Sot në TKK vjen premiera e shfaqjes “Kuartet” të autorit Heiner Müller

Sonte duke filluar nga ora 21:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës shfaqet premiera e shfaqjes “Kuartet” të autorit Heiner Müller, përcjell KultPlus.

Drama Kuartet e autorit gjerman Heiner Müller përshkon konfigurimin dual të dy personazheve antagonistë që përmes një dramaturgjie të hapur dhe lojës së dyfishtë shpalosin historitë dhe kujtimet e tyre përgjatë relacionit kohor: Sallon borgjez para Revolucionit Francez / Bunker pas Luftës së III-të Botërore.

Bazuar në romanin „Les Liaisons dangereuses“ të autorit Laclos, Kuartet trajton historinë e konfliktit të Merteuil dhe ish të dashurit të saj Valmont, të cilët reflektojnë mbi kohën e humbur, kujtesën, marrëdhëniet historike, trupin, pushtetin, seksualitetin, që tashmë janë ngurtësuar në mite pakohë. Përmes gjuhës së ashpër e retorike, drama/loja e tyre shndërrohet në një tribunal të kujtimeve që përshfaqin një realitet të fragmentuar e kompleks.

Ndërrimi i vazhdueshëm i roleve dhe “zhanreve“, tematizon edhe rolin e teatrit si medium e material që këto struktura të tejkalohen. Në ketë konstelacion shfaqja ka për bazë kujtesën e aktorit që përshkon udhëtimin e vet nëpër përvojën skenike. Ky refleksion i mundëson publikut të përballet me një „teatër të papërcaktuar“, në të cilin provojnë të shkrihen disa plane e dimensione mediale-teatrore.

Regjisor: Alban Beqiraj
Interpretojnë: Afrim Kasapolli, Aurita Agushi, Ermal Sadiku, Agon Bala
Skenograf: Mentor Berisha
Kostumografe: Yllka Brada
Grafika skenike: Florian Çanga
Ass. Regjisor: Milot Tafili
Tonist: Arben Aliu
Inspicient: Bajram Mehmetaj

Repriza e parë: 06 prill. / KultPlus.com

Shfaqja ‘Kuartet’ këtë muaj premierë në Teatrin Kombëtar

Teatri Kombëtar i Kosovës ka publikuar shfaqjet qe do të jepen në këtë teatër gjatë muajit prill, përcjell KultPlus.

Këtë muaj, më 5 prill do të jepet premiera e shfaqjes  ‘Kuartet’ me regji të Alban Beqiraj.

Drama tragjikomike “Kuartet” është një dramë e autorit gjerman Heiner Muller, e përkthyer për herë të parë në gjuhën shqipe nga Alban Beqiraj.

Shfaqja është inskenuar nga regjisori austriak, Andreas Pronegg. Virtuoziteti i tekstit bën që aktorët Arjola Demiri dhe Ermal Sadiku të kenë qasje të veçantë, ku gjatë interpretimit ata do të luajnë disa karaktere, duke ndryshuar gjinitë dhe rolet. Pjesë shumë e rëndësishme e shfaqjes janë edhe “Engjëjt e historisë“, ku interpretojnë aktoret Rajmonda Ahmetaj, Arta Lahu, Shqipe Gashi dhe Donikë Ahmeti./ KultPlus.com

Publikohet lista fillestare e personave që kanë kandiduar për pozitën e drejtorit të përgjithshëm të RTK-së

U publikua lista fillestare e personave që kanë kandiduar për pozitën e drejtorit të përgjithshëm të RTK-së. Pas verifikimit të aplikacioneve do të publikohet lista finale.

Komisioni vlerësues dhe përzgjedhës për përpilimin e listës së kandidatëve të paraqitur në konkursin publik, për vendin e lirë të punës: Drejtor i Përgjithshëm i Radio Televizionit të Kosovës, ka mbajtur takim, në të cilin ka hapur aplikacionet e kandidatëve.

Kandidatët që kanë aplikuar brenda afatit kohor të përcaktuar me konkurs janë:

Adriana Kutllovci
Arben Berisha
Bekim Hasani
Burhan Lata
Fadil Hoxha
Fahredin Shehu
Fisnik Derguti
Fitore Miftari
Gjergj Filipaj
Hysen Hundozi
Mehmet Kalisi
Orhan Hajrizi
Remzije Zeqiraj
Shkumbin Ahmetxhekaj
Valentina Saraçini
Zenel Hajrizi

Komisioni do të verifikojë aplikacionet bazuar në kriteret e konkursit dhe brenda afateve të caktuara kohore, do të përpilojë listën finale dhe do t’i njoftojë kandidatët për datën, vendin dhe kohën e mbajtjes së testit me shkrim. / KultPlus.com

Premiera e shfaqjes “Equal” me koreografi të Robert Nuhës vjen të martën në TKK

Projekti më i ri i artistik i kompanisë “Noa Dance Theater”, i titulluar ‘Equal’, do ta ketë premierën të martën në Teatrin Kombëtar të Kosovës, përcjell KultPlus.

“Equal” është projekti më i ri i artistik i kompanisë “Noa Dance Theater”, i cili vjen si rrjedhojë e kërkimeve të koreografisë së bazuar në teknikat më të fundit të dansit bashkëkohorë, të cilat nxjerrin në pah fuqinë dhe rëndësinë e gruas në shoqërinë tonë, rëndësinë dhe nevojën e barazisë, përgjegjësinë kolektive ndaj fenomeneve të dëmshme për shoqërinë tonë si dhe shtypjen gjinore si akt i dhunshëm dhe i dëmshëm fizik e psiqik.

Përmes imazheve që do të ofrohen përgjatë kësaj performance që nis në orën 20:00, do të pasqyrohen situata që ngritin pyetje të cilat targetojnë reflektimin e shoqërisë mbi çështjet fragjile të barazisë gjinore.

“Equal” është projekt i kompanisë së vetme të dansit bashkëkohorë në Kosovë “Noa Dance Theatre Co”, mbështetur nga fushata 50% – 50% dhe fondi Feminist i drejtuar nga Qendra per Art dhe Komunitet “Artpolis”. / KultPlus.com

MKRS: Procesi i zgjedhjes së drejtorit të Përgjithshëm të TKK-së nuk ka përfunduar

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se procesi i zgjedhjes së drejtorit të përgjithshëm të Teatrit Kombëtar të Kosovës nuk ka përfunduar, përcjell KultPlus.

KultPlus ua sjell njoftimin e plotë:

NJOFTIM

Procesi i zgjedhjes së drejtorit të përgjithshëm të Teatrit Kombëtar të Kosovës nuk ka përfunduar. Këshilli Drejtues i TKK ka përfunduar vlerësimin e kandidatëve pas intervistimit (me shkrim dhe me gojë).

Ministria e Kulturës do t’i ndjekë afatet ligjore për zhvillimin e hapave të mëtutjeshëm, përfshirë afatin e ankesave, në procesin e përzgjedhjes së drejtorit të përgjithshëm të TKK./ KultPlus.com

Baleti Kombëtar i Kosovës në bashkëpunim me David Peden për ngritjen e nivelit tekniko-artistik të balerinëve

Baleti Kombëtar i Kosovës së fundmi ka filluar bashkëpunimin me pedagogun David Peden, përcjell KultPlus.

Pedagogu Peden do të jetë në Teatrin Kombëtar të Kosovës për 3 javë në kuadër të ngritjes së nivelit tekniko-artistik të balerinëve. / KultPlus.com

Sot përfundon konkursi për pozitën e drejtorit të përgjithshëm në Teatrin Kombëtar

Kur kemi hyrë në vitin e tretë që Teatri Kombëtar i Kosovës është pa një drejtor, sot edhe do të mbyllet konkursi i përsëritur nga Ministria e Kulturës për këtë pozitë, shkruan KultPlus.

Rishpallja e konkursit për pozitën Drejtor i Përgjithshëm i Teatrit Kombëtar është publikuar më 9 dhjetor nga MKRS-ja, derisa është bërë e ditur se ai konkurs do të jetë i hapur nga data 8 janar deri më 22 janar të vitit 2022.

Të gjithë ata që kanë aplikuar në këtë konkurs, duhej që të paktën të kenë shtatë vjet përvojë pune profesionale dhe katër prej tyre në pozitë drejtuese, kritere të njëjta sikurse nga konkursi paraprak.

Sipas burimeve të klankosova.tv, Naser Shatrolli ka dhënë dorëheqje nga të qenët drejtor i Teatrit Kombëtar të Kosovës. /KultPlus.com

Shfaqja “Dasma e Kallajxhiut” nën regjinë e Sevdije Ajetit vjen më 19 janar në TKK

Shfaqja “Dasma e Kallajxhiut” e autorit John Millington Synge së shpejti vjen në Teatrin Kombëtar të Kosovës, përcjell KultPlus.

Pikërisht nën regjinë e Sevdije Ajetit, shfaqja do të shfaqet më 19 janar, duke filluar nga ora 20:00.

Shfaqja është shqipëruar nga Artur Lena. Ndërsa, asisent regjie është Mevludin Berisha.

Po ashtu në shfaqjen “Dasma e Kallajxhiut” luajnë aktorët si: Valina Muçolli, Gramoz Malaj, Kumrie Hoxha dhe Burim Koprani. / KultPlus.com

Teatri Kombëtar pa energji elektrike, dështon shfaqja ‘Të vdekurit mbajnë zi për atdheun’

Shfaqja ‘Të vdekurit mbajnë zi për atdheun’ ishte parparë që të shfaqet sot në Teatrin Kombëtar të Kosovës duke filluar nga ora 20:00, shkruan KultPlus.

Megjithatë, një gjë të tillë e ka pamundësuar mungesa e energjisë elektrike, e cila është paraqitur si problem në të gjithë botën.

Aktorja e kësaj shfaqjeje, Majlinda Kasumoviq njoftoi përmes një ‘InstaStory’ në llogarinë e saj në “Instagram” se është ndalur rryma dhe rrjedhimisht shfaqja ka dështuar.

Anulohet shfaqja për shkak të mungesës së energjisë elektrike“, ka shkruar ajo.

Kjo nuk është hera e parë që po dështojnë shfaqjet në Teatrin Kombëtar të Kosovës si rezultat i mungesës së energjisë elektrike.

Ndërkohë, Teatrit Kombëtar nuk i punon gjeneratori që 2-3 vjet, e si pasojë e reduktimeve. 

“Të vdekurit mbajnë zi për atdheun” është një “udhëtim teatror” nëpër dramaturgjinë e shkrimtarit të njohur Beqir Musliu.

Motivet kryesore nga përmbledhja e tij me katër drama, tetralogjia “Shtrigani i Gjel-Hanit”, janë lidhur e bërë bashkë për të krijuar një strukturë të re dramatike e cila rezonon e i jep eho një bote të shkuar, ku kalorës me kuaj prej druri kalërojnë nëpër mitet e legjendat tona, nëpër dramat e traumat tona, nëpër fajin tonë të cilin e kemi ndrydhur e gjuajtur në harresë!

Defilojnë në shfaqjen tonë shtriga e zana mali, kalorës të vdekur, dasmorë gazmorë, dhëndurrë të çuditshëm, mbretër gjakatarë e pretendentë fronesh revolucionar, nëna të harruara në vetmi e motra që udhëtojnë kaluar me të vdekur, cuba të kastruar, kuaj prej druri e viktima pa kokë! Dhe të gjithë këta, para se për të shkuarën, flasin për të tashmen, për mizoritë tona, për dellin tonë, për ta shkatërruar veten, për të “shkatërruar” atdheun dhe të ardhmen në lindje…

Një shfaqje dhe një dramaturgji jo e zakonshme – që vazhdon t’i bëj ballë kohës. Dhe plot pikëpyetje: për viktimat tona e për atdheun e “poshtëruar” nga ne të gjallët. / KultPlus.com

Më 11 janar në TKK promovohet botimi i dytë i monografisë kushtuar aktorit të ndjerë, Bekim Fehmiu

Më 11 janar promovohet botimi i dytë i monografisë, kushtuar aktorit me famë botërore, Bekim Fehmiu.

Libri me titull “BEKIM FEHMIU – Odiseu i Kosovës” për autor ka Fahri Musliun.

Promovimi do të mbahet në sallën e madhe të Teatrit Kombëtar të Kosovës duke filluar nga ora 12:00.

Për librin do të flasin: Dr. Profesor Migena Arllati, Profesori Fadil Hysaj, Dr. Profesor Ilir Muharremi dhe Fahri Musliu – autori i monografisë.

Kjo ngjarje organizohet nga “Fondacioni Bekim Fehmiu” Prizren. / KultPlus.com

Ndërron jetë aktori i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Syl Kuqi

Sot është ndarë nga jeta aktori i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Syl Kuqi, shkruan KultPlus.

Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të aktorit Syl Kuqi, ish aktor rezident i Teatrit Kombëtar të Kosovës.
Karriera e aktorit Syl Kuqi ndërlidhet me filmin artistik dhe punën e tij aktoriale në Teatër për dekada me radhë.
Që nga Kosovafilmi, pastaj Teatri Popullor Krahinor, më vonë TKK – ja, si dhe në produksione të filmit të pavarur, ai ishte angazhuar vazhdimisht dhe ka lënë mbresa të theksuara sidomos në fushën e filmit.
Teatri Kombëtar i Kosovës, shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së Tij dhe mbarë komunitetit artistik.
Menaxhmenti i Teatrit Kombëtar të Kosovës
” – thuhet në njoftimin e TKK-së./KultPlus.com

Së shpejti vjen leximi skenik i dramës ‘Jam unë ajo’ së Valmira Thaqit dhe Dituri Nezirajt

Së shpejti në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës do të mbahet leximi skenik i dramës “Jam unë ajo” së Valmira Thaqit dhe Dituri Nezirajt, përcjell KultPlus.

Të martën me fillim nga ora 12:00, “Jam unë ajo”, do ta lexojnë aktoret si: Valmira Hoti dhe Fitore Broqi.

Dija dhe Vesa janë dy portagonistet e dramës përmes të cilave vjen rrëfimi për gjendjen emocionale dhe psikolgjike të grave lehona dhe periudhën e rimëkëmbjes pas lindjes. Midis luftës së brendshme dhe asaj të jashtme, ato gjejnë veten në një botë të pakuptimt, të errët fajtore për sjelljen në jetë të një krijese aq delikate dhe të pastër. Të paafta për këtë mision aq të vështirë, ato shpesh vdekjen e tyre e gjejnë si shpëtim. Të gjitha këto peripeci, vijnë nga depresioni i paslindjes, i cili nuk flitet, nuk ndihmohet dhe nuk trajtohet klinikisht, siç duhet. Kjo temë fatkeqësisht është ende tabu, si pasojë e mentalitetit tradicional.

Kjo ngjarje mbështetet nga Minstria e Kulturës Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com

Pas ekspeditës në Tiranë, shfaqja ‘Vagon’ vjen edhe në Kosovë

Të hënën shfaqja “Vagon”, produksion i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” – Tiranë vjen në Teatrin Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Vagon” përkon me dinjitetin e kultit të individit në relacione familjare. Në kuptimin filozofik ”Vagon” thërmon grimca atomi mbi kujtesën parasegjithash.

Është dramë filozofike që rrugëton nëpër binarët e lidhjes familjare përkatësisht së popujve të rajonit ballkanik. Shfaqja është format kontemporan, e shtruar mbi rrotat e vagonëve të zbrazur. Në domenin ideor, ngacmon drejtpërdrejtë nervat e njeriut të vetmuar në rrethana tranzicioni.

Drama ka dy personazhe që kërkojnë pronësinë e një vagoni. Kush do ta fitoj betejën e vagonit, do ta kuptojmë të hënën në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Autor dhe regjisor i kësaj shfaqje është dramaturgu Naser Shatrolli, derisa personazhet kryesore Neritan Liçaj dhe Altea Alushi. /KultPlus.com

May be an image of 2 people and text

Me rastin e 20 vjetorit të themelimit, Kori ‘Lira’ organizon koncert në TKK

Me rastin e 20 vjetorit të themelimit, Kori ‘Lira’ organizon koncert në Teatrin Kombëtar të Kosovës më 24 dhjetor, duke filluar nga ora 20:00, përcjell KultPlus.

Koncerti vjen nën dirigjimin e Valire Sphaija Buzës si dhe me pjesëmarrësit: Profesor Sedat Kuçi, mysafirja speciale nga Hamburgu, Hava Bekteshi në çifteli si dhe këngëtari e moderatori, Andi Belegu.

Po ashtu, në këtë mbrëmje do të performojnë edhe Kori i fëmijëve ‘Okarina’, Lulzim Kazazi dhe Leonora Rugova.

Koncerti do të mbahet sipas masave dhe udhëzimeve të miratuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Ndërkaq, hyrja është e lirë. / KultPlus.com

Nesër në TKK mbahet leximi skenik i dramës “Era” së autores Albana Muja

Nesër në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës do të mbahet leximi skenik i dramës “Era” së autores Albana Muja, përcjell KultPlus.

Me fillim nga ora 14:00, “Erën” do ta lexojnë aktorët si: Fatlume Bunjaku, Labinot Lajçi, Mirsad Ferati dhe Ekrem Sopi.

“Era” është njëra nga fitueset e vitit të kaluar në “Konkursin për Dramë Origjinale Shqipe Katarina Josipi”.

Ky event është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. / KultPlus.com

Në nder të Adriana Matoshit nesër organizohet ecja nga Sheshi Zahir Pajaziti deri te Teatri Kombëtar në Prishtinë

Në nder të aktorës së mirënjohur dhe shumë të dashur për gjithë publikun shqipëfoles, Adriana Matoshi e cila përsëri u diagnostifikua me tumor në tru, nesër organizohet ecja nga Sheshi Zahir Pajaziti deri te Teatri Kombëtar në Prishtinë, duke filluar nga ora 12:00.

Me anë të kësaj ecje, të solidarizoheni me sfidën e Adrianës, për të cilën po luten të gjithë që ta fitoj si çdo peripeti që ajo e ka kaluar në jetë.

Ftohen të gjithë miqtë, artdashësit, dhe familjarët të cilët kanë dëshirë ta përkrahin Adrianën në këtë luftë dhe ti tregojnë që jemi të gjithë bashkë me të. / KultPlus.com

U mbajt Mbledhja Komemorative për të ndjerën Burbuqe Berisha

Sot në Teatrin Kombëtar të Kosovës, është mbajtur mbledhja komemorative në nderim të jetës dhe veprës së regjisores së ndjerë, Burbuqe Berisha.

Atë e përkujtuan kolegët me të cilët bashkëpunoi, regjisorët, aktorët dhe personalitete nga jeta publike e politike e vendit tonë.

Zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, në emër të ministrisë mori pjesë në komemoracion dhe para të pranishmëve ndër të tjera tha “Burbuqja ka qenë një prej luftëtarëve të mëdha për të drejtat e përbashkëta dhe vlerave të shoqërisë tonë. Kontribuuese e denjë në zhvillimin e institucioneve tona të kulturës, një prej shtytësve të rëndësishëm në zhvillimin e edukimit dhe pedagogjisë së profilit teatror”, ndërsa shtoi “Komuniteti artistik kosovar, ka humbur një njeri të shkëlqyer dhe të papërsëritshëm. Ajo do të kujtohet dhe të përmendet përherë”.

Për nder të saj folën edhe bashkëpunëtorët dhe kolegët, regjisoret Zana Hoxha, Arbëresha Grabovci-Nixha, dhe Bardha Kelmendi, të cilat treguan për përvojat, profesionalizmin, energjinë dhe dashurinë e Burbuqe Berishës për krijimtarinë, regjinë dhe filmin. Ilir Tafa nga AAB, kujtoi afërsinë dhe pozitivetin që e karakterizonte regjisoren e ndjerë. Ndërsa, motra e të ndjerës Trëndelina Berisha, falënderoi të gjithë ata që u kujdesën dhe bashkëpunuan me regjisoren.

Burbuqe Berisha, vdiq më 27 tetor 2021, në moshën 51 vjeçare. Ajo kishte një karrierë të bujshme dhe la pas vetes trashëgimi të madhe të krijimtarisë artistike me filma të zhanreve të ndryshëm, dokumentarë të shkurtër e artistik dhe shumë shfaqje teatrale, që u realizuan nën regjinë e saj. / KultPlus.com

Hapet konkursi për drejtor të përgjithshëm të Teatrit Kombëtar të Kosovës

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka shpallur konkurs për drejtor të përgjithshëm të Teatrit Kombëtar të Kosovës, përcjell KultPlus.

Përmes një postimi në Facbook, MKRS njofton se aplikimi fillon nga data 13.11.2021 deri më 27.11.2021.

Postimi i plotë i MKRS-së:

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit shpall konkurs për:

Titulli i punës: Drejtor i Përgjithshëm

Institucioni: Teatri Kombëtar i Kosovës

Data e njoftimit në ëebfaqen unike të procedurave të konkurimit https:/ /konkursi.rks-gov.net është prej datës 14.10.2021 deri më 12.11.2021, ndërsa data e aplikimit është nga data 13.11.2021 deri më 27.11.2021./KultPlus.com

           

TKK fillon sezonin me “Aroma e Hënës” të Krajës, regjisorja Kostani: Publiku duhet ta ndjejë këtë pulsim bashkë me ne në skenë

Para disa ditësh në Teatrin Kombëtar të Kosovës kanë filluar provat e kastës së aktorëve për shfaqjen “Aroma e Hënës”, sipas dramës me të njëjtin titull të Mehmet Krajës, që njëherazi është pjesa e tretë e trilogjisë “Hëna prej Letre”, e që vjen nën regjinë e Rozi Kostanit, për të shënuar kështu hapjen e sezonit të ri vjeshtor në Teatrin Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Elementi i një teatri të angazhuar i cili ngreh problematika thelbësore të një vendi, duket se ka ‘ngacmuar’ dhe intriguar regjisoren e shfaqjes, Rozi Kostani, e cila është bazuar në pyetjet e zakonshme se çfarë duam ne në këtë vend, çfarë është ky vend dhe se çfarë na plotëson. Por që sipas saj, vendin e bëjnë njerëzit dhe jemi ne fajtorët që ky vend nuk ecën përpara.

Artikulimi që bënë autori dhe problematikat e shpalosura në vepër, duke u bazuar në faktet e politikës ditore dhe politikës mediale janë cilësuar si temat kryesore që përfshihen në shfaqjen e cila brenda vetës ngërthen ndërlikimin dhe ndërveprimin e politikës me median dhe gërshetimin e tyre që shpërndan mesazhe në popull si p.sh: gjithçka po shkon mirë dhe është një lloj mjegulle që ndikon te populli.

Ndërsa për të treguar më shumë rreth shfaqjes, për KultPlus, foli vetë regjisorja Rozi Kostani.

“Ka qenë e vështirë përzgjedhja e kastit të shfaqjes, sepse unë kam pasur nevojë të njihem me ta, të jem brenda ngjyrimeve të personazheve që më ka propozuar autori në këtë vepër. Ka qenë një përpëlitje që të qoja rolet në ‘ato ujëra’ dhe mendoj se kam bërë përzgjedhjen e duhur”, thotë Kostani.

Sipas saj, puna e palodhshme paraqitet në ‘teatrin e fjalës’ e jo në një teatër ‘me lule e fishekzjarre’, ku publiku konsiderohet si një medium i cili të fton në ngritjen e tezave të autorit, si dhe në bashkëpunimin midis tyre deri në një rezultat.

“Publiku kur të dal nga skena duhet të mendoj, të fillojë të ‘përtyp’ mendimet e tij, e jo vetëm të dal i çlodhur nga një shfaqje. Teatri ka për qëllim ndërgjegjësimin dhe ndriçimin, ne vërtet kemi edhe hënë të madhe për të dhënë pak dritë mbi mendime dhe veprime njerëzore pikërisht për këtë vend i cili është pjesë themelore dhe përmbajtësore e këtij populli”, thotë Kostani.

Sa i përket procesit të provave, konsiderohet se është në një proces analitik ku po bëhet zbërthimi i veprës, shfaqen mendimet dhe ndjesitë e kastës, duke iu referuar tekstit në pika të ndryshme të cilat duhet të deshifrohen.

Publiku do jetë pjesë e shfaqjes sepse vepra është zemra e problematikës, është pjesë e këtij vendi dhe është super konkrete, e andaj dhe publiku duhet ‘të rrah’ dhe ta ndjejë këtë pulsim bashkë me ne në skenë”, thekson ajo.

Për Kostanin, masat anticovid nuk janë se kanë ndikuar në mënyrë negative në procesin e provave, për arsye se tashmë është mësuar me masat parandaluese të pandemisë.

Duke marrë parasysh se shfaqja “Aroma e hënës” hap sezonin e ri në Teatrin Kombëtar, regjisorja ndjehet shumë e lumtur që po punon me kastën e aktorëve të përzgjedhur për këtë shfaqje, me ç’rast ajo dëshiron të barazoj ndjeshmërinë kombëtare. Ndërsa, Kostani tutje bëri të ditur se po punon për herë të parë me kastën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, edhe pse me disa prej tyre njihet paraprakisht prej shfaqjeve të mëparshme në të cilat kanë punuar bashkë.

“Është e rëndësishme që ne jemi në të njëjtat ujëra, unë po kuptohem mirë me aktorët, e kjo është një gjë mjaft e rëndësishme”, thotë Kostani.

Ndërkohë, për prezantimin e kësaj shfaqje edhe në teatrin e Tiranës, regjisorja pohoi se kjo gjë patjetër që do të ndodh dhe është e paevitueshme.

Kështu krejt në fund, për dëshirën e mëtutjeshme për të bashkëpunuar me Teatrin Kombëtar të Kosovës, në kuadër të shfaqjeve tjera, regjisorja Kostani ka shprehur gatishmërinë e saj. / Edlira Musliu / KultPlus.com

TKK fillon sezonin vjeshtor me “Aroma e Hënës” të Mehmet Krajës

Teatri Kombëtar i Kosovës do të fillojë sezonin vjeshtor me dramën ‘Aroma e Hënës’ të Mehmet Krajës, përcjell KultPlus.

Në njoftimin e Teatrit Kombëtar të Kosovës thuhet se përveç dramës së Krajës janë miratuar edhe dy tektë të tjera për skenë të vogël, ajo e Enver Petrovcit e titulluar ‘Muslimani’ dhe ‘Kuartet’ nga Heiner Muller’.

Njoftimi i plotë:

Përveç dramës së Krajës, e cila do të shfaqet në skenën e madhe, me propozim të zv/ Udhëheqësit Artistik, Këshilli Drejtues i TKK-së , ka miratuar edhe dy tekste për skenë të vogël: “Muslimani” të Enver Petrovcit dhe “Kuartet” të Heiner Muller.

Skena e madhe:

Teatri Kombëtar i Kosovës nga java e ardhshme do të fillojë provat për shfaqjen “Aroma e Hënës”, sipas dramës me të njëjtin titull të Mehmet Krajës, që njëherazi është pjesa e tretë e trilogjisë “Hëna prej Letre”, ndërsa, regjinë e shfaqjes do ta bëjë Rozi Kostani, profesoreshë në Akademinë e Arteve në Tiranë.

Regjisorja Kostani në bashkëpunim me menaxhmentin e TKK –së, do të organizojnë një audicion të brendshëm, për ditën e Hënë (20 Shtator 2021) me aktorët e Trupës Rezidente të Teatrit, ku ajo do të bëjë përzgjedhjen e aktorëve dhe ekipin realizues të shfaqjes.

Poashtu është vendosur që të vazhdohet procedura e sigurimit të të drejtave autoriale të “Shakespeare in Love”, dramë që është bartur nga viti paraprak regjinë e së cilës do ta bëjë Ilir Bokshi.

Skena e vogël:

Dy tekste të miratuara nga Këshilli Drejtues duo-drama e autorit Enver Petrovci me titull: “Muslimani” dhe dramën e Heiner Muller “Kuartet” do të inskenohen brenda këtij viti.

Konkursi për platforma regjisoriale të skenës së vogël, do të mbyllet sonte në ora 24:00 ndërsa, që nga fillimi i javës tjetër KD – ja do të formojë komisionin për vlerësim të platformave (koncepteve) regjisoriale që do të përzgjidhen regjisorët që do të realizojnë shfaqjet “Muslimani” dhe “Kuartet”./KultPlus.com

Shfaqja muzikore “Zgjimi i Pranverës” shënon edhe një sukses tjetër


Shfaqja muzikore “Zgjimi i Pranverës” me regji të Zana Hoxhës është shpërblyer me çmimin “Regjia më e mirë” në Festivalin “Teatri shqiptar në Maqedoninë e Veriut” i mbajtur në Dibër.

Ky është një sukses tjetër i “Zgjimit të Pranverës” që deri tani është shpërblyer si: “Shfaqja më mirë në vitin 2020” në Kosovë dhe “Shfaqja më mirë” në edicionin e 14-të të ITF SkupiFestival.

Kurse në Festivalin “Moisiu On” në Tiranë aktorja Arta Muçaj është shpërblyer me çmimin “Aktorja më mirë joprotagoniste” me rolin e saj në shfaqje.

“Zgjimi i Pranverës” është bashkëproduksion i Artpolis – Qendra për Artin dhe Komunitetin dhe Teatrit Kombëtar të Kosovës. / KultPlus.com

“Engjëlli Blu” rikthen shpirtin poetik të Bekim Lumit në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës

Era Berisha

I konsideruar si regjisori i shfaqjeve më të mira në teatrin kosovar në dy dekadat e fundit, Bekim Lumi, një njeri që dashuronte teatrin sot në përvjetorin e tretë të vdekjes së tij në Teatrin Kombëtar të Kosovës, ai u përkujtua me promovimin e librit të tij të titulluar “Engjëlli blu”, e që shpalos një botë poetike e një krijimtari artistike krejtësisht ndryshe nga ajo me të cilën njihej ai, atë të regjisë, shkruan KultPlus.

Për regjisorin e njohur të teatrit shqiptarë dhe njëkohësisht për profesorin që përcolli shumë gjenerata, Qendra Multimedia sot prezantoi librin me poezi, për të cilën u mblodhën familjarët e regjisorit, dashamirët e artit të tij, miqtë, kolegët e artdashës të shumtë.

Teatri Kombëtar i Kosovës sot kishte marrë një pamje ndryshe nga e zakonshmja, ku dritat e ngrohta që vinin nga llambat e vendosura lart, reflektimi i tyre në vende specifike, fotografitë e vendosura në muret e korridoreve të teatrit që shpalosnin pothuajse tërë jetën e regjisorit, lulet e bardha që shoqëroheshin nga imazhi i tij i vendosur në një kopertinë të madhe dhe kopjet e këtij libri që pritnin radhën për të gjetur shtëpinë e tyre, afërsisht mbushnin mungesën e dalluar të regjisorit i cili po njëlloj si emërtimi i librit të tij, ai tashmë po frymonte në secilin kënd të zemrave të të pranishmëve.

Fillimisht, kjo mbrëmje nisi nën meloditë e instrumentit bardh e zi që këndshëm vinin në kontrast me fotografitë shumëngjyrëshe të plasaritura në muret e teatrit. Ishte tenori kosovar, Luan Durmishi, i cili interpretoi në piano dhe përplot pesë minuta ai solli tinguj të cilat së bashku me errësirën totale që u shndërrua në veprën kryesore të atyre minutave, kapluan atmosferën në një flluskë melodike që qetësisht zuri vend në shpirtrat e pranishëm.

E kur errësira u zhduk nga një shkrepje e vogël e ndezjes së dritave dhe meloditë hyjnore ishin futur brenda qenies njerëzore, radhën për të dalë përpara e morri aktorja Melihate Qena, e cila për publikun interpretoi poezinë ‘Vdekja e aktorit’. Vargjet poetike të poezisë lexoheshin në një mënyrë tejet të bukur dhe me një nostalgji ëndërrimtare që vetëm Qena di ta sjell.

Ndërsa, nën meloditë e këngës së famshme të titulluar ‘Stairway to Heaven’ nga Led Zeppelin, poezia ‘Engjëlli blu’ e regjisorit, u interpretua nga aktori Afrim Kasapolli, zëri i të cilit performonte vargjet poetike sa në një gllënjkë të përmalluar e herë në një gllabërim të përzemërt. E interpretimin e tij e lartësonte edhe vija melodike e këngës që portretizonte pavdekshmërinë e përjetshme së krijimtarisë të regjisorit kosovarë.

Tutje, për të hapur mbrëmjen e përvjetorit të tretë të vdekjes së regjisorit, foli aktori Afrim Muçaj.

“Jo vetëm si një njeri në skenë por tashmë bota e tij shpaloset edhe në një dimension tjetër pra si një krijues i poezisë. Deri më tani, më shumë se dy dekada Lumi ishte i njohur si regjisor por tani në poezitë e tij, shpaloset dimensioni tjetër i krijimtarisë së tij artistike”, thotë Muçaj.

Ndërsa, redaktori i botimit të librit, Shaip Beqiri foli rreth ndjenjave të cilat ai i morri kur për herë të parë kishte në dorë poezitë e tij.

“Kontakti i parë me këtë dorëshkrim ka qenë me të vërtetë një befasi shumë e madhe të cilën rrallëherë e ndjej. Një njeri që rrethin e vet krijues e ka krijuar me teatrin, andaj më lë përshtypje ndërlidhja e tij me dy vepra shumë të mëdha të civilizimit të përgjithshëm. Ndërlidhjet që Lumi i ka bërë, është një tregues i qartë për një botë të madhe observuese. Kulmi i botës së tij të brendshme e shpërfaqte poezia e tij dhe përmbajtja e struktura e tyre i lidhte shekujt në një milenium”, thotë Beqiri.

Sipas tij, shihet qartë se në çfarë shkalle Lumi ka arritur të artikulojë një tematikë të gjerë me një strukturim aq të ndërlidhur dhe stilistikisht të ndërtuar.

“Gjuha e poezisë së tij poetike përqafon përdorimin dialektor duke kapërcyer pavrejtshëm kornizat e standardit jo me arrogancën proverbiale të shkarravitësve të të folmeve të mëhallave si gjuhë vjershërie, por kryekëput për nevojën që kërkon fryma vullkanike që nxjerr me ngulm arti i tij i rrallë”, përfundon Beqiri.

Gjithashtu, poetja Naime Beqiraj foli rreth frymës së regjisë por edhe të poezisë që Lumi posedonte.

“Para se të bëhej regjisor, Lumi ishte recitor. Deklamonte poezi në shkollë fillore, në gjimnaz, e kur erdhi në studime ishte deklamues i njohur. Por ai nuk mjaftohej vetëm me recitim, ndonëse zërin e tij të kadifenjtë dhe ndjenjën me të cilën përcillte vargjet të cilat nganjëherë shoqëroheshin me tinguj kitare, që admiroheshin nga të rinjtë, sidomos studentët. Shkruante poezi, po rrallë”, thotë Beqiraj.

Sipas saj, në vitet kur po binte perdja e hekurt e komunizmit në trojet arbërore, Bekimi organizonte tribuna e debate fillimisht në Prishtinë e pastaj në Tetovë, pastaj organizonte edhe intervista skenike e mbrëmje letrare në të cilat promovonte letërsinë moderne.

“Në të gjitha këto ngjarje që i praronte dora e tij, ndjehej fryma e regjisë e deri në milimetra shënjohej lëvizja e artistëve dhe e krijuesve në ambientet skenike, sidomos në Sallën e Kuqe në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Por këto ngjarje nuk zgjatën. Ambientet po mbylleshin për publikun, lexuesit e letërsinë shqipe. Kafenetë nuk ishin zgjidhje. Poezia e mirë po krijohej gjithnjë e më rrallë. Bekimi zgjodhi të studionte regjinë e teatrit në Tiranë”, shpalos ajo.

Po ashtu, aktori Afrim Muçaj për të përmbyllur këtë natë, lexoi poezinë ‘Testament’, vargjet e së cilës përmbyllën mahnitshëm këtë natë mbresëlënëse që shpalosi madhështinë e poezisë së regjisorit, një madhështi e cila të lë pa frymë e që mrekullueshëm luhatet në vatrën e emocioneve që zgjuan fijet e rrëqethjeve të trupit njerëzor e ëmbëlsisht mbërthyen fokusimet e panevojshme në një guaskë të mbyllur.  

Kështu, krejt në fund u shfaq edhe një video tre minutëshe ku regjisori në një intervistë tregonte lehtësisht dashurinë e tij për Shekspirin teksa duartrokitjet e publikut shndërroheshin në një varg intepretimi të zhurmës së ngjashme që trokitjet e duarve të tyre krijonin. / KultPlus.com

Sonte ndizen qirinj për bashkatdhetarët që humbën jetën në aksident

Në nderim të bashkatdhetarëve që humbën jetën në aksidentin e sotëm në Kroaci, Qeveria ka njoftuar se do të ndizen qirinj nga ora 21:00.

Kjo do të bëhet para Teatrit Kombëtar në Prishtinë.

Dhjetë persona kanë vdekur në aksidentin që ndodhi rreth orës 06:00 të mëngjesit, derisa 45 kanë marr lëndime trupore. / KultPlus.com

‘Zanat e Luleve’, nesër premierë në Teatrin Kombëtar

Nesër, me 20 qershor duke filluar nga ora 12:00, në skenën e Teatrit Kombëtar do të shfaqet premiera e ”Zanat e Luleve” nga balerinët e studios ”Let’s Dance” të Vjollca Llugiqit.

Kjo shfaqje do të paraqet secilin balerinë si një lule që rritet, zhvillohet dhe freskinë e saj tenton t’ia falë botës. E veçanta e kësaj shfaqjeje qëndron në faktin se pjesë e kësaj trupe balerinësh do të jenë edhe disa fëmijë me aftësi të kufizuara, duke përçuar kështu direkt mesazhin se dallimet duhet të evitohen në secilën fushë, shkruan KultPlus.

”Zanat e Luleve” do të manifestohet me koreografi nga baleti klasik dhe poashtu edhe disa pjesë të baletit modern, ndërkaq kostumet e balerinave të vogla do të jenë me ngjyra, duke përçuar kështu shumë gjallëri. Për sa i përket skenës, Llugiqi ka treguar se do të realizohet nga ”Anea”.

Ndërkaq, fëmijët pjesëmarrës të kësaj shfaqjeje, do të jenë të moshave të ndryshme, duke filluar nga 4 deri në 14 vjeçarë. / KultPlus.com