Margariti: Aktori i serialit ‘Breaking Bad’, në Tiranë për Javën Kulturore Amerikane

Aktori i mirënjohur i serialit “Breaking Bad”, RJ Mitte, vjen në Tiranë në kuadër të Javës Kulturore Amerikane.

Në vizitën e tij të parë në Shqipëri ai do të jetë pjesë e disa ngjarjeve lidhur me ditën e aktivizmit.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ndau në rrjetet sociale një video me një mesazh prej tij.

Mitte shprehet se, “nuk kam qenë ndonjëherë dhe jam i emocionuar të përjetoj kulturën, të shoh dhe të dëgjoj për të gjithë historinë e mahnitshme që ka Shqipëria”.

“Jam shumë i emocionuar t’ju takoj të gjithëve. kështu që shpresoj që të gjithë ju të keni një ditë të shkëlqyer dhe të shihemi shumë shpejt në Shqipëri”./atsh/KultPlus.com

Java Amerikane sjell në Tiranë yllin e Hollywoodit, aktorin RJ Mitte

Javët Ndërkombëtare të Kulturës do të vijojnë javën e ardhshme me aktivitetet në kuadër të Javës Amerikane.

Ambasada e SHBA-së në Tiranë informon se duke filluar nga java tjetër, nga data 10 deri më 14 tetor do të sjellin muzikë amerikane, filma, kulturë dhe argëtim në Shqipëri.

“I ftuari ynë i nderit gjatë Javës Amerikane është ylli i Hollivudit, aktori i Breaking Bad, RJ Mitte. I njohur për rolin e tij si ‘Walt Jr.’ në serialin fitues të çmimit Emmy ‘Breaking Bad’, RJ theu stereotipet dhe ndryshoi mendësi me pozitivitetin e tij. RJ e ka kthyer aftësinë e tij ndryshe në pasuri duke punuar në çështje të lidhura me të drejtat e personave me aftësi ndryshe, gjithëpërfshirjen dhe kundër bullizmit. Mos e humbni mundësinë për ta takuar gjatë Javës Amerikane dhe në Panairin e Ditës Kombëtare të Aktivizmit më 11 Tetor”, thuhet në njoftimin e ambasadës së SHBA-së në Tiranë.

Po ashtu, Ambasada e SHBA-së bashkë me organizatën “Crush” do të organizojë një turne të veçantë basketbolli në 14 tetor.

“Formati i basketbollit 3-x-3 e ka origjinën në Shtetet e Bashkuara dhe njihet gjithashtu si “Streetball”. Jemi në kërkim të lojtarëve dhe skuadrave që duan të regjistrohen në turne. Është pa pagesë dhe i hapur për publikun. Djem, vajza, burra apo gra të të gjitha niveleve të aftësive janë të mirëpritur t’i bashkohen argëtimit! Aktiviteti do zhvillohet te Sheshi ‘Italia’, pranë Stadiumit ‘Air Albania’ më 14 tetor, gjatë gjithë ditës. Regjistrimi është i hapur deri më 7 tetor”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së SHBA-së. / KultPlus.com