Divjaka, një mbretëri natyrore që mund të vizitohet çdo ditë të vitit

Divjaka është një qytet i ri por që ka një histori të lashtë që lidhet me Qytetin e Humbur Arnisa dhe me “Via Egnatian” e Romës së Vjetër.

Vetë emri i saj rrjedhë pikërisht nga kjo rrugë që lidhte Apoloninë me pjesën e saj që vinte nga Durrësi e bashkoheshin në Klodiana ose Peqini i sotëm.

Divjaka ose Due Vie, Dy Vijat, shtrihej në kodrat ku bashkoheshin këto dy rrugë nga ku i ngeli dhe emri.

Divjaka sot është një nga parqet natyrore më të vizituara për turizmin detar,natyrorë, atë të vëzhgimit të shpendëve ujorë dhe kulinarinë me bazë prodhimet e detit dhe perimet bio të fushave të saj.

Turizmi i vëzhgimit të shpendëve apo kafshëve të egra, tashmë po kthehet në një lëvizje të vërtetë turistike edhe për vendin tonë.

Shembulli më domethënës për këtë është Parku Kombëtar i Divjakës, ku çdo fundjavë me dhjetra vizitorë vendas e të huaj, vijnë të vëzhgojnë nga afër shpendët e shumtë që kanë zbritur kohët e fundit dhe vazhdojnë të zbresin në këtë park të mbrojtur më së miri nga moratorium i gjuetisë dhe pylli i dendur.

Objektivi kryesor është Pelikani Kaçurrel, por jo vetëm, janë edhe shpendë të tjerë si flamingot që gjallojnë në strugat e ëmbla, rosat e egra, çafkat, karabullakët etj. që kanë pushtuar lagunën dhe grykëderdhjen e Shkumbinit.

Vetëm këtë vit, nga Janari e deri më tani, në këtë park janë futur rreth 400 mijë vizitor vendas dhe të huaj.

Turistë të ardhur nga vendet evropiane apo edhe më larg, numërohen rreth 30 mijë që janë shoqëruar nga punonjësit e parkut. Vendet më të preferuara kanë qenë “Ishulli i Pelikanit”, Këneta e Madhe ku mbretërojnë Flamingot dhe shumë lloj të tjera shpendësh, dhe Këneta e Vogël, ku kryesisht strehohen flamingot dhe rosat e egra.

Divjaka është një mbretëri natyrore që mund të vizitohet në çdo ditë të vitit… / KultPlus.com

Kush është vajza që këndon me Dua Lipën, kur ishin të vogla? (VIDEO)

Para pak ditësh e publikuam një video të moçme të Dua Lipës në Sallën e Kuqe në Prishtinë.

Para se të bëhej e famshme, Dua dikur në kryeqytet këndonte në Sallën e Kuqe disa këngë të njohura. Një Dua e vogël, simpatike dhe dukshëm e talentuar që prej asaj kohe.

E vajza afër saj, nuk është sot një emër krejt i panjohur. Diellza Dobroshi dikur ka qenë këngëtare e disa hiteve, përfshirë “Dejzi” dhe “Natë adoleshente”.

Diellza është shoqja e Dua Lipës në këtë incizim ku i këndohet mësueses. Diellza është kthyer sot në një bllogere, jeton jashtë Kosovës ndërsa ka në bagazhin e saj muzikor edhe këngë të tjera, shkruan KultPlus.

Diellza ka marrë pjesë në Festivalin TOP Fest në Shqipëri disa herë, ndërsa shpesh në Youtube sjellë edhe versione cover të këngëve të njohura. Po përmendim dy: “Chanelier” të Sia-s dhe “One and Only” të Adele-s. / KultPlus.com

Vdek para se me ‘dekë

Ironike kjo, ama – nji prej akteve ma intime
Të trupit tonë, asht
Vdekja.

Aq bukur m’u shpërfaq ‘deka jem, sa –
tuj e ditë se kan kam me e puthë,
Kam ‘dekë para se me ‘dekë, nja ku-me-dijtë sa herë.

“Vdek para se me ‘dekë”, ka thanë Pejgamberi,
Zotnia.

Ata krahë të strukun frike, a thu
A e kanë prekë Dillin najhere?

Eh, ngo: unë kam lindë atëherë kur,
Asej që dikur ju frigojsha –
E deshta!

Rabia el Basra
Shqipëroi: Pupëza

“Le t’më dënojë qielli, nëse jam i çmendur…”

Kënga “Qielli” është vetëm njëra prej këngëve të grupit 7me7.

Grupi ka qenë i famshëm para disa vitesh në Kosovë e në Shqipëri, sidomos me këtë këngë dhe me refrenin “Le t`më dënojë qielli / nëse jam i çmendur / nëse bëj mëkat që të dua”.

7me7 janë me origjinë nga qyteti i Ferizajt ndërsa ka kohë që nuk janë të aktivizuar në muzikë.

Sidomos kënga “Qielli” radhitet në mesin e atyre këngëve të pavdekshme shqipe, e cila me kalimin e kohës veç sa bëhet më e dashur për dëgjuesin shqiptar.

“Eksperimental” apo “Njeriu me ombrellë” janë të tjera këngë të këtij grupi muzikor. E këtu vjen pyetja: Ku është grupi 7me7 ? / KultPlus.com

Lasgush Poradeci vajton Klarën, macen e tij të vdekur

Tiranë, e Djelë 30/III/75:

Më vdiq “Klara”, macja ime e dashur. E gjeti të vdekur Maria jashtë shtëpisë së Jani Janaqit, në rrëzën e avullisë së tij perëndimore. Vajta shpejt t’a marr, ish e ngrirë e vdekur, duhet të kish vdekur natën (29 dyke gëdhirë 30/III/75). Kish disa ditë që as hante as pinte (as qumësht). Me dhembje të madhe e mora e solla në shtëpi, sapo ardha në shtëpi, në kuzinë, zura të qaj me psherëtimë, edhe Maria qau. Dje, pardje, “Klara” nuk më ardhi në kuzinë, po as hante, as pinte. I-a bëra varrkën rrëzë manit të shtëpisë (në kopësht), ngjitur me murin perëndimor të shtëpisë. Më ndihmonte Maria. Maria më ndihmoj edhe dyke i-a bërë varrkën.

I shtrova një shtresë në fund të varrkës, 1 faqe jastëku si të kuqe, të paqme, të larë. Mi atë faqe jastëku e vura dje dhe pardje të rrijë, të flerë. E futa në varrkën me kujdes të math, e putha me mallëngjim, e mbulova me 1 copkë të butë të trashë stofi të zezë, e mbulova bashkë më Marien me dhe, përmi dherin e sipërfaqes së varrkës vura copat me bar të njomë të vëndit ku i-a bëra varrkën (që të mbijë bari përmi varrkën).

Kokën e “Klarës” e vura ngjitur me murin e shtëpisë. Qava prapë (passi e putha trupin e “Klarës”) dhe u këtheva në shtëpi në kuzinë, ku prapë qava. Shumë m’u trondit shpirti për humbjen e “Klarës” (Klara ishte shumë suave, e butë, e qetë, e dashur, e ëmbël). Shënim: Kam, si kujtim për “Klarën”, të bijën e saj që quhet “Laert”. Laertin e lindi “Klara” në Tiranë në muajin Maj 1973. Edhe Laert-i është i urtë, i butë, i dashur, është suav si “Klara”.

L. Poradeci.

Marin Mema nderohet me çmim në Itali

Pas Prishtinës, gazetari i Top Channel, Marin Mema është nderuar me një çmim të veçantë edhe në Itali.

Ky vlerësim u bë gjatë një aktiviteti që organizohet në mënyrë të përvitshme nga organizata nderkombetare “Rinia” dhe komuna e Riva del Gardës. Çmimi i është dorëzuar realizuesit të ciklit “Gjurmë Shqiptare” me motivacionin si gazetari më i mirë në fushën e kërkimit dhe shpluhurosjes së të vërtetave historike.

Mëse 700 emigrantë shqiptarë nga qytete të ndryshme të veriut të Italisë kanë marrë pjesë në këtë organizim, që konsiderohet si një ndër më të mëdhenjtë në vendin fqinj.

“Ajo që mua më mbush sot me krenari është që pavarësisht largësisë, pavarësisht distancës, viteve, jetës së ndryshme që ka gjithësecili prej jush, jeni këtu, jeni krenarë që jeni shqiptarë dhe unë jam krenar që jam mes jush“, tha Marin Mema.

Aktivitete të tilla kanë për synim jo thjesht përafrimin e shqiptarëve në emigracion, por edhe realizimin e mjaft projekteve me karakter social në Shqipëri. Me këtë rast, në periudha të ndryshme janë bërë takime dhe realizuar projekte të ndryshme në Lezhë, Kavajë, Elbasan, Shkup e më tej.

Ky është vlerësimi i dytë në pak ditë për gazetarin e Top Channel, Marin Mema, pas çmimit “Hasan Prishtina“, dhënë në Prishtinë. / KultPlus.com

Vellusha dhe Prishtevka, pasuria që e bënte Prishtinën adalet qyteti (FOTO)

Asokohe, Prishtina ishte adalet qyteti për mua, sepse kishte jo më pak së dy lumenj: Vellushën e Prishtevkën, – do ti kem dëgjuar kujtimet e shkrimtarit prishtinas Qamil Batallo, sa herë që po bisedohej për qytetin e fëmijërisë sonë.

– Do të më thonë, e pamundshme, vazhdonte shkrimtari, sepse Prishtina gjithmonë është zënë pisk për ujë! T`ju them, pra, atë që di mosha ime dhe atë që e kanë dëgjuar veshët e mi: Vellusha që rridhte për midis qytetit, kalonte te hapësira ndërmjet Teatrit Popullor (Kombëtar sot), dhe objektit të Unionit, nuk a qenë përrua, sepse në ujët e saj kanë notuar plot rosa e rosakë, pata e patokë. Këta shpendë, siç thuhet, kishin mundësi të zhyteshin e të mbyteshin në thellësitë e ujit, duke kërkuar ushqimin e tyre. Dimrit, ndërkaq, ndodhte të ngrinte i tëri dhe mbi akullin më se 25 centimetra të trashë, rrëshqisnin djelmoshat e qytetit me saja e me syngji. Vellusha, pra, gjallëronte gjatë tërë vitit.

– Ajo shpesh vërshonte pjesën më të madhe të qytetit, bile ku kalonte nën dyqanet e zejtarëve, që ndodheshin karshi teatrit, ndodhte ti “tundte” ato. Pëshpëritej, madje, një gojëdhënë e trishtueshme, se Vellusha ishte një lum i mallkuar, që për çdo 32 vjet përmbyste dhe rrëmbente çdo gjë që gjente para vetes. Mu për këtë, prishtinasit janë kujdesur që në të dy anët e Vellushës të ketë plepa. Gojëdhëna thotë se mbi ata trupa plepash të lartë kanë shpëtuar jetën shumë qytetarë, kur Vellusha kishte gufuar e ishte çmendur fare. Dirsa në anën tjetër të qytetit (prapa Tregut të Gjelbër, sot) ka rrjedha prajshëm lumi Prishtevka. Me këta dy lumenj janë ujitur kopshtet e qytetit, që kanë paraqitur pasurinë më të madhe ekonomike të këtij vendi” rrëfente me mall për të kaluarën shkrimtari Qamil Batalli.

Burimi: Sanije Gashi – Prishtina e fëmijërisë sime

Poezia e Eqrem Çabej për djalin e tij të vdekur

ARTANIT

Ti vazë e derdhur mjeshtërishte dore
Ti formë e hequr baltëje bujare:
Te mes’ i ditës sate re në fare
E shove gjurmën vet’ e vet’ u bore.
Të mblonte ditën ujët tat rrafshore
E derdhej natën detesh harrimtare.
Po ky i jetës qark t’u err: krenare
Ti theve shtatin në thermi mizore.
Kush pati et iu bëre ujë e krua
Kush pati gaz i dhe të bardhë verë
E vaj të butë plagash kush i pat.
Tani na re si ra një yll q’ u shua.
Krip-artat vasha derdhin vaj të gjerë
Me sy të lagur përmbi kurmit tat.

Mbi ty ku dergje te banesa jote
Të motit gjurmë ndjekin varg e varg.
Fryn er’ e malit, ndihet vera larg
E vesa shtrohet si një shtrojë e lote.
Mbi ty kalojnë muaj edhe mote
Me dit të rënda e me net të shkreta.
Mimoza frorit, pika shiu të qeta,
Nata e vitit pa një krismë gote.
Ti rri si rri një shenjt edhe një mbret.
Nuk ngrin prej dimri as nuk pret prëndverë;
Nuk pyet për shokë që ke tash përherë,
Për ç’le këndej, për vjet që po kalojnë,
Për sytë e errur, gjeth të mbulojnë,
Për qelq që pive, gjëmën që të gjet.

Fryn er’ e malit, bie bora larg
Fryn er’ e malit, hëna ndrit nga larg

15 dhjetor 1970…

Urime datëlindja, Tinka Kurti!

Sot feston datëlindjen një prej këngëtareve ikonike shqiptare, Tinka Kurti.

Tinka Kurti ka lindur më 17 dhjetor 1932 në Sarajevë të Bosnjës, nga një baba shqiptar me origjinë nga Dukagjini i Shkodrës dhe nga një nënë hungareze.

Që nga viti 1949 e deri sa doli në pension ishte aktore e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës, ku interpretoi rreth 120 role. Veçanërisht e suksesshme në rolet e forta dramatike të nënave, por po kaq e suksesshme në komedi. Shkëlqen me role protagoniste në “Gjaku i Arbrit”, “Histori Irkutase”, “Toka Jonë” – ku luan në fillim Filen e pastaj Loken, “Fisheku në pajë” apo “Fejesa e Çehovit”.

Kurti ka interpretuar edhe në kinema, në rreth 35 filma artistikë, duke filluar me filmin e parë shqiptar të metrazhit të gjatë, “Tana”, më 1958.

Emrin e Tinka Kurtit mban edhe një shkollë në fshatin Lekbibaj në Shqipëri. / KultPlus.com

“Miqtë do të jenë aty për ju më shpejt se familja juaj…”

“Kur e keni një mik që vërtetë kujdeset për ju dhe tenton të rri me ju, ju e trajtoni atë si asgjë. Mësoni të bëheni mik i mirë sepse një ditë ju do të filloni të kërkoni e pastaj do të thoni se e keni humbur një mik të mirë.

Mësoni të jeni të jeni të respektueshëm për miqtë tuaj; mos filloni vetëm të argumentoni me ta pa ua treguar arsyen. Kurrë mos harroni se miqtë do të jenë aty më shpejt se sa familja juaj.

Mëso ta kujtosh se ke miq të mëdhenj – mos e harroni këtë dhe ata gjithmonë do të kujdesen për ju, pavarësisht të gjithave. Gjithmonë kujtohuni të buzëqeshni dhe të shikoni përreth gjërave që i keni në jetë.”
– Marilyn Monroe

Valdete Idrizi: In memoriam – Blerim Peci

Aktivistja Valdete Idrizi, edhe kandidate për të parën e qytetit të Mitrovicës, gjithmonë ka fjalë aq emocionuese kur flet kolegun Blerim Peci.

Aktori dhe komediani vdiq para disa ditësh ndërsa këtyre ditëve janë mbajtur edhe ceremoni përkujtimore por edhe transmetime emisionesh ku ai ka qenë protagonist.

Idrizi dje ka shkruar një tjetër kujtim për Pecin, In memoriam: BLERIM PECI, ku shprehë emocionet e saj dhe dhimbjen për humbjen e një njeriu të dashur e punëtor si Peci.

“Sa veshtire me shkru per Belin tone, tash qe nuk eshte ne mesin tone….. une qe nuk e kisha veq familjar po edhe shok te mire!
E keni njofte te gjithe si nje artist te mrekullueshem, nje aktor te madh, nje koleg e bashkepuntor te mire…. po Beli ishte edhe nje shok shume i mire, jo shume i mire po ishte me i miri nder ne, me i miri…. te gjithe do te kishin dashte me pase nje mik si ai. Beli ishte njeriu qe e kishte zemren aq te bardhe e aq te madhe saqe te gjithe ia kishim lakmi…. ai na ofroi miqesine e tij, dashurine e tij pa rezerve, perkujdesjen qe e kishte per ne, perkrahjen qe na e dha pa kerku asnjehere asgje…… Beli ishte i tille….. Beli ishte mire e rehat vetem kur njerezit rreth tij ishin mire e rehat, Beli dinte qe kafshaten e tij te fundit te ndante me te tjeret, edhe kur nuk i njihte por qe kishin nevoje…. ishte i ndijshem ndaj personave nevojtare…Beli ishte i tille….. Beli ishte gjithehere para neve te gjitheve, me idete e tija, me kreativitetin e tij, me guximin e tij, ishim shume perpara ne kohe…..
Idete e tij briliante e shume te guximshme arrinte t’i realizonte gjithehere me pune, edhe atehere kur ne nuk besonim qe ishin te realizueshme, ai na bindte qe kishte te drejte. Me kembengulje, me pune, perkushtim e seriozitet arrinte t’ia dilte…..Ani pse me meritori per te gjitha sukseset ne teater, Beli nuk donte ta merrte lavdin per sukseset por na i linte te gjitheve…….i tille ishte……Beli aq shume trashegimi na la, aq shume miresi, aq shume humanizem, e nuk e di a e merituam nje shok kaq te mire, nje bashkeqytetar kaq te mire….. edhe kur ishim te trishtuar, te merzitur ai me humorin e tij, me afersine e tij, na bente te ndihemi mire… gati secili ne qytet, dhe jo vetem, ka kujtime me Belin, kujtime te mira, sepse me Belin te tilla ishin kujtimet sepse i tille ishte ai…..me i miri..
Une e di qe une e kam borgj e besoj te gjithe miqte e tij e familjaret e ndjenje njejte, te gjithe ata qe arriten ta njohin qofte personalisht apo permes ekranit apo skenes se teatrit… e kemi borgj te punojme cdo sekond te jetes te jemi njerez me te mire, cdo dite e me te mire, te ofrojme dashuri, perkrahje e solidaritet te tjereve….. duhet te deshmojme se e kemi meritu nje shok te tille, nje bashkeqytetar te tille, nje familjar e nje koleg e bashkepunetor te tille..,.. une Beli jone te premtoj se do te punoj cdo dite, te jetesoj misionin tend, te bejme nje bote te mire.
E dashur Dita, Beli nuk ishte veq i juaji, veq i familjes, po ishte i te gjitheve.
Do te na mungosh Beli, do te me mungojne thirrjet e tua, keshillat e tua, kritikat e tua, nofkat me te cilat mu drejtojshe, sepse jeta nuk do te jete e njejte pa ty, as qyteti nuk do te jete i njejte pa ty, por do te jetojme me aq shume kujtime te mira qe na le…. do te te kujtojme me krenari e falemnderit shume Beli qe ishe pjese e jetes time, jetes tone…. isha e bekuar qe te njoha, qe nga femijeria, qe me lejove me qene mike e jotja…falemnderit e pusho ne paqe o njeri i mire e ti, veprat e tua e trashegimia qe na i le kombit tone, do te jetojne perhere. Ne do te te kujtojme perhere Beli se njerezit si ti jane te rralle”.

Peci ndërroi jetë para disa ditësh, në një mënyrë krejt të papritur, dukë lënë në gjysmë disa projekte artistike në të cilat po punonte. / KultPlus.com

Kleofina Pnishi, në mesin e 12-të vajzave më të bukura në Francë (VIDEO)

Modelja shqiptare Kleofina Pnishi mbrëmë është radhitur në mesin e 12-të vajzave më të mira të Francës.

Në një spektakël madhështor, Miss Franca mbrëmë është zgjedhur Maeva Coucke – Miss Nord Pas Calais.

https://www.youtube.com/watch?v=JAx2yZEd9ps

Nga gjithsej 30-të kandidate, secila Miss i një krahine apo qyteti, Kleofina Pnishi është radhitur në dymbëdhjetëshen më të mirë. Kleofina, disa muaj më parë është zgjedhur Miss Provence.

Eva Colas është përzgjedhur si përcjellësja e parë e Missit ndërsa Lison di Martino përcjellja e dytë.

Në jurinë e spektaklit të madh ka qenë edhe dizajneri i njohur Jean Paul Gaultier dhe këngëtarja Nolwenn Leroy, shkruan KultPlus.

Gjatë natës vajzat me një pikë interesante e kanë kujtuar këngëtarin e madh francez Johnny Hallyday i cili ndërroi jetë me datë 6 dhjetor, dhe mbetet ndër legjendat e muzikës në Francë. / KultPlus.com

Shqipëria kryeson mes 15 destinacioneve për t’u vizituar

Agjencia italiane e udhëtimeve Volagratis.com ka hartuar një listë me 15 vendet më në tendencë për 2018, një përzierje mes destinacioneve që kanë parë një rritje të konsiderueshme në rezervime dhe sipas të dhënave të personave që kanë shfletuar në këtë faqe të famshme në internet.

Në vendin e parë renditet Shqipëria, e cila ruan një raport të shkëlqyeshëm të cilësisë dhe çmimeve, historisë dhe traditave, si dhe bregdetit të mrekullueshëm. Gjatë 2017 numri i vizitorëve u dyfishua, krahasuar me vitin e kaluar.

Historia dhe traditat, por mbi të gjitha natyra dhe plazhet që të lënë pa frymë, që nuk i kanë asgjë zili atyre të Tropikëve: Shqipëria është në krye të listës Top 15 të Volagratis.com, në sajë të raportit të shkëlqyer të cilësisë dhe çmimeve.

Agjencia italiane sugjeron turistët për të vizituar Shqipërinë gjatë korrikut dhe gushtit, pasi janë muajt kur dielli është i garantuar dhe deti është më i ngrohtë. Por edhe në pjesën tjetër të vitit, Shqipëria ende ofron një larmi të jashtëzakonshme të peizazheve dhe territoreve. Për ata që duan të përfitojnë nga çmimet më të ulta, shtatori është koha e duhur.

Në vendin e dytë gjejmë Tanzaninë, mbretërinë e natyrës së paprishur që tërheq më shumë aventurierët me ofertën e saj të pasur të safaris, trekking, snorkeling dhe zhytjes me breshka. Ndërsa në vendin e tretë është Bjellorusia, e cila po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorët italianë falë kështjellave të mrekullueshme. Në listën e Top 15 të Volagratis.com përfshihen edhe Moldavia, Oman, Kroacia, Namibi, Birmania,Bullgaria, Finlanda, Uzbekistan, Maqedonia, Belgjika, Republika Çeke dhe Jordania./ KultPlus.com

“Arti në Proces – Procesi në Art”, ekspozitë sinestezike me artistë dhe kompozitorë shqiptarë e ndërkombëtar në Vjenë

Në galerinë “Ausstellungsraum” në Vjenë më 21 dhjetor hapet ekspozita me artisë dhe kompozitorë, shkruan KultPlus.

Ekspozita “Arti në Proces – Procesi në Art” është pjesa e dytë e ekspozitës “Arti si Hulumtim” që u zhvillua me artist internacional nga USA, Austria, Sllovenia, Franca dhe Italia në Vjenë në maj të vitit 2017. Kjo ekspozitë paraqet veprat e artistëve dhe kompozitorëve kosovar dhe ndërkombëtarë (Spanjë, Rumani, Austri) në Vjenë. Ekspozita është kuruar nga Penesta Dika ndërsa hapet më 21 dhjetor, me fillim nga ora 19.

Sivjet në këtë ekspozitë paraqiten artistët dhe kompozitorët si: Artistet pjesëmarrës: Cesar Escudero Andaluz (ES), Aura Balanescu (RO), Katja Berger (AT), Albana Ejupi (KS), Gaz Ejupi (UK), Shqipe Kamberi (KS), Ardiana Shasivari-Kika (KS) and Valerie Tiefenbacher (AT). Ndërsa kompozitorët pjesëmarrës janë: Sonique Perception, Anyla Berisha (KS) and Stefanie Fridrik (AT)): Rrita Bejtullahu (KS), Erëmira Ҫitaku (KS), Visar Kasa (KS), Anna-Sophie Kern (AT) and Visar Kuci (KS).

Veprat e ekspozuara të artit janë të shoqëruara me kompozime që u krijuan në mënyrë të përshtatshme për secilën prej këtyre veprave vizuale të artit. Vizitorët mund të përjetojnë individualisht këtë përshtypje audiovizive. Me idenë e ekspozitës synaestezike, sidomos njerëzit e verbër ose njerëzit me vështirësi në të pamurit mund t’i përjetojnë veprat vizuale përmes dëgjimit.

Një tjetër qëllim i ekspozitës është të qartësojë pyetjen se si artistët mendojnë dhe bëjnë hulumtime gjatë procesit krijues derisa të bëjnë një përzgjedhje. Përveç veprave aktuale të artit, audienca duhet të jetë në gjendje të ndjekë disa hapa në procesin krijues.

Karakteristikë tjetër është përdorimi i mediumeve te ndryshme: skulptura interaktive digjitale, të cilat ndërveprojnë direkt me audiencën, por edhe piktura, kolazhe (analoge dhe digjitale), film, instalime dhe teknikave të përziera. Këto vepra shoqërohen me skica, foto, tabletë me informacione shtesë, pëlhura dhe materiale të tjera që dokumentojnë procesin e krijimit.

Ekspozita “Arti në proces – Procesi në Art” është e mbështetur nga Ministria e Kulturës në Kosovë./ KultPlus.com

Adelina Ismaili në Festivalin e Këngës në TVSH?

Siç shkruan faqja Eurovision Albania, një faqe aktive sa i përket festivalit të Eurovizionit dhe kësisoj edhe Festivalit të Fundvitit në Radio Televizionin Shqiptar, Adelina Ismaili do të ngjitet në skenën e këtij festivali pas disa ditësh.

Adelina do të ngjitet në Festivalin e TVSH-së për të përshëndetur publikun dhe kësisoj për të kujtuar edhe këngët që ajo dikur këndoi në këtë festival, sikur “Zemrën nuk ta fal” apo “Mos ma gjuj diellin me gur”.

Lajmi nuk është i konfirmuar, por kjo faqe rrallë gabon sa i përket dy festivaleve që janë të lidhura me njëra tjetrën, shkruan KultPlus.

Festivali i Këngës në TVSH do të mbahet me 21,22 dhe 23 dhjetor në Pallatin e Kongreseve në Tiranë. / KultPlus.com

Kostumi më i madh i balonave

Mund të keni parë skulptura me balona në festivale apo karnavale të ndryshme, por nuk keni parë kostumin e veçantë që ka krijuar Tom Kent.

Ky person ka hyrë në Librin e Rekorve Guinnes për kostumin më të madh me balona, me kostumin në karakterin “Pikachu” të “Pokemonit.

Ai kostumin e arriti duke lidhur 350 balona të verdhë, zi dhe të kuq. Me të gjitha këto ai realizoi kostumin 262 centimetra të gjatë dhe 159 centimetra të gjerë, transmeton Albinfo.ch. Për këtë rekord, Tomit iu deshën 10 orë punë./ KultPlus.com

U mbajt takimi letrar Esad Mekuli, “Në kujtim të albanologut Robert Elsie”

Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës ka organizuar takimin letrar “Esad Mekuli”, ku kësaj radhe u mbajt sesion letrar “Në kujtim të albanologut Robert Elsie”.

Me këtë rast, u tha se vdekja e albanologut të njohur amerikan, Robert Elsie është një humbje e madhe për shqiptarët dhe albanologjinë, shkruan rtv21./ KultPlus.com

Dy shkrimtarët e mëdhenj shqiptarë, në një fotografi të vjetër (FOTO)

Po sjellim një fotografi të moçme të dy shkrimtarëve të mëdhenj shqiptarë.

Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli, janë shkrimtarët veprat e të cilëve pak shqiptarë ka që nuk i kanë lexuar, shkruan KultPlus.

Ismail Kadare i nominuar shumë herë për çmimin Nobel për Letërsi, shumë shpejt do të sjellë librin e tij të ri. Ndërsa shkrimtari Dritëro Agolli, i cili ka ndërruar jetë më 3 shkurt të vitit 2017-të, po vazhdon të kujtohet me mall nga adhuruesit e tij të shumtë.

Po e sjellim këtë fotografi ku shihen Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Aziz Nesini…/ KultPlus.com

Arilena Ara këndon “Nëntori” shqip në Rumani (VIDEO)

Mbrëmjen e kaluar është mbajtur finalja e madhe e kompeticionit, The Voice of Romania, ku është shpallur zëri më i mirë i Rumanisë.

E ftuar në këtë event ishte edhe këngëtarja shqiptare, Arilena Ara, e cila ka korrur mjaft sukses në Europën Lindore me “Nëntori”. Për t’i thënë mirupafshim nëntorit për këtë vit e për të prezantuar denjësisht Shqipërinë, Arilena ka dhënë një performancë që ia vlen për t’u komplimentuar.
Veshur me të bardha, e shoqëruar nga balerinë në sfond dhe duke kënduar në shqip, Arilena na dha të njëjtën energji që patëm gjatë festivalit “Kënga Magjike”. Nuk jemi të vetmi që jemi impresionuar nga Arilena dhe performanca e saj, por edhe anëtarët e jurisë duket se nuk kanë pasur asgjë tjetër veçse për t’i dhënë duartrokitje në këmbë këngëtares shqiptare.

I ftuar në finalen e mbrëmshme, ishte edhe këngëtari i njohur italian, Alessandro Safina, i cili këndoi me një prej finalistëve, shkruan Blitz.al. Ne tashmë presim vetëm dhuratën e Arilenës për ne, të cilat nuk janë pak, por 5 këngë për Krishtlindje dhe festa. / KultPlus.com

Rikthehet revista “Shejzat” të cilën e themeloi Ernest Koliqi

Ishte viti 1957 kur revista albanologjike “Shejzat” pa drite u botua për herë të parë, nën themelimin e Ernest Koliqit. Një periodik që u botua në Romë nga një grup mërgimtarësh shqiptarë me njohuri të gjëra në letërsi, gjuhë e histori, numri i fundit i së cilit u botua në vitin 1978.

Sot, pas 6 dekadash nga themelimi i kësaj reviste, studiues e albanologe i japin sërish zë këtij botimi, duke ecur në të njëjtat gjurmë dhe duke iu drejtuar arkivave si dritare të reja të së shkuarës sonë për të gjetur të vërtetën.

Mbi këtë bazë u çel këtë të premte konferenca shkencore “Drita e Arkivave-drite mbi arkivat”, në Ministrinë e Europës dhe të Punëve të Jashtme.

“Përkufizimi ‘Drita e arkivave-drite për arkivat’ na flet mjaft bukur për atë dritë që na lejon të zhvillojmë mendimin tonë, leximin tonë mbi historinë dhe dokumentet”, u shpreh Persida Asllani, Drejtore e Bibliotekës Kombëtare.

“Shejzat janë trashëgimia e vyer që kanë studimet albanologjike. Është një kënaqësi që po i kthejmë studimet nga arkivat. Konferencat zakonisht janë historike dhe nuk e shohin arkivën si një profesion”, tha Ardit Bido, Drejtor i Arkivit Qendror

Kumtesat e albanologeve, arkivuesve, akademikeve e historianeve te shquar sjellin risinë e kësaj konference, pasi shkrimet e tyre janë të botuara pa pritur mbylljen e punimeve të konferencës në periodikun: ”Shejzat korrik-dhjetor 2017”./ KultPlus.com

Në tingujt e luftës dhe paqes, Filharmonia e Kosovës solli një koncert të fuqishëm

Kori dhe orkestra e Filharmonisë se Kosovës, së bashku me katër solistë ishin bashkuar mbrëmë në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, për të sjellë një koncert të fuqishëm me njërën nga veprat e fundit të Haydnit, shkruan KultPlus.

Gili Hoxhaj

Fillimisht në këtë koncert erdhi vepra e popullarizuar e Bethovenit- Uvertura “Coriolan”, për t’i lënë një përmbyllje goditëse me veprën e Joseph Haydan “Missa in Tempore Belli”, apo “Meshë në kohën e luftës”.

Kur orkestrës i bashkohet edhe kori, ky koncert vetëm se fillon rrugëtimin e magjishëm muzikor. Kori, orkestra dhe katër solistë takoheshin në pikë vështrim. Rafet Rudi ishte ai që dirigjoi me shumë pasion, e përkushtim këtë koncert. Sytë dhe duart e tij valëzoheshin me shpejtësi drejt atyre që kishte përballë dhe nga gjithë ky komunikim muzikor jehoi në një mbrëmje që e madhështon edhe më shumë një nga veprat më kolosale të Haydnit.

“Është një vepër në radhën e veprave madhore vokalo-instrumentale që unë po përpiqem të i nxjerrë në dritë. Janë më të vështira sepse kërkojnë staf solistësh, mandej kor dhe orkestër. Jam jashtëzakonisht i lumtur që kori dhe orkestra kanë funksionuar shumë mirë sonte. Kjo vepër ndonëse në titull është “Mesha në kohën e luftës”, në të vërtetë është meshë e paqes, pasi që Haydni ka gjetur forcë ta bëj një vepër humane dhe optimiste”, tha për KultPlus dirigjenti i mbrëmjes Rafet Rudi.

Artistët në skenë i ndante një hapësirë e vogël, për shkak të numrit të madh të tyre. Jo shumë larg tyre, publiku kishte mbushur çdo hapësirë që të mundësonte të dëgjoje këtë interpretim të Filharmonisë.

“Dirigjentet dhe ata që kontribuojnë në këtë koncert gjithmonë e masin vlerën e tyre me reagimin e publikut dhe e vërejtëm që publiku ishte shumë i kënaqur”, u shpreh me shumë emocion Rudi, pasi që u nda nga publiku që dhuroi duartrokitjet më të forta mbrëmë.

Ky koncert kishte vënë përballë katër solistë të shquar, që kishin udhëtuar drejt Prishtinës për t’i dhënë edhe më shumë madhështi këtij koncerti: Mariana Leka – soprano nga Shqipëria, Daniela Diakova – mexosoprano nga Bullgaria dhe Mihail Mihaylov – tenor nga Bullgaria dhe në bas Frano Lufi nga Italia.

Frano Lufi, pas shumë vitesh e ndau skenën me Filharmoninë e Kosovës, kurse kjo mbrëmë shënon koncertin e tij i parë me Filharmoninë në Prishtinë. Ai për KultPlus tha së mbrëmë është ndjerë i mahnitur nga niveli i korit të Filharmonisë, të cilin e quan edhe diamanti i këtij koncerti.

“Kjo është një vepër e mrekullueshme ku kryesisht dominon kori dhe kori sonte ishte i mrekullueshëm dhe ne ndjejmë kënaqësi të madhe kur e dëgjojmë këtë kor dhe unë nuk e dija që kori është kaq i mirë, orkestra nuk diskutohet që është e mirë se ka shumë profesionistë”, u shpreh Lufi.

Ai po ashtu theksoi se ndihet i impresionuar nga interesimi i audiencës për ta ndjekur këtë koncert, duke shtuar se kjo sallë nuk e justifikon një koncert të këtij niveli.

Mes zërave kumbues, kori dhe orkestra jepnin vulën drejt fundit të tij, me thirrjen për paqe, fjalë e cila po e shkrinte fundin e kësaj mbrëmje. Mes kësaj fjale kumbonte në mes një tingulli që t’i kujtonte tamburet e luftës, që Patris Berisha e sillte në perkusione. Pikërisht në këtë pjesë transmetohet mesazhi i veprës së Haydnit “Meshë në luftë”, e cila ishte realizuar në ankthin e luftës , kur Austria ndodhej në pe periudhën kur shtetit qeverisej me dekrete që i sillte imperatori Jozefi II, dhe njëri nga dekretet e famshme të asaj kohe ishte që “asnjë austriak nuk duhet të flet për paqe”.

Drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari tha për KultPlus se ky koncert është rezultat i përgatitjeve dymujore dhe intensive nga kori, ku kori ka pasur edhe rol dominant, ndërsa shtoi se ky koncert është edhe një orientim i Filharmonisë që të sjellë edhe koncerte të tjera të bashkëpunimit të dy njësive, të orkestrës dhe korit.

“Ne mundohemi gjithmonë që publikut t’i sjellim vepra monumentale, nuk është lehtë të realizohet një koncert me një qind njerëz në skenë por Rafet Rudi e ka bërë një punë të mrekullueshme”, tha Jashari për KultPlus.

Ky koncert shënon koncertin e parafundit nga Filharmonia e Kosovës për këtë vit, ndërsa Koncerti i Vitit të Ri, vjen javën tjetër më 23 Dhjetor./ KultPlus.com

Vepër e kulluar e artit poetik

Shkruan Sejdi Gashi

Kujtim Mateli me librin me poezi “Qetësojmë shpirtin e trazuar”.

Puna sistematike disavjeçare prej krijuesi, vrojtuesi dhe studiuesi të zellshëm të kulturës shqiptare përgjithësisht, skalitjet, hetimet dhe kritikat mbi kulturën materiale e shpirtërore, të gjitha këto të bëra me përkushtim, kanë bërë që emri i studiuesit dhe autorit Kujtim Mateli të jetë i njohur për rrethin intelektual shqiptar.

Kësaj radhe, ky krijues i zellshëm dhe mjeshtër i letrave shqiptare, në mjedisin artdashës po paraqitet me vëllimin poetik: “Qetësojmë shpirtin e trazuar”. Siç mund të vihet re që në titullin e veprës, autori para nesh sikur paraqet një lloj paranteze përmes të cilës na bëhet i njohur preokupimi kryesor i autorit, pra fati i atdheut, fati i shqiptarëve. Tipi i krijimtarisë si dhe ideja qendrore që autori Mateli e ka paraqitur në përmbledhjen poetike “Qetësojmë shpirtin e trazuar”, është për t’u çmuar lart.

Në poezitë e këtij vëllimi ndihet shqetësimi se disa gjëra nuk po marrin zgjidhjen e duhur, një dorë misterioze e ka ndërlikuar çështjen shqiptare. Po edhe vetë ne shqiptarët, me paaftësinë dhe servilizmin e disa politikanëve, u kemi hapur oreksin fqinjëve tanë grabitqarë, që ende kërkojnë t`na zhvatin troje e hapësira detare. Autori e qorton rëndë brezin e sotëm sepse: Gjërat e thjeshta i lidhim nyje/Dhe i hedhim udhëkryqeve ku do të kalojnë fëmijët tanë,/Gjithnjë e më shumë po e rrudhim rrethin e kujtesës”.

Ky vëllim përmban poezi që shprehin ndjenja të forta për jetën dhe vdekjen, për dashurinë dhe ndarjen, ku përballen estetikisht e bukura dhe e shëmtuara. Në këtë përballje dhe kundërvënie, zbulohet misioni i njeriut, që me qenien e tij i jep jetë dhe frymë planetit Tokë. Në ciklin poetik “Në verilindje të Atdheut” me nota poetike, autori shpreh dhembje dhe lëngim për ndarjen e pa drejtë që u është bërë shqiptarëve përgjatë historisë dhe njëkohësisht gjen vargje të frymëzuara nga heroizmi dhe mençuria kosovare që i sollën lirinë kësaj pjese verilindore të Atdheut.

Cikli i titulluar “Brigjeve të Vardarit, është pjesa e fundit e librit, ku autori në poezinë “Fisnikëri shkupiane” shpreh ndjenjat e tij më të larta e fisnike, për një botë shqiptare, për një hapësirë gjeografike që frymon dhe jeton shqip, pra për Shkupin e lashtë. Këtu në Shkup thotë autori: “mendimi merr formë e bëhet yll,/ Bëhet erë gjethi dhe bleron lisin e shenjtë të Atdheut”.

Me plot gojën mund të thuhet se përmes kësaj përmbledhjeje poetike, autori ynë, ka ndërtuar artistikisht biografinë e kombit shqiptar.

“Kam jetuar gabim”, fjalimi i fuqishëm i Morgan Freeman

Të kisha më shumë nuk ishte e mjaftueshme.

Unë jam 80 vjeç dhe fatkeqësisht jam shtrirë në një krevat spitali. Kam miliona dollarë në bankë, por unë nuk mund të ble dot shëndet për të shpëtuar jetën time tani. Kam familjarë dhe miliona fansa në mbarë botën, por jam krejtësisht i vetëm tani.

Unë e kam jetuar jetën time gabim dhe nuk dua që kjo gjë të të ndodhë edhe ty. Nëse ke dëshirë të më dëgjosh dhe të ndryshosh, unë mund të të ndihmoj ta ndryshosh të ardhmen tënde. Do të doja shumë që dikush të m’i thoshte këto gjëra edhe mua, kur isha në moshën tënde.

Paraja nuk është vetë e ligë, pasi është thjesht një letër me njëfarë vlere që e përdorim për gjërat që na duhen. Por nëse paraja nuk është e ligë, ju natyrisht e pyesni veten, çfarë është e ligë? E ligë është dëshira obsesive dhe e papushim që kemi për të pasur më shumë. E ligë është të vendosësh një çmim për zemrën dhe shpirtin tënd, duke marrë në këmbim sukses financiar. E ligë është të blesh lumturi sërish e sërish dhe të mos ndalesh.

Imagjino sikur do i humbasësh të gjitha lekët e tua. Çfarë do të të mbetet? Zgjidhja e vetme që njihje, ishte të kërkoje më shumë vetëm për të pasur më shumë. Mirëpo nuk do të kesh më mundësi të kërkosh për lumturi të rreme.

Kështu që, kush je ti tani?

Ku janë të gjithë ata që i mendoje miq, kur ishe i/e rrethuar nga lekët?

Ti mund të kesh humbur familjarët, miqtë, të dashurit e tu dhe gjithë të tjerët rreth vetes falë arrogancës tënde.

Pse?

Për shkak të dëshirës tënde për të pasur më shumë që të devijoi nga qëllimi i vërtetë që duhet të kishe në jetë.

Unë nuk po them se nuk mund të jesh financiarisht i suksesshëm. Unë po them se duhet të kesh një qëllim të madh për të arritur në jetë, larg atij për të qenë financiarisht i suksesshëm. Ti mund të ndryshosh vetëm, nëse e ndryshon konceptin që ke për suksesin.

Ti mund të ndryshosh marrëdhëniet e shkatërruara dhe të ndërtosh marrëdhënie të reja. Ti mund të falësh veten tënde dhe ata që të lënduan. Ti mund të bëhesh një lider duke pasur si frymëzim një person, të cilin do ta arrish. Ti mund të ribalancosh prioritetet e tua në jetë. Ti mund të shërosh martesën tënde dhe të krijosh një dashuri të fortë që kurrë nuk e mendoje të mundshme. Ti mund të bëhesh prindi më fantastik i mundshëm në çdo moshë, edhe në moshën 80 vjeçare, por mos prit deri në atë moshë. Ti gjithmonë do të kesh mundësi të bësh më shumë para, por nuk do të kesh mundësi të fitosh më shumë kohë.

Një ditë ne të gjithë do të vdesim. Për çfarë do ti që të të kujtojnë? Cili është qëllimi yt më i madh në këtë botë?

Sot ti do të përballesh me një botë ku ekziston dashuria e vërtetë, por do të kuptosh se dashuria për ty ka qenë ajo dëshira jote e fortë për të pasur më shumë. Transformoje atë dashuri në një dashuri tjetër me ndjenja.

Dhuro ndjenja përditë e më shumë nga vetja dhe pavarësisht se si do të venë gjërat, mos u pendo.

Bota ka nevojë për ty më shumë se kurrë.

Së bashku, dashuria, vullneti, mirësia, falja dhe besimi në njerëzim do ta mundin të ligën në botë. Një herë e përgjithmonë./ KultPlus.com

Komisioni Parlamentar refuzon kërkesën për ngritje të pagave për aktorët, MKRS premton që do të vazhdojë betejën

Sarandë Selimi

Aktorët rezident të Teatrit Kombëtar të Kosovës, pas shumë kërkesave drejtuar MKRS-së, për rritjen e pagës bazë, e poashtu pas nisjes së grevës deri në plotësimin e kërkesave të tyre, patën arritur marrëveshje me ministrin e Ministrisë së Kulturës së Republikës së Kosovës.

Më 17 tetor ishte ndërprerë greva e aktorëve rezident të Teatrit Kombëtar të Kosovës, dhe ministri Kujtim Gashi, pati dorëzuar një propozim për amendamentimin e Ligjit të Buxhetit për vitin 2018-të, ku është kërkua që në këtë amendament të parashihet rritja e pagave për krijuesit dhe performuesit e kulturës dhe punonjësve profesional të trashëgimisë kulturore.

Por, dje ky amendament është refuzuar nga Komisioni Parlamentar përkatës për kulturë.

Lajmin e ka konfirmuar për KultPlus, Jehona Shyti-shefe e kabinetit të ministrit të Ministrisë së Kulturës, Kujtim Gashi.

“Është për të ardhur keq ky veprim i deputetëve që janë barikaduar kundër një kërkese shumë legjitime dhe shumë të arsyeshme për një komunitet kaq me rëndësi, që fatkeqësisht akoma ka paga minore. Sidoqoftë, ne do ta vazhdojmë betejën për rritjen e pagave të tyre, duke i përdorur të gjitha metodat e ligjshme. Këtë kërkesë prapë do ta shtrojë ministri Gashi në seancën parlamentare kur do të diskutohet Ligji për Buxhetin”, ka thënë ër KultPlus, Jehona Shyti.

Rikujtojmë se Trupa Rezidente e Teatrit Kombëtar të Kosovës ka kërkuar që pagat e tyre të nivelizohen me ato të profesorëve të Universitetit të Prishtinës, dhe një kërkesë e tillë ka koston në vlerë prej mbi një mijë eurove për një aktor./ KultPlus.com