“Miqtë e vërtetë nuk ta ngulin thikën pas shpine, por përballë”

Oscar Wilde është shkrimtar, poet dhe dramaturg i shquar irlandez. Lindi më 16 tetor 1854 në Dublin dhe vdiq në vitin 1900 në Paris. Ai rridhte nga një familje me prindër intelektualë anglo–irlandezë.

Mori pjesë në shumë aktivitete të ndryshme letrare dhe mbajti leksione të ndryshme mbi esteticizmin në Amerikë dhe Kanada. Më pas u kthye në Londër, ku ushtroi profesionin e gazetarisë dhe me mprehtësinë therëse, veshjen dhe oratorinë e tij u bë një nga personalitetet më të shquar të kohës.

I jepte shumë rëndësi artit, duke i shprehur idetë nëpërmjet dialogëve të ndryshëm, eseve, të cilat përmbanin pikëpamje mbi dekadencën, bukurinë etj., që mishërohen edhe në të vetmen novelë të tij “Portreti i Dorian Grejit”, botuar në vitin 1890.

Për shkak të ideve të tij, veçanërisht ato mbi homoseksualizmin, për të cilin iu bënë edhe akuza të drejtpërdrejta dhe u arrestua në vitin 1895, Wilde kaloi disa vite i burgosur në Londër.

Në vitin 2007 Wilde është votuar si mendja më e madhe e Britanisë në një sondazh prej më shumë se 3000 komedianësh, duke lënë prapa Winston Churchill, Spike Miligan dhe Noel Couard.

Wilde shquhej për mprehtësi dhe lexuesit e veprave të tij tërhiqen jo vetëm nga librat e shkruar, por edhe nga thëniet e tij, shumica e të cilave “Tirana Observer” i ka përzgjedhur nga këto vepra.

Disa thënie nga Oscar Wilde

1- Bëhu vetja, të gjithë të tjerët janë zënë

2- Një poet mund të mbijetojë çdo gjë, por jo një gabim shtypi.

3- Të moshuarit besojnë se dinë, të moshës mesatare dyshojnë se dinë, të rinjtë mendojnë se i dinë të gjitha.

4- Përvoja është emri që u japim gabimeve tona.

5- Kur isha i ri mendoja që paraja ishte gjëja më e rëndësishme në jetë. Tani që jam rritur jam bindur se ashtu është vërtet.

5- Askush nuk është aq i pasur, sa të mund të blejë të kaluarën e vet.

7- Këshilla më e mirë që mund t’u japësh të rinjve për karrierën është: Zbuloni çfarë ju pëlqen të bëni më shumë dhe pastaj gjeni dikë t’ju paguajë për këtë.

7- S’ka asgjë më të rrezikshme sesa të jesh tepër modern. Rrezikon të dalësh jashtë mode nga një moment në tjetrin.

9- Pas gotës së parë, i shikon gjërat ashtu siç do të doje të ishin. Pas gotës së dytë, i shikon gjërat ashtu siç nuk janë. Në fund i shikon gjërat ashtu siç janë në realitet, dhe kjo është gjëja më e shëmtuar në botë

10 – Miqtë e vërtetë nuk ta ngulin thikën pas shpine, por përballë.

11- Dallimi i vetëm ndërmjet shenjtorit dhe mëkatarit është që çdo shenjtor ka një të kaluar dhe çdo mëkatar një të ardhme.

12- Ai që s’di të mësojë, jep mend

13 – Moderimi është diçka fatale. Asgjë s’është më e suksesshme sesa teprimi. Përvoja nuk ka asnjë vlerë etike: ajo është thjesht emri që njerëzit u japin gabimeve të tyre.

14- Tragjedia e plakut nuk është plakja, por rinia.

15- Kam shumë të dëshirë të flas për asgjë. Është e vetmja çështje për të cilën di gjithçka.

16- Sot njohim çmimin e çdo gjëje, por jo vlerën e tyre.

17- Lumturia e një njeriu të martuar varet nga ajo me të cilën nuk është martuar.

18- Shumë pak e kuptojnë sot se në një martesë, dy vetë janë të vetmuar, ndërsa kur janë tre të paktën ke shoqëri.

19- E vetmja mënyrë sjelljeje më një grua është të bësh dashuri me të nëse është e bukur, ose të bësh dashuri me një tjetër nëse është e shëmtuar.

20- Vetëm njerëzit sipërfaqësorë nuk gjykojnë nga paraqitja e jashtme.

21- Publiku është jashtëzakonisht tolerant; fal gjithçka përveç gjenialitetit.

22- Unë mund t’i rezistoj gjithçkaje, përveç tundimeve.

23- Mos u besoni ndjenjave të grave para se të martohen.

24- Burrat e njohin shumë shpejt jetën, gratë shumë vonë

25- Gratë adhurojnë kur bien në dashuri, por kur humbasin adhurimin e tyre, ato humbasin gjithçka.

26- Gratë kanë një instinkt të çuditshëm: Ëndërrojnë gjithçka veç asaj që duhet.

27- Gjithmonë falni armiqtë tuaj, asgjë nuk i mërzit ata më shumë.

28- Disa shkaktojnë lumturi kudo që të shkojnë, të tjerët sa herë që të shkojnë.

29- Si mund të pritet që një grua të jetë e lumtur me një burrë i cili insiston në trajtimin e saj sikur ajo të ishte një qenie tejet normale njerëzore.

30- Fëmijët fillojnë duke i dashur prindërit e tyre; pas një kohe i gjykojnë ata; shumë rrallë, nëse ndonjëherë, i falin ata.

31- Çdo shenjtor ka një të shkuar dhe çdo mëkatar ka një të ardhme. / KultPlus.com

Leka Zogu I: Të gjithë shqiptarët duhet të ndihmojnë në sjelljen e lirisë së fjalës dhe fesë në vendin e tyre të lindjes

Nga Aurenc Bebja, Francë – 28 Qershor 2021

The Daily Colonist, 3 qershor 1976, f.3

Ky njeri do të ishte Mbreti Leka i Shqipërisë nëse babai i tij, Mbreti Zog, nuk do të ishte përmbysur nga një regjim që përfundimisht u bë qeveria komuniste e një vendi të Evropës Qendrore. Leka, duke biseduar këtu me gruan e tij Susan në Peterborough, në Ontario., thotë se të gjithë shqiptarët duhet të ndihmojnë në sjelljen e lirisë së fjalës dhe fesë në vendin e tyre të lindjes.

https://www.darsiani.com/la-gazette/the-daily-colonist-1976-leka-zogu-i-te-gjithe-shqiptaret-duhet-te-ndihmojne-ne-sjelljen-e-lirise-se-fjales-dhe-fese-ne-vendin-e-tyre-te-lindjes/ / KultPlus.com

“Miq të mirë, libra të mirë dhe ndërgjegje të pastër, kjo është jeta ideale”

Thënie të vlefshme nga Mark Twain

Për të pasur sukses në jetë nevojiten dy gjëra: injoranca dhe besimi në veten.

Shko në Parajsë për klimën, në Ferr për shoqërinë.

Mos ec vërdallë dhe të thuash se bota të ka borxh një jetë. Bota nuk të ka borxh asgjë. Ishte më parë këtu.

Pleqëria është çështje e mendjes mbi materien. Nëse nuk ja vë mendjen nuk është me rëndësi.

Sekreti i të ecurit përpara është të fillosh.

I merr faktet së pari, pastaj mund t’i shformosh si të duash.

Nuk mund të varesh nga sytë kur imagjinata është jashtë përqendrimi.

Është më mirë të mbash gojën të mbyllur dhe t’i lësh njerëzit të mendojnë se je budalla dhe pastaj të e hapësh e të largosh të gjithë dyshimin.

Mirësia është gjuha të cilën të shurdhët mund të e dëgjojnë dhe të verbrit mund të e shohin.

Të frikuarit nga vdekja pason nga të frikuarit nga jeta. Njeriu i cili jeton në tërësi është i përgatitur të vdes në çdo kohë.

Kurdo që gjen veten në anën e shumicës, është koha për pushim dhe për reflektim.

Kurdo që gjen veten në anën e shumicës, është koha për reformim.

Shokët e mirë, librat e mirë dhe ndërgjegjja e fjetur: kjo është jeta ideale.

Mënyra më e mire të gëzosh veten është të tentosh të gëzosh ndonjë tjetër.

Mungesa e parasë është rruga e të gjitha të ligave.

Me sa duket nuk ka asgjë që nuk mund të ndodhë sot.

Nëse e thua të vërtetën nuk duhet të mbash asgjë në mend.

Miq të mirë, libra të mirë dhe ndërgjegje të pastër, kjo është jeta ideale / KultPlus.com

Dritëhijet e një burri të madh shteti si Churchill

148 vite nga lindja e ish-kryeministrit britanik, Winston Churchill, i cili konsiderohet ende sot një nga liderët më karizmatikë dhe më të diskutuar të shekullit XX, shkruan focus.it.

Me energjinë dhe popullaritetin e paepur që pushtoi masat, ai personifikoi vullnetin e Britanisë së Madhe dhe popujve aleatë për t’i rezistuar kërcënimit nazist, kur bota ishte në buzë të humnerës përgjatë viteve 1940-41.

Cila ishte forca e Wilson Curchill-it?

Ai e kuptoi shumë shpejt, falë një udhëtimi në Gjermani në vitin 1934, rrezikun e jashtëzakonshëm që përfaqësonte Hitleri, i cili synonte dominimin kontinental. Churchill ishte i vetmi, edhe në qeverinë e tij, që i shpalli një luftë totale, absolute dhe dramatike. Duke përsëritur gjithmonë, edhe kur gjithçka dukej e humbur, se nazistët nuk mund të mbështeteshin kurrë në një paqe të fshehtë apo të veçantë.

Prandaj, forca e tij ishte një guxim moral dhe fizik shumë i madh, i palëkundshëm (ai lëvizi në fronte, shkoi mes popullatave të bombarduara), i kombinuar me një vizion politik afatgjatë që e lejonte të kuptonte se nëse Hitleri do të pushtonte Anglinë, atëherë ajo do të mbetej e izoluar dhe në atë pikë sa mund të humbiste gjithë perandorinë e saj.

Britania e Madhe doli fitimtare nga Lufta e Dytë Botërore, por e rraskapitur.

Çfarë ka mbetur nga trashëgimia e Churchill?

Në imagjinatën kolektive angleze, Churchill është ende një mit, një baba i vendit. Sidomos mes atyre mbi 40 vjeç ai është një personazh i klasit të parë. Sigurisht, së fundmi dikush i ka njollosur disa statuja duke e quajtur racist. Por, Churchill nuk mund të kufizohet me kaq, pasi përbën një nënvlerësim.

Sot historiografia, pas momentit të mitit, kërkon hije, bën pyetje, sheh disfata dhe jo vetëm fitore te ky personazh. Por, ajo nuk vë në dyshim madhështinë e tij. Churchill në fakt ka treguar se në orën më të errët mund të luftosh dhe të humbasësh, por gjëja e rëndësishme është të kesh guximin të vazhdosh dhe të mos dorëzohesh.

Me cilin lider mund të krahasohet Churchill?

Vetëm me presidentin e SHBA, Franklin Delano Roosevelt, i cili në fakt lëvizi si ai në një strategji planetare të konfliktit dhe kishte skrupolozitet në aleancat ndërkombëtare. / KultPlus.com

Kryeministri Kurti reagon: E papranueshme dhe e padurueshme

Gjatë ditës së sotme është raportuar për një grua shtatzënë të vrarë nga burri i saj në oborrin e QKUK-së, shkruan KultPlus.

Për këtë rast ka reaguar edhe kryeministri Albin Kurti.

Postimi i plotë:

Dy engjëj në qiellin e pistë

Vrasje mizore. U vra edhe një grua. Edhe kjo nga burri i saj. Në oborr të spitalit. Atje ku duhet të shërohen njerëzit. Në oborr të Klinikës Gjinekologjike. Atje ku lindin gratë. U shua një jetë që po sillte edhe një jetë tjetër. Gruaja ishte shtatzënë. Rreth 35 vjeç, as në gjysmë të jetës së saj. E fëmija që ajo donte ta lindte as nuk e filloi jetën. Vrasës mizor. Edhe një burrë që qëllon mbi gruan që duhej ta mbronte. Edhe një burrë që vret një grua. E cila tash është e jona, e të gjithë neve. Bashkë me foshnjen e palindur të saj. Dy qytetarë të Kosovës më pak, dy shqiptarë më pak, do të jenë duke menduar armiqtë tanë. E papranueshme dhe e padurueshme. / KultPlus.com

Kryetari Rama reagon: Kjo situatë duhet të trajtohet si alarmante nga institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë

Gjatë ditës së sotme është raportuar për një grua shtatzënë të vrarë nga burri i saj në oborrin e QKUK-së, shkruan KultPlus.

Për këtë rast ka reaguar edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

Postimi i plotë:

Jam thellësisht i tronditur nga ngjarja që ka ndodhur sonte në Prishtinë, në oborrin e Klinikës Gjinekologjike, ku një grua e re që priste të bëhej nënë, u vra bashkë me foshnjën e saj ende të palindur.

Ky është rasti i dytë i vrasjes së grave brenda një jave dhe kjo situatë duhet të trajtohet si alarmante nga institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë.

I shpreh ngushëllime të thella familjes së viktimës duke shpresuar se ky do të jetë rasti i fundit i dhunës e vrasjes së grave në Kosovë. / KultPlus.com

“Gratë po vriten veç se janë gra”, nesër mbahet protestë në sheshin ‘Zahir Pajaziti’

Nesër mbahet protesta “Vrasja e grave nga burrat të trajtohet si urgjencë kombëtare” organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, përcjell KultPlus.

Protesta fillon nga ora 16:00 në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

Më poshtë gjeni postimin e tyre të plotë:

Edhe një burrë sot vrau një grua. Edhe një grua që ra viktimë e patriarkatit që i bënë burrat vrasës e grave ua merr jetën. Sot, për të dytën herë brenda javës, u njoftuam edhe nga një vrasje tjetër makabre e një gruaje shtatëzënë nga ish-bashkëshorti i saj në QKUK, në sytë e shtetit. Pesë ditë, dy vrasje.

Gratë po vriten një nga një në Kosovë, në shtëpitë e tyre, në spitale e rrugë nga burrat bashkëshortë, familjarë e të njohur. Me sopata e plumba e në mënyrën më makabre burrat po ua marrin jetën grave. Ata po vrasin gratë në sytë tanë e në dijenin e shtetit e me ndërmjetësimin e tij. Gratë vriten, e para kësaj dhunohen vazhdimisht, në heshtje e pa mbrojtje. Ato jetojnë nën frikë të vazhdueshme, deri sa në fund iu merret edhe fryma e fundit.

Gratë po vriten veç se janë gra. Ato po vriten nga burrat sepse ky sistem i ka mësuar ata që gratë janë pronë e tyre, gjithmonë të nënshtruara me dhunë ndaj pushtetit të burrave.

Rasti i sotëm i femicidit dhe ai i para pesë ditëve, janë alarmet e fundit që shteti dhe shoqëria ta trajtojë si urgjencë kombëtare vrasjen e grave nga burrat. Janë sinjale që na ftojnë në organizim e revoltë. Ne thërrasim përfundimisht në organizim gjithëpopullor për t’i kundërshtuar luftës që na u është shpallur nga ky sistem i cili është duke synuar t’i shfarosë gratë.

Ne nuk mund të lejojmë që gratë të vriten a të jetojnë më frikë e dhunë deri në fund të jetës. Organizohemi e luftojmë kundër patriarkatit, shtetit e burrave dhunues e vrasës. Organizohemi për të thënë përfundimisht që vrasja nuk është çështje private. Ajo është çështje politike, rezultat dhune e shtypjeje strukturore ndaj grave. Organizohemi që asnjë grua të mos jetojë nën dhunë e frikë se një ditë do i vije rradha asaj.

Nesër, ora 16:00, sheshi “Zahir Pajaziti”, Prishtinë.

Mjaftë ma! / KultPlus.com

Presidentja Osmani reagon: Vala kriminale e ky femicid ndaj grave duhet të marrë fund

Gjatë ditës së sotme është raportuar për një grua të vrarë nga burri i saj në oborrin e QKUK-së, shkruan KultPlus.

Për këtë rast ka reaguar edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Postimi i plotë:

“Sonte vajton një Kosovë e tërë për gruan që s’arriti të bëhet nënë, për bijën e humbur, për jetën që u shua pa të drejtë. Sonte vajtojmë për jetën e palindur që nuk frymoi kurrë, për jetën që nuk erdhi në jetë.

Një tjetër krim makabër e çnjerëzor. Një tjetër
“burrë” që nuk mund të quhet qenie njerëzore, por që ia mori jetën gruas dhe fëmijës që do të bëhej gëzimi e jeta e nënës.

Sonte mungojnë fjalët se ato i ka zëvendësuar dëshpërimi. Sonte është e vështirë të mendosh se ka shpresë!

Por, sonte shpresa e besimi janë më të nevojshme se kurrë. Kjo valë kriminale e ky femicid ndaj grave duhet të marrë fund. Në sprovë jemi jo vetëm si shtet, por edhe si shoqëri. S’ka më arsyetime e justifikime. Jeta e vajzave dhe grave, sikurse e çdo qytetari tonë është e shenjtë.

Asnjë vajzë e grua më shumë është thirrje kombëtare për të gjithë ne. Përgjigja për dhunuesit, abuzuesit dhe vrasësit është rendi dhe ligji e dënimi maksimal.
Borxhi ynë ndaj viktimave të dhunës, jetëve të palindura e jetëve të ndërprera pa të drejtë është një dhe i vetëm: DREJTËSI!”, thuhet në postimin e saj. /KultPlus.com

Arilena Ara publikon projektin e ri muzikor “Dashuria ime” (VIDEO)

Këngëtarja e njohur nga Shqipëria, Arilena Ara, ka prezantuar së fundmi projektin e ri muzikor.

Bëhet fjalë për një këngë të quajtur “Dashuria ime”, të cilën e ka kompletuar edhe nga ana vizuale.

Teksti është shkruar nga Timo Flloko, kurse për muzikën është përkujdesur Darko Dimitrov. Producent ekzekutiv është Popi Kola. Videoja ndërkaq u realizua nga produksioni, Pro Video.

Të plotë tashmë këtë këngë mund ta gjeni në YouTube, në kanalin zyrtar të Arilenës. / KultPlus.com

Dua Lipa përkrah Elton John në kopertinën “Hitmakers 2022” të magazinës Variety: Mos jam duke ëndërruar

Ylli kosovar i muzikës botërore, Dua Lipa, po vazhdon të shijojë sukseset e këngës së saj të fundit ‘Cold Heart’ në bashkëpunim me legjendën e muzikës, Elton John, ndërsa së fundmi kjo dyshje ka bërë bujë të madhe me dhuntinë e tyre të gërshetuar, shkruan KultPlus.

Kënga e dyshes së njohur ishte renditur e para në Britani të Madhe, duke lënë pas emra të njohur të muzikës botërore si Ed Sheeran, Nicki Minaj dhe Jesy Nelson. Kjo këngë e mahnitshme është performuar edhe në skenën e stadiumit “Dodger”, në një mënyrë brilante, teksa ishte edhe surprizë ndaj fansave që kur e panë Lipën në skenë, brohoritën në masë të madhe. John e ka nderuar Lipën në mënyrën më të mirë të mundshme, pikërisht në koncertin e tij të fundit.

Teksa, kjo dyshe e fuqishme po merr vëmendje anembanë botës me zërat e tyre magjik që vinë të gërshetuara mrekullueshëm, nuk ka munguar as edhe një fotosesion për kopertinën e magazinës Variety.

Me mbishkrimin “Hitmakers 2022”, ata kanë pozuar këndshëm përkrah njëri-tjetrit. Energjia e tyre e madhe portretizohet edhe nëpërmjet fotografive, të cilat Lipa i ka postuar në rrjetet sociale, pak minuta më parë.

“DUA ❤️ ELTON~ U zgjova nga gjumi 13 orësh për të parë këtë kopertinë dhe më bëri të pyesja nëse ende po ëndërroja? Faleminderit @variety që na keni vendosur në kopertinën e “Hitmakers 2022” – do duhet të krijoj kartolina festash me këtë në të 💌💌💌💌“, ka shkruar ylli botëror, Lipa.

Më poshtë KultPlus ua sjell fotografitë e realizuara nga Peggy Sirota. / KultPlus.com

Mbi 30 vjet nga ulja e famshme e Faik Rexhepit në shesh, tash ulet bashkë me fotografin Hazir Reka (FOTO)

Në qëndresën paqësore në Kosovë të vitit 1990, në rrëmujën e ndjekjes nga policia e regjimit serb, protestuesi Faik Rexhepi ulet këmbëkryq duke peshuar kokën në dorë, me të vetmen shpresë e besim në mrekulli, se ai do të lihej i qetë në të drejtën e tij.

Një fotografi e shkrepur nga fotografi Hazir Reka do ta vuloste përgjithmonë këtë çast që përmbledhi gjithë pështjellimin e kohërave tona.

Protestuesi, rikthehet, tashmë i papenguar dhe i mirëpritur, ta gëzoj të drejtën për tu ulur këmbëkryq, në vendin e tij. Dhe këtë e ka bërë pikërisht me fotografin Hazir Reka në vitin 2020.

Fotografia më poshtë vjen nga profili i Hazir Rekës i cili në mbishkrim ka shkruar: “”Dy Statuja të gjalla n’Shesh t’Prishtinës”. / KultPlus.com

Prezantuesve të CNN-it u kërkohet të reduktojnë konsumimin e alkoolit

Gjiganti amerikan i informacionit, CNN u ka kërkuar prezantuesve të tij të mirënjohur që të reduktojnë konsumin e alkoolit në ambiente të hapura për natën e Vitit të Ri.

Gjatë një takimi në prani të presidentit të ri të kanalit televiziv Chris Licht, ky i fundit vlerësoi se “konsumimi i alkoolit në transmetim live dëmtoi besueshmërinë e ekipeve të CNN dhe respektin e të cilit ai mund të gëzojë te shikuesit”, sipas revistës amerikane ”Variety”.

Vitet e fundit, shikuesit amerikanë janë mësuar të shohin prezantuesit e njohur Anderson Cooper dhe kolegët e tij duke pirë alkool në ”Times Square” të Nju Jorkut, pasi festa e Vitit të Ri ishte në kulmin e saj.

Skena që bënë bujë, që tregonin një Anderson Cooper qesharak ose bashkëprezantuesin e tij Andy Cohen që rrëkëllenin tekila./ KultPlus.com

Dua Lipa: Koncerti ka qenë shfaqja jonë solo më e madhja ndonjëherë dhe kjo në ditën e Pavarësisë (FOTO)

Koncerti i yllit me famë botërore Dua Lipa, është vlerësuar si koncerti më i ndjekur në histori i realizuar nga një artiste e vetme.

Me një pjesëmarrje prej rreth 200 mijë personash, shfaqja që dhuroi falas më 28 Nëntor, Dua Lipa ka kaluar rekordin e vendosur nga Tina Turner në 1988.

Atmosfera e krijuar mbrëmjen e 28 nëntorit do të mbetet gjatë në mendjen e mijëra të rinjve e të rejave që mbushën plot sheshin Skënderbej për të parë duke performuar, Dua Lipën, e cila përmbylli në Tiranë turin e saj botëror “Future Nostalgia”.

Me këtë rast, sot nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ylli botëror Lipa ka thënë se koncerti ka qenë më i madhi ndonjëherë në gjithë turneun e tyre, dhe kjo pikërisht në Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë.

Më poshtë KultPlus ua sjell postimin e saj të plotë:

94 shfaqje në të gjithë botën në një vit dhe duke i dhënë fund në Tiranë, Shqipëri për rreth 200 mijë njerëz ~ shfaqja jonë më e madhe solo EVER~ në ditën e pavarësisë!!! ~ Gjithçka që mund të them janë falënderimet më të thella ndaj një viti që më ka shtyrë të rritem përtej çdo gjëje që mund të kisha imagjinuar me njerëzit më të mirë për ta ndarë këtë sukses. “NOSTALGJIA E ARDHMËS” PËRGJITHMONË“, ka shkruar Lipa.

Fotografitë nga Tom Pullen / KultPlus.com

Sot 11 vjet nga vdekja e Leka Zogut I

Më 30 nëntor 2011 në Tiranë vdiq Leka Zogu I.

Ai ishte djali i vetëm i Mbretit Zogu I të shqiptarëve dhe i Mbretëreshës Geraldina Apponyi. Ai u quajt Princi i Kurorës Skënder në lindje. Leka ishte pretendues për fronin shqiptar dhe njihet si Mbreti Leka I.

Pas kalimit të Familjes Mbretërore në Egjipt, në vitin 1946, Princi Leka filloi studimet në kolegjin britanik “Victori Collegie” të Aleksandrisë dhe më pas në “British Boys School”, të cilat i përfundoi me rezultate të shkëlqyera në vitin 1954. Pas transferimit të Familjes Mbretërore në Francë, në vitin 1955, Princi Leka tashmë 16 vjeçar, regjistrohet në kolegjin e famshëm “Vilare Ailange Kolegie” të Olon-it, në Zvicër, ku mori edhe diplomën “Matriculation of Oxford” në vitin 1956. Në vitet 1956-1958 Princi Leka vazhdoi studimet në Akademinë Ushtarake Mbretërore të Sund’hurstit në Londër (Royal Military Academy), ku pas diplomimit me rezultate të shkëlqyera u titullua oficer, me gradën toger. Në vijim studioi për Shkenca Politike dhe Ekonomike në “Universite De Sorbone” të Francës, ku ndoqi gjithashtu edhe kursin intensiv të gjuhëve orientale.

Më 5 prill 1957, me rastin e 18 vjetorit të lindjes, në prani të personaliteteve më të njohura të botës shqiptare në emigracion dhe të miqve të huaj nga më të shquarit, Mbreti Zog, pasi e dekoroi personalisht me Kolanin e Shqipërisë, e shpalli solemnisht Princin Leka i Parë “Trashëgimtar të Kurorës Mbretërore Shqiptare”. Kurorëzimi i Princit Leka I Më 15 prill 1961, në ceremoninë speciale të organizuar në hotelin “Bristol” të Parisit, në prani të ish deputetëve të Parlamentit të Mbretërisë Shqiptare, si dhe të 70 delegatëve të përzgjedhur nga e gjithë mërgata, Asambleja Provizore e mbledhur zyrtarisht, në bazë të artikujve 51 dhe 55 të Statutit Themeltar të Mbretërisë Shqiptare, e shpalli dhe e kurorëzoi unanimisht Princin Leka si “Mbret i Shqiptarëve”. Pas kësaj, në përputhje me nenin 56 të Statutit, Sovrani i ri bëri betimin formal kushtetues si Mbret i Shqiptarëve.

Mbreti Leka u përkushtua për përmbushjen e detyrimeve prej Sovrani para bashkatdhetarëve në mbarë Evropën dhe në vendet arabe gjatë 5 viteve të para pas kurorëzimit (1961-1966). Në vitin 1967, veprimtaria politike e Mbretit Leka në dobi të çështjes kombëtare dhe intensifikimi i kontakteve me bashkatdhetarët, njohën kulmin pas vizitës që Mbreti kreu në SHBA-të në verën dhe vjeshtën e këtij viti. Mbreti Leka në SHBA-të shfrytëzoi rastin të nderonte figurat e shquara të kulturës sonë kombëtare dhe përfaqësuesit eminentë të mërgatës shqiptare në Amerikë: Imzot Fan Nolin dhe z. Faik Konica, në varret e të cilëve vendosi kurora me lule në emër të Familjes Mbretërore, në nderim të kujtimit të punës dhe veprës së tyre në shërbim të atdheut, kombit dhe bashkatdhetarëve. Mbreti Leka përgëzoi gjithashtu drejtuesit e shoqërisë atdhetare “VATRA”, si dhe veprimtarët politikë legalistë e ballistë, për kontributet e tyre atdhetare e politike. Suksesi impresionues i vizitave, pritjet madhështore dhe ndikimi i jashtëzakonshëm i diasporës shqiptare të SHBA-ve për fatet e çështjes kombëtare, e nxitën Mbretin Leka të rikthehej në SHBA edhe në vitin 1968.

Viti 1975 shënoi ngjarjen më të rëndësishme në gjirin e Familjes Mbretërore dhe garantoi trashëgiminë e kurorës së Dinastisë Mbretërore shqiptare nëpërmjet martesës së Mbretit Leka me Mbretëreshën Susan. Pesë vitet që pasuan Kuvendin e Madridit shënuan përpjekjet titanike të Mbretit për jetësimin e vendimeve të këtij kuvendi. Mbreti Leka, si përfaqësuesi eminent i Kauzës së Rilindjes Kombëtare dhe pinjoll i gjyshërve të tij Xhemal dhe Xhelal Pasha, (që ishin ndër më të shquarit pashallarë që ideuan dhe jetësuan Kuvendin dhe vendimet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit), ishte njëkohësisht edhe figura qëndroje dhe drejtuese e Ushtrisë Kombëtare dhe e Këshillit Ushtarak për Çlirimin e Shqipërisë Etnike.

Prishja e Tiranës zyrtare me Kinën komuniste diktoi intensifikimin e natyrshëm të përpjekjeve të Mbretit Leka dhe mërgatës antikomuniste për ndryshimin e statukuosë në Shqipërinë e asaj kohe. Shtetet fqinje dhe ato të perandorisë komuniste, bashkuan përpjekjet dhe kontributet në platformën e detajuar politiko-agjenturore të sabotimit të luftës për ndryshimin e kësaj gjendjeje dramatike për popullin dhe kombin shqiptar. Marrëveshja e Jaltës, politikat e detantës dhe ruajtjes së ekuilibrave në rajonin e Ballkanit, kontinent dhe planet, prodhuan strategjinë e sabotimit të përpjekjeve të Mbretit dhe mërgatës antikomuniste për përmbysjen e regjimit tiranik në Shqipëri. Në vitin 1976 Mbreti Leka kreu takime të rëndësishme me bashkatdhetarët në SHBA, në qytetet Nju Jork, Uotërberi, Detroit, Çikago, Hjuston, Tampa, Miami, Uashington, etj., si dhe në Piterburg, Toronto e Montreal të Kanadasë. Aktiviteti intensiv i Mbretit në favor të Çështjes kombëtare, shkaktoi kundër-reagimin e ashpër të qarqeve antishqiptare, çka imponoi edhe emigrimin e Familjes Mbretërore nga Spanja në Rodezi në vitin 1979 dhe në Johanesburg të Afrikës së Jugut në vitin 1982. Asnjë vështirësi dhe distancë gjeografike nuk mundi ta pengojë Mbretin për të organizuar, koordinuar dhe furnizuar me armë kryengritjen e armatosur çlirimtare gjatë pranverës së vitit 1981 në Kosovë, e cila u shtyp me zinxhirët e tankeve dhe u pagua me gjakun e afro 1200 martirëve që dhanë jetën për liri dhe që plazmuan idenë e bashkimit dhe luftës për çlirim kombëtar në mbarë viset shqiptare nën sundimin gjakatar të Beogradit.

Formimi dhe brumosja e Mbretit Leka me kulturën demokratike perëndimore, jo vetëm që nuk binin në kundërshtim me aspiratat e Tij për çlirim kombëtar dhe shoqëror të shqiptarëve, por përkundrazi, ishin të justifikueshme dhe konform obligimeve madhore atdhetare, të bazuara mbi parimet dhe vlerat më të mëdha të Perëndimit demokratik. Takimet e Familjes Mbretërore me Nënë Terezën, Papën Gjon Pali II-të, si dhe ato private të Mbretit me monarkë, presidentë dhe kryeministra të shumë vendeve të botës demokratike, kishin në fokus dhe si emërues të përbashkët shqetësimin për fatet e popullit dhe kombit shqiptar. Vendosmëria e Mbretit Leka për të mos u tërhequr nga pozicionimi dhe deklarimi në favor të Çështjes kombëtare dhe Kauzës së Shqipërisë Etnike, nuk njohu kompromis as kur Mbretit iu deklarua se vizita në Belgjikë në vitin 1989 i lejohej vetëm në këmbim të mospërmendjes së Shqipërisë Etnike, me ç’rast Mbreti refuzoi dhe e anuloi vizitën e planifikuar.

Kishte ardhur koha e rifaktorizimit dhe riformatimit të forcave dhe përpjekjeve të qarqeve antikomuniste dhe demokratike shqiptare, strumbullari dhe simboli i të cilëve ishte Mbreti Leka. Pengesat për kthimin e Familjes Mbretërore në atdhe e shtynë në kohë procesin e çmontimit dhe çrrënjosjes së komunizmit në Shqipëri nëpërmjet edhe kontributit të çmuar të Mbretit Leka si antikomunist dhe politikan i kultivuar, si strateg dhe prijës i profilit të lartë. Viti 1997- Kthimi i NMT Mbretit Leka I ne Atdhe pas një mërgimi të gjatë prej 58 vitesh, u prit me dashamirësi në aeroportin Nënë Tereza, me datë 12 prill 1997 me pjesëmarrjen prej 10.000 vetë ku i pershendeti me fjalet “Paqe-Bashkim-Vellazerim”.

Mbreti u detyrua të largohej nga atdheu, por imazhi dhe kontributi i Tij mbetën të pashlyer tek shqiptarët. Kthimi përfundimtar në atdhe i Familjes Mbretërore, nuk arriti dot të kurorëzohej me kontribute konkrete të Mbretit në raport me zhvillimet politike në Shqipëri, për shkak të fatkeqësive të humbjes së Nënës Mbretëreshë Geraldinë dhe Mbretëreshës Susan, këtyre bashkëluftëtareve të shquara të Mbretit në Kauzën e Tij. Natyrisht që këtu ka ndikuar edhe gjendja shëndetësore jo e favorshme e Mbretit, që e pengon të jetë i kudondodhur pranë bashkatdhetarëve, ashtu siç do të dëshironte dhe siç u është gjendur atyre gjatë gjithë jetës plot privacione e sakrifica të përbashkëta. / KultPlus.com

Nis festivali teatror “Hapat”

Fondi i Teatrit për të Rinj, iniciativë e Ministrisë së Kulturës në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, ka mbërritur në fazën përfundimtare.

14 shfaqjet teatrore që u realizuan nga ky fond do të finalizohen me pjesëmarrjen në Festivalin Teatror “Hapat” që do të zhvillohet nga data 30 nëntor deri më 13 dhjetor.

Shfaqjet do të luhen në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, Teatrit Metropol dhe Teatrit privat “Zonja e Bujtinës”.

Festivali nis sonte me “Koncertin”, me regji nga Marsel Greva, në TKE “Kujtim Spahivogli” dhe çdo mbrëmje deri në datën 13 dhjetor, do të ketë nga një shfaqje teatrore, në njërin nga lokacionet e caktuara.

Fondi i Teatrit për të Rinj, është një mbështetje e Ministrisë së Kulturës për të gjithë talentet e reja të arteve skenike, deri në 35 vjeç.

Përmes këtij fondi prej 10 milionë lekësh, në vitin e dedikuar të Tiranës si Kryeqytet i Rinisë, u synua nxitja dhe zgjerimi i hartës kulturore, duke e shtrirë gjeografikisht këtë fond e duke aktivizuar krijuesit dhe interpretuesit e rinj dhe adresuar ata të punojnë dhe sigurojnë mbarëvajtjen jo vetëm në infrastrukturën e teatrit në Tiranë, por edhe në Korçë, Shkodër, Vlorë, Durrës, Fieri, Elbasani edhe Pukë./atsh/ KultPlus.com

Lajmet e rreme që e ndryshuan historinë

Nga Roberto Vivaldelli

Gazetaria e sotme synon që të respektojë të vërtetën thelbësore të fakteve. Kjo do të thotë se të gabosh është njerëzore – edhe në botën e gazetave dhe mediave – por me kushtin që kjo të bëhet me ndershmëri, etikë dhe duke bërë gjithçka që është e mundur për të raportuar lajme që i respektojnë këto norma morale dhe profesionale. E megjithatë, historia e “fake news” (lajmeve të rreme) po zgjat prej shekujsh, dhe nuk shqetëson vetëm botën e medias por edhe atë të politikës. Ja cila janë disa prej tyre që e ndryshuan historinë.

Bernardino Da Feltre (1439-1494) dhe Simonino da Trento

Ngjarja zhvillohet në qytetin italian të Trentos, të dielën e Pashkëve të vitit 1475. Një djalë dy vjeç e gjysmë i quajtur Simonino zhduket. Predikuesi françeskan Bernardino da Feltre mban një seri predikimesh, duke pretenduar se fëmija ishte vrarë nga komuniteti hebre, që ia kishte marrë gjakun dhe e kishte pirë për të kremtuar Pashkët.

Padyshim ishte nje akuzë fare e pabazë, por ky thashethem u përhapën me shpejtësi në qytet. Më vonë, Da Feltre pretendoi se trupi i djalit u gjet në bodrumin e një shtëpie hebreje. Për këtë arsye, Kryepeshkopi i Trentos, Xhovanni Hinderbah, urdhëroi menjëherë arrestimin dhe torturimin e të gjithë komunitetit hebre të qytetit.

15 hebrenj u konsideruan fajtorë dhe u dogjën në turrën e druve. Edhe pse Papati u përpoq të ndalonte Hinderbahun në këto veprime, ky i fundit refuzoi që të takonte të dërguarit e Papës. Dhe duke u ndjerë i kërcënuar, përhapi akoma më shumë informacione të rreme për hebrenjtë, që sipas tij pinin gjakun e fëmijëve të krishterë.

Mbreti Xhorxh II

Në mesin e viteve 1700, media ndihmoi në përhapjen e lajmeve të rreme për shëndetin e Xhorxhit II, që në atë kohë ishte Mbreti i Britanisë së Madhe dhe Irlandës. Ai po përballej me një rebelimin, dhe duhej të tregohej një udhëheqës i fortë për t’u siguruar që rebelimi të mos kishte sukses.

Lajmet e rreme mbi “sëmundjen” e mbretit u përhapën enkas nga rebelët. Kjo e dëmtoi imazhin publik të sovranit, dhe ndonëse rebelimi rezultoi në fund i pasuksesshëm, kjo ngjarje tregoi se si mund të përdoren lajmet e rreme për të ndryshuar opinionet e njerëzve, dhe për të ndikuar në fatin e një ngjarjeje të madhe, si një luftë ao një rebelim. Në këtë aspekt, asgjë nuk ka ndryshuar në thelb që atëhere.

Përhapja e gazetave dhe sensacionalizmi mediatik

Me rritjen e ndjeshme te tirazhit të gazetave midis viteve 1700 dhe 1800, u shtuan edhe mashtrimet që shkruheshin në to, me synim shkaktimin e bujës, që nga ana e saj do të rriste  numrin e kopjeve të shitura. Senzacionalizmi shet gjithmonë, dhe në fillimin e shekullit XIX-të hynë në skenë gazetat moderne, të cilat propagandonin histori të rreme për të rritur tirazhin e gazetave.

Mashtrimi i madh i hënës nga gazeta “New York Sun” e vitit 1835, pretendonte se në Hënë kishte një qytetërim alien. Në një shembull tjetër, në vitin 1844, gazetat anti-katolike në Filadelfia përhapi lajmin e rremë se irlandezët po vidhnin Bibla nga shkollat publike, duke shkaktuar trazira të dhunshme dhe sulme ndaj kishave katolike.

Mashtrime dhe propagandë lufte

Rreth vitit 1890, 2 botuesit rivalë të gazetave më të mëdha amerikane, Xhozef Pulicer dhe Uilliam Hwrst, e sfiduan njëri-tjetrin përmes sensacionalizmit, duke i raportuar thashethemet sikur të ishin fakte, një praktikë që u bë e njohur në atë kohë si “gazetaria e verdhë”.

Lajmet e tyre të shtrembëruara luajtën një rol qendror në futjen e Shteteve të Bashkuara në Luftën Spanjollo-Amerikane të vitit 1898. Atë vit në Kubë u mbyt një anije e Marinës së Shteteve të Bashkuara, USS Maine. Disa gazeta të kohës fajësuan spanjollët për fundosjen, dhe përdorën si ilustrim një shpërthim dramatik për të bindur lexuesit dhe për të rritur emocionalitetin e ngjarjes.

Një histori tjetër e rreme daton në vitin 1917, gjatë Luftës së Parë Botërore. Gazetat britanike si “Times” dhe “Daily Mail” raportuan një histori të tmerrshme duke pretenduar se gjermanët po nxirrnin yndyrë nga trupat e ushtarëve të vdekur për të bërë sapun. Historia u trillua nga një departament zyrtar i qeverisë britanike dhe më pas iu shpërnda shtypit.

Zyrtarët e dinin që ky lajm nuk ishte i vërtetë, por ishte e nevojshme që lexuesit të bindeshin se gjermanët ishin një armik barbar, i cili duhej mposhtur. Një tjetër mashtrim më afër në kohë, ka të bëjë me Kolin Pauell dhe fjalimin e tij të famshëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, në vitin 2003, kur ai vendosi të paraqesë gjetjet e supozuara nga Shtetet e Bashkuara për shkeljet e rezolutës 1441 të OKB-së, dhe për zotërimin e armëve të shkatërrimit në masë nga Iraku i Sadam Huseinit.

Lajmi u përhap me shpejtësi nga gazetat dhe televizionet në të gjithë botën. Kështu Perëndimi e gjeti veten në luftë me Irakun, që së shpejti u pushtua nga koalicioni perëndimor. SadamHuseini u rrëzua dhe kështu u arrit qëllimi i “ndryshimit të regjimit”.

Lajmet e rreme sot

Vitet e fundit, dhe sidomos nga viti 2016 e në vazhdim, me zgjedhjen e Donald Trumppresident të SHBA dhe referendumin pro Brexit, ka pasur një bum të “fake news” për shkak të historive të rreme të shpërndara gjerësisht në mediat sociale, pa u verifikuar nga përdoruesit.

Kjo ka çuar në vendosjen e disa masave kufizuese për këto lloj lajmesh, që kënë shkaktuar akuzat për çensurë. Pra, lamtumirë lajmeve të rreme? Sigurisht që jo. Lufta në Ukrainë, si në çdo konflikt tjetër, është shoqëruar me përdorimin masiv të keqinformimit dhe propagandës nga të dyja palët, të përhapura përmes rrjeteve sociale dhe kanaleve në Telegram që janë të vështira për t’u kontrolluar dhe jo gjithmonë të verifikueshme.

Mashtrimi i fundit i njohur – por ka shumë të tjerë në frontin e kundërt – u përhap nga Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës, që foli për një “mini–Aushvic” në Peski–Radkovski.

Serhi Bolvinov, kreu i departamentit të hetimit të Shërbimit të Sigurisë në rajonin Harkiv, kishte fotografuar një maskë kundragaz dhe një kuti plot me dhëmbë njerëzish, duke evokuar kampet naziste të përqendrimit.

Lajmi daton në fillim të tetorit dhe u mor pa shumë verifikime nga mediat dhe u cilësua si i vërtetë. Më pas gazeta gjermane “Bild”, dërgoi disa gazetarë në atë vend, për të demaskuar një tjetër mashtrim të prodhuar nga propaganda e luftës. Në fakt, korrespondentët e gazetës gjermane intervistuan një dentist që njohu kutinë me dhëmbët që ishin vjedhur.

“Dhëmbët duket se m`i kanë vjedhur në zyrë, rusët më kanë grabitur shtëpinë. Këta janë dhëmbët e njerëzve që kam trajtuar gjatë gjithë këtyre viteve”- tha dentisti. Prandaj, nuk ka një “mini–Aushvic”. Sepse në një luftë, viktima e parë është gjithmonë e vërteta. Dhe iluzioni se kjo gjë nuk ndodh në luftërat hibride bashkëkohore, është i rrezikshëm. / “Il Giornale”/ KultPlus.com

Nesër premiera e “Kepi i Shpresës së Mirë’ nga Elmaze Nura

Nesër vjen premiera e shfaqjes ‘Kepi i Shpresës së Mirë’, bazuar në “Mënyrat e znj.Margarida” të autorit R.Athayde, përcjell KultPlus.

Shfaqja vjen nën regjinë e Elmaze Nurës, nën aktrimin e Albulena Kyreziu-Bokshi.

‘Kepi i Shpresës së Mirë’ fillon nga ora 20:00 në Teatrin AAB, Faruk Begolli. / KultPlus.com

Ekzekutohen shtesat 100 euro për studentët

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se 50,778 studentë sot pranojnë mbështetjen prej 100 euro në kuadër të Pakos për Përballje me Inflacionin.

Kështu ka bërë të ditur vet Murati përmes një njoftimi në Facebook.

Postimi i tij i plotë:

50,778 studentë sot pranojnë mbështetjen e njëhershme prej 100 euro në kuadër të Pakos për Përballje me Inflacionin.

Mbështetja për studentët nuk mbaron me kaq.

Studimet i kemi bërë falas, kurse sivjet kemi rritur edhe numrin e bursave në 2 mijë për ata që studiojnë në STEM, nga 1,000 sa ishte vitin e kaluar.

Qeveria për studentët! / KultPlus.com

‘Cold heart’ nga Dua Lipa dhe Elton John, më e kërkuara në Shazam për vitin 2022

Apple Music publikoi listën e këngëve më të dëgjuara për vitin 2022. Kënga “Stay” e Kid Laroi dhe Justin Bieber ishte më e dëgjuara për këtë vit, sipas të dhënave te Apple.

Kënga “Stay” e cila ishte në krye të listës së 100 këngëve më të pëlqyera për 7 javë gjatë verës, ishte më e pëlqyera edhe në listën botërore të platformës Apple Music. “Stay”, qëndroi kënga më e pëlqyer tek platforma Apple Music për 51 ditë rresht.

“Cold Heart” e kënduar nga Dua Lipa dhe Elton John ishte kënga më e kërkuar në aplikacionin Shazam. “We Don’t Talk About Bruno” nga muzikali “Encanto” ishte kënga me tekstin më të lexuar për vitin 2022, sipas platformës Apple Music.

Të dhënat tregojnë edhe për rritjen e popullaritetit të këngëve jo në gjuhën angleze. Këngët afrikane kanë shënuar rritje në kërkimet e Shazam ndërsa këngët në gjuhën japoneze patën rritje mes teksteve më të lexuara.

Në nëntor, Apple Music kurorëzoi superyllin e regetonit, portorikanin Bad Bunny, si “Artistin e Vitit” falë albumit të tij të fundit, “Un Verano Sin Ti,” i cili u bë albumi më i Igjuar në Apple Music për vitin 2022 dhe albumi më i suksesshëm i muzikës latine i të gjitha kohërave./VOA/ KultPlus.com

Mark Twain: Dy ditët më të rëndësishme të jetës suaj janë dita kur keni lindur dhe ajo që e kupton pse

Sot shënohet 187 vjetori i lindjes së shkrimtarit amerikan Mark Twain, shkruan KultPlus.

Krijimtaria e tij e pasur si shkrimtar, botues dhe lektor e bënë që të cilësohej nga William Faulkner si “Babai i Letërsisë Amerikane”.

E gjithë vepra e Mark Twain inspirohet nga ngjarje dhe vende ku jetoi apo vizitoi, ndaj konsiderohen si autobiografike. Vepra e tij ndahet përgjithësisht  në përshtypjet e tij nga udhëtimet, kujtimet e fëmijërisë dhe rinisë së hershme, narracionet satirike të ambientura në Mesjetë dhe Rilindje.

Në përvjetorin e vdekjes së Mark Twain, KultPlus ju sjell thëniet e tij më të famshme:

Dy ditët më të rëndësishme të jetës suaj janë dita kur keni lindur, dhe ajo që e kupton pse

Problemi me këtë botë nuk është se njerëzit dinë shumë pak, por se dinë kaq shumë gjëra që s’qëndrojnë.

Kur miqtë tuaj fillojnë të të lavdërojnë se dukesh i ri, kjo është një shenjë e sigurt që je duke u plakur.

Karakterin e njeriut mund ta mësosh nga mbiemrat të cilët ai zakonisht përdor në bisedë.

Rrudhat duhet thjesht të tregojnë se nga ka kaluar buzëqeshja.

Mund të mësoj çdo person se si të arrijë atë që do në jetë. Problemi është se nuk gjej asnjë që di se çfarë do.

Njeriu që nuk lexon libra nuk ka përparësi nga njeriu që nuk mund ta lexojë.

Miq të mirë, libra të mirë dhe një ndërgjegje të fjetur: Kjo është jeta ideale.

Më keq se vetmia është kur një person nuk ndihet rehat me veten e tij.

Unë kurrë nuk e kam lejuar shkollën të përzihet me edukimin tim.

Në moshën 50 vjeç, njeriu mund të jetë budalla pa qenë optimist, por kurrë optimist pa qenë budalla.

Liria është e drejta t’u thuash njerëzve atë që ata nuk duan të dëgjojnë.

Diçka ‘klasike’: Një libër që njerëzit thonë se e pëlqejnë, por ata kurrë nuk e lexojnë. / KultPlus.com

“Ekspo Foto”, memoria historike e ATSH-së në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës

Edicioni i 28-të i Panairit Ndërkombëtar të Tiranës – UFI Approved Event, do të mbahet në datat 1, 2 dhe 3 dhjetor, 2022 në Pallatin e Kongreseve.

Ky eveniment që tradicionalisht është shquar si pikëtakimi i pamungueshëm, bën bashkë me dhjetëra ekspozues, investitorë ndërkombëtarë dhe institucione të rëndësishme të kulturës dhe artit.

Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH) prezantohet në këtë aktivitet të rëndësishëm, në pavijonin “Expo Foto” me stendën e saj, ku përmes fotove sjell një pjesë nga historia e saj hershme, e cila daton që prej vitit 1912.

Përmes fotove ATSH ruan memorien historike të periudhave të ndryshme që ka kaluar vendi dhe i jep një vlerë të veçantë Panairit Ndërkombëtar të Tiranës.

Gjithashtu arkivi i Agjencisë Telegrafike Shqiptare me lajmet e kohës nga më të rrallat jo vetëm në historikun e medieve në Shqipëri, por dhe të kulturës, fotografisë dhe entitetit kombëtar, janë një tjetër risi që do të zgjojë interesin e ekspozuesve dhe vizitorëve që do ndjekin këtë aktivitet.

Çdo vit, Panairi Ndërkombëtar i Tiranës është boshti i një networku të pamatë biznesi dhe kulture, zotuar ndaj më shumë se 250 ekspozuesve që përfaqësojnë kompani të vëmendshme ndaj tregjeve të njohura dhe të panjohura, të gatshme për të ndarë dije dhe zgjidhje të reja të zbatueshme në sektorë të ndryshëm, që nga ndërtimtaria, energjia e rinovueshme, bujqësia dhe industria ushqimore, tekstili dhe industria e lehtë, siguria dhe digjitalizimi.

Këto grupe sipërmarrësish shoqërohen nga delegacione zyrtare shtetërore duke i dhënë rendësi faktit që, për të kontribuar në zhvillimin e vendeve, sipërmarrja është ajo që ka më tepër nevojë se kurrë për inkurajim, mbështetje, entuziazëm.

Gjithashtu të pranishëm në këtë aktivitet të rëndësishëm ekonomiko-kulturor janë: Dhoma e Tregtisë e Stambollit, në përvjetorin e saj të 140-të, vjen me kompanitë e zgjedhura që përmes Shqipërisë, shohin përtej investimet, për më thellë në Rajon.

Edicioni i këtij viti sjell më fuqishëm se në të paktën 5 vjeçarin e fundit, sipërmarrësit nga Serbia, mbi 50 biznese elitare nën kujdesin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Serbisë dhe RAS – Agjencisë Shtetërore për Zhvillim të Serbisë.

Dhoma e Tregtisë e Malit të Zi, me mbi 15 ekspozues në sektorë të ndryshëm me veçanti të spikatur.

Kompanitë nga Kosova, do të jenë të pranishme me sektorët e industrisë së paketimit, tubave plastike, printimeve, agroushqimore etj.

Ndërsa Italia e pranishme me pushtetin e saj të përhershëm në produkte ushqimore, pije, materiale ndërtimi, pajisje për sektorin civil dhe ushtarak, energjetikë, stil dhe fashion.

Greqia, Franca, Danimarka, Gjermania, Holanda me prani të drejtpërdrejta ose të përfaqësuara nga kompanitë bija, tek të cilat kanë investuar së fundmi në materiale ndërtimi, teknologji dhe sisteme survejimi, elektroshtëpiake etj.

Ceremonia e Përurimit të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës do të zhvillohet në datën 1 Dhjetor ora 11.00, ne Pallatin e Kongreseve, në Sallën «A» të Konferencave, me praninë e personaliteteve publike shqiptare e ndërkombëtare, trupit diplomatik, përfaqësues të zgjedhur të komunitetit të sipërmarrjes, personazhe të artit e kulturës./ atsh / KultPlus.com

Tri gra kosovare thyejnë barrierat e kohës në filmin ‘Përtej territ’, rrëfejnë historitë e dhunës dhe neglizhencën institucionale

Flonja Haxhaj

Tri gra të fuqishme, në mesin e shumë grave të tjera me të njëjtën histori në Kosovë, thyen barrierat e kohës për të kërkuar dritë përtej territ dhe shpëtim e drejtësi për historitë e tmerrit që e përjetuan pa të drejtë për shumë vite, shkruan KultPlus.

Janë pikërisht historitë e tyre që u ndërthurën bashkë për t’u bërë zëri i atyre që s’kanë zë, e duke u bërë pjesë e filmit të metrazhit të shkurtër ‘Përtej territ’ të regjisores Donjeta Mejtani dhe që pati premierën dje në Prishtinë në Kino Armata.

Histori të dhunës seksuale në fëmijëri, e dhunë nga bashkëshortët e familjet e tyre pas martesës, e deri te neglizhenca totale e sistemit gjyqësorë e që është një problem i pazgjidhur tash e sa vite, ndërkohë që ato akoma presin për drejtësi.

Pas shfaqjes së filmit u hap një panel diskutimi ku regjisorja e filmit fillimisht falënderoi të pranishmit që u janë bashkuar kësaj kauze kundër një fenomeni shumë shqetësues të shoqërisë sonë.

Mejtani u shpreh se rastet e dhunës janë rritur shumë kohëve të fundit dhe tashmë kanë filluar të bëhen normale, e ajo bën thirrje që këto raste mos të normalizohen sepse nuk janë të tilla.

“Ajo çka më ka nxitur ta realizoj këtë film është sepse edhe unë jam grua në këtë shoqëri. Mjeti im me të cilin mendoj që kam mundur të jap një kontribut është realizimi i këtij filmi dhe gëzohem shumë që e kanë pasë guximin edhe këto tri gra me qenë pjesë e filmit dhe t’i rrëfejnë historitë e tyre”, u shpreh Mejtani e cila mes tjerash tha se shpreson që ky film të jetë një nxitje për shoqërinë edhe për institucionet që ta bëjnë punën e tyre sepse secili në mënyrën e vetë mund të japë kontributin e tij  kundër këtij fenomeni.

Më pas fjalën e mori Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës, e cila shpjegoi se ku ngecin institucionet kosovare në mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje.

“Fatkeqësisht institucionet ngecin që në momentin kur gruaja e raporton dhunën. Nuk po them që gjithçka është keq, Korniza Ligjore është shumë mirë ku e kemi një bazë shumë të fuqishme që ne më pas me u pagu për të drejtat tona dhe këto institucione të cilat nuk na ofrojnë këto shërbime të cilat duhet me u ofru me e pasë një bazë të fortë që mundemi edhe me i padit për mos ofrim shërbimit dhe këtë duhet të gjitha ta dijnë”, u shpreh Berisha.

Ndërkaq në këtë panel diskutimi, ishte e pranishme edhe Elvedina Hajdari e cila është në mesin e tre grave, historitë e të cilave u ndanë në këtë program.  

.

“Unë kam pas shumë neglizhencë dhe shumë shkelje si nga ana e policisë ashtu edhe prokurorisë dhe më ka shtyrë deri këtu të vij për të treguar të vërtetën që me i nxit edhe viktimat e tjera që të luftojnë për të drejtat e tyre”, u shpreh mes emocioneve Hajdari e cila shtoi ndër të tjerash se ajo që kërkon është vetëm drejtësia.

Ndërkaq, për fund regjisorja Mejtani thotë se shpreson që këtë film ta shfaqë fillimisht në mbarë Kosovës, e për t’u shfaqur më tutje përtej kufijve./ KultPlus.com

Koncerti madhështor i Rita Orës në Tiranë, pjesë e serisë së dokumentarëve në BBC

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, ka ndarë momente të karrierës së saj në episodin e fundit të dekumentarëve të gazetarit të njohur Louis Theroux në ‘Louis Theroux Interviews’ që transmetohet në BBC Two, transmeton KutPlus.

Gjatë këtij episodi, Rita Ora shpjegon sakrificën e saj dhe të famijes që të ikte nga shpërthimi i luftës në Kosovë dhe të zhvendoseshin në Londër, atëherë kur Ora ishte vetëm 1-vjeç e deri të kulmi i saj në karrierë ku vazhdon të ketë suksese të mëdha.

Po ashtu, gazetari ishte pjesë edhe në shtëpinë e Rita Orës ku përveç që u ndanë histori të ndryshme pas emigrimit në Britaninë e Madhe, aty familja Ora ka përgatitur edhe ushqimin tradicional, pite.

Në këtë episod, po ashtu u shfaq edhe një pjesë nga koncerti i Rita Orës në Tiranë, dhe takimi me të parin e Tiranës, Erion Veliajn.

E disa sekuenca nga kjo interviste, Elena Ora i ka ndarë në profilin e saj në Instagram./ KultPlus.com