Njeriu ka një kokë, një jetë, një dashuri

Poezi nga Musa Ramadani

Njeriu ka një kokë
Glob i gjallë për lule e predha
Ku drejtpeshohen hapësira e koha

Mos luani me kokën e tij!

Njeriu ka një jetë
Skenë e mirësive ndaj mëkateve
Pse lindin e vdesin çdo ditë

Mos luani me jetën e tij!

Njeriu ka një dashuri
Fjalë (vallë) e tepërt në histori
Nga ligjërojnë mëkatet e motivet

Mos luani kurrë me dashurinë e tij! / KultPlus.com

23 vjet nga themelimi i Policisë së Kosovës

Më 6 shtator të vitit 1999, Misioni i OSBE-së në Kosovë, në pajtim me Rezolutën e Kombeve të Bashkuara 1244, ka hapur Shkollën e policisë dhe ka filluar trajnimin e kandidatëve për pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Gjenerata e parë e kandidatëve për pjesëtarë të këtij Shërbimi filloi trajnimin në këtë qendër më 6 Shtator 1999. Kjo gjeneratë numëroi 176 pjesëtar të cilët me sukses përfunduan trajnimin dhe pastaj filluan ushtrimin e veprimtarisë policore në tërë territorin e Kosovës si policët e parë të këtij Shërbimi. Një shërbim i ri i krijuar në bazat e një policie demokratike dhe profesionale.Një shërbim i hapur dhe i barabartë për të gjithë të interesuarit që dëshrirojnë të bëhen pjesëtarë të këtij shërbimi.

Trajnimi në Shkollën e Policisë së Kosovës është një trajnim me standarde të larta duke përfshirë: Kodin e Etikës Policore, Legjislaturën e aplikueshme në Kosovë, Hetimin e Krimit, grumbullimin e evidencave dhe metodën e intervistave,  politikën demokratike dhe fokusimi në besueshmërinë e rregullave të ligjit demokratik, përdorimin e armëve të zjarrit,  forenzikën dhe evidencën, kontrollin e trafikut, etj.

Pas përfundimit të trajnimit me sukses në Shkollën e Policisë së Kosovës, pjesëtarët e këtij shërbimi vazhdojnë me programin e Trajnimit Fushor në stacionet policore, me trajner të qertifikuar.

Të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës janë të përkushtuar në shërbimin e tyre, duke u mbështetur në vizionin, misionin dhe vlerat e këtij shërbimi. /KultPlus.com

Rita Ora mban sot koncert në Tiranë, falas për të gjithë

Këngëtarja shqiptare, Rita Ora, do të mbajë sot koncert në Tiranë, shkruan KultPlus.

Me fillim nga ora 20:00 në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, ku pritet që të performojnë vetëm vajza nga Kosova e Shqipëria.

Ora ka thënë se mezi pret që të ngjitet në skenë, derisa Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka bërë thirrje që të vijnë sa më shumë njerëz. /KultPlus.com

Është e ndaluar…

Poezi e shkruar nga Pablo Neruda.

Është e ndaluar:
të qash pa nxjerrë një mësim,
të çohesh një ditë pa ditur çfarë të bësh,
të kesh frikë nga kujtimet…

Është e ndaluar:
të mos u buzëqeshësh problemeve,
të mos luftosh për atë çfarë do,
të braktisësh gjithçka nga frika,
të mos realizosh ëndrrat…

Është e ndaluar:
të mos tregosh dashurinë,
të bësh dikë të paguajë
per dyshimet dhe humorin tënd të keq…

Është e ndaluar:
të mos jesh vetvetja para njerëzve,
të pretendosh nga njerëz që nuk të interesojnë,
të bësh qesharakun me qëllim që të të kujtojnë,
të harrosh të gjithë njerëzit që të duan…

Është e ndaluar:
të mos bësh gjërat për veten tënde,
të mos kesh besim në vetvete,
të mos plotësosh fatin tënd,
të kesh frikë nga jeta dhe angazhimet e saj…

Të mos jetosh çdo ditë
sikur të jetë frymëmarrja e fundit…

Është e ndaluar:
t’i japësh dikujt më pak nga sa mundesh,
të mos ndjesh lumturinë,
të harrosh sytë, buzëqeshjen e tij, gjithçka
sepse rrugët tuaja nuk kryqëzohen më,
të harrosh të kaluarën
dhe ta bësh të paguajë me të tashmen…

Është e ndaluar:
të mos përpiqesh të kuptosh njerëzit,
të mendosh se jeta jote vlen më shumë se e tyre,
të mos kuptosh se gjithkush ka rrugën dhe fatin e tij…

Është e ndaluar:
të mos besosh historinë tënde,
të mos kesh kohë për njerëzit që kanë nevojë për ty,
të mos kuptosh se jeta atë që të jep
mund dhe të ta marre prapë…

Është e ndaluar:
të mos kërkosh lumturinë,
të mos jetosh jetën
duke patur një qëndrim pozitiv ndaj saj,
të mos mendojmë se mund të përmirësohemi…

Është e ndaluar
Të mos mendosh se kjo botë
Do mund të ishte e njëjtë pa ty… /KultPlus.com

Një gazetar rus dënohet për 22 vjet pasi u akuzua për tradhti

Një gazetar rus është dënuar me 22 vjet burg pasi u dënua për akuza për tradhti nga një gjykatë në Moskë, përcjell KultPlus.

Ivan Safronov, një korrespodent i respektuar që punonte për Kommersant dhe Vedomosti, u akuzua për dhënien e sekreteve ushtarake spiunëve çekë.

Ai i mohoi akuzat – dhe më herët hodhi poshtë një marrëveshje për pranimin e fajësisë, e cila pothuajse mund ta përgjysmonte dënimin e tij, shkruan BBC.

Gjyqi është i fundit në një seri goditjesh ndaj mediave të pavarura ruse që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Safronov, 32 vjeç, u arrestua në korrik 2020, pasi la gazetarinë për të punuar si këshilltar i kreut të agjencisë shtetërore të hapësirës.

Javën e kaluar, shërbimi rus i BBC-së raportoi se akuzat besohet se lidhen me një artikull që Safronov shkroi duke zbuluar shitjet e Rusisë të avionëve luftarakë SU-35 në Egjipt, gjë që shkaktoi një protestë diplomatike.

Ai u arrestua pasi u akuzua zyrtarisht për zbulimin e sekreteve shtetërore gjatë punës për agjencinë hapësinore. Por zyrtarët e agjencisë këmbëngulën se Safronov nuk kishte akses në sekretet shtetërore ndërsa punonte atje dhe thanë se akuzat nuk kishin lidhje me këtë punë.

Gjatë gjithë seancave, avokatët që punojnë për Safronov kanë qenë nën presion të vazhdueshëm. Dy prej tyre, Yevgeny Smirnov dhe Ivan Pavlov, thuhet se janë larguar nga vendi. /KultPlus.com

Këngët e pavdekshme të Freddie Mercury (VIDEO)

Suksesi i jashtëzakonshëm dhe i papritur i “Bohemian Rapsody”, filmi mbi historinë e grupit ”Queen”, që me një buxhet prej 52 milionë dollarësh ka arritur të fitojë një miliard dollarë duke fituar katër Oscar, përfshirë atë për aktorin më të mirë në rolin kryesor (Rami Malek), është demonstrimi më i bujshëm i asaj që grupi përfaqëson në historinë e rock-ut dhe deri tani në imagjinatën kolektive, transmeton KultPlus.

Mercury ndërroi jetë me 24 nëntor 1991, vetëm 45 vjeçar, dhe morri shumë sekrete me vete në varrin e tij. Dikur punoi si fotomodel, ishte shok i mirë i David Bowie, ndërsa këngën “Bohemian Rhapsody” nisi ta shkruante kur ishte student.

KultPlus iu sjellë disa prej këngëve të Mercuryt, të cilat konsiderohen si të pavdekshme:

Rita Ora për vizitën në ‘Shtëpinë e Ngjyrave’: Puna që ata bëjnë këtu është vërtet e pabesueshme dhe e paçmueshme

Rita Ora, ylli i muzikës që jeton në Mbretërinë e Bashkuar, e lindur në Kosovë, dhe Ambasadore e UNICEF UK, vizitoi sot “Shtëpinë e Ngjyrave”, qendrën komunitare në Tiranë, që ofron të gjithë gamën e shërbimeve për fëmijët dhe familjet e tyre, duke përfshirë këtu edhe strehën e emergjencave.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Ora, thotë se puna që ata e bëjnë është e pabesueshme.

Postimi i plotë:

“Sot shkova tek Shtëpia e Ngjyrave me UNICEF dhe Bashkinë e Tiranës. Ekipi këtu trajton fëmijët më të rrezikuar me kujdes, u ofron atyre siguri, strehim, arsim dhe mundësi për ndihmë afatgjatë. Puna që ata bëjnë këtu është vërtet e pabesueshme dhe e paçmueshme dhe u ndjeva vërtet e privilegjuar që takova ekipin dhe kalova kohë me këta fëmijë të mrekullueshëm. #Për çdo fëmijë #UNICEFprotects @unicef_uk”, thuhet në postimin e saj. /KultPlus.com

Sot u hap edicioni i 19-të i Javës së Bibliotekës në Kosovë

Me temën “Dokumentimi i kulturës së emigracionit – koleksionet e shtypura dhe digjitale”, përgjatë një jave në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës do të organizohen aktivitete kulturore dhe sesione shkencore mbi bibliotekarinë, historinë dhe digjitalizimin.

Në hapje morën pjesë ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, kryetari i Këshillit Drejtues të BKK-së, Bardh Rugova, drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Piro Misha, drejtori i BKK-së, Fazli Gajraku, përfaqësuesja e Fondacionit Basha, Kimete Mitrovica-Basha, përfaqësues të ambasadave të huaja, dhe shumë personalitete tjera nga jeta akademike e kulturore.

Me fjalë e tij ministri Çeku ndër të tjera tha që librin, veprimtarinë botuese dhe bibliotekat i kemi adresuar edhe në reformën e përgjithshme për kulturë e cila veçse ka nisur me miratimin e koncept dokumentit për kulturë që u miratua javën e kaluar nga Qeveria e Kosovës.

“Libri dhe bibliotekat janë referenca bazë e dokumentimit në një shtet. Biblioteka Kombëtare gëzon një kapacitet të jashtëzakonshëm të cilin po e rrisim çdo ditë e më shumë me mbështetje dhe po e trajtojmë me prioritetin e duhur institucional”, shtoi ministri.

Në kuadër të ceremonisë hapëse, gjithashtu folën edhe kryetari i Këshillit Drejtues të Bibliotekës, Bardh Rugova, drejtorët e dy bibliotekave, të Kosovës dhe Shqipërisë, Fazli Gajraku, respektivisht Piro Misha dhe bashkëshortja e Ydriz Bashës, Kimete Mitrovica-Basha.

Ceremonia u përmbyll me një program artistik nga solistja Elikona Hysaj-Shala, e shoqëruar në piano nga Pranvera Hoxha-Bryma dhe me hapjen e ekspozitës “Kujtesa e Kosovës – Dokumentimi i kulturës së Emigracionit: Jeta dhe vepra e Ydriz Bashës (dokumente nga arkivi i familjes Basha)” me kuratore Blerina Vehapi, Erodita Ismajli dhe Venera Nitaj. Në hapje të ekspozitës folën Sara Basha, e bija e Ydriz Bashës dhe Xhakomina Halili. /KultPlus.com

Foto e rrallë – Nëna Terezë me Mbretëreshën Elisabeta II

Mbretëresha Elizabeta II përshëndet Nënë Terezën gjatë takimit të saj më 24 nëntor 1983. Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, e njohur më mirë si Nënë Tereza e kaloi jetën duke u kujdesur për të varfërit dhe të sëmurit. E shenjtëruar në vitin 2016 si Shën Tereza e Kalkutës, ajo tani është zgjedhur si bashkëpatroneze e Kryedioqezës së Kalkutës. Dhembshuria dhe puna e saj e ndihmës për ata që vuajnë nga lebra, të sëmurët përfundimisht dhe të dëbuarit e shoqërisë e bënë atë një ikonë globale të bamirësisë së krishterë. Një gërmim nëpër arkivat e HT hedh dritë mbi personalitetin e saj. (Virendra Prabhakar / HT FOTO)

Rita Ora e vlerëson urdhrin “Naim Frashëri” si një moment që nuk do ta harrojë kurrë

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, e ka vlerësuar si diçka të paharrueshme udhëtimin e saj në Shqipëri, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në Facebook, Ora thotë se ka disa gjëra në jetë që nuk i harroni kurrë dhe ky udhëtim do të jetë një prej tyre.

“Ka disa gjëra në jetë që nuk i harron kurrë, ky udhëtim do të jetë një prej tyre. Sot ka qenë një ditë jo e vërtetë. Pata nderin e madh të më jepet urdhëri Naim Frashëri nga Presidenti i Shqipërisë, z. Bajram Begaj. Kjo është diçka që u jepet shqiptarëve dhe shtetasve të huaj për veprat dhe veprimtarinë e tyre të vlefshme në shkencë, art dhe kulturë. Faleminderit shumë nga zemra”, thotë ylli botëror.

Ndërkaq, koncerti falas do të fillojë nesër mbrëma në sheshin “Skënderbej”. /KultPlus.com

Kurti vizitoi shkollën “Enver Maloku” në Podujevë

Për të uruar vitin e ri shkollor, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vizitoi shkollën fillore të mesme të ulët “Enver Maloku” në Podujevë. Së bashku me Kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, gjatë kësaj vizite, panë nga afër procesin e shpërndarjes së librave për nxënësit e klasës së parë.

Kryeministri Kurti tha se është kënaqësi e veçantë që në këtë ditë e mot kaq të mirë të jemi bashkë me rastin e ndarjes së teksteve shkollore për nxënësit. Shpresoj që do të bëjmë shumë punë të mbara edhe në qeverisje qendrore e lokale por edhe në mësimdhënie e në mësimnxënie për të gjithë nxënëset dhe nxënësit, tha ai.

Shkolla është vend ku mësohet, ku jepet mësim dhe ku fëmijët edukohen, bëhen më të ditur e më të mençur, andaj edhe shkolla duhet të jetë vendi ku vijnë nxënësit të mësojnë e jo t’i gjejnë dyert e mbyllura e klasat e zbrazëta, shtoi Kryeministri.

Duke theksuar se e ardhmja e një populli, e një shteti, e një shoqërie varet shumë prej arsimimit të më të vegjëlve, Kryeministri Kurti i falënderoi të gjithë prindërit për vullnetin e përkushtimin e madh që kanë për fëmijët e tyre. U garantoj që edhe nga pushteti qendror e lokal, por edhe nga kuadri arsimor këtu, do ta kenë gatishmërinë, interesimin e punën, ashtu që këta fëmijë kur të rriten nesër e të na zëvendësojnë neve, të jenë shumë më të mirë se sa të gjithë ne, tha ai.

Kryeministri Kurti i falënderoi për mikpritjen e përzemërt të gjithë nxënësit dhe prindërit e pranishëm, Kryetarin e Këshillit të Prindërve, nënkryetarin e Komunës së Podujevës, drejtorin e Drejtoratit Komunal të Arsimi dhe drejtorin e shkollës “Enver Maloku”

Pas kësaj vizite në shkollë, Kryeministri Kurti dhe kryetari Bulliqi vizituan edhe çerdhen publike “Armela” në Podujevë, ku u pritën nga fëmijët dhe punonjësit e kësaj çerdhe, e cila po zhvillon procesin edukativo-arsimor me më të vegjëlit pa ndonjë pengesë. /KultPlus.com

Mos jeto kurrë pa jetë

Poezi e shkruar nga Nënë Tereza.

Dita më e bukur? Sot.
Pengesa më e madhe? Frika.
Gjëja më e lehtë? Të gabosh.
Gabimi më i madh? Të heqësh dorë.
Rrënja e çdo të keqeje? Egoizmi.
Mëndjeheqja më e mirë? Puna.
Humbja më e madhe? Mospasja e kurajës.
Profesionistët më të mirë? Fëmijët.
Nevoja e parë? Komunikimi.
Lumturia më e madhe? Të jesh i dobishëm për të tjerët.
Misteri më i madh? Vdekja.
E meta më e keqe? Të qenit pa humor.
Personi më i rrezikshëm? Ai që gënjen.
Ndjenja më e shëmtuar? Mëria.
Dhurata më e bukur? Falja.
Ajo më e paçmuara? Familja.
Drejtimi më i mirë? Rruga e duhur.
Sensacioni më i kënaqshëm? Paqja e brendshme.
Pritja më e mirë? Buzëqeshja.
Ilaçi më i mirë? Optimizmi.
Kënaqësia më e madhe? Detyra e kryer.
Forca më e madhe? Besimi.
Personat më të nevojshëm? Shërbyesit e Zotit (priftërinjtë etj).
Gjëja më e bukur në botë? Dashuria./KultPlus.com

Psikologu Fitim Uka me këshilla për prindërit: Përcillni me kujdes zhvillimin e fëmijëve tuaj

Shkruan: Fitim Uka

Prindër të dashur,
Përcilleni me vëmendje zhvillimin e fëmijëve tuaj në 6 vitet e para të jetës, sepse ato janë fundament për zhvillimin e mëvonshëm kognitiv, social, emocional e sjelljor. Këshillat e familjarëve dhe miqve pa shkollimin e përvojën profesionale, të tipit “leje rehat, se me kohën flet”, “hajt se edhe djali i dajës është vonu njëjtë”, ”nuk ka lidhje që nuk ulet kurrë”, janë vetëm disa prej këshillave të lira që iu kushtojnë shumë shtrenjtë.

Nëse fëmijët po mbushin 2 vjet, por nuk kuptojnë gjuhën që flisni, nuk i kuptojnë dhe nuk iu binden komandave, nuk kanë gjuhë të folur (minimalisht 150-200 fjalë), nuk arrijnë të përqëndrojnë vëmendjen, nuk ia dalin që të mbajnë mend rregulla bazike të sjelljes, nuk socializohen apo edhe shtyjnë e godasin bashkëmoshatarët, përsërisin sjelljet dhe veprimet e njëjta, nuk përcjellin kontaktin me sy, nuk arrijnë të kontrollojnë impulsin, nuk ia dalin që të zgjidhin situata të thjeshta problemore, atëherë këshilla më e mirë është VIZITONI PSIKOLOGUN!

Identifikimi, testimi dhe vlerësimi, si dhe diagnostikimi i hershëm është përgjigja më e mirë për vonesat zhvillmore dhe çrregullimeve eventuale në fëmijërinë e hershme. Dhe, për këtë ka vetëm një adresë – PSIKOLOGU! /KultPlus.com

Poeti shqiptar, Klaudio Findiku, nderohet me titullin “Kavalier i Urdhrit të Dante Alighieri”

Autori shqiptar në Itali, Klaudio Findiku është nderuar me titullin “Kavalier i Urdhrit të Dante Alighieri”. Ky titull i akordohet nga Republika e Poetëve e themeluar nga Enciklopedia Poetike, Wikipoesia.

Republika e Poetëve, një projekt kulturor, një komb i vogël i krijuar sipas karakteristikave të autonomisë dhe të pavarësisë krahasuar me shtete, ente apo organizata të tjera në mënyrë më poetike i përket realitetit të hapësirës digjitale dhe të Mendimit njerëzor. Ajo synon të kremtojë krijimtarinë njerëzore, të vlerësojë poezinë dhe poetët si dhe të njohë poezinë si shprehje të njerëzimit.

Urdhri i Dante Alighierit është krijuar për të promovuar përhapjen e poezisë italiane në botë dhe në veçanti gjenialitetin e Dante Alighierit.

Promovuesi i iniciativës është Renato Ongania (ish-themeluesi i Enciklopedisë poetike).

Ndërkaq, ky është vetëm njëri nga disa sukseset e shumta që autori Findiku ka korrur në vitet e fundit. /KultPlus.com

5 shtatori – Dita Ndërkombëtare e Bamirësisë

5 Shtatorin shënon Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë, të shpallur si e tillë nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, për nder të Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë e cila vdiq më 05.09.1997, përcjell KultPlus.

Gjatë gjithë jetës së saj, Nëna Terezë kishte princip të jetës ndihmën e njerëzve në nevojë dhe atyre që janë të sëmurë.

Mirëpo, edhe pse arriti shumë dhe madje fitoi edhe çmimin Nobel për Paqe, nuk i harroi asnjëherë rrënjët e saja shqiptare.

Sot janë bërë 25 vjet nga dita kur ajo vdiq, derisa figura e Nënës Terezë nuk do të vdesë asnjëherë. /KultPlus.com

Rita Ora: Do të vazhdoj ta bëj të njohur vendlindjen time sa të jem gjallë

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka mirëpritur në takim Rita Orën, një ditë përpara koncertit të madh që kjo e fundit do të mbajë në kryeqytetin e Shqipërisë, shkruan KultPlus.

Duke i uruar mirëseardhje dhe duke folur për sukseset e saja nëpër botë, Veliaj i ka dhuruar edhe një punim të bërë me filigran.

“Një nga kostumet tradicionale të tuat, është kartolina e mikpritjes te dera e bashkisë, prandaj, ne kemi përgatitur një dhuratë për ty. Verzioni i qëndisur me filigran i kostumit tuaj tradicional”, thotë Veliaj.

E befasuar dhe e gëzuar nga kjo dhuratë, Ora, falënderoi Veliajn, duke thënë se ndjehet shumë krenar prej vendlindjes së saj dhe do ta promovojë atë derisa të jetë gjallë.

“Unë dua vetëm të sjell inspirim dhe kënaqësi kur vij këtu dhe gjithmonë kam dhënë maksimumin që të jem e sinqertë. Që kur kam filluar karrierën kam qenë gjithmonë vetja ime, duke bërë shaka të mia dhe duke treguar veten time. Pa marrë parasysh kush jeni, djalë apo vajzë, nëse jeni krenar me vendin nga jeni, kjo është gjithçka që mund të bësh, si dhe të bësh të njohur vendlindjen tënde. Unë kam besuar gjithnjë këtë gjë, njësoj sikurse kanë bërë edhe prindërit e mi. Këtë gjë do ta vazhdoj ta bëjë derisa të jem gjallë. Ne kemi një rresht plot me me vajza dhe mendoj që kjo do të sjellë shumë inspirim sepse doja të dilte në pah puna jonë dhe e ekipit tuaj. Duam të tregojmë miqësinë e madhe mes Kosovës dhe Shqipërisë, dhe të tregojmë mbështetje për komunitetin tonë”, tha Rita Ora, duke shfaqur entuziazmin e saj për të ngjitur në skenë e për të performuar në Shqipëri.

Ndërkaq, koncerti do të fillojë nesër mbrëma në sheshin “Skënderbej”. /KultPlus.com

‘Të duhet të jetosh është revolucionare, dhe kur të vrasin këpucët e ngushta’

Poezi nga Herman Çuka

të vdesësh është
kaq e aq e thjeshtë,
psh në vdekje natyrale
ose kur të t’vrasin
ose të vetvritesh

por, të jetosh është r’evoluzionare
të jetosh të (mbi)jetosh
dhe kur lutesh të vdesësh
kur të dhunojnë
të sekuestrojnë
të vënë në torturë
të nxjerrin sytë
të presin gjuhë
të presin duar
të t’shesin
në treg refugjatësh

të t’rrahin bulët në lagje
në shkollë…
të t’rrahë nëna, babai
fisi … zakoni, ligji
të mbetesh jetim
të t’adaptojnë
të t’dhunojnë, të t’riadaptojnë
….
të t’kushtëzojë shteti
padroni
shefi
martesa
të t’tradhëtojnë
si pa dashje,
dhe organet gjenitale

të jesh padukshmëri
të jetosh!
të jetosh
rutinën
vetminë
rrëmujën
zhurmën
papunësinë e shekullit
ajrin e ndotur
frutat botoks
ujin me këste
llampën e edisonit
t’a mallkosh
t’a fikësh
të sheh lufta
të jep ultimatumin
t’i kthehesh kandilit
të ulësh parametrat e ngrohjes
të futësh kokën
nën jorgan
të chatosh
të dërgosh
një zemër
një zemër
virtuale
të masturbohesh
të bësh sikur dashurohesh,
të ngrohesh!
….
miliona motive
për të vdekur,
dhe nuk mundesh
se e do kaq, e aq shumë
kohën e egzistencës
më thua;” të duhet të luftosh”!
pastaj të dielën çohesh
në mëngjes
sheh diell, me kurajo e flet
për motin e bukur
qen’ i komshiut të shurron
tek porta
me të drejta të plota
të dhjet metaforën
për jetën, mbi jetën!
të duhet të jetosh
është r’evolucionare,
dhe kur të vrasin
këpucët e ngushta

dhe për frymëmarrje
në kohën e maskës,
t’akujve që po treten
si sheqeri
në damarët e tokës
që po digjet në kolesterol

më gjej një motiv
që nuk duhet të jetosh?
….
e përsëri e mbjell
një lule dhe vjeshte!
dhe t’a ujitësh, t’i mbledhësh
gjethet e thara t’i bësh çaj
për dimrin që po pret…
është r’evolucionare
(t’a jetosh,
jetosh) / KultPlus.com

Artpolis ofron kursin e vetëmbrojtjes pa pagesë për vajza dhe gra

Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet në kuadër të projektit “Humanrightivism” organizon pa pagesë kursin e dytë të vetëmbrojtjes “Çikat e Sjellshme” për vajza dhe gra nga e gjithë Kosova, i cili do të fillojë më 12 shtator, përcjell KultPlus.

Më shumë se kurrë më parë siguria e vajzave dhe grave në ambiente publike e private duhet të rritet, ndërsa përgatitja e tyre fizike e psiqike është domosdoshmëri.

Prandaj, vajza dhe gra, pa dallim moshe, mund të ndjekin kursin e vetëmbrojtjes “Çikat e Sjellshme”, i cili do të mbahet në Akademinë e Arteve Marciale në Prishtinë me instruktorin e Taekwando-së, Nuhi Gashi, me gradën 5 Dan.

Gjatë 24 sesioneve të stërvitjeve çikat e gratë do të pajisen me aftësi, njohuri dhe aftësi të mjaftueshme për të dalë nga situata të përkohshme me rrezik të lartë, të cilat mund të jenë potencialisht kërcënuese për sigurinë e tyre (përdhunim, sulm seksual, grabitje, etj.)

Përveç teknikave të vetëmbrojtjes, çikat e gratë do të ndërtojnë qëndrueshmëri dhe aftësi të përgjithshme fizike, emocionale e psiqike.

Artpolis tashmë me sukses ka përfunduar kursin e parë të vetëmbrojtjes me 25 vajza nga qytete të ndryshme të Kosovës. Për 2 muaj, 1 qershor – 29 korrik, 2022 këto vajza kanë stërvitur, janë përkushtuar e kanë marrë njohuri për teknika dhe mënyra të ndryshme të vetëmbrojtjes.

Në thirrjen e dytë inkurajohen çikat e gratë nga të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë të bëhen pjesë e kursit duke aplikuar përmes këtij linku: https://bit.ly/3eeL3dk

Ky aktivitet organizohet nga Artpolis në kuadër të projektit “Humanrightivism” përkrahur nga Swedish International Development Cooperation Agency – Sida, implementuar Community Development Fund – CDF. / KultPlus.com

Rita Ora gatuan pite në Tiranë (VIDEO)

Rita Ora, këngëtarja shqiptare me famë botërore ka vizituar sot “Shtëpinë e Ngjyrave”, qendrën komunitare në Tiranë, që ofron të gjithë gamën e shërbimeve për fëmijët dhe familjet e tyre, duke përfshirë këtu edhe strehën e emergjencave, shkruan KultPlus.

“Jam vërtet e nderuar që jam këtu dhe hedh dritë mbi punën e pabesueshme që po bëjnë UNICEF dhe UNICEF në Shqipëri. Më pëlqeu të kaloja kohë me fëmijët frymëzues që takova në Shtëpinë e Ngjyrave. Eksperienca të tilla, ku mund të shoh personalisht se si UNICEF po mbështet fëmijët kudo, theksojnë punën e pabesueshme dhe të paçmueshme që ata po bëjnë”, tha Ora.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i cili ka ndarë një video në rrjetet sociale, duke thënë se është mirënjohës të gjithë atyre që punojnë me fëmijët dhe familjet në nevojë, që u shërbejnë çdo ditë me përkushtim.

“Më vjen mirë që Rita ishte sot këtu, si Ambasadore e UNICEF-it, për të inkurajuar çdo punonjës social dhe punën e mirë që bëjnë qendrat tona sociale”, ka shkruar Veliaj.

Vizita u mbyll me aktivitetin “Muri i ngjyrave dhe dritës” ku Rita Ora, fëmijët dhe të gjithë pjesëmarrësit lanë gjurmët e duarve dhe firmat e tyre në një mur të bardhë, në mbështetje të shërbimeve të mbrojtjes së fëmijëve dhe luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe punës së detyrueshme të fëmijëve. Po ashtu, nuk mungoi pjesa kur edhe vetë Ora gatuan pite.

Çdo fëmije duhet t’i sigurohet përkujdesja dhe një mjedis i sigurt për të pasur akses në shërbimet e mbrojtjes, arsimimin dhe argëtimin. Kjo është ajo që ofrohet në “Shtëpinë e Ngjyrave”. Që nga viti 2011, qendra e mbështetur nga UNICEF dhe Bashkia e Tiranës dhe menaxhuar nga Nisma ARSIS, ka ofruar shërbime mbështetëse për rreth 4000 fëmijë të prekur nga përjashtimi social, dhuna në familje, varfëria, migrimi, shfrytëzimi dhe trafikimi i qenieve njerëzore. / KultPlus.com

‘Sot është më e thjeshtë të thuash trapllëqe të cilat nuk qëndrojnë në këmbë dhe kurrkush s’i vë re’

Nga historiani Alessandro Barbero

Gjithë periudhat e historisë janë të ndryshme njëra nga tjetra; ama ka një veçori në ata që i quajmë “shekuj të errët” e cila sot, sipas meje, është duke u shfaqur përsëri.

Kur themi “shekuj të errët” e kemi fjalën në veçanti për qindra vitet e vërshimeve barbare dhe periudhën menjëherë pas tyre, jo të gjithë Mesjetën – periudha e Dantes apo e ndërtimit të Katedrales së Zojës Tonë në Paris nuk janë pjesë e “shekujve të errët”, afërmendsh.

Ama shekujt V, VI, VII, janë periudha në të cilat shkruhet pak dhe veprat e përpiluara asokohe na bëjnë disi përshtypje, pasi nuk përmbajnë logjikë të patundshme, arsyetimi ecën paksa kuturu, vërtetim të të dhënave nuk ka, bestytënia mbizotëron.

Këtë zvetënim të aftësive logjike ndër dijetarët e “shekujve të errët”, une e shoh disi edhe sot; për shembull në ligjërimin publik ose edhe në gazetari. Parimi aristotelian i mos-kundërshtisë, logjika e ndjekur në argumentim, rrjedhishmëria në pohimet që bëhen…

S’e di nëse ka qenë kështu që më parë, por më duket se sot është më e thjeshtë të thuash trapllëqe të cilat nuk qëndrojnë në këmbë, e që madje kundërshtojnë njëra-tjetrën, dhe kurrkush s’i vë re.

Përktheu: Edon Qesari / KultPlus.com

Sveçla: Hetimet e para thonë se 11-vjeçarja është dhunuar për më shumë se një vit

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në një konferencë për media gjatë ditës së sotme ka dhënë informacione të reja për rastin, tashmë shumë të përfolur, atë të dhunimit të një 11 vjeçare në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Sveçla ka thënë se edhe pse rasti është ende duke u hetuar, ai shton se informacionet e para bëjnë me dije, se vajza ka më shumë se një vit që është duke u dhunuar.

“Nuk mund të them saktësisht, meqenëse çështja është nën hetim por tashmë mund të them se më shumë se një vit është keqpërdor dhe dhunuar e mitura 11 vjeçare. Këto janë informatat e para”, tha Sveçla.

Ai po ashtu tha se i ka dorëzuar kërkesën kreut të Inspektoratit të Kosovës, që të gjithë hetuesit policorë të dalin si dëshmitarë për të kuptuar saktësisht se çfarë ka ndodhur.

“Ne kemi kuptuar fatkeqësisht që nuk bëhet fjalë për një rast apo dy raste. Por bëhet fjalë për më shumë raste të keqpërdorimit dhe dhunimit të të miturës 11 vjeçare. Unë kërkesën kryeshefit të Inspektoratit kryesor të Kosovës, ia kam bërë drejtpërdrejtë në mënyrë që të gjithë të përfshirët në këtë rast edhe hetuesit policorë të paraqitën si dëshmitarë në mënyrë që institucionet e Kosovës dhe publiku të informohet drejtë për atë se çfarë ka ndodhë. Të gjitha informatat e deritanishme na tregojnë për dështime të një pas njëshme të institucioneve përgjegjëse për ta mbrojtur të miturën dhe për të identifikuar të gjithë dhunuesit, që nuk janë arrestuar ende të gjithë ”, ka deklaruar ministri Sveçla. /KultPlus.com

Në Shtëpinë-Shkollën Hertica paraqiten dhjetë intervista të historisë gojore

Shtëpia-Shkollë Hertica është një prej lokacioneve që mund ta vizitoni në kuadër të bienales Manifesta, përcjell KultPlus.

Kjo shtëpi u shndërrua në një hapësirë për rezistencë paqësore në vitin 1990, kohë në të cilin priti qindra nxënës e mësues brenda hapësirave të saj.

Në fillim të viteve 1990 shumë gjimnazistë dhe studentë Kosovarë e Shqiptarë nuk u lejohej hyrja në institucione arsimore. Alternativa, e cila i lejonte të rinjtë të vazhdonin shkollimin, ishte përdorimi i shtëpive dhe banesave private që u shndërruan në hapësira arsimore.

Metodologjia e ETEA-s, ndërhyrja artistike e të cilëve gjendet në Shtëpinë-Shkollë Hertica, ka në fokus ndërhyrjet në infrastrukturë, arte, kërkim shkencor dhe trajnim.

Në këtë hapësirë ata paraqesin dhjetë intervista të historisë gojore me njerëz që ishin pjesë e sistemit, midis tyre ish-nxënës, mësues, mjekë dhe politikanë, video-instalimi Shkolla pa Shkollë ndihmon në përgatitjen e shtegut për muzeun e ardhshëm.

Ndërmjetësuesit e Manifestas po organizojnë guida të hapura falas për këtë hapësirë dhe ndërhyrje artistike. / KultPlus.com

Fillon edicioni i 18-të i ‘Java e Bibliotekës në Kosovë’ (LIVE)

Për të nëntëdhjetën herë me radhë, Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” organizoi veprimtarinë kulturore “Java e Bibliotekës në Kosovë”, shkruan KultPlus.

Aktivitete të shumta të natyrës kulturore e bibliotekare dhe sesione shkencore që trajtojnë tema të rëndësishme nga bibliotekaria, komunikimi, historia, teknologjia informative, referencat, digjitalizimi janë disa nga ngjarjet që do të ndodhin gjatë kësaj jave, duke filluar nga sot e deri më 11 shtator.

Tashmë tradicional, eventi më i madh kushtuar bibliotekarisë temë bosht në këtë edicion ka ‘Dokumentimi i kulturës së emigracionit: koleksionet e shtypura dhe digjitale’.

Më poshtë mund ta ndiqni LIVE ceremoninë e hapjes në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. / KultPlus.com