesë nga priftërinjtë egjiptianë, aq sa fjala greke që i dha emrin alfabetit; hieroglyphikos do të thotë “gdhendje e fjalës së shenjtë”.
Shkrimi demotik u zhvillua rreth vitit 800 Para Krishtit, për t’u përdorur në dokumente të tjera ose shkrimin e letrave. Ai u përdor për 1000 vjet, dhe shkruhej dhe lexohej nga e djathta në të majtë si arabishtja, ndryshe nga hieroglifët e mëparshëm që nuk kishin hapësira midis tyre dhe mund të lexoheshin nga lart poshtë.
Prandaj, kuptimi i kontekstit të hieroglifeve ishte shumë i rëndësishëm. Hieroglifët ishin ende në përdorim nën sundimin pers gjatë shekujve VI-V Para Krishtit, dhe pas pushtimit të Egjiptit nga Aleksandri i Madh. Studiuesit mendojnë se gjatë periudhës greke dhe romake, hieroglifet përdoreshin nga egjiptianët, si një përpjekje për të dalluar egjiptianët “e vërtetë” nga pushtuesit e tyre.
Edhe pse, kjo mund të ketë qenë më shumë një zgjedhje e vetë pushtuesve grekë dhe romakë, për të mos e mësuar gjuhën egjiptiane. Gjithsesi, shumë grekë dhe romakë mendonin se hieroglifët bartnin njohuri të fshehura, madje magjike, për shkak të përdorimit të tyre të vazhdueshëm në praktikën fetare egjiptiane.
Por gjatë shekullit IV Pas Krishtit, pak egjiptianë ishin të aftë që t’i lexonin hieroglifet. Perandori bizantin Theodosi I, i mbylli të gjithë tempujt jo të krishterë në vitin 391, një akt që solli edhe fundin e përdorimit të hieroglifeve në godinat monumentale. Studiuesit mesjetarë arabë Dhul-Nun El-Misri dhe Ibn Uashshija, bënë përpjekje për të përkthyer simbolet e atëhershme të huaja.
Por përparimi i tyre bazohej në besimin e gabuar se hieroglifet përfaqësonin idetë dhe jo tingujt e folur. Përparimi në deshifrimin e hieroglifeve, ndodhi pas një pushtim tjetër të Egjiptit, këtë herë nga Napoleon Bonaparti. Forcat e Perandorit, një ushtri e madhe që kishte me vete shkencëtarë dhe ekspertë të kulturës, zbarkuan në Aleksandri në korrikun e vitit 1798.
Një pllakë guri, e gdhendur me glife, u zbulua si pjesë e strukturës në fortesën Zhylien, një kamp i pushtuar nga francezët pranë qytetit të Rozetës. Sipërfaqja e gurit mbulohet nga 3 versione të një dekreti të lëshuar në Memfis nga mbreti egjiptian Ptoleme V Epifanes në vitin 196 Para Krishtit.
Tekstet në pjesën e sipërme dhe në mes janë me shkrime hieroglife dhe demotike të egjiptianishtes së lashtë, ndërsa pjesa e poshtme është shkruar në greqishten e vjetër. Gjatë viteve 1822-1824, gjuhëtari francez Zhan-Fransua Shampoljo zbuloi se 3 versionet ndryshojnë vetëm pak nga njëri-tjeri. Guri i Rozetës (që ndodhet sot në Muzeun Britanik) u bë çelësi për deshifrimin e shkrimeve egjiptiane. Pavarësisht zbulimit të tij, sot interpretimi i hieroglifeve mbetet një sfidë edhe për egjiptologët me përvojë./bota.al/ KultPlus.com
Një nga komeditë më të bukura të Shekspirit, është ngjitur në skenën antike të Amfiteatrit të Durrësit. Artdashës, banorë të Durrësit, por edhe pushues që gjenden aty, kanë pasur mundësinë të shohin një shfaqje, nga më të mirat e trupës së Teatrit “Aleksandër Moisiu”, “Ëndrra e një nate vere”.
Me regji të Driada Dervishit, komedia “Ëndrra e një nate vere”, ishte e para që hapi siparin e shfaqjeve artistike në amfiteatrin 2000-vjeçar të qytetit të Durrësit, për këtë sezon veror.
“Një kast energjik aktorësh, mbushi me ëndrra netët verore të Durrësit”, shkruan ministrja Margariti në një postim në rrjetet sociale.
Kasti i aktorëve nën regjinë e Driada Dervishit përbëhej nga emra të mirënjohur të skenës si Romir Zalla, Gentian Zenelaj, Suela Bako, Andia Xhunga, Mimoza Marjanaku, Adelina Muça, Amos Zaharia etj. Aktorët janë ngjitur në skenën e amfiteatrit antik, për 3 netë rresht, në datat 21, 22 dhe 23 qershor.
Me një skenë, të veshur në të bardha, hënën në sfond, ngatërresat e Pakut, truket e zanave dhe një ëndërr-zhgjëndërr, komedia “Ëndrra e një nate vere” erdhi si një magji e këndshme për publikun./atsh/ KultPlus.com
Marie Aubert (1979), debutoi më 2016 me përmbledhjen me tregime të shkurtra ‘Can I Come Home With You’. Romani i saj i parë është ‘Grown Ups’. Është shpërblyer me Young People’s Critics’ Prize.
-Sigurisht që ne mund të jemi miq, por edhe të dashur, – thashë unë më pas.
Në mes të errësirës zëri im u dëgjua i hollë dhe qesharak.
Ai vuri buzën në gaz.
– Më duket se do që të tregohesh tip i fortë.
Kishim dalë për të pirë një birrë. Isha unë ajo që e kisha ftuar. Birra ma turbulloi mendjen më shumë mua sesa atij, dhe pavarësisht se ai nuk donte që të kishte një të dashur, unë e shtrëngova fort pas vetes jashtë lokalit Teddy’s Bar, ku të dy u puthëm derisa ai u dorëzua, e në vijim më mori në shtëpinë e tij.
Të nesërmen, pasi u puthëm shkurtas, i uruam ditën e mirë njëri-tjetrit. Pushimet e verës akoma nuk i kisha mbaruar, ndaj kisha zënë vend në ambientin e jashtëm të një kafeneje me një gazetë në dorë; dush nuk kisha bërë. Gjatë gjithë periudhës së pushimeve nuk isha ngritur kurrë kaq herët. Në ambientin e jashtëm kishte vetëm dy punëtorë të riparimit të rrugës, të cilët qëndronin ulur mbi dy karrige plastike të lagura nga vesa. Më merrej pak mendja, kokën e ndjeja të rëndë, qeshja me vete. Ishte vera e parë ndër shumë vite që kisha marrë pushimet, punën e rregullt e kisha siguruar vetëm një vit më parë, ndaj dhe nuk e kisha të nevojshme që të punoja gjatë verës. Pyesja veten nëse ai mendonte për mua, kjo ishte arsyeja që kafen e derdha dy herë, në një kohë që dhe gazeta më ra përtokë nga dora po aq herë.
Nuk bëra asnjë përpjekje për ta kontaktuar atë. Pas tri javësh mora një mesazh prej tij me anën e të cilit ai më pyeste nëse ndodhesha jashtë.
– Këtë nuk ma merrte mendja, – klitha tek bisedoja me Karinën; ndodheshim në një bar, dhe pikërisht në atë çast po përpiqeshim t’i tërhiqnim vëmendjen banakierit që të na shërbente.
– Ti nuk doje ta besoje, – thirri ajo me zë të lartë, – kurse unë isha krejtësisht e sigurt se ai do të merrte në telefon.
Vura re se trupi më ishte mbushur me vraja mavi që prej dy ditësh, gjë që vazhdoi edhe në ditët në vazhdimësi. Nuk isha në gjendje ta përcaktoja nëse një gjë e tillë më pëlqente apo jo. Ai më kapte nga flokët, unë shuaja etjen time seksuale, ndërkohë që ai më mbërthente me duart e tij në të dyja anët e trupit teksa lartësohesha mbi të; e gërvishta në pjesën e brendshme të kofshëve derisa ai rënkoi nga ngacmimi. Kështu vazhduam një copë herë. Ishte si një lojë e ashpër midis dy këlyshëve. Si rregull, ishim që të dy tepër të dehur, ndaj loja nuk shkonte asnjëherë deri në fund.
Ende vazhdoja të banoja në një apartament, të cilin e ndaja me të tjerë. Këtë vazhdoja ta bëja, jo se ideja më pëlqente, por thjesht përkohësisht, derisa të gjeja një hyrje më vete; me të tjerët nuk është se bisedoja për tema të veçanta, thjesht banoja së bashku me ta. Ato ishin kryesisht infermiere ose studente të shkollës së infermierëve, ndonëse nuk i mbaj mend të gjitha detajet me hollësi. Një herë dëgjova njërën prej tyre që kthehej nga turni i natës; qëlloi që ajo të futej në sallon në momentin që ne po bënim dashuri. Duhet të më ketë dëgjuar, por këtë fakt ajo nuk ma përmendi asnjëherë, ngaqë ne nuk flisnim për gjëra të tilla.
– Sa mirë që me ty nuk është problem të ushtrosh pak forcë, – tha ai tek më ceku lehtë të ndenjurat.
Kjo ishte një nga ato gjërat me të cilat nuk isha mësuar. Më pëlqente që situata të tilla t’i përballoja pa reaguar, dhe të tregohesha sikur nuk kisha dëshirë për të qenë e dashura e dikujt, apo të lëshohesha në krahët e tij.
Prej kohësh më kishte lindur mendimi për ta dhënë dorëheqjen në punë. Nga fundi i shtatorit bleva tesha të reja dhe çizme të lehta me taka shumë të larta me të cilat nuk mund të shkoja në ambientet e punës. Ato i vesha vetëm kur bashkë me Karinën dhe një shoqen e saj shkuam në St. Hanshaugen. Në një ditë që dielli shkëlqente fuqishëm dhe të jepte kënaqësi, tek ecnim, ne shkelmonin gështenjat e rëna në tokë dhe gjethnajën, duke pasur njëkohësisht mundësinë për t’i hedhur një vështrim fjordit që shtrihej më poshtë. Në qytet syri na kapi bare të reja, kafene, restorante e taverna pa fund; kjo ishte dhe arsyeja që ne filluam të dilnim çdo fundjavë. Unë sillesha sikur të isha njëzetë vjeçe dhe sapo t’i kisha nisur studimet, me pritshmërinë për të vrapuar më shpejt dhe për të folur me zë më të lartë. Ato më bënë disa pyetje në lidhje me të, i thashë se ne shkonim mirë dhe se takoheshim herë pas here, por unë gjithçka në jetë e prisja ashtu siç vinte, pa kurrfarë stresi. Ato m’u përgjigjën se ajo çka unë po thosha tingëllonte shumë zbavitëse, dhe se nuk ishte aspak tipike për mua që t’i merrja gjërat me kaq shumë qetësi. Unë nuk isha nga ato që mbanin të dashur, nuk qahesha, nuk zhgënjehesha, nuk isha as romantike dhe as nuk digjesha nga dëshira për të pasur një mori gjërash.
– Ai sigurisht që të do, qoftë edhe pak, – tha shoqja e Karinës.
Iu thashë se po mendoja të largohesha drejt New York-ut, të banoja aty pas korrikut për ndoshta rreth gjysmë viti, të gjeja aty një punë, të mësoja gjuhë të huaja dhe të lexoja libra.
– Këtë duhet ta bësh, – tha Karina. – Ka shumë mundësi që të gjitha këto t’i realizosh. Ne jemi tashmë në gjendje që t’i arrijmë këto objektiva.
-Kini parasysh se është dhe puna në mes, po kështu ka dhe mjaft gjëra të tjera, – thashë unë. – Sidoqoftë, do të ishte gjë e bukur që, thjesht, ta jepje dorëheqjen nga puna dhe t’ia mbathje diku.
Përfytyrova në atë çast trotuare të gjera me pemë të larta e të gjelbra, apartamente me dritare të mëdha, parkete prej kockash peshku që kërcisnin kur shkelje mbi to, pirgje librash, bare sekrete ku lejohej të pije duhan në ambientin e tyre të brendshëm, biseda të gjata me djem të rinj izraelitë, me flokë kaçurrela dhe sarkastikë, si edhe vajza që i shëmbëllenin Lena Dunham-it.
Ai më mori në telefon rreth orës nëntë e gjysmë, një të mërkurë në mbrëmje në muajin tetor. Kurrë më parë nuk më kishte marrë në telefon në ditë jave; më pyeti nëse doja të dilnim së bashku, thjesht të merrnim autobusin për në Maridalen dhe të ngrinim aty një tendë. Ai do të merrte me vete disa shishe me birrë; tingëllonte shumë entuziast.
– A nuk vjen më mirë tek unë, – e pyeta menjëherë. – Të nesërmen kam për të shkuar në punë.
– Po e marr një herë tendën me vete, pastaj vendos si të duash, – tha ai.
Gjeta dy dyshekë-thasë, pulovra të leshta dhe një pako me biskota; sigurisht që unë mund ta bëja një gjë të tillë, të hidhesha rrokapjekthi, ta takoja atë dhe të flinim të dy në një tendë diku jashtë në natyrë. Gjithsesi nuk shkova gjëkundi, ndihesha e lodhur dhe kisha ftohtë, temperatura jashtë kishte zbritur nën zero, e për më tepër, kishin kaluar gjashtë vite që nuk kisha fjetur në tendë.
– Sot nuk paske ndonjë qejf të madh, – tha ai teksa qeshi në momentin kur e lashë të futej brenda.
– Jam zbutur ndopak? – pyeta unë.
– Jo, aspak, – tha ai. – Sidoqoftë, shijet e njerëzve janë të ndryshme.
Ne pimë birrë nën jorganin me pupla dhe qeshëm mbyturazi. Unë ulërita në çastin kur ai më ktheu në shpinë dhe të brendshmet e mia përfunduan pranë këmbëve. Më pas ne pamë filmin e parë të serisë Lufta e Yjeve, versionin e vjetër. Për mua, filmi ishte i mërzitshëm, ndaj herë pas here kapitja sytë.
– Nuk mund të flesh pa parë filmin Lufta e Yjeve, – tha ai teksa më puthi në gushë duke e shoqëruar puthjen me një tingull të ëmbël shushuritës.
– Njerëzit kanë shije të ndryshme, – thashë unë duke e imituar theksin e tij.
– Pa shiko, – tha ai, – përsëri kërkon që të tregohesh si tip i fortë.
– Ai patjetër që të do, qoftë edhe pak, – tha Karina.
– Nuk bëhet fjalë për asgjë të këtillë, – thashë unë.
– Por gjithsesi, – tha Karina; unë buzëqesha, ngaqë nuk e mbajta dot veten.
Ne i dërguam njëri-tjetrit mesazhe, por për çudi ai nuk më pyeti nëse do të takoheshim. Një të premte, teksa rrija në shtëpi, u përgatita për ta takuar dhe i dërgova një mesazh me anën e të cilit e pyeta nëse dëshironte të vinte. Pasi kishte kaluar një kohë e konsiderueshme, ai u përgjigj se nuk e kishte problem, por së pari i duhej të shkonte në një mbrëmje. Më në fund ai i ra ziles së portës në momentin kur unë kisha orë të tëra që flija, ndaj dhe u zgjova si e hutuar, ndërkohë që trupin e ndjeva të ngrohtë dhe të rëndë. Ama, dëshira ime ishte që ta lija të priste aty ku ishte, në këmbë. Ai kundërmonte njësoj si ata personat që me të mbaruar një mbrëmje, sulen drejt një tjetre; papritur e pashë të shembet përtokë tek pragu i portës. Vura buzën në gaz dhe thirra, “o Zot!”.
Ai u fut me shumë forcë. Isha shumë e lodhur, doja të flija, megjithatë e provuam për një farë kohe.
– Tani nuk mundem më, më dhëmb trupi, – thashë unë më së fundi.
– Jo, në asnjë mënyrë, – tha ai me zërin e një fëmije, dhe nuk u ndal.
– Pajtohem me mendimin tënd, – thashë unë. – Megjithatë, po më mbyllen sytë.
M’u desh ta përsërisja këtë edhe një herë tjetër, pushova së buzëqeshuri, dhe duart i vendosa mbi kraharorin e tij.
– O zot, paske dhimbje, – tha ai me një zë sikur të ishte përgjumësh. Më pas, ai u vu në lëvizje me forcën e një burri, vendosi duart e tij mbi të miat dhe m’i uli ato më poshtë në dyshek. M’u desh ta ktheja kokën anash që të merrja frymë. Trupi i tij ishte shumë i rëndë.
Të nesërmen në mëngjes e përqafova në sallon. Me sytë që i buzëqeshnin ai ma ktheu përqafimin.
– E marrtë dreqi e marrtë, edhe unë nuk ndihem aspak mirë, – tha ai.
– Pa diskutim që nuk ndihesh mirë, – u përgjigja unë.
Nuk doja që ta lija të ikte, e mbërtheva fort, ashtu siç isha, e zhveshur, pa ditur se çfarë po kërkoja. Ai qeshi dhe më përkëdheli në shpinë.
– Mirupafshim, – tha ai.
Bëra një dush dhe u vesha si zakonisht. Dola nga shtëpia dhe shkova për një kafe bashkë me dy shoqet e mia, me të cilat më pas dolëm nëpër dyqane; bleva një pulovër të gjelbër, por nuk qëndrova gjatë për të marrë pjesë në biseda e të qeshura, për një copë herë m’u bë sikur m’u mblodh një komb në grykë, dhe më tej, në brendësi të trupit ndjeva njëfarë qetësie, por edhe një boshllëk.
Me njëri-tjetrin nuk folëm më kurrë. Nja dy herë u zgjova nga gjumi prej thirrjeve të tij të cilat nuk morën asnjëherë përgjigje nga unë.
Papritur m’u dha rasti për një punë të re, bëra kërkesën dhe kështu fitova vendin e punës. Mundësinë për të shkuar në New York me pushime e kisha, madje dhe për të qëndruar aty për një farë kohe. Pas disa muajsh bleva apartamentin tim të parë, njoha dikë që u bë i dashuri im, dhe pa dalë viti, hyrjen e shita sërish.
U desh të kalonin gjashtë vite përpara se ta shikoja këtë lidhje të re si diçka të ndryshme nga ajo lidhja e pashëndetshme që kisha pasur me djaloshin e ri, djalin e fundit me të cilin mashtrova vetveten. Një ditë kisha dalë jashtë dhe po shtyja karrocën e fëmijës në St. Hanshaugen, kisha marrë lejen e lindjes për herë të dytë. Ne kishim blerë një shtëpi me një mur të përbashkët në Oppsal, dhe pritej të futeshim aty brenda muajit tetor. Nuk isha e sigurt nëse akoma vazhdoja ta doja tim shoq, por isha ende e pushtuar nga emocionet e një jete të re, nga e zakonshmja dhe madhështorja, zërat, përqafimet dhe aroma e fëmijëve, pulovrat e vogla, si dhe nga im shoq që kisha pranë vetes netëve në shtrat, pa harruar shtëpinë e re me kopsht.
Diku aty nga lartësitë e St. Hanshaugen-it i hodha një vështrim qytetit që shtrihej përtej, ndërkohë që vajza flinte në karrocën e saj. Vjeshta kishte qenë e lagësht dhe e butë, shiu binte pjerrtas dhe lehtë mbi fytyrë. Ta shikoje fjordin ishte e pamundur. Pikërisht në atë moment u kujtova, madje u kujtova mirë se duhej ta ngrija mbulesën e karrocës së vajzës dhe të ulesha diku në një stol. Ky nuk ishte fundi, por vetëm fillimi, me parapëlqimin për takat e larta, vurratat mavi dhe planet për të udhëtuar.
Ndodh që unë shpesh të ekzagjeroj. Gjithmonë më pëlqen që të sillem kështu, të jem romantike, t’i zbukuroj e t’i praroj gjërat, por edhe të rrekem fort për t’u kthyer mbrapsht. Tashmë jam e sigurt se, po të ekzistonte mundësia e kthimi mbrapa në kohë, do të isha në gjendje t’i këmbeja të gjitha, shtëpinë dhe fëmijët, tim shoq dhe çdo gjë tjetër, vetëm e vetëm që ta rifitoja besimin se isha në gjendje t’i kapërceja fuqitë e mia e të shndërrohesha në dikë tjetër, me bindjen se kjo do të ishte po aq e lehtë për mua, sa të vishja një palë çizme të reja dimri.
Përktheu nga origjinali: Aristidh Shqevi / KultPlus.com
Cila të jetë vallë arsyeja që dashuria na shpërfaqet shumë herë më e pasur sesa tërë përvoja njerëzore dhe një gllabërim i ëmbël për tërë ata që kanë rënë në kurthin e saj? Sepse bëhemi ajo çka dashurojmë, duke mbetur në të njëjtën kohë vetvetja.
Kjo është arsyeja përse herëpashershëm ndjejmë dëshirën e zjarrtë që ta falenderojmë me të tërë të qenëshmen tonë njeriun që dashurojmë; porse, në fund, dashur pa dashur vërejmë se si kjo nuk mjafton aspak.
E vetmja mënyrë është të falenderojmë me tërë thelbin dhe thellësinë e vetvetes tonë. Dashuria e shndërron mirënjohjen në një përkushtim dhe vlerësim të vetvetes dhe, në të njëjtën kohë, në një besim pa kushte ndaj tjetrit. Kjo është edhe forma se si dashuria e dëndëson fuqimisht të fshehtën e saj…
Gërmimet në një qytet dikur të harruar po nxjerrin në dritë historitë e banorëve të tij, siç zbulon Oliver Gilkes. Fushat dhe kodrat e gjera, të larta, të rrotulluara të Kosovës janë një ndryshim i papritur nga majat e larta dhe kodrat e thyera të maleve të Ballkanit. Ky rajon me toka pjellore dhe malësi të pasura me minerale e ka bërë Kosovën shënjestër të perandorive ambicioze gjatë shekujve.
Ishte një qendër e fuqisë kulturore ilire, një pikë qendrore e ndikimit romak në Ballkanin verior, një nga qendrat e fuqisë që i dhanë jetë historisë jetëshkurtër të Perandorisë Serbe mesjetare dhe një pjesë qendrore e hegjemonisë osmane në Evropë. Popullsia e saj me shumicë shqiptare etnike shpalli pavarësinë në vitin 2008 pas një beteje shqetësuese me serbët. Që atëherë, Instituti i Arkeologjisë së Kosovës dhe Muzeu Kombëtar i Prishtinës kanë ndërmarrë sondazhe dhe gërmime të gjera, duke i dhënë shtetit të ri një ndjenjë të së kaluarës së tij. Vendet romake nuk janë fokusi, por një shembull është shqyrtuar në thellësi: Ulpiana, e cila shtrihet disa kilometra jashtë kryeqytetit të Prishtinës. Ishte një hallkë jetike në një zinxhir qytetesh që kalonin përgjatë rrugës nga Nishi, tani në Serbi dhe vendlindja e perandorit Konstandin i Madh, nëpër fushat e Kosovës dhe malet, deri në Lissus (Lezha moderne), tani në Shqipëri. Duke zbuluar Ulpianën.
Një vizitë në Ulpianë është zbuluese. Qyteti u zbulua vetëm në fillim të shekullit të 20-të dhe fshihet nën një fushë pa tipare. Më treguan ekskavatorët, miqtë e vjetër dhe kolegët e mi. Çfarë kishin zbuluar?
Qyteti u themelua nën perandorin Trajan si pasojë e luftërave të tij në veri të Danubit në Daki. Në shekujt në vijim, Ulpiana herë pas here u shfaq në ngjarjet më të gjera që i jepnin formë apo goditje perandorisë. Një vizitë perandorake nga perandori Theodosius I në shekullin e IV u pasua nga një sulm nga Theoderic, mbreti ostrogotik i Italisë, në vitin 479. Kishte gjithashtu peshkopë, megjithëse qyteti humbi statusin e tij në 545 kur Justiniani rindërtoi qytetin e tij të lindjes rreth 50 km veri-lindje. Ai e quajti atë Justiniana Prima, duke lënë titullin më të vogël të Justiniana Secunda për Ulpianën, i cili më pas ra dhe u braktis përfundimisht nga viti 618. Vitet e fundit, ekipet arkeologjike kanë punuar në studime gjeofizike, gërmime, trajnime dhe konsolidime. Vendi është shtruar bukur për vizitorët dhe ofron një hyrje të mrekullueshme të adoptimit të kulturës romake në Ballkanin verior. Kishte pak aktivitet në vend përpara vendimit të Trajanit për të krijuar një komunë të re, frymëzuar nga prania e minierave të pasura në kodrat aty pranë. Falë punës gjeofizike të ndërmarrë nga ekipet franko-gjermane, tani kemi një ide për shtrirjen e qytetit, i cili shtrihet mbi 120 ha. Ai mori vetëm një mur qyteti gjatë fazave të tij të fundit, megjithëse fitoi disa nga atributet e një qyteti romak, si një forum.
Në qendër të qytetit, ka një tempull dhe zonë të konsiderueshme, të kohës së Trajanit. Në shekullin e 3-të, një grup banjash ishin futur në portikun verior të tempullit, ndoshta për përdorim nga pelegrinët. Por ky tempull mund të ketë një rëndësi më të madhe pasi zhvillimet e mëvonshme çuan në zëvendësimin e tij nga një kishë e fortë e fortifikuar e shekullit të 6-të. Muratorë martirë Këtu i drejtohemi legjendës së dy shenjtorëve ballkanikë: Laurit dhe Florit, gurgdhendës (dhe shenjtorët mbrojtës të kuajve në traditën ortodokse) që erdhën në Ulpianë në shekullin II. Ndërsa ndërtonin një tempull, ata shëruan djalin e verbër të mjeshtrit të muratorit dhe e kthyen tempullin në kishë. Guvernatori i dënoi ata si të krishterë dhe i ekzekutoi. Tempulli u shkatërrua më vonë dhe mbetjet e tij u përdorën për të ndërtuar kishën ngjitur dhe ndërtesa të tjera në një faltore martire. Ky akt e ndau mjeshtërisht tempullin përgjysmë, duke lënë të aksesueshme një pjesë të rrënojave pranë kishës. A është ky tempulli në të cilin supozohet se kanë punuar Florus dhe Laurus, i lënë i dukshëm si një relike?
Provincat danubiane lulëzuan në botën e mëvonshme romake. Ulpiana përfitoi në atë masë që iu dha një mur i ri i qytetit rreth zonës, i përditësuar me bastionet gjysmë rrethore. Një kishë katedrale iu shtua peizazhit të qytetit në shekullin e 5-të kur u mor në dorë një shtëpi para-ekzistuese dhe u ripërdor pjesërisht për një kishë dhe pagëzimore të re dhe mbresëlënëse bazilikane. Ne kemi përmendur tashmë kishën dhe tempullin e mëvonshëm, ndoshta një faltore të gurgdhendësve të shenjtë. Në të gjithë Ballkanin dhe zonën e Danubit mund të shihen strukturat e vjetra romake që mbijetojnë në një mënyrë shumë të ndryshuar, ndërsa perandoria u ngjit pas zonës përballë sfidave të mëdha. Përfundimisht ata dështuan, pasi humbën pothuajse të gjithë territorin e tyre deri në shekullin e VII, kur popujt e rinj mbërrijnë në skenë.
Një kujtim spektakolar i këtij ndryshimi mund të shihet disa kilometra në lindje të Ulpianës. Atje, në vitin 1322, mbreti serb Stefan Milutin ndërtoi një manastir krejt të ri në lindje të Ulpianës në enklavën serbe të Graçanicës – ndoshta mbi një kishë funerare të mëparshme – si një simbol të fuqisë në rritje të mbretërisë së tij. Dinasti serb kontraktoi arkitektë më të avancuar për të krijuar një kryevepër të stilit bizantin. Një brendshme e mrekullueshme e pikturuar me afreske u mbikëqyr nga artistët Michael dhe Eutihije, nga Selaniku Bizantin, të cilët gjithashtu shquhen për punën në kishat po aq mahnitëse në qytetin e Ohrit, tani në Maqedoninë e Veriut. Manastiri i ri ishte një nga një sërë themelesh që synonin të çimentonin në pushtet pasardhësit e Romës, por në botën gjithnjë në ndryshim të Ballkanit gjërat nuk janë aq të thjeshta. Deri në vitin 1459, Serbia ishte mposhtur nga turqit dhe ishte krijuar skena për ardhjen e botës moderne./world-archaology/Express/ KultPlus.com
Gëzimi mbretëronte në fytyrën e tij, dhimbja ishte e pikturuar në fytyrën e tij, skuqja ngjyroste faqet e tij, goja e tij ishte e këndshme, merrte frymë me ndershmëri. Pishtari i mosmarrëveshjes, zëri i nderit, hidra e anarkisë, Dielli i Progresit, fusha e hamendjeve, arsenali i ligjeve, peshorja e drejtësisë, agu i lirive, errësira e injorancës, shpata e Ligjit, tirania e pasioneve, Babilonia moderne, një Kullë e vërtetë Babeli, Albioni i pabesë, Ariu mos-kovit, xha Sami.
Të dyfishoni ngazëllimin tuaj, ta hapni zemrën, të ndjeni një lëmsh në fyt, t’i mbani flokët lidhur majë kokës, të aspironi me magjepsje, të ndillni përzemërsi, të mbillni pemë. Nëna natyrë, mbreti i yjeve, ylli i mbretit, hëna e argjendtë, petalet e kadifenjta, ngjyra e gjallë, kopshti i stolisur. Konflikti luftarak, karroca e Marsit, pozicioni i ri ndërkombëtar. Një eseist fin, një poet fin, një shpirt kulmor. / KultPlus.com
Ditari i një njeriu delikat u botua nëpër revista më 1944, një vit para se autori, Pierre Drieu La Rochelle (1893-1945) të vetëvritej.
1934
Çdo mëngjes, kur zgjohem, skërmitem, bindem se është dita e fundit e punës. Ia përsëris vetes: «Nuk është e mundur, nuk jam unë ai që punon, që shkon në zyrën e tij, sado e bukur që është». Se zyra ime është e bukur.
Përsosja e turpit të Xhenit do të duhej të më bënte ta përjetësoja formën njerëzore, pra ta bëj një trup tjetër të lindë nga trupi i saj. Nuk kam frikë fare ta plaçkit trupin e saj duke e lënë shtatzënë; e kam një ndjesi tepër të gjallë të kotësisë së çdo gjëje dhe nuk më shpëtojnë lëshimet e para të paperceptueshme të mishit të saj. Kurrë s’e kam ëndërruar ta fitoj një ditë mbi vdekjen e një dite apo të një dite mbi vdekjen e një viti.
Nëse zhytem në vetmi, në shkëputjen nga gjërat dhe nga qeniet, e nëse jo në ekstazën mistike, të paktën në kundrimin intelektual, a nuk ndodh kjo ngase e gjithë kjo është një pretekst për ta shmangur jetën dhe për t’iu vardisur vdekjes?
Punëdhënësi im merret me art. Siç shkruante dje një lajkatar: «çdo muaj i ngre një monument artit modern dhe konceptimit modern të artit antik». Mbase revista jonë është revista më e mirë e artit që botohet në botë (thashë «jonë»! Më shpëtoi dhe kjo flet shumë). Amerikanë, anglezë, gjermanë e adhurojnë dhe imitojnë. Në ata fashikuj ka njëfarë shkence djallëzore të tipografisë dhe fotografisë. Pushtetit antik të magjisë së karaktereve të shtypit i shtohet, në mënyrë të posaçme, pushteti burgosës i imazheve. Është sikur, përpara një rezultati të tillë, njerëzve të mos u mbetej tjetër pos të shikonin, kundronin dhe reshtnin së jetuari. Short i tmerrshëm, që i paralizon forcat e dashurisë. Mes një tempulli meksikan dhe një hajmalie greke, një pikturë e Pikasos merr një pamje përjetësie përnjëmend shkurajuese. Kush e bën gjithë këtë? Ai apo unë? Ndiej tmerr nga krejt kjo, megjithatë nëse ndodh gjithë kjo, ndodh falë meje. Pa mua, ai s’do t’ia dilte kurrë. Por me artin e tij të nuhatjes dhe shfrytëzimit, do ta gjente një zanatli tjetër. Puna është se s’ka shumë si unë në treg. Punëdhënësi im dëshiron të fitojë. Po pse nuk shet këpucë në vend se të një reviste arti? Nga dobësie i ka hyrë artit, se ndihej më pak i fortë se ata që do t’i kishte takuar duke tregtuar me këpucë? Apo e ka nga një lakmi e veçantë? Goxha i dyshimtë. I pëlqen të trajtohet si artist përveç se si milioner. Gjithçka i shkon për shtati art. I ve të gjitha artet në të njëjtin rrafsh dhe në të gjitha periudhat. Primitivë e dekadentë, për të është e njëjta gjë. Për mua jo. Lindja dhe vdekja e një arti janë për mua lindja dhe vdekja e një populli. Për të, popuj ka gjithmonë; i mjafton të kalojë nga njëri te tjetri për ta gëzuar përherë të njëjtën ethe njerëzore.
Frika të kem një fëmijë është kudo dhe askund. Një mijë pretekste, por asnjëri valid. Vepron vetëm frika në vete: frika e të jetuarit, frika e manifestimit, lëvizjes, frika e të qenit. Por jo, është tashmë reshtja e të qenit, nevoja e pashuar për të shkuar përtej të qenit.
Gjatë gjithë jetës kam qenë i obsesionuar nga tema e ishujve. Kur jam në ndonjë ishull, më duket se jam në vendin tim ideal: në tokë dhe larg tokës, në njerëzoren dhe larg njerëzores.
Marrë nga: Pierre Drieu La Rochelle, “Diario di un delicato”, SE, 1998/Express/ KultPlus.com
Fragmenti u vu re nga një murg midis shekujve IX dhe të X në një dorëshkrim të mbajtur në Würzburg. Ndërsa zbulimi, u bë nga historiani i gjuhës italiane Vittorio Formentin dhe paleografi Antonio Ciaralli.
“Fui eo, madre, in civitate, vidi onesti iovene”
[ italiano “Ero in quella città, mamma
ho visto l’onesti con Giove”
shqip;”Isha në atë qytet, nënë,
e pashë të ndershmit së bashku me Giove”]
Është vargu më i vjetër i një teksti poetik që i përket traditës letrare italiane, ndoshta i shënuar nga një murg midis shekujve IX dhe X në margjinat e një dorëshkrimi, që daton në shekullin e VIII-të, i ruajtur në Würzburg, Gjermani.Një zbulim i bërë nga historiani i gjuhës italiane Vittorio Formentin, i Departamentit të Shkencave Humane dhe Trashëgimisë Kulturore të Universitetit në Udine dhe nga paleografi Antonio Ciaralli i Universitetit të Perugias.
“Una chanson de femme”(Kënga e një gruaje)
Dhe po sipas dy studiuesve, kjo është linja hapëse e një “chanson de femme”, një formë lirike në të cilën kënga këndohet nga një zë femëror. Fragmenti “është një kontribut i çmuar në rindërtimin e asaj që duhet të ketë qenë prototipi i hershëm mesjetar (shek. VI-IX) i romancës lirike, gjeneza e së cilës është e diskutueshme për shkak të mungesës – të paktën deri tani – të teksteve të mbijetuara”, shpjegon. Universiteti i Udine-s.
Një konfirmim historik – Zbulimi i Formentin dhe Ciaralli do të konfirmonte teorinë sipas së cilës origjina e romancës lirike duhet t’i atribuohet “chanson de femme”. “Metrika, leksiku dhe tema e vargut të rizbuluar” kanë krahasime fjalë për fjalë në shumë romancën e mesjetës së vonë, veçanërisht në “cantigas de amigo”(këngë për mikun)galego-portugeze të shekujve XIII dhe XIV, sado që t’i paraprijnë ato me shumë”, shpjegojnë dy studiuesit.
Në gjuhën italoromanecesko – “Aspekti gjuhësor është gjithashtu shumë i rëndësishëm: përdorimi i shumësit asigmatik “onesti iovene” si objekt i drejtpërdrejtë tregon se vargu është shkruar në një variant italoromancesk. Kjo e bën atë dëshminë më të vjetër poetike për momentin në traditën tonë letrare”, përfundojnë Formentin dhe Ciaralli.
Artikulli i marrë nga Rivista TGCOM24 i datës 17 Qershor 2022
Dhe duke qenë se tek e fundit me kalimin e viteve çdo njeri ka fytyrën që meriton ngaqë është bërë jo vetëm me mishin por edhe me shpirtin e tij , me guximin dhe frikërat e tij, me madhështinë dhe mjerimin e tij, atdheu ynë më se fundi në pjekurinë e tij ka fytyrën që duhet të kishte, atë fytyrë që i kemi gdhendur të gjithë ne dhe gjithsecili prej nesh në mishin e tij të gjallë ; politikanë apo artistë të kulluar, kodoshë apo baballarë te ndershëm, milionerë apo argatë, ateiste apo besimtarë. Kësisoj, nëse të gjithë mund t’i rivendikojmë virtytet e tij askush mos të jetë aq maskara sa të shpallet i pafajshëm për të këqijat e tij. / KultPlus.com
KultPlus ju sjell njërën nga poezitë më të njohura të Beqir Musliut, ”Mbretëria e rrënuar e Kosovës”.
Zemra kemi mundur t’i nxjerrim në secilin trëndafil Derisa bozhuret të ligjërojnë mbi atë mbretëri Që është rrënuar deri në gurin e fundit të themelit Përse nuk arritën ka krijojnë as pamjen e mykur
Këtu asgjë nuk është në atë vend siç ka qenë As beteja që ka vallëzuar me koka dhe shpata Zllapohet tash gjaku e bozhuret hanë vetveten Në mungesë të bukës që e sosi mbretëria e marrë
Luftëtarët i varëm për degët e historisë Kemi mundur t’i kërkojmë fëmijët tanë nëpër luftëra Të cilët na i mësuan emrat si të stërgjyshërve Apo i ndrydhën në këtë ditë që është jatagan
Nëse prapë zë fill beteja atëherë ku jemi ne Do të ktheheshim në zanafillë apo do të mbylleshim Në zemrat e bozhureve si në zemrat tona robër Të ëndërrojmë parajsën e kuqe si vuajtjen tonë
Por këtu gjithçka tjetër është rrënuar përveç nesh. / KultPlus.com
Si pjesë e projektit “Qytetarë Angazhohuni”, që realizohet nga Kosovo 2.0 dhe Instituti GAP, sot do të zhvillohet një bisedë interesante ku do të flitet për kulturën dhe ligjin e ri për kulturë i cili është në ardhje.
Sipas organizatorëve, një ligj i ri për kulturën është udhës. Me aq pak sa dihet në publik për përmbajtjen e këtij ligji, shpresat janë që ai do t’ua zgjidhë nyjën problemeve të kamotshme të kulturës. Derisa sipas ministrit të tanishëm të kulturës, ky ligj do “sjellë zgjidhje strukturore”, kjo ministri është kritikuar shpesh për mosshtyerjen përpara të ligjeve që lidhen me kulturë, derisa procesi i hartimit të ligjit të ri është konsideruar si një proces shumë i ngadalshëm.
Përkundër premtimeve të vazhdueshme të ministrisë për reforma të thella në kulturë, telashet pothuajse banale e që janë përcjellur me vite të tëra, prej pamundësisë për mbajtje të shfaqjes për shkak të mungesës së energjisë elektrike e problemeve me mikrofonë në teatër deri te formularët e ndërlikuar e të paqartë për aplikim për fonde e anulimet “abitrare” të thirrjeve publike, kanë vazhduar.
Një vështirësi tjetër është (mos) mbështetja adekuate dhe e qëndrueshme e skenës dhe krijuesve të pavarur kulturore, e cila, përtej kushteve të vështira në të cilat gjendej përpara pandemisë, u godit rëndë nga kjo e fundit. Krijuesit e pavarur tash po kërkojnë hapa konkretë për ndërhyrje nga ministria që të trajtohen dëmet që pandemia u ka shkaktuar.
Midis kësaj gjendjeje, në pritje të ligjit të ri për kulturën, përmes kësaj bisede synohet të dihet më shumë se çka do të përmbajë ky ligj? Si po organizohet procesi i hartimit? Kush janë njerëzit që janë angazhuar në proces? Si do të zgjidhen hallet e kahershme të kulturës përmes këtij ligji? Ku qëndron kultura, një vit pas ardhjes në pushtet të qeverisë së re?
Në bisedë e cila do të zhvillohet sot në ora 17:30, do të bashkohen: Hajrulla Çeku – Ministër i Kulturës, Vullnet Sanaja – Themelues dhe Drejtor Ekzekutiv i Anibar, Donjetë Murati – Punëtorët në Art.
Biseda do të moderohet nga Lirika Demiri, gazetare në K2.0.
Kjo bisedë është organizuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, si pjesë e projektit “Qytetarë Angazhohuni”, që realizohet nga Kosovo 2.0 dhe Instituti GAP. Përmbajtja e kësaj bisede është përgjegjësi e vetme e Kosovo 2.0 dhe Institutit GAP dhe në asnjë mënyrë nuk paraqet pikëpamjet e Bashkimit Evropian. / KultPlus.com
Qendra për Kulturë dhe Edukim “Sheshi” organizon përurimin e librit me tregime “Hipnoza” të shkrimtarit Albin Mehmeti, përcjell KultPlus.
Përurimi mbahet të martën me fillim nga ora 12:00, në Institutin Albanologjik të Prishtinës.
Proza e shkurtër e Albin Mehmetin është vlerësuar lart nga lexuesit dhe kritikët letrarë, duke e cilësuar autorin në fjalë si një nga zërat më të veçantë e më premtues të gjeneratës së re të shkrimtarëve shqiptarë të Kosovës.
Një nga qëllimet thelbësore të QKE “Sheshi” është promovimi i shkrimtarëve të rinj të vendit tonë. /KultPlus.com
Ditën e sotme presidenti Ilir Meta dekoroi me titullin “Mjeshtër i Madh” artisten e spikatur shumëdimensionale, si dhe mbrojtësen e të drejtave të njeriut, Hueyda El Saied (pas vdekjes).
Në ceremoninë e dekorimit, duke iu drejtuar familjarëve, kolegëve, artistëve dhe personaliteteve të shumtë të artit të pranishëm, Presidenti Meta u shpreh:
“Në vlerësim të kontributit të pasur si artiste shumëdimensionale në fusha të ndryshme si balet, pikturë, televizion e teatër. Me mirënjohje të veçantë për përkushtimin e saj social e human, si gazetare dhe juriste e të drejtave të njeriut, duke pasuruar karrierën e saj profesionale dhe angazhimin në shoqëri, si dhe duke dëshmuar vlerat më të mira njerëzore, jemi mbledhur të nderojmë një personalitet shumë të dashur për shqiptarët, brenda dhe jashtë vendit, një piktore, shkrimtare, prezantuese televizive, balerinë profesioniste, një juriste dhe një aktiviste në fushën e të drejtave të njeriut si Huejda el Sajed (Hueyda El Saied).
Jeta e Huejdës ka qenë shumë dinamike. Nga diplomimi në Liceun Artistik te studimet e larta për drejtësi, e ato pasuniversitare për ‘Bashkëpunim Ndërkombëtar, të Drejtat e Njeriut dhe Politika Europiane”.
Në një postim në rrjetet sociale, Meta shkruan se “mes shumë emocioneve, vlerësova sot në praninë e dhjetëra artistëve, intelektualëve dhe aktivistëve të shoqërisë civile, një personalitet shumë të dashur për shqiptarët, një simbol të mirësisë dhe suksesit, që na mungon të gjithëve, artisten, juristen dhe aktivisten e shquar të të drejtave të njeriut, të paharruarën Hueyda El Saied.
Huejda u largua shumë shpejt nga jeta, kur kishte ende shumë për të dhënë. Megjithatë ajo përmbushi me dinamizëm ciklin e një jete të tërë, plot arritje dhe shkëlqim. Kontributi shumë i pasur në art dhe përkushtimi i saj i vazhdueshëm human e për të drejtat e njeriut, dëshmojnë në thelb dëshirën dhe dashurinë e saj për jetën dhe për ta jetuar atë.
Me mirënjohje të veçantë për përkushtimin e saj social e human, si gazetare dhe juriste, duke pasuruar karrierën e saj profesionale dhe angazhimin në shoqëri, si dhe duke dëshmuar vlerat më të mira njerëzore, i akordova Titullin “Mjeshtër i Madh”, duke ja dorëzuar djalit të saj të vogël Gabriel dhe bashkëshortit Thierry.
Gjithmonë do ta respektojmë kujtimin dhe trashëgiminë artistike të Hueyda El Saied, një model i përhershëm frymëzimi dhe referimi për të rinjtë!”.
Fjala e plotë e Presidentit Meta
“Jemi mbledhur sot së bashku, të nderojmë një personalitet shumë të dashur për shqiptarët, brenda dhe jashtë vendit, një piktore, shkrimtare, prezantuese televizive, balerinë profesioniste, një juriste dhe një aktiviste në fushën e të drejtave të njeriut si Huejda el Sajed (Hueyda El Saied).
Jeta e Huejdës ka qenë shumë dinamike. Nga diplomimi në Liceun Artistik te studimet e larta për drejtësi, e ato pasuniversitare për ‘Bashkëpunim Ndërkombëtar, të Drejtat e Njeriut dhe Politika Europiane’.
Ajo ndërtoi një karrierë tepër të pasur artistike e profesionale dhe pati privilegjin të punonte në fusha dhe zhanre të ndryshme, si në balet, pikturë, televizion e teatër, gazetari, dhe si juriste në fushën e të drejtave të njeriut.
Huejda ishte një artiste shumëdimensionale. Ajo filloi të pikturonte në vitet 1990-të dhe puna e saj ra shpejt në sy të agjentëve dhe adhuruesve të pikturës.
Ekspozitat e saj janë hapur në shumë vende të botës si: Dubai, Luksemburg, Paris, Stokholm, Nju-Jork, Zyrih, etj.
Huejda el Sajed u bë e njohur për stilin unik dhe talentin e saj në zgjedhjen e tematikave dhe në kombinimin e ngjyrave. Përmes punimeve të saj shprehëse, do të transmetonte gjithmonë mesazhe sociale.
Huejda ka pasur gjithmonë një karrierë të pasur në televizion, si prezantuese e lajmeve, apo dhe në drejtimin e shumë emisioneve.
Të gjithë e kujtojmë Huejdën si balerinën aq profesioniste në shfaqjen televizive ‘12 vallëzime pa një të shtunë’.
Si balerine e talentuar spikati edhe në Itali e në Francë, ku u zhvendos e ku vijoi karrierën e saj edhe si koreografe.
Përkushtimi i saj social e human, si gazetare dhe juriste e të drejtave të njeriut, ishte një tjetër aspekt i figurës së saj.
Huejda ka qenë nga artistet e para, që në bashkëpunim me Organizatat e Shoqërisë Civile, organizoi ankandin e parë bamirës të pikturave, në ndihmë të fëmijëve.
Ndërkohë që angazhimi në aktivitete kundër trafikimit të qenieve njerëzore apo artikujt në media të ndryshme për çështje sociale e qytetare, e pasuruan me një tjetër dimension jetën e saj.
Huejda u largua shumë shpejt nga kjo jetë, kur kishte ende shumë për të dhënë, por në këtë hark kohor të shkurtër, ajo përmbushi me dinamizëm ciklin e një jete të tërë, plotë arritje dhe shkëlqim.
Kontributi shumë i pasur në art dhe përkushtimi i saj i vazhdueshëm human e për të drejtat e njeriut, dëshmojnë në thelb dëshirën dhe dashurinë e saj për jetën dhe për ta jetuar atë.
I përjetshëm kujtimi i Huejda el Sajed (Hueyda El Saied)! / KultPlus.com
Dizajneri kosovar Albian Gagica ka reaguar për mospërfshirjen e Kosovës në liberalizim të vizave. Ai me gishtin e mesëm ka dërguar dashuri për EU-në. KultPlus ju sjell të plotë reagimin e Albian Gagicës, i cili ka dizajnuar një dizajn protestë për EU-në.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se sot janë procesuar shtesat prej 100 euro për studentët, përcjell KultPlus.
Ai përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se përfutiues janë rreth 46 mijë studentë të cilët i kanë plotësuar kriteret e kërkuara.
Postimi i plotë i ministrit Murati:
Kam kënaqësinë t’ju njoftoj që sapo u procesua edhe pagesa e shtesës prej 100 euro për studentët.
Grupi i parë i përfituesve janë rreth 46 mijë studentë të cilët kanë plotësuar kriteret, dhe për të cilët kemi pasur informata të sakta.
Për një numër të konsiderueshëm të aplikantëve, të dhënat që kemi pranuar nga universitetet kanë qenë të mangëta ose nuk ekzistojnë fare.
Prandaj gjatë ditëve në vijim, do të tentojmë të rikonfirmojmë të dhënat pë rastet që janë të pakompletuara, dhe sapo t’i kemi pranuar informatat nga këto universitete, do të procesohen edhe pagesat për grupin e mbetur./ KultPlus.com
Me një minutë heshtje filloi nata e mbrëmshme e Javës së Filmit Kosovar në Mitrovicë.
Ani pse programi i Javës së Filmit Kosovar është publikuar kohë më parë, e që mbrëmë do duhej shfaqur filmi “Cirku Fluturues”, lajmi i hidhur që erdhi me mëngjes mbi humbjen e producentes dhe menaxheres së njohur Vjosa Berisha trondit të gjithë e kështu ndodhi edhe me organizatorët e Javës së Filmit Kosovar..
Që në hapje të programit u mbajt një fjalim përkujtimor mbi veprimtarinë e saj, si dhe në nderim të saj u mbajt një minutë heshtje nga të pranishmit.
“Vjosa na la po këtë ditë, kur në rrethana tjera do ishte para audiencës duke bashkëbiseduar mbi filmin dhe veprimtarinë e saj”, u tha nga organizatorët.
Megjithatë, ajo mbrëmë ju “foli” të gjithëve përmes punës së saj të palodhshme, përmes të qenurit prapa kamerave dhe ekipit realizues, përmes imazheve e dialogut të filmit i cili mbajti gjallë interesimin e audiencës për dy orë rresht. Nën të qeshura e lotë, “Cirku Fluturues” i prodhuar nga zelli e pasioni i saj, do mbetet krijim artistik i paçmueshëm i kinematografisë kosovare, xhevahir më vete në xherdanin e filmave të suksesshëm shqiptar. / KultPlus.com
Ernesto Sabato është shkrimtar argjentinas me prejardhje arbëreshe. Ai ka lindur më 24 qershor të vitit 1911. Sot, KultPlus sjell një shkrim për shkrimtarin dhe eseistin argjentinas me prejardhje arbëreshe.
Familja e tij kishin njëmbëdhjetë fëmijë, të gjithë djem. Ernesto ishte fëmija i dhjetë i familjes Sabato. Ditën që lindi, vëllau më i madh vdiq dhe e ëma e pagëzoi Ernesto sipas vëllait të tij. Ai kreu shkollën e mesme më 1928 dhe u regjistrua në Universidad de La Plata, ku studioi fizikë dhe matematikë. Sabato ka lindur në Rojas, provincia de Buenos Aires në Argjentinë më 24 qershor, 1911. Nëna e tij Juana Maria Ferrari rridhte nga një familje arbëreshe e Italisë, ndërsa babai i tij, Franciso Sabato, po ashtu ishte nga Italia.
Nga Luan Rama
Ernesto Sabato, shkrimtari i shquar argjentinas dhe ndër më të mëdhenjtë e kontinentit latino-amerikan ka shumë vite që ka vdekur. Një shkrimtar që jetoi gjatë, shumë gjatë dhe që pothuaj një dhjetëvjeçar ai u shkëput nga letërsia, pasi nuk shikonte mirë nga sytë, çka e pengonte të shkruante. Atëherë ai iu kthye pikturës, të cilën e pëlqente që në rininë e tij.
Në moshë të thyer, ai pikturonte atje në kopshtin e tij, mes cicërimave të zogjve dhe muzikës klasike, shpesh Brahms, të cilin e pëlqente në veçanti. Shkrimtarin e takova pikërisht kur do të shkonte në Shqipëri, për të marrë “Çmimin Kadare”, por nuk ishte çmimi ai që e grishte të shkonte në Shqipëri. Ajo që e shtynte ishte se para vdekjes, të mund të shikonte vendin e të parëve të tij, vendin nga ku ishin nisur pararendësit pas pushtimit të Shqipërisë nga perandoria osmane. Familja e tij kishte jetuar disa shekuj në Kalabri gjersa më në fund, familja kishte emigruar në Argjentinë, si shumë familje të tjera të shqiptarëve të Italisë së Jugut.
Unë u takova me Sabaton dy herë radhazi në “Hotelin Madison”, në Saint-Germain-des-Près, një ndërtesë tipike parisiene dhe e stilit të vjetër, ku ai vinte gjithnjë. Ashtu me syze të zeza për të mbrojtur dhe atë shikim të dobët që i kishte mbetur, edhe pse 85-vjeçar, ai ishte si një burrë në moshë mesatare, jo vetëm se ishte thjesht me një këmishë, por sepse nuk ishte i shëndoshë, pra kishte një trup atleti.
Nga Ernesto Sabato kisha lexuar kohë më parë një tregim të botuar në shqip si dhe librin e fundit të tij “Engjëlli i errësirave”, një roman tronditës, që më 1977 ishte shpallur në Francë si libri më i mirë i huaj i atij viti.
Atë paradite me diell, në hollin e poshtëm të atij hoteli simpatik në frymën e viteve 30’ të shekullit XX, në fillim zbriti impresario e tij, një grua rreth të pesëdhjetave, me një fytyrë të ëmbël. Një ditë më parë, ata kishin pasur një konferencë shtypi dhe tani ajo po interesohej për organizimin e takimeve të tjera me gazetarë, botues, intelektualë parisianë dhe miq të vjetër të Sabatos, i cili Francën e kishte si një atdhe të dytë.
Pas pak zbriti një burrë me shtat mesatar, jo i shëndoshë dhe me një palë syze të errëta, që kishte një buzëqeshje të gëzuar në fytyrë. Pikasa që mikesha e tij e shihte me një lloj adhurimi, madje dhe më shumë se kaq, çka më vonë mora vesh se pas vdekjes së gruas së tij, impresario bashkëjetonte me të, edhe pse kishin një diferencë prej afro 35 vjetësh.
Ai më shtrëngoi fort në krahë, me një dashuri që nuk kishte të bënte thjesht me mua, por me shqiptarët në përgjithësi. Ishte një takim që ai e kishte dëshiruar vite me radhë, por që nuk mund ta realizonte, siç më tha, gjatë kohës së diktaturës shqiptare.
Ishte i gëzuar gjithashtu edhe sepse shqiptarët kishin preferuar letërsinë e tij, edhe pse ai ishte mjaft modest dhe shpesh nihilist për romanet dhe shkrimet e tij. “Jam shumë i gëzuar që po shkoj në Shqipëri. Andej rrjedh gjaku i të parëve të mi, që nga koha e Skënderbeut!” Ndjeva në zërin e tij një lloj krenarie dhe gëzimi të pazakontë.
Ernesto Sabato ishte nga shkrimtarët më të mëdhenj latino-amerikanë krahas Borgesit, Gabriel Markez, Asturias dhe Kortazar. Njëkohësisht ai ishte një eseist i njohur që kishte shkruar shumë ese mbi artin, filozofinë dhe procesin krijues. Tri ishin romanet e vetme të tij, që e kishin bërë të njohur në të gjithë botën: “Tuneli”, “Alejandra” dhe “Engjëlli i errësirave”. Libri i fundit, ashtu si dhe në tërësi letërsia e tij, ishin të lidhura me çaste të rëndësishme të jetës së tij.
Ai kishte lindur më 24 qershor të vitit 1911, në Rojas, jo larg Buenos Aires, ku u vendos fillimisht familja e tij.
I ati ishte një italian, që instaloi një mulli në Rojas. Quhej Don Francisco Sabato. Në Argjentinë në atë kohë emigronin shumë arbëreshë, madje dokumentet e hershme flasin edhe për vitet 1860 kur ata vendoseshin në krahinën e Lujas.
Studimet e mesme Sabato i kreu në një kolegj të La Platas, larg familjes, ndërsa ato universitare në Buenos Aires. Në vitin 1938, si doktor i shkencave fizike e matematike të Universitetit të La Platas, ai mori një bursë nga Shoqata për Progresin dhe Shkencën, e drejtuar nga prof. Houssay, “Çmimi Nobel”, për të mundur që të studiojë rreth radioaktivitetit në Francë.
Kështu ai u nis të punonte pranë laboratorëve të Marie dhe Joliot Curie, në Paris. Më 1945 botoi romanin e tij të parë “El Tunel” (Tuneli) dhe u vlerësua me çmimin e parë për letërsinë në Buenos Aires. Më 1948, shkrimtari ekzistencialist francez Albert Camus, u mor me botimin e këtij romani në gjuhën frënge, botim i shtëpisë botuese “Gallimard”, çka e bëri atë menjëherë të njohur në të gjithë botën letrare.
Pas një sërë shkrimesh e librash kritikë dhe ese, ai botoi romanin e tij të dytë “Alejandra” apo në titullin origjinal “Sobre Heroes y tombas”, i cili u vlerësua me disa çmime ndërkombëtare.
Më 1974 botoi librin e tij të tretë të rëndësishëm “Abaddon el Exterminador” apo “Engjëlli i errësirave”, duke u vlerësuar me Çmimin e Madh të Nderit të shoqërisë së shkrimtarëve argjentinas, si dhe me çmime të tjera ndërkombëtare.
Sabato njihet si një autor i nderuar nga shumë çmime ndërkombëtare midis të cilave “Çmimi Servantes”, në Spanjë, “Çmimi Gabriela Mistral” në Uashington, “Çmimi Jerusalem” në Izrael etj. Ai është njëkohësisht dhe “Doctor Honoris Causa” i shumë universiteteve të botës dhe do të ishte nder për universitetin shqiptar që ai të kishte të njëjtin titull edhe në Shqipëri.
Ato ditë, në hollin e hotelit, unë e pyeta për jetën e tij, letërsinë, artin dhe angazhimin e tij politik. Dhe ja biseda jonë:
– Para se t’ju takoja, në një nga librat e botuar pashë një fotografi të nënës suaj, të cilën ju e krahasoni me perëndinë. Ju jeni në prehrin e saj, rrethuar edhe nga vëllezërit e tjerë. Fytyra e saj kishte diçka të ngjashme me gratë e Jugut të Shqipërisë të fillimit të këtij shekulli; ishte një fytyrë stoike.
– Nëna ime ka jetuar gjithnjë me nostalgjinë e të parëve të saj. Gjithmonë ajo fliste shqip me të vëllain e saj. Madje edhe sot më kujtohen disa fjalë shqip që kanë të bëjnë me bukën, shtëpinë… Ajo rridhte nga një familje e vjetër e vendosur në Kalabri, në “Magna Grecia” siç quhej atëherë, fill pas vdekjes së Skënderbeut, në fshatin San Martino.
Historia e Skënderbeut, e këtij princi mesjetar shqiptar më ka tërhequr gjithnjë: jeta e tij në oborrin e sulltanit në Stamboll, ikja me një grup kalorësish për të çliruar Shqipërinë, lufta e tij legjendare 25-vjeçare në mbrojtje të atdheut të vet, por edhe të Evropës… Jo më kot venedikasit e kanë cilësuar “princ të Krishterimit”. Pra, nga mijëra familje shqiptare që shkuan në Kalabri, nën mbrojtjen e mbretit të Napolit, mik dhe aleat i Skënderbeut, ishte edhe familja e nënës sime, e cila u vendos fillimisht në Santa Martino de Finita (përpara quhej Santo Martino de Finito).
Mbaj mend që gjyshja e nënës sime quhej Maria Gjuzepina e San Marcos (fshati ku jetonin në atë kohë), një grua e hekurt dhe me karakter të fortë, por edhe një grua e mrekullueshme.
Kur nëna ime u martua, ajo i kishte dhënë një unazë të vjetër të familjes me inicialet M. S. pra San Marco. Këtë unazë, para se të vdiste, nëna ime ia dha gruas sime, Matildës, ndërsa më pas ajo ia dha mbesës sime që quhet Marina Sabato. Kështu kjo unazë e vjetër shqiptare shtegton nga brezi në brez.
– A e keni vizituar ndonjëherë atë vend?
– Po, kam pasur shumë dëshirë të njihja vendbanimin e hershëm të të parëve të mi dhe prandaj dhe e kam vizituar. Tashmë dua të kthehem edhe një herë, ndoshta për herë të fundit. Dua të shkoj në kujtim të nënës sime që e thërrisja “mama”, dhe ta shoh patjetër atë fshat. Historia e gjyshes sime është interesante. Një shqiptar ra në dashuri me të, por ajo nuk donte të martohej. Më së fundi, ajo u martua me një shqiptar tjetër të quajtur Ferrari. (Ju e dini që në ato kohëra shumë shqiptarë morën mbiemra italianë, por në fakt mbiemri i tij i vërtetë ishte Papi). Në fakt, nëna e saj nuk donte që ajo të martohej me të, pasi vëllai i tij ishte një prift, një qejfli femrash, por mjaft elokuent e inteligjent. E shkreta mama, kur shkonte në kishë, ajo qante nga fjalët e priftit elokuent dhe kur vinte në shtëpi e urrente atë.
Në të vërtetë, prifti dhe vëllai i tij, rridhnin nga një familje shumë e pasur shqiptare, me titull “markez”, por më pas, ata e kishin humbur gjithë pasurinë e tyre. Vitet kaluan dhe gjyshi im vdiq shpejt, në moshën 40-vjeçare. Kështu shtëpia ra në krahët e nënës sime, atëherë 15-vjeçare. Pikërisht në këtë kohë, ata u detyruan të emigrojnë nga Kalabria në Argjentinë, si dhe shumë italianë e shqiptarë të tjerë, apo dhe emigrantë nga e gjithë bota: 80-90% e popullsisë së Argjentinës janë emigrantë.
– Dhe tani që po shkoni në Shqipëri, çfarë ndjeni?
– Emocione të forta. Mama për mua ishte një hyjni. Kjo ftesë që m’u bë ishte shumë prekëse për mua.
– Ju do të merrni në Shqipëri çmimin letrar “Kadare”. A keni lexuar diçka nga vepra e Kadaresë që konsiderohet shkrimtari më i madh shqiptar i ditëve tona.
– Fatkeqësisht unë nuk e kam lexuar veprën e Kadaresë dhe kjo për arsye se 16 vjet më parë, unë kam kaluar një sëmundje që ma shkatërroi shikimin duke u kthyer në një njeri gjysmë i verbër.
Unë nuk mund të lexoj. Kështu i jam kthyer pasionit tim të dikurshëm, pikturës, ku në tablo të mëdha mund të hedh vizionet e mia. Unë e takova Kadarenë para jush: m’u duk sa një tip timid e njëkohësisht një personazh i fortë, me një personalitet të fuqishëm. Kam dëgjuar shumë për egon e veprave të tij.
– Kam parasysh jetën tuaj të vështirë dhe në veçanti nëçastet e diktaturës ushtarake në Argjentinë. Përse ju nuk ikët nga Argjentina në atë kohë të errët dhe të kërkonit strehim politik, p.sh. në Francë apo gjetkë?
– Detyra ime ishte të qëndroja, edhe pse e dija se rrezikoja. Nuk di se si kam mbetur gjallë. Me sa duket ata e kuptuan se nuk mund të më zhduknin, se kjo do të kishte një jehonë ndërkombëtare. Megjithatë, ata shumë herë më kanë kërcënuar me vdekje. Madje, më kanë kërcënuar edhe me vdekjen e nipit tim. Më kujtohet një ditë, kur një nga djemtë e mi më tha: “Të mos harrojmë baba, se ka 30 milionë njerëz që nuk mund të ikin nga ky vend për shkak të diktaturës…”.
Unë personalisht nuk mund të gjykoj për ata që ikën në atë kohë. Shumë prej tyre, po të mos largoheshin dhe po të kapeshin, do të torturoheshin dhe vriteshin. Ato kohë në ikëm nga Buenos-Aires dhe u vendosëm në fshat. Gjatë një kohe jetuam në një bodrum pasi kishim frikën e bombardimeve. Unë gjithnjë kam qenë kundër diktaturave, të djathta apo të majta. Të gjitha diktaturat janë të këqija. Nuk ka diktaturë të mirë apo të keqe. Diktatura është diktaturë, siç ka qenë dhe te ju.
– Në rininë tuaj ju keni marrë pjesë në lëvizjen komuniste për disa vite me radhë dhe pastaj jeni larguar. Përse ka ndodhur kjo?
– Fillimisht isha një anarkist bashkë me disa miq dhe shokë të mi të shkollës. Merrnim pjesë gjithnjë në manifestimet që organizoheshin kundër qeverisë apo kundër fashizmit. Pastaj hyra në lëvizjen komuniste ku qëndrova pesë vjet me radhë. Isha një idealist i idealeve komuniste. Lëvizja komuniste e Buenos Airesit më dërgoi në një kongres botëror që zhvillohej në Bruksel dhe që kryesohej nga Henri Barbys.
Ishte koha kur në Moskë kishin filluar proceset kundër kundërshtarëve politikë të Stalinit. Ishte ky shkaku që unë nuk shkova në shkollat leniniste të Moskës, por u ktheva në Paris, ku ndenja për një kohë në një gjendje të mjerueshme. Ditë të tëra i kam kaluar pa bukë. Një mik, një trockist, më bëri një vend në dhomën e tij dhe shpesh për të fjetur ne mbuloheshim me gazetat e P. K. franceze Humanité. Pastaj u ktheva në Argjentinë dhe fillova studimet shkencore.
– Siç e dini, pas rënies së diktaturave në Europën e Lindjes, edhe në Shqipëri është vendosur një sistem demokratik, padyshim mjaft i brishtë për momentin dhe me shumë probleme që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut, pluralizmin politik dhe institucionet demokratike. Pra, cila është vlera e demokracisë, sipas jush?
– Kryesore në demokraci është liria e personit. Dihet që demokracia ka tri pushtete: së pari, Shteti Ligjor, me një “L” të madhe. Nuk mund të ndërtosh një demokraci pa ligje demokratike.
E dyta është Drejtësia, pra ajo që bën të zbatohen ligjet dhe e treta është Ekzekutivi, me një fjalë zbatimi i ligjeve, drejtimi i shtetit. Fatkeqësisht, shpesh ndodh që ekzekutivi të jetë në rend të parë. Sigurisht për demokracitë e reja duhet të aplikohen standardet ndërkombëtare të demokracisë, megjithëse është e vështirë një demokraci e kulluar.
Ajo nuk ekziston, është thjesht një ideal. Unë nuk i njoh problemet e brendshme që ka Shqipëria. Unë jam një shkrimtar dhe jo politikan. E rëndësishme është që Shqipëria nuk është më një diktaturë. Unë kurrë nuk kam qenë me të djathtën. Shpresa e një populli për mua është social-demokracia, pra demokracia-sociale, ja pse dhe unë jam gjithnjë një partizan për drejtësinë sociale dhe kundër pabarazisë e shfrytëzimit të egër kapitalist.
– Një personazh i librave tuaj, por edhe një personazh për të cilin janë shkruar disa libra kohët e fundit është militanti Ce Guevara. A e keni njohur personalisht?
– Jo, atë nuk e kam takuar kurrë. Ishte një personazh mitik. Me të kam pasur vetëm korrespondencë. Ishte një lloj “Don Kishoti”, i cili e la burokracinë politike kubane dhe iku për çlirimin e popujve. (Ndoshta kurrë nuk do të marrim vesh përse ai iku ashtu në mënyrë enigmatike. Sigurisht diçka ka ndodhur…). Vrasja e tij është diçka e trishtë. Kam shkruar për këtë. Ai ishte një hero dhe njerëzimi ka nevojë për heronj të tillë.
– Ju jeni një utopist?
– Sigurisht… unë jam një utopist. Në fakt, në brendësinë time jam një anarkist. Por kam një pozicion të pavarur. Jam një specie e vështirë, e komplikuar, të themi idealist. Për njerëzit praktikë, kjo që them ndoshta nuk shkon. Mund t’u duket si një ide e çmendur.
– Fundin e romanit tuaj “Engjëlli i errësirave” që konsiderohet si kryevepra juaj, ju e mbaroni me një epitaf ku shkruani për vetveten: “E. Sabato deshi të varrosej në këtë tokë me një fjalë të vetme mbi varrin e tij: “Paqe!”… Përse ky epitaf?
– Unë i kam shkatërruar e djegur pothuaj tre të katërtat e librave që kam shkruar. Si të thuash kam qenë një piromaniak dhe depresiv. Mendoj se një shkrimtar edhe me një libër mund të hyjë në histori. Dhe kjo është diçka e jashtëzakonshme. Unë e kam njohur nga afër presidentin e Akademisë Suedeze të Çmimit Nobel. Disa herë kam qenë kandidat i këtij çmimi. Në fakt, ky çmim nuk më intereson. Pse? Pasi ka shkrimtarë të mëdhenj si Camus apo Thomas Man që janë nderuar me të, por ka edhe autorë mediokër. Një ditë i thashë atij se po ta merrja, paratë e atij çmimi do t’ua jepja shoqatave që të ndihmojnë të vobektit.
– Por në fund të epitafit ju kini shkruar “Paqe”. Përse?
– Sepse jeta ime ka qenë shumë e komplikuar dhe e vështirë. Ndoshta ngaqë dhe fëmijëria ime ka qenë shumë e trazuar. Them “paqe”, për të thënë: mjaft më me këtë gjendje. Paqe besoj se do të jetë vdekja./ KultPlus.com
Kur themeluesi i Bloomsbury Publishing, Nigel Newton solli në shtëpi një dorëshkrim për “Harry Potter dhe Gurin Filozofal” nga një i panjohur në atë kohë J.K. Rowling, vajza e tij Alice e përshkroi atë si “ndoshta një nga librat më të mirë që një fëmijë 8-9 vjeçar mund të lexonte”, transmeton KultPlus.
Njëzet e pesë vjet më vonë, ai është një nga romanet më të shitur të të gjitha kohërave, pasi ka pushtuar zemrat dhe imagjinatat e fëmijëve në mbarë botën.
“Ia dhashë Alice-s, e cila e çoi lart… Ne kishim kapitujt deri në rrugicën e Diagonit në atë fazë”, tha Newton për Reuters.
“Ajo zbriti nga shkallët një orë më vonë duke thënë: “Babi, ky libër është më i mirë se çdo gjë që më ke treguar”.
E diela shënon 25 vjet që nga botimi i librit të parë të Rowling për botën magjike të shtrigave dhe magjistarëve.
Rowling ishte përballur me refuzimin derisa Bloomsbury filloi punën e saj me një paradhënie prej 2500 paund. Historia e saj vazhdoi të bëhej një hit masiv në mbarë botën, duke krijuar një seri të tërë librash dhe një ekskluzivitet të madh filmash.
“A e dinim se do të shiste mbi 500 milionë kopje deri në verën e vitit 2022? Jo, por ne e dinim se ishte një shkrim i shkëlqyer,” tha Newton.
“Ishin fëmijët dhe jo prindërit e tyre ata që ishin adoptuesit fillestarë të këtij libri. Ishte një fenomen i plotë në bazë.”./ KultPlus.com
Copëza të drurit që formojnë mozaikë, e që brenda këtyre mozaikëve paraqiten figurat më të ndritura të historisë dhe kulturës shqiptare shpërfaqin krijimtarinë e Nagip Tashit, i cili më 25 qershor do të prezantohet me ekspozitë personale te “Mrizi i Zanave” në Lezhë të Shqipërisë, shkruan KultPlus.
Të realizuara në një punëtori modeste në Tërrnoc të Bujanocit, portretet e Tashit që përfshijnë figura si të: Gjergj Kastriotit, Gjergj Fishta, Bekim Fehmiu, Ibrahim Kodra, Ibrahim Rugova, Adem Demaçi, Abdurrahman Shala, Leze Qena, Adem Mikullovci, Arbën Xhaferi, Fahrije Hoti e figura të tjera do të ekspozohen te Mrizi i Zanave, por që kësaj radhe me vëmendje të theksuar te figura e Gjergj Fishtës.
Nagip Tashi ka thënë për KultPlus se ndihet të jetë i nderuar që po vlerësohet puna e tij që ka filluar shumë vite më parë, po që viteve të fundit ka dalë në pah edhe me ekspozita.
Ekspozitën e parë personale, Tashi e ka prezantuar në KultPlus Caffe Gallery, në Prishtinë, për të lëvizë tash në një pjesë tjetër të territorit shqiptar, në Lezhë të Shqipërisë.
Ekspozita “Gjama” e Nagip Tashit është duke u realizuar si bashkëpunim mes “KultPlus” dhe “Mrizi i Zanave”, ceremonia e së cilës do të fillojë në ora 16:00, me 25 qershor. / KultPlus.com
Policia e Kosovës në fillim të muajit shkurt 2022 kishte nisur një aksion i koduar ‘’Siguria në shkolla 2022’’.
Në kuadër të këtij plani, pas disa kontrolleve të zhvilluara nga hetues rajonalë me rroba civile, të mbështetur edhe nga njësi tjera kanë ndaluar dhe kontrolluar shumë nxënës në afërsi të shkollave dhe persona tjerë në rrugë të ndryshme të qytetit.
Gjithashtu, janë bastisur dhe kontrolluar disa lokale, shtëpi dhe objekte përcjellëse, ku si prova materiale janë gjetur dhe konfiskuar :
– Armë zjarri (pistoleta), pesë (5).
– Armë të gjata gjysmë automatike dy ( 2) ,
– Sasi e municionit,
– Thika, 40 copa, kryesisht të nxënësve të shkollave të mesme,
– Boksa metali, 10 copë, te nxënësit e shkollave të mesme,
– Mulli për bluarje të marihanës 6 copë,
– Shufra metali, 4 copë,
– Elektro shok, 1 copë.
Ndërsa janë ndaluar dhe shoqëruar në polici , dyzetë (40) persona me dyshimin se kanë përdorur narkotikë dhe ndaj tyre janë iniciuar raste në Prokurorinë dhe Gjykatën Themelore të Ferizajt.
-Gjithashtu janë ndaluar dhe shoqëruar në polici edhe njëzetë (20) persona me dyshimin se kanë shitur narkotikë (marihuanë) dhe ndaj tyre janë iniciuar raste penale për Prokurorinë Themelore të Ferizajt.
Aksioni i policisë do të vazhdojë edhe në etapat tjera, nga muaji shtator-2022, me fillimin e procesit të mësimit, me synim parandalimin dhe luftimin e dukurive negative rreth dhe nëpër shkolla. / express / KultPlus.com