Është mbajtë edicioni i katërt i Asociacionit të Artistëve Vizual të Kosovës, ku me punime të tyre janë prezantuar shumë artistë, punime që janë prezantuar në kuadër të ekspozitës që është hapë në Pallatin e Rinisë, shkruan KultPlus.
Anëtarë të jurisë në këtë edicionin ishin: Hivzi Muharremi, historian i artit nga Kosova, Faik I. Krasniqi, artist nga Kosova dhe Eshref Qahili, artist nga Kosova.
Me këtë rast, juria ndau tri çmime vjetore, për pikturë dhe skulpturë: artistit Erzen Vala, i është ndarë cmimi vjetor për pikturë, për veprën e tij ” GJURMA E GISHTIT QENDRA E BOTES”, artistes Marigona Ademi, i është ndarë cmimi vjetor për pikturë, për veprën e saj “LUX SOLARIS” dhe artistit Mal Myrtaj, i është ndarë cmimi vjetor për skulpturë, për veprën e tij “NGA ZGAFELLA”.
Kjo ekspozitë është organizuar nën përkujdesjen e kryetarir të AAVK Kamuran Goranci, kurse këtë aktivitet kulturor e ka mbështetë Drejtoria për Kulturë e Komunës së Prishtinës. / KultPlus.com
Parku Kombëtar i Butrintit, në një postim në rrjetet sociale, sjell një album fotografik dhe informacion mbi pagëzimoren e Butrintit, një nga monumentet kryesore, më të bukura të këtij parku dhe një nga më të mëdhatë në të gjithë Mesdheun.
Koha e ndërtimit të saj mendohet rreth viteve 550-570 pas Krishtit.
Mozaiku është kompozuar shumë bukur. Dekori i dyshemesë përbëhet nga shtatë shirita që qarkojnë vaskën e pagëzimit të ndodhur në qendër, bashkë me të cilën bëhen tetë, numri i krishterë që nënkupton shpëtimin dhe përjetësinë.
Dy nga shiritat përbëhen nga medaljone të thjeshtë të lidhur me njëri-tjetrin, të tjerët përmbajnë rondele me kafshë katërkëmbëshe, shumë zogj uji dhe peshq, gjithsej 69 e të gjitha simbole të lidhura me pagëzimin.
Në kushte ideale, kompleksi i Baptisterit dhe mozaikët e tij do të duhej të ishin gjithnjë të ekspozuar. Ngritja dhe ulja sezonale e nivelit të ujit, në lagunën përreth, shkakton lagjen dhe tharjen e përsëritur të dyshemeve.
Nëse mozaikët do të ishin vazhdimisht të ekspozuar ndaj ajrit, ky proces do të çonte në mënyrë të përsëritur në shkatërrimin e përhershëm dhe të pakthyeshëm të tyre. Kështu, për të siguruar ruajtjen afatgjatë të mozaikëve, dyshemetë e Baptisterit mbahen të mbuluara. Mozaikët zbulohen periodikisht, përgjithësisht çdo 5 vjet, për periudha të shkurtra, për t’u vizituar nga publiku dhe për konservim shkencor.
Hapja bëhet me miratim të IKTK sepse procesi kryhet nën monitorimin e specialistëve të mozaikëve./ATSH/ KultPlus.com
Artisti Erzen Shkololli është emëruar kurator i Galerisë Cukrarna në Lubjanë të Sllovenisë, shkruan KultPlus.
Në njoftim thuhet se kjo Galeri është hapë në shtator të vitit 2021, dhe se për qëllim ka që kjo hapësirë të shndërrohet në një qendër të re kulturore.
“Bashkëpunimi i sapokrijuar mes Galerisë Cukrarna dhe Erzen Shkolollit do të sjell një perspektivë globale për institucionin”, thuhet mes të tjerash për këtë bashkëpunim.
Erzen Shkololli përpos angazhimeve të shumta kuratoriale, ai ka udhëheqë dy Galeri shumë të rëndësishme. Ishte drejtor i Galerisë së Arteve në Prishtinë dhe Galerisë së Arteve në Tiranë./ KultPlus.com
Stavileci shte një nga profesorët më të nderuar të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës si dhe një nga akademikët më të respektuar në Kosovë dhe trojet shqiptare.
Ndër thëniet e tij sot veçojmë atë kur është pyetur se çfarë kanë të përbashkët Shqipëria dhe Kosova: Më kanë pyetur se çfarë kanë të përbashkët Shqipëria dhe Kosova?
Jam përgjigjur shkurt: Shqipëria dhe Kosova kanë të përbashkët paaftësinë: në Shqipëri “për ta mbajtur shtetin”; në Kosovë “për ta bërë shtetin”. Kam tërhequr vërejtjen se “shteti nuk është mall që shitet në treg”./ KultPlus.com
Shkrimtarja Vera Bekteshi, ish-e përndjekur politike, është përlotur të enjten në sallën e teatrit pas shfaqjes së dokumentarit “Gruaja në diktaturë përtej mitit të emancipimit”.
Duke lënë mënjanë divorcin e diktuar nga sistemi politik dhe shpalljen e saj armike që e çoi në internim, ajo foli për pasoja që janë ende të ndjeshme në jetën e saj, të birin!
“Është dëmi shumë i madh që ju është bërë fëmijëve tanë. Kanë shkuar në internim 1 vjeç ose më shumë. Ju nuk mund ta merrni me mend se sa prej tyre janë të sëmurë”, tha Vera Bekteshi.
Vera Bekteshi ishte pjesë e dokumentarit “Gruaja në diktaturë përtej mitit të emancipimit” realizuar nga Instituti për Demokraci, Media e Kulturë në kuadër të Ditëve të Kujtesës, që synojnë reflektimin mbi të shkuarën dhe vëmendjen ndaj viktimave të regjimit. Shkrimtarja Vera Bekteshi foli si grua dhe si nënë duke rrëfyer së internimi ka lënë vraga të pashlyeshme.
“Nuk është puna që vuajtëm ne, unë për vete e kam harruar komplet vuajtjen se kam punuar dhe jam realizuar si grua, por unë nuk bëhem dot gjyshe….dhe si unë ka shumë të tjerë. Dhe disa fëmijë që janë sëmurë në internim kanë pensione qesharake. Me se do të jetojnë ata kur të vdesim ne? Unë jam më shumë se 75 vjeçe. Po ai i dobëti, çfarë do bëjë? Seleksion natyral si Hitleri? Ç’është kjo, ata që nuk janë në gjendje të punojnë, të vdesin urie”, tha Bekteshi, shkruan Balkan Web.
Fatbardha Saraçi, Bekteshi, Rajmonda Bulku, Kledji Këlliçi, Elsa Ballauri, Luljeta Lleshanaku, dhe Fatmiroshe Xhemalaj, dekonstruktuan mitin e emancipimit të gruas, duke zbuluar çështjet e propagandës, moralit, martesës, divorci, abortit, falsitetit dhe dënimeve ekstreme deri me pushkatim, për disa prej grave më të emancipuara të kohës./Shqip.com/ KultPlus.com
Milan Kundera është një shkrimtar çek që shkoi në mërgim në Francë në 1975, duke u bërë një shtetas francez i natyralizuar në vitin 1981.
Kunderas iu hoq shtetësia çekosllovake në vitin 1979; ai mori nënshtetësinë çeke në vitin 2019. Ai “e sheh veten si një shkrimtar francez dhe këmbëngul se vepra e tij duhet të studiohet si letërsi franceze dhe të klasifikohet si e tillë në libraritë”.
Për kënaqësinë e lexuesve tanë ne kemi sjellë një përzgjedhje të thënieve më të bukura nga librat dhe punimet e shkrimtarit.
Por kur të fortët ishin shumë të dobët për të lënduar të dobëtit, të dobëtit duhej të ishin aq të fortë sa të largoheshin.
Dy njerëz të dashuruar, të vetëm, të izoluar nga bota, kjo është aq e bukur.
Nuk mund të matet dashuria e ndërsjellë e dy qenieve njerëzore me numrin e fjalëve që shkëmbejnë.
Kur zemra flet, mendja e sheh të pahijshme të kundërshtojë.
Burimi i frikës është në të ardhmen dhe një person i çliruar nga e ardhmja nuk ka asgjë për t’u frikësuar.
Dashuria është malli për gjysmën e vetes që kemi humbur.
Budallallëku i njerëzve vjen nga të paturit një përgjigje për gjithçka, risia në gjithë këtë është të paturit një pyetje për gjithçka.
Dëshira jonë për rregullsi përpiqet ta kthejë botën e njerëzve në mbretërinë e inorganikes, në të cilën gjithçka ecën përpara dhe vepron sipas një rendi jopersonal. Dëshira për rend është, në të njëjtën kohë, një dëshirë për vdekje. Sepse jeta është një ndryshim i përhershëm i rendit.
Një person që dëshiron të largohet nga vendi ku jeton është një person i palumtur.
E vetmja gjë që ajo tha kur ai e liroi nga përqafimi i tij ishte: “Ti nuk e di sa e lumtur jam që jam me ty”. Kjo ishte ajo që natyra e saj e rezervuar e lejoi të shprehte.”
Ne kurrë nuk mund të dimë se çfarë të dëshirojmë, sepse, duke jetuar vetëm një jetë, nuk mund ta krahasojmë atë me jetët tona të mëparshme dhe as ta përsosim në jetët tona të ardhshme.
Sepse në këtë botë çdo gjë është e falur paraprakisht dhe për këtë arsye gjithçka lejohet në mënyrë cinike.
Nuk ka perfeksion, vetëm jetë.
Dashuritë janë si perandoritë: kur ideja mbi të cilën bazohen shkatërrohet, ato gjithashtu zbehen.
E vetmja marrëdhënie që mund t’i bëjë të lumtur të dy partnerët është ajo në të cilën sentimentalizmi nuk ka vend dhe asnjëri nga partnerët nuk pretendon për jetën dhe lirinë e tjetrit.
Nuk do ta dimë kurrë pse e acarojmë njëri-tjetrin, çfarë është ajo që na bën të sjellshëm apo qesharak. Imazhi ynë është misteri ynë më i madh.
Një libër i ndaluar në vendin tuaj do të thotë pafundësisht më shumë se miliarda fjalë të nxjerra nga universitetet tona.
Lufta e njeriut kundër pushtetit është lufta e kujtesës kundër harresës.
Sepse nuk ka asgjë më të rëndë se dhembshuria. As dhimbja jonë nuk peshon aq e shumë sa dhimbja që ndjen me dikë, për dikë, një dhimbje e intensifikuar nga imagjinata dhe e zgjatur me njëqind jehona.
Ekziston një pjesë e caktuar e të gjithëve ne që jeton jashtë kohës. Ndoshta ne bëhemi të vetëdijshëm për moshën tonë vetëm në momente të jashtëzakonshme dhe shumicën e kohës jemi pa moshë.
Shansi dhe vetëm shansi ka ë një mesazh për ne. Çdo gjë që ndodh nga nevoja, gjithçka që pritet, e përsëritur ditë pas dite, është e heshtur. Vetëm rasti mund të na flasë.
Po, është një fakt i njohur për ty: je si vdekja, merr gjithçka.
Unë nuk isha hipokrit, me një fytyrë të vërtetë dhe disa të rreme. Kisha disa fytyra sepse isha i ri dhe nuk e dija kush isha apo doja të isha.
Të qeshësh është të jetosh thellë.
Njeriu është përgjegjës për injorancën e tij.
Të jetosh është të jesh i lumtur: të shohësh, të dëgjosh, të prekësh, të pish, të hash, të urinosh, të defekosh, të zhytesh në ujë dhe të shikosh qiellin, të qeshësh dhe të qash.
Në sipërfaqe, një gënjeshtër e kuptueshme; poshtë, e vërteta e pakuptueshme.
Për fat të mirë, gratë kanë aftësinë e mrekullueshme për të ndryshuar kuptimin e veprimeve të tyre pas ngjarjes.
Ndonjëherë ju vendosni për diçka pa e ditur pse, dhe vendimi juaj vazhdon nga fuqia e inercisë. Çdo vit bëhet më e vështirë të ndryshosh.
Tomas nuk e kuptoi në atë kohë se metaforat janë të rrezikshme. Metaforat nuk duhen anashkaluar. Një metaforë e vetme mund të lindë dashuri.
Lumturia është dëshira për përsëritje.
Testi i vërtetë moral i njerëzimit, testi i tij themelor…përbëhet nga qëndrimi i tij ndaj atyre që janë në mëshirën e tij: kafshëve.
Sa më e madhe të jetë paqartësia, aq më e madhe është kënaqësia.
Të rebelohej kundër lindjes së një gruaje asaj i dukej po aq budallallëk sa të krenoheshe me të.
Vlera e një qenieje njerëzore qëndron në aftësinë për të zgjeruar veten, për të dalë jashtë vetes, për të ekzistuar me dhe për njerëzit e tjerë.
Pa e kuptuar, individi e kompozon jetën e tij sipas ligjeve të bukurisë edhe në kohët e fatkeqësisë më të madhe.
Unë kam një vullnet të fortë për të të dashur në përjetësi.
Në Berat vijon me ritme të shpejta puna për rikonstruksionin e Muzeut Etnografik, një nga më të vizituarit në qytetin e “një mbi një dritareve”.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, kryetarin e Bashkisë së Beratit Ervin Demo dhe kryetari i qarkut Donald Molishti inspektuam punimet në këtë muze.
“I ngritur në një ndërtesë monument kulture e kategorisë I, muzeu, ku ruhet një koleksion prej 1300 objektesh, po i nënshtrohet restaurimit dhe konservimit, si dhe rikonceptimit muzeor nën një dritë të re”, tha Margariti në një postim në rrjetet sociale.
Ky projekt është një investim që po merr jetë falë financimit të Këshillit të Qarkut, Berat në kuadër të projektit “Turizmi Taktik”, Interreg IPA II, Programi i Bashkëpunimit Ndërkufitar Greqi – Shqipëri 2014 – 2020, që do të nxjerrë edhe më në dritë pasurinë etnografike beratase.
Në Muzeun Etnografik në Berat janë ekspozuar objekte të ndryshme si kostumet popullore, improvizimi i një pazari të vjetër, ndërsa në katin e sipërm ndodhen disa shembuj të dhomave me funksionet përkatëse dhe mënyra e jetesës familjare të zonës së Beratit./KultPlus.com
Seria “Succession” do të përfundojë pas sezonit të katërt dhe këtë e ka konfirmuar krijuesi i kësaj serie, Jesse Armstrong.
“Succession” është një prej krijimeve më të suksesshme dhe më të vlerësuara të HBO-së.
Armstrong për The New Yorker ka thënë që sezoni i katërt, i cili ende nuk ka dalë, do të jetë ai finali.
“Mund ta kishim thënë në fund të sezonit. Më pëlqen goxha ideja, kreativisht, sepse atëherë audienca mundet të shijojë gjithçka si vjen, pa provuar që t’i zbërthejë gjërat, apo pa i perceptuar gjërat në një mënyrë të caktuar posa ta dinë që është sezoni i fundit”, ka thënë ai./ KultPlus.com
Ku kam me qenë i këputun nga mundi i vjetve të rrëpita sa ‘i shkamb, mos të vijë keq ty, Taze, për mue të shtrimë mbi drrasat e vdekjes, kingj i gatuem për flije. Leni plakat të qajnë mbi mue at ditë për njerzit e vet, vdekë qysh kur.
Edhe një amanet, moj grue: kur vdiq im atë, premë dy qe me ngimun të unshmit e thneglat e lamit me grimca buke. Por unë do të vdes mes njerzve gjithmonë të ngishëm, prandej ndër drekët e mija qitni vetëm kafe të idhta./ KultPlus.com
Më 24 shkurt të vitit 1955 lindi Steve Jobs, njeriu që botës ia dha kthesën më të madhe. Jobs njihet si një ndër biznesmenët më me ndikim, ishte themelues i kompanisë ‘Apple’, shkruan KultPlus.
Ndërkaq, sot KultPlus ju sjell letrën e fundit të Jobs.
“Në këtë moment, i shtrirë në shtrat i sëmurë, ndërsa reflektoj për jetën time, kuptoj se e gjithë fama dhe pasuria që i kushtova kaq shumë kohë, janë zbehur dhe duken të pakuptimta përballë vdekjes së afërt.
Në errësirë, shoh dritat jeshile që vijnë nga pajisjet dhe dëgjoj zërat e aparaturave, mund ta ndjej frymën e zotit të vdekjes që afrohet. Tani e di, kur kemi siguruar mjaftueshëm pasuri sa për të shtyrë gjithë jetën, duhet të merremi me të tjera çështje, që nuk lidhen me pasurinë. Duhet të merremi me diçka më të rëndësishme. Mbase me marrëdhëniet me njerëzit, mbase me art, mbase me ëndrrat për ditët e rinisë.
Ndjekja non-stop e pasurisë, do t’ju shndërrojë në një qenie të ndrydhur, ashtu si mua. Zoti na dha shqisat për të ndjerë dashurinë në zemrat e njerëzve, jo për të ndjerë iluzionet që sjell pasuria.
Pasurinë që kam fituar gjatë jetës time, nuk mund ta marr me vete. Çfarë mund të marr janë vetëm kujtimet e dashurisë. Ajo është pasuria e vërtetë që do t’ju ndjekë, do t’ju shoqërojë dhe do t’ju japë forcë e ndriçim për të vazhduar. Dashuria mund të udhëtojë mijëra kilometra. Jeta nuk ka limit. Shko ku të duash. Arriji lartësitë që do të arrish. Eshtë e gjitha në zemrat dhe duart tuaja. Cili është shtrati më i shtrenjtë në botë? – “Shtrati i vdekjes”.
Mund të punësosh dikë të ngasë makinën për ty, të fitojë para për ty, por s’mund të punësosh dikë që të përballojë sëmundjen tënde, për ty. Të mirat materiale mund të gjenden sërish edhe pasi kanë humbur, por ekziston diçka që nuk mund ta gjesh kurrë pasi e ke humbur – “Jeta”… Kujdesu për veten. Vlerësoji të tjerët”./ KultPlus.com
Një shfaqje me drita kaleidoskopike ka ndihmuar në rishpikjen e operës “Turandot” të Giacomo Puccinit që po luhet aktualisht në Tokio, një prodhim që synon të rikthejë njerëzit në kinema tani që pandemia është lehtësuar, shkruan Reuters, transmeton KultPlus.
Opera, e riimagjinuar nga regjisori amerikan Daniel Kramer në bashkëpunim me teamLab, grupi japonez i famshëm për instalimet e tij të artit dixhital, përdor shfaqje verbuese të lazerëve dhe skulpturave tredimensionale të dritës.
“Unë mendoj se pas COVID-19, ne kemi gjetur një rënie kaq të madhe të audiencës globalisht tek njerëzit që në të vërtetë janë të gatshëm të dalin nga shtëpitë e tyre dhe të ulen në ngjarje gjigante të përbashkëta në komunitet, përveç nëse ato janë absolutisht diçka e tillë, e cila është e mundur vetëm përjetoni drejtpërdrejt”, tha Kramer për Reuters
“Ju nuk mund ta shikoni këtë në televizor. Ju nuk mund ta shihni këtë në Netflix. Ju nuk mund ta merrni këtë në mediat sociale … Dhe mendoj se sa më shumë e më shumë shërohemi nga COVID, aq më shumë teatër si ky do t’i tërheqë njerëzit nga shtëpitë e tyre’.
Në historinë origjinale, Princesha Turandot, e bija e një perandori kinez, kërkon të shmangë martesën duke u dhënë kërkuesve të mundshëm tre gjëegjëza për t’i zgjidhur, dhe atyre që nuk munden u pritet koka menjëherë.
Kramer tha në versionin e tij se donte të largohej nga një fantazi perëndimore e Kinës së lashtë dhe në vend të kësaj të krijonte një botë që rrotullohet rreth një shfaqjeje futuriste distopike./ KultPlus.com
Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Dua Lipa i ka lënë të gjithë gojëhapur kur u shfaq në Javën e Modës në Milano me një jumpsuit të tejdukshëm dantellë me një prerje në pjesën e pasme dhe mëngë të gjata dhe doreza.
Ajo kishte veshur reçipeta dhe të brendshme të zeza poshtë, të cilat kanë tërhequr vëmendjen dukshëm. Sakaq, këtë veshje, këngëtarja e ka kombinuar dhe me taka të zeza me platformë. Një çantë e kuqe e ndezur në formë zemre ishte “prekja e fundit” në pamjen magjepsëse të artistes.
Kujtojmë që Lipa ka folur edhe më herët për eksperimentimin e saj me modën, duke u shprehur:
“Asnjëherë nuk kam dashur ta fus veten në kuti dhe të them: ‘Ky është stili im dhe kaq’. Më pëlqen të eksperimentoj dhe të luaj. Moda është si muzika për ju, tingulli përfshin më shumë sesa thjesht fytyrën e artistit. Edhe artisti duhet të veshë rrobat, jo anasjelltas. Moda nuk mund të imponohet”./KultPlus.com
Une jam parë sy – më – sy me jetën, Une jam ngrënë dhëmb – më – dhëmb me vdekjen. Dhe jeta dhe vdekja ishin të egra Ti mos me lër vetëm. Tiranët me njohën, në firome u premë Më ndjen që erdha, në zemër u zbehën E di: me ta do përleshem prapë nesër Ti mos më lër vetem Liria ime është si jam vetë I vdekur? – U ngrita: Sërish më thërrasin… Prej meje kërkojnë dhe jetën dhe vdekjen Ti mos më lër vetëm./ KultPlus.com
HBO Max do të publikojë një seri rreth krijimit të Pennywise të titulluar “Mirë se vini në Derry” bazuar në romanin “IT” nga Stephen King.
Seria e re aspiron të japi më shumë informacion rreth filmit të parë dhe të dytë të IT të regjisorit Andres Muschietti.
“Jam i emocionuar që historia e Derry, qyteti më i përhumbur i Maine, vazhdon të tregoj historinë e tij dhe jam i kënaqur që Andres Muschietti do të vazhdojë t’i dhurojë drithërima historië siç vetëm ai di. Pjesë e ekipit do të jetë edhe motrën e tij e talentuar, Barbara,” tha Stephen King dhe shton, “Tullumbace të kuqe kudo!”
Sipas Deadline, Muschietti do të drejtojë disa episode të serialit të ardhshëm HBO Max dhe Warner Bros.
“Ne mezi presim të ndajmë “sekretet” e librit të Stephen me gjithë humorin, shpirtin, humanizmin dhe tmerrin e tij”, thanë regjisori dhe motra e tij Barbara në një deklaratë të përbashkët. /abcnews.al/ KultPlus.com
Duke ditur se figura e Gjergj Kastrioti ishte jo vetëm simbol i patriotizmit, lirisë dhe pavarësisë e mbrojtësit të civilizimit, shumë autor, studiuesi, poet e historian kanë shkruar vepra kushtuar atij. Në veprat e shumëta që kam gjetë kryembërti ynë është vlerësuar lartë si për nga veprat e tij ashtu edhe për nga misioni,urtësia e strategjia e tij. Ai ishte bërë sidmos në kohën kur jetoi e më pas e deri në ditët tona si figura universale ,si ylli polar i Arbërisë dhe Europës.
“A mundet ai hero i pakrahasueshëm i shekullit të pesëmbëdhjetë, i cilësuar me të drejtë nga poeti Bajroni si “Princë i Kalorësve të të gjitha Epokave”, Skënderbeu i fuqishëm, i mbiquajtur për veprat e tij të pakrahasueshme të armëve, “Zoti Aleksandër”, në aludim për bashkëvendasin e tij të shquar Aleksandri i Madh, – a mund të kthehet ai luftëtar i pavdekshëm i krishterë në atdheun e tij të dashur,duke shënuar vendet dikur krenare të triumfeve të tij të pashembullta mbi një mori të panumërt armiqsh…Si do të tërhiqej vështrimi i tij i indinjuar nga vëzhgimi i atij vasaliteti poshtërues, në të cilin ai do të shihte pasardhësit e pafat të tij…”
“Flamuri yt i fuqishëm dhe mbizotërues do të ngrihet edhe një herë; emri yt – emri yt i pashoq – do të forcojë çdo zemër të atij populli trim. Veprat e tua madhështore do të mbushin përsëri veshin e kombeve duartrokitëse, të cilëve zëri i ndërgjegjes qortuese do t’u sjellë përsëri traditat e lavdisë sate të shkëlqyer.
Krahu yt fitimtar, i shtrirë nga qiejt, do të tregojë fushat ku ke veshur kujtimin e vendit tënd si me një rrobë shkëlqimi të pavdekshëm.
Po, fëmijët ende të palindur do të mësojnë të dëgjojnë bekimet për shkak të mbrojtjes sate hyjnore. Bijtë e bijat do të pëshpëritin fjalën magjike “Skënderbeu!”
Ndërsa “duke gjetur veten në Romë, vite më parë, shkova në “Biblioteca della Minerva” për të gjetur se nuk e di se çfarë pune atje. E hodha syrin te biografitë e njerëzve të shquar; Doja të lexoja atë të Heroit tonë dhe u admirova shumë kur vura re se si kanë shkruar prozatorët dhe poetët, historianët dhe romancierët, publicistët dhe shkrimtarët e çdo lloji, të çdo gjuhe, të çdo kombi…duke thënë se Skënderbeu kishte aq shkrimtarë, sa ndoshta Bibla nuk ka ekspozues, dhe as Komedia Hyjnore e Alighierit komentues.Pastaj e mbylla librin duke u ndjerë më i madh se vetja dhe duke falënderuar qiellin që linda arbëror! “
Arbërorët e vërtetë mund të frymëzohen nga kjo kur të lexojnë e shohin se si për themeluesin e identitetit arbëror europian, vulosësin e përkatësisë sonë,dhuruesin e flamurit kombëtar, mbrojtësin e qenjes arbërore dhe të civilizimit europian Gjergj Kastriotin janë shkruar me mijëra vepra të karaktereve të ndryshme.Me anë të kësaj Bibliografie jam përpjekur t’i jap një pjese të madhe publikut lexues,një pasqyrë historike të të gjithë veprave dhe sigurisht edhe një kontribut të mirëpritur në vlerësimin objektiv të kësaj vepre me rëndësi për figurën më madhore e të shenjtë të kombit tonë./ KultPlus.com
Vdiq sot në Romë, Maurizio Costanzo, gazetar, drejtues televiziv, autor dhe skenarist i njohur, i konsideruar ndryshe edhe si mbreti i talk show.
Constanzo ishte 84 vjeç.
I lindur në Romë më 28 gusht 1938, Costanzo ka bërë dhjetëra programe radiotelevizive dhe komedi teatrale si ”Il marito adottivo” apo ”Vuoti a rendere”.
Ai arriti një popullaritet të madh në vitin 1976 duke drejtuar emisionin e bisedave ”Bontà loro” në RAI.
Por, emri i tij është i lidhur edhe me emisionin Maurizio Costanzo Show, i transmetuar që nga viti 1982 në Mediaset.
Ndër programet e tij më të njohura, është edhe ”Buona domenica”.
Ai ka shkruar libra të shumtë, përfshirë ”Chi mi credo di essere” (2004), ”E che sarà mai?” (2006), ”La strategia della tartaruga” (2009), ”Sipario! 50 anni di teatro”, ”Storia e testi” (2015), ”Vi racconto l’Isis” (2016), ”Smemorabilia”, ”Catalogo sentimentale degli oggetti perduti” (2022).
Nga viti 1995 ishte i martuar me Maria De Filippi, prezantuese e njohur e spektaklit ”Amici”./ KultPlus.com
Maurizio Costanzo durante il ”Maurizio Costanzo Show”, Roma, 2 novembre 2021. ANSA/ETTORE FERRARI
Fotografi të jetës shqiptare, të realizuara gjatë viteve 1860-1865 nga Pjetër Marubbi zënë vend në Galerinë e Ministrisë së Kulturës në Prishtinë nëpërmjet ekspozitës ‘Tenda e takimit e një oborri’ të kuruar nga Luçjan Bedeni, përcjell KultPlus.
Ekspozita vjen si bashkëpunim mes Muzeut Kombëtar të Fotografisë ‘Marubbi’ dhe Galerisë së Ministrisë së Kulturës, paraqitet si një pasqyrë e realitetit të të gjitha shtresave që kanë jetuar në atë kohë në Shqipëri e të shkrepura me mjeshtëri nga Pjetër Marubi.
Këto imazhe janë të parat fotografi që shpërfaqin një Shqipëri e cila deri në vitet 70-ta të shekullit XIX ishte krejt e panjohur për të huajt. Këto fotografi të Marubbi-t do të përhapeshin në masë nga litografët vjenezë, të cilët i shtypën duke i kthyer ato në karta postale ose sikurse njihen ‘në kartolina kujtimi’ me mbishkrimin Souvenir de Scutari d’ Albanie
I pranishëm në hapjen e kësaj ekspozite e cila kishte tërhequr pas vetes shumë të interesuar për të parë perlat e Marubbit ishte edhe vetë Luçjan Bedeni, i cili këto imazhe i ka studiuar për rreth dhjetë vite e më pas i solli si pjesë të tezës së tij të doktoratës me titull “Pietro Marubbi dhe themelimi i të parës studio fotografike në Shqipëri”.
Bedeni tha për KultPlus se kjo ekspozitë përmban fotografi të përzgjedhura nga koleksioni i Pjetër Marubbit, pjesë e muzeut kombëtar ‘Marubbi’ në Shkodër.
“Arsyeja që janë përzgjedhur këto fotografi vjen si shkak i një hulumtimi që e kam realizuar për pothuajse dhjetë vitesh. Imazhit i përkasin viteve 1860-1865 e arsyeja që janë përzgjedhur këto imazhe vjen si rezultat i një pike të përbashkët e që është oborri. Pra, Marubi të gjitha këto fotografi që ne i shohim i shkrep ato në një oborr”, u shpreh Bedeni i cili mes tjerash tha se këto imazhe janë përzgjedhur edhe për faktin se fillimet e para të studios së fotografisë prej vetë Marubit janë në oborrin e shtëpisë së tij e të cilin ai më vonë e shndërroi në një studio të hapur.
Për bashkëpunimin mes këtyre dy institucioneve të rëndësishme të artit foli edhe drejtoresha ekzekutive e Galerisë së Minstrisë së Kulturës, Dhurata Ramosaj, e cila tha se ky bashkëpunim nisi që në vitin e kaluar.
“Ne kemi filluar të bashkëpunojmë me muzeun ‘Marubbi’ që nga viti i kaluar, kur ne si galeri e kemi ftuar ‘Marubin’ dhe drejtorin e saj, Luçjan Bedenin, që të vijë me një ide për të prezantuar diçka në galerinë e ministrisë së Kulturës, e kjo vjen si pjesë e kalendarit të përbashkët kulturor në mes të Kosovës dhe Shqipërisë”, u shpreh Ramosaj për KultPlus.
Ndërkaq, për të gjithë ata që janë të interesuar të shohin Shqipërinë e asaj kohe, sjellë nga aparati i Pjetër Marubbi, ekspozita ‘Tenda e takimit e një oborri’ do të qëndrojë e hapur deri më 1 prill 2023.
Fotografitë: Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit./KultPlus.com
Biznismeni kosovar, Harry Bajraktari, i cili jeton në Bronks të Nju Jorkut, ka përkujtuar sot ditën e zhvendosjes së familjes së tij në Amerikë, 53 vjet më parë, shkruan KultPlus.
Ai shprehet se ndonëse prindërit e tyre u larguan nga kushtet e vështira në Kosovë dhe pa asnjë dollarë në xhep, tani ata po e shijojnë ëndrrën amerikane.
Në vijim gjeni postimin e plotë të tij:
Uau! 53 vjet, në këtë ditë, në orën 16:00 mbërritëm në Aeroportin JFK.
24 shkurt 1970
Për mua, prindërit dhe motrat e mia ishte fillimi i një jete të re.
Po linim pas vështirësitë ekonomike dhe shtypjen politike.
Prindërit e mi kishin një ëndërr për Amerikën, por pa dollarë në xhepat e tyre,
nuk fliste anglisht dhe nuk e kishte idenë se çfarë i priste.
Sot, 53 vjet më vonë, familja jonë jeton ëndrrën amerikane. E veshtira
puna dhe sakrificat u shpërblyen. Ka qenë një e jashtëzakonshme
udhëtim. Dhe ishte e mundur sepse ky është vendi më i madh në të
Secili nga ne mban në duar pak nga të gjallët e tij të derdhur në themelet e përjetësisë. Gjithçka e jona që na lidh me teknologjinë e komunikimit, me qasjen e ethshme të sundimit të botës përmes forcës së dritës, është çfarë mbetet mirënjohje për atë forcë të kijametshme pasioni dhe përkushtimi, për Steve Jobs. Ashtu si edhe gjenitë e tjerë, ai erdhi në jetë me një mision, përmbushja e të cilit e shpërfaq para syve dhe ëndjes tonë si vullnet shpërblyes.
Steve Jobs ndërtoi një prej perandorive më të fuqishme të teknologjisë, duke u shndërruar në një ikonë të kurajës dhe sipërmarrjes. “Apple” nuk mund të kuptohet pa Steve Jobs dhe Steve Jobs nuk mund të identifikohet pa “Apple”. Ata janë sinonim i njëri-tjetrit dhe e sotmja është afeksion i kësaj realeje që dhuron përtej imagjinatives. Kafshimi i mollës së kafshuar të Steve Jobs është një kafshim pasioni.
Steve Jobs, babai i iPhone, iPod, iPad dhe bashkëthemeluesi i Apple Inc, humbi betejën e tij të gjatë kundër një forme të rrallë e kancerit në pankreas dhe ndërroi jetë më 5 tetor 2011 në moshën 56-vjeçare. Steve Jobs, i cilësuar si Leonardo Da Vinci i kohëve moderne do të mbahet mend në fushën e teknologjisë së komunikimit për risitë që solli, veçanërisht me iPhone dhe iPad, dy krijesa që shumë shpejt pushtuan tregjet botërore. Pra se të shuhej, në shtratin e vdekjes ai la fjalët e të fundit si testament për gjeneratën:
“Arrita majat e suksesit në botën e biznesit. Në sytë e të tjerëve jeta ime ishte mishërim i suksesit. Sidoqoftë, përpos punës, unë kam pak gëzime. Në fund, pasuria është vetëm një fakt i jetës me të cilin unë jam mësuar.
Në këtë moment, i shtrirë në shtrat i sëmurë, ndërsa reflektoj për jetën time, kuptoj se e gjithë fama dhe pasuria që i kushtova kaq shumë kohë, janë zbehur dhe duken të pakuptimta përballë vdekjes së afërt. Në errësirë, shoh dritat jeshile që vijnë nga pajisjet dhe dëgjoj zërat e aparaturave, mund ta ndjej frymën e zotit të vdekjes që afrohet. Tani e di, kur kemi siguruar mjaftueshëm pasuri sa për të shtyrë gjithë jetën, duhet të merremi me të tjera çështje, që nuk lidhen me pasurinë. Duhet të merremi me diçka më të rëndësishme. Mbase me marrëdhëniet me njerëzit, mbase me art, mbase me ëndrrat për ditët e rinisë.
Ndjekja non-stop e pasurisë, do t’ju shndërrojë në një qenie të ndrydhur, ashtu si mua. Zoti na dha shqisat për të ndjerë dashurinë në zemrat e njerëzve, jo për të ndjerë iluzionet që sjell pasuria. Pasurinë që kam fituar gjatë jetës time, nuk mund ta marr me vete. Çfarë mund të marr janë vetëm kujtimet e dashurisë. Ajo është pasuria e vërtetë që do t’ju ndjekë, do t’ju shoqërojë dhe do t’ju japë forcë e ndriçim për të vazhduar. Dashuria mund të udhëtojë mijëra kilometra. Jeta nuk ka limit. Shko ku të duash. Arrij lartësitë që do të arrish. Është e gjitha në zemrat dhe duart tuaja. Cili është shtrati më i shtrenjtë në botë? – “Shtrati i vdekjes”… Mund të punësosh dikë të ngasë makinën për ty, të fitojë para për ty, por s’mund të punësosh dikë që të përballojë sëmundjen tënde, për ty. Të mirat materiale mund të gjenden sërish edhe pasi kanë humbur, por ekziston diçka që nuk mund ta gjesh kurrë pasi e ke humbur – “Jeta”.
Kur një njeri shkon në sallën e operacionit, do të kuptojë se ekziston një libër që duhet të përfundojë së lexuari – “Libri i jetës së shëndetshme”. Në çfarëdo faze të jetës që mund të jemi tani, herët ose vonë do të përballemi me momentin final të “mbylljes së perdeve”. Ruaj si gjënë më të çmuar dashurinë për familjen, dashurinë për bashkëshortin/en, dashurinë për miqtë… Kujdesu për veten. Vlerësoji të tjerët.”
… Dhe… ai u shua, iku doke lënë pas shembullin më të përsosur të forcës së pasionit, të besimit të themeltë tek ëndrra, ajo ëndërr që u shndërrua në një nga gjeneratorët e fuqishëm të prodhimit të energjisë së teknologjisë. Ai, Steve Jobs, jetoi dhe vdiq si një rast i veçuar i asaj bote, së cilës ai i la peng shpirtin e tij krijues, atë eter transformimesh të mëdha. Kujtesa për këtë gjeni të pashoq të modernitetit, është më e larta përulje mirënjoheje që i kemi ne një revolucionari të kurajos dhe besimit. Ai ishte njeri si ne, por zgjodhi të bënte atë vepër që meriton një vend të privilegjuar. Steve Jobs iku për të mbetur te secili nga ne, iPhone, iPod, iPad, iku dhe la një urë komunikimi, gjurmë drite. / Albert Vataj / KultPlus.com
Së shpejti do të bëhet hapja e ekspozitës dhe mbajtja e kolonisë së artisteve të rinj në Prishtinë. Me datat 2-3 dhe 5 mars në lagjen e artistëve në Ulpianë mbahet punëtoria dhe ekspozita që mbledh artist te vendit.
Organizator të këtij eventi janë Prishtina Art, drejtor artistik Fehmi Hoxha dhe kurator Refki Gollopeni.
Ligjërues do të jenë Skender Boshtrakaj, Vjosa Bujari dhe Hajrush Fazliu. Përderisa punëtoria mbahet tre ditë, hapja e ekspozitës që shënon fillimin e eventit mbahet me 2 mars më fillim nga ora 15:00.
Këtë vit “Prishtina Art” shënon edicionin e tretë me radhë. / KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama vizitoi ditën e sotme Muzeun Përkujtimor të Paqes në Hiroshima ku pa nga afër dëshmi të një pjese të errët të historisë së Japonisë.
Kryeministri në mbyllje të vizitës në muze nënshkroi librin e të ftuarve të nderit.
Ai u ndal gjithashtu të fliste për të pranishmit, duke e cilësuar këtë vizitë si një përvojë të veçantë humanizmi për gjithë njerëzimin.
“Por përtej çdo gjëje të bukur të vizitës time këtu së bashku me bashkëshorten dhe djalin tonë 8-vjeçar, kjo është pika kulmore e vizitës në Japoni, sepse është një përvojë e veçantë e njerëzimit dhe për njerëzimin. Dhe unë dëshiroj shumë që kjo përvojë të na shërbejë si një mësim. Asnjë nuk duhet as ta imagjinojë të luajë me armët bërthamore, ashtu siç luan me lodrat e fëmijëve. Dhe nuk duhet as të ketë kërcënime ndaj qytetërimit tonë me bomba bërthamore”, tha Rama.
Kryeministri tha se, ndjehet i nderuar që viziton këtë vend që ka vuajtur, ka ndjerë dhembje dhe që ka një histori unike.
“Për mua personalisht, për bashkëshorten dhe djalin tetë vjeçar, do të jetë diçka që do ta kujtojmë dhe do të shërbejë si një mësim për të gjithë dhe përgjithmonë. Faleminderit Hiroshima dhe Zoti e bekoftë popullin e mrekullueshëm japonez!” – tha Rama.
“Mendoj se kjo është e gjitha një përvojë. Natyrisht, duke pasur privilegjin e vënies së luleve aty. Është nder. Ndihem i përulur dhe shumë falënderues që kjo u bë e mundur. Përsëri është e njëjta përvojë unike. Dhe unë nuk mund të falënderoj mjaftueshëm të gjithë ata që e bënë të mundur këtë vizitë. Unë do të dëshiroja që të gjithë njerëzit e kësaj bote të mund të vinin dhe ta vizitonin këtë vend. Kjo sepse është diçka që nuk mund të përshkruhet me fjalë, dhe me siguri ka më shumë se një mijë faqe mësim historie”, tha ai.
Kryeministri theksoi se “kishte shumë njerëz që menduan se pushtimi i Ukrainës do të bëhej brenda një jave”.
“Por, ja ku jemi, pas një viti rezistence heroike të popullit të Ukrainës. Falë edhe mbështetjes së botës demokratike, jo vetëm që Ukraina nuk u pushtua, por është bërë e qartë se Rusia nuk mund ta fitojë këtë luftë”, shtoi ai./ atsh / KultPlus.com
Komisioni i Përhershëm i Artit dhe Trashëgimisë Kulturore, pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, organizoii sot promovimin e botimit (partiturë) “Antologji e kompozitorëve kosovarë (në vitet 2000-2020).
Akademia e Shkencave ka pasur gjithnjë në vëmendje trashëgiminë kulturore, materiale dhe shpirtërore të popullit. Kjo është dëshmuar nga vetë anëtarësia e Akademisë, në përbërjen e së cilës ka pasur gjithnjë figura të shquara të artit e kulturës.
“Një ngjarje të gëzueshme” e cilësoi, prof. dr. Zana Shuteriqi, botimin e ri të antologjisë së kompozitorëve kosovarë të cilët vijnë me 25 partitura të gjinive e stileve të ndryshme, të botuara në një format mjaft voluminoz.
Prof. dr. Zana Shuteriqi, e cila moderoi veprimtarinë, u shpreh se, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, kjo periudhë e zhvillimit të artit muzikor është ende e pastudiuar.
“Këta kompozitorë të rinj janë përfaqësuesit e kohës dhe ne jemi të etur të dimë diçka më shumë. Në këtë epokë postmodernizmi, dëshmia që vjen nga botimi është një mozaik i tërë stilesh, idesh kompozicionale, teknikash, me qasje edhe me traditën”, tha prof. dr. Shuteriqi e cila në fjalën e hapjes shtoi se disa nga këto partitura do të bëhen pjesë e studimeve të akademisë.
Në promovim ishte i pranishëm edhe akad. Vasil Tole, profesori i kompozicionit, Stephane de Gerando si dhe përgatitësi dhe botuesi i librit, Liburn Jupolli./ atsh / KultPlus.com
Krerët e shtetit të Kosovës sot kanë pritur gazetarët ukrainas të strehuar në Kosovë, në shënimin e njëvjetorit të luftës në Ukrainë.
Presidentja Vjosa Osmani e ka shprehur edhe njëherë përkrahjen e Kosovës për Ukrainën e pushtuar nga Rusia, dhe ka thënë se duhet punuar ngushtë me aleatët ndërkombëtarë në uljen e ndikimit të autokratëve në rritje.
“Të nderuar të pranishëm, si asnjëherë më parë bota po përballet me tendencat hegjemoniste të autokratëve në pjesë të ndryshme. Lufta e paprovokuar në Ukrainë tregon për rrezikun nga regjime autoritare si ai i Putinit që kërkon zgjerimin e fuqisë, ndikimit dhe territorit duke cenuar të drejtat dhe sovranitetin e kombeve të tjera, e duke kryer krime të llahtarshme për t’i arritur këto qëllime”, ka thënë Osmani në konferencë për media.
“Ne duhet të jemi unikë dhe të vendosur kundër çdo përpjekjeje për t’i minuar vlerat dhe parimet tona evropiane. Për më tepër, duhet të punojmë ngushtë me aleatët dhe partnerët tanë për të pamundësuar ndikimin e autokratëve dhe për ta mbrojtur rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla ku kombet e shtetet mund të bashkëjetojnë në mënyrë paqësore dhe duke respektuar njëri-tjetrin”.
Osmani tha se Ukraina në rrugën e saj për çlirim do ta ketë përkrahjen e pakushtëzuar të Kosovës, dhe akuzoi presidentin serb Aleksandër Vuçiq dhe shtetin serb që po qëndrojnë në krah të homologut rus, Vladimir Putin, ashtu siç i kishte ndenjur afër Slobodan Millosheviqit.
“Më 1999 bota demokratike u vu në anën e Kosovës duke na mbrojtur nga shfarosja prej regjimit gjenocidal të Millosheviqit. Sot bota demokratike është në anën e Ukrainës sepse e drejta është në anën e saj”.
“Për vitin 1999 në Kosovë dhe ky vit që po e lëmë pas në Ukrainë duhet të na mësojë edhe shumë mësime të tjera. Mbi të gjitha, nuk duhet ta harrojmë se kush ishin ata që ishin në krah të Millosheviqit në vitin 1999 e që qëndrojnë në krah të Putinit sot në vitin 2023, e të kuptojmë njëherë e mirë se ata që avokojnë për gjenocid njëherë, nuk mund të shndërrohen në agjentë të paqes asnjëherë”.
“Ata që kryejnë, mbështetin apo arsyetojnë gjenocid ndaj një populli të pambrojtur, përgjigjen e vetme duhet ta kenë drejtësinë, e jo akomodimin e përkëdheljen”. / KultPlus.com