MKRS nënshkruan memorandume bashkëpunimi me dy federata sportive

Në vazhdën e nënshkrimit të memorandumeve me federatat sportive edhe sot në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, u nënshkruan memorandume bashkëpunimi edhe me dy federata sportive.

Memorandumet u nënshkruan me Federatën e Motoçiklizmit dhe me Federatën e Ragbit.

Ministrja Vlora Dumoshi, i nënshkroi memorandumet në emër të MKRS-së ndërsa për federatat firmën e vunë përfaqësuesit e federatave përkatëse. Këto memorandume bashkëpunimi u nënshkruan më qëllim të realizmit të objektivave dhe synimeve të këtyre federatave për vitin 2020.

Gjatë këtij takimi ministrja Dumoshi, dhe drejtuesit e federatave diskutuan për sfidat dhe problemet që kanë federatat, dhe gjithashtu ministrja tha se është e angazhuar që t’iu gjendet pranë sportistëve në këtë kohë të vështirë nëpër të cilën po kalojmë si pasojë e pandemisë.

“Jam jashtëzakonisht e përkushtuar që ta zhvillojmë sa më shumë infrastrukturën sportive në vend pasi që e dimë se sportistë janë ambasadorët më të mirë të vendit”, tha ministrja Dumoshi.

Ndërkaq përfaqësuesit e këtyre federatave falënderuan ministren Dumoshi për mbështetjen e vazhdueshme që po tregon për sportin në vendin tonë ata u shprehen të lumtur se me nënshkrimin e këtyre memorandumeve tani më do të kenë mundësi që të realizojnë në vazhdimësi objektivat dhe synimet e tyre për vitin 2020, duke  theksuar se me kalimin e izolimit do të angazhohen maksimalisht  të rikthehen fuqishëm në aktivitete edhe në gara. / KultPlus.com

Këshillat e Eqrem Çabejt për mësuesit: Mos jini kategorikë

Eqrem Çabej ka qenë një arsimtar, gjuhëtar dhe albanolog i shquar shqiptar. Më poshtë ju sjellim letrën që ai ua kishte kushtuar mësuesve, duke ua kujtuar që mësuesia është mision dhe se shembullin duhet ta japin përmes sjelljes së tyre.

Më poshtë letra dhe këshillat e Eqrem Çabejt për mësuesit.

Ju do të bëheni mësues. Mësuesia nuk është profesion, ajo është mision. Ju do të punoni për formimin e njeriut.
Gabimet që mund të bëjnë profesionistët e ndryshëm, mund të korrigjohen me disa shpenzime, por gabimet që mund të bëni ju me nxënësit, janë të pakorrigjueshme. Po ta formosh shtrembër karakterin e një njeriu, është shumë, shumë e vështirë, në mos është e pamundur, ta ndreqësh atë. Ju duhet të edukoni përmes sjelljes suaj, përmes shembullit tuaj. Në rast se ju silleni keq, edhe sikur të mbani dhjetëra leksione morali, ose leksione për nevojën e sjelljes së mirë, nxënësit nuk do të përfitojnë asgjë, ata do të ndikohen kryesisht prej sjelljes suaj. Shembulli të bën ta ndjekësh njeriun.

• Kur punoni, punoni seriozisht dhe me ritmin e duhur.
• Mos u merrni me muhabete gjatë punës. Kur të pushoni, pushoni vërtet.
• Mos përzieni punën me pushimin dhe pushimin me punën.
• Ata të cilët gjatë punës bëjnë muhabete dhe gjatë pushimit përpiqen të kryejnë ndonjë punë të mbetur në mes, nuk arrijnë rezultatet e duhura.
• Mos jini kategorikë.
• Gjithçka shikojeni me sy kritik.
• Mos e konsideroni veten tepër të rinj dhe të paformuar për të shprehur dyshime, për të hapur diskutime, kur mendoni ndryshe.
• Mos kini turp të pyesni për gjëra që nuk i keni të qarta
• Gjërat e paqarta nuk mbahen mend.
• Mos bëni asnjë punë shkel e shko.
• Mos filloni të shkruani diçka pa e pasur të qartë në kokën tuaj.
• Mos lini asnjë punë pa e përfunduar plotësisht dhe si duhet.
• Mos merrni dhe mos lejoni t’ju marrin dinjitetin nëpër këmbë.
• Jeta e njeriut është një fragment i planeve, dëshirave dhe ëndrrave të tij, prandaj kushtojuni planeve, dëshirave dhe ëndrrave tuaja më kryesore…. / KultPlus.com

Leonita Asllani fiton dy role në filmat e producentit zviceran Angelo Borer

Këngëtare, kompozitore, tekstshkruese dhe instrumentiste, Leonita Asllani u bë e njohur për publikun sidomos pas koncertit të saj të parë në Francë në vitin 2017. Ajo po vazhdon karrierën e saj kryesisht në Zvicër, por kësaj radhe na njofton për një tjetër sukses, shkruan KultPlus.

Së fundmi ajo ishte e ftuar në emisionin “Karaoke Stube” të cilin e drejton këngëtari i famshëm italian Pierro Esteriore, por ky prezantim doli të jetë me shumë fat për të sepse aty i erdhi edhe një ftesë e re, kësaj radhe për një film.

Asllani tashmë është bërë një nga aktoret e filmit fantastiko-komedi “Tourists and Aliens” që për producent ka aktorin, Angelo Borer, ndërsa regjisor Hendy Buchman. Pas këtij filmi ajo do të ketë një tjetër rol të gjatë në filmin “Torquemada’s curse” me po të njëjtit bashkëpunëtorë.
Leonita ka treguar për KultPlus se si i erdhi ftesa nga Borer.

“Angelo Borer e kam takuar në emisionin e Piero Esteriore, Karaoke Stube Tv, ku ishte mysafir. Pastaj filluam që të bisedojmë, gjatë bisedës më pyeti se a më pëlqen aktrimi, dhe i tregova që kisha dëshirë të merrja pjesë në ndonjë film në të ardhmen por nuk e prita që gjërat të shkojnë në kaheje pozitive kaq shpejtë”, thotë ajo.

Filmi i metrazhit të shkurtë “Tourists and Aliens” është një komedi zvicerane dhe është duke u promovuar në shumë festivale të filmit në botë dhe sipas Leonitës, Netflix tashmë është interesuar për këtë film.
“Në filmin “Tourists and Aliens” roli im është si një arkeologe e cila shkon në një vend për të hulumtuar disa fosile, është një rol më i vogël, por si rol i parë për mua është shumë domethënës dhe sfidues”.

Ndërsa filmi i dytë ku do të luaj Leonita është një film triler që quhet “Torquemada’s curse” ku ka një rol më të gjatë se në filmin e parë. Ky do të jetë një film triler, mister që bazohet në një histori të vërtetë Torquemada ekzistonte në të vërtetë në shekullin 1420 si një Inkuizitor i Madh në Spanjën.

“Në filmin “Torquemada’s curse” kam rolin e një luftëtares e cila lufton ndaj disa demonëve të cilët shfaqen në tokë për pushtimin e gjinisë femërore.”
Filmi “Tourists and Aliens” pritet të përfundojë xhirimet në fund të muajit korrik, ndërsa “Torquemada’s curse” në fund të vitit 2020.

Aktori dhe producenti zviceran Angelo Borer po e promovon aktoren shqiptare në rrjetet e tij sociale dhe si duket janë të kënaqur me lojën e saj.
“Raportet mes meje dhe producentit janë mjaftë të mira shpresoj se do ta përfundojmë filmin me një sukses të madh, atëherë mund të vazhdojmë dhe me filma të tjerë”, thotë Asllani.

Ky rrugëtim i ri për Leonitën është i mirëpritur, por mes këngës dhe aktrimit ajo nuk mund të zgjedhë.

“Realisht unë jam rritë në frymën e artit muzikor dhe vazhdoj të jem aktive në këtë profesion, është e vështirë të zgjedhë mes aktrimit dhe muzikës sepse të dyja janë eksperienca jetësore e që mua më përshtaten shumë dhe më sjellin suksese”, thotë për fund Leonita Asllani. / KultPlus.com

Nënshkruhet marrëveshja për investime të reja që do të transformojnë hyrjen e Prishtinës

Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku si dhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, nënshkruan sot marrëveshje bashkëpunimi për investime që do të transformojnë hyrjen e Prishtinës, shkruan KultPlus.

Sipas njoftimin të ministrit, do të ketë gjelbërime masive të rrethrrotullimit dhe ndërtimi i dy mbikalimeve për këmbësorë.

Për këto investime shumë shpejt do të hapet edhe thirrja për dizajn e ide.

Njoftimi i plotë i ministrit Lumir Abdixhiku:

Sot bashkë me Shpendin nënshkruam Marrëveshje Bashkëpunimi për investime që do të transformojnë Hyrjen e Prishtinës. Përveç rregullimeve të nisura në atë pjesë, do të vazhdojmë me gjelbërimin masiv të rrethrrotullimit dhe ndërtimin e dy mbikalimeve për këmbësorë. I pari do të lidhë lagjet në të dy anët e rrugës. I dyti, më i rëndësishmi, do të jetë edhe simbol hyrjeje në Kryeqytet. Për të do të angazhohen palët me interes, përfshirë dhe Shoqatën e Arkitektëve të Kosovës – për t’i dhënë Kryeqytetit një simbol të ri.

Thirrja për dizajn e ide do të publikohet shpejtë. Do të jetë mundësi e mirë për secilin krijues inxhinierik të lë një shenjë.

Diskutuam edhe projektet tona të përbashkëta, me theks të veçantë Rrugën A, Kolektorët si dhe zgjidhjen e shumëpritur për lidhje të rrethit të Fushë Kosovës me Lagjen Arbëri. / KultPlus.com

MKRS dhe UNICEF me program gjithëpërfshirës për fuqizimin ekonomik të të rinjve në Kosovë

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, priti sot në takim shefin e UNICEF-it në Kosovë, Murat Sahin. Ministrja Dumoshi e falënderoi, Sahinin dhe zyrën e UNICEF-it në Kosovë për rolin që kanë luajtur për lehtësimin e menaxhimit të situatës me Covid-19, si dhe vlerësoi lartë dhe angazhimin e UNICEF-it në programe të ndryshme fuqizuese për të rinjtë e Kosovës, në veçanti.

Ajo theksoi se angazhimi i të rinjve dhe infrastruktura ligjore që garanton siguri, punë e aktivizëm të të rinjve në Kosovë duhet të jetë kruciale për institucionet e Kosovës. Ndër të tjera e përgëzoi edhe për iniciativën gjithëpërfshirëse #vizapërfëmijë, e cila përmes përkrahjes dhe thirrjeve për promovimin e politikave gjithëpërfshirëse, ka kontribuar për ambient të barabartë për çdo fëmijë.

Sahini, ndërkaq, e njoftoi Ministren Dumoshi për programet e UNICEF-i të cilat fokusohen në zhvillimin e hershëm të fëmijëve, në fuqizimin e rinisë dhe të fëmijëve me aftësi të kufizuara. Zyra e UNICEF-it në Kosovë që nga viti 2014 implementon programe dhe platforma për të rinj, si UPSHIFT, PODIUM, PONDER, KoVo dhe U-Report, të cilat fuqizojnë të rinjtë dhe i ndërtojnë shkathtësitë për punë dhe jetë.

Marrë parasysh situatën me Covid-19 dhe pasojat ekonomike e shoqërore që do të ketë për shoqërinë, pikë kyçe e këtij takimi ishte bashkëpunimi i mëtejmë i MKRS-së dhe UNICEF-it në lidhje me një program gjithëpërfshirës (Kosovo Generation Unlimited) për fuqizimin e rreth 10.000 të rinjve në Kosovë.

Ministrja Dumoshi u shpreh shumë pozitive dhe e lumtur që ajo si Ministre dhe MKRS do të jetë pjesë integrale e një programi të tillë, i cili e prek pikën më vitale të shoqërisë kosovare – rininë. MKRS dhe UNICEF bashkërisht në javët dhe muajt në vazhdim do të punojnë ngushtë që objektivat dhe informatat rreth këtij programi fuqizues ekonomik t’i bëjnë të çasshme për sa më shumë të rinj.

Ministrja Dumoshi dhe Sahini, u pajtuan që ky të jetë takimi i parë i cili do t’u paraprijë takimeve dhe punëtorive të tjera për bashkëpunim të mëtutjeshëm, në dizajnimin dhe jetësimin e kësaj nisme premtuese. / KultPlus.com

“Të gjitha forcat në këtë botë, nuk janë aq të fuqishme sa një ide së cilës i ka ardhur koha”

Urtësia e mrekullueshme e Viktor Hygosë.

Nuk më intereson se çfarë bën Asambleja Kombëtare e Francës, për aq kohë nuk e bën këtë në rrugë duke frikësuar kuajt.

Ka shumë gjuhë që flasin, por shumë pak koka që mendojnë.

Bisedat e tavolinave dhe ato mes dy të dashuruarve e humbasin fokusin; ato të të dashuruarve janë mjegullnajë, ndërsa bisedat e tavolinave një tymnajë.

Muzika shpreh atë që s’mund të thuhet me fjalë, dhe që nuk mund të qëndrojë në heshtje.

Edhe nata më e errët do të përfundojë, dhe dielli do të lindë sërish.

Të duash një person tjetër, do të thotë të shohësh fytyrën e Zotit.

Disa mendime të caktuara janë përgjërime. Ka momente kur pavarësisht pozicionit të trupit, shpirti është gjunjëzuar.

Njerëzve nuk u mungon forca por vullneti.

Nëse flas, unë jam i dënuar. Nëse hesht, jam i mallkuar!

Ju më pyesni çfarë më detyron të flas? Një gjë e çuditshme: ndërgjegjja ime.

E ardhmja ka disa emra. Për të dobëtin, është e pamundur; për zemërlëshuarit, është e

e panjohur; por për trimat është ideali.

Ka gjithmonë më shumë mjerim në mesin e shtresave të ulëta të shoqërisë, se sa humanizëm tek shtresat e larta.

Nuk është e lehtë të qëndrosh i heshtur, kur vetë heshtja është një gënjeshtër.

Moda ka shkaktuar më shumë dëme sesa revolucionet.

Kur një grua është duke ju folur, dëgjojeni atë që thotë me sytë e saj.

Simptoma e parë e dashurisë tek një djalë i ri është druajtja; tek një vajzë guximi.

Luftë civile? Çfarë do të thotë kjo? A ka në fakt ndonjë luftë të huaj? A nuk luftohet çdo luftë ndërmjet njerëzve, mes vëllezërish?

Kur diktatura është një fakt, revolucioni bëhet një e drejtë.

Ekzistojnë baballarë që nuk i duan fëmijët e tyre; por s’ka asnjë gjysh që nuk e adhuron nipin e tij.

Një hije është e vështirë për t’u kapur për fyti dhe përplasur në tokë.

Të zhbësh gabimet nuk është e mjaftueshme; duhet të ndryshohen edhe zakonet. Stuhia ka kaluar, por era është ende atje.

Anglia ka dy libra, Biblën dhe Shekspirin. Anglia krijoi Shekspirin, por Bibla bëri Anglinë.

Një person me një sy është shumë më i paplotë se një njeri i verbër, pasi i pari e di se çfarë i mungon.

Të gjitha forcat në këtë botë, nuk janë aq të fuqishme sa një ide së cilës i ka ardhur koha.

Vështirësitë krijojnë burrat, ndërsa begatia monstrat.

Vetëm përmes vuajtjes, qeniet njerëzore bëhen engjëj. / KultPlus.com

Mokra, destiancioni turistik mes pafundësive të bukurive natyrore dhe historike

Bukuritë e Mokrës janë të pafundme. Mokra është një nga 76 fshatrat më të bukur të rrethit të Pogradecit. Mes mijëra përrenjve, qindra fshatrave, dhjetëra liqeneve, krahina e mullinjve nga fshati Kozici në Shkumbin të lë pa frymë.

Natyra bujare nuk i ka kursyer asgjë Mokrës. Njerëz punëtorë, të dashur, mikpritës i gjen në çdo fshat të Mokrës. Pozita gjeografike pranë liqenit të Ohrit dhe kushtet klimaterike, e kanë favorizuar këtë krahinë që të popullohet që në kohët antike.

Fshatrat ‘flasin’ për shekuj histori, për sakrifica, e legjenda të rralla.Nga varret ilire të Selcës, rruga Egnatia, Gurët e Nuses, Ura e Golikut, e deri tek liqenet mahnitëse të Lukovës mbi Bishnicë, liqenet e Shën Marenës, Liqenet e Lenies. Mokra të qetëson shpirtin dhe mendjen.

“2 orë nga Tirana të presin pafundësi me bukuri dhe histori. Eja në Mokër”, është ftesa që bashkia Pogradec, i bën të gjithë qytetarëve, që këtë vit të vizitojnë dhe të kalojnë pushimet në fshatin me bukuri të veçanta. / atsh/ KultPlus.com

135 vite pa Viktor Hygon, shkrimtari francez që kapitalin e tij e la amanet për të varfërit


Viktor Hygoi, shuarja e një zemre që ndezi diellin flakatar të humanizmit.

Sot 135 vite më parë, më 22 maj 1885 ndali trokun e vet të drobitur nga vitet dhe dhimbjet, zemra 83-vjeçare, e Viktor Hygoit, babait të romantizmit dhe atit të kombit francez, dalëzotësit të paepur të të nëpërkëmburve, të varfërve, të gjithë atyre që i kishte ndëshkuar më shumë se fati, koha.

Bota e humanizmit me vdekjen e Viktor Hygo, ndahet me një emblem, me një shëmbëlltyrë të pashembullt dhe vetanake në udhëprirjen e njerëzimit përnga barazia, toleranca, drejtësia dhe besimi.

Karroca e të varfërve me kurmin e tretur së gjalli të Hygoi u vendos për një natë nën Harkun e Triumfit dhe u shoqërua nga 12 poetë. Dy milion persona asistuan në ceremoninë e lamtumirës. Franca dhe bota mbarë do të ishte dëshmitare e një prej akteve më solemne të mirënjohjes, e denjë për zotër dhe etër. Ai ishte ati i shpirtrave të shërbyer prej njerëzores. Nga çdo cep i Francës kishin ardhur atë ditë për tu ndarë me zërin e zemrave të tyre. Ajo ishte dhe mbeti për shumë kohë një nga ceremonitë e lamtumirës më madhështorja që njerëzimi kishte parë.

 Viktor Hygoi iku për të mbetur jo vetëm në bibliotekë, në mëndje dhe në përjetime, por edhe në të tashmen, si i gjithkohëshëm.

Të 50.000 frangat që kishte kapital ai e la me amanet për të varfëritë.
I tillë ishte ai. E tillë, pikëlluese dhe e pazëvendësueshme ishte humbja e tij. Me ikjen ai la kryeveprën monumentale, la personazhet, Zhan Valzhanin, Anzholrasin, Gavroshin, Mirielin, Guinplenin, Kazimodon, Esmeraldën, të cilët gjallojnë në frymimin e përgjithmonshëm të penës së tij humaniste, shpirtit të tij të madh, zemrës që troket atëditë e sot në kalldrëmet e fateve të krisura, që zvarget hekakeqe edhe tash mbas 135 vitesh në baltën që përlyen ndërgjegjen e kohërave, për të qenë përherë një zë denoncues, një ndëshkim, një fshikull, një akuzë. / Albert Vataj / KultPlus.com

Postoi fotot e nipërve në Facebook, gjyshja dërgohet në gjykatë

Një gjyshe duhet t’i fshijë fotografitë e nipërve dhe mbesave të saj, të cilat i postoi në Facebook dhe Pinterest pa lejen e prindërve të tyre, ka vendosur një gjykatë në Holandë.

Gjyshja përfundoi në gjykatë, pasi vajza e saj e paditi atë. Gjykatësi vendosi që çështja ishte brenda rregullave të Rregullores së Përgjithshme të BE-së për Mbrojtjen e të Dhënave.

Rasti shkoi në gjykatë pasi gjyshja refuzoi t’i fshinte fotografitë e nipërve dhe mbesave të saj, të cilat i kishte publikuar në rrjete sociale, transmeton Gazeta Express.

Nëna e fëmijëve i kishte kërkuar asaj disa herë që t’i fshinte fotografitë, por ajo nuk e kishte bërë. Rregullorja e BE-së zakonisht nuk aplikohet për të dhënat “shumë personale” ose “shtëpiake”.

Por, pavarësisht kësaj, rasti nuk u përjashtua për shkak se postimi i fotografive në rrjete sociale i bëri ato të gatshme në një audiencë më të gjerë, thuhet sipas vendimit të gjykatës.

“Nuk mund të përjashtohet fakti se fotografitë e vendosura në Facebook mund t’iu bien në dorë palëve të treta”, tha vendimi. Gjyshja duhet t’i fshijë fotografitë ose të paguajë dënim 50 euro në ditë, nëse nuk i fshinë. /KultPlus.com

Filmi “Schauerfilm” i Lorena Sopit fiton “Gold Award” në Festivalin European Screen Awards

Filmi  i metrazhit të shkurtër ‘Schauerfilm’ me skenar dhe regji të Lorena Sopit, ka fituar ‘Çmimin e art’ (Gold Award) në Festivalin European Screen Awards, përcjellë KultPlus.

Filmi njëzetë minutësh me elemente të zhanrit fantastik trajton zhdukjet e çuditshme të studentëve në një shkollë të vjetër formë labirinthi misterioz, rreth së cilës thuren tregime të çuditshme. 

‘Schauerfilm’ që mban titullin e përdorur si parashenjë për ekspresionizmin gjerman në vitet e tridhjeta në kinematografi, është shpallur fitues në kategorinë e filmit të shkurtër evropian në edicionin e shtatë të festivalit European Screen Awards i cili është dashur të mbahet nga data 15 – 21 maj 2020, në Jakarta të Indonezisë, por i cili është mbajtur online për shkak të pandemisë COVIT19.

Është ky çmimi i katërt për këtë film nga 11 festivale ndërkombëtare në të cilat është shfaqur deri më tani. Ditët në vijim, filmi do të shfaqet në Fantastic Film Festival në Barcelonë, festival i cili poashtu do të mbahet online, kurse gjatë muajit qershor do të shaqet në New Directors – New Films Festival dhe në Dublin Independent Film Festival.


Filmi ‘Schauerfilm’ është prodhim i kompanisë AS Film Production nga Prishtina.

Në rolet kryesore të këtij filmi paraqiten: Agron Shala, Afrim Muçaj, Beslidhje Bytyqi, Ylber Bardhi, Kreshnik Malushi, Flutura Mustafa, etj.

Drejtor fotografie është: Besnik Hasolli. Zëri: Gëzim Rama. Skenograf: Uran Duli, Kompozitor: Mendi Mengjiqi. Regjisore: Lorena Sopi. / KultPlus.com

3 vite nga ngjitja e Uta Ibrahimit në Majën Everest, sot mban në duar librin që flet për guximin e saj

Ishte data 22 maj e vitit 2017 kur alpinistja Uta Ibrahimi arriti Majën Everest. Kjo ditë ishte historike për vendin tonë, ndërsa për Utën një ëndërr e realizuar që i shërbej për shumë gjëra, e në veçanti e ka shtyrë atë të bëhet inspirim për të rinjtë e sidomos për fëmijët, shkruan KultPlus.com

Historia e alpinistes së Kosovës, Uta Ibrahimi, me të gjitha sukseset e saj është përmbledhur tashmë edhe në një libër.

 “Uta e Maleve” është libri i cili flet për guximin e saj dhe sot në këtë datë të shënuar ajo mban librin në duar, duke u ndjerë krenare e duke i motivuar njerëzit që të ecin përpara.

Përmes një postimi në Facebook, Uta ka përshkruar momentin e ngjitjes në Majën Everest dhe ka falënderuar të gjithë ata që e kanë ndihmuar në rrugëtimin e saj.

KultPlus ju sjell të plotë postimin e saj:

22 Maj 2017, në ora 0505, e ngjita majën ma të naltë të Botës, Majën Everest 8848metra.

Kur ka dal djelli edhe rrezet ma kanë shkri akullin në fytyrë, mu ka dok që krejt bota po më përqafon në qat moment. M’ka dhan energji me vazhdu me shku te posht edhe nja 15 orë të tjera, pa ushqim e pa ujë.

Çdo ditë pas asaj dite, s’ka qenë ma si përpara. Çdo ditë ka qenë ma e bukur e me shumë sfida!

Prej asaj dite, e kam marr përsipër një punë shumë të dashur për mu e me shumë nevojë për vendin tem …me i inspiru të rinjtë, e sidomos fëmijët <3

Këtë herë bashk me ekipen ma të dashur në botë, e kemi botu librën pë ngjitjen në Everest.

Libri ‘ Uta e Maleve’ / ‘Uta and the Mountains’ është botuar në dy gjuhët, shqipe dhe angleze, e pritet me u botu edhe në shumë gjuhë të tjera nëpër botë, e që do ta ndihmojmë vendin tonë të vogël me zemra të mëdhaja me ec përpara.

Ju du pafund, njerëz të mirë që keni qenë motivi jem që unë me arrit mi realizu andrrat e mia, e që më vonë na u ban endërrat tona <3

Videoja e Çatisë së Botës – ku flamuri i Kosovës valvoi për herë të parë!
https://www.youtube.com/ëatch?v=EGehJ9FexE0&t=8s.

Librin e gjeni në: Dukagjini Bookstore

Mbështësit e Projektit Utalaya dhe Librit: UN Kosovo Team UN Women Kosovo UNICEF Innovations Lab Kosovo UNHCR Kosovo UNFPA Kosovo Komuna e Prishtinës Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Studio Permanent Butterfly Outdoor Adventure Lum Ademi KultPlus.com

Ekipa e Librit: Autore: Teffta Kelmendi, Ilustruesja: Katerina TeRi Nikolovska, Dizajni: Nita Salihu Hoxha Urtina Hoxha. / KultPlus.com

“Gratë, njësoj si dhe ëndrrat, nuk janë asnjëherë ashtu siç i do ti”

Disa nga shprehjet më të bukura për gratë.

“Nga sytë e femrave rrjedh dhe filozofia ime: Ato ndriçojnë ende zjarrin e vërtetë të Prometeut. Janë libri, arti, akademia, që tregojnë, mbajnë dhe ushqejnë botën.”
– William Shakespeare

“Te gratë çdo gjë është zemër, edhe koka.”
– Jean Paul Richter

“Si grua nuk kam vend. Si grua nuk dua asnjë vend. Si grua, vendi im është e gjithë bota.”
– Virginia Woolf

“Për burrin dashuria është një pjesë e jetës, për gruan është e gjithë ekzistenca.”
– George Byron

“Forca e grave rrjedh nga diçka që as psikologjia s’e shpjegon dot. Burrat mund të analizohen, gratë vetëm të adhurohen.”
– Oscar Wilde

“Nuk i duhet besuar një gruaje që tregon moshën e saj të vërtetë. Nëse e bën këtë, atëherë është në gjendje të thotë gjithçka.”
– Oscar Wilde

“Gratë, njësoj si dhe ëndrrat, nuk janë asnjëherë ashtu siç i do ti.”
– Luigi Pirandello

“Femrat nuk janë mjaftueshëm të barabarta me meshkujt, kështu që duhet të bëhemi të domosdoshme. Por, në fund të fundit, kemi armën më të fortë në dorë, jemi femra.”
– Maria Callas

“Gruaja është si një paketë çaji, nuk mund të thuash sa e fortë është deri në momentin që vihet ujë të nxehtë.”
– Eleanor Roosevelt

Hapen Apolonia dhe Memoriali i Skënderbeut, por mungojnë vizitorët

Sajtet e njohura historike në vend, si parku arkeologjik i Apolonisë dhe vendvarrimi i Skënderbeut në Lezhë janë rihapur pas izolimit dymujor, por vizitorët ende nuk janë kthyer. Situata duket e vështirë, së paku deri në hapjen e kufijve.

Vendvarrimi i heroit kombëtar Gjergj Kastriotit në qytetin e Lezhës, hapi dyert këtë javë, por këtij sajti të njohur historik i mungojnë vizitorët. Paulin Zefi, përgjegjës i trashëgimisë kulturore “Duke qenë se Tirana nuk është kthyer zonë e gjelbër, as Shkodra jo nuk ka lëvizje. Po kështu shkollat janë të mbyllura, pasi numri më i madh i vizitorëve përbëhet nga nxënësit dhe studentët është e pamundur … Po kështu ndikon mbyllja e kufijve”.

Sipas Përgjegjësit të Trashëgimisë Kulturore në 2019-tën memoriali i Skënderbeut është vizituar nga rreth 30 mijë vizitorë. Ndërsa pritshmëritë këtë vit janë të ulëta. “Fluksi zakonisht nis në Maj e deri në Shtator, por për shkak të situatës kam frike se nuk do kemi as 1/3 e vizitorëve krahasuar me vitet e kaluara”.

E njëjta situatë paraqitet edhe në kalanë mesjetare të qytetit të Lezhës si dhe muzeun etnografik. Që nga 18 Maji Parku Arkeologjik i Apolonisë në Fier, është i hapur për vizitorët. Specialisti i këtij parku, Admir Xhelaj shprehet se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ka pasur një fluks të madh vizitorësh vendas e huaj.

“Numri gjatë këtyre dy ditëve ka qenë minimal por presim me lehtësimin e masave dhe hapjen e kufijve muajin tjeter që të shtohen vizitorët” tha ai.

Sa i përket hapjes së mozaikut arkeologu thotë se vendimi do të merret nëse do të shtohen vizitorët.  “Ne këtë vit kishim menduar të hapim e mozaikët në sektorin G, pranë Manastirit por kjo do shihet në bazë të vizitueshmërisë”. Xhelaj gjithashtu shprehet se janë marrë të gjitha masat anti-covid, jo vetëm në muze por edhe në ambientet e jashtme. /Shqiptarja.com / KultPlus.com

Lansohet programi për përgatitje për Test të Maturës për maturantë


Në këtë kohe pandemie, Kolegji Universum ofron online dhe falas – Program për përgatitje të Testit të Matures. Programi përfshin të gjitha lëndet, pas plotësimit maturantët mund të shohin rezultatet e përgjigjeve të sakta dhe të gabuara.

Pas lansimit të programit maturantët kanë shprehur interesim të jashtëzakonshëm, mijëra maturantë tashmë i kanë filluar përgatitjet për test të maturës.

Linku për qasje në program https://maturantat.universum-ks.org/

A e dini se? Ju mund ti filloni studimet në Kolegji Universum dhe ti vazhdoni në Kajaani University of Applied Sciences në Finlandë me BURSË 100%! Merr diplomë të dyfishtë finlandeze. Regjistrohu për informata http://tiny.cc/wqpxoz
Për çdo pyetje apo paqartësi kontaktoni Kolegjin Universum në [email protected], 044 144 062 apo na ndiqni në rrjete sociale në facebook & instagram.

(Shkrim i sponsorizuar nga Kolegji Universum)

Rita, edhe njëherë duartrokitje për punëtorët shëndetësorë

Rita Ora ka duartrokitur punëtorët shëndetësorë të Britanisë dhe luftën e tyre kundër koronavirusit.

Rita edhe më parë ka qenë në përkrahje të Shërbimit Kombëtarë Shëndetësorë në Britani e ku e kishte duartrokitur punën e tyrë në vijat e para të frontit kundër COVID-19.

E në këtë luftë në javët e para në Britani kishte marrë pjesë edhe nëna e Ritës, Vera, e cila kishte shërbyer si psikologe për të prekurit nga virusi.

Sonte ajo ka postuar në InstaStory një video ku duartroket përsëri punën e punëtorëve shëndetësorë në Britani kundër pandemisë. /GazetaExpress/ KultPlus.com

Deklarata e Winston Churchill për Shqipërinë dhe luftëtarët e saj

Nga Aurenc Bebja 

“La France” ka botuar, të premten e 5 nëntorit 1943, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me deklaratën e Winston Churchill-it për Shqipërinë dhe luftëtarët e saj, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

 Një deklaratë e z. Churchill për Shqipërinë

 Në përgjigje të një pyetjeje të parashtruar nga një deputet i Dhomës së Komunave, dje, z. Churchill mbajti një fjalim në shenjë nderimi për mijëra luftëtarë shqiptarë që luftojnë në male për lirinë dhe pavarësinë e vendit të tyre.

Nga përvoja e të gjitha vendeve të pushtuara, tha ai, ata kanë mësuar se pavarësia e pretenduar dhe e ofruar nga Gjermania është veçse një mashtrim. Disa javë më parë, pushtimi fashist, të cilin ata refuzuan ta pranojnë për katër vjet, u zëvendësua me atë gjerman. Gjermanët përdorën të gjitha metodat e tyre të zakonshme, me të cilat ata përpiqen të nënshtrojnë të gjithë popujt luftëtarë. Ata kanë bombarduar fshatrat shqiptare, kanë vrarë gra dhe fëmijë shqiptarë. Por luftëtarët shqiptarë vazhdojnë të ngacmojnë armikun dhe të sulmojnë linjat e tij të komunikimit.

Oficerët ndërlidhës britanikë që gjenden me luftëtarët u bëjnë një homazh të madh për cilësitë e tyre luftarake. Ne presim që shqiptarët të luajnë rolin e tyre në përputhje me traditat e tyre të lashta të luftës në ngjarjet e ardhshme ushtarake në zonën e Mesdheut.

“Politika e qeverisë britanike mbetet ashtu siç është përcaktuar nga Ministri i Punëve të Jashtme në deklaratën e tij të 18 dhjetorit 1942: domethënë, ne duam ta shohim Shqipërinë të çliruar nga zgjedha e fuqive të Boshtit dhe të pavarur.

Sigurisht, çështja e kufijve do të shqyrtohet gjatë zgjidhjes së paqes.”

https://www.darsiani.com/la-gazette/la-france-1943-deklarata-e-winston-churchill-ne-dhomen-e-komunave-per-shqiperine-dhe-luftetaret-e-saj/

Sot Dita Botërore e Biodiversitetit

22 Maji është shpallur nga Kombet e Bashkuara si Dita Ndërkombëtare e Diversitetit Biologjik, ose Dita Botërore e Biodiversitetit, me qëllim rritjen e ndërgjegjes dhe të kuptimit më të thellë të çështjeve lidhur me biodiversitetin.

Për herë të parë kjo ditë është përkujtuar nga Komiteti i dytë i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara më 29 Dhjetor 1993, që shënon dhe datën e hyrjes në fuqi të Konventës së Diversitetit Biologjik.

22 Maji si Dita Ndërkombëtare e Biodiversitetit ka temë kryesore globale integrimin e biodiversitetit dhe i kushtohet mbështetjes së njerëzve dhe jetesës së komuniteteve. / KultPlus.com

Vdes shkrimtari boshnjak me prejardhje shqiptare, Bekim Sejranoviq

Ka vdekur në moshën 48 vjeçare shkrimtari boshnjak me prejardhje shqiptare, Bekim Sejranoviq.

Ndarjen e tij nga kjo botë e konfirmoi për mediat e huaja, miku i ngushtë i tij, Damir Uzunoviq, drejtor i një shtëpie botuese në Sarajevë, njofton Klan Kosova.

Shkaqet e vdekjes së shkrimtarit dhe përkthyesit të letërsisë, ende nuk janë bërë të ditura por mësohet se ai vuante nga një sëmundje.

Bekim Sejranoviq lindi më 1972 në Berqko, ku dhe kishte mbaruar shtatë klasë të shkollës fillore.

Që nga viti 1985 ai ka ndjekur Shkollën e Mesme Detare në Rijeka, me gradën shkencore detare.

Pas diplomimit, ai studioi për një vit në Fakultetin e Studimeve Detare në Rijeka, por më pas vendosi të studiojë letërsi kroate dhe krahasuese në Fakultetin Filozofik në Rijeka.

Ai u transferua në Oslo në 1993 dhe mori gradën master në letërsinë sllave të Jugut nga Fakulteti i Historisë dhe Filozofisë në 1999.

Nga viti 2001 deri në 2006, ai punoi si pedagog në fakultetin e përmendur dhe dha mësim për letërsi dhe gjuhë sllave të Jugut.

Që nga viti 2000, ai ka punuar si përkthyes i gjykatës dhe përkthyes letrar.

Shkrimtari boshnjak me prejardhje shqiptare kishte qenë pjesë edhe e festivaleve të ndryshme kulturo-artistike, një ndër të cilat ishte mbajtur më 2013-ën edhe në qendrën e kulturës ”Rexhep Mitrovica” në Mitrovicë.

Sejranoviq në festivalin ”Do You Read Me”, ishte shfaqur para publikut duke lexuar pjesë nga romani i tij ”Sandalet”, i cili përbëhet prej disa tregimesh të shkurta. / Klan Kosova / KultPlus.com

Enver Hoxha në fjalimin e fundit të Stalinit (VIDEO)

Në një video të publikuar në YouTube, kreu i Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike, Joseph Stalin është filmuar në takimin përmbyllës së Kongresit të 19-të të Partive Komuniste të Bashkimit Sovjetik, më14 tetor 1952. I plakur dhe i thinjur, këtu, lideri komunist dhe diktatori i kampit socialist, Stalin, 74 vjeç flet për bashkëpunimin dhe idealet e partive komuniste në botë.

Ky ishte i fundit fjalim i tij drejtuar liderëve komunistë të botës, pasi që vetëm pesë muaj më pas, më 6 mars 1953 Stalini do të vdiste.

Ajo që tërheq vëmendje për publikun shqiptar, është që teksa Stalini mban fjalimin, mbrapa krahut të tij të majtë, shihet lideri komunist shqiptar Enver Hoxha, që me kufje në vesh dëgjon ato çfarë thotë Stalini.

Dy ditë më pas, më 16 tetor 1952, Hoxha do të bëhej 44 vjeç. Diktatori shqiptar Enver Hoxha do të shquhej për admirimin e tij të vendosur për Stalinin. Ai do të refuzonte të dënonte krimet e Stalinit pas vdekjes së këtij të fundit, duke mbetur besnik i stalinizmit deri në vdekje.

Hoxha kishte iniciuar ngritjen e një shtatoreje të Stalinit në qendër të Tiranës, e cila ishte porositur në Rusi, që në të gjallë të diktatorit rus dhe qe vendosur aty.

Diktatura e vendosur nga Enver Hoxha në Shqipëri, është cilësuar si diktatura më e egër e tipit stalinist në gjithë botën komunist.

Idrizi: Kam ngritur flamurin e Kroacisë por unë jam shqiptar

Legjenda e karatesë në Kroaci. Kështu e ka vlerësuar sajti “sportklub.hr”, karateistin shqiptar Enver Idrizi.

Idrizi ka garuar për Kroacinë, ndërsa ishte kampion i Evropës në vitet 1993 e 1995. Po ashtu ka dy medalje të argjendta evropiane e një të argjendtë botërore.

Idrizi 53-vjeçar aktualisht jeton në Gjermani, por gradualisht po kthehet në Kroaci, ku ka kaluar një pjesë të jetës. Ai është nga Shkupi.

“Pasi kam përfunduar karrierën është dashur të shkoj në Gjermani që të punoj për familjen. Më parë ka pasur dallim në financa, por sot do të theksoja se nuk ka ndonjë dallim në mes të Kroacisë dhe Gjermanisë. Në vitet e fundit gradualisht po kthehem në Kroaci, atje jam rritur dhe kam miq. Pak do të aktivizohem edhe në karate, do të marr ndonjë klub dhe do ta ushtrojë. Mendoj se mund të jap kontribut të madh. Mendoj se kam kontribuar në krijimin e shtetit të Kroacisë dhe mendoj se shumë nuk e dinë sa mund të kontribuoj për fëmijët që të jenë kampionë të vërtetë të karatesë”, ka thënë Idrizi.

Ai ka folur për të kaluarën, ndërsa ka thënë se flamurin e Kroacisë e ka prezantuar në mënyrën më të mirë.

“Më duhet të flas hapur. Mua më keni dhënë që të mbrojë një flamur kroat, ndonëse jam shqiptar, ndërsa e kam prezantuar në mënyrën më të mirë që kam mundur. Shumë kroatë që ishin me mua më kanë thënë se jam më i madh se Papa. Kemi pasur telashe që nga vitin 1912 në Kosovë, nuk kam pasur as vend as nënë e baba. Më pas kam parë këtë popull, kemi shumë gjëra të përbashkëta dhe kam ndier se është shtëpia ime dhe kam përqafuar Kroacinë. Unë kam thënë vetëm dy fjali – Kroaci, faleminderit që më ke dhënë flamurin tënd për ta ngritur. Por unë jam shqiptar, nuk mund të them se jam kroat”, ka shtuar Idrizi.

Në vitin1998, Idrizi kishte garuar në Evropianin në Beograd. Sipas sportklub.hr, ai ishte duartrokitur nga të pranishmit.

“Është e vërtetë, nuk e kisha të qartë se çka po ndodhë. Kur kanë shpërthyer duartrokitjet, unë jam kthyer, kam menduar se po vjen ndonjë prej presidentëve. Kur kam përfunduar luftën, gjysma e publikut ka dalë nga salla. Ishte një kombinim i hatashëm. Unë, shqiptar, hyjë me flamur të Kroacisë. Kam menduar se do të më shajnë nëntën, që do të thërrasin ‘Ustash’ , ndërsa isha i gatshëm edhe për rrahje me publikun. Por kur kam hyrë të gjithë janë ngritur në këmbë, të gjithë kanë dashur të më dërgojnë në drekë pas luftës. Nuk e kam ditur nëse jam në Kroaci apo në Kosovë”.

Idrizi ka shkuar tutje duke thënë se ka ndërruar rregullat e karatesë, ndërsa lëvdata ka marrë edhe nga kryetari i Federatës së Karatesë së Kroacisë, Davor Cipek.

“Unë i kam ndërruar rregullat e karatesë. Karateja ishte sport shumë statik, kur kam filluar të luftojë në mënyrë tjetër, kur kam vallëzuar, të gjithë kanë parë diçka të re. Teknikat e mia me këmbë ishin diçka e re, ata nuk kanë mundur të besojnë që të kthehesh për 360 shkallë dhe të godasësh kampionin e botës. Kjo ka qenë aftësia ime që e kam nga Zoti””, ka thënë Idrizi. Koha.net / KultPlus.com

Gazeta franceze “Liberation” për shembjen e teatrit në Shqipëri: E pafalshme, demokracia në rënie

Gazeta e përditshme franceze “Liberation” i ka kushtuar një reportazh të gjatë shembjes së teatrit kombëtar në Shqipëri.

Në artikull ky vendim cilsohet si i pafalshëm, ndërsa u jepet një rëndësi edhe protestave popullore.

SHKRIMI

Të Dielën, autoritetet zgjodhën të shkatërrojnë Teatrin e vjetër në Tiranë, në mes të natës dhe në mes të një pandemie. E pafalshme për mijëra shqiptarë, të cilët protestuan përsëri të mërkurën, kundër rritjes së pandalshme të diktaturës në Shqipëri. Në një atmosferë të rëndë, të shtyrë prej zemërimit dhe trishtimit, me qindra shqiptarë, shpesh me parulla, nga të gjitha rrugët, u bashkuan në qendër të Tiranës.

Vendoset një flamur i verdhë në vendin përpara gërmadhave ku në të mund të lexoni: “Skena e krimit”. Pas tij, prania e madhe e policisë nuk arrin të fshehë rrënojat e Teatrit Kombëtar. Pamjet e shkatërrimit të monumentit në orën 4.30 të së dielës tronditën shumë shqiptarë.
“Teatri ishte diçka që na bashkoi, vajton Xhemali, një biolog i ri, në prag të lotëve. Ishte art! Aktorët flijuan jetën e tyre për të na emancipuar. Larg njohjes së kësaj pune, institucionet e përçmojnë atë plotësisht. Në rrënoja, ka copa kostumesh ose postera të prezantimeve të shfaqjeve të fundit”.

Dëshmitare e gjyqeve të para të krijuara nga diktatura staliniste që përjetoi Shqipëria deri në vitin 1991, skena e teatrit nxiti jetën kulturore për më shumë se shtatëdhjetë vjet.
Për shkak të mungesës së investimeve, ndërtesa, e inaguruar në 1939 gjatë pushtimit të Italisë nga Musolini, u la në gjendje të braktisur deri në kalbje. Për gati dy vjet e gjysmë, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit është përpjekur çdo natë të ngjallë ndërgjegjen për të parandaluar shkatërrimin e tij. Organizata “Europa Nostra”, që lufton për ruajtjen e trashëgimisë kulturore të kontinentit, së fundmi e kishte vendosur atë në krye të listës së monumenteve të kërcënuara.
Ndërsa bashkia bën thirrje për pajtim dhe përpiqet të qetësojë lojën, duke paraqitur projektin për një teatër të ri të zhvilluar nga agjensia daneze e “harkut”, Bjarke Ingels, demonstruesit po bërtasin për maskaradë. Ata tregojnë për aferë dhe mungesë transparence.

Nga tribuna e protestave, regjisori Robert Budina kërkon drejtësi. “Ata e shkatërruan atë vetëm kur i gjetëm paratë në Europë për restaurimin, falas, ndërsa projekti i tyre do t’u kushtojë shqiptarëve 30 milion euro”, tha ai.

Ata kanë një plan tjetër, jo për të ndërtuar një teatër të ri, por kulla. Ky është qëllimi i qeverisë”. Përtej lidhjes sentimentale ose vlerës arkitektonike të ndërtesës, shumë demonstrues erdhën për të shprehur shqetësimet e tyre për politikën e kryeministrit socialist, Edi Rama.
Vështirë sot të imagjinosh që ky artist dhe politikan, pat ngjallur shpresën e rinisë kur u zgjodh kryetar i vendit në vitin 2013.

Premtimet për të luftuar korrupsionin dhe pabarazinë nuk u mbajtën, dhe qindra mijë shqiptarë janë larguar nga vendi vitet e fundit. Reforma e pafund e sistemit të drejtësisë, e kërkuar nga Bashkimi Evropian, nuk frymëzon besim tek qytetarët për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Zgjedhjet e fundit lokale panë që Partia Socialiste garonte vetëm, pa kundërshtarë dhe opozitë.

Më keq, ky vend, pro-evropian, aspirues i afërt i anëtarësimit në BE, është akuzuar se u shërben interesave të “oligarkëve” të industrisë së ndërtimit dhe për zhytjen në autoritarizëm.

Ndërsa Shqipëria nuk regjistron as 1.000 raste të Covid-19, Kryeministri ka aplikuar ligje pothuajse drakoniane, vetëm me lejen e policisë mund të bëhet pazar dhe vendosej shtetrrethim pas orë 13. Në fundjavën e shkatërrimit të teatrit, trafiku i makinave ishte i ndaluar në Tiranë.

A janë kapërcyer linjat e kuqe të demokracisë? Po, thotë Ida Obiqi, 31 vjeç, pa hezituar. “Ne nuk jemi këtu vetëm për artin, por për të rezistuar“, thotë gruaja e re, në mënyrë tragjike. Diktatura nuk është vetëm komunizmi që kemi pësuar.

Diktatura mund të ndodhë në të gjitha vendet, madje edhe ato pluraliste, nëse ka autokraci në krye të shtetit. Kjo është arsyeja pse ne sot bërtasim “Poshtë diktatura”. Për intelektualin, viktimë e konjukturave të regjimit diktatorial të kaluar, Fatos Lubonja: “Ky shkatërrim për shumë shqiptarë është goditje shumë e fortë, jo vetëm kundër kujtesës historike por edhe kundër dinjitetit dhe lirive tona”.

Kjo përbuzje e palodhshme e klasës politike na detyron të organizojmë “shoqërinë civile” me qëllim lirimin e Shtetit nga kapja e krimit të organizuar e të krijojmë kushtet e pluralizmit politik dhe të Shtetit të së drejtës”.

Në një deklaratë televizive Rama përgjigjet se “demokracia nuk është imponim i pakicës me shantazhe, kërcënime e dhunë”.

Në këtë akt të ri të demokracisë shqiptare në rënie, kriza ekonomike e krijuar nga pandemia, do të mbysë me thellë shpresën e ndryshimit.

O moj Shqypni

Poezi nga Pashko Vasa

O moj Shqypni, e mjera Shqypni,
Kush te ka qitë me krye n’hi?
Ti ke pas kenë një zojë e randë,
Burrat e dheut të thirrshin nanë.
Ke pasë shumë t’mira e begati,
Me varza t’bukura e me djelm t’ri,
Gja e vend shumë, ara e bashtina,
Me armë të bardha, me pushkë ltina,
Me burra trima, me gra të dlira;
Ti ndër gjith shoqet ke kenë ma e mira.
Kur kriste pushka si me shkrep moti,
Zogu i shqyptarit gjithmonë i zoti
Ka kenë për luftë e n’luftë ka dekun
E dhunë mbrapa kurr s’i mbetun.
Kur ka lidhë besën burri i Shqypnisë,
I ka shti dridhën gjithë Rumelisë;
Ndër lufta t’rrebta gjithëkund ka ra,
Me faqe t’bardhë gjithmonë asht da.

Por sot, Shqypni, pa m’thuej si je?
Po sikur lisi i rrxuem përdhe,
Shkon bota sipri, me kambë, të shklet
E nji fjalë t’ambël askush s’ta flet.
Si mal me borë, si fushë me lule
Ke pas qenë veshun, sot je me crule,
E s’të ka mbetun as em’n as besë;
Vet e ke prishun për faqe t’zezë.
Shqyptar’, me vllazën jeni tuj u vra,
Ndër nji qind ceta jeni shpërnda;
Ca thone kam fè ca thonë kam din;
Njeni:”jam turk”, tjetri:”latin”
Do thonë: “Jam grek”, “shkje”-disa tjerë,
Por jemi vllazën t’gjith more t’mjerë!
Priftnit e hoxhët ju kanë hutue,
Për me ju damun me ju vorfnue!
Vjen njeri i huej e ju rri n’votër,
Me ju turpnue me grue e motër,
E për sa pare qi do t’fitoni,
Besën e t’parëve t’gjith e harroni,
Baheni robt e njerit t’huej,
Qi nuk ka gjuhën dhe gjakun tuej.
Qani ju shpata e ju dyfeqe,
Shqiptari u zu si zog ndër leqe!
Qani ju trima bashkë me ne,
Se ra Shqypnia me faqe n’dhe!
E s’i ka mbetun as bukë as mish,
As zjarm në votër, as dritë, as pishë;
As gjak në faqe, as nder ndër shokë,
Por asht rrëxue e bamun trokë!
Mblidhniu ju varza, mblidhniu ju gra,
M’ata sy t’bukur q’dini me qa,
Eni t’vajtojmë Shqypninë e mjerë,
Qi mbet’ e shkretë pa em’n, pa nder;
Ka mbet e vejë si grue pa burrë,
Ka mbet si nanë, qi s’pat djalë kurrë!
Kujt i ban zemra m’e e lan’ me dekë
Kët farë trimneshe, qi sot asht mekë?
Këtë nanë të dashtun a do ta lamë,
Qi njeri i huej ta shklasë me kambë?
Nuk, nuk! Këtë marrè askush s’e do
Këtë faqe t’zezë gjithkush e dro!
Para se t’hupet kështu Shqypnia,
Me pushkë n’dorë le t’desë trimnia!
Coniu, shqyptarë, prej gjumit çoniu,
Të gjithë si vllazën n’nji besë shtërngoniu,
E mos shikoni kisha e xhamia:
Feja e shqyptarit asht shqyptaria!
Qysh prej Tivarit deri n’Prevezë,
Gjithkund lshon dielli vap’edhe rrezë,
Asht tok’ e jona, prind na e kanë lanë
Kush mos na e preki, se desim t’tanë
Të desim si burrat që vdiqnë motit
Edhe mos marrohna përpara zotit.

Sekretet e vogla të shkrimtarëve të mëdhenjë

Franc Kafka (1883-1924)

Autorit të Metamorfozës i pëlqente të praktikonte nudizmin, edhe pse kjo ndodhte në raste të rralla. I kalonte pushimet e tij në një hotel në natyrë që quhej “Burimi i të rinjve”, por kishte pak siklet për t’u zhveshur i tëri, dhe i kishin vënë pseudonimin “njeriu me rroba banje”.

Agatha Christie (1890-1976)

Librat e saj kanë shitur miliona kopje, por nuk i ka shkruar ajo. Në fakt ajo vuante nga disgrafia, një çrregullim për të mësuar shkrimin e dorës, që e bënte kaligrafinë e saj të palexueshme dhe prandaj ishte e detyruar t’ia diktonte dikujt tjetër romanet e saj.

Oskar Uaild (1854-1900)

Autori i “Dorian Greit” shprehu diversitetin e tij që fëmijë, kur atij i pëlqente të vishej si femër. Në kolegj nuk praktikonte sportet tipike mashkullore, por merrej me zbukurimin e dhomës së tij me lule.

Xhorxh Bajroni (1788-1824)

Ishte një nga rebelët më të mëdhenj të fillimshekullit të 19. Atij i atribuohen një numër i madh të dashurash, 250 vetëm në një vit, vitin kur vizitoi Venecian. Për të kujtuar femrat që kishte zënë, mbante disa prej qimeve pubike të secilës në një zarf me emrin e vajzës. Lord Bajroni i donte edhe kafshët. Në shtëpinë e tij kishte kuaj, pallua, shpendë të ndryshëm si papagall apo rakun, një dhelpër, një shqiponjë dhe një korb.

Xhejms Xhojs (1882-1941

Kishte një pasion të vërtetë për të pasmet e femrave. Por jo vetëm, i pëlqente të ishte i frustruar dhe i nënshtruar. Këtë e dëshmojnë disa letra nga e dashura Nora Barnacle, që më vonë ishte dhe partnerja e tij. Autori i Uliksit kishte edhe një frikë të madhe ndaj bubullimave, ishte katolik i devotshëm, dhe thoshte se bubullimat janë shprehje e zemërimit të perëndisë.

Xhek London (1876-1916)

Djalë i jashtëligjshëm, kishte një njerkë të alkoolizuar që kur ishte fëmijë e çonte në një pijetore për të blerë birra me kovë. Kështu që i vogli Xhek filloi të pinte që 5 vjeç. Dhe nuk u ndal kurrë. Që në moshën 14-vjeçare pinte si një i rritur. Pas një aksidenti humbi dhëmbët e tij të përparme. Njihej për racizmin e thellë sidomos ndaj aziatikëve.

Leon Tolstoi (1828-1910)

Si fëmijë ashtu edhe adoleshent ishte një student indiferent. Rininë e tij e kalonte mes femrave, bixhozit, alkoolit dhe dueleve. Natën e dasmës detyroi gruan të lexonte ditarin e tij ku ishin shkruar të gjithë aventurat e tij erotike. Këto ndodhën para konvertimit të Tolstoit, që nga ai moment hoqi dorë nga alkooli, duhani, seksi.

Edgar Allan Poe (1809-1849)

Kishte frikë nga errësira dhe e mësoi matematikën duke llogaritur moshën e të vdekurve nga lapidarët e varreve. Ishte i gjithë faji i profesorëve të tij që në shkollën fillore i çonin fëmijët në varreza në fillim të çdo viti shkollor. I jepnin një lopatë të vogël dhe e përdornin për të gërmuar varrin e shokëve të tyre që do vdisnin para përfundimit të shkollës. Kur ishte pa para, ai hiqej si gazetar, duke shpikur artikuj të rreme.

J.R.R Tolkien (1892-1973)

Autori i “Zotit të Unazave” ishte para së gjithash një studiues gjuhësh: mes gjuhëve antike dhe moderne dinte 12 dhe shpiku 14. Profesor i Oksfordit, ishte publikisht i njohur si një shofer i keq, aq sa gruaja e tij refuzonte të hipte në makinë me të kur ecte në qytet. Kishte gërhitje shumë të fortë dhe ndonjëherë gruaja e bindte të flinte në banjë.

Uilliam Shekspir (1564-1616)

Dramaturgu anglez ishte i fiksuar pas parasë. Merrte shumë para borxh nga miqtë e tij, mashtronte departamentin e taksave dhe ishte shumë i ashpër në kërkesat ekonomike të punës së tij. Ishte një bashkëshort i pabesë. Të shumta kanë qenë lidhjet e tij jashtëmartesore.

Me një aksion simbolik, BE-së i kërkohet të reflektojë për qytetarët e izoluar të Kosovës

Me vendosjen e një pëlhure në hyrje të zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, grupi i aktivistëve “Replikë” ka protestuar për izolimin e kosovarëve si pasojë e mosliberalizimit të vizave.

“Bashkimi Evropian tash e një kohë është duke e larguar nga agjenda çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, edhe pse janë plotësuar të gjitha kriteret nga ana e Kosovës. Bashkimi Evropian përmes këtyre veprimeve po tregon qasje ksenofobike ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj, duke i diskriminuar dhe privuar nga lëvizja e lirë pa ndonjë arsye logjike dhe demokratike”, thuhet në njoftimin e “Replikës” për këtë aksion simbolik.

Vendosjen e kësaj pëlhure në hyrje të zyrës së BE-së në Kosovë, “Replikë” ka thënë se e ka bërë që zyrtarët e këtij institucioni të bashkëndjejnë e të reflektojnë për qytetarët e Kosovës, “të cilët padrejtësisht jemi të izoluar dhe të pabarabartë me personat e tjerë të kontinentit të Evropës”.

“Krejt bota është izoluar për shkak të pandemisë, kosovarët jemi të izoluar për shkak të BE-së. E para quhet virus, ndërsa e dyta ksenofobi”, është shkruar në pëlhurë.