– Lisbon revisited ( 1926 )

Poezi e shkruar nga FERNANDO PESSOA / Përktheu Lisandri Kola.

Asgja nuk më lidh me asgja.
Due pesëdhetë gjana në të njejten kohë.
I dishruem me nji ankth urie mishi
ajo çka nuk di se çka asht-
përfundimisht e papërcaktuemja…
Flej i shqetësuem, dhe jetoj në nji gjumë të shqetësuem
të atij që flen i shqetësuem, gjysmë në andërr.

M’i kanë mbyllë tana dyert abstrakte dhe të nevojshme.
I kanë ulë tendat prej mbrendë të çdo hipoteze, që do të kisha mujtë me pá prej rruge.
Nuk asht në rruginën e gjetun numri i derës që më kanë dhanë.

U zgjova në të njejten jetë, me të cilën më kishte zanë gjumi.
Der ushtritë e mia të andrrueme janë shpartallue.
Der andrrat e mia janë ndie të rreme në të kênunit t’ andrrueme.
Der edhe jeta vetëm e dëshirueme më lodh; der kjo jetë…

Kuptoj me intervale të shkëputuna;
shkruej me intervale lodhjet;
dhe deri nji mërzi e mërzisë më hedh në plazh.
Nuk e di cili fat apo e ardhme do të ndeshet me ankthin tim pa timon;
nuk e di cilët ishuj të Jugut të pamujtun më presin anijenbytun;
apo cilat palma letërsie do të më japin të paktën nji varg.
Jo, nuk e di as këtë, as atë tjetrën, as kurrgja…

Dhe në fund të shpirtit tim, ku andrroj atë që andrrova
në fushat e tejme të frymës, ku jetoj pa shkak
( e kaluemja asht nji mjegull e natyrshme me lot të rremë),
nëpër rrugë, nëpër shtigje të pyjeve të largta
ku kam paramendue të kênunit tim,
ikin të shkatërruem, të mbetunit e fundit
e përhitjes finale,
ushtritë e mia të andrrueme, të shpartallueme për pa ekzistue,
kohortat e mia ende për të ekzistue, cungue nga Zoti.

Prapë të shoh qytet i fëminisë sime, frikshëm i tretun…
Qytet i trishtë dhe i gëzuem, qè tek u ktheva me andrrue…

Unë? Po a jam i njejti që ka jetue këtu, që asht kthye këtu,
dhe që këtu asht kthye për me u kthye, dhe për me u rikthye,
dhe prapë për me u rikthye?
O a jemi, të gjithë Unët që kam qenë këtu apo kanë qenë,
nji seri entesh- të mëdhaja lidhun nga nji fill- kujtesë,
nji seri andrrash për mue për dikend jashtë meje?

Prapë të shoh, me zemër ma të largtë dhe shpirtin ma pak timin.
Prapë të shoh- Lisbonë dhe Tago, dhe gjithçka-,

udhëtar i kotë prej teje dhe prej meje,
i huej këtu si gjithkund, rastsor në jetë si në shpirt,
fantazmë e arratisun në krypë kujtimesh,
në zhurmën e mijve dhe të tavolinave që brehen
në kështjellën e mallkueme të t’detyruemit me jetue…

Miriam Cani përlotet në emisionin e Rudina Magjistarit

Miriam Cani ka kohë që i mungon ekranit, kjo pasi që nga momenti që solli në jetë vogëlushen Ameli, vendosi t’i përkushtohej tërësisht rritjes së saj. Megjithatë sot këngëtarja ka bërë daljen e saj të parë publike, duke u shfaqur tek “Rudina”.

Në bashkëbisedim me Rudina Magjistarin këngëtarja është emocionuar dhe përlotur në studio në momentin që moderatorja e ka pyetur për humbjen e nënës, të cilën e konsideron një shembull që e ndjekë çdo ditë në edukimin e vogëlushes së saj.

“Çdo nënë është një shembull për t’u ndjekur. Po, ne ngjajmë shumë. Ajo i dedikonte gjithë jetën e saj familjes. Unë jam miks i të dyve, mamit dhe babit. Këtij të fundit i ngjaj në karakter dhe iniciativë pasi mami ishte më e përkushtuar ndaj familjes“,- është shprehur Miriami e përlotur duke shtuar se në jetë asaj i është dashur të mbijetojë edhe me dhimbjen e humbjes së parakohshme të nënës së saj.

Miriami ka premtuar se së shpejti do të sjellë edhe projekte muzikore, pasi pas ardhjes në jetë të Amelit ajo është frymëzuar për të bërë muzikë të mirë.

Facebook është tundimi permanent i humbjes së kontrollit

GILMAN BAKALLI
Facebook është tundimi permanent i humbjes së kontrollit. Është një proced i pandërprerë i rrëzimit të pazhurmshëm të të gjithë skrupujve dhe kufizimeve. Kush futet brenda tij me bindjen e palëkundur se do të miqësohet vetëm me ata që njeh mirë, vetëm me miqtë e tij të vërtetë të jetës së përditshme, larg e afër, kush betohet se nuk do të postojë kurrë asgjë private, që nuk do të postojë foto personale, do të vërë re se gradualisht, të gjitha parimet e tij do të rrëzohen një nga një. Do të vërejë se askund tjetër, më tepër se në facebook, është më e kollajtë të heqësh dorë nga parimet. Facebook është tundimi permanent i humbjes së kontrollit. Tinëzisht, por në mënyrë efikase ama.

Në Jena të Gjermanisë, simpozium për të kujtuar Robert Elsie

Shoqëria Gjermano – Shqiptare dhe Instituti i Studimeve Sllave dhe atyre të Kaukazit të Universitetit Friedrich-Scher-Universität në Jena të Gjermanisë do të organizojnë një Simpozium për të përkujtuar albanologun e njohur Robert Elsie.

Elsie ndërroi jetë në fillim të këtij muaji.

Simpoziumi “Gjuha Shqipe: E kaluara, e tashmja, e ardhmja” vjen me 10 dhe 11 nëntor në Universitetin e Jenës, shkruan KultPlus.

Ditën e parë të simpoziumit, Thede Kahl do të flasë mbi temën – Pse shqipja është kaq fascinuese? , ndërsa dytën e dytë vazhdohet me kumtesat e Wilfried Fiedler, Michael Schmidt-Neke, Muhamet Idrizit, Vëllaznim Hazirit, Henry Ludëig dhe Lumnije Jusufit.

Temat tjera të cilat janë në qendër të diskutimit në simpozium janë gjuha shqipe si gjuhë amtare, gjuha shqipe si mjet për krijimin e një identiteti apo edhe rëndësia e rinisë shqiptare e cila jeton momentalisht në Gjermani.

Elsie ka lindur në Kanada ndërsa ka vdekur në Gjermani. Ai ka punuar në Bon të Gjermanisë ndërsa një pjesë të mirë të jetës e ka kaluar në këtë shtet. Elsie mori pjesë disa vite me radhë në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Kosovë. Pas studimeve universitare ai punoi për Ministrinë e Punëve të Jashtme gjermane në Bon dhe nga 2002 deri 2013 për Tribunalin e Hagës. / KultPlus.com

Komuna e Gjilanit ka ndarë mirënjohje për sukseset e Ansamblit ‘Gjilani’

Komuna e Gjilanit, në shenjë falënderimi dhe mbështetjeje për të vazhduar tutje me punë dhe suksese të tjera, ka ndarë sot mirënjohje për Ansamblin e Këngëve dhe Valleve “Gjilani”, të cilët janë shpërblyer me vendin e parë në garat Ballkanike në Bullgari dhe me çmimin si ansambli më profesionist përsëri në garat ballkanike të mbajtura në Fushë Kosovë.

Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, ka thënë se angazhimi, puna dhe profesionalizmi kanë bërë që ansambli “Gjilani”, të shënoj fitore të shumta dhe të jetë prezantues i fuqishëm i Gjilanit në gara të ndryshme, brenda dhe jashtë vendit.

“Ansambli ‘Gjilani’ po dëshmon që ky qytet i juglindjes së Kosovës është qytet i traditës, është qendër e kulturës dhe është qytet i konkurrencës së fuqishme si në kulturë, po ashtu edhe në arsim dhe fusha të tjera”, ka thënë Haziri, duke spikatur qëndrimin e tij që do të jetë gjithmonë mbështetës i kësaj fushe dhe i artistëve në përgjithësi.

Gjithashtu Haziri ka ndarë sot edhe mirënjohjen tjetër për shoqatën “17 shkurti”, nga fshati Dobërçan, për angazhimin e anëtarësisë së shoqatës, banorëve të fshatit dhe gurbetqarëve, për mirëmbajtjen në nivelin më të lartë të hapësirave publike dhe iniciativave të tjera në Dobërçan. / KultPlus.com

Pashë rrugës një grua që po qante heshtur

Poezi e shkruar nga Shkëlqim Çela

Pashë rrugës një grua që po qante heshtur
si oaz mu duk mollzë e saj
në atë trotuar betoni
me pemë të sapothara
dhe pluhur marsi;
kaq, se më pas ajo
do nxjerrë rruspa ekskavatorësh
të prishë akuaduktet,
qyngjet nëntokësorë të lotëve,
do thajë pelikanët e muzgut,
kënetën e bukur
në jukun e shamive të buta mbytur,
do shtrojë argjilë e pluhur hëne të vdekur,
një talk të heshtur, të pafjalë,
pudër jupiteri me urinë dhe etjen
e tharjes globale.

Shfaqet para gjermanëve filmi ‘Shqiptarja Nënë Tereza dhe rrënjët e saj në Kosovë’

Në përvjetorin e parë të shpalljes së shenjtë të Nënë Terezës, në Neualbenreuth të Bavarisë është mbajtur një pasdite informative me ç`rast është shfaqur filmi “Shqiptarja Nënë Tereza dhe rrënjët e saj në Kosovë”.

Autore e këtij filmi është politologia, gazetarja dhe aktivistja e njohur shqiptare nga Berlini, Vjollca Hajdari, shkruan onetz.de. Një fjalë hyrjeje e ka mbajtur Susanne Wenzel, me temën “Kisha Katolike në Kosovë, dhe si u forcua ajo nga minatorët saksonë dhe kolonët gjermanë në mesjetë”.

Në këtë pasdite simpatike ishin të pranishëm edhe kryebashkiaku, Klaus Meyer dhe prifti George Parankimalil. Të pranishmit mësuan mjaft fakte të reja lidhur me Nënë Terezën, shqiptarët dhe krishterizmin atje, transmeton albinfo.ch. Ata, veç tjerash mësuan se babai i Nënë Terezës kishte luajtur një rol të rëndësishëm në lëvizjen kombëtare shqiptare.

Nga ky film, vizitorët kuptuan edhe arsyen përse e ëma e Nënë Terezës nuk kishte mundur të plotësonte dëshirën e saj më të madhe jetësore: të shihte edhe njëherë të bijën. Kjo kishte ndodhur pra pasi që nëna dhe motra e Nënë Terezës jetonin në Shqipëri dhe atje sundonte diktatori komunist, Enver Hoxha i cili nuk e kishte lejuar një takim të tillë.

Në hyrjen e saj mbi historinë e Kishës Katolike të Kosovës, Susanne Wenzel tregoi se krishterimi atje njihej nga koha e Apostullit Pal. Regjioni përmendet qysh në Testamentin e Ri, si Provinca e Ilirisë në Perandorinë Romake. Bashkësitë e para të krishtera atje ishin formuar shumë herët. Ndërsa serbët e ngulitur aty duke filluar nga shekulli 6, e morën krishterimin vetëm rreth 300 vjet pasi kishin ardhur. Pastaj shumë herët ata u orientuan në ortodoksi, gjegjësisht në drejtimin lindor të krishterimit.

Me vendosjen e minatorëve nga Saksonia gjermane dhe tregtarëve kroatë (raguzanë), nga fundi i shekullit 12 dhe fillimi i shekullit 12, u krijuan komunitetet kompakte katolike, të cilat vazhdojnë të veprojnë edhe sot.

Wenzel ka folur edhe për gjendjen e sotme të Kishës Katolike në Kosovë dhe ka vënë theksin në reputacionin e lartë që gëzon Nënë Tereza në vendin me shumicë myslimane.
Ligjërata e Wenzel është ilustruar me shumë fotografi. Mes tjerash u prezantuan pamje nga vendi i pelegrinazhit, Letnica. Në këtë fshat shënohet më 15 gusht me një pelegrinazh ngritja në qiell e Shën Mërisë. Këtu kishte marrë pjesë edhe Nënë Tereza si vajzë e re dhe këtu kishte vendosur të ecte rrugës së perëndisë. / KultPlus.com

Aktori Edmond Hafizademi: Nuk jam me aktorët e Teatrit Kombëtar, jam me artistët e të gjitha teatrove

Kanë mbetur vetëm edhe dy ditë nga koha kur mund të pezullohet krejt repertori i Teatrit Kombëtar të Kosovës, pasi që, aktorët rezident të këtij institucioni kulturor kanë kërkuar nivelizim të pagave me ato të profesorëve të Universitetit, shkruan KultPlus.

Jo vetëm trupa e aktorëve të TKK-së por edhe shumë artistë tjerë që janë jashtë këtij institucioni janë shprehur të pajtimit me këtë kërkesë të aktorëve dhe I kanë përkrahur ata, por ka edhe prejt atyre që janë kundër kësaj kërkese duke e quajtur diskriminim për aktorët tjerë që janë jashtë këtij institucioni.

Është aktori Edmond Hafizademi i cili përmes një statusi në Facebook është shprehur se kategorizimi i pagave do duhej të bëhej në baze të kualifikimit, përvojës, meritave dhe angazhimit e jo në bazë të institucionit ku punon artisti.

“Po cilat paga tjera qenkan me te medhate ne rajon?! Cka jane keto pallavra e diskriminime? Cili eshte dallimi i aktorit te teatrit kombetar dhe aktoreve te teatrove tjera? Kap zbatoni ligjin per teatrot, zgjidhni problemin e statusit te artisteve qe vazhdojne me qene sherbyes civil, ku kategorizimi i pagave do duhej te behej ne baze te kualifikimit, pervojes, meritave, angazhimit, etj. dhe jo ne baze te institucionit ku punon artisti. Nuk jam me aktoret e teatrit kombetar, jam me artistet e te gjitha teatrove”, ka shkruar aktori. / KultPlus.com

Dy regjisorë dhe dy producentë kosovar i bashkangjiten Akademisë Evropiane të Filmit

Akademia Evropiane e Filmit (EFA) në rrugën e pranimeve të anëtarëve të rinj, ka dërguar ftesat edhe për katër anëtarë të rinj kosovarë të cilët kanë dëshmuar sukseset për të qenë pjesë e EFA-së.

Anëtarët më të rinj të Akademisë janë dy regjisorët kosovarë, Faton Bajraktari, i njohur me filmin ‘Home Sweet Home’ dhe Edon Rizvanolli, i njohur me filmin ‘T’padashtun’, që të dy filma propozime të Kosovës për Oscars, si dhe dy producentët, Valon Bajgora dhe Yll Uka të cilët janë bashkëproducentë të filmave ‘Three Days in September’ dhe ‘Rooftop Story’.

Drejtori i QKK-së, Arben Zharku u shpreh: Duke qenë se QKK është patron në Akademinë Evropiane të Filmit, afërsia me Akademi veçse po rritet. Anëtarësimet e reja janë rezultat i sukseseve të filmave kosovar dhe pasqyrë e zhvillimit të kinematografisë tonë.

Akademia Evropiane e Filmit është themeluar në vitin 1989 me drejtorin e parë Ingmar Bergman bashkë me anëtarët tjerë themeluese si Pedro Almodovar, Lindsay Anderson, Bernardo Bertolucci, Sir Ben Kingsley, Andrzej Wajda, Wim Wenders etj.

Me këto pranime Kosova arrin një numër rekord prej 22 anëtarëve. / KultPlus.com

Grupi i njohur ‘Ethnically Plluged’ performon sonte në Rockuzinë

Ethnically Pllugged, i formuar në vitin 2004, është një grup i përbërë nga disa prej muzikantëve shumë të njohur të Kosovës.

Të gjithë anëtarët e grupit kanë përvojë mbi 20 vjeçare me gupe të ndryshme kosovare si TNT, Marigona etj.

Muzika e ‘Ethnically Pllugged’ është e bazuar në përpunimin e muzikës tradicionale shqipe me instrumente të ndryshme dhe me anim nga Jazz/Fusion. Ata publikuan audio CD dhe DVD në vitin 2005. Deri më tani kanë pasur shumë performanca të suksesshme nëpër Kosovë.

Bendin e përbëjnë, Luan Macula në kitarë, Ilir Tolaj në kitarë, Edon Ramadani në piano dhe Teoman Ukqa në bateri. Këtë nate Ethnically Pllugged do të ngjiten në skenën e Rockuzinë për herë të parë, me shumë risi në repertorin e tyre.

Performanca e tyre fillon në ora 21:00. / KultPlus.com

SBASHK-u kërkon që mësimdhënësve t’u paguhen mëditjet edhe gjatë ekskursioneve

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), përmes një komunikate për media, ka bërë të ditur se do ta ngritë çështjen që gjithë ata që angazhohen ditëve të vikendit, jashtë javës 5 ditëshe të punës, të kompensohen sipas Ligjit të punës për angazhim në ditët e vikendit dhe festave.

Sindikalistët e arsimit kërkojnë që tani e tutje mësimdhënësve të angazhuar nga shkollat e mesme në ekskursione me nxënës jashtë vendit t’u paguhen mëditje, ashtu si i marrin gjithë zyrtarët lokalë e qendror më të shkuar për detyra a vizita jashtë vendit tonë.

“Edhe trajnimet për kurikulën e re dhe aktivitetet tjera të DKA-ve e MASHT-it në vend të ditëve të vikendit, kur mësimdhënësi duhet t’i përkushtohet obligimeve familjare dhe pushimit të nevojshëm pas punës një javore ashtu siç e precizon edhe ligji i punës dhe ligji i arsimit parauniversitar, le të organizohen ditëve të punës, qoftë duke përpiluar orarin mësimor të mësimdhënësve që 20 orët mësimore javore t’i realizojnë gjatë katër ditëve, që një ditë e 5 ditëve të punës t’u mbetet e lirë për trajnime”, thuhet në komunikatë.

SBASHK-u konsideron se ndalimi i çdo aktiviteti në ditë pune, qoftë ajo konferencë, tubim informues, aktivitet sindikal, trajnim për kurikulën e re a ndonjë veprimtari tjetër që lidhet me arsimin e me mësimdhënësit me urdhër të prerë dhe deklarimi se të gjitha këto duhet zhvilluar në ditët e vikendit e në emër të mos humbjes së orëve mësimore, është qasje e gabuar që pamundëson çdo marrëveshje e arritje të kompromisit për një zgjedhje të pranueshme për të gjitha palët e pa e cenuar procesin mësimor. / KultPlus.com

Një nga artistet më të famshme bashkëkohore prezantohet në Tiranë

Në Galerinë Kombëtare të Arteve u hap ekspozita “Vizatime, Objekte dhe Video të Përzgjedhura” e artistes gjermane Rosemarie Trockel. Artistja bashkëkohore vjen për herë të parë në GKA. Bashkëpunimi më Ambasadën Gjermane në Tiranë dhe Institutin për Marrëdhëniet me Jashtë (ifa), realizohet në kuadër të Tetorit Gjerman dhe ekspozita është një nga aktivitet kulmore të këtij kalendari, shkruan KultPlus.

Në ceremoninë e përurimit të ekspozitës morën pjesë presidenti i Republikës Ilir Meta, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë Susanne Schutz, kuratorja e ekspozitës, An Paenhuysen.

Presidenti i Republikës Meta theksoi ndër të tjera se shkëmbimet kulturore midis dy vendeve Shqipërisë dhe Gjermanisë janë rritur.

Kurse, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro u shpreh se ekspozita e sjell këtë artiste në Shqipëri si pjesë e kalendarit të Tetorit Gjerman, i cili ka aktivitete shumë të mira. “Ky është bashkëpunimi i radhës mes dy vendeve. Pas hapjes së ekspozitës dy vite më parë në Dyseldorf, ja ku jemi përsëri me një tjetër bashkëpunim i cili ndihmon kulturën, artin dhe promovon artistët shqiptar dhe ata gjerman”, pohoi Kumbaro.

Rosemarie Trockel vlerësohet si një nga artistet më të famshme bashkëkohore sot në shkallë globale, e cila e shpreh vështrimin e saj krejtësisht vetjak për botën me anë të objekteve, skulpturave dhe instalacioneve. Kjo ekspozitë në Galerinë Kombëtare të Arteve i mundëson publikut shqiptar për herë të parë një udhëtim eksplorues në veprat e kësaj artisteje shumëdimensionale: duke nisur nga vizatimet, fotografitë, tablotë e famshme me thurje e deri tek “Malmaschine” dhe video-instalacionet.
Skena artistike, e dominuar për kohë të gjatë nga meshkujt, e ka nxitur Rosemarie Trockel-in qysh herët për kundërvënie ndaj saj. Ajo vazhdimisht formulon pozicione kundërshtie dhe pasqyron pikëpamjen e saj si një përfaqësuese e botës së theksuar artistike femërore, dhe nuk kursehet as me kritika parimore ndaj sistemit ekzistues të artit. Por, pavarësisht qëndrimit të saj kritik, veprat e Rosemarie Trockel-it shfaqen për vizitorin si projektime të vrullshme mendimesh plot fantazi dhe si skica artistike qartësisht bindëse. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 3 dhjetor./KultPlus.com

Pas 44 vitesh zbulohet se nobelisti Pablo Neruda ka vdekur i helmuar

Fakte të reja rreth vdekjes së Pablo Nerudos duket se po dalin në dritë. Autori i madh i veprave të letërsisë që vjen i përkthyer në shqip nga Fatos Arapi, thuhet se mund të jetë helmuar gjatë kohës që ai ka qenë në ushtrinë e diktatorit kilian Augusto Pinoçt.

Nerudo ka ndërruar jetë në një moshë relativisht të re dhe ky fakt ka ngjallur dyshimet e shumta të familjarëve të shkrimtarit, të cilët kanë mbledhur bashkë 16 ekspertë ndërkombëtar për të kryer analiza të detajuara rreth shkakut të vdekjes së tij.

Nga gjithë ekzaminimet del se familjarët kanë pasur të drejtë. Në rezultatet përfundimtare të ekspertëve del se poeti nuk ka vdekur nga kanceri, ashtu siç deklarohej në autopsi, po nga një mikrob që gjendej në trupin e tij. “Ajo që është e sigurtë është se certifikata e tij e vdekjes nuk reflekton të vërtetën” ka deklaruar gjatë një konference për shtyp Dr Aurelio Luna, kreu i një grupi ekspertësh nga Danimarka, Kanadaja, Spanja dhe Kili.

Nerudo ka ndërruar jetë disa ditë pas grushtit të shtetit kundër presidentit socialist Salvador Aliende, përkatësisht në 1973 në Santiago.

Trupi i tij për shkak të dyshimeve ka qenë gjithmonë objekt investigimesh të shumta, aq sa u zhvarros përsëri në vitin 2013, ku edhe u përcaktua saktësisht diagnoza e vdekjes.

Në maj 2014 një grup shkencëtarësh spanjollë zbuloi prezencën masive të baktereve të stafilokokut të artë që mendohet të jenë injektuar nga agjentët e diktaturës.

Shoferi i Nerudës, Manuel Araya, ka pretenduar gjithnjë se ai vdiq si pasojë e një injeksioni që iu bë përpara se të nisej për në Meksikë për të vazhduar luftën më diktaturën e Pinoçetit. Edhe dëshmitarë të tjerë kanë ngritur dyshimet se Neruda ndihej mirë para injeksionit të famshëm. / KultPlus.com

Sot, takim me Arta Dobroshin në Prishtinë

Këndi Amerikan Prishtina ka organizuar takimin me aktoren e famshme Arta Dobroshi, ku ajo do të flasë për rëndësinë e të qenit veten si individ dhe ndjenjën e mirë të të qenit se kush jeni. ”Arta pati një përvojë të jashtëzakonshme duke takuar astronautët në Shtetet e Bashkuara nëpërmjet një programi të sponsorizuar nga Ambasada e SHBA. Ajo i rikthen përshtypjet e saj dhe mënyrën se si ajo dhe astronautët e shohin botën – siç e thotë ajo “qyteti në të cilin jetojmë është quajtur Tokë”.

Kjo bisedë do të mbahet më sot, në ora 17:00, në sallën kryesore të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Kjo ngjarje është sjellë nga Këndi Amerikan në Prishtinë në bashkëpunim me Ambasadën e SHBA-ve në Prishtinë dhe Bibliotekën Kombëtare të Kosovës./KultPlus.com

Stefan Zweig përballë varrit të Tolstoy-t

Përktheu: Aristidh Ristani

Në vitin 1914, pak para se të niste lufta e parë botërore, shkrimtari austriak Stefan Zweig ndërmerr një udhëtim në Rusinë e kohës. Prapa kësaj vizite fshihej dëshira e kahmotshme e Zweig për ta vizituar varrin e idhullit të tij, Tolstoyt.

Përshkrimin e vendit ku Tolstoy pushon përjetësisht, Zweig e jep tek vepra autobiografike “Bota e djeshme”:

“Në Rusi nuk pashë gjë më të madhërishme e më mallëngjyese se varri i Tolstoit. Ai vend i ndritur pelegrinazhi ndodhet i mënjanuar e vetmitar në thellësi të një pylli. Një shteg i ngushtë të çon deri tek ajo tumul, e cila nuk është gjë tjetër veçse një kuadrat dheu i hedhur, që nuk e ruan askush, nuk e mbron askush, vetëm ca pemë të mëdha i bëjnë hije. Ato pemë të larta, më shpjegoi para varrit mbesa e tij, i pati mbjellë vetë Lev Tolstoi. Qysh kur ishin fëmijë, ai dhe i vëllai Nikolaj kishin dëgjuar nga goja e një gruaje të fshatit legjendën se një vend ku njeriu mbjell pemë, bëhet vend fatlum. Dhe kështu, si duke luajtur, patën ngulur në tokë disa filiza. Vetëm më vonë i ranë ndër mend burrit plak ato fjalë të mrekullueshme profetike, dhe shprehu menjëherë dëshirën për t’u varrosur nën ato pemë që i kishte mbjellë vetë. U bë ashtu siç deshi ai, dhe tani ky varr është më mbresëlënësi në botë me atë thjeshtësinë e vet prekëse. Një tumë e vogël katërkëndëshe mu në mes të pyllit, rrethuar nga pemë degëgjata. As kryq, as gur varri, as mbishkrim.

Ai burrë i madh u varros pa emër, ai që vuajti si askush tjetër nga emri e nga lavdia, krejt si endacak i gjetur rastësisht, si ushtar i panjohur. Askujt nuk i ndalohet të shkojë te banesa e tij e fundit; ai gardhi me dërrasa të rralla rreth e qark nuk është i kyçur. Asgjë tjetër përveç nderimit të thellë të njerëzve nuk e ruan prehjen e fundit të atij që nuk gjeti prehje kurrë në jetë. Ndërsa gjetkë kërshëria mezi pret të ngopet me salltanetin e varrit, këtu thjeshtësia imponuese zhvlerëson çdolloj qejfi për salltanet. Era fëshfërin si zë Perëndie sipër varrit të atij njeriu pa emër. Nuk dëgjohet asnjë zë tjetër, njeriu mund të kalojë aty pari duke menduar vetëm se në atë vend është varrosur dikush, një rus cfarëdo në tokën ruse. As kripta e Napoleonit poshtë kubesë së mermertë të katedralës së Invalidëve, as arkivoli i Gëtes në kriptën e princërve, as ato përmendore varresh në abacinë e Uestminsterit nuk të lënë aq mbresë sa ky varr mrekullisht i heshtur, sa ky varr prekës i paemër, diku në mes të pyllit, i rrethuar nga fëshfërima e erës e që nuk jep vetë asnjë mesazh, nuk thotë as edhe një fjalë”./KultPlus.com

Blerta Deliu: Pagat e aktorëve të TKK-së më të ultat në rajon

Pagat e aktorëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës, janë më të ultat në rajon, andaj duhet të ndërmerret diçka në këtë drejtim.

Kështu deklaroi në seancën e Kuvendit të Kosovës, deputetja nga radhët e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, shkruan rtk.

Ajo tha se është në dijeni se aktorët janë takuar edhe me ministrin e Kulturës, Kujtim Gashi dhe shpreson se kjo çështje do të zgjidhet dhe aktorët ta kenë më të lehtë punën e tyre në Teatrin Kombëtar të Kosovës./KultPlus.com

Fëmijët me Sindromën Down sjellin ekspozitën ‘Bukuritë përmes fotografisë’

Në kuadër të muajit tetor, muaji i ndërgjegjësimit për Sindromën Down, Down Syndrome Kosova prezanton ekspozitën “Bukuritë përmes fotografisë”, përcjellë KultPlus.

Fotografitë janë realizuara në vende të ndryshme të Kosovës nga të rinjtë e Shoqatës Down Syndrome Kosova dhe janë vendosur në dru dhe në gurë nga fotografi Ridvan Slivova.

Kjo ekspozitë shitëse për ju do të thotë pak, mirëpo për shoqatën Down Syndrome Kosova do të thotë shumë.

Ekspozita do të hapet më datë 30 tetor, në ora 19:00, në Muzeun Kombëtar të Kosovës. / KultPlus.com

Eminemi fiton rastin ndaj një partie politike që përdori këngën e tij në fushatë

Një parti politike në Zelandën e Re është urdhëruar që t’ia paguajë më shumë se 400 mijë dollarë reperit amerikan, Eminem për përdorimin e muzikës të ngjashme me hitin e tij të vitit 2002 “Lose Yourself” në një reklamë televizive gjatë zgjedhjeve nacionale.

Partia Nacionale kishte shkelur të drejtat autoriale, duke e lëshuar këngën gjatë fushatës së zgjedhjeve të vitit 2014, të cilin e kishin titulluar “Eminem Esque”, raporton Reuters.

Një gjykatë në Zelandën e Re ka gjetur se partia kishte kopjuar në thelb këngën “Lose Yourself”, transmeton Koha.net.

Partia Nacionale e kishte përdorur këtë këngë 186 herë gjatë fushatës para se ta largonte atë nga transmetimi, ka thënë Gjykata. / KultPlus.com

Tetë duar në një piano përmbyllen koncertin e pestë të KamerFest

Nata e pestë e Festivalit Kamertal “Kamerfest” erdhi me koncertin “Piano për duo, quattro, otto” duke sjellë në skenë së bashku pianistë të mëdhenj nga SHBA-ja, Franca, Shqipëria e Maqedonia, shkruan KultPlus.

Në të tri anët e Sallës së Kuqe në Pallatin e Rinisë publiku kishte ngulur sytë në pianistin Derek Han nga SHBA-ja, afër të cilit rrinte pianisti shqiptar Klevis Gjergji. Në sallë erdhën meloditë e kompozuara nga Mozarti e që vinin nga katër duar të këtyre dy artistëve, derisa ndonjëherë mbeteshin vetëm tri duar në piano kur njëri nga ta lëvizte me shpejtësi fletët e partiturës duke i dorëzuar kështu herë-herë melodinë njëri-tjetrit. Nga Mozarti, pianistët përshkuan një udhëtim muzikor tek Schuberti, duke rikthyer kështu përsëri interpretimin e Derek Han pranë të njëjtës piano por i shoqëruar nga krijimi i tingujve të pianistit francez, Bertrand Giraud duke dhënë po ashtu një bashkëveprim me melodi që shpeshtoheshin.

Koncerti erdhi me një ritëm edhe më të fuqishëm kur pranë të dy pianove që ndodheshin përballë, në njërën piano ishte Bertrand Giraud i cili ndonëse kishte një shprehje të qetë fytyre gjatë interpretimit, ai solli mjaft tinguj të fuqishëm së bashku me pianistin nga Maqedonia, Shkëlzen Baftiari. Interpretimi i veprës së Ravel nga këta dy autorë ishte momenti i parë dhe i vetëm ku përdoren të dy pianot e vendosura në sallë pasiqë në vepra e Rachmaninoff, do të ulte së bashku në një piano të tre pianistet Derek Han, Bertrand Giraud dhe Shkëlzen Baftiarin. Mirëpo koncerti arriti kulmin me veprën e Lavignac kur të njëjtën piano e ndanë të katër pianistët që interpretuan gjatë koncertit. Duke mos lenë hapësirë afër njëri-tjetrit por duke e plotësuar në mënyrën më të mirë artistike veprën, lëvizjet e tetë duarve dukej sikur sillnin një valle të bukur melodish.

Derek Han, pianisti nga SHBA-ja, mbrëmë ishte kthyer në edicionin e 18-të pasiqë kishte qenë pjesë e rrugëtimit të parë të KamerFestit në edicionin e parë të tij.

“Është një gjë e mrekullueshme të shohësh KamerFestin pas tetëmbëdhjetë vitesh, dhe të shohësh Prishtinën, të cilën e mbaj mend nga KamerFesti i parë kurse tani është shndërruar në një qytet të madh evropian. Kosova do duhej të ndihej krenare për një festival si KamerFesti dhe për progresin e këtij festivali gjatë këtyre viteve”, tha Han për KultPlus.

Po ashtu Han shtoi se interpretimi i kësaj mbrëmje edhe pse i vështirë të luhej me gjashtë dhe tetë duar, në të njëjtën kohë i solli atij edhe shumë kënaqësi.

Ndërsa pianisti nga Maqedonia Shkëlzen Baftiari, i cili thotë se është familjarizuar me mirëpritjen e publikut në këtë objekt tregoi për realizimin e këtij koncerti.

“Përzgjedhjen e programit e kemi bërë brenda një kohe të shkurtër, ka qenë pak e vështirë sepse janë vepra shumë të mëdha dhe të vështira kurse prova kemi bërë shumë pak, ku jemi takuar vetëm dje dhe sot me një provë. Unë kam kaluar shumë mirë me publikun këtu, ku unë jam gati çdo vit në Kosovë bile njihem edhe me publikun dhe shumicën e njerëzve këtu”, tregoi Baftiari për KultPlus.

Nesër po ashtu në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, duke filluar nga ora 20:00 KamerFesti do të sjellë koncertin e gjashtë me pianistin nga Franca, Bertrand Giraud dhe Klevic Gjergjin nga Shqipëria të cilët së bashku me Orkestrën e Harqeve të Festivalit do të interpretojnë veprat e Poulencit dhe Brittenit./ KultPlus.com

Netët e filmit në Gjakovë, me program të ri

Parku Kulturor “Ali Podrimja” këtë verë riktheu kinemanë në Gjakovë përmes një projekti të kinos së hapur në sheshin publik me po të njëjtin emër – Ali Podrimja, duke organizuar rreth 31 ngjarje, e projektuar 33 filma dhe dokumentarë vendor e të huaj.

Pas mbarimit të sezonit veror, ky projekt në bashkëpunim me Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë sjell dy net filmi në këtë qytet përmes një programi të zgjedhur në bashkëpunim me DokuFest.

Nata e parë, të mërkurën e 25 tetorit ka në program shfaqjen e filmit “Searching for Sugar Man”, fitues i çmimit Oscar, i cilësuar nga plotë kritik të filmit si një përmbajtje mahnitëse në tingujt e muzikës dhe trilerit, me një storie që nuk bën të humbet.

Natën e dytë, të enjten, planifikohet projektimi i “The Act of Killing” me regji të legjendarit botëror Joshua Oppenheimer, film i nominuar për çmimin Oscar dhe i vlerësuar si një kryevepër unike.

Të dy shfaqjet fillojnë nga ora 19:00 dhe zhvillohen në sallën e madhe të Pallatit të Kulturës “Asim
Vokshi” në Gjakovë.

Vlen të theksohet që të hyrat nga biletat simbolike do të shkojnë si donacion për renovimet dhe mirëmbajtjen e Pallatit të Kulturës. / KultPlus.com

Digjitalizohen dokumentet osmane në Arkivin e Shqipërisë

I gjithë dokumentacioni në gjuhën osmane, i cili gjendet në Arkivin Qendror Shtetëror në Tiranë, do të digjitalizohet.

Pajisja e digjitalizimit për dokumentet osmane është mundësuar nga Agjencia Turke e Bashkëpunimit dhe Koordinimit (TIKA).

Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido informoi se një kopje digjitale e dokumentacionit do të mbetet këtu dhe një kopje do ju dorëzohet Arkivave Turke.

Gjithashtu, Bido tha se Arkivat Turke do të dorëzojnë dokumentet që janë në interesin e Shqipërisë që gjenden në Arkivat e Perandorisë Osmane.

Nga ana e tij, Ambasadori i Republikës së Turqisë në vendin tonë, Hidayet Bayraktar tha se ky bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave dhe TIKA-n do të vazhdojë dhe në të ardhmen.

Bashkëpunim midis dy drejtorive është shumë i rëndësishëm sepse ka vlerë që të gjitha këto gjëra do ti kalohen dhe brezave të rinj. Është shumë e rëndësishme që historia të shkruhet me gjëra sa më konkrete”, nënvizoi Bayraktar. / KultPlus.com

Dino Mustafiç vjen në Tiranë me shfaqjen“Nëna dhe fëmija”, rikthehet në skenë Ema Andrea

“Nëna dhe fëmija” vepër e autorit Jon Fosse rikthen si regjisor në Tiranë Dino Mustafiç. Premiera mbrëmjen e së shtunës në Tulla Center sjellë në role aktoren Ema Andrea dhe Matia Llupa.

Një projekt teatror që vjen në jetën artistike të Tiranës dhe ka angazhuar dhe të tjerë artistë të njohur. Projekti i MAM Fondation këtë herë ka në qendër veprën e autorit Jon Fosse. Premiera është më datë 28 tetor në ora 20:00, dhe vazhdon të dielën në mbrëmje për të vijuar dhe net të tjera. “Nëna dhe fëmija” do të vazhdojë dhe në muajin nëntor nga e hëna deri të enjten për publikun.

Jon Fosse është një nga shkrimtarët norvegjez me të përkthyer dhe më të interpretuar pas Henrik Ibsen. Sot dramat e tij janë pjesë e rëndësishme të repertorit të gjithë metropoleve teatrale europian. Për mendimin e shumë kritikave ai është një nga personat më inteligjentë të dramës dhe letërsisë bashkëkohore: dramaturg, poet, eseist, shkrimtar romanesh, etj. Duke lexuar veprën dramatike të Jon Fosse në mënyrë psikologjike, por tekstualisht dhe në kuptimin hapësinor gjithmonë lëvizim në hapësirë indiferencash, provincash, vetmisë, izolimit shpirtëror.

Shfaqja merret me njerëz, të cilët vuajnë nga izolimi total, vetmia dhe vështirësi komunikimi. Ata janë të burgosurit e përjetshëm të cilët ngarkojnë veten dhe të tjerët. Por ata nuk janë krijesa indiferente, por janë plot shqetësim shpirtëror, e cila mund të quhet aftësi parandjenje. Karakteret të Fosses janë të ngecur në mendimet e veta, dhe prandaj fjalët të shprehura në fakt janë monologje, të cilët ndonjëherë shkasin dhe bëhen komunikim. Atmosfera e sikletshme e tregon sekretin, i cili është i mbytur në të kaluarën dhe çdo komunikim është pak nostalgjik, zbulon ose mbetet i shtypur në egon e karakterit. Por në atë ndjesi melankolike dhe boshllëku as nëna as fëmija egzistencialisht nuk gjejnë qetësinë dhe heshtjen e dëshiruar, nuk janë në gjendje të bien në paqe me demonat (shpirtrat) personal të cilët i përndjekin. Hapësira në dramat e Fosses zakonisht është një banesë në të cilën dikush sapo ka hyrë për të banuar, dikush tjetër ka lëvizur nga ai vend, sikur kërkohet vend i përshtatshëm për sekrete, për të filluar nga e para.

Mamaja tek “Nëna dhe fëmija” jeton në “këtë banesë” prej shumë vitesh, ka ikur nga një provincë në qytet. Por provinca, fushëbeteje (arena) e ngjarjeve traumatike të rinisë së saj, të cilat flenë brenda saj deri në momentin kur i shfaqet djali para derës dhe ia kthen dobësinë e saj të kaluarën. Vepra që pritet të vijë premierë është me skenografi nga Klod Dedja, kostumografe Berina Kokona, kompozitor Ilir Bajri, as. regjisore Melissa Becoviç dhe koreografia nga Gjergj Prevazi. Dramtarugue është Zejlka, Udoviciç Plestina.

Regjisori në teatër

Regjisori Dino Mustafiç rikthehet në Tiranës me këtë shfaqjes pas dramës “Equus” në Teatrin Kombëtar. Ka krijuar shfaqje në teatro të shumta në: Paris, Sofie, Bratislavë, Beograd, Zagreb, Tiranë, Ljubljanë, Shkup, Prishtinë, Podgoricë, Rijeka, Trieste, Split, Maribor, Nova Gorica, Cetinje, etj. Shfaqjet e tij janë luajtur në Amerikë, Afrikë, Azi, dhe janë interpretuar në gjithë të ndryshme, kanë marrë çmime të shumta në festivale kombëtare dhe ndërkombëtare në: Meksiko, Kairo, Aleksandri, Romë, Firence, Venecia, Madrid, Frankfurt, Mynih, Bogota, Bratislavë, Oslo, Vjenë, Toronto, Guadalahara, Paris, Nicë, Londër, Stokholm, Stamboll, Sibiu, Vrana, Vratsa, Blagoevgrad, San Jose, Budva, Rijeka, Udine, Zagreb, Novi Sad, Subotica, Nikshiq, Beograd, Ljubljanë, Shkup, Bursa, Modena, Selanik, Skien, Ulaanbaatar, Chisinau, etj. Shfaqja “Nata e Helverit” e dhënë në teatrin Kamenog 55 ka hyrë në historinë e teatrit boshnjako-hercegovinas, si shfaqja më e vlerësuar, me 23 çmime ndërkombëtare. Ka vënë në skenë më shumë se 100 pjesë teatrale të autorëve klasikë dhe bashkëkohorë. / KultPlus.com

Ekspozitë në 30 vjetorin e marrëdhënieve Shqipëri – Gjermani

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta mori pjesë në ceremoninë e hapjes së ekspozitës së arteve figurative të autores gjermane, Rosemarie Trockel, që u zhvillua në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë.

Ky aktivitet u mbajt në kuadrin e javëve të kulturës gjermane në Shqipëri, të cilat këtë vit përkojnë dhe me 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Gjermanisë.

Në fjalën e mbajtur gjatë këtij aktiviteti, presidenti Meta tha se Tetori Gjerman është kthyer në një traditë të mrekullueshme për shqiptarët dhe se kultura krijon lidhjet më të forta dhe më afatgjata midis vendeve e kombeve.

Gjithashtu, Meta theksoi se miqësia dhe bashkëpunimi mes dy vendeve është forcuar e zgjeruar në përmasa të paimagjinueshme në 30 vjetët e fundit dhe se në këto tre dekada një rol të rëndësishëm për afrimin e njerëzve, ka luajtur në mënyrë të veçantë kultura dhe arti. / KultPlus.com

Andreja Pejiq nga Bosnja, e para modele transgjinore e Ford Models

Andreja Pejiq, një djalë nga Bosnja por i cili prej vitesh jeton në Angli, i lindur djalë por sot një grua e rritur dhe e bukur është modelja e parë trasngjinore që ka nënshkruar kontratë me Ford Models.

Pejiq në vitin 2015-të modelonte edhe veshjet për meshkuj, edhe veshjet për femra, në kampanjën e njohur nga Make Up For Ever.

Ajo është paraqitur edhe në një videoklip të David Bowie, – “The Stars”, krahas emrave si Tilda Swinton e Iselin Steiro, shkruan KultPlus.

Pejiq është vetëm 26 vjeçare, ndërsa ka lindur në Tuzla të Bosnjës, me 28 gusht 1991.

Pejiq ka kohë që po futet në botën e aktivizmit për personat transgjinorë. Në fund të vitit 2013-të, Pejiq e kaloi me sukses edhe operimin për ndërrimin e seksit. / KultPlus.com