Muzika austriake dhe shqiptare zbresin bashkë në 13 shtator në Tiranë

Grupet muzikore të mirënjohura austriake dhe shqiptare do perfomojnë bashkë në një koncert live në Tiranë.

Ambasada austriake në Tiranë shprehet se në kuadër të vitit kulturor Austri-Shqipëri 2018, në bashkëpunim me bashkinë e Tiranës, kanë kënaqësinë t’ju ftojnë në Music-Film Tirana-Festival në 13-20 shtator 2018, tek “Pazari i Ri” në Tiranë.

“Bazuar mbi modelin e Festivalit të Filmit të bashkisë së Vjenës, do të ofrohen koncerte live me grupe muzikore të mirënjohura austriake dhe shqiptare, filma muzikorë të zgjedhur austriakë dhe shqiptarë, si edhe specialitete kulinare, një kombinim i përsosur për mbrëmje të paharrueshme shtatori”, shprehet Ambasada austriake Tiranë. /r.e/KultPlus.com

“No Borders Orchestra” vjen me koncert në Lumbardh

Më 18 gusht në Lumbardh do të performojë orkestra e njohur si “No Borders Orchestra”, shkruan KultPlus.

No Borders Orchestra përbërë nga muzikantët të njohur nga çdo vend, grup fetar dhe etnik i ish-Jugosllavisë. Orkestra është një mishërim i gjërave që kanë rëndësi për Evropën moderne: diversiteti, integrimi dhe fryma e miqësisë.

Me muzikën e shkëlqyer muzikore, No Borders Orchestra, thyen kufijtë e të gjitha llojeve: midis vendeve, klasave dhe etnive, midis sallave të koncerteve klasike të elitave dhe skenave në sheshet me plot njerëz.

Programi:
P. I. Tchaikovsky: Serenade – Pezzo in forma di sonatina
A. Vrebalov: Pannonia Boundless
J. S. Bach: Concerto for violin and viola C minor
A. Schoenberg: Transfigured night

Dirigjenti i kësaj mbrëmje do të jetë Premil Petrović.

Koncerti në Prizren mbështetet nga Ambasada e Amerikës në Kosovë, Ministria e Kulturës si dhe Raiffeisen Bank.
“No Borders Orchestra” do të performojë më 20 gusht në Sarajevë ndërsa më 22 gusht në Beograd.

Tiketat për koncertin i cili do të mbahet në Lumbardh në Prizren duke filluar nga ora 21:00 janë falas. /KultPlus.com

“Elita 5”, feston tri dekada në skenë me një koncert në Tiranë

Një “Tornado” e ka quajtur kryebashkiaku i Tiranës, ardhjen e tyre në Tiranë mbrëmjen e 7 shtatorit. Por nuk bëhet fjalë për një tornado të vërtetë.

Ata janë 5 pjesëtarët e grupit aq të famshëm nga Tetova “Elita 5”, krijuar në vitin 1978 e që këtë vit mbushin plot 30 vite karrierë.

Tre dekada krijimtari, banda e rokerëve ka vendosur t’i festojë në Tiranë përmes një koncerti madhështor në Amfitetarin e Liqenit, një ngjarje e rëndësishme, të cilën kanë vendosur ta kremtojnë pikërisht në Tiranë, ku do të këndojnë për publikun shqiptar këngët e tyre më të mira ndër vite.

“Elita 5” në 30 vite karrierë numëron më shumë se 120 kënge, ku “Al Capone”, “Nuk jam unë diktator” “Fol vetëm fol”, janë vetëm disa nga hitet më të njohura të cilat do të këndohen në Amfitatrin e Tiranës për gati 2 orë.

Krahas 30 vjetorit të krijimit ‘Elita 5” ka edhe arsye tjetër për festuar: lancimin e albumit te ri, duke e çuar në 8 totalin e albumeve të këtij grupi. Këto dy ngjarje të rëndësishme do të sjellin në Tiranë bandën shqiptare nga Maqedonia, në datën 7 shtator në ora 20.00, në një koncert live në Amfitetarin e Liqenit./ KultPlus.com

LIVE: Unikkatili mbush stadiumin në Shqipëri (VIDEO)

Reperi më i famshëm shqiptar, Unikkatil, sonte po mban koncert në Durrës, në një koncert madhështor dhe kjo është hera e tij e parë në Shqipëri, shkruan KultPlus.

Viktor Palokaj, reperi më rebel dhe i shumëpërfolur në gjithë rrjetet sociale, si një artist që me tekstet e tij ka krijuar shumë debate, derisa ka perforuar në stadiumin e Durrësit ka krijuar një atmosferë mbarëkombëtare.

I njohur për karakterin e tij enigmatik, ai shfaqet shumë rrallë nëpër videoklipet e tij.

Koncerti i parë i Unikkatilit në Shqipëri

Reperi më i famshëm shqiptar, Unikkatil, mban sot (e shtunë) në Durrës një koncert madhështor dhe kjo është hera e tij e parë në Shqipëri.

Viktor Palokaj, reperi më rebel dhe i shumëpërfolur në gjithë rrjetet sociale, si një artist që me tekstet e tij ka krijuar shumë debate, do të performojë në stadiumin e Durrësit me një atmosferë mbarëkombëtare.

I njohur për karakterin e tij enigmatik, ai shfaqet shumë rrallë nëpër videoklipet e tij.

Nesër ne Durrës Sot mundeni me i ble online biletat Neser vetëm te stadioni Niko Dovana

A post shared by UNIKKATIL (@unikkatilofficial) on

Pjesë e koncertit do të jenë edhe pjesëtarët tjerë të TBA, si Klepto, Jetoni, Kobra e Barooti.

Para koncertit në Shqipëri, Unikkatili lansoi këngën e re “Ça jon” në bahskëpunim me Klepto.

Kënga është pritur mirë nga fansat e tij dhe për katër ditë numëron afro 800 mijë dëgjime në YouTube. /TCH/

Propozim martese në mes të koncertit, Rita ndan me fansat momentin romantik

Rita Ora është vazhdimisht e angazhuar me koncerte, nga të cilat nuk pushon pothuajse asnjë ditë.

Këngëtarja mbrëmë ka performuar në Skoci, ku as reshjet e mëdha të shiut nuk e ndaluan atë të performonte para fansave të saj, shkruan lajmi.net.

Në rrjete sociale, ajo ka ndarë me ndjekësit disa prej momenteve më kulmore të atij koncerti, e një prej tyre ishte shumë romantik.

Një çift në mes të skenës janë fejuar, pasi djaloshi i propozoi të dashurës dhe ajo pranoi para gjithë asaj mase.

Rita ishte emocionuar nga ajo skenë, ndërsa në një video që ndau me ndjekësit shkroi “Urime, shumë e lumtur që isha pjesë e kësaj”.

‘Këngë te Kopshti’, koncerti që pret të ju magjeps

Fondacioni Lumbardhi kësaj radhe prezanton koncertin ‘Këngë te Kopshti’, që do të mbahet më datë 28 korrik, në orën 21:00 në Lumbardh.

Në këtë koncert do të performojnë tre bende fenomenale: SYTË, Oborri dhe BLLA BLLA BLLA…
SYTË:

EP e parë e bendit tregon historinë e dy shpirtrave të lidhur së bashku nga yjet. Vokali i sinqertë lundron nëpër tingujt e ëmbla të sintit dhe gitarave bittersweet, të cilat e ngjyrosin bazamentin që e krijon basi dhe tupanat hip hop, për të përshkruar një dashuri që duket sikur është përzgjedhur nga një konstelacion.


OBORRI:

Oborri është një duo bend i formuar në vitin 2014 në Prishtinë, Kosovë, i përbërë nga Arbër Salihu dhe Tomor Kuçi. Pasi që ishin aktivë për 8 vite në skenën e muzikës në Prishtinë , duoja nxori albumin “Oborri” në 2017. Grupit i bashkohet kompozitori Liburn Jupolli dhe bubnjari Vedat Hasani, kështu që në performanca live grupi bëhet me 4 anëtarë .


BLLA BLLA BLLA…:

Blla Blla Blla… është një bend shumë i njohur nga Shkupi. Në 2000 bendi nxorri albumin e tyre të parë dhe shumë të suksesshëm “Blla Blla Blla”. Ata janë edhe autorë të albumeve “Over the Blakanshire Reform”, “Lamtumirë ” dhe “Brum për Medioker”.

Biletat kushtojnë 2 euro para koncertit dhe mund të blihen në Prizren te Lumbardhi kurse në Prishtinë në Dit’e’Nat. Biletat te dera do të kushtojnë 4 euro.

Sponsor i programit veror janë Raiffeisen Bank dhe Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit./KultPlus.com

Robert Bisha pjesë e ‘Ohrid Summer Festival’

Robert Bisha kompozitori i njohur shqiptar, multiinstrumentisti i talentuar i cili me interpretimet e tij ka mrekulluar gjithmonë publikun jo vetëm shqiptarë por edhe atë Evropian, kësaj radhë do të ketë ndalesë në Ohrid, shkruan KultPlus.

Koncerti i Robert Bishës do të jetë në kuadër të ‘Ohrid Summer Festival’ dhe do të mbahet më datë 08.10.2018 duke filluar në ora 21:00.

Robert Bisha do të interpretojnë së bashku me Iso Polyphonic Choir – Kori Iso-Polifonik të cilët së bashkë dinë të sjellin atmosferë magjike.

Festivali Veror i Ohrit këtë vit shënon edicionin tij të 57-të, kjo gjë dëshmon se ekzistenca e tij është falë vlerave që ata prezantojnë dhe festivali mbështetet në diçka që me të vërtetë paraqet një traditë të madhe. Kjo traditë vjen nga vendi që është dhënë nga Perëndia, nga qyteti i Ohrit – kryeqyteti shpirtëror i Maqedonisë, qyteti antik me liqenin magjik blu, një qytet me një histori kulturore të shënuar me vlerat e qytetërimit të lashtë, qytetin e Ohrit universiteti i parë sllav në Evropë, qyteti i mbretërisë së Samuilit dhe më në fund – qyteti që përfaqëson tërë historinë kulturore dhe shpirtërore maqedonase.

Robert Bisha ka lindur në Vaun e dejës (Shkodër) në vitin 1984. Kompozitor por mbi të gjitha Improvizues në piano dhe poli instrumentist. Ka kompozuar pjesë për piano për muzikë dhome në një rrymë që tejkalon muzikën klasike dhe muzikën xhaz. Kritika e ka vlerëson si improvizues i veçantë, i pa arritshëm dhe virtuoz i pianos. Në Itali vazhdon karrierën e tij artistike.

Ka sjell, për herë të parë në historinë e Shqipërisë, në Teatrin e Operës dhe të Baletit në Tiranë, një koncert për piano i tëri i improvizuar. Një mendim shumë i thellë mbi muzikën dhe mbi mënyrën e komunikimit. Larg vullnetit të interpretimit dhe të imitimit. Afër kërkimit të brendshëm po ashtu në lidhje me totalitetin.

“Muzika është kombinim tingujsh brenda shumë formave. Forma duhet eliminuar për më ardhur tek tingulli në mënyre direkte. Njeriu ka nevojë për formën vetëm kur nuk është gjithnjë në kërkim të vetvetes; kjo ndoll edhe kur format janë të shumta”, përfundon Bisha./ KultPlus.com

http://ohridskoleto.com.mk/en/program-events/page/3/

Unikkatil me koncert në Shqipëri, e quan “Koncerti i Kombit”

Reperi i njohur i cili ka mbajtur me dekada një profil diskret, tashmë po bëhet më publik me postime në rrjete sociale e koncerte.

E nisi në Europë dhe duket që s’do ndalet.

Unikkatil më datë 4 gusht do të mbajë një koncert madhështor në Durrës. Tashmë kanë dalë edhe biletat në shitje. Më poshtë po ju sjellim lokacionet ku mund t’i siguroni ato. / KultPlus.com


Sean Paul me koncert në Shkup

Këngëtari i njohur, Sean Paul pritet të vijë në Maqedoni, ku do edhe mbajë një koncert për adhuruesit e tij.

Sipas paralajmërimit, ky koncert pritet të mbahet në stadiumin e kryeqytetit, në Shkup.

Ardhja e tij është paralajmëruar për datën 23 gusht, dhe do jetë mundësi e mirë edhe për adhuruesit e tij që jetojnë në Kosovë.

Ndryshe, duhet cekur se Sean Paul ka edhe një duet me këngëtaren shqiptare, Dua Lipa, e titulluar: “No lie”. /KultPlus.com

Rita anulon koncertin në Izrael

Këngëtarja me prejardhje shqiptare, Rita Ora, ka anuluar pjesëmarrjen e saj në festivalin muzikor “Wow” që do të mbahej në Rishon Lezion.

Sipas drejtuesve të koncertit, Rita ka informuar kompaninë organizative se do të mungojë në koncert për shkaqe shëndetësore. Mediat në Jerusalem raportojnë se ajo i ka thënë “Bluestone Group” se i duhet të bëjë një operacion shkaku i problemeve shëndetësore, transmeton Koha.net.

Krijuesja e hitit “Girls” do të performonte më 1 gusht përkrah këngëtarit Jason Derulo. Edhe pse e ka anuluar koncertin në Izrael, Rita pritet të performojë në Britani të Madhe më 28 korrik dhe në Lituani më 3 gusht.

Gjatë muajit maj, Rita Ora anuloi një koncert në Bristol për shkaqe shëndetësore. / KultPlus.com

ProCredit Bank vazhdon traditën, sjellë Elvana Gjatën me koncert madhështor

Banka PorCredit, tashmë e ka kthyer në traditë organizimin e koncerteve madhështore në qendër të kryeqytetit kosovar.

Vitin e kaluar parku i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, u stërmbushur me njerëz nga të gjitha anët e vendit, për të shijuar tingujt e magjishëm të Alban Skenderajt si dhe pamjen e mahnitshme të fishekzjarrëve që u lëshuan.

Kësisoj, sivjet më 14 korrik, i njëjti vend me të njëjtit organizator mirëpresin këngëtaren e njohur shqiptare Elvana Gjata. Ky koncert LIVE në parkun e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, do të jehojë me këngët e reja dhe ato më të njohurat të Elvanës e cila tashmë po punon fort edhe për karrierë ndërkombëtare.

Siç e dimë të gjithë ProCredit Bank, është një shtyllë shumë e rëndësishme e kulturës në Kosovë. Ajo çdo vit përkrahë financiarisht festivalet kulturore në vend e poashtu edhe koncerte e evente të ndryshme për klientët e saj dhe jo vetëm

Elvana Gjata në këtë koncert të organizuar nga ProCredit, do nisë performancën e saj me fillim nga ora 19:00 ndërsa përpos saj në këtë koncert të pranishmit do të kenë mundësi të kënaqen edhe nën tingujt e DJ Gamblemani & The Band e po ashtu qielli i Prishtinës do të ndriçohet nga fishekzjarrët e shumtë që do të lëshohen në sinkronizim të muzikës. Në këtë koncert hyrja do të jetë falas! / KultPlus.com

“Trio Osmanaj” shënoi Ditën Botërore të Muzikës me vepra shqiptare në Zvicër

Alberina Haxhijaj

Në ambientet e përshtatshme për koncerte, të kishës katolike “St. Peter dhe Paul” në qendër të kryeqytetit helvetik, grupi “Trio Osmanaj”, ka shfaqur një koncert me muzikë klasike shqiptare, të enjten, shkruan KultPlus.

Koncerti është organizuar nga ambasada e Republikës së Kosovës në Bern, në kuadër të programit për diplomacinë publike, për të shënuar Ditën Botërore të Muzikës.

Në emër të ambasadës dhe ambasadores Nazane Breca, Ministri-Këshilltar, Mustafë Xhemaili, i përshëndeti të pranishmit që kishin ardhur nga ambasadat e ndryshme si dhe mërgimtaret shqiptarët të pranishëm, dashamirësit e muzikës klasike.

“21 qershori, është Dita Botërore e Muzikës. Si gjithkund në botë, edhe në Kosovë, mbahen koncerte të ndryshme për të gjitha moshat. Sonte ‘Trio Osmanaj’ ka ardhur nga kryeqyteti i Kosovës dhe bashkë me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Bernë, kanë organizuar këtë koncert. ‘Trio Osmanaj’ përbëhet nga vëllezërit Osmanaj, që janë nga Prishtina, muzicientë të njohur, virtuoz në instrumente, që interpretojnë dhe kultivojnë muzikën klasike shqiptare”, u shpreh Mustafë Xhemaili gjatë prezantimit të instrumentistëve.

Tutje ai theksoi se ajo që ka më së shumti rëndësi është së tani grupe muzikore të zhanreve të ndryshme, zhvillojnë aktivitetet e tyre muzikore lirshëm në Republikën e Kosovës. Grupe, me dashuri të madhe për muzikën, që rriten dhe zhvillohen nën kujdesin profesional të ekspertëve.

Pas fjalës së tij Fidan Osmanaj në klarinetë, Dardan Osmanaj në violinë dhe Shkodran Osmanaj në kontrabas, interpretuan para të pranishmëve vepra të ndryshme të muzikës klasike shqiptare që me shekuj është zhvilluar në Ballkan.

Kështu “Trio Osmanaj” solli në këtë mbrëmje muzikë nga Kosova, Shqipëria e Mesme dhe nga Shkodra, një qytet shumë i lashtë e me tradita muzikore në Shqipërinë veriore.

Me koncertin e tyre 60 minutash, “Trio Osmanaj” shënuan Ditën Botërore të Muzikës dhe bënë që muzika shqiptare të dëgjohej në këtë festë, krahas muzikës së më shumë se 120 shteteve që e shënojnë këtë ditë. / KultPlus.com

Agron Peni sonte me koncert në Norvegji

Sonte në Drammen të Norvegjisë, kitaristi kosovar Agron Peni mbanë koncert bashkë me Lindita Otarsson, shkruan KultPlus.

Në këtë koncert Peni fillimisht do të prezantohet si solist me pesë vepra ndërsa pastaj do të bashkohet edhe Lindita Otarssonme të cilën do të promovojnë albumin “Udhë”, album ky i realizuar nga dyshja vitin e kaluar.

“I gjithë koncerti do të përmbajë vepra shqipe, një rast shumë i mirë ky për ta promovuar në mënyrë shumë profesionale muzikën shqipe te publiku norvegjez”, tha për KultPlus, Agron Peni.

Koncerti mbahet sonte më 20 qershor me fillim nga ora 19:00 dhe është mbështetur nga Komuna e Drammenit./ KultPlus.com

Rita Ora niset për Tiranë (FOTO)

Sonte në sheshin Skënderbej në Tiranë, për të performuara para shumë shqiptarëve do të jetë e famshmja nga Kosova Rita Ora, shkruan KultPlus.

Ajo para pak minutash ka publikuar disa fotografi nga aeroporti i Londërs, ku tregon se është nisur për në Tiranë, aty ku sonte do të mbajt koncertin e shumëpritur nga shqiptarët./ KultPlus.com


https://www.instagram.com/p/Bjj28LRn1_e/?hl=en&taken-by=ritaora

Rita Ora me energji të jashtëzakonshme në Paris (FOTO)

Këngëtarja me prejardhje shqiptare, Rita Ora po ecën nëpër skenat më të mëdha botërore, atje ku po mbledh një numër të madh të fansave nga vende të ndryshme.

Një atmosferë të jashtëzakonshme e ka krijuar në Paris të Francës, atje ku ka interpretuar këngët e saj.

“Unë as që mund ta përballoja se sa të zëshëm ishit. Unë jam veshur në të kuqe për një arsye”, ka shkruar Rita Ora në postimin e saj në Instagram.

Rita Ora së fundmi ka publikuar këngën më të re të titulluar “Girls”, e cila është bashkëpunim me Bebe Rexhen, Cardi B dhe dhe Charli XCX/ KultPlus.com

Kitaristi Drilon Çoçaj me koncert recital në Suedi

Kitaristi kosovar Drilon Çoçaj, pas disa prezantimeve që pati në vendlindje, tashmë do të mbajë një koncert recital në qytetin e Boras të Suedisë, shkruan KultPlus.

Përpos koncertit Çoçaj ku do të mbajë masterclassin për kitaristët e shkollës së qytetit. Ndërsa në koncertin solo veprat që do t’i luaj janë nga kompozitorë të ndryshëm si Bach, Sor, Legnani dhe Ponce.

Këto aktivitete organizohen nga qytetit i Boras, shkolla e artit të qytetit dhe shoqata e shqiptarëve në Suedi If Dardania./ KultPlus.com

Tingujt magjik të Shkëlzen Doli dhe këngët e mirëfillta shqipe, jehuan mbrëmë në Gjakovë

Gjakova, qytet i muzikës, mbrëmë pati një festë muzikore.

Violinisti me famë botërore, e anëtar i Filarmonisë së njohur të Vjenës, në Pallatin e kulturës “Asim Vokshi” kishte ftuar qindra miq nga të gjitha anët ku flitet shqip duke i befasuar se nuk ishte rastësi ky takim me ta për t’ua prezantuar Ansamblin muzikor që do të mbaj emrin e tij.

Për dy orë ai dhe orkestra e përzgjedhur nën dirigjimin e mjeshtrit Alfred Kaçinari, e me këngëtarë të ftuar, tregoi dhe dëshmoi për të satën herë cilësitë e një mjeshtri të rrallë.

Kënduan Edi Furra, veterani Ismet Peja, Gentian Gojani, Vesa Smolica, Grupi Polifonik nga Himara, grupi muzikor “Ashikët” e duke e përfunduar koncertin me këngën e njohur “Është Kosova, është Shqipëria…” në shenjë të shënimit të ditëlindjes së heroit kombëtar Skënderbeut.

Sipas drejtorit artistik të këtij ansambli, Ruzhdi Sadiku, do të vazhdojnë punën duke shpallur audicione për solistë e instrumentist si dhe për valltarë e valltare për ta bërë një ansambël të kompletuar e për të pasur paraqitje çdo mujore në Gjakovë e hapësirat gjithëshqiptare e për të vazhduar edhe më përtej./ KultPlus.com

Rita Ora e mahnitshme para koncertit në Manchester (FOTO)

Ylli botëror Rita Ora, pas koncerteve të shumta në vende të ndryshme të botës, këngët e saj sonte do të dëgjohen në Manchester, shkruan KultPlus.

Disa orë më parë ajo ka postuar një fotografi në rrjetin social Instagram, ku ka shkruar se mezi po pret të këndoj për publikun e Manchesterit.

Minuta më parë, ajo ka publikuar disa fotografi para këtij koncerti ku shihet mjaft e freskët dhe energjike, ndërsa mban një varëse me mbishkrimin “Daddy”, apo në shqip “Babai”.

“Një filxhan me qaj para se të ngjitem në skenën e Manchesterit”, ka shkruar Rita.

Ajo së fundmi ka publikuar këngën “Girls”, në bashkëpunim me Cardi B, Charli Xcx dhe këngëtaren shqiptare Bebe Rexha./ KultPlus.com

Vepra e Dafina Nushit do të interpretohet në koncertin “Mother Nature”, në New York

Vepra e kompozitores nga Kosova, Dafina Nushi do të jetë pjesë e koncertit “Mother Nature”, që do të mbahet javën tjetër në New York, shkruan KultPlus.

Koncerti Mother Nature, organizuar nga organizatat e New Yorkut , AËCANYC, organizatë e drejtuar nga kompozitorja Jin Hee Han qe u shërben kompozitorëve të rinj aziatikë dhe etniteteve tjerë nga e gjithë bota për të ndarë historinë e tyre përmes muzikës, si dhe Concrete Timbre, nën udhëheqje të Ann Warren, ku ka për qëllim shfaqje të guximshme ndërdisiplinore në kanonin e muzikës bashkëkohore duke krijuar mundësi për kompozitorët për të punuar në mjedise multidisiplinare.

Në këtë koncert prezentohen vepra te reja për grup saksofonistë të interpretuara nga Cobalt Quartet (Raymond Kelly, Anthony Izzo, Ryan Mantell, Josh Lang). Vepra këto të reja të kompozuara nga kompozitorët Ann Warren, Alex Chadëell, Amy Brandon, Anthony Izzo, David Loed, Dafina Zeqiri Nushi, Jacob Elkin dhe Jin Hee Han.

Vepra e Dafina Nushit që do të interpretohet është Atmosfera për dy saksofonostë ku është një përshkrim i atmosferës shpirtërore që na rrethon. Një frymë e tillë realizohet duke përdorur teknika të ndryshme interpretuese si këndimi dhe luajtja në të njëjtën kohë. Gjithashtu përpjekje të përfytyroj periudhat e mëparshme, si renesanca dhe baroku në aspektin modern, me një kombinim të moduseve dhe teknikave interpretuese.

Koncerti mbahet në Olli Studio, New York më 19 Maj në ora 19.00./ KultPlus.com

Ramë Lahaj: Është kënaqësi që sonte performoj në Prishtinë

Alberina Haxhijaj

Sonte do të mbahet koncerti i titulluar “Evropa në zemrën e tij, krenaria e Kosovës”, në të cilin do të paraqitet tenori Ramë Lahaj pas disa viteve mungesë në skenën kosovare. Gjithë kjo pas sukseseve të panumërta që ai po arrin nëpër skenat më të mëdha operistike nëpër botë.

Tenori Ramë Lahaj në konferencën e cila u mbajt sot për media, shpalosi disa detaj për koncertin ndërsa tregoi se sa e rëndësishme është për të koncerti por edhe masterklasa që do të mbajë.

Fillimisht Vjosa Berisha nga Qendra Informative dhe Kulturore e Bashkimit Evropian tregoi se qendra ka pasur disa organizimi gjatë këtyre ditëve për të shënuar Ditën e Evropës. Mirëpo sipas saj mysafiri kryesor i këtyre organizimeve është tenorin Ramë Lahaj.

“Kemi një nderë të veçantë që ambasadorja Nataliya Apostolova ka vendosur që këtë vit Ditën e Evropës ta shënoj duke na e mundësuar që Ramë Lahaj përkundër agjendës së tij shumë të ngarkuar të performojë sonte në Prishtinë dhe të mbajë edhe masterklasë”, tha ajo.

Në anën tjetër përveç tenorit Ramë Lahaj në Prishtinë ka ardhur edhe pianisti, Alessandro Amoretti, i cili tashmë punon rregullisht së bashku me tenorin shqiptarë.

“Jam i lumtur që jam këtu për të shoqëruar mikun tim të cilin nuk ka shumë kohë që e kam takuar. Jemi takuar fillimisht në Rusi dhe menjëherë jam mahnitur nga zëri i tij. Unë punoj si trajner i zërit dhe mund ta them këtë pa pasur asnjë ngurri. Jam i lumtur që jam këtu dhe që e shoqëroj këtë këngëtar i cili ka shumë për ti dhënë botës”, tha ai.

E tenori Ramë Lahaj u shpreh së ardhjen në Prishtinë e kishte në mendje që një kohë të gjatë. Tutje ai kujtoi edhe fillimin e karrierës së tij ndërsa u shpreh se akoma ndjehet si një parashutistë në këtë profesion.

“Është kënaqësi që jam këtu pasi që është bërë mjaft gjatë që nuk kam qenë këtu. Jo për shkak se dëshira nuk ka ekzistuar mirëpo sepse kam qenë në fillim të hapave të karrierës sime dhe kam qenë mjaft i zënë. Mirëpo duke e parë që ishte një kauzë e cila më të vërtetë më pëlqeu u shkëputa për pak nga puna dhe jam këtu. Gjithmonë kam pasur dëshirë që të ketë një arsye të veçantë dhe jo thjeshtë të vi dhe të jap një koncert”, tha ai duke shtuar se Prishtina sado që i jep një kënaqësi të veçantë njëkohësisht i jep edhe një lloj stresi të cilin nuk e gjenë çdo kund.

Programi i cili do të jetë në koncert ka qenë i sajuar në momentet e fundit. Kështu tenori Ramë Lahaj sonte do të sjellë vepra të repertorit të cilat i ka punuar më parë mirëpo edhe disa vepra në të cilat është duke punuar aktualisht.

Në kuadër të ardhje së tij ai do të mbajë edhe një mastërklasë, nesër, në ora 15:00 në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare.

“Masterklasa është pjesa e preferuar e imja sepse është shumë e veçantë se sa shumë talente ka ky vend. Është vërtetë e vështirë, duke përfshirë këtu të gjitha vendet që kam udhëtuar nëpër botë, me arrit me gjete vokale që kanë një veçanti si kjo e zonës tonë. Në përgjithësi gjithë Ballkani por veçanërisht në Kosovë e Shqipëri. Jam shumë interesuar dhe kam bërë edhe disa punëtori të vogla pasi që gjithmonë kërkoj për talent të reja. Talent të cilin kisha mundur me i sugjeruar ose me i orientuar diku dhe jam i kënaqur që nesër do kemi mundësi të punojmë pikërisht me talent të rinj”, thekso ai duke shtuar se shpreson që liberalizimi i vizave të ndodhë më shpejtë në mënyrë që studentëve të ju ofrohen sa më shumë mundësi.

Koncerti do të jetë sonte në ora 20:00 në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitar. Biletat të cilat janë shpërndarë falas në Qendrën Informative dhe Kulturore të Bashkimit Evropian, tashmë kanë mbaruar./ KultPlus.com

Kori i Filharmonisë së Kosovës gati për të ‘pushtuar’ Britaninë e Madhe

Alberina Haxhijaj

Filharmonia e Kosovës tashmë është bërë gati për turneun britanik. Ky rrugëtim i cili po konsiderohet i veçantë nga ky institucion, do të sjellë për herë të parë para publikut angleze anëtarët e Korit të Filharmonisë së Kosovës. Kori do të ketë tri paraqitje nga të cilat dy në qytetin Hastings dhe një në kryeqytetin britanik, Londër, shkruan KultPlus.

Anëtarët e Korit të Filharmonisë, ka kohë që i kanë filluar përgatitjet për këto tri koncerte. Përgatitje të cilat kanë qenë të vështira pasi që ato janë bërë paralel me programin vjetor që ka ky institucion.

Koncerti i parë do të jetë më 5 maj ku kori i Kosovës do t’i bashkohet Korit dhe Orkestrës së Filarmonisë së Hastingsut për interpretimin e veprës “Requiem” të Verdit, nën drejtimin e dirigjentit brazilian Marcio da Silva. Dirigjent ky i cili ishte edhe nismëtar i këtij projekti, pas ardhjeve që pati në Kosovës si dirigjent permanent i Filharmonisë së Kosovës.

Drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari e konsideroi të rëndësishëm këtë koncert pasi që është e rrallë paraqitja e këtij institucioni jashtë Kosovës. Kjo sipas tij duhet të ndodh sa më shpesh pasi që sjellë bashkëpunime të cilat janë në të mirë të zhvillimit dhe promovimit të punës së Filharmonisë.

“Një program mjaft kompleks të cilin ne e kemi quajtur ‘Kthim në të kaluarën’ pasi që sjellë një udhëtim muzikor dhe interpretimin e literaturës që nga shekulli XIII, XV dhe XVI e deri në ditët tona“, tha ai.

Pikërisht më këtë program i cili ngërthen në vete vepra të tri gjeneratave të kompozitorëve shqiptarë, e po ashtu edhe vepra të kompozitorëve botëror, kori do t’i ketë dy paraqitje, më 6 dhe 7 maj.

Për të paraqitur një sekuencë nga ajo që do të prezantojnë në Britani të Madhe, anëtarët e korit interpretuan për media veprën “Çorapët e Burrit” të kompozitorit Lorenc Antoni. Kështu që në fillim krijohet përshtypja se përmes këtyre koncerteve nuk do të bëhet vetëm prezantimi i korit por edhe i muzikës korale shqiptare si dhe i Kosovës.

Këtë e konfirmoi edhe Dirigjenti i Filharmonisë së Kosovës, Rafet Rudi. Ai tha se solistët nga Kosova janë duke arritur suksese jashtë vendit si individë kurse ky do të jetë një rast i mirë që ata të prezantohen edhe institucionalisht në kuadër të Filharmonisë së Kosovës.

“Programi i këtyre dy koncerteve është një program mirë i peshuar dhe i sajuar në bazë të disa parametrave. Programin e kemi sajuar duke pasur kujdes që veprat që përfshihen të jenë vepra reprezentative të muzikës tonë korale dhe besojmë që në këtë aspekt kemi çka të tregojmë pasi që ajo është e pasur”, tha ai.

Në anën tjetër sopranoja Adelina Paloja tha se të gjithë kanë punuar shumë në mënyrë që të japin një prezantim të denjë të punës së tyre.

“Kjo është një rezultat i punës së madhe që është bërë nga Filharmonia duke pasur të gjitha ato problemet teknike dhe financiare. Prandaj me gjithë kapacitetet tona ne si ekipe, si ansambël edhe individualisht me pjesët tona solistike jemi munduar që të japim më të mirën tonë. Duke shpresuar që rezultati final, nga kjo punë kolosale që është bërë, të jetë ai i duhuri dhe i dëshiruari”, tha ajo.

Ky turne organizohet në bashkëpunim me Filharmoninë e Hastings-it dhe shënon disa ngjarje, 90 vjetorin e themelimit të Korit të Filharmonisë së Hastings-it, 15 vjetorin e Korit të Filharmonisë së Kosovës dhe përkon edhe me 10 vjetorin e shtetit të Kosovës.

Ky udhëtim është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe Ambasada e Republikës së Kosovës në Londër./ KultPlus.com

Kori Siprantum nesër me koncert në Pejë, para koncertit në Nancy të Francës

Kori i qytetit të Pejës, nesër do të paraqitet me koncert recital në KINO “Jusuf Gërvalla”, në Pejë duke filluar nga ora 20:00, shkruan KultPlus.

Ky event cilësohet si pre-koncert i udhëtimit të korit në festivalin ndërkombëtar të koreve botërore “Nancy voix du monde” që mbahet nga 9-13 Maj në Nnacy të Francës, ku Kosova paraqitet për herë të parë në këtë festival.

“Natyrisht ky koncert për neve është shumë i rëndësishëm. Jam shumë i lumtur që brenda një periudhe shumë të shkurt ne kemi arritur të ndërtojmë një program të nivelit të tillë, që nuk është aspak e lehtë, çdoherë duke ju referuar vullnetit të mire të koristëve”, ka thënë Memli Kelmendi, dirigjent i korit.

Në këtë mbrëmje do të paraqiten vepra të ndryshme të kompozitorëve të njohur botërorë. Në këtë mbrëmje do të shfaqet Premierë vepra e kompozitorit kosovar “Siparantum” nga Kreshnik Aliçkaj, vepër e kompozuar enkas për këtë kor. Në mesin e shumë veprave të njohura do të jetë “Bohemian Rhapsody” nga Queen, që kësaj radhe vie nën interpretimin e Matej Karaqit në përcjellje të pianistit Agron Shujaku.
Vitin e kaluar kori Siparantum është shfaqur në festivale dhe koncerte të ndryshme në Kosovë dhe Kroaci, me 26 prill kori do të paraqitet në kuadër të festivalit Post-DAM bashke me korin e shkollës së mesme të muzikës “Halit Kasapolli” nga Peja që mbahet në Amfiteatrin e ri të Bibliotekës Universitare në Prishtinë./ KultPlus.com

Dua Lipa e mbushur me lumturi nga koncerti në Manchester (FOTO)

Dua Lipa po vazhdon turneun e saj në Angli, duke dëshmuar çdo ditë e më shumë kapacitetin e saj skenik, shkruan KultPlus.

Pas disa koncerteve në Dublin, ajo mbrëmë ka performuar në Manchester të Anglisë, atje ku ka krijuar një atmosferë tejet të veçantë, duke mbledhur një numër të madh të publikut.

“Nata e parë në Manchester, faleminderit për energjinë dhe dashurinë që më dhuruat! Unë jam e mbushur me plot lumturi dhe menzi s’po pres për nesër që ta përsërisim këtë natë nga fillimi”, ka shkruar mbrëmë, pas koncertit këngëtarja.

Dua Lipa së fundmi ka publikuar këngën “One kiss”, në bashkëpunim me Calvin Harris ndërsa ka arritur sukses të jashtëzakonshëm me albumin e saj të fundit “Dua Lipa”./ KultPlus.com