Rruga në Tiranë merr emrin e aktores Antoneta Papapavli, Veliaj: Frymëzim për fëmijërinë tonë dhe brezat

Një rrugë në kryeqytetin shqiptar do të mbajë emrin e aktores së njohur Antoneta Papapavli, e cila kujtohet për karakteret e spikatura plot temperament në kinemanë shqiptare.

Tabela me emrin e saj iu dorëzua simbolikisht nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, djalit të aktores, Albencit. Kryebashkiaku theksoi se Antoneta Papapavli është frymëzim për breza të tërë, që janë rritur me art të mirëfilltë.

“Jam shumë i lumtur sot që, në 8 Mars, kujtojmë Antoneta Papapavlin, një aktore simbol të fëmijërisë tonë. Ishte privilegj që në ato kohë të vështira kemi pasur aktorë klasi. Është një përpjekje e Bashkisë së Tiranës për të nderuar njerëzit dinjitozë të qytetit. Nëna juaj ka qenë një grua dinjitoze, ka frymëzuar jo vetëm fëmijërinë tonë, por breza të tërë, që janë rritur me art të mirëfilltë, me aktrim të mirëfilltë në film e në Teatrin Kombëtar”, theksoi Veliaj.

Rruga që nga sot do të quhet “Antoneta Papapavli” kryqëzohet me rrugën “Agim Qirjaqi”, një tjetër personalitet i artit.

Në emër të familjes, djali i aktores i shprehu mirënjohjen kryebashkiakut Veliaj për këtë vlerësim në një ditë të veçantë si 8 Marsi. “Ndjeva një kënaqësi sepse ka kaluar kohë e gjatë që mamaja nuk është më dhe ky vlerësim për mua është një “ringjallje” e vogël. Edhe kjo ditë e shënuar, dita e 8 Marsit, ma solli mamanë ashtu siç ishte gjithmonë”, u shpreh i emocionuar ai.

Antoneta Papapavli ka interpretuar mbi 50 role në Teatër, si dhe shumë role në kinematografi. Për aktivitetin e saj artistik është nderuar me titullin “Artiste e Merituar”./tch/KultPlus.com

“Kosova në Arkivin e Shtetit Shqiptar”, ekspozita e rrallë dokumentare dhe fotografike në Tiranë

Përmes një ekspozite të rrallë dokumentare dhe fotografike, është shënuar në Tiranë 13- vjetori i Pavarësisë së Kosovës.

Një ngjarje me rëndësi për Kosovën si shtet i pavarur e që Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë dhe Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës, zgjodhën ta kujtojë në Kalanë e Tiranës, këtë ditë historike për shtetin e dytë shqiptar në Europë.

Bedri Zyberaj, kryeshef i Arkivave të Kosovës theksoi rëndësinë e një tubimi të tillë, i cili një vit më parë u mbajt në Prishtinë.

“Kjo është data më e rëndësishme e historisë së re të shqiptarëve. Arkivat janë institucionet që kujdesen dhe ruajnë kujtesën dhe trashëgiminë e çdo kombi. Dhe për fat të mirë edhe arkivat tona janë kujdesur dhe ruajnë përmes instrumenteve bashkëkohore. E përpiqen që përmes këtyre ekspozitave, t’i sjellin ato tek shqiptarët”.

Ambasadori i Kosovës në Tiranë, Nait Hasani tha se “dokumentet e kësaj ekspozite tregojnë rëndësinë dhe pranië e Kosovës prej vitit 1912 e më pas në Shqipëri dhe ndjehem mirë që ato ekspozohen në këtë 13 – vjetor të pavarësisë”.

Elsa Saka, Drejtore e Komunikimit në DPA, tha se “ne synojmë që kjo ekspozitë të jetë shëtitëse dhe çdo 17 shkurt të çelet në një qytet tjetër të Shqipërisë pas Prishtinës dhe Tiranës”.

Klodiana Toptani, administratore e Kalasë tha se “për ne, Dita e Pavarësisë së Kosovës ka rëndësi të madhe ndaj edhe e festojmë sot në Kala, ku valvitet edhe flamuri i shtetit të Kosovës”.

Materialet që janë paraqitur në ekspozitë janë nga periudha e vitit 1912, në të janë shfaqur edhe dokumente të pjesëmarrësve nga Kuvendi i Vlorës, të dhëna të personaliteteve të ndryshme shqiptare dhe të dhëna për Komunitetin Kombëtar për mbrojtjen e Kosovës.

Këto janë vetëm një pjesë e vogël e mijëra dokumenteve që ruhen në dy arkivat shqiptare, Shqipëri dhe Kosovë. /atsh/ KultPlus.com

Hapet në Tiranë ekspozita “Heroes” e piktorit Agim Sulaj

Ekspozita “Heroes” vjen për publikun me disa prej punëve më të mira të piktorit të njohur Agim Sulaj.

Me një aktivitet të vlerësuar brenda dhe jashtë vendit, si dhe pjesëmarrës e fitues në konkurse të ndryshme në botë me punët e tij në karikaturë, artisti i njohur vazhdon traditën e tij me ekspozitën e dhjetorit në Shqipëri. Tre vite me parë ekspozita e tij te hotel “Plaza” quhej “Rrënjët”, këtë vit vjen me emrin “Heroes”. Piktori i njohur ka prezantuar 25 tablo në ekspozitën e tij.

Në një reagim piktori thotë se këtë herë ka dhe punë, që i dedikohen situatës së vështirë me pandeminë globale që po kalojmë, por ka dhe piktura të tjera me mbresa të pikturuara, si dhe tablo historike. ““Heroes” një dedikim situatës e vështirësive të krijuara nga covid-19 nëpërmjet një tabloje. Si dhe një zhytje me kujtime, mbresa të pikturuara e tablo historike. Por COVID-19 nuk e ndalon krijimtarinë”, thotë piktori i cili hapi ekspozitën e tij në datë 11 dhjetor për publikun, që mund të shikojnë punët e tij duke respektuar rregullat që janë vënë për shkak të pandemisë. Ekspozita “Heroes” është prezantimi i radhës së piktorit Agim Sulaj me publikun artdashës shqiptar. Sipas tij janë 25 punime, që përcjellin edhe mesazhe paqeje. “Nuk mund ta ndërprisja traditën e bukur të krijuar tashmë këto katër vjet me publikun e miqtë artdashës të Shqipërisë. Jeta e arti duhet eci e të prezantohet”, thotë piktori i njohur Agim Sulaj, për aktivitetin e tij me pikturën gjatë këtij viti mjaft të vështirë për shkak të pandemisë globale.

Ekspozita deri në shkurt 2021

Piktori për shkak të situatës me pandeminë nuk ka mundur të jetë vetë në Tiranë. Por punët e ekspozitës i ka dërguar dhe tashmë janë prezantuar në Tiranë. Piktori Agim Sulaj thotë se ekspozita do të qëndrojë deri nga mesi të muajit shkurt të vitit që vjen. Por dhe pse një vit i vështirë, piktori Agim Sulaj ka vijuar të jetë pjesëmarrës në konkurse të ndryshme, sipas tij duke marrë dhe vlerësime të reja. “Ky vit dhe pse shumë me vështirësi nuk e ka frenuar aktivitet in tim. Jam i kënaqur, që jetës sime artistike i kam dhënë emocione , çmime e vlerësime të reja”, thotë ai. Këtë herë në këtë ekspozitë të hapur në Tiranë, piktori thotë se përgjithësisht janë punime të reja në 25 tablotë e prezantuara. “Është një variant i ti i tablosë historike me kokën e Ali Pashë Tepelenës te Sulltani, që ndodhet në Janinë në Muzeun e Aliut, me përmasa të mëdha. Kisha dëshirë ta bëja të madhe”, tregon ai. Gjatë një viti më parë piktori shqiptar me famë ndërkombëtare Agim Sulaj mori pjesë në konkurse të ndryshme në botë, ku është vlerësuar me çmime, por shprehej se për ekspozitën në Tiranë në muajin e fundit të vitit në dhjetor kishte kohë që e kishte menduar.

Agim Sulaj piktor e karikaturist shqiptar, 19 vjeç fiton çmimin e tij të parë në një konkurs satire dhe humorizmi të organizuar nga “Hosteni”. Në vitin 1985 diplomohet në Universiteti i Arteve në Tiranë, dhe gjatë shkollës e më pas, punon te “Hosteni” e vetmja revistë satirike kohës, për aq satirë që mund të bëhej asokohe. Trajton gjithnjë tema shoqërore, subjektet e para trajtojnë servilizmin, thashethemet etj. Në vite ka ekspozuar dhe është vlerësuar jo vetëm në të katër anët e Italisë, por edhe në Greqi, Amerikë, Turqi, Belgjikë, Francë, Azerbajxhan, Kinë, Iran, Hungari, Poloni, Bullgari, etj. Agim Sulaj mes vlerësimeve që ka marrë ka fituar edhe “Grand Prix Aydin Dogan Stamboll”. I cilësuar si çmim “Oscar” për karikaturën, ky vlerësim vjen për artistin e njohur shqiptar në vijim të aktivitetit të tij. Pjesëmarrës në këtë aktivitet ishin 583 artistë nga 63 vende të botës dhe 2750 punime të seleksionuara. /dp/ KultPlus.com

Mediat e huaja për protestat: I riu u vra se shkeli shtetrrethimin

 

Lajmi i protestave të një dite më parë në Shqipëri, ka përfunduar në krye të faqes online të BBC News.

“Protestuesit shqiptare djegin pemën e Krishtlindjeve për shkak të vrasjes së kryer nga ana e policisë”, thotë BBC, teksa thekson se qindra tubues u mblodhën në rrugë e Tiranës pasi pretendimeve  se policia e vrau të riun sepse shkeli orën policore, të vendosur si masë kundër pandemisë së koronavirusit.

Protestuesit, vazhdon ajo, i bërtisnin forcave policore dhe shkatërruan pemën e Krishtlindjeve e zbukurime të tjera nëpër qytet. Ministri i brendshëm shqiptar Sandër Lleshaj, nën presion për të dhënë dorëheqje, shkruan Euronews.

Polica përdor gazin lotsjellës mbi qindra protestues në Tiranë që demonstronin kundër të shtënave fatale të policisë ndaj një 25 vjeçari që kishte shkelur shtetrrethimin. Me thirrjet “Duam drejtësi”, turma i vuri zjarrin Pemës në Krishtlindjeve e u përpoq të hynte në ministrinë e brendshme e kompleksin qeveritar, thotë ajo.

E përditshmja britanike thekson se policia në fillim kishte thënë që Rasha nuk iu bind urdhrit për të ndaluar dhe se kishte me vete një armë, ndërsa më pas ndryshe nga raporti i mëparshëm, tha se nuk mbante në duar armë, por një “objekt”.

“Shqiptarët protestojnë pasi një person u qëllua për vdekje se shkeli shtetrrethimin e koronavirusit”, është titulli i “Sydney Morning Herald”./ tch / KultPlus.com

Tirana feston “Natën e Bardhë”

“Nata e Bardhë”, e cila tashmë është bërë traditë për kryeqytetasit, nuk mungon as këtë vit. Pavarësisht pandemisë, Bashkia Tiranë ka menduar që të sjellë një koncert, por sigurisht duke respektuar të gjithë rregullat e vendosura për shkak të Covid-19.

Por këtë herë publiku do ta shijojë nga shtëpia koncertin nga këngëtarët e preferuar, si Dafina Zeqiri, Soni Malaj, M. Elvis, Kastro Zizo, West Side Family dhe Stine me hitet e tyre.

Koncerti që nis në orën 18:00 zgjat rreth 2 orë me transmetim live në Facebook-un si dhe në kanalin Youtube të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Kështu që qytetarët shijojnë një Natë të Bardhë ndryshe, por me plot emocione të veçanta këtë vit./ atsh/ KultPlus.com

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit organizoi diskutim për botimet historike, premtoi se do ta mbështes këtë kategori

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit gjatë ditës së sotme mbajti takim me Akademinë e Studimeve Albanologjike dhe Departamentin e Historisë në mjediset e Muzeut Kombëtar në Tiranë, shkruan KultPlus.

Zyrtarë institucional dhe historianë e studiues të shumtë u takuan për të diskutuar për librat historik, nevojat dhe kërkesat e kësaj fushe, përkthimet, autorët dhe lexuesit.

Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli u shpreh se po tentojnë t’i japin zë fushave që kanë qenë më pak në fokus, e siç është edhe çështja e botimeve historike.

“QKLL-ja do të krijojë një fond të posaçëm mbështetjeje për albanologjinë, por dhe do t’i japë më shumë hapësirë, përmes kooperimeve ndërkombëtare, që libri historik e albanologjik shqiptar të jetë pjesë e panaireve, apo aktiviteteve ndërkombëtare te Librit, ku merr pjesë Ministria e Kulturës”, premtoi Bardhyli.

Pos të tjerash ajo theksoi se është e domosdoshme ndihma ndaj kësaj kategorie, e veçanërisht autorëve të historisë.

“Mendoj se është shumë e rëndësishme që të rrisim kulturën e leximit në përhapjen e vlerave identitare që mbartin botimet historike, sidomos te brezi i ri”, përfundoi drejtoresha e QKLL-së.

Të pranishëm ishin edhe Prof. Dr. Hamit Kaba, Prof. Dr. Mariglen Verli, Prof. Ass. Sonila Boçi, Prof. Ass. Ledia Dushku, Dr. Dorian Koçi. / KultPlus.com

Arkivi shqiptar del jashtë kufijve shtetëror, hap sallë studimi në Shkup

Nga sot salla e studimit e Arkivit të Shqipërisë do të jetë përtej kufirit, edhe në Maqedoninë e Veriut.  

Këndi Arkivor është hapësira e re e krijuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave e që do të jetë tek Leximorja e Çairit në Shkup.

Në prezantimin e këtij bashkëpunimi që ua lehtëson punën studiuesve dhe të interesuarve për arkivat, ishte drejtori i Përgjithshëm i Arkivit, Ardit Bido, kryetari i Komunës së Çairit Visar Ganiu, zëvendësdrejtori i Arkivit të Maqedonisë, Muzafer Bislimi dhe zyrtarë të tjerë nga Maqedonia e Veriut.

Drejtori i Përgjithshëm Bido, në fjalën e tij tregoi se përmes kësaj platforme, çdo studiues pa qenë nevoja për të udhëtuar drejt Tiranës, mund të kërkojë dokumente arkivore të fondit të pasur me mbi 300 milionë dokumente që ka Arkivi i Shtetit në Shqipëri, e që është e gjithë historia e kombit para vitit 1945, përfshirë edhe viset e Maqedonisë, Kosovës e Rajonit.

“Studiuesi që do të vijë në Këndin Arkivor në Shkup, është njësoj sikur të ishte në Tiranë. Edhe në Tiranë do të bënte të njëjtën gjë, pa as edhe një lloj ndryshimi. Është ekzaktësisht e njëjta formë bashkëpunimi, që nesër pasnesër ta kemi, jo vetëm kombëtar, por dhe rajonal. Ta kemi edhe në Arkivin e Maqedonisë, që ka dokumentacion mbi shqiptarët, por shumicën dërmuese e ka mbi kombin maqedonas, ta kemi edhe me Arkivin bullgar, ta kemi edhe me Arkivin grek, pse jo” u shpreh Bido.

Zëvendësdrejtori i Arkivit të Maqedonisë së Veriut, Muzafer Bislimi, përshëndeti këtë nismë të DPA-së, ndërsa theksoi bashkëpunimin e shkëlqyer që ka Arkiva e Maqedonisë me atë të Shqipërisë, duke shtuar se synimi është që të gjitha fondet që kanë të bëjnë me historinë shqiptare, të jenë si në Shkup, po ashtu edhe në Tiranë.

“Me kalimin e kohës synojmë që fondet që janë për historinë shqiptare, t’i kemi jo vetëm në mënyre elektronike, por edhe fizikisht të kenë mundësi të studiohet edhe në Arkivin e Maqedonisë por edhe në Arkivin e Tiranës. Unë besoj se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe më tej”, – theksoi zv/drejtori i Arkivit të Maqedonisë së Veriut, Muzafer Bislimi.

Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, në territorin e së cilës është hapur Këndi Arkivor, tregoi se e kanë mirëpritur ardhjen e Arkivit të Shqipërisë në Komunën e tyre.

“Jam tepër i lumtur që sot kemi mundësinë që bashkërisht ta hapim, që të gjithë studiuesit të kenë mundësi dhe qasje në të gjithë informacionin dhe të gjitha ato që i kanë lëndë hulumtimi, që të kenë mundësi që edhe pa qenë me prezencë fizike në Tiranë, të kenë mundësi nga këtu të hulumtojnë! Projekti është i qëlluar dhe më vjen mirë se pas Shkupit, projekti menjëherë bartet në Prishtinë!”, u shpreh Ganiu.

Kjo nismë e DPA-së ka për qëllim nxitjen e kërkimit shkencor dhe ofrohet me të njëjtat rregulla, të njëjtat procedura, të njëjtën shpejtësi dhe të njëjtën formë siç ofrohet në Sallën e Studimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave.

Procedura e regjistrimi në Sallën e Studimit kryhet përmes internetit, jashtë këtij Këndi Arkivor, në adresën katalogu.arkiva.gov.al. Pas aprovimit, që zgjat një ditë pune, aplikuesi përmes E-mailit do të pajiset me fjalëkalimin për të hyrë në Sallën e Studimit.

Pasi të jetë bërë ky regjistrim, qytetari dhe studiuesi mund të porosisë dosjet që dëshiron, ta konsultojë, si në këtë Kënd Arkivor, po ashtu edhe në adresën katalogu.arkiva.gov.al.

Dosjet e porositura do të shërbehen ditën që është përzgjedhur nga aplikuesi në sistem dhe do të qëndrojnë të qasshme për pesë ditë pune. /ata/ KultPlus.com

Hapet ekspozita “Nga alfabeti në drejtshkrim” në Tiranë

Në 48-vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit të vitit 1972 në Tiranë është hapur ekspozita me fotografi dhe dokumente që dalin nga fonde arkivore.

Ekspozita është hapur në Kalanë e Tiranës. Kongresi i Drejtshkrimit ishte rrjedhojë e një procesi të gjatë përpjekjesh për shqipen standarde. Për këtë arsye në panelet e kësaj ekspozite ekspozuar momente me rëndësi që nga Kongresi i Manastirit i cili mori vendimin e rëndësishëm që për shkrimin e shqipes të përdorej ky alfabet, që ne kemi edhe sot.

Studentët dhe qytetarët kanë mundësi të shohin nga afër disa ngjarje dhe personazhe me rëndësi jo vetëm për historinë e gjuhës shqipe po për gjithë vendin. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 25 nëntor. / dp/ KultPlus.com

76 vjet nga çlirimi i kryeqytetit të Shqipërisë

Sot shënohen 76 vite nga çlirimi i kryeqytetit shqiptar nga pushtuesit nazifashistë në Luftën e Dytë Botërore.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Ushtria Nacionalçlirimtare e Shqipërisë zhvilloi kryengritje të armatosur kundër pushtimit të Shqipërisë.

Prej 7 prillit të vitit 1939 e deri më 29 nëntor të vitit 1944, Shqipëria kishte qenë e pushtuar nga Italia fashiste dhe pas kapitullimit të saj, në vjeshtë të vitit 1943, Shqipëria pushtohet nga forcat gjermane.

Në fund të nëntorit 1944, pas Çlirimit të Tiranës, më 17 nëntor dhe pjesës kryesore të Shqipërisë së Veriut, mbetej te çlirohej qyteti i Shkodrës dhe qarku i tij. Shkodra u çlirua më 29 nëntor të vitit 1944.

Ky moment historik konsiderohet si operacioni më i rëndësishëm, më i ashpri dhe më i suksesshmi, që kanë zhvilluar njësitë e UNÇSH kundër forcave gjermane e bashkëpunëtorëve të tyre për çlirimin e qyteteve të Shqipërisë.

Rol të veçantë për suksesin e operacionit luajti beteja e Mushqetasë. Lufta për çlirimin e Tiranës kishte karakterin e luftës së vërtetë ballore, ku u dukën qartë shkalla e organizimit të UNÇSH.

Në luftën për çlirimin e Tiranës, një kontribut të çmueshëm dha populli i kryeqytetit, i cili i mbështeti fuqimisht të gjitha luftimet që u zhvilluan nëpër lagjet dhe rrugët e tij.76-vjetori i çlirimit të Tiranës u përkujtua edhe nga presidenti Ilir Meta.

“76 vjet më parë, djemtë dhe vajzat partizane, bashkë me qytetarët kryengritës të Tiranës, do të realizonin një nga operacionet ushtarake më të lavdishme dhe më të suksesshme, duke i dhënë të drejtën dhe kredon brigadave partizane për të hyrë fitimtare në kryeqytet”, shprehet Meta, duke vlerësuar se “për të ardhur te kjo ditë e bardhë, u desh gjaku dhe jeta në lulen e rinisë e qindra Dëshmorëve, sakrifica dhe përpjekjet e mijëra partizanëve në çdo shesh, rrugicë, barrikadë dhe shtëpi të kryeqytetit”.

“Çlirimi i Tiranës ishte një kontribut i rëndësishëm për të forcuar legjitimitetin dhe besueshmërinë e Shqipërisë, si një vend i përkushtuar në Aleancën Antifashiste.Mesazhet e mëdha të lirisë, paqes dhe luftës kundër tiranisë, tingëllojnë edhe sot më aktuale se kurrë, të nderuara dhe të pacënuara nga koha dhe devijimet e mëvonshme të kauzës së lirisë të partizanëve tanë të lavdishëm”, shprehet presidenti Meta./ atsh/ KultPlus.com

Hapet ekspozita për 100-vjetorin e Bibliotekës Kombëtare në Tiranë

Në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) në Kryeministri u çel sot ekspozita “Verba Volant, Scripta Manent – Thesare të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë”.

Për të kremtuar 100-vjetorin e Bibliotekës Kombëtare, COD sjell për miqtë e librit një ekspozitë të librave të rrallë, të cilët dalin për herë të parë në sytë e publikut.

Kjo ekspozitë vjen për publikun falë Qendrës për Hapje dhe Dialog në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë.

Kryeministri Edi Rama i pranishëm në çeljen e kësaj ekspozite deklaroi sot se, Biblioteka Kombëtare numëron sot 1 milion e 300 mijë libra dhe dixhitalizimi do të mundësojë aksesin në këto libra nga e gjithë bota.

Duke folur në ceremoninë e hapjes së ekspozitës “Verba Volant, Scripta Manent – Thesare të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë”, për të kremtuar 100-vjetorin e Bibliotekës Kombëtare, ai u shpreh se, “është fatkeqësi që në një moment kaq të rëndësishëm për Bibliotekën Kombëtare siç është ky vit dhe kur kremtimi i këtij 100-vjetori është një detyrim, por edhe një emocion i jashtëzakonshëm që mund të ushqehej ashtu siç duhej përmes një zinxhiri të aktivitetesh dhe një pjesëmarrjeje shumë më të gjerë të drejtpërdrejtë, koha e keqe në të cilën ky 100-vjetor ndodh na detyron të jemi shumë kopracë në këtë kremtim, në aspektin e hapësirave, pjesëmarrjes, projektimit të një kalendari siç do duhej të ishte”.

Megjithatë, shtoi Rama, “është vërtetë për të thënë faleminderit për zgjedhjen e bërë me këtë ekspozitë që nuk është një nga ekspozitat e COD këtu në Kryeministri, por është një dëshmi shumë e rrallë, faktike, e prekshme e një historie shumë të gjatë, e cila kalon shumë e shumë shekuj dhe mishërohet në libra, tekste, objekte që janë ruajtur në thellësitë e organizmit të Bibliotekës Kombëtare”.

Rama nënvizoi se, “do të kishte qenë shumë më bukur sikur ne të kishim mundësinë që këtë 100-vjetor ta kremtonim në godinën e Bibliotekës së re Kombëtare, që është një domosdoshmëri e kahershme tashmë. Por fatkeqësisht projekti i nisur me shumë dëshirë dhe i futur në procesin e formësimit të tij, u desh të ndalej nga tërmeti dhe mbetet i ndalur edhe sot, pasi rrënojave të tërmetit që duhen kthyer në mijëra shtëpi, në mijëra apartamente, iu mbivendos edhe goditja e rëndë financiare e të gjithëve, për shkak të COVID-it. Megjithatë projekti e ka nisur rrugën e tij, dhe unë kam besim se do të shkojë deri në fund, edhe pse nuk mund dot ta them se kur. Por jo padiskutim aq gjatë dhe aq vonë sa ç’është vonuar deri sot në rrugën e gjatë të kërkesës legjitime të gjithë atyre që janë të lidhur me librin, janë të lidhur me bibliotekën për ta pasur Bibliotekën e re Kombëtare”.

Nga ana tjetër shtoi Rama, “pavarësisht se nuk kemi arritur ende të ndërtojmë godinën e Bibliotekës së re Kombëtare, jo pak është bërë për të ndryshuar një rrjedhë shumë shqetësuese degradimi dhe rrënimi të atij thesari të madh, të pazëvendësueshëm, të krahasueshëm me asnjë thesar tjetër të prekshëm drejtpërdrejtë nga sytë nga duart, të prekshëm fizikisht nga historia jonë”.

Rama u shpreh se, “ajo çka përbën një rrugë paralele të pandashme tashmë për Bibliotekën Kombëtare ka qenë dixhitalizmi i një pasurie kaq të madhe dhe përmes dixhitalizimit mundësia për ta aksesuar këtë pasuri në një rrugë tjetër. Të ndryshme nga ajo rruga tradicionale që gjithsesi mbetet e pazëvendësueshëm në atë që ofron dhe që njerëzit përftojnë prej saj nga kontakti fizik me librin”.

“Biblioteka ka nisur me 3 mijë libra 100 vjet më parë. 3 mijë libra mund të ishin fare mirë koleksioni i një njeriu të vetëm për nga sasia. Dhe sot është 1 milion e 300 mijë”’, tha Rama.

Ai u shpreh se, “revolucioni dixhital që kemi ndërmarrë në të gjithë gjatësinë e frontit të përparimit ka përfshirë dhe Bibliotekën Kombëtare pikërisht në 100-vjetorin e saj”.

“Patjetër që do ta mbështesim shumë fort këtë revolucion dixhital në Bibliotekën Kombëtare, sepse është mundësi për të hapur tërësisht me të 1 milion e 300 mijë dritaret atë godinë, kudo që ajo të jetë, aty ku është dhe aty ku uroj dhe do bëjë çmos që të ndërtohet. Kështu aksesi në këtë thesar do të jetë global. Nga të gjithë ata që janë të lindur këtu dhe që jo domosdoshmërisht jetojnë këtu. Që mund të jetojnë në Amerikë, Europë, Australi, në Kinë. Nga të gjitha ata që janë të lidhur me çka është krijuar shkruar këtu dhe nuk janë domosdoshmërisht shqiptarë. Dhe patjetër edhe nga të gjithë fëmijët tanë që duke pasur këtë dritare do mund të rriten ndryshe nga ne”.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti gjithashtu e pranishme në çeljen e kësaj ekspozite e krahasoi Bibliotekën Kombëtare si një re të madhe ëndrrash.

“Do të përfytyroja si një spirale që shkon drejt pafundësisë e ndërtuar me miliona e miliona sirtarë ëndrrash”, tha ajo.

“Në këtë katedrale 100-vjeçare, janë strehuar vërtetë ëndrrat e shqiptarëve për të shkruar, folur, për të përcjellë në breza gjuhën, për të ushtruar besimin fetar, ëndrrat për të vetëqeverisur, për të shpërthyer zinxhirët e hekurt të izolimit politik dhe kulturor dhe për t’u ndier edhe ne pjesë e Europës, jo thjesht si një copëz gjeografike e këtij kontinenti”.

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Pirro Misha, u shpreh se, “detyra primare e çdo biblioteke në botë është të mbledhë dhe të ruajë trashëgiminë e shkruar kombëtare, kujtesën kombëtare, ndaj dhe kjo ekspozitë fillon me pavijonin kushtuar kësaj trashëgimie. Por në fakt kjo pjesë e ekspozitës zë vetëm 25% të saj. Pjesa tjetër e saj përbëhet nga libra dhe dorëshkrime të cilat ekspozohen për herë të parë dhe që përbëjnë dhe surprizën e saj, sepse ndër objektivat e kësaj ekspozite është që të surprizojë”.

Ai tha se “krijimi i bibliotekës dixhitale përbën realisht një revolucion të vërtetë në marrëdhëniet me publikun”.

Eridana Çano, drejtoreshë e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje (COD) tha se, “në këtë ekspozitë zbulohen përpara publikut një korpus libror i pasur për promovimin e thesareve të Bibliotekës si inkunabula, antikuarë, dorëshkrime, vepra të albanologëve të spikatur e shumë të tjera. Janë kryesisht vepra nga autorë të huaj, por nuk mungojnë dhe veprat e autorëve shqiptarë dhe atyre arbëreshë. Kjo ekspozitë në miniaturë e thesareve të pazbuluara deri më sot, nis nga zakonet, traditat, besimi, mënyrat e jetesës, historia dhe gjeografia, të shprehura në dokumente dorëshkrime që datojnë nga viti 1473, libri më i vjetër në Bibliotekën Kombëtare e deri tek dorëshkrimet orientale me vlera të rralla me përmbajtje fetare, juridike dhe historike”.

Ekspozita “Verba Volant, Scripta Manent – Thesare të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë”, do të qëndrojë e hapur në COD në datat 22-31 tetor 2020. /atsh/ KultPlus.com

Hapet edhe BiblioTech 4 në Tiranë, transformohen bibliotekat publike në lagje

Projekti më i ri inovativ i Bashkisë së Tiranës dhe i UNICEF-it po transformon bibliotekat e Tiranës nga mjedise të thjeshta leximi, në inkubatorë të teknologjisë për fëmijët dhe të rinjtë. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe përfaqësuesi i UNICEF-it në Tiranë, Roberto de Bernardi, përuruan laboratorin më të ri inovativ, BiblioTech “Misto Treska”, e katërta në kryeqytet.

Kryebashkiaku shprehu besimin se edhe kjo nismë do të jetë një histori suksesi. “Ajo që na bashkon me UNICEF-in është investimi për dijen. Sot jam shumë krenar për këto katër pika të reja që hapim, janë vetëm 4 fara të para që mbjellim në Tiranë. Prirem të jem gjithnjë ai optimisti kronik dhe të shoh më të mirën, ndaj realisht ju uroj sukses të katër bibliotekave”, tha ai.

Veliaj u shpreh se ambicia e Bashkisë së Tiranës është t’u mësojë të rinjve profesionet e së ardhmes, dhe prova më e mirë për këtë janë hapja brenda një jave e disa akademive digjitale. “Ka gjithmonë një pyetje: Çfarë bën ti për rininë? ‘Jep peshk’ apo mëson si peshkohet? Ka plot që ‘japin peshk’. Kur bën një kamp veror, do pimë të gjithë birra apo kafe me filan politikan? Ok, gjë e mirë është, një birrë, një kafe. Por, është thjesht një ambicie shumë e vogël. Ambicja jonë është ‘të mësojmë si peshkohet’. Brenda 7 ditëve kemi hapur qendrën Tumo, u hap Softëare Development Academy, (Akademia e Zhvillimit të Softëare-ve), që në fakt është për një moshë më të madhe. Kurse me UNICEF-in bëmë këtë projekt, që vjen për të gjitha moshat”, theksoi ai.

Veliaj shtoi se Tirana dhe Shqipëria janë gati që të kapin revolucionin e katërt, që është ai digjital. Veliaj nënvizoi se përmirësimi i infrastrukturës dhe investime të tilla në çdo lagje sikurse bibliotekat, kanë rritur edhe vlerën e pronës së qytetarëve. “Unë e marr si kompliment kur njerëzit më thonë janë rritur shumë çmimet e pronës në Tiranë. A nuk do të ishte mëkat në fakt, të degjeneronte çmimi i pronës dhe mos të kishte asnjë vlerë? Pra, për një kryetar bashkie është lajm i mirë që është rritur vlera e pronës, që do të thotë infrastruktura, lehtësirat, investimet kanë bërë që prona të vlejë më shumë. Nuk besoj se ka një mënyrë më të mirë për të mbushur këto hapësira sesa me atë që është sot strategjia më e mirë për një komb, të ngarkojë të rinjtë e saj me aftësi digjitale, që munden të përkthehen në vende pune, në start-up apo në industri të reja”, theksoi ai.

Përfaqësuesi i UNICEF-it në Tiranë, Roberto de Bernardi u shpreh se këto biblioteka të reja ofrojnë një mundësi për të gjithë. “Si në këtë bibliotekë, pra “Misto Treska”, por edhe në biblioteka të tjera publike, ku po zhvillohet i njëjti projekt, duhet të mbajmë parasysh se askush nuk duhet të mbetet pas. Si UNICEF, ndihemi shumë krenarë të shohim kontributin që kemi dhënë, në mënyrë që këto ide të materializohen. Edhe njëherë do të doja të falenderoja kryetarin e Bashkisë dhe ekipin e tij për zhvillimin e këtij projekti”, u shpreh De Bernardi.

BiblioTech “Misto Treska”, e vendosur në Njësinë 10 në Tiranë, “Musine Kokalari”, në Njësinë 7, “Hamit Beqja” tek Njësia 8 dhe “Aleksandër Moisiu” në Njësinë 4, ofrojnë jo vetëm kënde leximi, por edhe logjistikë të përshtatshme për edukim digjital, kodim, mjedise inovatore për startups, si dhe hapësira miqësore për fëmijët falë friendly WiFi. Filtrimi i internetit e bën përdorimin e tij nga fëmijët dhe të rinjtë më pak të rrezikshëm nga tentativat keqadashëse për të abuzuar, apo shfaqur imazhe të papërshtatshme online për minorenët. BiblioTech ofron edhe mjaft trajnime dhe aktivitete informuese./ atsh/ KultPlus.com

Makina e parë në Shqipëri hyri në vitin 1913

Makina e parë në Shqipëri besohet të ketë hyrë në vitin 1913.

Në fotografinë e rrallë që gjendet në arkivin ‘Hulton’, makina e parë që ka mbërritur në Tiranë , por edhe në Shqipëri ka qenë në vitin 1913. Makina ishte e tipit ‘Fiat’, markë italiane dhe besohet që është blerë nga një shqiptar nga Çamëria.

Fotoja tregon edhe fytyrat kureshtare të banorëve të Tiranës, të cilët për herë të parë po shihnin një veturë në rrugët e atij qyteti./ KultPlus.com

Një copëz Tirane vjen në sheshin e Prishtinës sjell historinë një shekullore të kryeqytetit shqiptar

Për nder të shënimit të 100 vjetorit të Tiranës si kryeqytet i Shqipërisë muzeu lëvizës ‘Tirana vjen tek ti’, rrugëtimin nëpër  qytetet e Kosovës e ka përfunduar në sheshin ‘Ibrahim Rugova’ të kryeqytetit, shkruan KultPlus.

Muzeu lëvizës ‘Tirana vjen tek ti’ në mëngjesin e ditës së sotme ka zbarkuar në qytetin e Prishtinës historinë e tij, ku përmes fotografive dhe dëshmive tjera arkivore shpalosë momentet më të rëndësishme që nga koha kur është shpallur kryeqytet.

Aktiviteti për shënimin e këtij përvjetori fillimisht nisi me hapjen solemne të  muzeut në sheshin ‘Ibrahim Rugova’ dhe nën tingujt e bendit frymor të filarmonisë së Kosovës. Në ceremoninë e hapjes drejtoresha ekzekutive e UBSHR-së, Andriola Kambo tha se unioni i bashkive shqiptare ka për qëllim integrimin e vendeve me njëri tjetrin, në mënyrë që rrugëtimin drejt familjes së madhe të Bashkimit Evropian ta bëjnë së bashku.

“ Në fakt unioni i bashkive shqiptare në rajon si qëllim ka integrimin me njëri tjetrin që ne të vazhdojmë drejt BE  te familja e madhe ku ne aspirojmë të jemi pjesë, me shekuj. Sot kemi sjellë një copëz të Tiranës, kemi sjellë sheshin Skënderbe. Sheshi simbol i shqiptarëve që çdo gurë i sheshit Skënderbe ka një histori, histori që në fakt ka thelb dhe për të ju rikthyer historisë tonë kombëtare ne gjithmonë jemi të kujdesshëm në rrugëtimin drejt së ardhmes, në mënyrë që të mos i bëjmë gabimet e së shkuarës”, u shpreh Kambo.

Ndërkaq nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi ka thënë se qëllimi i këtij muzeu është promovimi i turizmit dhe kulturës në vendet shqipfolëse. Ai ka theksuar se nisma që ka filluar këtë vit nga Bashkia e Tiranës duhet të shndërrohet në aktivitet tradicional të përvitshëm.

Kurse nënkryetarja e Bashkësisë së Tiranës, Anuela Ristani gjatë fjalimi të saj në hapjen e këtij muzeu në qytetin e Prishtinës tha se në pamundësi për të organizuar atë çka kishin planifikuar muaj më parë në Tiranë, vendosën që të historinë e Tiranës ta sjellin në qytetet shqiptare. Sipas saj bashkëpunimi në mes të Prishtinës dhe Tiranës nuk duhet të mungoj asnjëherë.

“Pikërisht që jemi dy qendra të këtij rajoni është më e përgjegjësi më e madhe që i përfshinë të gjithë të tjerët. Gjithë synimi i shoqatës është pikërisht kjo, ti mbledhim të gjithë pranë dhe të bashkëpunojmë për të mirën e gjithsecilit. Shpesh herë mendojmë gjëra që nuk i ndryshojmë dot, çështjen e pandemisë nuk e ndryshojmë dot, tërmetin në Tiranë nuk e ndryshojmë dot, mbase ndonjëherë edhe politikën nuk e ndryshojmë dot. Por bashkëpunimi me njëri tjetrin, bashkëpunimi me qytetarët dhe me njëri tjetrin, dashurinë që kemi për vendet tona reciproke dhe për vendet që nuk i kemi zbuluar akoma, për një shëtitje diku në mal apo për një ngjitje në bjeshkë. Ca destinacione që duam apo s’duam kemi filluar ti zbulojmë pikërisht atëherë kur na ndodhin gjëra që nuk i prisnim.”, ka deklaruar Anuela Ristani.

Rrugëtimi i Muzeut Lëvizës ‘Tirana vjen tek ti’, në Kosovë ka filluar me 16 shtator në qytetin e Prizrenit kurse rrugëtimin e tij në trojet shqiptare do të shënoj fundin në qytetin e Preshevës, nesër me 20 shtator.

Kurse gjatë ditës së sotme organizatorët e Muzeut Lëvizës së bashku me Komunën e Prishtinës do të vizitojnë Muzeun Kombëtar të Kosovës, Kopshtin me Bazë në Komunitet “Cicërimat” dhe do të përfundojmë vizitat e tyre në Parkun Gërmia të kryeqytetit./ KultPlus.com

Festivali Ndërkombëtar i Filmit për të Drejtat e Njeriut, 41 filma shfaqen për herë të parë për publikun shqiptar

41 filma do të shfaqen për publikun kryeqytetas në edicionin e 15-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri – IHRFFA (www.ihrffa.net) që do të zhvillohet në 14-25 shtator në Tiranë.

I konsideruar si një nga ngjarjet më të rëndësishme kinematografike që zhvillohen në Shqipëri, këtë vit aktiviteti vjen me një tematikë të mprehtë që në fokus do të ketë të drejtat e grave dhe të fëmijëve.

Në këtë edicion, janë përzgjedhur 41 filma për t’u shfaqur për publikun, prej 3500 aplikimeve të ardhura në adresë të IHRFFA-së. Filmat e IHRFFA 15 janë produksion i 2-3 viteve të fundit dhe shfaqen për herë të parë për publikun tonë.

Partneri kryesor i Edicionit të 15-të të Festivalit është Ambasada Austriake.  Këtë vit, për shkak të situatës COVID-19 Festivali ka shtrirje më të gjatë kohore, përgjatë 11 ditëve, duke filluar nga data 14 Shtator, deri më 24 Shtator.

Të gjitha shfaqjet do të realizohen në ambjente të hapura, ku programi kryesor do të jetë në Kinemanë Verore të Akademisë së Filmit dhe Multimedias Marubi, Lulishten pranë Kryeministrisë dhe Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit.

Çelja e Festivalit zhvillohet ditën e hënë, ora 19.00 me ceremoninë hapëse dhe shfaqjen e filmit  të parë “Kaviar”, film fiksion, produksion Austriak i vitit 2019 dhe regji të Elena Tikhonova.

IHRFFA do të organizojë shfaqje filmi dhe forume në Akademinë e Sigurisë, në bashkëpunim me Ambasadën Suedeze, si edhe shfaqje filmash dhe forume në disa shkolla të mesme në Tiranë, Vlorë, Shkodër dhe Korçë, përgjatë vitit akademik 2020-2021.

Gjithashtu, IHRFFA në bashkëpunim me Qendrën për Hapje dhe Dialog organizojnë konkurs video për të drejtat e njeriut, duke vënë online formatin e aplikimit nga të rinj shqiptarë 14-22 vjeç dhe duke u dhënë mundësinë atyre, që të shprehen artistikisht nëpërmjet një video 1-2 minuta, lidhur me temën e sivjetshme të IHRFFA-së. Thirrja për aplikim në këtë konkurs do të jetë e hapur deri më datë 20 Shtator 2020./ atsh/ KultPlus.com

I mbijetuari i Holokaustit u rikthye në Shqipëri dhe ndërtoi falas memorialin në Tiranë

81 vjeçari Stephen Jacobs, ra dakord që të punojë në memorialin pasi mësoi se Shqipëria ishte i vetmi vend në Evropë që kishte më shumë hebrenj se më parë pas Luftës së Dytë Botërore. Përveç që nuk ua dorëzuan ndonjë hebrenj nazistëve, qindra hebrenj që largoheshin nga vendet e tjera iu ofrua strehim në vendin me shumicë myslimane.

Stephen Jacobs është i njohur në botën e arkitekturës së Nju Jorkut, për krijimet e tij multimilion dollarëshe, siç është Hotel Gansevoort, unik në llojin e tij, i cili ishte hoteli i parë luksoz në qytetin e modës Meatpacking.

Por kohët e fundit Jacobs përfundoi një projekt shumë më ndryshe.

Për disa vjet ai punoi për të hartuar një memorial të Holokaustit për kryeqytetin e Shqipërisë. Muajin e kaluar është zbuluar në hyrje të Grand Park të Tiranës, memoriali i thjeshtë që përmban tre pllaka guri – në shqip, anglisht dhe hebraisht, që nxjerrin në pah historitë e shqiptarëve që shpëtuan hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

81 vjeçari Jacobs, ra dakord që të punojë në memorialin pasi mësoi se Shqipëria ishte i vetmi vend në Evropë që kishte më shumë hebrenj se më parë pas Luftës së Dytë Botërore. Përveç që nuk ua dorëzuan ndonjë hebrenj nazistëve, qindra hebrenj që largoheshin nga vendet e tjera iu ofrua strehim në vendin me shumicë myslimane.

“Mendova se kjo ishte një histori shumë e rëndësishme që duhej të tregohej”, tha ai.

Motivimi i tij tejkalon dëshirën për të nxjerrë në pah trimërinë e shqiptarëve gjatë luftës. Vetë Jacobs është një i mbijetuar nga Holokausti që kaloi kohë si fëmijë në një kamp përqendrimi nazist.

“Për mua kjo nuk ka të bëjë thjesht me projektimin. Kjo është një lloj përvoje personale”, tha ai.

Në qytetin polak të Lodzit, Jacobs dhe familja e tij laike do të shpërnguleshin në Piotrkóë, një qytet që u bë shtëpia e getos së parë të nazistëve. Vendi që strehonte 25,000 njerëz, u likuidua në 1942.

Jakobs dhe familja e tij, konkretisht prindërit e tij, vëllai i madh, gjyshi dhe tre hallat përfundimisht u dërguan në kampe përqendrimi. Meshkujt shkuan në Buchenwald, femrat në Ravensbruck. Ai ishte vetëm 5 vjeç në atë kohë.

Në Buchenwald, Jacobs arriti të mbijetojë përmes fatit dhe ndihmës së një rezistence nëntokësore që funksionoi për të shpëtuar fëmijë. Ai i kaloi ditët e tij në dyqanin e këpucarit, i cili e lejoi të dilte nga kampi, ku rojet me siguri do ta kishin vrarë atë për shkak moshës së re. Më vonë u fsheh në repartin e tuberkulozit të spitalit të kampit, ku babai i tij po punonte rregullisht.

“Kam kujtime të qeta”, tha Jakobs. “Kam kujtime që nuk janë kronologjike, veçanërisht javët e fundit sepse kjo ishte një kohë shumë traumatike dhe e rrezikshme, sepse ata po përpiqeshin të ekzekutonin të gjithë kampin.”

Mrekullisht e gjithë familja e afërt e Jakobit i mbijetoi luftës, megjithëse gjyshja e tij vdiq menjëherë pasi u çliruan kampet. Familja u nis për në Zvicër, ku ata jetuan për tre vjet. Më 1948 u transferuan në Shtetet e Bashkuara, duke u vendosur në lagjen Washington Heights të New York City.

Jacobs do të bëhej një arkitekt i shquar i Nju Jorkut, duke themeluar firmën e tij dhe duke u bashkuar me gruan e tij me dizanjuesin, Andi Pepper.

Karriera e tij përfundoi dhe ai u kthye përsëri në Buchenwald. Ai u ngarkua që të krijonte një memorial për “kampin e vogël”, ku të burgosurit e rinj, përfshirë Jacobs, qëndruan në kushte brutale.

Jacobs u pajtua me krijimin e saj, por me dy kushte: Ai nuk do të paguhej pasi “këto janë gjëra që nuk i bën për të jetuar”. Memoriali u përurua në 2002, në 57 vjetorin e çlirimit të kampit.

“Shqipëria natyrisht ishte më e largët sepse nuk isha atje. Unë nuk dija shumë për Shqipërinë më parë. Unë sigurisht nuk e dija historinë. Buchenwald ishte krejtësisht i ndryshëm, kështu që fillimisht ishte e vështirë”, tha Jacobs.

Në hartimin e përmendoreve, përparësia e Jacobs ishte që të sigurojë që vizitorët të largohen me një kuptim më të madh të Holokaustit. Ashtu si memoriali i Tiranës, ai në Buchenwald përmban pllaka me informacione rreth kampit dhe vendeve nga ku ishin internuar të burgosurit.

“Memorialet e Holokaustit priren të jenë një nga dy ekstremitetet. Ata kanë tendencë të jenë ose memoriali heroik i stilit sovjetik, rezistenca heroike ndaj fashizmit, ose aq plotësisht abstrakte sa që shikuesit laik kanë nevojë për një shpjegim se çfarë po shikon, si shembull memoriali i Peter Eisenman në Berlin.

Gjëja më domethënëse në lidhje me një memorial të Holokaustit, veçanërisht pasi ne po e bëjmë këtë për brezat e ardhshëm, është t’u tregojmë njerëzve saktësisht se çfarë ndodhi këtu”, tha Jacobs.

Vitet e fundit, Jacobs ka dalë në media jo vetëm për punën e tij arkitektonike, por edhe për kritikën e tij të ashpër ndaj Presidentit Donald Trump.

Unë mendoj se këto janë zgjedhjet më të rëndësishme, pasi rezultati do të përcaktojë të ardhmen e këtij vendi.

Jacobs ka mbështetur fushatën presidenciale të senatorit Bernie Sanders dhe tha se ai do të votojë për Joe Biden në nëntor.

Pandemia e koronavirusit e pengoi atë të marrë pjesë në përurimin e memorialit në Tiranë.

Ai tha gjithashtu se e ka falur Gjermaninë për të kaluarën e saj. Këtë e vërtetoi edhe pjesëmarrja e një zyrtari gjerman në përurimin e memorialit të Buchenwald.

“Kjo nuk ka të bëjë me faljen, për mua, kjo ka të bëjë me mbylljen. Gjithçka duhet të marrë fund, dhe kjo është arsyeja pse kjo është një gjë e tillë e rëndësishme për mua për të bërë në një nivel personal” tha Jacobs/Shqiptarja / KultPlus.com

Image

“Festivali i Resë”, rikthehen gjallërinë në Tiranë

Një ndërthurje mes traditës dhe bashkëkohores ka gjetur strehë në zemër të Tiranës. Për të katërtin vit radhazi, “Festivali i Resë” ka rikthyer frymën dhe gjallërinë e muzikës në kryeqytet, duke ofruar një qasje të veçantë për të thithur audiencën që në këto muaj më tepër se çdo herë tjetër u ka munguar aktiviteti artistik.

“Gjithmonë ka qenë një festival ndërkombëtar. Vjet kemi pasur 15 shtete që na kanë sjellë artistë. Këtë vit kemi mbi 100 artistë, dhe vetëm shqiptarë nga të gjitha trevat nga veriu në jug. Më shumë si një oksigjen për artistët, por edhe për qytetin. Vështirësi pafund, por po rezistojmë. Artistët janë të lumtur në fakt se u ka munguar shumë që të luajnë dhe të ushtrojnë instrumente, ashtu si dhe publikut”, theksoi drejtorja artistike, Edit Pulaj.

Kultivimi por edhe rritja e audiencës artdashëse është në themel të vlerave të festivalit që promovon artistë të zhanreve të ndryshme, qofshin ata me përvojë të gjatë në skenën shqiptare apo dhe emra të rinj. Një dhuratë zanore nga ahengu tiranas kulmon aktivitetin e këtij festivali për këtë vit jubile të kryeqytetit. Bahçja e Resë do të ofrojë përvoja të reja si për publikun ashtu edhe për artistët në këtë edicion të katërt, deri në datën 2 gusht. /KultPlus.com

Përurohet Memoriali i Holokaustit në Tiranë, Rama: Shqipëria, i vetmi vend ku hebrenjtë nuk ikinin, por vinin për të kërkuar mbrojtje

 “Shpëtimi i hebrenjve është një histori, e cila përmban brenda detyrimin për të gjithë ne, për ta ruajtur jo thjesht si një histori tregohet në momente ceremoniale apo ditët e shënuara, as si një pjesë e historisë sonë si shqiptar,  por si një vlerë e madhe që duhet trashëguar brez brezi që duhet kaluar me përkushtim fëmijëve tanë sepse brenda saj ka shumë anë, si anët e një guri të çmuar që ngado ta rrotullosh shkëlqen duke krijuar vezullime e ngjyra të ndryshme”.

Më këto fjalë iu drejtua sot Kryeministri Edi Rama pjesëmarrësve në ceremoninë e përurimit të Memorialit të Holokaustit në Tiranë, ku ishin të pranishëm ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim,ambasadori i Izraelit në Shqipëri, Noah Gal Gendler, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, përfaqësues të komuniteteve fetare në Shqipëri, etj.

Duke e konsideruar realizimin e memorialit një dëshmi të prekshme të faqes më të ndritur të mikpritjes dhe besës shqiptare, Rama tha se “qysh kur isha kryetar i bashkisë së Tiranës, patëm nisur të mendojmë dhe të konsultojmë projektin”.

“Më vjen shumë mirë që sot ky memorial është i përfunduar dhe pjesë e një hapësire të bukur publike ku dhjetëra mijëra familje, gjyshër, gjyshe, nipër, mbesa, çifte të reja me karrocat e bebeve kalojnë  dhe do të mund t’u tregojnë fëmijëve të tyre kuptimin e fjalëve të shkruara në këta tre gurë, që jo rastësisht kanë tre gjuhë, gjuhën hebreje, gjuhën shqipe dhe gjuhën e atyre që me forcën e fuqisë së madhe në kërkim të një bote më të mirë bën të mundur çlirimin e mbarë botës së bashku me aleatët e tyre nga mallkimi i madh nazist”.

“Historia e mbrojtjes dhe shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri është një histori mahnitëse, por nuk është fillimi i historisë së një marrëdhënieje vërtet shumë të çuditshme mes shqiptarëve hebrenjve dhe mes popullit hebre dhe Shqipërisë, e cila daton në shekullin e dytë pas erës sonë, kur për herë të parë hebrenjtë u shfaqën në brigjet e Adriatikut dhe më pas në shekujt XV-XVI,  kur ata u rishfaqën dhe u instaluan në pika të ndryshme. Por nuk dua të zgjatem me këtë pjesë, të cilën e solla thjesht për të ndarë me ju një aspekt të kësaj çudie të madhe që mbetet për t’u eksploruar dhe kuptuar më mirë deri në fund”, – nënvizoi Rama.

E dyta, vijoi Kryeministri, që besoj vlen të kujtohet është se përpara Luftës së Dytë Botërore, përpara sesa kjo marrëdhënie të shpërfaqej në formën më fisnike dhe mbresëlënëse dhe mbrojtjes e shpëtimit të jetës së hebrenjve Shqipëria ishte i vetmi vend që në legjislacionin e saj kishte të miratuar Shabatin.

“Që do të thotë se të gjithë qytetarët që jetonin në këtë vend dhe i përkisnin popullit hebre kishin të drejtën të mos punonin ditën e premte dhe askush nuk kishte të drejtën që për këtë t’iu ndërpristë shpërblimin për punë. Pa u zgjatur në shumë episode të historisë që i pararendin kapitullit mahnitës të kësaj marrdhënieje në Luftëne Dytë Botërore, dua të them me bindje që Shqipëria me episodet, me personazhet, me momentet epike të përpjekjes së njerëzve të drejtë që botërisht ndihmuan hebrenjtë mbetet një njollë në ndërgjegjen e Hollivudit që ka prodhuar disa kryevepra lidhur më këtë epokë, por që me siguri do të kishte prodhuar shumë më tepër kryevepra edhe më të pabesushme nëse do të ishte referuar ndaj episodeve të shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri”, – tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se janë realitete nga më të mahnitshmet që nga udhëtimi me kuaj i një familjeje, e cila për 24 orë transportoi 17 hebrenj. “Ishte familja  Biçaku në momentet e ndërrimit të pushtuesve menjëherë pas kapitullimit të Italisë fashiste dhe okupimit nga Gjermania naziste. Apo rasti i familjes Myrto në Kavajë, që deri në fund i qëndroi besnik mikut hebre qe kishte marrë në mbrojtje duke sakrifikuar njërin prej anëtarëve të vet, vëllain e mikpritësit që u mor në kampin e Mathauzenit dhe nuk u kthye më që andej. Pra, jeta e vëllait nga gjaku u bë kurban  për të mbrojtur e shpëtuar një vëlla nga Zoti me të cilin lidhja ishte se që të dy ishin krijuar si njerëz . Apo familja e Nuro Hoxhës që i dha strehim katër familjeve hebreje, njëra prej të cilave dëshmon se në momentin e hapjes së derës dëgjoi nga i zoti i shtëpisë fjalët e pabesueshme por të konfirmuara më pas nga realiteti i mbrojtjes dhe shpëtimit: “Rrini të qetë asgjë e keqe nuk do ndodhë, nga sot unë e im bir do përgjigjemi me jetë për ju””, u shpreh Rama.

Kryeministri Rama tha se “është i vetmi vend Shqipëria me më shumë hebrenj pas Luftës së Dytë Botërore se sa para Luftës së Parë Botërore, është gjithashtu i vetmi vend ku hebrenjtë nuk ikinin, por vinin për të kërkuar mbrojtje e shpëtim”.

“Mbetet e jashtëzkonshme për vetë historinë e klerit shqiptar. Këtu shoh të gjithë përfaqësuesit e nderuar të klerit shqiptar sot,  autoritetet  më të lartë të të cilit u thirrën në Berlin në kohën e një vakumi ku ata u konsideruan si pala me të cilët pushtuesit mund të komunikonin dhe të negocionin. Atyre iu kërkuan dy gjëra, e drejta mbi arin e Shqipërisë së depozituar në Itali dhe lista e hebrenjve të strehuar në Shqipëri. Të gjithë përfaqësuesit më të lartë të klerit të asaj kohe të krishterë e muslimanë dhanë një përgjigje që besoj është një nga fjalët e  arta të historisë së këtij viti dhe historisë së vetë klerit: “Arin po, hebrenjtë jo”, përfundoi kryeministri Rama. / atsh/ KultPlus.com

Bashkia hap konkurs për projektimin e ndërtesës së Teatrit në Tiranë

Bashkia e Tiranës ka hapur konkurs për projektin e Teatrit të ri Kombëtar.

Ky veprim është ndërmarrë pak më shumë pasi është bërë një muaj pas shembjes së ndërtesës së Teatrit.

“Studim-Projektim- Ndërtim i Teatrit Kombëtar”, mban titullin konkursi i administratës së kryeqytetit shqiptar. Pas këtij veprimi janë ngritur zëra se projekti i shumëreklamuar i danezit Bjarke Ingels nuk është opsioni i vetëm për ndërtimin e objektit të ri të Teatrit.

Sipas konkursit, Bashkia ka llogaritur që projektimi të ketë kosto financiare deri në 60 milionë lekë të rinj ose 482 mijë e 951 euro, transmeton KultPlus.

Ofertat nga studiot private pritet të dorëzohen brenda 10 ditëve, deri më datën 14 korrik. Mediat shqiptare kanë raportuar se kompanitë kanë vetëm 10 ditë kohë për të menduar, projektuar, studiuar e mandej propozuar një projekt.

Sipas raportimeve, praktikisht është e pamundur nëse nuk është përgatitur ndonjë projekt më herët. Sipas konkursit, godina e re e Teatrit Kombëtar propozohet ”për ndërtim në truallin ekzistues, sipas të gjitha standardeve kombëtare dhe ndërkombëtare të projektimit të objekteve të ngjashme”. Bashkia e Tiranës, në dokumentet e tenderit, ka prezantuar detaje mbi mënyrën se si kërkohet të jetë projekti për Teatrin e ri Kombëtar.

Objekti teatror qe shembur në mëngjesin e hershëm të 17 majit. Kjo ka ndodhur pas 2 vjet përplasje midis një pjese të komunitetit artistik dhe autoriteteve lokale e qendrore. / KultPlus.com

Filloi Java Çame, “I love Çamëria” vendoset në Sheshin Skënderbej në Tiranë

Në kuadër të 76-vjetorit të Genocidit grek mbi shqiptarët e Çamërisë, Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet në bashkëpunim me Shoqatën Çamëria organizojnë aktivitetin “Mos harro Çamërinë”.

Java e shqiptarëve të Çamërisë starton më 22 qershor në Sheshin Skënderbej në Tiranë ku do të vendosen gërmat 3D “I love Çamëria”.

Në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë ekspozohen vizatimet e rralla të 50-të artistëve shqiptarë

Dy ekspozita me vizatime dhe akuarele janë çelur në sallat e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë. Kuratori i ekspozitës Helidon Haliti rrëfen risitë e punës që kanë bërë mbi 100 artistë shqiptarë edhe të huaj.

100 vizatime të para edhe pas viteve ‘90 janë ekspozuar si rrallëherë në Muzeun Historik Kombëtar. Veprat e artistëve më në zë shqiptarë, si Guri Madhi, Ibrahim Kodra, Skënder Kamberi, Faslli Haliti kanë në qendër portrete, peizazhe, por nuk mungojnë nudot e Edi Hilës. Faslli Haliti na rrëfen portretin e një të burgosuri e krijuar gjatë kohës së komunizmit, pas një dënimi treditor që sistemi i kohës i kishte dhënë artistit të ardhshëm.

“Ky është një vizatim, që unë e kam bërë në vitin 1956, kur isha piktor i shtëpisë së oficerëve në Lushnje. Kisha për të bërë disa objektiva, por duke qenë së nuk i mbarova, komandanti më dënoi me tre vjet burg. Ky vizatim është bërë në burg”, rrëfen piktori Faslli Haliti.

Fatmir Miziri sjell tablo të dy sistemeve të ndryshme, fëmijët në kampe verore dhe portrete, ndërsa, Mikel Temo, na rrëfen punët e realizuara prej tij, ku përpos lapsit ka hezituar të përdor edhe ngjyrat

“Vizatimi është gramatika e të shprehurit në artet vizive. Sot ka shumë keqkuptime, disa i quajnë ushtrime, disa mirëfilltazi vepër arti, unë e shikoj si diçka të ndërmjetme”, thotë Miziri.

Helidon Haliti, i cili vjen si kurator i ekspozitës me vizatime dhe të akuarelit, shprehet se objektivi është arritur, përpos situatës së vështirë që është duke kaluar mbarë njerëzimi, siç është pandemia Covid 19.

“Objektivi i parë janë gjurmët, që artistët kanë ardhur edhe kanë lënë në vendin tonë, duke realizuar veprat, por edhe duke i demonstruar ato për studentët”, thotë Haliti.

Ekspozitat në sallat e Muzeut Historik Kombëtar, publiku mund t;i vizitojë deri në datë 25 qershor, duke respektuar edhe rregullat e distancimit. /koha/ KultPlus.com

Revista prestigjioze “Dazeen”: Në Tiranë, lagjja e parë në Europë e projektuar për t’u përshtatur me koronavirusin

Revista më prestigjioze në botë “Dezeen”, i ka kushtuar një artikull të gjatë arkitekturës dhe dizajnit që ditët e sotme po përshtaten gjithnjë e më shumë me natyrën.

Në artikull trajtohet një projekt i studios italiane Stefano Boeri Architetti dhe kompanisë shqiptare të ndërtimit SON-Group, të titulluar Tirana Riverside, në afërsi të lumit Lana, një projekt që synon t’u përgjigjet nevojave të koronavirusit.

“Kjo është lagjja e parë në Europë që është projektuar si një marrëveshje me qeverinë dhe autoritetet lokale për t’iu përgjigjur fazës së paspandemisë dhe për të përmbushur kërkesat e krizës aktuale”, thekson arkitekti Boeri për “Dazeen”.

Me projektin, Stefano Boeri Architetti ka synuar të krijojë një “lagje-qytet” që do të përfshijë teknologji, kopshte të gjera në çati dhe të tjera ndërtesa për të ndihmuar në parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Qëllimi i këtyre projekteve është përmirësimi i hapësirave të gjelbra, gjë që e kuptuam më mirë në këto kohë pandemie, ku e vetmja zgjidhje ishin pikërisht këto hapësira e jo ato të mbyllurat./ atsh / KultPlus.com

Gazeta franceze ‘Le Monde’: Shkatërrimi i Teatrit Kombëtar në Tiranë, një akt barbar i qeverisë

Gazeta franceze “La Monde” i ka kushtuar një artikull rrëzimit të Teatrit Kombëtar në Tiranë. Në artikullin e tyre ata shkruajnë se ky është një akt barbar nga ana e qeverisë:

“Kryeministri shqiptar Edi Rama dërgoi policë dhe ndihmës të tjerë shtetërorë, për të shkatërruar një nga institucionet kryesore të vendit dhe nga ndërtesat e pakta të vjetra në kryeqytetin e shqiptarëve, Tiranë.

Kryeministri shqiptar Edi Rama nuk lë rast pa nxjerrë në pah karrierën e tij si një artist vizual dhe shijet e tij si piktor. Kur ai ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës, nga viti 2000 deri më 2011, ai u bë i njohur në botë, për shkak se ndërtesat e ndërtuara në kohën e komunizmit, i pikturoi me ngjyra të shndritshme. Kjo ishte një nga ata punë të tij në kohën që ishte në krye të Bashkisë së Tiranës, që e modernizuan disi kryeqytetin shqiptar.

Mirëpo, të dielën e datës 17 maj, po Edi Rama, por tashmë 55 vjeç, kryeministër që nga viti 2013, dërgoi policë dhe të tjerë persona për të rrënuar një nga godinat më të vjetra dhe më të vyera në qytet, Teatrin Kombëtar. Brenda në ndërtesë kishte një dyzinë artistësh, që kishin rezistuar në protesta për më shumë se dy vjet, por u larguan me forcë nga policia.

“Ata (policët) erdhën në orën 04:15 të mëngjesit. Ne ishim ende rreth 60 persona, kur ata filluan që të ngrenë bull-dorëzin kundër godinës së Teatrit Kombëtar”, thotë regjisori dhe aktori Edmond Budina, një nga përfaqësuesit e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit. Budina është ndër artistët, që rezistoi në protesta kundër prishjes së TK që nga viti 2018.

Ai dhe kolegë të tij u ngritën në protesta, për të kundërshtuar prishjen e godinës, e ndërtuar që në vitin 1940, në kohën e pushtimit italian të Shqipërisë. Edhe një demonstrim spontan, ku morën pjesë liderë të opozitës, u shpërnda brutalisht.” / KultPlus.com

Europa Nostra letër Ministres së Kulturës së BE-së: Dënoni shembjen brutale të Teatrit

Organizata Europa Nostra i është drejtuar me një letër Ministes së Kulturës së BE-së, Nina Obuljen – Korzinek. Në të shkruhet se BE-ja duhet të reagojë sa më parë dhe të dënojë ashpër shembjen brutale të Teatrit Kombëtar.

Organizata shprehet se Ministrja e Kulturës duhet t’ua bëjë të ditur këtë gjë të gjithë anëtarëve të Këshillit Evropian përpara se të mbahet mbledhja e nesërme me Këshillin e Ministrave të BE-së. Europa Nostra risjell në vëmendje të gjithë luftën e gjatë të artistëve dhe se i ka bërë disa herë thirrje qeverisë shqiptare për të dialoguar përpara marrjes së ndonjë vendimi të pakthyeshëm, siç ishte shembja e Teatrit.

“Europa Nostra, Zëri Europian i Shoqërisë Civile i përkushtuar ndaj Trashëgimisë Kulturore, dëshiron të përcjellë te Ministrat e Kulturës të BE-së shprehjen e dënimit tonë të fortë për këtë akt brutal. Ne besojmë se 17 maji ishte një ditë e trishtuar për trashëgiminë kulturore në Shqipëri dhe në Europë në tërësi. Dhe ishte gjithashtu një ditë e trishtuar për demokracinë dhe respektimin e shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut në Shqipëri dhe në Europë në tërësi”, shkruhet në letër.

Ndër të tjera thuhet se qeveria shqiptare shfrytëzoi situatën e krijuar nga Covid-19 dhe masat e izolimit për t’ja arritur qëllimit për shembjen e Teatrit.

Letra e plotë

Hagë, 18 maj 2020

Në vëmendjen personale urgjente të

Zonja Nina Obuljen – Koržinek

Ministre i Kulturës

Ushtruese e Detyrës së Kryetarit të Këshillit të Ministrave të BE-së

Re: Dënim i fortë i shembjes brutale të Teatrit Kombëtar Shqiptar në Tiranë

E nderuar zonja Ministre,

E nderuar zonja Kryetare e Këshillit të Ministrave të BE-së,

Në prag të mbledhjes së nesërme (përmes video konferencës) të Këshillit të Ministrave të BE-së, në të cilën Ministrat e Kulturës të BE-së pritet të miratojnë konkluzionet e Këshillit mbi “Nxitjen e bashkëpunimit evropian në lidhje me trashëgiminë kulturore në rrezik”, ju bëjmë thirrje që të transmetoni tek të gjithë anëtarët e Këshillit të BE-së dënimin tonë më të fortë për shembjen brutale të Teatrit Kombëtar në Tiranë që u zhvillua dje.

Siç mund ta dini, një aleancë e madhe e përbërë nga artistë, intelektualë, ekspertë të trashëgimisë dhe aktivistë të shoqërisë civile kanë luftuar – për disa vjet tani – për ruajtjen (me rinovim të nevojshëm) të Teatrit Kombëtar në Tiranë. Europa Nostra ka shprehur mbështetjen e tyre për këto përpjekje qysh në vitin 2018, gjatë Vitit Europian të Trashëgimisë Kulturore dhe ka përcjellë shqetësimet tona për prishjen e planifikuar të këtij Teatri tek autoritetet më të larta të Shqipërisë. Kohët e fundit, Teatri Kombëtar në Tiranë është përfshirë në listën e vitit 2020 të 7 vendndodhjeve më të rrezikuara në Europë. Kjo u bë publike në 24 Mars 2020 bashkërisht nga Europa Nostra dhe nga partneri ynë i paçmuar Instituti Europian i Bankës së Investimeve. Komisioni Europian – përmes Komisionerit të BE Mariya Gabriel, ka shprehur gjithashtu mbështetjen e tij për mbrojtjen e të gjitha vendeve të përfshira në Listën tonë, përfshirë Teatrin Kombëtar në Tiranë.Sponsored by Revcontent.

Pas përshkallëzimit të rrezikshëm të situatës së javës së kaluar të shkaktuar nga transferimi i përgjegjësisë për Teatrin në Bashkinë e Tiranës dhe një vendim për prishjen e Teatrit – marrë pas dyerve të mbyllura – nga Këshilli Bashkiak i Tiranës, Europa Nostra bëri një deklaratë publike duke kundërshtuar çdo përpjekje për prishjen e një ndërtese emblematike të vendosur në ansamblin historik të mbrojtur në qendër të Tiranës, dhe të mbështetur nga ekspertë dhe aktivistë të shoqërisë civile. Komisionerja e BE, Mariya Gabriel, të nesërmen u kërkoi autoriteteve shqiptare që të angazhohen në një dialog konstruktiv me shoqërinë civile dhe ekspertë të trashëgimisë kulturore përpara se të marrin ndonjë vendim të pakthyeshëm. Për më tepër, Presidenti i Republikës kishte parashtruar një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë për të shqyrtuar ligjshmërinë e vendimit të Këshillit Bashkiak për prishjen e Teatrit.

Në vend që të merrnin kohë për të shqyrtuar ligjshmërinë e vendimit të tyre, dhe të hapnin dialogun me shoqërinë civile dhe ekspertët, autoritetet shqiptare vendosën të shfrytëzojnë ditën e fundit të masave të veçanta të urgjencës shëndetësore të ndërmarra si përgjigje për pandeminë COVID19, për të shkatërruar Teatri. Në orët e para të mëngjesit të së dielës, 17 maj, ata dërguan një numër të madh policësh për të rrethuar Teatrin dhe për të arrestuar rreth 30 artistë dhe aktivistë të shoqërisë civile që kanë mbrojtur teatrin 24/24 orë në ditë për dy vitet e fundit. Ata gjithashtu kanë dërguar buldozerë për të prishur brutalisht teatrin: jo vetëm që ata fshinë dhe shndërruan në rrënoja një bazë të rëndësishme të historisë së hershme të Tiranës si kryeqytet i Shqipërisë, por edhe të gjitha objektet dhe arkivat që formonin një pjesë të kujtesës së këtij institucion i rëndësishëm kulturor.

Europa Nostra, Zëri Europian i Shoqërisë Civile i përkushtuar ndaj Trashëgimisë Kulturore, dëshiron të përcjellë te Ministrat e Kulturës të BE-së shprehjen e dënimit tonë të fortë për këtë akt brutal. Ne besojmë se 17 maji ishte një ditë e trishtuar për trashëgiminë kulturore në Shqipëri dhe në Europë në tërësi. Dhe ishte gjithashtu një ditë e trishtuar për demokracinë dhe respektimin e shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut në Shqipëri dhe në Europë në tërësi.

Ne i kërkojmë Ministrat e BE-së të ritheksojnë që mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe e kujtesës sonë kulturore dhe historike përfaqëson një nga vlerat themelore të BE-së dhe të shprehë solidaritetin e tyre me të gjithë qytetarët në Shqipëri, të cilët janë të përkushtuar për ruajtjen e identitetit kulturor të vendit të tyre, i cili bën pjesë në historinë dhe kulturën e përbashkët dhe të larmishme të Evropës.

Ne gjithashtu kërkojmë nga Ministrat e Kulturës të BE të insistojnë në rëndësinë e kulturës dhe trashëgimisë kulturore brenda procesit të vazhdueshëm të zgjerimit të Bashkimit Evropian.

Europa Nostra qëndron në dispozicion të Këshillit të Ministrave të BE-së, dhe të të gjitha institucioneve të BE-së për të nxitur bashkëpunimin europian për mbrojtjen e trashëgimisë sonë kulturore, si një katalizator i fuqishëm për të ardhmen e Evropës, për të cituar Manifestin tonë të Ditës së Evropës të miratuar më 9 maj 2020.

Me respekt dhe përzemërsi i juaji,

Presidenti Ekzekutiv Dr Hermann Parzinger

Kopje për:

Zonja Mariya Gabriel, Komisioneri e BE-së për Inovacionin, Kërkimin, Kulturën, Edukimin, Rininë dhe Sportin

  1. Oliver Varhelyi, Komisioneri i BE për Fqinjësinë dhe Zgjerimin
  2. Josep Borrell, Zëvendës President i KE & Përfaqësues i Lartë për Çështjet e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë. / KultPlus.com

Tensione në protestën e artistëve në Tiranë, dëgjohen dy shpërthime

Momente tensioni janë krijuar në protestën e artistëve të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit sot në Tiranë.

Në një moment janë dëgjuar dy shpërthime. Më pas në ajër janë ngritur re tymi. Pavarësisht se fillimisht pati një tension mes qytetarëve që po protestojnë, artistët kanë bërë thirrje për qetësi duke e quajtur incidentin si provokim.

Ndërkohë një person është nxjerrë jashtë turmës nga disa të tjerë. Nuk dihet nëse ky person ka qenë ai që hodhi kapsollat, por ndërkohë nuk njihen edhe persona që e kanë shoqëruar jashtë turmës me xhup në kokë./tch/ KultPlus.com