SEE Cinema Network hap konkurs për mbështetje të filmave

Është hapur konkursi i SEE Cinema Network për mbështetje të filmave 2022.

SEE Cinema Network (Rrjeti Fondeve të Filmit i Evropës Juglindore) ka hapur konkursin për mbështetje të zhvillimit të projekteve për filma të gjatë.

Dokumentet e aplikacionit duhet të dërgohen në [email protected].

Aplikimi do të jetë i hapur deri më 23 shtator, ora 17:00.

Rregullat dhe aplikacionin i gjeni KËTU. / KultPlus.com

Qëllohet me armë ish-kryeministri japonez derisa po mbante fjalim

Ish-kryeministri japonez Shinzo Abe është qëlluar dy herë me armë zjarri derisa ishte duke mbajtur një fjalim në qytetin Nara.

E shtëna e dytë e goditi atë në shpinë, duke e rrëzuar përtokë. Sipas raportimeve, sulmuesi u arrestua menjëherë, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

Ish-guvernatori i Tokios, Yoichi Masuzoe, tha në një postim në Twitter se 67-vjeçari Abe ishte në gjendje arresti kardiopulmonar. Ky term përdoret shpesh në Japoni përpara se një vdekje të konfirmohet zyrtarisht.

“Ish-kryeministri Abe u qëllua rreth orës 11:30 me orën lokale në Nara. Një burrë, që besohet se kreu sulmin, është arrestuar. Gjendja e ish-kryeministrit Abe aktualisht nuk dihet”, u tha gazetarëve shefi i kabinetit, Hirokazu Matsuno.

“Cilado qoftë arsyeja, një akt i tillë barbar nuk mund të tolerohet kurrë dhe ne e dënojmë ashpër atë”.

Dëshmitarët okularë treguan se e panë të dyshuarin me një “armë të gjatë”.

Videot që po qarkullojnë në mediat sociale, të cilat nuk mund të verifikoheshin, shfaqin një grumbull njerëzish të grumbulluar rreth Abe. Tanimë ai është dërguar me urgjencë në spital.

Abe po mbante fjalim për një kandidat në Nara kur ndodhi sulmi dhe ishte duke iu bërë thirrje votuesve që të mbështesin partinë e tij në zgjedhje.

Ai ishte kryeministri më jetëgjatë në pushtet. Abe ka shërbyer për një vit më 2006 dhe më pas përsëri nga viti 2012 deri më 2020. / KultPlus.com

Trishtim

Poezi nga Xhabir Tabaku

shi, e net’ të gjata të zeza
frikë, shumë frikë
dy ura janë rrëzue;
e nji tjetër mâ e vjetra
a shembë ka mot…
tash, veç harabelat bubrrojnë arave
e carcamijt
nuk ka ma jetë; vetëm brenga
e vransina
posht’ malit, fushat mbjellë me lakna janë ngri
nji fëmijë i zbathun këndon kâng’ të çuditshme,
kângë jetimash –

ushtri të huaja shkojnë e vijnë;
toka â mblue n’vorre
dhe përrejtë rrëkejnë detit uj të zi

dy ura janë rrëzue;
edhe nji tjetër ma e vjetra
a shembë ka mot / KultPlus.com

Bota kulturore arbëreshe në gazetën “Shqiptari i Italisë” (1848)

Në shekullin XIX,emërtimin etnik mesjetar për shqiptarët – arbër -kujtesa kolektive e ruante si një kujtim të largët. Më së shumti, ky emërtim përdorej dhe lëvrohej në qarqet e elitës së shkolluar shqiptare, kryesisht në ato që përdornin latinishten dhe kishin njohuri për epopenë arbre të Skënderbeut në shekullin XV, falë leximit të veprave të Barletit apo dhe disa emërtimeve dhe toponimeve që kishin mbetur. Kështu, një trevë fushore e pjesës perëndimore të Shqipërisë së Mesme – që nga Kurbini e gjer poshtë në pllajat e Durrësit e të Tiranës – pra fusha midis lumenjve Mat dhe Erzen, quhet edhe sot Arbën. Ndërkaq, “mal e arbën” përdoret atje për “male e fusha”.

Një katund në perëndim të Liqenit të Shkodrës mban emrin Arbnesh. Ndërkaq, Arbënesh quhet edhe ishulli gjuhësor shqiptar që gjendet afër qytetit të Zarës në Dalmaci, themeluar në gjysmën e parë të shekullit XVIII prej të shpërngulurve nga anët e katundit në fjalë. Arbanë është dhe emri i një katundi afër Tiranës. Më anë tjetër, në pjesën jugore të vendit, Arbër e Arbërí quhen krahina të ndryshme të trevës malore të Labërisë – midis qyteteve të Vlorës, Gjirokastrës e Delvinës – dhe po ashtu, “arbëreshë” e “arbërorë”quhen banorët e tyre. Në vise të tjera të Shqipërisë, po ky emër, por me trajta të ndryshme (arbën, arbër, arbëresh, arbëresh, arbnuer, arbëror), përdoret në popull me një kuptim etnik, për të shënuar shqiptarin, në dallim nga arumuni ose nga ndonjë anëtar i ndonjë popullsie tjetër ballkanike.

Sikundër shihet, emri i lashtë, në rrjedhë të kohës, erdhi dhe u mbulua nga emri i ri “shqiptar”, “Shqipëri” dhe ka mbijetuar gjer sot nëpër krahina të ndryshme të vendit.

Shkaqet për kujtimin e zbehtë të emërtimit etnik shumë të rëndësishëm në Mesjetë për gjithë Gadishullin Ballkanik nuk janë plotësisht të njohura. Gjithsesi, mund të supozojmë se, pas shkatërrimit të Arbërisë mesjetare dhe pushtimit të saj nga otomanët, gradualisht humbi dhe koncepti i një Arbërie të krishterë, të organizuar me institucione dhe entitet shtetformues që bazohej në qytetërimin europian të kohës dhe, përkundrejt gjithë këtij ndryshimi thelbësor, nisi të merrte jetë një simbiozë tjetër kulturore që përfshinte tashmë edhe elemente të rëndësishme të qytetërimit osman. Por nëse në vetë territoret arbre ky toponim sa vinte dhe zbehej për vetidentifikimin e popullsisë përkundrejt Arbërisë mesjetare, në Italinë e Jugut, por edhe në Greqinë kontinentale dhe ishuj, si pasojë e emigrimit të hershëm të popullsisë arbre, ky emërtim dhe kjo kulturë gjallonte fort, pavarësisht trysnive të forta kulturore të helenizmit dhe kulturës italiane të iluminizmit dhe romantizmit.

Mjeku Tasos Nerucos, njëri nga veprimtarët e hershëm arvanitas shqipfolës që rindërtoi saktësisht në të folurën arbëreshe athiniote dy poezitë popullore të mbledhura nga Bajroni dhe Hobhousi,sipas një kërkese të albanologut Meyer, i shkruante këtij të fundit më 1888 se arbëreshët e Greqisë nuk i njihnin fjalët “shqip”, “shqiptar” e “Shqipëri;veten ata e quajnë “arbër”, dhe “arbërorë”, kurse atdheun e të parëve të tyre “Arbëri” dhe “Arbëni”. E njëjta gjë mund të pohohet dhe për arbëreshët e Italisë, të cilët,po ashtu, kishin emigruar që herët në Italinë e Jugut. Emigrantët arbëreshë që u ngulën në Itali  në mesjetë, gjatë dhe pas vdekjes së Skënderbeut, vazhduan dhe vazhdojnë të identifikohen qartas mes njëri-tjetrit me emrin “arbëresh”. Me po këtë emërtim unik, “arbëresh”, u thirrën jo vetëm shqiptarët që emigruan nga territoret e Arbërisë dheu vendosën në brigjet italike, por edhe refugjatët shqiptarë që banonin prej dekadash emigrimi në territoret kontinentale dhe ishullore greke. Midis popullsive arbre që vinin nga Arbëria mesjetare dhe nga Greqia kontinentale apo ishujt nuk ekzistonin dallime të mëdha esenciale, ngaqë të dyja i përkisnin të njëjtit grup etnik. Ajo që binte në sy më së shumti ishte se mes tyre gjendeshin larmishmëri kulturore mbi çka ata përfaqësonin.

Shekulli XVIII dhe fillimi i shekullit XIX ishin shekujt ku Europa, nën ndikimin e iluminizmit dhe romantizmit, filloi procesin e rivlerësimit të së kaluarës antike dhe mesjetare të kontinentit, si dhe epoka kur do të fillonte të ngjizej ideja për të krijuar shtetet kombëtare. Italia dhe shtetet italiane me kryeqendra të ndryshme,por të ndikuara pothuajse njëlloj nga iluminizmi dhe romantizmi, nuk do të mbeteshin jashtë këtyre proceseve kulturore dhe politike. Kësisoj është e rëndësishme të bëjmë një vlerësim të disa zhvillimeve të përgjithshme, ku përfshihet jo vetëm Ballkani, por edhe pjesa tjetër e Europës, të cilat do të ushtronin një ndikim të rëndësishëm mbi veprimtaritë revolucionare: së pari, formulimi dhe pranimi në shkallë të gjerë i ideologjive liberale dhe kombëtare; së dyti, kushtet ekonomike në ndryshim dhe; së treti, shkallëzimi i ndërhyrjes së fuqive europiane dhe zanafilla e çështjes lindore. Intelektualët dhe udhëheqësit kombëtarë ballkanikë dhe të Europës Lindore të shekullit XIX do të ndikoheshin nga dy doktrina politike me prejardhje europiano perëndimore: liberalizmi, që buronte nga idetë e iluminizmit në shekullin XVIII, si dhe nacionalizmi. Këtë kontribut kulturor dhe intelektual për formimin e idesë së shtetit italian dhe vetëdijes kombëtare mes popullsive e përforcuan disa përvoja historike, ku mes tyre shquante përpjekja për të ndalur procesin e asimilimit të popullsisë arbre në Itali, bashkë me pasojat që mund të sillte. Siç është interpretuar nga breza të mëvonshëm udhëheqësish kombëtarë intelektualë, këto përpjekje zgjuan tek arbëreshët vetë imazhin e një kombi të vogël, por kokëfortë, për të mos u asimiluar dhe për të sendërtuar një integritet moral dhe predikues të lirisë individuale dhe politike, i cili dikur, në Motin e Madh, kishte arritur të shkruante një histori të madhe, siç ishte ajo e ndalimit të pushtimit osman në Europë. Por, në të njëjtën kohë, së bashku me këtë imazh për vetveten kishte marrë udhë edhe farkëtimi i imazhit mesianik për t’u përfshirë në krijimin e shtetit kombëtar shqiptar, sigurisht nën ndikimin kulturortë teorisë së nacionalizmit.

Këto nisma ishin të drejtuara kryesisht nga përcaktimi i alfabetit dhe i rregullave gramatikore të gjuhës shqipe, si dhe në mbledhjen e rapsodive, këngëve popullore dhe studimeve mbi folklorin. Por nuk mungonte edhe ideja e pavarësimit të Shqipërisë. Pararendës të lëvizjes që po ndiqnin pavarësinë e Shqipërisë ishin studiuesit e njohur shqiptaro-italianë, si Jeronim de Rada, veprimtar sidomos që prej vitit 1848, me gazetën e tij “Shqiptari i Italisë” e më pas me botimin periodik Flamuri Arbrit, 1848-1887. Krahas tij, kishte edhe një brez të tërë arbëreshësh të angazhuar nëçështjen shqiptare, si Vinçens Dorsa, Dhimitër Kamarda dhe Zef Skiroi. Nacionalizmi politik i shqiptarëve u zgjua pikërisht në këto momente kur elitat kombëtariste jashtë vendit projektuan ringjalljen kulturore e politike të Shqipërisë dhe elita brenda vendit vërejti se Perandorisë Osmane mund t’i shkëputeshin territore dhe se fati i tyre politik shumë shpejt mund të përcaktohej nga kryeqendrat e tjera të pushtetit në Europë.

Rilindja Kombëtare Shqiptare synonte: në fushën politike – të çlironte atdheun nga robëria e huaj shekullore dhe të formonte shtetin kombëtar shqiptar, të shtrirë në mbarë trojet shqiptare; në fushën shoqërore – të çlironte vendin nga marrëdhëniet e vjetruara feudale dhe ta shkëpuste nga prapambetja politike, ekonomike dhe shoqërore, duke vendosur rendin demokratik përparimtar, nën shembullin e vendeve të qytetëruara të kohës; në fushën kulturore – të çlironte masat nga prapambetja mendore dhe të shpejtonte zhvillimin e tyre arsimor, kulturor dhe shkencor me bazë gjuhën shqipe. Si e tillë ajo do të ishte një lëvizje revolucionare kombëtare me karakter çlirimtar, demokratik dhe iluminist. Elita intelektuale kombëtare shqiptare, nën shembullin e vendeve të tjera ballkanike që gjurmonin në të shkuarën e tyre për të gjetur epoka të lavdishme, rizbuluan figurën e Skënderbeut, prijësit të tyre mesjetar që kishte zhvilluar një nga epopetë më të ndritura në përballjen kundër pushtimit otoman në Gadishullin  Ballkanik. Gjuha dhe figura e Skënderbeut u kthyen në dy pikëtakime të botëve shqiptare në të dyja anët e Adriatikut.

Gazetaria e re shqiptare, që lindi sëbashku me përpjekjet për lëvrimin e gjuhës shqipe, luajti rol tëçmuar duke ndihmuar konkretisht në këto aspekte çështjen kombëtare. Në njëfarë mënyre ajo u bë bartëse e mesazheve përbashkuese duke forcuar idenë sesi krijimi i publikut tëmasave lexuese të një gjuhe, një rezultat i shtypit dhe kapitalizmit,zëvendësoi përfshirjen aksiomatike të gjuhëve të shkruara në mendjet e njerëzve dhe shkatërroi solidaritetin e krishterimit, Umanë islamike dhe gjithë solidaritetet e tjera. Nga ana kronologjike, sipas të dhënave që kemi deri sot, njihet si organ i parë i shtypit shqiptar gazeta L’Albanese d’Italia (Shqiptari i Italisë). Kjo gazetë doli në Napoli, më 22 shkurt 1848.Ajo dilte në një format të vogël, me katër faqe. Kryeredaktori isaj ishte Jeronim De Rada, publicist dhe aktivist kulturor i shquar i kohës. Shtypi arbëresh lindi si nevojë e domosdoshmëripër vetë ekzistencën kombëtare dhe shoqërore të dhjetëra mijëra pasardhësve të breznive që emigruan nga viset e ndryshme shqiptaree që u vendosën në trevat italiane në dhjetëvjeçarin e dytë të shekullit XV, sidomos pas vdekjes së Skënderbeut. Gazetaria arbëreshe shfaqet si nismëe dy apo tre personaliteteve, të cilët, për motive atdhetare, kulturore e shoqërore, botonin një gazetë apo reviste (Jeronim De Rada, Zef Skiroi, Françesko Stesi Petka, Antonio Argondiza etj.).

De Rada nisi të merrej me gazetariqë në moshë të re,që në 2 vitet e para të krijimtarisë së tij letrare. Prirjet e tij u panë kur Instituti Kozentin, duke e vlerësuar nga ana letrare,e emëroi në sesionin 11 prillit të vitit 1839 si anëtar korrespondent. Në rrethet letrare dhe intelektuale të atjeshme De Rada nisi të bënte emër. Pas pak vjetësh, më 1 korrik 1842, ai u bë anëtar korrespondent i Akademisë Valentini. Jeronim De Rada kishte filluar të bashkëpunonte me organete shtypit në Napolit, siç na tregojnë këto burime, aty nga vitit 1836, por më 1840 ai u mor drejtpërdrejtme përgatitjen e lëndës si redaktor i së përkohshmes Viaggiatore(Udhëtari), që drejtohejnga shoku itij i afërt, DomenikoMauro. “Së bashkume këtë”, shkruan De Radanë librin Autobiologji, “botonte edhe Vincenc Padula nga Akri. Që të tre ishin të rinj dhe jeta jonëi jepte revistësvulën e saj”.“Kjo gjë solli shumë dobi”, thekson më poshtë De Rada në këto kujtime. “Ajo u përhap në tërë krahinën e Kozencës dhe lexohejnë shumë lokal edhe institucione të Napolit.”

Ajo që ia rriti vlerën De Radës, nga pikëpamja e rrugës që ndoqi si publicist,ishte gazeta L’Albanese d’Italia apo Shqiptari i Italisë. Ai nisi ta botonte këtë gazetë në pragun e ngjarjeve të mëdha politike të vitit 1848, që ishte viti i revolucioneve që shpërthyen në shtetet e mëdha të Europës kundër qeverive dhe regjimeve autokratike, si revolucioni në Francë, mëpas në Itali, Austri, Hungari etj. Këto ngjarje dhe shumë të tjera që lidheshin me konceptin e lirisë politike dhe fillesave të shtetit kombëtar do të pasqyroheshin në shtypin e kohës. Në Autobiologjinë e tij De Rada kujton: “…kisha pak të holla, por sidoqoftë atë ditë bëra kontratën me shtypshkronjën “Trani” dhe kështu doli me një letër të varfër e me një karakter të vjetër Shqiptari i Italisë. Në Napoli ajo pati pak lexues, por në krahinën e Kozencës u abonuan 150 veta.” Gazeta botohej dy herë në javë, çdo të mërkurë e të shtunë,me një format të vogële me katër faqe. Numri i parë i saj u shtypme një tirazh të kufizuar,në rreth 500 kopje(afro 300 kopjesh përndaheshin në Napoli dhe 200 kopje dërgoheshin në Kozencë). Por, pas pak koheajo e rriti tirazhin dhe fitoi popullaritet në masën më të gjerë të lexuesve arbëreshë. Shumica e artikujve u nënshkruan nga De Rada, i cili ishte edhe drejtori i saj, por në gazetë dhanë ndihmesën e tyre edhe figura të tjera të njohura intelektuale të kolonisë arbëreshe, si Francesco Antonio Santori, Vinçenzo Gallo-Arcuri, Giuseppe Petrassi, Cesare Marini, Nicola Castagna, si dhe bashkëpunëtorët Vincenzo dhe Achille Dorsa, Françesco Candreva e Tommaso Lopez.

Ndikimi i gazetës Shqiptari i Italisë filloi të ndihej në qarqet intelektuale arbëreshe. Më 7 maj 1848, Anxhelo Ferrialo i shkruante De Radës që “ti dërgonte 1,9,10 dhe 21, të cilat përmbajnë artikuj që më pëlqejnë”. Ndërsa Gaetan Kantivani nga S.Markoi shkruan më 3 mars 1848:“Kam marrë dy numrat e parë të gazetës Shqiptari i Italisë dhe pothuajse shpeshherë i kam lexuar dhe rilexuar duke qarë…Nuk ka shqiptar që të mos ushqejë ndjenja të tilla për një ndërmarrje që nderon gjuhën e Epirit”.Një intelektual tjetër arbëresh, Luigi Valentini, i shkruan De Radës për t’u pajtuar në gazetë për gjithë vitin. Ai njeh në të njëjtën kohë edhe kontributin e paçmuar të gazetës, kur shkruan: “…ju do të mbani në lidhje në këtë rast arbëreshët e Italisë me ata të Shqipërisë”.

Përpara se të fillonte botimin e gazetës Shqiptari i Italisë, De Rada e kishte krijuar ndërkohë fizionominë e poetit të botës arbëreshe. Ai ishte një figurë qendrore e letërsisë dhe kulturës arbëreshe të shekullit XIX që, ndryshe nga paraardhësit e vet, jo vetëm pati meritën që hapi siparin e romantizmit në letërsinë shqipe me veprën e tij Këngët e Milosaos(1836), por për herë të parë e integroi letërsinë e një komuniteti të vogël në rrjedhat europiane të kohës. Këtë integrim ai e arriti falë angazhimit të tij të pandërprerë në qarqet kulturore italiane,por edhe falë krijimtarisë së tij të pasur letrare. Një ndër veprat e tij më të rëndësishme është Këngët e Milosaos (1836,1847, 1873).Poema nuk është cilësuar thjesht si një poeme lirike, por përmes saj bëhet thirrje për bashkim e qëndresë, duke na dhënë një pasqyrim poetik të mbështetur në kujtesën kolektive të betejave që ishin zhvilluar nga arbrit kundër osmanëve. Poema ka rëndësi të madhe historike sepse me të fillon letërsia artistike, laike, demokratike dhe kombëtare shqiptare. Ajo çfarë e përshkon veprën është karakteri patriotik. Pak më vonë gjejmë Këngët e Serafina Topisë (1839,1843,1898), një pjesë të së cilës e botoi edhe në gazetën Shqiptarii Italisë. “Kjo vepër u vlerësua për mbajtjen gjallë të traditës arbëreshe në dhé tëhuaj. Deri më sot njihen katër variante të kësaj vepre. Botimin e parë të një pjese të saj e gjejmë më 8 tetor 1836 në të përkohshmen OmnibusNë gazetë është botuar Kënga XV në të dyja variantet, italisht dhe arbërisht,çka përbën jo vetëm një dokument të rëndësishëm gjuhësor, por është dhe një dëshmi sesi vetëdija kombëtare ndër arbëreshët gjeti vend në shtypin e shkruar. Heroina kryesore e veprës, Serafina Topia, përkundet mes ndjenjës dhe sakrifikimit për familjen e atdheun, një temë tipike e romantizmit arbëresh, që ndikoi e rrezatoi më vonë dhe në letërsinë shqipe. Po ashtu, Serafina Topia mishëron idealin e gruas shqiptare dhe njëkohësisht idealin e njeriut të zhvilluar në mënyrë të gjithanshme. Edhe pse një personazh i krijuar nga De Rada, ajo është gdhendur sipas tipareve kulturore e fizike të bashkësisë arbëreshe, duke u shndërruar kështu në një simbol të grave të kësaj bashkësie.

Vargu i De Radës mbështetet në poezinë tradicionale të kolonive shqiptare të Italisë dhe atyre më të hershme në Greqi. Mungesa e rimës në to është treguesi kryesor i hershmërisë dhe origjinës së njëmendtë popullore të tyre. “Pa rimë, pa strofa”, thotë De Gracia në lidhje me përmbledhjen e tij me këngë popullore tradicionale italo-shqiptare, “siç është zakon edhe në ditët e sotme edhe ndër shqiptarët më të thjeshtë, por përherë me vargje tetërrokësh të lirë, të përzierë me ndonjë shtatërrokësh dhe gjashtërrokësh;që të gjithë të marrë sëbashku krijojnë një harmoni të këndshme, por monotone”.

Në faqet e gazetës Shqiptari i Italisë janë botuar mjaft shkrime e madje pjesë nga poema të ndryshme, si Vallja e Haresë së madhe e Antonio Santorit.Në këtë poemë trajtohet mënyra e sjelljes në çdo festim publik, ku të gjithë në qytet, tëmbështetur nga të afërmit e gjakut dhe të veshur në mënyrën e tyre tradicionale, zbresin në rrugë duke marrë dorën e njëri-tjetrit dhe interpretojnë një këngë të shoqëruar nën masat e disiplinuara të hapave, duke u sinkronizuar në një mënyrë të unifikuar me njëri-tjetrin.  Gazeta ishte një tribunë e arbëreshëve, ku përmes shkrimeve të larmishme publicistike paraqiteshin edhe çështjet kombëtare. Në artikujt e saj gjetën vend disa nga idetë që ushqyen më vonë veprën e De Radës, por edhe mendimin filozofik, estetik dhe letrar shqiptar. Kështu, për shembull, zanafilla e idesë së lidhjes së korit antik të tragjedisë dhe komedisë greke me ritet popullore shqiptare gjendet ne artikullin “La Ridda della grande festa”, fq. 9, shkruar nga Antonio Santori, kur përshkruhet kori, i cili, sipas tij,ishte themeli i tragjedisë së Tespit, por që vjen duke u zgjatur deri te ritet shqiptare.

Pasqyrimi i riteve arbëreshe zuri një vend të rëndësishëm në gazetë, sepse, sipas romantikëve, studimi i folklorit do të bënte të mundur krijimin e modeleve të vektorëve historikë të së shkuarës, por që mund të përsëriteshin në të tanishmen. Intelektuali arbëresh Akile Dorsa përshkruan ritin e festimeve të përvitshme arbëreshe që mbanin gjallë figurën e Skënderbeut dhe Krujën, kryeqytetin e tij. “I dashur mik, këtë vit tri ditët tona të Pashkëve i festuam me një entuziazëm të pazakontë. Ju që jeni shqiptar, nuk keni nevojë të pikturoni entuziazmin dhe jetën e jashtëzakonshme të këtij populli heroik, si një komb që ju e njihni mjaft nga ritet dhe zakonet e lashta që ende lulëzojnë. Shfaqja filloi si zakonisht pas drekës, kur të rinjtë, të lumturuar nga engjëlli i Pashkëve dhe vera, erdhën nga shtëpitë e tyre dhe u mblodhën në shoqëri; ata udhëtuan nëpër vend duke kënduar bëmat e luftëtarit dhe heroit nga Kruja. Veshja e tyre orientale, shpatat pa këllëf, flamujt që valëviteshin, këngët për Skënderbeun që përsëriteshinnë dy kore, i bëri ata të njohin një komunitet të vërtetë, siç janë tashmë, të të parëve tanë, prej të cilëve të tria grupet festuese i mbajnë mend të tjerët me simbolin lart për të hapur rrugën në mes të turmës së spektatorëve, të cilët u mblodhën nga vendet fqinje në turma. Përgjatë rrugëve ju mund të shihni radhë të grave të veshura përfestën, të cilat përshkuan njëra-tjetrën me një harmoni të paefektshme të këngëve kombëtare, që nga pikat e ndryshme të këtij fshati sinkronizoheshin në një thellësi të vetme po aq hyjnore sa ndjenja e lirë që i diktoi ata. Me skena kaq të bukura, të tjerët bien ndesh me shëmtinë dhe format e tyre monstruoze.”

Përpos pasqyrimit të folklorit, letërsisë dhe gjuhës arbëreshe, De Rada do të trajtonte edhe temat e politikës së ditës, të cilat shqetësonin elitën arbëreshe e që kishin të bënin me fatin politik të Italisë. Në numrin 27 të datës 3 korrik 1848, në gazetë zë vend letra e De Radës drejtuar kavalier Saverio Pratit, komandantit të forcave vullnetare në frontin e Venecias kundër forcave pushtuese austriake, në të cilën i jep zemër për qëndresë e guxim në luftë. Në letër, veç të tjerave, shpalosen idetë që do të mbizotëronin më vonë në ligjërimin kulturor e politik të De Radës gjatë angazhimit të tij për çështjen kombëtare shqiptare. “Por çfarë mendimi tjetër mund të zinte vend më tepër në zemrën time”, shkruan De Rada, “sesa ideja që jam shqiptar, se e kam dashur më tepër se çdo gjë mëmëdheun, se e kam për zemër dhe të shenjtë, para së gjithash gjuhën që është shprehje e shpirtit tim dhe pa shikuar madhërinë e pashoqe të saj, edhe para se ta gjeja të ngulitur në shpirtin e saj kuptimin e botës së vjetër fetare.” Në materialet dokumentare të fondit përkatës në Arkivin Qendror të Shtetit ruhet me kujdes si një ekzemplar i rrallë edhe numri 27 i gazetës Shqiptari të Italisë(datë 3 qershor 1848). Edhe në këtë numër ka shkrime me interes,siç është peticioni drejtuar Dhomës së Deputetëve në Napoli nga studiuesi arbëresh Jeno de Koronej, nënshkruar në emër të arbëreshëve të Kalabrisë, të cilët kërkonin të jetonin të lirëe të pavarur nga kisha e Romës që përpiqej t’i shkrinte në ritin e saj latin për asimilimin kombëtar të tyre. Në këtë dokument ata vënë në dukje karakterin burrëror dhe patriotik. “Kujtonin”, thonë ata, “se arbëreshët e parë erdhën këtu të kalitur në ndeshje të armatosura me forcat osmane. Ata erdhën të mjeruar, portë fortë në betejat kundër osmanëve dhe bënë që zëri tyretë dëgjohej në Italie sidomos në mbretërinë e Napolit, ku është ndier më afër nevoja e kësaj mbretërie për ndihmën e heronjve të vendit tonë.” Në këtë mënyrë gazeta Shqiptari i Italisë ishte kthyer në një tribunë të mendimit të lirë të botës arbërore në Itali, ku spikatnin botimi i folklorit, i krijimtarisë origjinale, si dhe përkujdesja për ruajtjen e ritit bizantin. Gazeta Shqiptari i Italisë duket se fitoi një popullaritet të madh mes bashkësisë arbëreshe dhe qarqeve intelektuale italiane që po përgatitnin Risorgimento-n, sepse në numrat e fundit arriti të botohej deri në 3200 kopje. “Kur morri vesh Francesco Krispi”, shkruan De Rada në veprën e vet Autobiologji, “më dërgoi me këmbim Apostolat-in dhe unë i dërgova të gjithë numrat që kishin dalë në atë kohë.”

Sinergjia kulturore që krijoi gazeta Shqiptari i Italisë u kthye në një humus kulturor që ndikoi në periudhat e mëvonshme të konsolidimit të identitetit kulturor të bashkësisë arbëreshe në Itali dhe në projektimin e idesë së themelimit të shtetit kombëtar shqiptar. Bota kulturore arbëreshe, nën rrjedhat e iluminizmit dhe romantizmit evropian, rindërtoi identitetin e hershëm kulturor të sjellë nga atdheu i mëparshëm për të bërë kapërcimin e madh drejt ideve të nacionalizmit dhe formimit të kombeve, çka përfshiu gjithë kombet dhe bashkësitë e tyre në diasporë të Europës Juglindore. Publicistika, mjeti më efikas i nacionalizmit në mesin e shekullit XIX, mbarti idetë kombëtare duke krijuar shtratin e duhur për triumfin e ideve liberale dhe krijimin e shteteve kombëtare, ku pa dyshim gazeta Shqiptari i Italisë është një nga themelet kryesore të këtij rizgjimi kombëtar dhe kulturor./diasporashqiptare/ KultPlus.com

NASA: Rusia tashmë kontrollon mbi 22 për qind të tokës bujqësore në Ukrainë

Forcat ruse kontrollojnë tashmë rreth 22 për qind të tokave bujqësore të Ukrainë, që nga nisja e pushtimit në 24 shkurt, duke ndikuar në prodhimin e një prej furnizuesve kryesorë të drithërave dhe vajit ushqimorë, deklaroi të enjten Agjencia Amerikane Hapësinore (NASA).

Të dhënat satelitore të analizuara nga shkencëtarët e agjencinë hapësinore amerikane tregojnë se pushtimi i Ukrainës lindore dhe jugore nga ana e Rusisë, i jep asaj kontrollin e tokës që prodhon 28 për qind të të korrave dimërore të vendit, kryesisht grurë, elb, thekër, dhe 18 për qind të të korrave verore, kryesisht misër dhe luledielli.

Ndërprerja nga lufta e të korrave dhe sezonit të mbjelljes – përfshi dhe fermerët që ikin nga lufta, mungesa e krahut të punës dhe arat e goditura nga bombardimet – mund të kenë një ndikim të madh në furnizimet globale të ushqimit, thanë shkencëtarët e NASA-s.

“Shporta e bukës në botë është në luftë,” tha Inbal Becker-Reshef, drejtor i programit Harvest të NASA-s, i cili përdor të dhënat satelitore amerikane dhe evropiane për të studiuar prodhimin global të ushqimit.

Sipas të dhënave të SHBA-së, para luftës Ukraina furnizonte 46 për qind të vajit të lulediellit të tregtuar në tregjet globale, 9 për qind të grurit, 17 për qind të elbit dhe 12 për qind të misrit.

Pushtimi nga ana e Rusisë ka bllokuar eksportet e ushqimit nga Odesa, porti kryesor në Detin e Zi, dhe ka shkatërruar infrastrukturën e magazinimit dhe transportit në disa zona.

Kjo do të thotë se fermerët në të gjithë vendin, por veçanërisht në zonat e pushtuara, kanë më pak mundësi për ta çuar produktin e tyre në magazina dhe në tregje.

Dhe gjithashtu kërcënon mbjelljen e kulturave dimërore në vjeshtë.

“Ne jemi në fazat fillestare të një krize ushqimore që ka të ngjarë të prekë në një farë mënyre çdo vend dhe person në botë,” tha Becker-Reshef. /REL/ KultPlus.com

“Nastradini” shëtit në rrugët e Korçës

Një shfaqje e një karakteri tepër të veçantë ka ofruar Teatri “A.Z. Çajupi” i Korçës për publikun e qytetit. Rrëfenjat e famshme të Nastradinit, kanë ardhur në një formë tjetër. Nuk ka qenë publiku që ka shkuar në teatër, por anasjelltas. Aktorët kanë vënë shfaqjen nëpër rrugët e Korçës, duke bërë ndalesa në disa pika të rëndësishme të qytetit, si sheshi para Katedrales, Muzeu Arkeologjik dhe Mitropolia.

Aktorët e Teatrit A.Z.Çajupi, janë bërë bashkë me aktorë nga Italia dhe të rinjtë e talentuar të “Rin Show”.

Shfaqja “Në kepucët e Nastradinit”, me tekst e regji të Laura Fatinit, shijohet në lëvizje, dhe do të luhet edhe sot në mbrëmje. Ajo i është bashkuar projektit “Giufà” të një grupi artistësh të rinj italianë. Emrin ky projekt e merr nga versioni sicilian i Nastradinit, një personazh rrëfenjash, që ka jetuar në Turqinë e shekullit të 13-të, por që njihet në të gjithë Ballkanin e më gjerë, me emra të ndryshëm.

Shfaqja “Në këpucët e Nastradinit”, ngjalli shumë interes dhe argëtoi publikun”, është shprehur aktorja dhe njëkohësisht drejtore e Teatrit, Zamira Kita. Ajo i ka ftuar artdashësit, edhe sot, të mblidhen para Katedrales, për të nisur udhëtimin teatror.  Shfaqja jo vetëm të argëton, por ka dhe nje mesazh shumë të bukur.

“Mos i ndaloni njerëzit të lëvizin, sepse rrezikoni të ndaloni historitë e tyre dhe kështu ju ndaloni jetën”-tha Kita.

“The Giufà Project”, është një “kuti” krijimesh artistike të zhanreve të ndryshme, dhe multikulturalizmi, që ka synimin të ngrejë ura komunikimi mes kulturave të Mesdheut./atsh/ KultPlus.com

Vdes James Caan, ylli i filmit “The Godfather”

James Caan, ylli i filmave hollivudian duke përfshirë “The Godfather”, “Elf” dhe “Misery” vdiq më 6 korrik, njoftoi një zëdhënës i aktorit. Ai ishte 82.

“Me pikëllim të madh ju informojmë për ndarjen nga jeta të Jimmy-t në mbrëmjen e 6 korrikut”, u shkrua të enjten në llogarinë e aktorit në Twitter. “Familja vlerëson shprehjen e dashurisë dhe ngushëllimet e përzemërta dhe kërkon që të vazhdoni të respektoni privatësinë e tyre gjatë kësaj kohe të vështirë.”

“Fundi i Tweet-it”, përfundoi mesazhi, një thirrje për mënyrën se si Caan shpesh i përfundonte Tweet-et e tij. / KultPlus.com

Hapet konkursi i SEE Cinema Network për mbështetje të filmave – 2022

Është hapur konkursi i SEE Cinema Network për mbështetje të filmave – 2022.

SEE Cinema Network (Rrjeti Fondeve të Filmit i Evropës Juglindore) ka hapur konkursin për mbështetje të zhvillimit të projekteve për filma të gjatë.

Dokumentet e aplikacionit duhet të dërgohen në [email protected].

Aplikimi do të jetë i hapur deri më 23 shtator, ora 17:00.

Rregullat dhe aplikacionin i gjeni KËTU. / KultPlus.com

Kuvendi i Shqipërisë miraton rezolutën për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë

“Srebrenica” bashkon mazhorancën e opozitën në Kuvend. Votohet me 113 vota rezoluta për gjenocidin serb.

Është miratuar ditën e sotme në Kuvendin e Shqipërisë Rezoluta për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë

Në votim morën pjesë 113 deputetë, ku të gjithë votuan pro.

Gjithashtu Kuvendi ka hedhur poshtë 4 amendamente të propozuara nga ish-kryeministri Sali Berisha dhe Tritan Shehu. / KultPlus.com

Kryeministri Kurti pas suksesit në ‘Oran 2022’: Krenar me secilin prej juve, jo vetëm unë, por e gjithë Kosova

Lojërat Mesdhetare tashmë kanë marrë fund përmes një ceremonie mbyllëse.

Në këtë garë mori pjesë edhe Kosova në sporte të ndryshme.

“Dardanët” përfunduan në vendin e 16-të pasi i fituan gjashtë medalje në “Oran 2022”, i cili u mbajt në Algjeri.

Pesë medalje i siguroi sporti i xhudos dhe një ai i boksit, në një total prej tri të artave dhe tri të bronztave.

Distria Krasniqi, Loriana Kuka dhe Laura Fazliu u veshën me ar në këtë garë prestigjioze, kurse Akil Gjakova, Flaka Loxha dhe Shpejtim Bajoku u ngjyrosën me bronz.

Për gjithë këtë sukses, sot ka reaguar edhe kryeministri Albin Kurti, i cili është shprehur se është krenarë me secilin prej tyre:

Kosova kthehet me gjashtë medalje nga kryeqyteti i sportit mesdhetar për vitin 2022, nga Orani i Algjerisë.

Tre medalje të arta dhe tre të bronzta nga pjesëmarrja e dytë e Kosovës në Lojërat Mesdhetare.

Si çdo herë tjetër, xhudistët tonë ishin ata të cilët bënë dallimin e rezultateve të Kosovës karshi shteteve tjera pjesëmarrëse. Distria, Laura, Loriana, Akil, dhe Flaka, së bashku me pjesën tjetër të ekipit, jeni krenaria më e madhe e Kosovës.

Kësaj radhe, arritje të rëndësishme për Kosovën shënoi edhe Shpejtim Bajoku, boksieri i talentuar me grushtin e shtrënguar. Shpejtimi, ashtu edhe si emri i tij, nuk priste grushtin e tjetrit. I shpejtë, i shkathët dhe fitimtar, i siguroi Kosovës medaljen e bronztë të Lojërave Mesdhetare pas 31 vitesh nga Athina 1991, kur Ilir Mustafa fitoi medaljen e argjentë në boks (nën reprezentacionin e ish-Jugosllavisë).

Krenar me secilin prej juve, jo vetëm unë, por e gjithë Kosova.

Sukseset mos i’u ndalshin kurrë. / KultPlus.com

Kryevepra e Salvador Dali do të shfaqet në Galerinë Spanjolle në Anglinë Veriore

Një kryevepër e Salvador Dalit e huazuar në Galerinë Spanjolle në Bishop Auckland në Anglinë Veriore do të ndihmojë në rrëfimin e historisë së Epokës së Artë spanjolle gjatë instalimit të saj pesë-mujor, transmeton KultPlus.

Vepra artistike e titulluar Krishti i Shën Gjonit të Kryqit është transportuar në shtëpinë e saj të përkohshme në County Durham dhe do të shfaqet së bashku me Krishtin në Kryq të El Grecos – duke bashkuar dy kryeveprat spanjolle.

El Greco e përshkruan Krishtin si një njeri të gjallë me kontrastet dramatike të dritës duke folur për një përvojë ankthi, duke e detyruar shikuesin të dalë ballë për ballë me vuajtjet e Krishtit.

Ndërsa Dali paraqet një figurë të bukur, por anonime të parë nga lart, duke theksuar rolin e tij si Biri i Zotit dhe përmasat e sakrificës së tij.

Themeluesi i Projektit të Auckland, Jonathan Ruffer falënderoi Muzeun Glasgow’s life për huadhënien e pikturës, duke shtuar “thjesht fjalët e falënderimit nuk mjaftojnë vërtet”.

Ai i tha agjencisë së lajmeve PA: “Unë kam qenë gjithmonë një besimtar i madh në fuqinë e mospërputhjes dhe një nga arsyet që ne kemi një galeri spanjolle është se sa e pamundur është që të ketë një gjë të tillë.

“Të kesh një foto aq të rëndësishme sa ajo e Dalit është me të vërtetë një gjë e mrekullueshme.

“Galeria Spanjolle ka të bëjë me Epokën e Artë spanjolle, e cila me të vërtetë filloi me zell që nga vitet 1590 dhe përfundoi ndoshta 70 ose 80 vjet pas kësaj.”, shtoi ai./ KultPlus.com

Gëzim Gashi flet për librin “Unlocked: the power of you” në NBC News: Historia ime gjatë luftës në Kosovë, inspirim për rrugëtimin tim

Muajin e kaluar, historia e jetës së Gëzim Gashit, sipërmarrësit dhe autori ‘bestselling’ të librit ”Unlocked: the power of you”, i cili nga një i mbijetuar i luftës së fundit në Kosovë, ka arritur të jetojë ëndrrën amerikane, mori vëmendjen e gazetës prestigjioze New York Post të cilët i dedikuan një artikull të veçantë duke u rikthyer në rrënjët e tij e deri sot, ku ai po shijon suksesin e librit të tij debutues, shkruan KultPlus.

Por ende pa kaluar muaji, Gashi është ftuar nga prestigjiozja NBC News me seli në New York për të folur për librin e tij ”Unlocked: the power of you”.

Duke folur për librin e tij, ai tha se mund t’ju ndihmojë shumë njerëzve që ta gjejnë veten e tyre dhe atë se çka duan të jenë.

“Ideja e ‘Unlocked: the power of you’ është se unë besoj se ne duhet të gjejmë narrativen tonë dhe duhet ta pretendojmë atë dhe unë mendoj që mund ta bëjmë atë përmes tregimit dhe ne duhet ta kuptojmë se mënyra se si ne flasim për veten tonë, mënyra se si ne mendojmë për veten tonë me të vërtetë e përcakon edhe njeriun që do të bëhemi“, u shpreh Gashi duke thënë më tutje se libri i tij është një udhërrëfyes për lexuesin që të kuptojnë tregimin dhe narrativen e tyre, ta pretendojnë atë dhe ta përdorin si një superfuqi.

Më pas, Gashi tregoi edhe historinë e tij, e për të cilën është njoftuar nga nëna e tij kur ai ishte vetëm 10-vjeç, e që atëherë e ka përdorur këtë histori si inspirim për të arritur çdo gjë në jetën e tij.

“Unë kam lindur më 29 qershor të vitit 1990 dhe më 2 korrik të vitit 1990 në Kosovë ndodhën shumë gjëra pasi Kosova deklaroi pavarësinë nga parlamenti i Serbisë. Dhe ajo çka ndodhi shkaktoi gjenocid ku më pas ushtarët serbë erdhën në spital kur unë isha ende një i sapolindur dhe nëna ime është dashur ta thërrasë babanë tim dhe vëllain e saj për të më marrë mua dhe ata erdhën dhe me larguan nga dritarja. Kur kemi arritur në fshat gjyshja ime ishte gëzuar për mua që isha gjallë dhe që Kosova u bë republikë, e aty vendosi që emri im të jetë Gëzim”, tha Gashi, duke treguar historinë e tij, e cila e ka inspiruar gjatë gjithë jetës.

Më poshtë KultPlus ua sjell intervistën e plotë të Gëzim Gashit për NBC News:

Larg nga lufta, një trupë cirku ukrainase argëton publikun në Francë

Brenda një tende cirku të mbushur plot në luginën Loire të Francës qendrore, akrobatja ukrainase Anastasiia Mazur kënaq turmën me rutinën e saj baletike nga një unazë e pezulluar, transmeton KultPlus.

Mazur, 31 vjeçe, u largua nga atdheu i saj disa javë pasi Rusia pushtoi, një nga afro një duzinë akrobate, kllounë, xhonglerë dhe konformistë që iu përgjigjën ofertës së një regjisori teatri francez për strehim dhe shansin për të organizuar një shfaqje për të rritur ndërgjegjësimin për luftën.

“Unë jam këtu dhe familja ime është në Gjermani,” tha Mazur në një intervistë mes provave. “Lufta nuk ndalet dhe ne duam që më shumë njerëz të dinë për të. Shpresoj se do të përfundojë së shpejti.”

Trupa e sapoformuar e ka quajtur veten ‘zirka!’, që do të thotë yll në ukrainisht. Disa lanë njerëzit e tyre të dashur në Ukrainë, të tjerë mbërritën me fëmijët e tyre dhe gjërat që mund të mbanin.

Shfaqja është një ekspozitë shprese dhe lirie, thonë organizatorët e saj. Në disa akte, interpretuesit veshin veshje kamuflazhi të stilit ushtarak dhe mbulohen me flamurin e tyre kombëtar.

“Shfaqja ka të bëjë me të treguar atë që po ndodh aktualisht në Ukrainë në një mënyrë të butë,” tha regjisori i skenës Gerard Fasoli. “Audienca mund të krijojë versionin e vet të historisë nga ajo që ne i japim.”

Vyacheslav Iroshnikov tha se ai kishte vuajtur nga largimi nga vendi i tij përballë agresionit rus. Në fund ai dhe shoqëruesi i tij, një koleg cirku, ikën me dy fëmijët e tij.

Gjysma ime (ishte) si ‘OK, duhet të qëndrosh’ dhe gjysma ime (tha) ‘OK, ti ke familjen, duhet ta mbash’./ KultPlus.com

Sheshi Skënderbej në Tiranë kthehet në skenë gjigante vallëzimi

 Sheshi Skënderbej u shndërrua në një skenë baleti, me plot të rinj dhe të reja.

Nën tingujt e muzikës, të rinjtë e Tiranës dhe jo vetëm, shijuan mbrëmjen e djeshme valsin vjenez nën koreografinë e balerinit dhe koreografit shqiptar me famë botërore, Eno Peçi.

Ishin të shumtë në numër të rinjtë që shfaqën dëshirën për të mësuar se si kërcehet një vals, e ku ka më bukur se të mësosh nga më i miri.

Aktiviteti u organizua nga Kongresi Rinor Kombëtar në kuadër të “Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022” në bashkëpunim me bashkinë Tiranë dhe Ambasadën e Austrisë në Tiranë./atsh/KultPlus.com

‘Ne tani po ikim pak nga pak që këtej’

Poezi nga Sergej Esenin

Ne tani po ikim pak nga pak që këtej
Drejt vendit ku ka qetësi dhe gëzim.
Mbase, shpejt edhe unë do duhet të ngre
Plaçkat e mia mortore për në udhëtim.

Pyje të dashura mështeknash!
Ti tokë! E ju, rërëra të ultësirave!
Përpara kësaj turme në vrapim
Nuk mund ta fsheh melankolinë.

Kam dashur shumë në këtë botë,
Gjithëçka që vesh mish dhe shpirt.
Paqe mështeknave që hapin degët
E pasqyrohen në ujin e trëndafiltë.

Për mjaft mendime kam rënë në heshtje,
Shumë këngë brenda vetes kompozova.
I lumtur jam mbi këtë tokë të zymtë
Për gjithçka që jetova dhe frymova.

I lumtur jam që kam puthur gra,
Që shtypa lule, u shtriva mbi bar,
Dhe që nuk qëllova kurrë në kokë
Motrat tona kafshët, si i marrë.

E di që atje nuk lulëzojnë zabelet,
Nga qafa e mjellmës thekra s’fëshfërin
Ndaj para turmës së vrapuesve unë
Provoj gjithmonë rrëqethje, dridhërim.

Unë e di se në atë vend s’do të ketë kurrë
Fusha të tilla flokëverdha nën mjegulla krejt.
Edhe pse njerëzit për mua janë të dashur
Dhe jetojnë me mua mbi këtë tokë të shenjtë./ KultPlus.com

Deputeti gjerman kërkon liberalizimin e vizave për Kosovën, ka një kërkesë për Kroacinë

Deputeti gjerman nga të Gjelbrit, Anton Hofreiter, i ka bërë thirrje Kroacisë që të punojnë bashkarisht për liberalizimin e vizave për Kosovës, raporton Express.

Deklarata e Hofreiter erdhi pasi Bundestagu i dha dritë jeshile qeverisë gjermane që të votojë pro anëtarësimit të Kroacisë në zonën e Euros.

“Ne duhet të angazhohemi bashkërisht për rajonin. Të fillojmë bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, të angazhohemi për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe të përdorim një gjuhë më të qartë kundrejt Serbisë”, tha Hofreiter.

Ai foli edhe për rëndësinë gjeostrategjike të vendimit të Bundestagut.

“Rajoni i Ballkanit Perëndimor është një rajon, ku vende autoritare dhe diktatura, si Rusia dhe Kina, përpiqen të kenë ndikim. Prandaj është në interes të të gjithëve që të bëjmë hapa përpara në integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE”, tha deputeti ekologjist, i cili është njëkohësisht edhe kryetar i Komisionit të Bundestagut për çështje të Bashkimit Evropian./KultPlus.com

Pas 10 vjetëve u rishfaq komedia ‘Gruaja e drejtorit’

Mbrëmë në shtëpinë e kulturës “Xhemajli Berisha” u shfaq komedia “Gruaja e drejtorit” e autorit Osman Goranci e me regji të Luan R. Kryeziut. Salla ishte e stërmbushur me spektatorë, të cilët për 1 orë e disa minuta, sa zgjati komedia, e përcollën me ovacione e duartrokitje frenetike.

Pak fjalë për përmbajtjen e komedisë

“Gruaja e drejtorit” është një komedi e ndarë në katër pamje. Autori, përmes personazheve vë në spikamë një familje tipike fshatarake, që papritur i bie të përballet me jetën në qytet – me qytetërimin, krejt e papërgatitur për ta mbajtur drejtpeshimin e jetës në rrethanat e reja. Pra, familja në fjalë gënjen vetveten dhe ëndërron se ajo është e vërteta e saj.

Personazhet e komedisë në fjalë janë: Gjyla (zonja e shtëpisë), Syla (bashkëshorti i Gjyles), Luli (djali 14-vjeçar), Tixha (pastruesja e shtëpisë), Baci Zenel (axha i Sylës), profesor Neli (kujdestari i klasës së Lulit), zonja Dritë (fqinja e Gjyles) dhe Xhemshiti (burri i Tixhes, pastrueses së shtëpisë).

Loja e aktorëve

Përmes lojës së shkëlqyeshme të aktorëve u treguan në mënyrë të qartë peripecitë e kësaj familjeje. Syla, bashkëshorti i Gjyles, i cili është drejtor i një ferme në qytet, pas një pune kthehet në shtëpi dhe dëshiron ta befasojë bashkëshorten e tij, Gjylen. Por, ai has në pastruesen e shtëpisë, Tixhen, të cilën Gjyla e kishte punësuar pa u konsultuar me bashkëshortin e vet dhe këtu fillon ngjarja.

Krejt në fund, ferma, ku Syla ishte drejtor privatizohet dhe ai ngelet pa vend pune. Në ndërkohë, në qytet vjen për t’i vizituar, baci Zenel, vëllai i madh i Sylës. Pas një bisede pothuajse të gjatë, baci Zenel arrin ta bindë Sylën që të kthehet në fshat, për të ndërtuar një fermë të madhe, ku me të vërtetë Syla bëhet drejtor i saj. Nga udhëtimi në qytet i bacit Zenel, që ishte për ta vizituar Sylën, përfiton nga rasti dhe martohet me fqinjën e tyre, zonjën Dritë, dhe të gjithë së bashku kthehen në fshat për ta ndërtuar sërish jetën e tyre.

Pa dyshim, njra prej shfaqjeve tona ë të mira ka qenë pikërisht kjo komedi – komedia “Gruaja e drejtorit”. Prandaj, vendosëm që për publikun tonë të shumë ta rishfaqim edhe pas dhjtetë vjetëve, sepse vetë shikuesit në njëfarë mënyre na kanë imponuar këtë. Edhe kësaj radhe, sikurse në shfaqjet e shumta para dhjetë vjetëve, salla ka qenë e stërmbushur me shikues, të cilët na shpërblyen me duartrokitje frenetike. Natyrisht, kjo na mobilizon që ne të jemëi edhe më të organzuar në shfaqjet tjera që na presin.

Fillimisht, në bashkëpunim me Kuvendin e Komunës së Prizrenit, përkatësisht Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, do të prezantohemi me këtë komedi para bashkatdhetarëve tanë më 23 korrik, e pastaj do të udhëtojmë në Ulqin për të marrë pjesë në festivalin ndërkombëtar “Skena verore – Ulqini 2022 më 10 dhe 11 gusht të këtij viti, sikurse edhe në Tuz”, ka thënë kryetari i Teatrit të Qyteit të Prizrenit (Teatrit amator), Vllaznim Bytyçi.

Pas përfundimit të komedisë, kryetari i Teatrit të Qytetit të Prizrenit, shtroi darkë për aktorët e kësaj shfaqjeje, për aktorët e vjetër, si dhe për stafin e Teatrit./ KultPlus.com

“Më lodhi mundimi në shpirt tërë jetën, ta them lakuriq të vërtetën”

Poezi nga Dritëro Agolli

Më lodhi mundimi në shpirt tërë jetën
Ta them lakuriq të vërtetën.
Po s’munda ta them ngaherë të plotë,
Se ishte zuskë kjo botë.
Tani më vjen keq për aq sa gënjeva,
Megjithëse gënjyen dhe Adami dhe Eva
Të paret gënjeshtarë të mjerë
Dhe kjo më jep ngushellim herë-herë. /KultPlus.com

Rihanna është miliarderja më e re në SHBA

Këngëtarja e njohur botërisht, Rihanna, është miliarderja më e re në Shtetet e Bashkuara të Amerikës bazuar në listat e “Forbes” dhe tani ajo është renditur si gruaja e 21-të më e pasur në botë, transmeton KultPlus.

Këngëtarja “Love on the Brain” ka një vlerë rreth 2.27 miliardë dollarë, duke e gjeneruar vetë pasurinë e saj, kryesisht falë linjës së saj kozmetike Fenty Beauty, e cila gjeneroi mbi 894 milionë dollarë të ardhura në vitin 2022.

Përveç kësaj, Rihanna ka gjithashtu 30 për qind të aksioneve në linjën e të brendshmeve Savage x Fenty, si dhe një karrierë të suksesshme pop, e cila e ka ndihmuar atë të bëhet personi i parë nga Barbados që hyn në listë.

Emra të tjerë të shquar përfshijnë manjatën e medias Oprah Winfrey në vendin e 10-të, Reese Witherspoon në 65 dhe Serena Williams në 90-tin. /KultPlus.com

Hapet sot bajpasi i Vlorës, zona kthehet në superdestinacion turistik

Bajpasi i Vlorës, aksi i ri panoramik që lehtëson qarkullimin e automjeteve gjatë pikut të sezonit, do të hapet përfundimisht sot.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku gjatë një interpelance në Kuvend.

Ministrja Balluku gjatë inspektimeve të kësaj vepre ka bërë të ditur se bajpasi i Vlorës është ndërtuar me standardet më të mira dhe parametrat më të lartë të sigurisë.

Rruga lidh autostradën Levan-Vlorë me rrugën nacionale bregdetare Vlorë-Sarandë, duke ndikuar edhe në lehtësimin e fermerëve, për daljen më shpejt në tregje, të prodhimit bujqësor dhe nxitjen e agroturizmit.

Rruga e re me gjatësi 29 km vlerësohet një ndër segmentet me ndikimin më të lartë turistik që do të ndikojë ndjeshëm në lehtësimin e trafikut në qytetin e Vlorës.

Bajpasi nis nga rrethrrotullimi në fund të autostradës Levan-Vlorë. Rruga anashkalon Kaninën në pjesën perëndimore mbi Vlorë, në një nivel rreth 300 m nën kështjellë, nga ku ofron pamje spektakolare përgjatë gjirit të Vlorës.

Në çdo 1.5 kilometër të kësaj rruge është parashikuar vendpushimi për automjetet.

Me përfundimin e disa projekteve të rëndësishme infrastrukturore, e gjithë zona do të kthehet në një superdestinacion turistik, me infrastrukturë të nivelit evropian./atsh / KultPlus.com

MASHTI harton rregulloren e brendshme për parandalim të konfliktit të interesit

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, në Mbështetje të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik, ka hartuar Draftin e Rregullores së Brendshme për Parandalimin e Konfliktit të Interesit.

“Rregullorja ka për qëllim vendosjen e rregullave dhe procedurave të brendshme për parandalimin e konfliktit të interesit në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe institucionet vartëse”, thuhet në njoftim.

Ky dokument është hartuar në konsultim të ngushtë me Agjencinë Kundër Korrupsionit dhe parasheh:

Obligimi për parandalimin dhe zgjidhjen e konfliktit të interesit brenda MAShTI;

– Trajtimi i konfliktit të interesit nga autoriteti përgjegjës;

– Veprimet e ndaluara për zyrtarin e MAShTI;

– Angazhimi në punë jashtë institucionit;

-Obligimi, përgjegjësitë për parandalimin dhe zgjidhjen e konfliktit të interesit;

– Identifikimi dhe raportimi i konfliktit të interesit në MAShTI;

– Mënyrat e trajtimit dhe zgjidhjes së konfliktit të interesit;

– Sanksionet në rastet e konfliktit të interesit

Ndryshe, draft-rregullorja është në diskutim publik deri më 27 korrik 2022. /KultPlus.com

29 vite pa ambasadorin e shkencës shqiptare Aleks Buda

Aleks Buda, mësues i popullit, historian dhe akademik shqiptar u nda nga jeta më 7 korrik 1993.

Historian i shquar, profesor, kryetar i parë i ASHSH. Lindi në Elbasan në një familje të njohur intelektuale. Shkollën fillore e kreu në Leçe (Leçe, Itali), të mesmen në Zalcburg (Salzburg, Austri), studimet e larta në Fakultetin e Filozofisë (dega filozofi-letërsi) të Universitetit të Vjenës (1929-1935). Më pas (1939-1943) punoi si mësues në Liceun e Tiranës e në atë të Korçës.

Në vitet 1945-1946 qe drejtor i Bibliotekës Kombëtare. Me formimin më 1955 të Institutit të Historisë e të Gjuhësisë, Aleks Buda si një ndër organizatorët e tij dhe punonjësit shkencorë më me përvojë, themeloi Sektorin e Historisë së Mesjetës dhe me këtë hodhia bazat e medievistikës shqiptare. Qe një nga themeluesit e katedrës së historisë dhe të kursit të historisë së Shqipërisë të Universitetin të Tiranës. Më 1973 u zgjodh kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, detyrë që e mbajti deri në fund të jetës.

Veprimtaria kryesore e tij ishte studimi i historisë, veçanërisht në fushën e historisë mesjetare shqiptare dhe të Rilindjes Kombëtare. Ai është bashkautor dhe redaktor përgjegjës i tekstit të “Historisë së Shqipërisë vëllimi I” dhe autor i disa studimeve për periudha të ndryshme të Historisë së Shqipërisë, sidomos për atë të “Skënderbeut” për etnogjenezën e popullit shqiptar si dhe autor i shumë shkrimeve publicistike. Buda ka shkruar edhe hyrjen 18-faqeshe të botimit të veprës së Marin Barletit, “Rrethimi i Shkodrës”, e cila u përthye nga Henrik Lacaj dhe u botua në Tiranë në vitin 1962.

Është bashkautor i Vëllimit II “Historia e Shqipërisë”, botuar në vitin 1965 dhe dha ndihmesë të çmuar në konceptimin e udhëheqjen shkencore, dhe si kryeredaktor në hartimin e Fjalorit Enciklopedik Shqiptar (1985), e para vepër enciklopedike shqiptare.

Është nderuar “Mësues i Popullit”, “Çmimin e Republikës së Shkallës së Parë”, “Urdhrin e Lirisë” etj. Presidenti i Republikës së Austrisë e ka dekoruar me “Medaljen e Madhe të Artë” (1990), medalja më e lartë që jep Austria për shtetasit e huaj. Këshilli i qarkut të Elbasanit e ka nderuar pas vdekjes (2002) me titullin “Qytetar Nderi”. / Diaspora shqiptare / KultPlus.com

Pandemia shkas i rritjes së urisë në botë, krizës që nuk i shihet fundi

Numri i njerëzve të prekur nga uria globalisht u rrit në 828 milionë në vitin 2021, një rritje prej rreth 46 milionë që nga viti 2020 dhe 150 milionë që nga shpërthimi i pandemisë COVID-19 (1), sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara që ofron Dëshmi të freskëta se bota po largohet më tej nga qëllimi i saj për t’i dhënë fund urisë, pasigurisë ushqimore dhe kequshqyerjes në të gjitha format e saj deri në vitin 2030.

Edicioni i vitit 2022 i raportit “Gjendja e Sigurisë Ushqimore dhe Ushqimit në Botë” (SOFI) paraqet përditësime mbi situatën e sigurisë ushqimore dhe të ushqyerjes në mbarë botën, duke përfshirë vlerësimet më të fundit të kostos dhe përballueshmërisë së një diete të shëndetshme. Raporti shqyrton gjithashtu mënyrat në të cilat qeveritë mund të ripërdorin mbështetjen e tyre aktuale për bujqësinë për të ulur koston e dietave të shëndetshme, duke pasur parasysh burimet e kufizuara publike të disponueshme në shumë pjesë të botës.

Raporti u publikua sot bashkërisht nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO), Fondi Ndërkombëtar për Zhvillimin Bujqësor (IFAD), Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF), Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së (WFP) dhe Bota. Organizata e Shëndetësisë (OBSH).

  • Rreth 828 milionë njerëz u prekën nga uria në vitin 2021 – 46 milionë njerëz më shumë nga një vit më parë dhe 150 milionë më shumë nga 2019.
  • Pasi mbeti relativisht i pandryshuar që nga viti 2015, përqindja e njerëzve të prekur nga uria u rrit në vitin 2020 dhe vazhdoi të rritet në vitin 2021, në 9.8 për qind të popullsisë botërore. Kjo krahasohet me 8 përqind në 2019 dhe 9.3 përqind në 2020.
  • Rreth 2.3 miliardë njerëz në botë (29.3 përqind) ishin mesatarisht ose rëndë të pasigurt ushqimor në 2021 – 350 milion më shumë krahasuar me para shpërthimit të pandemisë COVID-19. Gati 924 milionë njerëz (11.7 për qind e popullsisë globale) u përballën me pasiguri ushqimore në nivele të rënda, një rritje prej 207 milionë në dy vjet.
  • Hendeku gjinor në pasigurinë ushqimore vazhdoi të rritet në vitin 2021 – 31.9 përqind e grave në botë ishin mesatarisht ose shumë të pasigurta ushqimore, krahasuar me 27.6 përqind të burrave – një hendek prej më shumë se 4 pikë përqindjeje, krahasuar me 3 pikë përqindjeje në 2020.
  • Pothuajse 3.1 miliardë njerëz nuk mund të përballonin një dietë të shëndetshme në vitin 2020, me 112 milionë më shumë se 2019, duke reflektuar efektet e inflacionit në çmimet e ushqimeve të konsumit që rrjedhin nga ndikimet ekonomike të pandemisë COVID-19 dhe masat e marra për ta frenuar atë

Për të lexuar më shumë, ju lusim që t’i referoheni linkut këtu. /KultPlus.com

“Më të zellshmit për urrejtjen janë ata që predikojnë dashurinë”

Nga Charles Bukowski

Gjenia i turmës

Për të mbushur çdo çast çdo lloj arme
Dhe më të zellshmit për vrasjen janë ata që predikojnë kundër
Dhe më të zellshmit për urrejtjen janë ata që predikojnë dashurinë
Dhe më të zellshmit për luftën – përfundimisht – janë ata që predikojnë paqen.
Mos i zini besë
Burrit mesatar
Gruas mesatare
Mos i zini besë dashurisë së tyre.
Dashuria e tyre është mesatare, kërkon shpirtvogëlsinë
Por ka gjenialitet në urrejtjen e tyre
Ka mjaft gjenialitet në urrejtjen e tyre për t`ju vrarë, për të vrarë këdo
Ngaqë nuk duan vetminë
Ngaqë nuk kuptojnë vetminë
Mundohen të shkatërrojnë
Gjithçka
Ndryshon
Prej tyre.
Duke qenë të paaftë
Të krijojnë art
Nuk e kuptojnë artin.
Shohin në dështimin e tyre
Si krijues
Veç një dështim
Të botës.
Duke qenë të paaftë të duan plotësisht
Besojnë dashurinë tuaj
Të paplotë
Si pasojë, ju urrejnë
Dhe urrejtja e tyre është e përsosur
Si një diamant që shkëlqen
Si një thikë
Si një mal
Si një tigër
Si helmi
Arti i tyre më i madh.

Përktheu: Anila Xhekali. / KultPlus.com