Festivali i Muzikës Moderne sjell performanca unike në Tiranë dhe Shkodër

Tirana dhe Shkodra u kthyen këto ditë në epiqendra të ritmit dhe inovacionit muzikor, falë edicionit më të fundit të Festivalit të Muzikës Moderne. Ky aktivitet mblodhi artistë të njohur dhe të rinj të skenës moderne shqiptare, duke ofruar një mozaik tingujsh që përfshinte stile të ndryshme muzikore, nga elektronika, te popi alternativ dhe hip-hopi bashkëkohor.

Në Tiranë, publiku pati mundësi të përjetonte performanca dinamike në ambiente të hapura dhe skena alternative, ku energjia e artistëve dhe ndërveprimi me audiencën krijuan një atmosferë të paharrueshme. Shkodra, nga ana tjetër, u shqua për mikpritjen e ngrohtë dhe përfshirjen aktive të komunitetit lokal, që tregoi një interes të veçantë për formatet moderne të shprehjes muzikore, transmeton KultPlus.

Festivali synon të promovojë diversitetin artistik dhe të krijojë hapësira për bashkëpunim mes artistëve nga Shqipëria dhe rajoni, duke sjellë freski në skenën kulturore vendase. Me këtë edicion, Festivali i Muzikës Moderne konfirmon rolin e tij si një ngjarje kulturore e rëndësishme që i jep zë brezit të ri të krijuesve muzikorë dhe ndërton ura të reja midis qyteteve shqiptare./KultPlus.com

‘Det i thellë blu’ në mesin e risive të sezonit të ri në Teatrin Kombëtar të Tiranës

Sezoni i ri artistik i Teatrit Kombëtar premton emocione të forta dhe reflektime të thella përmes një përzgjedhjeje të kujdesshme të shfaqjeve që do të ngjiten në skenë gjatë muajve në vijim. Në qendër të programit që do të nisë këtë vjeshtë janë katër drama që ndërthurin klasikën me bashkëkohoren, dhe që prekin temat e dashurisë, drejtësisë, fuqisë dhe njeriut përballë fatit, përcjellë KultPlus.

Krah dy tragjedive të mëdha të Shekspirit “Otello” dhe “Si ta doni”, si dhe “Drejtësi në Nuremberg” nga Abby Mann, një nga premierat më të shumëpritura ne Teatrin Kombetar do të jetë edhe “Det i thellë blu” e dramaturgut britanik Terence Rattigan, një vepër rrënqethëse mbi dashurinë e pakthyeshme dhe humbjen personale. Me një ndjeshmëri të hollë psikologjike, drama sjell portretin e një gruaje të ndarë mes pasionit të njëanshëm dhe realitetit të hidhur të vetmisë.

Ky sezon i ri vjen si një thirrje për dialog me të kaluarën dhe të tashmen, një ftesë për të reflektuar mbi ndjenjat më të thella njerëzore dhe për të festuar fuqinë e teatrit për të prekur mendjen dhe zemrën./KultPlus.com

Kinemaja Verore e Arkivave shfaq “Kapedani” në sezonin kushtuar komedisë shqiptare

Në kuadër të sezonit artistik kushtuar komedisë shqiptare, Kinemaja Verore e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave (DPA) shfaqi një nga filmat më të dashur për publikun shqiptar, “Kapedani”.

Ky aktivitet u organizua në bashkëpunim me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit (AQSHF) dhe pati praninë e përfaqësuesve të dy institucioneve, përfshirë nëndrejtoreshën e përgjithshme të DPA-së, Marinela Ndria, dhe drejtorin e AQSHF-së, Eljan Tanini, si dhe dhjetëra qytetarë të pasionuar pas kinematografisë vendase.

Për të dytin vit me radhë, kjo nismë ofron një hapësirë të re kulturore për kryeqytetasit, ku cinema e hapur me 140 ulëse, nën qiellin e hapur, ofron një eksperiencë unike për të përjetuar filmin në një atmosferë të veçantë. Për këtë sezon, që fokusohet në komedinë shqiptare, mbështetja e “Cineplexx Albania” ka siguruar një ambient të këndshëm dhe mikpritës për spektatorët.

Drejtuesit e DPA-së theksuan se, duke ruajtur kthjelltësinë ndaj ngarkesës ideologjike të kinematografisë shqiptare gjatë periudhës së regjimit komunist, sezoni do të fokusohet te komedia, duke nxjerrë në pah batutat legjendare dhe situatat plot humor të hollë që karakterizojnë filma si “Kapedani”. Filmat e shfaqur jo vetëm sjellin qeshje, por edhe reflektime mbi kohën kur janë krijuar, transmeton oranews.

Drama shekspiriane në Teatrin Kombëtar në Tiranë

“Si ta doni” nga Shakespeare, vjen në skenën shqiptare si pjesë e sezonit të ri të Teatrit Kombëtar. Komedia romantike “Si ta doni”(As You Like It), një nga veprat më të dashura të William Shakespeare, do të jetë pjesë e sezonit të ri artistik në Teatrin Kombëtar, nën regjinë e John Blondell. Kjo vepër që feston dashurinë, identitetin dhe lirinë, vjen në skenë me një ekip të zgjedhur aktorësh.

Në role do të interpretojnë Genti Deçka, Lulzim Zeqja, Laert Vasili, Luli Bitri, Elia Zaharia, Donald Shehu, Dritan Boriçi, Besmir Bitraku, Flaura Kureta, Erjona Kakeli, Florian Agalliu, Ilirda Bejleri dhe Krist Lleshi, përcjellë KultPlus.

Shfaqja ndjek historinë e Rosalindës, e cila detyrohet të largohet nga oborri për shkak të persekutimit të xhaxhait të saj dhe nis një udhëtim në Pyllin e Ardenit, së bashku me kushërirën e saj Celia. Aty, ndërsa kërkojnë lirinë dhe dashurinë, takojnë plot karaktere unike dhe të paharrueshme, duke përfshirë edhe Jaquesin filozofik dhe melankolik, i cili sjell në skenë një nga monologët më të njohur të Shakespeare-it: “Gjithë bota është një skenë”.

Shkruar rreth vitit 1599 dhe e vendosur për herë të parë në skenë në “Wilton House” në vitin 1603, kjo komedi ka njohur qindra adaptime. Në versionin e saj më të fundit, publiku shqiptar do të ketë mundësinë ta përjetojë këtë klasik në një interpretim të gjallë dhe plot emocion./KultPlus.com

“Armiku i jashtëm”, ekspozita me karikatura e Bashkim Shehut

Në Qendrën për Hapje dhe Dialog në Kryeministri u çel ekspozita “Armiku i jashtëm” nga shkrimtari Bashkim Shehu. Tema që përcjellë ekspozita synon të shpërfaq mendësinë totalitare.

Ekspozita duke vënë theksin mbi totalitarizmin, nëpërmjet karikaturave të revistës politiko-humoristike Hosteni përgjatë viteve 1945-1990, paraqet përfytyrimet zyrtare të armikut të jashtëm, duke hedhur dritë mbi mënyrën se si është përfytyruar ky armik në diktaturë.

“Kjo ekspozitë fokusohet në 2 shtylla të totalitarizmit shqiptar, njëra është njeriu i ri dhe tjetra vetëizolimi total, i cili ishte në funksion të kontrollit total. Kjo ishte arsyeja e marrëzisë, e vetëizolimit të vendit”. shprehet Shehu.

Përmes artit të karikaturës, Shehu ofron një këndvështrim ndryshe mbi historinë e Shqipërisë, duke treguar se si një vend me shumë aleatë, gradualisht e ngushton rrethin e miqve të tij, derisa përfundon si një nga shtetet më të izoluara në botë, përcjellë KultPlus.

“Këta karikatura kanë për temë armikun e jashtëm, siç quhej në atë kohë. Në të vërtetë më shumë se regjimet në vendet e tjera, flasim për regjimin shqiptar të kohës”, shton ai.

Mekanizmat e propagandës së kohës rikthehen përmes kësaj kujtese vizuale dhe kulturore. Ekspozita “Armiku i Jashtëm” do të qëndrojë e hapur në COD deri më 23 gusht, ku vizitorët kanë mundësi të shohin karikaturat e paraqitura dhe të lexojnë si diçiturat origjinale të kohës, ashtu edhe komentet e vendosura nga vetë Bashkim Shehu./TopChannel/KultPlus.com

Koncerti i parë i Bryan Adams në Tiranë, mbi dy orë me hite dhe emocione të fuqishme

Bryan Adams një nga artistët më me ndikim dhe me disqet më të shitur të të gjitha kohërave, me llojin e tij të rok-ut të butë që e çoi atë në majat e muzikës botërore, pasi pushtoi zemrat e miliona fansave gjatë karrierës së tij prej gati pesë dekadash, performoi dje në Tiranë.

Për herë të parë, Adams u ngjit në skenën e Pallatit të Kongreseve ku biletat për të ndjekur performancën e tij ishin shitura të gjitha.. Koncerti zgjati mbi dy orë i cili përshkroi kufijtë e diskografisë së gjerë të kanadezit.

Adams e filloi shfaqjen e tij me hitin “Let’s Make A Night To Remember”, e cila ishte hapja perfekte e koncertit, ndërsa salla u mbush me tingujt e kitarës. Energjia ishte fantastike që nga fillimi i koncertit dhe vazhdoi të rritej ndërsa Adams performonte me hitet e tij duke e bërë të gjithë turmën të këndonte së bashku me “Everything i do, i do it for you”.

Zëri i Adams jehoi në të gjithë Pallatin e Kongreseve me “Please forgive me”, ndërsa fuqia e këngës dhe muzikës iu bashkua edhe më tej publiku që këndoi me gjithë shpirt. Ishte një moment magjik.

Është e mahnitshme të mendosh se sa shumë hite ka Adams gjatë karrierës së tij dhe ai i luajti pothuajse të gjitha, përfshirë edhe bashkëpunimet e shumta si dhe këngë, kolona zanore të filmave të njohur të Hollivudit.

E pabesueshme se sa i ngjashëm tingëlloi zëri i Adams dje me albumet që ai ka bërë dekada më parë dhe se si ai po njësoj, këndoi në skenë përballë një publiku qe e admiroi gjatë gjithë kohës.

Edhe pse Adams nuk e pati të nevojshme të performonte ndonjë cover duke pasur parasysh diskografinë e tij të jashtëzakonshme, ai këndoi një superhit të tij me Tina Turner, “It’s Only Love”, një moment i ndjeshëm dhe për vetë këngëtarin.

Ai e mbajti audiencën në këmbë ndërsa nisi të këndojë “Summer of ’69”.

Adams e mbylli koncertin me këngën “Straight from the Heart” të cilën ia dedikoi nënës së tij 97-vjeçare. Mënyra e tij e thjeshtë për ta mbyllur natën dhe komunikimi fantastik gjatë gjithë koncertit, u shpërblye me të njëjtën dashuri edhe nga publiku.

Bryan Adams, një këngëtar i mezipritur në Shqipëri, shkëlqeu me vokalin dhe muzikalitetin e tij me vetëm një kitar dhe një piano.

Për publikun, koncerti i mbajtur në “Pallatin e Kongreseve”, ishte gjithçka që mund të kërkonte nga një këngëtar i këtij niveli ndërkombëtar, dhe e vetmja gjë që mund të shpresojmë është që kjo të mos jetë hera e fundit./atsh/ KultPlus.com

‘Liqeni i Mjellmave’ nis edicionin e tretë të International Dance Festival of Tirana

Rikthehet International Dance Festival of Tirana në edicionin e 3-të me artistë e koreografë nga e gjithë bota, në një platformë ku trandicionalja takohet me kontemporanen.

Lajmin e bëri të ditur ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja sipas të cilit ky edicion çel siparin me “Liqenin e Mjelmave” për dy net me radhë në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, vendosur në skenë nga koreografi i mirënjohur Angelin Preljocaj, premirë në Shqipëri.

Koreografi Preljocaj, në një kombinim të kryeveprës muzikore të Çajkovskit me aranzhime më bashkëkohore, i jep jetë këtij monumenti të repertorit klasik.

Besnik ndaj veprës origjinale, Preljocaj e vendos historinë e princeshës së mjelmave në qendër të problematikave të kohës sonë.

Festivali Ndërkombëtar i Kërcimit Bashkëkohor në Tiranë është një mundësi e shkëlqyer për të shijuar lëvizjen, kreativitetin dhe frymëzimin, ku bashkohen artistët dhe të apasionuarit e kërcimit nga e gjithë bota në këtë udhëtim të jashtëzakonshëm kulturor./atsh/ KultPlus.com

Shkamb Jaka me ekspozitë personale në Tiranë

Artisti Shkamb Jaka po sjell ekspozitën e tij të parë personale në Tiranë në Tulla- Culture Center të titulluar “Technotopia: Is This Hyperreal?”, dhe kuruar nga Labinot Kelmendi.

Ekspozita do të hapet më datë 29 mars, në ora 19:00.

Rreth ekspozitës e cila pritet të hapet javën tjetër, kuratori Labinot Kelmendi është shprehur se:

Teknologjia dhe Arti prej Antikës nuk kanë qenë të ndara, por shpesh janë përdorur si sinonime në kontekste të caktuara. Ato njëherazi edhe e shenjojnë karakterin produktiv të të-qenit-tonë-në-botë. Në këtë ekspozitë e kemi një bashkim të këtyre dy formave të shprehjes së qenies. Së pari: ekspozita si vendi (topoi) ku manifestohet kjo shkathtësi (techne) poetike (poiesis) dhe së dyti: vepra si një manifestim “tekno-estetikë” sepse formohet një simbiozë mes estetikës që është teknike dhe teknikës që është estetike. Ekspozita nëpërmjet këtij manifestimi tekno-estetikë e merr formën e një teknotopie. Pra, vendi ku piktura nuk është poezi e heshtur por ku transformohet në poetikë të zhurmshme. Si rrjedhojë e kësaj zhurme të bardhë [white noise] ajo e zvetënon raportin mes reales dhe imagjinares, origjinales dhe artificiales e ky moment shenjohet si përjetimi estetik i hiperrealitetit. Përjetimi estetik i hiperrealitetit na mundësohet kur fuzionohet një triptik i komponentëve, ai i pikturës, zhurmës dhe apratuseve që në ekspozitën e artistit Shkamb Jaka janë më se evidente.

Në veprën “Dimesions of Narcicuss” nëpërmjet tropeve që i gjejmë te surealizmi dhe ekspresionizmi na ofrohet përvoja dydimesionale në pikturën aktuale, e si potencialitet nëpërmjet intervenimeve të sipërpërmendura të imazheve teknike mëton të na ofrojë përjetimin katër-dimensional. Interteksti i veprës duket se e përshkruan dimensionin e narcisit hipermodern që nëpërmjet aparatuseve tenton të na heqë barrën e origjinalitetit. Andaj, fuzionimi mes pikturës dhe aparaturës nuk tenton që të projektojë ngjashmëri por përkundrazi hiperngjashmëri si moment i ftohtë i vdekjes së origjinalitetit që do të thoshte Baudrillard. Ky regjim i ftohtë nuk është heshtje por është zhurmë. Heshtja i takon rrafshit të atomeve ngase ato vdesin, ndërsa pjesëzat në formë të bitit i takojnë zhurmës andaj janë eternale. Njeriu është vdekatar kurse imazhi është i pavdekshëm.

Vepra “Frozen Thoughts” është mjaft sinjifikative që ta dekodojmë konceptin e ekspozitës. Ajo paraqet format valore që në shikim të parë ta krijojnë ndjenjën e rripit të Möbius-it. Ndërkaq, Rripi i Shkambit është tjetër, sepse ai gjatë gjithë kohës mëton në formë litanie ta na paraqesë ftohësinë hiperreale. Aparatuset si vepra janë të ftohta e nganjëherë edhe mendimet tona për to. Kjo gjendje ftohtësie është në sinkron me zhurmën e brendshme të artistit, asaj zhurme që në pasiguri si te filmi i Gaspar Noé-së “Enter the Void” kur ne hyjmë në jouissance-in virtual.

Në këtë teknotopi do të ballafaqoheni me neverinë sublime të zhurmës së ftohtë që paraqitet nëpërmjet repeticionit permanent të formave gjeometrike, apratuseve dhe zhurmës së bardhë. Fundja, ekspozita që është transformuar në teknotopi nuk është përgjigje e reduktuar për pyetjet komplekse, por është pyetje komplekse për kompleksitetet. Prandaj, veprat e Shkambit e kanë një sintagmë në formë pyetjeje për ne e ajo është: Is this hyper-real?

Biografi

Shkamb Jaka (1997) ka lindur në Gjakovë. Pas mbarimit të shkollës së mesme atje, ai u zhvendos në Prishtinë për të vazhduar studimet Bachelor dhe Master, ku tani jeton dhe punon. Ai ka studiuar në fushën e Artit Figurativ – Pikturë në Universitetin e Prishtinës dhe ka diplomuar studimet Master në vitin 2023.

Përveç mbajtjes së dy ekspozitave personale, “DisDeKodim” në Menza Ramiz Sadiku, 2020 dhe “Spooky Action at a Distance” në Paper Gallery, 2021, ai ka prezantuar punën e tij në ekspozita të ndryshme kolektive, ka qenë finalist i “Artistët e së nesërmes” në Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor, 2020 dhe 2023, pjesëmarrës në ekspozitën “Bazuar në një ngjarje të vërtetë” në Galerinë Kombëtare të Kosovës, 2021 si dhe së fundmi me prezantimin e punës në ekspozitën “SOLO” në Qendrën e Praktikës Narrative, 2023.

Interesat kryesore artistike të Jakës shkojnë nga vëzhgimi i sjelljes njerëzore, tek përvojat personale, tek teoritë dhe eksperimentet e ndryshme shkencore. Tani fokusi i tij është te fizika kuantike, metafizika dhe krijimi i vendeve utopike, bazuar në gjetjet e reja shkencore, duke i përkthyer ato në art vizual. / KultPlus.com

Tirana mikpret Ditën Arbëreshe dhe Samitin e III të Diasporës

Tirana do të mikpresë më 22 dhe 23 Nëntor shqiptarët nga mbarë bota në Ditën Arbëreshe dhe Samitin e III të Diasporës.

Lajmin e dha sot kryeministri Edi Rama, i cili u shpreh se ky event tashmë është kthyer në traditë

Rama u shpreh se ky do të jetë një rikthim në vendin e Shqiponjave, duke përqafuar trashëgiminë shqiptare.

“Kongresi i Arbëreshëve dhe Samiti i Diasporës do të shërbejnë si pikëtakimi për t’i dhënë vëmendjen që meriton shqiptarëve në fushën e arsimit, shëndetësisë, biznesit, artit dhe kulturës, dhe duke e parë Diasporën si një vlerë dhe pasuri e kombit”, nënvizoi Rama. / atsh / KultPlus.com

“Attila” e Giuseppe Verdi-t, premierë absolute në Tiranë

Teatri Kombetar i Operas dhe Baletit njoftoi se do të sjellë së shpejti operën “Attila”, nga Giuseppe Verdi, e cila do të ngjitet si premiere absolute në skenën e TKOB-së për të dëshmuar tragjedinë e shekullit të V të mbretit të Hunëve, Attilës, dhe rezistencën së popullit italian.

Në qendër të veprës është guximtarja Odabella, ndjekur nga gjenerali Ezio dhe i dashuri i saj Foresto. Heroizmi i vajzës italiane, Odabellës, e cila me trimërinë e saj arrin të fusë në kurth pushtuesin barbar, duke u hakmarrë kështu ndaj vdekjes së të atit, bën që historia të shkruhet në favor të drejtësisë.

Kjo opera që prezanton aspekte të një natyre novatore, në konceptimin dramaturgjik dhe stilistik të krijuesit të tij, do të ngjitet nga Orkestra Simfonike, solistët dhe Kori i TKOB-së, nën dirigjimin e veçantë të maestros, Jacopo Sipari di Pescasseroli, regjinë e Ada Gurrës dhe kostumografinë e Edlira Qyshkës.

“Attila” do të shfaqet për 4 netë plot emocione, mes konflikteve njerëzore dhe idealizmit patriotik. Publiku artdashës mund ta ndjekë në datat 15, 16, 18 dhe 19 nëntor. / atsh / KultPlus.com

Mezosopranoja Flaka Goranci sjell koncertin “La Femme” në Tiranë

‘’La Femme’’, projekti për gratë kompozitore nga e gjithë bota i realizuar me mjeshtëri nga Flaka Goranci e cila është producente, kompozitore dhe këngëtare e këtij projekti të madh, po vjen në Tiranë, shkruan KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë artistja, përderisa është shprehur se përmes këtij projekti ka dashur të sjell në vëmendje historitë inspiruese dhe muzikën e mrekullueshme nga gratë kompozitore nga vende të ndryshme të botës.

Ky program është pjesë e CD-së “La Femme” të prodhuar nga Naxos Deutschland dhe i nominuar nga çmimi i madh Internacional Opus Klassik në kategoritë “ Këngëtarja më e mirë e vitit”, “Klasik pa kufinjë” si dhe “videoklipi më i mirë”.

Ky koncert është pjese e turneut të “La Femme” dhe përmbyll Javën Kulturore Ndërkombëtare, të organizuar nga Ministria e Kulturës në Tiranë dhe Ambasada Austriake në Tiranë.

“Jam e nderuar të përmbyllim Javët e Kulturës me një program që sjell një mesazh kaq të madh për botën, sidomos në këto kohë të vështira”, është shprehur mezosopranoja Flaka Goranci.

Ky koncert do të udhëhiqet nga dirigjenti Konstantinos Diminakis dhe do të luaj Orkestra simfonike e forcave të armatosura.

Koncerti mbahet ditën e martë, 31 tetor, në ora 19:00, në Hotel Rogner, Salla Antigonea në Tiranë. / KultPlus.com

“Tre tenorët për Nënë Terezën”, koncert në 20 vjetorin e lumturimit të saj

Një ngjarje e veçantë kulturore do të vijë për publikun e Tiranës për të përkujtuar 20-vjetorin e lumturimit të Nënë Terezës, përcjell KultPlus.

Në këtë event do të performojnë artistë shqiptarë dhe ndërkombëtarë, si tenorët Armaldo Kllogjeri, Shqipëri, Granit Musliu, Kosovë e Ismet Vejseli, Maqedoni e Veriut.

E ftuar speciale do të jetë soprano Catherine Wethington nga SHBA-ja.

Ky koncert do të dirigjohet nga mjeshtri Bujar Llapaj nga Kanada, në drejtimin e Orkestrës Filharmonike Tre Tenorët “Ibrahim Madhi”.

Githashtu, pjesë e koncertit do të jenë edhe: Gëzim Rudi, aktor, Ardita Bufaj, piano dhe Kori i të Rinjve të Tiranës, me dirigjent Bujar Alliu.

Koncerti do të mbahet në Qendrën Kulturore të Katedrales së Kishës Ortodokse të Tiranës, të enjten, 19 tetor 2023, ora 19:00. / KultPlus.com

Java Amerikane sjell në Tiranë yllin e Hollywoodit, aktorin RJ Mitte

Javët Ndërkombëtare të Kulturës do të vijojnë javën e ardhshme me aktivitetet në kuadër të Javës Amerikane.

Ambasada e SHBA-së në Tiranë informon se duke filluar nga java tjetër, nga data 10 deri më 14 tetor do të sjellin muzikë amerikane, filma, kulturë dhe argëtim në Shqipëri.

“I ftuari ynë i nderit gjatë Javës Amerikane është ylli i Hollivudit, aktori i Breaking Bad, RJ Mitte. I njohur për rolin e tij si ‘Walt Jr.’ në serialin fitues të çmimit Emmy ‘Breaking Bad’, RJ theu stereotipet dhe ndryshoi mendësi me pozitivitetin e tij. RJ e ka kthyer aftësinë e tij ndryshe në pasuri duke punuar në çështje të lidhura me të drejtat e personave me aftësi ndryshe, gjithëpërfshirjen dhe kundër bullizmit. Mos e humbni mundësinë për ta takuar gjatë Javës Amerikane dhe në Panairin e Ditës Kombëtare të Aktivizmit më 11 Tetor”, thuhet në njoftimin e ambasadës së SHBA-së në Tiranë.

Po ashtu, Ambasada e SHBA-së bashkë me organizatën “Crush” do të organizojë një turne të veçantë basketbolli në 14 tetor.

“Formati i basketbollit 3-x-3 e ka origjinën në Shtetet e Bashkuara dhe njihet gjithashtu si “Streetball”. Jemi në kërkim të lojtarëve dhe skuadrave që duan të regjistrohen në turne. Është pa pagesë dhe i hapur për publikun. Djem, vajza, burra apo gra të të gjitha niveleve të aftësive janë të mirëpritur t’i bashkohen argëtimit! Aktiviteti do zhvillohet te Sheshi ‘Italia’, pranë Stadiumit ‘Air Albania’ më 14 tetor, gjatë gjithë ditës. Regjistrimi është i hapur deri më 7 tetor”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së SHBA-së. / KultPlus.com

Marin Mema thërret shqiptarët në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë: Do t’i bëjmë homazhe policit që u vra nga terroristët serbë në Kosovë

Gazetari i njohur nga Shqipëria Marin Mema, ka bërë një thirrje për të gjithë shqiptarët.

Sonte nga ora 19:00, ai ka thirrur të gjithë që të dalin tek sheshi “Nënë Tereza” në Tiranë (pranë universitetit) për ti bërë homazh Afrim Bunjakut, policit që u vra nga terroristët serbë në Kosovë.

“Pa fjalë, pa ngjyra politike e patriotizëm bosh, por me vepra! Sonte në ora 19:00 takohemi tek sheshi “Nënë Tereza” në Tiranë (pranë universitetit) për ti bërë homazh Afrim Bunjakut, policit që u vra nga terroristët serbë në Kosovë! Kosova nuk është vetëm”, ka shkruar ai në Facebook.

“Sonte në ora 19:00 jepi kohë dashurisë për Kombin! Homazhi ndaj dëshmorit Afrim Bunjaku është respekt ndaj Kombit! Të ndezim një qiri për shpirtin e një heroi që jetën e dha për të mbrojtur trojet shqiptare! Ky homazh nuk ka lidhje me politikën, por vetëm me Kombin! Vetëm me Kombin! Bëhu pjesë! Sot është dita të jemi bashkë me ngjyrat e flamurit ! Unë do të jem, duhet të jemi të gjithë”, ka shkruar Mema. / KultPlus.com

Ekspozita “Shija takon udhëtimin”, e fokusuar në traditën e dietës mesdhetare

Ekspozita “Foodprint: The Mediterranean Diet Revisited”,  bazohet në një projekt ndërmedial nga gjashtë fotografë që fokusohen në dietën mesdhetare, një traditë e vjetër ushqimore me plot kreativitet dhe sezonalitet.

Ekspozita fotografike që u çel edhe në Tiranë përcolli mesazhin pse dieta mesdhetare është e rëndësishme për jetën tonë sot.

Eventi i organizuar në Tiranë, me mbështetjen e BE në Shqipëri në bashkëpunim me institucionet e linjës, solli në një panel diskutimi, përfaqësues të ndryshëm të linjës që trajtuan çështje në këndvështrime të ndryshme nën titullin “Më trego çfarë ha, të të them se kush je”.

Ekspozita paraqiti workshops, dokumentarë dhe përvoja të paharrueshme kulinare.

Duke lidhur Shqipërinë, Greqinë, Italinë, Spanjën, Portugalinë, Marokun, Qipron dhe Kroacinë, projekti bazohet në fotografitë e pesë fotografëve që sjellin të gjallë këtë traditë të vjetër ushqimore të bazuar në kursim, kreativitet, ndarje dhe sezonalitet. Imazhet e tyre kërkojnë të frymëzojnë ndryshimin dhe të na inkurajojnë të lidhemi me të kaluarën e rajonit dhe të tashmes së Mesdheut, i cili ofron një nga dietat më të shëndetshme dhe më të qëndrueshme në botë.

Me imazhe të kundërta dramatike nga fshatrat e izoluar të peshkimit në fshatrat malore dhe shkollat moderne të kuzhinës, krijuesit eksplorojnë tema të ndryshme si qëndrueshmëria, identiteti, familja, komuniteti, gatimi, bujqësia, shëndeti dhe kreativiteti./ atsh / KultPlus.com

Elsa Lila rikthehet në Tiranë me një koncert madhështor

Është rikthyer gjithmonë në qytetin e saj, nga ku nisi shumë vite më parë, atëherë kur ishte aq e vogël sa vështirë se kishte fuqi të perceptonte mrekullinë që ndodhi prej sekondës së parë që lëshoi tingujt e zërit të saj magjik.

Kanë qenë projekte të ndryshme muzikore, televizive, (siç ishte “The Voice of Albania” në Top Channel), festivale (siç ishte dhe ai i një viti më parë ku shënoi suksesin e radhës me “Evita”) që e kanë nxitur të rishfaqet në skenë e në ekran. Por asnjëherë për një koncert të sajin, në të tilla përmasa, të cilin po e përgatit ta sjellë tani.

Ajo ende nuk ka shpallur asnjë lajm, por burime nga stafi organizativ na pohojnë se është krejt zyrtare: Koncerti titulluar “Finalmente Elsa” do të sjellë në 1 nëntor, në Pallatin e Kongreseve të parin recital të saj.

“Do të jetë pa diskutim një koncert nga fillimi deri në fund live. S’mund të tingëllojë ndryshe, veçse krejt i vërtetë, një koncert nga Elsa Lila, artistja që po vazhdon ta sfidojë fort veten dhe kohën ku jeton e nga bashkëpunëtorët e saj, të tjerë artistë të njohur italianë, me të cilët po realizon prej kohësh projekte të shumta muzikore në Itali”, konfirmojnë për Top Channel të njëjtat burime.

Ekipi muzikor e ka nisur punën përgatitore prej ditësh, andej detit, për të na sjellë këndej në Tiranë një repertor të larmishëm e special muzikor…ku vendin kryesor do ta zërë muzika shqiptare, pa lënë mënjanë kurrsesi edhe atë italiane. Kujtojmë që suksesi i radhës i Elsa Lilës pas “Pyes lotin” dhe “Larg urrejtje” në Shqipëri, ishte ai i Sanremos me “Valeria” dhe “Il senso della vita”.

Kështu është e ndarë jeta e saj artistike, mes kulturës së dy vendeve, që do të jenë dhe dy shtyllat e forta të koncertit të saj. / KultPlus.com

Veliaj: Teatri i Ri, bizhu për qytetin

Ish-godina e Drejtorisë së Burgjeve është shembur për t’i hapur rrugë punimeve që po kryhen për Teatrin e Ri.

Kantieri, në të cilin puna është fokusuar kryesisht gjatë orëve të natës, tashmë ka në dispozicion edhe një rampë, përmes së cilës do të kalojnë mjetet e tonazhit të rëndë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili inspektoi mbrëmjen e djeshme punimet për Teatrin e Ri, u shpreh se në këtë mënyrë të gjitha mjetet do të kalojnë përmes Unazës së Vogël të Tiranës, pa dëmtuar zonën e Pedonales apo Kalasë, mjaft të frekuentuara nga turistët që kanë mbushur edhe këtë verë kryeqytetin. Nga ana tjetër, ato do të kryhen gjatë orëve të natës për të mos rënduar as trafikun në kryeqytet.

“Tetari Kombëtar është vërtet një bizhu për qytetin, por duhen marrë disa vendime që përputhen me rritjen e turizmit dhe të jetës së natës së qytetit. E gjithë zona e Kalasë, zona e Pedonales, ka pafundësisht jetë, përfshirë këtu edhe institucionet që kanë akses nga pedonalja “Murat Toptani”. Kemi vendosur që aksesin për kantierin e Teatrit ta kemi në rrugën e Unazës së Vogël të Tiranës. Kjo do të thotë se kemi dekomisionuar ndërtesën e ish-Drejtorisë së Burgjeve dhe me hapjen e atij kantieri, e me zhvendosjen e disa kabinave elektrike, mundësojmë që Pedonalja, Kalaja dhe kinemaja të përdoren; pra i gjithë “damari turistik” i Tiranës të vazhdojë në mënyrë të pandërprerë, kurse ne do të përdorim këtë akses këtu që të sigurohemi që kamionët që punojnë kryesisht natën të kenë hyrje-dalje në kantier”, u shpreh Veliaj.

Kreu i Bashkisë falënderoi të gjitha strukturat e bashkisë, por edhe të Policisë të angazhuara për mbarëvajtjen e projektit, ndër më të rëndësishmit në kantieret ku po punohet aktualisht në kryeqytet.

“Dua të falenderoj të gjithë për angazhimin, IMT-në, të gjithë kolegët që janë mobilizuar, nga Policia Bashkiake, Policia Rrugore, kolegët e Zjarrfikëses. Është një operacion që do të na zërë gjithë natën, por nesër kur Tirana gdhihet në mëngjes, secili do vazhdojë ta përdorë Unazën e Vogël, por ishte i vetmi moment ku ne mund të bënim një ndërhyrje të tillë. Kështu që, dua t’i falenderoj të gjithë ata që janë treguar mirëkuptues për këtë devijim të përkohshëm gjatë mbrëmjes,” u shpreh ai.

Nga ana tjetër, kryebashkiaku tha se, ky është muaji kur Bashkia intensifikon punën në terren, ndihmuar më së shumti edhe nga çlirimi i trafikut në Tiranë, në mënyrë që kur qytetarët të kthehen nga pushimet, pjesa më e madhe e punimeve të ketë përfunduar. “Gushti do të jetë muaji më i ngarkuar për ne. Duke qenë se një pjesë e madhe e qytetarëve janë buzë detit, do të sigurohemi që t’i përfundojmë në verë gjithë këto kantiere që kërkojnë hapje të mëdha të rrugëve, siç është kantieri i madh në Kinostudio, kantieri i Teatrit dhe 10 shkollave të reja, që po përgatisim të vlojnë gjatë Gushtit, në mënyrë që kur qytetarët të kthehen nga pushimet, pjesa më e madhe e punimeve të ketë mbaruar. Do shfrytëzojmë maksimalisht këtë kohë”, e mbylli Veliaj fjalën e tij.

Projekti i Teatrit të Ri është krijuar nga një prej studiove më të mëdha ndërkombëtare të arkitekturës në botë, “Bjarke Ingels Group” me qendër në Danimarkë.

Godina e re ofron një arkitekturë me dizajn modern dhe krijon një hapësirë unike në qytetin e Tiranës, me të gjitha kushtet e nevojshme për realizimin e shfaqjeve teatrore./ atsh / KultPlus.com

Veliaj prezanton nismën e re: Tani mund të vizitosh Tiranën me OpenBus Albania

Tani mund të vizitosh Tiranën me autobus të hapur shëtitës.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka ndarë disa nga fotot e nismës së re që u mundëson turistëve të shumtë një tur në pikat kryesore në kryeqytet.

“Kush është për një xhiro? Tani mund të vizitosh Tiranën me OpenBus Albania. Autobusi më i ri i cili mundëson turin anë e kënd qytetit, për të gjithë vizitorët vendas dhe të huaj të cilët duan të njihen me atraksionet, monumentet dhe historinë e qytetit”, shkruan Veliaj.

Tirana është në një qytet që gëlon nga turistët, thuajse në çdo muaj të vitit kalendarik. Nga viti 2015-2016, kur Tirana vizitohej nga jo më shumë se 100 mijë turistë, brenda 8 viteve numri i tyre arrin në 4.5 milion.

Katërfishimi i numrit të turistëve ka ndikuar pozitivisht në ekonominë e qytetit.Numri i atyre që janë të punësuar në sektorin e turizmit (hoteleri, shërbime) është rritur me 30,000 ose e thënë ndryshe me mbi 2.3 herë.

Nëse më parë Tirana nuk kishte asnjë brand ndërkombëtar hotelerie në Tiranë, sot kryeqyteti shqiptar ka emra të njohur në të gjithë botën./ atsh / KultPlus.com

Sot, protestë në Tiranë në përkrahje të Kosovës: “Dje, sot, nesër, përjetë bashkë”

Sot (e premte) është planifikuar të mbahet një protestë në Tiranë në përkrahje të Kosovës për situatat nëpër të cilat po kalon.

“Dje, sot, nesër, përjetë bashkë”, është thirrja që po bëhet në rrjet drejtuar qytetarëve, për protestën e sotme përpara kryeministrisë në ora 19:00.

Kjo nismë është nxitur për ta mbështetur Kosovën, si dhe nga deklarata e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama për anulimin e mbledhjes së dy qeverive.

Kujtojmë se qëndrimet e Ramës si për propozimin për Asociacionit, por edhe deklarata e tij ku i bën thirrje kryeministrit Kurti që të tërheqë forcat policore nga veriu, nuk janë pritur mirë nga shumë qytetarë shqiptarë.

Njoftimin e ka shpërndarë edhe aktori i njohur shqiptar, Florjan Binaj.

“Shihemi sot! Mos e lini ngritjen e zërit për kombin shqiptar vetëm për në stadium…”, ka shkruar Binaj në Facebook./ KultPlus.com

Ricky Martin: Shumë i lumtur të njoftoj se do të jem në Tiranë

Këngëtari i njohur i muzikës latine Ricky Martin do të performojë për herë të parë në Tiranë. Ylli botëror i cili po zhvillon turin e tij “Ricky Martin Symphonic”, do të ndalojë dhe në vendin tonë.

Lajmin e konfirmoi vetë këngëtari i cili në rrjetet sociale shkroi: “Po!!! Shumë i lumtur të njoftoj se do të jem në Tiranë, Shqipëri më 20 korrik me koncertin tim simfonik dhe Orkestrën Kombëtare të Tiranës. Shpresoj që të gjithë të mund të më bashkoheni në koncertin tim të parë në Shqipëri”.

Përpara koncertit të Ricky Martin, një tjetër këngëtar po aq i njohur dhe i dashur për publikun, do të performojë në Tiranë. Enrique Iglesias do të jetë në sheshin Skënderbej në fund të muajit qershor duke nisur kështu Javën Kulturore Spanjolle.

Lajmin për koncertet e dy prej figurave më të rëndësishme të muzikës latine e dha edhe kryeministri Edi Rama. / KultPlus.com

Chopin PianoFEST zgjeron aktivitetin e saj, sonte prezantohet koncert në Tiranë

Chopin PianoFEST Prishtina, sonte udhëton në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, me koncertin e radhës të cilin e zhvillon në bashkëpunim me Filhamoninë e Kosovës, shkruan KultPlus.

Chopin PianoFEST Prishtina këtë vit e ka zgjeruar aktivitetin e saj, ku sivjet për herë të parë, ka dërguar festivalin edhe në Shqipëri, në Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor.

Këtë mbrëmje adhuruesit e muzikës klasike mund ta përcjellin edhe mjeshtrin e jashtëzakonshëm nga Mbretëria e Bashkuar, pianistin Peter Donohoe.

Koncerti do të fillojë në ora 20:00 në Teatrin Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor në Tiranë/ KultPlus.com

Natë magjike në Tiranë, Nikos Vertis koncert madhështor në “Air Albania Stadium”

“Magjike nata sot në Air Albania Stadium”, shkroi kryeministri Rama ndërsa ndau në rrjetet sociale pamje nga koncerti që mbajti mbrëmjen e djeshme këngëtari Nikos Vertis, në kuadër të Javës Kulturore të Greqisë.

Kjo ishte hera e parë që Vertis këndonte në Tiranë, ku siç u pa edhe nga pjesëmarrja dhe jehona që pati, këngëtari ka një numër të madh adhuruesish.

Vertis ka kënduar live, i shoqëruar edhe nga kori i spektatorëve të shumtë në “Air Albania Stadium”.

Koncerti i realizuar mbrëmë në Tiranë, renditet ndër shumë të tjerë të programuar në turneun e tij të titulluar “20 vjet ritëm dhe pasion”.

Në kuadër të këtij turneu Vertis ka qenë edhe në Sofie, Jerevan, Beograd si dhe në shumë qytete të Greqisë.

Ylli i muzikës greke gjatë vizitës së tij në Tiranë, u takua edhe me kryebashkiakun Veliaj, ku së bashku zbuluan edhe origjinën e tij arvanitase.

Ky koncert mund të konsiderohet pikë kulmore e Javës Kulturore Greke në Shqipëri./ atsh / KultPlus.com

“Ura me tri harqe” po vjen me edicionin e radhës, Universiteti i Prishtinës nikoqir i kësaj ngjarje kulturore

Po vjen edicioni i trembëdhjetë i ngjarjes së përbashkët kulturore, “Ura me tri harqe”, e të tri institucioneve shqipfolëse të arsimit të lartë: Universiteti i Arteve- Tiranë, Fakulteti i Arteve i Universitetit të Tetovës si dhe Fakulteti i Arteve i Universitetit të Prishtinës, përcjell KultPlus.

Sivjet Universiteti i Prishtinës do të jetë nikoqir i kësaj ngjarje.

Ky Manifestim gjatë këtyre dy ditëve do të shfaqë, ekspozojë e performojë, projektet artistike më me vlerë përgjatë vitit akademik 2022-23, si filma me metrazh te shkurtër, dokumentarë, shfaqje teatrale, ekspozitën e koncertin e përbashkët të tri Universiteteve. Poashtu këtë vit “urës” do t’i bashkohet edhe një shfaqje mysafire nga studentët e Fakultetit të Arteve Dramatike në Shkup.

Programi i kësaj veprimtarie artistike do të prezantohen përgjatë dy ditëve 25-26 maj 2023. / KultPlus.com

Në Tiranë promovohet kompleti i veprave të profesorit, studiuesit dhe përkthyesit Ismail Ahmedi

Shtëpia Botuese Logos – A e Shkupit në bashkëpunim me Botimet Alsar të Tiranës, do të organizojnë promovimin e kompletit të veprave të prof. dr. Ismail Ahmedit, përcjell KultPlus.

Ceremoninë e promovimit do ta nderojnë me fjalët e tyre përshëndetëse: Ali Ahmeti, kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim, Hysni Ismaili, nënkryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Jeton Shaqiri, ministër i Arsimit dhe Shkencës i Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Për veprën e autorit kumtesat e tyre do t’i paraqesin: prof. dr. Xhevat Lloshi, prof. dr. Milazim Krasniqi, prof. dr. Sali Bashota, prof. dr. Adnan Ismaili dhe publicisti Agim Baçi, ndërsa promovimi do të moderohet nga Mehdi Gurra, kryetar i Fondacionit Alsar në Tiranë.

Ceremonia mbahet ditën e enjten, më 25 maj 2023, në orën 12, në Hotel Tirana International, në sallën “Balsha”, 

Ismail Ahmedi ishte profesor i gjuhës dhe letërsisë arabe në Degën e Orientalistikës në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, që nga viti 1974 e deri në pensionim. Është i njohur kontributi i tij në fushën e edukimit, në detyrën e prorektorin për arsim në Universitetin e Tetovës, pastaj në bashkëthemelimin e disa institucioneve në Prishtinë, Shkup, Tetovë. Po kështu, me botimin e librave të veçantë, ka kontribuar edhe në fushën e përkthimeve letrare nga gjuha arabe në gjuhën shqipe dhe anasjelltas. Libri monografik për jetën dhe veprën e Hafiz Ali Korçës, konsiderohet një ndër studimet me vlera të rëndësishme shkencore të profesor Ahmedit.

Shtëpia Botuese Logos-A, që konsiderohet ndër botuesit më të njohur në rajon e më gjerë, e ka botuar kompletin e veprave të Ismail Ahmedit në tetë vëllime që tashmë është para lexuesve në Shkup, Prishtinë dhe Tiranë. / KultPlus.com