At Zef Pllumi është nga nga figurat me të ndritura shqiptare, i cili njohu çdo të mirë dhe të keqe të kombit tonë, madje kjo shihet qartë në një intervistë të rrallë televizive të cilën e kishte dhenë në një moshë të shtyrë, por me mendje të kfjelltë, shkruan KultPlus.
Në një pjesë të intervistës, gazetarja e pyet se prej nga ju vjen e keqja shqiptarëve, At Zefi përgjigjet me një bindje të plotë dhe me një zhgënjim të thellë në ftytyrën e tij.
“E keqja neve na vjen prej vetvedit, prej njani tjetrit, prej shqiptarëve. Na s`kemi dashuni njani me tjetrin, kemi inate, e mllef e kurgja tjetër…Kjo asht e keqja e madhe që na vjen…që na ka ardhë historikisht”, shprehet At Zef Pllumi.
Një burrë i urtë dhe një mendimtar, frati françeskan ka qenë publicist e shkrimtar dhe gjithmonë në kërkim të të vërtetës. Ai ndërroi jetë në vitin 2007 në Romë të Italisë.
“Kjo është e keqja e madhe që na vje e që na ka ardhë historikisht” tregon At Zef Pllumi në vazhdimësi të kësaj interviste. / KultPlus.com
Sot, në nderim të jetës dhe veprës së poetit Xhevdet Bajraj dhe regjisores Vjosa Berisha, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë mbajtur një minutë heshtje.
Kjo kërkesë erdhi nga Eliza Hoxha, deputete nga radhët e PDK-së, e cila tha se me vdekjen e Vjosa Berishës, Kosova humbi një ambasadore të kulturës.
“Sot humbëm një person shumë të rëndësishëm të skenës kulturore dhe kisha pasë dëshirë që në këtë hapësirë të njohim kontributin e saj mbi 20 vjeçar në skenën kinematografike, si ambasadore kulturore e Kosovës brenda dhe jashtë saj. Dua t’i ftoj deputetët për një minutë heshtje për Vjosa Berishën”, tha Hoxha.
Në anën tjetër, Saranda Bogujevci, shtoi se duhet të nderohet edhe poeti Bajraj që vdiq dje.
“Nëse mundem ta shtoj që kemi humbur edhe poetin tonë Xhevdet Bajraj në të njëjtën kohë kështu që respekt të dy”, shtoi ajo./ KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani ka shprehë ngushëllime për familjen Bajraj, me rastin e vdekjes së poetit Xhevdet Bajraj. KultPlus ju sjell të plotë reagimin e presidentes Osmani.
Me dhimbje të thellë pranova lajmin për ikjen e hershme të poetit, z.Xhevdet Bajraj.
Ai ishte poeti, ligjëruesi e intelektuali i angazhuar, i cili ndonëse jetoi larg atdheut u bë ambasador kulturor, duke afirmuar kudo vlerat e lëtërsisë së sotme shqipe.
Poeti Bajraj iku, por vargjet na i la testament për brezat e tashëm dhe të ardhshëm. Krijimtaria e tij do të lë gjurmë të pashlyeshme në letërsinë shqipe.
Ju përcjell ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes, miqve dhe komunitetit kulturor!
Në këto çaste të vështira për ju, bashkëndjej me Familjen Bajraj!
I përhershëm qoftë kujtimi për z.Xhevdet Bajraj! / KultPlus.com
Gazetari i njohur gjerman Markus Preiss ka komentuar paraqitjen e presidentes së Republikës së Kosovës Vjosa Osmani në Samitin e BE-së për Ballkanin Perëndimor, i cili ka thënë nëpërmjet Twitter se kushdo që dëshiron të shoh se si bëhet një komunikim shumë i mirë politik, duhet ta shoh paraqitjen e sotme të Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, shkruan KultPlus.
Markus Preiss është shef i studios së televizionit gjerman ARD në Bruksel. KultPlus ju sjell të plotë reagimin e tij.
«Kush dëshiron të shoh se si bëhet komunikimi shumë i mirë politik, duhet ta shoh paraqitjen e sotme të Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani në Samitin e BE-së për Ballkanin Perëndimor. E qartë si kristali, argumentuese, e strukturuar, pozitive dhe e përsosur retorikisht»./ KultPlus.com
Gjykata Themelore në Ferizaj, në rigjykim e ka dënuar me dënim të përjetshëm Naser Pajazitajn, i akuzuar për vrasjen e Donjeta Pajazitajt në nëntor të 2015-ës.
Akgjykimi ndaj Pajazitajt u shpall të enjten, nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Ibrahim Idrizi, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ky rast kishte marrë epilog dy herë në Gjykatën Themelore në Pejë, ku pas gjykimit të parë Pajazitaj ishte shpallur i pafajshëm, kurse pas gjykimit të dytë, ai ishte dënuar me burgim të përjetshëm. Por, në të dy rastet, aktgjykimet ishin anuluar nga Gjykata e Apelit, përkatësisht Gjykata Supreme dhe lënda ishte kthyer në rigjykim.
Ndërsa, më 27 maj 2021, Gjykata Themelore në Ferizaj, e kishte dënuar Pajazitajn me burgim të përjetshëm për vrasje të rëndë, kurse Gjykata e Apelit më 29 tetor 2021 këtë çështje e ktheu në rivendosje në Gjykata Themelore në Ferizaj.
Fillimisht, Gjykata Themelore në Pejë, në mars të vitit 2018, të akuzuarin Naser Pajazitaj, në mungesë të provave e kishte liruar nga akuzat për vrasjen e Donjeta Pajazitaj, por pas ankesës së prokurorisë, Gjykata e Apelit e kishte kthyer këtë lëndë në rigjykim.
Pas kthimit në rigjykim, Gjykata Themelore në Pejë, në mars të vitit 2019, e kishte shpallur fajtor të akuzuarin dhe e kishte dënuar me burgim të përjetshëm. Ky dënim ishte vërtetuar pastaj edhe nga Gjykata e Apelit në korrik të vitit 2019./ KultPlus.com
Sot në orën 19.00, në mjediset e KultPlus Caffe Gallery, do të promovohet romani i ri “DREMIT LYHNIDI NË VEZULLIM”, i shkrimtarit dhe përkthyesit shumëgjuhësh Elvi Sidheri.
Ky promovim, gjithashtu synon të shndërrohet në një bashkëbisedim të hapur kulturor, me pjesëmarrjen e disa të ftuarve specialë, kushtuar kulturës, letërsisë dhe gjuhëve në rajonin tonë, duke biseduar për pikëtakimet e shumta historike midis popujve të gadishullit tonë, mes shqiptarëve dhe popujve të tjerë fqinjë, pikërisht si tematika e shpërfaqur në faqet e këtij romani, ku shtjellohen imtësisht e kaluara, shtegtimet dhe pleksjet e shumta shekullore, të shqiptarëve të vjetër vendas ortodoksë të qytetit të lashtë të Ohrit, në periudha dhe kontekste të ndryshme historike, gjer në ditët e sotme.
Përmes një rrjedhe ngjarjesh që zhvillohet në disa kohë dhe disa periudha të ndryshme historike, përfshirë Luftën e Dytë Botërore dhe Konfliktin e vitit 2001 në Maqedoni, teksa gjithçka sidoqoftë gjen burim në udhëzat e gurta të Ohrit të moçëm në fundin e viteve 30 të shekullit XX, në faqet e këtij romani përvijohen ngjarjet, jeta, andrallat, guximi dhe mërgimet e njëpasnjëshme të shqiptarëve drejt Lindjes, që i patën shpënë ata nga Bullgaria në Bosfor, nëpër trojet rumune, Besarabi, e deri buzë detit të largët Azov, ku sot viset ukrainase janë përflakur nga lufta heroike kundër agresionit të pashembullt rus./KultPlus.com
Tenori Ramë Lahaj, i cili përgjatë edicionit të vitit të kaluar të Festivalit RLIOF kishte humbur nënën, tashmë në përgatitje të edicionit të dytë të këtij festivali i ka dedikuar një mesazh nënës së tij. KultPlus ju sjell të plotë dedikimin e Lahajt.
Vera, stina qe e kam dashte ma se shumti! Plot jete e gjallni. Veres t’kam gjete ne çdo cep te shpise e t’oborrit. Ti me punet e magjes e t’kopshtit, plot dashni, drite, bujari e buzeqeshje… vet jeta. Nane, ti dilli i jem!
Plot e plot hera, si majmun i malit, t’jam pshtjelle e katrrithe neper pshollak e nder kule. E zhag m’ke marr’ me vete, kurr pa m’hjeke qafe!
Vera! E masi u rrita u bona me pa shume ma shume stine e ngjyra t’dynjase, vera jone meti e preferumja jeme perjete. Se veç veres u shlirojsha prej studimeve, puneve e obligimeve qe jeta me to na i lidhe kamt. E turr e vrap me ardhe te ti, me t’besafu e me ta knaqe shpirtin me sukseset e mija qe ma shume ishin tuat. Ato vishin si rezultat i edukates tane.
Masi u bana i zoti i vetes u mundova me ba vere tan’ vitin, me ardhe fluturim n’perqafimi tan’. Ner qershi tonen me e nda çdo merzi, gezim e suksese me ty. Veç qashtu vera, vitit e vet jeta kish vlere.
Ama ksaj vere qysh kemi me ja ba pa ty !? Nane! Çfare vere asht kjo?
Kush e merr persiper rrezatimin e diellit tan’ !?/ KultPlus.com
Në Ditën Ndërkombëtare të Muzikës, Kuinteti i Tunxhit i Filharmonisë së Kosovës do të paraqitet me tri performanca në tri lokacione të ndryshme në kryeqytet.
Prej orës 15:00, ansambli do të paraqitet me një mini-koncert në oborrin e shkollës fillore “Elena Gjika” për të vazhduar prej orës 15:30 në Parkun e Qytetit dhe duke e përmbyllur shënimin e kësaj dite prej orës 16:00 në platenë e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit./ KultPlus.com
Gra profesionale dhe gra të karrierës nga 50-të shtete të ndryshme të botës janë përzgjedhë në mbrëmjen e “Professional and Career Women” në Dubai, ku edhe janë shpërblyer për kontributin e tyre në fusha të ndryshme, ngjarje kjo që shënon edicionin e dymbëdhjetë, shkruan KultPlus.
Edita Tahiri ishte një ndër gratë pjesëmarrëse të kësaj mbrëmjeje, e cila edhe është vlerësuar me çmim, organizim që është bërë nga Global Qquality Standard, Women Managment dhe Sri Lanken Busines Council.
Edita Tahiri nëpërmjet rrjeteve sociale ka njoftuar se këyë çmim ia dedikon kombit të saj.
KultPlus ju sjell të plotë njoftimin e saj.
Ishte kenaqesi marrja e cmimit boteror Top 50 ne mesin e 50 grave me te suksesshme ne bote. Ndjeva krenari kur degjova emrin tim dhe te Kosoves ne mesin e 50 shteteve te botes te shquara per sukses. Gjate fjales theksova se kete cmim ia dedikoj kombit tim shqiptar qe pati forcen, guximin, fijimin e jashtezakonshem per liri dhe pavaresi perballe sfidave te ndarjes dhe shtypjes, te cilat i mposhtem me sukses. ./ KultPlus.com
Në mjediset e Fakultetit të Filologjisë, të hënën u mbajt mbledhja e radhës e Trupit Këshilldhënës të këtij fakulteti, ku pas ndryshimit të strukturës së TK-së, për shkak të ndryshimit të fushëveprimit të disa anëtarëve të TK-së, u bë plotësimi i këtyre pozitave me anëtarë të rinj.
Anëtare të reja të TK-së u zgjodhën Ardianë Pajaziti nga gazeta online për art dhe kulturë “KultPlus” dhe Besianë Musmurati nga DKA e Prishtinës me të cilat u nënshkrua edhe Marrëveshja e Mirëkuptimit.
Në takim, përveç tjerash, u diskutua për rëndësinë e bashkëpunimit në mes të Fakultetit të Filologjisë dhe institucioneve të tjera e akterëve relevantë në fushën e arsimit dhe të punësimit për të diplomuarit e këtij fakulteti.
Trupi Këshilldhënës (TK) i Fakultetit të Filologjisë është themeluar në vitin 2015 dhe është njësi këshilldhënëse dhe jofitimprurëse, e paanshme dhe e besueshme ndaj vizionit të UP-së, duke u bazuar në vullnetin e mirë të anëtarëve të saj dhe përkushtimit të njësive akademike për ngritjen e cilësisë në veprimtarinë e përgjithshme të fakultetit./ KultPlus.com
Luan Dalipi, Shef i Stafit të Kryeministrit Albin Kurti, ka publikuar të gjitha marrëveshjet që u arritën sot në mbledhjen e përbashkët të Qeverisë së Kosovës me Qeverinë e Shqipërisë.
Dalipi thotë se janë zbatuar shumë prej marrëveshjeve të arritura në mbledhjet e mëparshme të dy qeverive dhe, sipas tij, kjo dëshmon nivelin më të lartë të përgatitjes dhe përkushtimit.
Më poshtë gjeni të gjitha marrëveshjet e renditura nga Shefi i Stafit të Kryeministrit:
TË PËRBASHKUAR!
Mbledhja e 8-të e qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë, 6 muaj pas mbledhjes së kaluar në të cilën u nënshkruan 13 marrëveshje ndërqeveritare dhe 8 marrëveshje ndërmjet institucioneve. Nga gjithsej 127 marrëveshje sa janë nënshkruar deri sot, 75 ose rreth 60% janë zbatuar pa probleme, ndërsa kemi realizim mbi 90% të marrëveshjeve nga mbledhja e nëntorit të kaluar. Kjo dëshmon nivelin më të lartë të përgatitjes dhe përkushtimit në implementim të marrëveshjeve.
Suksese në implementim të marrëveshjeve që u arritën sot (rradhitja sipas paraqitjes):
1. ARSIM: Mundësi konkurrimi dhe vijimi të studimeve në 19 universitete të të dy shteteve, në kushte të barabarta.
2-3. LËVIZJA E LIRË: Drejt lehtësimit të plotë të lëvizjes së lirë mes dy shteteve.
4. GJENDJA CIVILE: Lajmërimi në kohë reale midis dy shteteve për ndryshimeve të gjendjeve civile.
5. DOGANAT: Studim drejt realizimit të sistemit të përbashkët doganor mes dy shteteve.
6. SIGURIMET SHOQËRORE: Drejt përbashkimit të tregjeve të sigurimeve shoqërore të të dy shteteve.
7-8. ENERGJI: Drejt rritjes së sigurisë dhe diversifikimit të furnizimit (zhvillimi i terminalit për LNG/gaz të lëngshëm në Vlorë).
9-10. BUJQËSI: Drejt rritjes së shkëmbimit, sasisë dhe cilësisë së produkteve bujqësore, qasjes në financa të BE-se, si dhe ndërtimit të sistemit të përbashkët të informacioneve/statistikave të të dy shteteve.
11. INFRASTRUKTURË RRUGORE: Studim për përmirësimin e rrugëve ndërkufitare.
12. TRANSPORT: Studim fizibiliteti për >> NDËRTIMIN E LINJËS HEKURUDHORE DURRËS – PRISHTINË <<, projekt që do të vendosë Kosovën dhe Shqipërinë në hartën e korridoreve të rëndësishme ndërkombëtare për transport të njerëzve dhe mallrave (video i prezantuar i bashkëngjitur).
13-14. SHËNDETËSI: Shkëmbimi i ekspertizës dhe shërbimeve në mjeksi, si dhe unifikim i protokolleve për barna dhe pajisje mjeksore midis dy shteteve (shkëmbim i barnave të rralla).
15. TURIZËM: Platformë e përbashkët digjitale për promovim të turizmit të të dy shteteve.
16. RINIA: Shkëmbim i përvojave rreth zhvillimit të politikave dhe aktiviteteve për të rinjët.
17. MBROJTA: Intensifikim I bashkëpunimit dhe konsolidimit të përpjekjeve në fushën e kërkim-shpëtimit malor dhe ujërave territoriale.
18. DREJTËSI: Drejt njohjes së barabartë të provimiit të jurispodencës dhe lejimit të ushtrimit të profesionit të avokaturës në të dy shtetet.
19. ENCIKLOPEDI E PËRBASHKËT: Drejt paraqitjes së fakteve të kombit tonë në një publikim të vetëm dinjitoz./ KultPlus.com
Shkrimtarja e njohur Flutura Açka është shprehur të jetë e lumtur për paralajmërimin e Festivalit RLIOF të Ramë Lahaj, që këtë vit po shënon edicionin e dytë në Prishtinë, e që tenorin Lahaj e vlerëson si një djalë të supertalentuar të trojeve shqiptare.
Mirëpo, duke u bazuar në zhurmën e fundit të zhvendosjes së festivalit “Sunny Hill” nga Prishtina në Tiranë, Açka si duket ka thumbuar këtë lëvizje të festivalit, duke thënë se atdheun nuk duhet parë si tokë, si pallat apo si kompani.
KultPlus ju sjell të plotë reagimin e Flutura Ackës.
Ramë Lahaj
Ndiqeni këtë festival plot klas, të organizuar nga një djalë i supertalentuar i trojeve tona.
[Edhe i madh në qofsh, nuk je Zoti. Atdheun mos e shih si tokë, si pallat, si konçension, si kompani. Ai mund të t’i japë me bujari të gjitha, por në fund, në fundin e fundeve, do të të duhen vetëm dy metra të shtrihesh në paqe, mbi të gjitha, i shpërblyer në dashurinë për të. Ky nuk është patriotizëm i zbrazur, as ka lidhje me emra konkretë, por është materia e njerëzve të mëdhenj.] f.a./ KultPlus.com
Copëza të drurit që formojnë mozaikë, e që brenda këtyre mozaikëve paraqiten figurat më të ndritura të historisë dhe kulturës shqiptare shpërfaqin krijimtarinë e Nagip Tashit, i cili më 25 qershor do të prezantohet me ekspozitë personale te “Mrizi i Zanave” në Lezhë të Shqipërisë, shkruan KultPlus.
Të realizuara në një punëtori modeste në Tërrnoc të Bujanocit, portretet e Tashit që përfshijnë figura si të: Gjergj Kastriotit, Gjergj Fishta, Bekim Fehmiu, Ibrahim Kodra, Ibrahim Rugova, Adem Demaçi, Abdurrahman Shala, Leze Qena, Adem Mikullovci, Arbën Xhaferi, Fahrije Hoti e figura të tjera do të ekspozohen te Mrizi i Zanave, por që kësaj radhe me vëmendje të theksuar të figura e Gjergj Fishtës.
Nagip Tashi ka thënë për KultPlus se ndihet të jetë i nderuar që po vlerësohet puna e tij që ka filluar shumë vite më parë, po që viteve të fundit ka dalë në pah edhe me ekspozita.
Ekspozitën e parë personale, Tashi e ka prezantuar në KultPlus Caffe Gallery, në Prishtinë, për të lëvizë tash në një pjesë tjetër të territorit shqiptar, në Lezhë të Shqipërisë.
Ekspozita “Gjama” e Nagip Tashit është duke u realizuar si bashkëpunim mes “KultPlus” dhe “Mrizi i Zanave”, ceremonia e së cilës do të fillojë në ora 16:00, me 25 qershor. / KultPlus.com
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka njoftuar se do të fillojë renovimi i objektit të Teatrit Kombëtar të Kosovës, renovim që do të përfshijë gjithë objektin, shkruan KultPlus.
Po për këtë ndërhyrje në objektin e TKK-së, ka reaguar dramaturgu Jeton Neziraj, i cili ka thënë se edhe pse në dukje të parë duket të jetë lajm i mirë, sipas tij ky lajm është skandaloz.
KultPlus ju sjell të plotë reagimin e Neziraj.
Në dukje lajm i mirë! Por ncuk! Lajm skandaloz! Qe pse:
Sepse mbyllja e Teatrit Kombëtar për një renovim kaq të thellë, nënkupton mbyllje për një kohë të gjatë! Dhe nëse zyrtarisht këta thonë që mbyllja do të zgjasë 1 vit, atëherë t’jemi të sigurt që mbyllja do të zgjasë së paku 2 vite. Së paku dy vite!
Ndërkohë, nuk është krijuar një plan i ‘zhvendosjes’ së Teatrit Kombëtar diku tjetër; as i stafit administrative e as atij kreativ. Mirë, se disa zyre edhe mund të gjenden diku, ku të zhvendoset administrata, megjithatë, është më se e sigurt që Ministria nuk ka siguruar një hapësirë për program – dhe edhe nëse gjendet ajo hapësirë, do të duhet kohë që të adaptohet dhe të transformohet në hapësirë teatrore. Pra, s’ka shfaqje, s’ka program… Dhe kjo, njerëz, i bie: për së paku dy vitet e ardhshme, edhe një teatër më pak në Prishtinë…
Ndërkohë, vazhdojmë me improvizime, vazhdojmë me vendime për “restaurime emergjente”, vazhdojmë pa Teatër Kombëtar… Edhe ashtu, atje ka mbi 6 muaj që nuk shtë prodhuar ndonjë shfaqje në skenën e madhe!
Propozoj që Teatri Kombëtar të zhvendoset në Shkup (për inati të Tiranës), ose në Podgoricë!/ KultPlus.com
Është vërtetë dëshpruese që Festivali Sunny Hill nuk po mbahet në Prishtinë siç besonim të gjithë, edhepse një gjë e tillë ishte bërë e ditur një vit më parë, përveç të tjerash edhe në emisionin shumë të shikuar Krasta show! Ky lajm i vitit të kaluar u rilind këto ditë me njoftimin zyrtar nga Sunny Hill kompania ose fondacioni, Sunny Hill Foundation, ose “the Sunny Hill” sh.p.k., biznesi komercial, ose organizata e bamirësisë! Për shumë kend, krejt njejtë, por, siç thuhet, djalli është në detaje, e fshehja e detajeve e ndërton gjysëm të vërtetën. Lajmi mbi ikjen e festivalit, ose aratisjen e festivalit u bë, siç e do zakonisht gjysëm e vërteta, dramë. Drama, megjithatë, nuk filloi me këtë gjysmë të vërtetë, “ikje të befasishme.” Ikja e festivalit është vetëm “gjysëm e vërteta” e parë, por jo edhe më e gënjështra më qyqare, siç do të thishte Mark Twain.
Një ‘gjysmë e vërtetë” tjetër, është edhe ARËSYEJA e ikjes së Festivalit. Është, vonesa, zhagitja prej një muaji (?!) për dhënien në shfrytëzim prej 99 vjetësh të 17 hektarëve tokë të Komunës për Festivalin “Sunny Hill!” Lajmi merr përmasa edhe më dramatike e mjegulla sa vjen e rritet! Vonesa dhënien në shfrytëzim prej 99 vjetësh të 17 hektarëve tokë “e largoi Dua Lipën nga Prishtina!” Festivali është ngjarje, e ngjarja nuk aplikon për tokë. Aplikon individi, ose biznesi, ose ndonje organizatë tjetër. Aplikon organizatori i Festivalit! Nuk është dëgjuar ndonjë herë, në ndonjë vend që organizatori i ndonjë festivali në botë të aplikojë për dhënien e tokës në shfrytëzim në kohëzgjatje prej 99 vjetësh, por kjo është një çështje krejt tjetër. Çështja është te organizatori, Fondacioni ose Sh.P.K.-ja!
Për publikun e gjerë, organizator i festivalit është “Sunny Hill Foundation!” Kështu thotë faqja e përditësuar e Wikipedia-s! Kështu është prezantuar shumë herë Festivali edhe nga vet Dua Lipa, atëherë kur me entuziazëm e njoftonte botën për këtë ngjarje që pa ekzagjerim është bërë krenaria e Prishtinës! Dua Lipa e kishte prezantuar “Sunny Hill Foundation,” si “organizatë bamirëse e themeluar në Prishtinë-Kosovë, nën patronazhin e këngëtares/kantautores shqiptare britanike Dua Lipa.”
Megjithatë, sipërfaqen prej 17 hektarësh për të organizuar këtë Festival, nuk e ka kërkuar nga Komuna e Prishtinës “Sunny Hill Foundation!” 17 hektarë tokë i ka kërkuar një entitet krejt tjetër, The Sunny Hill SH.P.K., një biznes i regjistruar si Shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, ku emri i Dua Lipës nuk figuron fare!!!
Kontrata për dhënjen në shfrytëzim të sipërfaqes prej 17 hektarësh është votuar nga Kuvendi komunal, bazuar në perceptim, për të mos thënë huti, se toka po i ndahet entitetit “Sunny Hill Foundation,” Festivalit të Dua Lipës! Në të vërtetë, Kontrata, askund nuk e përmendë entitetin “Sunny Hill Foundation”! Kontrata e votuar nga Kuvendi Komunal për ti dhënë në shfrytëzim prej 99 vjetësh 17 hektarë tokë biznesit The Sunny Hill SH.P.K, me një pronar të vetëm, Dukagjin Lipën! Kontrata nuk e përmendë askund Dua Lipën!
Këto gjysëm të vërteta, për të mos thënë, si Mark Twain, rrena kaq qyqare, e kanë ndërtuar këtë dramë kaq të madhe, kaq tronditëse, kanë shkaktuar aq dëshprim, siç rëndom bën secila propagandë! E në këtë rast, nuk mund ta akuzosh askend për rrenë, se shumë lehtë mund ti ikësh përgjegjësisë për manipulim me të vërtetën nga mosdija.
Sidoqoftë, festivalet më të rëndësishme të muzikës, mund të organizohet qoftë nga fondacionet e bëmirësisë, apo nga korporatat dhe individët me qëllim përfitimi vetanak. Që të dyja janë të ligjshme. New Orleans Jazz and Heritage Festival, ku kanë performuar yjet si Stevie Wonder, e që sjellë fitim prej 400 milion dollarësh është Fondacion bëmirës; Coachella, festivali ndër më të mëdhenjtë në botë, ku ka performuar Lady Gaga është gjithashtu bëmirës; Summerfest, ku ka performuar Paul McCartney e Bob Dillan është organizatë e bëmirësisë, e lista është e gjatë, shumë e gjatë e festivaleve të bëmirësisë…Në festival të tilla, të organizuara nga Fondacione bëmirëse, merr pjesë edhe vet Dua Lipa. Në fund të këtij muaji, për shembull ajo do të këndoj në Festivalin Roskilde, që e organizon një Fondacion qind për qind bëmirës.
Edhe festivalet pronë e korporatave e individëve, janë në rregull. Festivali Glastonbury, si festivali më i rëndësishm britanik, është i tillë. Emrat më të mëdhenj të muzikës, performojnë në atë festival, madje për pagesë shumë më të vogël se zakonisht. Festivali është ngjarje madhështore e kulturës dhe sjell fitime të mëdha, por edhe e ka një veçori, se zhvillohet në Worthy farm, që është pronë private e organizatorit e jo e falur nga komuna. Edhepse biznes, që paguan taksa dhe zhvillohet në pronë të vet, Festivali Glastonbury, gati gjithë fitimin e jep për kauza të mëdha, e mbështet financiarisht organizatën Oxfam, që në tridhjetë vjetët e fundit bën punë të rëndësishme humanitare edhe te ne dhe lëvizjen GreanPeace, që vepron globalisht për parandalimin e ndryshimeve klimatike.
Përkundër kësaj, kushdoqoftë organizator i Festivalit Sunny Hill dhe sidoqë të vendosë Komuna për dhënjen në shfrytëzim prej 99 vjetësh të sipërfaqes prej 17 hektarësh tokë, procesi nuk guxon të mbetet në mjegull. Vendimet nuk guxojnë të mbështeten në gjysmë të vërteta. Transparenca duhet të jetë e plotë dhe përfundimisht, nëse një kontratë e tillë bëhet, duhet ta dijmë se kujt ia dhuron Komuna e Prishtinës në shfrytëzim prej 99 vjetësh sipërfaqen prej 17 hektarësh tokë — “Sunny Hill Foundation,” si “organizatë bamirëse e themeluar në Prishtinë-Kosovë, nën patronazhin e këngëtares/kantautores shqiptare britanike Dua Lipa, ” ose, biznesit privat the Sunny Hill SH.P.K, me një pronar të vetëm, Dukagjin Lipën! Dhe, një kontratë të këtillë, shumë të mundëshme pas këtij dëshprimi të madh, prej 17 hektarësh tokë për shfrytëzim 99 vjet, Komuna e Prishtinës, të plotë, duhet ta bëj publike në shqip e në anglisht, për ne dhe për të gjithë ndërkombatarët dashamirë, që bashkë me ne, janë zhgënjyer e mërzitur që kët vit mbetëm pa Festival.
Për këtë verë, në Prishtinë do të mjaftohemi me MANIFESTA!/ KultPlus.com
KultPlus ju sjell këtë letër dashurie të shkruar nga Nezir Kraki, ku e njëjta letër është lexuar nga aktori Leka Sefla.
…ti je krejt çka ëndërron një mashkull me pasë. Je krejt çka kam ëndërru gjithë jetën të kem. E tash që t’kam, më duket se ende jam në ëndërr.
Je e përkryera e shëndrruar në femër.
Ti nuk e di çfarë force ke. Buzëqeshja jote, bukuria jote, freskia e syve tu, sharmi yt hyjnor, pafajësia jote, butësia jote, droja jote, janë të gjitha burime të pashterrshme lumturie. Janë burim i lumturisë sime sa herë gjendem pranë teje.
Nuk ka germa, fjalë e fjali që mund ta tregojnë atë që je ti, atë që unë shoh tek ti. Je thjesht më e bukur se çdo gjë që gjuhët mund ta përshkruajnë. Je heshtje që flet, je frymë që gjallëron trup e shpirt. Je më e thjeshta që njihet, më e veçanta që takohet, më e ëmbla që shijohet. Prandaj jam i paaftë ta sqaroj besnikërisht atë që je se, siç do thoshte poeti i madh francez René Char, si mund të tregohen gjërat e thjeshta pa u tradhëtuar? Nuk dua ta tradhëtoj atë që je.
*** S’kam shumë sqarime për këtë veç e di që ndjesitë e mia më të thella, më sekrete, më fisnike dhe më të rralla, kanë ardhë drejt teje dhe veç po rriten. Jam dorëzuar tashmë, s’mund t’i ndaloj më dhe as që turpërohem nga ky dorëzim. Në fakt, çuditem me veten time sepse kurrë s’kam besuar që mund t’ekzistojë një person aq i denjë, aq i thjeshtë e aq i plotë në këtë botë të vrazhdë dhe hipokrite.
Ti je ai person.
Ti nuk e di sa e rrallë je në këtë planet. Ti je sinonim i vlerave më të shtrenjta që njeriu duhet t’i ketë. Dhe, sikur të mos mjaftonte kjo, je edhe sinonim i sharmit absolut që një femër mund ta rrezatojë me krejt pafajësinë e saj. Je kombinimi më i rrezikshëm i mundshëm por unë e dua rrezikun. E urrej jetën që shikohet. Vdes për momentin që jetohet.
Shpesh mendoj të të nervozoj me kast veç me e zbutë pak atë dozë të pamatshme sharmi me të cilin më pushton. Kam frikë nga vdekja e parakohshme edhe pse s’do kishte vdekje më të bukur se vdekja nga sharmi yt. Por s’e bëj dot. Nuk dua ta lëndoj atë buzëqeshje, ta trishtoj atë pafajësi. Dua të jem edhe unë burim lumturie për ty, ditë e natë. Atëherë, më lejo të jem regjisor i ëndrrave tua që të sigurohem se edhe mengjesin e nis me buzeqeshje.
M’lejo me t’dashtë dhe dije që… T’du se je Ti./ KultPlus.com
Armend Rexhepagiqi dhe Aida Baraku e kanë në repertorin e tyre edhe këngën “Dugi”. Aktoret Yllka Gashi, Teuta Krasniqi, Edona dhe Loca, aktori Shkumbin Istrefi dhe emra të tjerë janë pjesë e videoklipit të realizuar vite më parë.
Dugi ishte mbret i podiumit tonë Dugi ishte vizion e motivacion Dugi ishte seksi. Dugi ishte transi ishte zanzi-zanzi
Sa ‘pasione’, sa ‘fashion’ sa shumë dëshirë to ‘fight’ me këtë ‘boogie-woogie’-Dugi ‘on a saturday night’
Pa dilema ai ish’simbol i çdo të riu bar për kokëdhembje, si Bekim Fehmiu as Faruk Begolli nuk isht aq ‘boogie’ sikur Dugi
Tash nga Londra erdhi Dugi luan ‘boogie-woogie’ jem’me ngjyrë e jem’pa frymë e nesër çdo gjymtyrë le të dhemb se nga Londra erdhi Dugi luajm ‘boogie-woogie’ veç ai ka ide sa ‘boogie’ jemi ne
Që nga mbrëmja e maturës s’pati gëzim Dugi lidhi këpucët e u nis në udhëtim as bimë, as gjësend s’mbet indiferent shkoi pa ‘happy-end’
S’ka viza për kriza orar, o, shpirti im jemi helm për egoista, nëse kemi guxim
S’është as vendi e as koha për filozofime vulë e jetës sate, vulë e jetës sime formalisht e normalisht është ‘boogie-woogie’ edhe Dugi./ KultPlus.com
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave, por thotë se nuk e di nëse kjo do të ndodhë më 23 qershor ashtu siç paralajmëroi homologu i saj serb Aleksandar Vuçiq.
Ajo thotë se vendimi për t’ia hequr vizat kosovarëve varet nga vullneti individual i shteteve anëtare të BE-së, njofton Klankosova.tv.
“Asnjë arsye që ky proces të bllokohet nuk ka dhe nuk ka pasë as këto katër vite. Do të vazhdojmë të punojmë intensivisht me shtetet anëtare deri në momentin që të merret një vendim që t’i vihet fundi kësaj padrejtësie të madhe dhe të thellë ndaj popullit të Kosovës. Nëse kjo do të ndodhë më 23 qershor, apo në ndonjë datë tjetër, është vullnet individual i shteteve anëtare të BE-së, që shpresojmë se do ta shprehin pro liberalizimit sa më parë të jetë e mundur. Ka akoma disa shtete nga të cilat po presim përgjigje përfundimtare, prandaj do të varet shumë prej qëndrimit të tyre në javët në vijim e sidomos në samitin që mbahet më 23 qershor”.
E para e shtetit konfirmoi se për liberalizimin e vizave janë në kontakt me të gjitha shtetet anëtare të BE-së veç e veç.
“Ka një kohë të gjatë që punojmë intensivisht për të trajtuar çfarëdo lloj pyetje apo shqetësimi që ndonjëri nga shtetet mund ta ketë. Dua ta rikonfirmoj se Kosova vërtet i ka plotësuar të gjitha kriteret, që disa vite tashmë, dhe këtë plotësim të kritereve e ka rikonfirmuar Komisioni Evropian disa herë dhe po ashtu është rikonfirmuar nga Parlamenti Evropian me më shumë se 2/3 e votave në disa votime rradhazi dhe së fundmi edhe vetë rezoluta e Parlamentit Evropian, dje, dëshmoi se është vullnet i PE-së sërish që të gjitha shtetet anëtare ta përkrahin liberalizimin e vizave”./ KultPlus.com
Aktori Tyler Perry ka zbuluar së fundmi se cfarë ndodhi pas incidentit të Oscars të Will Smith.
Gjatë një bisedeme Gayle King si pjesë e serisë së regjisorëve të Festivalit të Filmit Tribeca , Perry, trajtoi momentin tronditës.
Aktori (i cili ishte në Oscars për të nderuar Sidney Poitier gjatë segmentit In Memoriam) u fotografua duke folur me Will së bashku me Denzel Washington menjëherë pas situatës, por siç ia sqaroi King, ai nuk po e “ngushëllonte” atë, por ishte si ” depërshkallëzimi i situatës.
“Ka një ndryshim midis ngushëllimit dhe heqjes së tensionit. Dhe unë u largova herët për të shkuar te Chris për t’u siguruar që ai ishte mirë. Të qenit miq me të dy ka qenë shumë e vështirë,” rrëfeu komediani.
“Më beso, sado e dhimbshme që ishte për të gjithë ne në dhomë, ishte po aq e dhimbshme për Chris, duhet vlerësuar për mënyrën se si e trajtoi situatën”, shtoi ai. “Por unë dua që ju të kuptoni se diçka ndodhi që ishte jashtëzakonisht e dhimbshme edhe për Will. Ky nuk është justifikim. Ai ishte plotësisht i gabuar për atë që bëri. Por diçka e nxiti atë – kjo është shumë jashtë çdo gjëje që ai është.”
Tyler deklaroi gjithashtu se shpërthimi ishte “i gabuar dhe ia tha këtë gjë Smith”.
“Dhe unë do t’ju them, kur shkuam tek ai, ai ishte i shkatërruar. Ai nuk mund ta besonte atë që ndodhi. Nuk mund ta besonte se e bëri atë,” kujtoi aktori. “Unë po e shikoja këtë njeri në sy dhe i thashë: “Çfarë po bën? Kjo është nata jote”. Dhe për të arritur deri në këtë moment, duke fituar një Oscar, ky ishte një nga momentet kurorëzuese të karrierës së tij që ai e donte kaq shumë, dhe që të ndodhte diçka e tillë…”
“Unë mendoj se ai po përpiqet ende të kuptoj se çfarë ka ndodhur,” vazhdoi Perry. “Sepse ajo që do t’ju them është se sapo lexova librin e tij dhe është ky moment ku tregon se nuk mund ta mbronte nënën e tij nga dhuna e të atit kur ishte i vogël . E di, ajo ndjenjë e të qenit burrë dhe të menduarit për djalin e vogël. Dhe nëse kjo traumë nuk trajtohet menjëherë, ndërsa rritesh, do të shfaqet në kohën më të papërshtatshme, më të tmerrshme. Unë e njoh Willin. E njoh mirë. ”
Gjatë shfaqjes së çmimeve të marsit, Smith doli në skenë dhe goditi komedianin Chris Rock për batutën që ai bëri ndaj gruas së tij Jada Pinkett Smithe cila vuan nga alopecia. Disa ditë më vonë, aktori i ‘Bad Boys’ ikërkoi falje publike Rock dhe njoftoi dorëheqjen nga Akademia, e cila më pas e ndaloi atë të merrte pjesë në ceremonitë e tyre për 10 vitet e ardhshme./Lapsi.al
Javën e shkuar pashë një ëndërr që s’harrohet. M’u shfaq një grua e hollë, e gjatë, plot me hije fisnikërie, ndonëse e veshur me rrecka. Unë, pa vënë re varfërinë e veshjes së saj, dhe duke marrë me mend sa e bukur do të dukej sikur të ishte e veshur me mëndafshe, u ngrita me respekt dhe iu fala. – “Zonjë, i thashë, cila jeni Fisnikëria Juaj dhe pse dukeni kaq e mallëngjyer dhe e ngrysur?” – “Unë – tha – jam gjuha shqipe, dhe më sheh kështu të hidhëruar nga mundimet që heq dhe nga rreziqet që më rrethojnë”. – “Zonjë, mos rrini më e ngrysur: sa të jemi ne të gjallë, dhe sa të jenë të gjallë të tjerë si ne… dëshirojmë, Nëno, të të shohim të buzëqeshur”.
Për herë të parë në Kosovë, Platforma Kulturore e Evropës Qendrore (PCCE), në përbërje të shteteve anëtare të BE-së, Hungarisë, Austrisë, Çekisë, Sllovakisë dhe Polonisë, në bashkëpunim me MKRS-në, do të organizojnë një gala koncert muzikorë me artistë të rinj të këtyre vendeve dhe të Kosovës, i cili do të mbahet sonte në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve, në Prishtinë, është bërë e ditur nga MKRS, shkruan KultPlus.
“Para kësaj ngjarje sot u mbajt një takim mes ministrit, Hajrulla Çeku, ambasadorëve të Hungarisë, Dr. József Bencze e atij të Çekisë, Pavel Bilek, shefit të zyrës së Sllovakisë, Rastislav Kostilnik, dhe drejtorëve të PCCE-së të shteteve anëtare, Martin Pammer nga Austria, Rafal Ëolksi nga Polonia, Martina Pivonkova, nga Sllovakia, dhe Klára Nagy-Gery nga Hungaria.
Në takim u diskutua për rëndësinë e këtij organizimi në promovimin e artistëve të rinj dhe thellimin e bashkëpunimit e dialogut kulturor mes shteteve të Evropës Qendrore dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor”, është thënë më ketë rast.
Ndër tjera, në takim, ministri Çeku falënderoi përfaqësuesit e shteteve anëtare të PCCE-së që kanë përzgjedhur Republikën e Kosovës për të organizuar këtë ngjarje të rëndësishme kulturore, ndërsa foli për rëndësinë e komunikimit dhe bashkëpunimit bilateral kulturor të vendit tonë me shtetet përkatëse të platformës dhe me rajonin e Evropës Qendrore.
Në cilësinë e përfaqësueses së PCCE-së, Klára Nagy-Gery, drejtore e PCCE-së së Hungarisë, foli për detajet e koncertit që do të mbahet sonte dhe rëndësinë e shkëmbimit kulturor mes vendeve.
PCCE u lansua në Austri, më 2001 nga gjashtë vende të Evropës Qendrore dhe objektivi kryesor është ruajtja e dialogut të ndërsjellë kulturor, sigurimi dhe mbështetja e projekteve dypalëshe dhe shumëpalëshe të fokusuara në interesat e përbashkëta dhe vlerat kulturore të Evropës Qendrore./ KultPlus.com
Shumëaktivitete kulturore do të shënojnë edicionin e katërt të “Festivali Multikulturor” që organizohet nga OJQ “Voice of Roma, Ashkali and Egyptians”, e që do të mbahet më 17 dhe 18 qershor të Parku i Qytetit në Prishtinë, e që aktivitetet kulturore për dy ditë di të nisin prej orës 11:00 deri në ora 19:00, shkruan KultPlus.
Organizatorët kanë njoftuar për KultPlus se qëllimi kryesor i këtij festivali është ngritja e vetëdijes, promovimi i divesitetit, ndërgjegjësimi për identitetin kulturor të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, ofrimi i hapësirës dhe promovimi i artistëve të rijnë e po ashtu edhe fuqizimi i rolit të gruas në shoqëri duke ofruar mundësi të barabarta për të gjithë.
“Gjatë edicioneve të mëparshme, festivali ka pritur mbi 5000 pjesëmarrës, të cilët patën mundësinë të dëgjojnë dhe të mësojnë nga ekspertët e fushës për identitetin romë, ashkali dhe egjiptian, përfshirë këtu edhe shumë tema tjera të cilat zgjuan interes të veçantë. Në fakt ky festival ishte çelësi në ringjalljen e zemrës kulturore, artistike e mbi të gjitha në inkurajimin e njerëzve, që të mendojnë përtej limiteve të tyre të deritanishme”, thuhet në këtë njoftim.
Festivali Multikulturor do të organizohet për herë të katërt dhe synon të bëhet eventi më i madh në rajon.
“Qëllimi ynë kryesor është të sigurojmë pjesëmarrjen e shumë akterëve kombëtarë dhe ndërkombëtarë, artistëve, politikëbërësve kryesorë me ndikim dhe aktivistëve të të drejtave të njeriut, akademikëve, studentëve dhe palëve të tjera relevante të interesuara të cilët do të ndihmojnë në promovimin e suksesshëm të komuniteteve të margjinalizuara etnike në Kosovë dhe më e rëndësishmja, ngjarja do të vendosë në qendër të vëmendjes dëshmitë autentike nga romët, ashkalitë dhe egjiptianët të cilët kanë prejardhje të ndryshme dhe vijnë nga vende të ndryshme të botës”, bëhet e ditur nga organizatorët.
Qëllimi kryesor i Festivalit Multikulturor është thyerja e ciklit të përjashtimit të romëve, ashkalive dhe egjiptianëve, përmes promovimit të identitetit të tyre, fuqisë së tyre dhe vullnetit të fortë për të qenë të barabartë, si gjithë të tjerët.
“Romët, ashkalitë dhe egjiptianët janë pasuri e këtij vendi dhe kanë çka ti ofrojnë kësaj shoqërie” është potencuar me këtë rast, ku të njëjtit kanë shtuar se dy ditët e Festivalit do të organizohen në Parkun e Qytetit si në vijim:
Paradë plot ngjyra, si një nga pikat kryesore të ditës së dytë. Disa grupe të komuniteteve do të shfaqin me krenari trashëgiminë e tyre kulturore përmes veshjeve të tyre tradicionale;
Tregu i shitësve artizanal që shesin dhe promovojnë një gamë të gjerë të veprave artizanale, ushqimeve, koleksioneve, veshjeve, arteve dhe shërbimeve të veçanta nga e gjithë Kosova;
Prezantimi i kuzhinës tradicionale;
Shfaqje kulturore 3-5 akte në ditë;
Tenda për të rinj dhe fëmijë për një mjedis miqësor ku familjet mund të përjetojnë art dhe muzikë nga kultura të ndryshme përmes shfaqjeve, aktiviteteve praktike, të krijuara posaçërisht për fëmijët dhe familjarët./ KultPlus.com
Presidentja Osmani priti në takim ministrin e jashtëm të Austrisë, Alexander Schallenberg
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ministrin e jashtëm të Republikës së Austrisë, Alexander Schallenberg.
Në takim, Presidentja Osmani ka diskutuar me ministrin Schallenberg për angazhimin e Kosovës në rrugën evropiane të saj.
Presidentja ka theksuar se Kosova ka plotësuar kriteret për liberalizim vizash, ndaj sipas saj, i takon BE-së që ta mbajë premtimin në raport me popullin e Kosovës.
Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka kërkuar mbështetjen austriake jo vetëm për këtë çështje, por edhe për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe organizata të tjera ndërkombëtare.
Gjatë diskutimit për zhvillimet në raport me agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës, Presidentja Osmani ka deklaruar se qëndrimi i Kosovës është plotësisht në përputhje me BE-në, SHBA-të dhe të gjitha vendet demokratike.
Kurse për dialogun Kosovë-Serbi, Presidentja Osmani ka theksuar se ai duhet të përqendrohet në njohjen reciproke.
“Kosova është palë konstruktive në këtë proces dhe rendi kushtetues, sovraniteti dhe kufijtë aktualë janë të panegociueshëm”, ka thënë Presidentja Osmani.
Në takim u diskutua edhe për marrëdhëniet ndërshtetërore, në të cilën dy palët shprehën gatishmëri për thellimin e tyre, në fushën e politikës së jashtme, arsimit, shkëmbimit tregtar, si dhe fusha të tjera të interesit reciprok./ KultPlus.com