Kurti viziton “Dardanët”: Juve ju ndjekin krejt njerëzit që e duan Kosovën”

Në prag të ndeshjes së shumëpritur për kualifikimet e Evropianit 2024, ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës që luhet të shtunën në stadiumin “Fadil Vokrri”, kryeministri Albin Kurti në shoqëri të ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe zëvendësministres Daulina Osmani ka vizituar kampin e Dardanëve.

Kurti ka falënderuar futbollistët kosovarë dhe stafin e Kombëtares në përgjithësi për punën e mirë dhe për emocionet e papërshkrueshme që i japin popullit të Kosovës.

“Ju vazhdimisht në ndeshjet e kaluara na keni sjell emocione, por edhe ethe. Janë emocione të paharrueshme dhe gëzime të cilat na mbajnë optimistë për të ardhmen. Ju dëshiroj shumë sukses në dy ndeshjet në vijim. E di se me Zvicrën e keni më vështirë edhe për arsye objektive, por besoj se me mbështetjen e ministrisë, me trajnerët që keni dhe me punën ekipore e ushtrimet që do të bëni në këto ditë, do të keni mjaftueshëm energji që edhe në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ më 9 shtator, por edhe më 12 shtator kundër Rumanisë të jepni maksimumin dhe të merrni rezultatin që të gjithë e presin me aq dëshirë”, ka thënë Kurti.Ai ka falënderuar gjithsecilit për gjithë këtë kontribut, i cili nuk është vetëm sportiv por është edhe popullor sepse jo vetëm njerëzit që përcjellin sportin ju ndjekin.

“Juve ju ndjekin krejt njerëzit që e duan Kosovën”, ka theksuar para futbollistëve kryeministri Kurti.

Presidenti i FFK-së Agim Ademi duke e falënderuar të parin e ekzekutivit për vizitën ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen që institucionet shtetërore po i japin ekipit kombëtar dhe në përgjithësi futbollit të Kosovës.

“Kryeministri është motivues i madh dhe është njeri i aksionit, prandaj e kemi parë të arsyeshme që ai si kreu i qeverisë të vjen sot për vizitë dhe të japë mesazhin e tij frymëzues për të ecur përpara së bashku”, ka thënë presidenti Ademi.

Në emër të ekipit kombëtar kryeministrin me bashkëpunëtorët e tij i ka falënderuar kapiteni Amir Rrahmani.

“Faleminderit për përkrahjen ndaj ekipit kombëtar dhe ndaj federatës. Shpresoj që edhe në të ardhmen kontributi dhe ndihma e institucioneve për rritjen e futbollit nuk do të mungojë”, ka thënë kapiteni i Dardanëve.Ndërkaq, ministri Hajrulla Çeku premtoi se institucionet do të vazhdojnë të qëndrojnë përkrah futbollit dhe ekipit kombëtar.

“Ju jeni të vetëdijshëm për rëndësinë e këtyre dy ndeshjeve dhe ne jemi këtu për t’iu ofruar gjithë mbështetjen e nevojshme si shtet e si institucione, jo vetëm zyrtarisht por edhe moralisht e me zemër. E keni një shtet dhe shoqëri të tërë mbrapa. Edhe jemi krejt me juve. Dijeni se po e përfaqësoni më shumë se një ekip dhe një sport. Këtu e kemi një gjasë të madhe për të ecë përpara dhe duhet ta shfrytëzojmë. Faleminderit të gjithëve për kontributin që e jepni për shtetin”, ka thënë Çeku. /KultPlus.com

Bashkia Pogradec, aktivitete të përbashkëta artistike dhe kulturore me qytetin gjerman

Bashkia e Pogradecit dhe ajo e Wismar, Republika Federale e Gjermanisë, në kuadër të Marrëveshjes së Binjakëzimit që kanë lidhur mes tyre, në vitin 2019, nga dy kryetarët e bashkive, respektivisht Ilir Xhakolli dhe Thomas Beyer, kanë realizuar gjatë këtij viti një serë aktivitetesh të përbashkëta në fushën e artit dhe kulturës.

Kështu specialistë të bashkisë Pogradec morën pjesë në trajnimin e organizuar në bashkinë Wismar në fushat Turizëm, Trashëgimi Kulturore, Legjislacioni mbi Turizmin.

Bashkëpunimi në fushën e lundrimit dhe artit angazhoi 11 të rinj, të moshave 12-16 vjeç, anëtarë të Shoqatës “Seglerjugend Wismar” të shoqëruar nga tre bashkëpunëtorë të rritur,  në demonstrimin e lundrimit me vela në Liqenin e Ohrit, pjesa shqiptare, në Pogradec, si edhe me asistencën e piktorit të merituar Anastas Kostandini, realizuan pikturat e tyre, të cilët u ekspozuan më pas në ekspozitën e pikturës në Wismar, krahas punimeve të ekspozitës së piktorit Anastas Kostandini.

Çelja e ekspozitës së “Piktorit të Merituar” Anastas Kostandini, titulluar “Një piktor nga Pogradeci viziton Wismarin”.

Kështu në fund të muajt gusht, në bashkinë Wismar u organizua takimi zyrtar me kryetarin e bashkisë Thomas Beyer, ku u analizuan dhe u përshëndetën bashkëpunimet e deritanishme të realizuara në disa fusha dhe u propozuan të tjera bashkëpunime konkrete në të ardhmen.

Bashkia e Pogradecit njofton se pritet të realizohet së shpejti bashkëpunimi në fushat e Turizmit dhe Trashëgimisë Kulturore me prezencën e dy funksionarëve të bashkisë Wismar, teksa titullarët konfirmojnë vullnetin e mirë për vazhdimësinë e binjakëzimit mes dy bashkive edhe në fusha të tjera./atsh/KultPlus.com

Higjienë dhe Estetikë Dentare, profesioni më i paguar

Profesioni i higjienistit dentar gjithmonë zë vend në “TOP” profesionet më të paguara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për këtë, edhe paga prekë një nga pikat më të larta ndër profesione. Paga mesatare në ShBA, sipas US News, është rreth 6,500 dollarë në muaj, kurse në Evropë, sipas Statistika dhe SalaryExplorer, paga mesatare është 4,500 euro në muaj.

Pra, përveç programerëve, bota është në kërkim të higjienistëve dentarë.

Kosova ka fatin dhe mundësinë të ketë kolegjin e vetëm në Ballkanin Perëndimor që ofron program të plotë bachelor për Higjienë dhe Estetikë Dentare. Ai është UNI – Universum International College.

Universum International College ofron një program të avancuar akademik për drejtimin e Higjienës dhe Estetikës Dentare, duke përfshirë staf akademik të kualifikuar, me përvojë në aplikimin e metodave më të përshtatshme në mësimdhënie. Studentët përfitojnë nga teknologjia e fundit dhe pajisjet moderne, duke iu përgatitur për sfidat e fushës së stomatologjisë në botën reale.

Universum ofron mundësi të shumta për praktikë klinike që i lejojnë studentëve të zhvillojnë aftësitë e tyre në mjediset reale të kujdesit dentar. Studentët përfitojnë nga mentorimi individual dhe këshillimi për të ndihmuar në zhvillimin e tyre personal dhe profesional. Universum ka një rrjet të gjerë të të diplomuarve që ofron mundësi të shumta për bashkëpunim dhe ndihmë në ndërtimin e një karriere të suksesshme. Bashkëpunimet me institucione dhe profesionistë të fushës mundësojnë studentëve të marrin pjesë në projekte të ndryshme dhe praktika profesionale. Në UNI ju ofrohen mundësi të ndryshme financiare dhe bursa për studentët, duke i ndihmuar ata të sigurojnë financat për studimet e tyre. Në një botë gjithnjë e më të globalizuar, Universum ndihmon studentët të përfitojnë nga përvoja ndërkombëtare dhe të përgatiten për sfidat ndërkombëtare të fushës. UNI synon të përgatisë profesionistë të kujdesit shëndetësor dhe social, duke i bërë ata të aftë për të ndihmuar komunitetin dhe shoqërinë. Një ambient mësimor i këndshëm dhe një komunitet i përkrahur të studentëve krijojnë një mjedis të favorshëm për mësim dhe zhvillim personal.

Pajisu me diplomë të njohur nderkombëtarisht, nga UNI – Universum International College i cili menaxhohet nga Arizona State University.

Për më shumë informata rreth programit kontakto +38344144062, [email protected] ose ndiqni UNI në Facebook dhe Instagram./ KultPlus.com

Atdheut

Poezi nga Gjergj Fishta

N’ty mendoj kur agon drita,
Kur bylbyli mallshem kndon,
N’ty mendoj kur soset dita,
Terri boten kur e mblon.

Vec se ty te shoh un n’anderr,
Vec se ty, cuet, t’kam n’mendim;
Nder t’vështira ti m’je qanderr,
Per ty i lehtë m’vjen cdo ndeshkim.

Tjera brigje, fusha e zalle
Une kam pa, larg tue ba shtek,
E pergjova tjera valle,
N’tjera lule syu m’u rrek;

Por nji fushe ma e bleret nuk shtrohet,
Por nji mal ma bukur s’rri,
Ma i kulluet nji lum s’dikohet,
Moj Shqypni, porsi i ke ti.

N’ty ma i bukur lulzon Prielli,
Jane ma t’kandshme stine e mot;
N’ty bylbyli pa le dielli
Kndon ma ambel t’Madhit Zot.

Pa ty lules s’m’i vjen era,
Pa ty pema fryt nuk m’bjen:
Mue pa ty nuk m’del prendvera,
Pa ty dielli nuk m’shkelxen.

Dersa t’mundem me ligjrue
E sa gjall me fryme un jam,
Kurr Shqypni, s’kam me t’harrue,
Edhe n’vorr me t’permende kam./KultPlus.com

‘Bamirësia, Humaniteti, Solidariteti’, ekspozitë e hapur në Bibliotekën Kombëtare

Ekspozita “Bamirësia, Humaniteti, Solidariteti”për humanizimin e popullit të Kosovës gjatë viteve të 90-ta, është hapur në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, në kuadër të ditëve të Nënë Terezës, në ditën e shenjtërimit të saj, shkruan KultPlus.

Në këtë ekspozitë janë ekspozuar libra e artikuj të gazetave ‘Rilindja’ dhe ‘Bujku’ në koleksionet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës për bamirësinë, humanitetin dhe solidaritetin në Kosovën e viteve ’90-ta.

Kjo ekspozitë prezanton mbi 50 monografi dhe mbi 1.500 artikuj të gazetave të asaj kohe, të cilët tregojnë hollësisht për solidaritetin që treguan qytetarët e Kosovës gjatë kohës së rezistencës të viteve të ‘90-ta./KultPlus.com

Dy ngjarjet më të bukura që i ka përjetuar Nënë Tereza, dëshmi e dashurisë së vërtetë

Shën Nënë Tereza është thesar i papërsëritshëm, si në mësim e porosi ashtu edhe në veprimtarinë e saj të dashurisë, bamirësisë dhe humanizmit. Për të shpjeguar konceptin e dashurisë së vërtetë, atë dashuri e cila arrin deri në fund, derisa sa dhemb, Shën Nënë Tereza tregon dy ngjarje të bukura dhe unike që i ka përjetuar në jetën e saj, si dëshmi, provë e gjallë si realizohet ajo.

Ngjarja e parë

Unë nuk do ta harroj kurrë, se si dy të rinj para shumë kohësh erdhën në shtëpinë tonë dhe më dhanë një shumë të madhe parash. Unë i pyeta: ‘Ku i keni marrë të gjitha këto para?’. Ata thanë: ‘Ne jemi martuar para dy ditësh. Para se të martohemi, kishim vendosur, që mos të blejmë rroba martese. Ne nuk bëmë dasmë. Paratë e dasmës jua japim Juve.’ Dhe unë e di saktësisht, se ç’do të thotë në vendin tonë, në një familje hindu, të mos blesh rroba martese dhe të mos bësh dasmë. Prandaj i pyeta përsëri: ‘Po, përse? Përse vepruat kështu?’ Ata thanë: ‘Ne e duami njëri-tjetrin aq shumë, sa që gëzimin e dashurisë duam ta ndajmë me njerëzit, të cilëve ju u shërbeni.’ Si e përjetojmë ne gëzimin e dashurisë? Si e përjetojmë ne këtë? Tek japim, derisa dhemb.

Ngjarje e dytë

Para se unë të shkoja në Etiopi, në Kalkutë erdhën disa fëmijë të vegjël tek unë. Ata kishin dëgjuar, se unë do të shkoja atje. Ata kishin ardhur, sepse kishin dëgjuar nga motrat, që fëmijët në Etiopi vuanin shumë. Ata vinin, dhe secili prej tyre jepte diçka, disa edhe ato pak para që kishin. Një djalosh i vogël erdhi tek un dhe më tha: ‘Unë nuk kam asgjë, nuk kam para, thjeshtë nuk kam asgjë. Por, e kam këtë copë çokollate. Dhe ti merre me vete dhe jepua fëmijëve në Etiopi!’ 
Ky djalosh i vogël dashuronte me shumë dashuri, sepse ai mbase për herë të parë në jetën e vet, mbante një copë çokollate në dorë. Dhe e dha atë. E dha plot gëzim, për ta ndarë me të tjerët, për ta zbutur sadopak dhimbjen e dikujt tjetri në Etiopinë e largët. Kjo do të thotë gëzim i dashurisë: të japësh, derisa të dhemb. I dhembte Krishtit, që na donte neve, sepse ai vdiq në kryq, për të na mësuar neve se si duhet të duami. Kjo është rruga, se si duhet të duami edhe ne: derisa të dhemb.

(Pjesë nga libri: Leo Maasburg, Nënë Tereza. Histori Magjepsëse, Shtëpia Përkujtimore e Nënë Terezës, Shkup 2010, f. 88-89.)

Rama: Google rendit Tiranën të dytën në listën e qyteteve më të vizituara

Rritja e pandalshme e turistëve që po e zgjedhin Shqipërinë konfirmohet edhe nga të dhënat e vetë “google”.

“Google” rendit Shqipërinë të tretën sa i takon destinacioneve me rritjen më të madhe të këtij sezoni turistik, ndërsa Tiranën të dytën ndër qytetet e vizituara më shumë.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot të dhënat e “google” teksa theksoi se Tirana la pas qytete të stërkonfirmuara prej dekadash në turizëm.

“Edhe sipas të dhënave nga vetë google, Shqipëria renditet e treta sa i takon destinacioneve me rritjen më të madhe të këtij sezoni turistik, ndërsa Tirana jonë e dyta që lë pas plot prej qyteteve të stërkonfirmuara prej dekadash në turizëm”, u shpreh Rama.

Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se Shqipëria është vizituar nga 5.2 milionë të huaj në periudhën janar-korrik.

Gjatë shtatëmujorit, rajoni me numrin më të lartë të hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri është rajoni i Evropës me rreth 5 milionë shtetas, pasuar nga Amerika, Azia Lindore dhe Paqësori, përkatësisht me 131 236 dhe 34 3721 shtetas./atsh/KultPlus.com

Banka e Shqipërisë me monedhë në nderim të figurës së Shën Nënë Terezës

Banka e Shqipërisë ka prodhuar monedhë me figurën e Shën Nënë Terezës, me rastin e 26 vjetorit të vdekjes së saj, shkruan KultPlus.

Nënë Tereza lindi më 26 gusht 1910, në Shkup, në një familje katolike dhe ndërroi jetë më 5 shtator 1997 në Kalkutë të Indisë.

Nënë Tereza ishte një murgeshë dhe misionare katolike, e njohur për punët e saj bamirëse në ndihmë të njerëzve të varfër, të uritur dhe të sëmurë të Indisë. Ajo themeloi Misionarët e Bamirësisë, të cilët drejtuan mbi 500 misione në mbarë botën.

“Të duash do të thotë të bësh gjëra të vogla me dashuri të madhe”, mbetet një nga shprehjet më frymëzuese të gruas, e cila në vitin 1979, u nderua me Çmimin Nobel për Paqen.

Më 4 shtator 2016, Papa Françesku e shpalli atë shenjtore në një ceremoni madhështore në sheshin “Shën Pjetër”, ku merrnin pjesë mijëra besimtarë nga e gjithë bota. 5 shtatori shënon Ditën e Shenjtores shqiptare, Shën Tereza e Kalkutës.

Në sajë të përkushtimit dhe dashurisë së pakufishme që ajo u dhuroi komuniteteve në nevojë, Nënë Tereza mbetet një nga gratë më të admiruara në botë. Në nder të kësaj figure shqiptare, kontributi i të cilës ka ende edhe sot jehonë të jashtëzakonshme në të gjithë globin, në vitin 2012, Banka e Shqipërisë emetoi një monedhë përkujtimore.

Ana e përparme: në qendër të monedhës qëndron një pëllumb i stilizuar në fluturim, si simbol i paqes. Ngjyra e pëllumbit dhe ajo e shiritave harkorë e harmonikë, që mbyllin formën rrethore të monedhës, është e njëjtë me atë të shamisë, në pamjen pas të monedhës. Në pjesën e poshtme, shkruhet vlera emërore, 200 Lekë. Në hark sipër, në formë simetrike, dy degë ulliri, si simbol i paqes që Nënë Tereza përcolli midis njerëzve.

Ana e prapme: në qendër të monedhës është vendosur portreti i Nënë Terezës. Mbi portret shkruhet “NËNË TEREZA” dhe vitet e lindjes e të vdekjes. Poshtë portretit shkruhet emri i lindjes “Anjezë Gonxhe Bojaxhiu” dhe në hark poshtë “SHQIPËRI – ALBANIA 2012”./KultPlus.com

Pesha e (pa)durueshme e interpretimit të vetvetes

Bernard Çobaj

Filmi “Pesha e padurueshme e talentit masiv” (The Unbearable Weight of Massive Talent) përmban në titull jehonën e kryeveprës së Millan Kunderës “Lehtësia e papërballueshme e qenies” (The Unbearable Lightness of Existence). 

Ngjashmëria në titull sugjeron se mund të ketë diçka të njëjtë, jo në përmbajtje por në mënyrën e rrëfimit. Derisa kryevepra e Millan Kunderës është një koncept filozofik i kthimit apo thënë më mirë rikthimit të përhershëm, ku çdo gjë e përsërit veten në kohë dhe hapësirë, filmi “The Unberable Weight of Massive Talent” është një rikthim i veçantë i Nicolas Cage, në rolin kryesor por edhe atë dytësor.

Cage interpreton një version fiktiv të vetes, po njëkohësisht e luan edhe rolin e Nicky-t, aktorit të ri që po ia merr rolet.

Nicolas Cage (mbiemri do thotë kafaz) luan versionin fiktiv të vetes të quajtur Nick Cage, i cili sikur edhe Nicolas në jetën reale është në rënie të lirë me karrierën e tij – aty janë edhe problemet familjare, raporti i thyer me vajzën dhe borxhet e grumbulluara financiare. Në këtë film Cage lufton ta mbajë gjallë karrierën e përhumbur nga vetja e tij më e re dhe më e suksesshme. Pasi humb një rol kyç në film, ai planifikon të tërhiqet nga aktrimi, por agjenti i ofron një mundësi, fillimisht të paqartë për të takuar miliarderin Javi Gutierrez në Majorka, të luajtur nga Pedro Pascal (i njohur si agjenti Penja në serialin Narcos), të dyshuar nga agjencitë e sigurisë si trafikues i armëve. Javi ka dëshirë që Cage të luaj në filmin e tij dhe ia tregon skenarin që e kishte shkruar vite më parë. . Mes tyre lind kimi e jashtëzakonshme.

Së bashku ata interpretojnë duke ofruar skena fantastike përplot me fjali satirike për absurditetin e famës, trashëgiminë kinematografike dhe vetminë ekzistenciale të të qenurit Nicholas Cage.

Siç thotë alter-egoja (zëri i brendshëm i Nick Cage), i sajuar si roli i tij në “Wild at Heart”, ti nuk je aktor, ti je Nicolas fuckin’ Cage.

Cage ka aktruar në mbi 100 filma dhe rolet e interpretuara nga ai kanë qenë të larmishme por zakonisht të koncentruar në dramë dhe aksion të kryqëzuar me komedi të zezë, kësaj here risia ishte në faktin se ai interpreton një version të trilluar të vetes. 

Filmi në aluzionet metapoetike përkujton skena legjendare të filmave të Cage sikur “Leaving Las Vegas”, “Face Off”, “Gone in 60 seconds”, “The Rock” sikur edhe “Adaptation” meta-filmin e parë të Cage, të cilit i referohet në disa skena “The Unbearable Weight of Massive Talent”. Kurse skenat parodike përkujtojnë në disa raste filmin “Hot Shots” me Charlie Sheen.

Filmi qëndron në raport ndërtekstual me “Being John Malkovich”, “Birdman” si dhe me filmin e parë të këtij zhanri “The Last Action Hero”, të John McTiernan me Arnold Shvarceneger.

Cage në film shprehet se puna e tij është për të bërë filma, si përgjigje ndaj kritikave se prodhon shumë filma të produksioneve B – Cage thotë se i duhet vetëm një film që të kthehet në lojë.

Duket që ky është ai filmi – mozaik i ndërlikuar i filmit në film, ku Nicolas Cage mund të ketë qëlluar me filmin për të dalë nga kafazi i produksioneve B dhe për Nick Cage filmi në film i sjellë shpërblim në fund.

Në film shkrirja e elementeve parodike që i referohen zhanreve të ndryshme të roleve të Cage krijon skena të jashtëzakonshme komike dhe pastaj shndërrohet në triler, ku Cage merr rolin e agjentit të fshehtë, të angazhuar nga CIA, që e çon kah finalja e filmit – transformimi në modelin e roleve nga filmat më shembullorë aksion të tij për të shpëtuar familjen si dhe karrierën e vet në rrafshin real.

Skena e Cage i maskuar (ala Mission impossible- Tom Kruz) me tuta sportive të klubit të futbollit Napoli, në rolin e mafiozit italian, është mbresëlënëse dhe “mu qesh me plas”.

Filmi është shembull ilustrativ i postmodernizmit dhe në këtë çelës interpretues shikohet./ KultPlus.com

Ansambli Bellini në Gjirokastër/ Interpretim i rrallë me rastin e festimeve për shenjtërimin e Nënë Terezës

Ansambli Bellini i provincës së Katanjës në Itali solli në një koncert të rrallë në Gjirokastër kompozime të njohura të muzikës së dhomës si pjesë e festimeve të ditës së shenjtërimit të Nënë Terezës.

Grupi muzikor klasik i krijuar për të nderuar emrin e njërit prej kompozitorëve më të mëdhenj italianë Vincenzo Bellinit ja dedikoi performacën jo vetëm kujtimit të shenjtores shqiptare por edhe kurajos, talentit dhe prurjeve të një gjenerate të re kompozitorësh të dekadave të fundit. Orkestra e drejtuar nga violinisti Aldo Ferrente interpretoi pjesë të njohura të muzikës së filmave kryesisht italianë të njohur gjerësisht edhe nga publiku shqiptar.

“ Më duhet të them se kemi gjetur një publik të vëmendshëm dhe kompetent, njohës të muzikës së filmave dhe vetë filmave. Kur publiku është i tillë të jep kënaqësi dhe kurajo për të interpretuar. Patëm fatin të përmbledhim pjesë të autorëve të mëdhenj italianë që zakonisht kërkojnë orkestra të mëdha brenda një grupi të vogël instrumentistësh të muzikës së dhomës dhe besojmë se kemi përcjellë atë që këta autorë kanë dashur të inspirojnë përmes linjës së tyre muzikore”- u shpreh Aldo Ferrente, violinist.

Konsullja e Përgjithshme e Italisë në Vlorë evidentoi faktin se grupe muzikore të nivelit të Ansamblit Bellini janë mirëpritur në skenat më të mëdha botërore dhe vetë prania e tyre në Gjirokastër për të përfaqëson një tjetër nivel të shkëmbimeve kulturore mes dy vendeve.

“Jemi shumë të lumtur që gjendemi këtu sot në këtë etapë të turit shqiptar të Ansamblit “ Massimo Bellini” të Catanjas për nderuar festimet e ditës së shenjtërimit të Nënë Terezës së Kalkutës një figurë shumë e dashur për popullin shqiptar. Vitin e kaluar për të njëjtën ngjarje prezantuam kuartetin e harqeve të “La Scala” Prezantuam për publikun një muzikant me famë botërore dhe grupin e tij të muzikës së dhomës në një tur që do të përshkojë edhe qytete të tjera shqiptare.”- shprehet Iva Palmieri konsulle e Italisë në Vlorë.

Grupi muzikor dhe teatral “ Massimo Bellini” i Catanjas u themelua në vitin 2013 dhe që atëherë i ka qenë pjesë e qindra eventeve ndërkombëtare për të promovuar muzikën bashkëkohore të dhomës dhe autorët e rinj./topchanel/KultPlus.com

Presidentja Osmani nderohet me titullin ‘Patroni i Kalasë’

Në Berat, po zhvillohet ceremonia e nderimit të presidentes së Republikës së Kosovës,Vjosa Osmani -Sadriu. Asaj do t`i dhurohet titulli më i lartë i qytetit “Patroni i Kalasë”, e më pas do të vizitojë Kishën e Shën Mërisë dhe Muzeun Onufri.

Ky është një titull shumë i lartë ekskluziv, i cili i jepet personaliteteve të shquara që vizitojnë qytetin dhe që kontribuojnë me veprimtarinë e tyre në dobi të qytetit.

Presidentja Vjosa Osmani gjatë vizitës së saj zyrtare në Shqipëri ka marrë pjesë sot në hapjen e ekspozitës për nder të Nënë Terezës.

Presidentja me këtë rast ka theksuar se historia dhe trashëgimia e Nënë Terezës vazhdon të frymëzojë miliona njerëz në mbarë botën. Ajo ka deklaruar se Nënë Tereza nuk ka bërë vepra humanitare për bujë, por bëri bujë me veprat e saj.

Dje gjatë ditës, presidentja Osmani është takuar me homologun e saj, Bajram Begajn, kryeministrin Edi Rama dhe kryeparlamentaren, Lindita Nikolla./RTK/KultPlus.com

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Me shumë veçanti hapet edicioni i 18-të i Festivalit DAM, motrat violiniste u shoqëruan në piano nga nëna e tyre

Mbrëmë ka filluar edicioni i 18-të i Festivalit DAM, i cili për pesë netë radhazi do të sjellë artistë vëndorë e të huaj në skenën e Amfiteatrit të Ri të Bibliotekës Universitare në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Në koncertin hapës të Festivalit DAM morën pjesë violinistet nga Hungaria, Amira dhe Mariam Abouzahra, të shoqëruara në piano nga nëna e tyre, pianistja Nora Emody.

Mbrëmë përndryshe u interpretuan kryeveprat nga Leo Weiner, Pablo de Sarasate, Fritz Kreisler dhe Maurice Ravel.

Mysafire nderi në përmbyllje të këtij festivali do të jetë flautistja Luisa Sello Flutist, Ambasadore e Muzikës dhe Kulturës Italiane e cila do të performojë së bashku me talentët tanë muzikorë.

Festivali DAM është hapur më 4 shtator dhe do të vazhdojë edhe për katër netë të tjera radhazi/KultPlus.com

Greqia fillon t’i kufizojë vizitorët e përditshëm të Akropolit për të trajtuar mbiturizmin

Një nga monumentet më të famshme të Greqisë po provon kufizimin e vizitorëve të saj të përditshëm.

Vendi arkeologjik i Akropolit të Athinës tërheq vizitorë nga e gjithë bota të etur për t’u mrekulluar në vendin e lashtë kulturor, shkruan CNN, transmeton Klankosova.tv.

Në vijim, vizitorët do të kufizohen në 20,000 në ditë, me një faqe interneti rezervimi që do të mbajë gjurmët e hapave dhe do të zbatojë një sistem me intervale kohore

Qëllimi është që sistemi i ri,  i cili aktualisht është në fazat e testimit të saj dhe ka të ngjarë të zbatohet zyrtarisht nga prilli i vitit 2024, do të trajtojë mbipopullimin dhe do të garantojë sigurinë dhe jetëgjatësinë e monumentit./KlanKosova/KultPlus.com

Rama: Nënë Tereza, shqiptarja që i dëshmoi botës forcën e dashurisë dhe dhembshurisë

Kryeministri Edi Rama përcolli mesazh në Ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës.

“5 Shtatori, Dita e Madhe e Shenjtërimit të Nënë Terezës, shqiptares që i dëshmoi botës forcën e dashurisë dhe dhembshurisë. “Në vend se të mallkosh errësirën ndiz një qiri” – Nënë Tereza”, shkroi Rama në rrjetet sociale.

Misionarja shqiptare Agnes Gonxhe Bojaxhiu, lindi në Shkup,  në vitin 1910. Më 1928 shkoi në Indi, ku iu përkushtua ndihmës ndaj të varfërve. Në vitin 1948 ajo u bë një qytetare indiane dhe themeloi urdhrin e Misionarëve të Bamirësisë në Kalkuta, në vitin 1950, duke marrë famë për punën midis të varfërve dhe atyre që po vdisnin në atë qytet.

Për më shumë se 45 vjet ajo u shërbeu të varfërve, të sëmurëve, jetimëve dhe të vdekurve, ndërsa drejtoi zgjerimin e Misionarëve të Bamirësisë, fillimisht në Indi dhe më pas në vende të tjera, duke përfshirë bujtina dhe shtëpi për më të varfërit dhe të pastrehët.

Nënë Tereza vdiq më 5 shtator 1997, në moshën 87-vjeçare.

Në njohje të rolit të bamirësisë në zbutjen e krizave humanitare dhe vuajtjeve njerëzore brenda dhe midis kombeve, si dhe të përpjekjeve të organizatave dhe individëve bamirës, ​​duke përfshirë punën e Nënë Terezës, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, përmes një rezolute, caktoi 5 shtatorin, ditën e vdekjes së Nënë Terezës, si Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë./atsh/KultPlus.com

77 vite nga lindja e Freddie Mercury

77 vite nga lindja e këngëtarit dhe kompozitorit anglez Freddie Mercury, shkruan KultPlus.

Freddie Mercury ishte një këngëtar, kompozitor anglez. Ishte kengetari kryesor i një bande rroku që quhej Queen. Ai lindi me 5 shtator 1946 dhe vdiq më 24 nëntor 1991.

Disa nga këngët me të famshme të bandës ishin: We will rock youShow must go onWe are the championsBohemian RhapsodyDon’t stop me nowSomebody to love etj.

Ai lindi ne Zanzibar dhe për disa kohë kur ishte fëmije jeto në Indi. Ai është cilësuar si një nga zërat më të mirë. Freddie Mercury vdiq nga bronkopneumonia kur ishte vetëm 45 vjeç. Për nder te tij janë ngritur edhe disa statuja./KultPlus.com

Në Tiranë hapet ekspozita për nder të Nënë Terezës, marrin pjesë Osmani e Begaj

Në oborrin e Pallatit Presidencial në Tiranë, është hapur ekspozita me rastin e përvjetorit të vdekjes së Nënës Terezë.

Në këtë aktivitet po marrin pjesë të dy presidentët: Bajram Begaj, president i Shqipërisë dhe Vjosa Osmani, presidente e Kosovës.

Në këtë ekspozitë janë të shfaqura fotografi e dokumente nga arkivat e 3 vendeve shqipfolëse (Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni e Veriut), e që kanë të bëjnë me humanisten shqiptare.

Pas këtij aktiviteti presidentet do të vendosin kurora në monumentin ‘Nënë Shqipëri’.

Kjo ngjarje po organizohet në kuadër të vizitës dy ditore të shefes së shtetit të Kosovës në Tiranë./KlanKosova/KultPlus.com

7 vite nga shenjtërimi i Nënë Terezës

Sot janë bërë 7 vite nga Shenjtërimi i Nënë Terezës, shkruan KultPlus.

Shën Nënë Tereza u shpallë e shenjtë më 5 shtator të vitit 2016. Shenjtërimi i saj u bë para shtatë vitesh, pasi u njohën dy mrekulli të Nënë Terezës, të rasteve të shërmit të njerëzve, pas vdekjes së saj në vitin 1997.

Nënë Tereza, e njohur si Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, është shqiptare e lindur më  26 gusht 1910 në Shkup.

Misioni i saj jetësor ishte t’u dilte në ndihmë njerëzve në nevojë, si njerëz të varfër, të sëmurë, të vetmuar, të pastrehë etj, i cili mision e bëri të pavdekshme në mendjet dhe zemrat e njerëzve në mbarë botën./KultPlus.com

Veshja e Rita Ores shpallet ndër të më bukurat në mbrëmjen gala të amfAR

Galaja amfAR në Festivalin e Filmit të Venecias mblodhi shumë të famshëm që dolën dhe mbështetën fondacionin. Rita Ora dhe Leona Leëis ishin zgjedhur të performonin në eventin që nderoi gjithashtu Ava DuVernay. Të pranishëm ishin edhe  yje si Camila Mendes, Jesse Williams, Bella Thorne, Milla Jovovich, Michelle Rodriguez, Kate Beckinsale, Alejandro Nones, Luke Evans dhe shumë të tjerë.

amfAR është një organizatë jofitimprurëse që është e përkushtuar për të mbështetur kërkimin mbi AIDS, parandalimin e HIV-it, edukimin për trajtimin dhe avokimin. Organizata ka investuar 635 milionë dollarë.

Rita Ora vodhi vëmendjen me paraqitjen e saj dhe mediat e huaja e kanë cilësuar si një ndër të veshurat më bukur./express/KultPlus.com

Agjenda e Presidentes Osmanit sot në Shqipëri

Me ftesë të presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani po qëndron për vizitë shtetërore dy ditore në Shqipëri.

Presidentja Vjosa Osmani dhe presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj në orën 09:00 do të kenë aktivitet të përbashkët me rastin e Ditës së Nënë Terezës në ekspozitën e arkivave. Të dy presidentët marrin pjesë në hapje dhe japin nga një deklaratë.

Me pastaj, Presidentja Osamni do të këtë edhe shumë aktivitetet të tjera. Ndër të tjera ajo do të vizitoj Beratin dhe Durrësin.

Dje gjatë ditës, presidentja Osmani është takuar me homologun e saj, Bajram Begajn, kryeministrin Edi Rama dhe kryeparlamentaren, Lindita Nikolla.

Në kuadër të vizitës shtetërore në Shqipëri, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani u prit në takim nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Gjatë takimit, presidentja Osmani dhe kryeministri Rama diskutuan për aspekte të ndryshme me interes të përbashkët, duke përfshirë rritjen e bashkëpunimin në politikën e jashtme, partneritetin ekonomik dhe stabilitetin rajonal.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka konsideruar të nevojshme vazhdimin e përkrahjes të delegacionit. të Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare e Këshillit të Evropës për përfundimin me sukses të trajtimit të kërkesës së Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë. Këtë deklaratë Osmani e ka bërë gjatë takimit me kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla.

Sipas presidentes Osmani, diplomacia parlamentare ka rol jetik në promovimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

Në këtë kontekst, Osmani dhe kryeparlamentarja Nikolla, diskutuan edhe për mundësitë e rritjes së bashkëpunimit ndërmjet organeve legjislative të të dy shteteve si dhe shkëmbimit të përvojave e kapaciteteve.

Agjenda e plotë për sot

Ora 09:00 – 09.20 – Aktivitet i përbashkët i dy Presidentëve me rastin e Ditës së Nënë Terezës në ekspozitën e Arkivave

Të dy presidentët marrin pjesë në hapje dhe japin nga një deklaratë

Vendi: Presidenca e Shqipërisë

Ora 09:30-09:40 – Ceremonia e vendosjes së kurorës në monumentin “Nëna Shqipëri” me pjesëmarrjen e Nënkryetarit të Bashkise, z. Andi Seferi dhe Komandantit te Gardes se Republikes, z. Gramos Sako

Nisja për në BERAT

Ora 11:15-11:30 – Takim midis Presidentes së Republikës së Kosovës SH.S.Znj. Vjosa Osmani Sadriu, me Kryetarin e Bashkisë së Beratit, Z.Ervin Demo

Vendi: Bashkia e Beratit

11.30-11.45 – Ceremonia e dhënies së Titullit “Patron i Kalasë” Anglisht “Patron of the Castle”). Ky është një titull shumë i lartë ekskluziv, i cili i jepet personaliteteve të shquara që vizitojnë qytetin dhe që kontribuojnë me veprimtarinë e tyre në dobi të qytetit.NISJA PËR NE DURRËS

Ora 16.50-17.15 – Takim me Kryetaren e Bashkisë te Durrësit, zj. Emiriana Sako
Vendi: Bashkia Durrës

Ora 17.30 – Vizite ne piken doganore te Kosovës ne Portin e Durrësit./gazetaexpress/KultPlus.com

‘The Times’: Shqipëria ndër vendet më interesante të Evropës për t’u vizituar

 Nga hotelet e vogla butik në fshatrat franceze që prodhojnë verë, ishujt e pashfrytëzuar në Kroaci deri te peizazhet natyrore të Shqipërisë, ne kemi zgjedhur vendet që do të dëshironit t’i mbanit të fshehta!

Revista prestigjioze angleze “The Times” e ka renditur Shqipërinë mes “25 vendeve më interesante të Evropës për të qëndruar”.

Shqipëria, e vendosur mes Malit të Zi dhe Greqisë në gadishullin Ballkanik ka mirëpritur një numër në rritje vizitorësh, të etur për të eksploruar kulturën dhe traditën e saj unike.

Bukuria e vërtetë e Shqipërisë gjendet jashtë qyteteve, aty ku vargmalet e mëdha malore shtrihen nga veriu në jug si një shpinë e thepisur, me lumenj të kaltër që gjarpërojnë nëpër kanionet e tyre të paanë. 

Një udhëtim në fshatin e thellë të Thethit në Bjeshkët e Nemuna, të njohura edhe si Alpet Shqiptare, është i domosdoshëm, ashtu siç është një udhëtim me traget nëpër liqenin e Komanit për në bujtina të arritshme vetëm nëpërmjet ujit.

Alpet Shqiptare

Shqipëria rrëmben gjithmonë titujt e lajmeve për pushimet buxhetore, por më shumë vëmendje duhet t’i kushtohet peizazhit të saj.

Një mënyrë për ta përqafuar atë është ky udhëtim i ri kërkues, ndonjëherë i ngadaltë, tetëditor në Bjeshkët e Nemuna.

Këtu mund të ecni ose thjesht të relaksoheni duke shijuar kuzhinën e freskët shqiptare si mish i pjekur, fasule të zjera me speca, apo peshk i freskët i shërbyer me sallata të stinës.

Pikat kryesore përfshijnë piknikun në një kasolle barinjsh, një vizitë në fshatin historik të Thethit dhe notin në ujërat e Nderlysaj.

Zona ofron hotele tradicionale butik dhe bujtina./atsh/KultPlus.com

26 vite nga vdekja e Shën Nënë Terezës

Sot janë bërë 26 vite nga vdekja e Shën Nënë Terezës, shkruan KultPlus.

Anjezë Gonxhe Bojaxhiu ka lindur në Shkup më 26 gusht 1910. Ajo është e njohur zakonisht si Nënë Tereza e Kalkutës (dhe e nderuar në kishën katolike si Shën Tereza e Kalkutës), ishte një murgeshë dhe misionare me prejardhje shqiptare.

 U lind në Shkup, asokohe qendra e Vilajetit të Kosovës në Perandorinë Osmane. Jetoi në vendlindje për tetëmbëdhjetë vjet, ajo u shpërngul në Irlandë dhe më pas në Indi, ku jetoi pjesën më të madhe të jetës së saj.

Nënë Tereza themeloi Misionarët e Bamirësisë, një kongregacion katolik, i cili në vitin 2012 kishte më shumë se 4,500 motra dhe ishte aktiv në 133 shtete. Ato ofrojnë shtëpi për njerëzit që janë duke vdekur nga HIV/AIDS, lebra dhe tuberkulozi; ato ofrojnë ushqime, klinika të lëvizshme, programe këshilluese për fëmijët dhe familjet, jetimore, dhe shkolla. Anëtarët duhet t’i përmbahen betimit të “dëlirësisë, varfërisë dhe bindjes”, si dhe një kusht të katërt, për të dhënë “shërbime falas e me gjithë zemër për më të varfërit e të varfërve”.

Nënë Tereza është nderuar me çmimet dhe nderimet më të larta, duke përfshirë: më 1962 Çmimin e Paqes Ramon Magsaysay dhe 1979 Çmimin Nobel për Paqe. Më 19 tetor 2003, ajo u lumturua dhe u quajt “Tereza e Bekuar e Kalkutës”.

Për t’u kanonizuar në shenjtore, asaj duhej t’i njiheshin dy mrekulli.

Dy mrekulli të njohura botërisht i hapën rrugën shenjtërimit të Shën Nënë Terezës:

Dëshmia e parë ishte ajo e  Monika Besra nëna e 5 fëmijëve. Ajo është shprehur se lutja përpara ikonës në Nënë Terezës e shëroi nga sëmundja e tumorit në stomak. Kjo ngjarje kishte ndodhur  një vit pas vdekjes së saj në vitin 1998. Ajo rrëfeu se ishte udhëzuar nga shoqërueset e saj në një kishë ku iu tha që të lutej para fotos së Nënë Terezës. Ato i kishin dhënë një medaljon të Nënës Terezës të cilin e vendosën mbi stomakun e saj. Kur u zgjua Besra tha se dhembja e sëmundja ishte zhdukur. Kjo mrekulli u njoh në vitin 2003 Papa Gjon Pali i Dytë.

Një mrekulli e dytë i është njohur nga Papa Françesku, në dhjetor të vitit 2015, duke i hapur rrugën që ajo të shpallet e shenjt nga Kisha Katolike e Romës. Kanonizimi i saj është bërë më 4 shtator 2016, një ditë para 19-vjetorit të vdekjes së saj (5 Shtator), ku njihet edhe si dita e saj e festës.

Një figurë e diskutueshme si gjatë jetës dhe pas vdekjes së saj, Nënë Tereza u admirua gjerësisht nga shumë njerëz për veprat e saj bamirëse.

Biografia e saj e autorizuar u shkrua nga Navin Chawla dhe u botua në 1992.

Ajo vdiq më 5 shtator 1997 në Kalkutë të Indisë./KultPlus.com

Përfundon “Festivali i Teatrove Ferizaj”, kjo është lista e çmimeve kryesore

Së fundmi përfundoi edicioni i 53-të i Festivalit të Teatrove Ferizaj, duke treguar edhe njëherë madhështinë që mund të japë vetëm teatri, përmes shfaqjeve spektakolare, shkruan KultPlus.

Në mes të shumë polemikave për zhvillimin, financimin dhe suksesin e këtij festivali, edhe një herë me vulën e fortë “Festivali i Teatrove Ferizaj”, dëshmoi forcën e tij se përkundër vështirësive, di të dalë në krye pa problem.

KultPlus iu sjellë listën e çmimeve që u dhanë gjatë natës së sotme, festivali i cili filloi më 27 Gusht:

  • Aurita Agushi – Aktorja më e mirë
  • Shkumbin Istrefi – Aktori më i mirë
  • Arta Selimi – Aktorja më e mirë në rol dytësor
  • Zhaneta Xhemajli – Ylli i ri në ngritje
  • Njomza Luci – Kostumografi më e mirë
  • Bekim Korca – Skenografi më i mirë
  • Ilir Bokshi – Regjisori më i mirë
  • Butrint Pasha – Çmimi Special

Juri profesionale e këtij festivali isihin Ilirjan Himaj, Getoarbë Mulliqi dhe Mentor Zymberaj. /KultPlus.com

Ilir Bokshi fitues i çmimit ‘Regjia më e mirë’

Ilir Bokshi ka fituar çmimin “Regjia më e mirë” në Festivalin e Teatrove në Ferizaj, shkruan KultPlus.

Juria e përbërë nga: Mentor Zymberaj, Getorabë Mulliqi-Bojaj dhe Ilirjan Himaj, ka vlerësuar shfaqjet të cilat janë shfaqur përgjatë festivalit, me çmimet tradicionale.

Festivali ka zgjatur nëntë ditë me radhë, nga 27 gushti deri me 4 shtator/KultPlus.com

Festivali i Teatrove Ferizaj ia shpërblen çmimin për aktorin më të mirë Shkumbin Istrefit

Sot ka përfunduar edicioni i 53-të i Festivalit të Teatrove në Ferizaj, shkruan KultPlus.

Në natën e fundit të këtij festivali, është bërë edhe ndarja e çmimeve fituese.

Aktori Shkumbin Istrefi me rolin e tij në shfaqjen “Arbri”, me regji të Lirak Çelaj, ka fituar çmimin e aktorit më të mirë.

Juri profesionale e këtij festivali isihin Ilirjan Himaj, Getoarbë Mulliqi dhe Mentor Zymberaj. /KultPlus.com