“Me ekzistu është vet kuptimi” nga Sibel Halimi promovohet në Ferizaj

“Me ekzistu është vet kuptimi” thotë sociologia dhe autorja Sibel Halimi në librin e saj të fundit i cili pritet të promovohet këtë të premte në ambientet e bibliotekës “Sadik Tafarshiku” në Ferizaj, shkruan KultPlus.

Përgjatë promovimit të veprës më 16 tetor, dashamirët e artit të Halimit do të kenë rastin të bashkëbisedojnë me të dhe në fund të dëgjojnë interpretime artistike të poezive nga vet ajo.

Vepra “Me ekzistu është vet kuptimi” është botuar nga Qendra Multimedia, projekti është mbështetur nga programi Kultura për Ndryshim që financohet nga Bashkimi Evropian, menaxhohet nga Zyra e BE-së në Kosovë ndërsa implementohet nga Qendra Multimedia e Goethe-Institut.

Në ditët në vazhdim, libri pritet të promovohet edhe në Prishtinë e vende të tjera.

Sibel Halimi është sociologe dhe njëherit autore e librave poetik “Kopshti i mëkateve” dhe “Qenia nuk banon këtu” si dhe një sërë hulumtimesh në fushën e studimeve sociale dhe gjinore./KultPlus.com

Dy projekte të mëdha pritet të nisin në Ferizaj, pallati i kulturës dhe stadiumi i ri

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, e shoqëruar nga zëvendësministri Halil Matoshi dhe një pjesë e stafit të MKRS-së, ka vizituar sot Komunën e Ferizajt, ku është takuar me kryetarin e kësaj komune, Agim Aliu, me të cilin kanë diskutuar për projektet që janë në interes të përbashkët në fushën e kulturës, trashëgimisë, sportit e rinisë.

Bëhet fjalë për projekte që do të përmbushin kërkesat e qytetarëve të kësaj komune nga fusha e trashëgimisë ku u diskutua për futjen e festivalit të këngës “Kosovarja këndon” në kuadër të trashëgimisë shpirtërore, ndërkaq në 50 vjetorin e teatrit të Ferizajt që po shënohet sivjet, ministrja ka thënë se objekti i teatrit do të restaurohet me përkrahje të ministrisë.

Edhe në kuadër të përkrahjes së drejtpërdrejtë organizata që veprojnë dhe merren me kulturë në Ferizaj, çdo vit përfitojnë nga thirrja që bën MKRS-ja për përkrahje të projekteve kulturore. Këtë vit i kemi mbështetur 12 organizata të komunës së Ferizajt, u shpreh mes tjerash ministrja.

Edhe në kuadër të sportit sqaroi ministrja, MKRS-ja është prezent me investime kapitale, siç është projekti i palestrës sportive në Greme të Ferizajt, kompleksin e fushave të tenisit, pishinën gjysmë-olimpike, por projekti më i rëndësishëm të cilin e paralajmëroi ministrja është ndërtimi i stadiumit të ri të Ferizajt.

“Bashkë me kryetarin Aliu u pajtuam që të nisim procedurat për projektin e ndërtimin të një stadiumi të ri të Ferizajt. E dimë që është stadiumi i vjetër është në Ferizaj dhe ne do të mundohemi që të punojmë edhe aty ashtu që t’u japim mundësi sportistëve dhe komunitetit që të zhvillojë gara. Por është vlerësim dhe kërkesë e Ferizajt që të ndërtohet stadiumi i ri me standarde ndërkombëtare”, shpjegoi ministrja.

Nga ana e tij, kryetari Aliu e falënderoi ministren dhe MKRS-në për përkrahjen e projekteve që realizohen në Ferizaj.

“Ferizaji ka një jetë të pasur me aktivitete kulturore dhe sigurisht që nuk do të ishte kështu nëse do të mungonte përkrahja e MKRS-së ngase këto nuk do të ishin të mundura pa pasur mbështetjen e ministrisë”, ka theksuar kryetari Aliu.

Ai tregoi se mes tjerash me ministren Dumoshi kanë biseduar që shumë shpejtë të vënë gurthemelin edhe të pallatit të ri të kulturës, i cili sipas kryetarit Aliu, pritet të jetë objekti i parë i atij lloji në Kosovë.

Mst. Projekti i muraleve, atraksion që është përkrahur nga MKRS-ja

Në vizitën e sotme në Ferizaj, ministrja Dumoshi dhe stafi i MKRS-së, bashkë me kryetarin Aliu kanë parë për së afërmi Festivalin e Muraleve, i cili ka për qëllim promovimin e artit vizual të jetës kulturore në Ferizaj.

“Në Ferizaj po qëndrojnë 15 artistë duke filluar nga SHBA, të Barcelonës dhe nga shumë vende tjera, të cilët përveç vizatimeve ose pikturave të cilët ata i bëjnë, ata mishërohen edhe me traditën tonë”, tha ministrja, duke e konsideruar këtë lloj bashkëpunimi dhe shkëmbimi të artistëve edhe si një lloj diplomacie kulturore, sepse këta artistë kur të kthehen në vendet e tyre, do të tregojnë për përvojën të cilën kanë kaluar në vendin tonë.

Edhe kryetari Aliu tha se Festivali i Muraleve i ka dhënë një impuls më të madh jetës kulturore në Ferizaj dhe ky festival ka kaluar përtej kufijve të Kosovës duke pasur një rëndësi edhe më të madhe sa që kishte vite më parë dhe për këtë falënderoi edhe ministren për përkrahjen e këtij festivali. / KultPlus.com

“Katërmbëdhjetë autorë”, vepra e cila u dogj në Ferizaj nga pushteti jugosllav, sot gjen ribotim

Pushteti jugosllav ndjekte, persekutonte e vriste njerëzit, mirëpo qëllimet ishin edhe më të thella. Ata u kujdesën që të dëmtonin e asgjësonin atë që mund ta ngriste popullin në dije dhe të mbetej trashëgimi kulturore për brezat në vazhdim.

Jo botime librash dhe jo gjuhë shqipe, protestonte kështu sistemi jugosllav. Kësisoj, ata mendonin se mund ta ndalnin “pushkën” e shkrimtarëve, lapsin e tyre, shkruan KultPlus.

Pikërisht ky fat e ka ndjekur përmbledhjen “Katërmbëdhjetë autorë”, që sipas Zyrafete Shalës, kryetares së klubit “De Rada” në Ferizaj, ky është libri i parë i “ekzekutuar” në Jugosllavi.

Afrim Demiri, Bardh Frangu, Biser Mehmeti, Borisav Bojkoviq, Fitnete Tuda, Gani Bytyçi, Ismet Aliu, Jovan Sariq, Kemajl Aliu, Menduh Leka, Sami Vranovci, Shqipe Azemi, Xheladin Rexhepi dhe Ymrane Abdullahu ishin emrat e autorëve të cilëve botimi i kësaj vepre që ata vet e shkruan i kushtoj shumë. Ani pse në këtë përmbledhje nuk do të shkruheshin vetëm emrat e shkrimtarëve shqiptarë dhe prezent ishin edhe një serb e një rom, pushteti jugosllav nuk e kurseu as krijimtarinë e tyre.

Botuesi klubi letrar “De Rada” dhe financuesi shoqata “Melodia” ishin dakorduar për 1000 kopje në tirazhin e parë të veprës, në kohën kur kaluan 40 vite që nga ngadhënjimi mbi fashizmin.

Vepra poetike e cila ende mbante erën e shtypshkronjës, menjëherë pas botimit në OPLG “Ramiz Sadiku” në Prizren, u përballë me zjarrin e urrejtjes nacionale, duke u djegur në oborrin e Gjykatës Themelore në Ferizaj më 1985, me vendimin e kësaj të fundit përgjatë pushtetit jugosllav.

Nga vepra e cila ishte “pengesë” e regjimit, kishin mbijetuar vetëm disa sosh të ruajtura fshehurazi nga individ të ndryshëm. Mirëpo, pretendimi i autoriteteve serbe që nëpërmjet djegies do të arrihet ndalimi i qarkullimit të tërësishëm të veprës mbeti i dështuar.

35 vite pas botimit dhe 50 vite pas themelimit të Klubit letrar “De Rada”, më në fund ky libër gjen dritë te lexuesit.

Për KultPlus, kryetarja e Klubit Zyrafete Shala tregon se vepra e përkrahur nga Komuna e Ferizajt, përkatësisht Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport vie pa asnjë ndryshim në ribotimin e saj.

“Gjithçka, duke filluar nga kopërtina, radhitja, fotografitë e autorëve, lloji i shkronjave, madje edhe gabimet teknike janë identike me botimin e parë. I vetmi element që e dallon botimin e tanishëm nga ai mëparshmi është shtojca në fund të librit ku janë dhënë sqarime rreth historisë së veçantë të tij’, thekson Shala për ribotimin e përmbledhjes, redaktor i së cilës është Hajrullah Hajra.

Libri i cili është bërë bashkim i krijimtarisë së 14 autorëve prej nga mori edhe titullin, ka pasur tematikë të ndryshme në secilën pjesë poetike.

“Disa prej tyre madje qëndrojnë brenda kornizave të ideologjisë së asaj kohe dhe për nga përmbajtja nuk japin ndonjë element që do të ketë mundur të nxisë veprimet që u ndërmorën pas botimit”, përshkruan Zyrafetja.

Pasiqë kjo vepër nuk ishte kundër pushtetit dhe me motive armiqësore, sipas Shalës ekziston një arsye tjetër e djegies së saj.

“Arsyet për ndalimin dhe djegien e librit duhet kërkuar te synimet e pushtetit për të penguar veprimtarinë krijuese shqipe, por edhe gjetjen e pretekstit për përndjekjen e autorëve dhe udhëheqësve të klubit”.

Numri i poezive me të cilat janë përfaqësuar autorët brenda librit është i ndryshëm, nga disa autorë është përzgjedhur vetëm një poezi e të tjerët dy e më shumë, madje dy autorë janë me nga nëntë poezi. Mirëpo, ajo që mbetet interesante në vepër, është gjuha e përdorur nga dy autorët e huaj.

“Poezia e autorit serb është paraqitur në gjuhën serbe, ndërsa dy poezitë e autorit rom janë në gjuhën shqipe, edhe pse, siç thuhet në biografinë e tij, ai ka shkruar në gjuhën serbe”, thekson Zyrafete Shala.

Ani pse disa individ ishin kujdesur për ta ruajtur veprën, 35 vite pas, gjetja e saj ishte proces i vështirë. Shala rrëfen se si atë e kishte parë vite më parë në Bibliotekën e Qytetit në Ferizaj te këndi i krijuesve ferizajas, mirëpo pikërisht kur nisën punën e ribotimit të saj atë nuk e gjeti. Disa faqe të skanuara i kishin siguruar nga Sulejman Dërmaku por librin e plotë e kishin në duar falë njërit autor në kuadër të 14-ve, Biser Mehmetit.

Libri që sot u ribotua pa asnjë vështirësi, atëherë do të nxjerrte telashe për shkrimtarët dhe të gjithë të përfshirët në të. Rahmi Tudën i cili ishte kryetarit i klubit “De Rada” do ta priste shkarkimi nga pozita udhëheqëse në klub, e pastaj papunësia totale. Të tjerët, ashtu siç tregon Shala, do të iu nënshtroheshin bisedave informative.

“Termi ‘bisedë informative’ në kohën e pushtetit serb ishte një eufemizëm prapa të cilit qëndronin seancat në hetuesi që në fakt kishin të bënin me keqtrajtimin fizik dhe psikik. Ne që kemi jetuar në atë kohë i kujtojmë edhe rastet kur ‘bisedat e tilla informative’ kanë përfunduar me fatalitet”, rrëfen Shala duke kujtuar politikat serbe.

Djegia e kësaj vepre për ferizajasit nënkuptonte drejtpërdrejtë cenimin e shprehjes së lirë. Kuvendi i Komunës së Ferizajit më 11 korrik 2014 ka marrë vendim që sheshi në të cilën u dogj libri të emërohet si “Sheshi i fjalës së lirë”.

“Duhet theksuar se ky emërtim është bërë me iniciativën e Organizatës INPO, ata kanë bërë kërkesë drejtuar Kuvendit të Komunës së Ferizajt që në shenjë nderimi për të kaluarën, sheshi ku u dogj libri “Katërmbëdhjetë autorë” të marrë këtë emër si shpagim moral e institucional ndaj sakrificës së të gjithëve”, shpjegon Shala rrjedhën historike të këtij sheshi, teksa tregon se kjo organizatë ka pasur poashtu kërkesën e ndërtimit të ndonjë monumenti në shesh, por që ende nuk ka gjetur realizim.

14 autorëve pushteti serb kishte tentuar t’ua ndal krijimtarinë, por atë nuk e kishin arritur dot. Madje disa nga ta sot kanë kaluar kufijtë për lëminë letrare.

“Ata kanë arritur të bëhen emra të njohur jo vetëm brenda qytetit tonë, por edhe në mbarë Kosovën e disa edhe në Shqipëri. Veprat e tyre të mëvonshme janë shpërblyer nëpër konkurse të ndryshme dhe kanë ndikuar në pasurimin e letërsisë bashkëkohore shqipe”.

Shala tutje vazhdon duke theksuar se dëshmia më e fuqishme për qytetërimin dhe të kaluarën e një populli është kultura e tij, sipas saj këtë më së miri e dinë shqiptarët, të cilët kanë pasur paradoksin e të qenit popull i lashtë me kulturë të shkruar shumë vonë. Në këtë këndvështrim, kontributin e “Katërmbëdhjetë autorë” ajo e ndërlidh me kulturën historike.

“Botimi i këtij libri ‘të persekutuar’ dhe ‘të ekzekutuar’ në radhë të parë është kontribut për të kaluarën e popullit tonë, qytetit dhe klubit “De Rada”. Mirëpo, përveç vlerës historike ky libër është edhe pasuri kulturore, sepse na sjellë tablonë e preokupimeve të krijuesve të një brezi dhe propozimet estetike të asaj kohe”, vlerëson Shala.

Për të mbetet dëshpëruese ‘mos kujdesi’ i 14 autorëve për fatin e librit, sepse sipas saj për këtë drejtim më shumë është kujdesur organizata INPO sesa vet krijuesit. Libri pritet ta ketë promovimin në edicionin e dytë të Panairit të Librit “Ferizaj 2020” gjatë muajit shtator. Kjo vepër do të mbetet dëshmi e gjallë e të kaluarës represive të serbëve mbi shqiptarët, përndjekjes së fjalës shqipe dhe asaj të lirë, krijimtarisë artistike të atëhershme, të gjitha këto të sjellura në një version historik brenda kapakut të librit për gjeneratat e reja. /Medina Pasoma/ KultPlus.com

Anulohet organizimi i edicionit jubilar të 50-të të Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrove në Ferizaj

Këshilli Drejtues i Teatrit “Adriana” në Ferizaj bashkë me menaxhmentin e institucionit të Teatrit dhe në konsultë me Drejtorinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, pas analizës së situatës epidemiologjike në vend, shtrëngimit të masave mbrojtëse ndaj COVID-19 përmes së cilave ndalohen tubimet publike, rrjedhimisht edhe aktivitetet kulturore përkatësisht veprimtaria teatrore, mori vendim që të anulohet organizimi i edicionit jubilar të 50-të të Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrove që mbahet pikërisht në këtë teatër.

Ky vendim, rrodhi nga diskutimi i gjatë mes anëtarëve të Këshillit Drejtues dhe menaxhmentit të Teatrit, padyshim me konsultën e përhershme edhe me institucionet lokale dhe ato shëndetësore, vendim ky i dhembshëm por i domosdoshëm kur mirëfilli dijmë se është pikërisht Festivali i Teatrove, kryengjarja kulturore e Ferizajt për vitin përkatës kalendarik.

Duke qenë e tillë, shtrëngohemi që edicionin jubilar, 50 vjetorin e Festivalit të Teatrove në Ferizaj ta shtyjmë për vitin e ardhshëm 2021, për ta përgatitur ashtu siç meriton, dinjitetshëm, me pjesëmarrjen e gjerë të publikut fantastik ferizajas dhe jo vetëm si dhe me mirëpritjen e trupave teatrore nga gjithë gjeografia shqiptare.

Teatri “Adriana” dhe Këshilli Drejtues shprehin keqardhjen para publikut, artdashësve, trupave teatrore, për këtë vendim të diktuar nga situata epidemiologjike në vend. / KultPlus.com

Sot nis Festivali i Teatrove në Ferizaj

Për të 49-tin vit me radhë, sot Ferizaj ngre siparin e festivalit më prestigjioz kombëtar të teatrove.

Shumë aktorë tashmë kanë ndarë datën për t’u prezantuar para publikut në hapje dhe gjatë gjithë netëve të Festivalit të Teatrove. “Shumë zhurmë për asgjë” me regji nga Zana Hoxha, “Një letër e humbur” me regji nga Kushtrim Bekteshi, “Zona e pritjes” me regji nga Fatos Berisha, “UN Inspektori” me regji nga Erson Zymberi, “Erdhi Godoja” me regji nga Shkëlzen Berisha, “Ditë vere” me regji nga Naser Shatrolli dhe “Kanuni i gruas” me regji nga Arlinda Morina janë shfaqjet e loja brilante e aktorëve që janë përgatitur për këtë edicion të festivalit.

Drejtori i Teatrit “Adriana”, Fatmir Hyseni bëri të ditur se janë bërë të gjitha përgatitjet për të filluar mbarë edicionin e 49 të Festivalit të Teatrove dhe se trupat e aktorëve nga pothuajse e gjithë gjeografia shqiptare duke nisur nga Gjakova, Tetova, Shkodra, Gjilani, Podujeva, Prishtina, për të përfunduar tek nikoqiri, Ferizaj, janë gati për t’i dhuruar publikut, momente të veçanta artistike e cilësi të lartë të shfaqjeve teatrore.

Ai tutje bëri të ditur edhe jurinë e këtij festivali që përbëhet nga emra të dëshmuar të artit skenik si Haqif Mulliqi, Shengyl Ismajli dhe Mevlan Saraçi.

Organizimi i këtij edicioni të Festivalit të Teatrove nuk kufizohet vetëm në shfaqjet, pjesë të konkurrencës zyrtare, por edhe në aktivitete përcjellëse, ku për këtë edicion është programuar promovimi i librit të të ndjerit, profesorit universitar, Bekim Lumi, kontributit të tij të veçantë për artin e kulturën kombëtare.

Të gjitha shfaqjet fillojnë nga ora 20:00 në Teatrin “Adriana” në Ferizaj. /KultPlus.com

Qyteti i Ferizajt do të bëhet me Qendër Multifunksionale, vlera 4 milionë euro

Qyteti i Ferizajt do të bëhet me Qendër Multifunksionale, projekt i parë i kësaj natyre në Kosovë. Kjo pasi Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, nënshkroi memorandum bashkëpunimi me Kryetarin e Ferizajt, Agim Aliu, përcjellë KultPlus.

Projekti kapital, i cili është investim i MKRS-së, sipas memorandumit, parasheh që të investohen mbi 4 milionë euro të ndara në 3 vite, 2019 deri 2021.

Me këtë rast, ministri Gashi sqaroi se projekti në fjalë, është projekti i parë në Kosovë i kësaj natyre, ku do të ndërtohet një qendër me shumë funksione, për të organizuar koncerte, ngjarje e takime të ndryshme kulturore e të rinisë.

“Është projekti i parë në Republikën e Kosovës. Është një projekt i cili ngërthen në vete hapësira të ndryshme për zhvillimin e aktiviteteve kulturore, rinore dhe sportive, në mesin e të cilëve do të ketë edhe një sallë prej 840 ulëseve, pastaj hapësira për galeri si dhe pjesë e qendrës do të jetë edhe muzeu i qytetit si dhe sallat koncertale e teatrale”, sqaroi mes tjerash ministri Gashi.

Ministri foli edhe për bashkëpunimin e deritashëm që MKRS-ja ka pas me Komunën e Ferizajt, dhe falënderoi drejtuesit e komunës për gatishmërinë dhe përkushtimin për të punuar dhe shtyrë përpara projektet që janë në dobi të Ferizajt me rrethinë, duke thënë se në qytetin e Ferizajt planifikohen që për tri vitet e ardhshme të investohen mbi 10 milionë euro.

Ministri Gashi po ashtu përmendi edhe projektet që janë finalizuar sa ishte ministër dhe ato që janë në finalizim e sipër si investimet në rinovimin e stadiumit të qytetit dhe finalizimin e sallës së sporteve dhe panaireve në Greme, rinovimin e teatrit aktual dhe tërë këto po bëhen, sipas ministrit, sepse Ferizaji ka një traditë jashtëzakonisht të mirë të zhvillimit të aktiviteteve.

“Kemi përkrahur edhe shumë aktivitete e festivale me karakter kombëtar e ndërkombëtar në Ferizaj”, u shpreh ministri Gashi duke treguar mbështetjen e institucionit për jetën kulturore e sportive në Ferizaj.

Ndërkaq, kryetari Agim Aliu, tha se sot është një ditë e gëzuar për Ferizajin, ngase bashkë me ministrin nënshkruan një memorandum shumë të rëndësishëm për komunën dhe qytetin që ai udhëheq.

“Ajo që e bën të veçantë ditën e sotshme dhe në përgjithësi mbështetjen e projekteve që janë bërë nga ministri Gashi është se sot kemi nënshkruar një projekt unik për Ferizajn, Qendrën Multifunksionale. Dhe me këtë rast, e falënderoj ministrin Gashi për vazhdimësinë e mbështetjes që keni treguar gjatë këtyre dy viteve”, tha Aliu.

Në ceremoninë e nënshkrimit të memorandumit, i pranishëm ishte ish-deputeti i kësaj zone, Ilmi Reçica, i cili tha se ky projekt në radhë të parë do të jetë në interes të qytetarëve të Ferizajt dhe falënderoi ministrin Gashi e kryetarin Aliu për punën dhe bashkëpunimin e mrekullueshëm. / KultPlus.com

Fillon ‘Java e Dizajnerëve’ në Teshavesha në Ferizaj

Lia Stublla, Albina Dyla, Minna Fashion, Kaonë Duriqi dhe Yllka Brada, janë kretatorët të cilët me anë të dhurimit të kreacioneve të tyre po bëjnë të mundur ‘Javën e Dizajnerëve’ këtë fundvit. 

Dyqani i bamirësisë ‘Teshavesha’, program në kuadër të fondacionit ‘Aksioni për Nëna dhe Fëmijë’, organizon ‘Javën e Dizajnerëve’ në Teshavesha në Ferizaj nga data 26 dhjetor deri më 29 dhjetor.

Për herë të pestë radhazi, dizajnerët Kosovarë mblidhen për të dhënë kontributin e tyre për përmirësimin e shëndetit të nënave dhe fëmijëve në vend përmes dhurimit të kreacioneve të tyre për ‘Javën e Dizajnerëve’. Pas ekspozimit të kreacioneve të dizajnerëve në Teshavesha në Ferizaj, këto donacione do të janë në shitje me çmime më të lira për klientët e interesuar.

Fondet nga shitjet e kreacioneve do të financojnë furnizimin e Klinikës së Gjinekologjisë dhe Pediatrisë me medikamente, do të ndihmojnë hapjen dhe zhvillimin e ‘Klasave për Nëna’, si dhe do të ndihmojnë në zhvillimin e transportit neonatal në vend.

Teshavesha është ndërmarrje shoqërore e themeluar nga fondacioni ‘Aksioni për Nëna dhe Fëmijë’ që nga qershori i 2016-ës, ku tashmë operon me dy dyqane në qytetin e Prishtinës dhe në një dyqan në Ferizaj, falë partnerëve dhe klientëve besnik. /KultPlus.com

Pemët vishen me xhaketa në Ferizaj, që t’i marrin njerëzit në nevojë

Tash kur koha është ftohur, shumë qytetarë që jetojnë me social nuk kanë kushte për blerje të një xhakete më të trash për të mos ndjerë të ftohtit e dimrit.

Në Turqi dhe Bullgari, njerëzit kanë ndërmarrë një veprim human duke vendosur xhaketa dhe xhupa nëpër pemë për të pastrehët dhe ata me kushte të rënda ekonomike.

Ky veprim humanitar ka filluar të bëhet edhe në Kosovë, përkatësisht në qytetin e Ferizajt.

Siç shihet në këtë video të postuar me një grup të mbyllur në facebook, xhaketa është e vendosur në pemë, në mënyrë që kushdo që ka nevojë të merr atë.

Një gjest ky mjaftë human në këtë mot të ftohtë./KultPlus.com


“Gratë” nga Shkupi, triumfon në Festivalin e Teatrove në Ferizaj

Mbrëmë me shfaqjen “Im atë donte Adolfin” nga Teatri i Qytetit- Gjilan, u mbyll edicioni i 48-të i Festivalit të Teatrove në Ferizaj, ku për tetë netë me radhë në skenën e Teatrit “Adriana” në Ferizaj u ngjitën trupa teatrore nga Shkupi, Korça, Prishtina, Prizreni, Gjilani, Kumanova, Ferizaj, dhe shfaqja mysafire “Le Pont” nga Franca me dy aktorët e kalibrit botëror, Rexhep Mitrovica dhe Arben Bajraktaraj.

E veçanta e këtij edicioni të 48-të Festivalit të Teatrove në Ferizaj ishte konkurrimi me katër drama shqipe si dhe pjesëmarrja e shfaqjes mysafire nga Franca. Sipas komunikatës së Komunës së Ferizajt, mijëra artdashës zunë vendet e tyre për të përcjellur çdo natë shfaqjet e programit të sivjemë të Festivalit.

Pas tetë netësh shfaqje teatrore të produksioneve ndër më të mira të sivjemë, juria e festivalit e përbërë nga Fadil Hysaj, Blerta Rrustemi-Neziraj dhe Nexhat Xhokli dhanë këtë vlerësim:

1. Çmimi i gazetarëve ferizajas, Shfaqja “Gratë”, Teatri Shqiptar- Shkup;

2. Skenografia më e mirë: Mentor BERISHA, për shfaqjen, “Ata që ikin”, Teatri “Bekim Fehmiu”-Prizren;

3. Kostumografia më e mirë: Samka FERRI, për shfaqjen, “Ata që ikin”, Teatri “Bekim Fehmiu” – Prizren;

4. Roli më i mirë episodik: Vjosa ABAZI, Teatri “Adriana” -Ferizaj;

5. Roli dytësor më i mirë (Femër): Armenis Jovanovska Nokshiqi, Teatri Shqiptar -Shkup

6. Roli dytësor më i mirë (Mashkull): Avni Shkodra, Teatri Qytetit-Gjilan

7. Aktorja më e mirë – Çmimi “Adriana”: Elia ZAHARIA, Teatri ”Andon Zako Çajupi” – Korçë;

8. Aktori më i mirë – Çmimi “Ismail Rama”: Shpëtim Selmani, Teatri Kombëtar i Kosovës

9. Regjia më e mirë: Qëndrim RIJANI, Teatri Shqiptar-Shkup

10. Çmimi për shfaqjen më të mirë të festivalit: shfaqja “Gratë” Teatri Shqiptar-Shkup.

Për tetë netë të festivalit, pas çdo shfaqje u mbajtën diskutime për shfaqjen të udhëhequra nga Haqif Mulliqi. Në këtë edicion të Festivalit në dërrasat e Teatrit “Adriana” u ngjitën mbi 100 aktorë dhe pati mbi 2000 shikues./ KultPlus.com

Sonte nis Festivali i Teatrove në Ferizaj, “Le Pont” me Rexhep Mitrovicën dhe Arben Bajraktaraj hapë edicionin e 48

Sonte në qytetin e Ferizajt nis Festivali i Teatrove, i cili mbledh çdo vit trupa teatrale dhe publik nga të gjitha vendet shqipfolëse.

Për një javë rresht, mes datave 21 e 28 tetor mbahet edicioni i 48-të i këtij festivali, i cili do të hapet këtë të diele me shfaqjen “Le Pont”/ “Ura”, tekst i shkrimtarit Ismail Kadare, i vënë në skenë nga Simon Pitaqaj.

Në anën tjetër të hënën në Ferizaj prezantohet shfaqja “Kur Hana del” nga Ben Apolloni, për të vijuar të martën me shfaqjen “Zoti i masakrës” nga Besfort Idrizi, e të mërkurën me “Kasapi” të regjisorit Qazmendin Nuredini. E enjtja në teatrin e qytetit të Ferizajt “Adriana” është rezervuar për shfaqjen “Vetëvrasësi” nga Sulejman Rushiti, kurse të premten shfaqet “Ata që ikin” nga Kushtrim Bekteshi.

Të shtunën në Ferizaj jepet shfaqja “Gratë” nga Qëndrim Rijani, kurse Festivali i Teatrove mbyllet të dielën me shfaqjen “Im atë donte Adolfin”, të regjisorit Ilir Bokshi.

Biletat për shfaqjet që jepen në kuadër të këtij festivali janë në shtije që nga dita e premte. Ato mund të sigurohen në ambientet e Teatrit në Ferizaj./ KultPlus.com

Ferizaj dhe MKRS vendosin për finalizimin e ndërtimit të Qendrës Rinore

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu ka takuar ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi me ç’rast u diskutua për financimin e projektit për ndërtimin e Qendrës Rinore, projekt ky që ka ndërprerë punimet për një kohë të gjatë për shkak të mungesës së buxhetit.

Gashi i konfirmoi Kryetarit të Ferizajt, Agim Aliu se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të ndaj fonde shtesë për finalizimin e punimeve në këtë godinë, zotim ky që u konkretizua me nënshkrimin e aneks marrëveshjes së bashkëpunimit mes palëve për fonde shtesë për këtë projekt.

Aktualisht, në godinën e re të Qendrës Rinore janë përfunduar punimet e vrazhda dhe kjo marrëveshje e re do të financoj infrastrukturën përcjellëse në fazën e dytë të këtij projekti.

Në këtë takim u diskutuan edhe shumë tema të tjera të fushës së kulturës, rinisë dhe sportit, projekte të ndryshme që do të realizohen për herë të parë në Ferizaj dhe aktivitetet kulturore tradicionale në komunën tonë, për të cilat ministri Gashi shprehi mbështetjen e plotë të institucionit që drejton./ KultPlus.com

“Kur hana del” për fatin e njerëzve me sëmundje mentale, së shpejti në Ferizaj

Në fund të muajit shtator në Teatrin e Qytetit “Adriana Abdullahu” në Ferizaj, vjen premiera e shfaqjes “Kur hana del”, shkruan KultPlus.

Me tekst të Ag Apolloni e regji të Ben Apolloni, shfaqja e zhanrit tragjikomedi, trajton fatin e njerëzve me sëmundje mentale si pasojë e tmerreve të përjetuara gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Ngjarja vendoset në një qendër të të sëmurëve psikiatrikë në Kosovë dhe zhvillohet në dy linja: njëra shpalos tragjedi të ndryshme, kurse tjetra tregon një histori dashurie mes dy të sëmurëve mentalë. Kështu, drama paraqet fatet tragjike dhe veprimet komike të personazheve, derisa në fund mbyllet me një akt tragjik.

Në kastën e aktorëve bëjnë pjesë: Ali Krasniqi, Edona Berisha, Vjosa Abazi, Jajush Ramadani, Sherif Bega, Mevlan Saraçi, Gresa Gashi, Arben Marevci, Dashuri Rexhepi, Ekrem Jakupi.

Skenografinë do ta bëjë Lebibe Topalli, kurse kostumet Pranvera Sylejmani. “Kur hana del”, vjen me premierë në fund të shtatorit në teatrin e Ferizajt./ KultPlus.com

Hapet ekspozita me fotografi nga trashëgimia kulturore e trevës së Ferizajt

Në kuadër të agjendës së aktiviteteve të “Ditëve të Diasporës”, në oborrin e Bibliotekës “Sadik Tafarshiku” në Ferizaj, Muzeu i Qytetit ka hapur ekspozitën me fotografi nga Trashëgimia kulturore e trevës së Ferizajt.

Kjo ekspozitë mëton të paraqes momente të ndryshme historike të qytetit të Ferizajit si dhe pamjen e qytetit ndër periudha historike. Kjo ekspozitë do të jetë e hapur deri më 02 gusht 2018.

Artistët për Bekim Lumi edhe në Ferizaj (FOTO)

Aktivitetet për ta ndihmuar regjisorin Bekim Lumi, tashmë përveç Prishtinës po mbahen edhe në qytete të tjera të Kosovës. Një aktivitet i tillë po organizohet gjatë kësaj jave në Ferizaj, shkruan KultPlus.

Shoqata e Artistëve Figurativ “Zef Kolombi” në Ferizaj, këto ditë ka organizuar aktivitetin bamirës “Artistët për Artistin”, me qëllim ofrimin e ndihmës ndaj Regjisorit Bekim Lumi, i cili po përballet më sëmundjen e rëndë të kancerit tash e dy vite.

Të gjithë ata që duan të blejnë piktura, fotografi, libra dhe ëmbëlsira këtë mund ta bëjnë deri në fund të javës në Sheshin e Komunës së Ferizajit. Të ardhurat do të kontribuojnë në shërimin e regjisorit Lumi.
“Pasuroni dhe zbukuroni shtëpitë dhe ambientet tuaja, me çmime të lira dhe me qëllim shumë humanitar”, shkruhet në njoftimin e këtij aktiviteti.

Aktiviteti do të zgjasë deri ditën e Premte të kësaj jave, nga ora 12:00 deri në orën 18:00./ KultPlus.com

Arbnor Karaliti sjellë ekspozitën “4minute walk”

Arbnor Karaliti këtë të premte do të hapë ekspozitën e tij personale “4minute walk”, në Galerinë e Arteve në Ferizaj, shkruan KultPlus.

Kjo ekspozitë e titulluar “4minute walk” do të kurohet nga nga HAP – contemporary art community.
Një nga fjalitë kqye që e përshkruan këtë ekspozitë është “Walk walk walk , things I never said, things I never did!”

Ekspozita e artistit Arbnor Karaliti hapet të premten në Galerinë e Arteve në Ferizaj, duke filluar nga ora 19:00./KultPlus.com

“Merre, lexoje, ktheje”, biblioteka e parë publike hapet në Ferizaj (FOTO)

Gili Hoxhaj

“Merre, lexoje, ktheje”, ky është slogani që qëndron i ngjitur në bibliotekën e parë publike, që është hapur në qendër të Ferizajt javën e kaluar, shkruan KultPlus.

Vullnetarët e organizatës joqeveritare “Ri’Fer”, tashmë përmes kësaj biblioteke e kanë jetësuar idenë e tyre, për t’u dhënë të gjithë qytetarëve mundësinë që të marrin nga një libër, krejtësisht falas në këtë bibliotekë. Një bibliotekë e ngjashme në Francë, ka qenë vendi i inspirimit për këta të rinj. Dyert e saj do të jenë të hapura nga ora 08:00 e mëngjesit deri në ora 20:00 e mbrëmjes, ku të gjithë mund shkojnë të marrin, apo edhe të kontribuojnë në këtë bibliotekë.

“Fillimisht këtë ide e kemi hasur gjatë një video ne rrjete sociale, një bibliotekë e ngjashme ka qenë në France kurse ne e kemi bërë ktë ide për herë të parë në Kosovë, pra pikërisht ne Ferizaj. Nuk ka ndonjë procedure për marrjen e librave, ata qe donë mund te marrin te lexojnë pastaj përsëri t’i kthejnë në vendin e njëjtë, është e publike dhe falas për të gjithë qytetaret”, ka thënë për KultPlus, Driton Nuha, kryetar i organizatës “Ri’Feri”.

Driton Nuha, po ashtu ka treguar për KultPlus, se kjo mini-bibliotekë e cila përmban gjithsej 200 tituj të ndryshëm librash, po tërheq mjaft shumë qytetarë, ndërsa për të ndihmuar funksionimin e vazhdueshëm të saj, ai ka kërkuar edhe përkrahjen e donatorëve.

Po ashtu, përmes hapjes së kësaj mini-biblioteke në hapësirë publik, ky grup vullnetarësh kanë dashur të përçojnë një mesazh senzibilizues për rëndësinë e leximit në komunitetin tonë.

“Kjo mini-bibliotekë është krijuar për të rinjtë që të lexojnë sa më shumë libra dhe pastaj përsëri t’i kthejnë në vendin e njëjtë, kjo është e hapur për të gjithë dashamirët e librit për të lexuar. Qëllimi kryesor ka qenë të jetë në publik që të rinjtë ta shohin dhe të lexojnë sa më shumë, me një fjalë t’i nxisim të rinjtë të lexojnë dhe të largohen nga rrjetet sociale”, përfundoi Nuha.

Për ta sjellë këtë bibliotekë në versionin final, këta të rinj janë përkrahur nga Mobileria Niti nga Rahovica, kolegji “Aga xhite” dhe Metalurgjia Asllani./ KultPlus.com

“1385” premiera e radhës në Ferizaj

Të mërkurën më 28 dhjetor në Teatrin Adriana në Ferizaj, jepet premiera e shfaqjes “1385”, me tekst të Bardh Frangut e regji të Fatmir Hysenit, shkruan KultPlus.

Kjo monodramë vjen përmes aktorit Nexhat Xhokli ndërsa “1385” është një tekst që flet për dramën e të pagjeturve në Kosovë, por me një gjuhë të veçantë, e cila karakterizohet nëpërmjet ironisë, satirës dhe sarkazmit, mbase deri në groteskë. Si e tillë është një dramë e absurdit politik, ku ndeshen morali me amoralitetin, gënjeshtra me të vërtetën, ndershmëria me pandershmërinë, etj. Në fakt është një tekst që nëpërmjet parabolës sjell kujtimin si referencë për kohën që po e jetojmë. Një valixhe që shërben si varr në lëvizje, një lis që shërben si metaforë e qëndrueshmërisë, një çerdhe lejleku në të, si simboli i bukurisë, përbëjnë elementet mbi të cilat ndërthuret konflikti brenda kësaj monodrame.

Shfaqja, vjen të mërkurën me fillim nga ora 20:00 në Teatrin Adriana në Ferizaj./ KultPlus.com

Festohet 50-të vjetori i themelimit të ansamblit ‘Kastriotët’ (VIDEO)

Ansambli i këngëve dhe valleve “Kastriotët”nga Ferizaj ka organizuar koncert me rastin e 50 vjetorit të themelimit.

Shumë valle e këngë u prezantuan nga disa ansamble nga trojet shqiptare./ KultPlus.com

Rikthehet shfaqja “Copë Copë”

Shfaqja “Copë Copë”, e cila është dhënë premierë në vitin 2015-të, do të rikthehet sërish në skenë, përcjellë KultPlus.

Artistet dhe mbijetuesja e dhunës janë bashkuar për të ndarë me publikun copëza përjetimesh nga jetët e tyre. Interpretime të përbashkëta të artisteve dhe të mbijetuarës së dhunës në hapësirën e njëjtë do të riaktualizojnë forcën që këto të fundit kanë gjetur për t’u përballur me realitetin.

Dramaturge e kësaj shfaqje është Blerta Zeqiri, ndërsa regjia është bërë nga Zana Hoxha – Krasniqi. Aktoret të cilat do të interpretojnë janë: Melihate Qena, Anisa Ismajli, Donikë Ahmeti, Qendresa Kajtazi, Albina Kelmendi dhe Bashkime Sulejmani.

Shfaqja vjen më 26 shtator nga ora 20:00 në Teatrin e Qytetit “Adriana Abdullahu” në komunën e Ferizajt.

Performanca është produksion i Qendrës për Art dhe Komunitet – Artpolis, ndërsa është përkrahur nga CFD. / KultPlus.com

‘Oh, Oh, xhulia’ me regji të Besim Ugzmajlit nis sezonin në Teatrin ‘Adriana’ në Ferizaj

Teatri i Qytetit ‘Adriana’ në Ferizaj, shumë shpejt pritet të nis sezonin me premierën ‘Oh, Oh, xhulia’.

Kjo shfaqje me tekst të Ephraim Kishon në skenën e teatrit ‘Adriana’ do të jetësohet nën regjinë e regjisorit Besim Ugzmajli.

Provat për këtë shfaqje tashmë veç kanë filluar, ndërsa për KultPlus, regjisori Ugzmajli, dha disa detaje për tekstin.
“ ‘Oh, Oh, xhulia’, është një komedi-parodi si version alternativ i ‘Romeo dhe Zhulieta’ të William Shakespeare. Por në versionin e Ephraim Kishon, Romeo dhe Zhulieta i kanë shpëtuar vdekjes. Ephraim Kishon është një autor që jo vetëm që ka shkruar shumë skenarë dhe drama, por është i njohur edhe si regjisor i cili ishte nominuar për Oscar. Provat vetëm sa kanë filluar dhe shfaqja pritet të jepet pas datës 20 tetor”, tha për KultPlus Besim Ugzmajli.

Kjo shfaqje sjellë në rolet kryesore aktorët: Shpëtim Selmani, Vjosa Tasholli, Sherif Bega, Edona Berisha, Mevlan Saraçi dhe Milot Salihu./ KultPlus.com

Muaji tetor mirëpret Festivalin e Teatrove në Ferizaj

Sarandë Selimi

Tashmë është rezervuar data për nisjen e rrugëtimit të 47-të të Festivalit të Teatrove në Ferizaj. Ky festival edhe pse sipas organizatorëve nuk mori mbështetjen e duhur nga ana e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, padyshim që do vazhdojë të mbahet duke e ditur rëndësinë e tij në Kosovë dhe duke e pasur parasysh se ky është një ndër festivalet më të vjetra në vend.

Atëherë kur ishte ndarë buxheti i MKRS-së, duke shpalosur projektet që do të përkrahen për vitin 2017-të, këtij festivali kjo ministri i dha vetëm 3 mijë euro, para këto që Fatmir Hyseni, i pati thënë MKRS-së, t’i mbajë për vete sepse nuk mjaftojnë në mbulim të festivalit.
KultPlus ka biseduar me drejtorin e Teatrit ‘Adriana’ në Ferizaj – Fatmir Hyseni, i cili njëherësh është edhe organizator i festivalit.
“Festivali i teatrove në këtë vit e ka edicionin e 47-të dhe fillon më 21 tetor. Është e vërtetë se MKRS ka ndarë vetëm 3 mijë euro për këtë vit, dhe mendoj se ky është një vendim i gabuar duke marrë parasysh rëndësinë e festivalit dhe peshën që ka në artin skenik jo vetëm në Kosovë por në të gjitha trojet shqiptare. Ne nga Ministria e Kulturës kemi kërkuar që ky Festival të jetë edhe pjesë e trashëgimisë shpirtërore, por përgjigje nuk kemi marrë. Kam deklaruar se ato 3 mijë euro Ministria mund ti mbajë për vete. Me këto mjete nuk mundesh as shpërblimet e Festivali ti mbulosh. Mirëpo, Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Ferizaj si çdo vit ka barrën kryesore buxhetore dhe me ndihmën edhe të sponsorit Raiffesen Bank besoj se do ja dalim që Festivali të vazhdojë më tutje”, tha fillimisht për KultPlus Hyseni, duke vazhduar tutje të tregojë se Festivali i Teatrove ka traditën e cila vazhdon rrugëtimin me një publik të shkëlqyeshëm, dhe pikërisht kjo i detyron organizatorët që ky festival të ketë përmbajtje cilësore nga gjitha trevat shqiptare.

“Besoj se këtë vit teatrot kanë bërë punë të mirë dhe Festivali varet kryesisht nga puna e po këtyre teatrove. Ne jemi në punë e sipër dhe po mundohemi që të kemi risi në Festival, me ndonjë punëtori të arteve skenike për të rinjtë, pasi që mbi 50 për qind e publikut është moshë e re”, pohoi Hyseni.

Sivjet në edicionin e 47-të të këtij festivali, do të prezantohen gjithsej shtatë shfaqje konkurruese dhe ndonjë shfaqje mysafire. Shfaqjet pjesëmarrëse sikurse edhe viteve të kaluara do të jenë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia. Hyseni tregon se ka shumë shfaqje të cilat janë duke i seleksionuar e të cilat njëherësh mund të shfaqjen në Teatrin ‘Adriana’ në Ferizaj.

Krejt në fund të kësaj bisede, Fatmir Hyseni u shpreh jo fort i kënaqur me punën nëpër teatrot e qyteteve të Kosovës në përgjithësi, jo vetëm në Ferizaj. Ai tha se teatrot për momentin janë duke mbijetuar si institucione.

“Besoni se Teatri jo vetëm në Ferizaj, por edhe në Kosovë, është në gjendje mjaft të vështirë, duke e parë situatën ekonomike e politike në vend. Kur kësaj i shtohet edhe moszbatimi i Ligjit për teatrot, atëherë mund të themi se teatrot për momentin janë duke mbijetuar si institucione. Arti në Ferizaj ka më shumë iniciativa dhe bëhet punë më shumë se në shumë Komuna tjera, e kjo falë insistimit të krijuesve dhe vullnetit të tyre për të bërë art”, përfundoi Hyseni. / KultPlus.com