Lodra e famëshme Buzz nga Toy Story arrin në Cineplexx me filmin e ri Lightyear ku me këtë rast do të organizohet eventi Dita e Familjes me shumë shpërblime dhe aktivitete argëtuese për fëmijë.
Disney dhe Pixar sjellin njërin prej filmave të shumëpritur të verës, Lightyear i cili po arrin në Cineplexx këtë të diel me eventin Dita e Familjes. Ky event do të mbahet në të dy kinematë, në Prishtinë dhe në Prizren, duke filluar nga ora 11:30 ku përveç super-shpërblimeve do të ketë facepainting falas dhe coloring pages.
Buzz është njëri nga karakteret kryesore në serinë e filmave “Toy Story” mirëpo para se të ishte lodra e Andy-të tani do ta kuptoni historinë e tij të mëparshme. Chris Evans është zëri mbrapa karakterit Buzz i cili është mjaft afër karakterizimit të Tim Allen për të na bërë që të besojmë lidhjen e lodrës së filmit. Lightyear tregon historinë e astronautit të ri Buzz Lightyear, i cili, pasi u fut në një planet armiqësor me komandantin dhe ekuipazhin e tij, përpiqet të gjejë një mënyrë për t’u kthyer në shtëpi përmes hapësirës dhe kohës, duke u përballur gjithashtu me një kërcënim për sigurinë e universit.
Filmi ka vlerësime pozitive nga faqja e kritikëve të filmave Rotten Tomatoes me 82% për animacionin, aktrimin zanor, partiturën muzikore dhe peshën emocionale.
Gjatë eventit që do ta organizojë Cineplexx do të dhurohen shpërblime të ndryshme në të dy kinematë.
Në kinemanë në Prishtinë do të dhurohen:
6x Gift Cards për spa për 4 anëtarë të familjes në Four Points by Sheraton Prishtina City nga Marigona Hill
10x Gift Cards në vlerë prej 20€ nga The Entertainer Kosovo
Për më tepër informata rreth orareve vizitoni webfaqen e Cineplexx Kosovo , ndërsa biletat mund t’i bleni përmes aplikacionit apo direkt në kinema prej orës 15:00./ KultPlus.com
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, paralajmëroi sot se Kosovës do t’i hiqen vizat më 23 qershor.
Në shënjimin e përvjetorit të Betejës së Kosharës, Vuçiqi u pyet se çfarë pret nga takimi i liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor më 23 qershor në Bruksel, dhe përgjigja e tij ishte kjo: “Për herë të parë askush nuk e di se çfarë do të ndodhë, vetëm mund të hamendësoj. Tani po pres që Prishtina të shpërblehet me liberalizimin e vizave dhe të shpjegoj se si do t’i shpërblej ata dhe jo të tjerët”.
Vuçiq ndër të tjera komentoi edhe deklaratën e kancelarit gjerman Olaf Scholz për njohjen e Kosovës, duke thënë se ‘është e jona të negociojmë’, transmeton Klankosova.tv./ KultPlus.com
Një ndër këngët që dëgjuesve ia fal ndjenjën e nostlagjisë së atdheut është “Moj e bukura Arbëri”, e sjellur nga zëri magjik i Vaçe Zelës, shkruan KultPlus.
Kjo këngë nga Vaçe Zela është xhiruar nga RTSH në Institutin e Arteve, e shndërruar në një studio të televizionit, për programin e Vitit të Ri. Ky regjistrim u improvizua e mbeti një nga regjistrimet më dinjitoze të të pakrahasueshmes Vaçe Zela, nën regjinë e Mevlan Shanajt dhe Vera Grabockës.
KultPlus ua sjell tekstin dhe këngën “Moj e bukura Arbëri”:
Në breg pulëbardhat çajnë fluturim si kënga jonë plot mall. Këndojmë nga larg me dashuri, moj Arbëri.
Të parët tanë me brengë të lanë, sa kohë më nuk të panë? por sot si lule më je ti, moj Shqipëri.
(refreni) Valët e detit shkumojnë plot dallgë, bashkë me shokët në breg kemi dalë. Sa kemi mall s’ka deti valë, o moj e bukura Arbëri. Shikojmë nga larg, mendojmë për ty, o moj e bukur Shqipëri.
Këtej ne degë, ti rrënjë matanë, N`mes deti me stuhi. Shkuan kaq mote e degët s’u thanë, moj Arbëri!
Kjo kënga jonë, për ty përherë na djeg si zjarr në gji. Tek zjarri yt ne jemi përjetë, moj Shqipëri!
(refreni) Valët e detit shkumojnë plot dallgë, bashkë me shokët në breg kemi dalë. Sa kemi mall s’ka deti valë, o moj e bukura Arbëri. Shikojmë nga larg, mendojmë për ty, o moj e bukur Shqipëri./ KultPlus.com
Revista “Variety”, më 14 prill 1993, në faqen 75 ka botuar intervistën e gazetares Deborah Young me aktorin e famshëm shqiptar, Bekim Fehmiun. Shkrimi është si më poshtë.
“I vetmi superyll i vërtetë i dalë ndonjëherë nga Jugosllavia, aktori i filmit dhe teatrit, Bekim Fehmiu, është i njohur më së shumti për karrierën e tij unike në Hollivud – si plejboj amerikano-jugor te ‘Aventurierët’ e ‘Paramount’-it më 1970.
Ai ishte gati për një kalim në Hollivud, pasi u bë yll ndërkombëtar me ‘Mbledhësit e puplave’. Ky shans i erdhi në momentin e fundit, kur një aktor rus, cigan i vërtetë, u largua.
Dy dekada më parë Fehmiu e vizitoi botën si superyll i ardhshëm. Tani përpiqet të mbijetojë në një Beograd të shkatërruar nga lufta, si shqiptar i izoluar dhe i rrethuar nga lufta.
Kur ‘Mbledëshit …’ morën çmim të madh në Kanë, dhe një audiencë amerikane më 1968, Fehmiu papritmas kërkohej. Gruaja e Dino De Laurentisit, Silvana Mangano, donte që ai të luante me të te ‘Edipi mbret’, por një angazhim tjetër e prishi atë projekt. Ndërkohë, gruaja dhe djali i Lewis Gilbertit panë ‘Mbledhësit …’ dhe regjisori i dha atij rolin e vrasësit të zonjave – Dax Xenos te ‘Aventurierët’.
Fatkeqësisht, kur gjithçka u tha dhe u bë, Fehmiu kaloi nga ‘Mbledhësi i lumtur’ në një fatkeq. Filmi prej 15 milion dollarësh – një nga më të shtrenjtët të realizuar deri në atë kohë – dështoi; Fehmiu mori përsipër një pjesë të madhe të fajit. Ai i shuajti shpresat e tij në Hollivud.
‘Gabimi i madh i Gilbertit ishte të qenit shumë besnik ndaj romanit të Harold Robbins’, thotë Fehmiu, duke u kthyer prapa në kohë. ‘E bëri atë sikur të ishte duke përshtatur ‘Luftën dhe Paqen’’.
Si 57 vjeçar, Fehmiu jeton në kryeqytetin serb, në Beograd. Edhe ai luajti rregullisht role dytësore në bashkëprodhime të huaja dhe pavarësisht se ishte ylli më i madh i Jugosllavisë në vitet 1960’70, një aksident i rëndë automobilistik e pengoi atë të interpretonte – nga viti 1978 deri në 1981. Edhe pse herë pas here ka xhiruar filma ose seriale televizive jashtë vendit, mendja e tij është fiksuar në luftën që ka copëtuar vendin e tij.
‘Nuk jam i interesuar të aktroj për momentin’, tha Fehmiu për ‘Variety’. ‘Jam shumë i shqetësuar për të gjithë situatën këtu’.
Ai aktualisht mbështet shkollimin e katër të afërmve të tij pasi lufta shkaktoi mbylljen e disa shkollave. ‘Duhet të bësh punën tënde në çdo mënyrë që mundesh’.
Fehmiu pranon se jeta nuk është e lehtë për të si shqiptar në Serbi. Ai jeton me gruan e tij dhe dy djem, njëri prej të cilëve, Uliksi, është aktor i ri në ngritje. Por, pavarësisht luftës dhe persekutimit të grupeve etnike, Fehmiu thotë se nuk do të largohet nga Beogradi. ‘Arratisja është gabimi më i madh. Ka serbë, shumë progresistë, por shumica e intelektualëve janë larguar nga vendi. Unë do të qëndroj dhe do të vdes këtu nëse kjo është e nevojshme”. /Darsiani/
Bekim Fehmiu (foto e vitit 2008, e bërë nga Fahredin Spahija)
Musa Piperku ishte autor i qindra këngëve të zhanreve të ndryshme dhe fitues i shumë çmimeve në fushën e artit muzikor.
Musa Pipërku tash e 17 vjet ka ndërruar jetë, por kënga e tij emblematike “Pranavera në Prishtinë”, një lloj himni kushtuar rinisë, dashurisë dhe Prishtinës, edhe sot ka mbetur një “evergrin” i vërtetë që dëgjohet me ëndje nga të gjitha brezat.
Ai përgjatë krijimtarisë së tij ka krijuar shumë këngë, që numërohen të jenë me qindra. /KultPlus.com
Komisioni për Punë të Jashtme i Parlamentit Evropian miratoi sot një rezolutë për Serbinë dhe një amendament i tij, i cili u përfshi në tekstin përfundimtar, përmend njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.
Është hera e parë që në një raport të Parlamentit Evropian për Serbinë përmendet njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.
Është amandamenti 24 i rezolutës, i cili konfirmon mbështetjen evropiane për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së dhe vlerëson punën e Përfaqësuesit Special të BE-së për Dialogun, Mirosllav Lajçak.
“Është e rëndësishme që autoritetet e Serbisë dhe Kosovës të angazhohen në mënyrë konstruktive për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve me qendër në njohjen reciproke, e cila është kyçe për përparimin e të dy vendeve në rrugët e tyre evropiane dhe do të kontribuojë në stabilitetin dhe prosperitetin rajonal”, thuhet në amandamentin 24 të rezolutës.
Më pas u kërkohet të dyja palëve që të gjitha marrëveshjet e mëparshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të respektohen dhe të zbatohen plotësisht në mirëbesim dhe në kohën e duhur, duke përfshirë edhe atë që ka të bëjë me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Michelle Wolf, një komediane amerikane, në një shou argëtues që prodhohet nga Netflix, ka përmendur Kosovën si një shtet 14 vjeçar që ka arritur të ketë dy gra në krye të vendit.
Komentin e saj ajo e bëri derisa po ironizonte me mungesën e grave në udhëheqje të SHBA-së në ‘stand-up’ komedinë, “Bill Burr Presents: Friends Who Kill”.
“Ne kemi zëvendëspresidenten e parë grua dhe të gjithë u entuziazmuan. Dhe ata thanë: “Tash vajzat e vogla gjithkund…vajzat e vogla gjithkund e dinë se kjo është e mundshme. Po, vajzat e vogla gjithkund e dinë se është e mundshme. Amerika duket se është vendi i fundit që ka një grua lidere. Në fakt, ajo nuk është liderja e vërtetë. Ajo ndoshta mund të bëhet nëse Biden bie në gjumë për një kohë të gjatë. Ne duket se jemi vendi i fundit që kemi një lidere grua. Kosova është një vend që 13 vjet dhe ata kanë tashmë dy gra lidere. Gjermania e ka Angela Merkelin për nuk e di se sa kohë të gjatë, por mjaftueshëm që unë ta di se është Angela”.
Për të ironizuar me zëvendëspresidenten e SHBA-së, Wolf, përveç Kosovës, e mori shembullin edhe udhëheqësen e Myanmarit.
Ka ndërruar jetë në moshën 85-vjeçare shkrimtari i njohur izraelit, Abraham Yehoshua. Sipas mediave të huaja, shkrimtari ka ndërruar jetë në spitalin Ichilov në Tel Aviv pas një beteje të gjatë me kancerin.
Sakaq, varrimi do të bëhet pasdite. Veprat e tij janë përkthyer në njëzet e dy gjuhë. Ndër romanet e tij më të njohura është “Udhëtim në fund të mijëvjeçarit”./abcnews.al
Për nder të figurës së Bekim Fehmiut, artistit shqiptar që arriti majat e suksesit në ekranin dhe në skenën botërore, Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit organizojnë bashkëbisedën: “Kulti i punës në jetën dhe veprën e Bekim Fehmiut” me Fahri Musliun, Fadil Hysajn dhe Milazim Salihun, moderuar nga Aurela Kadriu, thuhet në njoftimin e MKRS-së, bashkëbisedim që do të transmetohet drejtëpërdrejtë në ora 18:40 në RTK, shkruan KultPlus.
“…si institucione dhe si shoqëri duhet të gjejmë një mënyrë që t’a bëjmë të qasshme figurën e tij, përmes njohjes më të thellë të karakterit të tij si artist dhe si njeri, duke nxjerrë në pah atë pjesë e cila do të mund të konsiderohej vlerë trashëgimore dhe model frymëzimi për brezin e tanishëm dhe të ardhshëm të artistëve. Duke e njohur më mirë adn-në kreative të Bekim Fehmiut e cila në bërthamë bazohej në formulën: “punë të madhe për rezultate të vogla”, përvetësimi i një modeli të tillë kreativ do të ishte bazë frymëzuese me vlerë për ata që synojnë majat e suksesit duke integruar si qasje punën këmbëngulëse.” është shprehur grupi punues për hartimin e planit protokollar shtetëror për nderimin, mbrojtjen, dokumentimin dhe promovimin e veprimtarisë së aktorit kosovar me famë botërore Bekim Fehmiu.
Me këtë rast filmi ‘Mbledhësit e Puplave’ do të shfaqet në 7 qendrat kryesore të Kosovës:
Shtatë mëkate vdekatare, të simbolizuara në figura femërore joshëse dhe diabolike, të cilat përmbysin moralin kallp të shoqërisë konsevatore e patriarkale. Është ky subjekti i “Diaboliket” , novela më e re e shtëpisë botuese Pegi, me përkthimin e Diana Çulit.
Diaboliket”, botuar për herë të parë më 1874, shkaktoi një bujë të madhe në Parisin e asokohshëm dhe të gjitha kopjet e librit u sekuestruan nga Ministria e Drejtësisë franceze, sepse përbënte kërcënim për moralin publik. Skandali i madh i siguroi librit një sukses të jashtëzakonshëm, por tani konsiderohet si një klasik i rëndësishëm dhe studiohet në shkollat franceze. Për lexuesin shqiptar vjen i përkthyer nga Diana Çuli, në logon e Botimeve Pegi.
“Diaboliket” është vepra më përfaqësuese e shkrimtarit Jules-Amédée Barbeyd’Aurevilly: krijesat e tij, perverse dhe tërheqëse, të përbindshme dhe të adhuruara, përshkruhen me kënaqësinë e atij që, teksa lë të shfaqet kudo dëshira dhe epshi, i jep rëndësierotike çdo detaji, dhe heronjtë e tij, dandy të lodhur e të zhgënjyer, verbohennga eleganca, sqima, luksi dhe nga të gjitha ëndjet e shqisave.
Libri, i përbërë nga gjashtë novela, rrëfen për një shoqëri viktoriane, borgjeze, patriarkale, me fjalët të tjera, një shoqëri e përqendruar te burrat, konservative, e dominuar nga arsyeja. Mirëpo, gjendet përballë faktit që jeta jonë ushqehet nga pasionet dhe emocionet, veçanërisht nga ato seksuale: tërheqja, eksitomi dhe natyrisht, dashuria erotike.
Barbeyd’Aurevilly, i pakënaqur me botën ku jeton, është i shqetësuar ngakontrasti i madh mesnjë morali të ngurtë katolik dhe një shijeje tëpanënshtruar për situatat dhe ndjenjat e sëmura, ai mëton të shfaqëaristokracinë nën dritat e një teatri me perversitete nga më të rafinuarat e dredharake.
“Ky është një kremtim i shtatë mëkateve vdekjeprurëse, pa iu vënë përballë shtatë virtyte kardinale. Për më tepër, është një kremtim i krenarisë, i krenarisë së aristokracisë së lashtë të së keqes..”, shkruan poeti frëng CharlesBaudelaire
“Diaboliket” ju flet gjithë lexuesve të letërsisë dekadente dhe gotike e sidomos atyre që u pëlqejnë romanet me gra fatale.
…dashuria jonë më e madhe nuk është as e para e as ajo e fundit, siç besohet së shumti: por e dyta. Mirëpo, kur është fjala për dashurinë, gjithçka mund të jetë e vërtetë e gjithçka mund të jetë e rreme…, shkruan autori.
Jules-AmédéeBarbeyd’Aurevilly lindi në Saint-Sauveur-le-Vicomte të Normandisë, më 1808. Në moshën 18-vjeçare shkoi në Paris, ku jetoi gjithë jetën e vet, duke shfaqur, falë një rente të lënë në trashëgimi nga xhaxhai i vet, shije aristokrate dhe sqimë të jashtëzakonshme, derisa, për shkak të varfërisë, u detyrua të punonte si gazetar dhe kritik letrar. Ishte i prirë drejt zhanrit të historive misterioze, që eksploronin shtytjen e brendshme të njeriut drejt së keqes, duke cekur madje dhe të mbinatyrshmen. Ai ishte liberal dhe ateist, por më vonë u konvertua në katolicizmin roman. Ai dha një ndihmë të madhe në promovimin e shkrimtarëve, që më vonë u bënë me famë botërore, si Stendhal, Flaubert dhe Baudelaire.
Ky libër vjen si pjesë e koleksionit “Skandal” të botimeve Pegi, mbështetur nga programi “Europa Krijuese”, nën sloganin se… çdo libër i ndaluar ia vlen për t’u lexuar.
Pas sukseseve të kinematografisë kosovare në skenën ndërkombëtare, organizata kulturore 7Arte organizon një javë me shfaqjen e filmave më të njohur Kosovar, shumica prej të cilëve shfaqen për herë të parë para publikut mitrovicas.
Për shtatë ditë me radhë, duke filluar nga 20 –26 qershor, nga ora 21:00, do të shfaqen 8 filma në ambient të hapur, më konkretisht në terasën e 7Arte që gjindet në qendër të qytetit.
Programi i filmave të paraparë për këtë javë: “Luaneshat e Kodrës” (83’), “Zana”(97’), “Babai” (94’), “Cirku Fluturues”(115’), “Zgjoi” (84’), “Pa Vend (15’); Në Mes (18’), si dhe “Rooftop Story”(74’).
“Java e Filmit Kosovar” në Mitrovicë fillon me shfaqjen premierë të filmit “Luaneshat e Kodrës” nën regji të Luana Bajramit, e cila bashkë me producenten Valbona Rrahmanin, do të jenë të pranishme dhe do të bashkëbisedojnë me audiencën pas shfaqjes së filmit.
Të gjitha të hyrat nga shitja e biletave do iu dedikohen kineastëve kosovar, si mbështetje e cila përkon edhe me vet qëllimin e organizatës 7Arte. Ky aktivitet realizohet në koordinim dhe mbështetje të Qendrës Kinematografike të Kosovës si dhe produksioneve filmike.
7Arte përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut./ KultPlus.com
Aktorja e njohur, Amber Heard ka folur për herë të parë në intervistë që nga vendimi në gjyqin e saj për shpifje, duke zbuluar se ajo nuk “fajëson” jurinë për mbështetjen e ish-bashkëshortit të saj Johnny Depp dhe për mbulimin e mediave sociale që rrethojnë çështjen.
Një vrojtim i intervistës së Heard me Savannah Guthrie u transmetua në emisionin “TODAY” të NBC të hënën (13 qershor)
Duke folur për vendimin e jurisë, Heard tha: “Unë nuk i fajësoj ata”.
“Unë në fakt e kuptoj. Ai është një personazh i dashur dhe njerëzit mendojnë se e njohin. Ai është një aktor fantastik”, tha ajo për Depp, shkruan NBC News.
Heard e quajti furinë e mediave sociale për rastin e saj “të padrejtë” pasi shumë postime në TikTok dhe Twitter dukej se favorizonin Depp gjatë gjyqit gjashtë-javor.
Hashtagu i TikTok “Drejtësia për Amber Heard” mori 27 milionë shikime, ndërsa një për Depp arriti në 20 miliardë shikime.
“Nuk më intereson se çfarë mendon dikush për mua ose çfarë gjykimesh doni të bëni për atë që ndodhi në privatësinë e shtëpisë sime, në martesën time, pas dyerve të mbyllura. Unë nuk supozoj se një person mesatar duhet t’i dijë ato gjëra. Dhe kështu nuk e marr personalisht”, tha ajo.
“Por edhe dikush që është i sigurt se unë e meritoj gjithë këtë urrejtje dhe vitriol, edhe nëse mendon se po gënjej, prapë nuk mund të më shikosh në sy dhe të më thuash që mendon se në mediat sociale ka pasur një përfaqësim i drejtë”. Nuk mund të më thuash se mendon se kjo ka qenë e drejtë”, tha tutje aktorja.
Depp, i cili nuk ishte në gjykatë për vendimin për shkak të një angazhimi të planifikuar më parë, paditi për 50 milionë dollarë dëmshpërblim për një ese të autorizuar të vitit 2018 nga Heard në The Washington Post, në të cilën ajo tha se ishte bërë një “figurë publike që përfaqësonte abuzimi në familje”.
Edhe pse eseja nuk e përmendi kurrë Depp me emër, avokatët e tij thanë se i referohej indirekt akuzave që ajo bëri kundër tij gjatë divorcit të tyre në vitin 2016.
Heard e kundërshtoi Deppin për 100 milionë dollarë, një pretendim i përqendruar rreth tre deklaratave të bëra nga ish-avokati i Depp, Adam Waldman në vitin 2020 për Daily Mail, në të cilat ai i përshkroi akuzat e Heard për abuzim si një “mashtrim”.
Për gjashtë javë, një juri e Virxhinias – dhe publiku që e vëzhgonte nga afër – mësuan për jetën private të Heard dhe Depp dhe se si martesa e tyre u bë e ashpër.
Më 1 qershor, juria vendosi se Heard kishte shpifur për Depp dhe dëmtoi karrierën e tij me pretendimet e saj për abuzim në familje, duke i dhënë Depp 15 milionë dollarë dëmshpërblim. Shuma prej 5 milionë dollarësh dëmshpërblim u reduktua në 350,000 dollarë, që është kufiri ligjor ose kufiri ligjor i shtetit, duke e bërë dëmin total të tij në 10.4 milionë dollarë.
Avokati i Heard, Elaine Bredehoft, tha më parë për “TODAY” se Heard synon të apelojë dhe nuk mund të paguajë vendimin prej 10.4 milionë dollarësh për këtë çështje./ KultPlus.com
Doni të dini çfarë është atdheu për fëmijët tanë? Një mësues në një shkollë të Beratit pyeti nxënësit dhe përgjigjet e tyre i postoi në Facebook.
Kushtojini dy minuta kohë t’i lexoni dhe do shikoni se mes tyre ka sa optimizëm, krenari por dhe pesimizëm dhe dëshirë për të ikur drejt një vendi tjetër.
Pergjigjet nxënësve të mësuesit Namir Lapardhaja
“Çfare eshte atdheu per ju?” – pyeta sot nxenesit e mi.
Silvana: Atdheu eshte djepi i lindjes, shtepia e arritjes dhe varri i te vdekurit.
Ersjona: N.q.s do te kisha pasur fatin te lindja dhe te jetoja ne nje vend tjeter brenda apo jashte kufijve evropiane, atehere mund te thoja se atdheu eshte gjithçka, por, meqe kam pasur fatin e keq te lindja ne Shqiperi, atehere po them se atdheu per mua eshte nje cope toke ku jam detyruar te jetoj dhe te punoj fort per t’u larguar sa me shpejt prej tij.
Thanas: Atdheu eshte shtepia jone, identiteti yne. Ai na jep emrin shqiptar. Pavaresisht te mirave dhe te keqiave, atdheun ta duam dhe te kontribuojme sado pak me punen tone. Çdo gje e mire eshte kontribut ndaj vendit ku jetojme.
Pa emer: Atdheu per mua eshte t’i hipesh kamjoneve per ne Angli ose maleve per ne Greqi. (P:S – Me pak fjale, vertet eshte atdheu vendi ku kemi lindur, por nuk eshte vendi ku do jetoja)
Renato: Atdheu eshte per mua vendi i cili fatkeqesisht na e ka dhuruar Zoti por jemi te detyruar dhe me nje fare menyre kemi nje deshire te brendshme per te kur luan kombetarja (Nuk jam ironik!)
Ilva: Per mua atdheu eshte vendi ne te cilin veshtiresi te ndryshme na detyrojne te jetojme.
Megi: Atdheu eshte toka ku ne kemi lindur, ku flasim te njejten gjuhe dhe vendi ku nuk duam te jetojme.
Anxhelina: Atdheu im per mua eshte vendi qe nuk dua te nderroj me asnje tjeter. Pasi nuk ke per te gjetur asnje si vendi yt.
Pa emer: Vendi me i mallkuar per ne.
Pa emer: Atdheu eshte vendi ku ne lindim, jetojme dhe vdesim.
Pa emer: Atdheu eshte origjina jone.
Andrea: Atdheu eshte gjeja me e shtrenjte qe une kam.
Vasil: Atdheu yne eshte vendi ku askush nuk do te donte te jetonte. Thjesht mjerim.
Olgert: Atdheu eshte nje cope toke ku te gjithe perreth flasin gjuhen qe flet ti.
Komenteve poshtë postimit të tij mësuesi u përgjigj
“Ka pasur shume reagime sot per kete postim. Ne gjykimin tim te gjitha pergjigjet e nxenesve nga fillimi ne fund kane qene, mbi te gjitha, inteligjente dhe te zgjuara. Pavaresisht se çdokush i ka lexuar dhe ka marre prej tyre vetem ate pjese qe i ka interesuar. Qellimi ka qene per te treguar se pikerisht kjo moshe, edhe pse ndonjehere nuk e kuptojme aftesine e tyre perceptuese, eshte e afte ta lexoje drejt realitetin e atdheut. Pyetja ka qene shume spontane, po ashtu edhe pergjigjet. Gjithçka eshte bere ne harkun e pak minutave dhe, pasi jam entuziazmuar nga pergjigjet e tyre, vendosa t’i publikoja. Personalisht nuk hyj te ata mesues qe i detyroj nxenesit te mendojne ne nje menyre ose ne nje tjeter. Perkundrazi, mendimi i tyre eshte shume i vlefshem dhe i vyer, aq më teper kur kemi te bejme me nxenes te tillw inteligjente. Sot nuk u kam thene se cka eshte atdheu per mua. Kam marre pwrgjigjet e tyre dhe kaq. Neser po… Ndofta do t’u zbuloje nje pjese nga atdheu…im/ KultPlus.com
Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes me organizatën globale mjedisore “Patagonia”për ta shpallur Vjosën Park Kombëtar, Rama sulmoi aktorin hollivudian Leonardo Di Caprio, ndërsa deklaroi se ai u bë i gjallë vetëm për të goditur qeverinë, ndërkohë që nuk reagon tani që sipas tij qeveria merr një vendim në përputhje me kauzën që ylli i kinemasë e mbronte.
Ai shtoi me ironi se ndoshta duke e sharë pak, mund t’i vejë ndonjë fjalë në vesh dhe ta bëj të reagojë.
“Leonardo Di Caprion u bë i gjallë për të goditur qeverinë, por nuk u bë i gjallë për ta mbrojtur qeverinë. Tani që qeveria po bën atë që atij i kishin thënë që nuk kishim ndërmend ta bënim, por që ndërkohë po e bëjmë. E ka shok të mirë Ministrja e Turizmit, prandaj nuk po i bie më shumë. Mbase këto goditje do t’i shkojnë në vesh, pasi mund ta kishim lajmëruar dhe nuk do t’i vente në vesh fare. Mbase duke e sharë pak do t’ia kapi veshi”, tha Rama./ KultPlus.com
O mëmëdhe i dashur, vend i trimnisë Çerdhe e dashurisë N`ty shqipet fluturojnë dhe yjet ndriçojnë Vend i të parëve tonë Ti qofsh bekue për jetë e mot O nënë e jonë Ne të dalim zot O mëmëdhe i dashur, vend i trimnisë Çerdhe e dashurisë./KultPlus.com
Muharrem Qena është një nga artistët e njohur shqiptar. Ai lindi në Mitrovicë, në vitin 1930. Me talentin dhe punën e tij të madhe arriti të bëhet njëri prej themeluesve të skenës teatrore dhe të këngës argëtuese shqipe, shkruan KultPlus.
Krijimtaria e Qenës është mjaft e dendur, ai shkroi këngë, kompozoi, aktroi dhe ishte regjisor i shquar i më se 200 shfaqjeve teatrale.
Me shumë çmime të fituara gjatë karrierës së tij, Qena radhitet ndër krijuesit e mirënjohur kosovarë. Edhe në këngë ishte shumë produktiv.
Ai krijoi dhe këndoi një sërë këngësh argëtuese nën frymën bashkëkohore, të cilat frymëzuan shumë breza pasardhës.
Disa nga këngët e tij shumë të dëgjuara janë: “A thua”, “Mallëngjimi”, “Oj hanë”, “Kaçurrelja”, “Lamtumirë” e të tjera..
KultPlus ua risjell tekstin dhe videon e këngës ‘Mallëngjimi’:
O vendi im! Të thërras unë me mall,
Këtu jetë më nep vetëm kjo kangë, se anë e kand, kudo që kërkoj pa si ty të dashtun nuk gjej
Ku janë ato fusha, ku ato kaçuba Vajza të bukura, si n’vendin tim kund nuk ka (2x)
I huaj jam! Dashuni nuk kam Për mue nuk lind dielli më
O vendi im! Përbuzje ku s’ka, si të lashë e dola në mërgim
O Sharr o baba im, Gërmi pushimi im, Adriatiku im, Tash vetëm po ju kujtoj (2x)./KultPlus.com
Netflix zbuloi se sezoni i dytë i “Squid Game” ishte në rrugë e sipër në njoftimet e postuara në mediat sociale të dielën (12 qershor).
Lajmi për filmin hit u zbulua në një postim që shfaq një pamje nga afër të syrit të ndezur të kukullës rrëqethëse Young-hee, me një ‘2’ të mbivendosur mbi objektiv.
Krijuesi i shfaqjes, Hwang Dong-hyuk, konfirmoi më parë se filmi do të rikthehej për një seri të dytë episodesh gjatë një interviste me Vanity Fair që u publikua muajin e kaluar.
Netflix ndau një video në llogarinë e tyre në Twitter që tregonte syrin e kukullës me një dritë të kuqe, pas së cilës u shfaq numri dy, shkruan DailyMail.
Gjigandi i transmetimit shtoi gjithashtu një mesazh humoristik në mbishkrimin e postimit, ku thuhej: ‘Drita e kuqe… Drita e gjelbër!’
Ata ndanë gjithashtu një shënim personal nga Dong-Hyuk, 51 vjeç, i cili e filloi mesazhin e tij duke shkruar: “Një raund krejt i ri po vjen”.
“U deshën 12 vite të tëra për të sjellë në jetë sezonin e parë të Squid Game vitin e kaluar. Por u deshën 12 ditë që Squid Game të bëhej seriali më i njohur i Netflix ndonjëherë. Si shkrimtar, regjisor dhe producent i Squid Game, një thirrje e madhe për fansat tanë në mbarë botën. Faleminderit që shikoni dhe pëlqeni shfaqjen tonë”, thuhej tutje në shkrimin e tij.
Dong-Hyuk më pas ndau disa informacione rreth sezonit të dytë të ardhshëm të programit.
“Dhe tani, Gi-hun kthehet. Njeriu i përparmë kthehet. Sezoni 2 po vjen. Burri me kostum me ddakji mund të kthehet”, tha ai.
Dong-Hyuk shtoi se do të prezantohej i dashuri i kukullës vrasëse Young-hee Cheol-su.
Ai e mbylli mesazhin duke i ftuar fansat e filmit të ‘bashkohen me ne edhe një herë për një raund krejt të ri’.
“Squid Game” është përqendruar në një konkurs ku afro 456 individë, të cilët të gjithë janë në borxhe të thella, marrin pjesë në një seri versionesh vdekjeprurëse të lojërave për fëmijë, ndërsa konkurrojnë për të fituar një çmim të madh në para.
Kasti i aktorëve përfshinë Lee Jung-jae, HoYeon Jung dhe Wi Ha-joon.
Shfaqja mori një vlerësim të gjerë nga kritikët pas publikimit të saj, me shumë lavdërime për shkrimet dhe performancat e kastit të saj.
Shumë interpretues dhe anëtarë të ekipit u nominuan për çmime dhe dallime të ndryshme, dhe O Yeong-su veçanërisht mori çmimin “Golden Globe” për aktorin më të mirë dytësor në një serial, mini-serial ose film televiziv.
“Squid Game” u bë gjithashtu filmi origjinal më i ndjekur i Netflix pas debutimit të tij.
Dong-hyuk foli për sezonin e dytë të programit gjatë intervistës së tij për Vanity Fair, ku konfirmoi se lojërat do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.
“Njerëzimi do të vihet sërish në provë përmes këtyre lojërave”, tha ai.
Më pas shkrimtari foli për aspektet tematike të sezonit të dytë dhe vuri në dukje se ato do të ishin disi të ngjashme me atë të serisë së parë të episodeve.
Regjisori më parë komentoi se ai do të donte të publikonte sezonin e dytë të “Squid Game” deri në fund të 2024./ KultPus.com
Mëmëdhe quhetë toka ku më ka rënurë koka, ku kam dashur mëm’e atë, ku më njeh dhe gur’ i thatë ku kam pasurë shtëpinë, ku kam njohur perëndinë, stërgjyshët ku kanë qënë dhe varret q’i kanë vënë, ku jam rritur me thërrime ku kam folur gjuhën time, ku kam fis e ku kam farë, ku kam qeshur, ku kam qarë, ku rroj me gas e me shpres, ku kam dëshirë të vdes.
FemArt 10, për dhjetë ditë me radhë, 14-23 qershor 2022, vjen për të shpërfaqur aftësinë e grave artiste, për t’u përmbushur, inspiruar e për të gjetur paqen.
“Mblidhemi për të festuar një dekadë të njohjes e nderimit të guximit të grave artiste, fuqisë kreative, e angazhimit të tyre për barazi e drejtësi”, thuhet në njoftimin e FemArt.
Edicionin e dhjetë e hap shfaqja premierë “Toka e Shpirtrave të Trazuar”, më 14 qershor, 2022, nga ora 20:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Një performancë e bazuar në poezitë e Shqipe Malushit, të cilat evokojnë kujtimet tona kolektive për mungesën e paqes dhe përballjen me luftën dhe konfliktin si një gjendje konstante për shoqërinë kosovare ndër shekuj e në veçanti ndikimin e saj në traumat tona ndër gjenerata./ KultPlus.com
Sot fillon Anibar on Tour në Prishtinë, në ora 20:30 në hapësirën Stereospace në Prishtinë, për të vazhduar më pas edhe në qytete tjera, shkruan KultPlus.
Anibar po shfaq filmat e tij të shkurtër në disa qytete të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, Gjithashtu do të shpalosen më shumë informata rreth edicionit të 13-të ku temë janë besëtytnitë.
Për të hapur edicionin e 13-të, Anibar në bashkëpunim me organizata të ndryshme, ka filluar udhëtimin në këto qytete;
1. Prishtinë – Stereospace – 13.06.2022 – 20:30 2. Prishtinë – Dit’ e Nat’ – 15.06.2022 – 21:00 3. Prizren – Lumbardhi – 16.06.2022 – 21:00 4. Gjakovë – Ali Podrimja – 19.06.2022 – 21:00 5. Beograd – Kc Magacin – 21.06.2022 – 21:00 6. Beograd – Dc Krov – 22.06.2022 – 21:00 7. Prishtinë- Fondacioni 17 – 23.06.2022 – 20:00 8. Tetovë – Social Cultural Space – 25.06.2022 – 21:00 9. Mitrovicë – 7 Arte – 27.06.2022 – 21:00 10. Tiranë – Reja -29.06.2022 – 21:00 11. Tiranë – Destil Creative Hub – 30.06.2022 -21:00./ KultPlus.com
KultPlus ju sjell disa thënie mbi politikën nga politikanë të njohur botëror.
1- “Politika përbëhet nga dy fjalë, ‘poli’, e cila është fjalë greke dhe do të thotë ‘shumë’ dhe ‘tik’, një lloj insekti gjakpirës” Gore Vidal”. /Xhon Adams
2- “Një politikan profesional është një njeri i çnderuar profesionalisht. Për të kapur një post sa më të lartë, atij i duhet të bëjë aq shumë kompromise dhe të pësojë aq shumë poshtërime, saqë në fund nuk ka ndonjë ndryshim të madh me një prostitutë”/H.L. Mencken
3- “Nëse ju, zotëri, duke hyrë në këtë shtëpi (Shtëpia e Bardhë), jeni po aq i lumtur sa unë që po dal, atëherë ju jeni njeriu më i lumtur në botë”. /Xhejms Buhanan-Abraham Linkolnit
4- “Një nga gjërat që politika më ka mësuar mua është se burrat nuk janë të një seksi të arsyetuar apo të arsyeshëm”./Margaret Theçër
5- “Brenda pak muajve të parë të presidencës unë zbulova se, të jesh president, është si të shkosh kaluar mbi një tigër. Njeriu që e nget, duhet ta vazhdojë ta ngasë, ose ndryshe gëlltitet”. /Harri S. Truman
6- “Mënyra më e mirë për ta mbajtur fjalën është të mos e japësh atë”/Napoleoni
7- “Politikani është ai person me politikën e të cilit nuk jeni dakord; nëse jeni dakord me të, ai është burrë shteti”. /Dejvid Llojd Xhorxh
8- “Politikanët janë gjithandej të njëjtë. Ata premtojnë të ndërtojnë një urë edhe aty ku nuk ka lumë”. /Nikita Hrushov
9- Nuk ka më komunist se ish-komunisti që lufton komunizmin./Valsav Havel
10- Çdo qeveri degjeneron kur iu besohet vetëm sundimtarëve të popullit. Populli është i vetmi rrëzues i tyre./ Tomas Xhefërson
11- “Nëse tani nuk mund t’u japim fund ndryshimeve tona, të paktën mund të ndihmojmë ta bëjmë botën më të sigurt për diversitet”. /Xhon F. Kenedi
12- “Konservatori është ai që i zë rrugën historisë duke i bërtitur “Ndal!”./Uilliam F. Baklej, i riu
13- “Nëse jemi të fortë, forca jonë do të flasë vetë. Nëse jemi të dobët, fjalët nuk të ndihmojnë dot”. /Xhon F. Kenedi
14- “Unë kurrë nuk do të kërkoj, kurrë nuk do të refuzoj, madje kurrë nuk do të jap dorëheqjen nga një post”. /Xhorxh Uashington
15- “Një nga lukset e jetës së një politikani është se e shikon veten, ashtu siç e shikojnë atë të tjerët”./Xho Klark
16- “Liberali është ai që është aq tolerant, sa mund të mos mbajë as anën e tij në një grindje”./ Robert Frost
17- “Politikani e ndan njerëzimin në dy klasa: Në vegla dhe në armiq”./Fridih Niçe
18- “Arti i të qenit burrë shteti është të parashikojë të pashmangshmen dhe të përshpejtojë shfaqjen e saj”./Talejrand
19- “Përderisa një politikan nuk e beson kurrë atë që thotë, ai befasohet kur të tjerët e befasojnë”. /Sharl de Gol
20- Rreziku i luftës lind atëherë kur një komb bëhet pafundësisht më i fuqishëm se konkurruesi i mundshëm i tij/Richard Nikson
21- Terrori i vërtetë është sikur të zgjohesh në mëngjes dhe të gjesh që kombi yt drejtohet nga klasa tënde e shkollës së mesme./ Neli MakKlung
22- “Kurrë mos u tërhiq, kurrë mos jep shpjegime, kurrë mos kërko ndjesë: Çoji gjërat deri në fund dhe lëri ata të bërtasin vetë“. /Neli MakKlung
23- “Çdo grua, që kupton problemet e drejtimit të një shtëpie, do ta ketë më të lehtë të kuptojë problemet e drejtimit të një shteti”./Margaret Theçër
24- “I pavaruri është ai që kërkon të nxjerrë politikën jashtë politikës”./Adlai Stivenson
25- “Në politikë është e nevojshme të tradhtosh ose vendin, ose elektoratin tënd. Unë parapëlqej të tradhtoj elektoratin“./Shark de Gol
26- “Supozohet se politika është profesioni i dytë më i vjetër pas prostitucionit. Unë kam kuptuar që ai ka shumë ngjashmëri me profesionin e parë më të vjetër”./Ronald Regan
27- “Shtetet e mëdhenj kanë vepruar gjithnjë si gangsterë, ndërsa shtetet e vogla si prostituta”./Stenlej Kabrik
28- “Ndëshkimi më i rëndë për të vendosur të angazhohesh në politikë, është të urdhërohesh nga dikush, që është inferiori juaj”./ Platoni
29- Në politikë nuk ka miqësi të përjetshme, por interesa të përjetshme./Sharl De Gol
30- “Bota është një vend i rrezikshëm për të jetuar, jo për shkak të njerëzve që veprojnë si djalli, por për shkak të njerëzve që nuk bëjnë asgjë për këtë”. /Albert Ajnshtajn
31- “Nuk mund të ketë ndonjë krizë javën që vjen. Kalendari im është mbushur plot”. /Henri Kisinger./ KultPlus.com
Nën dirigjimin e Manuel Nawri, vepra e kompozitorit kosovar Ardian Halimi është prezantuar nga Deutsche Radio Philarmonie, shkruan KultPlus.
Për këtë prezantim ka njoftuar kompozitori Halimi i cili e vlerëson si përmbylljen e javës së kaluar si një nga kujtimet më të mrekullueshme të rrugëtimit të tij si kompozitor.
Vepra e Ardian Halimit “ “Stille flüstert um uns beide” u prit me duartrokitje të mëdha nga të pranishmit, kurse po ky koncert do të transmetohet edhe në SR 2 Kultur Radio në Gjermani, më datën 29 shtator, në 20:04./ KultPlus.com