Krishtlindjet e para pa George Michael, familja ndan dhimbjen dhe kujtimin për të

Krishtlindjet e shkuara, bota humbi këngëtarin e hiteve të mëdha George Michael. Këngëtari vdiq në moshën 53 vjeçare , pikërisht në Ditën e Krishtlindjeve të vitit 2016, përcjellë KultPlus.

Për familjen dhe miqtë e tij, ai njihej me pseudonimin “Yog”. Familja e tij ndau një kujtesë prekëse një vit pas vdekjes së tij. Duket se ky vit ka qenë mjaft i vështirë për familjarët dhe fansat e tij pasi që zëri i këngëtarit vjen vetëm përmes këngës.

“Këtë vit ka pasur një sërë sfidash të reja dhe të vështira për ata që kemi qenë të afërt dhe besnikë ndaj Yog-it, jo pak prej neve po përgatiteshim që këtë muaj, të dëgjojmë “Last Christmas” dhe “December song” që dëgjohet në dyqane, dhe radiot, siç ka ndodhur për dekada të tëra. Duke e ditur se ai nuk është më këtu me ne, na mungon shumë “, ka shkruar familja në faqen e tij të internetit.
“Kjo Krishtlindje do të jetë e vështirë pa të, por ne e dimë se nuk jemi vetëm në dhimbjen tonë për përvjetorin e humbjes së tij dhe se trishtimi i familjes sonë të gjerë dhe miqve tanë të vërtetë ndahet me shumë prej jush”, kanë shkruar tutje familjarët e tyre.

Fansat dekoruan gjithashtu shtëpinë e Michael në Gorin-on-Thames me lule dhe shënime të shkruara me dorë.
“Yog, i cili e donte Krishtlindjen dhe gjithmonë shpresonte se do të binte borë … do të donte që secili prej jush që e admironte dhe e donte atë, (po – ai e di që ju donit!) që t’i dedikoni atij një çast, për të ngritur një gotë, për të shijuar muzikën e tij dhe për të menduar me dashuri, duke u siguruar që po e shfrytëzoni kohën tuaj dhe të vlerësoni familjen dhe miqtë tuaj, “shkroi familja e tij në letrën dedikuar një vjetorit të vdekjes se tij./ KultPlus.com

Denzel Washington: Vendosni Zotin të parin

“Së pari, vendosni Zotin të parin në çdo gjë që bëni. Çdo gjë që shihni tek unë, çdo gjë që unë kam arritur, çdo gjë që mendoni se unë kam, ka ardhur prej mirësisë së Zotit. Kuptojeni këtë gjë.
42 vjet më parë, në mars të 1975, unë isha në universitet me një mesatare shumë të ulët. Isha ulur në sallonin e bukurisë së mamasë sime dhe shoh veten në pasqyrë. Pas vetes shoh një grua dhe sa herë unë shikoja në pasqyrë, e dalloja që ajo po më shihte mua drejt e në sy, derisa në një moment më tha:
“Djalë, ti ke për të udhëtuar në mbarë botën dhe ke për të folur përpara miliona njerëzve”.
Në atë kohë unë nuk e besoja, por tani e them me siguri se unë kam udhëtuar nëpër botë dhe kam folur përpara miliona njerëzve.

Nuk ka rëndësi suksesi që kam pasur, por ajo që më tha ajo grua atë ditë dhe që unë akoma nuk e kam harruar. Unë jam rrëzuar, jam udhëhequr, jam korrigjuar nga të tjerët. Kam mbajtur Zotin në jetën time dhe Ai më ka bërë të jem dashamirës me të tjerët. Ndoshta jo gjithmonë jam mbajtur tek Ai, por Ai gjithnjë më ka shoqëruar. Ndaj mbështetuni tek Zoti në çdo gjë që bëni. Nëse doni të bëni atë që unë kam bërë, atëherë bëjeni dhe mbështetuni në Zot.

Së dyti, mos u ndjeni keq nëse dështoni rëndë. Si fillim, bëni atë që e pëlqeni dhe e keni pasion. Ndërmerrni rreziqe dhe mos iu trembni dështimeve, edhe nëse dështoni rëndë.
Ëndërroni shumë, por mbani mend se ëndrrat pa realizim janë thjesht ëndrra. Kështu që, ëndërroni dhe realizoni diçka çdo ditë, çdo javë, çdo muaj, çdo vit… Për t’i realizuar ato, kujtoni gjithmonë se ju duhet vendosmëri dhe disiplinë.

Puna e fortë jep gjithmonë rezultate pozitive. Këtë gjë bëjnë edhe personat e suksesshëm. Ata punojnë fort. Mirëpo ju mos prisni që puna më e madhe të sjellë më shumë të mira në jetën tuaj. Jo gjithmonë mundimi dhe progresi ecin njëkohësisht…

Së treti, nuk do merrni gjë me vete nga kjo botë. Asgjë nuk ka të bëjë me çfarë keni, por me çfarë bëni me gjërat që keni. Të gjithë ne kemi talente të ndryshme dhe gjëja më egoiste që mund të bëjmë është të ndihmojmë dikë tjetër. Pse është egoiste?

Sepse përfiton vetë ndjenjën e mirë. Ndjenja që unë marr kur ndihmoj të tjerët, nuk krahasohet me makinat, shtëpinë e madhe apo me çdo gjë tjetër që unë kam. Suksesi ka të bëjë pikërisht me ndihmën që ne i ofrojmë të tjerëve.

Së fundmi, dua të të kujtoj se duhet të jesh falenderues për çdo gjë që ke. Kështu e jetoj unë jetën time. Kjo është arsyeja se pse unë jam ky që jam sot. Falendero Zotin për çdo gjë që ke në jetën tënde.
Dëshira e madhe në zemrën tënde, ajo gjë që ju doni të bëni me veten tuaj, është prova më e madhe që Zoti të jep paraprakisht për të të bërë të kuptosh se ajo është jotja. Dhe ti mund të kesh çdo gjë të mirë që dëshiron.

Puno fort që ta arrish. Kur e arrin, ktheje kokën mbrapsht dhe ndihmo dikë tjetër të ngrihet bashkë me ty. Njëri të na mësojë të gjithëve, dhe të gjithë të mësojmë njërin. Frymëzojini të tjerët të bëjnë ndryshime pozitive!”./Bota.al

Banorët e Bethlehem: Presidenti Trump shkatërroi Krishtlindjet pas vendimit për Jerusalemin

Vendasit në qytetin e Betlehemit po fajësojnë Presidentin Trump se ua ka shkatërruar festën e Krishtlindjes pas vendimit të tij për të njohur Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit, përcjellë KultPlus.

Sheshi i qytetit u mbush me marshin e përvitshëm të Krishtlindjeve, nga besimtarët që morën pjesë në Meshën e Mesnatës të dielën, por turmat ishin dukshëm në numër më të vogël.

Vendorët thonë se turizmi ishte më i ulët se vitin e kaluar. “Trump është arsyeja e parë që kjo është një Krishtlindje e trishtuar për neve”, tha për Jerusalem Post, Khulud Ilayan, një student në Universitetin e Hapur të Al-Quds. “Unë shoh më pak njerëz këtu dhe njerëzit janë të trishtuar. Të gjithë njerëzit këtu nuk e duan atë njeri “.

Turistja franceze Claire Degout tha se vendimi i Trump nuk e pengoi atë për t’i festuar Krishtlindjet në Tokën e Shenjtë. “Vendimi i një njeriu nuk mund të ndikojë në të gjithë Tokën e Shenjtë, Jerusalemi i takon të gjithëve, ju e dini, dhe do të jetë gjithmonë kështu, çfarëdo që thotë Trump”, tha turistja franceze Degou.

Presidenti njoftoi më 6 dhjetor se do të njohë Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit dhe tha se Ambasada e SHBA do të shkojë në Qytetin e Shenjtë. Njoftimi i tij nxiti protesta masive në Bregun Perëndimor, Rripin e Gazës dhe afër Betlehemit, që është në jug të Jerusalemit./ KultPlus.com

“Fëmija i parë” i Vaçe Zelës, kënga që qëndron thellë në kujtesën e adhuruesve (VIDEO)

Ikona e muzikës shqipe Vaçe Zela, edhe pse fizikisht nuk ndodhet më në mesin e adhuruesve të saj, zëri i saj ende vazhdon të kumbojë mes tyre.

KultPlus, sot po e kujton Vaçe Zelën, dhe këngën e saj “Fëmija i parë”.

Kjo këngë u këndua në edicionin e parë të Festivalit të Këngës në RTSH, në vitin 1962. Është kompozuar nga Abdulla Grimci me tekst të Dionis Bubanit.

Në atë edicion nuk u dha asnjë çmim i parë, morën çmim të dytë “Këndoj”, “Lule të bukura sjellë pranvera” dhe “Vashëzo”. Ndërsa çmimi i tretë i takoi “Fëmija i parë dhe “Mos më qorto”./ KultPlus.com

Nesër vijnë “Nuset” e Mina Krasniqit (FOTO)

Mina Krasniqi nesër do të prezantoi ekspozitën e saj personale, në Hanin te Fakulteti i Arteve, e cila do të hapët në ora 17:00, shkruan KultPlus.

Ekspozita titullohet “Nuset” ndërsa ajo sjellë portrete të nuseve “unë pikturoj veten si mjet i një mitologjie të improvizuar, pasqyroj veten, bukurin e femrës, butësinë dhe ëndrrën qe ato pretendojnë ti kenë realitet”, kështu është shprehur artistja Mina Krasniqi lidhur me punën që do të ekspozohet nesër në kryeqytet./ KultPlus.com

Fjalimi i mbretëreshës Elizabeth për Krishtlindje (VIDEO)

Mbretëresha Elizabeth, sikur çdo vit ka dhënë mesazhin vjetor të Krishtlindjeve në të cilin ka falënderuar bashkëshortin e saj tashmë pensionist për “ përkrahjen dhe sensin e tij të veçantë të humorit”, përcjellë KultPlus.

Në paraqitjen e saj, të filmuar në dhomën e Pallatit të Buckinghamit, Mbretëresha e lavdëroi Dukën e Edinburgut, i cili u tërhoq nga përgjegjësitë publike në gusht të këtij viti. Ajo gjatë fjalimit të saj thotë “unë e di se mbështetja e tij dhe sensi i tij unik i humorit do të mbeten më të forta se kurrë, përderisa ne kënaqemi në këtë kohë Krishtlindjesh me familjen tonë dhe presim që anëtarë të rinj t’i bashkohen familjes tonë në vitin e ardhshëm “, ka thënë mbretëresha në fjalimin e saj.

Ajo në këtë video paraqitet pranë fotografive të familjarëve të saj, ndërsa të veshur ka një fustan të fildishtë, me ngjyrë të bardhë nga Angela Kelly. Ajo gjatë fjalimit të saj gjithashtu vlerësoi “identitetet e fuqishme” të Londrës dhe Mançesterit që kanë “shkëlqyer” përballë sulmeve terroriste të këtij viti.

Ajo vazhdoi duke thënë se “Në këto Krishtlindje, unë mendoj për Londrën dhe Mançesterin, identitetet e fuqishme të së cilave kanë shkëlqyer përgjatë dymbëdhjetë muajve të fundit përballë sulmeve të tmerrshme. Në Mançester, këto sulme përfshinë fëmijët që kishin shkuar të shihnin këngëtaren e tyre të preferuar. Disa ditë pas sulmeve, kam pasur privilegjin të takoj disa nga të mbijetuarit e rinj dhe prindërit e tyre “, ka thënë mbretëresha në fjalimin e saj të Krishtlindjeve.

“Ne mendojmë për shtëpitë tona si vende të ngrohtësisë, familjaritetit dhe dashurisë, ku ndajmë tregimet dhe kujtime e përbashkëta, gjë që është ndoshta arsyeja pse në këtë kohë të vitit shumë njerëz kthehen aty ku ata janë rritur. Për shumë njerëz, ideja e “shtëpisë” arrin përtej një ndërtese fizike”, ka thënë mbretëresha Elizabeth.

Ky fjalim vjetor, këtë vit është transmetuar nga Sky News dhe është incizuar në dhomën 1844, të pallatit e cila është zbukuruar me një pemë të madhe dhe përmban fotografi familjare./KultPlus.com
https://www.youtube.com/watch?v=bYiJ50TcWp8

Kur Rita Ora performoi para familjes Obama (VIDEO)

Këngëtarja e njohur shqiptare Rita Ora e cila ka zgjedhë këtë vit që të kalojë festën e kërshëndellave pranë familjes së saj, ka kujtuar një moment shumë të rëndësishëm të karrierës së saj që lidhet pikërisht me festën e kërshëndellave, shkruan KultPlus.

Ajo me ndjekësit e saj ka ndarë videon e vitit 2014, atëherë kur pat performuar në festën e kërshëndellave të organizuar nga familja Obama, ku këngëtarja Rita Ora pat performuatr në këtë festë që konsiderohet të jetë e paharruar për të./KultPlus.com

“Kravata, këmisha, para e qorapa”- ta ndihmojmë kryeministrin (FOTO)

Përballë objektit të qeverisë ka nisur aksioni simbolik ‘humanitar’ me moton “Kryeministër na po vim met ndihmu”, përmes së cilit njerëz ‘të vullnetit të mirë’ po ndihmojnë kryeministri Ramush Haradinaj.

Kravata, këmisha, para e qorapa po i dhurohen Haradinajt, për shkaka se ia ka rritur pagën vetes qindpërqind, e që tani e merr 2950 euro. Në një emision televiziv Haradinaj ka thënë se duhet të blejë këmisha dhe kravata dhe si kryeministër nuk mund të dal gjithqysh.

Një profesor ka dhuruar një kimik, në shënjë protestë për deklaratën e Haradinajt, me të cilin tha se mund ta nënshkruaj demarkacionin.

“Kravata, këmisha, para e qorapa” – ta ndihmojmë kryeministrin. Përballë objektit të qeverisë ka nisur aksioni simbolik ‘humanitar’ me moton “Kryeministër na po vim met ndihmu”, përmes së cilit njerëz ‘të vullnetit të mirë’ po ndihmojnë kryeministri Ramush Haradinaj.

Kravata, këmisha, para e qorapa po i dhurohen Haradinajt, për shkaka se ia ka rritur pagën vetes qindpërqind, e që tani e merr 2950 euro.

Në një emision televiziv Haradinaj ka thënë se duhet të blejë këmisha dhe kravata dhe si kryeministër nuk mund të dal gjithqysh. Një profesor ka dhuruar një kimik, në shënjë protestë për deklaratën e Haradinajt, me të cilin tha se mund ta nënshkruaj demarkacionin, shkruan insajderi.
“Nga mllefi ndaj deklaratës së tij, po e dhuroj këtë kimik, le ta nënshkruaj demarkacionin”.

Nga ana tjetër këshilltari i Haradinajt Halil Matoshi ka dal afër aksionit të cilëve u ka dorëzuar raportin e punës 100 ditore. Edhe atij iu dhurua një kravatë.

Organizatori i kësaj protestë artistike, Kushtrim Mehmeti, tha se janë organizuar për t`i siguruar kryeministrit kravata dhe këmisha, në mënyrë që të mos shqetësohet për këtë çështje.

“Kërkojm nga kryeministri me ul pagën se për krevata e kmisha ja sigurojm na. Edhe numrin e zëvendësministrave më ulë, se për ckado që ka nevojë popullin mbrapa e ka bile edhe me ia shty kerrin e me ja ndrru rrotat nëse ka nevojë”, tha ai. “Për qikaq sa kemi mundësi skemi me lane kryeministrin me heke për sot e 700 vjet”.

“Zoti i masakrës”, përmbys kulturën e dialogut në zmadhues të problemit

Me tekst të Jasmina Reza e regji të Besfort Idrizit, mbrëmë për publikun prishtinas erdhi premiera e shfaqjes “Zoti i masakrës”, në Teatrin Kombëtar të Kosovës, duke e përmbyllur kështu ciklin e premierave në këtë institucion, shkruan KultPlus.

Gili Hoxhaj

Teksti i dramaturges së njohur botërore Jasmina Reza, që mbrëmë erdhi në shqip në skenën e vogël të TKK-së, kishte pasur një sukses mjaft të madh në gjuhën origjinale, në frëngjisht dhe po thuajse në të gjitha gjuhët në të cilat është luajtur. Ajo është fituese e çmimeve të mëdha, dhe disa nga çmimet e saj lidhen pikërisht me këtë dramë.

Regjisori nga Maqedonia, Besfort Idrizi këtë dramë qëllimisht ua ka besuar aktorëve të rinj por tashmë të dëshmuar në rolet e tyre. Donikë Ahmeti mbrëmë erdhi me një rol mjaft dinamik atë të Veronikës, e Shpëtim Selmani luante rolin e bashkëshorti të saj Mikelit, May-Linda Kosumovic erdhi në rolin e Anetës, kurse Fisniku ishte bashkëshorti i saj që mbrëmë erdhi në lojën e Labinot Racit.

E gjithë ngjarja shtjellohet brenda dhomës së pritjes së Veronikës dhe Mikelit prindërve të Brunos, të cilët presin në takim një familje tjetër të shtresës së lartë, dy prindërit e Liridonit, Fisnikun dhe Anetën. Në këtë takim, këta dy prindër i kishte sjellë zënka e fëmijëve të tyre. Bruno, i kishte thyer të dy dhembët Liridonit, dhe shkaku i krejt kësaj ishte se Bruno nuk e kishte pranuar atë në bandën e tij, madje e kishte quajtur dhe spiun. Për të ardhur tek këto shkaqe dhe ndoshta për t’u zhveshur nga përgjegjësitë e tyre si prindër për sjelljet e fëmijëve, ata hyjnë në një dialog, nga i cili dalin si mos më keq.

Kjo shfaqje tërë fokusin e zhvendos tek çdo detaj me të cilin aktorët ndërveprojnë në skenë. Brenda saj nuk ka hapësirë për asgjë tjetër përveç dialogut të aktorëve, duke shpërfaqur kështu ndërveprimet njerëzore, përmes komunikimit. Në fillim të takimit të këtyre dy familjeve, takimi duket të jetë shpresëdhënës, edhe pse tejet sipërfaqësor në dukje. Mirësjellja që ata shfaqin në fillim brenda pak çastesh kalon në një trajtë krejtësisht tjetër. Ata ndonëse të mbledhur për ta zgjidhur problemi e fëmijëve të tyre, duket se kalojnë vet në fëmijë, dhe në çdo fjalë duke i hapur edhe më tutje një shteg të ri problemit. Në të shumtën e rasteve, bisedat e tyre ikin nga çështja kryesore, duke shpërfaqur komplekset e martesës së tyre, e rrallë ndonjëherë duke i ndërfutur ato me pasojat që kjo mund t’i ketë pasur në sjelljen e fëmijëve të cilët i kishin sjellë në atë gjendje. Veronika, është personazhi i cili më së shumti insiston për të mos iu larguar problemit për të cilin bashkohen, e bisedat e tyre shpesh ikin nga konteksti pas telefonatave të babit të Liridonit, Fisnikut, e që bën që bashkëshortja e tij të dehet e ta dëmtoi telefonin e tij drejt jofunksionimit.

Besfort Idrizi nga Maqedonia, vjen për të parën herë si regjisor në Kosovë, thotë se kjo shfaqje brenda vetës gjeneron shumë tema, por kultura e debatit është segmenti kryesor i shfaqjes.

“Teksti i kësaj shfaqje ndërthur në vete shumë tema, nuk është që ka vetëm një temë gjenerale dhe e gjithë shfaqja të bëhet për atë, por nëse përpiqemi që të nxjerrim një temë do të ishte kultura e dialogut, për t’u marr me një problem”, tregoi Besfort Idrizi për KultPlus.

Ai thotë se përmes kësaj shfaqje sjellë dialogun si pjesë të kulturës në kontekstin e Ballkanit, e veçmas të popullit shqiptar.

“Kemi pak mungesë të dialogut, të kulturës së argumentimit kështu që në të shumtën e rasteve edhe kur nisemi me idenë më fisnike për të bërë një dialog apo argumentim në të shumtën e rasteve fillojmë të merremi me gjëra personale dhe asesi nuk mundemi ta mbajmë nivelin e duhur të debatit”, pohoi Idrizi, i cili shtoi se ky problem është i pranishëm në të gjitha fushat, që nga elitat politike deri tek rastet e përditshme.

Duke qenë se teksti origjinal i kësaj shfaqje shtrihet në Francë, Besforti tregoi se ideja e tij thelbësore ka qenë që atë tekst ta adaptoi për publikun kosovar, duke shtuar se çdo kush mund ta gjej vetën në mesin e dy familje që paraqiten në këtë shfaqje.

“Fillimisht, kemi të bëjmë me probleme të fëmijëve, të cilët zgjedhin mënyra të dhunshme dhe jo dialogun dhe kjo përcillet edhe tek prindërit e tyre , ndërsa teksti përmban edhe tema të ndryshme që lidhen me keqpërdorimin e barnave farmaceutike në tregun në Kosovë. Këto kanë qenë edhe idetë e mija që të fus edhe shumë ide të tjera brenda tekstit që ngjarja të komunikoi me komunitetin dhe temat të cilat i prekin kosovarët, pra të mos jetë një shfaqje që flet për dy fëmijë që janë diku larg por për dy familje në mesin tonë”, tregoi regjisori Idrizi për KultPlus.

Po ashtu pjesë e ekipit të kësaj shfaqje janë edhe skenografi Enes Deari dhe kostumografi Ines Golia nga Shkupi. Për të gjithë ata që duan të shijojnë këtë tragjikomedi, repriza e parë do të shfaqet sonte më 26 dhjetor dhe nesër më 27 dhjetor, duke filluar nga ora 20:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës./ KultPlus.com

Njëzet poezi dashurie dhe një këngë e dëshpëruar

Poezi e shkruar nga Pablo Neruda.
Përktheu: Aida Dizdari.

Trup gruaje, kodërbardhë e kofshëzbehur
ne lëshimin tënd i shëmbëllen botes.
Te rremon trupi im prej fshatari te pagdhendur
dhe fëmijën e nxjerr prej fundit te tokës.

Vetëm isha, si galeri. Zogjtë prej meje merrnin arratinë
dhe brenda me hynte nata me me te egrin pushtim.
Për t’i mbijetuar vetes me zjarr te bëra arme,
si gur për hobenë time, shigjete për harkun tim.

Por vjen ora e hakmarrjes, dhe te dashuroj atëherë.
Trup prej lëkure, myshku, qumështi te pangopur e te qete.
Ah kupa te gjoksit! Ah sy mungese!
Ah zë i lehte e i trishtë! Ah trëndafila Venere!

Trup i gruas sime, ne hiret e tua do mbetem.
Etja ime, ankthi im pa kufinj, ecja ime e pasigurt!
Burrana te thella ku etja e përjetshme mbetet,
lodhja është, dhe dhembja pafund.

Rrëfen aktorja Marjeta Ljarja: Kur u bëra nuse e bëra vetë grimin

Ata ngelen padyshim një nga çiftet ikonë të kinematografisë shqiptare. Bëhet fjalë për Marjeta dhe Rikard Ljarjan. E ftuar në Pasdite në Top Channel, aktorja e njohur tregoi për herë të parë në publik takimin e saj me Rikardin gjatë xhirimit të një filmi. Po ashtu ajo u ndal edhe tek dashuria e tyre si dhe martesën dy vjet më pas.

“Unë ngelem fëmija, me ëndrra të vazhdueshme, ndërsa Rikardi është natyrë tjetër, më i rëndë, i zhytur në botën e tij të librave, por çiftet kështu janë, të kundërta”, tha Marjeta. Ajo tregoi se sot ata janë bërë gjyshër. “Sot gëzojmë vajzën, djalin, fëmijët e tyre dhe presim të tjerë siç vazhdon jeta. Unë kam bërë lëshime dhe falënderoj Rikardin që ka bërë lëshime ndaj meje”, tha aktorja.

Ajo ka kujtuar edhe ditën e dasmës, kur është bërë nuse vetë. “Po, po, e thjeshtë siç kam qenë gjithmonë dhe tani që mezi pres ta heq grimin, ashtu kam qenë dhe ditën e dasmës. U rregullova vetë, shpejt e shpejt rregullova flokët, vendosa ato lulet…Por atëherë ishte gjithçka për herë të parë dhe shkëlqenin sytë. Sot po të më japësh një fotografi duhet të më thuash cila është nusja. Ti mund ta kesh njohur vajzë, por nuk e njeh nuse”, pohoi aktorja./KultPlus.com

Flaka Krelani dhe Kejsi Tola, sikur Whitney dhe Mariah (VIDEO)

Në edicionin e 56-të të Festivalit të Këngës në RTSH, kanë parakaluar mysafirë të shumtë.

Disa kanë kënduar e disa jo. Ndër ata që kanë kënduar janë edhe Flaka Krelani dhe Kejsi Tola. Ato sollën fuqishëm këngën “When you believe”, këngë kjo e kënduar nga Whitney Houston dhe Mariah Carey.

Po sjellim videon ku dy vajzat shqiptare këndojnë këtë këngë./ KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=OYbtXiyZRgk

Ka vdekur aktorja Heather Menzies-Urich

Aktorja Heather Menzies-Urich, e njohur për portretizimin e Louisa von Trapp në filmin e vitit 1965 “Sound of Music”, vdiq natën e së dielës në Frankford, Ontario.

Ajo ishte 68 vjeç.

Menzies-Urich, e veja e aktorit Robert Urich, ishte diagnostikuar kohët e fundit me kancer, sipas djalit të saj Ryan Urich.
Urich tha se nëna e tij vdiq në prag të Krishtlindjes, të rrethuar nga fëmijët e saj dhe anëtarët e familjes, transmeton Klan Kosova./ KultPlus.com

Shkrimtarët: Viti 2017 kaloi me shumë probleme, në 2018 kërkojmë më shumë projekte nga Ministria e Kulturës

Në ditët e fundit të këtij viti shkrimtarët akuzojnë Ministrinë e Kulturës për mungesë vëmendje, promovimi dhe ndihme për krijimtarinë. Nuk është hera e parë që ata i drejtohen Ministrisë së Kulturës, që sipas tyre nuk ka bërë atë që prisnin autorët shqiptarë. Por dhe në ditët e fundit të këtij viti ata i kujtojnë Ministrisë së Kulturës, që është krijuar një sistem i tërë që sjell probleme.

Shkrimtarët Pandeli Koçi dhe Vasil Premçi vijnë në vijim të zërave kritikë ndaj politikave të ndjekura nga ministria. Shkrimtari Pandeli Koçi pohon se vitin që vjen duhet të mendohet për më tepër projekte në ndihmë të autorëve shqiptarë.

“Presim që të kemi më shumë projekte nga Ministria e Kulturës vitin që vjen për autorët dhe krijimtarinë, sa më shumë vëmendje edhe nga MAS për botimin e librave për lexim jashtëshkollor, të vihet sërish bordi i MAS, i cili do jetë në ndihmë të mësuesit për ti rekomanduar nxënësve librat që duhen për edukimin e tyre letrar. 2017 po mbyllet me mosinteresimin për letërsinë për fëmijë, pra mungoi vëmendja e duhur gjë që u pasqyrua dhe në panairin e librit të këtij viti”, pohon shkrimtari Koçi.

Mosvlerësimin ai e shikon te mungesa e vëmendjes së letërsisë artistike.

“Në panair nuk u vlerësua asnjë libër letrar, por një libër biografik për fëmijë, nuk u vlerësuar libri letrar për të parë se ku është niveli i letërsisë për fëmijë në këto vite”, vijon ai.

Sipas shkrimtarit Koçi, i cili në aktivitetin e tij vijon me krijimtarinë letrare për të rritur edhe për autorët që nuk jetojnë më duhet të tregohet një kujdes për botimin e veprave.
“Për 2018 mirë është që librat dhe veprat e autorëve shqiptarë duhet të kenë tjetër vëmendje. Të ndihmohen më shumë përmes projekteve autorët shqiptarë sigurisht ata që janë më të njohur dhe kanë zhvilluar krijimtari letrare që herët, por që edhe vijojnë ende me sukses. Të ketë politikë nxitëse dhe për autorët e rinj në krijimtari, zhvillim konkursi, etj. Por njëkohësisht për autorët që nuk jetojnë si Pjetër Arbnori, Pano Taçi, etj, që nuk patën mundësi në kohën e diktaturës të botonin librat e tyre duhet të rikujtohen, vepra e tyre të bëhet sa më popullore. Pra sot me keqardhje shikoj që kemi problemin e një harrese të dhimbshme ndaj këtyre vlerave të njerëzve që i kushtuan jetën letërsisë. U nda nga jeta Kasëm Trebeshina, kush ka qenë kujtuar për veprat e tij”, thotë shkrimtari Pandeli Koçi.

Një sistem me probleme

Me të njëjtin qëndrim është dhe autori Vasil Premçi. Sipas tij ndërsa po lihen edhe autorë të vlerësuar në harresë në letërsi, nga ana tjetër po marrin merita emra vetëm pse kanë mbështetjen e ministrisë.

“Ne habitemi, ndjehemi si të tromaksur kur dëgjojmë libra të pamerituar, që kanë një dorë shtetërore që i vë ata në piedestal. Por për ato vlera të pamerituara, jepen edhe çmime të pamerituara. Shkrimtarët punëtorë në përgjithësi janë të dënuar, përjashtuar nga promovimi, vlerësimi i ministrisë. Autoritetet shtetërore që duhet të shohin me dylbi vlerat dhe ti mbledhin, por bëjnë sikur nuk shohin. Më shumë pres dhe e them me ironi nga Babagjyshi i Vitit të Ri se sa nga ajo ministri që është e Kulturës”, pohon shkrimtari Premçi.

Nuk është hera e parë gjatë këtij viti që shkrimtarët kanë kërkuar mbështetje dhe promovim për autorët e njohur, por sipas Vasil Premçit është një sistem i tërë me probleme, shkruan SotNews. “Nuk janë mbështetur autorët shqiptarë. Që nga formulimi i ligjeve, ndihma për botim, e deri te shtija në treg e librave, kanë vënë barriera të jashtëzakonshme. Është faji i gjithë sistemit. Edhe në 2018 nuk pres ndonjë ndryshim. Janë rregulluar gjërat midis burokracisë shtetërore dhe shtëpive botuese, që gjërat të rrjedhin në favor të tyre, por jo në atë të shkrimtarit, i cili nuk mundet dot ti gëzohet suksesit të tij. Është ndërtuar një sistem i tillë që sjell probleme me librin, nuk na intereson emri në ministri se kush po drejton, por sistemi i cili sjell gjithë problemet”, përfundon në reagimin e tij shkrimtari./ KultPlus.com

50 vjetori i rithemelimit të Institutit Albanologjik të Kosovës

Nesër më 27 dhjetor, Instituti Albanologjik në Prishtinë, feston 50 vjetorin e rithemelimit, shkruan KultPlus.

Për nder të këtij përvjetori ky institute mbanë një Akademi Solemne në ambientet e tij, më 27 dhjetor me fillim nga ora 11:00./ KultPlus.com

33 vjet nga realizimi i “Last Christmas” nga George Michael vazhdon të mbetet hit i kërshëndellave (VIDEO)

Kjo këngë është realizuar në vitin 1984, nga grupi i atëhershëm Wham, pjesë e së cilës ishte edhe këngëtari tashmë i ndjerë, George Michael, shkruan KultPlus.

Kjo këngë e dashurisë që i dedikohet dashurisë së humbur, më vonë është kënduar edhe nga Whigfield, sikursë së fundi edhe nga Taylor Swift.

Kujtojmë George Michael edhe në këtë fundvit me këtë hit botëror dhe të pa harruar për shumë fansa të këtij këngëtari të madh./KultPlus.com

Katedra Albanologjike në Shkup – pa profesorë

Shkruan: Delvina Kërluku

Vazhdon mungesa e kuadrit ligjërues në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare në Universitetin “Kiril dhe Metodij” të Shkupit. Ministria e Arsimit dhe Shkencës arsyetohet se konkursi nuk shpallet, sepse Ministria e Financave duhet të sigurojë buxhet për pagat e mësimdhënësve. Udhëheqja e Katedrës thotë se nuk është shtuar numri i lëndëve, por mungesa e kuadrit vjen si pasojë e shkaurjes së disa profesorëve në pension, kurse njëri ka ndërruar jetë. Kjo është arsyeja e mungesës dhe çuditen se si nuk gjejnë mirëkuptim te Ministria. Katedra dhe studentët nuk mund të veprojnë kundër ligjit në fuqi, kurse vetë ministria nuk e respekton. Ministria e Financave duhet ta ketë mëse të qartë se Katedra nuk e ka shkaktuar mungesën, por ligji. Ky problem nuk është i sotmi, por zvarritet prej dy vitesh, kurse pësojnë studentët, pa fajin e tyre. Por është barrë e madhe edhe për ligjëruesit e atyshëm. Që të jetë absurdi edhe më i madh, Ministria e Arsimit madje ka rekomanduar dhe kushtëzuar që të pranohen bashkëpunëtorë të jashtëm, ekspertë të fushës së letërsisë, nëse nuk ka kuadër në Maqedoni!!! Po këta të Katedrës pyesin: me çfarë mjetesh do paguhen këta të jashtmit. Ose: për të jashtmit ka para, për të brendshmit – jo!!! “Katedra e Gjuhës dhe e Letërsisë Shqiptare edhe këtë vit akademik po e realizon me vështirësi të mëdha plan-programin mësimor. Siç është bërë e ditur, për shkak të politikave arsimore në shtet, vite të tëra nuk është lejuar zëvendësimi i kuadrit arsimor që u pensionua. Në ndërkohë te ne, për fat të keq, edhe një koleg, i cili mbulonte një fond të konsiderueshëm të orëve, u nda nga jeta. Edhe në këtë rast nuk u bë zëvendësimi me kuadër të ri. Për pasojë, Katedra funksionon duke e ngarkuar stafin aktual me fond tejet të madh të orëve. Deri sa e lejonte ligji, angazhonim edhe bashkëpunëtorë jashtë fakultetit, ekspertë të fushave përkatëse dhe gjendja përballohej disi. Por, dy vitet e fundit, mungesa e kuadrit ka ndikuar dukshëm në mbarëvajtjen e procesit mësimor”, thotë për Almakos, Valbona Toska shefja e Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare, në UKIM.

Pengesat në zhvillimin arsimor paraqiten në disa lëndë mësimore, si atë të Didaktikës së Gjuhës Shqipe dhe Didaktika e Letërsisë Shqiptare. Por, edhe në lëndë të tjera, të drejtimit të përkthimit dhe interpretimit. Nga katedra thonë se deri më tani është shtyrë mësimdhënia, por kjo çështje duhet të zgjidhet menjëherë, nga ministria përkatëse. “Këto lëndë, deri në pensionimin e tij, i ka mbajtur prof. dr. Avzi Mustafa. Disa rrethana shoqërore (organizimi dhe realizimi i vazhdueshëm i zgjedhjeve në vend) ndikuan që të mos miratohen kërkesat për shpalljen e konkursit për këtë kuadër më se të nevojshëm. Në drejtimin e përkthimit dhe interpretimit procesin mësimor e kemi organizuar në formë që studentët të mos kenë ngecje në ecurinë e studimeve. Por kjo është vetëm një zgjidhje e përkohshme dhe kjo gjendje në asnjë mënyrë nuk duhet dhe nuk mund të vazhdojë kështu. Drejtimi i përkthimit dhe interpretimit, për shkak të specifikave, kërkon një qasje shumë serioze, por njëkohësisht edhe mbështetje të madhe institucionale dhe financiare”, tha Valbona Toska. Ajo shton se për tejkalimin e problemit të kuadrit, Katedra e Gjuhës dhe e Letërsisë Shqiptare dhe organet udhëheqëse të Fakultetit të Filologjisë ,,Bllazhe Koneski” , i kanë informuar disa herë institucionet përkatëse dhe tani janë në pritje të zgjidhjes pozitive të kësaj çështjeje. Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës thonë se është obligim i MASH-it, por për këtë çështje përgjegjës kryesor është Ministria e Financave, ku MASH-i ka bërë kërkesë, për t’u shpallur konkursin për plotësimin e kuadrit, por me vite nuk kanë marrë përgjigje mbi këtë kërkesë. “Kërkesat për punësime të reja, apo edhe për plotësimin e vendeve të zbrazëta të punës (pensionime dhe ngjajshëm) bëhen nga ana e vetë institucionit të lartë të arsimit, deri tek MASH. MASH, në raste të tilla, është vetëm urë përcjellëse e kërkesës deri tek Ministria e Finansave. Ministria e Financave është organi kompetent, i cili jep pëlqime për financim për punësimet e reja. Sa për informim të Juaj, ne si Ministri e Arsimit dhe Shkencës, në kuadër të kompetencave tona, i kemi dhënë përkrahje dhe mendim pozitiv kërkesës për punësim, duke pasur parasysh rëndësinë e plotësimit të vendeve të punës dhe të rrjedhës normale të procesit të arsimit të lartë”, tha për Almakos, Agim Rushiti, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Ministria e Financave, për Almakos thotë se për mediat nuk japim përgjigje, për këtë çështje. Madje, kjo ministri ka harruar t’i japë përgjigje edhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. “Ne nuk japim përgjigje të këtilla, si përshembull një institucion kërkon mendim procedurial. Bëhet fjalë për raste individuale dhe në këto raste Ministria nuk jep përgjigje. Pra, nuk japim përgjigje për asnjë media”, tha N.S, nga Ministria e Financave. Nga Katedra e Gjuhës dhe Letërsië shqipe shtuan se sivjet në vitin e parë në drejtimin arsimor, janë regjistruar 50 studentë të rregullt dhe 3 me korrespondencë, kurse në drejtimin e përkthimit dhe interpretimit 26 sish. Përafërsisht ky numër përsëritet çdo vit. Pra, sipas tyre studentë ka mjaft. Dhe kjo katedër ofron atë që një institucion i mirëfilltë i arsimit të lartë, pritet ta ofrojë.

Rita Ora feston kërshëndellat pranë familjes së saj (FOTO)

Këngëtarja e njohur shqiptare Rita Ora ka festuar festën e kërshëndellave pranë familjes së saj, shkruan KultPlus.


Në rrjetet sociale tashmë familja Sahatciu- Ora kanë postuar fotot nga kjo ndejë, ku Rita Ora shihet të ketë kaluar këtë festë në një atmosferë të ngrohtë, pranë prindërve, motrës, vëllaut dhe gjysheve./KultPlus.com

Ju mund të keni një dhuratë nga Dua Lipa për festat e fundvitit (VIDEO)

Këngëtaren shqiptare, Dua Lipa, këto Krishtlindje e kanë gjetur në shtëpinë e saj të re dhe me një dhuratë fantastike për fansat e saj. E rehatur në divan, me pizhama dhe bredhin e ndriçuar, këngëtarja ka uruar gjithë fansat e saj për Krishtlindje.

“Krishtlindjet e para në këtë shtëpi, ndihem e rritur tashmë, Gëzuar të gjithëve”- ka shkruar Dua Lipa.

Në muajin mars, ajo zbuloi se kishte blerë një shtëpi të re, shtëpinë e saj të parë, si vajzë e rritur. Këngëtarja më famë botërore duket se nuk mjaftohet vetëm me urimin, ajo ka rezervuar një surprizë të madhe për fansat e saj, me rastin e festave të fundvitit.

“Për të gjithë dashurinë, suportin dhe gjithë gjërat e mrekullueshme që ju keni bërë për mua këtë vit, unë kam vendosur të lancoj #Dualiveries për 12 ditët e Krishtëlindjeve duke nisur nga sot. Hyni në dualiveries.com të fitoni një dhuratë cdo ditë. Ju dua.” – shkruan këngëtarja. Tashmë, mjafton të hyni në www.dualiveries.com dhe mund të jeni ju një prej 12 fituesve./KultPlus.com

Shtëpia muze e Kadaresë, tërheq turistët

Shtëpia e shkrimtarit të shquar shqiptar Ismail Kadare në qytetin e tij të lindjes në Gjirokastër ishte këtë vit më e vizituara nga Monumentet e Trashëgimisë Kulturore, raporton “Zëri i Amerikës”.

Krahas turistëve vendas dhe të huaj shtëpia e shkrimtarit është kthyer edhe një qendër të rëndësishme të ngjarjeve letrare dhe kulturore jo vetëm të qytetit, por gjithë hapësirës shqiptare, përcjell albinfo.ch.

Në shtëpinë e tij zhvillohen shumë aktivitete kulturore, derisa ka edhe shumë turistë të huaj.

Kjo e bën të lumtur shkrimtarin e njohur shqiptar, që disa herë e ka vizituar qytetin e lindjes dhe shtëpinë e tij.

Muzika është më e natyrshme se sa të folurit, të prekurit dhe të afruarit me njëri – tjetrin

Shkroi: Petter Greene
Nuk kemi pse të përpiqemi t’i bindim njerëzit se edukata muzikore është një mjet shumë i rëndësishëm në të ngriturit e aftësive të nxënësve dhe të bërit e tyre më të zgjuar,sepse kjo është vetëm një nga rezultatet e shumta positive që ka edukimi muzikor.

Do të doja shumë që njerëzit të pushonin ta shikonin muzikën në mënyrën se ajo i bënë njerëzit më të zgjuar. Sot muzika po shikohet si një shpenzim i tepërt parash nëpër shkolla. Dhe, shumë e vështirë të gjesh njerëz të cilët vërtetë e kuptojnë ndikimin esencial që ka në zhvillimin muzikor të fëmijëve, sa për të thënë: “Unë jam me ty bashkë në këtë përpjekje, dhe do të ndihmoj që t’ia dalim”.

Thjeshtë askush nuk e bënë. Ka shumë arsye pse muzika duhet të jetë e përfshirë në kurrikulat arsimore. Këtu po përmendim vetëm disa:

Muzika është universal. Kudo që shkoni ju dëgjoni muzikë. Gjithmonë. Ne jemi të rrethuar me të, të zhytur brenda saj. Si është e mundur që ne mos të duam të dijmë diçka më tepër për një gjë që është kaq shumë e pranishme në jetën tonë. A do të donit të jetonit në një botë pa muzikë? Me siguri se jo! Atëherë përse do të donit që muzika të hiqet prej shkollave ku mësojnë fëmijët tuaj?

Të dëgjosh muzikë, ka të bëjë me thellësinë njerëzore. Ajo na shtyen t’i njohim dhe t’i prekim ndjenjat tona më të komplikuara. Na ndihmon ta kuptojmë kush jemi ne, çfarë dëshirojmë dhe si ta gjejmë veten tonë në botë? Dhe meqenëse ne jetojmë në një botë shumë të pasur me vlera muzikore, ne kemi mundësi që të zgjedhim muzikën që i shkon pesonalitetit tonë dhe disponimit. Muzika na e mundëson që ta prekim zemrën tonë përmes gishtave.

Por, muzika është shumë më shumë se kaq. Ne mund t’i shprehim sekretet tona përmes saj. Muzika është kaq e natyrshme sa të folurit me njëri-tjetrin, të prekurit, dhe të afruarit me njëri – tjetrin. Pse mos t’ua japim nxënësve një mundësi që ata të njohin njëri – tjetrin në këtë mënyrë.

Muzika është magjike, ajo mund të përcjellë përmes tingujve fjalët që unë s’do të mund t’i thoja kurrë. I shtyen njerëzit të lëvizin, ta prekin trurin përmes tingujve, të mbërrijnë në zemrat e të tjerëve, dhe kjo thjeshtë është magjike.

Muzika na lidhë me njerëzit e tjerë, dhe është e papërshkrueshme mënyra se si afrohesh me ata që si ke njohur kurrë më parë. Ju thjeshtë jeni pjesë e diçkaje më të madhe se vetja, më e madhe se shuma e pjesëve tjera. Nxënësit mund të mësojnë të ndihmojnë njëri – tjetrin përmes muzikës dhe të bëhen bashkë për çështje të caktuara, në mënyrë shumë ‘cool’.

Në sporte ka vetëm një fitues, në muzikë fitues janë të gjithë. Në muzikë ju mund ta kërkoni përsosmërinë dhe mrekullinë e tingujve, pa patur frikë se do të turpëroheni. Çdo kush mund të jetë i mrekullueshëm.

Shikoni bendet e ndryshme muzikore, në komunitetin tuaj, koret e ndryshme që nga kishat e tutje, teatrin e të tjera, dhe të gjitha këto janë rezultat i programeve të edukimit muzikor në shkollat tuaja.

Programet tuaja muzikore mund të jenë një krenari e madhe e shkollave dhe komuniteteve tuaja.

Muzika është fantastike, Është njerëzore. Është universale. Dhe, më saktë, është edhe biznes i madh, sepse çdo kush dëgjon muzikë. Ajo e ka një vlerë të thellë e të fuqishme njerëzore.

Pra, kur programi ynë muzikor rrezikohet nëpër shkolla, nuk kemi nevojë ta mbrojmë se është e mirë për të tjera gjëra më sipërfaqësore, ky është ndikimi esencial që ajo ka në nxënësit e studentët, dhe jo domosdoshmërisht duhet të argumentohen llojet e ndikimeve apo efekteve tjera; si rritja e inteligjencës etj..

Emersoni ka thënë: “E bukura nuk ka nevojë për shpjegime”. Një shkollë pa muzikë, ka më pak vlera njerëzore, është më pak e vlefshme, dhe e përgjysmuar./KultPlus.com

Ambasadori amerikan Lu vazhdon traditën, ka zgjedhur këngën “Jingle Bells” për të uruar shqiptarët (VIDEO)

Ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu bashkë me stafin e tij tashmë kanë bërë traditë që të urojnë shqiptarët për festat e fundvitit, shkruan KultPlus.

Ai ka zgjedhë këngën Jingle Bells, i cili përpos stafit që ka shoqëruar ambasadorin, ata janë ndihmuar edhe nga këngëtart Lindi Islami dhe Venera Lumani.

Për më shumë shikojeni atmosferën e krijuar nga Ambasada e Amerikës në Tiranë./KultPlus.com

Gjërat që nuk i keni ditur për filmin më të famshëm të Kërshëndellave

“Home Alone”, është filmi që mbanë të mbërthyer gjenerata të ndryshme prej vitit 1998 e këtej, dhe vazhdon të mbetet si filmi më i adhuruar për festat e fundvitit, shkruan KultPlus.

Skenaristi John Hughes ka shkruar skenarin për vetëm dhjetë ditë, ideja i kishtë ardhur krejt spontanisht, përgjatë një udhëtimi me familjen e tij në vitin 1989 në Evropë. Dy javë pas kthimit nga pushimet, ai kishte pyetur vetën se cfarë do të ndodhte nëse do të humbte njëri nga fëmijët.

Edhe pse roli i Kevinit ishte vendosur që ti jepej Macaulay Culkin, regjisori i këtij filmi prap kishte vendosur të mbante një audicion, ku ishin lajmëruar rreth 200 fëmijë.

Përpos Macaulay Culkin, në këtë film ka luajtur edhe vëllau i tij më i vogël.

Ky film poashtu është përfshirë edhe në librin Guinnes. Vetëm në vikendin e parë ky film ka grumbulluar 17 milionë dollarë.

Shtëpia ku është xhiruar filmi në Ilion ka mbetur një aktraksion për turistët. Këtë film e patën dhënë për shfrytëzim pronarët e kësaj shtëpie, dhe më pas e kanë shitur me një cmim marramendës prej 1 milion e 585 mijë dollarë.

Për këtë film më së shumti ka pasë reagime në Poloni. 4 milion njerëz në këtë shtet nuk mund ta imagjinojnë festën e kërshëndellave pa e parë këtë film. /KultPlus.com


204 kravata janë mbledhur deri tani për kryeministrin Haradinaj, nesër i dorëzohen (FOTO)

“S’mundem gjithqysh me dalë, obligona për një kravatë, një kmishë”, ishte një ndër fjalitë që tha kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj, pas reagimeve të shumta që dolën kur ai ngriti pagën e tij rreth 100% të asaj që e kishte dhe tani merr 2950 euro në muaj.

Kjo inspiroi artistin Kushtrim Mehmeti që të nis iniciativën për mbledhjen e kravatave që nesër të martën e 26 dhjetorit të ia dërgojnë kryeministrit Haradinaj në qeveri.

Dje ishte dita kur u përhap shumë lajmi për t’i ‘ndihmuar kryeministrit Haradinaj’ përmes eventit “Apel për ndihmë”, kësisoj brenda 24 orëve janë mbledh gjithsej 204 kravat, shkruan KultPlus.

Kravatat do të vendosen në rrethojat e qeverisë, ndërsa protesta artistike mbahet të martën më 26 dhjetor me fillim nga ora 12:00./ KultPlus.com